VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Mëngjesi i ngrohtë dhe ideal për ditët e ftohta të dimrit

By | January 10, 2019

Komentet

Metoda e thjeshtë me 3 përbërës për pastrimin e lavamanit

Sodë me Limon.

Të mbash lavamanin të pastër dhe të dezinfektuar shpesh mund të kthehet në një sfidë të vërtetë.

Një ndër zonat më të përdorura të kuzhinës dhe tualetit sigurisht që është lavamani, kjo e bën atë edhe më delikat ndaj pastërtisë.

Si të gjitha enët e inoksit edhe lavamanët e zakonshëm që ndodhen nëpër shtëpi në shumë raste humbin shkëlqimin e tyre.

Duke u bërë kështu një aksesor i shëmtuar në kuzhinën tuaj.

Përtej pamjes një shqetësim tjetër shumë i madh janë edhe mikrobet që mund të mbeten pas nga çdo gjë që kalon në lavaman.

AgroWeb.org në këtë artikull ju sugjeron një mënyrë shumë praktike të pastrimit të tij vetëm me tre përbërës.

Më poshtë do të ndiqni hap pas hapi si të përgatisni lehtë këtë pastrues natyral.

Pastrimi me limon dhe sodë buke

AgroWeb.org ju këshillon të filloni me spërkatjen e sodës në të gjithë sipërfaqen e lavamanit.

Më pas prisni një limon në dy pjesë të barabarta dhe shtrydheni sipër vendeve ku hodhët sodën e bukës.

Me gjysmën e limonit të shtydhur filloni të fërkoni sipërfaqen që doni të pastroni.

Përdoreni limonin në vend të sfungjerit të zakonshëm duke ushtruar forcë dhe duke e përhapur në të gjithë lavamanin.

Nëse keni një lavaman me dy hapërsira të dedikuara për larje, mund të përdorni një gjysmë limoni për secilën.

Lëreni sodën dhe limonin të veprojë për disa minuta dhe shpëlani lavamanin me ujë të bollshëm.

Për një efekt akoma më dezinfektues mund të përdorni për shplarje edhe uthullën e mollës.

Pastrimi i tubave të lavamanit

Për të pastruar tubat e lavamanit të cilët shpësh herë bllokohen nga ushqimet dhe mbajnë aromë të keqe përdorni sërisht sodën.

Hidhni disa lugë të mëdha sodë buke tek pileta e lavamanit që është pjesa nga ku shkarkohet uji.

Është mirë që ta mbushni piletën me sodë në mënyrë që pastrimi të bëhet sa më i thellë.

Më pas hidhini pak uthull dhe lëreni të veprojë.

Mos u shqetësoni nëse soda me uthullën krijojnë një reaksion bashkë që do të duket si shkuma e sapunit.

Lëreni për 5 minuta dhe më pas shpëlajeni me ujë të bollshëm.

Kështu në pak hapa do të keni një lavaman të pastër që shkëlqen dhe pa baktere./AgroWeb.org

Pesë këshilla si të piqni mishin e pulës në mënyrë perfekte

Pulë e Pjekur.

Mishi i pulës, një nga gatimet më të përdorura dhe të shijshme për çdo tavolinë.

Përtej të mirave shëndetësore që dhuron, ky mish është i njohur për shijen e tij të butë.

Megjithëse ka një mori recetash për gatimin e pulës sërisht gatimi i saj mund të jetë një sfidë e vërtetë.

Gabimet më të zakonshme në gatimin e mishit janë sigurisht pjekja jo e duhur e tij, në shumë raste është i pa pjekur ose i tharë nga nxehtësia.

AgroWeb.org më poshtë ju liston 5 mënyra se si mund të gatuani në mënyrë perfekte mishin e pulës.

Kofshat e pulës

Nëse jeni të shqetësuar që kofshat e pulës mund të jenë më të thata seç duhet atëhere sigurohuni t’i piqni ato në mënyrën e duhur.

Duke qënë të pasura me dhjamë ato do të jenë gjithnjë të buta, por gjithsesi kujdesuni të mos i piqni më shumë se 30 minuta.

Një mënyrë tjetër është t’i zieni ato pak minuta para se t’i fusni në furrë.

Gjoksi i pulës

Mënyra më e mirë e gatimit të gjoksit të pulës apo filetos është gatimi në furrë.

Metoda më e sigurt është mbështjellja e tyre me letër pjekjeje në mënyrë që pula të arrijë të ruajë lëngjet e veta gjatë gatimit.

Gatimi në tigan

Kjo metodë është e thjeshtë, por kërkon pak durim.

