“IN HOC SIGNO VINCES.”
Në fillim të shek. XV Turqit sulmojnë Evropen dhe shkretnojnë fise e mbretni.
Fatosi i Krujës përballë rrezikut, qi i kercnohej Shqypnisë, i drejtohet Hyjit edhe e lutë qi mos të premtonte, qi Shqypnija të bije ndër kthetra të Turqve. Lutja e tij prekë të Amshuemin, i cilli i dergon së nalti Flamurin Kuq e Zi, emblemë bashkimi e vetsundimi. Me atë flamur në dorë, Skanderbegu, i mberthyem në armë, qet kushtrimin. Shqyptarët rrâjnë (nisen) menjiherë, kështu nisë lufta e tmershme dhe Turqvet u thehet sulmi.
Në dorëshkrim, qi ban Poeti, e ka datën 20/11/1919, nën titull, ndër kllapa, lexojmë: Fragment i njij poemthi të pabotuem. Nuk dijmë kurrgja për ketë mendim të parë të tij rreth hartimit të këtij poemthi. Kanga, si kemi theksue edhe ma nalt, merr nji ton liriko-epik, tue u nda në shenj për fuqi shprehjesh, paraqitjesh të gjalla e fëtyrash ndjekore.
Tue zbardhun mosha dhetepesët e jona
Atje prej shtojesh s’ Anadollit t’ plleshem
Hanza pergjakshem nisë mbi Evropë t’ kukzohet.
Ishte zot-madhi i Turqvet, qi në krye
- Të ma s’ rrebtes ushtri së jetës s’ atëhershme
Ujnat e njelmta dilte t’ Helespontit,
Edhe betohej n’ mni të vet mizore,
Se shpirti trupit s’ do t’i dahej para
Se hanzen t’ ngrifte mbi Sh’ Sofi t’ Bizantit
- E n’ Sh’Pjeter t’ Romës tagji t’i vête kalit.
E pse ai burrë dokrrash e pallavrash s’ ishte,
Perpara tij ran frone e ran therore;
U rroposen mbretni e u shkimen fise,
_____________________________________________________________
- Tue zbardhun….: N’agim të shek. XV. Fishta poetikisht ia paraqet vetes sikur sulmojnë Turqit për të parën herë në kohën e Skanderbegut. Po, ata e kanë sulmue Shqypninë qyshë në mbarim të shek. XIV.Pushtimi i Evropës prej Turqve xen fill me Sulltan Muratin (1360 – 1389). Mbasi kjé pushtue Traka e Maqedonija, tue ba kryeqytet Hadrianopulin, nji ushtri 40.000 vetësh, nën kryesinë e Vezirit Hajderin në vitin 1385 pushtoi Kosturin e Beratin. Nji ndeshje e rrebtë u ba në fushë të Savrës, afër Elbasanit (1385), ku u vra Balsha i II. Në 1389 kemi luftën e Kosovës, ku marrin pjesë: Serbë, Bullgarë, Hungarezë e Shqyptarë (Gjergji i II Balsha, Teodori II Muzaka, Gjergj Kastrioti, stërgjyshi i Skanderbeut). Fitoria kjé e Turqve. Në ketë luftim u vra Sulltan Murati I e Teodori II Balsha. Lufta ndërmjet Turqve e Shqyptarve vazhdoi pa pushue, të thuesh nji shekull, në nji kohë kur të gjithë popujt e Ballkanit ishin të pushtuem. Periudha e lumnueshme e kësaj qindrese titanike nisë mbas këthimit të Skanderbeut në vitin 1443 e deri në vdekjen e tij me 1468.
- prej shtojesh: prej visësh, krahinash. Këtu asht përdorë në kuptimin e shumë vendëve.
- Hanza e pergjakshme: Poeti paraqet lamen e kuqe të flamurit e njiheri egërsinë e anmikut qi kukzohet, qi përmblidhet, si t’ishte bishë e egër, mandej, me këte flamur, për me u turrë e me u flakrue për të shkye anmikun.
6.– Ujnat e njelmta dilte t’Helespontit: Veni ré fëtyrën gramatikore të quejtun hyperbat, e cilla jo vetëm nuk vret aspak veshin, por për ma tepër qet në shesh veprën guximtare të Sulltanit. Helespont thirret mbas emnit të vjetër gryka e Dardaneleve.
- Sh’ Sofi t’ Bizantit: Hagia Sophia, nji ndër mbrekullitë artistike të botës, këthye në xhami prej Turqish. Bizant asht emni i vjetër i Konstantinopolit (Stambollës).
