Mihal Luarasi, dramaturg dhe regjisor, një emrat që kanë zënë në vend nderi në teatrin shqiptar, shprehet se jeta artistike përballet me shumë probleme kur flitet për skenën e teatrit. Për dramaturgun e njohur, i cili në skenë e teatrit ka marrë vlerësime me veprat që mbajnë emrin e tij, përgjegjëse për këtë është klasa politike në vend. Në intervistën dhënë për gazetën, regjisori i njohur pohon se ndërsa e shikon me probleme jetën artistike që zhvillon teatri, vëmendja e munguar ka bërë që dhe drama shqipe të mos ketë hapësirat e duhura në skena. Sipas dramaturgut Luarasi, mënyra e vetme për të ndihmuar autorët shqiptarë është që të vihen pjesët teatrore në skena. Problem sot për teatrin, dramaturgu i shquar shikon dhe ndërtimin e teatrit të ri kombëtar, ku sipas tij vendi ku është menduar të zhvendoset TK nuk është i denjë për një institucion të tillë.
Jeni një nga dramaturgët dhe regjisorët e njohur të teatrit në vend. Për vite me radhë keni dhënë një kontribut të madh në teatër, por si e shikoni sot, si po zhvillohet ai?
Ka dy aspekte të teatrit sot. Aspektin e nivelit të krijimtarisë, që paraqitet në skenë, dhe aspektin tjetër frekuentimi, sa është i interesuar publiku për të shkuar në teatër. Të dyja këto aspekte janë në krizë, si cilësia e shfaqjeve që bëhen, si dhe niveli i kërkesave për të shkruar në teatër. Nëse do të flisnim për Teatrin Kombëtar, drejtori bëri një gjest para disa kohësh që uli dhe çmimin e biletës. Por tek ne çmimi i biletës së teatrit është kaq i ulët sa nuk ka vend në botë, që ta ketë këtë çmim. Ndaj ajo ulje çmimi nuk mendoj se ishte e mirë, as gjest i vlefshëm paçka menduan se pas asaj ulje u shtua publiku. Unë nuk mendoj, që shqiptarët tani do shkojnë më shumë në teatër nëse ti e bën 5 lekë biletën? Ata njerëz që janë të interesuar për të parë teatër nuk kanë për të pasur mendjen tek ai çmim, që është shumë i ulët. Nuk ka lidhje me çmimin, bëje dhe falas po të duash. Ata që vijnë, ata do vijnë. Frekuentimi është më rëndësi për teatrin, por kjo është dhe difket i propagandës teatrore.
Pse e shikoni këtë si difekt të propagandës, që bëhet mbi teatrin?
Nuk kemi sot propagandë teatrore. Sa shkolla të larta ka Tirana?Ka shumë. Teatri duhet të ketë pikën e tij të reklamimit në çdo oborr shkolle, të afishohen në oborre se çfarë ka teatri për të shfaqur në skena. Të kenë dhe në oborre të shkollave një gjë të bukur, një gjë që tërheq, dhe me këtë tregojmë se jemi një vend i kulturuar.
Bëhen shfaqje sot në teatro, por diskutimi mbi vlerat e tyre duket se ndjen mungesën e kritikës?
Gabim që në teatrin tonë sot mungon kritika teatrore. Shfaqja nuk gjykohet vetëm me shitjen e biletave, por nga niveli i saj. Nuk mund të them, që në teatrin tonë janë bërë shfaqje rrallë të mira, por ka pasur dhe shfaqje shumë të mira. Po ku është kritika teatrore sot? Kritika është ajo që i jep zemër regjisorëve, aktorëve, teatrit se ka punuar mirë.
Keni reaguar jo pak mbi mungesën e dramës shqipe, sipas jush nuk e plotëson vetëm dramaturgjia e huaj Teatrin Kombëtar. Reagimi juaj erdhi kur u bënë të diturat dhe premierat që do të ishin në sezonin artistik?
Teatrin e drejton drejtori. Bordi për mendimin tim është këshillues, drejtori është drejtor teatri. Ai e drejton teatrin, jo bordi. Bordi jep këshilla dhe shfaq mendime. Drejtori është përgjegjës për teatrin, edhe për repertorin. Se kuptoj se si në një Teatër Kombëtar mund të kalojë sezoni artistik me gjashtë premiera të huaja? Si mund të jesh Teatër Kombëtar pa dramaturgji shqiptare
Gjithsesi është një vepër shqiptare që është pohuar do kalojë në një proces laboratori dhe do jetë në skenë?
