Qindra qytetarë u mblodhën sërish përpara Bashkisë së Tiranës për të kërkuar dorëheqjen e kryebashkiakut Erion Veliaj.
Protesta qytetare vjen pas skandalit të 5D.
Ndërkohë këto pamje të reporterit të Syrit, Feliks Bilani, tregojnë se si qytetarët kanë rrethuar bashkinë.
Ata dëgjohen teksa thërrasin: O hajdut, o hajdut!
Protesta para zyrës së Veliaj/ Malkaj: Institucion kriminal, vjedh ç’i del para
“Ndodhemi tek një institucion, i cili nuk nuk është se ka vjedhur, por është kriminal i gjithë. Është kriminal se vjedh çdo gjë që i del përpara. Vjedh edhe popullin, edhe frymën e popullit dhe të gjitha.
Drejtuesi i institucionit i jep fytyrën e vet institucionit. Hajdut, kryetari i bashkisë, më poshtë drejtorët të gjithë hajdutë, kriminelë; administrata po ashtu deri tek pastruesja.
Këtu i ndershmi mund të jetë vetëm pastruesja. Nuk ka njeri të ndershëm aty. Edhe fryma në sallonet e bashkisë është frymë kriminale, e gjitha.”
Çata: Veliaj ka vjedhur paratë publike! Ai nuk mund të jetë më kryebashkiak
Nga fjala në protestën para bashkisë së Tiranës të z. Edmond Çata, Doktor i Shkencave Politike, drejtor ekzekutiv i Institutit të Studimeve për Arsimin e Lartë në Shqipëri,
“Para nja jave ju thashë që Erion Veliaj nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen! Dhe këtë Veliaj po e provon ditë për ditë. Por Erion Veliaj nuk mund të jetë më në karrigen e kryetarit të bashkisë së Tiranës sepse ka abuzuar me pushtetin sepse e kemi parë me vendimet që ka marrë duke anashkaluar Këshillin Bashkiak.
Veliaj ka vjedhur paratë publike! I kemi parë edhe aferat e inceneratorëve, të kompanisë së famshme 5D!Veliaj nuk mund të jetë kryetari i bashkisë së Tiranës se është demagogu dhe gënjeshtari më i madh.”
Patronazhistët filmojnë qytetarët që protestojnë kundër vjedhjes së Veliajt
Shoqëria Civile po zhvillon një protestë përpara bashkisë së Tiranë pas arrestimeve që SPAK bëri disa ditë më parë.
Nga hetimet e kryera rezultoi se drejtorët e bashkisë kishin krijuar një grup kriminal ku vidhinin taksat e qytetarëve.
Por vesi i vjetër i spiunimit nuk del lehtë pasi menjëherë Veliaj ka vënë në lëvizje patronazhistët e tij për të filmuar qytetarët, të cilët janë pjesë e protestës.
Në foto e siguruara nga SYRI.NET shihet qartë që në taracën e bashkisë janë ngjitur spiunët e partisë.
Dorjan Teliti, anëtar i Këshillit Bashkiak të Tiranës, përfaqësues i opozitës, ka folur në protestën para bashkisë së kryeqytetit.
Teliti: Të dashur protestues, shikojeni frikën që ka kapluar Erion Velinë. Të rrethuar për të tretën herë nga policë duke i vendosur zinxhirin derës, kanë mbyllur sot bashkinë, bashkinë që është e qytetarëve, nuk është e tij.
Bashkia që duhet të jëtë e hapur në orar zyrtar pune. Sot është e mbyllur për t’u dhënë shërbime qytetarëve. Është e mbyllur për t’u dhënë përgjigje halleve të qytetarëve. Por është e hapur për afera korruptive. Janë të mbyllur për ju, por janë të hapur ndaj vjedhjes.
Janë të mbyllur për biznesin, por të hapur për të mbledhur taksat dhe për të vendosur gjoba. Janë të mbyllur për njerëzit e thjeshtë, por të hapur për të bërë afera me inceneratorët dhe 5D.
Jemi të vjedhur nuk jemi të verfër. E verteta është se 30 milionë euro që ka vjedhur Erion Veliaj me bandën e tij mund t’i shërbenin shumë Tiranës, mund të ndihmonin 1200 familje të pastreha që të strehoheshin.
Do të bëhej e mundur që me 30 milionë euro të paguheshin 8 vjet ushqime për çerdhet dhe kopshtet.
Protestuesit spërkasin me bojë Bashkinë e Tiranës
Protesta e shoqërisë civile ka nisur me spërkatjen e bashkisë së Tiranës me bojë të zezë.
Kjo është protesta e radhës që po mbahet nga qytetarët e Tiranës pas skandalit të fundit ku u zbuluan drejtorët të bashkisë duke grabitur miliona euro.
Protestuesit kanë kërkuar që SPAK të vërë para përgjegjësisë personat e akuzuar dhe kryebashkiaku i Bashkisë, Erion Veliaj të japë dorëheqjen.
Komentet