(Mbi librin poetik “TEMPULLI I HENES “ i Moikom Zeqos, 1998)
Në fillim të viteve 70, në gazetat “Zëri i Rinisë” dhe “Drita” u botuan disa cikle të Moikom Zeqos me vjersha të shkurtra, të cilat karakterizoheshin nga një metaforizëm i theksuar.
Me krijime të tilla, në letërsinë tonë po shfaqej një Prirje e Re Moderne.
Pa dyshim, kjo risi lidhej me leximet e autorit nga poezia bashkëkohore botërore dhe nga poezia e autorëve më të mirë shqiptarë që botonin në Kosovë,- ku burgjitë estetike nuk ishin aq të shtrënguara sa në Shqipëri.
Ato vjersha të Moikom Zeqos u ngjanin ca insekteve mitike, që kishin ardhur për të gllabëruar me nofullat e tyre të mprehta florën tradicionaliste të poezisë tonë, e cila në pjesën dërrmuese ishte fjalëshumë e mendimpakë, deklarative dhe standardizuar.
Për shkak të rrethanave që dihen, ajo funksiononte sipas parimit të modeleve të zyrtarizuara nga një kritikë joshkencore dhe të laureuara nga shteti.
Cilido që shkruante atëherë, ishte i detyruar t’i nënshtrohej trysnisë së këtyre modeleve, të cilat mbizotëronin në botimet e të vetes Shtëpi Botuese Shtetërore, në emisionet radiotelevizive, në veprimtaritë letraro-artistike, në tekstet dhe antologjitë shkollore.
Krahas dukurisë së konformizmit politik dhe estetik, disa studiues të huaj kanë përmendur edhe dukurinë e “ndotjes estetike”, e cila sjell pasoja të dëmshme si çdo ndotje tjetër.
Prirja që përfaqësohej nga Moikom Zeqo dhe nga pjesëtarë të tjerë të kësaj breznie nuk pati jetë të gjatë. “Insektet mitike” u zhdukën nga faqet e gazetave ashtu siç qenë shfaqur.
Plantacionet e një letërsie të standardizuar vazhduan të harliseshin edhe për shumë vite për të lënë pas mjaft nga ato kalbësiqe që lë pas një pyll i degraduar, i tharë, i rrëzuar përtokë ca nga rrebeshet e kohës, ca nga gjigantizmi i tij i panatyrshëm.
Si masë dënimi, poetin e ri Moikom Zeqo e larguan nga Tirana, “e fluturuan” në fshatrat më të largëta të Durrësit për t’u riedukuar.
Sigurisht me goditjen e autorit, së pari e pësoi poezia e tij.
Burimi i saj u zu me gurë të rëndë, por nuk shteroi.
E ndrydhur për vite të tëra, fantazia e tij krijuese shpërtheu si pus artezian në disa libra të mëvonshëm, nga të cilët më duket se më i veçanti dhe më përfaqësuesi është përmbledhja “Tempulli i Hënës”.1
Kam bindjen, se rrënjët e këtij libri janë pikërisht ciklet e botuara në vitet 70.
Krijimet e atyre cikleve dhe krijimet e “Tempullit të Hënës” i bashkojnë dy tipare thelbësore: metaforizmi i theksuar dhe sfida antikonformiste.
Në përmbledhjen e lartpërmendur, kjo sfidë nuk paraqitet vetëm në rrafshin estetik, por kryesisht në rrafshin filozofik.
Për mendimin tim në këtë libër ndeshen tri metafora kryesore: Rromi, Hëna, Rrota.
Pa dyshim, rromi është kryemetafora e librit.
Ai përfaqëson njeriun joakademik, të pasklerotizuar nga skoriet e historisë dhe nga streset e përditësisë.
Me këtë rast, dua të shtoj se temën e romëve, të ciganëve e kanë trajtuar në shekullin tonë edhe poetë të tjerë si F.G.Lorca, Blaise Cendrars.
Qasja që i bën Moikom Zeqo kësaj teme, nuk ka asnjë gjurmë romanticizmi, ekzotizmi. Kësaj qasjeje kryekëput filozofike nuk i mungon edhe konotacioni ekologjik: me sa duket ekologjia do të jetë shkencë e së ardhmes, si kohë e shpresës, e antikataklizmës, e pajtimit të njeriut me natyrën.
