VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Mesazhet e shpirtit të gruas në një roman shqiptar – Nga Fatmir Minguli

By | March 4, 2018
3 Comments
  • … [Trackback]

    […] Info on that Topic: voal.ch/mesazhet-e-shpirtit-te-gruas-ne-nje-roman-shqiptar-nga-fatmir-minguli/ […]

  • DevOps Consulting 1 month ago Reply

    … [Trackback]

    […] There you can find 81812 more Info to that Topic: voal.ch/mesazhet-e-shpirtit-te-gruas-ne-nje-roman-shqiptar-nga-fatmir-minguli/ […]

  • … [Trackback]

    […] There you will find 34285 more Information on that Topic: voal.ch/mesazhet-e-shpirtit-te-gruas-ne-nje-roman-shqiptar-nga-fatmir-minguli/ […]

Komentet

Leave a Reply to software testing company Cancel reply

Organet muzikore prestigjoze të Evropës pasqyrojnë albumin e kompozitorit Thoma Simaku

Albumi i ri i kompozitorit Thoma Simaku me shtëpinë suedeze po vazhdon të pasqyrohet në disa nga organet muzikore më prestigjoze në Evropë.
Radioja Kombëtare e Francës në emisonin e saj të 7 shkurtit e cilësoi ‘muzikë mahnitëse’ (musique etonnante’).
Mbas kritikës gjermane ‘Das Klasik & Jazz’ (të cilën Opus Alb. e botoi të plotë’), revistat kryesore britanike dhe franceze (‘Gramophone’, dhe ajo ‘Diapason’) bënë një vlerësim të dukshëm.
Së fundi, ky album është zgjedhur nga revista muzikore e BBC-së në edicionin e shkurtit 2021, e cila i ka dhënë 4 yje!
Në të shkruhet:
‘Nuk e njihja fare Simakun, por kam arritur të vlerësoj së tepërmi aftësinë e tij për të krijuar me guxim peizazhe të thella muzikore. Veprat për kuartet harqesh në këtë CD janë veçanërisht imponuese’.
Universiteti i York-ut i ka botuar këto artikuj:
Në recensionin maksimal me pesë yje të revistës franceze ‘Diapason’ të muajit janar 2021, shkruhet:
“Ekspresionizmi i Simakut në veprat për kuartet harqesh rrjedh më tepër nga një prirje për një gjuhë harmonike dhe tekst muzikor specifik, se sa thjesht nga një sensitivitet i lartë ekspresiv’.
Duke folur për Kuartetin Nr 5, kritiku Pierre Rigaudière shprehet: “Pothuajse e pamaterializuar (koha e parë Spaziale), goditje fshikulluese të akordeve (fillimi i kohës së dytë), një lirikë elektrizuese dhe shtëllumbat kromatike, pasojnë njëra-tjetrën pa e humbur momentin. Në pjesët për piano, kompozitori shqiptaro-britanik parapëlqen ornamentet dhe rezonancat e gjata, sic shihet në pjesët solistike, që Joseph Houston i interpreton me një rrjedhshmëri të lartë, pa sakrifikuar tingullin dhe efektin e atakut. Në kuintetin “Con-ri-sonanza” (2018), piano dhe harqet alternohen dhe duket sikur hakërrehen me njeri-tjetrin. Me momentin kur janë bashkë, një akord spektral buron nga nota më e ulët e violoncelit që sjell më vete dhe zgjidhjen e shumëpritur”.
Revista britanike ‘Gramophone’ e fillon artikullin duke përmendur dy albumet e para të Simakut me shtëpine diskografike “Naxos”, te cilët kanë ndihmuar për të bërë të njohur idiomën e tij muzikore “moderniste, por aspak hermetike”.
Kritiku anglez Richard Whitehouse vazhdon me dy veprat më të fundit për kuartet harqesh, te cilat “pasqyrojnë pikërisht këtë mendim”, duke thënë:
“Kuarteti Nr. 5 (2015) përqëndrohet në dualitetin: dy kohë kontrastuese, e dyta në dy pjesë, ku kjo e fundit përbën një sintezë edhe më domethënëse për faktin që përputhet me formulën [Orwelliane] 2 + 2 = 5.”
Më tej kritiku anglez Whitehouse shkruan: “Pianoja dhe kuarteti i harqeve bashkohen në veprën ‘Con-ri-sonanza’, titullin e së cilës mban dhe albumi, e cila rezulton si një afirmim i hollë i unitetit brenda diversitetit”, dhe e përfundon artikullin duke thënë: ‘Ata që kanë dyshuar vazhdimësinë e vlerave të estetikës moderne, mund të habiten’.

Pianistja e mirënjohur Lule Elezi duke interpretuar magjishëm Beethoven në paraqitjen e librit për Kosovën të  Eurodeputetit austriak LUKAS MANDL

Pianistja e mirënjohur nga Kosova Lule Elezi ka qenë pjesë e një eventi të rëndësishëm siç ishte paraqitja e librit të deputetit austriak në Parlamentin Evropian (MEP) Mag. LUKAS MANDL.

Libri i kushtohet Kosovës dhe titullohet “KOSOVO AND THE EU- STATE OF PLAY” .

Eurodeputeti austriak Lukas Mandl është një mik i përkushtuar i Kosovës dhe paraqitja e librit të tij në Vjenë u bë pikërisht me 17 shkurt me rastin e 13 vjetorit të Pavarësisë të Kosovës.

Prezantimi i librit u shoqërua me një interpretim solistik brilant të Ludwig van Beethoven nga pianistja aq e njohur kosovare Lule Elezi.

Do të ishte vetë Eurodeputeti austriak Lukas Mandl që e zgjedhi pianisten kosovare Lule Elezi, duke  duke nënvizuar suksesin e saj ndërkombëtar, me interpretimin e saj të mrekullueshëm të L.V. Beethoven për të festuar edhe Ditën e Pavarësisë, edhe botimin e librit të tij si një melanzh i mrekullueshëm Austriako-Kosovar.

Lexuesit të nderuar po ashtu po i sjellim edhe videon me fragmente nga eventi dhe interpretimi mahnitës i Artistes Lule Elezi për të shijuar vetë magjinë e artit të madh të Ludwig van Beethoven.

Gjithashtu po sjellim dhe shënimin që Lule Elezi bën me këtë rast në rrjetin për fansat e saj social në shqip dhe anglisht:/Elida Buçpapaj

 

 

“Miq të dashur,

Jam shumë e lumtur t’ju informoj që një nga interpretimet e mia solistike nga kompozitori L.V. Beethoven është pjesë e prezentimit online të librit
“ KOSOVO AND THE EU- STATE OF PLAY” mbajtur më 17 shkurt 2021 në Vjenë.

Autori, Mag. LUKAS MANDL , është i njohur si Eurodeputet i Parlamentit
Kosovës.

Ai është mik shumë i çmuar i Kosovës.

Jam vërtet krenare që për këtë eveniment kaq të rëndësishëm, vetë Eurodeputeti Mag. LUKAS MANDL ka përzgjedhur një interpretim timin nga Beethoven nga albumi që kam incizuar në Shtëpinë e Mozartit “ Mozarthaus” në
Vjenë.

Në videon më poshtë , që është shkëputur nga ky eveniment mund të shijoni interpretimin tim🎶

Dear friends,

I am so happy to inform you that one of my solo piano interpretations of Beethoven is part of the ONLINE- PRESENTATION of the book “ KOSOVO AND THE EU- STATE OF PLAY” held on 17th February 2021 in Vienna.
The author, the Member of the European Parliament( MEP) Mag. LUKAS MANDL , is well known as an European Parlamentarian and Austrian politican who is very actively acting for the interests of Kosovo.

He is very much respected as a friend of Kosovo.

I am really so proud that for this event of great importance MEP Mag. LUKAS MANDL himself selected my interpretation of Beethoven”s music from my CD, which I recorded at the Mozart House in Vienna.

In the video below , which is detached from this event you can enjoy my interpretation🎶

—–
Interpretimi i pianistes të mirënjohur Lule Elezi fillon në minutën e 31-të videos.
(Fotot e Artistes Lule Elezi nga Avni Selmani)

PAGUAJ & SHESIM TITUJ…ÇMIME Nga BAJAME HOXHA-ÇELIKU

 

PAGUAJ

Paguaj, paguaj e merr çmimet e 20-tës.
Paguaj, o njeri e nesër në faqe të parë të gazetës…
Paguaj, paguaj hop del libri i parë,
Paguaj, o i mjerë, vijnë të tjerë libra me radhë…

Paguaj, paguaj o ti mik, e ti e imja mikeshë!
Paguaj, dhe gjithçka jep për një çmim të shkretë.
Paguaj, paguaj dhe mburru se ç’do të kesh,
Paguaj, o i mjerë dhe merr një karton në xhep!

 

SHESIM TITUJ…ÇMIME

 

Shesim tituj, çmime pa racion,
Me shumicë, kush do të blejë?
Kemi vulën dhe motivacionin,
Ti paguaj, ne shkruajmë emrin.

Kemi shkruar libra i shesim lirë,
Poezi, prozë po bëjmë kërdinë.
Paguan jo shumë, euro një mijë,
Emri sakaq mbi Kopertinë. (Ballinë)

Ti thuaj emrin, thuaje a të vraftë!
Të tjerat i ndreqim nge me nge.
Ti mos harro: ato, eurot, paratë,
Poet, prozator të bëjmë ne!

Kemi nxjerrë në shitje, kartonë,
“Mirënjohje” quhen, kush do?
Për sot, njëqind euro një copë,
E nesër rrisim çmimin kudo.

Sa bukur që ka dalë sot në modë,
Më jep para, të bëj usta!
Poezi, prozë jo dosido e kotë,
Të çuditesh t’ia bësh: ua!

Nga i vogël të bëjmë të madh,
Kemi vegla, të rrisim menjëherë.
Kur librat të t’i lexojnë ata,
Do ulesh kafeneve me të mëdhenj.

Kartonë, lule plot ngjyra japim,
Të verdha, të kuqe, jeshile.
Në mes do të jetë dhe fotografia,
Që do ta shpotitë këtë hile.

Ejani, blini, veproni menjëherë,
Ka edhe të tjerë që shesin.
Shesin, betohemi në tonin nder,
Me euro e mbushin thesin.

Ne të bëjmë furçe dhe në gazetë,
Si poeti më i mirë këtë vit,
Por ki parasysh, i dashur!
Të hollat do t’i shtosh dhe një çikë…

Por kam dhe një studio moderne,
Recitoj aq bukur, rekord!
Por me pak euro përsipër,
Të bëj të famshëm që sot.
.
Në gazeta çdo ditë trumbetojmë,
Paçavureve u japim vlerë.
Dhe vetë e dimë që po gabojmë,
Për fat, ju, na keni blerë!

Ti prapë vetëm paguaj, o paguaj!
Turpin e mbajmë ne paskëtaj.
Një libër nga fillimi të shkruajmë,
Ti merr emër, tituj pandarë!

 

 

ASLLAN OSMANI NJË SHPIRT I TRAZUAR KOHE OSE KOHA ME VULËN E NJË POETI REBEL…. – Vështrim libri nga TAHIR BEZHANI

“Skaj pa skaj”,poezi,2021

 

“Vendosa t’i lë poezitë cullak”

(Autori)

 

Këto ditë të ftohta dimri, më erdhi si sihariq ekzemplari i parë i librit me poezi “Skaj pa skaj”, i  autorit Asllan Osmanaj nga Tropoja. Para pak ditësh, befas   bie zilja e telefonit. Vërejta se nuk ishte numri i mikut tim, por një numër i pa njohur, ku zëri i  Asllanit, kumbon fuqishëm me atë tingullin e ëmbël miqësorë e vëllazëror. “Eja shpejt ta pimë nga një kafe, nuk kam  kohë  për pritje të gjatë. Eja te filan kafeja. Ngutu!” Pas mbylljes së telefonit, vonesa ishe aq sa vishej një xhup dhe mbathjet, u nisa te lokali i preferuar nga miku.

Pas përqafimeve dhe vetjeve  miqësore në këtë kohë pandemie, duke hurbur kafetë e sjella nga kamerieri, për një qastë zgjati dorën nën tavolinë, ku nga një qese, mori disa ekzemplarë të librit të sapo botuar me poezi ”Skaj pa skaj”. Shiko e më dëgjo, më tha, libri i parë vjen për ty ,ndërsa të tjerët, ua ndanë miqve poet këtu dhe në Pejë, duke aluduar në poetin Sejdi Berisha.Të kryer e ke porosinë, i thash dhe pa vonuar shumë, u ndamë. Ai iki për Tropojë,unë vajta në shtëpi i gëzuar për librin më të ri të mikut tim,Asllan Osmanit.

Kam lexuar edhe libra të tjerë nga krijuesi Asllan Osmanaj, si “Makthi”,Apologji fati ”,”Shëmti e risi” etj. por këtë radhë, me librin poetik ”Skaj pa skaj”, sipas bindjes sime,  poeti ka avancuar në çdo kuptim të fjalës  sa i përket artit poetik. Jo se deri me tani nuk  ishte i tillë, por ky libër, me poezi të këtij niveli, ka arritje bashkohore dhe përmbajtjesorë ,ku poeti si rrallë kush, ka ditur të therë në palcë kohën e kaluar  dhe sfidat që po kalojmë tani si shoqëri në këto hapësira. Pra, ky libër me këto poezi, autorin e vendosin në raftet më të larta të bibliotekave  për lexueshmëri.

Duke lexuar librin “Skaj pa skaj”, titull mjaft provokator e filozofik, që nga faqja e parë, ndeshemi me revoltën migjeniane, ku autori nxjerr në sipërfaqe gjithë padrejtësitë, përjetimet e një kohe në ecje pa derëdalje, rrugëve qorre të kësaj bote të verbuar. Për këtë arsye, poeti Asllan Osmanaj, që në poezinë e parë të librit lexuesit i drejtohet si me porosi :

” Ju o lexues të selitur/Pakuptimtës u ngjan ky titull/Këtu rrjedh çiltërsia e shpirtit”.

Një modesti njerëzore dhe krijuese,me specifikat e karakterit individual, apelon që të kuptohet drejt e mirë fjala poetike,duke u prezantuar me mirësi si barazi njerëzore e shoqërore në këto etapa vulgare kohore.  Lexoni këtë madhështi vargu:

” Mes shpirtrave të dëlirë/Ngrihet varri përmendore/Me epitafe hyjnore/Ku frymojnë vargje prore/Kur s’ka varr njeriu të madh/Kur s’ka varr si lypet epitaf?!..”

Për ta lexuar në thellësi dhe kuptuar deri në qartësi një poet mendoj se atë duhet njohur edhe si person, me të gjitha dukuritë që përbëjnë personalitetin e tij. Kokëfortësia, papërkulshmëria, mosserviliteti, janë disa veçori të karakterit personal e intelektual të poetit Asllan Osmanaj, i cili kurrë nuk hamendet të dorëzohet as për vdekje. Prandaj nuk e thotë kot:

”Jetoj se s’kam para për varr”.

Një filozofi e tillë, vjen nga një  shpirt kryeneç, i drejt e i paepur. Pra, është pasqyrë që e personifikon botën personale të një njeriu me karakter të pathyeshëm. Po në këtë bosht jete, fare mirë godet njerëzit  që shtihen engjëj,ndërsa janë maskarenj.:

”Engjëllin e ndyrë me kravatë/Kur s’ja përplasni në surrat/Në këmbë pse po i rrini?!…”

Në librin më të ri poetik ,”Skaj pa skaj”, lexuesi i mirëfilltë e me përvojë, lexon mes vargjeve për ta kërkuar atë që nuk vërehet ,shpirtin e tij, egon e paepur njerëzore . Një poet i cili përjeton kohë të vështira dhe ato i ka ruajtur gjatë në sedrën e tij, në momentin e pëlcitjes, vijnë si një botë tjetër e strehuar brenda vetvetes, ku rrjedha është spontane, por me një forcë me amplituda mahnitëse.

Pra,situatat politike në vazhdim, poetin e kanë lidhur pashmangshëm në krijimtari letrare në tërësi, por në poezi  gjithsesi. Në presione të ndryshme psikologjike, evulon edhe ndjeshmëria, intuita krijuese, poetike.  Nga aspekti historik, gjatë gjitha kohëve, në periudha të ndryshme të pushteteve, poetët (krijuesit) kanë qenë opozita më e fortë brenda një shoqërie. Me krijimtarinë e tyre kanë frymëzuar masën deri në ndryshime raportesh shoqërore.  Për këtë arsye poetët kanë qenë shtresë e ndjekur nga pushtetet sunduese gjatë diktaturave kudo në Evropë e jo vetëm.

Atë që cekem më lartë, lexuesit padyshim se e vërejnë në poezinë e gjatë: ”Krenari e egër” ku poeti shkon “gjak e lak” me “trumykshkëndur” kur poeti Osmani, pamëshirshëm sulmon figura të tilla brenda një shoqërie, duke i quajtur edhe “të çmendur dallkauk dalldi” dhe pozicionohet si i gatshëm për konfliktin e hapur kur thotë:

” Egër përfytem ballafaqe, deri te hiroseni qyqe”.

Te poeti Asllan Osmanaj, kryekëput, vërehen çarje të mëdha raportesh  ku krijohet padrejtësia njerëzore e ku njëherit lëndohet ose privohet nga e drejta e tij njeriu si qenje njerëzore, thyhet egoja shpirtërore. Kjo gamë nuk është vetëm si brengë personale e poetit, por është refleksion i një mendimi të gjerë shoqëror.

Në këso situatash reaksionet e brendshme janë të pa frenuara. Nga ky këndvështrim, kur poeti ngre zërin si individ ,natyrshëm përgjithësohet në shtresa njerëzore, si dalje zot kërkesave kolektive. Padyshim se ngrihet aspekti i një sakrifice personale në emër të humanizmit, për ta luftuar fuqishëm  dogmatizmin shoqërorë .Egoja njerëzore e poetike, me këto elemente ekzistuese në shpirtin e poetit Osmanaj, përbëjnë edhe  karakterin e tij psikologjik, mendimin e pastër për njeriun dhe shoqërinë si tërësi. Ndërsa si filozofi  poetike do thoja, vërejmë mëvetësinë varg-krijues, arsyeshmërinë e të qenit i bashkuar në subkoshiencen njerëzore .Ndërskamca e një jete ndryshe ,të ndrydhur nga shoqëria, ka zanafillën në kohën e ndryshimeve të mëdha në Shqipërinë e  tranzicionit, posaçërisht në vitin rebelimit të masës  në vitin 1997, kur populli u dërmua fort nga ato skena të padëshiruara.  Poeti Osmanaj ,si një intelektual i mirënjohur, dukë bartur edhe gradën e lartë të ushtarakut, duke poseduar kualifikime superiore e shumë kurse të mbaruar, koha e la jashtë loje ,mbeti i papunë, duke bredhur rrugëve të qytetit te Bajram Currit, me gazeta të kohës nënsqetull dhe shpresën prijetare të fatit ,deri te kafshorja e bukës.

Vitet iknin si uji nën urë,ndërsa poeti me një sofër fëmijë,u gjend para shumë sfidave të jetës, deri me imponim te punëve fizike dhe marrjes me bagëti, për të mbijetuar dhe për t’i rritur kalamajtë e tij të dashur.