Mjafton të vendosni mishin 15 minta në një tigan të mbylluar me kapak.

Sigurohuni që kapakun të mos e hapni asnjëherë dhe do të perfitoni mish pule të butë.

Gatimi në furrë

Pula zakonisht rekomandohet të piqet në temperaturën sipër 70 gradë

Kontrollimi i temperaturës bashkë me gjendjen e mishit janë mënyra më e sigurt e gatimit të saj.

Sigurohuni ta piqni pulën në temperaturë të ulët për një kohë më të gjatë se zakonisht në mënyrë që të ngelet e butë.

Kontrollojeni herë pas here derisa të shikoni që mishi  ka marë pamje të artë duke u kujdesur gjithmonue që ketë pak lëng.

Gatimi me qumësht

Kjo është një metodë e mrekullueshme dhe e veçantë e përgatitjes së pulës.

Pjekja e mishit të pulës me limon dhe qumësht jo vetëm do t’i dhurojë asaj një shije fantastike, por edhe butësi.

Përzieni një gjysmë limoni me rreth 50 ml qumësht të mjaftueshme sa për të lyër të gjithë pulën.

Futeni në furrë dhe piqeni në temperaturë të ulët.

Përzierja e limonit me qumështin do të funksionojë edhe si salcë e mrekullueshme shoqëruese.

Hallvë me sherbet dhe bajame të pjekura – Receta me ëmbëlsi fantastike

Hallvë me Shurup dhe Bajame.

Hallva është një recetë që nuk ka amvisë që nuk di ta përgatisë.

Receta tradicionale është padyshim perfekte, por AgroWeb.org ju tregon një mënyrë tjetër të përgatitjes së hallvës.

Disa sekrete të cilat premtojnë një shije delikate dhe aromë perfekte.

Ndryshe nga hallva klasike që jemi mësuar, kjo recetë përdor gjalpin e shkrirë dhe sherbetin për përgatitjen e saj.

Lexoni për të zbuluar mënyrën e duhur si t’i kombinoni për një rezultat të përkryer sa herë që ta përgatisni.

Përbërësit

1 gotë miell

1 gotë me gjalpë të shkrirë

1 gotë me sheqer

Gjysmë gote ujë

50g bajame të paqëruara

Përgatitja

AgroWeb.org ju këshillon që të vendosni një tigan në zjarr të ulët dhe aty të hidhni miellin.

Me një lugë druri piqeni atë derisa të ketë marrë një ngjyrë të artë të lehtë.

Ky proces mund të dojë rreth 7-8 minuta.

Kalojeni më pas në sitë për të shmangur kështu krijimin e kokrrizave.

Shtoni tek mielli gjalpin e shkrirë, të cilit i keni hequr shkumën e bardhë që krijohet kur ai shkrin.

Përzjejeni mirë e miellin duke e rrahur me telin e kuzhinës derisa të krijoni një pastë të plotë.

Ndërkohë vendosni një tenxhere në zjarr të ngadaltë dhe hidhni aty ujin dhe sheqerin që kërkon receta.

Lëreni të kthejë valë kështu do të formohet një shurup apo sherbet.

AgroWeb.org ju këshillon që ta përzieni mirë dhe ta linin në zjarr derisa të mpikset totalisht.

Duke e ulur zjarrin, shtoni pastën e miellit dhe gjalpit dhe përzjejeni me telin e kuzhinës.

Përzjejeni në zjarr derisa brumi i hallvës të fillojë të formohet dhe të shkëputet nga anët e tenxheres.

Do t’ju duhet rreth 5-6 minuta për përgatitjen e saj.

Më pas kalojeni në një tavë të lyer mirë me gjalpë dhe hapeni si një petë të trashë në sipërfaqen e saj.

Vendosni sipër hallvës bajamet e pjekura në furrë për 7-8 minuta.

Mjafton që ta prisni në katrorë dhe ta shërbeni për të dashurit tuaj.

Supa me oriz dhe patate – Shëndeti i mirë në një pjatë

Supë me Oriz dhe Patate

Supa është një nga recetat më të shëndetshme të kuzhinës.

Prandaj është dhe zgjidhja perfekte për një vakt të lehtë dhe të shpejtë.

Në vetëm 30 ore ju do të keni një pjatë të ngrohtë që do t’ju rigjenerojë organizmin nga lodhja e një dite të gjatë.

AgroWeb.org ju tregon mënyrën më të shpejtë të përgatitjes së supës me oriz dhe patate që ju ta përgatisni që sot.

