VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

“Mini-Shengeni”, si derë për Rusinë dhe Kinën në Ballkan

By | November 21, 2019

Komentet

35 organizata ndërkombëtare kundër censurës së medias online në Shqipëri

Një grup prej 35 organizatash nga vende të ndryshme të botës, 34 prej të cilave janë pjesë e “Platformës së Solidaritetit” i bashkohen deklaratës së organizatave shqiptare të medias dhe Komitetit Shqiptar të Helsinkit, duke i bërë thirrje qeverisë shqiptare të tërheqë paketën ligjore anti-shpifje që i është propozuar Kuvendit dhe në rast mostërheqje, i bëjnë thirrje Kuvendit ta rrëzojë atë menjëherë.

“Organizatat nënshkruese nënvijëzojnë se dy projektligjet e paketës kundër shpifjes i japin Autoritetit të Mediave Shqiptare dhe Autoritetit të Komunikimeve Postare dhe elektronike kompetenca kuasi-gjyqësore për të sanksionuar mediat, ndërsa këto organe administrative, megjithëse të pavarur nga përcaktimi në ligj, nuk japin garanci funksionale për të vepruar në mënyrë të pavarur në praktikë, ashtu si  gjykatat,” nënvizon deklarata.

 

Pjesë e organizatave nënshkruese janë 10 Komitete Helsinki me reputacion të lartë dhe veprimtari të spikatur për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut, në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar dhe që e kane qendrën e veprimtarisë së tyre në Hollandë, Norvegji, Serbi, Maqedoni, Bullgari, Armeni, Poloni, Greqi, etj.

Përveç mbështetjes fuqimisht të argumentave të paraqitura më herët nga organizatat shqiptare të medias dhe Komiteti Shqiptar i Helsinkit, Rrjeti “Platforma Solidaritetit” vendos theksin tek fakti që kjo paketë ligjore nuk përputhjet me angazhimet që Shqipëria ka ndërmarrë në kuadër të kryesimit të OSBE-së dhe në mënyrë të veçantë me nevojën për siguri dhe stabilitet, prosperitet të shtetasve të vendeve tona.

35 organizatat vendosin theksin se, në kryesimin e OSBE-së Shqipëria duhet të jetë një model për vendet e tjera që zbatojnë angazhimet në kuadër të OSBE-së, sa i takon respektimit të medias së lirë./ Reporter.al

Dënohet me gati pesë vite burg shqiptari që planifikonte sulme terroriste në Amerikë

Alameti

Fabjan Alameti, shqiptari 21 vjeçar që banonte në Nju Jork është dënuar me gati pesë vite burg. Më herët ai kishte pranuar fajësinë për deklarim të rremë tek Byroja Federale e Hetuese kur u pyet rreth aspiratave të tij për t’iu bashkuar organizatës terroriste Shteti Islamik dhe planin për hakmarrje pas sulmin në një xhami në Nju Zelandë.

Atij iu lexua dënimi në gjykatën federale në Missoula të shtetit të Montanës. Alameti është dënuar me 4 vite e 9 muaj heqje lirie.

Autoritetet e drejtësisë intervistuan Alametin për herë të parë në vitin 2018. Më vonë ai kishte postuar shkrime në rrjetet sociale, në mbështetje të organizatës ISIS.

Prokurorët thonë se ai po udhëtonte me autobus drejt Montanës më 15 mars, kur një person i armatosur vrau 50 njerëz në një xhami në Christchurch të Nju Zelandës. Alameti kishte biseduar online me një person pa e ditur se ai ishte informator, e të cilit i kishte shpalosur planin e tij që të sulmojë njerëz të zakonshëm në shenjë hakmarrje sikurse edhe planet e tij që të ndëmerrte një sulm kundër një objekti ushtarak në SHBA.

Ai u arrestua më 3 prill në një poligon armësh në shtetin Montana.

Avokati mbrojtës i të dënuarit tha se deklaratat e klientit të tij janë të mbrojtura nga amendamenti i parë. zëri i amerikës

“Popull i burgosur”, Adi Krasta: Shteti inekzistent, vota është bërë e pamjaftueshme si ndëshkim

Kritik dhe i ashpër ndaj pushtetit, është shprehur moderatori Adi Krasta në monologun e tij të parë në emisionin që startoi mbrëmë në televizionin T7 në Kosovë.

“Nëse fakti është një informacion i verifikueshëm atëherë mosekzisteenca e shtetit shqiptar pas tërmeteve është fakt. Dhe diletantizmi dramatik i qeverisjes, madje dhe nervozizmi i skajshëm në fytyrën e lodhur e të deformiar të saj.” shprehet Krasta ndërsa shtoi se ndëshkimi për një krim ndaj popullit dhe Atdheut duhet bërë edhe përtej votës. “Vota tanimë është bërë e pamjaftueshme.” vijon ai.

Nga Adi Krasta

Nëse fakti është një informacion i verifikueshëm atëherë mosekzistenca e shtetit shqiptar pas tërmeteve është fakt. Dhe diletantizmi dramatik i qeverisjes, madje dhe nervozizmi i skajshëm në fytyrën e lodhur e të deformiar të saj.

Kur sheh kronikat që i shpëtojnë policisë së informaconit dhe agresivitetit të dështimit, sheh fytyra të lodhura ku lexohet pa fjalë trauma jo vetëm nga tërmeti por edhe nga njeriu. E kaluara e tashme na bën të qeshim hidhur e me shpoti. Sytë i kemi tek e ardhmja. Ajo qe qendron si vater e ndezur e alarmit te brendshem eshte Shqiperia e pas disa muajve. Shqiperia, edhe kur lekundet nga termetet, edhe kur abuzohet nga fjalet e gjestet, edhe kur vidhet e tallet, eshte e njerezve te zakonshem. Ata, ne, nuk duhet te lodhemi e te frikesohemi.  Nje kryetar bashkie  hajdut dhe mashtrues duhet ta dije cfare mendohet per te. Propagande te shfrenuar ata, te verteten kokeforte ne. Ne rrethana te jashtezakonshme duhen marre masa te jashtezakonshme. Ndeshkimi per nje krim ndaj popullit dhe atdheut duhet bere edhe pertej votes. Vota tanime eshte bere e pamjaftueshme. Sikurse jetike dhe e pashmangshme te rrisim aktivizmin, pertej militantizmit te partive. Dikur ndaj nje skandali publik kishte reagim njerezor te menjehershem. Sot pafytyresia populiste na ka bere te pandjeshem. Shoqeria shqiptare eshte e detyruar te reagoje mencurisht. Le ta kalojme luften mediatike online. Keto rrjete nuk mund te jene terroriste vetem kunder njeriut te ndershem por pa pushtet. Si ne median tradicionale por sidomos ne gazetarine popullire online Emertimi dhe turperimi. Publikimi i faktit dhe diskutimi e analiza e gjalle jo partiake eshte me e forte se vota. Narrativa e te vertetes nuk i perket vetem gazetareve, madje tani pa Bryli Broadway, JOQ, Lolita, pa Gencin, Kriston e shume te tjere, pa grupin e stermadh per mbrojtjen e teatrit, puna jone si gazetare eshte e paplote, e pambrojtur dhe shpesh e pakuptuar plotesisht. Mbyllja e faqeve, sulmet ad hominem, mbyllja e programeve televizive realiste dhe promovimi e financimi i sherbetoreve te pushtetit eshte reale. Ka nje zgjim te vemendjes nga jashte. Ne nje leterkembim me presidentin e parlamentit europian David Maria Sassoli, ai dha garanci se eshte shume i ndjeshem per standardet demokratike ne vend. Por ne e dime se reagimi i brendshem eshte zgjidhja.

