VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Mërgimi politik – grupi i quejtun Bashkimi Komtar – LETËRKËMBIM MUSTAFA MERLIKA KRUJA – ATË PAULIN MARGJOKAJ

By | November 30, 2019

Komentet

Shtypi francez në tetor të 1912: Gjenocidi i forcave malazeze ndaj shqiptarëve në Plavë. 900 burra, gra e fëmijë të vrarë

Plava

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 27 Shtator 2020

 

Shtypi francez i ka kushtuar një vemendje të veçantë pushtimit të Plavës nga forcat malazeze në tetor të 1912, rrëfimin e të cilit, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar : 

 

L’Univers, e hënë, 21 tetor 1912, f.2 :

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Në Mal të Zi

Marrja e Plavës

 

Vjenë, 19 tetor. – Malazezët duan të bombardojnë Taraboshin nga tre anët dhe po përgatisin sulmin për nesër.

 

Plava u mor sot, pas një mbrojtje kokëfortë të shqiptarëve, 900 prej të cilëve ranë (u vranë). Gratë dhe fëmijët shqiptarë morën pjesë në mbrojtje. Humbjet e malazezëve janë gjithashtu të konsiderueshme.

  

L’Intransigeant, e martë, 22 tetor 1912, ballinë :

 

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Malazezët kanë marrë Plavën dhe Gucinë (ku u zhvillua një përleshje disa ditë më parë). 900 shqiptarë myslimanë thuhet se kanë rënë duke mbrojtur Plavën. Dy qytetet e marra (të pushtuara) janë në lindje të Malit të Zi, në veri të Shkodrës.

 

 

L’Écho de Paris, e martë, 22 tetor 1912, f.2 :

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Ushtritë e Malit të Zi

 

Malazezët janë ende duke bërë përpjekje të mëdha për të pushtuar Taraboshin dhe Shkodrën (ushtria e Jugut, nën urdhrat e gjeneralit Martinoviç).

 

Ushtria e Veriut, e komanduar nga gjenerali Vukotiç, pushtoi Plavën më 19 dhe Gucinë më 20.

 

Gucia, në jug të liqenit të Plavës, ka 4.000 banorë. Ky qytet iu dha malazezëve në 1878 nëpërmjet Traktatit të Berlinit dhe ata e shkëmbyen atë me një territor tjetër në 1880.

 

Qyteti i Plavës u mbrojt me kokëfortësi nga shqiptarët, burrat, gratë dhe fëmijët që humbën gati 1.000 prej të tyreve. Malazezët u gjetën gjithashtu në vështirësi të madhe.

 

Luftimet në këto rajone malore, midis fiseve të ashpra, kanë një karakter të veçantë dhune.

  

 

La Tribune de l’Aube, e martë, 22 tetor 1912, ballinë :

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Podgoricë, 21 tetor. – Pushtimi i Gucisë u parapri nga ai i Plavës, pas një mbrojtje kokëfortë të shqiptarëve, 900 prej të cilëve u vranë. Gratë dhe fëmijët shqiptarë morën pjesë në mbrojtje. Humbjet e malazezëve janë gjithashtu të konsiderueshme.

 

 

Le Sémaphore de Marseille, e mërkurë, 23 tetor 1912, f.2 :

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Nga Cetinje : Pushtimi i Plavës ishte shumë i përgjakshëm; 900 shqiptarë u vranë, midis tyre gra dhe fëmijë, të cilët u gjetën me armë në dorë.

La Croix (1904)- Karl Gega, gjeniu dhe magjistari i hekurudhës së Semmeringut, një nga kryeveprat më të bukura teknike në botë

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 26 Shtator 2020

“La Croix” ka botuar, të premten e 20 majit 1904, në faqen n°3, një shkrim në lidhje me 50-vjetorin e përfundimit të hekurudhës së famshme të Semmering-ut, vepër e inxhinierit të famshëm me origjinë shqiptare Karl Gega, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Me 28 të këtij muaji do të fillojnë festime të mëdha të cilat do të zgjasin një javë të tërë dhe do të sjellin hare në një pjesë të perandorisë ashtu si në kryeqytet.

Në fund të majit, hekurudha e Semmering-ut, e cila ishte hekurudha e parë malore e Evropës, feston 50 vjetorin e përfundimit. Semmering-u është pika më e lartë e vargmaleve të Alpeve që na ndajnë nga Styria. Pak rajone malore janë po aq piktoreske dhe madhështore sa këto. Kur niseni nga Vjena për në Gratz dhe Trieste, së pari kalojmë nëpër vreshtat e pasura përreth Baden-it, pastaj Vjenë-Neustadt, selia e Saint-Cyr, dhe pothuajse menjëherë fillon ngjitja.

Hekurudha, përfundimi i së cilës do të përkujtohet, është seksioni nga Gloggnitz në Semmering : puna zgjati gjashtë vjet, nga 1848 deri në 1854 dhe kushtoi 31 milion franga. Është një nga kryeveprat më të bukura teknike në botë; Z. Gega, inxhinieri autori i kësaj mrekullie, ishte sigurisht një nismëtar i një gjeniu të madh, sepse guxoi të konceptojë plane të cilat ishin një zbulim për kohën e tij; ai mundësoi që industria hekurudhore e sapo lindur të hidhte një hap prej gjysmë shekulli përpara.

Vetë Semmering-u është një “séjour” shumë i kërkuar, në verë për arsye të freskisë së pyjeve dhe flladeve të tij, në dimër për arsye të temperaturës së butë që hasim në majat e larta të mbuluara me dëborë dhe të zhytura (mbuluara) nga rrezet e diellit, ndërsa banorët e fushave dhe luginave banojnë në mjegullën gri dhe në të ftohtin.

Gega, i cili duket se i ka dominuar vështirësitë deri në atë pikë sa ka qenë i lumtur që t’i kërkonte për t’i kapërcyer ato, ka luajtur me shkëmbinjtë, luginat e thella, humnerat; herë-herë, ai e çon hekurudhën e tij në shpatin e malit, ku ajo duket si një skicë qymyri mbi një mur; herë-herë, ai e fut atë në një tunel nga i cili del që të futet në një tjetër, dhe dikush do të thoshte se ai ka dashur të bëjë magjistarin me trenat; herë-herë, e hedh papritmas si një gjarpër mbi një luginë të prerë nga një viadukt me mbivendosje të trefishtë të arkadave.

Kam dëgjuar që sot vepra do të bëhej me më shumë thjeshtësi dhe më pak shpenzime, kritikë tekniku që nuk ndryshojnë përshtypjen e atyre që janë vetëm spektatorë dhe konsiderojnë në veprën vetëm madhështinë e saj.

Radiocorriere (1980)- “Bekim Fehmiu, ylli i parë televiziv! Dashuria e tij e parë dhe shijet që ka për muzikën, sportin, gatimin dhe argëtimin!”

Pas dymbëdhjetë viteve, blockbuster-i i parë televiziv “Odisea” vjen më në fund me ngjyra. Protagonist ishte një aktor jugosllav, Bekim Fehmiu. Ai u transformua shpejt në një yll. Por suksesi nuk i solli fat. Madje as interpretuesvë të tjerë. Me përjashtim të besnikes dhe të përkushtuarës Penelope, Irene Papas-it. – Burimi : Radiocorriere (1980)

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 20 Shtator 2020

“Radiocorriere” ka botuar, më muajin janar të 1980, në faqet n°32-34, një shkrim të gazetares Stefania Barile me rastin e kthimit në ekran me ngjyra të serialit të famshëm botëror “Odisea”, me aktor kryesor Bekim Fehmiun, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Kthimi i Uliksit

nga Stefania Barile

Një udhëtim i gjatë dhjetë vjet Historia është tre mijë vjeçare. Homeri i verbër e ka rrëfyer atë por kritikët preferojnë të besojnë se këtë e ka transmetuar (rrëfyer) tradita popullore. Është historia e kthimit të Uliksit dhe legjenda e dinakërisë së tij. Mbreti ishte krijuesi i atij kali që shkaktoi rënien e Trojës. Pastaj kthimi në shtëpi, i cili për arsye të mallkimeve të perendive, qe i hidhur : fazat e tij janë të gjitha vuajtje dhe tortura. Por edhe shumë arratisje (frekuentime) me shumë gra, nga Culipvo te Circe, tek e ëmbla Nausicaa. Dhe më në fund në Itakë ku do të jetojë me Penelopën besnike që e kishte pritur dhe me djalin Telemakun. Si në një përrallë. – Burimi : Radiocorriere (1980)

Romë, janar.

Ai ishte ylli i parë televiziv. Pas tij vetëm Sandokani ka ngjallur të njëjtin entuziazëm fanatik tek shumë vajza.

Në një garë hipotetike indiani Sandokan (Kabir Bedi) dhe ai do të përfundonin njëkohësisht në foto-finish. Bekim Fehmiu, jugosllav pothuajse grek, ose Uliksi. Ishte viti 1968. Dhe shikuesve italianë të mësuar me lotët e shumë romancave, të xhiruara në studio me vetëm pak të huaj dhe me shumë aktorë me një fytyrë të qetë italiane, u ndodhi të shikonin “Odisenë”. Ata që ishin dyshues e gjetën veten para një filmi të madh (blockbuster-i). I pari i prodhuar nga televizioni.

Ishte një kasting i ngjashëm me Hollywood-in : ishte Juliette Mayniel, yll i ri (nouvelle vague) ; ishte Scilla Gabel e jona dhe një modele atëherë shumë në modë, Barbara Bach. Dhe pastaj disa të panjohur. Ndër të cilët ai, protagonisti, Bekim Fehmiu. Por sapo u shfaq ndodhi suksesi i madh. Vështrimi magnetik dhe i ëmbël, i vuajtur dhe i zymtë, i magjepsi të gjithë. Siç kishte magjepsur ndrikullën e tij, Silvana Mangano-n.

“Ishte ajo që e kishte parë në Kanë”, kujton regjisori Franco Rossi, “me intuitën e të gjitha grave. Ajo kishte të drejtë. Mjaftoi t’i vinim një mjekër dhe doli jashtë ky vështrim”. Ai ishte në Kanë sepse ishte protoganist i një filmi jugosllav, “Ciganët e lumtur”, i cili luftoi për Palmën e Artë deri në fund me Antonionin. Dhe atje znj. De Laurentiis (gruaja e producentit i cili po ndërtonte filmin e madh me TV-në) nuk ishte e vetmja që e vuri re atë : thuhet se Shirley MacLaine, e fiksuar pas tij, i ra të fikët.

Ndryshe nga Uliksi homerik, ai nuk është me të vërtetë grek. “Unë kam lindur në Sarajevë në ’36. Sidoqoftë, kam jetuar shumë në Shqipëri. Nuk ka asnjë vështirësi për tu bërë Uliksi grek : meqenëse jam profesionist, menjëherë e gjeta veten grek”. Ka filluar të recitojë në moshën 19 vjeçare, së pari në Prishtinë (“Unë qëndrova atje për një vit në Repertoire Théâtre”), pastaj në Beograd (“këtu kam studiuar me Mara Millosheviçin, një nga artistet më të mëdha jugosllave”) Debutimi nisi në ’58: me pjesë të vogla në Teatrin Sperimentale dhe me Grupin 212. Dhe së fundmi kinemaja: në ’62 “Sasha” të Radenco Ostovjiç, “me të cilin u vlerësova nga kritika”.

Vitin tjetër akoma teatër në Jugosllavi: të Harold Pinter “The Guardian – Roja”.

Dhe së fundi Uliksi. Një triumf jo vetëm në Itali, por edhe në Gjermani dhe, mbi të gjitha, në Francë. “Këtu”, kujton Rossi, “në fillim ishte planifikuar një herë në 15 ditë dhe jo në mbrëmje. Pas episodit të parë, u planifikua në mbrëmje dhe dy herë në javë”. Gjithçka sugjeronte që aktorët dhe regjisori do të kishin një të ardhme me triumfe. Sidomos ai, Uliksi i bukur, ndoshta ai ishte i destinuar të ishte Omar Sharif-i i ri.

“Unë e fillova këtë karrierë në një mënyrë shumë hollivudiane, në vitin 1968 me filmin “Aventurierët”. Regjisori ishte Lewis Gilbert, ai i “Alfie”, suksesi i madh i Michael Caine. Dhe kisha partnerë Candice Bergen, Olivia de Havilland dhe Ernest Borgnine. Në fakt ndodhi ndryshe. Filmi nuk pati sukses. Dhe unë, pavarësisht Uliksit, u ktheva mbrapa. Më ka mbetur teatri, në Jugosllavi.”

Atëherë, keqardhje? “Jo, natyrisht, unë do të bëja sërish gjithçka që kam bërë. Edhe Odisenë. Me kënaqësi. Kam një kujtim kaq të bukur! Në fillim kishte shumë vështirësi, sepse trupa përbëhej nga italianë, francezë dhe gjermanë, ne nuk mund ta kuptonim njëri-tjetrin. Atëherë gjithçka u bë e lehtë. Ndoshta meqë xhirimet bëheshin në shtëpi, në Jugosllavi”. Dhe ai ka shumë kujtime. Gjithashtu sepse atëherë, në ato skena, ato të rrezikshmet, ai nuk kishte një dublues. “Në skenën e Polifemit u hodha me të vërtetë në det nga gjashtë metra lartësi. Dhe kështu në skenën e stuhisë deti dhe stuhia ishin vërtet reale. Për më tepër, ishte muaji dhjetor. Ekzistonte rreziku për t’u prekur nga pneumonia”.

Guximtar, e kujton Franco Rossi : “Kur në fund zhvillohet lufta me pretendentët e Penelopës, mendova se ai do të vriste vërtet disa. Por papritmas duke parë gjakun e rremë që dilte nga plagët e një aktori u ndal dhe filloi të qante. Pyes veten pse”. Mbase këto ankthe vënë në pah sharmin e tij. Megjithatë, duke e parë atë në realitet (dhe kjo konfirmohet edhe nga të gjitha intervistat që ka dhënë ndër vite) ai është një njeri i qetë, pothuajse banal. Vetëm magnetizmi i syve është i ndryshëm: “Këtë e thonë tashmë të gjithë”, thotë ai në mënyrë agresive. Sa për pjesën tjetër është i njëjtë me shumë të tjerë, madje edhe me shijet : në muzikë, preferon klasiken, të Beethovenit; këngët e Tom Jones; në sport : notin, tenisin, basketbollin (dhe boksin të cilin gjithashtu e ka praktikuar); në kuzhinë, gatimin klasik të nënës dhe për tu argëtuar, të zakonshmet si vallëzimin (ballon) dhe kinemanë. Me pak fjalë, një i qetë : megjithatë mund të imagjinohej ndryshe, të paktën i munduar, në “kërkimin e furishëm për të…”.

