VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

MESAZHE PËR TË BUKURËN DHE TË SHËMTUARËN NË SPEKTAKLIN “ROJAT E TAXHIT” TË ALTIN BASHËS – Nga MEXHIT PRENÇI

By | January 13, 2018

Komentet

Festivali i 16-të Ndërkombëtar i Monodramës – Vetëm dashuria të bën të thurësh ëndrra për jetën Nga Vepror Hasani

Aktori rus, Xhorxh Iobadze, fitues i shfaqjes më të mirë

 

Festivali i 16-të Ndërkombëtar i Monodramës kishte nisur që prej një jave. Korça ishte në festë. Atë mbrëmje jepej shfaqja e fundit. Spektatorët ishin të shumtë. Për një çast të shkurtër skena e teatrit  “Andon Zako Çajupi” u pa bosh. Pastaj dritat u fikën, por sakaq u ndezën përsëri. Të gjithë panë të shtrirë mes skenës një djalë të ri, ngjasonte me një qenie të plagosur. Rrëmbimthi u çua në këmbë; jo, nuk u çua, u shkëput fluturimthi prej i skenës dhe u ngjit lart si diçka që mund të qendronte në ajër. Ishte i qeshur, dukej sikur donte të na thoshte: “Unë jetoj me plagët e mia, qesh me to, nuk stepem nga asgjë, më pëlqen dashuria. Edhe lotët janë dashuri. Dashuria na mban gjallë; vetëm këtë gjë i kam zbuluar kësaj jete. Lotët dhe dhimbjet janë jetë; të tjerat shkojnë ashtu siç vijnë”.  Ky ishte impresioni i parë që përshkoi shikuesit tejpërtej. Vetiu u dëgjuan duartrokitje të forta. E ndjeu simpatinë e spektatorit dhe foli shqip: “Faleminderit!” Nuk kishin kaluar më shumë se disa sekonda, por ai e kishte fituar zemrën e spektatorit. Ishte simpatik në çdo lëvizje. Mes tij dhe aktorit pati një afrimitet të çuditshëm, sikur të njiheshin prej vitesh. Quhej Xhorxh Iobadze, vinte nga Teatri i Moskës. Monodrama e tij titullohej “Unë, Gjyshja, Iliko dhe Hilarioni”, bazuar në novelën e Nodar Dumbadze, kurse në rol e kishte emrin Zuriko, ndaj tashmë e në vijim ne do të flasim vetëm për Zurikon, i cili aktronte, vallëzonte, këndonte, kërcente dhe herë pas herë thoshte diçka shqip. Ai kishte shok të tij edhe një qen të quajtur Murada, që e donte po aq shumë. Me rolin e tij ai krijoi një nga ata tipa me të cilin njerëzit bien në dashuri që në çastin e parë. Nuk ju ka ndodhur të shihni personazhe të tillë gjatë jetës tuaj? Keni rastin të njiheni me të. Ngjarjet i përkasin vitit 1940.

 

Fashti i Zurikos, më i bukuri në botë

 

Zuriko jetonte në një fshat, ku më të djathtë të tij rridhte lumi Gubazouli, ndërsa më të majtë një lumë i vogël me emrin Lasha, i mbushur me gaforre dhe peshq. Urën e lumit Gubazouli e merrte çdo vit uji i furishëm i pranverës, por Zuriko e quante fshatin e tij më të bukurin në botë.  Aty djemtë rriteshin këmbëzbathur, por për të ishte i vetmi vend ku mund të jetonte me Gjyshen, Ilikon, xhaxhain Hilarionin dhe qenin e vet të quajtur Murada, ndaj fshati i tij ishte më i bukuri dhe më i dashuri në botë. Në shkollë shkonte këmbëzbathur deri sa fillonte e ftohta e parë; në çantë mbante gjithnjë fruta dhe llastiqe; kishte vetëm një palë pantallona të arnuara dhe qenin Murada që e merrte çdo ditë me vete. Ishte nxënës i shkollës së mesme në klasën e gjashtë. Edhe Murada ishte i gëzuar që e shoqëronte Zurikon deri te shkolla; ata flisnin me njëri-tjetrin si shokë dhe kuptoheshin më mirë se njerëzit. Sa herë Murada binte dakord, i përgjigjej me lëvizjen e bishtit. Në fshat, Zurikon, e quanin “qendashës”, por ai nuk donte vetëm qentë, donte gjithçka, kurse në shkollë e quanin “batakçi”dhe “Përtac”, ndërsa Gjyshen e tij “Zarbanike”; kjo e bënte që edhe Gjyshen ta donte më shumë. Të gjitha këto, Zuriko i rrëfente me vallzimet e tij, me fjalën, me kitarën, me plastikën, me mënyrën e shprehjes, me dhimbjen, me gëzimin e me gjithçka tjetër që buronte prej shpirtit të tij, sepse ai ishte vërtet Zuriko; emrin e vet Xhorxh Iobadze, e kishte harruar. Peripecitë e tij të shumta e bënin të dashur për spektatorin. Ishte një djalë çapkën, që dinte ta rrëfente bukur jetën e tij sa t’i bënte të  gjithë për vete. Kur spektatori entuziazmohej, ai sërish gjente një fjalë shqip: “Ju dua shumë”! Komunikimi i tij ishte prej mjeshtri. Dëshironte të na tregonte çfarë është dashuria.

 

Doktori

 

Kur vinte pranvera, Zuriko-s i duhej ta linte shkollën për një javë që të prashiste misrin, por që të mos përjashtohej nga shkolla i duhej raport mjekësor. Për këtë arsye, në një prej mëngjeseve të pranverës, nuk ngrihej nga krevati, shtrëngonte kokën me peshqir, përpiqej të ishte i zbehtë dhe të kishte pamje të dhimshme, kurse Iliko shkonte të thërriste doktorin. Me të mbërritur mjeku, Zuriko rënkonte: “Po vdes!” Por kur e pyeste doktori çfarë të dhemb, nuk dinte si t’i përgjigjej. “Të gjitha i dhembin”! – ndërhynte Gjyshja. “Edhe flokët?”- pyeste doktori. “Edhe flokët!” – përgjigej vetë Zuriko. “Kohët e fundit është dobësuar shumë, shtonte Hilarioni, nuk ka oreks fare…”. Por doktori e kuptonte lojën. “Po për pulë të pjekur me lëng hudhre, ose djathë me nenexhik, ose pulë të zierë me erëza, ose, miku im i dashur, ndoshta le të themi dhe troftë në salcë arrash? Si thua? Askush nuk i përgjigjej. Edhe të donin, familja e Zurikos nuk i përballonte dot meny të tilla. “Ky idiot do ma çmendë fëmijën”, mërmëriste Gjyshja. “Me çfarë e trajtoni të sëmurin?” – pyeti doktori. “Fërkohet me uiski dhe vodka”, ishte përgjigjja. “Silleni vodkën këtu!” Doktorit i duhej një kupë çaji me vodkë që të jepte raportin. Të gjitha këto, aktorit Xhorxh Iobadze, në rolin e Zurikos i thoshte në rusisht, por te spektatori mbërrinin sikur të ishin në shqip. Gjithkush prej tyre dëshironte që Zuriko ta merrte raportin; madje spektatorët ishin gati t’i thoshin doktorit se Zuriko ishte vërtetë i sëmurë. Pse ndodhte kështu, sepse bota ishte e padrejtë me të, ndaj njerëzit dëshironin t’i dhuronin pakës dashuri, aq sa mundnin, por edhe sepse  Xhorxh Iobadze e bënte të vërtetë personazhin. Ai jo vetëm aktronte, edhe regjia edhe koreografia ishin të tijat.

Vdekja tragjike e qenit Murada

 

Misri po rritej, por soja që kishin mbjellë po u dëmtohej nga lepujt. Zuriko dhe Hilarioni vendosën t’i ruanin të mbjellat. Të nesërmen në mëngjes herët, morën armët dhe shkuan në fushat e fermës; me ta u bashkua edhe qeni Murada. Me të mbërritur atje, vendosën të pushonin.  Hilarioni nxori nga çanta një pulë të zierë, bukë, djathë, një shishe me vodka rrushi, kurse Zurika hithra, fasule, patate të ziera dhe kripë. Gostia filloi, nisën të pinin vodka; u dehën të dy. Nisën t’i thurnin lavde njëri-tjetrit. Murada nuk ishte më aty, kishte shkuar të gjuante lepuj. Shkuan edhe ata të dy. I pari qëlloi Zuriko, pastaj Hilarioni dy herë me radhë. U dëgjua një klithmë qeni që ta copëtonte zemrën. Zurikos iu errësuan sytë, këmbët iu prenë, ra përdhe. “Murada, i dashur, më shiko mua!”- nisi vajtimin Zuriko duke puthur qenin e tij të besuar. “Mblidh veten bir,- i tha Hilarioni, duke fshirë lotët. Murada hapi sytë dhe pa nga ata; edhe qeni po qante. Qanin të tre. Hilarioni kishte pushkë të keqe, kështu e kishte vrarë dhe qenin e tij kohë më parë; pa dashje. Nuk ka brengë më të madhe se të vrasësh një tjetër padashje. Është dhimbje që nuk harrohet. Murada fërkoi me butësi fytyrën e tij te gjuri i Hilarionit, sikur donte t’i thoshte: “Ndodhi padashur! Unë e di që ju më donit shumë, jam i bindur që nuk do të më vrisnit kurrë”. Pastaj Murada hodhi sytë për herë të fundit mbi Zurikën dhe vdiq. Nuk do t’i shikonte më miqt e tij. E varrosën poshte një rapi, pa mbajtur dot lotët. Ishte një dhimbje e madhe. Nëse në botën tjetër ka parajsë për qen, atëhere porta është e hapur për Muradën, tha Hilarioni, duke shpresuar ta takonin atje, nuk e dëshironin ndarjen as pas vdekjes.

Dashuria e Zuriko-s me Merin

 

Zuriko kishte rënë në dashuri me Merin. Romulus-i, shoku i tij, e ndihmoi të shkruante letrën që do t’ia dërgonte Merit: “E dashur, e pakrahasueshme! – diktonte Romulus, dashuria është ndjenja më e madhe. Nga dashuria njeriu bëhet i mpirë, ngecet, verbohet, çmendet…
“Nuk është e vërtet!” – kundërshtoi Zuriko. “E di, por është kaq e nevojshme… i shpjegoi Romulus. “… që kur të pashë për herë të parë, e dija të vërtetën absolute të bukurisë. Mora vesh kuptimin e qenies sime. M’u duke si një hyjnëzim i bukurisë shpirtërore dhe kënaqësisë estetike…”. “Nga i gjen këto fjalë?” – e pyeti Zurika. “Një student nga Tbilisi i dërgoi një letër motrës sime. Ai kishte rënë në dashuri me të. Dhe ajo donte të martohej? – pyeti sërish Zurika. “U mblodhëm. Por pastaj një nga miqtë tanë nga Tbilisi na njoftoi se studenti u çmend…”.
Shkruaj, i tha Romulus: “Nuk ka kuptim ta fsheh, për mua je më shumë se jeta. Bëhu shoqja ime shpirtërore. Të lutem. Më hoqën paqen sytë e tu, qerpikët, dhëmbët si perlë, buzët si koral, flokët si rubinë, gishtat, duart. Me ty përgjithmonë, ose vdekje për mua! Mirupafshim!” Letrën e futi fshehtas në çantën e Merit. Po atë ditë u takua me Merin. “Meri!”, – i tha me butësi.  E lexove letrën, Romulusi e ka fajin, unë nuk doja të shkruaja, por ai më tha është e nevojshme. “Nuk është mirë të tallesh kështu, Zuriko…”. “Nuk po tallesha, Meri… Unë…”. Pastaj nisën të ecnin ngadalë përmes dëborës së freskët, kaluan pranë shtëpisë së tij dhe pemëve të mbuluara me dëborë. I tregoi edhe për Muradën: “E doja shumë…  Edhe Murada më donte shumë… Flisja me të si njeri… Kur ai vdiq unë isha gati të bëja vetëvrajse… Nga dashuria një njeri mund të çmendet!… Ke ftohtë? – e pyeti Merin, duke i hedhur lëkurën e deles mbi shpatulla. Kaluan edhe nga shtëpia e Merit. Zuriko e përqafoi me butësi Merin, kurse ajo e tërhoqi dhe e futi fytyrën e tij në flokët e lëshuara të saj. Meri qau; qau dhe ai. Binte dëborë, frynte erë, kishte dhe hënë, dhe diell, dhe dashuri, dhe lot, dhe shumë, shumë dëborë.

