VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Meta poston foton me kryeministrin dhe sqaron “Ramaformën”: Timonieri ynë ka timon por s’ka frena

By | July 3, 2019

Komentet

Sali Berisha:Jam me Ramushin ! Zografi bis & Miladini shqipfoles Baton Stanishiqi festojne sonte doreheqjen e Kryeministrit Ramush Haradinaj!

Pas dorëheqjes të kryeministrit të Kosovës ka reaguar edhe Sali Berisha në rrjetin social. Ja çfarë shkruan:

“Nje akt shtetar dinjitoz!

Miq, sot Kryeministri i Kosoves, Ramush Haradinaj dha doreheqjen pasi thirret per t’u intervistuar nga Gjykata Speciale e Hages.

Duke shprehur vleresimin tim per aktin e tij prej shtetari te vertet shtoj ketu se kjo eshte hera e dyte qe z. Ramush Haradinaj jep ne menyre dinjitoze doreheqjen si Kryeminister i Kosoves dhe hera e trete qe ai paraqitet para Gjykates se Hages ne pergjigje te thirrjes se drejtesise nderkombetare. Ne dy rastet e mepareshme ai eshte gjetur i pafajshem. Komandant trim qe luftoi me heroizem kunder pushtuesve dhe ndihmoi dhe shpetoi qindra familje shqiptare nga barabarite serbe gjate luftes, shtetar me integritet dhe kryminister efiçent e adhetar i flakte, Ramush Haradinaj kundershtoi me guxim te madh projektin e Serbise se Madhe te Vuçiç, Zografit Bis, Miladinit shqipfoles dhe Baton Stanishiqit per çka dhe fitoi admirimin, mbeshtetjen e madhe te qytetareve te Kosoves dhe mbare kombit shqiptar.

Me kete rast une shpreh nderimin tim te palekundur per vepren dhe aktin e tij burreror te kryeministrit te Kosoves dhe kryetarit te AAK Ramush Haradinajt dhe besimin e palekundur ne drejtesine nderkombetare, e cila e ka shpallur ate dy here te pafajshem.

Une gjithashtu iu bej thirrje forcave politike ne Kosove, qytetareve te saj dhe mbare kombit shqiptar te kundershtojne me vendosmeri te palekundur te gjitha perpjekjet, prapaskenat per ndarjen dhe coptimin e Kosoves te projektit te Serbise se Madhe te Vuçiç, argateve te tij shqipfoles, albanofobe, Zografit Bis, Miladinit shqipfoles Baton Stanishiqit qe festojne sonte doreheqjen e Kryeministrit Ramush Haradinaj dhe thirrjen e tij nga Gjykata e Hages pasi kishin tek ai nje dige te pakapercyeshme. sb”

Haradinaj: Kosovës i bëhet presion i padrejtë për çmimin e njohjes nga Serbia, ndarja apo ‘Dodik Republika’ janë të papranueshme

Zijadin Gashi

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka dhënë dorëheqje.

Këtë vendim ai e bëri publik në mbledhjen e rregullt të Qeverisë së Kosovës.

Arsyeja e dorëheqjes, siç tha Haradinaj, është sepse ai ka marrë ftesë nga Gjykata Speciale në Hagë, në cilësinë e të dyshuarit.

“Arsyeja e këtij vendimi është se kam marrë thirrje të paraqitem për t’u marrë në pyetje nga Dhomat e Specializuara në Hagë si i dyshuar”, tha Haradinaj.

Ai tha se nderi i postit të kryeministrit duhet të ruhet dhe se ai do të paraqitet në Hagë për intervistim.

“Shteti im është Kosova, Kosova e paprekshme, me multi-etnicitet, me shumëgjuhësi, me territor e kufij. Kosovës i bëhet presion i padrejtë për çmimin e njohjes nga Serbia, ndarja apo ‘Dodik Republika’ janë të papranueshme”, tha Haradinaj.