Përkundrazi ai nuk po kërkon as dhe një grua. Edhe në dashuri është një njeri i qetë. “Dashuria ime e pare”, kujton ai, “quhej Drava, ajo ishte e vogël dhe brune. Isha pesë vjeç”. Dhe pastaj në moshën 30-vjeçare, dashuria e vërtetë. Branka Petriç, bjonde me sy blu. Ndoshta gruaja edhe nëse këtë nuk e konfirmon. Me pak fjalë, njeriu tërheqës është ndoshta një burrë i qetë. Aq paqësor saqë ka humbur rrugën e tij drejt famës dhe suksesit. Dhe, siç thamë, edhe aktorët e tjerë të “Odisesë” nuk kanë fituar famë me kalimin e kohës : francezja Kira Bester-Calipso është zhdukur. “Nuk di asgjë për të”, thotë Franco Rossi. Po të tjerët ? “Telemakun – Renaud Verley nuk e mbaj më mend. Edhe Juliette Mayniel u harrua gjithashtu. Rezistuan vetëm ata që tashmë kishin në farë lloj drite të caktuar artistike”. Dhe mes këtyre Irene Papas. Së pari aktore elitare, pastaj shumë e njohur (popullore). Diva e angazhuar e Costa Gavras-it (Z, orgjia e pushtetit) dhe tani Ifigjenia e Cacoyannis. Dhe akoma është një aktore e filmave televizivë (me Rosin në “E in Crista si è fermato a Eboli”). Por mbase për publikun e gjerë mbetet ende Penelope. Dhe me Uliksin me ngjyra provon sërish popullaritetin.

STEFANIA BARILE

LETËR – KËMBIM MUSTAFA KRUJA – KARL GURAKUQI: Elementi arbnesh, nji urë e sigurtë ndërmjet atdheut të gjakut e atdheut adoptiv

 

 

Palermo, 1.VI.1954

 

I dashuni mik,

Kemi gëzimin me të lajmue se nën hijen e Qeverís Krahinore Siciljane na âsht dhânë mâ së fundi mundësija me rifillue mâ me gjallní veprimtarín e Qêndrës s’onë, e cila tashmâ âsht e pajisun me nji selí të veten, sado të vogël, pranë Qêndrës së Bashkëpunimit Mesdhetár të Palermës, i së cilës Qêndra e jonë âsht nji nga themeluesit.

Tue përfitue nga këto mundësí të reja, kemi vendosë të mbajmë nji Kuvend të dytë të Studimevet Shqiptare në Palermë me 27, 28, 29 qershuer të këtij vjeti.

Kemi shpresë të ngulun se do të kemi nga Qeveria Krahinore Siciljane ndonji ndihmë financjare. Në ketë rasë do të të lajmojmë për së shpejti se deri ku do të jemi në gjendje me të lehtësue shpensimet e udhëtimit e të qëndrimit në Palermë. Ndër këto ditë do të të dërgojmë programin e Kuvendit.

 

 

Të përshëndesim

Sekretari i Qëndrës

Karl Gurakuqi

Të pata shkrue nji letër të gjatë. A thue nuk Të ká rá në dorë? Të falem e Të puthi, i yti,

Karl.

 

 

Ramleh (Alexandrie), 10.VI.1954

Rue Eglise Grecque, 2

 

Qêndrës Ndërkombtare për Studimet Shqiptare

Palermë

Miq të ndershëm e të dashun,

Kumtesa kurteze e juej me të parën e këtij mueji më ka mbërrîmë si nji sihariq i madh. Themelim’i asaj Qêndre në kryeqytetin e të dý trevave të mëdha, Siqilí e Kalabrí, qi pesë shekuj parandej qenë bâmë strehë shpëtimtare e disa mijë familjeve arbnore, ka qênë nji ndodhí qi pat mbushun me gzim e shpresë shumë zêmra Shqiptarësh. Por ky gzim e kjo shpresë patën nisun të porriten përditë mâ fort tue mos u pamë shênje gjallnije për t’u çëmuem n’atë themelesë aqë të bujshme e premtuese. Pra nji arsye mâ tepër, kjo, për me u gzuem tash nga prospektivat e ardhëshme qi keni pasun mirsinë me më kumtuem.

Me këtë rasë, nuk po më rrihet pa thërritun kujdesin e asaj Qêndre  – e nëpër tê të kujdo qi duhet – mbi nji pikë që më lodh mênden tash sa kohë. Argumenti qi po due me prekun ka nji âmzë (sapore) politike; por ju e dijni e e kuptoni të gjithë se sod asnji veprimtarí shoqnore nuk shpëton nga kthetrrat e politikës. Pra desha me thânë se nuk dij a âsht e informueme ajo Qêndër e sidomos qeverij’e Romës se Shqiptarët e Kosovës janë tue zhvillue sod nji veprimtarí arsimore e kulturore aqë të madhe se s’ka qênë kurrë as në Shqipnin’e lirë: s’ka mbetun fshat n’atë trevë shqiptare pa shkollë fillore, s’ka mbetun qytet pa nji shkollë të mesme shqipe; perjodisht bâhen kuvênde arsimore e gjuhsore, fletore e rivista botohen shqip ndër qytetet mâ kryesoret, si në Shkup, Prishtinë e gjeti, vepra letrare e gjuhe dalin pa kursim, e të gjitha këto me shpenzimet e qeverisë jugoslave. Vetëm fjalorë sërbisht – shqip janë botuem nji në 1950 e nji tjetër në 1953, ndërsa qeverija komuniste shqiptare vetë s’ka nxjerrë deri tash, me sa dij un, veçse nji fjaluer të vogël prap sërbisht – shqip.

Nuk besoj se lypet nji mênde veçanisht e prehët për me i dhânë dum se deri ku mund të mbërrîjnë me kohë pasojat politike të ksaj veprimtarije tejèt mjeshtrore të dirigjentavet jugoslavë, ndërsa kurrgjâ nuk bâhet për t’a kundërbalancuem, nemose deri diku, n’anën tjetër t’Adrijatikut. Un s’kam asnji pretendim me u kallzuem dirigjentave të Romës rrugën e interesave t’atdheut të tyne në nji sektor të botës a në nji tjetër, si nji nga popujt mâ të mëdhajt t’Evropës, as qi jam i cilsuem për nji gjâ të tilë. Un jam vetëm Shqiptar, por nji Shqiptar qi e ka pamë shpëtimin e t’ardhëshmen e popullit të vetë të vogël vetëm në rrugën e Perëndimit, pra në nji miqsí të ngushtë e leale me popullin italjan: këtë rrugë na tregojnë të gjitha traditat e vêndit t’onë qyshë prej antikitetit e deri sod. Por Roma do të gabohej sikur të kujtonte se dy miljon Shqiptarë të botës janë të gjithë kryeneça si un; psikologjij’e popujvet âsht nji tjetër. Vetë historij’e Italisë na mëson se si popujt ashtu edhe njerzit qi i dirigjojnë shpesh herë rrëmbehen prej rrymash qi s’i kanë menduem as deshiruem kurrë. Më pëlqen, pra, me besuem, së paku me shpresuem se Roma s’ka mbërrîmë me e quejtun Shqipninë as definitivisht të humbun as quantité négligeable [1] për interesat e saja.

Tue marrë para sŷshë sa thashë mâ nalt, më thotë mêndja se në Romë nuk âsht çëmuem Qêndra Ndërkombëtare e Studimevet Shqiptare në vlerën e vërtetë qi ka e sidomos qi âsht suscettibile [2] me pasun për interesat reciproke italo – shqiptare në kohën e ardhëshme po të kurohet e të kultivohet si duhet. Ai institut, me ngjyrën apolitike e cilsinë “ndërkombtare” qi ka, kishte me u bâmë nji qêndër tërhjekse shpirtnore për të gjithë patrijotët shqiptarë të shpërdamë në të katër anët e botës e kishte me ngjallë traditat e nj’atij elementi arbnesh qi ka shërbyem kurdoherë me shkrimtarët, politikanët e shtetistat e tija si nji urë e sigurtë ndërmjet atdheut të gjakut e atdheut adoptiv. Âsht nji institut kulturuer, e prandej asnji Shqiptar nuk do t’i trembet për qëllime imperjaliste në qoftë se nuk e kanë verbuem paragjykime italofobe; si institut ndërkombtar, tue përfshîmë në gjî të vet edhe dijetarë prej kombesh qi s’kanë interesa politike në Shqipní, paraqet nji garantí edhe mâ të madhe faqe kujdo. Por mb’anë tjetër, po të dojë Roma, nji ditë mund të bâhet pa dyshim piknisja e pikpështetja kryesore e depërtimit kulturuer t’Italisë në Shqipní. Bota mbarë gjindet sod në rrugën e nji transformimi radikal e as populli shqiptar s’ka për të mbetun e s’ka si jet përjashta këtij evolucjoni. Edhe ndër ne politik’e klanevet duhet zânë e perëndueme. Âsht në zhvillim e sipër nji frymë e re, nji frymë kolektiviteti qi ka për bazë kulturën. Qe se pse nji Qêndër Ndërkombtare për Studimet Shqiptare n’Italí âsht e destinueme me pasun nji rândsí shumë të madhe në marredhânat italo-shqiptare. Por natyrisht nji Qêndër qi t’i ketë të gjitha mundsitë me vepruem. Masat gjymsake janë gjithmonë e kudo në short me deshtuem e sakrificat e bâme për to me shkuem kot.

Palerma âsht selija ideale e Qêndrës, për shumë arsye, jo mâ e mbrapmja arsyeja politike. Por për me u bâmë ashtu si duhet e si u mundova me e përshkruem ndër vija të përgjithëshme, nuk mjafton ajo ndihmë e vogël qi mundet me i dhânë qeverija regjonale e Ishullit dhe shërbimi qi pritet prej saj përfshîn interesat kombtare t’Italisë mbarë.

Të më falni, ju lutem, o miq të dashun, se ndoshta deshiri me e pamë atë Qêndër në naltsin’e rolit qi besoj se âsht e thërritun të lozë më shtŷni me hŷmë mâ thellë se më përket.

Do t’i kisha ruejtun këto idé bazilare të mija bashkë me tjera qi kam mbi veprimtarin’e Qêndrës për t’i shfaqun me gojë kur të vijsha me marrë pjesë në kuvêndin e afër. Por me shumë keqardhje më duhet me lypun ndjesën t’uej, mbasi ndodhem në pamundsí absolute me luejtun sod për sod prej këndej. Ju uroj pra qyshë tash nji kuvênd të mbarë e të frytshëm e ju përshëndes me zêmër.

Mustafa Kruja

Palermo, 18.6.1954

I dashuni mik,

Tue qênë se shum prej miqvet e kolegvet t’onë na kanë shkrue se nuk mund të marrin pjesë në datën e parapame për Kuvendin e Studimevet Shqiptare, prejsè të penguem nga detyra të ndryshme akademike, u pá e nevojshme qi Kuvendi të shtŷhet për në ditët e para të shtatorit.

Do të vijojmë të rrijmë në marrëdhanje me të ftuemit për çdo lajm në lidhje me Kuvendin.

 

Sekretari i Qêndrës

Karl Gurakuqi

 

Palermë, 23, 6. 1954

 

I dashtuni Mustafë,

Më râ në dorë letra e Jote bashkë me letrën drejtue Qêndrës. Kjo e fundit më pëlqeu shum, pse mendimet e çfaquna në tê përkojnë plotsisht me të mijat. Shpesh herë kam çue zânin për t’u a mbushë mendjen Italjanvet, qi të ndjekin nji rrugë të ndryshme nga ajo e sotmja kundrejt çâshtjevet shqiptare. Mjerisht zâni i êm âsht tepër i ulët e nuk mërrînë atje ku duhet. Letrën t’Ânde do t’i a parashtroj Këshillit të Qêndrës, të përkthyeme italisht; jam i sigurtë se do t’a bâjë at efektin e vet, do t’u a njoftoj edhe miqvet t’onë të përbashkët në Romë, të cilët ndoshta mund të bâjnë ma tepër se unë.

Po më vjen keq, si paska humbë letra e ême. Me Të kallxue të drejtën, kam pasë frigë qi Ti më ishe idhnue kah vononte përgjegja. Më duket, në qoftë se nuk kam harrue, se Të pata shkrue se kam përpilue nji gramatikë të shqipes; janë mësimet e dhânuna në universitet. E kam botue në dispensa, por mjerisht deri tash vetëm pjesën e parë deri ndër verba. Në qoftë se e dishiron, jam gatí me T’a dërgue. Letrën T’a pata dërgue ajrore e çuditem se qysh ká mujtë me humbë; ká qénë mun ndër ato ditë turbullimesh n’Egypt.

Simjet kemi pasë përsërí dý theza në gjuhën shqipe; 1) Gli articolí congiuntivi dalle opere di G. Schirò; 2) Vita e opere di P.F. Cordignano.[3] Në vjeshtë do të kemi prap të tjera, ndër të cilat nji studim mbí fjalorin dhe fjalët e urta të Bardhit.

Shum të fala nga Hanni e nga Gilberti. Fal me shëndet motrës.

Të përqafoj e Të puthi me dashuní

I yti Karl

 

Ramleh, 5 gusht 1954

 

I dashuni Karl,

Mirë mjaft qênka bâmë e shtŷmj’e kuvêndit. Por veçanë për mue as ky afat’i dytë s’ka për të bâmë dobí. Besoj se ti do t’a keshë marrë vesht mirë qi tashmâ un s’kam si luej këndej vetëm. Pritet javë për javë, për mos me thânë ditë për ditë (ase, në të pëlqeftë shqipja… moderne, dita ditës!) tash sa kohë dyndja e përbashkët e komitivës s’eme. E po të ndodhë kjo tue qênë un përjashta mue nuk më bie mirë. Kjo dyndje mund të gjajë (apo ngjajë?!) edhe mjaft vonë, por âsht nji gjâ qi s’dihet.

  1. Natyrisht kam me t’a dijtun fort për nderë dërgimin e dispensave të mësimeve të tuja n’universitet e ka qênë e tepër me më thânë në qoftë se i deshiroj. Por për arsyen qi të thashë mâ nalt duhet të m’i dërgojsh të porosituna, qi mos të na hupin.
  2. Mos u çudit se pse ka humbun letr’e jote. Letra humbin shpesh këtu, aqë sa shpesh herë ka protestuem edhe shtypi.
  3. Dý themat qi paskeni rrahun simvjet aty edhe ajo qi do të rrahkeni në vjeshtë qênkan mjaft interesante. Por duhen botuem. Apo s’ka lemë ende Gutenbergu për atê Qêndër aty?
  4. Ç’u bâ rivist’e famshme qi do të dilte aty e për të cilën ishte gati krejt lânda e numrit të parë? E P.Valentini a âsht gjithnji aty?

Kur të të dalë rend mos përto me më shkruem, se un nuk rrij pa t’u përgjegjun, e mos u trêmb qi të mërzis mâ me rrahje të gjata argumentesh gjuhore! Bashkë me motrën ju përshëndesim miqsisht tý me gjithë të tujtë.

I yti                                                                                                                                                Mustafa

P.S. Cili âsht plan’i juej për rivistën? Po të m’a shkruejsh hollsisht mund të kemë edhe un ndoshta ndonji idé të dobishme për tê.

[1] Frengjisht : Sasi e papërfillëshme  ( E.M.)

[2] Italisht : e përmirësueshme (E.M.)

[3] Italisht : 1) Nyjet lidhore nga veprat e G. Schirò  2) Jeta dhe  veprat e Atë F. Cordignano (E.M.)