Përbërësit për katër persona

Gjysmë qepe mesatare e grirë

2 patate të mesme të prera në kubikë

200g oriz

1 litër lëng mishi

Kripë

1 lugë majdanoz i grirë

3 lugë gjelle vaj ulliri

Përgatitja e supës me oriz dhe patate

Në një tenxhere të vendosur në zjarr hidhni vajin e ullirit dhe kur të ngrohet shtoni qepën e grirë imët.

Kaurdiseni derisa ajo të ketë ulur volumin e saj, më pas shtoni patatet.

Lërini të marrin një faqe për 3-4 minuta dhe më pas shtoni lëngun e mishit.

Nëse dëshironi mund të përdorni edhe ujë pak të vakët në vend të lëngut të mishit.

Sa të marrë valë hidhni orizin dhe përzjejeni disa herë.

Lëreni të ziejë rreth 15 minuta në zjarr të ngadaltë.

Provjeni për kripë si dhe AgroWeb.org ju kujton që të provoni orizin nëse është i butë mjaftueshëm.

Në fund hidhni majdanozin e freskët dhe shërbejeni duke e shoqëruar me bukë të ngrohtë.

Duke qenë se është një supë e bollshme dhe e plotë, është perfekte për një darkë të shëndetshme.

Por këtë recetë mund ta përdorni edhe për drekë duke e shoqëruar me sallata me perime të freskëta të stinës.

Sekretet se si të zieni mishin – Gabimet që duhet të shmangni

Mënyra e Duhur e Zierjes së Mishit.

Zierja e mishit mund të tingëllojë diçka e rëndomtë që nuk kërkon shumë fantazi, imagjinatë apo aftësi gatimi.

Megjithatë si çdo ushqim tjetër edhe zierja e mishit kërkon një mjeshtëri të caktuar në kuzhinë.

Në këtë artikull të AgroWeb.org do të mësoni për truket e nevojshme për zierjen e mishit.

Temperatura e Ujit

Një aspekt interesant i zierjes jo vetëm të mishit por edhe produkteve të tjera është fakti se kur uji arrin temperaturën maksimale të valimit nuk bëhet dot më i nxehtë pavarësisht një zjarri më të lartë në sobë.

Kur vjen puna tek mishi, zierja në ujë të ftohtë apo të valuar vendoset në varësi të rezultatit që kërkoni.

Nëse mishin dëshironi ta zieni për të bërë supë apo lëng mishi, atëherë duhet ta vendosni në një tenxhere me ujë të ftohtë.

Në këtë mënyrë shumë prej ushqyesve të mishit do të lëshohen në ujë.

Kur uji është shumë i nxehtë, këto ushqyes forcohen dhe nuk janë më efikase.

Por nëse planifikoni të përdorni vetëm mishin, atë duhet ta hidhni në ujë të valuar.

Lëreni të ziejë për 10 minuta dhe më pas uleni temperaturën.

Kësisoj shtresa e parë e zier e mishit do të izolojë ushqyesit dhe aromën e mishit.

Por nëse e zieni mishin gjatë gjithë kohës me temperaturë të lartë, ai do të ngurtësohet e do të bëhet i thatë.

Enët e Gatimit

Enët e gatimit duhen zgjedhur në varësi të sasisë dhe madhësisë së produktit që duhet të gatuani.

Kapaku i tenxheres duhet mbajtur mbyllur jo vetëm që të parandalojë avullimin e panevojshëm të ujit por edhe substancave ushqyese.

Ekspertët e kuzhinës rekomandojnë edhe përdorimin e një kullese metalike për mishin që do të parandalonit zierjen jo të njëtrajtshme të tij.

Sasia e Ujit

Zierja ideale e ujit është në varësi të sasisë së ujit.

Ekspertët këshillojnë që për çdo 450 gramë mish të hidhni në tenxhere një litër ujë.

Uji duhet të mbulojë mishin por jo ta përmbysë atë.

Nëse mishi është gjithë kohës i mbuluar me ujë do të jetë më i shijshëm dhe lëngu më i mirë.

 Shkuma e Mishit

Në pikën e valimit, uji formon gjithmonë një shkumë të trashë e cila duhet hequr me lugë druri menjëherë sapo të formohet.

Nëse nuk jeni të sigurt që keni hequr mjaftueshëm shkumë, hidhni në tenxhere pak ujë të ftohtë.

Sa më pak shkumë të ketë lëngu aq më i mirë dhe i pastër do të jetë mishi,

Nëse shkuma nuk hiqet, ajo do të ngjitet me mishin dhe ky i fundit do të duket i pisët.

Mishi i freskët kërkon shumë kohë për tu zier ndërsa mishi i ngrirë duhet shkrirë përpara futjes në tenxhere.