Antipod i njeriut të tjetërsuar nga historia dhe nga përditësia, romi është dhe anti Uliksi-xhoisian, dhe anti-homosapiensi i robotizuar, raja i gjorë i Siberbotës, edhe anti-Josef K-ja kafkian i shtazëruar nga burokratizmi frymëzënës i shtetit të gjithëpushtetshëm:
“Qyteti u bë që Adami
të bëhej jo Adam”2.
Gjithë njerëzve të numërtuar, të matrikuluar, të shënuar në regjistra dhe dosje që mbushin arkiva të panumërta, rromi u kundërvë anonimatin e vet njëherësh të paçanësuar e të pakufishëm d.m.th. polisemik. Ky është anonimati i njeriut pa tituj të zhurmshëm, i njeriut që thotë “unë”, që mbi të gjitha teoritë dhe utopitë, ve “karpediem-in” e tij, vë ndjenjat autentike e të fuqishme:
“lindi një fëmijë
e nëna e tij rrome
me buzët e copëtuara
nga dhimbjet
e bekon
për lirinë e paemërisë
së ligjeve dinake
të Hamurabëve me kompjutera
e papion vampirësh.3
Nga të gjitha ndjenjat e rromit, më e thella dhe më përcaktuesja është dëshira për të qenë i lirë si udhët që zgjaten pambarim, si karvanët që shtegtojnë dhe si erërat që fryjnë mbi to:
“Atdheu i tyre është vetëm gjuha e tyre
të lirë si liria
shtegtarë pa brigje”4.
Liria është përmasa kryesore e njeriut autentik, por sidomos ajo është kushti i parë për të qenë krijues, demiurg, sovran i fjalëve:
“poetë të majmur që hingëllini tok
me mëgojëzat e pushtetit në gojë
jeni të kotë për rromët
rromët dhe kuajve nuk u vënë mëgojëza”.5
Liria njerëzore është e papajtueshme me ideologjitë e rreme dhe vrasëse, të cilat kërkojnë flijimin e fqinjit, të Tjetrit – Të atij që është ndryshe nga ti. Izolacionizmit dhe ostracizmit, i kundërvihet mendësia kozmike, vizioni universal i rromit:
“Dryni i Arushës së Madhe mbyll
gjithësinë e rromëve çdo natë”.6
Kësaj metafore nuk i mungon edhe konotacioni tragjik, siç vihet re edhe në ato raste kur njerëzit shkulen nga vatrat e tyre, dëbohen me zjarr e hekur nga trojet ku kanë lindur, vetëm e vetëm ngaqë i përkasin një etnie tjetër, ngaqë duan t’ju njihet e drejta themelore ekzistenciale: të qenët i lirë.
Një konotacion të tillë e hasim në atë sekuencë të këtij libri ku flitet për tragjizmin historik të popullit shqiptar të Kosovës, e cila është një ndër kulmet e “Tempullit të Hënës”:
“O Fushë e Mëllenjave me zogjtë e tu rromë,
sivëllezërit shqiptarë shtegtojnë
e ikin këmbëpërgjakur,
ikin rrëmbyeshëm
në ankthin e netëve të gjenocidit…”7
Në rrafshin planetar, rromi është njeriu që komunikon me mikrokozmosin dhe makrokozmosin, që nuk i ka prerë rrënjët me mjedisin rrethues, që nuk e konsideron botën si mjet për të nxjerrë fitime maksimale, por si përmasë të ekzistencës së tij:
“Tha Zoti, Zoti :
vetëm romët janë (ishin) të lirë, lëvizin si zogjtë;
peshqit e kafshët e lira,
vetëm rromet janë (ishin) populli im i zgjedhur…”8
Duke u nisur nga opozicioni rrom – njeri i tjetërsuar, i robotizuar del se të gjithë njerëzit e mirëfilltë, me ndjenja, me individualitet të theksuar janë rromë.
Mendoj se në këtë kuptim duhet të merret edhe ky pohim i poetit: “që të gjithë ne pavarësisht nga racat dhe gjuhët, pavarësisht nga shprehitë dhe kultura – jemi rromë”9.
