VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Merr flakë avioni me shqiptarë, piloti bën ulje të detyruar

By | January 13, 2019

Komentet

“Teatri Kombëtar i kërcënuar”, shkrimi i revistës së Strasburgut

Fatmira Nikolli – Teatri Kombëtar i kërcënuar. Ky është mestitulli i një shkrimi që një revistë e botuar në Strasburg ka për çështjen e Teatrit Kombëtar.
Revista News D’Ill është një organ shtypi i publikuar nga qendra për mësimdhënien e gazetarisë pranë Universitetit të Strasburgut në Francë dhe i kushtohet kryesisht përgatitjes së dosierëve tematikë.

Numri 124 i muajit qershor 2019 i kushtohet tërësisht Shqipërisë dhe etheve të së ardhmes që po rriten brenda saj dhe është shkruar në bashkëpunim edhe me studentë shqiptarë të gazetarisë në Universitetin e Tiranës. Në faqen nr.37 një fragment i kushtohet Teatrit Kombëtar. Përshtatur në shqip (nga Lindita Komani) si vijon:
“Që prej njëzet vjetësh, Edi Rama, kryeministri aktual shqiptar kërkon ta rrafshojë për arsye sigurie. Ai mendon të rindërtojë një të ri, më modern. “Deri edhe komunistët nuk kishin guxuar ta shkatërronin”,-nënvizon Rudi Erebara. Poeti dhe përkthyesi shqiptar ka luftuar gjithmonë kundër shkatërrimit të ndërtesës. Bashkë me qindra qytetarë që e shoqërojnë në luftën e tij, ai ka protestuar çdo mbrëmje të verës së vitit 2018, atëherë kur shkatërrimi dukej fare i afërt. Dhe artisti shton: “Ne jemi dakord që të mund të rinovohet por është absurde ideja që të shkatërrohet një monument historik për të rindërtuar një ndërtesë të re” Tani për tani teatri është ende në këmbë”.
Në revistë, Rudi Erebara (shkrimtar dhe pjesë e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit) <<nuk heziton të flasë për pastrim parash dhe marrëveshje të paligjshme. Fusha, ndërmarrja për të cilën përflitet se i është dhënë projekti i ndërtesës së re, qenka zgjedhur pa bërë thirrje për oferta dhe në këmbim paska marrë të drejtën për të ndërtuar gjashtë ndërtesa në hapësirën e teatrit. Një pohim i vështirë për t’u provuar në vërtetësinë e tij por po ashtu i bërë edhe nga Partia Demokratike, forca kryesore opozitare>>.

Në vijim artikulli merret edhe me projekte e çështje të tjera për të cilat është debatuar gjatë dhe ka pasur akuza për korrupsion.

TEATRI NË NJË VIT

Debatet për ndërtimin e Teatrit me partner privat nisën në muajin shkurt të vitit 2018 kur Robert Ndrenika në një mbledhje për ligjin e ri të artit, pyeti çfarë do bëhet me godinën e Teatrit Kombëtar. Në mars të vitit 2018, artistëve iu prezantua plani i Teatrit të ri Kombëtar, ku shihej një godinë trekatëshe. Prezantimi u bë në COD pranë Kryeministrisë. Më vonë doli që pas godinës trekatëshe, në truallin e teatrit do të kishte edhe të paktën katër kulla. Kjo solli përplasje të ashpër mes artistëve dhe qeverisë, derisa eksponentë të pushtetit nisën takimet ‘tete a tete’ me disa artistë duke i ndarë njerëzit e artit në dy kampe: ata që donin ruajtjen e godinave e ata që pranonin shembjen për një teatër të ri. Prej muajit shkurt 2018 dhe deri në qershor protesta për Teatrin ishte e përjavshme, çdo të hënë. Ndërsa prej qershorit 2018 deri në qershor 2019, ato janë të përnatshme. Kur në fund të prillit natën teatrit iu hoqën germat e emrit, Aleanca akuzoi dhe provoi me foto se germat i kishin hequr punonjës të Bashkisë së Tiranës. Muajin e kaluar shkronjat u rivunë privatisht.
E megjithatë, përpjekjet për të rivënë në jetë projektin, nuk kanë reshtur ndonëse tashmë kanë kaluar 365 ditë protesta të përnatshme.
Një vendim qeverie i miratuar në datë 4 prill 2019, hyri në fuqi me 4 qershor, pas publikimit në Fletoren Zyrtare.
Vendimi i hap rrugë ngritjes së një komisioni që do përzgjedhë projektet për Teatrit Kombëtar dhe rrjedhimisht shembjes së dy teatrove kombëtarë ekzistues. Ai nënvizonte se qëllimi i tij është krijimi i komisionit për realizmin e procedurave të vlerësimit dhe negocimit të kontratës me objekt realizimin e projektit të zhvillimit të zonës së Teatrit Kombëtar, përfshirë projektimin, ndërtimin dhe dorëzimin e godinës së re të Teatrit Kombëtar, si dhe hartimin e kontratës me palën private të përzgjedhur.
Sipas Aleancës, projekti për Teatrin e ri ka “qenë e mbetet një përpjekje për të grabitur në çdo mënyrë truallin publik dhe privat, e për t’ua falur atë klientëve të Edi Ramës dhe Erion Veliajt, duke shkelur çdo parim minimal të një shteti ligjor”.

Votimet e para pluraliste në Pogradec

30 mars 1991- Nesër do të votojmë. Nga dhënia e mësimeve anglisht gjatë këtij muaji kam fituar: 2 kilogram qumësht pluhur, 200 gram kafe dhe 500 gram sallam. U gëzova se munda të gjej dhe të blej 2 kilogramë mish viçi cilësia e dytë. Rrugët janë të mbushura plot e përplot me uniforma të armatosura ngjyrë blu e të gjelbëra. Unë eci mespërmes tyre, syri nuk ma bën tërr, por zemra më rreh me ngut.

Në Tiranë u zhvillua mitingu tek sheshi “Demokracia” në Qytetin Studenti. Shumë bukur. Shumë entuziazëm.

Ramiz Alia mbajti konferencë shtypi me gazetarët e huaj, të cilët kanë ardhur për të marrë pjesë në votimet tona të para pluraliste. Ramiz Alia mundet t`i gënjejë gazetarët e huaj duke ua kaluar ujin nën rrogoz, por neve nuk na e hedh dot. Para disa ditësh Ramiz Alia vajti në zonën ku ka vënë kandidaturën për deputet, por populli nuk e pranoi, megjithatë ai nuk u tërhoq dhe bëri një takim tjetër në mënyrë shumë pompoze, pikërisht siç i takon personit numër një të Shqipërisë. Takimi u zhvillua në Pallatin e Sportit të mbushur plot e përplot me veteranë, të rinj e të reja, farefis e të tjerë, ishte një takim i organizuar me ftesa dhe me urdhër për të vajtur atje. Ramizit i dhuruan buqeta me lule dhe ai foli në mënyrë të tillë saqë e ktheu edhe njëherë timonin nga lindja, sipas këngës aq të njohur kineze: “Lindja është e kuqe”. Televizioni shqiptar e ritransmetoi dy herë fjalimin e tij, radioja po ashtu dhe besimi i njerëzve tek forca e re politike që po lind pësoi shumë lëkundje. Medet…

31.3.1991- U zgjova shumë herët, m`u bë në gjumë sikur dëgjova krisma armësh dhe sikur disa ushtarë që mbanin automatikë në duar më qëlluan me plumba prapa kokës. Për dreq sot u ndërrua edhe ora (u shty një orë para). Pra, kur u zgjova ishte ora katër e tridhjetë minuta e mëngjesit, nejse, u vesha, piva kafe dhe dola nëpër errësirë. Natën kishte rënë pakëz shi dhe moti ishte i butë. Unë u vesha si për pranverë duke menduar se gjatë ditës moti do të ngrohet, pra i hoqa ato rrobat e trasha të mërzitshme të dimrit.

Të parin që takova ishte një punonjës i Degës së Punëve të Brendshme, kur e pyeta: “Edhe ti je me komisionin zgjedhor?” “Po përse jo?” U përgjigj. Vajta tek zyrat e Partisë Demokratike, por nuk kishte ardhur asnjeri. Prita pak, erdhi Tiku, pastaj Vasili e më vonë kryetari, Gjergji Ilo. Po ashtu erdhi Arben Meçe, i deleguar nga Tirana për Pogradecin. Edhe unë jam e autorizuar si vëzhguese për të gjithë qytetin. Gjatë gjithë ditës, të dy me Arbenin, vajtëm qendër më qendër votimi. Arbeni është pedagog në Fakultetin e Inxhinierisë, por kudo që shkuam ai sillej pompoz e u thoshte të njëjtat fjalë anëtarëve të komisioneve të votimit, po ashtu edhe personave që do të votonin. Mua më vinte shumë zor sepse ngado shikoja fytyra të njohura, e di se më njeh pothuaj i gjithë qyteti. Pastaj këshillat dhe porositë që jepte ai ishin të përsëritura kudo pa asnjë ndryshim: “Mos rrini afër kutisë së votave. Mos u grumbulloni shumë njerëz”, e të tjera si këto.

Ndërsa ne të dy si të papërvojë në këtë punë kaq serioze, nuk i kontrolluam fare fletët e votimit, që mund të ishin më tepër sesa numri i votuesve, mund të ishin të pavulosura e plot mangësi të tjera me rëndësi si këto. Më vonë e kuptuam se gjithçka luhej me fletët e votimit të përgatitura që më parë e që dikush i kishte gati në xhep për t`i shpërndarë tek njerëzit e besuar.

Në orët e para votuan komunistët, të gatshëm si përherë: “Të parët në sakrifica dhe të fundit në pretendime!” Në rrugë u përshëndetëm me sekretarin e parë të rrethit e ca partiakë të lartë së toku me bashkëshortet e tyre. Ata fluturonin nga gazi sikur t`u kishte rënë llotaria. Aty nga ora nëntë e mëngjesit filloi që të fryjë një erë shumë e ftohtë dhe filluan pikat e para të rralla të shiut. U ktheva në shtëpi, vesha bluzën e leshit, mbatha çorapet e leshit dhe çizmet. Përsëri dimër.

Sot rrugëve nuk të sheh syri asnjeri të armatosur për be, patrullat e policëve e të ushtarëve që gëlonin ditëve të fundit në çdo tre a katër hapa sikur i paskërka përpirë dheu. Ndërsa shkonim nëpër qendrat e ndryshme të votimit, vija re një automobil të bardhë me targë të Tiranës, i cili do të ishte gjithnjë ose para nesh ose pas nesh diku fare pranë qendrave sa tek njëra tek tjetra. I ngulita në mendje numrat e saj dhe sipas tyre më thanë se ishte makinë e Sigurimit të Shtetit.