Nga ana tjetër nëse mishin e lini në ujë për shumë kohë, ai do të humbasë shumë prej aromës dhe shijes.

Qull me pulë e arra – Receta sipas traditës së vjetër

Në shumë zona të Shqipërisë njihet si Qull me Arra, e në shumë zona të tjera si Qervish.

Është një nga gatimet më të hershme tradicionale, i përgatitur në mënyrë fantastike nga mjeshtëria e duarve të nënave dhe gjysheve shqiptare.

Por gjithashtu, është një nga gatimet më mbresëlënëse për çdo turist të huaj që e provon e që mahnitet nga shija e tij teksa përpiqet të marrë me vete recetën e përgatitjes.

Në shumë zona të Shqipërisë njihet si Qull me Arra, e në shumë zona të tjera si Çervish.

E megjithatë tradita mbetet e njëjtë, e po ashtu edhe shija unike e tij.

I përgatitur me përbërës të thjeshtë, të cilët lehtë gjenden në kuzhinën e çdo familjeje, Qulli me Arra apo Çervishi është një gatim special i cili kënaq shijen dhe oreksin teksa mbledh gjithë familjen rreth tryezës.

AgroWeb.org u sugjeron më poshtë recetën autentike të përgatitjes së kësaj recete të shijshme dhe unike të traditës shqiptare.

Si ta Përgatisim këtë Gatim Special në Shtëpi

Përbërësit

1 pulë 1 kg ose kofsha pule 1 kg

100 ml vaj ulliri ose 200 gr gjalpë

15 lugë gjelle miell misri,

Piper i zi

Piper i kuq

Një kokërr qepë

Një lugë gjelle kripë

Një filxhan çaji me arra të shtypura

1.5 l lëng pule

Përgatitja:

Në një tigan kavërdisim me pak gjalpë ose dy lugë vaj ulliri qepën e grirë hollë.

Shtojmë dhe pulën ose kofshat e pulës dhe e kalojmë për një skuqje shumë të lehtë për një apo dy minuta.

E kthejmë pulën nga të dyja anët.

Më pas, hedhim ujin. Shtojmë kripën, piperin e zi dhe piperin e kuq.

I lëmë të zjejnë përreth një orë.

Nga ana tjetër, në një tenxhere shkrijmë gjalpin ose hedhim vajin e ullirit, hedhim miellin e misrit dhe e kavërdisim për 15 minuta.

Në momentin që mielli nis skuqjen dhe të marrë ngjyrë në kafe të hapur, hedhim lëngun e përvëluar të pulës dhe e përzjejme fortë dhe në mënyrë të pandërprerë që të mos krijohen kokërriza.

Sapo masa të jetë krijuar në formën e salcës e hedhim në një tavë, të cilën përmes një furçe kuzhine e kemi lyer më parë me një lugë vaj ulliri.

E fusim në furrë të ngrohtë me 250 gradë celcius dhe e lëmë të piqet për 15 minuta.

Sipas dëshirës, mund të shtrojmë tre petë byreku në tavë e më pas të hedhim sipër saj salcën e përgatitur.

Mbi qullin e përgatitur vendosim mishin e pulës të cilin sipas preferencës mund ta ndajmë në copa ose mund ta vendosim të plotë.

Pasi e heqim nga furra i hedhim sipër arrat e shtypura dhe sipas preferencës mund t’i shtojmë edhe hudhra të shtypura.

Qulli me Arra shoqërohet mjaft mirë me zahire të ndryshme shqiptare, sidomos turshitë, sallata të stinës etj.

Makarona të ziera në qumësht – Receta e veçantë me shije të përkryer

Makarona të Ziera në Qumësht.

A i keni provuar ndonjëherë makaronat të përgatitura me qumësht? Nëse jo, keni për t’u surprizuar me shijen më perfekte që mund të imagjinoni.

Kjo pjatë kremoze dhe me aromë unike falë erëzave që përdoren, do të kthehet në të preferuarën tuaj.

Hapat e përgatitjes janë shumë të lehtë, vetëm kërkon pak kujdes gjatë zierjes në qumësht.

Rezultatin më të mirë e arrini nëse përdorni qumësht të freskët të zierë me pak kripë, gjë që i ndryshon totalisht shijen këtij produkti.

AgroWeb.org ju tregon të gjitha truket për makaronat më të mira që keni provuar.

Përbërësit

8 gota me qumësht

Kripë

1 pako me makarona

2 lugë gjelle me gjalpë

5-7 lugë gjelle me djathë të bardhë apo kaçkavall

Gjysmë luge çaji me arrë myshku

Përgatitja

AgroWeb.org ju këshillon që të merrni një tenxhere të thellë për përgatitjen e kësaj recete, duke qenë se makaronat zakonisht ngjiten në fund të saj.