Letrat e panjohura të Sejfulla Malëshovës nga Lenigradi: “Tajar Zavalani i përktheu instruksionet për komunistët jugosllavë, kurse Zai Fundo…”

Dashnor Kaloçi

Publikohen dy letra të panjohura të Sejfulla Malëshovës, ish-ministrit të parë të Kulturës në qeverinë komuniste të Enver Hoxhës, në vitet 1945-1946, i cili në 1928-ën, kur ndodhej me studime në Bashkimin Sovjetik, me një bursë të dhënë nga KONARE-ja, u shkruante shokëve të tij të grupit komunist. Çfar thuhet në ato dy letra dhe kush ishin anëtarët e tjerë të atij grupi komunist, të cilët Faik Konica i quante “agjentë të bolshevizmës”, që një ditë do të ktheheshin në atdhe dhe do t’i vinin zjarrin Shqipërisë!

“Ju atje duhet të jini qëndra e degës të Republikave të Bashkuara të Sovjetëve të grupit tonë. Kjo degë pas mëndjes s’onë duhet të qeveriset prej një sekretari. Si sekretar ne propozojmë Demir Godelin. Mbi punën e sekretarit, d.m.th., se cilin mendoni ju se duhet të jetë, na shkruani dhe kështu të vendoset njëherë e mirë e të nisë nga puna dega. Edhe ne të Komisionit të Përgjithshëm të degës, jemi antarë dhe si të tillë pagesat e përmuajëshme etj., do t’i dërgojmë atje. Dega të ardhurat e saj do t’i përdorë si për nevojat e degës dhe kusurin do ta nisë në qëndrën e përgjithshme. Me Naumin duhet të hyni drejt për drejt në lidhje. Ju atje të Moskës duhet të mblidheni shpesh në mbledhje zyrtare dhe të bisedoni në punrat e Grupit”.

Kështu shkruhet midis të tjerash në njërën nga dy letrat e gjetura kohët e fundit në Arkivin Qendror të Shtetit në Tiranë, ku Sejfulla Malëshova (ish-ministri i parë i Kulturës në qeverinë komuniste të Enver Hoxhës në vitet 1945-‘46) ua dërgonte ato shokëve të tij të grupit komunist, në vitin 1928, kur ai ndodhej me studime në Bashkimin Sovjetik, pas bursës së dhënë nga Komiteti Nacional-Revolucionar (KONARE), që kryesohej nga Fan Noli.

Po çfarë ishte Komiteti Nacional-Revolucionar, kur ishte formuar ai? Kush e kryesonte dhe cili ishte aktiviteti i tij politik? Çfarë shkruhet në dy letrat e Malëshovës (të cilat po i publikojmë të plota më poshtë në këtë shkrim) dhe kush ishin anëtarët e tjerë të atij grupi komunist, për të cilët, Faik Konica thoshte se një ditë ata do të kthehen në atdhe dhe do t’i vënë zjarrin gjithë Shqipërisë?!

Çfarë ishte KONARE?
Pas rikthimit të Ahmet Zogut në pushtet, në fundin e dhjetorit të vitit 1924, pothuajse pjesa më e madhe e kundërshtarëve të tij politikë, që ishin implikuar në grushtin e shtetit të qershorit të atij viti, apo siç është njohur ndryshe nga propaganda dhe historiografia e regjimit komunist të para viteve ‘90-të si “Revolucioni demokratiko-borgjez i Qershorit 1924”, i cili rrëzoi me forcën e armëve qeverinë e ligjshme të Shefqet Vërlacit, u detyruan të largoheshin nga Shqipëria.

Pjesa më e madhe e tyre u vendos kryesisht në Bari të Italisë, ku përfituan dhe statusin e azilantit politik, si dhe në Francë e Austri. Grupi kryesor i kundërshtarëve më të betuar të Zogut, u vendos në Vienë dhe që nga kryeqyteti austriak ata vendosën që ta vazhdonin luftën për përmbysjen e qeverisë së Ahmet Zogut, e cila kishte dalë nga zgjedhjet e lira të janarit të vitit 1925.

Në këtë kontekst, ata u përpoqën të gjenin aleatët e mundshëm, ku do të mbështeteshin për vazhdimin e luftës së tyre kundër Ahmet Zogut. Kështu, një pjesë e mërgatës politike antizogiste e Vienës, që kishte si udhëheqës kryesor të saj Fan Nolin, vendosi që të mbështeteshin te Bashkimi Sovjetik, i cili në atë kohë luante dhe rolin kryesor të lëvizjes komuniste në të gjithë botën.

Pas kësaj, ky grup i dërgoi një letër qeverisë sovjetike, ku me anën e saj ata i kërkonin përkrahje morale dhe politike në luftën kundër regjimit të Zogut, të cilin ata e quanin qeveri reaksionare. Pas kësaj, ky grup vendosi lidhjet me Federatën Komuniste Ballkanike dhe nëpërmjet saj me Internacionalen Komuniste (Kominterni). Pas kësaj, duke u mbështetur në ndihmën e Federatës Ballkanike, ky grupim politik që kryesohej nga Fan Noli, më 25 nëntor të vitit 1925, organizoi në Vienë një konferencë, ku u përfaqësuan edhe rryma të ndryshme të mërgatës politike shqiptare që ishte vendosur në shtetet e ndryshme të Evropës.

Në këtë mbledhje u formua Komiteti Nacional Revolucionar (KONARE), i cili kryesohej nga Fan Noli. Në këtë komitet, përveç kryetarit të tij, Fan Nolit, morën pjesë dhe Halim Xhelo Tërbaçi, Omer Nishani, Riza Cerova, Kostandin Boshnjaku, Lano Borshi, Dr. Nush Bushati, Aziz Çami, Bedri Pejani, Ibrahim Jakova etj. Ku grupim politik, pas kësaj mbledhjeje e intensifikoi akoma edhe më tepër luftën kundër Ahmet Zogut, sidomos me anë të gazetës së tij, “Liria Kombëtare”, të drejtuar nga Lano Borshi dhe Halim Xhelo, të cilën ata e nxirrnin në Gjenevë.

Në atë kohë, në sajë të lidhjeve që KONARE krijoi me Bashkimin Sovjetik, u bë e mundur që 14 shqiptarë të shkonin me studime në Moskë dhe Leningrad. Këta studentë ishin: Ali Kelmendi, Asllan Pejani, Qamil Çela, Fetah Ekmekçiu, Demir Godelli, Xhevdet Meqemeja, Ymer Domi, Naum Prifti, Rexhep Filati, Reshat Këlliçi, Reshit Daçi, Sejfulla Malëshova, Selim Shpuza dhe Haki Stërmilli.

Më pas, aty nga prilli i vitit 1927, ky grupim politik i quajtur KONARE, e ndërroi emrin e tij dhe filloi të quhej Komiteti i Çlirimit Nacional. Aty nga fillimi i viteve ’30-të, një pjesë e krerëve kryesorë të Komitetit të Çlirimit Nacional, si Ali Kelmendi, Omer Nishani, Riza Cerova, Halim Xhelo etj., u kthyen në Shqipëri, por pa mundur që të organizoheshin dot dhe në atë periudhë nuk patën ndonjë veprimtari të spikatur komuniste.

Gjatë viteve të regjimit komunist, veprimtaria e KONARE-s u manipulua e u falsifikua dhe në librin “Historia e Shqipërisë”, nuk u pasqyrua e vërteta e saj. Kështu u hoqën fare dhe nuk u pasqyruan aktiviteti i krerëve kryesorë të saj, si Lano Borshi, Ibrahim Jakova, Aziz Çami etj., të cilët gjatë viteve që pasuan nuk e ndoqën më lëvizjen komuniste, që kishin nisur në rininë e tyre. Përveç kësaj, në librin “Historia e Shqipërisë” (botimi i vitit 1984) u falsifikua pothuaj krejtësisht dhe deklarata e KONARE-s, e cila u nënshkrua në mbledhjen e 24 prillit të vitit 1927.

Konica kundër KONARE-së

Veprimtaria dhe aktiviteti i grupimit politik të inkuadruar në Komitetin Nacional-Revolucionar, që udhëhiqej nga Fan Noli, përveç reaksionit që ngjalli në qeverinë e Ahmet Zogut, pati dhe kritika të shumta nga personalitete të diasporës. Një nga këta ishte dhe Faik Konica, i cili asokohe kryesonte shoqërinë atdhetare “Vatra”, që përbëhej nga emigrantë shqiptarë të vendosur në SHBA-ve.

Në gazetën “Dielli” (Boston, e shtunë 15 maj 1926), që nxirrte Shoqëria “Vatra”, lidhur me veprimtarinë e grupimit politik të Fan Nolit dhe lidhjet e tyre me Bashkimin Sovjetik, Faik Konica midis të tjerash shkruante: “Nga letra dhe lajme me gojë të mara në kohrat e fundit, përmbledhim këto mi propagandën bolshevike në mes të shqiptarëve. Gjer në funt të Shën-Endreut 1924, propaganda bolshevike në Shqipëri ish në duar të një shqiptari të rritur në Rusi, njeri i hollë, i zoti dhe siç duket i bindur në mirësinë e theorive bolshevike.

Fan Noli në këtë propagandë si në çdo gjë tjatër, ish vetëm një fytyrë e sërës së dytë. E para provë besnikërie që ky grup i vogël i dha Sovietit, qe fjala qesharake e Fan Nolit në Lidhjen e Kombeve, fjalë e pëlqyer në Rusinë Bolshevike, por shumë e dëmshme për Shqipërinë. Me të kthyer të legalitetit në Shqipëri dhe me t’ë ikur të Fan Nolit jashtë, qëndra e propagandës bolshevike u transferua natyrshit jashtë.

Të ikurit, sa kohë patnë para nga ato që kishin prurë prej Shqipërie, nuk u munduan të gjejnë burime të tjera. Po paratë u mbaruan shpejt: dhe menjëherë nisën bisedime me Sovjetin për ndihma, bisedime që muarnë funt të pëlqyer. Përveç shumave të veçanta “për propagandë” që u dhanë, e u japin ca udhëheqësve të lëvizjes, Bolshevikët u kanë lidhur rroga dhe disa të ikurve, të porositur nga udhëheqësit: cave u japin nga 400 franga ar (80$) në muaj, ca të tjerëve nga 500 franga ar, (100$).

Pastaj duke marrë në sy zhvillimet revolucionare që turbullonjësit kanë shpresë të bëjnë më tutje në Shqipëri, guverna bolshevike u kërkojë armiqëve të Shtetit t’onë nj’a dhjetë djem shqiptarë, që të venë në shkollën e veçantë të Moskës, ku formohen axhentat e Bolshevizmës. Këta studentë të çuditshëm, u dërguan dhe janë tani në Moskë, ku nxënë me sistem zanatin e revoluscjes që të venë nesër t’i vënë zjarrin vendit të tyre ose të bien në duart e policisë dhe të humbasin jetën e tyre për dhjamë qeni”.

Letra e parë e Sejfulla Malëshovës

Leningrad 28.01 1928

I dashur shok

Bashkë me këtë po nisim dhe përkthimet, ose më mirë parathëniet vetëm, pse siç e di, ata duan të dinë se ç’kemi shkruar. Ti shko me domosdo te Kollorovi, fol me të nga ana e grupit dhe pyete ç’bën me statutin dhe instruksionet që po përgatisin. Pyete pastaj për Fundon, i thuaj pastaj se pas letrave që kemi marrë ay se ka kuptuar mirë fare çështjen dhe se ne duhet të jemi me të në kontakt, ndryshe s’kemi se si të jemi në kurs të punëve të Shqipërisë. I thuaj ç’qe arsyeja që nuk ja dërguan letrën që i shkruam Fundos dhe përpiqeni të març vesh kur do të mbarohet apokrosimativisht punë e statutit. Në qoftë se kjo do të vejë gjatë, atëhere u thuaj të të thonë ç’mendojnë për grupin dhe pas letrës që kemi kuptuar mirë qëllimet e K J (Komunistëve Jugosllavë) dhe gabimet tona.

Besoj se Kollorovi do të ketë ardhur tashti aty dhe ti me çdo mënyrë përpiqu t’a gjesh. Dhe me punën e përkthimeve pyeti si kanë ndër mënt dhe kur t’i botojnë. I thuaj Hoxhës të na bëjë në formë dekllarat e një shkresë, në të cilën të tregojë arsyet e abstenimit të tij, kur u votua rezollucioni dhe dënimi i Shpuzës edhe bashkë me këtë version e tij të bisedimeve …të nxehta që kini pasur ti me atë dhe Rexhepi me atë.

Këtë e kërkojmë pse dy shokë të grupit Godeli dhe Filati qahen për të dhe njeri prej tyre, Godeli, thotë se Hoxha e motivon abstenimin e tij kështu: Malëshova me Zavalanin kurdisin një intrigë kundër të pafajshmit, të papërlyerit Shpuzë dhe shokët e tjerë i hoqën pas hundës dhe se vetëm Hoxha, i patundur posi shkëmbi, nuk ra në këtë intrigë!

Ne duam të dimë ç’ thotë Hoxha për këtë akuzë që po i bëhet. Pun’ e Ramos ç’u bë? Ju a u futët në parti? Kur të na shkruash duhet që të kesh letrën tonë parasysh dhe pikë për pikë të na përgjigjesh. Dhe te Borisi shko dëndur, e gjete librën mbi çështjen e atyre në Shqipëri? Për punë të gazetave i shkruani Qerimit që të interesohet të na i dërgojnë.

Shokëve të fala

Me mall Sejfulla Malëshova

Letra e dytë e Sejfulla Malëshovës

Leningrad, 25. IX. 1928

Të dashur shokë, ne këtu i jemi vënë punës dhe besojmë që në një muaj e sipër si Abeceja ashtu dhe manifesti Komunist me gjithë shënime do të jenë gati. Veç kësaj Zavalani bëri në maqinë disa kopje të Statutit, të cilën e përktheu dhe rusisht për Kominternin. Juve po ju dërgojmë një kopje. Zavalani përktheu instruksionet rusisht për KJ. Një kopje shqip të instruksioneve po jua dërgojmë. Ju si vini me përkthimet? Duhet që jo vetëm të vazhdoni, po edhe t’a mirni me seriozitetin e duhur. Fundos nuk po i dëgjohet kakrima i duket se ka rënë butë atje në jugë. Kur të vijë mos harroni t’i thoni se duhet të vijë këtu me domosdo.

Kajnon se arrimë dot në stacion atë mbrëmje që u nis. Rexhepi ç’bëri. E kapërxen rezikun e doktorit apo jo? Ju atje duhet të jeni qëndra e degës së Republikave të Bashkuara të Sovjetëve të grupit tonë. Kjo degë pas mëndjes s’onë duhet të qeveriset prej një sekretari. Si sekretar ne propozojmë Demir Godelin. Mbi punën e sekretarit, d.m.th. se cilin mendoni ju se duhet të jetë, na shkruani dhe kështu të vendoset një herë e mirë dhe të nisë nga puna dega.

Edhe ne të Komis, të Përgj. jemi antarë të degës dhe si të tillë pagesat e përmuajshme etj do t’i dërgojmë aty. Dega të ardhurat e saj do t’i përdorë si për nevojat e degës dhe kusurin do t’ia nisë në qëndër të përgjithshme. Me Naumin duhet të hyni drejt për drejt në lidhje. Ju aty të Moskës duhet të mblidheni shpesh në mbledhje zyrtare, të bisedoni në punrat e Grupit. Duhet që të përpiqemi që secili të marrë pjesë aktive në çështjen e përgjithshme dhe të ndjejë se nuk është një njeri i izoluar, por një njeri i organizuar, antar i një organizate luftarake. Ne vendosmë si cilido prej jush muaj për muaj dhe rregullisht t’u dërgojnë nga 5 rubla.