”Përgjegjësia për vazhdimësinë /Ngarkesë e çmuar për ardhmërinë…”,

thotë poeti Asllan Osmanaj, me pezmin e fshehur brenda.

Mosdorëzimin para sfidave të jetës e thurë akoma më dhimbshëm:

”S’mbete kohë të njoh veten/Nga droja mos dembelosem /Dhe nisem udhës së lehtë/Paditur se në ç’shteg më nxjerr”…

Revolta e fshehur thellë deri në palcë, ku vuajtja psiket, nuk rri e qetë. Ajo vlon edhe pa e pyetur autorin , sepse përzihet me lot e dhimbje. Ja një poezi tejet prekëse ku vërejmë atë poetin e rebeluar pa dashje ,siç cekem më lartë. Poezia ”Mos m’i lexoni poezitë,” është njëra nga ato ku pasqyrohet madhështia e poetit si krijues dhe si personalitet me boten e çuditshme brenda vetës:

“Pas qetësisë së stuhishme /Fshihet dërmimi i dëshirës/Magjia moshore të më laj/Dhe vreri kohor mos më shpërlaj”. Pa koment mbesin këto vargje!…..

Autori i librit”Skaj pa skaj” Asllan Osmani

 

Libri poetik “Skaj pa skaj” i poetit Asllan Osmanaj, ka vlera të pakontestueshme  poetiko- letrare, ku lexuesi mund te prehet në kënaqësinë e subjekteve të ndryshme, me rëndësi jetësore që trajton Asllan Osmanaj, me talentin e tij karakteristik. Pos shumë temave në trajtim frymëzues, ai nuk le anash për asnjë moment aspektin familjar, duke ia falur dashurinë ,lavdinë dhe respektin e merituar. Përkushtimet poetike janë mjeshtërore dhe shumë të  valëta e shpirtërore.

Tamam,një kujdestarë (prind) koshient që vuan gjithë jetën për rritjen dhe mirëvajtjen e tyre siç duhet me edukatë të shëndetshme njerëzore e kombëtare.

Është ndër poetët e rrallë  në trojet tona,i cili i kushton shumë kujdes ndërtimit të pastër të vargut poetik, duke përdorur një gjuhë të thekshme e plot neologjizma, të cilat e pasurojnë shumë, jo vetëm poezinë e autorit, por edhe sfondin gjuhësorë në tërësi.

Me aq kujdes i përdor sa të bëjnë të kuptosh se janë gjuhë e metaforës  poetike e jo neologjizma. Këtë do e vlerësojnë edhe lexuesit ,por e mira e gjitha të mirave do ishte që, pasuritë në art, çfarëdo qofshin ato të arrira ,të vlerësohen nga pendët e njerëzve me aftësi diturie, akademik etj….

Krejt në fund tëkëtij shkrimi që nuk di të mbaroi, dua të theksoj se anatomia poetike e poetit tropojanë, Asllan Osmanaj, ka  shkrirë  gjithë përvojën në librin “Skaj pa skaj,” duke i dhënë vlerë e nam vetës dhe  artit poetik .

 

Gjakovë,16.shkurt,2021

KRIJUESIT NUK VDESIN KURRË, ATYRE EDHE NË ATË BOTË ZEMRA U RRAHË DHE U TROKET PËR TË MIRËN E NJERIUT, PËR KOMBIN DHE PËR ATDHEUN…! – Nga Sejdi BERISHA

(Kushtuar krijuesit dhe njeriut të kauzës kombëtare, Rasim Haxhi THAÇIT)

 

 

Se duhet dhe është e nevojshme që njerëzit e mirëfilltë dhe figurat që tërë jetën i janë përkushtuar njerëzores, fatit të njeriut, kombit dhe atdheut, t’u japim meritat dhe t’i afirmojmë veprat e tilla, padyshim se jo vetëm që bëjnë një veprim dhe obligim të qëlluar, por kështu i mësojmë dhe u krijojmë taban edhe gjeneratave të reja për ta shkruar, afirmuar dhe ruajtur historinë tonë, rrugëtimin tonë i cili në asnjë periudhë kohore dhe historike nuk ka qenë i lehtë. Dhe, duke qenë kështu, kujtoj se duhet t’i vëmë në spikamë veprat dhe punën e të gjithë atyre që së paku sado pak kanë dhënë kontribut në drejtim të asaj që quhet madhështi njerëzore dhe kombëtare, gjithnjë pa i kategorizuar njerëzit e “mëdhenj” dhe të “vegjël”. Kështu, jo vetëm se i bëjmë nder atyre, familjes dhe të tjerëve, por e vëmë nga një gur në murin e historisë në të gjitha fushat e jetës.

Me qëllim i vura këta rreshta sipër këtij shkrimi, sepse, m’u kujtuan shumë figura, shumë njerëz të devotshëm, puna e të cilëve shpeshherë ka ngelur apo ngelë nën hije apo edhe e harruar, dhe kështu edhe madhështia  jonë historike mbetet edhe e varfër por edhe e mangët, e nënçmuar dhe pse jo edhe peng e harresës.

Edhe në fushën e kulturës, letërsisë dhe të arsimit, deri me tash kemi bërë përpjekje, ndoshta më shumë individuale se sa institucionale, që t’i përjetësojmë ata që me punë dhe përkushtimin e tyre u sakrifikuan tërë jetën për ta quar përpara kauzën kombëtare në të gjitha aspektet.

____________

 

Njeri me qëndrim modest e me shpirt të madh, që gjithnjë nderonte dhe respektonte fatin e njeriut, kurse krijimtaria dhe vargu i tij ngelën dokument i ndritur në letrat shqipe…

 

Andaj, njeriu i arsimit, i penës dhe i kulturës, Rasim Haxhi Thaçi, i cili ndërroi jetë para afro një viti, respektivisht, me 06 dhjetor 2020, ma provokoi arsyen për t’i vënë në spikamë disa nga kontributet dhe angazhimet e tij, që duken ndoshta modeste, por e kanë atë thelbin dhe vulën e veprës së atdhetarisë, por edhe të arsyes e të obligimit që secili njeri duhet angazhuar për të qenë pjesë e pandarë e mendjes, e kujtesës dhe e madhështisë shpirtërore për mirëqenien e njeriut të kësaj toke, për afirmimin e tërë asaj që ka të bëjë me atdheun e kombin, e të cilat virtyte, duke u informuar për jetën e Rasim H. Thaçi, i cili u lind në fshatin Shkarashnik të komunës së Malishevës, e që pas mbarimit të shkollimit fillor dhe atij të mesëm dhe shkollën e lartë në Prizren, sikur mendja, arsyeja dhe shpirti e zemra, plotësisht i ishin përkushtuar punëve që njeriun e bëjnë të lumtur, që kauzën kombëtare e qojnë përpara, që diturinë e bëjnë themel për të ecur tutje dhe gjithmonë për të qenë vetvetja, për të ngadhënjyer mbi të gjitha sfidat dhe barrikadat e problemet tjera që i sjellë jeta.

Sa herë që e kam takuar këtë njeri të urtë por të etur deri në palcë për fatin e kombit, tek ai sikur gjithmonë e kam vërejtur një mori fjalësh të pathëna që ia përcëllonin shpirtin, pakënaqësinë për realitetin aktual të shoqërisë, për fatin dhe përplasjet e kombit!

Në orët dhe takimet letrare, kudo që jemi takuar, e që gjithnjë ishte me bashkudhëtaren e jetës së tij, kushërirën time, krijuesen, znj. Sherife (Berisha) Thaqi, me qëndrimin e tij, me shpirtin e tij të urtë por zjarr, me përkushtimin më të madh e përcillte dhe e respektonte çdo fjalë, çdo varg poetik, që padyshim thellë i përjetonte, e që po ashtu ia ngacmonin edhe mendjen edhe shpirtin… Andaj, e ku mos të shkruash për këtë njeri, i cili për asnjë moment e deri në frymën e fundit nuk kishte prajtur duke dhënë kontributin e tij, si në letërsi e më përpara edhe në arsim. Por, ai, gjithnjë ishte modest, kurrë nuk dëshironte të tregohej apo edhe të imponohej për atë që e realizonte, por atë mirë e njihte dhe mirë e transmetonte si këshillë!

Bashkëshortët, Rasim Haxhi Thaçi dhe Sherife (Berisha) Thaçi), edhe në krijimtari të pandarë

 

Më duhet të them se ishte e padrejtë ikja e tij, sepse, ende kishte forcë e gatishmëri për t’i dhuruar kombit, kulturës dhe letërsisë. Ishte e padrejtë, sepse, ende nuk i kishte thënë të gjitha ato që dëshironte për t’ia ofruar njeriut për mendim të njëjtë, për unitetin, për bashkimin dhe për dashurinë e secilit, si forcë dhe madhështi të cilën duhet herdokur ta ketë dhe përqafojë njeriu dhe kombi ynë ende i pa rehatuar, mbase edhe i shkapërderdhur…!

Ai, jo vetëm si njeri i kulturës dhe arsimit, dha kontributin e tij edhe në fushën e informimit. Duke e pasur parasysh se informimi me kohë dhe i drejtë i opinionit dhe i popullatës ka rëndësi jetike për të ecur përpara, ai, nuk ngurroi për t’u bërë bashkëpunëtorë i shumë gazetave, e më vonë, kontributin e tij në informim e dha edhe te gazeta “Koha Ditore”, “Kosova Sot” dhe te “Bota Sot”, ku pothuaj se deri në pension punoi në këtë gazetë.

Pra, kontributi i tij në informimin e popullatës, padyshim se është kapitull në vete, duke pasur parasysh profesionalizmin dhe qëndrimin e tij prej gazetarit dhe njeriut të përkushtuar për lirinë, pavarësinë, për mirëqenien dhe lumturinë e kombit.

 

Krijimtaria e tij i ka begatuar shumë antologji, ndërsa, madhështia letrare dhe jo vetëm letrare e tij dhe e bashkudhëtares së jetës, znj. Sherife Thaçi, ishin fortë të lidhura në mes vete, si rrënjët e rrapit…!

 

Ndërkaq, krijimtaria e tij dhe pesha e fjalës së shkruar me mesazhin shumëdimensional, është përjetësuar në shumë libra dhe antologji, si në Kosovë, ashtu edhe në Shqipëri, respektivisht, puna e tij letrare dhe krijuese e tij është përfshirë në më shumë se trembëdhjetë libra-antologji, që për çdo vit tradicionalisht botohen nga Shoqata për Art e Kulturë “Elena Gjika” në Suharekë, me titull: “Brerore Lirie”, ku me qëllim të afirmimit dhe të mbështetjes së krijuesve nga ky qytet, zakonisht përfshihen vetëm krijuesit nga ky qytet.

Sherife (Berisha) Thaçi dhe Rasim Haxhi Thaçi gjatë një manifestimi letrar

 

Është karakteristike të theksohet se në tërë rrafshin kombëtar, si gjithnjë, pak u kushtohet krijuesve të cilët janë më të dalluar, apo që kanë dhënë dhe japin kontributin e tyre në afirmimin e vlerave shpirtërore, kulturore, historike dhe shkencore kombëtare, për çfarë, edhe sot e kësaj dite ende është i varfër opusi krijues-dokumentar, dhe po ashtu, ende shumë krijues dhe punëtorë të kulturës janë nën hijen e pakujdesisë dhe të nivelit të vetëdijesimit dhe të ndërgjegjësimit, se vetëm afirmimi i letërsisë, i artit dhe i vlerave shkencore dhe filozofike e afirmojnë kombin jo vetëm përbrenda vetvetes, por edhe gjithandej Evropës dhe botës.

Për ta dëshmuar këtë, ka shumë dëshmi por edhe shumë vlera krijuese të shumë autorëve. Ndërsa, në këtë drejtim, shembulli më i mirë kujtoj se është edhe rasti i z. Rasim H. ThaçI, i cili edhe pse është i përfshirë në shumë antologji të niveleve të ndryshme, sikur angazhimi dhe cilësia e tij krijuese megjithatë ka ngelur bukur shumë e tkurrur, ndoshta gjithnjë me nivelin e ultë të respektit dhe të përkujdesjes së shoqërisë që krijimtarisë t’i jepet afirmim gjithnjë e më i madh dhe njëherësh të respektohen edhet autorët, pa marrë parasysh se prej nga vijnë, nga metropolet apo nga qytetet dhe krahinat më të vogla.

Por, tërë këtë konstatim, megjithatë, e demanton puna dhe vepra e këtij krijuesi dhe njeriut të kauzës kombëtare, z. R. H. Thaçi, e cila u përjetësua në librat-antologji, si: Antologjia “Korsi e Hapur”, e  përgatitur dhe e botuar nga LNPSHA “Pegasi Albania”, e drejtuar nga  prof. Kristaq F. Shabani – Tiranë. Pastaj, te  Antologjia “Jehona Shqiptare”, që drejtohet nga Kryetarja e kësaj Shoqate, Mira Korance, po ashtu në Tiranë.

Krijimtaria e tij është përjetësuar edhe tek veprat që tradicionalisht botohen për çdo vit, si, “Dita e Plisit”, të cilin manifestim e drejtojnë krijuesit nga Klina me në krye, Ismet Krasniqi Lala dhe Prend N. Buzhala. Po ashtu, Rasim H. Thaçin, pothuaj se çdo vit e hasim tek antologjitë vjetore të Bibliotekës Rajonale të qytetit të Prizrenit, e cila aktivitetin vjetor të saj e rrumbullakon me botimin e nga një vepre-antologji.

Krijimtaria e tij i ka begatuar edhe antologjitë tjera të shumta, siç është, Antologjia “Albania Shqipëri Natyrale”, të cilën e drejton kryetari i Shoqatës Kulturore “Zahir Pajaziti”, krijuesi i devotshëm, Rudi Berisha dhe shumë vepra të tjera.

Dhe, nga e gjithë kjo që e theksova, jo pa shkas, dua të them se veprat e mira dhe me vlerë, shpeshherë fshihen skutave nëpër raftet dhe sirtarët e bibliotekave, por ato gjithmonë janë thesar dhe sihariq i kulturës, i historisë, i mendjes së njeriut dhe i shkencës, që janë si stralli dhe gjithmonë vetëm bëjnë dritë…!   

Ndërkaq, puna e palodhshme e Rasim H. Thaçit, ka qenë e veçuar edhe në fushën e arsimit, në ç’drejtim ai është angazhuar për sigurimin e pagave punëtorëve të arsimit, por edhe për mbarëvajtjen e mësimit në shtëpitë-shkolla, në kohën kur regjimi i armikut i mbylli shkollat shqiptare në Kosovë.

Kapitull në vete është edhe rrugëtimi jetësor me bashkudhëtaren e vetë, me krijuesen, znj. Sherife Thaçin. Ata, jo se nuk i ka ndarë dita as nata, dhe pothuaj se kudo në manifestime kanë qenë së bashku, por krijimtaria e tyre është e lidhur fortë në mes vete, si rrënjët e rrapit. Dhe kjo, që të dyve, ua ka krijuar madhështinë e këndimit poetik, të krijimtarisë që buron nga mendja, nga zemra e pastër edhe e çiltër. Në këtë kontekst, ai e ka dashtë edhe familjen si gjënë më të shtrenjtë, dhe kështu, ata si pak kush i kanë dhënë kuptim jetës, ndershmërisë, njerëzores dhe lumturisë…!

Andaj, për këtë arsye, njerëzit e tillë nuk vdesin kurrë. Bile bile, artistët dhe krijuesit e kanë zemrën e madhe, e cila edhe në atë botë u rrahë dhe troket për të mirën e njeriut, për kombin dhe për atdheun… U rrahë dhe i flet tokës e qiellit për gjithçka…!

Dhe në fund, këtë shkrim do ta përfundoj me mendimin e Sokratit: “Gjithë shpirtrat e njerëzve janë të pavdekshëm, por shpirtrat e të drejtëve, e unë them, edhe të krijuesve, janë edhe të pavdekshëm, edhe hyjnorë…”!

(©S. B.)

 

Zef Mirdita – shkencëtari i studimeve mbi Dardaninë dhe i krishtërimit ndër shqiptar – Nga Gjon Marku