Dashuria të bën të thurësh ëndrra për jetën


Në atë fillimdashurie, Zuriko ndjeu lumturi të paprovuar. Nuk ishte më ai fshatari i Zurikelas, ndihej më i rritur dhe kishte diplomë kolegji. Shpejtonte të kthehej në fshat sa më parë, atje kishte Gjyshen, Ilikon dhe xhaxha Hilarionin. Por tani kishte edhe Merin, si mund ta linte atë të priste?! Ëndrrat e tij ishin të mëdha: para shtëpisë do të bënte një vreshtë, brenda tri vjetëve do të merrte prodhimin e parë. Do të punonte shumë, do të kishte shtëpi me oborr, por edhe një qen me emrin Murada. Mbi të gjitha kishte Merin, me të do  bënte dymbëdhjetë fëmijë; njëmbëdhjetë djem, dhe një vajzë të bukur me sytë blu. Në qytet do të shkonte shpesh që t’u sillte, fëmijve dhe gruas së tij, dhurata dhe libra. Nuk do të harronte as për Gjyshen; ajo do të qante nga gëzimi, kur ta merrte vesh për dhuratat. Do të jetonin bashkë të gjithë: me Gjyshen, me Ilikon dhe me Hilarion. Do të kishte shumë fëmijë, nipër e mbesa, stërnipër e stërmbesa, dëshironte të ishin shumë: një fshat i tërë. “E gjithë bota do të jemi ne”, – thoshte Zuriko, – dhe do të jetojmë përgjithmonë”. Një çast më pas i thirri Gjyshes, por nuk mori përgjigje. Shkoi në dhomën e saj dhe pa se ajo po flinte. Nuk donte ta zgjonte, po ajo hapi sytë, sikur ta dinte që ishte takimi i fundit me nipin e saj. E pyeti a ishte diplomuar në Universitet. Zuriko nxori me të shpejtë diplomën nga xhepi dhe ia dha Gjyshes. Ajo e mori, e përkdheli dhe i rrodhën lot. Tani ulu dhe më dëgjo,bir… unë nuk do ta arrij mëngjesin. Falenderoj Zotin që nuk më la të vdisja para se të vije ti. Mos i humb, bir, Ilikon dhe Hilarionin, duaji dhe gjithmonë dëgjo çdo gjë… Pastaj Gjyshja u ngrit dhe zgjati duart drejt tavanit: “Zot i Mirë, Zot i Madhërishëm, Mamaja e Zotit, Virgjëresha Mari e Bekuar, të ngarkoj djalin tim… Mbaje dhe mbroje… Bëhu mbrojtësja e tij në telashe… Zgjati ditët e tij dhe shtoji brezat e ardhshëm. Amen!

Pastaj me qetësi ajo tha: Shuaje dritën dhe dil…

 

Pak më vonë

 

“Kur, pak minuta më vonë, u ktheva te gjyshja, – tregonte Zuriko,-  ajo nuk po merrte më frymë. U përkula nga ajo për një kohë të gjatë, për një kohë të gjatë shikoja nga afër fytytrën e saj të ëmbël, të dashur. Dikush hyri në dhomë dhe qëndroi mbrapa meje. Dëgjoja dikë që merrte frymë dhe ndieja që kjo frymë do ishte gjithmonë me mua, gjithë jetën time. E dija që ishte Meri, Meri im, që ndezi dritën. Pastaj pashë mbrapa. Pashë rrotull për dritën dhe në rrezet e saj, Ilikon tim, Hilarion tim dhe Gjyshen time”.

APOLOGJIA E FAMILJES MULOSMANAJ SIPAS LIBRIT TË ZOG HYSENIT ” DY ANËT E KULLËS ME DY ANË” – Vështrim libri nga TAHIR BEZHANI

(Kulla ku lexohet historia)

Binak Alia,mesazhi i trimërisë,forcës,sojnisë e fisnikërisë mbetet lapidari i krenarisë kombëtare nëpër breza, një histori e papërfunduar në vetëdijen tonë njerëzore e kombëtare. Familja Mulosmanajve, histori e mbetur peng në ndërgjegjen e kohës.

Poeti,  rapsodi e publicisti i ndjerë, Zog Hysenaj i Malësisë së Gjakovës, gjatë karrierës së tij të bujshme,na la në trashëgim disa vepra poetike me vlera të veçanta,ku zbrazi katarzën e shpirtit dhe të mendjes,duke përzgjedhur fjalët me të bukura për t’i kënduar atdheut e vendlindjes së tij të dashur, Malësisë së Gjakovës,Valbonës së bukur dhe Alpeve me bukuritë e papara. Të gjitha fjalët e bukurisë artistike i gjejmë në veprat poetike si:”Si s’u mërzitka bjeshka pa mua”;”Mos ik i them ditës,rri edhe një ditë”;”Loti i burrit” etj. Të gjitha këto vepra të mirëpritura nga lexuesit anëkënd vendit tonë.

Një nga veprat më të spikatura të Zog Hysenaj, padyshim  se është publicistika historike,libër ky, që ka zënë vendin meritor në historiografinë tone, me temat e trajtuara për familjen e Mulosmanajve të Malësisë së Gjakovës. Historia e kësaj familje me nam e interes të madh për çështjen tonë kombëtare, deri me tani, nuk është studiuar sa duhet e meritueshëm, për të zënë vendin në analet e historisë nëpër shekuj,për lirinë e mëvetësinë e kësaj cope toke, të lënë  amanet nga stërgjyshërit tanë.Libri  i lënë në dorëshkrim,”Dy anët e Kullës me dy anë”,ka arritur që të depërtojë te vetëdija e lexuesve në rrafshin kombëtar dhe të plotësojë kërshërinë e realitetit objektiv të munguar në kohë të gjatë, për bëmat historike të familjes Mulosmanajve dhe të vet protagonistit Binak Alia,e të tjerët në vijim.

Që në fillim,autori, Zog Hysenaj,trajton me durim të madh, prej një studiuesi të mirëfilltë,drurin gjenealogjik të familjes Mulosmanaj të Fangut, Bajrakut të parë të Krasniqes. Më pas sqarohen bajraqet dhe rolet e tyre nëpër kohë,shtrirja e luftrave përmes bajraqeve,qëndresa dhe karakteri i shqiptarëve në të gjitha anët e vendit,qendresat luftarake karshi një ushtrie (atëherë) forcë evropiane,sesi u derdh gjaku si prrua në fushëbeteja fyta-fyt, për mbrojtjen e kësaj toke. Shtrirja e fiseve atëbotë,pati rolin historik të bashkimit të të gjitha trevave,përmes bajraqeve të fiseve,ku kushtrimi jepej më lehtë, për luftë kundër hordhive turke,serbo-malazeze,deri edhe te sundimi i Austro-Hungarise e Italisë fashiste. Pra, te libri i Zog Hysenit,”Dy anët e Kullës me Dy Anë”,gjejmë për të mësuar shumë gjëra të cilat na kanë munguar deri me tani.

Qëndresa e familjes së Mulosmanëve të Fangut të Malësisë së Gjakovës,ka zanafillën qe para Lidhjes së Prizrenit me 1878,që atëherë kur Mic Sokoli,mbet’ simboli i trimërisë për liri në gjyle topi, në mbrojtje të tokave shqiptare,në afërsi të Ferizaj. Kjo familje e rrallë e me nam historik,trojeve shqiptare ia “fali” mëse njëzet anëtarë,burra të vrarë për interesat kombëtare. Gjithësejt i dha shtatë gjeneralë luftash,si prijës të spikatur,deri në vitet e fundit të Luftës së Dytë Botërore. Si ideolog i gjitha sukseseve te asaj kohe,sipas shkrimit në libër të Zog Hysenit, konsiderohet figura absolute e dijes e trimërisë,pleqnari Binak Alia i Fangut të Mulosmanajve, të Krasniqes.Në librin voluminoz prej 771 faqesh,autori me shumë të drejtë shton disa herë pyetjen se a iu njohën meritat kësaj familje nëpër kohë,si e pësoi historia devijimin nga realiteti,pse nuk ka nëpër qytete e shkollat tona(pos Mic Sokolit) emra të familjarëve të tjerë nga kjo familje, e futur në palcën e historisë sonë krenare?!…

Në libër, Zog Hyseni shtron edhe u jep përgjigje shumë pytjeve,të cilat do të duhen të kenë përgjigjet e duhura nga studjuesit e mirëfilltë të fushës dhe historianët e periudhës.

TË DHËNAT E ZOG HYSENIT PËR LIBRIN

Kur njeriu i hyn gjërave me pasion dhe ideal të fortë,natyrisht se ato mbarohen me sukses, pavarësisht vështirësive që dalin gjatë punës. Autori,Zog Hyseni,duke  gjurmuar ne  arkiva të shtetit shqiptar e tjera vende,ka ardhur të shumë burime e rrethana të panjohura për opinionin të cilat i ka parashtruar,qoftë si dilema,qoftë si realitet i kohës. Pastaj,ka shfletuar literaturë të autorëve të huaj,në të cilat ka nxjerrë  materiale me vlera të pakontestueshme për fatet tona historike,për Mulosmanajt e Fangut të Malësisë së Gjakovës.

Zog Hyseni ka shkuar në çdo fshat të Tropojës, duke mbledhur shënime nga pasardhësit e bajraktarëve të fiseve, për realitetin e kohës,duke shënuar  emrat e të intervistuarve. Pastaj,ka gjetur shënime edhe në trevën e Dukagjinit, në fshatin Llukë të Deçanit, nga familja Geci,stërnipa të Binak Alisë së Krasniqes. Njëherit, Zog Hysenaj ,me plot ellan pune për ta kompletuar librin me sa më shumë të dhëna e saktësi,viziton edhe fshatra të komunës së Gjakovës,si fshatin Osek etj.

Pos të dhënave që u ceken më lart,Zog Hysenaj ka shfrytëzuar për mrekulli eposin tonë popullor,atë gurrën e kthjelltë të dalë nga populli, përherë në rrethanat më të rënda të kohëve tona. Rapsodi ka ditur më së miri të prezantojë historinë tonë përmes lahutës e telave të çiftelisë. Pikërisht nga këto përmbledhje,Zog Hysenaj, na e paraqet kohën më të vështirë,pas luftrave nën osmanlitë, ku vritet Maxhar Pasha, nga dora Col Delisë së Mulosmanajve,luftën për Plavë e Guci,çështjen e Bajram Currit dhe Kryezive të Gjakovës,tradhëtitë brenda e jashtë “oborrit” të luftëtarëve me nam etj.

Poeti ZOG HYSENAJ

Nuk lë anash pa trajtuar, në mënyrë konçize edhe me të dhëna të reja për Konferencën  e Bujanit dhe lojrat rredh saj.Të gjitha këto tema përbëjnë ajkën e këtij libri me rëndësi të veçantë historike, ku Zog Hysenaj nuk kurseu asgjë nga vetja ,anipse me shëndet të rrënuar, për të  na lënë një pasuri të madhe në bibliotekat tona, për gjeneratat e ardhshme.  Nuk mund të lëmë  pa përmendur me këtë rast,punën e pakursyer të recensentit Prof.Dr. Zymer Neziri, i cili në parathënjen tij, pos tjerash shkruan:

”Autori, për hartimin e  librit ka grumbulluar aq shumë materiale dëshmuese: bibliografie, arkivore, hulumtime terreni, këngë e tregime popullore,si dhe të dhëna nga mbamendja personale”,si begati e librit.

Krejt në fund të librit, Zog Hysenaj shkruan:” Në këtë libër jam përpjekur të zbardh shumë nga pikat e errëta ,që historia ka fshehur për këtë trung gjigand familjar në shekuj.”

Vërtetë nga kjo thënje e poetit e publicistit të ndjerë, do shtroheshin shumë pytje e dëshira për kohën tonë dhe të ardhmen, se a do të bëjnë atë që duhet bërë, institucionet e dijes, pra Akademitë Shkencore të Tiranës e Prishtinës, me të vetmin qëllim , të drejtohet historia , të shmangen më në fund dhe shtremnimet e saj, të vendoset në kornizat e realitetit , duke mos shkruar histori me porosi të politikave të kohës…

Faleminderit Zog Sokoli,që na le trashëgim këtë thesar të paçmuar!

Gjakovë, Korrik 2019

 

 

 

Manifestimi kulturor-letrar “Ditët e Donikës” vjen me shumë aktivitete

Featured Image

Galaktika poetike “Atunis” në bashkëpunim me Ministrinë e Diasporës dhe Investimeve Strategjike organizon manifestimin kulturor-letrar “Ditët e Donikës”, i cili mbahet më 12-13 korrik 2019 në Prishtinë.

Në ditën e parë do të zhvillohen mjaft aktivitete; do të ketë vizitë në Muzeun e Kosovës, në Shtypshkronjën “Lena graphic”, si dhe do të ketë Program në Sallën e Kuqe, ku do të mbahen promovime librash nga autorët mërgimtar si dhe orë letrare e pika muzikore.

Edhe dita e dytë do të ketë mjaft aktivitete, mes së cilave udhëtimi për në Rakinicë të Podujevës, për ta vizituar objektin e kultit shpirtëror parakristian të Justinianit, pastaj do të vizitohet Kompleksi Memorial “Demë Ahmeti”, poashtu dreka dhe orë letrare.

Organizimi do të mbarojë me vizitën në Kompleksin memorial të Hys Rush Popovës në Kështjellën e Popovës prej nga do të bëhet kthimi në Prishtinë.

(Video) Edicioni i dytë i MIK nën patronazhin e Inva Mulës,yllit shqiptar me famë botërore të belkantos

Festivali Mik, rikthehet në edicionin e dytë në qytetin e serenatave, në Korçë.

Ky manifestim i kulturës do të zhvillohet nën patronazhin e primadonës shqiptare me famë botërore të belcantos  Inva Mula e cila mbledh rreth vetes ajkën shqiptare të artistëve, sikur sopranoja Mirjam Tola, violinistët Florian Vlashi, Jani Papadhimitri, pianisti Genc Tukiçi etj.

MIK do të mbahet në netët e bukura të verës korçare, për pesë netë rresht, prej 24 deri 28 korrik.

Më poshtë po ju sjellim programin e gjithë MIK Festival, ndërkohë që voal.ch do t’ju sjellë me besnikëri kronikën e pesë netëve magjike.