Janë dëngla. Ma tha dhe një anëtar i bordit, që morëm një vepër që është e ndreqshme? Por duhet të kuptojnë që ky është Teatër Kombëtar shqiptar, dhe ky është niveli i dramaturgjisë shqiptare. Teatri do të marrë më të mirën e këtyre veprave shqiptare, por jo që nuk ka të mira? Me çfarë peshe i mat, me demagogjinë e botës? Teatri duhet të vërë në skenë më të mirën e asaj shqiptares që shkruhet sot. Unë nuk jam në bord dhe nuk e di mbi çfarë kriteresh gjykojnë dramaturgjinë shqiptare, por për mua dramaturgjia shqiptare duhet gjykuar me kriteret e veta. Nuk mund të thuash, që këto vepra nuk bëjnë, sepse asnjë nuk ngjan me dramat që bëhen në Angli apo Francë? Jo, kjo është dramaturgjia shqiptare, më të mirën prej tyre vëre në skenë.
Në gjykimin tuaj, si i shikoni aktorët sot në teatër?
Nuk mund të dalin cilësitë e aktorit pa dramaturgji, pa vepra që të luhen në skenë? Spiro Duni bëri një shfaqje shumë të mirë titulluar “Udhëtimi i gjatë drejt natës”. Ishte shumë e mirë nga ana e regjisë, sepse dhe vepra është kryevepër. Por çfarë u bë? Aty dolën dhe aktorë të mirë, pati rezultate ajo shfaqje, por pse u mbyll në heshtje shfaqja? Teatri Kombëtar me ligj është teatër repertori. Nuk është teatri, që të vëmë një pjesë, e shfrytëzojmë disa herë dhe pastaj ikën kjo marrim një vepër tjetër.
Po teatrot sot në rrethe?
Unë jam në kontakt dhe më pëlqen, që është një teatër tjetër, që është në nivel kombëtar në kuptimin e aktivitetit, teatri i Korçës, që bën shfaqje me nivel. Vë vepra shqiptare në skenë dhe të huaja dhe bravo i qoftë, vë pjesë në skenë, por bën dhe turne me shfaqjet teatrore. Por ndërsa kemi rast që ka aktivitet teatri, mos harrojmë që ka teatro që kanë pak aktivitet.
Po flisni mbi dramën shqipe, por si i shikoni politikat e Ministrinë e Kulturës?
Unë jam takuar me ministren e Kulturës, dhe i tregova problemin, që është e domosdoshme që teatri shqiptar ta ketë rregull nga ministria, që nëse vë dy pjesë, një shqiptare një e huaj. Por më tha që nuk mund të detyronte teatrin që të bëhej kjo. Më vjen keq nga kjo, pasi ministria mund të ndikojë që teatrot të rregullojnë raportin e veprave që vënë në skenë, mes atyre shqiptare dhe të huaja.
Duke mos u vënë vepra në skenë, kjo sjell dhe probleme me autorët?
Mënyra e vetme për të ndihmuar dramaturgët shqiptarë është që të vihen pjesët teatrore në skena. Nëse do të jetë kjo vëmendje, do të ketë dhe dramaturgë edhe drama të mira.
Ndërkohë që Ministria e Kulturës ka çelur tashmë tenderin për rikonstruksionin dhe ndryshimi i destinacionit të ish laboratorit hidraulik në “Qendër arti – Skena e re”, ku do të zhvendoset dhe Teatri Kombëtar. Por ju e keni kundërshtuar këtë që në fillim?
Që ditën që u shpall kjo gjë, që u bë e ditur që është gjetur një vend ku do të zhvendoset teatri, unë mora një makinë dhe shkova për ta parë vendin. Ai vend është një shkretëtirë, atje nuk të vjen njeri, është larg, është një absurditet, një mosnjohje profesionale e atyre që i vendosin këto gjëra. Sa i takon ndërtimit të teatrit, ka vetëm mendime. Edhe unë kam dhënë mendime. Të ndërtosh një teatër të ri kombëtar, është një mrekulli, por teatri kombëtar e ka vendin në qendër të Tiranës jo në fund të saj. Ato mjedise që do ti rikonstruktojnë mund ti bëjnë për çfarë të duan, por jo për teatër kombëtar. Nuk mund të merret një vendim për teatrin, duke e çuar në atë vend pa një konsultim të gjerë, duhet të ishin mbledhur 7-8 specialistë të teatrit. Kur flasim për teatrin, nëse do të ndërtohet një teatër i ri kombëtar le të ndërtohet dhe në atë vend që është sot.
