VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Minatorët protestë para Kuvendit, pensionisti: Do djeg veten (videot)

By | May 23, 2019

Komentet

Digjet 1 hektar ullishte në Elbasan, policia dyshon për zjarrëvënie të qëllimshme

Digjet 1 hektar ullishtë gjatë natës në Samurr të Elbasanit. Burime zyrtare konfirmuan për gazetarin e ‘News24’ dhe ‘BalkanWeb’ Fatmir Popja se vatra e zjarrit u shfaq rreth orës 22:00 dhe u izolua rreth orës 01:30 të mëngjesit të kësaj të diele. Për shuarjen e flakëve u aktivizuan 13 punonjës të shërbimit zjarrfikës të Elbasanit dhe dhjetra banorë të zonës. Zjarri pati përhapje me shpejtësi në një sipërfaqe mjaft të madhe duke shkaktuar dëme të konsiderueshme. Dyshohet se zjarri ka qenë i qëllimshëm, ndërsa policia po heton për të identifikuar autorët dhe kapjen e tyre.

Pandeli Majkos i bëj ftesë që mos të shkelë në Zvicër se është non grata! Nga Elida Buçpapaj

Më datën 26 korrik një autor i respektuar në diasporë na dërgoi një ftesë ku lexohej se Shoqata Kulturore Bashkimi në Uster të Zvicrës lajmëronte mbajtjen e Panairit të Librit Diaspora 2019 dhe ftonte shtëpitë botuese dhe krijuesit nga Europa të bëheshin pjesë! Vura pikëçuditëse në fund të fjalisë pararendëse për të shprehur habi, sepse pronarët e Shtëpive Botuese e dinë shumë mirë se çfarë do të thotë të organizosh një panair libri! Por, megjithatë, kur është fjala për përhapjen e librit shqip në diasporë, hiperbolat janë të lejueshme.

Në pamjen e parë, ftesa ishte e thatë. Nuk orientohej askush, si, qysh e tek, vetëm thuhej se në datën aq e në orën kaq hapej Panairi i Librit Diaspora 2019.

Duke patur shumë respekt për kolegun, nuk paragjykova asgjë.

Diaspora shqiptare në Zvicer deri në vdekjen e Rugovës ka qenë shembull i shkëlqyer i organizimit të komunitetit. Megjithë traumën e vitit të mbrapshtë 1997 dhe konfliktit në Kosovë 1998/1999 që u reflektua në Zvicër me ringjalljen e celulave staliniste/enveriste/thaçiste, komuniteti ia kishte dalë të mbetej pothuaj solid.

Vdekja e Rugovës dhe kalimi i LDK në krah të Hashim Thaçit pëmbysi gjithçka për mbrapsht dhe sot diaspora shqiptare në Zvicër është shembulli më i shëmtuar i çorganizimit, nën drejtimin e politikave antikombëtare nga shteti amë dhe Kosova si dhe zëdhëndësave te tyre ambasadat, të cilat përfaqesohen përgjithësisht nga anonimë, të zgjedhur të politikës me skeletë në sirtarë dhe shërbëtorë të regjur të regjimeve të Edi Ramës, Hashim Thaçit & Co.

Nëse diaspora shqiptare në Zvicër do të qe open- minded dhe e organizuar në vetvete, komuniteti shqiptar në Konfederatën Helvetike do të duhej të protestonte përpara dyerve të ambasadave përkatëse, sepse në vendet e prejardhjes shqiptarët vuajnë mungesën e shtetit të së drejtës, varfërinë, padrejtësinë, papunësinë, korrupsionin dhe pasojat e një shteti që i ka lënë carta bianca mafies dhe botës së nëntokës.

Komuniteti shqiptar në diasporë sikur shqiptarët që jetojnë në shtetin amë e Kosovë kanë mbetur të paralizuar dhe mosveprues edhe kur janë dëshmitarë se ka stanjacion dhe asnjë vend nuk njeh prej vitesh shtetin e pavarur të Kosovës apo kur në Shqipëri është instaluar një narkoshtet! As amerikanët, as francezët, as italianët, as kroatët dhe asnjë komb në Perëndim nuk ka pritur që t’i çlirojnë të tjerët apo t’jua dhurojnë demokracinë në tabaka të tjerët!

Nëse diaspora shqiptare në Zvicër është për të qarë hallin, fajin e ka politika e Tiranës dhe Prishtinës me portavocet e tyre, por fajtor është edhe vetë komuniteti me indiferencën dhe papērgjegjshmerinë e vet.

Por le të kthehemi tek ftesa. Kolegu më 24 gusht komunikoi direkt dhe më dha disa sqarime. Nuk e paragjykova, dhe nga dëshira e mirë e prita me gëzim dhe naivitet.

Duke patur parasysh se të dy me Skënderin vitet e fundit kemi dhjetë botime plus librat e tim eti poetit Vehbi Skënderi, i qava hallin kolegut për transportin e tyre deri afër Zürichut ku do të mbahej aktiviteti dhe ai më premtoi se do të gjenin mjet për t’i çuar aty.

Të gjithë jemi dëshmitare të rrëmbimit pa pikë meritokracie të projekteve e fondeve publike nga gojët e pangopura klienteliste apo nepotike. Në këtë krizë identiteti, kur shqiptarët nuk kanë mecenatë që mbështesin zhvillimin e kulturës,  janë të mirëpritura iniciativat e shoqatave apo të individëve, që të japin kontribute në të mirë të interesit të përbashkët.

Si shembull të shkëlqyer në Zvicër po kujtoj periudhën e 3 % apo sot Shoqatën e Sali Çekajt që kontribuon në Kosovë, që i jep Kosovës pa e rrjepur, ndryshe nga të tjerët që zhvatin, sepse imitojnë politikën.

Zvicra ka qenë model brilant i aktiviteteve kulturore të komunitetit shqiptar edhe kur Kosova përjetonte pushtimin e egër. Shqiptarët e Kosovës e kanë patur të edukuar dashurinë për kulturën, për poezinë dhe poetët, ndryshe nga në Shqipëri, ku diktatura i persekutonte dhe vriste poetët.

Me këtë rast duhet të nënvizoj rolin e rëndësishëm që luajti LDK në Zvicër prej 1989 pasi Ibrahim Rugova dhe rrethi që krijoi këtë formacion politik si lëvizje kombetare për çlirim ishte vetë shkrimtar, dijetar dhe njeri i letrave. Edhe nën pushtim shkrimtarët dhe poetët e Kosovës ftoheshin në Zvicer nga komuniteti që organizonte mbrëmje dhe orë poetike ku lexohej poezi dhe bliheshin libra. Tek poezia e Mekulit, e Din Mehmetit e me rradhë shqiptarët e Kosoves zbulonin alfabetin e mbijetesës. Në mbrëmje të tilla në Zvicër kemi patur fatin të takoheshim me Ali Podrimjen, Azem Shkrelin etj.

Në Zvicër, Gjenevë e kishte selinë Ministria e Informimit që drejtohej nga ministri për Informim Xhafer Shatri një figurë e shkëlqyer e diasporës, ku mbulohej informimi dhe i tregohej Perëndimit për monstruozitetet e regjimit pushtues, që kishte mbyllur shkollat, Universitetin, që i kishte nxjerrë gjithë intelektualët në rrugë të madhe.

Në Zvicër gëlonin aktivitetet e komunitetit, këtu mikpritej Ibrahim Rugova dhe gjithë personalitetet që ishin pjesë e institucioneve të Kosovës. Këtu mikpriteshin figura të elitës dhe politikës nga të gjitha trevat shqiptare!

Këtu në Zvicër komuniteti ishte i gjallë, vital, sakrifikonte, kontribuonte, ishte solidar.

Këtu në Zvicër zjente dëshira dhe vullneti për të ndryshuar fatin e kombit për të mirë.

Këtu nga Zvicra u nis Agim Ramadani me shokë për të çliruar Kosovën.

Këtu në Zvicër, Zürich e kishte selinë qendrore gazeta më e madhe shqiptare e asaj kohe, Bota Sot, me një tirazh që botohej deri në 200 mijë kopje në ditë dhe shpërndahej në të gjithë Europën, SHBA, Kosovë, një kohë edhe Maqedoni,  një primat i paarritur kurrë nga ndonjë media në historinë mbi njëqindvjeçare të shtypit shqiptar.

Por prej vdekjes të Rugovës kjo kulturë e bukur u zhduk. Ambasadat filluan të promovonin nepër selitë e tyre antivlerat, antikulturën që t’i përdornin pastaj si detashmente të injorancës.

Në Zvicër u shua përkohësisht ajo frymë e bukur dhe e gjallë e komunitetit!

Politika defaktorizoi komunitetin që me remitancat mban gjall frymën e jetës në Kosovë!

Them përkohësisht sepse shqiptarët nuk mund t’i sundojë kurrë më e keqja shqiptare!

Aq më pak shqiptarët në Zvicër dhe në Perëndim, sepse ata tashmë janë vetë të identifikuar me Europën dhe Perëndimin!

Nga klima e keqe e Tiranës dhe Prishtinës nuk ka shpëtuar as vetë komuniteti i autoreve dhe artistëve shqiptarë në Zvicër, të cilët më së shumti të angazhuar me impenjimet e tyre profesionale kanë preferuar të qendrojnë larg moçalit që me kohë është kthyer në kënetë të instrumentalizuar nga mafia politike.

Pse e quaj mafie politike?

Disa kohë më parë në Zvicër erdhi Ilir Enver Hoxha që të promovonte librat e tij dhe te Nexhmije Hoxhës! I ftuar nga segmente të komunitetit shqiptar! Ilir Enver Hoxha nuk është distancuar nga vepra kriminale e prindërve dhe nuk u ka kërkuar ndjesë shqiptarëve.

Prandaj them mafie politike!

Për deri sa politika shqiptare me prejardhje komuniste përmes zëdhēnësve të saj këtu në Zvicër që janë ambasadat vijon e ndjek politika armiqësore kundër palës të cilën e kishte shpallur armik Enver Hoxha, ndërsa i biri i diktatorit ftohet dhe shet librat që i bëjnë jehonë regjimit kriminal!

Kjo është mafia politike e inkriminuar që shpërdor pushtetin politik dhe abuzon me taksat e qytetarëve për të arritur qëllimet që bien ndesh unitetit kombëtar të një vendi që si anëtar i NATO-s do të duhej të paktën të garantonte pluralizmin dhe shtetin demokratik.

I bëj këto paranteza si të nevojshme dhe rikthehem tek Panairi i Librit i Diasporës 2019.

Në vijim të bisedës i thashë kolegut të nderuar që të na jepte hollësi me qëllim pasqyrimin e aktivitetit. Hollësitë nisin zakonisht nga sponsorët. Këtu në Zvicër pēr të gjitha eventet paraprakisht publikohen sponsorët që i mbulojnë financiarisht, pra transparenca është alfa e demokracisë, që zakonisht në aktivitetet shqiptare mbulohen me terr.

Kolegu në vijim të komunikimit më tha se kish konfirmuar praninë e saj zonja Elena Kocaqi, një emër shumë i nderuar, që ai e merrte me mend se do ta prisja shumë mirë. Mrekulli ia ktheva. I kemi dërguar ftesa, shtoi, ministrive përkatëse të diasporës, ambasadorëve, Toenës… Po Onufrit e pyeta. I bëjmë më tha. Ok, i thashë, shumë mirë. Por ama sipas modelit zviceran që miku kur ftohet, do të thotë se i paguhet udhetimi dhe bujtja. Do ta bisedoj me z.Vaxhid Sejdiu, një nga organizatorët, më tha. Kush është e pyeta, se nuk e njoh. Magjistër dhe mësues i shkollës shqipe. Nuk vonoi ma dërgoi ftesën pēr Onufrin, duke premtuar pagesën pēr bujtjen por jo udhëtimin. Ishte një komunikim shumë korrekt deri në fund nga ana e bashkëbiseduesit. Deri këtu gjithçka në rregull.