NATA E PARE: 24 KORRIK

 

Ora 19:30, Mbremje kushtuar dy piktoreve te para Shqiptare ” Motrat  Zengo”

 

Interpretojne   Artistet e Familjes  Papadhimitri.

 

Trio  FAMMUS :

Jani Papadhimitri violine

Livia Simas Papadhimitri violine

Sofia Papadhimitri Piano

 

 

Vangjush Papadhimitri violine

Ergi Papadhimitri violine

Viola Papadhimitri violine

 

Fjorda Veizaj piano

Arisa Papadhimitri Piano

 

Kristi A Sherko  Mandoline

 

 

NATA E DYTE: 25 KORRIK (Sponsorizuar nga Banka Credins)

 

Ora 19:30 “España, historia de amor”, Spanja, histori dashurie

 

Interpretojne miqte e Festivalit :

 

Florian Vlashi violine

 

Juliana Laska violencelle

 

Etleva Shemai mezzo soprano

 

Shoqeron ne piano Fjorda Veizaj

 

 

Ora 21:00 .Kercim Flamenco  Pazari i vjeter

 

“Bordoneo” freski dhe ritem nga grupi Carol Morgado (grupi spanjoll )

 

Carol Morgado kercimtare

 

Pol Jiménez kercimtar

 

Luis Robisco kitare

 

Alba Bioque kenge

 

Paquito Escudero perkusion

 

NATA E TRETE:  26 KORRIK:VIENNA STYLE

Ora 19:00  Koncert Recital, Pianisti virtuoz Kostandin Tashko

 

Ora 19: 00 Katedralja Korce- Ekspozite fotografike per Notre Dame De Paris nga Roland Tasho

 

Ora 21:00″Vjena Style”  me orkestren …

 

Felix Hornbachner Dirigjim

Miriam Tola Soprano

Eleva Shemai Mezzo soprano

Xhoi Mançe

Fatjon Mesiti Bariton

Enada Hoxha & Gerd Vaso cifti i balerineve

 

NATA E KATERT: 27 KORRIK

Inva &New Friends

Te rinjte e talentuar:

 

Marina Kurti

Solen Alla

Xhoiden Dervishi

Grupi vokal i Universitetit te Arteve

Orkestra

 

Miq te Korçes

Artiste me fame nderkombetare

Genc Tukiçi Piano

Igli Tuga Klarinete

Suzana Turku Dirigjente

 

 

Mbremja vazhdon tek Pazari i vjeter 

 

Ora 23:00 DJ Tchako,muzike deri ne mesnate

 

 

 

 

 

 

NATA E PESTE: 28 KORRIK

Piknik ne fshatin Shipkse ora 11:00

 

 

Ne Shipsk me mjeshtrit e muzikes baroke

Abigela Voshtina violine

Jusuf Beshiri cembalo

 

Ora 20:00 Nata e Serenatave

 

Rreth 50 artiste do te performojne ne nje skene ne Pazarin e Vjeter te Korces

 

 

Ne darke te gjithe ne skenen me te bukur te Korces ne pazarin e vjeter me atmosferen e serenatave per nje mbyllje me muzike dhe hare.

 

Fotografia e Inva Mula

 

DY FJALË TË VOGLA PËR NJË TREGIM TË MADH TË AUTORIT FATMIR TERZIU – Nga MSc. Albert HABAZAJ

“Roja i Vilës së Madhe”, një prozë sociopsikologjike tërmetike që të trondit e të shkund

 

Prozatori Fatmir Terziu është bërë i dashur dhe i kërkuar për lexuesin e sotëm. Ndoshta e ka ndihmuar të jetë në këtë kuotë fakti se profesioni i parë i tij është mësuesia, gjuhësia dhe letërsia, mësimdhënia dhe edukimi shkollor. Ai është njohës i mirë i dialektologjisë e sociolektit dhe e vë atë në funskion të misionit letrar dhe kulturimit shoqëror. Si vëzhgues i hollë dhe i tejpërtejshëm i fenomeneve qytetërimfrenuese nga bartësit kukudhë, Terziu operon thellë deri në dhembje për ta shëruar trupin e shoqërisë shqiptare se nuk e meriton këtë trajtim shumë të të ulët se tufa e qenëve të zonjkëzave, qafëderrave të tyre apo zonjushkëzave të varakta. Si mësues dhe shkrimtar, F. Terziu na shfaqet si sinomim i gjallë i edukimit, ndërkohë që e njeh mirë botën shqiptare, se e sheh në sy, deri në kthina, gjer në kapilarë. Nuk do të merrem me gjithë veprën e tij, që përbën një opus të pasur letrar e studimor, dhe për fat zbukuron tash e 4 vjet Bibliotekën Shkencore “Nermin Vlora Falaschi” të Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë.  Doktor Terziu 15 tituj ia dhuroi Bibliotekës së Universitetit të Vlorës. Si shkrimtar vlonjat e kryetar i shoqërisë Lidhja e Shkrimtarëve dhe e Artistëve “Petro Marko”, Vlorë, por sidomos si drejtor i Bibliotekës Shkencore “Nermin Vlora Falaschi” të Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë, plotësova për shkrimtarin dhe studiuesin e njohur elbasanas që na nderon në botë Falënderimin e meritueshëm me motivacionin: Ju shprehim falënderimet tona më të përzemërta për librat që i dhuruat bibliotekës sonë për pasurimin e fondit të saj. Veprimi juaj është një akt fisnik, human dhe qytetar. 15 titujt e monografive tuaja që na dhuruat: monografi shkencore: Kritika ndryshe, vëzhgim në brendësi të prozës e poezisë shqiptare, pjesa e parë (2009); Elbasani në arkivat britanike, studim (2015); krijimtari letrare: Mos hesht, poezi (2000, 2013); Djalli i Argadasit, tregime (2002); Misteriozja, tregime (2009); Lumenjtë e ëndrrave, poezi (2012); Grykës, roman (2010); Bunari, roman (2012); Borxh ajrit, poezi (2013); Miriapodë, poezi (2013); Kojrillat, roman (2013); Blirët e Pejës, roman (2014); Xhungël mendimesh, poezi (2014); Fijet e barit të thatë, roman, (2015) dhe Era nuk jepet me qera, poezi (2015) janë kontribut konkret, që ne e vlerësojmë. Edhe një herë faleminderit! Krijimtaria letrare – studimore e Dr. Fatmir Terziut u bë pronë e Bibliotekës Shkencore “Nermin Vlora Falaschi” të Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë, në funksion të studentëve dhe të pedagogëve tanë. Pena dritë, mik i nderuar! Edhe opinioni qytetar bëhet më i ndjeshëm pozitivisht nga veprime të tilla që shpërndajnë kulturë e qytetari ndër njerëz. Ai nuk resht së shkruari, së studiuari dhe së botuari. Vetëm brenda vitit 2016 boton librin me poezi Pas shiut dhe vëllimin me tregime Zjarri është blu. Në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë, nga ky autor numri i regjistrimeve të gjetura është 45 dhe numri i regjistrimeve të shfaqura është po aq, 45 tituj.

Me vërtetësi dhe dashuri, vlerësojmë kontributin e Fatmir Terziut në publicistikë, në eseistikë, në poezi dhe në prozë. Studimtaria e tij e vyer ravijëzohet në dy vepra të botuara për dy dashuritë e tij të mëdha: Elbasanin dhe Letërsinë. E nderon Elbasanin autori, sepse ai qytet u bë udhejeta e tij e familjes së tij, e prindërve të dashur, e njerëzve të zemrës, sepse Elbasani u bë vendi ku u forcua personaliteti dhe përkushtimi i tij intelektual. Nga vepra e Terziut mësojmë se Elbasani në arkivat britanike është qysh herët. Emri i tij përmendet i ndërlidhur me mjaft faktorë ballkanikë, shqiptarë e më gjerë. Është emër që pason qytetërimin mes Rrugës Egnatia, është vetë ardhja e tillë e shenjtë që në udhëtimet e Shën Paul. Por emri i tij është një referencë qëndrese, identiteti dhe force. E hasim në mjaft korrespodenca, letra, shkëmbime diplomatike, gazeta e materiale të tjera arkivore. Emri i tij fatmirësisht në pak raste është deformuar, ndërsa qëndron i pastër dhe mjaft konkret në gjetje. Me të lidhen mjaft emra të huaj, emra shqiptarë të fushave të ndryshme që në kohë të hershme e deri në ditët tona. Për këtë është dhe ky studim, që ka plotësuar një mangësi të dukshme në gjetjen e gjërave të sakta që lidhen me fatin e kësaj treve me kontribute për historinë dhe qytetërimin shqiptar, emërdëgjuar dhe etnologjikisht. Sipas Dr. Terziut, në arkivat britanike është edhe ekzemplari me titullin origjinal: Elbasani dhe me skicimet bardhë e zi në kopertinën e tij kryesore nga autori çek Stanislav Kostka Neumann (1875- 1947), gazetar, përkthyes, skicues dhe poet. Me monografinë “Kritika ndryshe, vëzhgim në brendësi të prozës e poezisë shqiptare”, autori nuk e shikon krijimtarinë të përhershme dhe as kohëpakët, por të përqendruar historikisht, në mënyrë sociale, intelektuale, shkruar dhe lexuar në kohë të caktuar, me një synim të caktuar, nën kondita të njohura historike, me synim historik, kulturor, personal, racor, seksor, klasor dhe në gjithfarë perspektivash. Nëpërmjet krijimtarisë ne shohim ideologjinë në operim, nënvizon studiuesi dhe kritiku Terziu.

Vlerësimi dhe mendimi kritik i Dr. Terziut është si ajo bisturia e mjekut, vërtet e mprehtë, por që të krijon besim të plotë në shërim dhe në shëndet letrar të veprës që Terziu ka në dorë. Poezia e Terziut është së pari poezi e shpirtit, e ndjenjës së madhe, poezi e thëllimave dhe e gjerësive. Vargjet e Fatmirit janë drithëruese e drithëmojnë. Në betejat e përditshme të jetës, poezia e Fatmir Terziut dallon si poezi e pjekur, kuptimplote. Për prozën letrare të F. Terziut kritika letrare ka vlerësime pozitive. Me prurjet e tij në gjininë e prozës së shkurtër (tregimit) dhe të prozës së gjatë (romanit) Terziu shfaqet tashmë si një figurë e lartë letrare e ndërgjegjes estetike. Spikat roli i tij letrar, dituror e didaktik në ringritjet nga harresat historike dhe kujtesës sociale etnike, duke rimbjellë në letrat e sotme shqipe romanin etnologjik, si dikur Petro Marko me romanin Ultimatumi (1972, 2002), etj.

Megjithatë, nuk ishte ky shkaku i këtij shkrimi të thjeshtë, por qe magjia tronditëse e fjalës që më ndikoi të hedh në qelqin digjital universal dy fjalë të vogla për një tregim të madh të autorit Fatmir Terziu.

“Roja i Vilës së Madhe” është një tregim – tërmet jo vetëm i autorit, por gjykoj se në Prozën e Sotme Shqiptare e ka vendin sipër. Nuk të lodh autori. Qysh në fillim të njeh me personazhet e tij të paktë, njerëz, kafshë, sende. Terziu e ka të shtrenjtë fjalën, nuk e harxhon kot atë, e menaxhon mjeshtërisht ekonominë e fjalës letraro-jetësore. Lexojmë tregimin dhe me frymëmarrjen tonë thithim simbolikën e tij groteske, fatkeqësisht shumë aktuale ndër këto viset tona. Me “Rojen e Vilës së Madhe” ku nuk na shkon mendja?  Nga gjiri i Lalëzit, në perlat e Palasës e Dhërmiut, Ksamilit apo Kakomesë, ku zhgërruhen derrat kokërruar, me qafat e dhjamosura palë-palë me kollaro të rënda e të demoduara lloj-lloj, që i mbajnë si për modë, por s’dinë t’i lidhin estetikisht, veçmas litarët për fyti të popullit dinë t’i lidhin fort…

Do të më shoqërojë gjatë ky tregim i Terziut, sepse është dhembja e realitetit që jetojmë këtu, përditshmëria jonë rutinë, që na ka hashashuar ndjenjat e na helmon dhe gjakun. Autori ka gdhendur me frymë jete e gërma arti këtë prozë rrëqethëse, që të drithëton në përshkrimin artistik të realitetit, parë në sy të së vërtetës. “Roja i Vilës së Madhe” vjen në një prozë lakonike që është keqardhje artistike dhe jetësore. Këtë mund të bëjë shkrimtari, por jo një, të gjithë, secili sipas stilit të vet, por ngjyer në bojën e realitetit të sotëm shqetësues.

Një tregim sociopsikologji, ku duken dy personazhe dhe ne, në vatrën e leximit, regjistrojmë pothuaj monologun, nga njëri, dhe gjuhën e shqisave, të mimikës, intuitës nga tjetri, Roja, që po të lulëzonte Mbrothësia, mund të ishte, pse jo, një kërkues shkencor këmbëngulës.

Kemi dhe një Derr, personazh në distancë të largët, nuk na vjen drejtpërdrejt, por është i pranishëm edhe te qentë e tij.

Ç’më dha imazhin e jo pak derrave e dosave në vertikalitetin tonë, ky tregim i Fatmir Terziut!

Deri edhe sot “Bukuria që vret” e Migjenit ka qenë një margaritar i penës shkrimtare të mjerimit të shekullit XX. Sot i shtohet sivëllai “Roja i Vilës së Madhe” për shekullin XXI.

