VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Ministria e Drejtësisë: Masa të ashpra ndaj gjyqtares Çela

By | August 8, 2018

Komentet

Vettingu në politikë, mbërrin në Tiranë delegacioni i Komisionit të Venecias

Një delegacion prej 6 anëtarësh të Komisionit të Venecias ka mbërritur në Tiranë, ku në fokus të takimeve do të jetë propozimi i vettingut politike të bërë para pak kohësh nga opozita.

Mësohet se delegacioni që drejtohet nga presidentja e nderit të Komisionit Venecias, Hanna Suchocka, do të zhvillojë një seri takimesh me përfaqësuesit politik në vend për tu njohur gjerësisht me propozimin  partisë demokratike për të kaluar në sitë integritetin e politikanëve në vend kjo për qellim dekriminalizimin  dhe shkëputjen e lidhjeve  me krimin.

“Përfaqësuesit e Komisionit të Venecias do të vizitojnë Shqipërinë më 19 dhe 20 nëntor, në kuadër të përgatitjes së opinionit mbi draftamendamentet kushtetuese për të bërë të mundur vetingun e politikanëve, përfshirë vlerësimin e marrëdhënieve të zyrtarëve të lartë me krimin e organizuar”, thuhet në njoftimin e Komisionit të Venecias.

Komisioni i Venecias është vënë në lëvizje pas kërkesës së  kreut të kuvendit Gramoz Ruçi, i cili kërkoi një opinion të hollësishëm për vettingun në politikë.

Në letrën drejtuar në fillim të muajit Tetor, presidentit Gianni Buquicchio, Ruçi ngriti 14 pyetje, të cilat në thelb kishin qëllimin e projektligjit dhe e pyet komisionin nëqoftëse ky qellim është  legjitim.

Gjithashtu, kryetari i Kuvendit kërkon opinion nga Komisioni i Venecias dhe për një pikë të rëndësishme të debatit, që ngrihet mbi propozimin e demokratëve, nëqoftëse vettingu në politikë afekton punën e strukturës së posaçme antikorrupsion dhe Byros Kombëtare të Hetimit.

Vettingu në politikë qëndron mbi një moment të rëndësishëm politik, pasi Partia Demokratike, ka kushtëzuar sjelljen normale me institucionet në vend.

Në zyrat e Lidhjes – Ismail Kadare: Ju rrëfej telefonatën me Enverin

NGA LIBRI “KUR SUNDUESIT GRINDEN-RRETH MISTERIT TË TELEFONIMIT STALIN-PASTERNAK”

ISMAIL KADARE

Telefonimi i Enver Hoxhës kishte ndodhur vërtet përpara ca kohe. Ishte mesditë, ndodhesha si zakonisht në Lidhjen e Shkrimtarëve kur zëvendëskryeredaktori i gazetës “Drita”, duke më zgjatur telefonin, më tha se dikush më kërkonte.

Jam Haxhi Kroi, tha zëri. Me ju do të flasë shoku Enver.

Nuk arrita të them asgjë, veç fjalës “faleminderit”! më përgëzoi për një poemë që sapo ishte botuar në gazetë. Unë thashë prapë “faleminderit”. Ai tha se i kishte pëlqyer shumë dhe, ndërsa iu bëra një shenjë të tjerëve që të mos bënin zhurmë, pa qenë në gjendje të shqiptoja diçka tjetër, përsërita një “faleminderit” të tretë.

Ç’janë këto katër falënderime rresht, tha njëri nga redaktorët. Kur na qenke bërë kaq i sjellshëm?

S’dija si t’i paralajmëroja, veç bëra një shenjë tjetër me dorë, që vështirë se mund të kuptohej ç’donte të thoshte.

Ishte Enver Hoxha. Ishin të vetmet fjalë që arrita të them, kur telefoni u mbyll.

Vërtet? Si? Ai vetë?

Po, u përgjigja.

Po si? Ç’të tha? Po ti? Si nuk i the asgjë?

U përgjigja: nuk e di. Siç duket, u hutova.

Iu tregova për përgëzimin e tij dhe ata prapë shfaqën keqardhjen që nuk fola pak më tepër, veç njërit, që më dha të drejtë, duke sqaruar se, në raste të tilla të lidhej goja…

Kur sunduesit grinden

***

Të gjitha vendet që përbënin kampin socialist pas Luftës së Dytë Botërore, e përjetuan në mënyrë të dhimbshme kalimin e shkrimtarëve të shquar nga epoka borgjeze në atë komuniste. Terrori dhe burgjet ishin pjesa më e kapshme e tablosë. Pjesa tjetër, ajo e dramave të brendshme, e thyerjeve, e lëshimeve, duke qenë gjer më sot ende e pazbërthyer, ka qenë edhe më e pakuptueshmja. Komunistët i trembte arti. Udhëzimet e shefave të tyre më të lartë, duke përfshirë Leninin dhe Marksin, ishin aq të cekëta saqë mijëra punonjës të kulturës torturonin trutë ditë e natë për të kuptuar se ç’donte të thoshte Lenini, në të vetmin librushkë të tij për letërsinë: “Organizata e partisë dhe letërsia e partisë”.

Sado e pabesueshme të dukej, askush nuk guxonte të thoshte se ky moskuptim vinte ngaqë në këtë libër të rëndomtë e të mërzitshëm, autori vetë kishte gjasë të mos e dinte se për ç’letërsi bëhej fjalë: për pamfletet dhe traktet e partisë apo letërsinë që njohim. Nga një shfletim i Karl Marksit nuk ishte i vështirë të kuptohej se njeriu që ia kishte kushtuar jetën e vet përmbysjes me dhunë të rendit botëror, në dhjetëra librat e tij nuk kishte asnjë gjysmë faqe për tronditjen dhe pendimin që shkakton derdhja e gjakut njerëzor.