Por kur më dërgoi programin, m’u hapēn sytë dhe pashë se Panairi i Librit Diaspora 2019 ishte vetēm një show në shërbim të politikave të pista zyrtare dhe në dëm të interesave të diasporës dhe autorëve të saj.

Pse do të thoni ju?

Sepse i gjithë programi ishte ndërtuar në funksion të atyre që ishin vendosur nga lart, jo nga Zoti, por nga mafia politike. Me stilin e njohur, shkrimtari i partisë, shtëpia botuese e partisë, panairi i librit i partisë…

Panairi i Librit Diaspora 2019 hapej me fjalimin e Pandeli Majkos, vijonte me fjalimin e ministrit të diasporës të Kosovës, pastaj e merrte fjalën Ilir Gjoni, pastaj ambasadorja e Kosoves, pastaj Toena ( e orientuar majtas) bënte prezantimin e bibliotekës të saj, pastaj, shoqata Mergimi do të përfaqësohej nje ore nga Bardhyl Mahmuti, pastaj prezantohej Qendra e Botimeve për Diasporën, një zyrë qeveritare që akaparonte fonde për t’i shpërndarë sipas shijes të Edi Ramës. Në panair nuk kishte asnjë hapësirë për autorët shqiptarë në Zvicër, as për shtëpitë e tjera botuese që mund të vinin, sepse panairi fillonte me ta dhe mbaronte me ta. Ndërsa prania e Prof.Elena Kocaqi, një emër shumë i nderuar, ishte “koka e turkut”.

Kur lexova programin, iu riktheva realitetit të egër që sundon në Shqipëri e Kosovë, të cilin politika e ndyrë shqiptare e ka mbjellë edhe në Zvicër.

Por ky bar i keq nuk ka shanse të mbijetojë në një tokë ku rritet bari i lirisë dhe shteti i së drejtës.

Duke hulumtuar pashë se organizatori i Panairit Diaspora 2019, si mësues i shkollës shqipe mbështetej nga Ambasda e Shqipërisë në Berne, ndërkohë që kishte mosaprovim nga LAPSH-I, një organizëm i krijuar në Zvicër prej 30 vitesh nga komuniteti! Do të më vinte shumë mirë nëse kjo Ambasadë do të përdorte autoritetin e shtetit në mënyrë të barabartë e të drejtë për të gjithë anëtarët e komunitetit dhe mos vijonte luftën e klasave.

Jemi tre krijues në familjen tonë, rast shumë i veçantë. Ambasada e Shqipërisë në Zvicër prej 1997 na ka trajtuar si armiq të klasës, sikur dikur baballarët e tyre. Jemi profesionistë të natyralizuar që kemi arritur të integrohemi në Konfederatën Helvetike në menyrë shumë dinjitoze me punë dhe integritet.

Si gazetarë dhe krijues, që prej gati një çerek shekulli nga Zvicra japim kontributin tonë në shtypin shqiptar të diasporës në të mirë të interesit kombëtar dhe integrimeve shqiptare euroatlantike, duke i denoncuar politikat antikombëtare që përçon politika dhe diplomacia shqiptare e unifikuar në të keqen e saj, si në shtetin amë ashtu edhe në Kosovë. Përfaqësuesit politikë të diplomacisë shqiptare në Zvicër kanë ndjekur kundër nesh politikën kriminale të injorimit. Me kallashnikovët e injorimit, kanë zëvendësuar luftën e klasave, burgjet dhe persekutimin.

Janë shkelës të ligjit. Si të tillë janë kriminelë!

Në Zvicër prehen eshtrat e tim eti, poetit Vehbi Skënderi, që ka vuajtur i gjallë dhe i vdekur mizoritë e diktaturës dhe të postdiktaturës, të etërve dhe bijve! Do të ishte normale që shoqatat kulturore të vendosnin një buqetë lule në varrin e tij në një ditë lindje apo përvjetor vdekje! Të njëjtën gjë do të duhej të bënin edhe diplomatët shqiptarë nëse do të kishin format Perëndimor, sepse kush do Perëndimin, do kombin e vet dhe poetët  !

E persekutojnë tim atë edhe në varr, por nga parajsa nuk e heqin dot, as ferrin e tyre nuk e shmangin dot!

Mizoria e tyre është e frikëshme, por nuk të frikëson, përkundrazi të mbush me dëshirën për drejtësi dhe sikur thotë Albert Camus vetë ekzistenca ime është një akt rebelimi kundër padrejtësisë!

Ata janë shpërdorues pushteti dhe shkelës të lirisë . Si të tillë i kap ligji. Sepse janë kundër civilizimit, kundër rilindjes së kombit, kundër iluminizmit, humanizmit, shtetit të së drejtës dhe të drejtave themelore të njeriut.

Ata e kanë çuar në gijotinë kriterin e meritokracisë, sepse duke qenë mediokër, e duan gjithçka për vete për gjithmonë dhe asgjë për të tjerë! Por këto privilegje ua jep vetëm shteti antiligjor!

Duke u kthyer tek Panairi i Librit i Diasporës 2019 natyrisht që nuk pranuam të ishim pjesë e skenarëve të pistë, të profiterëve të politikës që nuk i lejon shqiptarët të zgjedhin librat sipas shijes së tyre.

Gjithashtu i ftoj shqiptarët që ta bojkotojnë Panairin e Librit Diaspora 2019 sepse organizuesit kanë përdorur kriterin politik që është përçarës dhe bie ndesh me pluralizmin dhe multikulturalizmin që përfaqëson Zvicra dhe demokracia, ndërsa Pandeli Majkos, këtij politikani parazit që ka 27 vjet që riciklohet por nuk ka arritur kurrë të konvertohet, i bëj ftesë që mos të shkelë në Zvicër se është non grata!

Amerikanët shënojnë përvjetorin e sulmeve të 11 shtatorit

Amerikanët po shënojnë të mërkurën 18 vjetorin e sulmeve terroriste të 11 shtatorit të vitit 2001, që lanë pas vetes rreth 3 mijë të vrarë në New York, Virginia dhe në Pennsylvania.

Presidenti Donald Trump, do të nderojë viktimat me një minutë heshtje në Shtëpinë e Bardhë, para se të marrë pjesë në një ceremoni në Pentagon për familjet e atyre që u vranë kur terroristët e al-Qaidas përplasën mbi ndërtesë një avion të rrëmbyer.

Në New York, qindra të mbijetuar dhe familjarë të atyre që u vranë, do të mblidhen në vendin ku ngriheshin kullat binjake të Qendrës Botërore të Tregtisë, para se të rrëzoheshin nga goditjet e dy avionëve të udhëtarëve të rrëmbyer nga al-Qaida.

Nënpresidenti Mike Pence, pritet të marrë pjesë në një ceremoni në Shanksville të Pennsylvanias, afër vendit ku avioni i United Airlines u rrëzua, pasi që udhëtarët e morën nën kontroll nga terroristët që e kishin rrëmbyer.

Nëntëmbëdhjetë burra të lidhur me al-Qaida i kryen rrëmbimet.

Sulmi më vdekjeprurës në truallin amerikan, pas atij në Pearl Harbor në vitin 1941, ndryshoi përgjithmonë botëkuptimin e Amerikës për sigurinë dhe nxitën presidentin e atëhershëm George W. Bush t’i shpallë luftë terrorizmit dhe të pushtojë Afganistanin.

Forcat e koalicionit të drejtuara nga Shtetet e Bashkuara rrezuan talebanët nga pushteti në Afganistan, por konflikti ende po vazhdon duke u shndërruar në luftën më të gjatë amerikane. Përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara dhe talebanët kanë zhvilluar kohët e fundit bisedime për paqen, por derisa hollësitë e një marrëveshjeje të mundshme po bëheshin publike, presidenti Donald Trump anuloi takimet e planifikuara me talebanët dhe zyrtarë afganë, për shkak të sulmeve të vazhdueshme të talebanëve në Kabul.

Shtetet e Bashkuara këkruan udhëheqësin e al-Qaidas Osama bin Laden për vite me ardhë pas sulmeve dhe në maj të vitit 2001 forcat amerikane bastisën një kompleks në Abbottabod të Pakistanit ku e vranë atë.

Zëri i Amerikës: Kosova kujton 11 shtatorin (video)

Një pllakë përkujtimore me mbishkrimin “Kosova kujton” u ngrit të mërkurën në qendër të Prishtinës në nderim të viktimave të sulmeve terroriste të 11 shtatorit të vitit 2001 në Shtetet e Bashkuara.

Kryeministri në largim i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha gjatë ceremonisë së zbulimit të pllakës se “sot 18 vjet më parë edhe Kosova e përjetoi rëndë sulmin mbi institucionet, mbi popullin, mbi miqtë tanë, mbi njerëzit e Amerikës. Kosova kujton çdo vit në këtë datë të rënët, martirët e kësaj dite dhe njëkohësisht bashkëndjen me Amerikën”.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, tha se amerikanët nuk ishin viktimat e vetme dhe njerëz nga 77 shtete u vranë në këto sulme. “Ky ishte vërtetë një sulm ndaj qytetërimit”, tha ambasadori Kosnett.

“Amerika gjithmonë do të kujtojë ndihmën nga e gjithë bota dhe përgjigja e miqve tanë nga Kosova ishte e menjëhershme dhe e sinqertë. Pas sulmit në Kosovë njerëzit mblidheshin që të parakalonin dhe mbështesnin Amerikën me ndezjen e qirinjve, dhurimin e gjakut, madje disa qytetarë të Kosovës dolën vullnetarë që t’i bashkohen ushtrisë amerikane që të luftojnë në luftën globale kundër terrorizmit. Kjo mbështetje e përzemërt, spontane, është një konfirmim i një lidhjeje të thellë në mes të qytetarëve të Shteteve të Bashkuara dhe qytetarëve të Kosovës. Ky partneritet tejkalon çdo parti politike ose udhëheqës individual”, tha ambasadori Kosnett.

Të mërkurën u mbushën 18 vjet nga sulmet terroriste në Shtetet e Bashkuara që kanë pas vetes mbi 3 mijë të vrarë. Përgjegjësinë për sulmet e mori përsipër atëbotë rrjeti terrorist, Al Qaida.

Çdo vit, 11 shtatori shënohet në forma të ndryshme në Kosovë, ku roli i Shteteve të Bashkuara vlerësohet i pazëvendësueshëm në procesin e çlirimit dhe pavarësimit të Kosovës por edhe për proceset e ardhshme politike në Kosovë përfshirë edhe atë të integrimeve euroatlantike.

Prishtinë: Përkujtohen viktimat e sulmeve terroriste të 11 shtatorit

Memoriali në SHBA për viktimat të 11 shtatorit të vitit 2001.

Në Prishtinë janë përkujtuar viktimat e sulmeve terroriste që ndodhën me 11 shtator të vitit 2001 në SHBA.

Në kujtim të viktimave në oborrin e Qeverisë së Kosovës është inauguruar Memoriali “Kosova kujton”.

Në ceremoni, kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj tha se “akti terrorist në Nju Jork të SHBA-së ishte goditje ndaj institucioneve dhe popullit amerikan, ndaj vlerave të lirisë dhe demokracisë, mbi miqtë tanë dhe ne”.

Haradinaj tha se Kosova bashkëndjenë me SHBA-në dhe kujtimin për të rënët e kësaj dite do ta kthejë në traditë institucionale për çdo vit.

Në përurimin të memorialit ishte edhe ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Philip Kosnett, i cili tha se sulmet e 11 shtatorit të vitit 2001 ishin sulme ndaj gjithë njerëzimit.

