XII. EMANCIPACIONI I KOMBIT SHQYPTAR.
AT PASHK BARDHIT O.F.M.
Me 3 Nandor 1920 At Pashk Bardhi O.F.M. mbushte 25 vjetë meshtarije. Fishta pergëzohet me kolegun e vet n’atë rasë me këte vjerrshë. Këta ishin kenë jo vetëm kolegë shkolle (në kurse të ndryshme) në Bosnje (Livno); po sidomos kolegë veprimi e idealesh fetare e kombtare. Bashpunëtorë të së përkohshmës “Albania”, të dy pjestarë të Shoqnisë “Bashkimi”, të dy së bashku themelues të “Hyllit t’Dritës” dhe të dy luftarë të pathyeshem për mbrojtjen e gjuhës dhe të kombsisë. Poeti mbasi i përmendë rasën e gëzueshme, përshkon ndeshtrashat plot nderlikime të jetës politike botnore në kundërshtim me idealin e patrandshëm të lirisë e të pamvarsisë qi ata patën përherë parasyshë. Paraqet gjendjen e mjerueshme të Shqypnisë së robnueme, froten e Shqyptarvet të rritun të huej dhe misionin qi zhvilluen për të rritë Shqyptarin kombtarisht, tue ia mbrrijtë qellimit. Së mbrami, përfundon tue e nxitë kolegun të vijojnë me punue për Atdhé.
Në këte poezi lirike ndihet ma fort se té asnji tjetër , Poeti sarkastik.
E kshtu sod, Pater Pashko, plot po t’ mbushen
Pêsë e ‘izet vjet, se, zemergzuem, pik’s’ pari
Kij’n e pa njollë permbi eltér t’ bekuem
I bane flije Atit t’ Amëshueshem,
- E n’ vneshtë t’ ktij t’ Lumit, rrésht me tjerë Levita,
Per Atme e shêjten Fé ti nise punen
Me fuqi t’ kerthnesta.
Oh! Sa ndeshtrasha
E sa puna e papritne gjatë ktij moti
U nderlikue mbi botë! Shka s’ kemi pa
- E ndie n’ kto vjet! Kem’ pa kunora e shkeptra
E frone t’ larta n’ llom t’ u rrokullisun;
Kem’ pamun mbretent ngelë pa plang, pa shpi
E rrugave t’u sjellë: ata, të cillvet
Terthorja e botës dikur ua duk’ e vogel,
- Per të pershim’ madhninë e tyne; e ndie
E pa na kém’ si ajo hypokrizija
E nji diplomacije s’ ndyt – bakalle
Mbarë Evropen e lau m’gjak, shkeli t’ drejta,
_________________________________________________________________________
- E kshtu sod…: Fillimi asht krejt i natyrshem, si t’ishte tue i drejtue nji letër. Nuk kerkon me gjetë mënyrë tjetër, ndoshta ma poetike, por sigurisht e panatyrshme. Ky asht nji koleg me të cilin ka nda të mirat edhe të këqijat. Don me folë me té si i flet miku mikut.
- pik s’pari: për ma të parën herë. 3. Kij’n e pa njollë: Kingjin e papërlyem (Agnus immaculatus). Flija qi meshtari i kushton Hyjit në meshë asht vetë Krishti, i cilli paraqitet në Bibel e në liturgji në shembëlltyrë të nji kingji. 5.Levita: meshtarë. Emni vjen prej fisit të Levit, qi në ligjen e vjetër i kjé lanë sherbimi hyjnuer. 6. Per Atme..e Fé: Binom të cillin sidomos Françeskanët e patën kurdoherë program jete. 7. të kerthnesta: të kerthndezta, të gjalla, përtriese, të shëndetshme. – O sa ndeshtrasha: Njizetepesë vjetori i sjellë ndër mend ndodhjet e ndryshimet politike, tue përdorë fluturimin lirik, kalon në – ndeshtrasha: ngjarje. 8. gjatë këtij moti: rrokull këtyne 25 vjetve. 9. u nderlikue: u ngatrrue. 10. kem pa kunora…: Ndrrimet politike të mbas luftës botnore janë të freskta per Poetin. Kjenë rrxue dinasti shekullore, mbretën e perandorë u zhduken prej skenës politike, shumë vetë ikën në mergim. 11. t’larta: t’përmenduna, të madhnueshme. 14. Terthorja: gjithë bota, rrokullija.