Ndaj Tallja publike, diskretitimi i propagandes, leximi e dekodimi i dyfytyresise dhe i veseve qe drejtojne sot shqiperine eshte me i forte se vete vota. Vota ka treguar se blihet. Shpirti i lire demokratik jo.

Le la leme kete pushtet pushtues te thermohet. Eshte e tepert ta bejme ngjarje. Le te forcojme qytetarin. Te behen padi te medha si te Nurembergut per pushtetaret pushtues qe dehja e momentit dhe mosndeshkimi i paraardhesve te tyre u krijoi bindjen e rreme se nuk do paguajne. Te vazhdoje diskretitimi i hajduterise dhe karagjozlkekut. Nisma thurrje,  Vajza e djem te rinj kurajoze, juriste, mjeke, mesues qe duan me shume shqiperine se partine, momenti i duhur eshte tani.

30 vjet eshte shume per te kuptuar se ky vend do kete nje fund te trishte nese shqiptari i zakonshem nuk do reagoje fort per demogracine, ligjin dhe llogaridhenien.

Nje fund vjen natyrshem. Por nuk duhet te na mjaftoje. Te bejme presion per rithemelimin serioz te Republikes. Ky Atdhe duhet te prodhoje nje zgjidhje te sigurte e afatgjate.

Paradoksi i Shqipërisë si kryesuese e OSBE – Nga VETON SURROI

Kryeministri Rama e ka të vështirë ballafaqimin me problemet e OSBE-së, duke qenë i zhytur në baltën politike në vend.

1.

 Ditën e parë të vitit të ardhshëm Shqipëria do ta marrë kryesimin e OSBE-së, Organizatë për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë. Në pranim-dorëzimin që bëhet me kanale diplomatike, mund të imagjinohet skena ku Sllovakia, kryesuesi i deritanishëm, do ta informojë Shqipërinë për misionet paqeruajtëse të OSBE-së në Ukrainë, Gjeorgji, Transdnjestër (Moldavi) dhe Nagorno Karabah. Do ta informojë, po ashtu, për misionin në Kosovë (“Kosovo and Metohija” kur duhet folur me Serbinë, Rusinë dhe me tërë orbitën rreth saj). Dhe, mund ta informojë për misionin e OSBE-së në një vend që nuk është pjesë e zhbërjes së Bashkimit Sovjetik e ish- Jugosllavisë, një vend që quhet Shqipëri.

Shqipëria, kryesues i radhës i OSBE-së, pra, do të marrë informatën nga kryesuesi paraprak për punën që OSBE-ja bën në Shqipëri. Skena duket , dhe është, absurde, por nëse Shqipërisë dhe shqiptarëve u shërben si një lloj ngushëllimi, nuk është hera e parë që ndodh diçka ngjashëm. Bosnjë-Hercegovina u bë anëtare e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ndërkohë që përgatitej që raporti i radhës për shqyrtim në të ishte gjendja në Bosnjë-Hercegovinë.

Në fakt, nuk është kurrfarë ngushëllimi. Bosnjë-Hercegovina nuk është shtet funksional.

2.

Shqipërisë pa dyshim i është bërë një nder me kryesimin e OSBE-së, në masë të madhe për shkak se është vlerësuar lart nga shumë shtete për rolin e saj pozitiv në tërë tragjedinë e luftërave të zhbërjes së ish-Jugosllavisë. Dhe, kur u dakordua kryesimi për vitin 2020, perceptimi për të ishte për një shtet i cili tashmë është stabilizuar edhe si anëtar i NATO-s dhe aspirant për në BE, një shtet mesdhetar-ballkanik që merr gradualisht dhe me siguri rrugën e një demokracie funksionale që u siguron perspektivë qytetarëve të saj. Në kësi konteksti, kryesimi vetëm sa do ta avanconte pozicionin ndërkombëtar të Shqipërisë drejt një pike të klubit të shteteve me kredibilitet.

Por Shqipëria, e cila do ta marrë kryesimin më 1 janar, vështirë që mund të japë ndonjë vlerë të shtuar, ndonjë shpjegim misionit në Luhansk të Ukrainës, intencës së rusëve të zvogëlojnë armatimin në Transdnjestër, apo thirrjeve rituale për pajtim në misionin e Nagorno Karabahut. Diplomacia ruse tashmë do t’u ketë shpjeguar klientëve të vet gjithandej “konflikteve të ngrira” se diplomatët e radhës që do të vijnë t’iu shpjegojnë se paqja është më e mirë se lufta edhe vetë kanë mision të OSBE-së brenda vendit të vet.Misioni quhet në formë të butë “prani” dhe merret, ritualisht, me një problem që riciklohet legjitimiteti demokratik i pushtetit. Apo, thënë shkurt, zgjedhjet.

3.

Misione të ngjashme të OSBE-së ka në Serbi dhe në Maqedoninë Veriore (njëri shtet gjithnjë më autokratik, tjetri gjithnjë më demokratik), por vendi i cili po e merr kryesimin e OSBE-së është në krizë serioze shtetërore, një krejtësisht origjinale krahasuar me gjithë çmenduritë që kanë ndodhur në fqinjësi të tij. Shqipëria hyn më 2020 tërësisht e çekuilibruar në pushtetet e veta. Gjyqësori i vendit ka mbetur tashmë dy vjet pa instancën më të lartë, atë Kushtetuese. Legjislativi i vendit nuk ka opozitë. Kryeministri nuk ka baraspeshë institucionale e politike, rrjedhimisht mund të qeverisë pa nevojë përfilljeje ndaj mendimit ndryshe. Presidenti i vendit, në mungesë të balancave mes legjislativit, gjyqësorit dhe ekzekutivit është shndërruar në opozitë. Opozita është shndërruar në spektator.

Kam frikë se Shqipëria që qe paraparë ta kryesojë OSBE-në më 2020 nuk është më dhe nëse ndonjëherë ka qenë e atillë, ka mundur të jetë vetëm në projeksion.

Kryeministri i vendit, figura e vetme që ka staturë të mjaftueshme në Qeveri për të qenë kryesues i OSBE-së, është dhe do të jetë gjithnjë e më thellë i zhytur në baltën e politikës së brendshme. Do të jetë vështirë e paramendueshme që çkado që të jetë përparësi për misionet paqeruajtëse të OSBE-së të mbërrijë ta ketë vëmendjen qoftë edhe njëminutëshe krahasuar me tërë makinacionet bizantine që do përdorur për të instaluar njerëzit brenda “reformës” në drejtësi. Sepse po nuk e bëre ti, e bën kundërshtari; po nuk e kape ti “reformën”, do ta kapë ai tjetri.

Tërë kësaj zymtësie do shtuar edhe tërmetin e 26 nëntorit, me pasojat e të cilit do të merret Qeveria e vendit intensivisht tërë pjesën e parë të vitit 2020.

4.

Kur Shqipëria fitoi përkrahjen për kryesimin e vitit 2020 u gëzuan jo pak njerëz dashamirë brenda dhe jashtë Shqipërisë. Kjo posaçërisht vlen për një gjeneratë diplomatësh që mund ta përfaqësonte vendin, dhe ngase një sfidë e këtillë do të kishte efekt edhe më të madh emocional; aparati shtetëror në këso rastesh rrit performancën edhe tej kapaciteteve të veta të njohura. Në kësi rasti ngjizet energji e re që shoqëria dhe shteti nuk kanë ditur që kanë.

Por, ka gjasa të mëdha që kjo të mos ndodhë, që Shqipëria të vazhdojë të avancojë në krizën e legjitimitetit të vet demokratik derisa të vendosë se duhet një prerje.

Dhe, në një lojë absurdesh që mund të lozë historia, shteti kryesues i OSBE-së mund të ketë nevojë të madhe për OSBE-në, në mënyrë që të organizohen zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare e vendore, e në mënyrë që të rifitohet legjitimiteti demokratik i institucioneve të përfaqësimit dhe ekzekutivi i tyre.