Afër orës njëmbëdhjetë vajta në qendrën e votimit në shkollën “Gjok Shqiptari” të takoja Silvanën, që ishte aty anëtare vëzhguese. Në ato çaste para shkollës u ndal një makinë e gjatë, e bukur, e zezë, e re fringo fare dhe prej asaj makine zbriti një burrë pak a shumë i moshuar, me syze, shumë i shëndoshë në trup, çalonte nga të dyja këmbët, ishte i veshur me kostum të zi, po për çudi kishte të lidhur në qafë një shirit të kuq të mëndafshtë (nuk ishte as shall as kravatë) dhe unë se çfarë ndjeva duke parë atë rrip të gjatë të kuq, m`u kujtuan gardistët kinezë. Ky burrë ishte anëtar i Parlamentit Europian. Shoqëruesi i këtij parlamentarit fliste gjermanisht, (pak më vonë e kuptova se ky shoqërues nuk ishte gjë tjetër veçse spiun i sigurimit). Fola anglisht me parlamentarin dhe i thashë për rastin e më se dyzetë personave simpatizantë të Partisë Demokratike që ishin lënë jashtë listave në qytet si edhe për fletët e votimit të fshatit Gështenjas (Zërvaskë) ku ishin parapërgatitur fletët që më parë duke i hequr vizë emrit të kandidatit të Partisë Demokratike. Më premtoi se do t`i verifikonte këto raste.

Shiu vijonte të binte tërë pasditen pik e pik i ftohtë, shumë i ftohtë, i zgjatur, i pamëshirshëm. Nëpër rrugë u krijuan pellgje uji dhe balte. Oxhaqet e shtëpive filluan të nxjerrin tym sepse sobat u ndezën përsëri. Rrugët janë krejtësisht të boshatisura. Njerëzit janë strukur nëpër shtëpira. Çfarë bën vallë pas mureve ky qytet enigmatik që kënaqet vetëm me bukë të zezë të thatë e me një kade turshi? E për kë ka votuar sot? Ishte një ditë tmerrsisht e gjatë, e lodhshme e mbushur plot ankth. Ndoqa edhe lajmet e fundit dhe u shtriva për të fjetur. Vallë çfarë do të sjellë mëngjesi?

1 prill 1991- Qyteti ynë gri i lagur në shi. Ka rënë dëborë në male. Dëbora ka zbritur fare pranë tek pylli me gështenja. Ka rënë dëborë e ftohtë përmbi bimën e brishtë – Demokraci. Humbëm në votime. Humbi e gjithë Shqipëria. Në rrethin tonë nuk fitoi asnjeri. Nuk i di lajmet me saktësi, por më duket se është një humbje e njëjtë si ajo e Bullgarisë, sepse krejt fshatrat kanë votuar për Partinë e Punës. Nuk e di përse ky vit po më duket kaq i mbrapshtë porsi viti i Haxhi Qamilit. E shiu nuk pushon i ftohtë, i mërzitshëm, monoton. Bie shi përmbi pikëllimin tonë. Lajmet e Radio-Tiranës janë shumë enigmatikë. “Zëri i Amerikës” ka thënë se Ramiz Alia, Muhamet Kapllani dhe Spiro Dede nuk kanë fituar, por edhe votimi për Fatos Nanon do të përsëritet.

Dola duke ecur vetëm rrugës nëpër shi. Befas përballë meje dy burra të rinj nën një çadër të madhe të zezë më kërcënuan duke më thënë: “Parti e Punës-shkëmb graniti!” Dhe ngritën grushtet lart.

2 prill 1991- Lajmet e mëngjesit nuk dhanë njoftim për votimet. Shiu nuk pushon e qielli është i ngrysur me ca re të mëdha të rënda e të hirta posi regjim komunist. Liqeni është i errët, i egërsuar e turfullon si i tërbuar duke shtyrë me forcë drejt bregut dallgët e tij të mëdha shkumëbardha. Pasdite shiu pushoi paksa. Lajmet janë të llahtarshme. Në Shkodër janë vrarë katër persona dhe janë plagosur pesëdhjetë e tetë të tjerë. Në lajmet e televizionit jugosllav, stacioni i Shkupit, tani sapo pashë djaloshin e vrarë Arben Broci. Tamam si vrasjet në Kosovë, por atje të vret serbi. A do të bëhet luftë civile? A do të ketë vëllavrasje?

4.4.1991- Shiu vazhdon. Dje gjithë ditën e përsëri sot ka rënë shi që po na gërryen kockat. Pasdite doli pakëz diell.

Në qytetin tonë po bëhet gati pë t`u hapur rishtas kisha e Shën Marisë, e cila ishte e kthyer në magazinë. Sot kishin vendosur përmbi kambanare llambat elektrike në formë kryqi. Njerëzit i patën fshehur ritet fetare për njëzet e katër vite me radhë në mendje e në zemër.

Sot e gjithë Tirana dhe qytetet kryesore të Shqipërisë janë në grevë në shenjë zie për të vrarët e Shkodrës. Sipas lajmërimit të gazetës “Rilindja Demokratike” dhe lajmërimit të vendosur në një mur këtu në Pogradec, sonte në ora nëntë të mbrëmjes i shojta dritat në shtëpi për pesë minuta dhe ndeza qirinj në kujtim të shpirtrave të të vrarëve.

Populli e ka pagëzuar ish-kryeministrin Adil Çarçani “Tao-Tao” sepse i ngjan shumë si portret atij arushit të përrallave. Ndërsa Ramiz Alinë e kanë mbiquajtur “Tano Karidi” sepse buzëqesh dhelpërak, por i thonë edhe “Liza në botën e çudirave” meqenëse po mundohet shumë të na hutojë e çudisë. Dhe për arsyen që Fatos Nano nuk po na ndahet nga televizori duke na shpjeguar të paqënin “Mekanizëm i ri ekonomik”, komshija ime e quajti “Nils Holgerson” me një fjalë politikanët tanë janë ata që plotësojnë programin televiziv të fëmijve.

Përsëri nëpër rrugë patrulla policësh. Unë u ndodha përballë katër uniformave blu dhe njëri prej tyre u tall duke më thënë: “Hë, tani thirr po të duash: “Liri-Demokraci!” E vështrova në heshtje, as që ia vlente t`i ktheja përgjigje.

5.4.1991 – E pesta ditë që gëdhihemi me shi, megjithëse gjatë ditës qielli u hap pakëz. Sot u rihap edhe kisha e qytetit tonë “Shën Mëria” nga ajo gjendje e tmerrshme e shkatërruar si magazinë u ribë kishë përsënjëzaj. Dje pashë ikonat. Janë më shumë se dyzetë të cilat iu rikthyen kishës, midis tyresh ka edhe nga kishat e fshatrave, por ka edhe ikona shumë të bukura me vlera të mirëfillta artistike. Sot është e Premtja e Zezë e Pashkëve. Pasdite aty nga ora gjashtë e tridhjetë minuta ra kambana pas gati një çerek shekulli. U grumbulluam në kishë, por kishte shumë njerëz dhe shumë fëmijë kureshtarë. Ne nuk dimë as sesi rrihet në kishë sepse jemi mësuar me mbledhje plot zhurmë dhe mitingje entusiazte. Lutjet e kishës i filloi Kostaq Llakmani, një burrë plak fisnik tetëdhjetëvjeçar, dikur ka qenë psallt i kishës. Ai lexonte Ungjillin me një zë madhështor dhe çfarë zëri kumbues. U mahnita. Ishin vendosur mikrofonë dhe fortafolës jashtë kishës. Këndoi Kori i Vajtimeve. Kameramani i PPSH-së filmonte me kameran televizive që dikur dërgonte lajme për korrjen e grurit, disa të tjerë fotografonin. Pashë gra duke vendosur qirinj nëpër shandanë. Ato janë me sy të trishtuar dhe e di se fëmijët e tyre janë arratisur përtej kufijve për të kërkuar një jetë më të mirë. Grumbulli i njerëzve ishte shumë i madh si brenda në kishë, në oborrin e saj edhe në rrugë. Ata rrinin sikur të prisnin se do të ndodhte ndonjë mrekulli e qëndronin ashtu të heshtur me qirinj të ndezur në duar.

6.4.1991- Nëpër muret e qytetit tim shkruhen parrulla. Diku: “Rroftë Partia Demokratike!”, diku “Liri-Demokraci!” Po tek hyrja e pallatit tim shkruhen vetëm gërmat PPSH që nga kati i parë deri tek i pesti. Tek muri afër Postës kishin shkruar me qymyr të zi: “PD KORRUPSIONI” pas disa orësh ia zgjatën bishtin D-së dhe mund të lexoje “PP KORRUPSIONI” Bëhet luftë gërmash.

Në orën njëmbëdhjetë pa dhjetë minuta të natës ra kambana dhe shkuam në kishë me Ilirin dhe Marianën. Kishte aq shumë njerëz sa gati na ra të fikët edhe nga era e temjanit dhe qirinjve që digjeshin. Këndohej “Krishti u ngjall së vdekurish”, përkthim i Fan Nolit. Të gjithë kishin shumë emocione. Djem të rinj e vajza të reja me kryqe të varur në qafë, që nuk u a kanë lejuar më parë, më duket se kjo turmë të rinjsh ka nevojë të besojë diku, të kapet pas diçkaje për t`u mbajtur fort pas jetës. një turmë hynte brenda në kishë e një tjetër turmë dilte prej saj. Kishin ardhur edhe përfaqësuesit islamikë të qytetit. Në emër të tyre përshëndeti një burrë i ri në moshë dhe foli shumë bukur me fjalë të mençura. Tek dera e kishës u shpërnda naforë me kanistra të mëdha. Përjashta ishte edhe më bukur. Rruga ndriçonte nga qirinjtë e ndezur, që i mbanin njerëzit në duar. Pashë djalin e një shoqes sime që ka bërë një vit burg për tentativë arratisje, ai kishte lënë pakëz mjekër dhe m`u duk si Jezu Krishti.

Shkëputur nga libri “Kapërcyell” botuar 1996

Besa, krijimi i një kulture paqeje Nga Dr. Cesar Chelala

Shkrim i revistës amerikane “The Counter Punch”. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, ndërsa hebrenjtë po persekutoheshin nga nazistët, ata gjetën strehim në Shqipëri. Më shumë se 2000 hebrenj u mbrojtën nga vendasit, të cilët rrezikuan jetën e tyre duke bërë për t’i mbajtur të sigurt .

Intoleranca fetare është në thelb të shumë konflikteve aktuale në mbarë botën. Krijimi i një kulture paqeje kërkon respekt dhe bashkëpunim midis feve të ndryshme. A mund të arrihet një nivel mirëkuptimi, i cili do të mundësonte marrëdhëniet paqësore? Një episod pothuajse i harruar gjatë Luftës së Dytë Botërore ilustron këtë çështje.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, ndërsa hebrenjtë po persekutoheshin nga nazistët, ata gjetën strehim në Shqipëri. Më shumë se 2000 hebrenj u mbrojtën nga vendasit, të cilët rrezikuan jetën e tyre duke bërë për t’i mbajtur të sigurt .