“Amerikanët nuk ishin viktimat e vetme. Njerëz nga 77 shtete u vranë në këto sulme. Ky ishte vërtetë një sulm ndaj civilizimit”, tha Kosnett.

Në sulmet e 11 shtatorit të vitit 2001 humbën jetën rreth tre mijë persona ndërsa u lënduan rreth gjashtëmijë të tjerë. Përgjegjësinë për sulmet e kishte marrë rrjeti terrorist, Al Kaida.

IFIMES: Shkatërrimi i dyshes Thaçi – Rama do të mundësonte fillimin e punëve të mira në Ballkan

Instituti slloven, IFIMES, përveç zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë, ka bërë një analizë edhe rreth vendimit të fundit të sekretarit të Shtetit Amerikan, Mike Pompeo, për të emëruar Matthew Palmer, si përfaqësues special për Ballkanin Perëndimor.

Një vendim i tillë në analizë thuhet se vjen për shkak të gjendjes së tensionuar në Ballkan, gjë për të cilën IFIMES thotë se është si rezultat i mungesës së SHBA-së në rajon.

Megjithatë, instituti slloven e sheh si problem faktin që shtetet perëndimore kanë ndërtuar partneritet në Ballkan kryesisht me “struktura politiko-kriminale”, raporton Gazeta Express.

Prandaj Instituti slloven thotë që “SHBA-ja duhet të punësojë agjencitë e saj për të luftuar krimin dhe korrupsionin, ashtu siç ka bërë Italia pas Luftës së Dytë Botërore”.

IFIMES si hap të parë propozon që të caktohen ata individë apo politikanë që veprojnë si faktor shkatërrues.

“Kështu pritet që së shpejti disa emra të rinj nga rajoni të futen në listën e zezë të administratës amerikane”, thuhet në këtë analizë të IFIMES.

Pa u dekriminalizuar shtetet e Ballkanit, IFIMES konstaton se nuk do të jetë e mundur që të kryhet ndonjë proces serioz politik që do të siguronte zhvillim ekonomik, paqe dhe stabilitet afatgjatë.

“Prandaj është me rëndësi jetike që këto procese të koordinohen me BE-në, pasi që shumica e fondeve përfundojnë në duart e krimit dhe korrupsionit”, potencon tutje analiza.

Në fund IFIMES thotë se pika fillestare që do t’i mundësonte Matthew Palmerit të bënte një punë të mirë do të ishte shkatërrimi i dyshes Thaçi-Rama.

“Shkatërrimi i dyshes së regjimit Thaçi-Rama ndoshta do të ishte pika më e mirë që do të shërbente si shembull i mirë për punën e Palmerit, si i dërguar special në Ballkan”, konstaton IFIMES. /GazetaExpress/

U përkujtua kryengritja antikomuniste e Postribës (video)

Pëllumb Sulo

Banorë të Shkodrës dhe Postribës përkujtuan 73 vjetorin e Kryengritjes Antikomuniste të Postribës, e cila cilësohet si e para kryengritje antikomuniste në Shqipëri.

Kryetarja në detyrë e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi, duke foluar gjatë ceremonisë përkujtimore tha se banorët e Shkodrës dhe Postribës ishin të parët që e kuptuan rrezikun që po i kanosej vendit, ndaj edhe vendosën ti kundërvihen. Zonja Ademi tha se mesazhet e Kryengritjes Antikomuniste të Postribës vazhdojnë të jenë aktuale.

“Sot, Kryengritja Antikomuniste e Postribës, mesazhet e saj janë më aktuale se kurrë. Një diktaturë ka filluar të instalohet në këtë vend. Po shkelen me dhunën e pushtetit edhe liritë më elementare, por edhe të shenjta, të cilat i kemi fituar prej 30 vitesh.”

Në përkujtimin e Kryengritjes Antikomuniste të Postribës merrnin pjesë disa prej ish deputetëve të Partisë Demokratike. Sekretari Organizativ i kësaj partie, Gazmend Bardhi, tha se banorët e Postribës e kuptuan të parët rrezikun që po i kanosesj vendit ndaj dhe reaguan.

“73 vite më pas, Kryengritja e Postribës mbetet aktuale sepse na thërret për të qendruar sërisht, për të luftuar për lirinë, për të drejtat humane, përkushtimin për të mos pranuar sundimin.”

E nisur para kohe, Kryengritja Antikomuniste e Postribës dështoi. Fazë Shabaj, banore i Postribës, thotë se kryengrija u pasua nga një masakër e gjërë e komunistëve mbi popullsinë e Postribës.

“Qeveria komuniste bëri një terror të paparë në Postribë. Pushkatoi mbi 22 vetë, u dogjën mbi 60 shtëpi me të gjithë pasuritë dhe u burgosën mbi 300 vetë në burgjet e komunizmit.”

Ndërsa Hamzë Kazazi, djali i njërit prej udhëheqësve të Kryengritjes së Postribës, Jup Kazazit, tha se komunistët shfrytëzuan dështimin e kryengritjes për të terrorizuar popullsinë e pafajshme.

“Edhe dihen masakrat që ka pësu Postriba edhe Shkodra. Duke përfitu prej kësaj, komunizmi eleminoi kë deshti; klerin katolik, klerin musliman, intelektualët me kulturë prendimore.”

I pranishëm në përkujtimin e Kryengritjes Antikomuniste të Prostribës, Nebil Çika, i cili drejton Shoqatën Antikomuniste të ish të Burgosurve dhe Përndjekurve Politikë tha se prej kohësh vërehen përpjekje që ngjarje të tilla si ajo e Postribës të mbahen thjeshtë në kornizën e ngjarjeve përkujtimore.

“Ka një përpjekje titanike të politikës dhe rretheve akademike për ta mbajtë vetëm si datë historike. Por kjo nuk është datë historike, është symbol i qendresës tonë antikomuniste. Është shumë aktuale për situatën që po përjetojmë politikisht.”

Për qendresën ndaj komunizmit, Postriba dhe Malësia e Madhe janë nderuar nga Presidentët e Shqipërisë me urdhërin e lartë “Nderi i Kombit”.

Dokumente – Kolaboracionizmi i parë me fashizmin qe i komunistëve, i dyti i ballistëve – Nga Ylli Polovina

Në 23 gusht të këtij viti ndodhi 80-vjetori i një ngjarjeje të rëndësishme ndërkombëtare, e cila mori emrin e dy ministrave të Jashtëm: Marrëveshjes Ribentrop-Molotov.
Bashkimi Sovjetik komunist bëri një pakt bashkëpunimi për mossulmim të ndërsjellë me Gjermaninë naziste. Kjo aleancë mes tyre nga 23 gushti 1939 zgjati deri në 21 qershor 1941, kur u prish në mënyrë të njëanshme nga agresioni ushtarak hitlerian kundër BRSS. Në rrethana të tjera ky pakt bashkëpunimi mund të zgjaste edhe përtej moshës aspak të vogël që kaloi realisht: 22 muajve.
Disa pak gazeta shqiptare apo media elektronike e sollën ndërmend këtë ngjarje duke e mbajtur jashtë dhe larg kufijve të historisë së Shqipërisë, thua ishte dhe mbetej çështje e kalendarëve botërorë, e biografisë së Polonisë dhe e vendeve baltike, të cilat Hitleri dhe Stalini i pushtuan menjëherë dhe i ndanë fshehurisht në marrëveshje.

Mbajtja nën censurë e kësaj hileje të madhe hitleriano-staliniane edhe në këtë gusht 2019 qe pjesë e lojës së vjetër të heshtjes, e cila nisi menjëherë nga BS dhe dikur “kampi socialist”, për të mos e nxjerrë në dritën e diellit. Veçanërisht për bolshevikët kjo ishte e domosdoshme, sepse prej qershorit 1941 deri në 5 maj 1945, kur Lufta e Dytë Botërore përfundoi, ata shpallën e denoncuan kolaboracionistët, kuislingët, siç në ujdi me anglo-amerikanët emërtuan të gjithë ata persona, parti apo qeveri, të cilat bashkëpunuan me pushtuesin nazist e fashist.
Kështu u bë udhë dhe zakon, rregull i pashkruar, që stalinistët nuk mund të pranonin publikisht se kolaboracionizmi që dënuan, nuk ishte as i vetmi dhe as i pari i asaj lufte të përgjakshme, por i dyti. Pas qershorit 1941 atë vërtet e kryen forca politike antikomuniste, por më parë këtij çasti qenë vetë komunistët kolaboracionistë të mirëfilltë. Në Luftën e Dytë Botërore e kishin dhënë ata të parët këtë shembull dhe model të paparimtë, pastaj e patën ndjekur rivalët e tyre, sidomos Balli Kombëtar me Mit’hat Frashërin në krye.

Edhe vetë Papa

Ideja dhe oferta për marrëveshjen Ribentrop-Molotov, sipas historiografisë botërore më të përparuar, qe e Adolf Hitlerit, i cili me qëllim ta mundte Britaninë e Madhe dhe krejt Perëndimin, i duhej jo vetëm një paqe e përkohshme me Bashkimin Sovjetik, por për makinën e tij të luftës edhe lëndë e shumtë e parë. BRSS qe plot me të tilla rezerva.

“E di se sa shumë kombi gjerman e do udhëheqësin e tij. Është një djalë shumë i mirë. Për këtë arsye dëshiroj të ngre një dolli për të”. Këto janë fjalë të Stalinit të regjistruara bashkë me figurë dhe secili kurioz mund t’i gjejë në rrjetin e madh informativ të internetit.
Lajmi mjaft befasues dhe në të kundërt i qëndrimit të mëparshëm të Bashkimit Sovjetik dhe të Internacionales së Tretë Komuniste, e cila që në vitin 1935 e kishte përcaktuar nazizmin si “batalion sulmi të reaksionit botëror” dhe po ashtu si “fytyra shtazërore e armikut të klasës”, e trazoi dhe e çoroditi të gjithë lëvizjen antifashiste në Evropë dhe në tërë globin. Revista amerikane “Newsweek” e 9 tetorit 1939 këtë ngjarje anormale dhe të pabesueshme do ta përhapte edhe më shumë me një kopertinë të saj ku Hitleri e Ribentropi shtrëngonin duart.

Këtij çorientimi të opinionit publik e sidomos të Lëvizjes Komuniste Botërore strukturat e PK të Bashkimit Sovjetik dhe të vetë Internacionales së Tretë iu përgjigjën me propagandë justifikuese. Gjergj Dimitrovi bëri thirrje që asnjë komunist i çdo vendi nuk duhej të humbiste besimin “tek shteti i madh i socializmit, i vetmi që lufton për paqen mes popujve dhe mbron interesat jetësore të punëtorëve të të gjithë botës”. Me një shpejtësi të jashtëzakonshme dhe ndjenjë bindjeje ideologjike i tërë shtypi i partive të Internacionales së Tretë Komuniste iu përshtat vijës së re të ardhur nga Kremlini: prej faqeve të tyre u zhdukën të gjitha theksimet e termat që përdoreshin më parë për të demaskuar Gjermaninë naziste.
Me këtë rast historia e Lëvizjes Komuniste Botërore regjistron konfuzionin e madh që prej paktit Ribentrop-Molotov mbërtheu Partinë Komuniste franceze. Kur Franca u sulmua nga gjermanët, deputetët e kësaj partie votuan për mbrojtjen e atdheut, pra luftën me armë kundër agresorëve, kur ajo filloi pushtimin ngulën këmbë që me Hitlerin të bëheshin bisedime paqeje. Moris Torezi (Maurice Thorez), kryetari i PKF, bëri “balet” politik: në fillim u nis për në frontin e luftës kundër gjermanëve dhe pastaj dezertoi “për të mos mbështetur imperializmin francez”. Kur në qershor 1940 në Kullën Eifel valëvitej flamuri hitlerian me kryqin e zi PKF i bëri kërkesë me shkrim autoriteteve naziste të pushtimit që t’i lejonin botimin e gazetës së tyre “Humanité”, të cilën ia kishin mbyllur pas marrëveshjes Ribentrop-Molotov dhe para pushtimit gjerman qeveria franceze e kryeministrit Édouard Daladier.