Nëse kryesimi i OSBE-së është konsideruar si një lloj ndihme e lehtë dhe e shpejtë mjekësore për problemet e parandalimit të konfliktit dhe tejkalimit të problemeve transicionale në demokraci, Shqipëria ka gjasa ta gjejë veten në paradoksin e ofruesit dhe kërkuesit të këtyre shërbimeve. Njëkohësisht. /© KOHA

Doktor, paditur e padashur, hodhëm në erë Shqipërinë – Nga SHPËTIM NAZARKO

Po lexoja Doktor Berishën sot, që shkruante për rrëzimin e diktaturës, dhe m’u rikujtua Profesori im i vjetër që më mësonte shahun. E pyeta një ditë kur isha rrotull 15 vjeç, me kureshtjen e një fëmije. Profesor, pse lojërat tona nuk na dalin si të Fisherit a Kapablankës?

Profesori ishte bashkëvuajtës në Lushnjë, i internuar, kampion absolut shahu në kohën që e lanë… Nxënës i një prej fizikantëve më të mëdhenj të historisë Enriko Fermit, i laureuar me ar në Torino, ktheu kokën dhe më tha me gjysmë buzagazi dhe trishtimi të plotë. Sepse janë të kalbura në bazë Shpëtim. Dhe pandaj nuk pjellin dot asgjë.

Kjo fjali e llahtarshme, që do më shoqërojë tërë jetën, më ka bërë shpesh të buzëqesh me trishtim, kur flasim për një përvjetor të tillë. Unë nuk e kam kritikuar asnjëherë rëndë Berishën, ashtu si bëj dhe me Ramën, apo të tjerë. Më del përpara fjalia e mësipërme, që më ndalon.
Tani çdo ditëzi, e di që në 1990 regjimi kishte mbaruar. Për t’i rënë shkurt mjafton një fjali. Në 1 janar 1991, regjimi që na jepte rrogat e 15-ditëshit, kishte vetëm 6 milionë dollarë në arkë. Kishte dy a tre vite që po harxhonte floririn e fundit, se kleringu nuk shkonte më. Kishte krijuar një borxh po dy a tre vitet e fundit para se të binte, gjysmë miliardi dollar. 150 milionë dollarët e fundit, i përpiu thatësira e atij viti të tmerrshëm.

E kisha të qartë këtë dhe i thashë një ditë doktorit nga fundi i shkurtit të vitit 1991. Më kishte marrë si tip ndihmësi. Doktor! Është e qartë se ti do të jesh i pari. Po unë mendoj, të vesh t’i thuash Ramizit që të rrijë edhe nja dy vjet. Po u soll mirë, jepini dy dhoma e një kuzhinë në fund. Po u soll keq dhe mendon që është akoma në krye, shpjereni te 7 penxheret. Regjimi ka rënë, po ka ca probleme që do t’i vuajmë më shumë nga sa mendon.. Doktori më sheh i habitur. Ç’kuptim ka kjo, më pyeti?

Është e thjeshtë. Vendi rron me lekët e 15- ditëshit i thashë. Komunistët e zyrave nëpër rrethe ia kanë mbathur. Oborri i PD-së nuk ka vetëm militantë e të vuajtur, por shumë xhambazë të të gjitha llojeve, që e kuptojnë se ka mish për të ngrënë, si ato korbat që vijnë rrotull kufomave. E dinë më mirë që nuk ka më lekë. Hoxha u ka hequr pronat të gjithëve dhe nëse nuk ka lekë 15 ditëshin tjetër, do të fllojë një llahtari që nuk është parë e dëgjuar. Dhe vazhdova.

Në veriun nga jeni Ju, nuk ka njeri pronë dhe kooperativa dhe në kohën e Enverit, nuk u jepte lekë as për një bukë. Po Hoxha ishte kujdesur që një nga pjesëtarët e familjes ta mbante në minierë. Një familje tjetër e kishte në pyje. Një në hidrocentrale. Një në bimë medicinale. Këta mbajnë shtëpinë, se kanë rroga të mira për kohën. Kur të mbyllen këto sic thotë Zoti Pashko, a Ju brenda ditës, ku do vejë kjo masë e madhe njerëzie? Pa pronë e pa punë?

Do arratiset nga sytë këmbët. Serbia nuk i lë. Do zënë Italinë, sa munden se ka det. Një pjesë Greqinë me tokë, po shumica do vijë në Tiranë. Po për të ardhur deri këtu duhen lekët e rrugës dhe të shtëpisë për të fjetur…Ku t’i gjejnë ? Do presin pyjet, do shkatërrojnë e vjedhin miniera, e çka për të shitur për të ardhur këtu. Dhe nuk e kam të vështirë të shoh me sytë e mendjes një Tiranë, me 1 milionë njerëz në tre a katër vjet, të cilët ajo, do t’i duhen 50 vjet të tjera t’i tresë….

Ngjau ajo që ngjau.. Ramizi që e njihte më mirë se ne arkën e shtetit dhe si funksiononte sistemi, na e la në dorë, pa asnjë lloj revolucioni. Nuk është sekret i madh të dish se një qeveri mund të bjerë dhe në 5 minuta. Me grusht shteti a me një bandë të armatosurish, po një mënyrë jetese do shumë të bjerë. Dhe pandaj isha për uljen e ngadaltë dhe jo për merakun për Ramizin që kishte kohë që kishte vdekur bashkë me sistemin…

Në thelb po vuajmë ato që thashë më lart dhe nuk ishin vështirë për tu parashikuar. Profesori i vjetër po më jepte leksion praktik. Tridhjetë vjet më pas jemi po në të njëjtën gjendje. Megjithëse ky shtet është i gjithi i privatizuar, pothuajse të gjithë pasanikët e tij, rrinë me sy e veshë te arka e shtetit…. Sepse nuk bëmë shtet. Nuk dhamë dot prona. Nuk i mbrojtëm dot pyjet dhe tokat. Dhe kemi bërë një bartërdi urbane që do dhe tridhjetë vjet të tjera ta riparojmë. Kavaja, një qytet që e kishte deputet Doktorin 20 e ca vjet, është një shembull tipik i asaj që ndodhi. Një i huaj që e shoqëroja një ditë, duke hedhur sytë në drejtim të qytetit më tha pas një minute.

Nuk duhen më shumë se 5 sekonda të kuptohet, se Shqipëria është një shtet i falimentuar. Mjafton të shikoj këtë batërdi të shtëpive të Kavajës ta kuptojë. Mund të kishte parë Kamzën, që më kujton çfarë thashë më lart. Të duket se je në mesjetë, apo ca më keq. Dhe njerëzia vuan pafundësisht. Kë rregulluam? Pronat? Ujërat? Tokën e punueshme? Infrastukturën urbane? Shoh vetëm militantë të dy kampeve. Një palë që mallkojnë komunistët e vjetër dhe të rinj. Një palë militantësh kanë filluar më keq se budallët të kërkojnë Enverin… Vendi i ngjan një çmendine, ku të tërë sillen vërdallë dhe nuk prodhojnë dot asgjë.