“Mendoj se me ketë dorëheqje, Qeveria në dorëheqje i kryen detyrat e veta deri në formimin e Qeverisë së re, pas zgjedhjeve të lira. Tani përgjegjësia kalon të presidenti, që ai të fillojë konsultat dhe të caktojë datën e zgjedhjeve me partitë politike. Ato janë afate kohore kushtetuese. Unë i ofrohem popullit prapë për të marrë besimin për shkak se nuk jam i akuzuar, por jam i intervistuar dhe aq sa më jep populli besim, do ta respektoj”, u shpreh Haradinaj.

“Tani janë dy aspekte, mund të flasim për pjesën politike ose ligjore, unë do të respektoj pjesën ligjore në tërësi, do të paraqitem e do të kryej detyrat e mia, pastërtinë time të një luftari shqiptar, të nderit tim, të familjes sime, do ta mbroj Kosovën si luftëtar i vendit tim”.

“Ndërsa, pjesa politike e të tjera mendoj se është shumë gabim që po provohet t’i kërkohet Kosovës një çmim i papërballueshëm për njohje ose arritjen e një marrëveshjeje. Mendoj se është gabim prej lidershipit të Kosovës të japë oferta të gabuara – duhet të bëhet kujdes”, tha ai.

Ai porositi që taksa e vendosur ndaj Serbisë nga Qeveria e Kosovës nën drejtimin e tij, duhet të mbetet në fuqi.

Çfarë pritet të ndodhë tash me Qeverinë?

Kushtetuta e Republikës së Kosovës, Neni 95, Pika 5, thotë:

“Nëse Kryeministri jep dorëheqjen ose për arsye të tjera, posti i tij/saj mbetet i lirë, Qeveria bie, dhe Presidenti i Republikës së Kosovës, në konsultim me partitë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën në Kuvend, mandaton kandidatin e ri, për të formuar Qeverinë”.

Haradinaj theksoi se Qeveria e Kosovës duhet të funksionojë në dorëheqje deri në caktimin e zgjedhjeve të lira.

Haradinaj tha se dorëheqja e tij është e parevokueshme dhe se për këtë vendim, do t’i informojë edhe krerët e institucioneve të Kosovës.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka reaguar duke shprehur keqardhje për ftesat që disa ish-komandantë të UÇK-së kanë marrë për intervistim nga Dhomat e Posaçme për krime lufte në Hagë.

“Me keqardhje mësova që Gjykata Speciale ka ftuar për intervistim ish-shefin e Shtabit të UÇK-së, Bislim Zyrapi, njëherësh këshilltar i imi, ish-komandantin e Zonës Operative të Dukagjinit, kryeministrin Ramush Haradinaj, si dhe disa ish-eprorë të tjerë të UÇK-së”, ka shkruar presidenti Thaçi.

Kjo nuk është hera e parë që Haradinaj jep dorëheqje.

Më 8 mars, të vitit 2005, vetëm pak muaj pasi kishte marrë detyrën, ai pati dhënë dorëheqje pas aktakuzës së parë të ngritur ndaj tij nga Tribunali i Hagës për krime lufte në territorin e ish-Jugosllavisë.

Ai ishte dorëzuar vullnetarisht në Gjykatën e Hagës. Në vitin 2008, Gjykata e Hagës e shpalli atë të pafajshëm. Katër vjet pas u bë rigjykimi i tij, po në Tribunalin e Hagës. Por, në vitin 2012, Ramush Haradinaj sërish u shpall i pafajshëm për të gjitha akuzat që e ngarkonin atë për krime lufte.

Një proces tjetër ndaj tij u ndoq edhe më 2017, por kësaj radhe në Colmar të Francës,ku autoritetet franceze, më 4 janar, e ndaluan atë mbi bazën e një urdhër-arresti të lëshuar nga Serbia për krime lufte. Por, pas një procesi gjyqësor ndaj tij, drejtësia franceze e kishte liruar atë më 27 prill.

Ramush Haradinaj u zgjodh për herë të dytë në postin e kryeministrit të Kosovës më 9 shtator, 2017.