Tregimi nuk lexohet dot shpejt, sepse falë mjeshtërisë artistike që ka fituar, autori na fut në punë, ta zhvillojmë imagjinatën, të studiojmë tekstin, të lexojmë nëntekstin, të mos ndihemi lexues pasivë e dembelë, se të lexosh një Tregim nuk është si të luash spathi me letra.

Autori përmend vitin 1913 … Në të tjera mendime më fut!

“Roja i Vilës së Madhe”, një prozë sociopsikologjike tërmetike që të trondit e të shkund.

Faleminderit autorit Fatmir Terziu, meritueshëm “Mjeshtër i Madh”!

 

 

Vlorë, 08.07.2019

Sokol Demaku: Intervistë me mikun e shqiptarëve dhe njohësin e mirë të gjuhës, historisë dhe kulturës shqiptare Ullmar Qvick

 

”Bota demokratike duhet të kujdeset më shumë për Kosovën, kosovarët e bashkuar të kujdesen për të mirën e kombit!”

 

Gjuha shqipe më intereson për shumë arsye, nuk mund të mohoj se ndiej krenari se e zotëroj

 – në disa aspekte – më mirë se shumë nga shqiptarët vetë. Nga ana tjetër kur shqiptarët flasin shpejt midis tyre – sidomos në dialektet e Kosovës – duhet të pranoj se shpeshherë ”mbetem me gisht në gojë”!

Shqipërinë e vizitova për herë të parë në vitin 1970, pastaj në 1978, 1979, 2004 dhe 2005. Në Kosovë përveç seminarit të vitit 1977 mora pjesë edhe në seminarin e vitit 2004.

Bukuria e natyrës, mikpritja e njerëzve, këto janë përshtypjet më të forta nga atje.

Me shqiptarët, përveç simpatisë sime për këtë popull zemërgjerë, më lidh fakti se e kam gruan shqiptare dhe të afërmit shqiptarë të cilët kanë rëndësi të madhe dhe pozitive për mua.

 

Nga Sokol DEMAKU

 

Kisha me ju lute per nje prezentim të shkurtër.

 

U linda në Kristinehamn, në rrethin e Vermlandës, në vitin 1934. Gjimnazin e kreva në 1953 dhe shkollën pedagogjike në vitin 1957.

Bëra 40 vite në profesionin e arsimtarit në shkolla të ndryshme këtu në Suedi. Që nga viti 1999 jam në pension por profesioni im i dytë si përkthyes vazhdon.

 

Si lindi miqësia Ullmar  Qvick – Shqpëri – Kosovë?

 

Pikënisja ishte dëgjimi i muzikës popullore shqiptare në rini. Që nga mosha 11-vjecare jam i pasionuar pas radios ndërkombëtare – dhe kështu e gjeta Shqipërinë. Miqësia me Kosovën u zhvillua shumë më vonë, me pjesëmarrjen time në seminarin e gjuhës dhe letërsisë shqipe në Universitetin e Prishtinës në vitin 1977.

 

Keni qene ne vizite në Shqipëri – Kosovë, cilat janë pershtypjet e juaja nga atje? 

 

Shqipërinë e vizitova për herë të parë në vitin 1970, pastaj në 1978, 1979, 2004 dhe 2005. Në Kosovë përveç seminarit të vitit 1977 mora pjesë edhe në seminarin e vitit 2004. Më shumë po ”udhëtoj” me libra, me radio, me muzikë…. Vizitat fizike nuk janë aq të nevojshme se sa ato shpirtërore.

Përshtypjet? Bukuria e natyrës, mikpritja e njerëzve, këto janë përshtypjet më të forta.

 

Përvecse nje shkrimtar me renome, jeni edhe poet dhe perkthyes i njohur nga gjuha suedeze ne shqipe ashtu edhe nga shqip ne suedisht. Do te ishte me interes te mesonim nga ju se si e perkufizoni rolin e shkrimtarit dhe perkthyesit  ne jetën bashkëkohore? 

 

Nuk jam i lirë të veproj siç më don zemra. Kam detyrime ekonomike të cilat drejtojnë veprimtarinë time. Para dy vitesh gruaja ime hapi një dyqan të vogël, dhe para se të japë leverdi veprimtaria e saj, do të jem i detyruar të zgjedh punë që jep pará, thjesht për ekzistencën tonë!  Fatkeqsisht në këtë botë puna kulturore paguhet keq. Për hir të ekonomisë familjare, pra, duhet të merrem me përkthime me karakter praktik (dëftesa, vërtetime, ankesa, artikuj, dokumente të ndryshme).  Dua të theksoj se kam disa dorëshkrime suedisht, pa lidhje me shqiptarët, të cilët nuk më ka lejuar koha të përfundoj… Edhe më keq: projekti i Fjalorit shqip-suedisht, me të cilin po punoj bashkë me mikun  tim Lars-Erik Morin, mbeti i papërfunduar deri sot, sepse ne të dy jemi aq të zënë me përkthime praktike për hir të shqiptarëve në Suedi përmes firmave të përkthimit.

 

Krijimtaria juaj i perket nje periudhe të gjatë kohore. Cila eshte tema dhe motivi ne veprat e juaja? 

 

Kam prodhuar disa vëllime me  përkthime të poezisë shqipe, një dramë në përkthim, mjaft tregime, një libër dokumentar për shqiptarët, dhe si bashkëpunetor,  një numër veprash gjuhësore (fjalorë) etj.

 

Ju keni botuar ne shqip por edhe ne suedisht, merreni me publicistikë, pune ne radio cfarë mund ten a thoni per gjithë keto?

 

Sidomos në të kaluaren mora pjesë në polemika të ndryshme rreth problemeve  shqiptare. Ballafaqime të rrepta u zhvilluan me disa serbë në Suedi në kohën e konfliktit të armatosur në Kosovë.  Më përpara shkrova shumë artikuj për “Albanien och vi”, organ i Shoqatës Suedezo-Shqiptare.  Në fund të viteve ’90 isha prodhues i një emisioni javor në gjuhën shqipe, Radio Arbëria, këtu në Norrköping.  Nga 3 vitet kur punoi kjo radio kam kujtime të bukura, bashkëpunimi me një ekip rinor shqiptar ishte i shkëlqyeshëm!

 

Cka ka botuar deri me tani  Ullmar Qvick dhe cka pret lexuesi nga ju tani?

 

Përgjithësisht kam treguar për botimet e mia në përgjigjet e mëparshme. Vepra ime kryesore është ”Mera hjältemod än vete”, dokumentar i përkthyer edhe shqip nga Hajdin Abazi. Në këtë dokumentar përshkruhet jeta e shqiptarëve në shekullin njëzet, me shumë heroizma por edhe barbarizmat dhe akte  terroriste nga ana e komunistëve shqiptarë, një periudhë më e errët se sundimi  450-vjecar osman për arsye se shqiptari i mjerë u fut në shtratin e Prokustit nga Enver Hoxha me shokë. Armiku i cili mund të luftohet me armë në dorë mund të tolerohet më shumë se armiku i brendshëm që ju kapë për fyti dhe përpiqet të deformojë trurin tënd!

Disa më kanë bërë sugjerime për vepra të reja letrare dhe sidomos autorët shqiptarë kërkojnë përkthime suedisht të librave të tyre. Momentalisht nuk jam në gjendje tu plotësoj dëshirat, kuptohet nga komentet e mia të mëparshme, as nuk dua të punoj me porosi, dua të jem i lirë të zgjedh çka më intereson më shumë. Projekti i vonuar të Fjalorit shqip-suedisht është nr 1 në listë!

 

Kur kemi te bejme me perkthimin e autoreve shqiptar ne suedisht, ideja e nje perkthimi vjen nga emri i autorit apo ajo qe le gjurme tek ju dhe qe ju shtynë te merreni me te?

 

Pikë së pari interesimi im është faktori vendimtar. Nuk kam dëshirë të punoj me tekste të dobëta të cilët janë me interes vetëm për autorin! Dhe lexuesit suedez duhet të marrin diçka me vlerë, tregu letrar është i mbushur me vepra të të gjitha anëve të botës, dhe pse të parapëlqejë lexuesi i rendomtë një libër shqiptar? Një shkrimtar i nivelit të Kadaresë apo një temë me interes të veçantë do të jetë faktor vendimtar për botimin.

 

Cilët janë poetet, shkrimtarët shqiptarë të perkthyer ne suedisht nga ju, mendimi i juaj per letrat shqip, poezinë shqip por edhe prozën në shqip?

 

Kam botuar mjaft poezi, shumica prej tyre të përfshira në antologji të ndryshme. Vëllime me poezi kam përkthyer pak, më kujtohen tani Shefki Oseku: Një lloj drite tjetër (Ett annat slags ljus), Ibrahim Abedini: Brenga e liqenit  (Sjöns smärta). Më tej, dramën e Anton Pashkut Gof (Glöd).

Nga poetët më pëlqen më shumë Fatos Arapi, për mua ai është më i madhi!

Dua të përmend edhe një ditar me përmbajtje prekëse, realiste, Ditari i zemrës sime nga e reja kosovare Ardita Beqiri. Ky është vepër dokumentare në shqip dhe suedisht. Më mërzit shumë fakti se kjo vepër modeste nga lufta në Kosovë nuk krijoi kurrfarë reagimi pozitiv, as në anën suedeze, as në atë shqiptare.  Ardita nuk ishte një Ana Franku, megjithëkëtë mosinteresimi më indinjon shumë!

 

Cka ju lidhe ju me shqipen dhe me shqipetaret

 

Gjuha shqipe më intereson për shumë arsye, nuk mund të mohoj se ndiej krenari se e zotëroj

– në disa aspekte – më mirë se shumë nga shqiptarët vetë. Nga ana tjetër kur shqiptarët flasin shpejt midis tyre – sidomos në dialektet e Kosovës – duhet të pranoj se shpeshherë ”mbetem me gisht në gojë”! Me shqiptarët, përveç simpatisë sime për këtë popull zemërgjerë, më lidh fakti se e kam gruan shqiptare dhe të afërmit shqiptarë të cilët kanë rëndësi të madhe dhe pozitive për mua.

 

Si e kalon Ullmar Qvick  një ditë pune?

 

Jetoj një jetë përgjithësisht të qetë. Zgjohem rreth orës 6.30, bëj mëngjesin, rreth orës 8 filloj të lexoj e-mail të ardhur gjatë natës. Pastaj me disa ndërprerje punoj me përkthime deri në orën 13.00, ose, kur koha është e përshtatshme, bëj shëtitje në pyll për një orë para dreke. Drekën e kam mjaft vonë rreth orës 13.30-14.30, sepse normalisht buka e mëngjesit është e bollshme dhe më lejon të pres! Pas dreke vazhdoj me pak punë, por me ndërprerje për të dëgjuar disa stacione të radios. Pas punës, edhe në mbramje kam disa mesazhe për të shkruar në lidhje me këtë hobi. Po mbaj kontakt me radioamatorët e botës dhe gati çdo ditë po vijnë letra dhe kartolina prej tyre. Argëtim i thjeshë por një ”kundërpeshë” e mirë, sepse kush merret vetëm me punët shqiptare do të ndiej monotoni dhe interesimi do  të zhduket! Po merrem edhe me lexim të librave shqip, suedisht dhe anglisht (bile lexova  vitin e kaluar një libër të trashë spanjollisht!). Më zë gjumi rreth orës 23 ose pak më vonë.

 

Një shkrimtrar, një publicist kërkon te jetë pothuajse për gjithçka i informuar. Kjo ka të bëjë kryesisht me natyrën e personit. Thjesht doja një përgjigje te shkurtër.  Si është Ullmar nga natyra?

 

Jam i interesuar për shumë gjëra, por jam më shumë me emocione se me sy realist dhe kritik. Në një aspekt jam i dishiplinuar, por përgjegjësia e madhe më frikëson. Dua të përballoj kërkesat, por në rast se nuk mund të kontrolloj rrethanat, kur kërkohet të bëj të pamunduren, po nervozohem shumë.  Kam të bijen 13-vjeçare, shumë e ëmbël, por ajo si të rinjtë dhe të rejat në përgjithësi, shkakton shpesh kriza nervore te prindërit… Edukimi i rinisë sot është më shumë si të kalosh ujëvarën e Niagarës mbi konop! Shpeto kush mundet!

(Nga përshkrimi i natyrës sime shpresoj se humori im është në dukje…)

 

Ju jeni një publicist, perkthyes shumë i talentuar, cfarë është aktiviteti juaj në media. Si e ndieni veten si shkrimtar, publicit, përkthyes dhe mik i shqiptareve?

 

Bëra 3 vite si prodhues i një programi të radios në gjuhën shqipe. Sot merrem shumë pak me mediat. Krijova një faqe web për Komitetin suedezo-shqiptar, pjesëmarrja është e dobët. Në të kaluaren kam shkruar më shumë, mora pjesë në programe të radios suedeze, edhe më kanë intervistuar në televizion dhe radio në Kosovë, Shqipëri, SHBA, Suedi, Norvegji, Zvicër dhe Australi. Më përpara më lejoi koha dhe më detyroi situata të merrem më shumë me mediat se sa sot.

 

Cili është medimi i juaj për shqiptaret ne Suedi?