Të marrësh përsipër të japësh një vlerësim, një opinion e aq më tepër të merresh me veprën e një autori siç është Prof Zef Mirdita është përnjëmend një kënaqësi dhe një nder i veçantë qoftë kjo të diskutosh apo të shkruash për të, por në të njejtën kohë është dhe një përgjegjesi e jashtëzakonëshme që të bën të hezitosh dhe një detyrë që realizohet me vështirësi për vetë faktin se don një punë dhe përkushtim të madh, një seriozitet dhe një njohje të thellë e të gjërë dhe një obligim të brendshëm. Përmasa e një vepre të tillë dhe një personaliteti të tillë madhor të vë përballë vështirsish te mëdha dhe të bën të mendohesh gjatë përpara se sa të thuash apo të hedhësh në letër qoftë edhe një fjalë të vetme.
Gjithësesi kur vë në tavolinë veprat dhe kumtesat e tij mendon punën e mirfilltë shkencore të argumentuar që ballafaqohet me një dinjitet të pazakontë dhe që vjen gjithnjë në rritje që ngulitet gjithnjë e më tepër e i jep nder e zë vend të vlerësueshëm krahas figurave më në zë të kulturës dhe shkencës kombëtare shqiptare dhe më gjërë.
Një vepër që e mban lart puna dhe këmbëngulja shkencore e pa diskutim dhe veprimtaria kombëtare ku duket ndjeshëm një punë e gjatë dhe e rëndësishme, vëllimore dhe e vijueshme e realizuar me një këmbëngulje të pandërprerë e të ndërgjegjëshme, me një përkushtim e profesionalizëm të lartë. Vepër e pasuruar dalëngadalë e hap mbas hapi duke marrë gjithnjë e më shumë fizionominë e një vepre madhore.
Rëndësinë dhe përgjegjësinë e rrit pastaj vetë figura e Prof Zef Mirditës.
Ai u lind në Prizren më 13 mars 1936. Shkollën fillore dhe gjimnazin e ulët i kreu në vendlindje, kurse gjimnazin klasik në Pazin (Istër) dhe Zagreb. Në Fakultetin Teologjik Katolik të Zagrebit diplomoi filozofinë. Në vitin shkollor 1959/60 regjistron Fakultetin Filozofik të Universitetit të Zagrebit – Degën e Historisë. Gjatë viteve 1961 dhe 1962 ka qenë demonstrator i prof.dr.Jaroslav Šidakut, në Katedrën e Historisë Kroate. Si student i vitit III dhe IV të studimeve ka qenë ligjërues i lëndës së Historisë në gjimnazin e mbrëmjes “Iso Kršnjavi” në Zagreb. Si apsolvent, në vitin 1963/64 kryen shërbimin ushtarak. Diplomoi më 8 korrik 1965. Më 8 shkurt kthehet në vendlindje, ku si profesor i gjimnazit të Prizrenit ligjëron lëndët: histori, sociologji, latinisht, frëngjisht, paraleleve shqipe, serbe dhe turke. Po ashtu, latinisht dhe sociologji ligjëron në shkollën e mesme të mjekësisë dhe në shkollën e mesme të muzikës. Gjatë semestrit dimëror, në Fakultetin Filozofik ligjëron latinisht studentëve të historisë dhe albanologjisë, në gjuhën shqipe dhe serbe. Nga 1 janari 1967 kalon në Prishtinë, në Fakultetin Filozofik, si asistent i pavarur në Degën e Historisë – Koha e vjetër.
Pasi që edhe si student, pastaj edhe si asistent, ka publikuar në revista shkencore, u lirua nga studimet pauniverzirare dhe magjistratura kështu që në nëntor të vitit shkollor 1967/68, në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Zagrebit e paraqiti tezën e doktoranturës, e cila iu pranua më 1968, me titullin Dardanët dhe Dardania në antikë, ndërkaq të cilën, më 3 nëntor 1972 e mbrojti me sukses para komisionit, të përbërë nga akademikët: Mate Suiæ (Kryetar), Duje Rendiæ- Mioèeviæ dhe Radoslav Katièiæ (anëtarë). Më 20 prill 1973 promovohet në gradën e doktorit të shkencave historike. Më 1973 zgjedhet docent. Më 1978 profesor inordinar, ndërkaq më 1983 profesor ordinar i lëndës Historia e Kohës së Vjetër. Më 3 prill 1991 zgjedhet anëtar me korrespondencë i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Më 1 mars 1993 punësohet në Institutin Kroat për Histori në Zagreb si këshilltar shkencor ku është edhe Drejtor i projektit “Vllehët”.Që nga viti shkollor 1997/98 në Fakultetin Pedagoðik të Universitetit të Osijekut “J.J.Strossmayer” është profesor ordinar i lëndës Historia e Kohës së Vjetër – Lindja e lashtë. Autor i veprave:
1. Studime dardane, Prishtinë 1979; Tiranë 1981.
2. Antroponimia e Dardanisë në kohën romake (Die Anthroponymie Dardaniens zur Römerzeit), Prishtinë 1981(shqip-gjermanisht)
3. Mitet dhe mitologjia në antikë – Funksioni dhe trajtimi i tyre, Prishtinë 1988
4. Historia e Kishës në popullin shqiptar: material për historinë e Kishës Kombëtare në Institutin Katekistik Kombëtar në Shkodër 1994
5. Krishtenizmi ndër shqiptarë, Prizren-Zagreb 1998.
6. Religjioni dhe kultet e Dardanëve dhe Dardanisë në Antikë”
Prof. Dr. Zef Mirdita mori pjesë në Simpoziumin Ndërkombëtar“Krishtërimi ndër shqiptarë”, që u organizua në Tiranë (Nëntor 1999) nga Konferenca Ipeshvnore e Shqipërisë, në bashkëpunim me Kryeipeshvinë e Tivarit dhe Ipeshvinë Shkup – Prizëren, me rastin e vitit jubilar 2000 – vjetorit të Krishtërimit. Punimet e Simpoziumit u hapën me referatin e Zef Mirditës “Gjashtë shekujt e parë të Krishtenizmit në trevat ilire-shqiptare”, që ishte një sintezë e një studimi të gjerë e të thelluar të autorit. Por më të plotë, rrugën historike që ka ndjekur Krishtërimi në trojet shqiptare nga fillimi e deri më sot, historiani i shquar e trajton në veprën e tij madhore “Krishtërimi ndër shqiptarë”, Prizëren – Zagreb 1998, përcjellë prej një parathënie të Imzot Mark Sopit, Ipeshkëv i Kosovës. Është e pajustifikuar që qarqet shkencore akademike në Shqipëri deri tani nuk kanë bërë atë që duhej për sa i përket njohjes dhe jehonës së një vepre të tillë, e para dhe e vetmja deri më sot, kushtuar historisë së Krishtërimit ndër shqiptarë. Siç pohon ai vetë origjian e tij prej Mirdite të bën të ndjehesh krenar.
“ Të parët e mi – sa më kujtohet nga biseda e të vjetërve – janë nga Fusha e Arsit (babëgjyshi ose gjyshi?). Kurse unë jam i bajrakut të Spaçit, barkut të Bibës dhe në qoftë se mund të ketë ndonjë kuptim tjetër – jam edhe nip Gjugje. Më 22 gusht1973, për herë të parë dhe të fundit isha në Fushë të Arsit. Aty rastësisht e takova një arsimtar nga Gojani. Pas një kohe, mori guximin dhe u hap paksa, duke më thënë se kishte lexuar disa punime të mia. Nga aty u nisa për në Pukë ku e vizitova muzeun e Bardhok Bibës.
Deri më 1948, unë jam quajtur me patronim: Zef Deda. Kur u bë regjistrimi i parë pas Luftës II Botërore më 1948, regjistruesi e pyet nënën si quhemi. Ajo i thotë se të parët e familjes sonë janë nga Mirdita. Ai e regjistron këtë emër dhe kështu më mbeti mbiemri im i sotëm: Mirdita.”
Veprimtaria shkencore e Prof Zef Mirditës të befason. Kryefjala e punimeve të tij është Dardania e cila fillimisht vjen nëpërmjet veprës “Studime Dardane” duke hedhur dritë e duke argumentuar shkencërisht historinë e lashtë të fisit ilir të dardanëve. Pesë prej kumtesave të përmbledhura në këtë vepër lidhen drejtëpërsëdrejti dhe vetëm me Dardanët. Ky autor gjithësesi e plotëson kuadrin e vet të studimeve edhe me veprën tjetër pasuese të tij “Antroponomia e Dardanisë në kohën romake” për të vijuar me botimin e tij të fundit “Religjioni dhe kultet e Dardanëve dhe Dardanisë në Antikë”.
Në mënyrë të veçantë Prof. Dr. Zef Mirdita iu kundërvihet pikëpamjeve antishqiptare dhe përpjekjeve të disa historianëve të huaj për t’i paraqitur dardanët si “barbarë”, si një popullsi që nuk arriti dot atë zhvillim ekonomik që arritën fqinjët e tyre. Ai jep një literaturë të gjërë e të pasur që hedh poshtë teorinë e Gërga Novaku, i cili mundohet ta mohojë prejardhjen ilire të dardanëve. Nëpërmjet argumentave dhe fakteve shkencore ai argumenton, nëpërmjet veprave të lartpërmendura, për politizimin dhe dëshirën e një grupi të caktuar studjuesish e në mënyrë të veçantë serb të cilët mundohen të fallsifikojnë, mohojnë kulturën tonë kombëtare.
Kundërvënia më e mirë e studjuesit shqiptar dhe përgjigjia më e mirë e tij shprehet nëpërmjet punës shkencore të mirfilltë e cila përsa i përket cilësisë dhe forcës së argumentit shkencor vjen duke u ngritur nga vepra në vepër duke hyrë në një analizë të gjithanëshme e të pakundërshtueshme.
Në veprën e tij të fundit “Religjioni dhe kultet e Dardanëve dhe Dardanisë në Antikë”, vepër të cilën autori ka menduar t’a ndajë në dy pjesë kryesore: Në pjesën e parë ai përfshinë religjionin dhe kultet pagane që dëshmohen në truallin e Dardanisë ndërsa në pjesën e dytë bën fjalë për krishtërimin dhe përhapjen e tij në Dardani. Nëse në pjesën e parë ai si burim kryesor përdor materialin epigrafik dhe arkeologjik, në pjesën e dytë të veprës ai vë në dispozicon të punës së tij shkencore material arkeologjik dhe burime adekuate historike dhe kishtare.
Veprat në fjalë janë vlerësuar lart për nivelin e tyre shkencor dhe janë një odjekt që u hap rrugë studimeve të këtilla në Kosovë por edhe më gjerë. Veprat karakterizohen nga një material i ngjeshur e sintetik Është mjaft domethënës synimi i tij për të realizuar studime shkencore që kanë të bëjnë me vendlindjen e tij, ku ai me anë të analizës dhe materialit shkencor depërton fuqishëm në historinë e lashtë ne religjionin dhe kultet në mitet dhe historinë e krishtërimit.
Punimet dhe arritjet shkencore të Prof. Dr. Zef Mirditës bëhen edhe më të vlefshme dhe marrin një peshë të veçantë kur merr parasysh bibliografinë e pazakontë të vënë në dispozicion të punës së tij kërkimore shkencore.
Prof Zef Mirdita nuk lë menjëanë as mitet dhe mitologjinë në antikë të cilat i trajton në një mënyrë mjaft të gjerë dhe shkencore në veprën “Mitet dhe mitologjia në antikë- Funksionet dhe trajtat e tyre” vepër e cila është botuar në Prishtinë në vitin 1988.
Në mënyrë të posaçme ai merret edhe me historinë dhe kulturën e kishës në popullin shqiptarë. Histori e cila jap qartë orientimin e kësaj kishe drejt Kishës Romane. Nëpërmjet veprës “Historia e Kishës së popullit Shqiptar” ai sjell historinë e munguar. Kjo vepër ka një qëllim dhe një objekt të gjithanshëm.
Ai është i vetëdijshëm për rëndësinë dhe përgjegjësinë e punës së tij shkencore, aq më tepër për rolin e intelektualit dhe të shkencëtarit. Prandaj është një autor tepër origjinal e i thellë. Origjinalitet i tij qëndron së pari në ndërtimin unik dhe mjaft dinamik të secilës prej veprave të tij duke i dhënë forcë mendimit dhe peshë të jashtëzakonshme argumentit shkencor. Ai hyn thellë në përmbajtjen e të dhënave shkencore. Vetë ai është i ndjeshëm ndaj fakteve dhe argumentues i jashtëzakonëshëm i tyre.
Është i dukshem zelli për të vënë në pah gjith ato vlera të kulturës e të historisë sonë dhe kopetenca e të shprehurit dhe të sjellurit të këtyre fakteve dhe argumentave përpara lexuesve.
Falë pasionit dhe impenjimit të mirfilltë hulumtues ai ka mundur të gjurmojë rrënjët e njërës ndër kulturat më të vjetra të ballkanit duke rendur e argumentuar lidhjet iliro-dardane.
Pa frikë sot Zef Mirdita është njëri ndër dijetarët e mëdhenj të kombit tonë. Intelektual me formim të thellë e vision të gjerë perendimor, që dijet e tij të shumta i vuri në ndriçim të atyre anëve të historisë që ndoshta ishin më të errëta e mbi të cilët është kërkuar me forcë të deformohen për qëllime politiko-etnike.
Gjon Marku

Era dhe shkumëzimet e detit të trazuar, akuzojnë! – Kritikë letrare nga FRAN GJOKA

(Përjetime rreth librit të shkrimtarit Viron Kona “Përbindëshat e Otrantos”)

 

Sapo ka dalë libri më i ri i shkrimtarit të njohur Viron Kona, i titulluar “Përbindëshat e Otrantos”, një novelë, e cila qysh në kopertinë dhe në titull, të bën kureshtar dhe të nxitë t`ia nisësh menjëherë leximit. Kështu më ndodhi dhe mua. Nisa ta lexojë librin me kureshtje, nga faqja në faqe. E, siç ndodh me një libër të mirë, dëshira të mban të mbërthyer për të mësuar sa më shumë për subjektin, fatin e personazheve, bukuritë dhe befasinë e gjetjeve dhe shprehjeve artistike,  i shoqëruar çdo çast me ndjenjat të thella emocionale. Me “Përbindëshat e Otrantos” po më ndodhte si me një ëndërr të keqe, që, edhe doja ta largoja nga vetja, sepse ishte shumë dramatike dhe e dhimbshme,  por njëherazi, edhe nuk shkëputesha dot pa mësuar deri në fund sesi do të shkonte më tej fati atyre njerëzve që kishin hipur në atë skaf lundrues për të shkuar në Itali, ku mendonin se do të gjenin parajsën….

Kur lexon një libër artistik, të duket sikur autori e ka gjithnjë mundësinë që t`i shkruaj episodet dhe ngjarjet me fund të pëlqyeshëm, të lumtur, por mendoj se nuk është kështu. Autori, sipas mendimit tim, ecën në rrjedhën e ngjarjeve mbështetur në përfytyrimin e tij artistik dhe nuk mund t`u shmanget dot rrjedhës dhe përfundimit të tyre, pavarësisht sesi është ai, i gëzuar apo i hidhur. Është jeta me realitetet e saj që ia imponojnë shkrimtarit  zgjidhjet. Ai, kur përshkruan një lundrim në oqean, nuk mund të shkruaj se gjithçka do të shkojë siç shpreson e dëshiron ai, sepse, oqeani ka “huqet” e tij, edhe dallgë e cuname, edhe erëra dhe stuhi, por edhe defekte të mundshme të anijes apo të mjetit lundrues. Jeta dhe historia na kanë treguar për plotë raste të tilla. Ndërkaq, siç e dimë, është njeriu që bënë, edhe të mirën, edhe të ligën, ndaj shkrimtari, në këtë kontekst, nuk mund të nxjerrë zemërdhembshur një pirat detesh. Piratët e deteve janë piratë me tërë përfytyrimin që ne kemi për ata soj njerëzish. Ata, në tërësinë e tyre pasqyrojnë ligësi, dhunë, vjedhje, shkatërrim, pangopshmëri shtazarake dhe krime të përbindëshme. Kështu, shkrimari nuk mundet të abstragojë nga realitetet dhe personazhet kriminelë, ai nuk mund t`u  largohet rrjedhave reale dhe objektive të episodeve apo ngjarjeve, ai “vozit” në ato rrjedha pa e frenuar imagjinatën dhe përfytyrimin artistik, dhe, me talentin e  tij i bënë ato çfarë ai shkruan reale dhe të besueshme, por edhe tërheqëse me bukuri artistike, qoft edhe tronditëse, ndërkohë që ai jep njëherazi edhe mesazhe të vlefshme për lexuesin, duke shprehur artistkisht qëndrimin e tij për ngjarjet apo tipat dhe karakteret që përshkruan. Kështu që, edhe unë si lexues, doja apo s`doja, ndiqja përmbajtjen dhe rrjedhën artistike të  librit të Z. Kona, ashtu dhe fatin e personazheve të tij, pavarësisht se, nga faqja në faqe më shtonin ankthin, dëshpërimin dhe një gjendje të rëndë shpirtërore dhe emocionale. Duket se edhe shprehja franceze “C`est la vie!”, nuk është vetëm qejf e muzikë, si te kënga franceze,  por jeta i ka dhe i përfshin të gjitha, ashtu siç jeta është dhe siç vjen, me të mirat dhe me të ligat e saj, e ku njeriu, më shumë është rob i jetës, sesa lider i saj. Ai udhëheq vetveten, por dallgëve të jetës mund t`i shmanget, ai edhe do të përplaset, edhe do përpiqet t`i përballojë dhe t`i kalojë ato, ndryshe s`mund të jetojë dhe të mbijetojë.

E, pikërisht, drejtuesit e atij skafi klandestin – piratesk, kishin marrë përsipër të çanin Otranton përkudrejt fitimeve të majme, duke u treguar vazhdimisht të pangopur dhe duke i konsideruar udhëtarët e tyre të mjerë si një plaçkë apo mall tregu. Ata ishin dhe janë si ujku që kërkon mjegullën dhe, në Shqipëri, veçanërisht në vitet 1990 – 2000, atë mjegull e kishin me bollëk, ata mund të tregonin fare hapur grykësinë e ujkut dhe të çakallit. Ujqërit janë ujqër, çakejt janë çakej, piratët janë piratë, e kanë të shkruar në ballë dhe në veprimet e tyre mashtrimin dhe zhvatjen, mashtrimi dhe ligësia janë të shkrirë në tërë karakterin e  tyre, pavarësisht pamjeve dhe fjalëve që mund të thonë. Siç mund të kuptohet, shkrimtari nuk mund të bëj dot zgjidhje të pëlqyera, që janë larg të vërtetave të dhimshme, aq më tepër kur bëhet fjalë për ikjet në mënyrë klandestine, siç kanë ikur në këto dy-tri dekada shqiptarët, thuajse gjithnjë “nga sytë këmbët”. Jeta e tyre, ikjet e tyre në mënyrë klandestine në shtetet fqinjë, nga malet, nga detet, brenda frigoriferëve, etj., janë bërë dhe bëhen vetëm për të kërkuar një jetë më të qetë, për të mbijetuar apo për të siguruar jetën e  fëmijëve dhe të ardhmen e tyre. Realitetet dhe jeta që ne shqiptarët kemi përjetuar, në ka shkuar shpesh herë keq e më keq, jeta ka kaluar përmes dramave dhe tragjedive, ashtu siç ndodhi gjatë vitit 1997, vit, të cilin duam ta harrojmë por nuk e harrojmë dot, sepse, sa herë përmenden krimet dhe armët, ajo atmosferë na shfaqet përpara syve, duam apo nuk duam. Janë realitetet e  egra që i detyrojnë shqiptarët të marrin arratinë, ashtu si delet që u vërsulet ujku, iknin ku të mundin duke iu larguar pa dëshirë atdheut të tyre, vendlindjes ku kanë prindërit, historinë, kujtimet, pronat… Ata marrin me vete kujtimet, mallin për të dashurit, historinë e kombit dhe, veçse ikin e ikin papushim. Vektori i tyre është vetëm ikja… Ndërkaq, subjekti dhe rrjedhja e ngjarjeve të librit të Viron Konës, nuk më linte ta ndërprisja dhe të meditoja më shumë, sepse ai më tërhiqte si filli i Ariadnës. Në skafin që ishte mbushur plot e përplotë me klandestinë dhe ishte gati të nisej, kapiteni dhe ndihmësi i tij po bisedonin për vajtjen dhe kthimin me atë skaf në Itali, madje, me nepsin për të fituar sa më shumë, ata po planifikonin të bënin jo një, por dy rrugë vajtje kthim, se edhe fitimi sigurisht që do të ishte shumë herë më i madh. Teksa ata bëjnë llogaritë e fitimeve, lexuesi mëson se në atë skaf kanë hipur shtrënguar njëri pas tjetrit një grup njerëzish, krejt  të panjohur me njëri –tjetrin, që ishin grumbulluar aty buzë detit, mes  erësirës së thellë, me të vetmin qëllim që të iknin si mërgimtarë në Itali… Atë natë, ata klandestinë u kishin besuar jetën dhe ëndrrat e tyre dy aventurierëve, teksa i shihnin me druajtej dhe gjithë frikë, edhe kapitenin mjekrosh, edhe ndihmësin e tij, një shkurtabiq hundështypur, që komunikonin me zëra të egër e kërcënues, me fjalorin dhe gjuhën e  tyre:

– Ka ndonjë nga këta që s’i ka paguar të gjitha paratë?-pyeti kapiteni.

– Të gjithë  paguan aq sa u kërkuam, deri në qindarkën e fundit.

– E dëgjove në radio parashikimin e motit? – vijoi ta pyeste kapiteni.

– Jo, nuk e dëgjova, por duket që do të jetë kohë e mirë. Pulëbardhat fluturojnë të qeta, ndërsa delfinët…

       – Idiot! – i gërthiti kapiteni i zemëruar, – Ne s’do të shkojmë në Gjolin e Nartës  për ngjala, por do të çajmë mespërmes Otranton.