Pra ju duhet ta dini se këto asnjë prej jush nuk ka pse ua dërgon pse ju tek, po pse është i detyruar nga organizata. Dhe ju kini të drejtë të pretendoni që të ju dërgohen me rregull. Shuaip Hajnua do t’i marrë prej Reshat Këlliçit, Salih Hoxha prej Selim Shpuzës, Rexhep Filati prej Tajar Zavalanit, Demir Godeli prej Sejfulla Malëshovës. Shuaipit po i dërgojmë proces-verbalin mi zgjedhjen e Komisionit. Le të na japë mendimin e tij. Presim përgjigjie”.

Për Komisionin e Përgjithshëm
S. Malëshova

Nga ministër në magazinier duhani, historia e Sejfulla Malëshovës, një prej komunistëve më liberalë, që ra viktimë e idealit të tij!

Sejfulla Malëshova u lind në vitin 1903 në fshatin Malëshovë të Përmetit, prej nga është dhe origjina e familjes së tij. Pas mbarimit të shkollës fillore në vendlindje, Sejfullai shkoi në Itali, ku ndoqi studimet në kolegjin e arbëreshëve të Kalabrisë në Shën-Mitër Koronë. Pas mbarimit të atij kolegji, ai u kthye në Shqipëri dhe u angazhua në organizatën revolucionare “Bashkimi”, të cilën e kishte themeluar Avni Rustemi.

Si shumë të rinj të tjerë të kësaj organizate, edhe Sejfullai mori pjesë në grushtin e shtetit që nga historiografia e para viteve ’90-të njihet si “Revolucioni i Qershorit” i vitit 1924 dhe pas triumfit të tij, ai përreth gjashtë muaj punoi si sekretar i Kryeministrit Fan Noli.

Pas rikthimit të Zogut në pushtet, në dhjetorin e vitit 1924, Sejfullai u largua jashtë Shqipërisë. Në fillim ai u vendos në Itali dhe më pas në Vjenë të Austrisë. Në vitin 1926, me ndihmën e KONARE-s, të drejtuar nga Fan Noli, ai përfitoi një bursë shtetërore nga qeveria e Bashkimit Sovjetik dhe për pesë vjet vazhdoi studimet në Fakultetin e Filozofisë në Moskë.

Pas mbarimit të studimeve në vitin 1931, ai u zgjodh në krye të shoqatës së shqiptarëve, që studionin në Bashkimin Sovjetik. Nga viti 1931 e deri në vitin 1941, Sejfullai punoi në Moskë pranë KOMINTERNIT, si dhe pedagog në fakultetin ku studioi vetë. Gjatë asaj periudhe, falë gjuhëve të huaja që zotëronte, ai u dërgua nga Kominterni me detyra të ndryshme në disa shtete të botës.

Pas një emigrimi të gjatë, Sejfullai erdhi në Shqipëri në marsin e vitit 1943, pasi kishte qëndruar përreth dy vjet në Francë. Pasi qëndroi për disa kohë në Tiranë si ilegal, Sejfullai mori pjesë në Konferencën e Parë të Partisë Komuniste të Shqipërisë të zhvilluar në Labinot, ku dhe u zgjodh kandidat i Komitetit Qendror. Kur filloi operacioni gjerman i dimrit, ai doli në mal dhe qëndroi pranë Enver Hoxhës e Shtabit të Përgjithshëm deri në mbarimin e Luftës.

Në tetorin e vitit 1944, në mbledhjen e Beratit, ai u zgjodh në qeverinë e parë provizore të kryesuar nga Enver Hoxha, duke marrë postin e ministrit të Kulturës dhe Shtypit. Këtë post ai e mbajti deri në shkurtin e vitit 1946, kur në Plenumin V-të u përjashtua nga Byroja Politike dhe Komiteti Qendror. Kjo gjë erdhi si pasojë e luftës për pushtet që zhvillohej në atë kohë brenda udhëheqjes së lartë komuniste, ku Enver Hoxha veç të tjerash thjuhet se e shihte Malëshovën edhe si rival kryesor për kreun e PKSH-së.

Pas kësaj, për dhjetë vite me radhë ai punoi si ekonomist në Bankën Kombëtare në Tiranë dhe në vitin 1956, atë e internuan fillimisht në qytezën e Ballshit, ku u la të banonte në një barake të vjetër. Gjatë kësaj kohe (në vitin 1949) Malëshova u përjashtua edhe nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve, duke u cilësuar si “element antiparti”.

Pas pak kohësh nga vajtja në Ballsh, atë e lejuan të banonte në qytetin e Fierit, duke punuar si magazinier lëkurësh e më pas duhani në një Ndërmarrje Bujqësore. Sejfullai jetoi krejt i vetëm, deri sa vdiq në mjerim të thellë në vitin 1970 dhe në varrimin e tij mori pjesë vetëm e motra, e ardhur nga fshati, si dhe dy nipat e tij./Memorie.al/

VIRUSI  PYET  PO  KET  A  E  DINI “ISHTE  KTHYE  HAXHI  QAMILI!?” – Nga Fritz RADOVANI

Tirana në festë…

Erdhi nga Berlini edhe “Haxhi Qamili” i shekullit XXI… Xhonturqit, esadistët, filoserbët dhe drogagjijtë e Tiranës së “rilindjes”, nuk mund të perkujtojnë as sesi 105 vjetorin e vrasjes tradhtisht prej tyne të Dedë Gjo’ Lulit… I vetmi pasues i denjë i të Madhit Gjergj Kastrioti – Skenderbeut.

Janë shumë të prekun fudullët nga udhtimi i fundit pa sukses në Berlin…

E pra drogaxhinjve tanë si “dera nr. 1” e Europës në Ballkan Perëndimor, kudo e kurdo tue fillue nga Moska, Beogradi, Stambolli, Athina e deri në Pekin, deri para dy ditësh askush nuk ua “kyqur” deren e oborrit… Janë pritë e qitë si “pasues” besnikë të Haxhi Qamilit… E, deri tek i “paemni” i Sakakut të Marrve të Kalasë së famëshme të Gjirokastres…Që i pat dhanë “Perandorisë së të keqes” një “hero” aq të “math” (jo me dh), gati gati sa tavarish Stalini, se nuk po tham sa carët e njoftun të Rusisë, apo sulltanët vrasës të viteve të pafund të robnisë otomane të dyerve të Stambollit…

Asht e para herë që Shqiptarve në tridhjetë vjetët e fundit i “buzëqeshë” historia antieuropjane e Esad Toptanit e Haxhi Qamilit.., që me litar në fyt po i bije nder mend me mbulue Monumentin e Kastriotit, bash aty ku kerkojnë me u shkrrye pertokë kur stamollistët të vijnë prap në Tiranën e “kuqe” të “rilindjes”.., së nipave esadistë  e everist e, trashigimtarve të tyne, deri tek monumentet e “heronjve turqë”… apo “vorrezat” greke…  

Thonin dikur pleqtë tanë per zagart’ e Ballkanit, kur vinin ashtu si sot: “U kthye me bisht ndër shalë”…E nuk besoj se ka shprehje që i pershtatet ma shumë se kjo, kryetarit trashigimtar të grupit shpartallues të shtetit antishqiptar të tradhtarëve pasues të shekullit XX e XXI, në Shqipni !!

            Melbourne, 24 Shtator 2020.

LETËR – KËMBIM MUSTAFA KRUJA – KARL GRAKUQI: Italjanët s’kanë për të ndëgjuem kurrë lajka prej gojës s’eme

 

 

 

Ramleh, 15.VII.1953

 

I dashuni Karl,

Un s’po due mâ me të munshtuem për vonesën e përgjegjes s’ate, se të kam rrahun fort ndër letrat e kalueme: s’duhet me e ngushtuem tjetrin deri qi t’i plasë delli, se atëherë prishet krejt në vênd qi të bâhet mâ i urtë!

Po më vjen fort keq për sëmundën e t’ânde shoqe, edhe për tý besa. I uroj me gjithë zêmër nji shrim të shpejtë e nji operacjon të dalun në krye si duhet.

Për punët e tjera, tý e P. Valentinit s’ju a báj fort kujdesin, se vetë keni dashun të ngarkoheni aqë rândë. E mbandej në nji mënyrë anormale, më duket mue. Ti duhej të merrshe kathedrën e gjuhës e Valentini, përkundrazi, atê të fesë myslimane, e puna do të kishte ecun mâ limuetë. E mir’e të miravet, Valentini të kishte vetëm kujdesin e zhvillimit e të veprimtarisë së Qêndrës së Studimevet e për njânën kathedër të kishi gjetun nji tjetër kompetent. Por e kuptoj edhe se këto të mijat janë hesape pa hanxhiun qi ka në dorë çelsat e kasës.

Un të kam pasë premtue ndonji vepër islamologjije. Kam kërkue nji qi më ka pasë pëlqyem fort, të titulluem Visage de l’Islam.[1] Por këtu n’Aleksandrí s’e kam gjetun. Mund të porosis kênd me qyrë edhe në Kahire (kështu emn’i drejtë i Kajro-s: Äl-Qāhira). Veçse due të dij mâ parë nëse ti e merr vesht mirë frëngjishten. Lânda programore qi paske nisun me zhvilluem, në qoftë se ka siguruem interesimin e studentavet edhe rrogën t’ânde, âsht e bukur sa s’ka. Por për punë serjoze s’âsht kurrkund. Për kështu, qe programa qi kisha me të kshilluem un:

  1. Përshkrim’i gjysishullit arabik, djepit t’Islamit: gjeografik e historik.
  2. Arabët para Islamit: jeta shoqnore, besimi, morali, zakonet e tyne.
  3. Jet’e Mohammedit: fis’i tij (tribù) vllaznij’e tij (clan), familja e tij, ai vetë, themelim’i fesë së tij.
  4. Nji synthesë historike e morale e mbretnisë byzantine deri në përhapjen e Islamit.
  5. Elementa të fesë mazdeiste (të Zarathustrës).
  6. Katër khalifët e parë e kris’e madhe islamike me kthimin e republikës në mbretní.
  7. Arsyet themelore të përhapjes s’Islamit.
  8. Qytetnija islame.
  9. Institutat themelore islamike: familja; Shteti.
  10. Filosofija islame.

 

Qe lândët qi ti duhet të zhvillojsh në deshiron qi të vijnë me të ndëgjuem jo vetëm djelmosha e vajza me të cilët tý t’a ka ânda edhe me bâmë horë (fjalë Kruje kjo) nga nji herë, por edhe profesorë. Por puna qëndron ashtu si thashë mâ nalt, sbarcare il lunario,[2] e mjaft mirë nëse kohën e kursyeme i a kushton gjuhës shqipe.

Uroj me gjithë shpirt qi të sendërtohen planet qi paskeni vizatuem me Valentinin për Qêndrën. Sa për punën t’eme, si të ju vijë mbarë ashtu bâni. Un të kam shkruem tý, i kam shkruem P. Valentinit e gjithashtu edhe Ernestit. Sa për nji kafshatë bukë, mos bani shumë kujdes, se faleminderës Zotit atê e kam të sigurueme në çdo rasë sa të kem shëndoshë djalin.

Tue përmêndun tash Bashkimin, m’u kujtue Paluca, qi banon shi atje afër. Kam hŷmë në letërshkëmbim me tê e themat t’ona janë gati vetëm gjuhore. Qênka ngusht me njânin sŷ i mjeri. E me gjithë këtê s’përton me më shkruem letra të gjata, sidhe un atij. Verevërte, këto s’janë letra, por bisedime e rrahje problemash qi kam tfilluem n’Abetarin t’em, për me bâmë së paku dy Shqiptarë me nji shqipe të vetme! Pata deshiruem me të tërhjekun edhe tý në këtë valle, në këtë kryqtarí (kryqzatë) të shênjtë. Por âsht tue m’u dukun se ti po i a priton. Për me të nxitun, po sprovohem me t’a kujtuem se letrat e këtila ndërmjet neve të treve kishin me zânë vênd denjsisht e për dobí të madhe në nji pjesë të mirë të rivistës (ç’nevojë me e kthyem parashtesën në formën rrânjore re-?) Me këtë qëllim, kam pritun prej teje nji analysë kritike t’abetarit t’em, jo nga pikpamja e methodës didaktike, siç âsht lodhun gjat’e gjatë i shkreti Palucë, por thjesht për sa i përket gjuhës e veçanë orthografisë, qi kanë qënë të vetmet arsye t’atij botimi, e pra po e filloj un, edhe me letra, këtë… “shamatë”, si pat thânë nji herë i shueti D. Lazër. Por pikë së pari ndëgjoje kët’anekdo, se âsht i bukur. Ishim tue ndêjtun rreth zjarmit të Kap. Gjonit në Shkodër në dimnin e 1943 – 1944-s. “Mustafë, i a bân D. Lazri, ti qi ke përpiluem koxha nji fjaluer shqip, a s’më thue se ç’fjalë ke gjetun për diskutim?” I u përgjegja se mjerisht asnji fjalë të përpikët me i u përshtatun asaj s’kisha gjetun. “Si jo, bre, m’a pret ai? Shënoje atëherë se po t’a kallzoj un!” E krejt i kënaqun, nxier un plumçen t’eme e nji copë letër e po shikoj me to në dorë qi të lëvizin buzët e D. Lazrit: “Shamatë” i a bân ai me solemnitet ngadhnjimtarit. E na plasi gazi të tânve sa qemë. Po, për Shqiptarin përgjithsisht, tue kuptuem, natyrisht, Shqiptarin intelektual e jo malsorin, diskutimi s’ka tjetër domethânë posë shamatës.

Veçse për tý, Palucën e mue, nemose rrahja e problemave të gjuhës s’onë nuk mund të ketë tjetër qëllim e karakter posë nj’atyne qi kam shfaqun në parathânën e Abetarit t’em tue folë për Palucën. Me nj’atë frymë pra po i a nis me biseduem me tý mbi disa pika të nxjerra shi prej letrës s’ate, së cilës jam tue i u përgjegjun.