 

Shqiptarët në Suedi, duke i krahasuar me ata të Anglisë, më shumë vijnë nga

klasa punëtore, ka mjaft njerëz të pashkolluar. Numri i intelektualëve është më i vogël. Shumica e shqiptarëve po merren me punë të dobishme në shoqërinë suedeze, sidomos në komunikacionet publike, shumë prej grave punojnë në institucione të shëndetsisë dhe të pleqërisë dhe normalisht janë të njohura për punë shumë të rregullt. Pastaj grupi që merret me kriminalitet si duket janë prej një karakteri jashtzakonisht të vështirë, dhe ata fatkeqsisht janë në dukje shumë dhe krijojnë një  përshtypje negative te suedezët. Nga ana tjetër suedezët që kanë vizituar botën shqiptare janë shumë të kënaqur me bujarinë dhe mikpritjen e treguar.

Do të dëshiroja një bashkëpunim më të madh ndër shqiptarët në Suedi. Kjo punë nuk kryhet me lehtësi. Merrni me mend, ata që jetojnë në një qytet vijnë nga të gjitha anët e botës shqiptare. Normalisht kanë të afërmit e tyre, por çka i bashkon me shqiptarët e tjerë në atë vend? Shumë pak. Ka raste mosbesimi bile hasmerie. Të ndershmit nuk duan  të merren me ata që shikojnë si të dyshimtë, aventuristë. Nga ana tjetër, interneti ju jep mundësi të veçanta të kontaktoheni me bashkëatdhetarë me interesa të njëjta!

 

Nëse do te kishe mundësinë te jepje ndihmësen tende në realitetin që jetojmë ne shqiptaret, ku mendon konkretisht që duhet ndryshuar diçka nem ketu dhe ne vendin tonë?

 

Kryesorja është ekonomia. Dhe përparime në lëminë e ekonomisë kërkojnë bashkim  dhe një drejtim të mirë. Shqipëria si duket është përparuar mjaft në dekadën e fundit, ndërsa Kosova për shumë arsye nuk zhvillohet si duhet. Faktorët pengese janë traditat negative në jetën shoqërore, pengesat që krijojnë ndërkombëtarët dhe serbët, udhëheqja e dobët me korrupcion dhe paaftësi etj.

Kush ka mundësi të bëjë investime nga jashtë në Kosovë sot?

 

Si e sheh Ullmar Qvick sot Kosovën dy vite pas pavarësisë?

 

Faktorët negativë janë në dukje. Dhe kjo rini e mrekullueshme meriton të ardhmen më të mirë, brenda Evropës. Ky është problem edhe i Evropës. Nëse investojnë arabët në Kosovë, nëse vijnë ”misionarët” fundamentalistë  për të tërhequr rininë kosovare, ç’farë rezultat do të shohim? Tmerr, konflikte, bile luftë civile!! Bota demokratike duhet të kujdeset më shumë për Kosovën, kosovarët e bashkuar të kujdesen për të mirën e kombit!

 

Cili ka qene dhe eshte profesioni me i preferuar i Ullmar Qvick?

 

Profesioni i përkthyesit, nga ana tjetër vitet në shkollë më kanë dhënë shumë kujtime të bukura – dhe disa të hidhura…

 

Përveç artit te të shkruarit dhe publicistikes, si e kalon kohen e lirë?

 

Me radio, me libra, me familjen, me shëtitje.

 

Cka ju benë të lumtur  dhe cka ju mundon më së shumti në jetë?

 

Lumturia ime ka të bëjë më shumë me punën e kryer. Nuk më pëlqen të kaloj ditën kot. Natyrisht fjalë dhe vepra të mira nga ana e të dashurve të mi luajnë rol shumë të madh për shpirtin tim. Më mundon më shumë situata në botë, me problemet ndërkombëtare, edhe më mundon kur të afërmit e mi kanë probleme shëndetsore.

 

Dhe së fundi cila është porosia e juaj për Shqiptarët ?

 

Për Kosovën dhe Shqipërinë: Të punoni në bazë, në organizata jo-qeveritare, me edukimin e demokracisë, me projekte të dobishme, pastaj me njohuritë e fituara të ndërroni përbërjen e klasës në udhëheqje, përmes votimeve dhe me pjesëmarrjen tuaj në jetën politike për të drejtuar  politikën shqiptare kah sistemi demokratik pa korrupcion, pa abuzime, me frymë të shëndoshe e humane. Vetëm kaq.

 

Tack så mycket

Sokol

MARIANA E BUKUR GRIS MASKËN E SHËMTUAR TË SEKRETARES SË PARTISË DHE TË TJERËVE… – Nga Mexhit Prençi

 

-Në fokus: Spektakli  “Natë me hënë” i regjisorit Edmond Budina, sipas novelës së Kadaresë –

 

1

Fillimviti 1990, fill pas përmbysjes së diktaturës enveristo-staliniste shaqet spektakli “Natë me hënë” i Budinës në Teatrin Kombëtar sfidues i realizmit socialist që u prit me duartrokama entusiaste  si asnjëherë tjetër në këtë skenë. Është një prurje e re regjizoriale, moderne e postmoderne. Regjisori aplikoi mjete të larmishme figurative që nga teatri i hijeve, maskave, vodevilit & gjer te teatri performatist. Larmia e formave të artit skenik realizuar bukur, ngjizen me larminë  e fushës së fomave të natyrës, siç do të thoshte Hegeli.

2

Shestimi dhe formësimi i spektaklit “Natë me hënë” është sprovë e suksesshme eksperimmentale dhe alternative që solli risi në regjisurë duke sfiduar regjisurën e politizuar të socrealizmit e në të njejtën kohë ishte promovuese e talentit të regjisorit. L.eximi i vëmendshëm dhe i mprehte i tekstit të autorit nga Budina,  (Fatos Arapi thoshte: “Lexues i mirë nuk është ai që lexon shumë, por  ai që bluam mirë) – e ka orientuar regjisorin në qasjen kritike, për të fshhikulluar e stigmatizuar dukuritë negative që përshkojnë ngjarjet, situatat, rrethanat  personazhet alibistë dhe sekrearen e partisë në një ndërmarrje, e cila  terrorizon Marianën e bukur, me akuza për qëndime liberale ndikuar nga bota borgjezo-revizioniste dhe për lirinë e  saj të dashurisë që e konsideron imoralitet.

3

Në gjithë përbërësësit e  spektaklit aplikimi i GROTESKUT si mjet modern për t’i bërë më të dukshme  dukuritë negative dhe për të stigmatizuar botën e shëmtuar të personazheve,  është këndvështrim i kthjellët  i realizuar mrekullisht.

FRIDRIH DYRENMAT do të thoshte: “Forma mbizotruese e letërsisë moderne dhe artit modern, është GROTESKU, i cili paraqet pasqyrën e fytyrës se botës personale dhe të shëmtuar”

4

Siç dihet nga njerëzit e teatrit,  m i z a n s k e n a, është gjuha e regisorit ashtu si teksti i veprës – gjuhë e autorit. Tekstin me vlera te larta e gjallëron regjisura profesionale cilësore e cila krijon hapësira për lëvizjet psikovizike të personazheve që ta ndjejnë veten si në shtëpi të tyre ku lirshmëria e natryshme është çels për shpërfaqjen emocionale të botës së peronazhit.. Mënyra si e ka konceptuar dhe realizuar Budina tregon pjekuri që në krijimin e platformës regjisoriale që e konsideroj te nivelit të klasit të parë. ( Më lejoni të bëj një paranteze). Ndër regjisorët më të shquar para 1990-tës, Serafin Fanko ëshë mjeshtër i madh i pakrahasueshëm në krijimin e platformes regjisoriale. As dje, as sot, asnjë regjisor nuk ka arritur ta kalojë.

Lexoni platformën regjizoriale  të tij për  dramën “Gjaku i Arbërit” të Fadil Krajës, një modell unik mianskenik ku skicohen edhe lëvzhet psikofizike të  secilit personazh dhe gjithë komponentët e tjerë të spektaklit.

(Patforma regjisoriale e tij është botuar ne revistën“TEATËR”)

5

Komponenti tjetër kryesor është a k t r i mi, në spektaklin  “Natë me hënë”. sipas gjykimit tim kemi dy nivele aktrimi te aktorëve në rolet respektive: nivel të larte dhe te mesëm. Aktrimi në nivel të lartë  është i barazvlershem me  nivelin e  lartë të regjisurës siç e analizova më sipër. Vlerat e larta janë mbizotëruese në të gjithë komponentët e tij.

Qasja ime në analizën e spektaktkit dhe aktrimit është sipas kritiës moderne., e gjykoj spekspektaklin ashtu si e ka menduar dhe realizuar regjisori, e në të njejtën kohë sfidoj ata kritikë që marrin rolin e dhaskalit dhe japin këshila  si duhej të ishte realizuar shfaqja, kështu apo ashtu, si  mendonin ata duke cënuar individualitetin e regjisorit.

6

Spektakli “Natë më hënë ësntë komleks, kërkon një studim të thelluar vertikal e horizonal, për të gjithë komponentët, që nuk ëshë objekt  i këtij shkrimi të shurtër, ndaj  do të përqëndrohem në aktrim tek tre figura kryesore të spektaklit: Yllka Mujo – Sekretarja e partisë, Ema Andrea -Mariana e bukur dhe Shlëlqim Basha -Drejtori i ndermarrjes.

Po para se të artikuloj mendmet e  mija për vlerat e aktrimit të tyre e shoh të nevojshme të jap një infomacion nëpërmjet përshkrimit për të vërtetën e asaj nate me hënë: ç’ndodhi me Marianën dhe Gazmendin burrin e martuar, çka e bën analizën time më të kuptueshme për lexuesin që të formulojë mendimet dhe qëndrimin e tij për personazhet dhe për analizën sipas optikes sime.

7

Pas akuzave të rënda në gjyqin e kolektivit të ndërmarjes   Mariana  largohet e tronditur. Në kokën e saj buçasnin thirrejt në kor të personazheve të depersonalizuar e nënshtraur, egoiste e cmirëzi…: ‘Imorale, imorale imorale”. Pastaj zëri i  frikshëm i sekretares: Vajza e bukur me biografi të keqe,  është ndikuar nga shfaqjet e huaja bogjezo-revizioniste,  lexon libra të ndaluar, që propagandojne lirinë e dashurisë, e të tjea e ë tjera … Gazmendi, sapo u largua Mariana e ndoqi pas. Rrugës, në një moment, ajo i lexon një poezi, që indirekt provokonte dashuri. Ai e deshte Marianën e bukur dhe fisnike, por besnikëria bashkëshortore e frenoi, sa as një puthje nuk i dha ndonëse e përqafoi. Këtë skenë ia tregoi te shoqes e cila u trondit kaq shumë sa me imagjinatë sajoi puthjen e tyre, në atë natë me hënë dhe dha berihanë… Pjesa më e madhe e personazheve filluan fushatën e trillimeve, sajimeve, kurdisjeve e thashethemnajave me lojë llojë-llojë variantesh për ta diskritizuar e poshtëruar atë.. Një pjesë tjetër e kolektivit e mbeshtetën Marianën e bukur, madje nuk ishin dakord as me kërkesën e keqdashësve, që kërkonin të paraqiste raport mjeksor për virghërinë. Pas një grindjeje e dylyftimi me veten, Mariana e bëri vizitën, e mori ”çertifikatn”e virgjerisë… por e grisi letrën përpara kolektivit dhe sekretares së partisë e në të njetën kohë grisi maskat e shëmtuara të tyre dhe alibitë e të pavërtetës që e paraqitnin si të vërtetë duke promovuar shëmtimin shpirtëror të botës së tyre të pistë e të ndyrnë.  Pas këtij rrëfimi për të vërtetën e nates me hënë, rikthehem të portretizoj tre personazhet kryesorë të spektaklit.

8

YLLKA MUJO- sekretatre e partisë.

Sapo hapet sipari, një mjedis i errët me personazhe hije e maska dhe portreti i saj i frikshëm, fantazmagorik  si i një shtrige e keqe. Aktrimi fantastik. Më pastaj shaqet sekretarja e dhunshne e partisë, me autoritet te fortë, personazh i fryrë i realizmit socialist Kur deklamon togfjësh që thoshte Diktatori i Madh, imitonte bukur intonacionet e zërit tij, deklamon e reciton me ngritje e ulje të zërit dhe intonacione me  gjyrime koloristike duke ironizuar e satirizuar me aktrim mjeshtëror. Portreti i saj ndryshon sipas situatave dhe rrethanave;: Xheloze e cmirëzezë për Marianën e bukur nxjerr ligësitë brenda vetes për ta përbaltur dhe kurdis e menaxhon akuzat alibiste duke nxxitur kolektivin që të hidhen ne sulm me çdo mënyrë e mjet. Veprimet psikofizike të saj janë të klasit të parë. Sipas meje  në interpretimin tërësor të saj në këtë spektakël shfaqet mrekuloorja, çuditorja dhe fantastikja, siç do të thoshte kritiku dhe esteti Todorovski.

9

EMA ANDREA- MARIANA E BUKUR

Aktron bukur. Është një rol që e preferon çdo aktore e re. Hamendësoj se autori i tekstit ka patur parasysh artisten Ema kur ka krijuar këtë personazh. Lëvizjet psikofizike të Emës-Marianë realizohen me shije estetike dhe vërtetëssi jetësore. EMESON do të thoshte: “E bukura vetë e arsyeton ekzistencën e saj”. Ema e shpirtëzon figurën e Marianës  duke i dhënë frymë e shpirt nga të sajat, siç do të thoshte Aleksandër Moisiu. Në aktrimin e saj spikatin, konkretësia dhe thjeshtësia pa rrënë në thjeshtëzim. Me interpretim sipas realizmit në zhvillim & me elemente moderne, shpreh bukur shqetësimet e Marianës, tronditjet e saj, përballimin dhe kundërshtimin e akuzave poshtëruese, të rrezikshme e të frikshme duke zotëruar durimin dhe  frenuar zemërimin në situata të vështira e të rënda. Me maturi ndonëse zien përbrënda nuk akërrehet, \me gjykim të ftohtë shpërfaq guximin si qytetare e lirë, në mbrojtjë të dashursë së lirë dhe të lirisë në tërësi duke grisur maskën e shumicës së personazheve të depersonalizuar në ndërmarrjen ku punon. Mënyra si aktron Ema-Marianë, si e shpreh revoltën, mospajtimin me të keqen dhe si guxon të mbrojë  lirinë e saj për të lexuar edhe libra të ndaluar & lirine e dashurisë  është e mrekullueshme, aktrim i cilësisë së lartë.

