VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

MPJ e Gjermanisë: Mbështesim punën e Speciales, presim të njëjtën gjë nga Kosova

By | June 26, 2020

Komentet

Kosova në hartën e Serbisë, MPJ finlandeze i reagon gazetës më të madhe në Finlandë

Politikani finlandez, Kai Sauer, i cili është edhe nën-sekretar shteti për çështje të punëve të jashtme dhe politikave të Sigurisë në kuadër të Ministrisë së Punëve të Jashtme, ka reaguar ndaj një grafike të realizuar nga mediumi më i madh finlandez “Helsingin Sanomat”, në të cilën Kosova paraqitet në hartë si pjesë e Serbisë.

Sauer ka falënderuar mediumin finlandez për hartimin e një tabele të tillë, megjithatë ka rikujtuar se Finlanda e ka pranuar pavarësinë e Republikës së Kosovës dhe se shteti i Kosovës duhet të jetë në atë hartë.

Aq më shumë sipas tij, që situata pandemike në Kosovë është tepër e rënduar.

“Përgëzime për grafikun, por Kosova është shtet i pavarur i pranuar nga Finalda dhe duhet të paraqitet në hartë. Edhe më tepër kur situata me coronavirus në Kosovë është prej më të rënduarave në botë”, ka shkruar Sauer.

Në grafikun e që Sauer ka publikuar gjenden të dhënat për rritjen e rasteve të infektimeve me COVID-19. Në tabelë Kosova nuk është shfaqur fare, derisa në hartë është vendosur si pjesë e Serbisë./Express/

Gjermania kundërshton propozimin për kthim të Rusisë në G7

Ministri i Jashtëm gjerman Heiko Maas ka kundërshtuar kthimin e Rusisë në Grupin e Shtatë Shteteve më të Industrializuara (G7), pas presidenti amerikan, Donald Trump ka përmendur mundësinë e kthimit të Moskës në grupin e fuqive ekonomike.

“Arsyeja e dëbimit të Rusisë ka qenë aneksimi i Krimesë dhe intervenimi në lindje të Ukrainës”, ka thënë Maas në një intervistë që pritet të publikohet të hënën në dy gazeta gjermane, Rheinische Post dhe Bonner General-Anzeiger.

“Prandaj, për aq kohë sa nuk kemi zgjidhje atje, unë nuk shoh mundësi”, të ribashkimit të Rusisë në G7, ka thënë Maas.

Trump ka sugjeruar kthimin e Rusisë në G7 në muajin maj, kur ka bërë të ditura planet për shtyrje të datës së organizimit të këtij samiti në muajin shtator, për shkak të pandemisë me koronavirus.

Ai ka thënë se do të dëshironte të rriste listën e të ftuarve në këtë organizim, duke përfshirë në të Australinë, Rusinë, Korenë Jugore dhe Indinë.

Rusia ka qenë pjesë e këtij grupi, mirëpo është dëbuar pas aneksimit të Krimesë nga Ukraina më 2014.

Maas ka thënë se marrëdhëniet me Rusinë tani janë vështirësuar “në shumë aspekte”.

“Vetë Rusia mund të kontribuojë më së shumti në hapjen e dyerve”, ka thënë Maas, kur është pyetur për kthimin e Moskës në grupin elitar.

Grupi i Shtatë Shteteve më të Industrializuara përbëhet nga Shtetet e Bashkuara, Kanadaja, Gjermania, Japonia, Franca, Britania dhe Italia. rel

Von Cramon: Gjykata Speciale është në Hagë për arsye të mira

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon, ka shfaqur shpresën që brenda gjashtë muajve, gjatë Presidencës gjermane të Bashkimit Evropian e cila ka nisur më 1 korrik të këtij viti, mund të jepet drita e gjelbër për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Në një bisedë me Radion Evropa e Lirë, eurodeputetja Von Cramon, ka theksuar se liberalizimi i vizave për Kosovën do të varet nga një vendim i arsyeshëm i Këshillit Evropian dhe shteteve anëtare, “të cilat mund të jenë mjaft kritike, jo pse nuk e duan Kosovën, por për shkak të opinionit të tyre të brendshëm”.

Sipas saj, disa parti të krahut të djathtë në vendet sikurse Holanda ose Franca, po e shfrytëzojnë çështjen e liberalizimit të vizave për nevoja të tyre të brendshme.