Ndërsa bisedonte me ndihmësin, kapiteni hidhte ca vështrime të ndezura te vajza e fejuar, bukuria e së cilës provokonte lakmi spontane. Fytyra e tij e zgjatur te turinjtë, sytë ngulmues e të lëngëzuar dhe vetullat në ngjyrën e kuqërremtë të karkalecave të detit, e frikësonin vajzën dhe ajo ngjishej më shumë pas të dashurit të saj…

Pas prezantimi me skafistët, me ata që do t`i çonin në Itali kundrejt fitimeve të majme, shkrimtari, përshkruan nisjen e skafit nëpër det, duke çarë dallgët dhe duke përshkruar mjedisin që ata i rrethonte, erësirën, situatën dramatike dhe të pasigurt ku ndodheshin asaj nate ndjellakeqe. Kështu, novela nis dhe zhvillohet në mënyrë intriguese. Lexuesi dridhet nga zemërimi, kur lexon se ata aventurierë, i trajtonin këta njerëz qyqarë, të mjerë  dhe të frikësuar, si ata tregtarët që kanë rënë në mall të mirë dhe bëjnë llogari fitimet që do të nxjerrin. Por, edhe para skafistëve piratë shfaqen pengesa dhe kurthe, ata druajnë nga anijet  e rojes bregdetare, të cilat i pengojnë dhe nuk i lejojnë të kalojnë Gjirin e Vlorës dhe të futen në Otranto, ku është destinacioni i skafit të tyre lundrues. Me stil të zhdërvjelltë dhe origjinalitet, shkrimtari Kona e “mbërthen” fort lexuesin në dramën që rrëfen dhe, si pasojë lexuesi ndjek me dhembje dhe frikë në zemër fatin e atyre të mjerëve, që, atë natë u ishte mbushur mendja të nisnin një rrugëtim-aventurë drejt Italisë. Sigurisht që nuk e dinin përfundimin, s`dinin ku po i çonin, në parajsë, apo në ferr? Ishte deti dëshmitarë, por një dëshmitar i heshtur…

Nisja dukej aventureske, por herë-herë ajo duke edhe e mbarë, por, sado trima dhe  besimplotë që ata të tregoheshin, ishte vet mjedisi ku ndodheshin, ishte ajo errësirë e thellë, ishin ata dy skafistë, kapiteni dhe ndihmësi, që pak ngjasonin me njerëzit e vërtetë, sepse me çdo fjalë e veprim ata veçse përhapnin frikë e tmerr te “kilentët” e tyre. Aq më tepër që, ai skaf i tyre, i thjeshtë dhe sportiv,  shërbente për shëtitje brigjeve të detit, kurse në atë lundrim që ata kishin nisur ai mund të ishte veçse një lëvozhgë mbi ujë. Ndërkaq, atyre u shtinin tmerr dhe frikë format e brigjeve të herrëta e shëkmbore, që në erësirë merrnin forma dhe trajta figurash mitike, por edhe si gojë përbindëshash. Po ashtu, edhe gjijtë e Karaburunit, që shfaqeshin plotë shkrepa, shpellat, që nxinin herë diku afër dhe herë më larg përgjatë gadishullit, i cili dukej më i zi se nata, ndaj, jo rastësisht, siç shkruan autori, ai jo më kot mban atë emër, Karaburun, që në gjuhën turke përkthehet “hundë e zezë”.  Dhe, vërtetë, ato çaste, për klandestinët ai  ishte vetëm i zi, sterrë i zi…

Shkrimtari, vijon:

Papritmas, një sirenë e mprehtë dhe e zgjatur, e shoqëruar me një lumë të  shndritshëm drite verbuese sikur çau qiellin dhe perden e natës.

Klandestinët shtangën.

– Është anija e patrullimit. Fike fenerin! – i bërtiti kapiteni ndihmësit.

Pa e humbur toruan, ai e ktheu skafin djathtas në mënyrë të rrufeshme dhe ndërroi kursin e lundrimit. Që të mos binin në ujë, klandestinët u kapën me thonj pas njëri-tjetrit. Skafi nisi të bëjë një hark  të madh për t`iu larguar sa më shumë anijes luftarake, që i ishte vënë pas…

Plot frikë dhe ankth, ata ndiqnin me sy trembur drejtuesit  e skafit, të cilët përballë anijes patrulluese që i ndiqte dukej sikur luanin me fatin, ata dukeshin se ishin vet djalli. Dhe, çuditërisht, ata e kishin për nder kur dikush i quante  “djall”…Siç shkruan autori, në mjediset e klandestinëve, tregoheshin ngjarje që të ngjethnin mishtë kur i dëgjoje: ndodhte që kapiteni i skafit, kur shihte se anija luftarake e patrullimit që e ndiqte, do ta kapte nga çasti në çast, duke mos parë asnjë mundësi tjetër shpëtimi, papritmas, kthehej mbrapsht, merrte hov dhe, duke i lemerisur e tmerruar klandestinët që kishte në bord, i vërsulej drejt për drejt, me shpejtësi të llahtarshme anijes luftarake si të donte të sfidonte vdekjen: “Ose më hap rrugë dhe mos më pengo të shkoj për ku jam nisur, ose përndryshe prano sfidën time. Unë s’kam rrugë tjetër. Kjo është puna dhe jeta ime. Ky është fati dhe Zoti im, dhe unë, i bindem vetëm atij!”. Por drejtuesit e anijes luftarake shihnin se përpara kishin djallin dhe, djallit, duhet t`i shmangeshin, më mirë të mos ngatërroheshin me të.  Me këtë logjikë, anija luftarake, i shmangej përplasjes me atë djall – përbindësh, që s’donte t`ia dinte për asgjë në botë. Pas kësaj, tek e shikonte veten të lirë dhe të pakërcënuar më, përbindëshi ulte krifën, hapte krahët dhe, duke u shndërruar në “pulëbardhë” elegante, vazhdonte i patrazuar lundrimin…

Dhe në vazhdim:

-Tani hymë në ujërat neutrale! – u dëgjua zëri i kapitenit, i cili duke shtuar në maksimum shpejtësinë e lundrimit, thirri me të gjithë forcën e zërit: – E gjithë Otrantoja është e imja. Unë jam zot i saj!

E, atëherë, ata sa nuk u hodhën përpjetë nga gëzimi, ëndrrat e tyre po merrnin jetë…Ja, ai djaloshi, Tiku, po e përfytyronte të bukur vazhdimin e jetës. Do të shkonte në Itali, do të punonte dhe, kur e dashura e tij të mbaronte universitetin, ai do të ishte një mbështetje për të vijuar jetën të dy, të lumtur…Ndiheshin të gëzuara sa s`thuhej dy vajzat e vogla, që mbante në krahë babai i tyre, i cili po u thoshte se, ja, së shpejti ato do të hidheshin në krahët e mamit të tyre të dashur që i priste diku në brigjet e Italisë. Po shprehnin një gëzim të përmbajtur dy pleqtë e urtë, që po shkonin te djali i tyre të cilin nuk e kishin parë prej disa vjetësh. Po gëzonin, kurdët dhe kinezët, se, më në fund po shkonin në një shtet perëndimorë dhe këtej e tutje filli i jetës së tyre do t`u shkonte mbarë. Po gëzonte fëmija i vogël, lypësi, i cili kishte hipur fshehurazi në skaf dhe, në ato çaste, duke përfituar nga gëzimi i klandestinëve, ai po niste që aty në skaf zanatin e lypësit…Ndiheshin të lumtur çifti, vajza dhe djali, që qëndronin gjatë gjithë kohës, gati si një trup i vetëm, duke përfytyruar të ardhmen dhe jetën në një familje të ngrohtë. Po gëzonte edhe prostituta, e cila po shpaloste planet e saj, duke përmendur sheshe dhe rrugë të  herrëta të Italisë. E, pra, thoshë Tiku me vete, ”Djalli nuk është kaq i zi sa ç`e bëjnë!”…Ja, pas rreth gjysmë ore, ky skaf pulëbardhë do të kapte finishin dhe në horizont do të shfaqej fari i Otrantos…

Por, përse skafi po e ulte shpejtësinë dhe sikur po rëndohej?! Tiku, kthehu vështrimin nga kapiteni dhe, i shkoi një e rrëqethur që ia bëri lëkurën akull! Ai njeri, që  deri në ato çaste i ishte dukur i pamposhtur, gati si heronjtë mitologjikë, tani sepse po ndihej i shqetësuar. Fytyra i kishte ndërruar shprehje dhe s’po dukej më i sigurt si më parë.  Ç`po ndodhte?! Kjo pyetje, tani po bëhej nga të gjithë klandestinët. Ata ndiqnin me ankth e zemërngrirë çdo fjalë, gjest e veprim të drejtuesve të skafit. Kapitenin s’po e mbante vendi. Ia lë timonin ndihmësit duke hungëruar e sharë, herë nëpër dhëmbë e herë me zë të lartë.

Fenerin! – thirri ai dhe u përkul të shihte diçka në pjesën e skafit të zhytur në ujë.

-Fik motorët! – urdhëroi. Urdhri u zbatua. Motorët u fikën dhe pas pak çastesh skafi ndaloi.

Një heshtje e rëndë u nder në errësirën e thellë. Qe një heshtje e frikshme, kur mendja të vete në të liga, kur përfytyrimet janë ndjellakeqe, ogurzeza dhe njeriu e sheh veten si një krijesë tepër të dobët e të pambrojtur.

Dhe, të gjithë ata të gjorë, i përfshiu një drithërimë tmerri, kur dëgjuan zërin e ngjirur të kapitenit:

-Skafi po fut ujë! – tha duke mos mundur të fshehë dot mynxyrën që po ndodhte…

…Një heshtje sublime, e shoqëruar me drithërima, përshkoi të gjithë klandestinët. Ata njerëz të pafat e ndjenin thellë se tashmë ishin pa asnjë rrugëdalje dhe, përmes një bese të pashpallur, vendosën t’i nënshtroheshin në heshtje fatit të tyre të hidhur. Edhe shpresa që vdes e fundit, tani nuk ekzistonte më. Kurse Hëna? Ajo dukej si e lodhur nga shoqërimi i tyre dhe tashmë edhe ajo po hiqte dorë përfundimisht dhe po zhytej në erësirën e thellë të reve si për të fjetur gjumë. Asnjë nuk fliste. Vetëm dy vajzat e vogla, që burri trupimët mbante në gji, diç i thoshin të atit, ndoshta i kujtonin mamin e tyre të dashur, që i priste e përmalluar në bregun tjetër. Ai s`bënte gjë tjetër vetëm i përqafonte fort-fort, i ngrinte sa mundte mbi kokën e tij, sa më lart sipërfaqes së ujit dhe dridhej i tëri. Ato ishin dy qenie njerëzore krejtësisht të pafajshme, që s’kuptonin asgjë përse ndodheshin në atë skaf në mes të ujit dhe se për  ku po shkonin…

Autori duke shprehur një gjendje të fortë emocionale, krijon për lexuesin një atmosferë krejt tjetër, duke përshkruar me nota të dhimbshme skafin që po shkonte në fund të detit, duke marrë me vete të gjithë ata njerëz të mjerë e të pafajshëm…

Në mbyllje të këtij artikulli them se dëshmitarë për sa ka ndodhur në udhëkalimet e refugjatëve shqiptarë për në Itali, janë era dhe shkumëzimet e detit të trazuar, që akuzojnë pareshtur dhe ngrejnë piskamën e dhembjes drithëruese në kupë të qiellit. Do të jetë koha, ajo që do t`i zbulojë të vërtetat lakuriq dhe do të bëj ndëshkimin. Mbase, mjaft prejtë vërtetave do t`i shndërrojë në mite e legjenda për të evokuar një të kaluar më shumë se tragjike. Një mit i ri, një mit ende pa emër, ndodhta po lindte nga akti i dy pleqve të mirë e të urtë që u hodhën në ujë për të lehtësuar peshën e skafit që po mbytej, për t`u zgjatur sado pak shpresën bashkudhëtarëve fatkeq. Sakrificën ata  e besonin si të vetmin mjet për të treguar se në kohën e zhvatjes, të pangopshmërisë shtazarake dhe të shqyerjes, pulson edhe diçka njerëzore. Me siguri atë sakrificë nuk e kuptuan të gjithë. Kapitenit të skafit dhe ndihmësit të tij, ndoshta as që u shkoi mendja  dhe natyrisht, mendja s`do t`u shkonte edhe shumë të tjerëve kur të lexonin në gazetë një lajm tashmë fare të zakonshëm për mbytjen e një skafi dhe “disa njerëzve’. Të vetmin që do ta shfrytëzonin këtë lajm, do të ishin politikanët. Ata, duke ia hedhur fajin njëri-tjetrit, mbase do t`u vinte “mirë” që u erdhi në dorë një fakt i hidhur për të manipuluar ata njerëz që kanë ende qejf të manipulohen.

KUR HISTORIA SHKRUHET NGA ATA QË KANË BËRË HISTORI – Nga Visar ZHITI

– Të vërteta të “luftës së jetës” të Kadri Cakranit

Besojmë dhe themi që Atdheu është si një familje e madhe, po kështu ka dhe familje të mëdha që janë si atdheu. Që mbartin fatin e tij, nga drama e përjetësisë së tij, që marrin dhe japin nga identiteti i përbashkët nëpër kohëra, nga himni dhe ajo hijeshi ideale, e patjetërsueshme. Familja dhe Atdheu bëhen njësh me jetët e tyre dhe punën, me përjekjet dhe paqen dhe më shumë me luftën dhe vdekjet, me fitoret e vështira dhe ato humbje që farkëtuan bashkë me qëndresën dhe ndërgjegjen kolektive, gjithë antropologjinë, ngjarjet, karakteret, vetë lavdinë e kombit duke paraprirë ardhmërinë, e cila bëhet e tashme, duke shtuar përvojën dhe pasi ikën e shumta si çdo e shkuar, lë dhe histori dhe mbetet si truall. Por dhe si frymë. Si legjendë. Antike dhe moderne.

Familja e madhe Cakrani është një histori e gjallë e Shqipërisë së pavarur, tashmë dhe e shkruar mrekullisht, që përfshin dy shekujt e fundit, kapërcimin e shekullit XIX bashkë me robërinë e gjatë dhe të rëndë otomane dhe zë të gjithë shekullin XX, me pavarësinë dhe konfliktet ballkanike me armë, Luftën e Parë Botërore, Kongresin e Lushnjës si pavarësi e dytë e Shqipërisë, pushtimin fashist dhe Luftën e Dytë Botërore, fitimtarët dhe vendosjen e diktaturës së tyre, më të egrën në vendin më të vogël në të gjithë perandorinë komuniste dhe ikjet prej saj.

Familja Cakrani është kështu dhe një rrënjë e futur thellë, që përshkon nëpër Perandorinë Otomane dhe përhumb në atë Bizantine. Si e tillë, kjo familje e njohur feudale ka patur dhe fatin e rrënjës, e mbetur nëntokë, ushqimdhënëse, por dhe me trungje të prera përsipër, në harresën e re vrastare. Por siç arriti ta parashikonte dhe njëri nga personazhet e shumtë të këtij libri memoaristik, politikani dhe shkrimtari i ikur Ernest Koliqi në dramën e tij “Rrajët lëvizin”, do të vinte dhe koha e një kujtese tjetër, e një ringjalljeje shpirtërore, ku bashkë me vlerat dhe virtytet do të çrroposeshin dhe emrat e atyre që punuan “për Shqipëri”, duke shkrirë jo vetëm pasuritë, por edhe jetët, duke vënë në shërbim nderin dhe fatin.

 

 

LIBRI I KUJTESËS

 

Pas librit befasues dhe i një rëndësie të shumfishtë, “Kujtimet e një firmëtari”, nga Hajredin Bej Cakrani, ndërkaq dhe dokumet historik, që mungonte për kohën e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, madje dhe i vlerave gjuhësore në rrëfimin shqip në toskërisht dhe pa mbaruar habia mbi këtë zbulim, ja, tani del dhe libri i të birit, Kadri Cakrani, “Të vërtetat e luftës sime”, që përfshin vazhdimin, jetën e tij e të familjes dhe të Atdheut, të ndërthurura bashkë si një e tërë. Ashtu siç i mori detyrat dhe përgjegjësitë atje ku e la i ati, me ndjesitë e një misioni të lartë, me përkushtimin e birit, pasi bëri luftëtarin e atdheut, me karakterin dhe mendësitë tipike ballkanike, por sidomos ato shqiptare, ku përzihen virtyti dhe veset, pasi iku në mërgimin e detyruar, në Perëndimin e kulturuar, në fund bëri dhe një akt, nga ato prej europiani, perëndimori, la kujtimet, që i quan të vërtetat e tij, por që po aq, janë të vërtetat e shqiptarëve dhe të vetë Shqipërisë. “Shqiptarët bëjnë shumë, por shkruajnë pak”, – thoshte Dora D”Istria, shkimtarja me origjinë shqiptare, ndër gratë më të kulturura në Europë në kohën e saj. Por ja, që pas saj Cakranët e paskëshin thyer këtë çkujdesje atavike, konservatorizëm i padobishëm, jo një, por dy herë, nga ati dhe biri.

Edhe dalja e kujtimeve të Kadri Cakranit i ngjan një arkeologjie, që nuk zbulon, si të thuash veç vende, – ngjarjet nisin në vendlindjen e autorit, në Mallakastër, ku kishin domenin, “Republikën Cakrani”, vazhdojnë në Berat, ku kishin dhe aty shtëpi të madhe dhe autori shërbeu si Kryekomandant i Ballit Kombëtar, por dhe në Austri më parë, ku ai u shkollua në Akademinë Ushtarake Tereziane, vazhdimet, lufta dhe ikja e detyruar më në fund, në Itali, ende më larg, në Siri, dhe përtej oqeanit në SHBA, sikur i largohej një të keqeje, por jo kacafytjes me të. Por në këto kujtime zbulohet më e rëndëshimja, zbulohet kohë, sa vetanake, po aq dhe e përbashkët, kohë familjare dhe mbretërore, kohë për të bërë kohën, dhe vjen koha e pushtimit nazi-fashist, e luftës civile, siç e quan autori atë midis partizanëve nën udhëheqjen e Partisë Komuniste dhe Ballit Kombëtar nën udhëheqjen e pinjollëve të familjeve të mëdha, ku ai bën pjesë si themelues dhe prijëtar, mundja e atyre që duhej të fitonin dhe fitorja e atyre që duhej të humbnin, etj, por duhej kohë tjetër që të përmbysej përmbysja, qoftë dhe si një realitet tjetër, dhe autori i këtij libri e shpalos si një realitet moral. Libri është i të vërtetave të Kadri Cakranit, rrëfim dhe qortime, për të tjerët dhe i asaj që i përkiste, por dhe ndaj vetes, që duhej të kishin bërë më shumë, por dhe ndryshe, i bindur në rrugën e tij dhe në drejtësinë e saj, me një sinqeritet të ashpër, ushtarak siç dhe ishte, që ndërsa zbatonte parimet e Organizatës së tij për një luftë kundër pushtuesit me sa më pak gjakderdhje, vetë shpërthente si hero, me moton dhe dalldinë që vrasësit duhen vrarë dhe s’e lëshoi armën kurrë nga dora, që natyrisht e përdori me pasion. E rëndesishme është që të vërtetat e Kadri Cakranit, më themeloret, shtyjnë disa të vërteta të tjera, që kishin zënë vend me dhunë dhe ishin zyrtarizuar, sipas atij ligjit që historinë e shkruajnë fitimtarët.

Diktatura me historianët e saj ribëri një të kaluar ashtu siç do të donte ajo të kishte qenë, mbivendosi një realitet tjetër, por krimi gjithsesi mbeti në thelb… Nga Kadri Cakrani tani na vjen një tjetër realitet i po asaj kohe, i besueshëm mes pabesive, por dhe i natyrshëm, në natyrën e tij, kur po denatyroheshin koha dhe shqiptarët.