Vendoseni tenxheren në zjarr të ngadaltë dhe shtoni qumështin dhe lëreni të ziejë.

Hapi i dytë është shtimi i kripës, arrë myshkut dhe më pas makaronat.

Kur qumështi të ziejë për herën e dytë, uleni akoma dhe më shumë nxehtësinë.

Lërini makaronat të ziejnë për 25 minuta, por mos harroni t’i përzieni herë pas here.

Kjo lloj metode është ajo që jep shijen më të mirë, por nëse dëshironi mund edhe t’i jepni një valë makaronave më parë me ujë.

Shtoni më pas gjalpin dhe lërini përsëri të ziejnë, derisa makaronat të jenë gati.

Gjatë zierjes makaronat do të kenë marrë shijen e përkryer të qumështit dhe erëzave.

Një sekret i kësaj recete është fakti që erëzat shtohen kur makaronat janë duke u zierë, kështu arrihet një aromë akoma dhe më e plotë.

Në fund kur ta keni larguar tenxheren nga zjarri shtoni djathin tuaj të preferuar dhe përzjejeni derisa ai të jetë shkrirë.

Kjo recetë mund të përgatitet dhe me fileto pule, mjafton që copat e mishit t’i kaloni më parë në tigan me pak gjalpë dhe kripë.

Shërbehet e ngrohtë dhe shoqërohet me sallata me perime të freskëta të stinës.

Shurup me lule manushaqe dhe mjaltë kundër kollës së thatë – Si ta përgatisni

Shurup me Manushaqe dhe Mjalte.

Kolla dhe e ftohura janë zakonisht probleme shëndetësore që i atribuohen stinës së dimrit, por në shumë raste, kolla e thatë vazhdon edhe në pranverë apo në verë.

Kolla e thatë ka të bëjë me një irritim të fytit, shkaktarët e të cilit janë të ndryshëm.

Këtu përfshihen: alergjitë nga poleni, ajri i kondicionuar, urthi apo virozat e pranverës që shkaktohen nga enterovirusi.

Ndryshe nga rinovirusi që shkakton të ftohurën në dimër, ky virus jeton më gjatë në verë.

Për më tepër, irritimet e fytit zgjasin më shumë në temperatura të ngrohta për arsye të ajrit të thatë dhe përdorimit të ajrit të kondicionuar.

Shurupet natyralë kundër kollës së thatë janë të larmishëm dhe kryesisht kanë për bazë mjaltin.

Ky i fundit mund të kombinohet shumë mirë me lule manushaqen, lajmëtaren më të bukur të pranverës.

Përdorimet e Lule Manushaqes Për Shëndetin

Ekspertët, të cilueve u referohet AgroWeb.org thonë se lule manushaqja është përdorur gjërësisht kundër disa sëmundjesh, çrregullimesh dhe problemesh shëndetësore.

Këtu përfshihen: aknet, azma, bronshiti, ekzema, dhimbjet e kokës, psoriaza, irritimet e fytit, ulçera, infeksionet urinare dhe kolla e thatë.

Shurupi Me Lule Manushaqe Dhe Mjaltë

Ky shurup është shumë i butë dhe delikat.

Ai rekomandohet edhe për fëmijët mbi 2 vjeç.

Për përgatitjen e shurupit ju nevojiten disa petale të freskëta ose të thata të lules, ujë dhe mjaltë.

Formula është e tillë: për çdo lugë gjelle me petale lulesh nevojiten dy lugë gjelle me mjaltë.

Merrni një kavanoz qelqi dhe mbushni një të tretën e tij me petale të lules.

Më pas hidhni ujë të ftohtë sipër tyre dhe futeni kavanozin në frigorifer.

Mbajeni gjatë gjithë natës dhe më pas në mëngjes hidheni në një tenxhere të vogël dhe lëreni të ziejë për 15 minuta.

Më pas kullojeni lëngun.

Nëse do të përdorni 50 ml të lëngut të petaleve të manushaqes, do të përdorni 100 ml ose 150 ml mjaltë në varësi të preferencës.

Vendoseni tenxheren sërish në zjarr të ngadaltë dhe përziejeni mjaltin deri sa të shkrihet.

Mos lejoni që ai të ziejë dhe mbajeni temperaturën nue zjarr shumue avashtë që të mos shkatërrohen vlerat e mjaltit.

Lëngun e trashë hidheni në një kavanoz qelqi dhe mbajeni në frigorifer për një muaj.