Por, Von Cramon ka shfaqur shpresën që “presidenti francez Emmanuel Macron, në veçanti e kupton që një rezultat i suksesshëm i dialogut mund të ndodhë atëherë kur Kosova të marrë liberalizimin e vizave”.

“Për këtë shpresoj që në këtë tandem, pra të Presidencës gjermane me Këshillin Evropian dhe vullnetit politik të presidentit Macron, mund të arrihet që përfundimisht të rezultojë me dritë të gjelbër në gjashtë muajt e ardhshëm. Por, kjo është vetëm shpresë. Besoj që presioni nga ana gjermane mund të shtohet, por është e mundshme që do të na duhet të presim ende. Shpresoj që kjo nuk do të jetë shumë gjatë”, tha Viola von Cramon.

Sipas saj, liberalizimi i vizave për Kosovën nuk varet më nga kriteret teknike, të cilat sipas saj, Kosova i ka përmbushur të gjitha.

Për këtë temë, ajo thotë se ka biseduar edhe me kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti, javën e kaluar në Bruksel, i cili ka propozuar formimin e një grupi punues ndërmjet Kosovës dhe Francës. Sipas saj, kjo është ide e mirë, për shkak se nëse ekzistojnë arsye objektive dhe argumente, gjatë kohës kur Qeveria franceze ende është e ngurruese lidhur me liberalizimin e vizave për Kosovën, atëherë ky grup punues do të jetë një instrument i mirë që të bisedohet rreth kësaj çështjeje.

Ajo gjithashtu tha se nga bisedat me kolegët në Bruksel, nuk ka arritur të kuptojë pse vendet anëtare ende nuk kanë vendosur rreth liberalizimit të vizave për Kosovën.

“Le të themi, e tillë është atmosfera politike ose keqpërdorimi që e bëjnë partitë të krahut të djathtë në vendet e tyre”.

Viola Von Cramon e vlerëson si mjaft të rëndësishëm faktin që Kosova dhe Serbia e kanë vazhduar dialogun, të cilin proces ajo thotë që ka mbështetur që nga fillimi, dhe se kërkohet angazhim në këtë proces. Sipas saj, qëllimi i Kosovës duhet të jetë integrimi më i fuqishëm evropian dhe se për këtë i ka të gjitha mjetet.

“Ju keni një gjeneratë të re dhe dinamike, njerëz të arsimuar mirë që flasin disa gjuhë. Ata janë evropianë dhe i takojnë Bashkimit Evropian. Për këtë arsye duhet të gjendet një mënyrë për njohje të ndërsjellë, për marrëveshjen me Serbinë. Pa këtë, as për Kosovën e as për Serbinë nuk do të ketë vend në BE”, tha Von Cramon.

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, më 17 korrik ka vizituar Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorisë së Specializuar në Hagë, që ndryshe njihen si Gjykata Speciale. Ajo kishte shkruar në Twitter që ato janë “institucione të rëndësishme për sjelljen e drejtësisë në Kosovë dhe për të mbajtur përgjegjës ata individë për të cilët besohet se kanë kryer krime të luftës, pavarësisht kombësisë së tyre”.

Ndaj kësaj vizite ka reaguar, përmes një shkrimi në Twitter, nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës dhe deputeti i kësaj partie në Kuvendin e Kosovës, Enver Hoxhaj, duke e cilësuar vizitën e Von Cramon në Hagë si ndërhyrje politike.

Duke folur për Radion Evropa e Lirë, eurodeputetja Viola Von Cramon thekson se vizita e saj në Hagë ishte e planifikuar më herët, por që për shkak të pandemisë së koronavirusit, ishte shtyrë.

Megjithatë, ajo thotë që Dhomat e Specializuara janë pjesë e pavarur, shumë profesionale e sundimit të ligjit në Kosovë. Sipas saj është mjaft e rëndësishme që Kosova ka miratuar formimin e këtij institucioni në kuvendin e saj, pas raportit të eurodeputetit zviceran Dick Marty, të cilin e ka publikuar në vitin 2011 në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, në kohën kur edhe ajo ka qenë anëtare e saj.

Duke komentuar kritikat e shpeshta në adresë të Gjykatës Speciale se ajo është e njëanshme, duke i hetuar vetëm shqiptarët dhe që nuk i heton edhe krimet serbe, Von Cramon thotë që nuk i ka pyetur zyrtarët e këtij institucioni se kush po intervistohet, por shton se ekziston një rezolutë, dhe se ata kanë raportin e Dick Martyt, si dhe kanë qëllime të qarta, se pse dhe si do të punojnë, për cilat krime kërkojnë prova dhe nuk ka se për çfarë të kritikohet në lidhje me këtë.