“Të vërtetat e jetës time” kthehet në të vërtetat e jetës së atdheut. Libri të tërheq dhe si një “roman”, ku çdo ngjashmëri me ngjarje dhe njerëz realë nuk është e rastësishme, por qëllim. Nis me fëmininë në atë familje të madhe, sarajet, lojrat, futbolli, pastaj lojrat e mëdha të njerëzimit, lufta, Ballkani, Europa, bota, kthehet prapë në atdhe, ndarjet, konfliktet, takimet politike në oda burrash dhe sheshet me njerëz, jeta aristokratike, hipodromi, fushat e tenisit që ata kishin dhe ku, në Mallakstrën e atëhershme, shëtitjet me kuaj, me djem dhe vajza, të ardhur dhe nga jashtë vendit, shokët dhe miqtë e tyre. Hajredin Bej Cakrani me të vëllanë, Bekash bej Cakrani, ishin bashkëpunëtorë të Ismail Qemalit, shpallësit të Pavarësisë, e kishin mbajtur në sarajet e tyre në ato ditë dhe kishin ikur bashkë me qerre nëpër baltën e kohës të themelonin shtetin e ri shqiptar në Vlorë, kur njëri vëlla do të ishte firmëtar dhe tjetri ministër, i cili jo vetëm nuk merrte pagë për punën, por paguante administratën nga arka e shtëpisë së tij.

Në vitet e Kongresit historik të Lushnjës, ku ishin pjesëmarrës, krahas halleve, ra nëpër Europë dhe ajo që u quajt “Gripi Spanjoll” dhe “Vëllezërit Cakrani” krijuan fondacionin e parë shqiptar, duke iu gjendur popullit me ndihma dhe mbështetje, veshmbathje dhe barna, duke e kthyer konakun e tyre në spital. Bijtë e familjes Cakrani i ishin përkushtuar dhe dijes, duhet të bëheshin për atdheun ashtu siç ai priste: mbrojtës të tij, ekonomistë, agronomë, mjekë, juristë, diplomatë, politikanë, etj, dhe ishin shpërndarë nëpër universitete të famshme, në Vjenë e Paris, Romë, e Berlin, por dhe në Rumani e Poloni e Hungari, etj. dhe, nëse do të duhej, të merrnin armët në dorë sërisht, ishin dhe luftëtarë.

Motra e autorit të këtij libri, Suhade Cakrani, vajza e vetme e Hajredin Beut, që na përshfaqet paksa si një përndritje vetëtime. studionte në Firencen mahnitëse të Dantes, të Mikelanxhelos e Makiavelit, etj, të atyre që udhëhoqën Rilindjes Europiane. Po për çfarë studionte ajo? Për mjekësi, financë, shkencë? Jo, për Artet e Bukura, ashtu siç ishte dhe vetë. Se atdheut do t’i duhej dhe art, kulturë, që të bëhej sa më i bukur. Por dhe rebelimi. Kadriu do të burgosej si kundërshtar i Mbretit Zog, por dhe në burg ai do të ishte aq i hijshëm, me shokët, me borsalina e kravata e këpucët që i shkëlqenin.

Duke ndjekur rrjedhën e kujtimeve të “Princit”, siç i pëlqente ta quanin Kadri Cakranin, zbulojmë më shumë Ballkan, absurd, ku fitorja është dhe humbje dhe i munduri mund te jete firimtari, dhe, “kur monarkitë ktheheshin në republikë, Republika e Shqipërisë bëhet monarki, – thotë autori me një buzagaz të hidhur dhe përshkruan një Shqipëri kaotike, “ku atentatet u bënë si moda sot”. Mes saj është dhe ai. Protagonist. Jeta bashkohet me historinë. Konfliktet botërore mbërrijnë dhe në Mallakastër. Njësitet partizane, – tregon autori,- shpesh bënin punën e bandave dhe merrnin po përgjigje të tilla. Me armë. I biri i Shehut – partizan, i biri i Hajredin beut – ballist. Ndarje që u thellua gjithnjë e më tepër në fshat, në krahinë, në qytete, në Shqipëri. Dhe në botë. Berlini ishte ndarë më dysh, me mur në mes. Marrëveshja e shqiptarëve në Mukje u tradhtua nga komunistët. Nacionalistët nuk donin vëllavrasjen, siç e quanin hapur autori. Po ajo erdhi dhe e deshi udhëheqja e komunistëve, me saktë Enveri që ishte nën tutelën e jugosllavëve, dy misionarë të së cilës ishin në shtabin e lartë si mbështetës a këshilltarë, por në fakt ata drejtonin dhe qëllim ishte marrja e pushtetit nga ana e tyre në një Shqipëri pa Kosovën, të cilat pushtuesi i kishte bashkuar. Pas lufte plani ishte që dhe Shqipëria e gjithë të bëhej një nga republikat e Federatës Jugosllave, ndërsa nacionalistët, Balli Kombëtar, në organizatën plulariste të cilëve lider ishin bijtë e Frashërllinjve dhe të familjeve të tjera të mëdha, pra dhe të Cakrajve, dhe profesorë – patriotë të sprovuar, qëllim ishte Shqipëria, mëvetësia e saj e humbur, prosperiteti demokratik si në botën Perëndimore, duke u shtuar kështu dhe çështja tjetër, aq shumë kritike dhe shqetësuese, jo Shqipëri komuniste. Lufta midis dy të vërtetave ashtu si mes dy të drejtave bëhet gjithnjë e më e ashpër ashtu siç dhe janë luftrat civile.

 

PATJETËR DHE LETËRSI

 

“Të vërtetat e luftës sime” në arritjet më të mira është shkruar dhe si letërsi dhe patjetër nëpër faqet e tij do të gjenim dhe biseda tërheqëse për letërsinë dhe artet. Duke qenë kohë lufte, ato ndjehen dhe janë pjesë e qëndresës dhe e mbrojtjes. Në fillim ndeshim se ç’thonë mes tyre etërit Cakrani, kur njëri vëlla mbështeste filozofinë e Samiut dhe tjetri poezinë e Naimit, por nuk bëhet shteti me poezi, ia kthente njëri, po bëhet ndërgjegjia, ngulmonte tjetri. Pra duket sikur po kërkohet një strategji veprimi si strategjitë në luftë. Ndërsa bijtë, Kadri Cakrani, ushtarak profesionist, do të debatonte për letërsinë europiane me profesor Abaz Ermenjin, i pari fliste për superioritetin e letërsisë gjermane e i dyti për atë franceze, jo pa tension. etj, etj. Edhe tek biseda e tyre duket sikur po kërkohet aleati më i fortë dhe kjo nis nga kultura. Por atë që s’e prishi dot lufta, do ta shkatërronte diktatura e fitimtarëve pas luftës. Dhe në mërgimin e autorit në SHBA, ka përsëri përsiatje për letërsinë, aty nga faqet e fundit të librit, kujton Borhertin, Heminguejin, Remarkun dhe Bël-in që e ai i pëlqen, por letërsia shqipe sot nuk lexohet dot, thotë, e ka fjalën për Realizmin Socialist, por çuditërisht ka pikasur një libër ndryshe, që jep shpresë, “Gjeneralin e ushtrisë së vdekur”. Si ushtarak e ka tërhequr dhe tema dhe fundi, i ngjashëm me veprën e tyre. Si ideolog ai te letërsia sheh gjendjen shpirtërore të një populli dhe shpresën për të ardhmen, nëse do të ketë…

 

VAZHDIME ME VEPRA

 

Por le t’u kthehemi çështjeve të luftës, që zotërojnë librin. Me Kadri Cakranin bindemi gjithnjë e më shumë se komunistët kërkonin të arrinin qëllimin me çdo çmim, idealin e tyre, qoftë dhe me terror, me vrasje, pabesi dhe ndaj të vetëve, deri dhe bashkëpunim me pushtuesin, gjë që dihej fare pak ose aspak dhe fshihej nga historiografia zyrtare, kur trumbetohej e kundërta. Ndërsa Ballit Kombëtar, na tregon Kadri Cakrani, duket se i interesonte njeriu, jeta dhe fati i çdo njeriu, qoftë dhe i huaj ky, të cilët së bashku përbëjnë Atdheun. Janë të shkëlqyera aktet e humanizmit dhe të guximit të madh që na tregon Kadri Cakrani. Hebrenjtë e Beratit, rreth 450 familje, te vjetra dhe të reja, të sapo ardhura nga përndjekja në shtetet përreth, do të shpëtoheshin nën kujdesin e tij, duke u dhënë të gjithëve pasaporta shqiptare, nëpër Mallkastër, në tokat e tyre, tani nën kujdesin e xhaxhait, Bektashit. Letërkëmbimi midis tyre tashmë është në muzeumet e Holokaustit në Izrael. Akti human më i madh në Ballkan. Frika ishte se partizanët mund ta dekonspironin këtë aksion tek gjermanët, për të krijuar terror e panik e ta shfrytëzonin për fitoren e tyre. Me qeverinë e Mustafa Krujës u bë ajo që nuk ishte bërë dot në vende më të mëdha, më të fuqishme e më të kulturuar, mbrojtja e hebrenjve, duke mos dorëzuar asnjërin te nazi-fashistët dhe në fund të luftës në Shqipëri, “në atdheun e dytë të hebrenjve” kishte dyfishin e tyre. Kadri Cakranit, por sidomos të birit të Bektash beut, Kujtim Cakranit, ashtu si gjithë popullit iu hap dhe një punë tjetër e vështirë, shpëtimi i mijra ushtarëve italianë pas kapitullimit të Italisë Fashiste, se ata kërcënoheshin nga pushtuesi gjerman si dezertorë dhe nga partizanët si pushtues, pavarësisht se një pjesë e tyre më pas, me urdhër nga aleatët, u hodh të luftonte bashkë me partizanët. Shqipëria bëri atë që s’e kishte bërë kush në botë, ushtrisë që kishte ardhur si pushtuese, pasi u mund, ushtarëve të braktisur të saj u dha bukë dhe strehë, mbi 25 mijë bij dhe i përcolli si vëllezër. Është biblike që armiqtë t’i kthesh në vëllezër.

Përsëri Kadri Cakrani, nga Kryekomandant i Ballit Kombëtar, do ta gjejmë në aksione humanitare, në shpëtimin e infermiereve amerikane, aeroplani me të cilin fluturonin, gabimisht ra në Shqipëri në zonat e luftës, ku partizanët, duke mos pyetur për jetët e tyre, donin t’i përdornin si propagandë, si zbarkim të aletarëve, na thotë Kadri Cakrani. Tjetër, lirimi i disa ushtarëve gjermanë, të kapur rob nga partizanët në Berat, kur ata, ushtarët gjermanë, nuk e dinin se partizanët do ta shkelnin marrëveshjen që kishin bërë me ta. Komanda gjermane menjëherë mori 140 pengje, shqiptarë të pafajshëm, që do t’i pushkatonte, nëse nuk ktheheshin në repart dy robërit gjermanë. Partizanët e donin masakrën, se kështu shtohej urrejtja kundër gjermanëve, por Kadri Cakrani shkoi në zonat e tyre dhe i liroi robërit gjermanë, që të shpëtonte jetët e 140 njerëzve, bashkëqytetarë të tij. Bashkë me tensionin rritet dhe mrekullia e librit. Fshehja e Kodikëve të Beratit, mijëvjeçarë, bizantinë, sidomos atë të purpurtin, që e kërkonin gjermanët dhe, po të mos ua dorëzonin, do të pushkatoheshin priftërinjtë tanë ortodoksë, sa të ishin aty. Përsëri Kadri Cakrani është në vorbull, për të gjetur zgjidhjen, teksa përkthen gjermanët e ardhur nga Tirana për këte çështje. Duheshin ruajtur priftërinjtë nga pushkatimi, por dhe kodikët patjetër dhe kush kallzonte, “do ta pushkatoj unë” – kërcënonte Kadri Cakrani si përherë. Dhe ai propozoi benë e rreme te gjermanët, pasi priftërinjtë i ishin lutur ikonës së Shën Mërisë që t’i falte për atë që do të bënin.

Libri është plot me ngjarje e kundërngjarje, zbulime dhe kundërzbulime, aleanca të fshehta e kritike, rreziqe dhe humnera, natë dhe luftë, vrasje dhe sherre kombëtare që do të zgjidheshin si do të mund të zgjidhej bota e të vendoste për Shqipërinë, etj, etj, teksa dhe çështje befas hapte të tjera e më të mëdha si rrathët e ujit, kur hidhet një gur mbi një pellg. Ato rrathë shkonin dhe më përtej vendit, në Beograd e Athinë, Londër e Moskë, e Uashington dhe s’ishin prej uji, por shpesh rrathë gjaku. Akuzat e kudërakuzat tashmë nuk kishin të sosur, krahu i partizanëve kishte mjeshtra të propagandës, gjithmonë në rritje, akuzohej Balli Kombëtar për bashkëpunim me pushtuesin, si organizatë tradhtarësh, teksa gjermanët po arrestonin dhe internonin nga radhët e Ballit, sipas Kadri Cakranit, psh, internohet poeti Kudret Kokoshi, më pas i burgosur i komunistëve etj.

Gjithsesi Balli Kombëtar, kur po dukej absurde në atë realitet të çmendur, po arrinte fitore humane e morale, duke pranuar që t’i binin mbi shpinë dhe akuzat. Ndërkaq terrori po u jepte sukses partizanëve. Që ata po e përdornin më së miri, nuk e thotë vetëm Kadri Cakrani me dëshmitë e tij, por dhe të tjerë, madje dhe nga radhët e partizanëve, p.sh, i ikuri i tyre, Xhelal Staraveska, ushtarak i lartë, por dhe teoricieni po i tyre, që kishte studiuar në Moskë, poeti Sejfulla Malëshova, ua tha në një nga konferencat që Partia Komuniste, po shndërrohej në një bandë me terroristë. Kadri Cakrani i mëshon ngulmimit që vrasësit e Shqipërisë duheshin vrarë, qofshin këta dhe shqiptarë. Lufta ka ligjet e saj, ajo nuk fitohet me falje atyre që nuk të falin.               Gjermanët po mundeshin si kundërshtarë dhe po fitonin kundërshtarët e tjerë, komunistët, sipas Kadri Cakranit, dhe ajo që po humbte vërtet, ishte Shqipëria. Kadri Cakrani me gjithë krerët e Ballit Kombëtar, Legalistëve, kolaboracionistëve, etj, ikin. Humbën betejën, por jo luftën, sipas Mit’hat Frashërit. Dhe do ta vazhdonin nga jashtë “Për Shqipërinë”.

Terrori i fitimtarëve do të ishte më i keq dhe më i madh se i pushtuesve. Xhaxhain e Kadri Cakranit, Bektash bej Cakrani, ai që e kishte rritur, ministri i parë i financave në shtetin e ri shqiptar, do ta pushkatonin. Skena është heroike nga ana e të pushkatuarve, kurse nga ana e atyre që pushkatonin, kishte grotesk. Ata bënin provat e pushkatimit se pritej një i madh që do të asistonte, do të vinte ai, tashmë i lartë në pozitë, që Kadri Cakrani donte ta vriste, por nuk e kishte lënë xhaxhai, që po pushkatohej tani prej tij.

Në Shqipëri, në mes të qytetit të Fierit, varin një vëlla të Kadri Cakranit, dy të tjerë i burgosin, ndërsa e motra e tyre, ajo e Arteve të Bukura, Suhadja e bukur, vdes në moshë të re, e tmerruar në çmendinë. Si një metaforë e rinisë së asaj kohe. Një metaforë tjetër e rëndë në libër është dhe ajo me kafkën e Gjergj Kastrioti-Skënderbeut, që mendohej se ishte në një varr të fshehtë në një Kishë të vogël në Lezhë, por duke mos treguar përkujdesjen e duhur shteti i ri, duke bërë të kundërtën, dukej se kështu do të humbte dhe ajo traditë e lashtë, zakonet, lavdia historike e shqiptarëve, etj, etj.

Edhe në SHBA, në një mledhje të OKB, ku vinte të merrte pjesë nga Tirana dhe ai, armiku i tyre, Kadri Cakrani po e priste në një rrugë të Nju Jorkut, përballë hotelit t’i bënte atentat me sanjper. Prandaj dhe në libër, në fund, gjejmë dhe skena si të filmave hollivudianë, kur Kadri Cakrani ndjek me çifte veturën e atyre që kishin qendruar dyshueshëm para restorantit së tij, që duhej të ishin vënë nga Sigurimi i Shtetit Shqiptar. Libri mbyllet ashtu siç fillon, si me një ironi, me ndeshje fotbolli. A thua ashtu janë përpjekjet e gjithë kësaj jete, një lojë?

E rëndësishme në Kujtimet e Kadri Cakranit nuk janë ngjarjet, por lënda, koha që sjell dhe të vërtetat e tij përballë të vërtetave të të tjerëve, të vetë historisë zyrtare. Kjo përballje e re, dikur me armë dhe tani me libra, ndihmon kujtesën kombëtare, krijimin e një të vërtete të përbashkët, se asnjëra më vete nuk mund të jetë absolute, por nga këndvështrimet arrijmë në përfundimin se të gjithë u përpoqën për Shqipërinë, sipas asaj që besonin dhe interesave vetiake, me strategjinë dhe taktikat që njihnin apo iu imponuan. Cilët ishin në anën e duhur të historisë? Po ne ende nuk kemi një histori të përbashkët, me ngjarje dhe heronj të pranuar nga të gjithë. U dukën se ishin fitimtarët, por kur morën pushtet, ata u bënë antihistorikë të tmerrshëm. Të mundurit? Koha duket se u dha të drejtë tani që s’janë. Që nuk do të dihej si do të ishin po të kishin marrë pushtet. Por mjaftojnë idetë, vizioni, madje dhe humbja. Më mirë të humbësh në kohën që duhet, se sa të fitosh, kur nuk duhet. Janë më të rënda për një popull fitoret e dëmshme. E cilët ishin kolaboracionistë më të rrezikshëm për vendit, ata të kohës së luftës nën pushtim perëndimor apo ata të kohës së paqes me Bllokun e Lindjes? Cakrani, vetëkuptohet, është kundër të dytëve dhe i luftoi. Po jo vetëm ai. Ndërkaq po shtohen ata që mendojnë ashtu. Nëse nuk është arritur të përcaktohet se cila ishte më mira që do të duhej për atëhere, të jemi në gjendje të gjejmë se ç’ishte më e keqja, që nuk do të duhej. Të paktën të na bashkonte kjo.

Ndihmesa e librit të Kadri Cakranit në këtë çështje është e jashtazakonshme. Dhe e dashurisë pa kushte për atdheun.

NJË EPILOG I VOGËL                                                                     (jashtë këtij libri)

 

…tashmë, që nga viti 2000, është ringritur Fondacioni “Vëllezërit Cakrani” dhe dy librat me memoaristikë, “Kujtimet e një firmëtari” dhe “Të vërtetat e luftës time” të shkruara nga ati, Hajredin Cakrani dhe biri, Kadri Cakrani, të një rëndie të veçantë, thesar mes veprave të Kujtesës Kombëtare, na vijnë për herë të parë si zbulime falë pasardhësit të tyre, avokat Kujtim Cakranit. Puna e tij, pasioni, këmbëngulja, guximi i trashëguar janë si një ringjallje, jo vetëm e Familjes së tij të Madhe.