Pas kësaj trazire kaosi partia e komunistëve francezë u nda në pesë fraksione dhe njëri prej tyre shpalli si vijë politike bashkëpunimin me Hitlerin. Këta qenë të bindur se nazistët qeverinë e Francës së pushtuar do t’ua besonin komunistëve për ta ngritur.

Në Itali, shtetin tjetër evropian, i cili qe edhe më afër Shqipërisë e gjatë historisë për këtë vend kishte qenë një lloj modeli jete e qëndrimi, humori aspak i keq i PKI me fashistët e Musolinit qe manifestuar shumë më herët se Ribentrop dhe Molotov të nënshkruanin marrëveshjen e tyre të mossulmimit, por në parim edhe të pajtimit ideologjik. Udhëheqësi i komunistëve italianë Palmiro Toliati, kur në 1931 u urdhërua që të gjithë mësuesit dhe sidomos profesorët universitarë duhej të kryenin betim për besnikëri jo vetëm ndaj mbretit, por edhe regjimit fashist, u bëri thirrje që këta të pranonin. U shpjegoi se kështu të paktën nuk ua linin nxënësit dhe studentët në duar musolinianëve.

Theksojmë se këtë kohë edhe vetë Selia e Shenjtë e Papa Pio XI kryen të njëjtin gjest: bënë thirrje për bindje ndaj detyrimit të betimit pro fashizmit. Kjo ishte një kohë kur sërish Toliati, me arsyetimin që të mos e lejonin rininë italiane të binte e tëra nën kontrollin e regjimit, i porosiste të rinjtë komunistë që të regjistroheshin masivisht në organizatën rinore fashiste. Vetë Palmiro Toliati musolinianëve të rinj iu drejtua në një rast me fjalët “vëllezër fashistë”.
Në Itali Benito Musolini, në vitin 1939, sapo ishte firmosur pakti Ribentrop-Molotov, deklaroi me gëzim se bolshevizmi qe shndërruar “në formën sllave të fashizmit”, kurse në Gjermani, në grupe të caktuara të partisë naziste (Partisë Nacional Socialiste Punëtore) flitej shpesh se në Bashkimin Sovjetik stalinistët qenë të “nacional-socializmit të majtë”. Të dy revolucionet, atë leninist dhe hitlerian, duke qenë se ishin shpallur kundër kapitalizmit dhe vendeve borgjeze të Perëndimit, i përshkruanin si pjesë të natyrshme të njëri-tjetrit.

Pakti Ribentrop-Molotov qe një grehinë e tërë marrëveshjeje dhe mbështetjeje reciproke jo vetëm në fushën politike apo në qëndrimet ndërkombëtare, por edhe në ekonomi e ushtri. Madje, për këto tri drejtime kolaboracionizmi u nënshkruan marrëveshje të fshehta. Bashkimi Sovjetik do ta furnizonte Gjermaninë hitleriane me sasi të mëdha nafte si edhe lëndë tjetër të parë për industrinë e saj (hekur, nikel, krom etj.), por edhe ushqime. Dy orë para se në 21 qershor 1941 gjermanët të sulmonin Bashkimin Sovjetik, sapo e kishte kaluar kufirin drejt Berlinit një tren i mbushur plot me mall sovjetik. Tërë ajo naftë dhe material, siç rezultoi, i kishte shërbyer Adolf Hitlerit edhe për të forcuar makinën e tij luftarake kundër vetë BRSS.
Sulmi i papritur nazi-gjerman i ndodhi BRSS-së pas 22 muajve marrëveshje, kur për ironi pika e shtatë e saj thoshte se ajo do të zgjaste për dhjetë mote dhe në rast se brenda vitit të fundit nuk kontestohej nga njëra palë, atëherë do të vijonte edhe pesë të tjerë.

Po Ramiz Alia?

Në Shqipëri këtë kohë qenë në ekzistencë vetëm grupet komuniste dhe partia e tyre do të krijohej pasi Bashkimi Sovjetik u sulmua nga Gjermania. Prej Moskës do të mbërrinte direktiva e kundërt: jo bashkëpunim, por luftë zjarr e flakë për të mbrojtur “atdheun e punëtorëve”, “kështjellën e Lëvizjes Komuniste Botërore”.
Njëzetë e dy muajt e paktit bolsheviko-nazist, më saktë komunisto-fashist, në historishkrimin shqiptar janë një gropë e madhe, një segment i saj i anashkaluar krejtësisht jo vetëm gjatë periudhës gjysmëshekullore “socialiste”, por edhe më pas. Ishte një rast i shkëlqyer që historiani i ditur Kristo Frashëri ta përfshinte në librin e tij për historinë e të majtës shqiptare, por ai heshti. Nuk duhej të kishte vepruar kështu, sepse përveç forcës së madhe analitike, një baraspeshimi politik po ashtu që e kishte përftuar pas rënies së diktaturës, ai edhe e pati përjetuar personalisht këtë zhvillim.
Ndërkaq, në çdo libër historie për nxënësit dhe studentët para motit 1991 për përjetimin e këtij momenti në lëvizjen komuniste shqiptare nuk gjendet asnjë rresht. Vendosen vetëm një grusht fjalësh për të bindur lexuesin se qe Perëndimi, i cili e tradhtoi Evropën me paktin e Mynihut dhe se disa muaj më pas ai Ribentrop-Molotov ishte veprim baraspeshues i intrigës së shteteve kapitaliste për të asgjësuar me duart e Hitlerit Bashkimin Sovjetik. Kështu sipas tezës së të shkuarës, por edhe të rigjallëruar herë pas here sot, gjesti i Stalinit qe manovër e drejtë dhe e vetmja mënyrë që BRSS të fitonte kohë për t’u mbrojtur nga dy armiq njëherësh: Perëndimi borgjez dhe Nazizmi.

Gjithashtu asnjë prej ish-komunistëve shqiptarë të njohur që mbetën gjallë nga lufta nuk ka lënë ndonjë kujtim për këtë çështje, përveç një interpretimi të përgjithshëm të Liri Belishovës. Sipas saj, “kur Italia fashiste sulmoi dhe okupoi Shqipërinë, nuk mbajtën të gjitha një qëndrim të qartë. Disa u shprehën dhe dënuan këtë agresion, pati brenda këtyre grupeve komuniste edhe rryma që mbajtën një qëndrim shumë të dënueshëm, duke thënë që okupacioni fashist do të krijojë mundësi për industrializimin e Shqipërisë, pra për lindjen dhe zhvillimin e proletariatit dhe kështu do të favorizohej dhe zhvillimi i lëvizjes komuniste…Në fakt, është rasti të theksoj, që pasi Stalini dhe Hitleri firmuan traktatin e famshëm të vitit ’40… partitë komuniste të botës e ndërprenë demaskimin dhe luftën kundër fashizmit…”. (Siç e shihni bolshevikja e njohur Belishova, e persekutuar edhe ajo prej regjimit, nuk e mban mend as vitin e saktë të firmosjes së paktit.
Nuk gjen asnjë vëmendje për këtë temë të raporteve mes komunistëve shqiptarë dhe fashizmit as në serialin dhjetëra vëllimësh të librave të Enver Hoxhës, as në ato të bashkëshortes së tij, e cila për fat ende jeton dhe kishte e ka kohë për të saktësuar ndonjë rrethanë të ndikimit të marrëveshjes Ribentrop-Molotov në veprimtarinë e grupeve komuniste. Heshtja e tyre është shumë e thellë dhe sa më tepër ditë shkojnë bëhet edhe më e fajshme.

Edhe Ramiz Alia, protagonist dhe përjetues i ndryshimit të regjimit, politikan radikal i majtë, por me prirje liberale, nuk qëndron më pas në këtë pasivitet të qëllimtë. Në librin e tij testament “Jeta ime”, botuar në 2010, as edhe e përmend si term e ca më pak si periudhë kohën e Marrëveshjes Ribentrop-Molotov. Por atje ka dy fraza të arta, të shkruara instinktivisht, prej të cilës mund të kuptosh rënien në letargji, mosaktivitetin, e komunistëve shqiptarë që prej fundgushtit 1939 deri në 21 qershor 1941. Kjo frazë që përshkruan vitet pas themelimit të PKSH, thotë: “Patriotë dhe antifashistë të njohur u burgosën ose u internuan në ishujt e Italisë, midis tyre edhe disa nga profesorët tanë, si V. Gjikondi, V. Andoni, N. Bulka etj.”. Alia nuk ngul këmbë se para krijimit të partisë vendinternimet e shumta në Itali qenë mbushur me komunistë. Pohon se këta qenë thjesht elementë patriotë dhe antifashistë. “Ndërsa grupet komuniste, shkruan dy rreshta më poshtë Alia në librin e vet, që vepronin në disa qytete, si në Korçë, Shkodër apo në Tiranë, më tepër grindeshin me njëri-tjetrin për të gjetur se kush i kishte tiparet e vërteta komuniste ose kush njihej nga Kominterni dhe kishte “vulën” e tij”.

Apo, arsyetojmë, grindshmëria e lartë e grupeve komuniste shqiptare ishte rrjedhojë e qëndrimit të tyre larg misionit të angazhimit të drejtpërdrejtë në rezistencë aktive dhe luftë konkrete kundër pushtimit?
Ndërkohë studiuesi Kastriot Dervishi mendon se “Padyshim që ndër fashistët më interesantë të kësaj kohe është edhe Ramiz Alia. Në kohën që ai kryente gjimnazin (në vendin ku është sot Dhoma e Tregtisë në Tiranë), ishte ndër më aktivët e rinisë fashiste”. Pasi thotë këtë autori i mësipërm nuk paraqit asnjë provë dokumentare.