- burrë dokrrash e pallavrash…: nuk ishte njeri fjalëmadh e i ligësht. Këtu Fishta përmbledhë në nji ndeshje të vetme deçisive luftat, qi Skanderbegu bani për 24 vjet. Sulltanë kundra të cillve luftoi trimi i pathyeshëm kjenë dy: Murati II dhe Mehmeti II, njeni ma i rrebtë e ma i tmershëm se tjetri, por ky i fundit u dallue për këta cillësi.
- frone…: therore, trone, dinasti mbretnore e elterë, kisha etj.
- u rroposen: u shkatrruen, u përmbysen. – u shkimen fise: u shuen, dolën farët popuj.
-31-
E as bar ma s’ bijti andej ka ’i shkeli kamba.
- Greku, Bullgari humben, humbi Serbi,
– Humbi, po, Serbi, madhështija e t’ cillit,
Qatje te e vona boten mbarë në zi
Do t’a pshtiellte. – T’ felgruemun drojet, shuejten
Zanin mbretent e Evropës. Zâmaret eshten,
- Eshti edhe kanga e nji mjeri e shemtueme,
I ra mbarë dheut.
Kur, qé, mbi kep të Kruejës
Titanike po del nji hije burri,
Vetllat ngerthye, si dy hulli rrufeje,
_________________________________________________________________________
- E as bar…: Me arsye u kjé përshtatë Turqve kjo fjalë,qi dikur kjé thanë për Hunët e Atilës. –Greku…humbën, humbi Serbi: Veni ré fëtyrat e ndryshme të grumbullueme ndër këto dy vargje qi i bajnë aq plastikë! –madhështija (krenia) e të cillit…pshtiellte: Shkak i afërm i shpërthimit të Luftës Botnore aq shkretnuese kjé Serbia. Vegël e pansllavizmit të mbrojtun nga Rusia, qeveria Serbe, nëpër agenta të vet, shtini me vra princin trashigimtar t’Austro-Hungarisë. Me 28 Qershor Franc Ferdinandi bashkë me të shoqen Sofinë, dukeshën e Hohenberg pat dy atentate në Sarajevë. Prej të parit shpetoi, por në të dytin të bamë prej studentit Princip kjenë vra të dy. Tragjedija e Sarajevës bani nji përshtypje të madhe në të gjithë botën. Me 23 Korrik në mbrame qeveria Austro-Hungareze mbas sa shqyrtimesh e përpjekjesh të njerzve politikë të saj – i dergoi nji notë qeverisë së Beogradit. Përgjigja do të jepej mbrenda 48 orëve. Në këte notë qeveria Austriake ankohej: Për veprimtari të shoqnive të sekteve të ndryshme të drejtueme kundër Monarkisë, për mënyrën fyese të shtypit, për lavdatat ndaj atentatorve, për propagandë antiaustriake t’arsimit etj. etj.
Kerkonte prej qeverisë serbe qi të botonte me 26 Korrik në fletë të parë të fletorës zyrtare nji shpallje tue dënue propagandën kundër Austro-Hungarisë. Për t’u sigurue për rezultatet e këtij botimi kerkonte edhe shumë garanci, ndër tjera, qi të pranojë bashkëpunimin në Serbi t’organeve të qeverisë Austro-Hungareze në suprimimin e lëvizjes kundër Monarkisë; qi të bante hetime kundër pjestarve të komplotit të datës 28 Qershor dhe të merrshin pjesë ndër to edhe delegatë të qeverisë Austro-Hungareze. Serbia lypi menjiherë përkrahjen e Carit. Në nji lajm zyrtar Rusija tregoi se nuk kishte si me ndejë dorëjashtë kundrejt fatit të Serbisë. Përgjigja qi kryeministri Pashiq i dorëzoi ministrit Austriak në Beograd, kje shpallë e pamjaftueshme e prandej u shpallën të këputuna marrëdhanjet diplomatike. Qeveria Serbe atëherë filloi mobilizimin e ushtarve. N’anë tjetër edhe Austria filloi mobilizimin, me datën 28 Korrik 1914 i shpalli luftë Serbisë. Me njiherë keshilli i luftës Rus vendosi mobilizimin. Me 30 Korrik, Cari, mbas sa ngurrimesh, nënshkroi mobilizimin. Qeveria e Berlinit i njohtoi me njiherë Rusisë rrezikun e atij hapi, tue e grishë të ndalojë mobilizimin. Shtatmadhorija Ruse nuk i vuni vesh. Me 31 Korrik Qeverija Gjermane shpalli gjendjen e rrezikut të luftës dhe dergoi dy ultimatum: nji Rusisë tue i lypë qi mbrenda 12 orësh të pezullonte mobilizimin, dhe nji tjetër Francës, tue i kerkue me dijtë mbrenda 18 orësh, a kishte me qindrue asnjanëse a jo, në rasë të nji lufte me Rusi. Rusia nuk e pranoi urdhnin e Gjermanisë, ndërsa Franca përgjigji se do të vepronte shka t’i këshillonte mprojtja e interesave të veta. Kështu, me 1 Gusht 1914 lufta Austro-Serbe bahej vetëm nji episod i luftës evropjane e ma vonë asaj botnore, qi i kushtoi përveç shkretnimeve të tjera, dhetëmiljon të vdekun.