Ju dhe emra të tjerë të teatrit kanë vite që flasin për probleme dhe gjendjen e tij, për ju situata nuk ka ndryshim?
Nuk e kisha menduar që në kaq vite do të flitet për teatrin dhe nuk do bëhet asgjë. Para viteve ’90 aktiviteti teatror ishte më i organizuar, ishte më mirë edhe pse në diktaturë. Teatri ishte në një tjetër nivel në atë kohë, sepse dhe organizimi ishte tjetër. Në ato vite në çdo teatër të vendit nëse krijohej një shfaqje e re, ajo do të shfrytëzohej anembanë Shqipërisë. Do të qarkullonte në gjithë qytetet, që kishin skena. Sot kemi skena, por nuk ka buxhete dhe organizim për teatrin.
Herë pas here keni reaguar dhe ndaj klasës politike, keni pohuar se nuk ka vëmendje mbi teatrin?
Do ju tregoj një ngjarje. Ish presidenti Rexhep Meidani bëri një thirrje disa vite më parë. Një thirrje për të mbledhur kontribute për ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar. U mblodhën të gjithë në sallën e TK, financierë, njerëz me poste, persona me mundësi financiare për të kontribuar. Ishte thirrja fantastike prej tij. Kryeministër ishte Fatos Nano. Në atë takim filluan të marrin angazhime njerëzit me kontribute për ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar. Duke dalë, dhe kam qenë vetë prezent aty, ish kryeministri Nano iu drejtua njërit që ishte aty dhe kishte marrë angazhimin për të dhënë kontribut të madh për teatrin, dhe i tha: po ti, yt atë ti ka lënë paratë që po merr angazhim për të dhënë para për teatro”. Kështu u prish fushata, u prish gjithçka. Ndaj politikanët se kanë qejf teatrin, por këtë nuk e them për të gjithë. Pse ka nga ata që se kanë qejf? Sepse nëse teatri do të jetë i vërtetë do të dominojnë pjesët shqiptare, pjesët vendase. Teatri duke vënë drama shqiptare do të trajtojë probleme të vendit, dhe politikani nuk ka qejf që ti trajtojë teatri problemet, sepse teatri i ka me spec shqyrtimin e problemeve. Por më vjen shumë keq që sot teatrin në vend e shikoj me kaq shumë probleme. Nuk duan ta bëjnë teatrin sot, nuk janë njerëz të aktiviteteve, por sigurisht që teatri kërkon para sot. E kam thënë më parë, në kohën e diktaturës kishte para për të bërë teatër, por nuk kishte liri. Sot kemi liri, por nuk ka para.
Kur flisni mbi dramën shqipe, sa është sot dëshira e regjisorëve për ta vënë në skena?
Është pak e hidhur kjo gjendje për regjisorët. Nuk e duan shumë dramën shqipe, sepse janë dy arsye. E para, regjisori është në aleancë me drejtorin e teatrit, pasi ai nuk mund të bëjë shfaqje pa teatër. Nëse është vepër shqiptare që është aktuale, është si themi ne me spec, por kjo nuk pëlqehet. Ndërkaq që dhe regjisori thotë, ç’më duhet mua të merrem me vepër shqiptare, pasi ajo do punë të madhe. E kam thënë dhe më parë, regjisorët sot nuk janë të aftë të zhvirgjërojnë një vepër të pavënë në skenë, ndaj kapen me ato vepra që kanë zhvirgjëruar të tjerët, vepra që janë vënë më parë në skenë. Janë vepra të regjistruara, hapin internetin dhe i shikojnë të gjitha, i kanë të gatshme shfaqjet.
Vepra juaj e fundit në skenë ka qenë drama “Përjetësisht dashuria….”, me aktoren e madhe Drita Pelinku. Shkruar dhe me regjinë tuaj si dhe nën interpretimin e aktores së madhe vepra mori shumë vlerësime?
Gjynah që na u largua nga kjo botë aktorja Drita Pelinku, ishte një shfaqje fantastike, fatkeqësisht nuk arriti as të filmohet. Një vepër kur ka aktualitet, ajo gjithmonë tërheq publikun.
Folët mbi problemet që has sot teatri, por si po kalojnë ditët e vjeshtës për ju?
Unë lexoj shumë, shkruaj, me këto merrem.
Keni menduar një tjetër projekt në teatër?
Sigurisht që unë kam projekte, por çdo gjë ia lemë kohës.
Intervistoi: Julia Vrapi
Komentet