Po Shpëtim, më thotë Profesori im i vjetër nga varri. Do t’u ndodhte, se loja juaj ishte që në bazë e kalbur. Nuk dinit, a nuk donit është tjetër gjë. Nuk është për t’u mburrur cfarë krijuam. Nëse do të flisja me ironi, do të kujtoja një ndodhi sa të vërtetë, aq edhe jo të tillë. Kur “reformatori”  Brezhnjev, që erdhi pas Hrushovit vajti te nëneja e tij, në fshatin e lindjes me makinën që e ngiste vetë (sidozot Nanua ynë dikur) me një Linkoln që ia kishin dhënë amerikanët dhuratë dhe po i tregonte asaj makinën, nënja i tha, Shumë e mirë është bir. Po si do t’ja bësh, sikur të vijë prapë Xherxhinski i sovjetëve? Do na marrësh më qafë…

Te ne nuk do vijnë sovjetë dhe komunizmi kurrë. Do të vijë SPAKU, që është thuajse e njëjta gjë, por vetëm për ata që kanë vjedhur. Ndërkaq një gjë është e sigurt. Dhe këtë jo vetëm doktori, po dhe e gjithë kasta e vjetër 30-vjeçare alla Brezhnjev, duhet ta dijë të vërtetën e thjeshtë. Këto tridhjetë vjet që ndërtuam apo lozëm këtë lojë shahu po të doni, e bëmë mbi baza të kalbura. Dhe nga kjo lloj loje nuk vjen gjë e mirë. Nuk na ngushëllon dot as hyrja në NATO e as në BE. Thjesht duhet bërë pyetja: Ku gabuam dhe pse gabuam? Dhe si i bëhet për të shpëtuar nga këto gabime, e në vënd të ndreqnin maskarallëqet e bëra nga komunizmi i Hoxhës deri në 90-ën, i dhjetëfishuam ato, njëqind, a njëmijë herë. Këtu është cështja.
Kush ecën me kujtime dhe në rastin më të mirë dhe kjo vlen edhe për Doktorin që është tifoz i Hygoit, të cilin recitonte shpesh në parlament është mirë që më shumë se të flasë për atë ditë të kujtosh fjalët e kollosit francez..
Kush ecën me kujtime, nuk bën gjë tjetër veçse zvarritet./ Konica.al

Ballkani dhe Mesdheu në një situatë të rrezikshme nga tërmetet? Flet Sizmologu i njohur grek

Sizmologu i njohur grek, Eftimis Lekkas, thotë se lëkundjet e njëpasnjëshme të tërmetit që po shënohen ditët e fundit në rajon, nuk përbëjnë arsye për shqetësim. Në një intervistë për televizionin Klan, ai shprehet se është normale që të ketë periudha me veprimtari të lartë sizmike dhe më vonë me veprimtari më të ulët.

 

“Kjo nuk është diçka e çuditshme. Hulumtuam në këtë drejtim, mirëpo nuk nxorëm dot asnjë konkluzion. Është edhe ky një fenomen natyror që ndjek rregullat e veta. Mirëpo nuk rezulton asgjë që të themi se Ballkani dhe Italia apo Mesdheu Lindor ndodhen në një situatë të rrezikshme. Këtë nuk mund ta themi”.

Sizmologu Lekkas u gjend në Shqipëri që në momentin e parë të tërmetit të 26 Nëntorit. Ai thotë se tashmë aktiviteti sizmik po zhvillohet normalisht dhe sipas tij, kjo është diçka e mirë.

Ka shumë pas tërmete dhe kjo është pozitive, sepse ç’tensionon aktivitetin sizmik. Mirëpo, në asnjë rast nuk mund të themi se nuk do të bëhet një tërmet i fuqishëm, kjo shkon përtej fuqive dhe njohurive tona. Megjithatë, fakti se kemi vazhdimisht pas tërmete, është në drejtimin e duhur. Tërmeti nuk është gjë tjetër veçse energji. Sa më shumë energji çlirohet, aq më pak mbetet. Kështu, zvogëlohet edhe mundësia që të bëhet një tërmet i madh. Sa më shumë kalon koha dhe vazhdojnë pas tërmetet, pakësohet edhe mundësia që të ndodhë një tërmet i fuqishëm”.

Por a ka zona të tjera në Shqipëri që rrezikohen nga një tërmet i fuqishëm?

“Këtë nuk mund ta themi. Sa herë që themi diçka, ndodh e kundërta. Nuk kemi ende njohuritë që të themi “ra tërmet në Durrës, tani do të bjerë në Sarandë apo diku gjetkë”. Kjo është mbi fuqitë tona. Natyra funksionon pa u kufizuar prej njeriut. Natyra na urdhëron, nuk e urdhërojmë”.

Sizmologu Eftimis Lekkas këtë fundjavë vjen sërish në Shqipëri, në krye të një ekipi me 20 inxhinierë grekë. Misioni do të jetë të shqyrtojë shkaqet e shembjes së godinave dhe paraqitja e konkluzioneve qeverise shqiptare.

Letër Elvanës, gruas së shkrimtarit ‘të arratisur’ Agron Tufa: të qeshim mike.. Nga Entela Kasi

 

E dashur Elvana,

Të qeshim fort mike, aq sa të mundemi, madje përtej fuqisë të durimit, sepse e qeshura shpërthyese është e bukur! Ata kanë një mosdurim ndaj syve plot dritë e plot jetë!

Ti e di, ata janë po ata, të njëjtë, për t’u mëshiruar sepse jetojnë me kujtesën e krimit. Janë si Makbethi, s’mund të jenë ndryshe! Mjeranë e gjakprishur , janë.

Le t’i përfytyrojmë siç janë! Të çnjerëzuar! Në qenien e tyre ka kujtesë krimesh! Janë antinjerëz! Antinjeriu , mikja ime ka pamjen, formën dhe përmbajtjen e tyre!

Ti e di, të gjithë ato personazhe të letërsisë së shkëlqyer, që historia i ka shënjuar si vrasës, janë për keqardhje!

Në kujtesën e botës dhe të kohës, shkrimtarët mbeten të mërguarit e mëdhenj. Në ekzil, Ovidi, Eskili, por edhe Dante Alighieri.

Letërsia ka fuqi të jashtëzakonshme. Kryeveprat e artit po ashtu.

Regjimet autoritare, kanë një mosdurim ndaj shkrimtarëve , këtë e kemi të dëshmuar nga historia e letërsisë dhe nga kujtesa e botës.

Këtu, në këtë vend ku jam, të gjithë shkaktarët e dramave më vjen t’i qaj për pamundësinë e tyre për të qenë njerëz. E kam fjalën për ata që kryen krime në emër të popullit, ndaj popullit!

Isha në Jerusalem, për letërsinë, kujtesën, vizionin. Miqtë tanë më pyesnin për ty , për Agronin. Ka qenë data 19 Nëntor kur ne flisnim për ju të dy, për librat , përkthimet, studimet, punët e artit.

PEN International, në Londër ka nisur një e-mail dhe një thirrje për të shkuar letra për shkrimtarët në botë të cilët janë të burgosurit e kohëve moderne, por edhe për shkrimtarët të cilëve u rrezikohet jeta për shkak të punës dhe veprës së tyre.

As në ëndërr nuk do të kisha dashur të besoj, se në këtë periudhë fundviti, do të ishit ju, miqtë e mi, Agroni, ti, fëmijët tuaj ( yjet e bukur , mrekullia krijuar prej dashurisë tuaj), të rrezikuar për jetën. Tashmë kjo është e vërtetë! Kjo është e vërteta e Shqipërisë të shekullit që jetojmë, e këtij kaosi moral të shoqërisë politike e cila ju dënoi me ikje!

Më kujtohet Salaman Rushdie, nga vitet 80. Po rilexoj jetëshkrimin e tij ‘ Joseph Anton’. Më kujtohet sot Orhan Pamuk. Më kujtohet gjithçka në këtë kohën kur ju jeni sot të mërguarit e mëdhenj në kohën që besohej se ishte koha e lirisë.

Në fillim të gjithë kësaj të shkrova: të qeshim fort mikja ime, sepse fuqia shpërthyese e jetës mbase i ndihmon ata, antinjerëzit të dinë të jenë humanë.