- Të felgruemun drojet: të friguem prej tmerit. –shuejten zanin: heshtën, pushuen zanin.
- Mbretënt e Evropës: Kurrkush ndër ta nuk luejti për së gjalli me u çue ndihmë popujve të Ballkanit. Venediku – nji Albionë e dytë e Mesjetës – shikoi kryekreje përherë interesat e veta, si gjithmonë.
- e nji mjeri…dheut: Dy vargjet e fundit, sidomos mbarimi i mendimit në nji hemistik, apin përshtypjen e nji heshtimi vorresh, shkaktue prej tmerit.
- kep: shkrep, kala, Keshtjella e Krujës.
- Titanike: Pse asht atdheu i heroit Titanik, por kjé edhe qendër luftimesh të rrebta e luftarët e saj qindruen trimnisht.
- Vetllat ngerthye…: Me vetulla të ngrituna tue i mrudhë prej idhnimit. – hulli: brazë.
-32-
Me do sy zjarmi e ‘i mjekerr t’ thijtë, e cilla
- Shllungë gjatë nofllash i derdhej, si ajo njegulla
Rreth njaj curri s’ thepisun. M’ krye trishtueshem
Flakë i shkelqan tarogza brynatake,
Qi, tmershem ka ‘i vezllon nen rreze t’ diellit,
Kometë zharitse dan nder sy t’ anmikut.
- Ai asht fatosi i ndiemun Gjergj Kastrjota,
I Madhi Gjergj Kastrjota Skanderbegu,
Qi, pre’ atij kepi, si nji shqype mali
Kundron kah forca e barbaris lindore
Shkon tue rrëmbye mbretni e fise e popuj,
- E gjithshka t’ mbarë perftue kisht’ mendja e nierit;
Si rribë Verit, qi rêt i fshin prej qiellit
E e lên token me u tha. Edhe tue pamun
Se anmiku i rrebtë i gjytetnis njerzore
Po nisë per s’ afermi Shqypnis t’ kercnohej
- E se prej nierit s’ kisht’ pse ndimë me pritun,
Çon syt kah qiella, e zemra gjak tu’ i shkue,
“O Zot! – gerthet, – O Zot i Madhi i Ushtrivet!
E po a njimend se ma s’ do t’ ket Shqypnija
Nji vend ku me t’ u lutë?… E se grat t’ona
- Djepat n’ Azi mbas sodit do t’ perkundin?…
E se Shqyptari tokën do t’ punojë
Veç per me kndêllun n’ mish gocat qerkeze,
Qi nji Tirani t’ i sherbejn ma kandshem?
Oh! Pse ia mbrrim ksajë dite, e s’ ka shperthye
- Toka q’ me kohë, me na perpi per s’ gjalli!
Ti, o Zot i Madh i Ushtrivet, Ti prej qiellet
Zemer e forcë m’ dergo, qi ktij Tartari
Barbar un t’ ia diftoj, se Shqyptarija
S’ merret pa gjak, e se per Fé e Atdhé
- Din t’ desë Shqyptari”. Permbi flatra
Të bardha t’ Fés kjo lutë u çue kah qiella
E i shkoi n’ vesh Perendis e e preku n’ zemer.
I Amshuemi, atëhera, prej visarit t’ qiellvet
____________________________________________________________
- të thijtë: të zbardhun prej thinjash. 25. shllungë: si shllungë leshi. – nofllash: fulqinjsh.