Të mos kujtoheshe për këtë, nuk do të thoshte vetëm se s’kishe kuptuar asgjë nga Homeri dhe Dantja, por shumë më keq. Mund të thuhej se Karl Marksi i propozoi njerëzimit kasaphanën e madhe, por pa e shoqëruar, së paku, me porosinë e thjeshtë njerëzore: megjithatë, kujdes nga vrasja e ndërgjegjes!

Lasgush Poradeci me qenin e tij, Cuci
Lasgush Poradeci me qenin e tij, Cuci

Të mbyllej me kaq, do të ishte ndoshta gjysma e së keqes. Por gjysma tjetër, ajo që vinte më pas, ishte ku e ku më makabre. Kujdes nga kujdesi për vrasjen e ndërgjegjes! E pagëzuar si “dobësimi i luftës së klasave”, mëshira, në mijëra studime, fjalime e parulla të ditës, përmendej si një kambanë tmerri që ndillte veç zi për proletariatin botëror. Të gjitha vendet e kampit, që nga Shqipëria e vogël stërstaliniste te Kina e pafundme, ofronin qasjen e tyre për këtë gjëmë. Në Shqipëri, nga shkrimtarët e padënuar, dy më të shquarit, Fan Noli dhe Lasgush Poradeci, do të kishin marrëdhënie, ende sot të pashpjeguara plotësisht, me regjimin komunist.

Të dy vinin nga mbretëria, njëlloj të famshëm, por në mënyra të ndryshme. I pari, Fan Noli, poet dhe shekspirolog, ishkomplotist, ish-Kryeministër i Shqipërisë, kishte përfunduar peshkop i saj, por me banim në USA. Siç është thënë shpesh, ishte, me sa dukej, i vetmi poet në Europë, që kishte pasur një grindje të gjatë me mbretin e vendit, Zogun, të cilin kishte arritur ta përmbyste dhe ta dënonte me vdekje në mungesë, për t’u përmbysur më pas e për t’u dënuar me vdekje në mungesë, po prej tij.

Dhe kështu, pas padurimit shqiptaro-ballkanik për ta vënë në gjunjë njëri-tjetrin, kishin përfunduar të pajtuar më 1960, kur të dy e kishin humbur ndërkaq Shqipërinë.

Poeti tjetër, Lasgush Poradeci, gjithçka të tijën, duke përfshirë dhe aureolën, e kishte të ndryshme: erotiko-qiellore. Dashuri, gra, të gjitha të një bote që më shumë s’ishte se ishte.

Madje, cilësimin e vetes kështu e kishte bërë: “Zog i qiejve”, për të cilin gojët e liga nuk do të mungonin të thoshin se, duke përfituar nga emri i mbretit Zog, që në shqip do të thoshte shpend, haptas sfidonte mbretin: ti je Zog në tokë, unë në qiell!

Mirëpo, mbreti shqiptar, gjë e rrallë kjo, me sa dukej, s’kishte smirë ndaj poetëve. Ndoshta nga kjo ose ndoshta ende i tmerruar nga ato që kishte hequr prej poetit tjetër, Nolit, kishte qëndruar larg, çka do të thoshte se poeti dhe princi bënin sikur s’e vinin re njëri-tjetrin.

Dhe kështu, pas rrëmujës së luftës, Lasgush Poradeci u gjend në epokën komuniste, midis brohoritjeve të ndërprera nga krisma armësh të skuadrave të pushkatimi. I papërshtatshëm për asgjë, duke përfshirë edhe këto të fundit, ishte aq jashtë kohe saqë çdo dënim kundër tij do të ngjante jo bindës. Sidoqoftë, si të mos e linin fare pa gjë, hë për hë, në pritje të goditjeve më serioze, hapën fjalë se ishte maniak dhe krejt i krisur nga mendja.

Sunduesi komunist, Hoxha, si të ndihej keq nga ajo që mund të quhej “mungesë e përvojës së smirës mbretërore”, imitoi ish-mbretin në qëndrimin e tij ndaj dy të mëdhenjve të artit: bëri një gjysmë pajtimi me Nolin dhe vijoi të njëjtën mosvëmendje ndaj Poradecit.

Kjo e fundit ishte e ndërsjellë, pra, tepër e volitshme për poetin, por jo e parrezikshme.

Ajo që e mbrojti në të vërtetë Lasgush Poradecin, ishte maska e Hamletit. Ende sot, në prag të hapjes së dosjeve të fshehta, nuk ka asnjë dëshmi që të vërtetonte se hiqej si i çmendur. Më tepër besohej e kundërta.

E folura e tij ngjante si jo e kësaj bote. Më e habitshmja ishte se e folura e të tjerëve me të niste të ndryshonte gjithashtu. Ndryshimi i parë ishte përdorimi i fjalës “zotni”, e zhdukur ndërkaq. Ishte, me sa dukej, kjo zanafillë tepër e mjegullt e idesë se ndoshta nuk ishte më i gjallë. Ajo u përhap me shpejtësi të pashpjegueshme kudo. Sa herë që binte fjala për të, do të gjendej dikush që të pyeste, a është gjallë apo jo, dhe pas tij, dikush që do të përgjigjej se ajo dihej. Pas kësaj, rrallëkush mund të ishte i sigurt nëse ajo ishte gjallja apo vdekja e poetit.

Trazime të tilla, si ato që lidheshin me pyetjen nëse poetët ndiheshin më fort me mospraninë e tyre se me praninë, nuk dilnin asnjëherë në shtyp. Ashtu siç nuk dilte gërgama e lexuesve ndaj shkrimtarëve që nga Hungaria e vendet baltike gjer në Mongoli. Kur nuk shkruanin dot libra tërheqës ngaqë s’ishin të aftë apo nuk i linte realizmi socialist, siç ankoheshin, atëherë të bënin së paku ca skandale, si ato të dikurshmet, në mos me mbytje, me ndonjë ndarje të bujshme grash.