Të kujtohet kur në shkolla në kohën e diktaturës, në lëndën e biologjisë na thuhej se njeriu e ka prejardhjen nga një lloj majmuni? Mbaj mend që kur na u dha si mësim diçka e tillë , shkova tek im gjysh . Ai mbështillte duhan me një gazetë të asaj kohe. Ishte dimër. Me duart që i dridheshin jo nga pleqëria por nga prangat me të cilat e kishin shternguar gjatë, dikur… më pyeti, pse isha ashtu me sytë ngulur në fytyrën e tij.

E pyeta nëse paradhësit tanë ishin ai lloj majmuni që na kishin dhënë si mësim në orën e biologjisë. Im gjysh qeshi fort, pastaj tha: Nuk është ashtu! Mos mëso gabim! Pastaj më kërkoi librin e biologjisë, grisi fletët, e mbështolli duhanin, bëri të tjera cigare.

Im gjysh është tash një re e bardhë mbi kokën time. Në mendimet e mia jeni ju ,familja e bukur krijuar nga dashuria. Jeni plot dinjitet dhe kujtesë , plot dritë!

Ne besoj se do të takohemi në Londër, në fillim vjeshte të vitit 2020, në Kongresin e PEN International. Agroni do të ketë fjalën dhe vendin atje si shkrimtar. Ti do të jesh ashtu siç të njoh unë! Shoqja, e dashura, mikja, gruaja më e fortë dhe më e bukur njëkohësisht, me të qeshurën tënde shpërthyese do kesh ndriçuar dhe sfiduar çdo gjë të pa-dritë!

Ju përqafoj fort të dyve,
Përqafime jetës së mrekullueshme krijuar nga dashuria dhe fati, fëmijëve tuaj si drita!

Entela
Tiranë
12/12/2019
Dimër

Foton e Entela Kasit që është vendosur në shkrim, e ka shkrepur Elvana Tufa (Shënim i redaksisë voal.ch)

“Gojët e qepura”- Rai3: Në Shqipëri, liria e shtypit është në rrezik

Televizioni italian, Rai3 i ka kushtuar një shkrim lirisë së shtypit në Shqipëri. Me titullin “Shqipëria, gojët e qepura”, Rai3 shkruan se liria e shtypit në vendin tonë është në rrezik.

Në shkrim përshkruhet shkurtimisht situata në vendin tonë, ndërsa përmenden edhe tre episode të ndodhura ditët e emergjencës pas tërmetit, ku mes tyre edhe arrestimi i Xhulia Aliajt për përhapje të panikut.

 

Artikulli i plotë:

Programi televiziv “Fuori Tg” nga Rai3, i ka kushtuar një episod lirisë së shtypit në Shqipëri  me titull “Shqipëria, gojët e qepura”.

Në Shqipëri, liria e shtypit është në rrezik. Në një skenar mediatik të kushtëzuar nga përqendrime të forta editoriale dhe marrëdhënie gjithnjë e më të ngushta midis botimit dhe pushtetit politik, masat e fundit të qeverisë rrezikojnë informacionin mashtrues dhe të ndërlikojnë punën e reporterëve, me një efekt të mundshëm domino në demokracitë e brishta të Ballkanit.

Kronikat e tërmetit

Në ditët e emergjencës së tërmetit në Shqipëri ndodhën tre gjëra: një vajzë 25-vjeçare u arrestua sepse kishte shkruar në në Facebook se në portin e Durrësit ekzistonte rreziku që të shpërthente një depo gazi; kryeredaktorët e një TV dhe një faqe në internet janë të kërcënuar me arrest nëse nuk tërheqin një artikull, sipas të cilit, paketat e ndihmave për viktimat e tërmetit përfunduan në ministrinë e brendshme;  një uebfaqe e famshme është bllokuar sepse në një koment publik numri i viktimave është më i lartë se ai zyrtar.

Seksioni i reporterëve pa kufij mbi lirinë e shtypit thotë me qartësi të madhe se nëse rruga për në Bashkimin Evropian është akoma e gjatë për Shqipërinë është edhe për shkak të një problemi të demokracisë që gjithashtu është dhe mbi të gjitha i bazuar në lirinë e shtypit.

Vendi i 82-të në renditjen botërore, në vitin 2018 sulmi ndaj gazetarëve shqiptarë arriti nivele që nuk u panë kurrë më parë përplasje mes qeverisë dhe krimit të organizuar, me fyerje, kërcënime me vdekje, padi për të trembur dhe ndaluar hetimet e korrupsionit. Edhe gjatë tërmetit informacionet në Shqipëri udhëtojnë në një kanal të vetëm: quhet Edi Rama TV.

Gazetarët nuk kanë asnjë shans për të marrë informacion nga qeveria. Ne jemi një rast unik mbase në botë, sigurisht në Evropë, ku Kryeministri dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës japin të gjitha raportet e përgatitura vetë. “- thotë gazetari Armand Shkullaku në raportin e gazetarit të RAI, Valerio Cataldi.

I njëjti Cataldi më pas ndërhyn në studion telefonike për të ofruar një dëshmi të drejtpërdrejtë të lirisë së shtypit në Shqipëri gjatë ditëve të emergjencës së tërmetit:

Ne kemi kryer një speciale për trafikun e drogës në Shqipëri […] dhe episodi i tregoi Shqipërisë në lidhje me trafikun e drogës, tregoi se si mafia shqiptare është një qendër me rëndësi dhe forcë, dhe gjithashtu tregoi sesi politika u përfshi disi në hetimet dhe hetimet e trafikut të drogës.

Ky shërbim kur transmetoi shkaktoi një reagim shumë të fortë nga qeveria shqiptare. Kryeministri shkroi gjëra të tmerrshme në lidhje me Facebook-un kundër Facebook-ut, tha që ne ishim gënjeshtarë dhe se ata ishin të gjithë të përbërë dhe një seri komentesh dhe sulmesh u nxitën përmes Facebook dhe përmes rrjeteve sociale.

Pas këtij qëndrimi të dhunshëm nga Kryeministri, erdhën kërcënime me vdekje kundër meje dhe fyerjet ndaj kumtesës sonë, e cila u akuzua për ndërtimin e lajmeve të rreme për lajme që në të vërtetë janë brenda mundësive të të gjithëve dhe konstatohet. “, deklaron Cataldi.

Ligji i ri për median

Kryeministri tashmë ka mbrojtur pothuajse të gjitha mediet tradicionale. Megjithatë, ai ende nuk ka media në kontrollin e tij. Kjo është arsyeja pse ai po e zbaton këtë ligj, për të kontrolluar edhe median online. Gjëja e parë që duhet të keni frikë është se do të ketë një efekt domino në të gjithë Ballkanin. “- deklaron Koloreto Cukali, kryetari i Këshillit të Mediave Shqiptare.

Regjimet kanë nevojë për errësirë, është një rregull që zbatohet në botë. Ky lloj qëndrimi ndaj atyre që denoncojnë është diçka që përhapet. Në Itali kemi 24 reporterë nën mbrojtje: ata që nuk duan të dinë se çfarë po ndodh, kanë nevojë për errësirë.

Gjithashtu në rrjetë ata do të bëjnë ligje, për fat të keq flitet edhe në Spanjë për të prishur lidhjen në bazë të një përkufizimi të papërcaktuar të rendit publik, terrorizmit, rrezikut për kombin. Kjo është fjala që përdorin regjimet, ekziston rreziku i sigurisë.

Reporteri që bën një pyetje të pakëndshme bëhet një rrezik sigurie, që është një terrorist. Dhënia e zërave për ata që rrezikojnë të humbasin lirinë e tyre na shqetëson. Të luftosh për Shqipërinë do të thotë të luftosh për nenin 21 të Kushtetutës në Itali. Këto nuk janë tema të ndara ”- deklaron Giulietti, president i Federatës Kombëtare të Shtypit Italian.