Për fëmijët rekomandohen 1-2 lugë çaji në ditë ndërsa për të rriturit 1-5 lugë gjelle në ditë.

Ky shurup luan rol të dyfishtë për pastrimin e rrugëve të frymëmarrjes dhe eliminimin e kollës së thatë./AgroWeb.org

Dollma me lakër dhe perime – Nga më të mirat e traditës

Dollmat janë padyshim një ndër gatimet më fantastike shqiptare.

Të shijshme sa s’ka më, lakrat e përgatitura si dollma janë padyshim një ndër gatimet më fantastike shqiptare.

Të lehta e të plota në shije ashtu si edhe në përgatitje, ky është një ndër gatimet që nëse i ke përpara në tryezë vështirë se mund t’i rezistosh.

Është ndër recetat që ka fituar zemrën dhe oreksin e shqiptarëve prej shekujsh e shekujsh me radhë, trashëguar brez pas brezi duke vijuar edhe sot të ketë po të njëjtën shije e tërheqje ashtu si dikur.

AgroWeb.org ju përcjell më poshtë recetën tipike e dollmave me lakër të bardhë dhe perime, e thjeshtë për t’u përgatitur e për të kënaqur gjithë familjen.

Përgatitja e Dollmave me Lakër

Përbërësit

1.5 kg lakër e bardhë

3-4 kokrra mesatare qepë

5 karrota

2 speca (të kuq dhe jeshil)

2 filxhanë kafeje oriz

1 lugë gjelle salcë domateje

2 filxhanë kafeje vaj ulliri

Kripë

Piper 

Përgatitja

Për përgatitjen e kësaj recete AgroWeb.org ju sugjeron të zgjidhni një lakër madhe, të freskët.

Pastrojeni nga gjethet e dëmtuara dhe largojini kërcellin deri në brendësi.

Më pas, lakrën vendoseni në një tenxhere me ujë dhe ziejini për 15 minuta.

Pasi të ketë zierë ndani gjethet dhe nisni përgatitjen e mbushjes.

Vendosni një tenxhere në zjarr, shtoni vaj ulliri dhe kaurdisni qepën e grirë hollë derisa volumi i saj të bjerë.

Më pas, shtoni karrotat the specat e grira hollë dhe vijoni kaurdisjen. Hidhni orizin, vijoni kaurdisjen e më pas shtoni salcën e domates, kripën dhe piperin.

Kaurdisini të gjitha bashkë dhe shtoni një gotë ujë dhe lëreni të zjejë derisa uji të avullojë.

Në vijim, AgroWeb.org ju udhëzon të nisni mbushjen e dollmave.

Merret gjethja e lakrës, hapet në tavolinën e kuzhinës, shtypet kërcelli. Vendoset mbushja në fillim të gjethes dhe mbështillen anët dhe rrotullohet në formë roleje.

Vijoni me radhë të përgatisni të gjitha dollmatë me rradhë.

Pasi t’i keni përgatitur të gjitha dollmat, vendosini me rradhë në një tenxhere në fundin e të cilës keni shtruar një gjethe lakre.

Dollmatë ngjishen mirë në tenxhere njëra pas tjetrës që të mos hapen gjatë zierjes.

Sipër u vendoset një pjatë, u hidhet 1 apo 2 gota ujë me pak kripë sa të mbulohen por jo plotësisht.

Lihen që të zjejnë për reth 30 minuta.

Shoqërimi dhe përgatitja me salcë

Nëse dëshironi, për ta bërë edhe më të plotë shijen e dollmave mund të përgatisni edhe një salcë të shijshme për të cilën do t’ju duhen: 1 filxhan kafeje vaj ulliri, 1 kokërr qepë mesatare, 1 lugë gjelle miell, 1 lugë gjelle salcë domateje, kripë dhe piper.

Në një tenxhere me vaj ulliri kaurdisni qepën, hidhni miellin, salcën, kripën dhe piperin e zi, një gjethe dafine dhe pak lëng nga dollmatë apo ujë.

Lëreni sa të marrë një valë dhe hidhuani dollmave dhe të lërini të zjejnë edhe pak minuta bashkë me salcën.

Kek me shije fantastike – Receta e ëmbël e këngëtares Merita Halili

Krahas këngës, Merita Halili ka edhe një tjetër pasion, gatimin

Merita Halili është padyshim një ndër këngëtaret më të dashura të shqiptarëve në të gjitha trojet ku ata ndodhen.

Zëri i saj ashtu si edhe këngët vijojnë edhe sot, ashtu si dikur të mbeten në më të preferuarat mes shqiptarëve.