  1. Forma dashtun më duket se tashmâ duhet falë premas thesarit djalektuer të Shqipnisë së Veriut. Krejt Juga me gjithë Shqipnin’e Mesme e flasin pa t; të dashun ase me deshë. Edhe vetë Veriu nuk thotë dashtamirë, por dashamirë; dashun e kanë të moçmit: Buz., Bar, Dozoni. Shkrola t âsht parasite në të tâna verbet ku ka hŷmë ndërmjet themës e mbrapashtesës. Këto pra arsyet e parapëlqimit të trajtës
  2. Në përdorimin e ë-së un po mundohem me formuluem disa parime të përgjithëshme, zbatimin e të cilavet e gjên në pjesën pg. 29 (f. 31) e tutje. Por ka edhe tjera qi s’kanë mundun të hŷjnë atje: a) Po deshëm me pasun nji orthografí kombtare duhet t’i a hjekim ë-së në mënyrë absolute çdo zyrë etymologjike. Athue pse? Pikë së pari sepse askush nuk mund t’a dijë rrânjën e çdo fjale e nuk âsht i sigurtë, në qoftë se e njeh mirë totsin’e vet, as për ato qi beson se i din. E së dyti, sepse e shohim edhe te gjuhët e hueja se ç’katastrofë përbân për mësimin e tyne orthografija historike – etymologjike e mbetun trashigim prej letërsinash shumshekullore. Përpiqen, përpushen e bërtasin popujt (kompetentat e tyne) qi e kanë për reforma. Por kot, s’kanë ç’i bâjnë mâ. Atëherë na qi jemi tue formuem themelisht nji orthografí duhet të marrim mësim prej tyne. Prandej un shkruej e thom se duhet shkrum përsri, qi tingullon për bukuri, e jo përsëri veç pse dijmë qi âsht fjalë ase fjalë e përngjitur për+së+ri. Edhe nji rregull: Te fjalët e përngjitura, fjalë me fjalë ase fjalë me para- a mbrapashtesë, ë-ja qi bie ndërmjet shlyhet, me përjashtim t’asaj qi mbahet për eufoní. Natyrisht, eufonija e kakofonija, deri qi mos të jenë caktuem për to rregulla të përpikta, jesin me i çëmuem goja, veshi e shija e shkrimtarit. E s’ka udhë tjetër posë ksaj, dmth. posë nji dishiplinimi të përdorimit t’ë-së, për t’i bashkuem në nji gjuhë e orthografí kombtare dý ekstremet fanatike pro e kundër ë-së.
  3. Ksa, kse, ksi, kso, ksu, ksy e jo, për riza të Zotit, kës-! A-ja e largsisë ka nji k- kundruell për afrí, jo nji -. Mundet qi rrânja të ketë qênë nji ka a kushedi me ç’farë zânorje tjetër; por çeshtjen etymologjike e trajtova aty para. Fonetika e gegnishtes don ksaj e këtij. Nji eksplosive e pazâshme si k-ja bashkohet mrekullisht në nji rroke me nji vishlluese të pazâshme si s-ja, por e pamundun me nji tjetër eksplosive, as të zâshme as të pazâshme (v. Abet. pg.34, 35).
  4. A e ke studjuem ti ndopak pronsorin em e im ndër djalektet e ndryshme e tek të motshmit? Un dij vetëm kaqë: Tosknija mbarë gjithkund im, Sh. e M. deri në Krujë emnoren im e rasat tjera em. Mâ përtej s’dij me i dhânë. Por edhe Bardhi, Xylandri e Dozoni
  5. Pse ti sot tosknisht, kurse mbarë Gegnija sod, tue pasun edhe pështetjen etym.?
  6. Populli: nji ditë, dý ditë, nji vjetë, tri vjet; ditt e javës, vjett e luftës. Të dý t-t’e bashkueme, mû si te imperfekti ai shitte, sado qi ky prej Juge deri n’Elbasan e ndoshta në Tiranë (por jo në Krujë) âsht bâmë shiste. Athue ti se âsht mâ mirë, edhe mbas këtyne tfillimeve qi të bâna, me e përdorë at’ë eufonike: ditët? Se këtu duhet të merremi vesht mirë qi ë-ja âsht vetëm eufonike dhe jo për zgjatimin e rrokes, e cila në shumës âsht absolutisht e shkurtë.
  7. Aq=aqâ=áqë=aqì. Kështu ndër djalekte të ndryshme. Un kam mbajtun aqë, si mesatare. Tosknija përdor mâ tepër këtê, nëmos krejt. Po të ngulni ti e Paluca për aq un e pranoj. Por gjithë djalektet tjera i a kanë rrasun nji zânore përmbrapa.
  8. Më fal, por jo “e kam gruen e sëmundë”, veç “e kam gruen të sëmundë”. Apo jo?
  9. Shumë krejt Juga e Sh.M. kanë për vete edhe etymologjinë (këtê un e përmênd vetëm si pajandër e kurrë si shtyllë kryesore). Shkurtohet në shqiptim të Gegës vetëm si adjektiv përpara emnit, e kjo âsht nji rregull e përgjithëshme shqiptimi sikurse e shohim edhe te numrat: pesë, pes djelmet.; e te emën e mbiemën Kolë, Kol Biba. Por në shkrim duhet të jetë gjithmonë shumë, pesë djelm, Kolë Biba.
  10. Simjet = simvjet = sivjet. Këto tri forma ka populli. S’ka dyshim qi mâ e vjetra, e përbashkta, do të ketë qênë e treta: si+vjet (kr. sod e sonte); por në praktikë të foljes paraqet rrezik keqkuptimi a, mâ mirë me thânë, dykuptimi: si vjet (sikur vjet). Simjet largohet mâ fort nga rrânja e Tosknija mbarë thotë sivjet. Un jam tue përdorë simvjet? Si kishe me thânë ti?
  11. Un tash s’kthehem mâ nga format mâ të motshmet infinitore të gegnishtes e ato qi e afrojnë mâ së miri me tosknishten. Me gjithë këtê, do të më pëlqente me i ndëgjuem argumentat e tú në qoftë se don me ngulë kâmbë në formën bishtcungë.
  12. Un, kur e përdor, shkruej tokoj; por mâ së miri t’u besatojshim me e dëbuem kët’italishte krejt të panevojshme.
  13. Në komisín’e orthografisë t’Institutit t’onë kemi pasë pranuem përkohsisht të dý format: ـ׳s, ـ׳n, ـ׳t, edhe -së, -në, -të në lakimin e emnavet. Tash me Abetarin e mbrapa kam zgjedhun të dytat për hir të bashkimit e t’afrimit me tosknishten. Sepse âsht e pamundun të lânë jugori ë-n’e tij të shqiptueme, ndërsa na Gegët e kemi pranuem kamot ë-në në mbarim të fjalës si shênj zgjatimi të rrokes qi i prîn. Edhe Paluca kështu âsht tue shkruem. Pra kisha me t’imtuem qi t’a pranojshe edhe ti, se arsyeja âsht e fortë e pa fjalë atje do t’arrijë puna tekembramja. Por na të tre bashkë me turmën e gjithë shkrimtarvet jugorë do t’a kishim të fitueme kafshën (causa) qyshë sot.
  14. Turk, Turq, turqisht. Ti e din fare mirë qi kjo fjalë ka marrë qyshë me kohë kuptim feje në gjuhën t’onë. E në gjuhën e re ka dekun e shkuem me atë kuptim. Popull’i ynë, të cilit s’i mëngon y-ja, e ka nxânë me u prej fqinjet qi s’kanë y asnji : as Grekë, as Slavë, as Italjanë. Atbotë, edhe për t’i ikun edhe nji keqkuptimi, s’ka asnji arsye qi na mos t’a quejmë atë komb Tyrk siç e shqipton ai vetë e të tânë popujt e botës qi kanë y.
  15. Me sa dij un, vjet-i nuk thuhet askund në Gegní, por vetëm vjetë, -ta ( tri vjet e jo tre-) Toskët thonë vit-i. Kështu qi vjet-i s’âsht tjetër veçse nji kopil i padijes. A s’të mbushet edhe tý mêndja me e lânë ?
  16. Jo njoftun, por Për këtë shpresoj se s’ke për të ngurruem aspak, përndryshe në letrën e ardhëshme lypmi argumentat, se i kam gati.
  17. Kyt e ket (prem. e mbiem.) Shkodra këtë (prem.), kët (mbiem.) Kruja ; këtë (prem. e mbiem.) Tirana, Elb. ; këtë (prem. e mbiem.) Juga. Vetëm asaj forme qi përdor ti e ndonji tjetër s’i duket topti kurrkund : ketë (qi don me thânë ket). S’ka dyshim qi âsht mâ e drejta edhe gjuhsisht ajo e Elbasanit : këtë, si për premën ashtu edhe për mbiemën. Në këtë rasën e fundit, në Krujë e tërmal âsht bâmë mâ vonë kët, ket, kyt simbas pikës 9 e mbasandej në Shkodër e ndoshta edhe mâ nalt ka mbetun kështu edhe si premën. Un për nji kohë të gjatë kam përdorë formën e Elbasanit qi njoh për të drejtë, këtë, premën e mbiemën. Por mâ vonë, i mujtun prej ndëkimit të Veriut, zgjodha nji rrugë mesatare në të cilën po vazhdoj edhe sod : këtë (si Juga) mbiemën e këtê premën. Tash fol ti, Karl.
  18. Nismë nga nis, si ndihmë nga ndih âsht krejt në rregull. Por më duket nji neologjizëm e panevojshme. A e ke krijuem si synonim me fillim (veprim i të filluemit), me fillesë (gjâja porsa e fillueme ase edhe koha e parë kur fillohet nji gjâ) apo me ndonji tjetër kuptim ? (Se, qi s’ka të bâjë me kuptimin tjetër të verbit : nis nusen, niset zonja, po e shoh). Në qoftë se ka nji kuptim të shkallzuem (nuancé, geabstuft) me fillim e fillesë, të lutem me m’u gjetun shoqet n’italishtet ase gjermanishtet. Tekembramja, kemi edhe nisë-n me formën gege e nisje-n me formën elba-tosknishte. Pra, tue më dhânë korrespondentet e tri fjalve të para në nji gjuhë të huej, mos e harro edhe këtê.
  19. “Nji shumë të të hollash”: pse të të? Apo lapsus calami?
  20. Bashkëpuntuer: v.2.
  21. Jo “Kam mêndjen”, por kam ndër mênd. “Kij mêndjen” don me thânë kij kujdes.
  22. Ap = jap; ep = jep; epem = ipem: këto forma ka populli, e ti shkon e më përdor jipem qi s’e ka e qi për mâ tepër aqë të vrashtë në shqiptim. Gërma j në këtë verb s’ka dyshim qi âsht parasite e ka arsye ndoshta të përdoret vetëm ndokund për eufoní, si bie fjala i jap. Shpërformim’i e-së n’i në formën e mesme të verbit, ipem, kujtoj se s’ndihet kund veçse në nji pjesë të Jugës. Pra mâ mirë e mâ drejt epem. Padè taj tahë! (Kështu në Thkellë).
  23. 23. Pse, bre Karl, gëzohem? Të lutem lexo Ab. pgg. 34, 35, f. 34, 35., dhe kritikomë ase ndiqëm.
  24. 24. Kush të thotë tý në Gegní, qyshë prej Shkumbînit deri në Vermosh e në Mitrovicë, unë (ūn) veçse për unën e zjarmit? S’t’a ka ndiem e s’ka për të t’a ndiem veshi kurrë. Gegët kanë këto forma: û, un, una, une; e Toskët unë (ŭnë). Kështu si Jugori s’mund t’a shqiptojë kurrë me zânin e ë-së në mbarim e gjithashtu as me ū të gjatë si i a paraqet grafija e jote jo. Prandej nji u e nji n vetëm mjaftojnë. Prej të katër formave të gegnishtes, mâ e afra, gati e njimëndë me tosknishten âsht kjo:
  25. Deshir (djalë deshiri) = dishir = dëshirë ; deshiroj = dishroj = dëshroj. Nga këto forma të popullit, un kam përdorë gjithmonë deshir e deshiroj. Ke ti shoh shkodranishten dish-, e mbasi âsht shkodranisht s’mundem me të thânë keq. Por athue s’kishte me qênë mâ e volitshme e imja edhe si mesatare edhe si mâ e afër me rrânjën de-?
  26. At qytet: për të qênë qêqQênënë i njimêndë me veten t’ânde, duhet të shkruejsh edhe ti atë qytet, si ketë qi shpresoj të të mbushet mëndja me e kthyem në këtë.
  27. Ti je tue përdorë mënyrën gjermane tue shkruem Ti et. Edhe un e kam ndjekun këtë rregull e jam tue e ndjekun, por si nji shkallë mâ intime se Ju, por për krejt intime si ndërmjet nesh, familjare si me thânë, s’hjek zí me e mbajtun mênden aty për mos me gabuem me e shkruem me të vogël ti et. E shkruej vetëm kështu.

Kaqë për shqipen t’onë të dashun. E tash edhe pak gjâna tjera e po i ap fund. Më ke lavduem tepër me at’adjektiv “i pakapërcyeshëm” si shkrimtar. Jam krejt i bindun se nuk e ke thânë për katikule, e të falem nderës fort për besimin e mirë qi ke n’aftin’e pêndës s’eme. E pranoj e gzohem për këtë besim pikë së pari për sa i përket gjuhës shqipe. Ndoshta edhe për stil, nel mio genere,[3] besim’i yt âsht i drejtë. E kam mbase pak të rândë stilin, sikur në fund të fundit thuejse të gjithë na shkrimtarët gegë, të frymzuem mâ tepër se Jugorët prej shkrimeve të Perëndimit edhe prej natyrës s’onë.

Nji  idé për rivistën e Qêndrës: Nuk dij, se s’më keni shkruem, se ç’emën keni vëndosun me i ngjitun. Un kisha me thânë STUDIME SHQIPTARE. S’do të më pëlqente aspak ashtu laramane si STUDIME E TEKSTE – STUDI E TESTI. Rivista duhet, mund të botojë artikuj kompetentash edhe në të tâna gjuhët e botës, por petkun, kostumin duhet me domos t’a ketë shqiptar. Mâ, do të thuesh ti, fondet kanë me qënë italjane e prandej… Jo, Italjanët duhet t’a kuptojnë mâ nji herë se Shqiptarët e kanë sedrin kombtar ndoshta të papërpjesuem me vëllimin lânduer të tyne, por e kanë e me mbyllë sŷtë përpara këtij fakti të pashlyeshëm s’âsht politikë e mirë as për Italjanët. Detyr’e jonë, e gjith’atyne qi janë të bindun se faktori italjan âsht kryesuer në jetën shtetnore të Shqipnisë, âsht mos me pushuem kurrë së ndriçuemi qarqet italjane për politikën qi duhet të bâjnë me Shqiptarët po deshën me fituem, si element themeluer, zêmrat e tyne. Heshtja e aqë mâ tepër hypokrisija prej anës s’onë do t’ishte nji tradhtí kundrejt vêndit t’onë edhe miqsisë s’onë kundrejt Italisë. Kanë derdhun miljarde gjatë okupatës së tyne në Shqipní e s’kanë fituem, mjerisht për ta edhe për ne, asnji mirnjohje. Të kishin dijtun me qênë aqë t’urtë e bujarë edhe në politikë sa kanë qênë në lâmën materjale, sod nën regjimin komunist sŷtë e zêmrat e tânë popullit shqiptar do t’ishin sjellë kah Italija.

Qe, pun’e nji riviste ku më qiti! La lingua va dove il dente duole.[4] Por kam të drejtë. Ndoshta pse kam folë kurdoherë nji gjuhë të këtilë me miqt italjanë del e i thotë Cianos nji gojë kompetente “Kruja è un uomo che nel nostro interesse dovevamo consumare”[5] e kur un përgatitem me marrë udhën e Afrikës nuk gjindet nji aso gojësh kompetente me thânë: “Kruja, tu in Italia sei in casa, cosa vai a cercare in Africa?”[6] Më duhet me votun n’Italí për të përshëndetun t’im bir qi po nisej për Amerikë, edhe ai pse me dý doktorata nuk gjên punë n’atë vênd ku kishte jetuem qyshë 3 vjetsh, e më vonohet viza mue, për me hŷmë n’Italí, oh qaje Zot të keqen! – plot dy muej e djalit i duhet me u nisun pa pamë t’anë, qi ndoshta s’ka për t’a pamë mâ kurrë! Por ani, nevoja e miqsisë italjane për atdheun t’em për mue ka qênë nji dogëm patrijotike qyshë kur kam shtimë kâmbën në jetën politike në 1918 kur u rrokullis Austro – Hungarija e ashtu ka mbetun; por Italjanët s’kanë për të ndëgjuem kurrë lajka prej gojës s’eme e le të rrijnë sa të duen tue thânë se jam “un uomo da consumare”,[7] në dashin madje edhe addirittura “consumato”. Keq për ta! Mue m’intereson atdheu i im, e prandej më revoltojnë gabimet e tyne. S’kanë dashun kurrë të marrim mësime prej politikës austro – hungare me Shqiptarët e, ça âsht njimijë herë mâ zi, as prej asaj së Beligradit, së Beligradit të Pashiqit edhe të Titos.