“Ata janë profesionistë ekspertë juridikë. Të njëjtit njerëz që po bëjnë kritika, kanë votuar për gjykatën”, tha Von Cramon.

Rëndësia e Dhomave të Specializuara, siç tha ajo, është kruciale për drejtësinë dhe zbatimin e sundimit të ligjit.

“Është një shtyllë mjaft e rëndësishme. Ka pasur mjaft viktima dhe kjo i shqetëson grupet që kërkojnë drejtësi. Kjo është e rëndësishme për pajtimin, i cili është i nevojshëm. Siç e dini, gjithçka e bëjnë publike, bëjnë gjithçka që të depërtojnë deri te publiku i Kosovës”, theksoi Von Cramon.

Ajo shtoi që gjykata është në Hagë për arsye të mira dhe, siç tha ajo, “të gjithë e dinë se pse është kështu”. Por, sipas saj, ajo mbetet pjesë e legjislacionit të Kosovës.

Përgatiti: Bekim Bislimi

Arrihet marrëveshja në BE pas 4 netësh bisedime, miratohet paketa 750 miliardë euro për rimëkëmbjen e ekonomisë

Krerët e Bashkimit Evorpian kanë arritur marrëveshjen historike për rimëkëmbjen ekonomike, pas bisedimeve dhe debateve maratonë për katër netë me radhë.

Mësohet se paketa me vlerë 750 miliardë euro për rimëkëmbjen ekonomike pas goditjes nga pandemia e koronavirusit do të shpërndahet në formën e granteve dhe kredive. Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, e cilësoi ‘ditë historike’ arritjen e kësaj marrëveshjeje, ndonëse akoma nuk janë bërë publike detajet.

Bisedimet në Bruksel për paketën e rimëkëmbjes ekonomike të BE-së ishin parashikuar 2 ditë, por që zgjatiën 4 ditë. Shtetet anëtare u ndanë kryesisht midis atyre që u goditën më shumë nga pandemia, dhe ato të shqetësuara për kostot e planit të rimëkëmbjes.

Përparimi erdhi pasi Presidenti i Këshillit të BE-së, Charles Michel, paraqiti një propozim të ri, i cili zvogëlon sasinë e parave në dispozicion si grante në krahasim me kreditë.

Minimum historik në Itali, regjistrohen vetëm 3 viktima gjatë 24 orëve, merr fund makthi në Lombardi

Pas shumë muajsh shifra të frikshme, Italia ka regjistruar sot një minimum historik viktimash nga koronavirusi. Autoritetet italiane raportojnë se gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar vetëm 3 viktima.

Ndërsa në Lombardi, që ishte dhe epiqendra e virusit, nuk është shënuar asnjë viktimë, që nuk kishte ndodhur që nga 22 shkurti.

Të infektuarit gjithashtu kanë shënuar rënie, ku në 24 orët e fundit janë regjistruar 219 raste, nga 249 raste të raportuara një ditë më parë. Të shëruarit për sot janë 143 persona.

Italia jep alarmin: 13 raste infektimi vinin nga Tirana! Kërcënon guvernatori i Toskanës

Guvernatori i Toscanas në Itali, Enrico Rossi, jep alarmin për përhapjen e koronavirusit nga Shqipëria, duke kërkuar sërish bllokimin e fluturimeve.

“Il giornale” raporton se gjatë 24 orëve të fundit në Toscana janë konfirmuar 16 raste të reja me koronavirus, ku 13 prej tyre ishin kishin shkuar nga Tirana dhe një nga Ekuadori.

“Qeveria duhet të ndërhyjë, në veçanti ministritë e Brendshme dhe Shëndetësisë. Nëse gjurmimi i pasagjerëve dhe mbikëqyrja aktive e tyre nuk është e mundur, do të ketë vetëm një mundësi: bllokimin direkt të fluturimeve”, ka kërcënuar guvernatori Rossi.

Ndërkohë, menjëherë pas konfirmimit të rasteve të infeksionit, që vinin nga Tirana, guvernatori i rajonit të Tascanas ka kontaktuar me konsullatën e Shqipërisë, duke i kërkuar të kontrollojë udhëtarët, që të respektojnë masat, si dhe duke urdhëruar rikthimin e detyrueshëm 14-ditor të karantinës.