10

SHKËLQIM BASHA- DREJTORI

Personazhi i drejtorit është një figurës ndryshe nga drejtorët e fryrë si peronazh pozitiv i socrealizmit. Basha- drejtor nuk është i divorcuar nga ideologjia komuniste, ai më shumë luan vetveten se figurën. Basha është i nnatyrshëm në aktrim. Me vërtetësi jetësore dhe vërtetësi artistike aplikon realizmin, nje realizëm me elemente natyraliste, realizuar me nivel artistik mesatar. Nuk shfaqet në intepretimin si drejtor (personazh pozitiv) i fryrë, me muskujt dhe plastikën e të fortit, as me gjuhë deklamative e me kantilenë. Basha e ka sfiduar këtë llojë aktrimi. Me  thjeshtësi dhe konkretësi kryen veprimet psikofizike dhe shqetësimet si drejtor për të zbuluar mjegulnajën e natës me hënë. Pa ngutje e me durim përpiqet të marrë informacione si nga peronazhet që kanë hedhur baltë mbi Marianën, ashtu edhe me pjesën tjetër te kolektivit që mbrojnë atë..

Si figurë artistike është antipod me atë të sekretares se partisë.. Shqetësimin që ka përbrenda e shpreh duke ruajtur sensein e masës në të gjitha veprimet psikofizike, çka sipas meje aktrimi i tij arrin nivelin mesatar ndonëse stili i interpretimit nuk është në unison me stilin e përgjthshënëm të aktorëve të tjerë dhe komponentëve të  spektaklit. Këtu ka munguar orientimi i regjisorit. Megjithatë kjo nuk ka ndikuar në imazhin e spektaklit modern, pstmodern dhe performatist të Budinës.

KONKLUZË

Spektakli i regjisorit Edmond Budina “Natë me hënë” padyshim është dhe do mbetet si spektakli i parë që sfdoi teatrin e socrealizmit. Prurjet e reja  të një regjisure eksperimentale, noderne, postmoderne dhe performatiste, jo vetëm pasurojnë fushën e larmishme të formave artistike skenike, por sjellin risi në qëndrimin kritik ndaj këtij realiteti ku zhvillohen ngjarjet e dhunohet liria, dashuria e lirë dhe denigrohet njeriu. Alibia e të vërtetë vret të vërtetën.  Ema Andrea-Mariana e bukur, gris maskat e shëmtuara të botës personale të shëmtuar ku del në dritë e vërteta.

Mesazhi kryesor ne formulimin tim do të ishtre: Revolta për të vërtetën dhe guximi për ta mbrojtur atë e në të njejtën kohë lirinë e dashurisë dhe lirinë në tërësië shkëlqen bukur në interpretim brilant të Emës-Marianë. Emererson do të thoshte: E bukura vetë e aryston ekzistencën e saj.”

Ndërsa UMBERTO ECCO do të shoshte: “Kritika e vërtetë, është ajo, që qesh e fundit, sepse e lë secilin të shijojë, por u tregon të gjthëve, arsyen përse pëlqehet nje vepër”

ROLI I ARTISTËVE SHQIPTARË GJATË RENESANËS ITALIANE Nga Jusuf Buxhovi

*Shqyri Nimani: “Albanese – Artisët shqiptarë gjatë renesancës italiane”, botoi “Ars Albanica”,Prishtinë 2018
Libri më i ri “Albaneze – Artistët shqiptarë gjatë renesancës italiane” i studiuesit të artit Shyqri Nimani pasuron njohjet rreth artistëve shqiptarë në mesjetë dhe më vonë (piktorëve, skulptorëve dhe muzikantëve) si dhe veprave të tyre, në shumë raste të një vlere madhore, që u bënë pjesë e artit botëror. Nimani, i cili është njëri ndër krijuesit më të rëndësishëm shqiptar në fushën e arteve aplikative, veprat e të cilit gjetën vend në galeri të njohura botërore, bëri emër edhe në fushën e historisë së artit, fillimisht duke nxjerrë në dritë veprat e piktorëve mesjetarë shqiptarë, të cilët ishin pjesë e artit të kohës së Bizantit dhe të Renesanës, veprat e të cilëve arritën nivele të larta.
Kështu,në vitin 1980 Nimani solli monografinë “Onufri dhe piktorët tjerë mesjetarë shqiptarë”, vepër kjo e cila për herë, nxori në pah fuqinë krijuese si dhe rolin e piktorëve shqiptarë në artin bizantin, i pasqyruar në kultet më të rëndësishme anembanë perandorisë.
Me fakte të shumta, Nimani dëshmoi se vepra madhore e Onufrit, ato të Selenicës, Shpatarakut dhe të tjerëve, të shumtën të përvetësuara nga të tjerët, sidomos grekët dhe bullgarët, krahas motiveve fetare, pasqyronin edhe elemente të botës shqiptare, gjë që, si të tilla, japin mesazhe edhe për vlerat e saj në përputhje me një traditë të lashtë. Për ta treguar gjeniun shqiptar për artin dhe krijimtarinë si një proces të pandalshëm përkundër rrethanave të pushtimeve, Nimani iu kthye kohës së Perandorisë Osmane si dhe vendit të shumë e shumë krijuesve në të për shekuj me radhë. Në studimin “Arnavud – artisët shqiptarë në Perandorisë Osmane”, Prishtinë 2003, që po ashtu është i një rëndësie kapitale, Nimani dha kronologjinë, po edhe pamjen e krijuesve të shumtë shqiptarë në këtë perandori, veprat e të cilëve (pikturë, arkitekturë dhe muzikë) janë ndër më të rëndësishmet e kohës.
Në këtë dioptri, gjithësi vepra më e re “Albanese – artistët shqiptarë gjatë renesancës italiane”, është e një rëndësie të veçantë, qoftë nga aspekti i mbarshtrimit tematik të çështjes, qoftë nga ai i pasqyrimit ilustrativ të saj, ngaqë pasqyron veprimtarinë madhështore të një vargoi të konsiderueshëm të krijuesve shqiptarë, të cilët kanë jetuar dhe krijuar gjithandej nëpër vendet më të civilizuara të Europës Perëndimore, me ç’rast , ata ia dolën që të jenë edhe prijetarë të renesancës italiane në shekujt XV-XVI kur ajo arriti kulmet e saj në Itali dhe vendet përreth, kur arti ia doli të lirohet nga klishetë mesjetare.
Është interesant të thuhet me këtë rast, se Nimani, ngritjen e krijuesve të rëndësishëm shqiptarë në renesancën italiane dhe atë evropiane, që pasoi pas vdekjes së Skënderbeut, kur një pjesë e madhe e fisnikërisë shqiptare kaloi në Itali, e sheh të ndërlidhur, me traditën kulturore në hapësirën shqiptare (nga traditat e krishterimit në Shqipëri) e cila u bart në ambientet e reja, ku edhe fitoi mundësitë dhe hapësirën për shprehje të re.
Për Nimanin, veprat e Niketë Dardanit në fushën e muzikës bizantine dhe ato të Jan Kukuzelit, ishin pjesë e gjeniut krijues arbëror, që në rrethanat e reja gjente shprehje të re, gjë që nuk ishte e rastit se në Itali, shqiptarët e shpërngulur krijuan Shkollën Shqiptare “Scuola degli Albanezi”, si një qendër intelektuale dhe kulturore ndër më të rëndësishmet e kohës. Në përputhje me këtë frymë, Nimani sheh edhe veprimtarinë e skulptorëve, piktorëve dhe muzikantëve të njohur shqiptarë, duke filluar nga Andrea Aleksi, Viktor Karpaçi, Mark Bazaiti, Mihaili nga Vlora, Mihail Tivoli – Artioti, pastaj LeonkTomeu, Marin Biçikemi, Gjergj Danush Lopocaj, Aleks Tarketa, Merkur Buo, Gjergj Basta e të tjerë, veprat e të cilëve u vërshuan katedralet, pallatet mbretërore, sheshet si dhe monumentet markante. Të kësaj fryme, janë veprat e Karpaçit, të Marin Biçikemit dhe krijuesve të tjerë, e ku shtysë të madhe këtij zhvillimi kulturor në Itali dhe gjetiu, i dhanë edhe vëllezërit tipografë shqiptarë Bernardn dhe Matej Vitali (Li Albanesoti).
Ajo që këtë vepër e bën edhe më të plotë dhe i jep peshën e një monumenti që i ka munguar historisë sonë të artit, padyshim është edhe ana ilustrative, ku Nimani, si mjeshtër i madh i dizajnit grafik, ia del që anën e opusin krijues ta përcjell edhe me ilustrimet kryesore të veprave të piktorëve dhe të skulptorëve, të dhëna me një plasticitet të kapshëm, ku del në pah fuqia e tyre. Në këtë aspekt, kjo vepër, është domethënëse, ngaqë nxjerr në pah gjeniun krijues shqiptar gjatë shekujve, por edhe fuqinë e tij në rrjedhat kulturore dhe artistike të artit botëror, me ç’rast, siç është rasti me renesancën italiane, ia dolën që të vihen në krye të këtyre zhvillimeve.
…..

(Video) Miss Serbia bën shqiponjën

Në një aktivitet të organizuar nga Kompani Petrol, Miss Serbia gjatë pasarelës bën me duart e saj simbolin e shqiponjës.

“E bëj për respekt” thotë vajze e bukur serbe!

Sikur të kihisn vizionin e kësaj të reje edhe krerët e shtetit serb, rajoni do të qe fokusuar në zhvillimin ekonomik që rinia pa dallim të ketë një perspektivë të bukur!

Eduard.M.Dilo, poeti dhe letrari që skalit me penë shqiptarinë Nga Hyqmet Hasko

E kaluara qëndron mbi kohën e tij të ndarë në dy pjesë si shpatë Demokleu, por nuk ia thërmon dot ëndrrat, të cilat nisën udhëtimin e tyre në atë kohë zezonë, siç mund të thoshte Kadareja i madh dhe erdhën deri në kohën tonë të çilruara dhe të ridimensionuara. Të kaluarën dhe të ardhmen nuk i zgjedhim dot, por të tashmen, në një farë mënyre, po, kemi mundësi që ta zgjedhim. Dhe ai ka zgjedhur të mos heshtë për atë se çfarë ka ndodhur në kohën e kalvarit, çfarë potencialesh të befta të mendjes dhe shpirtit njerëzor, çfarë talentesh suprizuese janë mbytur që në embrion nga duhma e luftës së mallkuar të klasave, viktimë e të cilave qe dhe ai vetë.

Eduard.M.Dilo nuk pati mundësi që në një kohë të pakohë të ngrihej në nivelin e artit të tij, të talentit që i kishte dhuruar natyra, të leximeve të shumta që bënte, edhe pse koha qe e vështirë dhe gati e pamundur për hapësirat e një shpirti të lirë.

Atij i thanë të heshtëtë, kur kishte shumë për të thënë, kur në shpirtin rinor gëlonte një botë plot iluzione, kur kauzat bridhnin të lira në një shpirt të tejndezur nga pasioni, që më kot çensorët dhe dogmatikët rrekeshin ta bënin që të çonte ujë në mullirin e uniformitetit dhe mediokritetit.

Eduard.M.Dilo është poet dhe publicist i njohur, por për ndonjë nga lexuesit që nuk ka njohur  ende  veprimtarinë e tij, po japim disa  fjalë për biografinë e tij:

Eduard M. Dilo, poet dhe publicist. Edhe pse ju privua gjithçka nën diktaturën më të egër në rruzull që kaloi Atdheu ynë, Shqipëria, prapë falë talentit, ka nisur të shkruaj qysh fëmijë, e ka bërë provë për të botuar në revistat e gazetat e asaj kohe, por nuk ka mundur. Veç në një shkrim te shkruar në gazetën “Drita”-Tiranë, Prof. Vehbi Bala e rreshton ndër poetët e rinj të talentuar, që premton në të ardhmen. Eduard .M.Dilo është edhe bashkautorë i disa antologjive  të ndritshme poetike.

Në  vitet e tanishme ka botuar shkrime e poezi t2 ndryshme sa në gazetën “ILLYRIA” dhe “Dielli”- NY, gazeta “Rrënjët” -Itali , revista “Dituria”, Suedi aq dhe në gazeta të ndryshme në Shqiperi e Kosove. Bashkepunon me revistat elektronike: “Zemra Shqiptare”, “Tribuna Shqiptare” etj.