Ai është i angazhuar edhe profesionalisht në zbulimin dhe dënimin e krimeve të komunizmit, qoftë dhe moralisht, edhe pse ka munguar një Gjyq shqiptar i Nurenbergut. Së fundmi ai ka marrë një nismë të vaçantë, do të thosha të mrekullueshme, ka hedhur në gjyq institucione shtetërore, pra shtetin, që pse nuk është dhe nuk gjendet ku është Dokumenti autentik i Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë në vitin 1912, ku një nga firmëtarët ësht:e dhe stërgjyshi i tij. Shqetësimi i tij e tejkalon atë familjar, është shqetësim për gjithë Familjen e Atdheut. Sipas avokat Kujtim Cakranit ai dokumet është si dokumenti i pronësisë së shtëpisë, ne e kemi shtëpinë e përbashkët, Shqipërinë, por nuk kemi dokumentin. Ku është? Pse fshihet? Pse nuk gjendet? Ai ka zbuluar se deri në 1944 ai dokument themeltar ka qenë, i ruajtur në Kasafortën e Bankës Kombëtare të Shqipërisë dhe kur çelsat i morën fitimtarët, ai dokument u zhduk dhe përdorej një i falsifikuar, ku qenë fshirë mjaft firma, hedhësit e së cilës ishin vrarë apo burgosur nga regjimi dhe ishin shtuar firma të atyre që nuk kanë qenë në shpalljen e Pavarësisë, si p.sh, xhaxhai i diktatorit Enver Hoxha.

Avokati Kujtim Cakrani kërkon në emrin e gjithë shqiptarëve, për Shqipërinë, edhe pse e pa shpallur kështu, Dokumentin e Pavarësisë tonë. Akt i lartë, madhështor, vazhdim i udhës së të parëve të tij. Megjithëse ai dokument është në gjakun e shqiptarëve, në ajrin e atdheut, madje është dhe monument prej bronzi në kryeqytet me firmat si shtigje të ndërprera, por që i bashkon bëma e madhe, historike. Ne dhe shteti jemi të lirë dhe të të pavaruar aq sa është ky dokument vërtet brenda nesh.

Këtë kërkon të çertifikojë avokati ynë.

 

NJË DEPËRTIM FILOZOFIK NË NDËRTIMIN E JETËS SONË FAMILJARE ( OSE TRAGJIZMAT QË TRONDITIN NJERIUN GJATË JETËS) – Nga TAHIR BEZHANI

Nga Tahir Bezhani

Përshtypje nga leximi:

Romani:  “Fluturimi i fundit” Brunilda Zllami, 2020 Tiranë, Botime Dudaj.

BrunilldaZllami, një emër i njohur mirë në prozën tonë kombëtare, autore e disa  romaneve voluminoze ,është një begati e veçantë letrare e cila me talentin e saj të rrallë, ka zënë vend të merituar tek lexuesit e te gjitha shtresave  shqipfolëse.

 

Me fantazinë e shkathtësitë e saja, ka gjetur e trajtuar tema të ndryshme nga meset tona ,nga trevat e vendit nëpër kohë, duke lëvruar në imtësi  elemente nga traditat me   problematika të ndryshme që populli ynë është përballur dhe vazhdon të përballet, si i hipnotizuar nga dukuri të ndryshme negative. Brunillda Zllami, me talentin e saj, jo vetëm se trajton tema të thukëta te aspekteve sociale, si dogmë e trashëguar, si degradim i politikave vendore, por ajo prekë në esencë edhe themelet e shtetndërtimit me bazament të korrupsionit e  matrapazllëqeve të tjera në shoqërinë tonë të re, si në romanin ,”E premte pasdite”.

Për t’u marrë me gjerësisht me veprat e shkrimtares BrunilldaZllami, mendoj se duhet të lexohet e të analizohet i gjithë opusi krijues i kësaj prozatoreje. Pastaj, mendoj se për këtë qëllim, padyshim duhet të ndajnë kohë penda akademike për ta veçuar e skalitur më mirë e adekuat, si një begati në letërsinë tonë ,pra, për t’ia dhënë meritën kësaj shkrimtareje nga Malësia e Gjakovës.

Romani të cilin e lexova këto ditë të shkurtra e net të gjata dimri ”Fluturimi i Fundit”,më bëri të jem krenarë me tropojanën tonë,e cila me filozofinë e saj dhe shkathtësinë personale, te futë labirinthave të jetës, jetës së përditshmërisë sonë ,duke trajtuar tema të ndryshme që mbizotërojnë mentalitetin tonë edhe pas kaq vite tranzicionesh nga të dy shtete motra shqiptare.

Romani “Fluturimi i fundit” i autores Brunillda Zllami ,

është një vepër që zgjon kureshtjen e lexuesit me  përmbajtjen e gjithanshme  jetësore, ku njeriu përjeton lumturinë, tmerrin, vuajtjen, pra te lidh ngushtë me ngjarjen qe zhvillohet brenda faqeve të  libër, ku në secilën faqe që shpalos, dëgjohen hapat e një jete, rrugëtimeve me shumë kthesa të papritura, dëgjohet zëri i dhimbshëm i protagonistëve të ngjarjeve jetësore.

Rrekja me këto lloje temash, nxjerrë nga meset tona, me kujdes të veçantë, duke përjetuar emocionalisht  dashurinë, vuajtjen, sakrificën ,durimin, bamirësinë, duke nderuar edhe traditën ,shkrimtaren tani me emër të dëshmuar, z. Brunillda Zllami, e bëjnë të madhe, si rrëfimtare e jetës në të gjitha aspektet e filozofisë njerëzore.

Kur një autor futet në thellësinë e problematikës njerëzore dhe bëhet pjesë e pandarë psikologjike e fizike e protagonistëve në vepër, dhe  nxjerr atë madhështi që ekziston me të gjitha nuancat jetësore, dhe përhap mesazhin në masë lexuesish, atëherë padyshim se ajo vepër, me autorin, jetojnë gjatë në mbamëndje te dashamirëve të artit letrar.

Romani “Fluturimi i fundit” i autores Brunillda  Zllami , nuk përfshin numër të madh të  protagonistëve, ku do ngatërroheshin  veprimet e tyre dhe të fitonim paqartësi në momente, të cilat lexuesi i ndjek me shumë vëmendje, duke u bërë tërësisht  pjesë e librit. Në rastin konkret, si rol kyç në vepër lexojmë Hanën, Niken (Nikua),  Edin ,Gresen, Markun, Sanjan ,Aldi-Alba, Eman ,përmes të cilëve sillet  e gjithë ngjarja bosht,si dielli rreth tokës,me katër stinët të mbushura me dashuri të zjarrtë, sakrifica dhe vuajtje të pasosura deri në tragjizëm e dramacitet, ku për epilog ka vdekjen e Hanës ,larg atdheut, nga një sëmundje e pashërueshme,  te cilën nuk e përkëdhel as në momentet e fundit, dorë e askujt….

Një përfundim  tragjik i jetës, si rasti i Hanës, nxit lexuesin koshient të gjurmojë, te kërkojë arsyet  e një drame të tillë .Ky rrugëtim jetësor fillon qe nga mosha e saj adoleshente, e cila bëhet pre e Nikuas, që nga momenti kur ky ia shpëton jetën nga valët e detit.

Që atë moment Hana mbetët e” varur” nga shpëtimtari, pa dëshirën e saj. Ajo kishte të dashur Edin. Tek Edi i pushonte shpirti dhe ndjenja plot vrull rinor. Në fakt,Nika e Edi, ishin shokë të ngushtë që nga fëmijëria e hershme, ndërsa fati i Hanës u gjend mes tyre befas, si një virus shkatërrimtar të jetës dhe marrëdhënieve nder njerëzore e familjare, mes Nikos dhe Edit. Kulminacioni i acarimit arrihet kur Edi e kupton dashurinë e Nikos me Hahen anise Niko ishte i martuar dhe priste babësinë.

Niko për arsye te epsheve të shfrenuara  dhe dashurisë se çmendur, nuk heq dorë përkundër vërejtjeve të mikut, Edit. Ndërkaq Edi, më pastaj e bindë Hanen të heqë dorë nga dashuria e rrejshme e një të pasuri dhe të rikthehet te dashuria e vërtetë, pranë Edit ,i shkrumbuar pas bukurisë së saj.

Jeta e koklavitur vetëm sa mbështillet në lëmshin e jetës familjare mes dy familjeve,mes dy shokëve të cilët njëri tjetrin e kanë quajtur vëlla, gjersa nuk ishte futur në mes bukuri e Hanës, ”virus” dashurie.

Pas një kohe te gjatë jete me Nikon, Hana rikthehet te Edi ,anise edhe ky tani,ishte bërë bashkëshort,kishte lidhur fatin me Gresën.

Krijimi i kësaj rrëmuje familjare, njërën dhe tjetrën familje, i kishte futur në “hijen e një torture të heshtur”, pa ditur deri në fund pasojat e këtyre veprimeve anakronike, të cilat  do i pësojnë vet autorët e një jete të shfrenuar e të  pakonsoliduar në përformancën e etikes personale  me njerëzoren.

Për këto veprime, krijohen rrëmujat ,duke tronditur jetën deri në themel,deri në vdekje. Sepse, pas ndarjes së Hanës nga  dy të “dashurit” ( Nikes e Edit), gjendja shëndetësor i keqësohet deri në shkallëzim  kancereogjen ,e cila ikën në Suedi, ku edhe atje vdes, pa pasur pranë vetës asnjë dorë përkëdhelëse në momentin e fundit te jetës.

Vajza të cilën e lind Hana, pas ndarjes me Nikuan e Edin, e rrit bashkëshortja e Edit,  Elda. Vajza  pagëzohet Ana. Kjo krijesë mbetet vuajtja më e madhe shpirtërore e Hanës, sepse kishte pritur gjatë e vuajtur shumë, për të qenë nënë ,por këtë amësi nuk e gëzon  shkaku i sëmundjes që ia mori jetën. Vdes pa e parë askush nga rrethi familjar.

Falë aftësisë dhe imagjinatës së fortë të autores së kësaj vepre ,z. Brunillda Zllami, e cila me përvojën e fituar si prozatore me renome, artistikja letrare si kulminacion i kësaj vepre arrihet me letrën e Hanës,lënë si amanet  bijës së saj,Anës,duke shpërthyer me një fuqi të skajshme dhimbje, që nuk pati fat të gëzojë jetën si nënë e vonshme. Ajo i len shumë këshilla të bijës,duke ia rrëfyer fatin tragjik të jetës së vet,duke i lënë këshilla për kujdesje që të jenë vigjilente dhe kurrë mos të pësojë çarje zemre nga hidhërimet që sjellin rrugët monopate.

“Dua të më mendosh si një puhi që të përkëdhel kur je e mërzitur, si një energji që të rrethon kur je  vetëm,si një rreze që të ngroh kur ke ftoftë….”

Ngritja e ngjarjes deri në cepat e tragjedisë jetësore,nuk është parë vetëm te rrëfimet në këtë roman .Ky fenomen  është pjesë edhe letërsisë botërore, e atyre që janë fitues të çmimit Nobel. Prandaj ,edhe krijuesja, motra jonë, bija tropojanë, Brunillda Zllami, posedon të gjitha aftësitë e një krijueseje me reputacion, jo vetëm kombëtar, por edhe ndërkombëtar.

Çfarë na ofron në fakt përmbajtja e kësaj vepre me një plotëni shembujsh e faktesh që janë prezentë në shoqërinë tonë?!

Nga leximi i romanin “Fluturimi i fundit”, nxjerrim mesazhin (porosinë) se jeta familjare, ka kodin e saj etik, të përsosur në jetën përbashkët të krijimit të familjes, trashëgimisë, fisnikërisë ,traditës e bujarisë ,parime  këto që personifikojnë  lumturinë familjare.Veprimet e kundërta, skandalizojnë jo vetëm një familje, por një rreth të  gjerë, një shoqëri njerëzore.

Për fund të këtij shkrimi, mund të them lirisht se prozatorja jonë e respektuar ,Brunillda Zllami ,me romanin më të ri “Fluturimi i fundit” , i ka dhuruar lexuesit tonë ndjeshmërinë e një “kujdestarie” në rrethana të kohës së këtij “civilizimi”, shkallëve të të cilit nuk po ecim, por po vrapojmë më shpejt se koha.  Me apo pa logjikë, nuk po mund ta them!…

 

Gjakovë,28 janar,2021

Etrita Ibrahimi në piano & Klaudio Zoto në violonçel hapën koncertin e parë të edicionit të tetë të “Pianodrom”

voal.ch – Sot më  22 janar, në RTSH, Muzikë, ora 21.30,

filloi koncerti i parë i edicionit të tetë të festivalit “Pianodrom”.

Që u hap me recitalin në duo Ibrahimi-Zoto

Klaudio Zoto – Violonçel

dhe Etrita Feim Ibrahimi – Piano

me vepra të  L. V. Beethoven dhe Aleksandër Peçi.

SOCIOLOGU GËZIM TUSHI DHE LIBRI “PANDEMIA-ASGJË NUK DO JETË SI MË PARË…” – Recension nga FRAN GJOKA

Sapo ka dalë nga shtypi dhe tashmë është në qarkullim libri i sociologut, “Mjeshtër i Madh” Gëzim Tushi: “Pandemia-Asgjë nuk do jetë si më parë”. Autori, gjatë gjithë kohës së pandemisë, ka qenë i përfshirë përmes analizave të veta në shtypin e përditshëm, por edhe në median televizive, në të cilat ka shfaqur aftësinë e gjerë të analizave psikosociale, të efekteve të pandemisë në jetën shoqërore. Ishte e natyrshme që shfaqja e virusit Covid-19 dhe kthimi në përmasa pandemike, të bëhej objekt për debat intelektual, polemika mjekësore, profesionale, politike, etike gjatë gjithë vitit 2020. Ndoshta një nga “debatet planetare”, me spektrin më të gjerë të mundshëm të përfshirjes publike. Në të u përfshinë të gjithë. Besoj se pesha e trajtesave të ndikimeve të pandemisë në jetën shëndetësore, ekonomike, financiare etj., të sociologut të njohur Gëzim Tushi, është e ndjeshme. Një ndjeshmëri qytetare e sociaologjike e pandërprerë pothuaj gjatë gjithë vitit pandemik 2020, e cila u kurorëzua me një punë shumë serioze e këmbëngulëse të autorit, që tashmë e kemi të sintetizuar në librin e tij “Pandemia-Asgjë nuk do jetë si më parë”. Sociologu Tushi ka ndjekur me shumë vëmendje e profesionalizëm reagimet sociale, intervenimet publike e mediatike, diskutimet e transformuara në shumë raste në formë polemikash politike, të cilat, sipas tij, nuk kanë ndihmuar apo ndriçuar realitetin patologjik të sëmundjes, sidomos impaktet sociale të saj.

 

Libri ka përmasa të gjëra e të gjithanshme të analizës së situatës, sidomos në rrafshin kontekstual të pasojave në jetën tonë individuale dhe shoqërore. Sipas autorit, pandemia është një faktor, i cili do të ndikojë në transformimin, ndryshimin e drejtimeve të zhvillimit të shoqërisë shqiptare në shumë aspekte e drejtime. Në këtë kontekst, sociologu Tushi nuk ka lënë “cep të shoqërisë” ku ka ndikuar pandemia pa e analizuar, jo vetëm në aspektin e ndikimeve aktuale, por edhe të perspektivës. Libri është shkruar me pasion dhe me bindjen e plotë të autorit se “asgjë nuk do jetë si më parë” në epokën postpandemike. Me një vullnet të veçantë e forcë analizuese e argumentuese të gjerë, autori e ka shkruar librin në kohë të shpejtë dhe “flakë për flakë” me pandeminë, pa pritur, sipas teorisë së distancës, për t’i parë gjërat. Emergjenca e situatës e ka shtyrë atë që reflektimet e veta t’i hedhë sa më shpejt në letër, duke bërë trajtime psikosociale të efekteve dhe kundërefekteve të pandemisë në jetën e shoqërisë tonë. Këtë libër, sociologu Tushi e ka shkruar në periudhën shtator-dhjetor 2020 dhe ka munduar të diagnostikojw disa dukuri, fenomene e fusha të reflektimit psikosocial të pandemisë në jetën e shoqërisë shqiptare. Ndoshta kjo vepër është rezultat i faktit që autori u angazhua intelektualisht e profesionalisht që në fillimet e shfaqjes së virusit. Ai u angazhua seriozisht dhe në mënyrë të pandërprerë në shumë biseda televizive, shkrime në shtypin periodik, i bindur dhe duke menduar se virusi Covid-19 nuk do ishte thjeshtë një “patologji kalimtare”, sezonale, pa efekte të thella.

Ai thotë se nga zhvillimet e virusit dhe zgjerimi intensiv i infektimeve të ardhura prej tij, u kuptua që ishim në vorbullën e “kohës pandemike”. Sipas autorit, është historia që na mëson se pandemitë kanë kurbën kohore, statusin e efekteve të tyre në jetën e shoqërisë. Kjo ishte arsyeja pse autori e “zgjeroi optikën” sociologjike të shikimit në këtë libër, duke qenë i bindur se pandemia ishte një faktor që do sillte shumë pasoja ekonomike, sociale, zakonore, institucionale dhe shëndetësore të dukshme, të prekshme, shpesh edhe tragjike. Duke u nisur prej kësaj analize komplekse, autori në këtë libër është përpjekur jo vetëm të bëjë analiza e reflektime të çasit apo sipërfaqësore, por dhe të bëjë parashikime e të nxjerrë disa konkluzione specifike të ndikimit për periudhën post-pandemike.

Autori është i ndërgjegjshëm për vështirësitë për ta sintetizuar tërë ontologjinë e pandemisë kaq shumë të ndërlikuar në një libër. Kjo, sepse situata aktuale dhe koha kur u shkrua libri, ishte dhe është disi kaotike, e paqartë e pasigurtë. Kjo, megjithë përpjekjet sociologjike që ka bërë sociologu Tushi, brenda mundësive njohëse të fenomenologjisë virusale, sipas tij, përsëri e bën sidoqoftë të vështirë parashikimin me saktësi të ndryshimeve të së ardhmes së afërt dhe të largët. Libri ka një mesazh të qartë, të qëndrueshëm dhe optimist. Sipas autorit, kjo situatë kërkon me patjetër që si shoqëri të zgjerojmë më shumë “kufijtë” e arsyes sociale, në mënyrë që të ndërgjegjësohemi komunitarisht për rrezikun.

Në këtë libër, sociologu Gëzim Tushi, është marrë gjerësisht me “plasaritjet” e thella që po shfaqen në strukturën, performancën e institucioneve sociale, shfaqjen e anktheve dhe pasigurive që kanë cënuar disa parametra të “arsyes individuale”.