15.E ndi e pa: Padrejtësinë e dhunen e diplomacisë, qi Poeti shkoi tue e stigmatizue gjithnji në shkrimet e veta. Pat rasë me e konstatue ma afër, atëherë kur kjé me delegacionin shqyptar në Konferencën e Paqës. Parimet e drejtësisë nuk u morën aspak përpara syshë.
-36-
E tagre, e shka ma t’ shuguruem pat nieri,
- E s’ la kund besë as nderë per pa dhunue.
Jo, po; në periudhë të ktyne vjetve
Terrnoi, t’ thuesh, bota ftyret, e sod t’ bahet
Se t’ gjatë nji epohë gjalluem na n’ moshë t’ njerzimit.
Por, po, se n’ krisme e në rropame t’ mnershme
- T’ ktij kataklizmi t’ shoqnis njerzore
Fizjonomi nuk ndrroi as s’u pilue
Njaj ideali i ynë kombtar e shpresa
E gjallë, se zojë m’ vedvedi ‘i herë Shqypnija,
Stolisë me rreze t’ lumënis s’ perparshme,
- Madhnueshem shtegut t’ qytetnis do t’ bite.
U rroposen mbretni, dhe u zhduken mbreten,
M’ tjera pajandrra, kurr dér sod të ndieme,
Xûni vend pesha e shoqnis s’ njerzimit;
Por ideali i ynë s’ u lkund, as nuk u thye:
- Enè a sod m’ kambë, vigan, i atilltë, si s’ parit,
Kur tash pesë e ‘izet vjet n’ mend na u perftue,
E me atë fllad t’ vetin, t’ kandshem, të fuqishem,
Ambel pershkon ai zemrat e Shqyptarvet
E i nxitë kah punët e mbara.
N’ kob të zi
- Sot njizet e pesë vjet kish’ ngelë Shqypnija,
E kjate, e dneste, e fryma n’ lot i xêhêj,
Pa u gjetë kush mik, qi t’ mjeren m’ e ngushllue:
Si njajo nanë e shkretë, qi shty prej mallit
E pa e pá kush, n’ ndo ‘i mbrame kah prendvera,
- Prej shpijet del e m’ rreze, qi lshon hâna,
Tue thekun kamben, shkon në Rrmaj e sypri
Vorrit të birit n’ váj e n’ lot derdhë zemren
Pa u gjetun kush, qi m’ e pajtue kercûnen:
Pse as gurt e vorrit zemer nuk po kishin….
- Mbi shkam të gjyqit ndejë i kishte anmiku
E pa dhimbë shpirtin me gerhanë ia lnuerte –
Me gerhanë t’ robnis.Të huejët m’ krye t’ vendit
I rrijshin pshtetë, tue dihatë prej vjamit,
Qi kishin vu me miredije t’ saja,
- I vejshin ligjë e gjyq; madje arsye i lypshin
Pse ishte ajo gjallë – ata, qi n’ vende t’ veta
Paten kenë gjuejtë me mollatarta t’ kalbuna…
_________________________________________________________________________
22.terrnoi…bota fëtyrët: mbarë bota ndrroi fëtyrë aq sa, me t’u dukë ndrrime shekujsh.
- Përballë shndrrimit politik e shoqnor në mbarë botën Poeti, në nji mënyrë të fuqishme paraqet idealin kombtar të nji Shqypnije të lirë, i cilli nuk dijti me pranue kurrnji ndikim të huej. 25. kataklizmi: ndrrim i madh qi sjellë me vedi rrjedhime të kobshme. 26. fizionomi: dukje, pamje. –pilue: ligshtue. 31. U rroposen: u shkatrruen me themel. 32. pajandrra: parime, mbështetje. 34. s’u lkund: s’u trand. 35. i atilltë: i fuqishem, i bashem, i lidhun. 36. n’mend na u perftue: na lindi në mende. 39. nxitë: ep shkas, ep t’shtyme. Kob: mjerim. 46. Rrmaj: vorret e Shkodrës. –kercuna: e mjera. Thekun kambet: shpejton hapin, grahë kambve. –miredije: ushqime të mira qi gatuhen ndër gosta ose pritje miku.