Çka është Gjykata e Posaçme e Kosovës?

Opozita reagon pas dorëheqjes së Haradinajt

Ndërkohë, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka shkruar se Haradinaj dhe Qeveria e tij është dashur të japin dorëheqje, por ka shprehur keqardhje për arsyen që çoi deri te ky vendim.

“LDK-ja në vazhdimësi ka kërkuar që kjo Qeveri të japë dorëheqje, por ndjejmë keqardhje që kjo ndodh për shkak të ftesës nga Dhomat e Specializuara, të Kryeministrit të Kosovës. Besoj fuqishëm se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë e drejtë dhe e pastër dhe poashtu besoj se pafajësia e z. Haradinaj do të provohet edhe kësaj radhe”, ka shkruar Mustafa.

Ndër të parët që ka reaguar pas dorëheqjes së Haradinajt ishte Albin Kurti, kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, parti kjo në opozitë.

Ai e ka cilësuar këtë si dorëheqje të vonuar dhe me arsye të gabuar.

“Moti është dashur të japë dorëheqje. p.sh. kur e ndërroi qëndrimin për demarkacionin me Malin e Zi, kur ia rriti pagën vetvetes, kur emëronte nëpër borde e menaxhmente ndërmarrjesh me mbiemra familjesh e librezë partie, kur më 13 dhjetor 2018 e dha propozimin për marrëveshje ‘Ahtisaari Plus’ me Serbinë, kur e paloi e rrafshoi buxhetin me asfalt, kur e kërcënoi prokurorin Blakaj, kur delegacioni për bisedime me Serbinë i doli anti-kushtetues etj.etj”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Jemi me Angela Merkel dhe me Ramushin!

Jemi me Angela Merkel dhe me Ramushin!

-Për Ramush Haradinajn kjo është hera e dytë që jep dorëheqjen nga posti i kryeministrit të Kosovës. Herën e parë Ramush Haradinaj është dorëzuar vullnetarisht në Tribunalin e Hagës në 9 Mars 2005, pasi një ditë më parë kishte dhënë dorëheqje nga funksioni i kryeministrit të Kosovës, menjëherë pasi ishte njoftuar për ngritjen e aktakuzës nga Tribunali i Hagës.

Pas shtatë viteve të gjata, dhe dy gjykimeve të gjata, kjo Gjykatë ka sjellur drejtësi për Ramush Haradinajn dhe për popullin e Kosovës!

Sot thirrja e Ramush Haradinajt nga Haga e kthen Haradinajn në Hero të të gjithë shqiptarëve, ndërsa Hagën një karikaturë!

Sepse Haga nuk mund ta gjykojë dy herë Haradinjan!

Shqiptarët e kanë kuptuar se Haga ka marrë anën e gabuar, të atyre që e kanë kërcënuar deri më tani Haradinajn për taksën 100%!

Haga nuk përfaqëson sot drejtësinë as vlerat  e Perëndimit!

Vlerat e Perëndimit i përfaqëson Angela Merkel dhe aleatët e saj.

Angela Merkel është me shqiptarët dhe vlerat e lirisë dhe Perëndimit!

Ndërsa shqiptarët janë me Angela Merkel dhe me Ramushin!

 

Avni Delvina: Kush është shqiptar me Ramushin! – Ti Shqipëri më jep nder!

Piktori Avni Delvina Grafike nga cikli :
Ti Shqiperi, me jep nder,me jep emrin shqipetar,
zemren ti ma gatove plot me deshire e me zjarr!

Kush është shqiptar është me Ramushin!

 

Ramush Haradinaj jep dorëheqjen

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, paraqiti dorëheqjen pasi ka marrë ftesë për t’u marrë në pyetje në Hagë.

Ai tha se është thirrur në Prokurorinë e Posaçme për krime lufte në Hagë ku do të paraqitet javën që vjen.

Zoti Haradinaj tha se nuk mund të lejonte që të paraqitej atje në cilësinë e kryeministrit dhe për këtë arsye ka paraqitur dorëheqje të pakthyeshme.