Çfarë ishte? Si niste, si mbaronte. A kishte mbarim!

Që në letërsi kishte ndodhur një katastrofë, këtë e ndjenin të gjithë. Kërkimi i shkaqeve të katastrofës, ashtu si mosgjetja e tyre do të vazhdonte ende gjer më sot, në ditët që po shkruhen këto radhë dhe kur arkivat e fshehta, më në fund, do të hapen.

Sipas Josif Brodskit, midis dy mënyrave të rrënimit të letërsisë, njëra, goditja ballore, u shmang për një zgjedhje më tinëzare, prishjen e lëndës së ndërtimit, thënë ndryshe, të tullave (çka do të thoshte në këtë rast, të shkrimtarëve), që do të sillte më pas rrënimin vetvetiu të ngrehinës.

Të tjera prishje e shtratime do të ndodhnin midis vetë jetës, personazheve që e popullonin atë, gjuhës që ata përdornin. Çdo popull në familjen e madhe komuniste sillte përvojën e vet të veçantë në të gjitha sferat. Rrallimi i mjediseve që quheshin tipike për rendin e vjetër, si kazinotë, baret e natës, shtëpitë publike e të tjera, do të shoqërohej me rrallimin e maniakëve, tyryfylëve, mendjekrisurve, të përhënurve, etj. Nga të gjitha këto, gjuha do të kishte pjesën e saj, ajo e shkruara, natyrisht, por sidomos e folura.

Njoftim i rëndësishëm – Pala greke bllokon kalimin e autobusëve dhe kamionëve në Kapshticë, deri…

Autoritetet greke në pikën e kalimit kufitar në Kapshticë, kanë vendosur, se për shkak të motit të keq si dhe bllokimit të një aksi rrugor në territorin Grek, nuk do të lejohet kalimi dhe qarkullimi i mjeteve të transport autobusë dhe mjeteve të tonazhit të rëndë kamionë, në drejtim të Greqisë, deri në normalizimin e situatës në këtë aks rrugor.

Sipas “Top Channel”, bëhet me dije se do të lejohet kalimi i mjeteve më të vogla, por vetëm nëse janë të pajisur me zinxhirë, për të evituar aksidente të mundshme.

Policia Kufitare, apelon për të gjithë drejtuesit e mjeteve që kanë planifikuar lëvizjen për në shtetin grek nëpërmjet pikës kufitare Kapshticë, ta anulojnë ose të përdorin pikat e tjera të kalimit kufitar me Greqinë, deri në normalizimin e situatës për shkak të motit të keq.

PD: “Heshtja e Prokurorisë nuk e shpëton Vangjush Dakon”

PD ka vijuar akuzat ndaj kreut të bashkisë Durrës, Vangjush Dako. Në një dalje për mediat, deputeti i PD Flamur Noka tha se përgjimet e dosjes 339 provojnë se Vangjush Dako bashkëpunoi me bandat për të blerë vota për pushtetin e paligjshëm të Ramës.

Noka drejtoi gishtin nga Prokuroria, duke thënë se po hesht për Vangjush Dakon, por përsëri ai nuk mund të shpëtojë nga ndëshkimi.

Deklarata e Flamur Nokës

Dosja 339 është prova e krimit elektoral të Vangjush Dakos, i cili bashkëpunoi me bandat për të blerë pushtetin ilegjitim të Edi Ramës.

Në dosjen 339, të cilën Edi Rama po e mban të kyçur në sirtarët e Prokurorisë ekzistojnë me qindra faqe pergjime që provojnë se Vangjush Dako ishte në krye të operacionit kriminal për blerjen e votës në Qarkun e Durrësit dhe kërcënimit të votuesve nëpërmjet bandave.

Për këtë krim Kryetari I Bashkisë së Durrësit duhet të arrestohet!

Heshtja e prokurorisë, nën kontrollin e plotë të Edi Ramës, mund ta ndohmojë sot për sot Vangjush Dakon, por askush dhe asgjë nuk do ta shpëtojë nga ndëshkimi për krimin e blerjes së pushtetit me bandat.

Dosja 339 është simboli që ka zbuluar skemën e përdorur nga Edi Rama në të gjithë Shqipërinë, për të grabitur vota me ndihmën e kriminelëve, në këmbim të favoreve në prona, tendera publikë dhe lehtësi në marrëdhënie me policinë.

Kjo skemë provohet nga përgjimet e bëra publike deri tani:

 Biseda telefonike e shkurtit, me Altin Avdylajn, i njohur si Niçja, ku i premton dhe favore, e provon këtë.

 Falenderimet pas zgjedhjeve të datës 27 Qershor, po me Niçen për të falenderuar kryekapobandën Astrit Advylaj, e provojnë këtë.

 Mesazhet me Cinen, Jasin Avdylin për të ndërhyrë tek FNSH-ja dhe komunikime të tjera të zbardhura në dosjen 339, e provojnë këtë. 

 Mosarrestimi iVangjush Dakos është dëshmia më e qartë e kapjes së shtetit nga krimi i organizuar me mbështetje të organizatës kriminale të Rilindjes të drejtuar nga Edi Rama.

 Në Shqipëri nuk ka për të patur as drejtësi, as luftë kundër krimit dhe asnjë zhvillim normal pa u ndëshkuar krimi elektoral që mban në pushtet qeverinë ilegjitime të Edi Ramës!