Më tej, me tone të ashpra guvernatori është shprehur se qeveria italianë duhet të lëvizjë menjëherë, për të bërë gjurmimin e këtyre rasteve, siç thekson Rossi “për të penguar çdo shpërthim të ri të virusit”.

Gjermani, thirrje SHBA të mos tërheqin trupat

Marrë nga Reuters

Kryeministrat e katër landeve gjermane u bënë thirrje anëtarëve të Kongresit të SHBA për të bllokuar planet e tërheqjes së trupave amerikane nga Gjermania, sipas letrave të para nga agjencia e lajmeve Reuters të dielën.

Presidenti Donald Trump tha muajin e kaluar se do ta shkurtonte numrin e trupave amerikane në Gjermani me 9,500 në 25,000, duke fajësuar Berlinin se nuk ka përmbushur kuotat e shpenzimeve të mbrojtjes për NATO-n dhe duke e akuzuar atë se përfiton në tregtinë me Amerikësn.

Kryeministrat e katër landeve jugore, ku ndodhen bazat e trupave amerikane, u drejtuan letra 13 anëtarëve të Kongresit, duke përfshirë senatorët Mitt Romney dhe Jim Inhofe.

“Ju kërkojmë të na përkrahni në përpjekjet tona për të mos prishur lidhjet e miqësisë, por për t’i forcuar ato, dhe për të siguruar praninë e SHBA në Gjermani dhe Evropë në të ardhmen “, shkruanin kryeministrat e Bavarisë, Hesses, Baden-Wuerttembergut dhe Rheinland-Pfalzit.

Një zëdhënës i ambasadës amerikane në Berlin nuk pranoi të bënte komente. Muajin e kaluar, Uashingtoni tha se ky hap do të “përmirësonte përpjekjet për frenimin e Rusisë, do të forconte NATO-n dhe do t’u jepte siguri aleatëve.”

Por kryeministrat shkruanin se forcat e SHBA në landet e tyre “formojnë shtyllën kurrizore të pranisë së SHBA në Evropë dhe të aftësisë së NATO-s për të vepruar.” zëri i amerikës

Francë- Flakët përfshijnë edhe katedralen e Nantës

Në kohën kur dhimbja e francezëve nuk është fashitur ende për djegien e Notre Dame, një tjetër katedrale përfshihet nga flakët.

Këtë herë bëhet fjalë për kishën e Saint-Pierre-et-Saint-Paul në qytetin e Nantës, ku më shumë se 60 zjarrfikës janë duke luftuar më zjarrin, shkaku i të cilit për momentin është një mister. Pamjet nga vendngjarja tregojnë shtëllunga tymi që delin nga brenda ndërtesës gotike.

Vetëm një vit më parë ndodhi zjarri i tmerrshëm që shkatërroi krejtësisht kupolën e Notre Dame-t, një prej thesareve më të mëdha arkitekturore të Francës. zjarri në Nantë nisi diku rreth orës 6 të mëngjesit me orën lokale. Një dëshmitar okular i tha mediave lokale se ishte zgjuar nga një gjëmim shumë i çuditshëm i këmbanave.

“Digjet gjatë gjithë kohës, del pa pushim tym”, u shpreh ai. Kjo katedrale ishte djegur dhe një herë në vitin 1972, kur një zjarr dëmtoi çatinë e ndërtesës, ndaj ndertësa u desh të mbyllej për tre vjet që të riparohej.

Thaçi: I mbetet prokurorit dhe gjykatësit të vlerësojnë dëshminë time

Taulant Qenaj

Pas katër ditësh, ka përfunduar intervistimi i presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, në Zyrën e Prokurorisë së Specializuar në Hagë.

Pas daljes nga Prokuroria, Thaçi deklaroi se ka dhënë dëshminë e tij dhe se pret që prokurori dhe gjykatësi të vendosin në mënyrë profesionale për dëshminë e tij.

Gazetarët u interesuan nëse presidenti është pyetur për krimet e supozuara në të ashtuquajturën ‘Shtëpia e verdhë’ dhe për krime e pasluftës, porse Thaçi tha se nuk është pyetur për këto çështje nga prokurori.

“Sonte nuk e kam të drejtën të flas lidhur për asnjë informacion për dëshminë time tash e katër ditë, mirëpo lidhur me pyetjen tuaj që ju e parashtruat, deri sot nuk jam pyetur për pretendime të tilla në asnjë rast. E ritheksoj edhe njëherë, pretendime të tilla nuk janë parashtruar në adresën time për këtë periudhë”, tha Thaçi.