Ai ndjek gjurmët e vëllezërve Dilo, gjurmët e Lekë Tasit dhe të atyre që rrnojnë për të rrëfyer të kaluarën dhe, teksa kërkon në labirinthet e ferr-purgatorit shqiptar, ku trusnia dhe shtypja deri në mizerabilitet në Myzeqe kulmonte në nivele të epërme të delirit sindromik komunist, zbulon realitete të stiviosura dhimbjeje dhe klithme. Eduardi e vuan pamundësinë e rikthimit të kohës, pamundësinë e verifikimit të ëndrrës, e cila pasi u nis në shtegtimin e saj, i zunë pusi vrasësit e ëndrrave, ia paragjykuan, ia gjymtuan, ia maskruan, por nuk ia dolën dot t’ia shkulnin nga shpirti i bukur estetik.

Kur flasim për një poet, shkrimtar, kritik letrar, një njeri të letrave në përgjithësi, fjala kyçe ose siç quhet në literaturën  kritike “çelsi” i depërtimit në lëndën e përcjellë është vetë fjala “fjalë”, si një raport i brendshëm, gjithëpërfshirës i krijuesit me lëndën e tij të parë.

Këtë përjetim të zgjon depërtimi në materien shkrimore të Eduardit, ku

struktura dhe lënda e parë jo vetëm e studimeve të tij, por edhe e trajtave poetike,

është thellësia; thellësia është caku i tij, gjuha e nëndheshme, gjuha “nën mutaf” siç thonë malësorët e Alpeve tona, gjuhë kjo e kodifikuar, alergorike, simbolike;  është materia estetike, figurative, nëntekstuale, që nën mbulesën e saj fsheh thesaret e një shpirti të pasur dhe një letrari me botë të tejndezur shpirtërore.

Kur shfleton shkrimet e tij, poezitë e tij, gjëja e parë që të bije në sy ajo  është se çfarë përfaqëson ai në raport me pjesën tjetër të përvojës poetike të letrave tona, me pjesën tjetër të prurjeve të shumta të poetëve të tjerë, që lëvrojnë arën e madhe e të pafund të poezisë shqipe. Tek Eduardi kurba krahasimtare me të tjerët, sivëllezërit  e tij poetë, është përfaqësuese dhe dinjitoze, pasi me ta ndryshon për faktin se ai nuk i ngjan askujt tjetër, përvevçse vetevtes.

Eduardi duket se nuk ka pikë sforcimi e shtirje kur merr penën për të shkruar; ai thjeshtë ndjen ritmin e zemrës së tij, pjesëton e shumëzon çastin në kohën e përditshmërisë, duke na dhënë me një muzikalitet aq të ëmëbël e aq të dëlirë vizatime dhe gjendje sa reale e konkrete aq dehëse e trallisëse…

Në poezitë e tij poeti tenton të bëjë një eksplorim në botën e ndjenjave “delikate” dhe emocionit “delikat”, që konturohen në një reliev të thyer rrëfimtar. Janë udhëtime mbresëlënëse në kohën e shpirtit dhe na sjellin sjell copëra kujtese, malli, idili, marrëdhëniesh njerëzore, pa filtra paragjykimi dhe pa maska, derdhur në një lirizëm të ngjeshur e mjeshtëror, ku sundon metafora, psikoanaliza e gjendjes, përmes labirintheve dhe “sekreteve” të një temporitmi të beftë. Zënë vend në këto poezi aspekte të përditshmërisë sonë, me ballafaqimin e njeriut disi të vetmuar bashkëkohor me vetveten dhe të tjerët, me mungesat, trillet, raportet e përmbysura etike, sociale, filozifike e humane, pasqyruar me artin e një fjale të përpunuar me shije estetike e finesë, me një gjuhë të gjallë dhe mjaft të latuar në sensin semantik dhe stilistik, me një sintaksë të zhdërvjellët dhe filmike, cilësi këto që duhet thënë se e bëjnë prozën e Eduartit të lexohet me endje dhe kureshtje, duke u pasprirë ky lexim me një kohë tjetër shqyrtimi dhe reflektimi. Por shumë vend dhe me një pasion unik zë në krijimtarinë e Eduardit, veçanërisht në poezinë e tij e kaluara diktatoriale, pamundësia e individit për të shijuar frutet e punës së tij, pamundësitë për të shfaqur vetveten, dhuntitë, talentet, potencialet e mendjes dhe shpirtit njerëzor.

Eduardi është autor I librave:”Shpirti i Trazuar”, “Diloiada”- bashkeautor me shkrimtarin e mirenjohur Jorgo Telo, antologjite poetike:”Keshtjella e Endrrave”, “Vargu ne Perjetesi”, si dhe pjesmarres ne antologjite:” Zemra Prinderore”, “Shpirti i Fjalës” etj. I detyruar është larguar nga Atdheu prej shumë vitesh dhe jeton tani familjarisht në USA.

Urtësia dhe kthjelltësia mesazhuese e aktit të tij poetike është kuptimplote dhe vlen për sot dhe për nesër:

Jemi një fis e një farë

Edhe pse në tri Fe’ jemi

Kemi një gjak në damarë

Shqipëtarë – që rreh një zemër

Në librin e tij me poezi “Shpirt i trazuar”, Bukuresht, 2010, Eduard.M.Dilo, me vargje të bukura, të frymëzuara dhe interesante, me një lirikë atdhetare dhe meditative që buron nga zjarri i zemrës së një shpirti të trazuar, përcjell realitete të befta estetike. Vargjet e tij ta përkujtojnë atmosferën e zymtë që mbretëronte në Shqipërinë e ngrirë dhe të bunkerizuar, në Shqipërinë shpellare dhe të izoluar, ku siç thotë kritiku dhe letrari B. Ymeri, “në një kohë të krisur kur në vend të Zotit dhe Shën Marisë mbretëronte kulti ndaj Enverit dhe Partisë”.

Ëndrra e poetetit është Shqipëria historike, Shqipëria Natyrale, me Çamërinë në jug, me trungun e atdheut në zemër, dhe me Kosovën në veri, pasi ky shpirti i trazuar i një atdhedashurie të shenjtë, digjet për nënën dhe atdheun e tij.

Shqipëria Natyrale, me bjerrjet, humbjet dhe madhështinë njëherësh, gjeneza dhe trashëgimia e mishëruar tek malli për prindërit dhe mërgimi si kategori filozofike mungese deri në përjetësi  janë tri nga motivet esenciale të botës lirike të Eduard Dilos, pas të cilit vjen dashuria me flladin pranveror dhe me lëngun e buzëve të saj: “Gjithëçka ish’ e jona/ Nuk kishim të ngopur/ Ato buzë mjalti/ Kur ne i shijuam/ U dehëm, u mpimë”, madje edhe Zotin e harruam”.

Poezitë dhe shkrimet e Eduardit burojnë nga një botë spontane dhe plot mbresa jetësore; ato  lexohen me një frymë, pasi përcjellin intensitet të lartë ndjenje dhe mesazhi, kanë sharm gjuhësor dhe thjeshtësi në komunikim. Pasi ilexon një herë, seç ke një dëshirë tu rikthehesh dhe pas leximit të pare, nis rishtas një lexim tjetër,  më i thellë e më reflektiv, duke zbuluar kështu pas çdo vargu e strofe, rreshti e pasazhi një botë lirike e dramatike plot emocion, që përcjell mesazhin e dashurisë, si kryemesazhi, për të cilin kishte dhe ka më shumë nevojë se kurrë bota, veçanërisht shqiptaria jonë, për dje, për sot dhe për nesër

VARGU SI PESHË E NJERËZORES DHE E ETJES SHPIRTËRORE…! – Analizë libri nga Sejdi BERISHA

 

(Bardhyl OSEKU: “Ngarendje”, poezi, botoi revista “Drita”-Treleborg, Suedi-2019)

 

Këndimi poetik, sado vonë që ai gufon, i ngjanë përjetësisë dhe është më shumë specifik, i dashur dhe me peshë, dhe si i tillë reflekton me cilësinë e realitetit të jetës. Ndërsa, nganjëherë, vargu i ngjanë edhe etjes së kamotshme për gjithçka që është e mirë, njerëzore, e lumtur dhe madhështore. Por, njëkohësisht, përmes vargut “përvidhet” edhe dhembja e malli, faktorë këta, pa të cilët sikur asnjëherë nuk bën të realizohet këndimi poetik.

Të gjitha këto atribute, thuaja se janë ind që formësojnë vargun dhe poezinë e poetit të “vonuar” por të ardhur me vargëzimin e tij që nga fëmijëria, Bardhyl Oseku, i cili pra, poezitë e veta të para i botoi që në vitin 1965 në disa gazeta dhe revista, dhe kështu e ka lënë tharmin krijues të merr formën e padurimit krijues për të dalë në dritë pikërisht në këtë libër, i cili e ka titullin aq të ngrohtë, aq të ëmbël dhe përkushtues, “Ngarendje”. Ky titull që ka madhështinë e thjeshtësisë por edhe të mesazhit shumëdimensional, në fillim sikur na duket se është i sipërfaqshëm, mbase edhe i durimit të harxhuar. Por, përkundrazi. Ai është titull që vetvetiu shndërrohet në kuptim të gjerë filozofik dhe në sublim të madhështisë së jetës, të cilën, autori ka ditur të ngre në piedestal me tërë atë nektarin e vargëzimit, dhe kështu, nuk e ushqen vetëm shpirtin e vetvetes.

 

 

Prandaj, kujtoj se çdo varg e ka peshën mirë të matur e të thënë komplet. Sepse, duhet ditur edhe këtë, se ngarendja është pjesë shumë qenësore por edhe delikate e jetës, e cila gjithnjë forcon dhe rri kujdestar që të mos e lejojë as vargun, as poezinë, as autorin, as njeriun dhe as jetën, që të përdhosen, por të ecin shëndetshëm, qëndrueshëm dhe si të tillë gjithnjë të qëndrojnë krenarë dhe pik në këmbë!

Për këtë arsye, poeti nuk e thurë dhe as nuk e shtron vargun vetëm sa për të bërë poezi, por me plot arsye dhe me bagazh të mendjes së thellë: “Fluturo, mos u bëj peng i territ të mesnatës/Ardhja jote do t’ia zbusë zemrën qiellit…”(Poezia: “Ardhje e vonuar”). Dhe, këtë konstatim me vulën e fortë të ndijimit shpirtëror, autori me afsh e ngritë lartë si një këshillë apo urti që i nevojitet njeriut: “…Zemrës hapja të gjitha dyert…/Jetës jepja krahët e dallëndyshes/të thurë çerdhe në çdo shtëpi të globit”…!

 

Bardhyl OSEKU

 

Andaj, poeti Bardhyl Oseku, e di se çfarë do dhe çfarë kërkon e këndon në këtë kohë, ndoshta shpresash apo edhe të dridhjeve të pakuptimta, në këtë kohë lumturie, apo të hidhërimeve dhe të protestave shpirtërore: “…Eja, me duart tuaja mbille në zemrën time/Zambakun e shpresës/Pa ty s’do të ketë pranverë, as verë…”.

Dhe, duke e lexuar dhe duke e analizuar vargun dhe këndimin poetik të këtij libri, gjithnjë e më shumë, “Ngarendje” mbarësohet dhe begatohet me metaforën dhe me mesazhin hidhërak të krijuesit, e që kështu, libri merr peshë e vlerë për ta lexuar, për ta dashur e përjetuar, dhe pastaj për të ngelur si rrugëtimi që nuk ka kthim. Prandaj, çdo varg sikur na lidhë mendjen e shpirtin edhe me jetën e autorit, por edhe me lumturinë dhe me dhembjen që na përqafojnë edhe neve, bile, pa na pyetur për asgjë: “Çka patët që u trembët/Pse po e merrni tatëpjetën/Kush ju përzuri nga shtrati i juaj”! Dhe, nganjëherë sikur u trembet stinëve, që është plotësisht e arsyeshme, të cilat janë simbol edhe i “harxhimit” të jetës, e veçmas stina e vjeshtës, e cila çmend dhe çon peshë çdo dhembje, çdo mall, çdo kujtim, por që di mirë t’i këndojë poeti në të gjitha kohërat dhe situatat, e që madhështitë e jetës di t’i shndërrojë në pikturë të përjetshme e me shumë ngjyra, ashtu siç është koloriti i tablove jetësore: “…Sa e pamiradijshme më duket kjo stinë/…Bjer më shpejt oj borë/Hiqna sysh/Vuajtjet e më të bukurës stinë”(Poezitë: “Gjethet e vjeshtës” dhe “Vuajtjet e vjeshtës”!

Të kësaj fryme janë edhe shumë poezi, të cilat shpalojnë karakterin dhe rrugëtimin jetësor të poetit, mbase edhe të njeriut përgjithësisht. Kështu, poezitë në këtë libër, kur analizohen e duke e njohur edhe autorin, padyshim se janë, ose mund të janë një grumbullim i ndijimeve shpirtërore nëpër kohëra e momente, atëherë ku autorin vargjet e kanë “kapërthurur” me inspirimin dhe me shtrëngim shpirti. Dhe, padyshim se vetvetiu rrjedhin vargjet të cilat dëshmojnë shprehjen dhe kuptimin e thellë e shumëdimensional për tërë atë çfarë fshihet brenda dufit krijues: “A zbardhë dita pa diell/A vjen nata pa hënë”, dy këto simbole që në vetvete mbërthejnë edhe dashurinë, edhe dhembjen, edhe atë që quhet edhe shpresë, edhe pritje, por edhe rrugëtim me tharmin e gjërave që arrijnë lartësitë por edhe mund të harxhohen, e, se kur mund të ndodhë kjo, nuk dihet…!

 

 

Pak shënime për autorin:

Bardhyl Oseku u lind në Gjakovë në vitin 1948. Shkollën fillore dhe të mesme i kreu në vendlindje, ndërsa, studimet në Fakultetin e Gjuhës dhe letërsisë Shqipe i mbaron në Prishtinë.