Rama për protestën tek Unaza e re: Pasqyra e mendësive të së shkuarës në rrumpallë, ku e ke dëgjuar gjuhën kundër shpellarëve

Kryeministri Edi Rama, me anë të komenteve që u është përgjigjur qytetarëve në Facebook, është shprehur për protestën e banorëve tek Unaza e re.

 

Një prej komentuesve i përmend këtë çështje dhe Rama “shprehet se  shfaqja e agresivitetit antizhvillim tek unaza e re është pasqyra e mendësive te se shkuarës ne rrumpallë, s’ka asnjë lidhje me pasqyrën e qeverisjes.

REPLIKAT

Qyetari: pasqyra e ksaj jave eshte UNAZA E RE ..kjo eshte propagande koti ..para kamerave bejne sikur pastrojne ata pastaj dredhin dnonje cigare

Rama: shfaqja e agresivitetit antizhvillim tek unaza e re eshte pasqyra e mendesive te se shkuares ne rrumpalle, s’ka asnje lidhje me pasqyren e qeverisjes!

Qyetari: Agresiviteti i qeverise suaj duket tek gjuha kundra shpellareve .. une personalisht do pranoja te rija dhe 10 min me shume ne trafik dhe mos me jepej mundesia te shikoja ne tv ato familjare qe dimri mund ti coje refugjate ne vendin e tyre

Rama: Nuk e di ku e ke degjuar ti kete gjuhen kunder shpellareve, me siguri nga kadrinjte e kazanit te Shqupit, po zhvillimi i atij projekti s’ka asnje lidhje me cfare sheh ti ne tv apo me sa i gatshem je ti te presesh ne trafik! Nderkohe po te informoj se shumica derrmuese aty s’jane shtepi po godina te paligjshme biznesesh, ndersa per sa u takon familjeve duhet ta mesosh qe jo vetem askush s’do t’i lere jashte, po do u paguhet qera tre vjet nga taksat e shqiptareve! Me shume se kaq?

Protesta në ditën e 15, qytetarët: Do i mbrojmë me jetë banesat

TIRANE – Protesta e banorëve të Unazës së Re kundër prishjes së banesave dhe bizneseve të tyre ka hyrë në ditën e 15.

Ata kanë bllokuar sërish rrugën duke ndaluar qarkullimin e automjeteve, në kërkim të një përgjigje për të drejtat e tyre.

Teksa nesër është lajmëruar se do të vazhdohet me prishjet e banesave, qytetarët  kërkojnë dëmshpërblim me vlerën e tregut, rapoton gazetari Klajdi Bodlli nga vendgjarja për BalkanWeb

“Nuk ka asnjë fije transparencë, as nga qeveria as bashkia, ne sikur jemi geto afrikane, jo qytetarë të Tiranës. Edhe avokatja e popullit e nxorri blof qeverinë në shumë pika,” tha një banor.

“Qeveria edhe mund të na terrorizojë, por ne me trupin e jetën tonë do i mbrojmë banesat,” u shpreh ai.

Ceremonia me fotot e Enverit për 17 nëntorin. Zv.ministri Koçi: Pasardhësit e kolaboracionistëve të kërkojnë falje

ARISTIR LUMEZI/ Zëvendësministri i Mbrojtjes, Petro Koçi, u kërkoi pasardhësve të atyre që bashkëpunuan me pushuesit që t’i kërkojnë falje popullit. Në aktivitetin e organizuar nga bashkia e kryeqytetit me rastin e përkujtimit të 74-vjetorit të Çlirimit të Tiranës morën pjesë kryebashkiaku Veliaj, prefekti, kryetari i këshillit, deputetë dhe qytetarë dhe vetëm një zv.ministër i qeverisë.

 

Zv. ministri i Mbrojtjes e quajti me rëndësi të madhe kombëtare Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe u kërkoi pasardhësve të atyre që bashkëpunuan me fashizmin t’i kërkojnë falje popullit, qytetarëve të Tiranës sepse vetëm kështu mund të arrihet ai që quhet pajtim kombëtar. “Çlirimi i kryeqytetit 74 vjet më parë kishte një rëndësi të madhe kombëtare e strategjike.

Edhe sot e kësaj dite rëndësia e kësaj lufte është shumë e rëndësishme. Është një gjykim dhe vlerësim politik i domosdoshëm. Populli shqiptar në Luftën e Dytë Botërore zgjodhi rrugën e duhur. Mori vendimin e duhur politik e ushtarak për t’iu bashkuar një koalicioni të madh antifashist me armë në dorë për të çliruar vendin. Kuptohet që jo të gjithë shqiptarët zgjodhën këtë rrugë.

Ishin vetëm 70 mijë partizanë dhe partizane që u rreshtuan në Ushtrinë Nacionalçlirimtare, kur të tjerët zgjodhën rrugën tjetër. Ata donin që, duke bashkëpunuar me fashizmin e nazizmin të mbanin pushtetin politik, duke tradhtuar interesat e vendit. Ata nuk luftuan për Shqipërinë e Madhe, por të merrnin pushtetin, por populli shqiptar nuk i mbështeti. Ai mbështeti 70 mijë partizanët çlirimtarë.

Veliaj-protestat

Prandaj, kjo ditë e çlirimit të Tiranës është e rëndësishme dhe ftoj të gjithë ata që janë pasardhës të atyre që bashkëpunuan me fashizmin t’i kërkojnë falje popullit, qytetarëve të Tiranës se vetëm kështu mund të arrihet ai që quhet pajtim kombëtar. Lavdi të gjithë atyre që ranë dëshmorë për çlirimin e vendit. Në emër të qeverisë dua të falënderoj Bashkinë e Tiranës, që me lartësinë e duhur politike dhe atdhetare organizon çdo vit këtë ditë të shënuar”, u shpreh Koçi.