Në një letër drejtuar qytetarëve të Kosovës, zoti Haradinaj shkroi se “nderi Kryeministrit dhe Shtetit duhet të ruhet dhe unë nuk e poshtëroj asnjëherë. Në Hagë si Ramush Haradinaj do t’i dal përball shpifësve, ashtu si e kërkon nderi i luftëtarit shqiptar. Pastërtia ime dhe e luftës së UÇK-së, e konfirmuar nga dy aktgjykime nuk mund të njolloset nga askush dhe asnjëherë. Shteti im është Kosova, e paprekshme në multietnicitet, shumëgjuhësi, në territor e kufij”.

Ai shkroi më tutje se “Kosovës i bëhet presion i padrejtë për çmimin e njohjes nga Serbia. Ndarja apo Dodik Republika janë të papërballueshme për Kosovën dhe stabilitetin e rajonit. Si Kryeministër i Qeverisë së Kosovës besoj fuqishëm se çmimi për njohje është tregu dhe për këtë taksa duhet të jetë çmimi i njohjes. Bashkësia ndërkombëtare po bën gabim që po insiston në çmim të papërballueshëm për Kosovën për njohje. Lidershipi Kosovar po bën gabim se nuk po e fuqizon legjitimitetin e vendimit për taksën ndaj Serbisë. Herët a vonë do t’a kuptojmë se sa dëm i madh po i bëhet vendit me këtë mosunitet”.

Ai tha se tash i takon presidentit të vendit të marrë veprimet për ta çuar vendin në zgjedhjet e parakohshme.

Kjo është hera e dytë që zoti Haradinaj jep dorëheqje nga posti i kryeministrit. Ai dha dorëheqje nga posti i kryeministrit të vendit më 8 mars të vitit 2005 për t’u dorëzuar vullnetarisht në gjykatën për krime lufte ne hapësirat e ish Jugosllavisë, prokuroria e së cilës e akuzonte atë dhe dy bashkëluftëtarë të tij për krime lufte.

Procesi kundër zotit Haradinaj filloi më 5 mars të vitit 2007 dhe përfundoi në prill të vitit 2008 me pafajësinë e tij. Zoti Haradinaj u rikthye ne rigjykim të pjesshëm në korrik të vitit 2010, që ishte rasti i parë i atij lloji në veprimtarinë e Gjykatës Ndërkombëtare për Krime lufte në hapësirat e ish Jugosllavisë.

Më 29 nëntor të vitit 2012 ai sërish u shpall i pafajshëm.

Tani ai është zyrtari më i lartë i thirrur për t’u paraqitur në Hagë, ku deri tash janë ftuar dhjetëra ish pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në fillim të muajit gusht të vitit 2015, parlamenti i Kosovës miratoi me shumicë votash ligjin për Gjykatën e Posaçme, që me emrat dhomat e specializuara, do të veprojë në Hagë, nën ligjet e Kosovës dhe me prokurorë e gjykatës ndërkombëtarë.

Ideja për themelimin e gjykatës pasoi hetimet e pretendimeve të të dërguarit të Këshillit të Evropës Dick Martty për trafikim organesh në Kosovë, përkatësisht përfshirjen e disa prej ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në krime të luftës.

Hetimet kishin nxitur reagime dhe protesta ne Kosovë, ku pohohet se në këtë mënyrë po bëhet barazimi me mizoritë e forcave serbe gjatë luftës së viteve 1998 1999 që mori fund me ndërhyrjen e NATO-s.

 

Të nderuar qytetarë,

Dua të ju informoj se sot kam marrë këtë vendim:

Jap dorëheqje të parevokueshme nga detyra e Kryeministrit të Republikës së Kosovës dhe dua që të ju falemnderoj për besim dhe përkrahje. Arsyeja e këtij vendimi është se kam marrë thirrje të paraqitem për t’u marrë në pyetje nga Dhomat e Specializuara në Hagë si i dyshuar.

Qeveritë dhe pushtetet janë të ndërrueshme, jetojmë në demokraci.