Para gazetarëve, presidenti Thaçi theksoi se para prokurorit të Dhomave të Specializuara për katër ditë me radhë, ka pasur mundësinë që të japë sqarimet për të gjitha çështjet që ndërlidhen me aktivitetin e tij gjatë periudhës së luftës.

“Gjatë këtyre katër ditëve jam munduar të sqaroj dhe të jap informacione për rolin tim, përgjegjësitë e mia gjatë luftës, këtë periudhë që mbulon mandati i Gjykatës Speciale. Përkundër faktit që dëshmia ime ka zgjatur shumë, unë konsideroj se kemi pasur seanca produktive”.

“Tani i mbetet prokurorit dhe gjykatësit, që të vlerësojnë me paanshmëri dhe me mendje të hapur dëshminë time. Në rast se ata bëjnë një gjë të tillë në mënyrë profesionale, të paanshme dhe të ndershme, ata lehtë mund të vijnë në përfundimin se unë se nuk kam bërë asnjë lloj krimi apo shkelje të pretenduara”, shtoi Thaçi.

Sipas tij, lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë e drejtë sepse ishte luftë për liri dhe pikërisht që ishte e drejtë, theksoi ai, Kosova kishte mbështetjen e botës demokratike, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Evropian dhe të NATO-s.

“Pikërisht, përpjekjet për të rishkruar, e theksoj historinë, përpjekjet për të njollosur luftën tonë të drejtë, janë gjithashtu përpjekje për të njollosur intervenimin humanitar të NATO-s në Kosovë. Por e vërteta jonë e dhimbshme dhe krenare, është e pastër si loti, ndërsa historinë tonë nuk do të mund ta ndryshojë askush. Ajo është e drejtë, është e pastër dhe jemi krenarë”, u shpreh ai.

Ndryshe, Thaçi e ka mbaruar intervistimin në të njëjtën kohë kur në Bruksel pas 20 muajsh është mbajtur dialogu Kosovë – Serbi.

Zyrtarët evropianë këtë herë ia kanë dërguar ftesën për vazhdimin e dialogut kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hotit, kurse anën serbe e përfaqëson presidenti Aleksandar Vuçiq.

Aktakuzat e Gjykatës Speciale

Thaçi është ftuar në Hagë pasi Zyra e Prokurorit të Specializuar ka njoftuar muajin e kaluar se, më 24 prill, ka paraqitur një aktakuzë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit kundër tij, kundër kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, dhe disa të tjerëve, emrat e të cilëve nuk janë bërë publikë.

Në një komunikatë për media, Zyra e Prokurorit të Specializuar pretendon se “Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të dyshuar të tjerë janë penalisht përgjegjës për afërsisht 100 vrasje të paligjshme. Krimet e paraqitura në aktakuzë përshijnë qindra viktima të identifikuara shqiptarë, serbë dhe romë të Kosovës dhe kundërshtarë politikë”.

Kjo është hera e parë që publiku e di se një person është ftuar për intervistë, pasi që kundër këtij personi tashmë ështc paraqitur aktakuza për shqyrtim. Sidoqoftë, nuk dihet se në çfarë kapaciteti Thaçi është ftuar në këtë intervistë.

Përmbajtja e aktakuzës është konfidenciale derisa gjyqtari t’i konfirmojë ato. Gjykatësi i procedurës paraprake ka maksimum gjashtë muaj, nga muaji prill, për të konfirmuar ose hedhur poshtë aktakuzat.

Në pritje të vendimit të gjykatësit

Në bazë të Rregullores së Procedurës dhe Provave para Dhomave të Specializuara, gjyqtari i procedurës paraprake dhe prokurori i specializuar mund të takohen gjatë hetimit dhe para se të konfirmohet aktakuza.

Gjykatësi mund të kërkojë ose të lejojë Prokurorin e Specializuar të dorëzojë material shtesë në mbështetje të cilësdo ose të gjitha akuzave; të kërkojë prej prokurorit të specializuar që të rishikojë aktakuzën me synimin që të japë më shumë hollësi për cilëndo prej akuzave, dhe veprimet konkrete të të dyshuarit, ose të mundësojë saktësi ligjore, ose më shumë qartësi në paraqitjen e akuzave; ose t’i kërkojë Prokurorit të Specializuar që të pakësojë numrin e akuzave ose të zvogëlojë kuadrin e akuzave.