Metafora e dytë, Hëna, përfaqëson sakralen, poetiken dhe të mistershmen, atë që ende nuk është profanizuar, nuk është komercializuar, pra gjithçka që përbën anën tjetër të modernitetit.
Në këtë kuptim, besoj se poeti e konsideron hënën tempull të të gjithë njerëzve, që e ndiejnë se natyra nuk është vetëm e vetëm një mjet fitimi, por para së gjithash ajo është pjesë e qenies sonë, kusht i ekzistencës sonë materiale dhe shpirtërore.
Metafora e Hënës ka lidhje të brendshme me metaforën e parë.
Në mitologjitë dhe folkloret e popujve, ajo është hyjnesha e dashurisë.
Si e tillë ajo zë vend edhe në vargjet e këtij libri:
“Pa ty përgjysmë më ngjan vetja,
vjen ti e përtërihem si Hëna”10
Hëna lidhet me erotizmin, me pjellorinë, me ripërtëritjen dhe me shndërrimin e përjetshëm të botës, e cila ekziston pikërisht falë lëvizjes dhe ndryshimit të pandërprerë:
“Veç Hëna s’do të dalë
– do të vdesë edhe ajo me mua,
sepse Hëna di të vdesë pambarimisht ,-
di të vdesë mrekullisht.”11
Ndoshta këtu poeti merret edhe me kuptimin filozofik të jetës dhe të vdekjes, të cilat i konsideron si hallka të të njëjtit proces.
Edhe metafora e tretë rrota, konceptualisht ka ngjashmëri me dy të parat:
“… ndaj rromët kanë vetëm rrotën
hieroglif të tyre të një jete pa alfabet
rrotën, rrotën që s’ka fillim dhe as fund
rrotën, figurën e Kalisë së shenjtë indiane.”12
Rravgimet, ikje-kthimet e romëve, në rrugët e pambarimta të kohës dhe të planetit sajojnë një shtegtim vetëm qerthullor, mishërim i kohës qerthullore, për të cilën flet Borhesi,- apo mishërim i kthimit të përhershëm, që përmend Mircea Eliade13.
Me një stil aforistik dhe me një ton orakullor, ku ndihet ndikimi i dobishëm i Eliotit të “Katër kuarteteve” poeti thotë:
“Rruga e jetës është rruga e vdekjes
vdekja e farës nën dhé është dhe mbirja e bimës
çdo mbarim është dhe fillim
çdo dalje është dhe hyrje.”14
Rrota është e ngjashme me Hënën në aspektin gjeometrik, mitologjik dhe astronomik. Hëna është një rrotë kozmike e qerres së Kohës, e cila kurrë nuk rri në vend siç pohon vetë poeti:
“Dielli dhe Hëna janë dy rrota
të një karroce rrome!”15
Mund të thuhet se rrota ka ngjashmëri edhe me kryefigurën e kësaj përmbledhjeje me metaforën. Poeti i parë modern i këtij shekulli, G.Apollinaire, i cili shpiku termin “syrealist” ka thënë se njeriu imitoi lëvizjen e këmbëve të tij dhe sajoi rrotën.
Në rrafshin e ligjërimit poetik, mund të thuhet se krijuesi, duke u nisur nga ngjashmëritë me natyrën, sajoi metaforën, duke i dhënë gjuhës së tij një dinamikë të jashtëzakonshme…
Në optikën e gjithmbarshme të këtij metaforizmi, duhet të shihet edhe vetë struktura e librit, ndërtuar me sekuenca poetike, që nuk i ndërpresin as titujt, as kurrfarë shenjash tipografike.
Një strukturë e tillë është metaforë e udhëtimit që ndahet në etapa, por është i pandërprerë.
Kjo strukturë të kujton “poezinë e pandërprerë” të Pol Elyarit,16 megjithatë, në librin e Moikom Zeqos, ajo funksionalizohet maksimalisht duke u shndërruar në metaforë të karvanit të romëve, në metaforë të historisë, të kohës e të lëvizjes, duke iu kundërvënë vendqëndrimit, statizmit të vdekjes:
“Çdo ditë këmbët e mia –
do të vazhdojnë –
të lëvizin përpara me këpucën e Diellit
dhe këpucën e Hënës në hapësirë.”17
Për M.Zeqon, natyra nuk është vetëm objekt përsiatjesh filozofike, por edhe burim kënaqësish estetike.