Megjithëse gjermanët kërkuan që shqiptarët t’u jepnin atyre listat e emrave të hebrenjve që po qëndronin në territorin shqiptar, por këta të fundit refuzuan të respektonin dhe në vend të kësaj shqiptarët i mbrojtën hebrenjtë nga nazistët. Sipas Shkollës Ndërkombëtare për Studimet e Holokaustit (International School for Holocaust Studies), shqiptarët nuk kthyen asnjë hebre tek gjermanët.

Ky episod u soll në dritë nga Norman H. Gershman, një fotograf amerikan, i cili ka përfshirë fotot e pasardhësve të shqiptarëve që ende jetojnë në vendin ku qëndruan hebrenjtë,në një libër të quajtur BESA ishte shkruar: Muslimanët që shpëtuan hebrenjtë në Luftën e Dytë Botërore. Sipas Gershman, vetëm dy vende në Evropë, Danimarkë dhe Shqipëri refuzuan të bashkëpunonin me nazistët.

Besa është një koncept kulturor shqiptar që do të thotë “të mbajmë premtimin” dhe “fjalën e nderit”. Fjala ka origjinën e saj nga Kanunin e Lekë Dukagjinit, një kuvend i kodeve dhe traditave zakonore të përpiluara nga shefi i legjendës shqiptare të shekullit të 15-të dhe i transmetuar gojarisht mbi gjeneratat pasuese.

Besa do të thotë gjithashtu të kujdesesh për ata që janë në nevojë, duke i mbrojtur ata dhe duke qenë mikpritës. Kjo përpjekje bëri bashkë shqiptarët katolikë dhe muslimanë,duke marrë parasysh që 70% e shqiptarëve janë muslimanë, është e sigurt të supozohet se ata ishin primare në ndihmën ndaj hebrenjve. Në vend që t’i fshihnin në tavanet apo në pyll, shqiptarët u jepnin hebrenjve emra myslimanë, u siguronin rroba dhe i trajtonin si anëtarë të familjeve të tyre.

Gershman tregoi historinë e një tregtari shqiptar, Ali Pashkaj, i cili e priti vizitën në dyqan të një grupi të ushtarëve gjermanë që rrethonin 19 të burgosur shqiptarë. Ndër shqiptarët ishte një hebre i ri, të cilin gjermanët planifikonin të vrisnin.

Meqenëse Pashkaj foli gjermanisht shkëlqyeshëm, ai i ftoi ushtarët në dyqan dhe u dha atyre ushqim dhe verë. Ndërkohë që po i tërhoqi vëmendjen ushtarëve gjermanë, ai i dha djalit hebre një pjepër që përmbante një mesazh që e udhëzonte atë të dilte nga kamioni në një vend të caktuar dhe të vraponte dhe të fshihej në pyll. I riu ndoqi udhëzimet dhe ishte në gjendje të shpëtojë.

Ushtarët gjermanë ishin të zemëruar. Ata u kthyen në qytet dhe kërcënuan se do të vrisnin njeriun dhe do ta vinin zjarrin qytetit  nëse shqiptarët nuk do ta kthenin djalin hebre. Shqiptarët refuzuan dhe gjermanët më në fund u larguan nga qyteti. Pashkaj shkoi në pyll ku e gjeti djalin e ri dhe e solli atë në shtëpinë e tij dhe e mbronte. I riu, emri i të cilit është Yasha Bayuhovio më vonë shkoi në Meksikë dhe u bë dentist. Duke e mbrojtur atë, Ali Pashkaj po praktikonte Besën.

Gershman i tha “Jewish Chronicle”, “Shikoni, ju nuk jeni duke folur me dikë që është pro-arab. Është vërtet mjaft thjesht se ka njerëz të mirë në këtë botë. Kam gjetur muslimanë që shpëtuan hebrenjtë. Perceptimi i fesë islame si i çmendur është i pakuptimtë. Unë jam një hebre në zemrën time. Unë do të jap jetën time për Izraelin … Megjithatë, ne i kemi objektizuar muslimanët. Ata janë vetëm njerëz. Dhe në këtë popull të vogël prej shqiptarësh, ata kanë një mesazh për botën. Unë e sfidoj dikë që të shohë këta njerëz dhe të thotë se këto janë terroristë apo simpatizantë terroristë”.

Burimi: “The Counter Punch“/IzraeliSot

Kushdo që mohon krimet e luftës, mund të ketë problem me ligjin

Bekim Bislimi

Kushdo që mohon krimet e luftës në Kosovë, në të ardhmen do të mund të dënohet me ligj, thonë zyrtarët e Qeverisë së Kosovës, të cilët kanë konfirmuar se një projektligji që e ndalon mohimin e krimeve të luftës, tashmë është në fazën e hartimit.

Më 11 prill të këtij viti, zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, kishte prezantuar një nismën për hartimin e një ligji të tillë, e cila nismë ka marrë mbështetjen e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj. Qeveria e Kosovës, ka miratuar nismën e zëvendëskryeministrit Hoxhaj dhe vendosi që Ministria e Drejtësisë, të cilën aktualisht e drejton ministri Abelard Tahiri, ta hartojë një ligj bazuar në praktikat më të mira ndërkombëtare.

Zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj, duke folur për Radion Evropa e Lirë thotë se nisma për Ligjin që dënon mohimin e krimeve të luftës, bazohet në përvojën e disa vendeve brenda dhe jashtë Bashkimit Evropian, të cilat në dekadat e fundit, çështjen e ngjashme e kanë rregulluar përmes kornizave të ndryshme ligjore.

“Fakti që, 20 vjet pas spastrimeve etnike në Kosovë, qytetarë të Kosovës me përkatësi serbe e mohojnë, ta zëmë Reçakun apo e lëndojnë dinjitetin e viktimave të luftës dhe dinjitetin e familjarëve, na ka shtyrë që të marrim një hap të tillë, i cili do të duhej të ishte edhe ligjor, por edhe moral dhe dinjitoz. Sipas ministrit (të Drejtësisë, Abelard) Tahiri, tashmë është krijuar një grup punues dhe besoj që është në hartim e sipër projektligji. Së shpejti mund të kemi një draft, i cili do të duhej t’i përmbledhë pritjet që i kemi pasur si Qeveri, kur kemi marrë vendim që çdokush që i mohon krimet e shtetit serb në Kosovë dhe krimet e luftës në Kosovë, do të duhej të sanksionohej me ligj”, theksoi Hoxhaj.

Bekim Blakaj, drejtor ekzekutiv i Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë, thotë në praktikat e rajonit të ish-Jugosllavisë, deri tash nuk ekziston një ligj që sanksionon mohimin e krimeve të luftës. Por, sipas tij, nisur nga situatat kur persona apo zyrtarë të caktuar edhe brenda institucioneve të Kosovës, kanë mohuar krimet që kanë ndodhur gjatë luftës në vend, një ligj që do ta sanksiononte këtë mohim, është i mirëkuptuar. Por, sipas tij, marrë parasysh që aktualisht nuk ekziston një dokument apo regjistër zyrtar, që i numëron të gjitha krimet e luftës që kanë ndodhur në Kosovë dhe i cili është vërtetuar para gjykatave apo ndonjë komisioni shtetëror, atëherë ligji eventual do të mund të keqpërdorej apo të mos zbatohej.

“Para hyrjes në fuqi të një ligji të tillë, ishte dashur që të krijohet një komision, i cili do t’i vërtetonte të gjitha krimet e luftës që kanë ndodhur në Kosovë. Pastaj, kur të sillet ligji, ky dokument të futet si aneks i ligjit. Pra, në një nen të thuhet që ‘kushdo që i mohon krimet e kryera, të cilat janë listuar në këtë aneks, do të sanksionohet’. Vetëm kështu do të kishte kuptim, sepse nëse do të përmendeshin vetëm krimet e luftës, pa i specifikuar se cilat janë ato, atëherë secili i dyshuar i mundshëm, në të ardhmen, që i mohon krimet e luftës, do të thoshte se nuk ka pasur asnjë informacion se në vendin e caktuar janë kryer krime lufte”, tha Blakaj.

Zëvendëskryeministri Hoxhaj, thotë se Ligji për ndalimin e mohimit të krimeve të luftës do të duhej të bazohej në një analizë të gjendjes faktike, që të përcaktojë qartë atë se çfarë ka ndodhur në vendet e ndryshme brenda Kosovës, në raport me qytetarët e saj.

“Këtu, natyrisht që duhet të kenë rol edhe organizatat e ndryshme që janë marrë me këtë temë, por edhe agjencitë e vet shtetit të Kosovës. Mendoj që krimet e Serbisë janë dokumentuar gjatë luftës dhe pas luftës në Kosovë dhe nuk është një problem i madh që të hartohet një listë e plotë dhe ajo listë të jetë më pas pjesë e ligjit. Por, ju takon juristëve që të ofrojnë zgjidhjen juridike, me qëllim që ligji të zbatohet dhe të jetë sa më efikas në përmbushjen e veprimeve të tij”, vlerësoi Hoxhaj.

Ndërkaq, Blakaj shpjegon që nisma për caktimin e fakteve për krimet e luftës, ka ekzistuar nisma që moti nga Fondi për të Drejtën Humanitare. Sipas tij, tash e disa vite, kjo organizatë, bashkë me partnerët e saj, janë duke insistuar që krijohet një komision rajonal për përcaktimin e fakteve për krimet e luftës, jo vetëm në Kosovë, por në gjithë ish-Jugosllavinë.

“Raporti i atij komisioni do të ishte një dokument zyrtar, i cili pastaj do t’i shërbente Kuvendit (të Kosovës) që kur ta sjellë ligjin, ta ndërlidhë me atë dokument. Përndryshe, ne jemi dëshmitarë që për krime të luftës, vetëm një numër krejtësisht i vogël, simbolik, i krimeve të luftës, janë gjykuar para gjykatave vendore apo ndërkombëtare. Çka me të tjerat?”, u shpreh Blakaj.

Më 9 prill, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka shkarkuar nga detyra ministrin e Administratës të Pushtetit Lokal, Ivan Teodosijeviq nga radhët e Listës Serbe, i cili gjatë një organizimi për të shënuar 20-vjetorin e intervenimit të NATO-s në Kosovë, ka thënë se arsye për, siç e ka quajtur ai “agresionin e NATO-s, ka qenë e ashtuquajtura katastrofë humanitare në Kosovë dhe masakra e trilluar e Reçakut”.

Kryeministri Haradinaj, më 25 mars, e pati liruar nga detyra zëvendësministren e Drejtësisë, Vesna Mikiq, po ashtu nga Lista Serbe, për shkak se kjo e fundit kishte deklaruar se bombardimet e NATO-s mbi caqet e ish-Jugosllavisë ishin gjenocid ndaj shtetit dhe popullit serb.

“Euronews”: Shqipëria në prag të kolapsit institucional

Situata politike, përgjimet dhe protesta e opozitës kanë qenë objekt raportimi edhe për mediat e huaja. Kështu “Euronews” me një artikull të gjatë thekson se Shqipëria ndodhet në prag të një kolapsi institucional.