KRYEBASHKIAKU

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, në fjalën e tij komentoi protestat e banorëve të “Unazës së Re” dy ditë më parë para Bashkisë së Tiranës. Kryebashkiaku u bëri apel qytetarëve që të mos lejojnë përçarjen nga politika, ndërsa shtoi se opozita po bojkoton Parlamentin për të sabotuar hapjen e negociatave me BEnë. “Ne sot kemi angazhime të ndryshme nga 74 vite më parë. Ka disa njerëz që e harrojnë historinë, shumë pak kujtohen që Tirana u çlirua pa një ushtri të huaj. Ne shqiptarët kur organizohemi… edhe në atë kohë kishte një minorancë që bashkëpunonte me nazizmin. Tirana u çlirua falë partizanëve. Kjo na bën krenarë. Megjithatë, ka momente për të reflektuar. Pardje u dogjën goma para bashkisë pas 74 viteve, jo nga pushtuesit apo zaptuesit, por nga ne vetë. Prandaj, ky është moment reflektimi. Do kthehemi pas të flemë gjumë? Apo do të përveshim mëngët të përqafojmë njëri-tjetrin dhe të mos lejojmë politikanët që të na përçajnë, për të na penguar në këtë rrugëtim. Kjo bëhet për të na sabotuar që ne të mos bëhemi pjesë e BE-së”, tha Veliaj gjatë aktivitetit të Bashkisë së Tiranës.

Ceremonia-Frasheri

MILO: MID’HAT FRASHËRI GABOI NË RRAFSHIN POLITIK

Riatdhesimin e eshtrave të Mid’hat Frashërit në atdhe, historiani i njohur Paskal Milo e vlerëson si një veprim që duhet ta kishin bërë edhe më parë qeveritë shqiptare pas 1990-s. Ai e vlerëson për kontributin e tij të shquar në fushën e letrave, kulturës dhe albanologjisë. Gjithashtu, edhe në diplomaci Mid’hat Frashëri, sipas profesor Milos, ka sjellë kontribute për qëndrimet e tij gjatë kohës kur ka shërbyer si ambasador i Zogut në Greqi. Por historiani i njohur sheh gabime të mëdha të Mid’hat Frashërit në qëndrimet e tij politike, veçanërisht ato që kanë të bëjnë me pozicionimin e tij gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur themeloi Ballin Kombëtar dhe bashkëpunimin me pushtuesin e huaj. “Mid’hat Frashëri gaboi në një moment historik kur njerëz si ai duhej t’i bashkoheshin rrymës së përgjithshme dhe aktive të antifashizmit. Ai u bë kryetari i Ballit Kombëtar, i një force që tradicionalisht duhej të përfaqësonte alternativën politike të djathtë shqiptare, aq sa ajo mund të ekzistonte si e tillë në rrethanat e Shqipërisë së kohës”, u shpreh Paskal Milo.

Banorët e “Unazës në Re”: Nesër në 11, nis protesta pa afat

Mbyllet për ditën e sotme, protesta e banorëve të “Unazës së Re”, banesat e të cilëve preken nga ndërtimi i projektit të “Unazës së Madhe”.

Ditën e nesërme, banorët e e zonës së Unazës së Re në kryeqytet kanë lajmëruar nisjen e një proteste në orën 11. Protesta që sipas tyre, do të jetë pa afat.

Protesta te “Unaza e re”/ Dëshmia e gruas: Më erdhën rreth 20 policë dhe më tërhoqën zvarrë

Policia më arrestoi djalin dhe më pas më dhunoi. Kam qenë në spital, pasi isha shumë keq”. Ky ka qenë denoncimi i një prej protestuesve tek Unaza e Re për kamerën e ‘News24’.

gyhbn

Teksa tregonte shenjat e zeza në krah, zonja akuzoi policët e komisariatit të Kombinatit, ndërsa shtoi se ngjarja ka ndodhur tre ditë më parë.

“Policia më arrestoi djalin. Më arrestuan pardje djalin dhe vet kam qenë në spital. Shkoni si jam bërë. Më mori policia e Kombinatit. Ka tre ditë që ka ndodhur ngjarja. Kam qenë sëmurë. Dhe mbrëmë kam qenë në spital në orën 2 të natës pasi na kanë shqetësuar shumë. Më erdhën rreth 20 police në vendin e punë dhe më tërhoqën zvarrë. Më kërkuan telefonin e djalit, se di pse e kërkonin”, tha zonja.

u67jymhn

****

Banorët e “Unazës së re” në ditën e 14 të protestës

Banorët, banesat e të cilëve preken nga ndërtimi i projektit të “Unazës së Madhe” kanë dalë në protestë pasditen e sotme.

Untitled

Banorët janë vendosur në zonën e “Unazës së re”, duke bllokuar të dyja akset e rrugës kryesore që kalon aty. Kjo është dita e 14-të radhazi që banorët protestojnë. Ndërkohë, që është ndërprerë edhe ndricimi publik në këtë zonë.

“Shtëpitë do ti mbrojmë me gjak”, thirrën në korr banorët.

“Pronën do e mbroj me armë”, u shpreh një prej protestave për gazetarët në terren.

Protestat janë zhvilluar herë te sheshi para bashkisë e herë në aksion rrugor që lidh sheshin Shqiponja” me mbikalimin.

Banorët, banesat e të cilëve është janë të legalizuara dhe preken nga projekti, kërkojnë dëmshpërblim me vlerën reale të tregut dhe jo sipas legjislacionit në fuqi. Për ata që banesat i kanë pa leje, është njoftuar nga autoritet përfitimi i një bosi qiraje 3-vjeçar, por banorët janë kundër kësaj zgjidhjeje. Ata kanë paralajmëruar vijimësi dhe përshkallëzim të protestave, derisa problemi i tyre të marrë zgjidhje.