Por krahas këngës, Merita Halili ka edhe një tjetër pasion, gatimin.

E ftuar në një emision televiziv në Tv Klan me gazetaren Rudina Magjistari, këngëtarja Merita Halili  rrëfeu pasionin e saj për gatimin teksa ndau për publikun edhe një recetë ëmbëlsire të përgatitur prej saj.

Këtë recetë AgroWeb.org e sjellë më poshtë në mënyrë që kushdo që preferon ta përgatisë vetë në shtëpi.

Një recetë që amvisat e përgatisin për fëmijët e tyre por edhe në gëzime familjare.

Sekreti qëndron tek copat e çokollatës të cilat i japin një shije totalisht unike ëmbëlsirës.

Hapat e përgatitjes janë shumë të thjeshtë, prandaj përgatitja e saj nuk kërkon ndonjë mjeshtri.

Në vetëm 30 minuta ju do të shijoni ëmbëlsirën që në çdo kafshatë ruan një surprizë.

Përbërësit

2 gota uji me miell

1 gotë e gjysmë uji me sheqer kaf

2 vezë

1 gotë e gjysmë

300 g gjalpë

Gjysmë luge çaji me sodë buke

Gjysmë luge çaji me kripë

Një lugë gjelle me vanilje

200 g çokollatë

Përgatitja

Në një tas të madh hidhni gjalpin dhe rriheni me telin e kuzhinës derisa ai të zbutet dhe të bëhet kremoz.

Shtoni sheqerin de përsëri përzjejeni derisa kokrrizat të jenë tretur plotësisht.

Nëse dëshironi mund të zëvendësoni sheqerin kaf me një gotë uji sheqer të bardhë.

Pasi të keni përzierë mirë sheqerin me gjalpin është koha që të shtoni vezët dhe vaniljen.

AgroWeb.org ju këshillon që vetëm pasi të keni formuar një masë të njëtrajtshme të filloni të shtoni miellin, kripën dhe sodën e bukës.

Është mirë që miellin ta keni situr para se ta bashkoni me vezët, gjalpin dhe sheqerin.

Sitja e miellit bën të mundur që ëmbëlsira të ketë më shumë ajër dhe të fryhet më shumë.

Përzjejeni masën derisa të formoni një brumë të plotë.

Në fund shtoni dhe copat e çokollatës dhe me një lugë përzjejini derisa të bashkohen me masën e brumit.

Ndërkohë lyeni një tavë me pak vaj dhe kaloni aty masën e brumit.

Mundohuni që të krijoni një sipërfaqe me trashësi të njëjtë.

Futeni për ta pjekur për 25 minuta me 150 gradë.

Me një kunjë dhëmbësh apo një thikë kontrolloni nëse është pjekur plotësisht duke e shpuar ëmbëlsirën.

Pasi të jetë pjekur hiqeni nga furra dhe lëreni pak të pushojë e më pas priteni dhe vendoseni në një pjatë për ta servirur.

Kjo ëmbëlsirë është perfekte për një mëngjes plot shije, por edhe zgjidhja perfekte për raste festimesh. /AgroWeb.org

Trahana e ngrohtë për darkë – Dy mënyrat e shpejta të përgatitjes

Trahanaja është padyshim ushqimi më i shijshëm e më i shëndetshëm sidomos në stinën e dimrit.

E ngrohtë dhe shijeplotë, e shoqëruar me djathë a me përbërës të tjerë sipas dëshirës ky gatim mbetet ndër më të preferuarit e shqiptarëve.

Ajo shijon padyshim në mëngjes por sigurisht edhe në darkë duke ngrohur gjithë organizmin e duke të kënaqur me shijen e saj.

AgroWeb.org ju sjell më poshtë dy mënyra të thjeshta dhe të shpejta të përgatitjes së saj lehtë në shtëpi.

Dy Mënyrat e Shpejta të Përgatitjes së Trahanasë

Sipas krahinave dhe zonave të ndryshme, trahanaja përgatitet në mënyra të ndryshme.

Mënyra e Parë

Një mënyrë është ajo përmes zierjes së ujit dhe më pas shtimit të trahanasë në ujin që vlon.

Më konkretisht, masa është dy lugë trahana për person. Fillimisht, trahananë hidheni në një gotë me pak ujë të vakët dhe trazojeni derisa të tretet.

Më pas, vendosni një tenxhere të vogël në zjarr dhe shtoni një gotë të plotë me ujë, shtoni pak kripë dhe lëreni derisa uji të nisë të vlojë.