Si rezultat i këtij shqyrtimi, gjykatësi i procedurës paraprake konfirmon ose hedh poshtë tërësisht, ose pjesërisht akuzat, në një vendim të arsyetuar. Me konfirmimin e cilësdo prej akuzave të aktakuzës i dyshuari bëhet i akuzuar dhe gjykatësi i procedurës paraprake mund të lëshojë një fletarrestim apo një urdhërparaqitje.

Aktakuza bëhet publike pas konfirmimit të saj, dhe në rrethana të jashtëzakonshme, nëse prokurori ka një arsye të vlefshme përpara konfirmimit, gjyqtari mund, për shkaqe sigurie, për të parandaluar arratisjen e të akuzuarit, të nxjerrë në publik një urdhër për moszbulimin e përkohshëm të aktakuzës. Aktakuza do të publikohet jo më vonë se paraqitja e parë e të akuzuarit para gjykatës.

Më 29 qershor, Thaçi deklaroi se nëse konfirmohet aktakuza e Prokurorit të Specializuar kundër tij, atëherë ai do të japë menjëherë dorëheqje nga pozita e presidentit.

Gjykata e Kosovës, e përbërë nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Specializuar e Prokurorisë në Hagë, është formuar me insistimin e bashkësisë ndërkombëtare, me ndryshimet kushtetuese nga Kuvendi i Kosovës.

Gjykata është themeluar pas raportit të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, në të cilin senatori zviceran Dick Marty flet për krimet e pretenduara “të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ndaj pakicave etnike dhe rivalëve politikë“, që nga janari i vitit 1998 e deri në dhjetor të vitit 2000.

Lajçak: Jam i hapur për një bashkërendim më të afërt me SHBA

I dërguari i posaçëm për bisedimet Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, tha të martën se është i hapur për një bashkërendim më të afërt me Shtetet e Bashkuara në procesin e bisedimeve ndërmjet Prishtinës e Beogradit, meqë siç tha ai, muajve të fundit ky bashkërendim nuk ka qenë në nivelin e duhur.

“Për fat të keq është një sekret i hapur që motori i përbashkët Bashkim Evropian dhe Shtete të Bashkuara nuk ka funksionuar aq rrjedhshëm muajt e fundit sikur vitet e kaluara. Kjo nuk vlen për të gjitha nivelet por do të ishte gënjeshtër të mohohej kjo situatë, e cila ka çuar në konfuzion dhe na ka bërë të dy palët më të dobët. Shpresoj që tash mund të afrohemi sërish e të bashkërendohemi me Shtetet e Bashkuara në anën tonë. Dera ime ka qenë gjithmonë e hapur dhe jam gjithmonë gati të përgjigjem në telefon kur Washingtoni thërret, kështu që mezi pres një bashkërendim të afërt për të arritur ambiciet tona të përbashkëta”, tha zoti Lajçak.

Ai i bëri këto komente në një video konferencë me temën “E ardhmja e bashkërendimit transatlantik në bisedimet Kosovë – Serbi”, e cila u zhvillua dy ditë pas rifillimit të bisedimeve ndërmjet të dyja vendeve me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Megjithatë zoti Lajçak përsëriti qëndrimin e tij se bisedimet duhet të udhëhiqen nga Bashkimi Evropian meqë siç tha ai “Kosova dhe Serbia janë pjesë e Evropës, dhe të vetmen rrugë për të arritur të ardhmen e tyre brenda Bashkimit Evropian e kanë përmes normalizimit të marrëdhnieve ndërmjet vete”.

“Historia ka dëshmuar se ne jemi më së miri kur punojmë së bashku, pra Bashkimi Evropian me Shtetet e Bashkuara, por me Bashkimin Evropian në ulësen e shoferit për arsyet që sapo i përmenda”, tha zoti Lajçak.

Analisti amerikan, Michael Carpenter, tha se Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara ndajnë synime të përbashkëta strategjike në bisedimet Kosovë – Serbi, por viteve të fundit diskutimet sikur ai për shkëbim territoresh i kanë larguar këto dy fuqi nga këto synime të përbashkëta.

Ai shprehu bindjen se veprimet e njëanshme nga cilado palë, nuk do të funksionojnë në zgjidhjen përfundimtare të konfliktit ndërmjet Kosovës e Serbisë.