Artikulli i plotë:

Shqipëria është në prag të kolapsit institucional. Situata politike po bëhet gjithnjë e më e tensionuar, pas çarjes që është krijuar mes qeverisë së udhëhequr nga socialistët, kryesuar nga Edi Rama dhe Partia Demokratike e udhëhequr nga Lulzim Basha.

Mijëra mbështetës të opozitës u mblodhën jashtë zyrës së kryeministrit. Disa protestues tundnin flamuj amerikanë, europianë dhe gjermanë. Për kryeministrin, objektivi kryesor i opozitës është të ndalojë përpjekjet e vendit për të filluar negociatat e plota të pranimit me Bashkimin Evropian. Ndërkohë, Presidenti i Republikës Ilir Meta, ka vendosur të shtyjë datën e zgjedhjeve me një dekret, për shkak të rrezikut të pjesëmarrjes së ulët. Veprim i paligjshëm sipas Ramës i cili reagon së pari duke i propozuar Kuvendit të vendosë Meta-në me përgjegjësi dhe duke konfirmuar datën e 30 qershorit për administratën e ardhshme.

Ndërkohë socialistët akuzohen nga opozita për bashkëpunim me krimine organizuar, ndërsa për t’i bërë gjërat edhe më keq, Basha është nën hetim për përdorimin e papërshtatshëm të burimeve financiare nga Shtetet e Bashkuara.

Ndërkohë, Presidenti Meta përsëriti se “nuk është koha për të bërë teste forcë, as për retorikën që ndan. Ne kemi nevojë për dëshmi të pjekurisë dhe përgjegjësisë së lartë për interesat kombëtare të vendit dhe vazhdimësinë e procesit të integrimit evropian, si një objektiv shtetas i të gjithë shqiptarëve “. Duke theksuar domosdoshmërinë e dialogut, Presidenti i Republikës tha se ishte i gatshëm “të kontribuojë në një zgjidhje sa më parë të jetë e mundur”. Megjithatë, shumica e qendrës së majtë beson se kreu i shtetit është vendosur me opozitën.

Shkarkimi i Presidentit Meta – VOA: Fjala e fundit i mbetet Gjykatës Kushtetuese, por kjo e fundit…

Nisja nga ana e Parlamentit shqiptar të procedurave për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta, pas firmosjes prej tij më 5 Qershor të dekretit që anullonte datën e zgjedhjeve më 30 Qershor, është cilësuar nga Kreu i Shtetit, ky i fundit si “një proces i rremë, i orientuar verbërisht politikisht”.

Duke ju përgjigjur shkresës që Kryetari i Komisionit parlamentar të Ligjeve Ulsi Manja, i ka dërguar lidhur me nisjen e procesit të shkarkimit, Presidenca saktëson dhe një herë se “dekreti është marrë në mbështetje të plotë me dispozitat kushtetuese dhe në mbrojtje të parimeve themelore që burojnë prej saj. Ky dekret është në fuqi dhe është botuar në Fletoren zyrtare më 11 Qershor e për pasojë është i njohur dhe i detyrueshëm për zbatim nga të gjithë përfshirë dhe Parlamentin”.

 

Në përgjigjen e Presidencës së Republikës theksohet se “akti i rëndësishëm” i Kreut të Shtetit “ndërpreu një proces zgjedhor fiktiv, të transformuar praktikisht në një proces votimi, pa garë dhe pa alternativë”. Për pasojë “e gjithë veprimtaria aktuale parlamentare që përpiqet të godasë veprimtarinë e Presidentit të Republikës, por pa mundur të rrëzojë Përmbajtjen e dekretit të tij, është një proces i rreme, i pambështetur në argumente kushtetues, por vetëm i orientuar verbërisht politikisht”. Në letrën e Kreut të Shtetit vijohet më tej duke vlerësuar se “ky proces i rremë dhe verbërisht politik, nuk i shërben aspak zgjidhjes së krizës së thellë në të cilën ndodhet vendi, por përkundrazi e rëndon më tepër atë, si një përpjekje e shfrenuar për të thelluar ndasitë midis palëve dhe për të asgjësuar çdo mundësi për krijimin e klimës së dialogut e bashkëpunimit që Presidenti i Republikës po kërkon prej kohësh”.

Shumica e majtë e ka konsideruar dekretin e Presidenti si “një akt në shkelje të hapur të Kushtetutës”. Procedurat për shkarkim nisën me kërkesën e 55 deputetëve socialist, dhe ato parashikojnë disa faza të cilat kërkojnë një kohë jo të shkurtër. Pas vlerësimit nga ana e Komisionit të Ligjeve, pritet që Parlamenti të vendosë më pas për ngritjen e një Komisioni Hetimor i cili do të duhet të dëgjojë dhe argumentat e Presidentit. Më pas raporti i Këtij Komisioni i kalon parlamentit. Miratimi i shkarkimit kërkon një shumicë prej 2/3 të anëtarëve të parlamentit. E vetme, shumica e majtë nuk i ka këto vota, dhe do të duhet të marrë dhe mbështetjen e deputetëve të rinj të opozitës në sallë. Fjala e fundit megjithatë i mbetet Gjykatës Kushtetuese. Kjo e fundit është ende jashtë funksionit, me vetëm 1 nga 9 anëtarët që duhet ta përbëjnë atë./VOA

Shkodër: Arrest shtëpiak për ish-deputetin e PD-së, Bardh Spahia

Gjykata e Shkodrës vendosi të shtunën masën e sigurisë ‘arrest në shtëpi” për ish-deputetin e Partisë Demokratike, Bardh Spahia, i cili u arrestua tre ditë më parë, ndërsa po shkonte në një studio televizive.

Policia kishte marrë masa të shumta sigurie per gjykatën, ndërkohë që mbështetës të opozitës pritën me thirrje mbërritjen në gjykatë të ish deputetit Spahia.

Ai akuzohet për kundërshtim të punonjësve të policisë dhe dëmtim me dashje të materialeve zgjedhore. Seancën gjyqësore ndaj ish- deputetit të Shkodrës e ndoqën edhe një grup deputetësh të Partisë Demokratike,

Po të shtunën, gjykata e Shkodrës vendosi masën e sigurisë edhe për 5 të arrestuar të tjerë në lidhje me ngjarjet e ditëve të fundit në Shkodër. Mes tyre janë edhe dy punonjës të policisë bashkiake, të cilët u lanë në arrest me burg për 30 ditë.

Në përfundim të seancës, ish-deputeti Flamur Ndoka e cilësoi politik vendimin e gjykatës së Shkodrës ndaj ish deputetit Spahia. Ai u shpreh se asgjë nuk e ndal dhe tremb opozitën për të mbrojtur kushtetutën dhe demokracinë dhe se data 30 qershor nuk është datë zgjedhjesh.

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Bardh Spahia, u arrestua pas ngjarjes së ndodhur në KZAZ-në e vendosur në shkollën e gjuhëve të huaja, ku një grup drejtuesish të Partisë Demokratike, bashkë me mbështetës të opozitës dhe punonjës të policisë bashkiake, u përplasën me forcat e policisë dhe thyen hyrjen e shkollës. Disa prej protestuesve hollën shishe me benzinë dhe gurë, duke thyer xhamat dhe djegur materialet për përgatitjen e votimeve të 30 qershorit.

Po të shtunën, një gjykatë tjetër, ajo e Matit, vendosi masën e arrestit me burg për 10 persona, të cilët akuzohen për dëmtimin e materialeve zgjedhore të KZAZ-ve 16 e 17 në Burrel dhe Klos. za

Pse qau redaktorja në gjuhën angleze e librit “Mashtrimi i madh” Nga Bardhyl Mahmuti

FILLOVA TË QAJË…

Pse qau redaktorja në gjuhën angleze e librit “Mashtrimi i madh”

Gjatë gjithë kohës që kam punuar rreth librit, kam pasur si preokupim nëse do të përcillet besnikërisht realiteti tragjik që ka përjetuar populli shqiptar i Kosovës nga politika e gjenocidit të shtetit serb.

Në kohë kur bëhej redaktimi në gjuhën angleze, profesoresha Jane Banks më shkruajti:

“I must tell you that this book is having a cumulative effect on me. Someone was asking about it last night, and as I was trying to tell the story and got to the part where many of these criminals are still free and serving in positions of power, I teared up. The minutae of editing tends to distract me from the content, but not completely or forever. The sadness of this story has affected me greatly, and I am more resolved than ever to do the best job I can.”

( Përkthimi: Më duhet të ju them se libri ka një efekt akumulues tek unë. Mbrëmë dikush më pyeti lidhur me librin dhe, duke tentuar t’ia tregoj rrëfimin, arrita në pjesën ku shumica e këtyre kriminelëve ende janë të lirë dhe shërbejnë nëpër pozita udhëheqëse. FILLOVA TË QAJ. Detajet gjatë redaktimit më bëjnë që të largohem nga përmbajtja, por jo tërësisht dhe përgjithmonë. Aspekti pikëllues i kësaj historie më ka prekur në masë të madhe, dhe mu për këtë arsye unë jam akoma më e vendosur që të bëj punën më të mirë që mundem).

Libri “Mashtrimi i madh”, që në gjuhën angleze mban titullin “Blood Libel: Anti-Americanism and Genocide in the Kosovo War”. U publikua. Falë miqve, të cilët, me iniciativa individuale, e përhapën librin në bibliotekat e universiteteve më prestigjioze në botë, sot studentët e interesuar për këtë çështje mund ta lexojnë të vërtetën rreth propagandës serbe dhe mashtrimet me opinionin publik ndërkombëtarë lidhur me luftën e Kosovës, UÇK-në dhe shqiptarët në përgjithësi.

Ndërsa, institucionet e shtetit të Kosovës, të cilëve u janë dhënë falas 1500 ekzemplarë në gjuhën angleze për shpërndarje në qarqet diplomatike, vazhdojnë t’i mbajnë librat në depot e tyre. Edhe në këtë rast, falë miqve të mi të diplomacisë së Kosovës si Ramadan Avdiu, Sabri Kiçmari, Arjan Kashtanjeva e disa të tjerë, dhe deputetëve Bilall Sherifi dhe Elmi Reçica, një kontingjent i caktuar u është shpërndarë diplomatëve të ndryshëm.

Kur sheh ofensivën diplomatike të Serbisë nga njëra anë, dhe, nga ana tjetër, fshehjen e librit që zhvesh gjenocidin e Serbisë dhe bojkotimin nga përfaqësues të institucioneve të Kosovës, vërtetë është për të qarë…

Branisllav Nikoliqi nuk ishte i vetëm! Të shohim edhe sa punëtorë të shërbimeve sekrete serbe janë infiltruar në institucionet e Kosovës! Sidoqoftë, e vërteta do të del në shesh!