Në këtë moment shtoni trahananë e tretur dhe trazojeni pa ndrëprerje përmes një luge druri derisa masa të trashet dhe të bëhet e njëtrajtshme.

Nëse dëshironi trahananë më të hollë mund të shtoni edhe pak ujë, kjo varet sipas dëshirës.

Largojeni nga zjarri, thërrmoni në një pjatë të thellë 1-2 feta të holla buke të cilat i keni thekur dhe ftohur më parë.

Shtoni trahananë e përgatitur në pjatën ku keni thërrmuar bukën, përziejeni me bukën dhe në fund sipas dëshirës spërkateni me pak vaj ulliri apo gjalpë të tretur si dhe thërrime djathi gjithashtu.

Mënyra e Dytë 

Ndërsa mënyra tjetër e përgatitjes, është ajo e skuqjes së trahanasë në fillim.

Në këtë rast, trahanaja nuk tretet.

AgroWeb.org ju udhëzon që të vendosni një tigan apo tenxhere të vogël në zjarr.

Shtoni aty një lugë vaj ulliri apo një lugë gjalpë të freskët.

Në rastin e përgatitjes  për një person, shtoni dy lugë trahana, pak kripë sipas dëshirës dhe kaurdiseni për maskimumi dy minuta.

Më pas, shtoni menjëherë një gotë të mbushur plot me ujë të ftohtë dhe trazojeni pa ndërprerje me lugë druri derisa masa të trashet dhe të jetë e njëtrajtshme.

Pasi të jetë gati, largojeni nga zjarri dhe përgatisni bukën si më sipër.

Më pas, shtoni trahananë sipër bukës duke e trazuar në mënyrë që buka të përthithë gjithë masën.

Spërkateni me pak vaj ulliri apo gjalpë të freskët si dhe djathë të thërrmuar gjithashtu.

Për më shumë shije, sipas preferencës mund të shtoni edhe pak spec djegës./AgroWeb.org

Receta e shijshme e aktores së famshme Sofia Loren

Aktorja Sofia Loren

Sofia Loren është padyshim ndër aktoret më të njohura botërore, fama e së cilës sigurisht njihet edhe në Shqipëri.

Ajo është e njohur për pamjen e saj të mrekullueshme, plot bukuri e hijeshi ashtu si edhe filmat e panumërt.

Por Sofia Loren ka dhe një tjetër pasion, atë për gatimin, aq sa ka botuar një libër me recetat e përgatitura prej saj të titulluar: “Në Dashuri Me Kuzhinën”.

AgroWeb.org sjell më poshtë një recetë, të marrë nga libri i recetave të Sofia Loren, recetë e cila përgatitet shumë thjeshtë dhe lehtë dhe ka një shije vërtetë të mrekullueshme.

Përbërësit

1 pulë e freskët, e majme (e prerë në thela)

2 kokrra qepë

1 filxhan çaji me salcë domateje

1 spec të madh të kuq

Kripë

Një spec i kuq djegës i vogël

3 lugë gjelle vaj ulliri

Gjysmë gote me verë të bardhë

Dy lugë gjelle me borzilok të grirë (ose majdanoz sipas dëshirës)

Përgatitja

Sipas udhëzimeve në recetën e Sofia Loren, AgroWeb.org ju këshillon që fillimisht të vendosni një tenxhere në zjarr.

Shtoni aty vaj ulliri dhe vendosni copat e thelave të pulës, skuqini nga të dyja anët dhe më pas largojini në një enë tjetër.

Pasi të jenë skuqur mirë, shtoni aty qepët e grira hollë, bashkë me specin e kuq të grirë hollë.

Kaurdisini të gjitha bashkë derisa volumi qepëve të bjerë dhe qepët të marrin një ngjyrë transparente.

Shtoni më pas verën e bardhë, kripën dhe specin djegës. Lërini të ziejnë derisa vera të avullojë për disa minuta.

Në momentin që vera nis të avullojë pulën kthejeni nga të dyja anët një ose dy herë.

Më pas, shtoni salcën e domatës, gjysmë gote me ujë, mbulojeni tenxheren me kapak, uleni nxehtësinë e dhe zjarrin dhe lëreni të ziejë në zjarr shumë të ngadaltë përreth 30 minuta derisa mishi i pulës të zbutet plotëisht.

Më pas, thelat e pulës largojini nga tenxherja dhe lërini mënjanë. Shtoni në tenxhere borzilok të freskët ose majdanoz, rriteni nxehtësinë e zjarrit dhe lëreni salcën të gatuhet edhe për 2 minuta të tjera.

Më pas, salcën hidheni sipër thelave të pulës dhe servireni menjëherë pasi konsumohet e ngrohtë.