-37-
I huej Shqyptari u rritte, edhe nëper shkolla,
Ku i tredhej mendja neper gjuhë të hueja,
- E ku mahitë me kuklla e rrypa letrash
A tremë me qipuj, thopça e bubazhela,
Atdhén e kombin xête me mohue;
Perse aso kohe, si ti e din n’ ket dhé
Ish’ faj me u quejtë Shqyptar, e marre edhe ishte
- Me folun shqyp. Mande’ aso kohe kishte
Edhe nji frotë Shqyptarësh së dekun n’ shpirt,
Fatzez perherë e t’ shtypun krejt kah mendja;
Do njerz karabullakë e kryematare
E ashtu të plojtë e t’ ploshtë e dredhë kuk qafen,
- Si kurmagjakë të bam me mish gomarit,
T’ cillt, tu’ u poshtnue, porsi bubrreca t’ ndyta
E ‘iqind herë n’ ditë tue shitë Atdhén e fisin,
Zhargas bubrrojshin per nen kambë të t’ huejvet
E me lurtime e poshtersi të flligta
- Kqyrshin me u njitë m’ndo ‘i shkallë të naltë, per t’ cillen
Zoti as natyra ata s’i kishte pré.
N’ ketë kob, po, fshâte e n’ketë mjeri gjimote
E mjera moj Shqypni, atëherë, kur s’ parit
Na u thamë Shqyptarve e mbarë botës s’ qytetnueme,
- Se i Madhi i jetës, qi vrân e kthiell mbi shekull
Ai per Shqyptarë Shqypnin e kishte falun;
Se marre s’ isht, as faj, as ishte kore
Me folun shqyp: se shqyp shkolla do t’ bahej
N’ dhé t’onë; se i hueji nder né mund t’ rrite
- A si rrogtar i yni, ase, ndo ‘i hera,
– Po t’ isht’ ai nieri i ndershem – si zot punet
N’ punë t’ vet: por jo në krye të vendit,
Por jo me sy qi me sundue mbi né:
Këtu Shqyptari vetem do t’ sundote
- E i hue’i, pa fjalë, do t’ shtrohej ligjvet t’ tija,
A se ndryshe per krahit jashtë me u qitun.
Kto fjalë anmiqvet t’ kombit t’ onë, a’ e dijtne,
se nuk u ran per shtat: ishin kênë msue
Me hanger voe t’ fergueme ktu n’ Shqypni –
- Té kjo ndriklla e hutueme, e nuk u bahej
Me njy mandej, atje nder vende t’ veta,
Kashaten n’ shllinë; prandej ia nisen
Disi me na shikjue terthur, a gazin
Herëherë né me na vumun – njifarë gazit
- Të keq, a di, si ai gazi i neveritun
_________________________________________________________________________
- Ku i tredhej…: Ketë hibrid Shqyptari, Fishta e luftoi gjithnji. 60.mahitë: mahnitë. 61.qipuj…: shpirtën t’kqijë. 66.protë: çetë e mbrapshtë. 68. karabullak: shpend uji budallë. 69. të plojt e …dy fjalë të nji rraje satirike. –dredhë kuk..: kukzue, germuçue. 70, kurmagjak asht salami i gjakut. 79. lurtime: përkdhelje, miklim. 81. kore: marre, koritë. – ndriklla: Nana e femijës qi i ke marrë flokët. 98. terthuer: shtrembët, shikim anësor.
-38-
I rrashtes s’ t’ dekunit. Por kot, pse ujku
S’ tremej prej shoshet, edhe na s’ u morem
Per dokrra e per kercnime t’ tyne. Kokërr
U ndejem, me topuz t’ arrsyes në dorë,
- E me atë fuqi, qi shêjtet t’ drejtat t’ona
Na epshin né, i thyem, edhe prej Zotit
E jona duel; pse sod po ka Shqypni.
Jo, po, ka sod Shqypni e Shqypni t’ lirë,
Shqypni t ’pamvarshme e taman zojë n’ vetvedi:
- Njashtu si e dojshim na e s’ e dote anmiku.