Shqipëria: Gjetjet paraprake të misionit të përbashkët për lirinë e shprehjes

Tiranë, 21 Qershor 2019

Gjatë 18-21 Qershorit 2019, ne ndërmorëm një mision ndërkombëtar mbi lirinë e shprehjes në Shqipëri, me përbërje nga Qendra Europiane për Liri të Shtypit dhe të Medias (ECPMF), ARTIKULLI 19, Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve (CPJ), Federata Europiane e Gazetarëve (EFJ), Instituti Ndërkombëtar i Shtypit (IPI), Reporterët Pa Kufij (RSF) dhe Organizata e Medias së Europës Juglindore (SEEMO).1 Misioni synoi të mbledhë informacion mbi sfidat e lirisë së shprehjes dhe lirinë e shtypit në Shqipëri dhe për të përçuar shqetësimet drejtpërsëdrejti te përfaqësuesit e qeverisë.

Ne u takuam me gazetarë; kryeredaktorë, përfaqësues të shoqërisë civile, organizatat ndërkombëtare dhe ambasadat e huaja të pranishme në Tiranë; dhe zyrtarë të lartë të qeverisë, përfshirë Kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama. Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, refuzoi të takohet me delegacionin. Ne vlerësojmë mundësinë e dhënë për t’u takuar me një gamë të gjerë aktorësh që ofruan njohuri mbi gjendjen e lirisë së shtypit në Shqipëri.

Delegacioni gjeti se liria e shtypit në Shqipëri është në përkeqësim. Sulmet fizike të kohëve të fundit kundër gazetarëve kanë mbetur të pazgjidhura. Zyrtarët më të lartë publikë rregullisht përdorin gjuhë që ul vlerat dhe sulmon gazetarët kritikë. Administrata publike, përfshirë zyrën e kryeministrit dhe kryetarit të bashkisë Tiranë, nuk janë transparencë në ndërveprimin e tyre me median dhe kufizojnë aksesin e gazetarëve kritikë. Legjislacioni i propozuar së fundmi i lidhur me median, përfshirë një skemë drakoniake rregullimi për median shqiptare dhe atë të huaj, nuk është në përputhje me standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.

Ne jemi të shqetësuar se Shqipëria, një demokraci, një Shtet anëtar i Këshillit të Europës dhe Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE), dhe një vend kandidat për Bashkimin Europian, nuk po respekton detyrimet e saj për të garantuar dhe mbrojtur lirinë e shprehjes dhe lirinë e shtypit siç kërkohet nga ligji shqiptar dhe instrumentet ndërkombëtare, përfshirë Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut.

1 European Centre for Press and Media Freedom (ECPMF), ARTICLE 19, the Committee to Protect Journalists (CPJ), the European Federation of Journalists (EFJ), the International Press Institute (IPI), Reporters Without Borders (RSF) & the South East Europe Media Organisation (SEEMO).
2
1. Amendimet e propozuara mbi rregullimin e medias
Koalicioni është thellësisht i shqetësuar nga propozimet e dhjetorit 2018 të qeverisë së Shqipërisë për ndryshime në legjislacionin mbi median në vend, i cili do të krijojë një kërkesë për regjistrim të detyruar të medias në internet dhe do të krijojë një organ administrativ me fuqi për të gjobitur dhe mbyllur median online dhe për të bllokuar mendian e huaj pa një urdhër gjykate. Ne konsiderojmë se këto masa tentojnë të krijojnë një rregullim shtetëror për median online, gjë që bie në kundërshti me praktikat më të mira ndërkombëtare mbi vetë-rregullimin dhe mund të ketë ndikim të dëmshëm mbi lirinë e shprehjes dhe të informimit dhe lirinë e shtypit në Shqipëri.

Në takimin tonë me kryeministrin, ai na informoi se një version i ri i përditësuar i projektit të amendamenteve do të bëhet publik së shpejti pas kritikave ndërkombëtare. Ai deklaroi se në draftin e ardhshëm, mundësia për mbyllje do të eliminohet dhe gjobat do të jenë shumë më të ulëta se sa ishin në projektin fillestar. Ne i mirëpresim këto ndryshime dhe rikujtojmë standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut që thonë se “shtetet nuk duhet të imponojnë regjistrim të detyruar të medias online si parakusht për punën e tyre për shkak se kjo mund të ketë efekt shumë negativ mbi lirinë e medias.” Qeveria duhet të sigurohet që ky legjislacion të jetë tërësisht në përputhje me praktikat më të mira të OSBE-së, Këshillit të Europës dhe praktikat më të mira të BE-së.

Ne jemi gjithashtu të shqetësuar mbi mungesën në vijimësi të transparencës në lidhje me konsultimet mbi projektligjin, i cili u prezantua përgjatë pushimeve të Krishtlindjeve dhe iu dha një periudhë ekstremisht e shkurtër konsultimi. Ne inkurajomë qeverinë e Shqipërisë të sigurojë që të ndërmerret një proces kuptimplotë konsultimi me gazetarët dhe shoqërinë civile me draftin tjetër të amendimeve.
2. Shpifja
Delegacioni shprehu shqetësim mbi atë që gazetarët e përshkruan si një numër në rritje të akuzave për shpifje të motivuara politikisht kundër gazetarëve të ngritura nga politikanët, shpesh duke kërkuar dëmshpërblime në shuma disproporcionale. Pretendime të tilla kanë pasoja serioze dëmtuese mbi gazetarët. Delegacioni vëren raportet pozitive nga gjykatat shqiptare, të cilat gjithnjë e më shumë po zbatojnë standardet e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut në rastet e shpifjeve.

Megjithëse dënimet me burg për shpifje u anuluan në vitin 2012, shpifja dhe fyerja mbeten vepra penale të ndëshkueshme me një gjobë penale, dhe gjatë viteve të fundit janë parë propozime për të rikthyer ligjet penale kundër shpifjes ndaj zyrtarëve të lartë. Edhe pa kërcënimin për dënim me burg, potenciali i përballjes me dënim penal për punën e tyre mund të shtyjë gazetarët të ushtrojnë vetë-censurën. Ne fuqimisht rekomandojmë që Shqipëria të anulojë tërësisht ligjin penal të shpifjes dhe fyerjes.

Nga ana e tij, kryeministri Rama tha se do të konsiderojë mundësinë e shfuqizimit të plotë të ligjeve penale të shpifjes. Ai tha se ai personalisht nuk do të përdorte ligjin penal kundër gazetarëve por do të vijonte të ngrinte padi civile për shpifje kundër gazetareve vetëm në raste “ekstreme”.

3
3. Siguria e gazetarëve: kërcënimet, sulmet dhe vetë-censura
Delegacioni u informua gjatë intervistave me aktorët se raste të ndryshme të sulmeve fizike dhe kërcënimet serioze kundër gazetarëve në lidhje me raportimet e tyre mbeten të pazgjidhura nga autoritetet. Së fundmi, gazetarët u plagosën gjatë protestave anti-qeveritare. Gazetarët investigativë janë ngacmuar apo pushuar nga puna për shkak të raportimeve të tyre, në disa raste pas ndërhyrjeve të dyshuara nga politikanë të partisë në pushtet. Në disa raste, gazetarët vendosin të mos raportojnë kërcënimet dhe sulmet te autoritetet përkatëse dhe të mos informojnë publikun. Përveç kësaj, ka raste në të cilat gazetarët tërheqin kallëzimet kundër shkelësve të dyshuar për shkak të frikës për hakmarrje të mëtejshme. Delegacioni u informua se autoritetet nuk ndjekin siç duhet çështjet, dhe nuk investigojnë arsyet pas kërcënimeve dhe sulmeve. Ne jemi të shqetësuar se autoritetet dështojnë të hetojnë në tërësi kërcënimet dhe sulmet kundër gazetarëve, duke kontribuuar në këtë mënyrë në një atmosferë pandëshkueshmërie që ka forcuar sulmuesit të kryejnë sulme të ngjashme dhe të frikësojnë gazetarët drejt heshtjes. Ne jemi gjithashtu të shqetësuar që autoritetet dështojnë të garantojnë sigurinë e gazetarëve që raportojnë nga protestat.
4. Fushata denigruese kundër gazetarëve
Gjatë takimeve me gazetarët, delegacioni u informua se Kryeministri Edi Rama në mënyrë konstante i referohet atyre si “kazanë”. Në mënyrë të ngjashme, udhëheqësi i opozitës Lulzim Basha i referohet medias si “të kapur dhe të blerë”. Një gjuhë e tillë denigron gazetarët dhe i bën ata të duken si shënjestër e ligjshme për agresion në sytë e publikut, duke rritur rrezikun e kërcënimeve apo dhunës kundër tyre. Gazetarët që ne takuam deklaruan se kur Kryeministri Rama i quan ata “kazanë”, kjo pasohet me ngacmime të menjëhershme online kundër gazetarëve nga anëtarë të publikut që përdorin të njëjtat fjalë me kryeministrin dhe në disa raste gjuhë edhe më të egër e kërcënime. Ne jemi të alarmuar nga një gjuhë e tillë sulmuese dhe propaganduese e përdorur nga liderët politikë dhe politikanët e tjerë kundër gazetarëve. Delegacioni e ngriti këtë shqetësim me Kryeministrin Rama, i cili mbrojti përdorimin e kësaj gjuhe por u angazhua të mos i thërrasë më gazetarët “kazanë” në të ardhmen.
5. Transparenca e institucioneve – aksesi në informacion/konferenca për shtyp
Situata e aksesit në informacion dhe në transparencën e qeverisë në Shqipëri duket se është e përzierë. Nga njëra anë, ligji shqiptar për të drejtën e informimit shihet gjerësisht si i shkëlqyer, megjithëse zbatimi mbetet i papërshtatshëm. Autoritetet shtetërore vijojnë t’i mohojnë gazetarëve akses në dokumente me interes publik thelbësor dhe të ligjshëm – veçanërisht ato të lidhura me kontratat publike, tenderët dhe koncesionet – dhe përdorin taktika vonuese me rezultat që kur gazetarët në fund marrin informacionin, ai nuk është më relevant. Gjithsesi, si Komisioneri për të Drejtën për Informim dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale ashtu edhe gjykatat shqiptare janë duke luajtur një rol të rëndësishëm në konfirmimin e të drejtës së gazetarëve për të aksesuar dokumente.

Në anën tjetër, delegacioni gjeti konsensus të gjithëpërhapur mes aktorëve të medias se administrata publike në Shqipëri kufizon aksesin e gazetarëve të pavarur dhe përdor formate e veta
4
të komunikimit për të shmangur median kritike dhe për të kontrolluar narativën. Sipas intervistave me shumë aktorë, kryeministri nuk mban konferenca të rregullta për shtyp. Kur konferenca të tilla kryhen, vetëm gazetarët që punojnë për median pranë qeverisë lejohen të bëjnë pyetje. Kamerat nga mediat e ndryshme nuk janë të lejuara. Gjithnjë e më shumë, kryeministri përdor ERTV, kanalin e vet online televiziv, si portalin e tij personal të komunikimit me publikun. Gjatë fushatave elektorale të tilla si kjo që po ndodh aktualisht, gazetarët ndalohen nga mbulimi i ngjarjeve të fushatës dhe në vend të kësaj u serviren materiale të parapërgatitura që ata pritet t’i përdorin. Praktika e imponimit të një burimi videoje të kontrolluar nga qeveria dhe të materialeve të tjera mbi mediat kufizon shumë aksesin e gazetarëve në informacion dhe aftësinë për t’i dhënë publikut një perspektivë të pavarur mbi veprimet e atyre në pushtet.