Unaza e Re/Veliaj: S’ka shpronësim për llotot e lavazhet pa leje

Më herët gjatë kësaj të shtune, kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj i është përgjigjur akuzave të Partisë Demokratike lidhur me protestën e banorëve tek Unaza e Re, të cilët kërkojnë dëmshpërblim për banesat që do t’u shemben. Nga Vaqarri, njësia e re që i është bashkuar Bashkisë së Tiranës pas ndarjes administrative, Veliaj tha se PD është bërë për të ardhur keq.

Duke sqaruar se pronarët që preken nga Unaza e Madhe do të shpronësohen, kurse për ndërtimet pa leje do të ketë 3 vite bonus qeraje dhe banesa sociale, Veliaj solli disa shembuj duke thene se zona është zaptuar nga llotot, lavazhet, gomisteritë dhe “shtëpi” me 8 kate pa leje.

“E kuptoj kur nga nevoja njeriu ndërton shtëpi për të jetuar, por 8 kate nuk është nevojtar, o miqtë e mi! Pse duhet t’ia marrë qeveria, bashkia lekët modeste të taksave dikujt në Vaqarr dhe në vend që të bëjmë shkollën këtu, në vend që të bëjmë rrugën, duhet t’i japim lekë dikujt që thotë ‘jam den baba den’ në një shtëpi me 8 kate, ku qartazi as i ka mbaruar 8 katet? Protestuesi më i madh Eurolloto! Po pse duhet njerëzit që s’luajnë baste të shpronësojnë një lloto?! Pse mos bëjmë një kopsht në Vaqarr, po duhet të japim lekë për lloto? Pse do heqim lekët e çerdheve për të shpronësuar një pikë bastesh, a ma thoni dot?! Për çfarë po protestojnë? Ky lavazhi ishte trotuar, i ka vënë vetëm këtë tendën portokalli dhe thotë më shpronësoni. Po kë të shpronësojmë more? Trotuari ishte i yni, i të gjithëve. Lekët do t’ia japim për shtëpinë, kush nuk ka asnjë letër, do t’i japim shtëpi sociale. Kush nuk ka asnjë gjë në botë, do t’i japim 3 vite qira falas. Të ndezin zjarr sa të duan, të djegin goma sa të duan, por fatin e familjeve dhe fëmijëve të këtij qyteti e kemi vetë në dorë. Ose do të shkojmë përpara dhe do të ecim me zhvillimet e Tiranës ose do të ngelemi mbrapa dhe nuk do e kapim kurrë veten”, deklaroi Veliaj.

Veliaj solli në kujtesë edhe ngjarjen tragjike të 21 janarit 2011. “Shoh protestën për Unazën, s’kishte asnjë banor atje. Ishte gjithë FRPD dhe kryetari i PD-së së Burrelit, nga ata që ishin tek Garda në 21 janar, që vranë njerëzit me plumba në mish. Vjen nga Burreli, proteston për rrugën në Tiranë! Pyetja që unë kam për PD: S’ju ka mbetur asnjë simpatizant në Tiranë, që mund të protestojë? Duhet patjetër me i sjellë nga rrethe të tjera që të kundërshtoni punën në Tiranë? Kaq keq ka ardhur puna, që partia që solli pluralizmin në Shqipëri nuk gjen dot një protestues nga Tirana dhe duhet ta ndyjë qytetin me dhunë, me zjarr, me plehra, me goma që digjen, me njerëz që vijnë nga qytete të tjera? Fakti që qytetet që PD i ka falimentuar dhe i përdor vetëm për militantë për të bllokuar punët në Tiranë, tregon se ata janë në këtë ditë të zezë dhe ne jemi në drejtimin e duhur”, theksoi Veliaj.

FOTOT – Me portretet e Enverit dhe nderim me grusht lart, komunistët homazhe te ‘Ushtari i Panjohur’

Nuk munguan as kete kremtim te dites se çlirimit te Tiranes nostalgjiket e diktatures dhe komunistet.

Me portrete te diktatorit Enver Hoxha ata kane bere homazhe sot tek monumenti i “Ushtarit të panjohur” në qendër të Tiranës me foton e dikatatorit Enver Hoxha, yllin me pesë cepa dhe grusht me rastin e 17 nëntorit, ditës së çlirimit të kryeqytetit shqiptar.

Pas përfundimit të ceremonisë së organizuar nga Bashkia Tiranë, pleqtë nostalgjikë të regjimit diktatorial kanë vendosur kurora me lule e kanë nderuar me simbole të komunizmit në mes të kryeqytetit të patrazuar nga askush. BW

Meta dekreton Lleshin ministër të Brendshëm

Në Shqipëri, presidenti Ilir Meta njoftoi mbrëmjen e së premtes dekretimin e zotit Sandër Lleshi si ministër i Brendshëm. Një vendim i cili ishte thuajse i pritshëm, ndërsa më herët gjatë ditës Kreu i Shtetit kishte firmosur nxjerrjen në lirim të gjeneralit. Pasi kryeministri Edi Rama i ripropozoi të premten e shkuar, emrin e zotit Lleshi, presidenti Meta bëri të ditur se shqetësimi i tij në këtë rast lidhej me statusin si ushtarak të tij.

Në një letër dërguar Ministrisë së Mbrojtjes, ku ai kërkonte informacion rreth kësaj çështjeje, Kreu i Shtetit nënvizonte se “Ministri si funksion kushtetues është autoritet civil, dhe kandidatura e zotit Lleshi vjen nga një karrierë e gjatë ushtarake” e për pasojë “emërimi i tij në detyrën e ministrit të Brendshëm, paraqet një problematikë themelore kushtetuese”. Sipas zotit Meta, “ushtaraku i shërbimit aktiv nuk mund të zgjidhet ose të emërohet në detyra të tjera shtetërore dhe as nuk mund të kandidojë e as të zgjidhet ministër apo deputet pa hequr dorë më parë nga detyra”.