Karl, mos u bâ përtac e shkruejmë. T’a vazhdojmë kuvêndin mbi gjuhën t’onë. Zojushës Cirrincione i u përgjegja. Dr.Petrottës m’i thuej shumë shëndet. S’më ke shkruem gjâ kurrë për Prof. La Piana-n. A s’ke kontakte me tê? Në qoftë se po, përshëndetma edhe atë. P. Valentinin po vjen prej vedi. Gjithashtu për t’ânde shoqe e Gilbertin.

Po më pyet për të mijt. S’dij kurrgjâ të re. Sa për Hamdiun, e dij qi âsht shëndosh’e mirë. Por s’më shkruen kurrë. Âsht nji typ sui generis[8] ai.

 

Të merr ngrykë

Mustafa

[1] Fytyra e Islamit (E.M.)

[2] Shprehje italisht : me kalue muajin, me nxjerrë shpenzimet e jetesës.

[3] Në gjininë time  (E.M.)

[4] Ku dhemb dhëmbi shkon gjuha (Italisht përkthyer nga E.M.)

[5] Kruja është një njeri që, në interesin tonë, duhej t’a konsumonim (Idem)

[6] Kruja, ti në Itali je në shtëpi, çfarë kërkon në Afrikë?  (Idem)

[7] Një njeri për t’u konsumuar (Idem)

[8] I veçantë, veç të tjerëve (Idem)

Dëshmia e rrallë e të arratisurit më ’66 në SHBA: Ju tregoj Kapterrin e Kampit të Tepelenës, që ndiqte vajzat e nuset e reja dhe i fuste forcërisht te magazina…

Dashnor Kaloçi

Memorie.al/ publikon disa nga historitë e panjohura të ndodhura në Kampin e Tepelenës, ku pas vitit 1947, regjimi komunist i Enver Hoxhës internoi me dhjetra familje që konsideroheshin prej tij si: “reaksionare dhe armiq të popullit”, siç ishin familja: Kupi, Dosti, Petrela, Frashëri, Çelo, Kola, Kaloshi, Gjonmarkaj, Previzi,Radi, Mëlyshi, Dine, Ndreu, Merlika, Dema, Gjeka, Deçka, etj., ku pjesa më e madhe e tyre kishte njerëz të arratisur jashtë Shqipërisë, apo në arrati nëpër male, duke bërë rezistencë regjimit komunist në fuqi. Dëshmia e dhimbëshme e shqiptaro-amerikanit Gjok Deçkaj, me origjinë nga fshati Kushe i Hotit, të Malësisë së Madhe dhe me banim në SHBA që nga viti 1966, kur ai u arratis nga Shqipëria, lidhur me tmerret që ai ka përjetuar vetë në atë kamp, si dhe ato që i ka treguar nëna e tij dhe bashkëvuajtës të tjerë që vuajtën aty familjarisht.

“Një natë, një grua e re nga Tropoja e cila priste të lirohej, shkoi natën për të hapur varrin e fëmijës së saj i cili i kishte vdekur në moshën 5-vjeçare, që kur ajo familje kishte ardhur aty në Kampin e Tepelenës. Duke hapur varrin me lugën që hanim supën, ajo pastronte eshtrat me fustanin e saj dhe i thoshte: ‘Nuk të lë nëna këtu ty, jo’. E shkreta grua, u detyrua t’i thyente eshtrat e të birit me qëllim që t’i fshihte në rrobat e trupit, pa u kuptuar nga rojet e kampit, pasi nuk lejohej që t’i merrte. Atë natë, bashkë me të ka qenë dhe nëna ime, duke e ndihmuar dhe më pas ajo mundi t’i merrte eshtrat e të birit dhe t’i varroste në Theth.”

Dëshmia e mësipërme, e cila duket si pjese e ndonjë skenari te filmave horror, nuk është as më shumë dhe as më pak, por një ngjarje krejt e vërtetë e ndodhur gjysmë shekulli më parë, në kampet e tmerrshme të regjimit komunist të Enver Hoxhës. Rrëfen këtë histori, Gjokë Pjetër Deçkaj, i cili ka pasur vetë fatin tragjik të provonte këto kampe, në të cilat ka ardhur dhe vetë në jetë. Për këto dhe të tjera ngjarje nga jeta e tij, ai tregon në këtë intervistë, eksluzive për Memorie.al.

Zoti Gjok, cila është origjina e familjes suaj?

Origjina e familjes sonë është nga fshati Kushe i Hotit, në Malësinë e Madhe. Ne nuk kemi qenë familje shumë e madhe, por babai im, Mark Pjeter Deçkaj, ka qenë shumë i njohur si burrë i urtë dhe me emër të madh në të gjithë atë krahinë. Si gjatë kohës së Zogut dhe në periudhën e Luftës, baba nuk është përzierë me politikë, por ka qenë i njohur si nacionalist dhe patriot.

Çfarë ndodhi me familjen tuaj me ardhjen e komunistëve në pushtet në vitin 1944?

Kur erdhën komunistët në pushtet, ne nuk na kishin me sy të mirë, dhe baba, Marku, shihej si njeri i dyshimtë. Kjo për faktin se në vitin 1945, ai ishte mobilizuar forcërisht nga një Repart Special i forcave partizane, dhe gjatë asaj kohe, duke parë krimet e shumta që bënte ai repart, me arrestime, vrasje, tortura, djegie shtëpish etj., kishte një urrejtje të madhe për ta. Pak kohë pasi u lirua nga ai repart, në vitin 1948, babai dhe gjyshi im, Pjetër Deçkaj, u arratisën nga Shqipëria.

Si ndodhi arratisja e tyre?

Atë vit, pra në 1948-ën, u arratisën 30 vetë nga Hoti, në një ditë të gjithë së bashku dhe kaluan për në Jugosllavi. Kjo ndodhi pasi një oficer i postës së kufirit u shkoi derë më derë dhe i njoftoi të gjithë këta persona, se ishin në listë për t’u arrestuar. Dhe kjo ishte e vërtetë, pasi një orë nga arratisja, forcat komuniste u shkuan shtëpi më shtëpi, duke kërkuar për t’i pushkatuar. Nga këta 30 burra, më të njohurit ishin; Prek Gjeto Marku, Nikoll Luc Doka, Mark Doshi Frangaj, Pjetër Gjon Luka etj. Bashkë me këta 30 persona, u arratis edhe komandanti i postës së kufirit.

Çfarë ndodhi me familjen tuaj pas arratisjes së babës dhe gjyshit?

Unë linda më 17 shtator 1948, në 5 të mëngjesit (dy javë pas arratisjes së babës dhe gjyshit) dhe në ora 9, kur nëna ime (File Pashk Ademi) ishte akoma me sikletet e lindjes, erdhën dhe na morën forcërisht, duke na çuar në burgun e Koplikut. Gjyshja ime shkoi te Kol Maçi, i cili ndërhyri tek komunistët duke na kthyen prapë në fshat.

Ju ngacmuan më pas kësaj?

Në fshat na lanë më shumë se 3 muaj dhe më 23 prill 1949, na internuan në Tepelenë. Atë ditë që na çuan në Tepelenë, baba kishte ardhur afër fshatit me dy shokë të tij, trima, për të na marrë me vete, e me dal në Jugosllavi. Ai është afruar jo më larg se 500 metra nga ne, duke më dëgjuar edhe mua që qaja pa pushim, por nuk mundi të na ndihmonte dot. Ata dy shokët i thanë: “Medet, Mark, ç’ka të bejmë”? Dhe baba i’u përgjigj: “Më ngushtë nuk e kam pa veten kurrë. Kam frikë se ma vrasin djalin, prandaj nuk mundemi të ndërhyjmë”. Pas një udhëtimi të gjatë në rrugë pa rrugë, ne na çuan në kampin e Tepelenës. Djepi ku isha unë, ishte duke u rrëzuar nga shpina e kalit dhe e ka mbajt, Bora e Prek Gjeto Markut, se ndryshe do kisha rënë në greminë. Në Tepelenë ne gjetëm edhe familje të tjera nga Hoti e Kastrati dhe midis tyre edhe 13 priftërinj katolikë të internuar. Unë kam qenë i vogël në atë kohë, por nëna më pas më ka treguar për vuajtjet dhe tmerret e paimagjinueshme që kemi kaluar aty.

Si përshëmbull…?!

Kur u rrita, nëna më ka treguar, se Kryetari i Kooperativës së fshatrave përreth kampit dhe sekretari i Partisë, kishin porositur fshatarët e këtyre fshatrave të Tepelenës, që fëmijët e tyre t’i shanin dhe t’u gjuanin me gurë të internuarve. Dhe ka pas disa raste që kur ktheheshin nga mali, u dilnin përpara fshatarët dhe shanin e gjuanin të internuarit.

Çfarë mbani mënd ju personalisht nga ai kamp, apo nga ato që ju ka treguar nëna?

Aty vdisnin njerëz çdo ditë nga uria dhe sëmundjet, ku më së shumti fëmijë të vegjël. Puna ishte mjaft e rëndë dhe sfilitëse. Të internuarit punonin në transportim lëndësh drusore nëpërmjet lumit Vjosë dhe kur lumi ishte shumë i rrëmbyeshëm, qëllonte që lënda drusore t’i godiste dhe i linte të vdekur në vend. Nga Gjirokastra, sillnin dhe i hidhnin aty me qëllim, qen të ngordhur dhe qelbej i gjithë kampi.

Po për personalin e kampit, pra polic e nënoficerë, çfar u kanë treguar si silleshin dhe u trajtonin ata?

Një tmerr i vërtetë i kampit të Tepelenës, ishte një kapterr me emrin Tomi, i cili i ndiqte vajzat dhe nuset e reja, duke i futur forcërisht në një magazinë për t’i përdhunuar.

Kapterr Tomin, e mbani mënd ju vetë personalisht, apo u’a kanë treguar?

Kapterr Tomin e mbaj mënd vetë, pasi kur kam qenë 5 vjeç, ai më mbajti disa minuta në ujë të ftohtë, me qëllim për t’i bërë presion nënës sime. Aq shumë zullume bëri kapter Tomi me gratë e vajzat e internuara, saqë vetë komanda, u detyrua dhe e hoqi. Nëna më lidhte me brezin e djepit tek krevati që të mos bija, pasi ne flinim në krevate me tri kate. Herë pas here, nënën e nxirrnin para të gjithë kampit dhe i shanin babën, Markun, duke thënë se ai ishte kriminel e lloj-lloj sharjesh të tjera. Por nëna u’a kthente: “Unë e njoh për burrë shumë të mire”. Po këtë gjë, i’a bënin edhe Borës së Prek Gjeto Markut (Lulaj), por ashtu si nëna edhe ajo nuk fliste asnjë fjalë të keqe për burrin e saj, përkundrazi e lavdëronte. Po të mos kishim pasur ndihmën e dajave të mi dhe gjyshes Katrine Prela, të cilët na vinin dhe na sillnin ushqime të thata në Tepelenë, ne do të kishim vdekur urie, si shumë nga bashkëvuajtësit tanë.

Çfarë kujton ndonjë ngjarje tjetër nga ai kamp?

Një natë, një grua e re nga Tropoja, Drane Jakaj, e cila priste të lirohej, shkoi natën për të hapur varrin e fëmijës së saj, që i kishte vdekur në moshën 5-vjeçare, që kur kishte ardhur ajo familje në atë kamp. Duke hapur varrin me lugën që hanim supën, ajo pastronte eshtrat me fustanin e saj dhe i thoshte: “Nuk të len nëna këtu ty, jo”. E shkreta grua, u detyrua t’i thyente eshtrat e të birit me qëllim që t’i fshihte në rrobat e trupit pa u kuptuar nga rojat e kampit, pasi nuk lejohej që t’i merrte. Atë natë bashkë me të ka qenë dhe nëna ime duke e ndihmuar dhe më pas ajo mundi t’i merrte eshtrat e të birit dhe t’i varroste në Theth.

Kur u liruat nga ai kamp?

Në vitin 1954, ai kamp u mbyll dhe ne na dërguan në kampin e Savrës në Lushnjë. Bashkë me të tjerët, edhe nëna ime punonte deri në brez në ujë në tharjen e Kënetës së Tërbufit. Në një rast, nënën e sulmuan shumë ushunjëzat dhe asaj i ra të fikët, saqë shoqet e saj e nxorën në breg duke e ditur të vdekur. Tone Nuthi, me kunatat e saj nga Pjetroshani i Bajzës së Kastratit, u përleshën me policët, të cilët donin ta fusnin nënën ashtu gjysmë të vdekur me punu në ujë, duke i thënë: “Çohu dhe puno moj kriminele”!

Sa kohë punoi nëna juaj në ato kushte?

Në atë punë nëna punoi për 3 vite. Në vitin 1956, një ditë kur erdhi aty një oficer madhor i Ministrisë së Punëve të Brendëshme për inspektim, Rrok Kont Marashi, më mësoi mua t’i dilja përpara dhe t’i thoja se isha i pafajshëm.

Çfarë ju mësoi ai…?!

Konti m’i kishte shkruar në një letër se çfar do t’i thoja oficerit dhe unë ashtu bëra. I thashë se baba më kishte lënë në bark të nënës kur ishte arratisur dhe ç’faj kisha unë?!

Çfarë u tha ai, ju ktheu përgjigjie?

Ai u prek nga fjalët e mia dhe tha se do e studionin punën time. Mbas disa kohësh erdhi letra dhe unë u lirova kur isha 8 vjeç, ndërsa nëna mbeti aty. Erdhën kushërinjtë dhe më morën nga kampi e më çuan në fshat. Por edhe aty nuk më lanë të jetoja, pasi fshati ishte zonë kufitare dhe më çuan në Kastrat, ku bëja çdo ditë nga 2 orë rrugë për të shkuar në shkollë dhe 2 orë për t’u kthyer në shtëpi. Shkollën 8-vjeçare e mbarova shkëlqyeshëm duke qenë nxënësi më i mirë dhe bëra një kërkesë që të shkoja në Konviktin “Tom Kola” në Shkodër, por më thanë: “Rri urtë e mbyll gojën, se ti je djali i kriminelit Mark Deçkaj. Shtrëngo fort kazmën dhe mos u ndiej”.

Ku u rritët ju, pasi nënën e kishit në internim?

Deri në moshën 16-vjeçare, mua më rritën dajat. Në atë kohë unë isha i rritur dhe duke e kuptuar se nuk kisha asnjë shpresë për jetën, fillova të mendoj që të arratisesha nga Shqiperia dhe të shkoja tek baba.

Ku ndodhej babai juaj në atë kohë?