Në një takim me delegacionin, Kryeministri Rama nuk ishte dakord me gjetjet e mësipërme, duke thënë se ai ka mbajtur konferenca për shtyp “kur ka qenë e nevojshme”, duke shtuar “Ne nuk bëjnë asnjë lloj përzgjedhjeje, ne nuk themi ‘ti hyr’ ose ‘ti dil’ — ne ftojmë dhe të gjithë janë aty “. Ai tha se ai ishte i hapur për pyetje nga të gjithë gazetarët dhe se ai kurrë nuk i ka mohuar dikujt mundësinë për të mbuluar fushatat e tij elektorale. Ai e përshkroi ERTV-në si një “dritare” në aktivitetet e qeverisë.
6. Pronësia e medias
Misioni ynë konfirmoi se pronësia e medias shqiptare dhe të ardhurat nga reklamat janë shumë të përqendruara në duart e pak grupeve nën pronësi familjare, me një shkallë të lartë pronësie ndërsektoriale. Kjo situatë është theksuar më herët nga BIRN Albania dhe Reporterë Pa Kufij. Një ligj i mëparshëm që mbart rregulla specifike mbi pronësinë e stacioneve televizive nuk është më në fuqi.
7. Rekomandime
• Në përputhje me detyrimet ndërkombëtare të Shqipërisë nën Këshillin e Europës, Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut dhe OSBE-së, ne nxisim qeverinë të eliminojë klauzolat ligjore që mund të imponojnë kërkesa për regjistrim dhe rregullim shtetëror të medias në internet, si dhe klauzolave që i japin rregullatorëve fuqinë për të pezulluar apo bllokuar aksesin te publikimet elektronike apo që të vendosin gjoba; • Legjislacioni për median duhet të hartohet në një mënyrë transparente, në konsultim të ngushtë me gazetarët dhe organizatat e shoqërisë civile. Kryeministri, kryetari i opozitës dhe politikanët duhet të ndërpresin menjëherë fushatat e sulmeve dhe retorikën diskredituese kundër gazetarëve dhe profesionistëve të medias; • Politikanët shqiptarë duhet të organizojnë konferenca të shpeshta për shtyp dhe të lejojnë të gjithë gazetarët të bëjnë pyetjet dhe të mos diskriminojnë ata në bazë të raportimeve që ata bëjnë. Të gjithë gazetarët duhet të kenë akses të barabartë në informacion të qeverisë/publik; • Ne nxisim autoritetet të garantojnë sigurinë e gazetarëve që raportojnë mbi krimin e organizuar dhe korrupsionin, të rrisin efikasitetin e hetimit të plotë dhe tërësor të kërcënimeve, fushatave të shpifjeve dhe sulmeve fizike kundër gazetarëve, duke i sjellë ata përgjegjës para drejtësisë. Autoritetet duhet të garantojnë sigurinë e gazetarëve që raportojnë nga protestat.
5
• Ne nxisim gazetarët dhe profesionistët e medias të raportojnë rastet e sulmeve dhe kërcënimeve te partnerët e Platformës së Këshillit të Europës për Mbrojtjen e Gazetarëve dhe Sigurinë e Gazetarëve, te Përfaqësuesi i OSBE-së për Lirinë e Medias dhe te organizatat për lirinë e shprehjes; • Ne nxisim gazetarët dhe shoqërinë civile brenda Shqipërisë të ndërmarrin masa për të fuqizuar solidaritetin; • Ne nxisim gazetarët dhe profesionistët e medias në Shqipëri të respektojnë standardet profesionale dhe të fuqizojnë vetë-rregullimin përmes anëtarësisë në Këshillin Shqiptar të Medias; • Ligjvënësit duhet të miratojnë amendimet për të siguruar pavarësinë operacionale, financiare dhe të burimeve njerëzore të Komisionerit për të Drejtë Informimi dhe për Mbrojtjen e të Dhënave Personale; • Të vendosen masa efikase për të rritur transparencën dhe pluralizmin e pronësisë së medias.
Për pyetje mediatike ju lutem kontaktoni email/whatsapp:

ECPMF: Flutura Kusari, kusari@ecpmf.eu, +383 49236664 ARTICLE 19: Sarah Clarke, sarahclarke@article19.org, +44 7575 030028 CPJ: Attila Mong, among@cpj.org, +49 15256900750 EFJ: Ricardo Gutiérrez, ricardo.gutierrez@ifj.org, +32 2 235 22 00 IPI: Scott Griffen, sgriffen@ipi.media, +43 1 512 9011 RSF: Pauline Adès-Mével, padesmevel@rsf.org, +337 82 37 23 12 SEEMO: Oliver Vujovic, info@seemo.org, +43 1 513 39 40

DASH-i mbi liritë fetare në Shqipëri dhe Kosovë

Departamenti amerikan i Shtetit nxori të martën raportin e tij vjetor mbi gjendjen e lirisë së besimit në botë, që përfshinë të dhëna për gjendjen e lirisë së besimit në 200 shtetet e territore dhe dokumenton shkeljet e kryera nga qeveritë, grupet terroriste dhe individët.

Raporti analizon në kapituj të veçantë edhe lirinë e besimit në Shqipëri dhe Kosovë, në të cilët theksohen probleme të ngjashme me ato të përmbledhura në raportet e mëhershme.

Shqipëria

Raporti sërish nënvizon se kushtetuta e Shqipërisë garanton lirinë e besimit. Ajo përcakton se nuk ka një fe zyrtare, thotë se shteti është neutral në çështjet e besimit, njeh barazinë dhe pavarësinë e grupeve fetare dhe ndalon diskriminimin në baza fetare.

Qeveria, thuhet në raport, legalizoi 105 ndërtesa, pronë e grupeve fetare gjatë vitit 2018, ndërsa është në shqyrtim statusi i 68 pronave të tjera. Në përgjigje të një vendimi të Gjykatës Kushtetuese se disa dispozita të Ligjit për Pronat të vitit 2015 ishin kundër kushtetues, Këshilli i Ministrave nxori dy vendime për t’i dhënë fund ngërçit në shqyrtimin e kërkesave.

Agjencia e Trajtimit te Pronave (ATP) njoftoi se hodhi poshtë 17 kërkesa për titullarë pronash, gjë që u dha mundësi paraqitësve të kërkesave t’i dërgojnë lëndët në gjykatë. Drejtuesit e Vëllazërisë Ungjillore të Shqipërisë (VUSH) kanë vazhduar të ankohen lidhur me sigurimin e truallit për ngritjen e faltoreve dhe probleme me tarifat e qeverive komunale.

Bektashinjtë dhe Komuniteti Islamik i Shqipërisë, raportuan vështirësi në përcaktimin e titullarëve në prona të caktuara. Kisha Ortodokse u ankua për probleme në sigurimin e pronësisë mbi kishat e manastiret që nga qeveria konsiderohen si trashëgimi kulturore.

Deri në fund të vitit, Këshilli i Ministrave, nuk kishte miratuar rregulloret që do të mbështesnin zbatimin e një ligji të vitit 2017 mbi të drejtat dhe liritë e pakicave kombëtare, duke përfshirë lirinë fetare.

Këshilli Ndërfetar, një forum i udhëheqësve të bashkësive fetare, u mblodh për herë të parë në muajin tetor dhe votoi për anëtarësimin e VUSH-it në këtë forum. Komuniteti Islamik tha se qeveria polake i ndau një çmim këtij Këshilli për përpjekjet e tij për nxitur dhe ruajtur harmoninë fetare në Shqipëri. Veçmas, disa autoritete fetare shprehën shqetësim rreth ndikimit të huaj dhe ndërhyrjes në organizatat fetare shqiptare.

Zyrtarët e ambasadës amerikane u kërkuan sërish zyrtarëve qeveritarë që të përshpejtojnë procesin e shqyrtimit të kërkesave për pronat dhe t’u kthejnë grupeve fetare ndërtesat dhe pronat tjera të konfiskuara gjatë epokës komuniste.

Raporti vë re se ambasada amerikane ka ofruar edhe mbështetje teknike në hartimin e manualit për mësuesit për të mësuar për besimin në shkollat publike dhe private si dhe në programet për nxitjen e respektimit për llojllojshmërinë fetare. Programe tjera të ambasadës janë përqendruar në forcimin e rolit të gruas

Në komunitetet fetare dhe pajtueshmërinë e besimit fetar dhe demokracisë. Ambasada gjithashtu vazhdoi punën e saj me komunitetet fetare për të dekurajuar nxitjet drejt ekstremizmit të dhunshëm në lidhje me fenë midis të rinjve.

Qeveria amerikane vlerëson se nga 3.1 milionë sa është popullsia në Shqipëri, sipas regjistrimit të vitit 2011 myslimanët sunni përbëjnë 57 për qind të popullsisë, katolikët 10 për qind, ortodoksët afro 7 për qind dhe bektashinjtë 2 për qind. Rreth 20 për qind kanë refuzuar të përgjigjen rreth përkatësisë së tyre fetare. Regjistrimi i ardhshëm bëhet në vitin 2021.

Shkollat publike janë sekulare, thuhet në raport, ndërsa shkollat private mund të ofrojnë mësime fetare.

Bashkësitë fetare drejtojnë 114 institucione arsimore përfshirë universitete, shkolla fillore e të mesme, institucione parashkollore, kopshte, shkolla profesionale dhe jetimore. Shumica e tyre nuk kanë lëndë të detyrueshme të fesë, por i ofrojnë ato si zgjedhore

Komunitetet katolike, islame dhe ortodokse thonë se mbështetja financiare nga qeveria është 109 milion lek, afërisht 1.2 milion dollarë, njësoj sikurse edhe në vitet paraprake. Udhëheqësit e pesë bashkësive kryesore thanë se paguajnë çmime më të ulta për energjinë elektrike dhe furnizimin me ujë.

Qeveria ka vazhduar procesin e legalizimit të xhamive jozyrtare, kishave katolike e ortodokse dhe teqeve te bektashinjve të ndërtuara gjatë viteve të 90-ta. Agjencia e legalizimeve tha se nga vitit 2014 deri në shtator të vitit 2018 janë legalizuar 330 ndërtesa fetare, përfshirë 104 kisha katolike, 153 xhami, dhe 47 teqe. Kisha Ortodokse tha se agjencia legalizoi vetëm 4 nga 23 kërkesa të saj.