Nderi i Kryeministrit dhe Shtetit duhet të ruhet dhe unë nuk e poshtroj asnjëherë. Në Hagë si Ramush Haradinaj do t’i dal përball shpifësve, ashtu si e kërkon nderi i luftëtarit shqiptar.

Pastërtia ime dhe e luftës së UÇK-së, e konfirmuar nga dy aktgjykime nuk mund të njolloset nga askush dhe asnjëherë.

Shteti im është Kosova, e paprekshme në multietnicitet, shumëgjuhësi, në territor e kufijë.

Kosovës i bëhet presion i padrejtë për çmimin e njohjes nga Serbia. Ndarja apo Dodik Republika janë të papërballueshme për Kosovën dhe stabilitetin e rajonit.

Si Kryeministër i Qeverisë së Kosovës besoj fuqishëm se çmimi për njohje është tregu dhe për këtë taksa duhet të jetë çmimi i njohjes.

Bashkësia ndërkombëtare po bën gabim që po insiston në çmim të papërballueshëm për Kosovën për njohje. Lidershipi Kosovar po bën gabim se nuk po e fuqizon legjitimitetin e vendimit për taksën ndaj Serbisë. Herët a vonë do ta kuptojmë se sa dëm i madh po i bëhet vendit me këtë mosunitet.

Kosova euro-atlantike është e interesuar për njohje reciproke në kufijtë ekzistues. Dialogu për njohje është edhe rruga për tregti të lirë me Serbinë. Kurrë nuk është vonë të jemi bashkë – tregu për njohje, e jo ndarja apo Republika e Dodikut.

Më lejoni të ju siguroj se: Taksa mbetet, Ushtria e Kosovës shkon para, Trepça është e gatshme për investime.

Pas kësaj dorëheqjeje MANDATIN IA KTHEJ POPULLIT. Sovrani të vendosë për udhëheqjen e ardhshme me zgjedhje të lira dhe demokratike.

I drejtohem Presidentit që në afatin kushtetues të kryejë konsultimet me partitë politike dhe t’i shpallë zgjedhjet e parakohshme.

Qeveria e vendit vazhdon të kryejë funksionet e veta pa lejuar vakuum qeveritar deri në Qeverinë e re të dalur nga zgjedhjet e lira dhe demokratike.

Menjëherë do t’i drejtohem me shkresa zyrtare për dorëheqjen e parevokueshme institucioneve të vendit dhe udhëheqësve të koalicionit qeverisës.

Do t’i shërbej me besnikëri, gjithë jetën, POPULLIT, ATDHEUT DHE SHTETIT TIM KOSOVËS! Faleminderit.

I juaji,
Ramush Haradinaj

Medalje “Gjergj Kastrioti” Unionit Artistik të Kombit Shqiptar

Kryeministri i Kosoves Ramush Haradinaj pati nje takim me Azgan Haklajn ish-deputet, artist si dhe President i Unionit Artistik të Kombit Shqiptar te cilin e vlersoi per kontributin e dhene deri me tani.

“Në shenjë mirënjohjeje për kontributin e veçantë të Unionit Artistik të Kombit Shqiptar në ruajtjen dhe lartësimin e vlerave artistike e kombëtare, pata nderin sot t’i dhuroj presidentit të këtij Unioni, Azgan Haklajt, Medaljen “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu”. RH”- shkruan kryeministri i Kosoves Ramush Haradinaj.

Nis boshatisja e Teatrit Kombëtar, aktorëve u ndalohet hyrja. Regjisori Edmond Budina qëndron përballë derës kryesore

ANILA DEDAJ/ Nuk janë regjisorë e as artistë, vizitorët që shkyçën ditën e djeshme dyert e Teatrit Kombëtar preferojnë të mos tregojnë se kush i sjell.