Kosovë, politika përfshihet në përhapjen e lajmeve të rreme (video)

Një raport i publikuar nga Instituti Demokratik Kombëtar tregon se politika në Kosovë përfshihet rëndom në përhapjen e dezinformacionit për të ndikuar tek votuesit. Sipas raportit, kjo u vu re edhe gjatë periudhës së zgjedhjeve të 6 tetorit, gjë që edhe pse nuk ndikoi në rezultatin e zgjedhjeve, ka krijuar një mjedis jo të shëndetshëm.

Tërmeti “Agron Tufa” – Nga BESNIK MUSTAFAJ

Agron Tufa është tashmë de facto azilant politik. Tërmet i dytë, e quajti poeti i mirënjohur Bardhyl Londo largimin e tij. Agron Tufa është një nga autorët më të spikatur të letërsisë së sotme shqipe, me një vepër të gjerë në prozë, poezi, ese dhe përkthime.

Është edhe një profesor universiteti shumë i dashur dhe i çmuar për studentët dhe ish-studentët e tij. Përfytyrimi i largimit të tij si një kataklizëm nga ana e poetit Bardhyl Londo, nuk lidhet megjithatë as me dëmet që do të pësojë nga ky largim letërsia bashkëkohore shqipe dhe as mësimdhënia në universitet. Mungesa (e përkohshme) fizike e autorit në arealin e Republikës së Shqipërisë nuk do të ketë asnjë ndikim në përhapjen e veprës së tij letrare të shkruar e të botuar tashmë dhe as në atë që ai do të vazhdojë të shkruaj.

Sepse unë jam i bindur që ai do të vazhdojë ta plotësojë veprën e tij në prozë, poezi e ese. Asgjë nuk mund ta ndalojë për t’u ngjitur pareshtur në rrugën e letërsisë që është edhe destini i tij hyjnor. Bindja ime se ai nuk do ta ndalë punën e shkrimtarisë mbështetet edhe në përvojën e dy paraardhësve të tij të shquar, të cilët ishin në moshën e tij sot, kur u detyruan të merrnin, për të njëjtën arsye, rrugën e emigrimit politik drejt Europës Perëndimore: Ernest Koliqit dhe Ismail Kadaresë. Pra, mua si lexues i të gjithë veprës së tij, nuk më shqetëson fare mungesa fizike e autorit në Tiranë. Madje, sikur të mos e kisha mik Agron Tufën, ndoshta as që do të mendoja se ku jeton ai.

Përfytyrimi i ikjes së Agron Tufës si një tërmet nga ana e poetit Bardhyl Londo lidhet me një dimension tjetër të personalitetit të tij. Në mos gaboj, Agron Tufa ishte në mandatin e tij të tretë si drejtor i Institutit për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit. Sipas ligjit, mandatin e tij e jep bordi i këtij Instituti, i zgjedhur ky nga Parlamenti, që do të thotë se puna e këtij Instituti vlerësohet si e rëndësisë së veçantë për shtetin dhe për shoqërinë. Agron Tufa është në drejtimin e tij qysh në themelim. Nuk është vendi këtu të bëjmë bilancin e punës së tij afro dhjetëvjeçare, por fakt është se rrallë ndonjë institucion shqiptar i ngritur nga hiçi është afirmuar kaq shpejt, duke zënë vend qendror në vëmendjen e elitave dhe të publikut shqiptar lidhur me problematikat që burojnë nga studimi i krimeve dhe pasojave të komunizmit në Shqipëri.

Përmbledhtazi do thënë se këto problematika do të duhet të mishërojnë së bashku qëndrimin kolektiv të shoqërisë tonë ndaj të vërtetës historike dhe politike të regjimit komunist, e vërtetë kjo që kalendarikisht i përket të kaluarës, pra, nuk mund të ndryshohet, por që rrezatimet e saj vazhdojnë të veprojnë mbi të sotmen, rrjedhimisht edhe të ardhmen e shoqërisë tonë. Nevojën që ka procesi i ndërtimit të një realiteti demokratik për nxjerrjen në dritë të kësaj të vërtete më duket se e ka shprehur afro 30 vjet më parë më thjeshtë dhe më mirë se kushdo ish-Presidenti i parë paskomunist i Bullgarisë, i ndjeri Zhelju Zhelev, një historian i shquar i periudhës së fashizmit, të cilit, kur iu kërkua ta kthente faqen e historisë se komunizmit në emër të hedhjes së vështrimit përpara, u përgjigj se po, do ta kthejmë patjetër faqen, por më parë duhet ta lexojmë.

Me hamendje e them se një nga arsyet kryesore pse Zhelev nuk mori një mandat të dytë si President i Bullgarisë, qëndron pikërisht te përpjekjet e tij për t’i dhënë mundësi shoqërisë bullgare ta lexojë me vëmendje dhe ndershmëri faqen e historisë së komunizmit para se ta kthejë atë par ta mbyllur përgjithmonë. Përvoja ka treguar se leximi i një historie kombëtare të dhunshme, të përgjakshme, nuk është një detyrë që mund ta kryejë shoqëria civile, përfshirë këtu edhe Akademinë e Shkencave, sado i madh të jetë përkushtimi i saj. Për vetë kompleksitetin e saj, një punë të tillë mund ta kryejë vetëm shteti, si akt dhe si shprehje e vullnetit të tij për t’u pastruar nga metastazat e të keqes. (Me ndihmën e amerikanëve) Këtë e kuptuan menjëherë pas Luftës edhe gjermanët. Më në fund,në vitin 2010, këtë e kuptoi edhe shteti shqiptar dhe ngriti, me ligj të posaçëm, Institutin për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, në krye të të cilit u emërua Profesor Doktor Agron Tufa.

Siç do të provohej gjatë viteve në vazhdim, ishte gjetur njeriu i përshtatshëm. Agron Tufa kishte formimin intelektual, integritetin moral, si edhe frymëzimin personal për ta kryer me nder këtë detyrë. Po, edhe frymëzimi duhej, në mënyrë që puna e ekipit të vogël të këtij Instituti të shndërrohej në mision, ashtu siç u shndërrua me të vërtetë. Shumë veta në Shqipëri kishin parë gjatë kohës tek Edi Rama simptoma të një nostalgjie enveriste për metodat si i pëlqente ta ushtronte pushtetin.

Por të rrallë do të kenë qenë ata, ma merr mendja, të cilët e kishin kuptuar se bërthama e fortë elektorale, e cila do ta sillte Edi Ramën në krye të pushtetit në vitin 2013 dhe do ta mbante atje kaq gjatë, ishin enveristët, jo më ca “gërdalla pa dhëmbë”, siç i quajti një nga opinionistët tanë në modë, por skuadrone të organizuara mirë, me ndjeshmërinë dhe disiplinën e një sekti. Shkak real që ata të dilnin nga nëntoka e kriminalizuar, prej ku tërhiqnin fijet e pushtetit rilindës, për t’u shfaqur para mbarë opinionit publik me zë dhe fytyrë, u bë pikërisht Agron Tufa me ekipin e Institutit, që drejtonte. Duke pasur pushtetin nëpërmjet Edi Ramës, ata dëshmuan se nuk kanë më frikë jo vetëm nga e kaluara e tyre, por as nga shteti i sotëm.

Vetëm kjo shpjegon pse shteti nuk e mori Agron Tufën në mbrojtje përballë kërcënimeve të tyre të hapura e të fshehta dhe të përsëritura me një intensitet në rritje, sidomos gjatë dy viteve të fundit. Nga ana e tij, Agron Tufa, me vetëdijen e lartë të një shërbëtori të shtetit, bëri gjithçka ishte në dorën e tij për t’i shkuar përpara misionit të vet, në emër të interesit madhor të Shqipërisë. Ai hodhi poshtë me përbuzje të gjitha ofertat për të bërë kompromise që do t’i kthenin qetësinë vetjake e familjare, por që do t’i mbyllnin gojën dhe kërkoi mbështetje atje ku i takonte me ligj ta gjente mbështetjen: te shteti. Nuk e gjeti këtë mbështetje te Policia. Por nuk e gjeti as te Prokuroria, as te gjykatat, të cilave iu drejtua me denoncime konkrete, ndoshta jo me ndonjë shpresë të madhe te drejtësia e tyre, por me besimin prej qytetari të lirë tek e drejta e vet mbështetur në kushtetutë. Shpërfillja e plotë, që të denoncuarit prej tij i bënë gjithë kohën sistemit të drejtësisë, ku nuk u paraqitën as edhe një herë, përbën një fakt tronditës.