Dhjetë vjet punoi profesor i gjuhës dhe i letërsisë shqipe, kurse, në SHA “Dukagjini”, pesëmbëdhjetë vjet punoi përkthyes-gazetar. Që nga vitit 2003 e deri në vitin 2013 e udhëhoqi sektorin e kulturës në Drejtorinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Gjakovë.

Poezinë e parë e botoi te gazeta “Zani i Rinisë” në vitin 1965. Botoi edhe në gazeta e revista të tjera.

 

 

Poezia nuk ka çati mbi kokë…!

 

Ligjërimi i tillë poetik, sikur e detyron autorin që në kërkim të vetvetes të na i dhurojë shumë gjëra, të cilat, në jetën e zakonshme, njeriu dot nuk mund t’i shpreh as t’u vë peshën e as meritat. Andaj, madhështia për ta kërkuar gjithnjë vetveten e për të mos e gjetur kurrë, sikur autorin e shndërron në pelegrin të çuditshëm, i cili cak e ka vetëm njerëzoren dhe lumturinë e njeriut, të cilat virtyte, shpeshherë mungojnë, por edhe shumë herë t’i gllabërojnë dhe nuk e lejojnë njeriun të udhëtojë bashkë me to, pa i shoqëruar edhe me dhembjen dhe me etjen shpirtërore: “Kishte kohë që po e kërkoja/Në fushë, në mal, në lumë, në det…/…Hënëplota me ndjen dhimbjen/Ma dha kumtin:/Përbrenda teje është/Mbaje krahëhapur qiellin e shpirtit/Mos i lë retë ta errësojnë!”(Poezia: “Në kërkim të vetvetes”).

Prandaj, këtë kërkim, poeti e pasuron me mesazhin dhe këshillën shpirtërore, që edhe poezinë e bën si amanet apo formulë jete: “Lëre lumin të rritët të dashurohet/dielli i mëngjesit t’i lajë rrezet në të/në pasqyrën e tij/hëna të thurë gërshetin vashëror/lumi mijëra vjet ishte para nesh në këtë botë”(Poezia: “Lëre lumin të rritet”).

Këndimi poetik i Bardhyl Osekut, është i natyrshëm, njerëzor dhe pa shtërzime, për çfarë na dëshmon se ai vargëzimin e bën për qejf, dhe përmes kësaj forme, lexuesit ia ofron hartën poetike dhe “shkrolat” e shpirtit dhe të zemrës së vetë, ku mund të hasësh shumësi përjetimesh të thënë shtruar dhe me plot dëlirësi. Prandaj, si të tilla, poezitë sikur u ngjajnë edhe stinëve të vitit, kopshtit me lule, por edhe ngjarjeve historike, të cilat din të na bëjnë për vete, edhe atëherë kur përbrenda mendjes dhe shpirtit diçka përcëllon, kur thellë e thellë djegë e na shpie “llugave” të mendimit jo vetëm poetik.

Kjo, sepse, ngjarjet historike për njeriun janë pesha e dhembjes, por edhe e trembjes për shumëçka! Nëse i referohemi vargut “Lisi, ky burrë hijerëndë…”, atëherë, hiq këndimit për stinën pranverore, na përfton mendimi për periudha kohore dhe historike, që kanë ngelur gjurmë ende të pandriçuara deri në fund. Andaj, athua përmes vargut të Bardhyl Osekut, a provokohen shumë gjëra, të cilat ndoshta koha nuk i ka thënë, nuk i thotë dhe as nuk i shpjegon. Prandaj, ato, padyshim se ngelin dhe janë brengë jo vetëm e poetit! E kjo, sikur puthitet mirë edhe me injorim, edhe tek vargjet e poezisë, “Imazh tetori në bregdet”: “…Dy bunkerë në breg të detit/të shtrirë si dy dinozaurë/symbyllur e gojëhapur/ditë e natë përjargën”!

Por, rrjedhat historike, më të vërtet janë të përçudshme, të cilat i shkaktojnë dhembje jo vetëm njeriut, por edhe tokës e qiellit, edhe lumit e detit, me padrejtësitë ndër shekuj. E kjo, nuk harrohet dot. Këtë e ligjëron me përkushtim dhe mos harresë edhe autori i librit: “Qysh kur toka e qielli morën formë/Drini e Buna kishin rënë ne dashuri/Ishin besatuar të mos ndaheshin përjetë//Njerëzit, këta shpirtngushtë/Sa shumë pres, prita dheu/E prita betoni vunë gjatë shekujve/Që Drini e Buna mos të bashkoheshin”!

Pra, madhështia e vargut nuk është vetëm këndim. Prandaj, autori, sikur shpeshherë rreth trupit të jetës dhe të kohës, e “shtrëngon” rripin e realitetit, me qëllim që të gjitha gjërat, të gjitha ngjarjet, kurrë të mos harrohen, por çdo kujtim e ngjarje, me fanatizëm të ruhet, të kursehet dhe të çmohet mu si buka e kripa. Kështu duhet vepruar, pa marrë parasysh që njeriu ndeshet me përplasjet e pashmangshme të realitetit, e që ndonjëherë, në të njëjtën kohë edhe dhembin dhe habitshëm edhe “ledhatojnë”!

Këto fenomene krijuese, nëse mund të quhen kështu, formojnë edhe alternativa për t’i bërë sa më të ndritshme tablotë e periudhave jetësore, të cilat, deshe apo nuk deshe, krijojnë edhe refleksion historik!. Pra, autori, gjatë këndimit poetik, gjërat i mbështjellë edhe me fuqinë e diellit dhe të dritës, të cilat vargut i japin frymëjetësi.

 

 

Fenomeni dashuri dhe mesazhi i vargut që nuk e lë të qetë as poetin as lexuesin

 

Për ta bërë jetën beden të çdo kohe e periudhe, autori përmes rrëfimit intim shpirtëror, na jep për të kuptuar se fenomeni dashuri është faktori më i qenësishëm tek çdo qenie e njeri, tek çdo gjë që jeton e rritët në tokë e mbi tokë, sepse: “…Prej miliona vjetësh çojnë dashuri/Dy dashnorë bensikë:/Natyra jeshile/Me qiellin sykaltrosh”(Poezia: “Dashuri e lashtë”).

Këto dy dashuri, poeti i begaton edhe me zërin e së kaluarës të tokës arbërore. Në çdo cep e kudo tjetër, madhërishëm dhe me krenari këndohet, se vargu edhe ashtu, poetin nuk e lë të qetë: “Dielli nuk zgjohet i pari në këtë qytet/Por deti që i jep frymëmarrje Sarandës/…Mikpritësit Hasan Tahsini e albanologu Nikolla Jorga/Te dyert e këtij qyteti pa pushuar/Presin e përcjellin mysafirë nga vendi e bota/Kalaja e Lëkurësit s’fle ditë as natë/Me syrin pishë e ruan qytetin”(Poezia: “Në Sarandë”). Ose: “…Kur Pogradeci kotej në gjumë të thellë/…Hëna më fytyrë mekur artisteje/Nga Mali i Thatë/Me gërnetë e nisi vallën e yjeve/Nga Vallja Lasgushi u zgjua…”!

Ndërkaq, mendimet që e kalërojnë jetën edhe të autorit, janë si thesar shpirti që edhe vargun edhe lexuesin e bëjnë fisnik dhe madhështor me ato lodrimet nëpër kohëra që nuk pushojnë edhe tek mendja dhe ndijimi i njeriut me thinja në kokë. Me këtë frymë shquhen poezitë: “Ikje”, “Arna”, “Kujtesë e trishtë” etj. E, tek kjo poezia e fundit, në mes tjerash, ja si vargëzon poeti: “…Të nesërmen/Trishtueshëm u thashë prindërve/Ta shesim shtëpinë/S’e dua lagjen/Ku vdekja i merr nuset”.

Kjo dëshmon, se autori i librit, “Ngarendje”, që në vegjëli e ka pasur veçantinë e njeriut i cili di ta çmojë jetën dhe madhështitë e saj. Ka ditur që skajshmërisht dhe fuqishëm për gjithçka ta shpreh revoltën dhe dhembjen e vetë. Dhe, dikur i ka tubuar, ose tash, në moshën që ka, sikur i bashkon të gjitha kujtimet, të cilat edhe janë dhembje por edhe krenari: “Pas kaq shumë vitesh/Fare s’po këndellëm/A tallem unë me veten time/Apo vetja luan me mua”!

E, po pra. Është kështu, sepse, krijuesi, ja se çfarë ligjëron: “Tërë jetën po tundem/Si tundet lisi në shtrëngatë/Që pas vetes të lë një fjalë/I thoshte poeti vetmisë së tij”.  Nuk është e tepërt të theksojmë se poeti e sheh të arsyeshme të na i ofrojë edhe këto vargje që në të njëjtën kohë qortojnë e këshillojnë: “Nëpër varre kam rrënuar/Qindra herë me eshtra jam rroposur/Për një varg tëndin/Poezi”!

 

Bota e brendshme e poetit si vlerë dhe si peshë e këndimit për madhështinë që ka jeta me gjithë përplasjet me të cilat “dekorohet”

 

Duke u nisur nga ajo se, vargu shpesh sikur bëhet legjendë apo dëshirë e etje, gjithnjë me qëllim që poeti t’i jep kuptim e zemër rrugëtimit jetësor, edhe këndimit, edhe lumturisë, edhe mallit e dhembjes, që këto, jo pa shkas, shpesh i theksoj gjatë këtij shkrimi, është karakteristikë se autori, gjithnjë i jep kuptim e zemër edhe asaj që ka shkuar, por edhe asaj që do të vjen. Prandaj, kujtoj se është me vend që këtë shkrim ta përfundoj me vargjet: “Poezia nuk ka çati mbi kokë/Është këngë e zogut krahëshkruar/…Fluturim dallëndysheje/Në kërkim të folesë/Lot që djeg faqen e nënës/…Poezia kjo kredharake/Tërë jetën ngarend/Pa i mbyllur sytë”!

Kjo dëshmon se poezitë e Bardhyl Osekut në librin “Ngarendje”, të renditura në pesë cikle: “Thirrje”, “Peizazh”, “Meditim”, “Dëshirë” dhe “Shtëpi”, janë fortë të ndërlidhura në mes vete dhe të koordinuara mirë e pëlqyeshëm, që janë tërësi, e të cilat i japin kuptim thelbësor librit, por, edhe lexuesit i ofrojnë ngrohtësi për lexim dhe për t’i kuptuar drejtë duke krijuar edhe opinionin e tyre të pavarur. Nga kjo rezulton edhe ajo se, krijuesi nuk mund të vlerësohet dhe as të matet me numrin e veprave dhe të librave, por me cilësinë dhe mesazhin e dëlirtë të vargut dhe të mendimit poetik dhe filozofik.

Pra, bota e brendshme e poetit në librin, “Ngarendje”, diktohet si vlerë dhe si zjarr përbrenda këndimit për të kaluarën dhe për madhështinë që ka jeta me gjithë përplasjet me të cilat “dekorohet” njeriu. Andaj, autori ka shprehur dhe e ka realizuar qëllimin dhe dëshirën e tij, që vargu të jetë i veçantë, si zë i kohës dhe i aktualitetit. Për këtë arsye, poezia e Bardhyl Osekut, reflekton si përqafim i rrallë krijues, e ndoshta edhe si ngrohtësi tjetër fare nga ato që i shprehin krijuesit tjerë! Kështu, ai e sjellë kohën në kohën që e shpjegon rrugëtimin dhe madhështinë e përjetësisë së vetë kohës…! Prandaj, libri me poezi, “Ngarendje” e autorit Bardhyl Oseku, është edhe një pasuri që i sjell letrave shqiptare.

Promovimi i “KOSOVËS” I-V të Jusuf Buxhovit në Manhajm: Shteti i Kosovës arritja më e madhe e shqiptarizmit

 

Nën organizimin e Shoqatës kulturore “Dardania” të Manhajmit, në Manhajm u promovua “KOSOVA” I-V e Jusuf Buxhovit.
Kryetari i Shaqatës “Dardania”, Naser Hoxha, tha se vepra e historianit Buxhovi vjen në ambientin e këtushëm të bashkësisë shqiptare në kuadër të përpjekjeve që të promovohen vlerat e rëndësishme shqiptare, që i shërbejnë emblemës së saj identitare në raport me atdheun por edhe Gjermaninë, ku jetojnë.
Historiani Buxhovi me këtë rast përkujtoi se identiteti shpirtëror dhe historik shqiptar me rrënjë në atikitet, doli në pah pikërisht nga historianët dhe gjuhëtarët gjermanë para katër shekujsh, me ç’rast, nga ana e tyre u njohtua opinioni shkencor dhe politik botëror rreth kësaj të vërtete që kërkohej të mbahej e fshehur. Sipas Buxhovit, gjermanët ishin të angazhuar edhe në çastet vendimtare në dobi të shtetndërtimit shqiptar si dhe në çlirimin e Kosovës dhe njohjen si shtet të pavarur.
Duke folur për këtë të arritur historike ndër më të mëdhatë e shqiptatizmit në këtë shekull, historiani Buxhovi tha se shteti Kosovës nuk po konsolidohet në përputhje me idealet e themeluesve të tij. Për këtë ai fjësoi klasën e papërgjegjshme politike të përkrahur nga një pjesë e faktorit ndërkombëtar e interesuar që Kosova të mbetet poligon i krimit ndërkombëtar.