- curri s’thepisun: kepi, majes së ndonji shkrepi, shkamb me thepa. –trishtueshem: me të trishtue, me të shti mneren, tmerin, frigen. 27. tarogza brynatake: Perkrenarja me krye t’dhisë. 28. vezllon: flakon, shndritë. 29. Kometë: hyll ravgues qi pershkruen rreth diellit nji elipsë fort të picigjatun e qi asht i shoqnuem prej nji shllunge drite qi quhet bisht.
- i ndiemun: i përmendun. Në gjuhë popullore përdoret vetëm në veshtrim të keq sidomos në gjini femnore. Këtu ka veshtrimin e tosknishtës i dëgjuar. 33. kundron: vrojton, vërenë. –34. tue rrëmbye: tue pushtue. 35. E gjithshka të mbarë perftue..: çdo punë a vepër qytetnimi qi kishte krijue mendja e njeriut. Turqit, barbarët e Lindjës për ekscellencë, nuk kursyen kurrgja: rrenuen, shkretnuen kudo qi shkuen, as nuk dijtën me ndertue gja kurr. 36. Si rribë Verit: si terbim, si rrymë murranit. 41. E zemra gjak…: Mënyrë thanje qi tregon kulmin e mjerimit të mbrendshëm sidomos atëherë kur nuk ké forcë me ndrrue asgja. 42. O Zot i Madh i ushtrivet: Shprehje biblike. 47. me kndêllun: me përmirsue në shëndet. – gocat….: çikat, varzat Qerkeze (shih k.IX, v. 98 shen.).
-33-
Xjerrë nji pelhurë të njyme “kuq e zi”,
- Qi Engjuit vetë n’ Parriz endun e kishin:
E mbasi e puthë i Lumi e ven në ball,
Nji Kerubini t’ lehtë i urdhnon tu’ thanun,
“Na, e ketë Flamur Skanderbegut çoja
Atje poshtë n’ Krue, e thuej prej ane s’eme,
- Se dersa t’ rrije tok fisi i Shqyptarit
Nen hije t’ ktij emblemi t’em t’ bekuem,
Zot m’ vedi e i lirë gjithmonë ai ka me kenun”.
Kshtu tha i Amshuemi; e ai Kerubini i qiellvet
Palosun m’ parsme Flamrin e Shqypnis,
- Hapë flatrat e prarueme, e poshtë Empirit
Zhgjetë nper nji rreze drite dirgjet n’ Krue.
Ku Skanderbegut n’ dorë dhantin e Zotit –
Flamurin e Shqypnis – ia nep e kshillin
E t’ Lumit ia difton: Se si Shqyptari
- Zot m’ vedi e i lirë gjithmonë do t’ mund qindroje.
Si ai nieri, qi trishtue njaj andrre s’ keqe,
Kur gjumi i del, me vedi xen e gzohet,
Se n’ hije e jo njimendtë iu tfaq rreziku:
Kshtu Skanderbegu nisë me u gzue me vedi,
- Si Lajmi i qiellvet n’ dorë ia dha Flamurin
E i tha se per nën hije t’ tij Shqypnija
E lirë e zojë m’ vetvedi p’rherë do t’ jitte.
Edhe armatiset Burri i dheut krejt m’ hekur,
Njeshë pallen n’ ijet – pallen t’ rrebtë mizore,
- E m’ patershanë, me pafta arenzit t’ mathne,
Njet Flamurin kuq e zi, qi vetë i Amshuemi
E kishte puthë, edhe mbi shpinë të kalit,
Qi, fry turijt, njuhatte erë të gjakut,
Hidhet porsi duhi e rrebtë. Prej millit
- E zjerrë pallen mizore, e drejtë kah qiella
Heshten e ngrehë. Nji fllad i lehtë, i ambel –
Flladi i Dashtnis – po e zhdrivillon Flamurin.
– Flamurin e Atdheut t’ em – qi tue gufue
Mallnueshem nepër ajr të lirë t’ Shqypnis,
- Nisë me u valvitë si fleta e Kerubinit,
Si njai skundilli i petkut t’ Perendis,
_________________________________________________________________________
- Përveç Flamurit u përdorën edhe dy rrypa pelhurët njeni i kuq e tjetri i zi, të ngjitun bashkë. 60. endun e kishin: fjalë teknike e endjes së pelhurës në tezgjah. 62. Nji Kerubini t’lehtë: Nji Engjulli të shpejtë. 65. tok: së bashku. 66. emblemi: simbol, shenjë dalluese. 71.zhgjetë…dirgjet: zdrypë, zbriti si shigjetë, me shpejtsi të rrufeshme. 82. jitte: mbetëte. 84. pallen: shpatën. 85. patershanë me pafta arenzit t’mathne: Heshtë e veshun me pafta bronxi. – të mathne: (shih K.VII, v.20 shen.). 88. njuhatte: merrte erë, nuhatte, me nuhatë. 92.zhdrivillon: zhvillon, hapë n’ajr… 93. Flamurin e Atdheut t’em: Nji fllad i posaçem dashtnije duket sikur peshkon edhe zemren e Poetit në këte çast kur sheh Flamurin e vet të Shenjtë. – tue gufue: tue u hjedhë, tue value, tue u valvitë. 95 – 96. si fleta e Kerubinit: Si ai skundilli i petkut Perendis. Krahasime qi përdorë kur flet për flamur. Figura të tilla gjejmë edhe te Hymni i Flamurit.