Shumica janë gra, është bërë tipike tanimë që në “ballinë” të situatave që ngjallin reagime të forta të shohim figurën femërore. E mohojnë se janë duke paketuar e zhvendosur objektet e Teatrit, por artistë e aktivistë të Shoqërisë Civile që kanë mbërritur më herët në agore, sepse të hyjnë brenda godinës as ata dhe as media nuk lejohen, tregojnë se nëse do të ishin vonuar edhe disa minuta, ndoshta sendet e zhvendosura do të ishin më të shumta.

Një makinë civile duket se ka ndihmuar në procesin e boshatisjes. Edhe pse disa prej objekteve i shohim të braktisura nxitimthi në oborrin e Teatrit (artistët kujdesen që të mos bien në duar të gabuara), punonjësit mohojnë vazhdimisht: “Nuk kemi asnjë urdhër, as nuk kemi paketuar e as kemi zhvendosur”. Duken të trembur, ata për fatin e tyre nëse thonë diçka që nuk duhet dhe të tjerët për fatin e Teatrit.

Edhe pse akuzat e para i shkojnë Ministrisë së Kulturës, kjo e fundit mohon të ketë gisht. Situata është e ngjashme me atë të heqjes së germave, askush nuk merr përgjegjësi, askush nuk përgjigjet e mbi të gjitha, përsëri nuk ka një shkresë, një urdhër zyrtar. Disa nga punonjëset nxitojnë të kyçin dyert, ndërsa brenda vijon “të punohet”.

“Asgjë nuk po ndodh, po bëjmë disa rregullime të sendeve”, thotë njëra prej tyre dhe largohet disi e ndrojtur, jo nga mediat, sa nga artistët që janë aty, jo të panjohur edhe për të. Regjisori Edmond Budina qëndron përballë derës kryesore.

Ai sillet miqësisht me ta, përpiqet të kuptojë. “Nuk kanë faj, ashtu i kanë urdhëruar”, thotë. Në duar mban dy objekte të rekuizitës. “Këtë e kam përdorur te ‘Luiza Miller’…”, rrëfen duke treguar një nga objektet. Emocionohet. Është një nga shfaqjet, së cilës si shumë të tjerave në këtë godinë i është dedikuar me shpirt.

Tregon se e prek, po edhe e revolton mënyra se si po bastiset Teatri, se si po braktisen copëza nga historia e tij, si të mos kishin asnjë vlerë. “Këto i ngrita unë, ishin përtokë. Dy shpata i ka Kastrioti”, shton regjisori.

Ndërkaq, askush nuk e lejon të bëjë hapa në brendësi të godinës, ku ka punuar prej më shumë se 2 dekadash, që prej ’74-ës. Edhe pse u mëshon vlerave historike e kulturore të këtij objekti, natyrshëm del në pah lidhja shpirtërore e artistit me Teatrin. Duket gati si një i afërm i shqetësuar, për një të sëmurë lënë në duart e mjekëve rastësorë, që pak duan t’ia dinë për betimin e Hipokratit.

Dera e jeshiltë e pengon të shikojë se ç’po ndodh. “Është po e njëjta qëkur për herë të parë nisa të punoja në këtë Teatër. Është pjesë e asaj arkitekture të jashtëzakonshme, që në fakt nuk u ndërtua sipas tekave të Giulio Bertes, por sipas dizenjimit që bëri piktori i famshëm italian, Giorgio de Chirico. Kështu që kjo arkitekturë, kjo derë si pjesë e saj ka një vlerë, është e vetme në llojin e vet dhe ne duam ta shkatërrojmë.

Këtu hyn në mes kriminaliteti, interesat e vogla të politikanëve dhe mafies shqiptare, pasi ky truall vlen shumë e me të duan të pastrojnë paratë e pista”, shprehet Budina për mediat. Artistëve iu është ndaluar të hyjnë në Teatrin Kombëtar edhe para ngjarjes së djeshme.

Ndoshta dikush mund të thoshte se gjendja kritike, fillimisht 99% e parikonstruktueshme (e më pas 90%, shifër më e besueshme), mund të rrezikonte jetën e tyre. Por ajo e punonjësve të ngarkuar “për të bërë rregullime” apo e aktorëve që kanë bërë prova për shfaqje edhe pas vendosjes së drynit, me siguri që nuk vlen më pak. “Desha të bëj një intervistë para pak kohësh dhe nuk më dhanë leje për të xhiruar në skenën ku unë u rrita.