Ndërkohë Enver Hoxha…

Duhet pohuar njëkohësisht se jo vetëm komunistët, por as kundërshtarët e tyre, ballistët, edhe pse kishin njerëz më intelektualë dhe pas lufte edhe liri e mjete të shumta jashtë vendit ku emigruan, nuk realizuan kurrë një vështrim të plotë të veprimtarisë së bolshevikëve shqiptarë para krijimit të PKSH dhe ndryshimit përmbysës që i bënë qëndrimit ndaj Boshtit Fashist në 21 qershor 1941. Duket se janë frenuar nga që, po të përdornin këtë akuzë, do të shkaktonin simpati të të vetëve për bolshevikët. Në fund të fundit qenë vetë ata që po e kryenin këtë aleancë.
Duhet të saktësojmë se mes propagandës së madhe të sotme antikomuniste, dukshëm të përgjithshëm dhe të pafrytshëm prej sloganeve dhe pasinqeritetit politik, ka një emër që është i vëmendshëm ndaj temës së bashkëpunimit të stalinistëve shqiptarë me fashistët. Ky është studiuesi Kastriot Dervishi.
Në 30 nëntor 2016 në shtyp ai kreu një përpjekje pjesërisht të dokumentuar për praninë e afrisë politike dhe shpirtërore të jo pak komunistëve shqiptarë me fashistët italianë pas pushtimit. Ai mes të tjerash shkoi deri edhe në spikatjen e tezës së tij se “qeveria e parë e Enver Hoxhës, nga 13 ministra, 9 kishin qenë anëtarë të Partisë Fashiste”.
E rikujtojmë lexuesin gjithsesi se Presidenti i parë Shqiptar i pas Luftës, Omer Nishani, çfarë e pohon edhe vetë Hoxha në librin e tij “Kur u hodhën themelet e Shqipërisë së re”, në periudhën e paktit Ribentrop-Molotov kishte qenë anëtar i Këshillit të Shtetit. Ndërkohë Dervishi vë në dukje se Nishani e pati vlerësuar në shtypin fashist edhe doktrinën musoliniane. Thekson: “Ky fakt nuk i kishte shpëtuar as të huajve saqë kur delegacioni qeveritar shqiptar ndodhej në Paris në Konferencën e Paqes më 21 gusht 1946, pas fjalimit të kryeministrit Enver Hoxha, delegati grek Caldaris kishte cituar një artikull të Omer Nishanit pro fashizmit botuar pak vite më parë në shtypin fashist”.
Mirëpo kur studiuesi tjetër Aurenc Bebja botoi së fundi faksimilen e shkrimit me këtë temë publikuar në gazetën franceze “L’Aube” (të datës 23 gusht 1946), akuzat e Kaldarisit nuk janë për Omer Nishanin, por për Enver Hoxhën, i cili kishte ardhur personalisht në Konferencën e Paqes në Paris dhe ishte mbërthyer në një polemikë të fortë me kryeministrin helen, duke i bërë deklaratën e famshme se në territorin e Shqipërisë nuk kishte asnjë pëllëmbë tokë greke.
Teksti i njoftimit të gazetës “L’Aube” ishte ky: “Z. Tsaldaris deklaron para 21-ve, Gjenerali Hoxha, president i Shqipërisë ka qenë “kolaboracionist”.
Me një qetësi të ftohtë, z. Tsaldaris e vuri Konferencën në gëzim. Ai foli për një kohë të gjatë. Argumentet e tij nuk ishin pa peshë (vlerë). Por ai filloi të citonte fjalimet e mbajtura në 1940, mbi lavdinë e fashizmit dhe të Musolinit, nga z. Hoxha i cili, asokohe nuk ishte Gjeneral – President i Shqipërisë.
Çfarë thoshte z. Hoxha?
Sipas një gazete shqiptare, “Tomorri”, e datës 12 prill 1940, ai shprehte në terma ditirambike admirimin e tij për Viktor-Emanuelin III dhe Musolinin.
Ai (Enver Hoxha) deklaronte se fashizmi, dhe ai i vetëm, ishte i domosdoshëm për Shqipërinë dhe se vetëm ai do t’i jepte (siguronte) kufijtë e saj natyrorë.
Ky fjalim, i mbajtur për të festuar ditën kur Viktor-Emanueli mori titullin Mbret i Shqipërisë, përfundoi me këto fjalë: “Rroftë Viktor-Emanueli! Rroftë Duçja”!
Shihet qartë se “L’Aube”, i shtyrë nga çfarë manipuloi Kaldaris, ka gënjyer dhe emri i Enver Hoxhës si i akuzuar për kolaboracionizëm nuk është e vetmja pasaktësi në atë shkrim. Kështu kjo akuzë për Hoxhën bie.
Gjithsesi Kastriot Dervishi ngul këmbë se ka ekzistuar “një fotografi e bërë në fillim të vitit 1941 në shtëpinë e Mustafa Kruja në Krujë, ku përveç tij duken edhe Enver Hoxha, Xhovani Xhiro (njeriu kryesor që u mor me përhapjen e ideologjisë fashiste në Shqipëri), Nikolla Kotte, Kostandin Kotte dhe Aristidh Lamani. Të gjithë personat kanë pozuar përpara një tavoline të tejmbushur. Kjo fotografi është ndodhur për shumë vite në shtëpinë e një personi të sipërpërmendur”.
Mirëpo kjo foto nuk është paraqitur prej studiuesit Dervishi, ndoshta sepse nuk është gjendur. Sidoqoftë ai, duke qenë se e di emrin e personit që e ka pasur në albumin e vet fotografik, duhej ta përmendte me emër, çfarë nuk e bën, duke e zbehur fare peshën e kësaj akuze. Pse të mos jetë propagandë prej kundërshtarësh politikë të Enver Hoxhës, siç qenë të gjashtë të mësipërmit? Po ta kishte, këtë foto kompromentuese njëri prej tyre do ta përdorte pas lufte.
Nisur edhe nga prova e dëshmi të tjera, por kryesisht hipotetike, Kastriot Dervishi po ashtu ngul këmbë se duke qenë mësues në Liceun e Korçës patjetër duhej të kishte një akt betimi ndaj regjimit fashist të Enver Hoxhës dhe anëtarësim të tij (qoftë edhe formalisht) në Partinë Fashiste Shqiptare, por çdo gjurmë e këtij dokumentacioni është shfarosur me të marrë pushtetin. Kjo patjetër ka ndodhur, sepse u përsërit edhe pas gjysmë shekulli nga rënia e regjimit komunist.
Kur në vitin 1950, për shkak se rezultoi që në parti patën depërtuar shumë me biografi të kamufluar, pra edhe me të kaluar lidhjeje me fashizmin, Enver Hoxha ishte në vijë të parë të qëndrimeve shumë të ashpra. Më i zhurmshmi proces ishte kundër Kahreman Yllit, i cili u dënua për disa vite me ulje nga postet shtetërore dhe partiake, sepse nuk kishte rrëfyer që në vitin 1940 pati qenë, sipas njoftimit të gazetës “Tomori”, federal i fashizmit në Peshkopi. Në të vërtetë Ylli në asnjë minutë nuk e kish kryer atë funksion. Hoxha nuk e la mënjanë për pa denoncuar publikisht edhe Bedri Spahiun, për të njëjtën arsyeje bashkëpunimi. Në librin “Shqipëria dhe Kosova në arkivat ruse”, me autorë Hamit Kaba dhe Ethem Çeliku”, Tiranë 2017, faqja 64, ndodhet edhe një pjesë nga ditari i Sekretarit të Parë të Misionit të BRSS në Shqipëri, A.N.Gagarinov, me shënimin “Sekret”, nga një bisedë të tij në 13 shtator 1947 me Nako Spirun. Në fund të atij shumëfaqëshi thuhet: “Mua m’u krijua një përshtypje e tillë se Nako Spiru kohët e fundit, po fillon të ndjejë frikë për fatin e tij të mëtejshëm. (E gjithë puna është se, e kaluara e tij, nuk është fort e pastër. Thonë, se ai ka qenë drejtues i organizatës së Rinisë Fashiste në Durrës dhe se duke qenë në këtë pozicion, ka vizituar edhe Italinë në kohën e luftës). Ndoshta ky është edhe shkaku i vërtetë i debatit të tij me Enver Hoxhën”.
Po ashtu e informojmë lexuesin se në 2 nëntor 1995, kur Abaz Ermenji, kolegu i Enver Hoxhës në liceun e mësipërm, erdhi në Shqipëri, deklaroi se “Komunistët në atë kohë nuk mendonin si ne. Ata influencoheshin nga traktati Ribentrop-Molotov dhe bile Hoxha mundohej të më mbushte mendjen se është mirë të pranojmë nga fuqia e Boshtit, ku kapitali është i organizuar nga shteti dhe mund të kthehet prej një dite në tjetrën në komunizëm se sa me plutokracitë e fëlliqura të Perëndimit”. Sipas Ermenjit, kjo qe deklaruar nga Enver Hoxha në fund të nëntorit 1939.

Tesera fashiste e Nexhmije Xhunglinit

Nga emrat që Kastriot Dervishi citon dhe për autorin e këtij shkrimi ka lidhje tërthorazi me ndikimin e 22 muajve të paktit Ribentrop-Molotov, është edhe Nexhmije Xhunglini. Sipas tij, në 8 shtator 1939 i ati i saj iu drejtua me një letër Ministrisë së Arsimit, në të cilën lutej që të bijës t’i jepej një bursë studimi. Dy vite më pas, në 8 nëntor 1941, tashmë për të siguruar një vend pune si mësuese, ajo ka identifikuar firmën e saj te noteri. Në 10 nëntor, sërish sipas Dervishit, “mori raportin mjekësor pozitiv dhe po atë ditë Partia Fashiste njoftoi regjistrimin me teserën nr. 637 të Nexhmije Xhuglinit në Partinë Fashiste. Nënshkrimin e ka bërë komandanti krahinor, Eqerem Stërmasi. Më 11 nëntor 1941, Prefektura e Tiranës ka dhënë mendim pozitiv për të duke shkruar se “mban qëndrim moral dhe politik të mirë”.
Me dokumentin e prefekturës dhe të anëtarësisë në Partinë Fashiste Nexhmije Xhunglini është paraqitur në Ministrinë e Arsimit ku ka marrë emërimin (për çudi këto ngjarje janë të zhvilluara paralelisht, ditë pas dite dhe pothuaj orë pas ore, me punimet e themelimit të Partisë Komuniste).
Sigurisht ky anëtarësim nuk ka qenë aspak ambicie politike e Nexhmije Xhunglinit, më vonë bashkëshortja e Enver Hoxhës, se cila ishte dhe mbetet me formim të palëkundur bolshevik, por që prej 3 qershorit 1939 qe e detyruar si për këdo që bëhej punonjës administrate i regjimit të pushtimit, veçanërisht mësues, të kryente betimin ndaj fashizmit dhe të anëtarësohej në këtë parti. Ky urdhër qarkor i Këshillit të Ministrave, nënvizon studiuesi Dervishi, kishte numrin 589/1 dhe qe i datës 6 qershor 1939.
Marrëveshja Ribentrop-Molotov, gjersa u prish nga sulmi hitlerian mbi Bashkimin Sovjetik, imponoi periudhë mostrazimi reciprok dhe në jo pak herë bashkëpunimi të komunistëve me nazifashistët. Në rastet kur nuk i bënin dot për vete, siç qe Qemal Stafa, ata i kompromentonin, siç vepruan me të, duke i botuar ndonjë poezi apo skicë nëpër gazetat e tyre. Gjithsesi një fakt mbetet: në 22 muajt e Marrëveshjes Ribentrop-Molotov komunistët, përjashto Llazar Fundon që ishte antistalinist, nuk u burgosën apo internuan nga italianët. Kjo qe periudha kur persekutimi u bëhej vetëm nacionalistëve.
Të mos harrojmë se prej 15 pjesëmarrësve në themelimin e PKSH-së, asnjë më parë nuk qe burgosur prej fashistëve. Kur një vit më vonë u krijua Balli Kombëtar, rezultoi që në grupin kryesor udhëheqës nuk qenë vetëm një e dy ish-të internuar, duke nisur nga vetë nënkryetari i BK, Ali Këlcyra.
Saktësojmë: në intensitetin dhe thellësinë e tyre, bashkëpunimi i parë komunisto-nazifashist ndryshon nga i dyti, ai i ballistëve. Ky i fundit qe më aktiv, me përmasa më të gjera dhe i kryer me zell të madh.

Tiranë, më 2 shtator 2019

BBC: Rritja e futbollit të Kosovës falë të shkëlqyerit Fadil Vokrri

Transmetuesi publik britanik ka shkruar për rritjen e futbollit të Kosovës, e cila, sipas tij, ka ardhur kryekëput falë legjendës së futbollit shqiptar dhe ish-presidentit të Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri.

Vokrri, i cili vdiq vitin e kaluar, ishte njeriu më vendimtar në fushatën e Kosovës për t’u njohur si vend i futbollit, shkruan BBC, përcjell Express.

“Fjala ‘mrekulli’ u dëgjua tërë ditën e gjatë. Mbase këta mijëra njerëz që i mbushin rrugët e Prishtinë sapo e kanë parë një tjetër. Ishte shtatori i vitit 2016 kur Kosova e luajti ndeshjen e parë garuese në futbollin ndërkombëtar”.

Të shtunën, ajo e zgjati në 15 ndeshje ecurinë e përkryer pa humbje me rezultatin mbase më të rëndësishëm deri tani, fitoren 2:1 kundër Republikës së Çekisë. Kjo është ecuria më e gjatë pa humbje në Evropë (momentalisht).