“Mendoj se ideja që të procedojmë në rrugë paralele, ku Shtetet e Bashkuara përqendrohen në lidhje ekonomike, investime, lidhje transporti dhe komunikimi, ndërkaq Bashkimi Evropian përqendrohet në strukturën e përgjithshme politike mund të funksionojë vetëm për periudhë të shkurtë kohore. Këto rrugë paralele duhet të integrohen nëse duam të kemi sukses”, tha zoti Carpenter.

Analisti tjetër amerikan, Daniel Serwer, tha se duhet gjetur një metodë e përbashkët për mbikqyrjen e zbatimit të marrëveshjeve eventuale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Mendoj se ka nevojë për një mekanizëm të posaçëm për këtë qëllim, një që që mund të jetë mekanizëm i përbashkët amerikano – evropian e që vërtetë është i aftë të kuptojë në hollësi ndonjë mungesë të zbatimit, nëse palët janë kaq rezistente sa kanë qenë deri tash”, tha zoti Serwer.

Kryeministri i Kosovës dhe ai Serbisë, Aleksandër Vuçiç, par dy ditësh zhvilluan një video takim të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian me të cilin u shënua edhe rifillimi i bisedimeve të pezulluara që nga vjeshta e vitit 2018, ndërkaq pasnesër të dy do të takohen në Bruksel.

Ditë më parë, Kosova dhe Serbia diskutuan në një video konferencë të organizuar nga presidenti francez, Emmanuel Macron dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel, dhe aty u pajtuan për rifillimin e bisedimeve por nuk pajtuan në asnjë pikë për rrugët e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet të dyja palëve.

Plani për rifillimin e bisedimeve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian u publikua pak ditë pasi që Prokuroria e Posaçme për Kosovën me seli në Hagë, publikoi njoftimin për ngritjen e akuzave ende të pakonfirmuara ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetarit të Partisë Demokratike, Kadri Veseli, si të dyshuar për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.

Publikimi i akuzave bëri që të dështojnë planet për një takim Kosovë-Serbi në Shtëpinë e Bardhë me 27 qershor, me ndërmjetësimin e ambasadorit Richard Grenell, i dërguar i posaçëm i presidentit Donald Trump për bisedimet e paqes Kosovë – Serbi.

Bisedimet Kosovë – Serbi të ndërmjetësuara nga BE-ja që filluan në vitin 2011 siguruan një varg marrëveshjesh por nuk përmbushën synimin për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve. zëri i amerikës

Thaçi do të intervistohet në Hagë edhe gjatë ditës së mërkurë

Intervistimi i presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi nga Zyra e Prokurorisë së Specializuar do të vazhdojë edhe gjatë ditës së mërkurë, duke filluar nga ora 13:00.

Gjatë të martës, për të dytën ditë me radhë, presidenti Thaçi u intervistua për gjashtë orë.

Pas intervistimit, ai nuk u prononcua për mediat.

Edhe të hënën, Thaçi u intervistua për gjashtë orë. Ai pas intervistimit tha se aty ishte biseduar për çështje teknike dhe sqaruese dhe kishte pasur interesim “fillestar të prokurorëve për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës”.

Ndërkaq, para se të niste intervistimin të hënën, presidenti i Kosovës deklaroi se është i bindur se nga kjo sfidë do të dalë i suksesshëm, ndërsa aktakuzën për krime lufte e cilësoi si “çmim për lirinë”.

Më 24 qershor, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka njoftuar se më 24 prill ka paraqitur një aktakuzë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit kundër presidentit Thaçi, kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, dhe disa të tjerëve, emrat e të cilëve nuk janë bërë publikë.

Thaçi më herët ka deklaruar se do të japë dorëheqje nga posti i presidentit, nëse aktakuza kundër tij konfirmohet.

Gjykatësi i procedurës paraprake ka maksimum gjashtë muaj kohë, nga muaji prill, për të konfirmuar ose hedhur poshtë aktakuzën.
Pse Thaçi u ftua për intervistë pasi u dërgua aktakuza kundër tij?

Nëse gjyqtari i procedurës paraprake, francezi Nikola Giju, vërteton se dyshimet e ngritura nga prokurori kanë bazë, atëherë ai e konfirmon aktakuzën. Nëse ai nuk është i bindur, aktakuza refuzohet.

Në bazë të Rregullores së Procedurës dhe Provave para Dhomave të Specializuara, gjyqtari i procedurës paraprake dhe prokurori i specializuar mund të takohen gjatë hetimit dhe para se të konfirmohet aktakuza.