Ky teatër është dëshmi e shkeljeve të mëdha ligjore që bëhen në këtë vend. Presidenti e ktheu ligjin special për dy herë radhazi, atëherë përse duhet ta shkatërrojnë?! Më vjen keq edhe për ata socialistë, që në radhë të parë duhet të mendojnë për kulturën”, thotë Budina.

Më herët, artistët e pranishëm kanë mundur të vërejnë e fotografojnë objekte të paketuara dhe ky akt, sipas tyre, rrëfen vetë lakminë e rizgjuar të pushtetarëve.

Regjisori Kastriot Çipi u bëri dje thirrje bizneseve që të mundësojnë monitorimin e kësaj godine për 24 orë, pasi sipas tij, Teatri gjatë këtyre ditëve mund të preket nga ndonjë zjarr rastësor apo incident tjetër.

Arrestohet në Vjenë vëllai i Ramush Haradinajt, kryeministrit të Kosovës

AUSTRI– Ndalohet në Vjenë të Austrisë, vëllai i kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinajt, Dauti.

Daut Haradinaj është ndaluar ditën e sotme rreth orës 14:30 pasi kishte një fletëarrest ndërkombëtar nga Serbia.

 

Rasti i vëllezërve Bytyçi “duhet t’i përcaktojë” marrëdhëniet SHBA-Serbi

Komiteti për Punë të Jashtme i Kongresit të Shteteve të Bashkuara miratoi një rezolutë, me të cilën i bëhet thirrje Serbisë që të sjellë para drejtësisë vrasësit e tre vëllezërve Bytyçi, shtetas amerikanë, me prejardhje nga Kosova.

Në rezolutë po ashtu thuhet se përparimi në zgjidhjen e këtij rasti “do të duhej të ishte faktor i rëndësishëm që përcakton zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve SHBA-Serbi”.

“Shtetet e Bashkuara duhet t’iu kushtojnë vëmendje përpjekjeve të Qeverisë së Serbisë dhe ministrave të saj përkatës, si dhe zyrtarëve të tjerë, të cilët po ndërmarrin hapa për të hetuar dhe ndjekur penalisht personat që besohet se janë përgjegjës për vrasjen e vëllezërve Bytyçi. Përparimi në zgjidhjen e këtij rasti, ose mungesa e vullnetit, duhet të jenë faktor i rëndësishëm në përcaktimin e zhvillimit të ardhshëm të marrëdhënieve midis SHBA-së dhe Serbisë”, thuhet në dokument.

Vëllezërit Agron, Mehmet dhe Yll Bytyçi janë arrestuar në vitin 1999 në Serbi, për shkak të, siç kanë thënë zyrtarët serbë, kalimit të paligjshëm të kufirit.

Ata janë liruar nga burgu pasi janë dënuar dhe më pas janë vrarë. Trupat e tyre janë gjetur në një varr masiv, pranë Petrovo Sellos në lindje të Serbisë, në vitin 2001.

Dy policë të akuzuar për ndihmë në likuidimin e vëllezërve Bytyçi, Sreten Popoviq dhe Millosh Stojanoviq, janë shpallur të pafajshëm me vendim të Gjykatës së Lartë në Beograd për krime lufte.

Gjykata ka thënë se nuk ka prova për përfshirjen e tyre në vrasjet e kryera në korrik të vitit 1999.

“Është e papranueshme që asnjë person nuk është gjetur fajtor për ekzekutimin e vëllezërve Bytyçi apo ndonjë krim tjetër që lidhet me vdekjen e tyre dhe që askush nuk përballet me akuza për këtë krim”, thuhet në rezolutën amerikane.