Jo vetëm kaq. Ata vazhduan kërcënimet e tyre, të artikuluara deri edhe në foltoren e Parlamentit të Republikës sonë. Me këtë sjellje, ata treguan praktikisht se pushteti i tyre është mbi shtetin. Çfarë mund të bënte Agron Tufa në rrethana të tilla dramatike për të ruajtur integritetin fizik, domethënë jetën e vet dhe të familjes së tij? Kur në letrën e tij të dorëheqjes, ai thotë se u gjend vetëm, sigurisht që ka plotësisht të drejtë. Por unë besoj se ka parasysh braktisjen që i bënë përballë rrezikut ekzistencial ata që i detyron ligji për ta mbrojtur dhe që paguhen me taksat tona për ta kryer këtë detyrë. Nuk besoj që ai ka pritur që ne, kolegët e tij të letrave e që pajtoheshim me veprimtarinë e tij si drejtor i Institutit për Studimin e Krimeve të Komunizmit, ta mbronim me trupat tanë. Do të ishte shumë naive dhe jo realiste sikur të mendohej një gjë e tillë.

Ai nuk ka qenë kurrë i braktisur nga një pjesë e madhe e elitës intelektuale të vendit. Përkundrazi, ka qenë dhe mbetet i mbështetur dhe i vlerësuar. Pra, çfarë mund të bënte ai në rrethanat dramatike për jetën e vet dhe të familjes? Zgjodhi të vetmen rrugë që i kishte mbetur: kërkoi mbrojtje nga një shtet tjetër për jetën e vet dhe të familjes dhe ku do të mund ta zhvillojë pa pengesa vokacionin e tij si njeri i fjalës dhe imagjinatës së lirë. Po punën e tij këtu për studimin e krimeve të komunizmit kush do ta bëjë, për sa kohë spartakët e Rilindjes janë ende plot me pushtet? Pikërisht këtë aspekt kishte parasysh poeti Bardhyl Londo, kur largimin e Agron Tufës e quajti tërmet. Po kush u trondit nga ky tërmet?/panorama

Agron Tufa flet për “DW”: I kisha raportuar kërcënimet edhe tek një sërë ambasadash perëndimore, por…

Prej disa muajsh ish-drejtori i ISKK Agron Tufa kanosej nga ithtarët e regjimit të vjetër. Ai ka kërkuar azil politik në Zvicër. Tufa i tha DW: “I pavarur dhe në liri, shpresoj të flas e të dëshmoj më troç”.

Në fillim të dhjetorit u bë e ditur, fillimisht nëpërmjet mediave sociale, se Agron Tufa, deri para pak kohësh drejtor i Institutit të Studimeve të Krimeve të Komunizmit (ISKK), së bashku me të shoqen dhe pesë fëmijët e tij të mitur, kishte kërkuar azil politik në Zvicër. Si shkak për këtë  vendim Tufa, laureat i  disa çmimeve kombëtare në letërsi, dha kërcënimet e shumta që kishte marrë nga njerëz të ndryshëm, kryesisht nëpërmjet telefonatave dhe mesazhesh të shkruara.

 

Heshtje e ambasadave

Agron Tufa i tha Deutsche Welle-s  se ai në fillim të nëntorit i kishte raportuar kërcënimet edhe tek një sërë ambasadash perëndimore: “Unë u kam dërguar të gjitha ambasadave kryesore në Tiranë, përfshirë edhe asaj të OSBE-së dhe BE-së, një raport me 16 faqe me një kronologji të kërcënimeve të mia, ku ishin dokumentuar edhe mesazhet kërcënuese, në shqip dhe anglisht, por ato nuk më kanë kthyer asnjë përgjigje”, i tha Tufa Deutsche Welle-s.

E pyetur nga Deutsche Welle, Ministria e Punëve të Jashtme të Gjermanisë,u përgjigj: “Ambasada në Tiranë ka qenë në kontakt me personin në fjalë në funksionin e tij si drejtues i Institutit në fjalë. Deri tani nuk ka pasur kërkesë për ndihmë”.

Injorim nga prokuroria

Tufa vetë i tha Deutsche Welle-s se ka bërë disa kallëzime penale në lidhje me kërcënimet, por se prokuroria nuk ka reaguar. “Mua nuk mu pergjigjën asnjëherë. As kallëzimeve private, e as nuk morëm përgjigje për kallëzimin e Cajes te Prokuroria e Krimeve të Rënda, megjithëse u ankuam dy herë”, i tha Tufa DW.

Në qershor të këtij viti, Agron Tufa, në cilësinë e tij si drejtor i Institutit të Studimeve të Krimeve të Komunizmit, për herë të parë në historinë e Shqipërisë, paditi në Prokurorinë e Krimeve të Rënda në Tiranë ish-komandantin e kamp-burgut të Qafë-Barit, Edmond Caja, për  veprën penale “Krime kundër njerëzimit”.

Sipas burimeve të DW , edhe organet e drejtësisë në Gjermani aktualisht po shikojnë mundësinë e ngritjes së një akuze kundër të njëjtit person, i cili prej shumë vitesh ka marrë shtetësinë gjermane dhe jeton në Bavari.

Në luftë  me kastën e vjetër

Kërcënimet e shumta që i vinin si mesazhe, Agron Tufa i ka publikuar gjatë tërë kohës në mediat sociale. Ministria e Punëve të Brendshme të Shqipërisë, deri tani (10.12.19) nuk ka arritur t’i kthejë përgjigje Deutsche Welle-s, nëse Agron Tufa ka pasur nevojë për mbrojtje personale,

Siç i tha Tufa Deutche Welle-s, vala e kërcënimeve filloi në prill të këtij viti, kur një grup politikanësh dhe intelektualësh të lidhur me regjimin e vjetër komunist donin t’i merrnin Institutit të drejtën për të pasur si objekt studimi edhe krimet e bëra nga komunistët në periudhën e Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare (1939-1944).

Por Tufa i tha DW se ky ishte vetëm një pretekst që u gjet për të mbuluar shkakun e  vërtetë të luftës kundër tij. Tufa tha se në të vërtetë, shkaku ka qenë një kërkesë që bëri ISKK në fund të vitit të kaluar, për të marrë informacione nga të gjitha institucionet shtetërore për numrin e ish-oficerëve të sigurimit në stafin e tyre. “Dy institucione iu përgjigjën pyetjes sonë dhe doli që aty ishin nja 12 oficerë të sigurimit. Ata janë ende në pozicione super të rëndësishme, dy syresh pikërisht në Drejtorinë e Sigurimit të Informacionit të Kualifikuar (DSIK), e cila aktualisht merret edhe me vettingun në Shqipëri”, i tha Tufa DW.

Sigurimi ende në administratë

Sipas Tufës, numri i ish-sigurimsave në administratën e Shqipërisë mendohet të jetë rreth 3000. A mendon se strukturat e vjetra të sigurimit kontrollojnë ende jetën politike në Shqipëri. I këtij mendimi është edhe Jordan Daci, profesor i së drejtës në Tiranë. Sipas tij regjimi i vjetër nuk është larguar asnjëherë nga Shqipëria. “Edhe një pjesë e mirë e të rinjve që janë sot me poste në administratë janë bij dhe bija të ish-nomenklaturës komuniste”, thotë Daci për DW.

