Të lexosh rezultatin e zgjedhjeve të fundit në Iliridë nuk është e vështirë. Shqiptarët folën me gjuhën e zhgënjimit, mungesës së të drejtave, përçarjes së imponuar e pamundësisë për të qenë minimalisht qytetarë të barabartë në atë tokë që i njeh si autoktonë. E ky rezultat prodhoi “viktimën” e parë, Menduh Thaçin, i cili pa PDSH-në e tij të tkurrej deri në mbijetesë, si një mesazh i qartë i elektoratit të lodhur e të tejmbushur me premtimet boshe e kurrë të realizuara. Thaçin shqiptarët e larguan me votë e të paktën zyrtarisht ai duket se e kuptoi, duke pranuar të hapte rrugë, gjithmonë nëse do t’i qëndrojë deri në fund vendimit të tij.
Por ky është vetëm fillimi. Shqiptarët kërkojnë më shumë. Mesazhi është edhe për Ali Ahmetin dhe partinë e tij të kthyer në private e aspak mbrojtëse të të drejtave të tyre. Ai qartazi dështoi në të qenit drejtuesi i aspiratave të shqiptarëve për një jetë më të mirë, më të denjë, më të vërtetë e të mbështetur mbi dinjitetin e drejtësinë. Për plot 14 vite, BDI ka qenë në pushtet e shqiptarët jo vetëm nuk u përfillën, por përkundrazi panë t’u përplasej në fytyrë mungesa e investimeve, papunësia, korrupsioni e deri represioni i dhunshëm i kryeministrit Gruevski. BDI pa nga ngrohtësia e posteve qeveritare se si shpopulloheshin zona të tëra në rrënjë shqiptare, se si rrëmbehej e përçudnohej historia e tyre, se si popullsia autoktone nëpërkëmbej e trajtohej si mos më keq. BDI-së nuk i interesoi as largimi, as braktisja, as humbja, as shuarja e qyteteve tradicionalisht shqiptare, që sot kanë mbetur si çibanë të historisë. Ashtu siç nuk i interesoi as largimi i të gjithë themeluesve të saj, që sot u tkurrën e u mbështollën në një grusht tuafësh që s’kanë asnjë lidhje me fillesat.
BDI dështoi në ringritjen e shqiptarëve që të paktën pas 2001-shit duhej të kishin një tjetër pozicion; dështoi në forcimin e identitetit, të shkollimit në shqip, në ruajtjen e simboleve dhe historisë, në investime, punësim e gjithçka tjetër. Të qenit shqiptar, respektimi i të drejtave, nuk bëhet vetëm përmes veshjes së uniformës ushtarake sa herë kërkon vota. Ato nuk fitohen me mashtrim, me cenim të shpirtit e shpirt të masakruar nga pamundësia për të qenë shqiptar. E pra, në Iliridë është më e lehtë të jesh gjithçka tjetër përveçse i tillë. E kjo është e pafalshme për një forcë që zyrtarisht u ngrit pas luftës së 2001-shit, por që përfundoi si shtojcë e një kryeministri nacionalist të sëmurë si Gruevski, që mendonte më shumë të nënshtronte shqiptarët sesa të qeveriste vendin.
Është momenti që pas Thaçit, edhe Ahmeti të bëjë llogaritë e tij, t’i thërrasë zërit të së vërtetës e të lërë pallavrat e momentit. Është koha për forca të reja, për parti të reja, për politikanë që kanë objektiv ndërtimin e një realiteti të ri për shqiptarët. E këtu nuk flas për forca të mbështetura nga interesa e vende të caktuara, nga elemente të caktuara, por për të tilla që vërtet përfaqësojnë shqiptarët. Në Iliridë ka shumë djem e vajza të shkolluar, të ndershëm, të drejtë e të përkushtuar që mund t’i shërbejnë të vërtetës si askush nga kukullat e Gruevskit apo dikujt tjetër.
Shqiptarët nuk kanë nevojë as për VMRO, as për LSDM për të qenë shqiptarë, aq më pak për ata që ngërdheshen e bëjnë si shpëtimtarë të momentit. Shqiptarët kanë nevojë për fytyra të reja, për shpirtra të rinj, për njerëz të hapur e europianë, për elemente që nuk kanë objektiv xhepin, por komunitetin që përfaqësojnë. Askush të mos mendojë se edhe ekstremistët, ata që kanë interesa të tjera përtej atij kombëtar, nuk janë përgjegjësi e dy forcave kryesore politike të deridjeshme. Ata janë prodhim i tyre, i politikanëve që mjaftoheshin me kontrollimin e votave e jo me devijancën e deformimin që ato pësuan nga padrejtësitë. Shumë shqiptarë humbën rrugën në kohën kur Ahmeti e Thaçi shikonin hundën përpjetë e interesat personale, teksa shqiptarët vuanin diskriminimin masiv.
Nuk mundet në këtë situatë të mos pranohet përgjegjësia e Shqipërisë, që do të duhej të kishte rolin kryesor në drejtimin e kësaj politike, e këtyre politikanëve, por që në fakt përfundoi në një dhënëse dore e vëzhguese të rëndomtë. Asnjëherë shteti shqiptar nuk ka marrë përgjegjësitë e tij e kjo sepse diku është kompleksuar e diku ka pranuar logjikën e humbamenove politikë e mediatikë që shkruajnë për shqiptarët e Iliridës vetëm kur ka zgjedhje. Madje këta bëjnë edhe si njohës, edhe pse kurrë, përveçse për ndonjë drekë, pushime dimërore, takim a diçka tjetër nuk kanë dijeni për jetën e shqiptarëve në këtë hapësirë.
Shqiptarët në Iliridë meritojnë më shumë dhe këtë duhet ta kuptojnë ata vetë, duke i dhënë udhë në këtë mënyrë një frymëmarrjeje të re, që mund e duhet të vijë vetëm përmes të rinjve, atyre që shpirtin e kanë të shkëputur nga interesat e që shohin më larg sesa kanë parë zyrtarët e BDI-së e PDSH-së, të nginjur në masë në prona e para kontove bankare. Nëse dikush kërkon të mësojë më shumë mund të hulumtojë edhe në Shqipëri, sepse ka mjaft para të hedhura edhe këtu nga familjarët e zyrtarëve më të lartë të këtyre forcave, të cilët edhe ditët e fundit kanë bërë mjaft transaksione e shitblerje të ndryshme në shuma marramendëse.
Ndaj edhe Ahmeti duhet të lexojë vendimin jo të rivalit të dikurshëm Thaçi, por atë të shqiptarëve e asaj që nuk mund të rikthehet më. Është koha për ndryshim e atë duhet të bëjnë shqiptarët e vërtetë.
Komentet