“Qeveria e Serbisë dhe ministritë dhe zyrat e saj përkatëse, përfshirë edhe Prokurorinë për Krime Lufte të Serbisë, duhet ta vënë prioritet hetimin dhe ndjekjen penale të zyrtarëve që besohet se janë përgjegjës për këto vdekje”, thuhet po ashtu në rezolutë.

Duke shpjeguar arsyet përse vëmendja duhet përqendruar në këtë rast, teksti i rezolutës përmend zyrtarë të Republikës Federale të Jugosllavisë, që nga koha e luftës në Kosovë, të cilët ose janë dënuar për krime lufte përpara Tribunalit të Hagës, ose kanë vdekur.

Në rezolutë po ashtu thuhet se Goran Radosavleviq Guri, ish-komandant i xhandarmërisë serbe, punon si këshilltar për një kompani në Beograd dhe se është “anëtar i shquar” i partisë në pushtet [Partisë Përparimtare Serbe].

Rezoluta e njëjtë është miratuar nga Komiteti për Punë të Jashtme edhe një vit më parë, por duhej të kthehej pasi sesioni i ri i Kongresit ka nisur në fillim të vitit 2019.

Edhe kryetari i këtij komiteti, Eliot Engel, iu ka bërë thirrje autoriteteve në Serbi që sa më parë të zgjidhin rastin e vëllezërve Bytyçi.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, më 4 korrik, Engel ka thënë se e inkurajon presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, sepse “vetëm ai mund të bëjë ndonjë lëvizje”.

Përgatiti: Valona Tela

Jusuf Buxhovi – LAPSUS: Ngatërrimi i FSK-në me TMK-në

Gjatë intervistës së mbrëmshme me Zërin e Amerikës më ka shpëtuar një lapsus, me ç’rast, duke folur për çmilitarizimin e UÇK-së, pa qëllim, kam ngatërruar FSK-në me TMK-në, edhe pse nga konteksti i intepretimit të kësaj ngjarje kjo kuptohet. Që të heqet çdo keqkuptim, kërkoj falje nga FSK-ja për këtë lapsus, ngaqë ajo nuk është objekt trajtimi në vëllimin VI dhe VII të “Kosovës”.

Reeker: SHBA nuk do të bëhen arbitër i politikave të brendshme të Shqipërisë – Por ne nuk jemi krenarë me gjendjen aktuale politike në Shqipëri

Philip Reeker

Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit Philip Reeker tha se Shtetet e Bashkuara nuk do të bëhen arbiter i politikave të brendshme të Shqipërisë.

Ambasadori Reeker, zyrtar me përvojë në çështjet e Ballkanit, i bëri komentet të mërkurën në një forum të organizuar nga Këshilli i Atlantikut në Uashington.

Ai tha se Shqipëria vazhdon të jetë një ndër aleatet më të forta të Shteteve të Bashkuara në Evropën juglindore.

“Por ne nuk jemi krenarë me gjendjen aktuale politike në Shqipëri,” tha zoti Reeker.

Duke iu përgjigjur një pyetjeje të Zërit të Amerikës, zoti Reeker tha se rruga institucionale është mënyra e vetme për tejkalimin e krizës së tanishme.

“Nuk jemi krenarë me shqiptarët këto javët e fundit, sepse ata nuk përdorën institucionet që kanë. Nuk mundet që thjesht të bojkotosh parlamentin ose të dorëzosh mandatet. Ato institucione duhen përdorur, duhen përdorur gjykatat, duhet të emërohen anëtarët e gjykatës kushtetuese, që përmes Kushtetutës dhe përdorimit të këtyre mjeteve të tejkalohen kohët e vështira politike. Shtetet e Bashkuara nuk do të bëhen arbitër i politikave të brendshme të Shqipërisë, por ne do të vazhdojmë të inkurajojmë të gjitha palët të punojnë së bashku me institucionet dhe të bëjnë hapat e duhur që të ecin përpara. Dhe nëse institucionet nuk bëjnë punë, atëherë puno që t’i ndryshosh ato, nëpërmjet parimeve kushtetutese që keni”, tha zoti Reeker. za