Peizazhet paraqiten me metafora, të cilat kanë një origjinalitet befasues dhe një plastikë të madhe.
Kështu ndodh me këtë peizazh vjeshte, që duket sikur është perceptuar nga sytë adamikë të një fëmije:
“Peshqit ajrorë të gjetheve
vërtiten të mbyllur
në akuariumin e vjeshtës”.18
Ky autor që mund të quhet Mjeshtri i Metaforës, shquhet edhe në përdorimin e figurave të tjera, të cilave u jep diçka vetjake, thuajse zanafillore siç ndodh me këtë krahasim:
“Vinte pranvera ,
shkëmbinjtë si Mbreti Lir i rromëve
me kurora lulesh të egra
e gjethe në ballë’.19
Në këtë përmbledhje janë të pranishme referenca të shumta nga letërsia botërore, nga dija njerëzore.
Meritë e autorit është, se ato nuk ndërfuten mekanikisht,- por integrohen natyrshëm në trupin e poezisë.
Kështu ngjet me këtë referencë nga astronomia:
“Te miliona netët e syve të tu të thellë
jam kometa Hallej, që përherë veç kthehet!”20
Referencat kulturore më të shpeshta i përkasin letërsisë amerikane:
“Ora i ngriti si lepuri i Apdajkut –
dy veshët
– akrepa”21
Ndonjëherë referenca është më tepër e nënkuptuar, aludim, refleks:
“Dita pa skalpin e shiut çmendet
në Kozmosin bosh”.22
Është fare e natyrshme që në këtë poemë të gjerë për rromët, të ketë ndonjë paralele- refleks,- edhe nga poeti i madh spanjoll F.G.Lorca:
“Një burrë fosfori dhe uji –
shoh zjarrin e ajrit në strall”.23
Duke mos qenë eurocentrist, autori i tempullit të Hënës ka referenca kulturore edhe nga hapësirat orientale apo aziatike siç vihet re tek përdorimi i simbolit të Zogut Blu:
“Tha Zoti, Zoti –
djalë merre zogun,
Zogun Blu
Zogu Blu je vetë ti
më tepër dhe se unë”.24
Në librin e M.Zeqos integrohen edhe prurje të tjera nga letërsia botërore, procedime arketipale siç janë enumeracionet kozmike të Whitmanit apo enumeracionet oniriste të J.L.Borhesit.
Në kohën e pluralizmit estetik aq të dëshiruar nga brezat e mëparshëm, ky libër duhet konsideruar si një përpjekje serioze dhe e suksesshme për të shpëtuar poezinë tonë si nga tradicionalizmi i sklerotizuar, ashtu edhe nga amatorizmi jermues, të cilin një studiues e ka quajtur “diare lirike”.
Mendoj se djaloshi Moikom i rritur pranë Adriatikut, me erërat dhe kripën e tij në flokë e në poema ka arritur të kalojë midis Skilës dhe Karibdës, për të sosur te gjideti i ëndërruar:
te Poezia
si “Festë e intelektit”.
————————————————–
Referenca bibliografike
- Moikom Zeqo, Tempulli i Hënës, Tiranë 1998
- Po aty, f. 37
- – “ – , f. 95
- – “ -, f.21
- – “ -, f.27
- – “ -, f.35
- – “ -, f.68
- – “ -, f.70-71
- – “ -, f.7
- – “ -, f.49
- – “ -, f.92
- – “ -, f.37
- – “ -, Mircea Eliade, L’eternel retour
- M.Zeqo, vep. e cit., f. 83
- Po aty, f.38
- Paul Eluard, Poésie ininterrempue, 1969
- M.Zeqo, vep. e cit. f.14
- Po aty, f.22
- – “ -, f.94
- – “ -, f.105
- – “ -,f.95
- – “ -,f.20
- – “ – ,f.122
- – “ -, f.126
Komentet