Deri në atë kohë, baba ishte në Itali, ndërsa gjyshi në Tuz të Malit të Zi, dhe ne komunikonim me letra me ta.

A kishit provokime dhe a ju ndiqnin njerëzit e Sigurimit?

Një person i quajtur Ndue Nikoll Markhelli, i cili ishte i dekoruar nga Ministri i Punëve të Brendëshme, Kadri Hazbiu, më provokonte vazhdimisht, duke vënë radion te “Zeri i Amerikës”, gjoja se do fliste baba im. Po kështu, herë pas here ai më thoshte të arratiseshim së bashku. Unë e kuptoja këtë provokim dhe nuk i lashë kurrë të kuptonte se doja të arratisesha. Një ditë i thashë nënës (në 1959 ajo u lirua nga internimi), që të arratiseshim së bashku, por kur ajo pyeti nënën e saj, gjyshja tha: “Mos e len, se do na vrasin djalin dhe do na marri në qafë të gjithëve”. Kështu nëna më tha se ajo nuk vinte dhe unë nuk duhet të ikja. Por unë e kisha vendosur së bashku me dy shokët e mi, Kol dhe Gjelosh Narkaj, dhe kështu u arratisëm.

Si mundët të arratiseshit nga Shqipëria?

Më 13 qershor 1966, ditën e festës së Shën Ndout, i thashë nënës se do të shkoja në kishë. Në fakt, së bashku me shokun tim, Kol Narkaj, (Gjeloshi nuk erdhi se martonte vëllanë), që ishte një vit më i madh se unë, morëm rrugën dhe në fshehtësi dolëm tek Leqet e Hotit, poshtë në Grabam dhe kaluam kufirin duke dalë në Jugosllavi. Aty u dorëzuam te një shtëpi ku i treguam të vërtetën dhe ata na pritën shumë mirë. Ajo shtëpi kishte lidhje miqësie me familjen tonë dhe gjetën mundësinë të lajmëronin se ne ishim dorëzuar tek ata.

Ç’ndodhi më pas me ju, ku u çuan?

Më pas, sipas rregullave, ata na dorëzuan tek ushtarët, të cilët na morën dhe na dërguan në burgun e Leshkopoljes, ku na mbajtën 2 muaj në hetuesi duke na pyetur. Gjatë asaj kohe, me ndërhyrjen e Rroko Keqit (nga Tuzi), tek autoritetet jugosllave, ne nuk na kthyen në Shqipëri, por na liruan dhe unë shkova tek gjyshi im, Pjeter Deçkaj, i cili ishte në Tuz.

Sa kohë qëndruat aty?

Me gjyshin qëndrova 9 muaj në Tuz dhe në atë kohë, baba që ndodhej në Amerikë, kishte bërë letrat dhe më 27 shkurt 1967, me doli azili politik për në SHBA. Kështu nga Beogradi u nisa për në New-York, ku më priste baba me një foto timen në dorë, të cilën i’a kisha dërguar me postë.

Si e kujtoni atë takim, a mund të na e përshkruani?

Ka qenë një takim prekës ai me babën në aeroportin “Xhon Kenedi” të New-Yorkut. Baba më shikonte dhe unë e shikoja. Kur m’u afrua, unë i thashë: “ti je baba im”?!“ “Po” tha ai,”vetëm një herë ta kam dëgjuar zërin. Të kam lënë në bark të nënës dhe thosha a do jetë djalë”. Lotët na kishin mbuluar të dyve. Unë i thosha: “O Mark Deçkaj. Bëhu i fortë, pse qan”?! Baba më pyeste se pse kisha ardhur dhe unë i thosha se kisha pritur 17 vjet dhe doja t’i shikoja sytë e ballit babës tim. Ndërsa ai me puthte, unë i thoja: “Tash nuk jam ma i varfën, nuk jam i pa babë”!

Po pas arratisjes suaj, çfar ndodhi me nënën?

Pasi ika unë, një vit më vonë, ndërsa nëna ishte në bjeshkë, spiuni Ndue Nikoll Markhelli, lajmëroi policinë se nëna donte me u arratis, dhe ata erdhën e morën dhe e internuan në Hajmel, ku qëndroi për 19 vjet me rradhë.

Gjatë kohës që babai juaj Marku jetonte në Amerikë, a është marrë me politikë?

Me politikë baba është marrë që kur ishte në Itali, ku u zgjodh kryetar i “Bllokut Indipendent Kombetar” duke bashkëpunuar ngushtë me Ernest Koliqin, Gjon Markagjonin, Ismail Vërlacin, Kol Bibë Mirakajn, etj. Gjatë asaj kohe, njerëzit e Sigurimit të Shtetit Shqiptar, i bënë babës një atentat me pistoletë, por ai mundi të shpëtonte i plagosur në krah.

Po pas kësaj, a pati më problem nga njerzit e Sigurimit të Shtetit që dërgoheshin aty me mision nga Tirana?

Puna e atentatit nuk mbeti me aq, pasi edhe në spital atë deshën ta helmonin me disa biskota, të cilat i solli aty nje grua e veshur si murgeshë, e cila pas hetimeve te Ernest Koliqit, rezultoi se kishte dale nga Ambasada Shqiptare ne Rome. Pas kësaj, baba u detyrua dhe shkojë në Amerikë.

Po me nënën tuaj kur u bashkuat?

Më 16 gusht 1990, kur isha 42 vjeç, unë erdha në Shqipëri dhe takova nënën e cila në atë kohë banonte e vetme në Shtoj. Baba dhe gruaja ime, më thoshin të mos vija, se akoma nuk kishte rënë komunizmi, por unë e kisha vendosur, me mua erdhi dhe bashkëshortja ime.

Patët problem për të ardhur, pasi në atë kohë ende nuk kishte rënë regjimi komunist?

Në Rinas më nxorrën shumë probleme dhe fillimisht nuk donin të më vulosnin pasaportën, por pas një debati prej 15 minutash, ma vulosën.

Çfarë ju tha nëna kur u takuat?

Nanës i kërkova falje dhe ajo më tha se ma kishte bërë hallall. Pas 5 javësh, munda t’i bëj letrat nanës dhe e mora me vete në Itali, ku më pas erdhi dhe baba. Kështu pas 42 vjet e 3 muajsh, ata u takuan në Romë.

Si e kujtoni atë takim?

Ka qenë një takim prekës ku vetëm lot kishte. Baba dhe nëna jetuan 3 muaj në Itali dhe më pas erdhën në Amerikë ku u bëmë të gjithë bashkë. Unë i shihja kur ata qanin për njëri-tjetrin. Kur nëna e pa se sa mirë jetonim, tha: “Tani jam gati me vdek”. Dhe ashtu ndodhi vërtet: Më 2 korrik 1991, ditë e martë, ata të dy humbën jetën në një aksident automobilistik.

Po ju, kur e krijuat familjen?

Unë jam martuar më 22 tetor 1971, me Lajde Mark Gjonajn, babai i së cilës, Pashuk Markgjonaj, rrjedh nga një familje nacionaliste mjaft e persekutuar nga regjimi komunist, njësoj si ne.

Sa fëmijë keni?

Unë kam 3 djem: Robertin, Palin dhe Tomin, i cili është asistent-regjisor dhe producent filmash në Holliwud, ku ka bashkëpunuar në 34 filma./Memorie.al

VIRUSI PYET PO KET A E DINI “SE BALLKANI ASHT SHAKSHI !” – Nga Fritz RADOVANI

ASHT  LE  KËSHTU !

 

Një sy në Stamboll…

Tjetri i lëvizë, një ditë në Beograd, një ditë n’ Athinë, dy ditë në Moskë, një ditë në Pekin e, kur bjen me fjetë.., andrrat i sheh në Romë ose në Paris… Në Bruksel shkon me sy mbyllë…

Mjekët i kanë thanë që synin e Stambollit mos me prekë, se aty e ka vendin që shikon ma kjartë, shikimi i atij sy asht i lidhun me trunin… Disa thonë se asht trashigue nga qeveritarët…

Ndersa, syni tjeter asht i lëvizëshem, kryesisht ndikon lindja e diellit, që i jep drejtimin e duhun. Ndikojnë shumë monellat që shkelqejnë, vezullimi i tyne i ban me folë me vete. Ka edhe prej atyne që kur shkojnë me fjetë, nuk i mbyllin sytë fare, dhe prej tyne ka dalë ajo fjala e urtë se: “I shef andrrat me sy çilë!” Po, jo me të dy sytë… Vetem me njenin, até të Stambollit…

Ky tjetri bjen n’ agoni e andrron i shkreti herë Kremlinin e herë Sheshin e Kuq në Pekin… Sa i del papritmas gjumi kur ka parasyshë Parisin ose Brukselin, çohet e shkon me ba dush…

Bahet ujë n’ djersë… Edhe goja i merret e fillon e flet perçart…

Askush ma mirë se një Kryeminister Europjan këto ditë nuk e ka percaktue gjendjen e Ballkanit Perëndimor:

“Integrimi i Shqipërisë dhe i vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian është një proces që duhet të “ndiqet absolutisht”…Nëse këto vende nuk bëhen pjesë e unionit atëherë ata do të kthejnë sytë nga Rusia, Turqia, apo Kina… Nëse nuk e arrijmë këtë objektiv.., ne do të rrezikonim të shohim ata të kthejnë shikimin e tyre nga Rusia por edhe ndaj Turqisë…”

Thonin pleqtë tanë: “Kuku per ta, shka na ka gjetë né !”

         Melbourne, 20 Shtator 2020.           

 

Nuit et Jour (1945)- Gjon Mili, fotografi që çuditi Hollywood-in

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 19 Shtator 2020

“Nuit et Jour” ka botuar, me 12 korrik të 1945, në faqen n°8, një shkrim në lidhje me suksesin e Gjon Milit në Hollywood, fotografit shqiptaro-amerikan me famë botërore, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Koto fotografi kanë çuditur Hollywood-in

Nancy Coleman dhe Helmut Dantine shkojnë përballë njëri-tjetrit për tu puthur në filmin “Edge of Darkness”. – Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Deanna Durbin e cila sapo është martuar për herë të dytë, gjithashtu ka ndryshuar partner në kinema, Edmond O’brien i jep asaj një puthje në “To night and for ever”. – Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Të çudisësh Hollywood-in nuk është një performancë disi banale. Në vendin e superlativës, nuk është e lehtë të emocionosh ose të befasosh dhe duhet një lloj dhuratë qiellore për ta bërë një amerikan të lëshojë një “oh!” që shpreh habi.

Duke përdorur një proces që na duket relativisht i thjeshtë, Gjon Mili arriti në këtë rezultat. Duke publikuar në një revistë amerikane fotot që ne riprodhojmë këtu, ai provokoi në qarqet kinematografike të Hollywood-it reagime shumë të gjalla kurioziteti. Si u realizuan këto foto ? Gjon Mili, i cili në të njëjtën kohë është inxhinier dhe fotograf, thjesht përdori “flashin – blicin”, që është një shpërthim drite i çastit, me një shpejtësi jashtëzakonisht të shpejtë. Një sistem i shpikjes së tij shkakton hapjen e qepenës së aparatit të tij sa herë që shfaqet një dritë, gjë që i lejon atij të ndajë në një sasi të madhe lëvizjesh një gjest që mezi zgjat një sekondë.

Nëntë lëvizje në ajër të “kërcimit të maces” të kryera për Gjon Milin nga balerina Alexis Smith, nëntë imazhe në një pllakë fotografike.
– Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Për ta bërë demonstrimin e procesit të tij më spektakolar, Gjon Mili u kërkoi yjeve më të mëdhenj të Hollywood-it që të pozonin për të dhe zbërthimi i çuditshëm i lëvizjeve që ata bënë para aparatit të tij na lejon të ndjekim në një mënyrë më të vëmendshme sesa në kinema larminë e shprehjeve që një fytyrë mund të marrë në një kohë e cila matet në të dhjetat e sekondës.

Ky proces mund të kryejë shërbime të mëdha për kërcimtarët që të studiojnë lëvizjet, dhe për krijuesit e filmave vizatimorë.

LETËR – KËMBIM  MUSTAFA KRUJA – KARL GURAKUQI: Provimet e verës n’Universitet: simjet janë paraqitë në provimet e shqipes mâ se njiqind vetë

 

 

 

Ramleh, 31.III.1953

 

I dashuni Karl,

Po t’i përgjigjem pak me vonesë letrës me 17 fruer. S’dij a e ke ndëgjuem ndonji herë nji anekdot të vêndit t’onë: kur kishte pasë kthyem nji nuse në gjiní pasí po na e pyetka e âma nëse ishte e kënaqun te burri apo jo, e e bija i u përgjigjka kështu: “Besa nânké, me ç’më ndiejnë veshët, e lumja un; por me ç’më shohin sŷtë… e mjera un!” Edhe ti me kaqë fjalë të bukura m’a paske nisun e qëndisun këtë letër, qi tue i krahasuam me heshtjen t’ânde të kalueme i thashë vetes: “Me ç’po flet tash Karli, i lumi un; por në kujtofsha vjett e shkueme i mjeri un!” Me gjithë këtê, i dashuni Karl, po due vetëm me u mahitun, se jo saki me të ngamë mâ. Veçanë në këtë javë Pashkësh, qi s’ka hije fare me idhnuem kênd. Po i a nisim pra me paqë, miqsí e vllazní. Në këtë rasë të shênjtë po të përqafoj tue ju uruem tý e gjithë të tuvet gjithë të mirat qi ju deshiron zêmra.

Me historin’e institutavet islamike un s’jam marrë kurrë posaçe. Por tue të përgzuem me gjithë zêmër për emnimin t’ând n’atë kathedër, po të premtoj se kam me u interesuem këtu e me pamë se si mundem me të ndihmuem. Në gjeça ndonji vepër auktori të mirë kam me t’a dërguem. Libra gjermanisht këtu s’ka. As italisht libra shkence nuk gjinden. Por ndoshta frengjisht. Dâm qi ti nuk din anglishten, se dijetarë inglizë qi janë marrë me islamizmin ka shumë dhe janë mâ të mirët ndoshta. Un do të shikoj sidomos me gjetun ndonji auktor arab ase hindjan, dmth. mysliman.

Të falem nderës për tfillimin e planeve mbi studimin e mësimin e shqipes e të historisë shqiptare aty sidhe mbi veprimtarin’e ardhshme të Qêndrës. M’a ka ânda fort me qênë në dijení të këtyne. Dashtë Zoti e planet u zbatofshin krejt nj’ashtu si na pëlqen neve.

Më shkroi edhe Valentini për deshirin qi keni ju rreth’i kulturës shqiptare me më tërhjekun edhe mue andej. Edhe un i u përgjegja dje me adresën t’ânde. Po të jetë se ky deshir i juej ka me marrë formë konkrete, tash kemi me biseduem e me u marrë vesht. Sa për parimisht, i shkrova edhe Valentinit qi mâ fort se studimet shqiptare kurrgjâ tjetër s’më tërhjek po s’mujta me shkue ke im bir n’Amerikë. Këta tash mbrênda nja dy muejsh ndoshta ka me u marrë vesht. Aqë herë edhe pun’e juej aty ka me u pamë. A proposito[1] , vetëm tash vonë e kam marrë vesht qi Paluca qênka n’Amerikë. Thonë ndër ne se nuk dihet nga i vjen e mira familjes, nga djali apo nga vajza. Me gjasë, asaj së Palucës i paska ardhun prej vajzet. I kam dërguem “Abetarin” e,  me gjithë ata komplimenta qi i kam bâmë në tê, ende s’m’u ka përgjegjun! Nji tjetër a proposito: Dalina a je ti apo âsht Paluca? Se kush mundet me qênë tjetër?