Kosova ka mundësi shumë të mirë për t’u kualifikuar në Euro 2020 tashmë, beson BBC.

Që një vend kaq i ri dhe me kaq telashe në zemër të Ballkanit të shkëlqejë në skenën më të madhe të futbollit, nuk ishte ëndrra e vetëm një njeriu. Por është një figurë e cila adhurohet këtu më shumë se të gjithë, tregimi i të cilit ndihmon në shpjegimin e prejardhjes së ekipit të tij të veçantë.

Ai ishte vendimtar në fushatën e Kosovës për t’u njohur si një vend i futbollit, dhe ai është hero në vendin e vet. Pas vdekjes së tij vitin e kaluar në moshën 57-vjeçare, stadiumi i ekipit kombëtar mori emër të ri për nder të tij: Stadiumi Fadil Vokrri.

Si e shumë njerëzve të tjerë këtu, edhe jeta e Vokrrit u shënua nga lufta e cila ndodhi këtu para 20 vjetëve. Por hakmarrja dhe anti-hakmarrja dhe tensionet mes shqiptarëve dhe serbëve ende ekzistojnë.

Ama Vokrri ishte ndër shumë të paktët – mbase i vetmi – i cili ishte në gjendje të komunikonte në ndarjet e thella që kushtuan shumë jetë. Futbolli ishte gjuha e tij.

Kur Vokrri u bë president i Federatës së Futbollit të Kosovës, ai e nisi nga zeroja. Zyra e tij ishte një banesë dydhomëshe në Prishtinë; kishte dy tavolina dhe dy kompjuterë. Ishte 16 shkurti 2008. Kosova e shpalli pavarësinë të nesërmen.

Vokrri ishte në krye të një federate pa para. Ai e kishte një ekip kombëtar pa të drejtë për të luajtur ndeshje zyrtare, në një vend të izoluar me pak infrastrukturë.

Por çfarë kishte ai ishte reputacioni i tij. Ai ishte futbollisti më i madh që Kosova e ka prodhuar – edhe pse ky epitet mund të sfidohet së shpejti nga gjenerata e re premtuese e talenteve që po lindin.

Vokrri ishte magjepsës, tërheqës dhe bindes. Ai dhe sekretari i përgjithshëm Eroll Salihu ishin njerëzit për të cilët vendi kishte nevojë të bënin fushatë.

Himni i Shqipërisë ngatërrohet dy herë në ndeshjen me Francën

Paris

Para ndeshjes Francë-Shqipëri në kuadër të kualifikimeve të Kampionatit Evropian 2020 (EURO 2020), himni kombëtar i Shqipërisë u ngatërrua dy herë, ku në vend të tij u intonua i Andorrës dhe Armenisë, raporton Anadolu Agency (AA).

Franca e priti Shqipërinë në “Stade de France” në ndeshjen e grupit H në kualifikimet e EURO 2020.

Në ceremoninë para ndeshjes pas himnit kombëtar të Francës, në vend të himnit të Shqipërisë, së pari gabimisht u intonua himni i Andorrës dhe pastaj i Armenisë.

Pas gabimit të bërë, u intonua himni kombëtar i Shqipërisë dhe ndeshja filloi 5 minuta me vonesë.

Shqipëria humbi ndeshjen me Francën në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian në Futboll “EURO 2020”.

Ndeshja ka përfunduar me rezultatin 4-1 në favor të kampionit të fundit botëror, ku golat për ekipin francez u shënuan nga Kingsley Coman, Olivier Giroud dhe Jonathan Ikoné.

Goli i vetëm për Kombëtaren e Shqipërisë u shënua nga Sokol Çikalleshi.

Shqipëria ndeshjen e radhës e ka më 10 shtator përballë Islandës në “Elbasan Arena”.

Për fazën eliminatore të “EURO 2020” Shqipëria është në grupin H, së bashku me Turqinë, Francën, Islandën, Moldavinë dhe Andorrën.

Mark Gjonaj thirrje diasporës të votojë në zgjedhjet e tetorit në Kosovë (video)

Burim Goxhuli

Anëtari i këshillit bashkiak të Nju Jorkut Mark Gjonaj foli për prioritetet që duhet të ketë qeveria e re pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë. Ai kërkoi nga komuniteti shqiptar jo vetëm në Nju Jork, që të marrin pjesë në këtë proces, duke votuar përmes postës. Zoti Gjonaj foli edhe për tarifën prej 100 për qind që Kosova ka vendosur ndaj mallrave serbe. Ai tha se Serbia e përdori këtë si justifikim për t’u larguar nga tryeza e bisedimeve.

Tarifa 100 për qind ndaj mallrave, bisedimet Kosovë-Serbi, liberalizimi i vizave e shumë çështje tjera, do të jenë sfida të mëdha për qeverinë e re që do të dalë nga zgjedhjet e parakohshme që mbahen në Kosovë, më 6 tetor.

Krahas këtyre çështjeve, anëtari i këshillit bashkiak të Nju Jorkut dhe aktivisti i njohur i komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës Mark Gjonaj, i kërkon qeverisë së re të përqëndrohet tek mirëqenia e qytetarëve.

“Është me rëndësi që të kalohet ngërçi. Sigurisht do të doja që qeveria të fokusohet në nevojat e njerëzve. Të sigurohet që të ketë reforma në sistemin shëndetësor, edukim dhe mundësi punësimi, në mënyrë që njerëzit tanë të mund të punojnë, të mbajnë veten dhe familjet e tyre”, shtoi zoti Gjonaj.

Gjatë intervistës për Zërin e Amerikës zoti Gjonaj i bëri thirrje komunitetit shqiptar jo vetëm të Nju Jorkut që të votojë, duke e parë si kontribut drejt të ardhmjes së vendit.

“Shpresoj që pjesëmarrja në zgjedhje të jetë e madhe. Është e rëndësishme për të ardhmen e Kosovës. Diaspora ka rastin të marrë pjesë në zgjedhje, me një afat regjistrimi deri më 10 shtator. Inkurajoj të gjithë ata që kanë të drejtë vote, të regjistrohen brenda afatit për të marrë pjesë në një process të besueshëm e demokratik, që do t’i japë formë të ardhmes së Kosovës. Është përgjegjësi e njerëzve tanë ndaj vendlindjes. Ju inkurajoj të shkarkoni aplikacionin që ndodhet në faqen e Komisionit Qëndror Zgjedhor”, tha Mark Gjonaj në një intervistë për Zërin e Amerikës.

Zoti Gjonaj u pyet dhe mbi qëndrimin që qeveria e re duhet të ketë karshi tarifës ndaj mallrave serbe. Sipas tij tarifa nuk është shkaktari i vërtetë i pezullimit të bisedimeve mes dy vendeve.

“Nuk ishte Kosova ajo që i ndali bisedimet. Kosova gjithmonë ka qenë në tryezë, Serbia është larguar nga ajo në mes të procesit. Tarifa është e parëndësishme dhe ka shumë pak ndikim në mirëqenien ekonomike në Serbi. U shfrytëzua si justifikim për t’u larguar. Serbia duhet të qëndrojë në atë tryezë në mënyrë që të adresohen çështjet e vërteta. Pavarësia e Kosovës nuk është fituar. Është paguar për të. Është paguar me gjak dhe dekada të tëra diskriminimi”, tha zoti Gjonaj.

Anëtari i Këshillit Bashkiak të Nju Jorkut tha se lojëra si këto nga ana e Serbisë, po zbehin arritjet e Kosovës.

“Kosova vazhdon të vuajë ndërsa po mundohet të ndërtojë vendin, ndërsa Serbia vazhdon të manipulojë negociatat duke nënvlerësuar ato që kemi arritur”.

Zoti Gjonaj foli dhe rreth angazhimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në procesin e dialogut, sidomos pasi sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo emëroi zëvëndës ndihmësin e tij Matthew Palmer si Përfaqësuesin e Posaçëm për Ballkanin Perëndimor.

“Emërimi i zotit Palmer është i rëndësishëm, derisa ai sigurohet që të dyja palët të qëndrojnë në tryezën e bisedimeve. Kemi një partner të vërtetë si SHBA-të që po sigurohen se ndërmjetësimi po ecën mirë. Do të arrijmë një zgjidhje për të dalë nga kjo situatë. Por i them sërish Departamentit amerikan të Shtetit, zotit Palmer dhe komunitetit ndërkombëtar, Kosova e ka paguar çmimin e saj. Tani është koha për Serbinë të bëjë pjesën e vet. Dhe kjo nis me kërkim falje për krimet e luftës, diskriminimin dhe gjenocidin e bërë. Pas kësaj mund të ecet përpara. Kanë kaluar vetëm 20 vite. Njerëzit vazhdojnë të jetojnë me mizoritë që janë kryer. Flenë e zgjohen me dhimbje e vuajtje për humbjen e më të dashurve të tyre”, tha zoti Gjonaj.

Aktivisti i njohur i komunitetit shqiptar në Amerikë tha se Serbia duhet të mësojë nga një shembull i dhënë së fundi në Evropë.

“Ka shumë pyetje që kërkojnë përgjigje. Nuk ka shembull më të mirë, sesa ai i dhënë së fundmi nnga Presidenti gjerman Steinmeir, i cili i kërkoi falje Polonisë dhe Evropës, rreth 80 vite pas Luftës së Dytë Botërore, për krimet që ishin bërë nga gjermanët. Është koha që Serbia të pranojë e të kërkojë falje për urrejtjen dhe dëmet, diksriminimin dhe padrejtësitë ndaj shqiptarëve për dekada të tëra në Kosovë. Ky do të ishte fillim i mirë për negociata”, shtoi zoti Gjonaj.

Ndër të tjera, zoti Gjonaj tha se Kosova nuk ka partner më të madh se SHBA-të sikurse Shtetet e Bashkuara nuk kanë miq më të mëdhenj se shqiptarët, miqësi kjo që ka nisur dekada më parë.

Vizita e fundit e senatorëve amerikan, Chris Murphy dhe Ron Johnson, sipas tij është dëshmi e vazhdimit të angazhimit të SHBA-së për çështjen e Kosovës.

Terror në katër breza – Persekutimi i familjes së Prenk Pervizit, gjeneralit që nxori Zogun jashtë kufijve më 7 prill – Nga Lek Pervizi

Lek Pervizi është një nga të mbijetuarit e Tepelenës. Ai jo vetëm e ka rrëfyer me fjalë jetën në atë kamp të tmerrshëm, por edhe ka përjetësuar atë përmes skicave. Sot, kur në Tepelenë kanë mbetur vetëm ca mure të rrënuara, e njohim kampin e vdekjes, vetëm falë vizatimeve të Lekës.

Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit ka ribotuar librin me dëshmi të të shpëtuarve të këtij kampi pune “Kampi i TepelenësDëshmitë e të mbijetuarve”.

 

Një botim, si pjesë e projektit “Përkujtojmë për të shëruar dhe parandaluar”. Ndër dëshmitarët janë Simon Mirakaj, Fatbardha Saraçi, Kurt Kola, Gjele Gjikola etj. Mes tyre është edhe Lekë Pervizi. Këtë herë nuk na tregon ditët në Tepelenë, por kalvarin e gjithë fisit Pervizi. Janë 23 të pushkatuar e të vdekur burgjeve dhe 7 shekuj dënime e internime të bëra bashkë, për të gjithë pjesëtarët e familjes.lek

GJENERAL PRENK PERVIZI

Fisi i vjetër e fisnik i Pervizit të Skurajve të Kurbinit ishte një fis i njohur e shumë i rëndësishëm, me besim katolik. Rrënjët e tij dallohen qartë që nga koha e qëndresës heroike kundër pushtuesit turk, në periudhën e Gjergj Kastriotit, të cilit i ndenji përkrah gjithë kohën e luftërave. Ishte kjo rrënjë e lashtë patriotizmi arsyeja kryesore përse fisi i Pervizit u persekutua nga turqit, dhe një pjesë u shpërnda e u largua nga vendi, deri dhe përtej detit, në Venedik apo në Pulje të Italisë.