Zoti Lleshi është liruar nga detyra e zëvendës shefit të Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë në vitin 2013 dhe është nxjerrë në lirim me dekret të presidentit të atëhershëm Bujar Nishani. Ai ju drejtua gjykatave, dhe Apeli administrativ i dha të drejtë në 2017 duke kërkuar rikthimin e tij në detyrë si dhe që ministria e Mbrojtjes t’i japë pagën deri në ditën e emërimit të ri. Ndërkohë çështja ka përfunduar në Gjykatën e Lartë, ku nuk është mbyllur ende.

Përmes një letre dërguar presidentit, zoti Lleshi shpjegoi se pas vendimit të Apelit, i ka kërkuar Ministrisë së Mbrojtjes zbatimin e tij, porse ministria e ka dërguar çështjen në Gjykatën e Lartë. Ai shprehej se nuk mund të konsiderohet ushtarak aktiv duke qenë se “të tillë quhen ata që shërbejnë në Forcat e Amatosura dhe mbajnë uniformë”. Zoti Lleshi nënvizonte se me pranimin e propozimit për ministër i Brendshëm ka vendosur të heqë dorë nga karriera ushtarake, pavarësisht se vendimi i Gjykatës ja ka dhënë këtë mundësi dhe se me kërkesën drejtuar presidentit heq dorë nga të drejtat që i burojnë nga vendimi i Apelit. Por duket se presidenti i ka qëndruar mendimit se zoti Lleshi gëzonte ende statusin e ushtarakut, e për pasojë ministria e Mbrojtjes i është drejtuar me kërkesën për dekretimin e lirimit të tij.

Kryeministri Rama, gjatë gjithë kohës ka këmbëngulur se presidenti kishte shkelur Kushtetutën kur kishte refuzuar propozimin e parë me arsyetimin se nuk kishte “krijuar bindjen e plotë për t’i dhënë besimin”. Ndërsa, kur u shfaq problemi i statusit të ushtarakut, ai u shpreh i keqardhur pse sipas tij, zoti Meta nuk e kishte ngritur këtë çështje, që më herët, duke bërë të mundur që të shmangej “krisja e parë”.

Mbrëmë pas dekretimit të zotit Lleshi, kryeministri u shpreh se ky ishte “një shembull kuptimplotë i faktit se edhe kur duket, sikur krisjet janë të pariparueshme a thyerjet të pashmangshme, ka gjithmonë një rrugëzgjidhje nëse ka vullnet të mirë”.

Meta, dekret për lirimin e Lleshit nga ushtria

Në Shqipëri, presidenti Ilir Meta dekretoi nxjerrjen në lirim të gjeneralit Sander Lleshi. Vendimi duket se i hap rrugë, emërimit të zotit Lleshi në postin e ministrit të Brendshëm, duke qenë se sipas Kreut të Shtetit, statusi i tij si ushtarak, binte në kundërshtim me qënien anëtar i kabinetit qeveritar. “Ministri si funksion kushtetues është autoritet civil, dhe kandidatura e zotit Lleshi vjen nga një karrierë e gjatë ushtarake” e për pasojë “emërimi i tij në detyrën e ministrit të Brendshëm, paraqet një problematikë themelore kushtetuese”, shkruante zoti Meta në letrën drejtuar Ministrisë së Mbrojtjes, menjëherë pasi kryeministri Rama i ripopozoi emrin e zotit Lleshi si ministër i Brendshëm. Në letër, presidenti saktësonte se “ushtaraku i shërbimit aktiv nuk mund të zgjidhet ose të emërohet në detyra të tjera shtetërore dhe as nuk mund të kandidojë e as të zgjidhet ministër apo deputet pa hequr dorë më parë nga detyra”.

Zoti Lleshi është liruar nga detyra e zëvendës shefit të Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë në vitin 2013 dhe është nxjerrë në lirim me dekret të presidentit të atëhershëm Bujar Nishani. Ai ju drejtua gjykatave, dhe Apeli administrativ i dha të drejtë në 2017 duke kërkuar rikthimin e tij në detyrë si dhe që ministria e Mbrojtjes t’i japë pagën deri në ditën e emërimit të ri. Ndërkohë çështja ka përfunduar në Gjykatën e Lartë, ku nuk është mbyllur ende.

Përmes një letre dërguar presidentit, zoti Lleshi shpjegoi se pas vendimit të Apelit, i ka kërkuar Ministrisë së Mbrojtjes zbatimin e tij, porse ministria e ka dërguar çështjen në Gjykatën e Lartë. Ai shprehej se nuk mund të konsiderohet ushtarak aktiv duke qenë se “të tillë quhen ata që shërbejnë në Forcat e Amatosura dhe mbajnë uniformë”.

Zoti Lleshi nënvizonte se me pranimin e propozimit për ministër i Brendshëm ka vendosur të heqë dorë nga karriera ushtarake, pavarësisht se vendimi i Gjykatës ja ka dhënë këtë mundësi dhe se me kërkesën drejtuar presidentit heq dorë nga të drejtat që i burojnë nga vendimi i Apelit.

Nga ana e ti, kryeministri Rama, po në një letër drejtuar presidentit, theksonte se sipas tij, zoti Lleshi nuk kishte statusin e ushtarakut aktiv, megjithatë ai ja linte në dorë të presidentit të vlerësonte rastin, dhe nëse ai mendonte të kundërtën, atëherë “sipas kërkesës së vetë zotit Lleshi, mund të vendosni çdekretimin e këtij të fundit si ushtarak”, nënvizonte zoti Rama në letër.