Gjykatësi mund të kërkojë ose të lejojë prokurorin e specializuar të dorëzojë material shtesë në mbështetje të cilësdo ose të gjitha akuzave; të kërkojë prej prokurorit të specializuar që të rishikojë aktakuzën me synimin që të japë më shumë hollësi për cilëndo prej akuzave, dhe veprimet konkrete të të dyshuarit, ose të mundësojë saktësi ligjore, ose më shumë qartësi në paraqitjen e akuzave; ose t’i kërkojë prokurorit të specializuar që të pakësojë numrin e akuzave ose të zvogëlojë kuadrin e akuzave.

Si rezultat i këtij shqyrtimi, gjykatësi i procedurës paraprake konfirmon ose hedh poshtë tërësisht, ose pjesërisht akuzat, në një vendim të arsyetuar. Me konfirmimin e cilësdo prej akuzave të aktakuzës i dyshuari bëhet i akuzuar dhe gjykatësi i procedurës paraprake mund të lëshojë një fletarrestim apo një urdhërparaqitje.

Paraqitja e parë e të akuzuarit në gjykatë bëhet brenda shtatë ditësh pas dorëzimit të aktakuzës. Aktakuza është në dispozicion të publikut vetëm kur ajo konfirmohet nga gjykatësi i procedurës paraprake.

Moskonfirmimi i një aktakuze nuk e pengon prokurorin që të paraqesë një aktakuzë të ndryshuar.

Personi, kundër të cilit është konfirmuar aktakuza, në bazë të urdhrit gjyqësor, dërgohet në arrest, nëse nuk është i ndaluar. Ai menjëherë njoftohet për akuzat ndaj tij dhe sillet para Dhomave të Specializuara.

Aktakuza bëhet publike pas konfirmimit të saj, dhe në rrethana të jashtëzakonshme, nëse prokurori ka një arsye të vlefshme përpara konfirmimit, gjyqtari mund, për shkaqe sigurie, për të parandaluar arratisjen e të akuzuarit, të nxjerrë në publik një urdhër për mos zbulimin e përkohshëm të aktakuzës. Aktakuza do të publikohet jo më vonë se paraqitja e parë e të akuzuarit para gjykatës.

Gjykata Speciale, e përbërë nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar e Prokurorisë në Hagë u formua nga autoritetet në Kosovë pas insistimit të bashkësisë ndërkombëtare. Për formimin e kësaj gjykate u deshën edhe ndryshime kushtetuese, që u miratuan nga deputetët e Kuvendit të Kosovës.

Gjykata Speciale për krime të luftës është gjykatë e përkohshme me mandat të kufizuar dhe me seli në Hagë. Kjo gjykatë vepron e pavarur dhe financohet kryesisht nga Bashkimi Evropian.

Përfundon dita e dytë e intervistimit të Thaçit në Hagë

Ka përfunduar intervistimi i presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi nga Zyra e Prokurorisë së Specializuar.

Kjo ishte dita e dytë me radhë, që Thaçi u intervistua në Prokurorinë e Specializuar.

Pas intervistimit, që zgjati gjashtë orë, ai nuk u prononcua për mediat.

Ende nuk është e qartë nëse intervistimi i Thaçit do të vazhdojë edhe gjatë ditës së mërkurë.

Edhe të hënën, Thaçi u intervistua për gjashtë orë. Ai pas intervistimit tha se aty ishte biseduar për çështje teknike dhe sqaruese dhe kishte pasur interesim “fillestar të prokurorëve për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës”.

Ndërkaq, para se të niste intervistimin të hënën, presidenti i Kosovës deklaroi se është i bindur se nga kjo sfidë do të dalë i suksesshëm, ndërsa aktakuzën për krime lufte e cilësoi si “çmim për lirinë”.

Më 24 qershor, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka njoftuar se më 24 prill ka paraqitur një aktakuzë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit kundër presidentit Thaçi, kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, dhe disa të tjerëve, emrat e të cilëve nuk janë bërë publikë.

Thaçi më herët ka deklaruar se do të japë dorëheqje nga posti i presidentit, nëse aktakuza kundër tij konfirmohet.

Gjykatësi i procedurës paraprake ka maksimum gjashtë muaj kohë, nga muaji prill, për të konfirmuar ose hedhur poshtë aktakuzën. rel