-34-
Qi, mirë qendisë me hana, hyj e diella,
Prej krahvet t’ amëshuem e t’ gjithpushtetshëm
I mvaret poshtë neper hapsi t’ Empirit,
- Kah, pshtetë m’ stuhi e m’ flatra t’ rribës s’ murranit
Sheston boshtin e moknes s’ rrokullis.
E ashtu n’ atë dukë të rrebtë e t’ perfrigueshme
Me ‘i za, si tue ulrue, prej kepit t’ Kruejës
Po u thrret Shqyptarvet t’ vet e u thotë: “Ktu burra!
- Ktu eni, o bijt e Malevet! Shqypnija
Gjindet n’ rrezik!” N’ atë bulurimë ushtuene
Malet e fushat e Shqypnis kreshnike,
edhe nji çetë e vogel homeridash,
– Burrash si motit veç qi bate nana –
- Per rreth tij mblidhen, e nen hije t’ Flamurit
Nji bé të madhe bajn e lidhin besen,
Se i pllâmë toket t’ Atdheut s’ ia lshojn Tartarit,
Po s’ e lán’ para me gjak t’ tij t’ perdhosun.
T’ forcuem me atë bé, t’ forcuem me shejtni tagresh
- E shpresë m’ Zotin tue mbajtë e m’ krah të vetin,
Me Flamur kuq e zi zhdredhun perpara,
Poshtë errmorevet t’ malevet t’ thepisuna
Si rreshme boret prej ndo ‘i kulmi t’ rryeshem,
Rrâjn fulikare permbi rradhë t’ Turqvet,
- Të cillt, prej s’ largut tue ua pamun hovin,
Thonë se kulshedra me dragoj po u turret.
Edhe mnershem nisë lufta titanike.
Kah t’ idhta shpata, kah gjakbâset heshta
Çeken nder shkndija me vringllimë t’ trishtueshme,
- E bumbullojn henike edhe gopedra,
E vrrasin keqas të varruemt per dhé.
Kaq nji zhurmë, nji rropame e ‘i vigmë e kobshme
Çohet per ajr të terratuemun pluhnit,
Qi rreth e rrotull t’ tanë dridhet Balkani.
- Shkon gjaku rrkajë. T’ tanë fusha e gjanë e Dibrës
Me kurma t’ zeshkët barbarësh asht mblue. Hidhet,
Hingllon, trumhaset kali i Skanderbegut,
Kah thundra e mbathne kthellë i humbë në dhé
Të rijtun m’ gjak t’ barbarit. M’ dhambë brén buzen,
- Atëherë zot-madhi i Turqvet pendohet
Qi i ra kurr n’ mend t’ mësyjë Shqypnin mizore.
E sheh, po, vetë gjakbâsi, se rob s’ bahet
Ai dhé, ku Flamri kuq e zi valvitet.
________________________________________________________________________
- m’flatra t’rribes..: mbi fletë të rrymbës, të furis së Veriut. 101. sheston: rregullon. 102. atë dukë…: pamje të tmershme. 106. bulurimë: vigem, gjamë. 108. homeridash: heronjë qi u këndon Homeri. 117. poshtë errmoreve: teposhte, i gristë, rrgall. 118. rreshme boret…: prej ndonji majes së rrembyeshme, thik, 119. rrajnë fulikare: vrapojnë me turr, vetëtimë. Çeken: ndeshen tue qitë shkëndija. –vrigllimë: sjellë shpaten. 125. henikë e gopedra: topa të vegjël e të mëdhaj. 131. Hidhet….: klasikët e vjetër e kanë përdorë këte alliteratio. 134. Të rijtun: të njomun me gjak. 136. Shqypni mizore: Kreshnike, heroike.
Komentet