Mandej ka sod gjuhë shqype. Shqyp, po flitet
Sod në Shqypni nder t’ tana, sa janë, zyret;
E jo veç se nder shkolla msohet shqypja,
Por njerz me thija m’ krye me cenë po nxiten
- Me xanë sod shqyp, e namin – lumt-u goja! –
Msuesat bihude, qi nder kohë t’ kalueme
I morem mêç me msim të gjuhvet t’ hueja.
E prap – Zotit shyqyr! – i hue’i mbas sodit
Ai tjeter punë nuk ka me pasë n’ Shqypni,
- Veç se me blé likura dhish a shkême:
Me shitë çubukë, bylbyla dheut, ndo ‘i basme
Per brandavekë, ndo’i kukull fmijsh e tjera:
A se, rrogtar me né, me ngulun hudra,
Lakna, ndo ‘i presh neper kopshtije t’ona:
- Me bajtë kandilat, kur vorrojm ndo ‘i t’ dekun:
Me fikë ndo ‘i qiri n’ Kishë: surles me i ra,
Kur t’i thomë na; por jo ai ma mbas sodit
Me lujtë harushë nder né, me ngrehë tureçkat
Per dash kumbone e karrapucakue,
- Porsi xhuxhimaxhuxhi, m’ krue të votres,
Me mbajtë garuzhden mbrendë nder vorba t’ona
E t’ tanë undyren ai me e zjerrë per vedi.
Pse do t’ a dijsh, se sod koha e Ballhutës
Mbaroi n’ Shqypni per t’ gjith, e tash e mbrapa,
- Per posë Shqyptarit, s’ ka me i hecë kurrkuj
Kunglli mbi ujë; po due me thanë, se kemi
Na sod nji Atme t’ lirë e të pamvarshme,
Njashtu si dojshim na e s’ dote anmiku.
Por shka, se mjaft nuk asht me mkambë Shqypnin,
- Por se duen rritë, edhe Shqyptarët, qi t’ bahen
Të zott me e mbajtë Shqypnin. Prandej arrsyeja
E lypë, qi, shk’ asht Shqyptar i pendës e i dijes,
____________________________________________________________
103-104. Kokerr u ndejem: me sy kokerr, pa u tutë. –topuz: mjet luftimi, gjyle hekuri me thepa, me bisht të shkurtë, përdorej në dyluftime. 114. cenë: zell. 116. bihude: budallë. 118. Zotit shyqyr: Falë nderes Zotit. 120. shkême: shqême. 122. brandavekë: veshje e grave shkodrane, shumë polash prej brezit e deri në fund të kambve, ngjyrë të mbyllët patlixhani ase të zeza.
- me lujtë harushë: me u tallë. 129. karrapucakue: m’u mbledhë, me u kukzue. 231.vorba: vegshi i dheut. 133. Koha Ballhutes: Kur hate qeni pagaçë, kohë bollekut.
-39-
T’ ia shugurojë Atdheut fuqit e veta
E m’ udhë t’a vejë t’ lumnis e t’ perparimit.
- Nji Shtet, qi s’ perparon, a ‘i gja e shtime,
E jetë të gjatë nuk ka.
Gajret, pra, At Pashko,
E si der sod, me fjalë, me msim, me pupul
Ti per Shqypni u mundove, edhe mbas sodit
Orvatu per Shqypni, pse me ndihmë t’ Zotit,
- E jona ka me dalë – do t’ dalë e jona!
_________________________________________________________________________
- gja e shtime: deshtuese, abortive.
- me msim: At Pashko Bardhi kjé drejtor dhe profesor i Kolegjit Françeskan e ma vonë i
Liceut Françeskan “Illyricum”. – Me pupul: me shkrime, mbasi Ai kjè edhe bashpuntor i “Albania”, “Zani i Shna Ndout”, dhe “Hylli i Dritës” ku, ka shkrue artikuj mbi çeshtje gjuhësore, shoqnore e historike. Edhe sot (1941)edhe pse asht i moshuem Ai vazhdon me punue.
Orvatu: Përpiqu, puno! Nxitje për me vazhdue punën.
Komentet