Autori ka një kolanë të gjerë librash në fushë të sociologjisë dhe analizës së detajuar të dukurive në jetën sociale dhe individuale, në të cilat ai “diagnostikon” shumë dukuri të jetës postmoderne, që sipas tij po bëhet gjithnjë e më shumë likuide, e rrëshqitshme, e pasigurtë, ide, të cilën akoma më shumë e ka theksuar në këtë libër, duke arritur në përfundimin se ndryshimet që do të ndodhin, duan trajtuar me kujdes nga që, sipas tij, pothuaj “asgjë nuk do të jetë ashtu si ka qenë më parë”. Gjërat, mendon autori, do të ndryshojnë me ritme të ndryshme. Pavarësisht se disa me shpejtësi të madhe, me ndryshime thelbësore e të menjëhershme, ca të tjera me gradualitet dhe ritme më të ngadalta. Por një gjë është e sigurtë, sipas mendimit të sociologut Tushi, Covid-19, thotë ai, do jetë “gurë caku”, që do shënojë piketa të reja të orientimit social, ndryshimeve që do të ndodhin në tipologjinë e jetës sociale dhe individuale. Mbase deri në nivelin, që mund të shërbejë si “vijë ndarje” e mënyrave të sjelljeve të sotme, nga ato që do duhen dhe janë të dobishme për të ardhmen. Me këtë bindje, ai, në librin e tij, bën analiza të zgjeruara dhe refleksione për efektet polivalente dhe pasojat e pandemisë në jetën individuale e sociale, duke u bazuar në idenë se pandemia ka ndikuar në “rishikimin” e sistemit të vlerave sociale, të cilat do të ndikojnë edhe në mënyrën e sjelljes individuale të njeriut në raport me veten, tjetrin dhe shoqërinë në tërësi. Në libër ka trajtesa të zgjeruara e konkluzione të qarta për ndikimet e izolimit në jetën psikologjike të individit, për lidhjet dhe marrëdhëniet e reja midis brezave dhe ndikimet kontraversale të pandemisë. Autori është marrë dhe ka vlerësuar në këtë libër punën heroike të mjekëve, duke vlerësuar ridimensionimin pozitiv të “pushtetit të dijeve“ të tyre, bashkë me magjinë e padiskutueshme që patën “bluzat e bardha” në këtë kohë të shqetësimeve pandemike.

Libri ka trajtesa për rolin e familjes dhe funksionet polivalente të saj, e cila mori përsipër disa role e funksione, të cilat nuk mund t’i realizonte shteti. Sociologu Tushi trajton rolin e shtëpisë si institucion me rëndësi i jetës private, e cila gjithashtu na solli në mend se sa i rëndësishëm është ky institucion për njeriun, për sigurinë fizike e morale.

Në të njëjtën kohë ai bën analiza të marrëdhënieve midis pjesëtarëve të familjes dhe ndërlikimet e tyre në kushtet e një izolimi, të cilin ai e quan “bunkerizim shtëpiak”. Doemos nuk mund të ishte jashtë vëmendjes dhe analizës së tij shkolla, e cila gjithashtu ju nënshtrua ndryshimeve të shpejta të tipologjisë klasike të mësimdhënies. Një përpjekje gati në përmasa ekesperimentale për zhvillimin e mësimit në distancë. Po kështu ai analizon ndryshimet që kanë ndodhur në “botën e punës” dhe reflektimet e punës në distancë në tregun e punës.

Autori e mbyll librin me një kapitull përfundimtar, që e titullon “E nesërmja”, në të cilin ai bën konkluzione përmbyllëse të librit. Sikurse shkruan autori, “ajo që kam dashur të evidentoj në këtë libër, është ideja se në shoqërinë shqiptare të “kohës post-pandemike”, edhe pse shoqëri rezistente, me “taban të fortë” tradicional, inerci sociale, qëndresë të njohur ndaj ndryshimeve, duket se pandemia e ka vënë në lëvizje të përshpejtuar “trenin e ndryshimeve” sociale. Ai ka filluar të dalë nga “stacioni i vjetër”…

Ky është libri i fundit i sociologut Gëzim Tushi “Mjeshtër i Madh” në kolanën e gjerë me mbi 20 vëllime të shkruara prej tij në fushën e politologjisë, sociologjisë dhe shkencave humane. Libri “Pandemia-Asgjë nuk do jetë si më parë” besoj se është me vlerë për t’u lexuar, sepse është adekuat me kohën dhe problemet që jetojmë dhe ndihmon për perceptimin e duhur të zhvillimeve psikosociale në jetën tonë. Për sot dhe për nesër…!

Botohet vepra e Át Gjergj Fishtës në 80-vjetorin e vdekjes së tij

Patër Vitor Demaj – Në 80-vjetorin e vdekjes së Át Gjergj Fishtës, kemi ndërmarrë nxjerrjen e nji botimi të posaçëm të veprës së tij. Ajo asht botue në gjashtë vëllime. Çdo vëllim paraprihet prej nji studimi të veçantë nga personalitete të njohuna në fushën e shkencave albanologjike në Shqipni dhe Kosovë. Veprën e Fishtës e kemi strukturue simbas sugjerimeve të studiuesve. Natyrisht baza për botimin e veprës fishtjane mbetet përmbledhja me studime e Át Benedikt Demës, e vitit 1943, e ribotueme nga ne në 2010.
Dramatika asht strukturue në nji formë të veçantë nga Prof. Kujtim Shala. Ndërsa, Satirika asht përgatitë nga Dr. Lisandri Kola, sidomos Nikolejda e cila vjen në nji version ma të plotë.
Publicistika botohet në nji vëllim të vetëm, me nji studim nga Prof. Mark Marku, ku kemi shtue disa shkrime të panjoftuna të Fishtës.
Lahuta vjen me studimin brilant të profesorit të nderuem Sabri Hamiti. Ndërsa te vepra Lirika që botohet me parathanie të studiueses Evalda Paci, kemi vendosë krahas Mrizit të Zânavet e Vallës së Parrizit edhe Shna Ndoun e Padues.
Vëllimi i gjashtë përfshin Letërshkëmbimin e Át Gjergj Fishtës. Me përkthimin e letrave nga gjuha italiane në gjuhën shqipe u muer profesori, studiuesi dhe përkthyesi i talentuem Prof. as dr. Vinçens Marku.
Në ketë vëllim nuk mtojmë të paraqesim krejt Letërshkëmbimin e Fishtës, por kemi paraqitë nji pjesë të mirë të tyne. Natyrisht në ketë vëllim spikat përkthimi i letrave të Át Gjergj Fishtës me Át Pal Dodaj, me Át Vinçenc Prennushin e personalitete të tjera. Ka pasë edhe përkthime të maparshme të disa letrave të Fishtës në gjuhën shqipe, por e kemi pa të arsyeshme me i përkthye prej fillimi për të kenë sa ma të saktë me Fishtën. Krahas përkthimeve në gjuhën shqipe, kemi renditë edhe letra të Fishtës shkrue në shqip.
Prof. V. Marku ka kry nji punë mjaft të vështirë në traskriptimin e letrave, ku shumica e tyne nuk asht rujtë e mbajtë në gjendje të mirë. Vërtet punë e madhe dhe e vështirë, ku përkthyesit i asht dasht, përposë traskriptimit, me ba, në disa raste, edhe e rindërtimin e tekstit të këtij vëllimi, që po sheh dritën e botimit.
Sikurse kje fati i Át Gjergj Fishtës me ardhjen në pushtet të komunizmit, njat fat të keq pësuen edhe korrespondencat e tij. Tue u marrë me studimin e veprës fishtiane dhe kryesisht këto kohë edhe me Letërshkëmbimin, shofim që mungojnë letra nga kjo krijimtari.
Nëpërmjet letrave lexuesi dhe studiuesi kupton randësinë strategjike të Fishtës si nji personalitet i rrallë dhe i duhun për Shqipninë e asaj kohe, por edhe për kohën tonë. Po kështu, leximi dhe studimi i letrave na paraqet kontekstin historik, ku ai jetoi dhe veproi.
Natyrisht këtu zbulohet edhe ana njerëzore e Át Gjergj Fishtës, ajo e fratit në bashkësi, që kremton Meshë, lutet, kryen të gjitha shërbimet fetare, karakteri i tij i butë, por edhe tiparet e ashpra dhe luftarake, kur cenohet Shqipnia. Prandej, Át Gjergj Fishta, do të njifet ma mirë nëpërmjet këtij botimi të Letërshkëmbimeve.
Përmes letrave shifet qartë sesi jeta e veprimtaria e Fishtës, si frat françeskan e klerik katolik, asht vu në shërbim të Fesë dhe të Atdheut. Prandej ky botim do të ndihmojë për me kuptue ma mirë përpjekjet, mundin, flijimet, dhe veprimtarinë e Fishtës ndër lamije të Fesë, të Kulturës dhe të Atdheut.
Letrat janë përkthye në gjuhën gege, bash në atë gjuhë që Fishta e ka folë dhe shkrue. Përgëzojmë përkthyesin për arritjen e këtij qëllimi, tue na pru, në gjuhën shqipe, me nji përkthim cilësor, nji pjese të letërshkëmbimit, në gjuhën e vetë Át Gjergj Fishtës, tue na pasunue traditën e shkrimit të gegnishtes, aq e dashtun dhe e preferueme nga fretnija françeskane deri në kohën tonë.

 

 

Prof. as. dr. Vinçens Marku

LETËRSHKËMBIMI I ÁT GJERGJ FISHTËS
Njohja e njanës prej figurave mâ të rândsishme të kulturës shqiptare, sikursè âsht edhè ajo e At Gjergj Fishtës, nuk mundet me kênë e plotë kurrsesí pa studimin e të gjithë personalitetit të tij dhe pa marrë parasysh të gjithë ndihmesën qi ai ka dhânë për këtë kulturë dhe përtej. Fishta në studimet e deritashme kryesisht âsht perceptue si: poet, publicist, politikan, orator dhe ndoshta si françeskani shqyptar ma në zâ. Përpjekjet për nji vështrim sa më të plotë të këtij personazhi të pazakontë në skenën e botës shqiptare nga fundi i shekullit XIX dhe gjysma e parë e shekullit XX, i cili pati nji ndikim të padiskutueshëm në të gjithë veprimtarinë politike, shoqnore dhe artistike të vendit, duket si nji nismë njimend e zorshme me u përmbushë. Pa ndonji mëdyshje të madhe mundemi me thanë se kjo sipërmarrje nuk ka gjetë ende nji përgjigje të kënaqshme. Për veprimtarinë e tij epistolare janë bâ krejt pak studime. Nga kandvështrimi i rândësisë historike, ma i ploti âsht ai i At Pál Dodajt tek artikujt: A. GJERGJ FISHTA O. F. M. në korrespondencë me nji sivllá të përzemërt dhe A. GJERGJ FISHTA, Deputet në Parlament e udhëtimi i tij per Amerikë1, në të cilin jepen fragmente letrash me gjatësi të ndryshme, të shkrueme prej Fishtës në italisht qi ia çonte Át Palit dhe sivllazenve të vet. Studiues të tjerë, tue perjashtue veprën Estetikë dhe Kritikë (nji Antologji e përgatitun nga Persida Asllani, e cila na sjell disa fragmente të përkthyeme nga ky epistolar, qi lidhen me çashtjen e artit të letërsisë), në rastin ma të mirë të tyne i kalojnë kësaj veprimtarije përreth, por pa u futun në mbrendësi të saj.
Botimi i tashëm nuk mbart në vetvete pretendimin e pathemeltë se në këtë vëllim ka me u sjellë i gjithë letërshkëmbimi i Fishtës, madje as pjesa më e madhe e tij, por vetëm nji pjesë, e quejtun prej nesh si ma e mundshmja dhe ndoshta edhe ma e randsishmja. Pamundsija për të pasë tash per tash, e me gjasë përgjithmonë, botimin e plotë të korrespondencës së autorit buron nga disa faktorë: 1. Humbja përfundimtare e nji pjese të tyne, sikurse dëshmohet nga Át Pali tek studimi i sipërpermendun2; 2. Humbja nga sekuestrimet shtetnore të Kuvendit të Françeskanve në Shkodër më 11 dhjetor 1946 e në ditët në vazhdim dhe nga papërgjegjësia e sekuestruesve; 3. Shkatrrimi perfundimtar i letrave nga frika e dërguesve dhe marrësve të tyne, miq të Fishtës, qi rrezikonin burgosjen, pas vitit 1944 deri në vitin 1990, kurse ata qi ishin ma guximtarët duhet t’i kenë ruejtë në ndonjë vend në shtëpitë e tyne si relike të çmueshme, por siç ndodh jo rrallë fatkeqësisht, pasardhësit e tyne, tuj mos kenë në naltësinë e prindëve dhe tuj mos ia ditë vlerën, i kanë mbajtë ose i mbajnë ato vend e pavend, derisa fati apo rastsía të na çojë në zbulimin e tyne. Në këtë rast e mira e lyp qi këto letra t’i dhurohen Provinçjes Françeskane, e cila i ka vu veprat e veta në shërbim të studiuesve; 4. Shkujdesja dhe velja e Fishtës, në moshë të thyeme, ndaj letrave qi Ai i quante të panevojshme edhe per me i lexue, tuj kërkue qi të ndizet zjarmi me to3; 5. Pamundësia e jonë, për çashtje kohore, per me përkthye, në këtë përvjetor të 80-të të kalimit në amshim, të gjitha letrat, qi duhet të jenë, në tanësi, minimumi dy-trefishi i këtyne qi po botojmë. Prandej e quajmë me vend të merremi tashti me nji analizë të këtij epistolari qi po botohet për herë të parë në këtë përmasë.
1. PARAQITJA STRUKTURORE E PËRMBLEDHJES
Përmbledhja, e përbame pre 152 letrash, âsht konceptue nga ana strukturore e ndame me dy pjesë: I. Fishta letërdërguesi (114) dhe II. Fishta letërmarrsi. Pjesa e parë, qi âsht njëkohësisht edhe ma e madhja, ndahet në dy kapituj të gjatë: 1. Letra në shqip (37) dhe Letra në Italisht (77), ndërsa kapitulli i dytë ndahet në tre nënkapituj: 1. Letra dërgue Át Pál Dodajt (71 letra); 2. Letra dërgue Êmzot Vinçenc Prennushit (2) dhe 3. Letra dërgue auktoriteteve (4). Pjesa e dytë e përmbledhjes Fishta letërmarrsi âsht konceptue si nji e tanë dhe përbahet prej 38 letrash, qi janë shkrue nga personalitetet ma të përmenduna të kohës: Lamberci, Jokli, Bumçi, Bardhi, Gjeçovi, Konica, Pekmezi, Çabej etj. Letrat janë paraqitë sipas nji rendi kronologjik për çdo ndamje apo nëndamje.
1.1. Hedhja e tekstit në Word