Vite më pas, fisi e mori veten përsëri dhe u bashkua me lëvizjen e Rilindjes kombëtare, ku shquhet i pari i fisit, Gjin Pjetër Mark Pervizi i Skurajve, që i priu në ballë luftës antiosmane të Kurbinit e Krujës, me një qëndresë të armatosur deri në shpalljen e Pavarësisë. Pikërisht me 28 Nëntor 1912, në mëngjes ai ngriti Flamurin Kombëtar në Milot, me 300 e ca luftëtarë vendas, duke mbajtur pranë nipin 15-vjeçar, Prenk Pervizin, që do t’ishte pasardhës i denjë i tij. Prenk Pervizi, i datëlindjes 4 Maj 1897, kreu shkollën e mesme në Shkodër më 1914, dhe Akademinë Ushtarake në Vienë më 1918, dhe hyri në shërbim të Ushtrisë shqiptare si komandant operacionesh për dëbimin e serbëve dhe qetësimin e vendit nga bandat grabitëse dhe rebelizmi politik.

Dallohet në të gjitha detyrat e ngarkuara. Përkrahu Zogun, me të cilin kishte lidhë miqësi qysh në Vjenë, dhe i qëndroi pranë që nga fillimi deri në fund të Mbretërisë, duke ia zgjidhur të gjithë situatat kritike që rrezikonin atë vetë dhe shtetin e ri shqiptar. Më 1929-1934, vijoi e kreu Shkollën e Luftës në Torino, shkolla më e lartë ushtarake, e u gradua kolonel.

U ngarkua me misione përfaqësimi ndërkombëtar në Luftën e Abisinisë (1935-1936) e në Manovra ushtarake në Itali e gjetkë. Me ngjarjet e 7 prillit 1939, kur sulmoi Italia fashiste, i pa njoftuar nga askush veç nga radiot e huaja, vendosi të organizojë luftën popullore. Por i doli detyrë të mbrojë e të përcjellë mbretin në Greqi, e me urdhër të të cilit u rikthye në Shqipëri.

Në kohën e pushtimit qëndroi në dispozicion. Kur Ushtria shqiptare u përfshi në Luftën ItaloGreke, mori qëndrim dhe urdhëroi braktisjen e frontit nga Ushtria shqiptare, veprim prej të cilit italianët pësuan një disfatë të madhe, dhe më pas, nga frika e incidenteve të tjera më të rrezikshme, e hoqën Ushtrinë shqiptare nga fronti, kurse Prenk Pervizin e izoluan në Pukë. U gradua gjeneral me qëllim të zbutjes së acarimit për shkak të frontit grek, gradim formal pa rol komandues.

Aprovoi vendimet e Mbledhjes së Mukjes. Më 8 Shtator 1943, kur kapitulloi Italia, mori dorëzimin e komandës italiane nga gjenerali Dalmazzo, dhe më shtator 1943 u emërua ministër i Mbrojtjes me gradën Gjeneral Divizioni. Nuk e njohu lëvizjen e ashtuquajtur nacional-çlirimtare, duke e ditur se udhëhiqej nga komunistë të lidhur me politikën jugosllave e ruse.

U përpoq të organizojë ushtrinë kombëtare shqiptare, por gjeti kundërshtim nga gjermanët. Iu kushtua përforcimit të frontit të luftës antiserbe në Kosovë, ku shkoi vetë disa herë, për organizim, me qëllim që mbarimi i luftës ta gjente Kosovën të bashkuar me Shqipërinë. Me kundërvënien e Prenk Pervizit ndaj gjermanëve, këta nuk mundën të krijonin trupa SS në Shqipëri, por nuk lejuan që të krijohej Ushtria efektive shqiptare nën komandën e gjeneral Prenk Pervizit.

Kundërshtar i vendosur i komunizmit, qëndroi dy vjet në mal, me shpresën të organizonte një qëndresë të armatosur, në bashkëpunim me nipin e tij Mark Gjomarkun, e me t’arratisurit e tjerë. Kështu, në shtator 1946 u arratis në Greqi, me një aksion të guximshëm personal që mori përmasa legjendare, për strategjinë dhe guximin që u krye.

Kaloi në Itali ku i propozuan t’ia njohin gradat dhe t’i japin detyra të larta në Ushtri, me kusht që të merrte nënshtetësinë italiane, gjë që ai nuk e pranoi. U largua për në Belgjikë ku u bashkua me miqtë e tij të vjetër, Muharrem Bajraktarin e të tjerë patriotë. U sëmur befasisht dhe vdiq më 6 shtator 1977. Gjithë mërgata shqiptare e Belgjikës dhe Francës e përcollën duke e nderuar dhe e varrosën në parcelën e heronjve. Jeta e tij shpreh dramën dhe tragjizmin e një jete që iu kushtua krejtësisht çështjes kombëtare, nga fillimi deri në fund. Për këtë përkushtim ndaj çështjes kombëtare, regjimi komunist dënoi dhe persekutoi përjetësisht familjen dhe të gjithë rrethin e tij familjar, fisnor e miqësor.

Mosrikthimi i pronave dhe mosnjohja e shkatërrimeve që shkaktoi qeveria komuniste, mosshpërblimi i viteve të dënimeve të familjarëve që e kaluan gjithë jetën në kushte skëterre, ky ishte shpërblimi ndaj një figure madhore të historisë së Shqipërisë dhe përfaqësues i një familjeje të madhe, të përmendur e të nderuar. Të gjitha familjet e tjera të mëdha që kishin dhënë kontributin e tyre gjatë shekujve në mbrojtjen e atdheut dhe në fitoren e Pavarësisë pësuan të njëjtin fat nga diktatura sllavo-komuniste që sundoi në Shqipëri një gjysmëshekulli sa për 500 vjet të pushtimit turk, por edhe më e egër e antikombëtare.

Prenk Pervizit

TERRORI KOMUNIST MBI FAMILJEN E PRENK PERVIZIT

Fillimisht brigadat komuniste morën urdhër të lëshuar nga vetë diktatori Enver Hoxha për të sulmuar drejt Veriut të Shqipërisë, duke vrarë, djegur e pjekur. Këto brigada, në shembullin e hordhive barbare të Mesjetës së hershme, sulmuan në Laç të Kurbinit, ku, në mesin e shtatorit 1944, dogjën shtëpinë e Gjeneral Prenk Pervizit me gjithçka kishte brenda.

Kjo shtëpi ishte goditur më parë disa herë edhe prej gjermanëve me artileri. Djegia përfshiu bashkë me sende me vlerë antike e artistike, edhe dokumente të rëndësishme shekullore të familjes dhe të historisë së krahinës e të Shqipërisë. U plaçkitën pasuritë dhe gjëja e gjallë, si dhe u konfiskuan të gjitha pronat tokësore. Ditën e vdekjes së Skënderbeut, më 17 janar 1945, sulmuan edhe në fshatin historik të Skurajt, ku dogjën tri palë ndërtesa të tjera që njiheshin si “Kullat e Gjin Pjetër Pervizit”, udhëheqës popullor, patriot e luftëtar i shquar, të djegura dy herë rresht prej turqve dhe që u dogjën kësaj here për së treti nga barbarët e kuq sllavo-ruso-shqiptarë.

A ishte rastësi data? Njëra nga kullat ishte e Prenk Pervizit, dy të tjerat të kushërinjve që u përfshinë gjithashtu në valën e persekutimit. Burrat kishin marrë malin për të mbrojtur lirinë si dikur të parët e tyre përkrah Skënderbeut. Familjet e tyre u internuan bashkë me familjen e Gjeneralit, e disa prej tyre vdiqën në kushtet e internimit. Të tjerë u vranë e u pushkatuan. Njëkohësisht, në Tiranë u konfiskua shtëpia-vilë dhe dy troje në qendër të kryeqytetit etj., që nuk i janë kthyer akoma të zotëve.

Ky ishte terrori komunist mbi familjen dhe fisin e Gjeneral Prenk Pervizit, për ta shfarosur përfundimisht këtë familje si një nga kolonat e kombit shqiptar, me rrënjë të thella shekullore, lidhur me emrin fisnik prestigjioz të Skurajve e hynte në radhën e familjeve të mëdha të mbetura me dëshmi të dokumentuara në historinë e Shqipërisë e të kombit shqiptar, familje që provonin autoktoninë e kombit dhe luftën e pashterur të shqiptarëve për liri. Më poshtë jepet një pasqyrë e detajuar për persekutimin e anëtarëve të familjes dhe të fisit me vitet e dënimeve faktike, të kaluar në gjendje dënimi, në kundërshtim me dokumentet e zyrave shtetërore, që tallen me fatin e atyre që sakrifikuan gjithçka për atë liri dhe demokraci që iu kthyen pas një gjysmëshekulli shqiptarëve.

Pjesëtarë të familjes që u dënuan me burgje e internime, ku disa vdiqën dhe të tjerët e kaluan gjithë jetën në dënime. Mrika Pervizi, nëna e Gjeneral Prenk Pervizit, 5 vjet internim, internuar në Berat e Tepelenë në 1945-1950; vdiq në internim në 1950 në moshën 90-vjeçare. Nuk i gjendet varri. Nënë Mrika ishte nga ato gra, që, si nga familja ku lindi ashtu tek ajo që u martua njohu luftën kundër turqve dhe qëndresën e Kurbinasve me Gjin Pjetër Pervizin e Skurajve në krye. Qëndroi pranë luftëtarëve në rrethimin e Skurajt, për t’i furnizuar me municione, ushqime dhe kujdesur për të plagosurit. Turqit i kishin djegur edhe shtëpitë prindërore kur ishte vajzë më 1881. Dëshmitare e gjallë e asaj kohe heroike, e nderuar dhe e respektuar prej të gjithëve, si në jetën e lirë ashtu edhe në kushtet e kampit të Tepelenës ku vdiq si martire e lirisë.

Prena Pervizi, 32 vjet internim. Një grua me ndjenja të larta patriotike, që përballoi me krenari si jetën e lirisë, ashtu edhe atë të dënimeve ndër kampet e internimit, veçanërisht të Beratit, Tepelenës e Porto Palermos ku ishte mbyllur, bashkë me dhjetëra familje të mëdha e me mijëra të internuar të tjerë. Kurajoze dhe e vendosur, ishte mbështetja morale e gjithë grave e vajzave të reja, që diktatura kishte pllakosë në ato rrathë skëterrore, ku disa prej tyre lanë jetën ose u mplakën pa krijuar familje dhe ku, një pjesë e tyre, humbën fëmijët që vdiqën aty prej vuajtjeve, mjerimit e sëmundjeve, viktima të pafajshme.

Valentin Pervizi, 47 vjet burgim-internim, djali i madh i Preng Pervizit, oficer, kishte kryer studime akademike në Itali, në periudhën 1927-1942; I burgosur në Shkodër, 1944-1946; internim, në Berat, Porto-Palermo, Tepelenë, Çorovodë, Lushnje 1946-1954; Izolim në kampet e Shtyllasit të Fierit e Kuçit të Vlorës, 1954-1958; Internim në Gradishtë të Lushnjës, 1958- 1991. Pas 47 vjet, bashkohet me të shoqen në Bolonja të Italisë, ku jeton e vdes më 1999.