Por duket se presidenti i ka qëndruar mendimit se zoti Lleshi gëzonte ende statusin e ushtarakut, e për pasojë ministria e Mbrotjes i është drejtuar me kërkesën për dekretimin e lirimit të tij. Brenda ditës së sotme, sipas afatit të përcaktuar nga Kushtetuta, Kreu i Shtetit do të duhet të shprehet për emërimin e zotit Lleshi në postin e ministrit të Brendshëm.

Zëri i Amerikës: Gruevski u arratis përmes Shqipërisë

Ish kryeministri Nikolla Gruevski rezulton të jetë larguar nga Maqedonia përmes Shqipërisë. Policia shqiptare tha të enjten, se ai është larguar nga territori shqiptar, të dielën në mbrëmje, më 11 Nëntor, përmes pikës kufitare të Hanit të Hotit, duke kaluar kështu në Mal të Zi.

Ai është paraqitur në kufi vetëm me kartën e identitetit. Policia shqiptare bëri të ditur se ai ka udhëtuar me një automjet të ambasadës hungareze në Tiranë, brenda së cilës, siç mësohet, përveç shoferit ka qenë dhe një punonjës i ambasadës, i pajisur me pasaportë diplomatike, të cilët janë rikthyer në Shqipëri brenda më pak së një ore.

Autoritetet policore shqiptare po kryejnë verifikime për të zbuluar se kur dhe nga cila pikë e kufirit ka hyrë në Shqipëri ish kryeministri maqedonas. Autoritetet maqedonase lëshuan fletë-arrestin për të më 12 Nëntor pasi ai nuk u paraqit vullnetarisht për vuajtjen e dënimit me dy vjet burg për shkak të një vepre penale. Ndërsa urdhëri i arrestit ndërkombëtar, i lëshuar nga Interpol Shkupi, i ka mbërritur Interpol Tiranës, sipas njoftimit të policisë shqiptare, më 13 nëntor në mbrëmje.

Ndërkohë në Shkup, autoritetet maqedonase po përpiqen të zbulojnë se si iku dhe kush i ndihmoi ish-kryeministrit Nikolla Gruevski. Prokuroria Themelore dyshon se persona që kanë keqpërdorur pozitën zyrare dhe autoritetin ta kenë bërë këtë, por autoritetet e rendit në Shkup ende nuk flasin zyrtarisht për njoftimin që vjen nga Tirana mbi rrugët e arratisjes së Gruevskit drejt Hungarisë.

Ende nuk është e qartë se në cilën ambasadë humgareze ai e ka paraqitur kërkesën për azil. Në Budapest, autoritetet thonë se po e shqyrtojnë kërkesën për strehim që, sipas tyre, ish kryeministri e kishte parashtruar në një përfaqësi diplomatike hungareze jashtë Maqedonisë.

Sipas zërave në Shkup, ish-kryeministri Gruevski ka ndaluar në Beograd, ku ka bërë kërkesën në ambasadën hungareze dhe më pastaj ka vazhduar rrugën për në Budapest. Organet e rendit dhe të sigurisë në Shkup nuk i hedhin poshtë as nuk i konfirmojnë këto dyshime.

Shefi i kabinetit të Kryeministrit Viktor Orban, Gergely Gulyasu tha të enjten gazetarëve në Budapest se Hungaria nuk e ka ndihmuar ish kryeministrin të largohet nga vendi i tij.

“Udhëtimi nëpër Ballkan është i mundur me karta identiteti dhe auoritetet hungareze nuk kanë asgjë të bëjnë me largimin e ish-kryeministrit maqedonas nga territori i shtetit të tij. Me që ai e mbështet kërkesën për strehim tek mungesa e procedurave të drejta por dhe tek kërcënimet ndaj sigurisë së tij, u mor vendimi për shkaqe sigurie që dëgjimi i tij të bëhet në Zyrën e Imigracinit në Budapest”, tha zëdhënësi Gergely Gulyasu.

Hungaria është e njohur për kthimin e azil-kërkuesve në kufi prej nga vijnë dhe atje, në zonën tranzitore i merr në pyetje personat të cilët kërkojnë strehim.

“Shteti hungarez nuk i ka dhënë asnjë ndihmë dhe nuk mund të lidhet në asnjë mënyrë me vendimin e ish-Kryeministrit Nikolla Gruevski për t’u larguar nga Maqedonia”, shtoi zëdhënësi Gergely Gulyasu.

Në Shkup, ministri i jashtëm Nikolla Dimitrov ka biseduar me telefon me kolegun e tij hungarez Peter Siarto, të cilit i ka theksuar faktin se bëhet fjalë për një person të dënuar, kundër të cilit po zhvillohen edhe katër procedura të tjera gjyqësore për vepra të rënda kriminale.

Ministri maqedonas, sipas kabinetit të tij, ka nënvizuar paradoksin e situatës me kërkimin e strehimit politik në një vend të Bashkimit Evropian nga një individ gjatë pushtetit të të cilit Maqedonia si vend kanidat për në BE karakterizohej si “shtet i robëruar” nga vetë Komisioni Evropian.

Ndërkaq, Ministria e Drejtësisë po përgatit dokumentet për kërkesën e ekstradimit të zotit Gruevski nga Budapesti.

Një pjesë e analistëve mendojnë se Hungaria, si vend i Bashkimit Evropian nuk do të mund ta mbajë gjatë Gruevskin për shkak të trysnive dhe se ish-kryeministri maqedonas do të duhet të kërkojë një vend tjetër të sigurt për të, dhe kjo sipas tyre do të ishte Rusia.