Komisioni Shtetëror për Regjistrimin organizatave fetare, numëroi 611 grupe, duke përfshirë 248 fondacione, 323 Organizata Joqeveritare dhe 40 qendra që lidhen me besimet.

Në muajin prill, kryeministri Edi Rama, paralajmëroi në një fjalim se Rusia synon të radikalizojë myslimanët në vend dhe i beri thirrje Bashkimit Evropian që të mos “lërë boshllëk për t’u plotësuar nga vendet e tjera”. Ai kritikoi politikanët evropianë për nxitje të ndjenjave anti-myslimane.

Kosova

Në kapitullin për Kosovën, raporti thekson se kushtetuta ndalon diskriminimin fetar dhe siguron lirinë e besimit, por tërheq vërejtjen se ligji nuk lejon që grupet fetare të regjistrohen si persona juridik, duke krijuar pengesa për ta në kryerjen e punëve të tyre. Parlamenti shqyrtoi një projektligj që do t’i lejonte grupet fetare të regjistroheshin si persona juridik.

Raporti vë re se më 23 mars Gjykata Themelore në Prishtinë, liroi Shefqet Krasniqin nga akuzat e ngritura në vitin 2017 për nxitje të terrorizmit, të urrejtjes fetare dhe evazion fiskal. Në muajin maj Gjykata e Apelit liroi katër imamë që ishin akuzuar për “nxitje të urrejtjes kombëtare, racore, fetare e etnike” duke ju referuar mungesës së provave.

Grupe të ndryshme fetare thanë se ndonëse kanë marrëdhënie bashkëpunuese me autoritetet nëpër komuna, megjithatë janë ankuar se ato shpesh nuk u ofrojnë të drejta dhe përfitime të barabarta, posaçërisht kur bëhet fjalë për pronat e tyre, përfshirë lejet e ndërtimit.

Përfaqësuesit e Kishës Ortodokse Serbe, janë ankuar se qeveria i ka shkelur të drejtën e pronës, përfshirë edhe ndërtimet në Zonat e Posaçme të Mbrojtura. Autoritetet e komunës së Deçanit, përfshirë edhe kryetarin, vazhdojnë të refuzojnë zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2017, që i ndau Kishës Ortodoksë 24 hektarë përreth manastirit të Deçanit. Komuna me mbështetjen e qeverisë qendrore, filloi ndërtimin e rrugës përmes Zonës së Posaçme të Mbrojtur përreth manastirit të Deçanit, në kundërshtim me ligjin që e ndalon një gjë të tillë.

Bashkësia Islame e Kosovës (BIK) vazhdoi të raportojë diskriminimin social dhe atë në sferën e punësimit ndaj myslimanëve të devotshëm, posaçërisht në sektorin publik. Qeveria vazhdoi të punojë me BIK-un për të luftuar ekstremizmin e dhunshëm dhe dënoi vandalizimin e objekteve fetare, thuhet në raport, në të cilin përmendet edhe pengimi i besimtarëve serbë që të vizitojnë kishat në Gjakovë dhe në Istog.

Grupet fetare dhe udhëheqësit e tyre u takuan rregullisht për të diskutuar mbi pronat, çështjet ligjore dhe ato të komunitetit lokal. Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, ka vazhduar të bashkërendojë disa veprimtari mes grupeve fetare, përfshirë takimet me kryetarët e komunave për të diskutuar çështje siç janë lejet për ndërtime.

Ambasadori amerikan dhe përfaqësuesit tjerë të ambasadës amerikane, takohen shpesh me zyrtarët qeveritarë për të nxitur tolerancën fetare dënimin publik të incidenteve të dhunës ose rasteve të frikësimit. Po ashtu ata bëjnë trysni për kalimin e ligjeve që u mundësojnë institucioneve fetare rregullimin e statusit ligjor dhe zbatimin e plotë të ligjit për mbrojtjen e objekteve fetare si dhe për të diskutuar përpjekjet për të zgjidhur çështjen e pronave.

Ambasadori dhe përfaqësuesit e tjerë të ambasadës nxisin qeverinë në nivelet më të larta për të ndjekur penalisht kryerësit e dhunës apo kërcënimeve kundër Kishës Ortodokse dhe për të respektuar të drejtat pronësore të saj. Ambasada dekurajon zyrtarët publikë, institucionet arsimore dhe entitetet e tjera që të angazhohen në praktikat diskriminuese të punësimit ndaj myslimanëve dhe diskuton rregullisht për tolerancën fetare me udhëheqësit e të gjitha bashkësive të mëdha fetare.

Qeveria amerikane vlerëson se nga 1.9 milion banorë sa vlerësohet se ka në Kosovë, 95.6 për qind janë myslimanë, 2.2 për qind katolikë si dhe 1.4 për qind i përkasin besimit ortodoks.

Pakica serbe nuk i pranon këto të dhëna meqë ka refuzuar të marrë pjesë në regjistrimin e popullsisë në vitin 2011. Kisha Ortodokse serbe thotë se ka 120 mijë besimtarë apo 6.3 për qind.

Raporti theksin se njësite shumetnike të policisë, të specializuara për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore e fetare, të drejtuara nga një komandant serb i policisë, ofron mbrojtje 24 orëshe të 24 Zonave të Posaçme të Mbrojtura. Për herë të parë që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, nuk ka pasur incidente në ato zona.

Ministria e Punëve të Jashtme ndërpreu mbajtjen e Konferencës vjetore ndërkombëtare ndërfetare pas largimit të zyrtarit në detyrë nga viti 2017. Komuniteti hebraik tha se udhëheqësit fetarë e gjetën vendimin zhgënjyes; megjithatë, ata vazhduan të takoheshin rregullisht midis tyre.

Raporti vë re se politikanët e Listës Serbe, kritikuan dhe herë pas here kërcënuan peshkopin Teodosije Sibaliç dhe klerikë tjerë serbë në mjetet serbe të informimit, për shkak të kritikave të Kishës Ortodokse ndaj qasjes së Listës Serbe ndaj procesit të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Bashkësia Islame, sipas raportit, ka thënë se sekularistët i kanë portretizuar myslimanët e devotshëm nëpër medie në dritë negative dhe ka nënvizuar se portalet nganjëherë e barazojnë islamin me terrorizmin.

Gjatë vitit 2018 policia raportoi 86 raste të dëmtimit të zonave fetare, kryesisht dëmtime të pronës dhe vjedhje, 44 raste më shumë se në vitin 2017. Prej tyre 59 në pronat e Bashkësisë Islame dhe 23 të Kishës Ortodokse dhe 4 të Kishës Katolike.

Zëri i Amerikës: Protestë paqësore e opozitës në Tiranë

Në Shqipëri kryetari Partisë Demokratike përsëriti sot në mbrëmje se largimi i kryeministrit Edi Rama mbetet një çështje e panegociueshme për zgjidhjen e krizës politike në vend. Duke folur në protestën e organizuar para selisë së Kryeministrisë, zoti Basha shtoi si një tjetër “kusht të panegociueshëm” ndëshkimin me burg “të atyre që kanë vjedhur votat”, duke iu referuar përgjimeve të publikuara së fundmi nga gazeta gjermane BILD, në të cilat përfshiheshin eksponentë socialistë në biseda për shitblerje votash apo presionesh për të votuar partinë socialiste në zgjedhjet e parakohshme të viti 2016 në Dibër .

“Tani që provat janë në sytë e çdokujt, zotimi i 16 shkurtit qëndron në fuqi. Nuk ka e nuk do ketë negociata me Ramën kryeministër, nuk ka e nuk do ketë marrëveshje politike pa dënuar hajdutët e votave, asnjë marrëveshje politike pa çliruar votën tuaj e dinjitetin tuaj”, theksoi zoti Basha duke ju drejtuar mbështetësve të grumbulluar në bulevardin kryesor të Tiranës.

“Kjo krizë e thellë nuk mbyllet thjesht mbi një marrëveshje bazuar mbi pazare politike. Kjo krizë duhet e do të mbyllet mbi parime dhe sonte dua ta them qartë e prerë se parimi i parë është çuarja para drejtësië e atyre që u vodhën votën shqiptarëve”, deklaroi zoti Basha.

I pandryshuar mbetet qëndrimi i opozitës edhe lidhur me 30 Qershorin. Sipas zotit Basha, kryeministri “po shkon drejt grushtit të shtetit të votimeve pa opozitë. Ta dijë mirë Rama se ne nuk bëjmë asnjë hap pas. Nuk ka zgjedhje më 30 Qershor. Aleanca qytetare është në këmbë, beteja vazhdon qytet më qytet, fshat më fshat. Çdo tentativë për të provokuar shqiptarët do dështojë me turp, ndërsa 30 Qershori do të jetë varreza politike e Ramës”, u shpreh kreu i opozitës, duke ftuar mbështetësit e opozitës “të jemi në çdo shesh e rrugë për të mbrojtur demokracinë e kushtetutën me fuqinë e kauzës sonë të drejtë”.

SI asnjëherë më parë në protestat e muajve të fundit, nuk u shënua as incidenti më i vogël. Zoti Basha pas fjalës së tij, i ftoi sërish mbështetëit e opozitës të marshonin drejt selisë së parlamentit. Edhe këtu nuk pati asnjë incident, ndërsa zoti Basha, pas një qëndrimi të shkurtër u drejtua për në selinë e Partisë Demokratike.

Protesta e mbërmjes së sotme, u zhvillua në një moment kur situata është tensionuar dhe më tej. Ditët e fundit u shënuan nga incidente të dhunshme në shumë qytete të vendit ku opozita drejton Bashkitë. Zyrat e Komisioneve zgjedhore zonale u sulmuan dhe në disa raste materialet zgjedhore u shkatërruan. Nuk munguan as përplasjet me policinë, ndërsa e gjitha u pasua me arrestime dhe procedime ndaj disa dhjetra personave, mes të cilëve sipas autoriteteve dhe punonjës të policive bashkiake, si dhe ndaj ish deputetëve demokrat, si në rastin e zoti Bardh Spahia.

Opozita deklaron se njeh Dekretin e Presidentit të Republikës që ka anulluar zgjedhjet, ndërkohë që shumica nga ana e saj vijon me fushatën elektorale.

Protesta u parapri nga deklaratat e komunitetit ndërkombëtar, përmes së cilave iu kërkua udhëheqësve të opozitës që të siguronte se ajo do të ishte paqësore dhe të shmangte përshkallzimin e situatës.

Deklarata e mbrëmshme e ambasadës amerikane kishte mesazhe të shumëfishta, ndërsa nga njëra anë dënonte aktet e dhunës së vërejtura së fundmi e kërkonte që ushtruesit e dhunës të mbanin përgjegjësi, nga ana tjetër kërkoi të mbrohej integriteti i procesit zgjedhor. Lidhur me protestën e e mbrëmjes të kësaj të premteje, ambasada i drejtohej organizatorëve të saj “që të mbajnë përgjegjësi përballë parime të sundimit të ligjit, t’iu bëjnë thirrje publikisht mbështetësve të tyre të mblidhen paqësisht si dhe të refuzojnë energjikisht dhunën në çdo mundësi”.