E shoqja, Gorizia Manini, vdes më 2004. Nuk patën fëmijë. Një shpresë e ardhme e Ushtrisë shqiptare, oficer i dalë nga shkollat ushtarake dhe akademitë e Italisë për t’i shërbyer atdheut, por që shteti komunist nuk ia njihte meritat, si shumë të tjerëve, kolegë të tij, dhe e degdisi në burgje e kampe për 47 vjet rresht, duke e ndarë edhe nga gruaja italiane po për aq kohë. I sprovuar në luftë kundër gjermanëve në mbrojtjen e Romës, ku ishte caktuar me detyrë si komandant reparti tankist. Në tetor 1944 u kthye në Shqipëri për t’i shërbyer vendit; në dhjetor 1944, u arrestua e u burgos, dhe nuk doli më nga ajo gjendje dënimi, burgu e internimi për 47 vjet. Shembull qëndrese në ato kondita dënimi, e frymëzues i të rinjve për t’i bërë ballë terrorit e torturave të diktaturës. I pamposhtur gjithmonë, u jepte zemër të tjerëve si një hero i vërtetë i asaj qëndrese e lufte të heshtur kundër ideologjisë shtypëse të atij regjimi totalitar e kriminel.

Genc Pervizi, 43 vjet burgim-internim, djali i mesëm i Preng Pervizit, aviator, arsimuar në Itali (1929-1944); U burgos në Tiranë e më pas në kampe pune për 10 vjet, 1947-1957; u internua në Savër e Gradishtë të Lushnjës më 1957 deri 1989, ku edhe vdiq. Edhe Genci studioi e u formua në Itali ku kreu shkollën e aviacionit në Forli, më 1943. I përfshirë në valën e terrorit komunist, u arrestua dhe u dënua 10 vjet me burg, pasi kaloi disa muaj hetuesi të tmerrshme. Edhe më pas, ai nuk njohu asnjë ditë lirie, sepse gjithë jetën e kaloi i internuar në kampin e Gradishtës së Lushnjë tok me familjen Pervizi plot 33 vjet, gjersa vdiq. Ky djalë me kulturë, por edhe trim, mori pjesë në organizimin e arratisjes së të atit, Gjeneral Prenk Pervizi, me mençuri e vendosmëri të pashoqe. Edhe pse u torturua, qëndroi i pathyeshëm dhe i vendosur, si një shqiptar i mirë dhe si një pinjoll i një familje fisnike e patriote, që kishte dhënë prova të lavdishme qëndrese kundër pushtimit turk, ashtu si edhe kundër regjimit komunist.

Albina Pervizi, 40 vjet internim, e shoqja e Gencit. E bija e Major Llesh Marashit, ekzekutuar me varje në Shkodër. Internuar në Berat në vitet 1945-1946, pastaj në Fier në vitet 1952-1958 e në Gradishtë në vitet 1958-1991. 156 vitet e dëbimit të fëmijëve: Që në moshën fare të re internohet në Berat, më 1945 dhe, më vonë, në Fier e Gradishtë të Lushnjës, si vajzë e Majorit Llesh Marashit dhe si e reja e Prenk Pervizit. Duke qëndruar gjithmonë e vendosur dhe duke u përballuar me sakrifica e mundime të mëdha tërë jetën për rritjen e fëmijëve në ato kondita të mjerueshme. Babain ia vranë. Një vëlla, dënuar me 20 vjet burg, vdiq sakat me këmbë të prera. Një tjetër vëlla ia vranë në Paris agjentët e sigurimit. Çifti pati gjashtë fëmijë, dy vajza e 4 djem, lindur e rritur në kampin e internimit të Gradishtës. Ato kaluan pas ‘91 në Amerikë dhe jetojnë në New York.

Lek Pervizi, 40 vjet burg internim, djali i vogël i Preng Pervizit, mbaruar shkollën fillore e të mesme në Romë në periudhën 1936-1944; i dëbuar më 1945-50. Internuar në Porto Palermo, Tepelenë, Lushnjë, 1950-1954; Izoluar në Shtyllas të Fierit e Kuç të Vlorës, 1954-1958; Internuar në Gradishtë e Pluk të Lushnjës, 1958-1990. I përfshirë që në moshën 15-vjeçare në valën e terrorit komunist, fillimisht mbeti në Tiranë. I përjashtuar nga të gjitha shkollat, me prishjen me Jugosllavinë, arriti të futet me konkurs në Liceun artistik, më 1948, ku menjëherë u dallua për talentin e tij të spikatur. Por, kështu nuk mendonte as partia e as qeveria dhe më 1950 arrestohet, e pasi kalon birucat e sigurimit, degdiset e mbyllet me gjithë vëllanë e madh, Valentinin, në burgun-kala të Porto Palermos. Pastaj në kampin e Tepelenës dhe në Kuç të Kurveleshit, ku ishin izoluar elita e mbetur gjallë e intelektualëve të fundit shqiptarë të paraluftës. Kaloi gjithë jetën në internim deri më 1990, duke u shquar për qëndresë. Dallohet, ndonëse i dënuar, si piktor e poet i ndaluar. Lek Pervizi është nga dëshmitarët e rrallë, është piktori që vuajti internimin në kampin e Tepelenës dhe që me talentin e tij skicoi planimetrinë e kampit të Tepelenës, tablo-skica të mjedisit të brendshëm të kampit dhe të të internuarve, disa tablo për ngjarjet e rënda të ndodhura në kamp realizuar drejtpërdrejt aty, duke i kthyer ato në një instrument të së vërtetës së hidhur të krimit komunist të mbuluar për vite e vite në Tepelenë. Ky fakt, që piktori ka qenë i pranishëm, pra, bashkëvuajtës dhe që skicat-tablo janë realizuar drejtpërdrejtë kur ka ndodhur ngjarja, ka vlerë të jashtëzakonshme, sepse ato luajnë rolin e fotografisë së kronikës apo filmimit që nuk mund të ishin të pranishëm. Tablotë–skica të piktorit, Lek Previzi, janë një dokument unikal në shkallë kombëtare e ndërkombëtare, që nxorën në dritë kampin e tmerrshëm të Tepelenës. Pasi përfundoi mbylljen në kampe, ai vijoi internimin në fushat e Myzeqesë, në Pluk të Lushnjës, ku u martua, në 1965, me një vajzë gjithashtu të internuar, Gjuliana Malaj, nga Vermoshi, ish fëmijë-foshnje e kampit të Tepelenës, të cilën, për faktin se shpëtoi për mrekulli nga vdekja, e mbiquajtën dhe vazhduan ta thërresin Beba,- ndër të rrallat bebe që i shpëtoi vdekjes që kositi njëherësh shumë foshnje të tjera.

Gjuliana Pervizi, 42 vjet internim–dëbim, e shoqja e Lekës. E bija e Nikoll Prek Malaj, i arratisur politik jashtë shtetit më 1948; Internim në kampin e Tepelenës, nga 1948-1954, në Plug të Lushnjës, internim dëbim, në periudhën 1954-1990. 72 vitet e dëbimit të fëmijëve: Pas kampit të Tepelenës, ku Gjuliana ishte një nga fëmijët që i shpëtoi vdekjes dhe për këtë arsye e mori emrin Beba, ajo e kaloi gjithë jetën në Pluk të Lushnjës, ku ishte internuar me të ëmën. Aty u martua me Lek Pervizin, duke siguruar përfundimisht dënimin e saj deri më 1990, vit që shënoi rënien e diktaturës, fillimin e demokracisë dhe kur u mundësua që ajo të largohet familjarisht për në Belgjikë. Gjatë asaj kohe, pësoi edhe një demaskim e gjyq para popullit, ku vërtet i shpëtoi burgut, por u damkos me epitetin armike (!). Çifti pati tre fëmijë, djem, lindur e rritur në kampin e Plukut deri më 1990, kur u larguan për në Belgjikë.

Zorka Malaj, 21 vjet internim, nëna e Gjulianës, vjehrra e Lek Pervizit, internuar me të bijën në Berat e Tepelenë nga 1948-1954, për arratisjen e burrit të saj, Nikoll Malaj. Internuar në Pluk të Lushnjes në vitet 1954-1969; dëshmitare e tmerrit të kampit të Turanit ku vdiqën 33 fëmijë në një natë, e shumë të tjerë, pothuaj gjithë fëmijët e shoqeve te saj nga Vermoshi. Duke mosrezultuar me nënshtetësi shqiptare, por malazeze, familja dhe vëllai i të shoqit(i dyti, vdekur në Pluk) arritën ta tërheqin dhe kështu u largua nga Shqipëria për në Mal të Zi, ku kishte prindërit, në 1969 dhe pastaj në Belgjikë, ku kishte vjehrrin e vajzës së saj, Gjeneral Prenk Pervizin. Por 21 vjet i kaloi në kushte internimi.

Shuma e përgjithshme e dënimeve, për gjithë familjen dhe fisin e Gjeneral Prenk Pervizit arrin në 750 vjet, shtatë shekuj e gjysmë!

Vitet e dënimeve, ku përfshihen ato të burgjeve, të internimeve dhe të dëbimeve janë si më poshtë: 482 vjet dënime me burgje, internim e dëbim vetëm për trungun familjar të Gjeneral Prenk Pervizit. Kushërinj e nipa të Gjeneral Prenk Pervizit, të vrarë, pushkatuar e vdekur në burgje për arsye politike e qëndrese të vendosur antikomuniste, luftëtarë e dëshmorë të lirisë janë si më poshtë:

Zef Gjok Pjetri vrarë nga Sigurimi i Shtetit më 1946. Pjetër Mark Pjetri pushkatuar nga partizanët më 1945. Ndue Pal Gjini vrarë nga Sigurimi më 1952. Gjin Pal Gjini vdekur në Tepelenë më 1951. Nikoll Pal Gjini vrarë nga UDB në Prishtinë më 1950. Ndue Gjergj Lleshi vrarë nga Sigurimi më 1951. Mhill Gjergj Lleshi pushkatuar në burgun e Tiranës më 1949. Preng Llesh Gjergji vrarë nga Sigurimi më 1952. Zef Hyseni vrarë nga Sigurimi më 1951

Të gjitha familjet e këtyre, gra e fëmijë, pleq e plaka, u mbajtën në internim në kampin e Tepelenës deri në vrasjen e burrave, nga 1945 deri 1952, por edhe në vazhdim, të persekutuar egërsisht në krahinën e tyre.

Pavarësisht nga mbiemrat e ndryshëm, ata i përkasin fisit Pervizi. Janë burgosur edhe disa kushërinj të tjerë 10-12 veta, me afro 40 vite dënime. Pati dhe dy gra e dy fëmijë të kushërinjve që vdiqën në kampet e Beratit e të Tepelenës. Shuma e përgjithshme e dënimeve, për gjithë familjen dhe të fisin te Gjeneral Prenk Pervizit arrin në 750 vjet, shtatë shekuj e gjysmë!

Viktimat e vërtetuara janë 23 vetë, të vrarë, pushkatuar e vdekur në burgje e kampe, prej tyre pesë gra e pesë fëmijë. Këto fakte jetësore të familjes së Gjeneral Prenk Pervizit, janë dëshmi e saktë për egërsinë, barbarinë dhe urrejtjen antishqiptare e antikombëtare me të cilën regjimi enverist komunisto-sllavist goditi një nga familjet shekullore atdhedashëse e kombndërtuese shqiptare.

Me të njëjtën egërsi, regjimi enverist komunisto-sllavist goditi të gjitha familjet veriore dhe familjet e tjera që u internuan, duke u trajtuar si «armiq të popullit» pikërisht ata që ishin thelbi i kombit dhe i atdhedashurisë. Dëshmoi Lek Pervizi, djali i vogël i Gjeneral Prenk Pervizit, i mbijetuar, sot 89 vjeç, në kuadrin e njohjes së krimeve të komunizmit dhe krimet e bëra mbi familjet e mëdha të Shqipërisë, ndër të cilat ajo e Pervizit, është nga më të masakruarat.

Lek Pervizi, Bruksel, më 20 korrik, 2018