Letrat janë transliterue me përpikmeni, tue ruejtë me besnikní tekstin e dorshkrimit, p.sh., në italisht âsht respektue drejtshkrimi i kohës, ajuto në vend të aiuto, me qëllimin qi lexuesi të takohet vetëm me autorin dhe jo me autorin dhe ndërhyrsin e tij në tekst. Madje kemi ruejtë edhe lapsuset shkrimore. Hedhja e tekstit në Word âsht pshtetë tek parimi i origjinalitetit të tekstit, domethânë, te shkruemja e çdo germe ashtu sikurse e kemi edhe te teksti dorshkrimor, pa ndërmarrrë asnji ndreqje.
1.2. Paraqitja e faqeve dorshkrimore
Ndërsa për me kuptue se ku fillon dhe mbaron nji faqe dorshkrimore kemi ndjekun paraqitjen e maposhtme: në kllapat katrore me bold me nji numër të brendashkruem, p.sh., [1] apo [12], kemi shënue numrin e faqes dorshkrimore të letrës.
Për humbjet e tekstit kemi ndjekun këtë paraqitje: kllapat katrore pa bold me tri pika të brendashkrueme […], nënkuptojnë: 1. Palexueshmëninë e germave; 2. Mungesën e nji fragmenti ose 3. Mungesen e nji faqeje ose më shumë. Për çdo rast të tillë âsht dhanë shënimi përkatës.
1.3. Kriteret e përkthimit
Për kapitullin e dytë të pjesës së parë të përmbledhjes, qi përbahet prej 77 letrash të përkthyeme nga italishtja, kemi ndjekur, përmes nji përkthimi filologjiko-estetik, kriterin e ruetjes së stilemave të tekstit të letrave në shqip qi Fishta u dërgon të tjerëve, pra stilemat e letrave të kapitullit të parë të pjesës së parë të përmbledhjes. Tue pasë parasysh edhe evoluimin e gjuhës së Fishtës në rrjedhën e viteve, jemi përpjekë qi letrat e përkthyeme të ruejnë, sipas kronologjisë, po ato stilema të letrave të shkrueme në shqip nga autori në periudhën kohore qi âsht shkrue edhe letra në italisht. Po sjellim më poshtë disa shembuj stilemash qi i përkasin rrafsheve të ndryshme gjuhësore. Per shembull, lidhza kushtore se e italishtes mund të përkthehet në shqip: nëse, n’, në koftë/qoftë se, po të, po kjè/qe se, bâ me kênë se. Fishta përdor, në letrat shqip, më shpesh dhe me denduni të njajtë vetëm: në koftë se dhe po kjè se, por asnjëherë nëse. Më rrallë po të dhe nji ose dy herë bâ me kênë se te Proza I dhe II. Pra shifet kjartë përzgjedhja e Fishtës. E njajta gjâ për Ti abbraccio, qi duhet me e përkthye, në këtë kontekst, Të marr ngrykë dhe jo Të përqafoj apo Të kacarroj apo ndonjë sinonim tjetër, sepse Fishta dy sinonimet e fundit nuk i përdor kurrnjiherë dhe shkruen gjithmonë Të marr ngrykë. Më poshtë po sjellim disa stilema nga ma të përdorunat:
gjithmonë – jo gjithnji, përherë
kurrnji – më rrallë asnji (po kështu e fjalët e tjera me kurr)
kam me ardhë – jo do të vij
(pra formën kam + paskajore dhe jo do të)
do – me rrallë disa asnjiherë ca,
ndoj – më rrallë ndonji
tue/tuj – Jo duke
posë/perposë – jo veç/perveç
porsa – jo sapo
Kështu kishim me mujtë me sjellë nji listë të gjatë stilemash edhe në rrafshin fonetik, lidhun me ranien e tingujve përmes apostrofimit. Ajo qi duhet me u nënvizue këtu âsht se kurnji fjalë apo frazë idiomatike nuk âsht përdor gjatë përkthimit, nëse ajo nuk âsht e pranishme te letrat e tij në shqip. Per çdo dyshim i jemi drejtue tekstit të letrave të shkrueme prej tij në shqip, por jo dërguesve të letrave në shqip drejtue Fishtës, sepse kemi vu n’oroe se “drejtshkrimi” i Fishtës nuk âsht i njajtë me atë të të tjerëve, madje edhe me bashkvllaznit.
2. ANA PËRMBAJTËSORE E PËRMBLEDHJES
Lidhun me tematikën e kësaj përmbledhje mundet me u thanë se ajo përbahet prej tri linjave kryesore qi sundojnë të gjithë anën përmbajtësore të letrave. Ato janë: 1. Tema e përpjekjeve për Pamvarsi dhe Njohja ndërkombtare e Shtetit Shqyptar; 2. Tema e artit të letërsisë dhe natyra e tij; 3. Tema e Jetës së Provinçjes Françeskane dhe marrëdhaniet mes sivllazënve. Kto linja përbâjnë edhe temat kryesore të të gjitha letrave të marruna në tanësi. Njana prej tyne âsht së paku tek çdo letër, pra te nji letër kemi të pranishme ose të gjitha temat e sypripërmenduna ose dy prej tyne ose vetëm njanen prej tyne. Duhet theksue se në rrjedhën e kohës prej afer 40 vjetësh secila prej këtyne temave merr nji përparsi të ndryshme. Deri në vitet 20 të shekullit të shkuem duket se përparsi marrin tema e parë dhe e dytë. Pra binomi Fé dhe Atmè, qi âsht edhè motivi kryesor i temës së parë, bahet parim i të jetuemit për Fishtën, por jo më pak i randsishëm për të bahet edhe përpjekja për të emancipue shpirtin e shqiptarit me mjetin e letërsisë dhe me perkthimet e veprave letrare ma të mira evropiane. Ndersa tema e tretë merr terren me Provinçialatin Shqyptar dhe përpjekjet e tij të vazhdueshme per të kenun, me të përkohshmet e ndryshme, e sidomos me Hyllin e Dritës, votra e zhvillimit dhe e debatit të hapun.
2.1. Tema e Pamvarsisë dhe Njohja ndërkombtare
Kjo temë, qi në vetvete âsht edhe ma delikatja për me u shtjellue, rrahet nga autori në pjesën derrmuese të letrave, sidomos te korrespondenca në italisht me Át Pal Dodajn4 dhe Át Vinçens Prennushin, në të cilat shqetësimi, madje shpesh ankthi se mos Atmja e tij po coptohej nga fqinjët ose qi ishte e pamujtun me pasë nji Atdhe, sikurse e dishron Fishta me bashkvllaznit e tij haset qi në letrat e para të këtij letërshkëmbimi: “Lum ti qi nuk i ké kalue të tridhetat dhe endè mundesh me pasë ndijime patetike! sá per mue, të tham të verteten, se sod kishe me u perpjekë me i vrá mendime të tilla, në mos tjeter, me nji shishe rakie; sepse kishte me kênë njisoj sikur me lakmue të pamûjtunen: dhe âsht e pamûjtun qi na të mûjmë me pasë nji Atdhé simbas idealit t’onë.”5 Këtu në fakt kemi ndoshta edhe mëdyshjet e para për sipërmarrjen e tyne si dhe shkallën e naltë të vështirsisë qi paraqet ajo, simbas idealit patriotik qi frymzohet prej Fishtës në veprimtarinë e tij.
Momente të randsishme, mes mjaft prej tyne, janë ato të Konferencës së Paqit në Paris (1919) dhe udhtimi i Fishtës për në Amerikë (1922).
Në Konferencën e Paqit, bashkë me Êmzot Bumçin, kryetar, dhe Luigj Gurakuqin, si pjestarë të Dërgatës Shqyptare (në fakt Fishta ishte sekretar i saj, madje pergatiti edhe fjalimin e famshëm “Të drejtat e Shqypnisë dhe kufijtë e saj”), mprojti me energji dhe zotsí çashtjen shqyptare. Por në nji letër qi i çon Át Vinçenc Prennushit shprehet me keqardhje si për paaftësinë e dërgatave shqyptare për të dalë me nji mendim dhe njikohësisht edhe papregatitjen intelektuale të pjestarëve të këtyre dërgatave, perposë Z. Luigj Gurakuqi: “Në kjoftë se perjashtohet Gurakuqi, qi vetem aj ká nji kulturë të pasun, ká nji atdhetari të shndoshë dhe nji njohje të gjânë per njerzt dhe per gjânat e Shqypnís, kurrnji prej antarve të Qeverís, si ajo e mâparshmja si dhe ajo e tashmja, nuk mund thohet se mundet me perfaqsue me dinjitet Shqypnín dhe me mprojtë sikursè duhet interesat e saj. Per arsyen se nuk flasin rrjedhshem frengjishten, un rrallë herë kam kênë i pranishem nder bisedimet e shqyptarve me perfaqsues e delegát të huej; por sá herë qi m’âsht paraqitun rasa qi me kênë i pranishem, po të tham të vertetën se m’âsht dashtë me u kuqë [10] prej inferioritetit tonë”6.
Kurse sa i përket Udhtimit në Amerikë dhe përpjekjeve të tij për me ba të njoftun Shqypnin nga Shtetet e Bashkume të Amerikës duket se ia ka mbrrijtë qëllimit, sikurse dëshmon nji letër e Fishtës çue Pal Dodajt nga Parisi më 16-9-22: “Nderkaq, vizita ême në Uashington ká pasë si rezultat njohjen e Shqypnís prej Shteteve të Bashkueme të Amerikes. Të gjitha perpjekjet e mâparshme prej Qeverís t’onë dhe “Vatras” nuk kishin pasë kurrnji rezultat. Un ia kam dalë …”7. Njohja e Shqypnisë nga Shtetet e Bashkume ka pasë nji randsi të veçantë, sepse ajo do t’i çilte rrugën edhe njohjeve të tjera të Shtetit Shqyptar dhe me gjasë ka kenë edhe njohja ma vendimtare.
Megjithatë, lypet me theksue këtu se Fishta na përcjell, te letrat e dërgueme si në shqyp ashtu edhe në italisht, rrezikun e madh per humbjen e territoreve shqyptare dhe kërcnimin e tyne vazhdimisht nga fqinjët jugorë dhe veriorë, por gjithashtu nëpërmjet kësaj korrispondence sjell edhe betejën e tij të pandalun dhe të sivllazënve të tij për mprojtjen e shqyptarisë.
Nji nëntemë e kësaj linje, qi nuk duhet lanë pa përmendun këtu, âsht edhe lufta e paskrupullt per pushtet dhe per pasunim material të fragmenteve të ndryshme të shtetit dhe të pushtetit, e cila ironizohet dhe stigmatizohet me rrebtësi te satira.
2.2. TEMA E ARTIT TË LETËRSISË DHE E NATYRËS SË TIJ
Gjykimet kritike dhe kundrimet estetike janë të pranishme me shumicë në letrat qi i përkasin periudhës së parë të krijimtarisë së Fishtës deri nga mesi i viteve 20, pastaj ato reduktohen tuj u kthye në shqetësime për të Përkohshmet dhe për reçensionet qi duhet të përgatiten për to. Pikëpamjet estetike të Fishtës përkojnë me estetikën qi përputhet me qëndrimet e rrebta etike të personaltetit të tij, qi âsht mishërim i pashmangshëm i formimit të vet në mjediset ku u rrit dhe u edukue. Formimi letrar dhe njohja e thellë e letërsisë e shtyjnë atë të studjojë gjininë dramatike, i frymzuem nga gjenia e Shekspirit, të cilin e quen “auktor hyjnuer”8 “Ti e din qi prej tre vjetsh i jam vû studimit të dramatikes, sidomòs mbí Shekspirin”9. Ai ka lexue, perposë Shekspirit, edhe Molierin, tuj studiue dramatikën e tyne dhe tuj u pshetë te parimi estetik “me bashkue të dobishmen me knaqsín”10, qi âsht në fakt parimi i klasikëve dhe i neoklasikëve evropianë.
I ban nji përshtypje të jashtzakonshme poeti H. Heine, të cilin kishte dashtë me shumë dëshirë me e imitue dhe me ndjekë mënyrën e tij të shkrimit, veçmas te vepra e tij Gjermania nji përrall dimri, per të cilën shprehet kështu, te letra e datës 8-III-1908 çue Pál Dodajt: “Në ktò ditë kam lexue “Gjermanija” e H. Heine-s. Kúrr mâ parë nji veper letrare nuk më ká njallë tek un ndjenja zilie sá kjo poemë e shkurtë. Âsht e mrekullueshme! Un e perfytyroj si nji kokurë të mbushun me zhgjeta të perdoruna prej barbarvet: e tillë âsht ironija dhe satira qi e vesh atê prej fillimit dér në fund. Po të dojshe un me imitue dhe me folë, kishe me e marrë per prototip: aq shûm më pelqen dhe aq shûm i afrohet idealit, qi kam pasë gjithmonë per satiren.” Te Fishta dallohet lehtas damari i satirikut, por edhe ndjesia ironike dhe autoironike e artistit-intelektual të gjysmës së parë të shekullit XX, e cila duket se përshkon herë si fill i dukshëm herë si i padukshëm të gjithë korpusin e letrave qi flasin për artin.
Edhe pse tuj e quejtë komedinë si të pamujtun per me u kuptue nga gjithëkush e tuj mos e pa artin e madh ende si pjesë e natyrshme e formimit publik shqiptar, Fishta prapëseprapë âsht i kënaqun nga pritja dhe përjetimi qi ka ngjallë vepra e tij te qytetarët e Shkodrës: “Drama u duertrokit shûm. Duertrokitjet e qytetarve t’onë, âsht e vertetë, nuk janë të tilla sá me e rrit mendsh nji autor, sepse ktû, perposë disa të huejve dhe ndonji shqyptari, si Curani, nuk e kanë idén e artit komik: kishin me duertrokit çdolloj tallje të gaztorve mâ shûm se sá nji Komedi të Molierit apo të Goldonit …”11 âsht e kjartë se ky pasazh difton tashma për kërkesat e tij në rritje lidhun me Komedinë dhe gjininë dramatike, dhe njilloj keqardhjeje për gjendjen kulturore të qytetit. Por “Drama u duertrokit shûm” kallzon etjen e publikut për vepra të tilla dhe dishirin e tij të zjarrtë për progres dhe zhvillim kombtar. Nga ana estetike ky percaktim tregon empatinë, lidhjen e fortë emocionale të spektatorit me shfaqjen dhe ngadhnjimin e veprës teatrale.
Autori gjithashtu kujdeset shumë te letrat për të skjarue edhe tematikën dhe domethaniet e veprave të tij: “Tek “Odiseja” kam dashtë me paraqitë triumfin e lirís, si te “Shen Françesku” vllaznín dhe te “Kryepremja e Shen Gjonit” [2] barazín në kuptimin e kshtenë.” Kurse te drami Shqyptari i gjytetnuem mban qëndrime estetike dhe kritike ndaj veprës, tuj e quejtë nga nji anë ma të naltë se veprën e Shilerit, mbasi ai kishte shkrue nji vepër të ngjashme me të, por tuj e mbajtë si origjinale veprën e vet. Mbetet i entuziasmue dhe derdh lot nga pritja e mirë e publikut: “Lidhun me vepren t’ême të vogël poetike, qi ti thue se e adhuron, pa e dijtë psén, po të tham, se nuk ia vlen mundin me e studjue. – Vepra âsht origjinale, me gjith se Shileri ká shkrue nji të ngjashme, qi titullohet: “Nderim per artet e bukura”. Ideja ême ishte me iu tregue shqyptarve rrugen e qytetnimit; kurse, Shiler shkruen per me josh njeriun drejt shkencës dhe arteve. Pjesa e dytë e kantatës t’ême dramatike nderthuret në shûm shprehje me vepren e Shilerit; por me gjith ket âsht krejt origjinale per sá i perket idés. Ket mundem me të thânë, se vepra ême âsht mâ e naltë se ajo e Shilerit per sá i perket idés dhe veprimit. Sigure qi shfaqja e Besimit te shqyptari, qi digjet per civilizimin, dhe ngjeshja e frazës te motetet dhe te recitativet e pjesës së parë, çon shpirtin e spektatorit shqyptar drejt idealeve të pastra dhe janë të tilla sá qi ta prekin atê fortiter et suaviter; kaq âsht e vertetë, sá qi atê mbrâmje kanë derdh lot prej entuziazmit edhè myslimantë, të cillt kishin mjaft pak interes per me pá [1] në skenë Fénë me nji Kryq në dorë.”12 Te ky fragment jepet edhe pëlqimi i veprës së artit, tuj mos ditë psénë, pra shkojmë tek ajo pikpamje estetike, e cila mbron idenë se veprat e artit vetëm mund të shijohen, por âsht pothuejse e pamujtun me zbulue psénë e plotë, edhe pse shpesh shkolla të ndryshme janë përpjekë dhe përpiqen për të kuptue mahnitjen e artit të madh me mjete racionale, por kjo âsht nji dukuri qi nuk âsht vetëm e tillë. Duket se Fishta âsht në kontakt me të gjitha shkollat e shijes estetike, por parapëlqimi i tij âsht për estetikën klasike qi thekson harmonín, rregullin, proporcionin dhe simetrín e së bukurës. Gjykimet kritike dhe estetike në letrat e Fishtës kanë për të kenë nji mjet i mirë me shpjegue dhe me njoftë ma mirë krejt veprën e tij. Tuj qendrue besnik kritereve të nji hymjeje, (mbasí mbrenda letrave kemi kaq shumë kundrime estetike dhe gjykime kritike, sa nuk do t’i shterronte nji doktoraturë), po e mbyllim këtu këtë tematikë.
2.3. TEMA E JETËS SË PROVINÇJES FRANÇESKANE DHE MARRËDHANIET MES SIVLLAZËNVE
Në nji pjesë të mirë të letrave të dërguara nga Fishta sivllazënve të vet, në këtë përmbledhje, lidhun me problemet dhe shqetësimet e jetës në Provincën Françeskane në Shkodër sundohen nga nji stil i ambël dhe nji ton i butë dhe dashamirës ndaj secilit prej tyne me nji gjuhë atnore këshilluese dhe orientuese. Këtu shifet se zhguni dhe konopi i fratit janë mbi gjithshka për të. Janë simbol i ekzistencës së tij. Përvujtnia në marrdhanie me superjorët dhe ndigjesa karakterizojnë të gjithë veprimtarinë e tij prej meshtari. Në nji letër çue Át Palit ai mban nji qendrim të premë për cilësinë sesi lypej me kenë nji meshtar dhe sesi ai kishte kenë e mira me i ngja priftit të veprës Atala të Shatobrianit: “Kam lexue ktò ditë atê gur të çmuem të letersís qi âsht “Atala” e Chateaubriand-it, ku shkrimtari francez me nám pershkruen në personazhin e Át Aubrit sherbtuerin e vertetë të Krishtit, qi jeton vetëm me dashunín per Zotin dhe të afermin, se e gjith trashigimija e tij janë plágt e vulosme në trup prej damtimevet të kohnave ose prej barbarvet indianë dhe qi me jeten e tij të panjollë dhe me forcën e [1] fjales profetike arrin me zbutë bishat njerzore të burgosme në pyjet e pafundme t’Amerikës.”13 Këto karakteristika të fratit mishnojnë përnjimend meshtarin sesi duhet të jetë, por njikohësisht edhe modelin e tij sipas pikëpamjes së Fishtës. Nji gja të tillë ai e zbaton në vetë të parë sa herë qi në letra hapet kjo temë, tuj ba përpjekje të vazhdueshme për me krijue harmoni e dashuri mbrenda Provinçjalatit e tuj dalë ai në krye të punëve të përditshme qi e shqetësojnë atë. Nji meshtar i papritueshëm, edhe pse veprimtaria e tij kalonte kufijtë e Provinçjes, ai kurrnjiherë dhe për asnji arsye nuk la mbasdore, interesat e bashkësisë së fretnve, por i nxiti ato, si për shembull, botimin e veprës së Át Bernardin Palit, Át Shtjefen Gjeçovit dhe përkthimin e Kanunit në italisht nga Át Pali. Dijti gjithmonë të harmonizonte interesat e meshtarisë me interesat artistike, politike dhe akademike. Megjithatë shofim se ai, me gjithë veprimtarinë e madhe letrare, publicistike, politike, të gjitha këto të fundit i ka vu në plan të dytë në krahasim me të mirën e Provinçjes.
Te pjesa e dytë e përmbledhjes, Fishta letërmarrësi, dërguesit e letrave kujdesen me shumë mirësi t’i drejtohen atij për veprimtari fetare dhe laike, tuj pa tek ai nji pshtetës të besueshëm, p.sh., letra e Pekmezit dishmon per këtë gja. Nji pjesë e letrave merren me vlersimin e tij si Poet Kombtar, tuj i dhanë Pendën e Artë dhe çmime të tjera. Vlerësimet për Lahuten e Malcís dhe për të si poet janë të shumta, p.sh., Êmzot Prof. Jul Bonatti, me nji letër nga Vlona me 9 Fruer 1938, e vlerson këtë vepër kështu: “Pá kurrfarë lajket do të thohet se Lahuta e Malcís âsht e dêjë m’u rreshtue krah në krah me kryeveprat epike mâ në zâ të letersinave të botës të moçme e të kulturës së ré.”; Çabej, me nji letër nga Roma më 29.IV.27, i drejtohet kështu: “Vjershetorit të math Arbëror!” dhe Lamberci shpreson perfundimin e epopesë: “më ka dhânë mue shpresen, se letratyra e botës mbas Lahutes e Malcís ka me marrë si dhântin prej Zotnís Sate nji epopejë popullore, nji Mahabharata ose si nji Kalevala Shqype. Edhe shpresoj edhe tash, se nuk e keni lânë poeziën e madhe, por keni me e mbarue.”14. Bien në sy këtu, gjithashtu edhe letra të dërgueme nga personalitetet shqiptare ma në za të kohës, si në fushën e politikës ashtu edhe botës së artit e të shkencës: Preng Bibë Doda, Konica, Hugh G. Grant, K. Cipo, Dr. Norbert Jokli, Edhem Haxhiademi etj.
Ma në fund studiuesit dhe lexuesit do të kenë në dorë nji korpus domethanës dhe me shumë vlera të korrispondencës së njanit prej personaliteteve ma të njoftuna të botës shqiptare, pra atë të Át Gjergj Fishtës. Kjo gjâ pa dyshim ka me ndikue në rishikimin e figurës së tij nën kandvështrimin e të dhanave të reja dhe ma të plota për studimin e veprës dhe të autorit.

(Footnotes)
1 ÁT GJERGJ FISHTA, O.F.M. 1871-1940, botim II, Shkodë
r, 2010, f. 76-127.
2 “Kah fillimi i kallndorit 1925, nji
bashkvllá, per urtí, kah ishte kohë kritike, shtini në
dhé mbrenda nji teneqeje vojgurit, nji pjesë të
korrispondencë s e tjera shkrime, të cillat lagshtina i a shlieu krejt ase i bani gati sá
mos m’u lexue mâ.” Po aty, f.120
3 Nji gja të tillë e shohim tek letra, f. 2, e dergume nga Roma më 21.01.40:
“… sá kúr Fr. Eughelmari vjen tek un në nadje per me m’sjellë postën në odë,
[1] un i bertas te dera, qi me ia çue kuzhinierit letrat e mija per me ndezë zjarmin me tó.“
4 Vetëm 71 letra, të plota dhe të paplota, kanë mbijetue prej nji korrispondence prej 200 letrash, sikurse na deshmon Á
t Pal Dodaj tek artikulli sypripermendun: A. GJERGJ FISHTA O. F. M. në korrespondencë
me nji sivllá të perzemërt te f. 76.
5 Shkoder, 15.X.1907, Pál fort i dashtun, f. [2]
6 Parigj, 15 Prill 1920, I dashtun Vinçenc, f. [9-10]. Kjo âsht nji letër me 24 faqe.
7 ÁT GJERGJ FISHTA, O.F.M. 1871-1940, botim II, Shkodër, 2010, f. 125
8 Shkoder, 31 Dhetuer 1910. Letër drejtue Pál Dodajt.
9 Shkoder, 20 Kallnduer 1911, Pál fort i dashtun, f. [1]
10 Shkoder, 5-II-1908. Letër drejtue Pál Dodajt.
11 Po aty
12 Shkoder, 12 Kallnduer 1912, Pál fort i dashtun, f. [1-2]
13 Shkoder, 8 Prill 1909, Pali êm fort i dashtun. F. [1-2]
14 Wien, Dr. M. Lambertz, Zotni fort i dashtun edhe fort i nderuem! F. [1]


Send this to a friend