Deputeti Spartak Braho, gjyqtar në kohën e komunizmit dhe ende deputet në Kuvendin e Shqipërisë, është një nga kundërshtarët më të zëshëm të Agron Tufës. Ai e komentoi kërkesën e Tufës për azil politik në Zvicër edhe para disa ditëve në një artikull botuar në gazetën “Dita”. Gjuha e përdorur të kujton retorikën e diktaturës komuniste: “Unë i pari, por edhe të tjerë mendoj, se do të bëjmë të pamundurën që edhe atje ku ka kërkuar azil politik të mos gjejë vrimë ku të futet dhe do ta denoncojmë zyrtarisht si një hajdut dhe me vese tejet të rrezikshme shoqërore”, shkruante Braho.

Gjergj Erebara, nga rrjeti investigativ BIRN, i tha Deutsche Welle-s, se beson që Agron Tufa dhe familja e tij ishin të rrezikuar në Shqipëri: “Sulmet e Spartak Brahos ndaj Tufës kanë vijuar prej muajsh dhe Braho ka qenë persekutues në kohën e komunizmit. Pra, Agron Tufa ka arsye të shëndosha të kërkojë azil politik. Ndër të tjera atë e kishin akuzuar edhe si spiun rus dhe donin ta përgjonin”, tha Erebara.

Keqardhje ndër intelektualë

Në rrethin e shkrimtarëve dhe shumë aktivistëve që merren me zbardhjen e së kaluarës komuniste në Shqipëri largimi i Agron Tufës  është pritur me shumë trishtim dhe keqardhje.

Keqardhës është shprehur edhe Fondacioni Konrad Adenauer (KAS): “Agron Tufa ka qenë gjithmonë një partner i mirë dhe i besueshëm për ne dhe bashkëpunimi ka funksionuar shumë mirë”, i tha Deutsche Welle-s Florian Constantin Feyerabend, referent për Evropën Juglindore në selinë qendrore të KAS-it në Berlin. “Kjo ngjarje tregon se është ende tejet e rëndësishme që në Shqipëri të vijohet me zbardhjen e së shkuarës komuniste dhe përballjen me të”.

Agron Tufa megjithatë nuk e quan dorëzim largimin e tij nga Shqipëria: “Përkundrazi. I pavarur dhe në liri, shpresoj të flas e të dëshmoj më troç. Do jetë kalim ne një cilësi tjetër, ku përgjegjësitë i marr përsipër personalisht, pa u shkaktuar “faturë” të tjerëve”, i tha babai i pesë fëmijëve Deutsche Welle-s./ DW

Termocentralet e Kosovës, ndër ndotësit më të mëdhenj në Evropë

Shkëlqim Hysenaj

Termocentralet e Kosovës vazhdojnë të jenë ndër ndotësit më të mëdhenj në Evropë, thuhet në një raport të publikuar nga grupi i OJQ-ve mjedisore në Evropën Qendrore dhe Lindore, “Bankwatch Network”.

Në raportin e publikuar nga kjo organizatë thuhet se pesë vendet e Ballkanit Perëndimor: Serbia, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Bosnje e Hercegovina nuk kanë përmbushur standardet e Bashkimit Evropian për emetimet industriale.

Emetimet totale të dyoksidit të squfurit (SO2) nga këto pesë vende që synojnë integrimin në BE, në vitin 2018 ishin gjashtë herë më të larta se sa tavani për të cilin ishin zotuar.

Në rastin e Kosovës, e cila e siguron energjinë përmes thëngjillit, termocentrali Kosova B konsiderohet ndër ndotësit më të mëdhenj, ndonëse aty përmendet edhe termocentrali Kosova A, po ashtu.

“Në fakt Kosova B për shkak të mungesës së investimeve në vitet e fundit për sa i përket filtrave ka një emitim aq të lartë sa që në fakt ne arrijmë të përmbushim gjysmën e totalit të emetimeve të lejuara për të gjithë rajonin. Kjo na bënë të mendojmë se në fakt është koha e fundit që ne të bëjmë investime në këtë drejtim dhe fatmirësisht kemi një lajm tani qe përmes mbështetjes së BE-së, do të investohet në filtra në Kosovën B”, tha Learta Hollaj nga Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP).

Në raport, Kosova kritikohet edhe për mos-monitorim të nivelit të ndotjes që prodhohet nga termocentralet.

Në rastin e Kosovës B, thuhet se pajisjet e vendosura në këtë termocentral kanë probleme të kalibrimit kështu që nuk janë krejtësisht funksionale.

Ministri në detyrë i mjedisit, Fatmir Matoshi, pranon se termocentralet e Kosovës kanë nevojë për investime shtesë, por beson se vendosja e filtrave në termocentralin Kosova B, do të ndikojë dukshëm në uljen e nivelit të ndotjes.

“Do të ndërrohen filtrat e Kosovës B, sepse fondet janë të aprovuara tani dhe projekti është në proces. E dyta, ne presim sa më shpejt që të mbyllet çështja e kontratës dhe e punës për termocentralin e ri dhe mbylljen e termocentralit Kosova A”, tha Matoshi.

Rrjeti i organizatave mjedisore i sugjeron Bashkimit Evropian vendosjen e një takse për dyoksidin e karbonit për Kosovën, Serbinë, Malin e Zi, Maqedoni dhe Bosnje Hercegovinën, në mënyrë që ndotësit e mëdhenj të mos përdorin mungesën e investimeve si përparësi kur eksportojnë energji.

Matoshi: Kosova nuk heq dorë nga thëngjilli

Por, vet ministri në detyrë i mjedisit, Fatmir Matoshi, thotë se Kosova është shumë më e interesuar që t’i përmirësojë çështjet e brendshme mjedisit dhe energjisë sesa të merret me faktorin ndërkombëtar.

“Ne jemi të përjashtuar në secilin investim, në secilin fond që ndahet për rajonin dhe që e japin Kombet e Bashkuara. Do të thotë, nëse ata vazhdojnë të na shkelin ne nuk jemi duke u mërzitur shumë sa jemi duke shkelur direktiva për të tjerët. Për neve është interes që ta bëjmë një ajër më të mirë, ta bëjmë një përmirësim të gjendjes në Kosovë, por nuk është se jemi duke u mërzitur shumë me faktorin ndërkombëtar sepse janë ata që janë duke na përjashtuar neve”, tha Matoshi për Radio Evropa e Lirë.

Ministri Matoshi thotë se përkundër kritikave që vijnë nga organizata të ndryshme, Kosova do të vazhdojë të ketë politikë shtetërore prodhimin e energjisë nga thëngjilli.

Learta Hollaj nga Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), thotë se Kosova duhet që ta heq nga përdorimi termocentralin Kosova A për shkak të vjetërsisë së tij. Sipas saj mbyllja e këtij termocentrali nuk duhet të lidhet me ndërtimin e termocentralit të ri, të njohur si Kosova e Re.

“Është e papranueshme që të vazhdojnë ndikimin në mesin tonë një termocentral ai vjetruar që i tejkalon të gjitha standardet e mundshme dhe ta kushtëzojmë atë më ndërtimin e një termocentrali të ri. Kjo na bënë të mendojmë që duhet të marrim masa urgjente për rehabilitimin apo mbylljen e këtij termocentrali dhe të shohim për metoda alternative të prodhimit të energjisë”, tha Hollaj.

Vitet e fundit Kosova ka pasur probleme të vazhdueshme sa i takon ndotjes së mjedisit, nga termocentralet Kosova A dhe Kosova B, e poashtu edhe nga djegia e thëngjillit nga bizneset dhe shtëpitë private.

Në matjet që behën vazhdimisht, Kosova shpesh herë renditet ndër vendet më ajrin më të ndotur në botë.