Pjesën e këndimeve t’Abetarit kam dashun t’a mbyll… (a di me ça?) me Nakdomanicin! Por s’e kisha e s’mujta me e gjetun. Çdo libër i botuem shqip, me këtë vjershë të padekshme duhet të mbyllet, apo jo?

Po të bâj nji proponim, Karl. Po mbaroi brez’i ynë me ata pak kompetenta të gjuhës shqipe – s’janë mâ shumë se gishtat e nji dore – qi ka pa i pasë vumun nji themel të  shëndoshë gramatikës së saj, kemi me lânë përmbrapa nji dam të madh. Un, me Abetarin, i vûna këtij themeli nji gur. Ti vêni të dytin. Kishte me qênë ky: me i bâmë ksaj vepre me atë titull aqë modest e përgjithsisht të shkrimeve të mija ndër letra qi do të shkëmbejmë bashkë e ndër sa qi ka botuem e do të botojë Shqipnij’e Lirë kritikën t’ânde fjalë për fjalë e frasë për frasë e me m’i dërguem mue pjesë-pjesë mbas kohës qi të keshë. Kemi me u marrë vesht në shumicën e tyne, dmth. në shumicën e ndryshimevet qi kemi me bâ. Ky ka me qênë nji resultat qi ndoshta as na vetë s’do t’i biem krejt në tê rândsisë qi do të ketë për t’ardhëshmen. Pjesën tjetër, ku s’do të mundemi me ramë të dy mbë nji, kemi me e bâmë objekt shoshitjeje publike me anë të shtypit tue u bâmë nji thirrje të nxetë patrijotike gishtave tjerë qi gjinden jashtë qi të marrin pjesë n’atë shoshitje. E kështu ka me dalë ai themel i shëndoshë i gramatikës s’onë qi thashë. S’ka Mustafë, s’ka Karl, s’ka Palucë, s’ka Resul qi mund të hartojnë sod vetëm nji gramatikë të shqipes qi të jetë tekst! Por të gjithë bashkë mund të bâjnë punë të madhe fort. Mos u çudit: ma e madhe punë e këtyne âsht pikë së pari me pasun nji orthografí e përgjithësisht nji gramatikë të përbashkët! Rivist’e Qêndrës duhet të bâhet kryesisht tribun’e ksaj pune. Gjithçka tjetër: letërsí, poesí, historí janë kurrgjâ sod për popullin shqiptar ndaj gjuhën e tij, janë si centralet hydroelektrike të regjimit komunist kur populli po des zijet për bukë!

Me kaqë po e mbyll bisedën, tue pritun me filluem prap kur të keshë nge ti.

Mustafa

P.S. Qyr nji herë se ç’na ndodhi: Paluca e zbardhi faqen, njetash mora letrën e tij, nji letër të gjatë ku qahet fort për sŷtë i mjeri.

Do t’i keshë marrë ato copë Abetarësh për tre Gjermanët albanologë qi ishin në listën t’ânde e do të keshë kuptuem se post’e këtushme m’i ktheu dalë.

Edhe ime motër merr pjesë n’urimet e mija.

Mustafa.

 

 

 

Palermo, 26.6.1953

I dashtuni Mustafë,

Përsërí kaloi nji kohë e gjatë pa Të shkrue. As vetë nuk dij me i dhanë dum kësaj mungese nga ana e ême. Sot e nesër ditët kaluen tue mbetë në detyrë kundrejt Teje. Por faji, kujtoj, nuk âsht aq i madh, kur të mendohet se e kam gruen e sëmundë tash shum kohë. Duhet t’i shtrohet njij operacjoni për t’i hjekë nji fibromë n’âmë të fëmís, por, tue qênë se ka presjonin e gjakut të naltë, e shtŷjnë prej njij dite në të tjetrën. Gjindet nën mbikqyrjen e mjekvet, të cilët i kanë përshkrue nji kurë injekcjonesh e barnash, qi m’a kanë shkundë krejt kuletën e shkretë. N’anën tjetër, tash nji muej rresht jam i zânun me provimet e verës n’Universitet: simjet janë paraqitë në provimet e shqipes mâ se njiqind vetë; kam qênë në komisjon me Pater Valentinin, i cili âsht i kapërthyem edhe në katërqind punë tjera, kështu qi barra mâ e randë më ka takue mue. N’islamologjín kam pasë nandëdhetë ndigjues, mâ të shumtën femna, e n’apelin e parë të provimevet të këtij vjeti u paraqitën pesëdhetë. Mësimet e kësaj lande i kam përmbledhë andej e këndej prej auktorësh të ndryshëm,  gjermanë dhe italjanë. Mjerisht nuk dij turqisht ase arabisht, pse në këto dy gjuhë do të kishem gjetë sigurisht burime mâ të mira. Si libër leximi kam zgjedhë pjesë të ndryshme nga Kurani, kuptohet vetvetiu, në përkthimin italisht të Luigi Bonelli-t, qi kundrohet e mbahet mâ i miri n’Itali. Kam folë për mbrendín e Kuranit, për jetën e Muhametit e për themelimin e besimit musulman; kam trajtue në vija të përgjithëshme letërsín arabe dhe atë të Persís e mâ në fund kam bâ gjeografín e të gjitha vendeve islame, tue nisë nga Arabija e tue mbarue në Shqipní. Më duket se kam bâ nji punë të pëlqyeshme, pse, si kam mujtë me vrejtë, kam zgjue nji interesim në ndigjueset. Vjetin qi vjen, me qênë shëndosh, kam mendjen me folë për letërsín turke e për artin musulman në viset e ndryshme, sidomos në Spanjë e në Sicilí.

Tashti të vijmë te Qêndra e jonë: dishka kemi bâ; kemi marrë nji zyrë të përkohëshme, ku i kemi vû themelet njij Bibjotheke albanologjike, e cila do të përmbledhë, mbrenda mundësivet, çdo botim shqip dhe asish qi të shkruem në gjuhë të hueja, flasin për punët t’ona. Kemi bâ nji qarkore, qi u a kemi dërgue dashamirvet e të njoftunvet, për të na dhânë ndihmesën e vet në ketë nismë. Kemi shpresë të nxjerrim nga Qeverija Siciljane nji shumë të hollash, ashtu edhe nga Qeverija e Romës. Atëherë do të mund të bâjmë edhe blemje librash e do të mund të ndihmojmë edhe ata bashkëpuntorë, qi me shkrimet e veta do të na nderojnë revistën, qi kemi mendjen t’a botojmë sa mâ parë, tri herë në vjet, në trajtë libri. Sa për ardhjen t’Ande këtu, nuk kam lajme të preme, pse, si mund t’a marrish me mend, krejt çashtja qindron te fondi qi do të na jipet. Të kemi gjithmonë në zêmër e në gojë e me mzi presim ditën kur do të mundemi me Të dhânë lajmin e gëzueshëm për Të thirrë pranë nesh. Je i pari Ti qi do të gëzojsh me bashkëpunimin t’And të çmueshëm e të pakapërcyeshëm.

Në letrën t’Ande më pate pyetë se i kujt âsht pseudonymi “Dalina”. Po, Ti i ke ra në tê: unë shkruej në çdo numër të fletores, mâ të shumtën e herës, pa nënshkrim, por nga ndonji herë ata miqt e mij të Romës më pagzojnë me emnin “Dalina”, të cilin e pata përdorë nji herë në fillim, nuk e dij as unë sepse.

“Abetarin e të Mërguemit” u a pata dërgue albanologvet gjermanë, simbas dishirit t’And.

Pardje mora nji fletë nga Universiteti i München-it për të marrë pjesë në nji Kongres Ndërkombtar për Studime Indo-europjane n’at qytet në fillim të shtatorit.

Të marr ngrykë e Të puthi vëllaznisht, i yti Karl.

A ké pasë ndonji lajm nga Hamdiu? Ká shumë kohë, qi nuk i a kam ndigjue zânin as atij, as Hajdarit. – A ké pasë ndonji lajm prej Shqipnije. – A e ké marrë nji letër nga zojusha Cirrincione? Shum të fala nga ime shoqe e nga Gilberti.

[1] It. : me që ra fjala (E.M.)

Esmihan Hanëmi, nëna e Ali Pashë Tepelenës. Në histori është portretizuar si simbol i një egërsie të pashoqe. Po a ishte vërtetë e tillë? – Nga Dorian Koçi

 

Ky më poshtë është një ilustrim i hershëm i nënës së Ali Pashë Tepelenës. E ëma, Esmihan Hanëmi (Hanko), ishte bija e Zenel Beut të Konicës, feudalit më të fuqishëm shqiptar të asaj zone. Nëpërmjet beut të Konicës, me vajzën e të cilit qe martuar, Veli Beu, i ati i Ali Pashë Tepelenës  u lidh fort me familjet më të rëndësishme të vendit.

Në librin e vet për Ali Pashën, Aravatinos thotë se dera e Konicave ishte pasardhëse e Kastriotëve. Por ky fakt nuk i qëndron vërtetësisë historike. Vetë Faik Konica, një nga pasardhësit e shkëlqyer të kësaj dere, e mohon këtë fakt kur thotë: Një stërgjyshi im, i quajtur Mehmet Pasha rronte në kohë të dëgjuar dhe nuk është çudi që pas pakë brezash, populli ta ketë përzier me Skënderbenë.

Analet historike dëshmojnë se dera e Konicajve njihej ndryshe edhe si dera e Zenelbejllinjve, në emër të Zenel Beut, nipit të Mehmet Pashës, i përmendur për pasurinë dhe jetën e shkëlqyer që bënte.

Zenel Beu, nga martesa me motrën e Kurt Pashë Beratit, pati një bijë dhe një bir. E bija u martua me Veli Bej Tepelenën dhe lindi Alinë.

Ky detaj i lidhjes familjare të Ali Pashë Tepelenës me Kurt Pashën e Beratit është shumë i rëndësishëm, pasi tregon sërish statusin e rangut të familjes së Ali Pashë Tepelenës, si një prej familjeve aristokratike toske.

Kjo do të thotë që kjo familje nuk u gjend rastësisht në qendër të ngjarjeve, të cilat përcaktuan fatin vetëqeverisës të Epirit për më shumë se 35 vjet, siç tentojnë shpeshherë ta përshkruajnë burime të ndryshme të letërsisë së udhëtimeve, të cilat në të shumtën e rasteve janë kujdesur të përcjellin historitë lokale të Epirit, me një këndvështim më shumë orientalist, sesa i përgjigjen realitetit.

Ali Pasha Tepelena ishte shumë i lidhur me të ëmën pasi babai e la në moshën 12-13  vjeçare.

“Unë i detyrohem shumë asaj, – i pati thënë ai njëherë konsullit francez, Pukëvilit, sepse pas vdekjes së babait ne nuk trashëguam asgjë më tepër, veç pak streme tokë dhe disa kafshë. Edhe sot më djeg malli të dëgjoj këshillat e saj.

Ajo dy herë sakrifikoi për fatin e jetës sime; së pari që më bëri burrë dhe së dyti që më bëri vezir. Imagjinata e saj zbulonte përpara meje sekretet që do t’i kishte e ardhmja ime. Aso kohe Tepelena nuk përfaqësonte asgjë për mua, veçse, thjesht vendin ku pata lindur, prej nga unë duhet të lëshohesha në sulme mbi gjahun, që tanimë ishte konturuar në idetë e mia.

Nuk ëndërroja dhe as mendoja për gjë tjetër, veçse për barot, pasuri, pallate, me një fjalë për ato që me kalimin e kohës i realizova dhe ato që synoj të realizoj, sepse në pikën ku kam arritur, dalloj se nuk është maja e llogarive të mia”.

Autorë të ndryshëm janë munduar, kinse të depërtojnë në natyrën e veprimeve të Ali Pashë Tepelenës ta emërtojnë karrierën e tij një histori tipike orientale. Aliu paraqitet si imoral dhe i ulët, absolutisht i pamëshirshëm dhe hakmarrës.

Historia e ngjitjes së tij të shpejtë në pushtet, nga një pinjoll i një familjeje të mugët pseudofisnike të një fshati shqiptar, në sundimtar të një pashallëku të gjerë dhe fort të pasur, rrëfehet si një seri e pafund mizorish, mashtrimesh dhe veprash kriminale.

Në të gjitha historitë anekdotike, që tregohen për Aliun, një rol të rëndësishëm luan ambicia e Hankos, egërsia  dhe dëshira e saj e madhe për t’u hakmarrë, çka shkakton drama të mëdha njerëzore, si ato të Hormovës dhe të Kardhiqit.

Fëmijëria e vështirë e Ali Pashës, i mbetur jetim rreth moshës 12-13 vjeç, dëshira dhe mënyrat e tij për t’u përkujdesur për familjen, të ëmën dhe të motrën, në një mjedis të vështirë feudal, ku lulëzonte anarkia dhe dhuna, nuk shikohen si përpjekeje pozitive, por si një konglomerat ndjesish negative të tradhtive, intrigave dhe imoralitetit.

Tradhtitë e Aliut janë parë nga të gjithë autorët, jo si rrjedhojë psikologjike e një fëmijërie të vështirë dhe të ashpër, por si një imperativ biologjik, si një rezultat i paevitueshëm i edukimit të tij në ato rrethana jetësore.

Sipas këtij intepretimi, thelbi i vërtetë i orientalit karekterizohet nga një shthurje e trashëgueshme, sikur të ishte ndonjë karekteristikë fizike, etnike a racore.

Përgjithësisht, këtë lloj mizorie dhe tradhtie, të gjithë autorët ia veshin trashëgimisë së tij nga e ëma. Pothuajse në të gjitha veprat për Ali Pashën, asaj i kushtohen pasazhe të veçanta. Madje, edhe autorë si Hobhaus që flasin me admirim për Ali Pashën ose që nuk paragjykojnë sundimin e tij të ashpër, kur vjen rasti për të folur për të ëmën, e portretizojnë atë si simbol të një egërsie të pashoqe.

E ëma, Hankoja u bë strumbullari i i gjithë të ardhmes së tij edhe duket se bashkë me qumështin, ka thithur dhe prirjen drejt mizorisë dhe egërsisë.

Ky paragjykim dhe ky stereotip rreth Hankos nuk u shua as edhe një shekull më vonë.

Siç vëren me të drejtë studiuesja Katherin Flemming në veprën e vet “Bonaparti mysliman”, shkrimtarë, si William Plomer në veprën e vet “Diamandi i Epirit”, shkruan se ajo (Hankoja) kishte një ndikim shumë të fortë mbi ta (Aliun dhe Shanishanë) dhe bashkë me qumështin u mëkoi edhe ambicjen, babëzinë dhe urrejtjen.

Mirëpo, pavarësisht këtyre stereotipave që mbizotërojnë në monografitë dhe studimet për Ali Pashën, figura e Hankos duket se u është nështruar stereotiopave orientalistë në përshkrimin e saj, sepse ajo as më shumë as më pak ka qenë një nënë shqiptare që dëshironte më të mirën për birin e vet pas asnjë ngaa vetitë supernatyrale që i vishen.


Send this to a friend