Edhe Delegacioni i Bashkimit europian në Tiranë u shpreh “i shqetësuar nga episodet e fundit të dhunës që kanë ndodhur në disa rajone të vendit. Asnjë akt i dhunshëm apo formë e nxitjes për dhunë nuk mund të tolerohen në asnjë rrethanë”, thekson deklarata e shpërndarë pasdite. Ajo theksonte se “është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e liderëve të protestës për të siguruar që demonstrimet sonte të mbahen në mënyrë të sigurt si për pjesëmarrësit ashtu dhe për banorët Tiranës, si dhe për të shmangur çdo përshkallëzim gjatë protestave. Përdorimi i eksplozivëve apo i çdo sendi tjetër që mund të shkaktojë lëndime është krejtësisht i papranueshëm. Autoritetet e zbatimit të ligjit gjithashtu kanë përgjegjësinë që të vazhdojnë të veprojnë me përmbajtje, edhe nëse provokohen”.

Një natë më parë, në një ndërhyrje në emisionin Opinion në TV Klan, kryetari demokrat Lulzim Basha, ndërsa bëri thirrje qytetarëve që t’I bashkohen protestës, paralajmëroi se “nuk do të ketë absolutisht asgjë që të kërcënojë një fije floku të një qytetari apo të një punonjësi të ndershëm të rendit”.

Si e bëri ‘vettingun’ Adolf Hitleri – Nga AUREL PLASARI

Kur bie shi dhe kur kam ngé shkruaj në FaceBook nga një rekomandim leximi, që të tjerëve u duket esé. “Ernst Fraenkel, Shteti i dyfishtë – Një kontribut në teorinë e diktaturës”, New York 2010 (Oxford University Press): është një vepër e hershme, e botuar për së pari më 1941 jashtë Gjermanisë, pikërisht kur regjimi nazist i Rajhut të Tretë ndodhej në pikun e vet.

Mirëpo ajo ribotohet dendur dhe në shumë gjuhë, sepse vlerësohet ndër referencat më të domosdoshme, si vepër që zbuloi dhe e shpalli sheshit se qysh lind e instalohet një diktaturë. Veçan për ne shqiptarët, që prej përjetimeve tona mund të pandehim – gabimisht – se një diktaturë vjen e vendoset vetëm në rrethanat specifike mbas një pushtimi a një lufte, si rrjedhojë e “fitores” së një force politike e cila imponohet si regjim diktatorial, çfarë edhe ndodhi në Shqipëri, etj.

Politologu gjerman Ernst Frankel (1898-1975) na tregon që nuk ndodh vetëm ashtu siç mund ta dinim deri dje: një diktaturë mund të instalohet edhe në kohë paqeje, edhe në rrethana kushtetuese të një pushteti të arritur me vota, i cili fillon të cenojë e të cungojë liritë kushtetuese.

Atëherë shtetasit ndodhen përballë një situate të deformuar: kur shteti i tyre nuk është më në funksion të tyre, por në funksion vetëm e vetëm të një pushteti, cilido qoftë ai. Ndër teknikat e larmishme të grushtit të shtetit është fjala për një grusht shteti mjaft origjinal: që nuk jepet nga jashtë pushtetit, për ta rrëzuar atë, por nga vetë pushteti për t’iu imponuar shtetasve në mënyrë jokushtetuese.

Ta lexosh sot “Shtetin e dyfishtë” të Fraenkel-it i bie të jesh lexues me fat posa që ngjarjet në ndodhje e sipër në “Turqinë mike” dhe në Rumaninë “romantike” të japin dorë si një ilustrim me ngjyra i një deformimi të ngjashëm me atë që përshkruhet te “Shteti i dyfishtë”.

Madje shejnitë e kufizimit të lirive kushtetuese dallohen sot aty-këtu edhe në vende të cilësuara si demokratike të Bashkimit Europian me shkasin e mbrojtjes së shtetasve nga “rreziqe potenciale”, si për shembull terrorizmi. Sepse gjithnjë duhet gjetur një shkas. Si e thoshte Don Kishoti i Nolit? “Do të të çkallmonj, veç sa të gjenj një sebep…”.
Fraenkel-i ballafaqon në veprën e tij dy entitete shtetërore: një Shtet normativ (Normenstaat), i mbështetur në kushtetutën e vendit dhe legjislacionin përkatës, dhe një shtet paralel që e ka quajtur “Maßnahmenstaat”, i cili mbetet në politologji koncept i tiji origjinal. Duke qenë term i ri dhe jo i lehtë për t’u përkthyer, anglishtja e ka dhënë me “Prerogative State”, frëngjishtja me “État discrétionnaire”, italishtja me “Stato discrezionale”.
Shqip mund të thuhej “Shtet i masave të veçanta”, “Shtet i masave të jashtëzakonshme” ose thjesht “Shtet i masëmarrjes”. Janë partitë në pushtet ato që synojnë ta prodhojnë një shtet të tillë paralel brenda shtetit kushtetues. Dhe shtetasit, kur u ndodh tjetërsimi ndaj shtetit, që do të thotë kur shteti u duket si diçka e dhënë “nga lart”, që nuk e kanë krijuar ata vetë për t’u shërbyer po atyre vetë, u shpëton fakti që shteti si krijim historik nuk ka qenë dhe nuk është dhe as mund të jetë produkt i partive. Kreu “Partia si instrument i shtetit të masave të jashtëzakonshme” në librin e Fraenkel-it përbën njërin nga krerët më të kuptueshëm për lexues si tanët.

Në Rajhun e Tretë goditja Shtetit normativ iu dha nëpërmjet një akti të njohur si “Karta e Jashtëzakonshme Kushtetuese”, më sak të emërtuar “Dekreti për Mbrojtjen e Popullit dhe të Shtetit” i 28 shkurtit 1933. Ishte një ndërhyrje dinake në kushtetutën gjermane, shpallur në formë dekreti mbas djegies së Rajhshtagut – pra me t’u gjetur shkasi – dhe përbëhej nga tri seksione, të cilat autori i ka botuar në Shtojcat e librit.

Kështu filloi në Gjermaninë naziste kontrolli i sistemit gjyqësor nga partia në pushtet nëpërmjet policisë politike, instrument tipik i “shtetit të masave të jashtëzakonshme”: Maßnahmenstaat. Nuk u përdor termi anglosakson vetting, mbase ngaqë anglosaksonët qenë “armiq” të Rajhut të Tretë. Të drejtat e një individi do të vareshin nga vlerësimi politik që i bëhej atij. Deri edhe një dokument fillestar, për shembull certifikata e lindjes, mund të mos jepej nëse nuk miratohej nga policia politike.

Nëpërmjet kësaj teknike “shteti i masave të jashtëzakonshme” zuri të veçonte mes shtetasve të shtetit normativ ata që llogariteshin “armiq” në bazë arsyesh politike. Dhe nuk qe më çështje individësh: fjala ishte për masëmarrje qartësisht arbitrare ndaj grupesh popullsie të paracaktuara si “armiq të regjimit”. Si të tillë, “armiqtë e regjimit” do të asgjësoheshin edhe ekonomikisht etj. Ekzistimi kushtetues i lirive mbetej në fuqi, për sy e faqe i pacenuar, ndërsa ekzistimi i tyre në realitetin e përditshëm gjerman ishte asgjësuar kryekëput dhe “sovraniteti popullor” kishte mbetur një fjalë goje.
Kishte edhe gjermanë që rezistuan, që nuk u pajtuan, që protestuan dhe madje u flijuan duke lënë kokat për ta mbrojtur shtetin normativ. Të tjerë u lavirën duke u treguar të paqëndrueshëm. E shumta rezultuan të pakurajë, e mbyllën gojën me würstel dhe e shuan etjen me birrë të zezë. Ndoshta edhe u kërcënuan e shantazhuan, afërmendsh me forma të asaj kohe, ngaqë asomoti sms-të nuk ekzistonin.

Se në ç’katastrofë historike e shpuri popullin gjerman kjo dyfishësi shtetërore, kur “shteti i masave të jashtëzakonshme” ia doli ta nëpërkëmbte shtetin normativ, kjo po dihet. Gjermanët, që shfajësohen se e pësuan duke u zënë në befasi, e meritojnë t’ua kujtosh thënien e njohur të ustallarëve të materializmit historik të përsëritur për sa të tjerë: kombit dhe gruas nuk u falet çasti i dobësisë kur edhe aventurieri i parë mund t’i vërë poshtë e t’i përdhunojë.
Nëse në Shqipëri ndiqet me interes gjithë sa ndodh në Turqi mbas të quajturit grusht shteti të përdorur për shkas, – si thoshte Don Kishoti i Nolit për sebepin? – ose gjithë sa zhvillohet prej dy javësh në Rumani, ky interes vetëm në dukje i tepruar kot i shqetëson disa shkrues portalesh. Interesi i mirëfilltë nuk ka të bëjë me të qenit “vëllezër” ose “jovëllezër” me turqit e sotëm, as me simpatinë e posaçme për “revolucionarët” rumunë që rrëzuan diktaturën më 1989.

Sentimente të tilla, edhe në ekzistojnë, nuk janë jetike për qytetarët shqiptarë, ky është thelbi. Zhvillimet turke, si dhe ato rumune kanë të bëjnë me dhunimin e lirive kushtetuese dhe deformimin sulltanor të shtetit normativ: ato ndiqen me vëmendje ashtu siç ndiqet një fantazmë që të vjen rrotull dhe që një ditë prej ditësh rrezikon të të çatisë edhe ty brenda në shtëpi. Ja: prej Ernst Fraenkel-it mund të mësohet tanimë që kjo fantazmë është pikërisht “shteti i masave të jashtëzakonshme”.

Zgjatja më tej me ndonjë kapicë shembujsh aktualizues – ata po bëhen tanimë anekdotikë në Shqipërinë e “vettingut” – nuk do të kishte kuptim përderisa ky këtu nuk është veçse një rekomandim leximi për librin e politologut Ernst Fraenkel: “The Dual State: A Contribution to the Theory of Dictatorship”, New York 2010 (Oxford University Press).

Dhe leximi dihet që është çështje lirie individuale: si e lexoj unë nuk e lexon ti. Me interes është që tekste të tilla të mos mbeten pa u lexuar, pa le të lexohen edhe ndryshe. Vetë e rekomandoj me besimin se për shqiptarët “shteti i masave të jashtëzakonshme” – në kuptimin Maßnahmenstaat të z. Fraenkel – nuk ka sesi të jetë e ardhmja: ai është e shkruara që e shumta jonë e kemi përjetuar njëherë dhe që është refuzuar duke ia kthyer shpinën. Sa për ata që nuk parapëlqejnë të lexojnë, edhe ata janë në të drejtën e tyre: aty e kanë gotën e birrës dhe le të hanë würstel-in.