VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Më 5 dhjetor 1791 u nda nga jeta kompozitori gjenial Wolfgang Amadeus Mozart

By | December 5, 2020

Komentet

(Video) Kritika e vlerëson pikturën e Samedin Asllanit si e një “Stili unik”.…

 

Është piktor Zviceran i lindur në vitin 1969 në Mitrovicë (Kosovë). Vetëm dikur pas vitit 1993 ai zbarkoi në brigjet e Liqenit të Gjenevës në Lozanë. Që në moshë shumë të re, je pajisur me një
prirje të vërtetë artistike, Asllani ishte mahnitur nga bota e vizatimit.

Në shkollë, fletorja e tij e shkrimit ishte e mbushur me skica që për temë kishin mjedisin që e rrethonte. Si fëmijë, me një pjekuri shumë të parakohshme, ai u vu re shpejt për talentin e tij si vizatues: skicat dhe satirat e tij u botuan rregullisht në gätetat kryesore ditore të vendit.

Sapo u regjistrua në akademinë e arteve, Asllani braktisi karicaturen për t’iu përkushtuar tërësisht pikturës. Je frymëzuar nga surrealizmi, vepra e tij shtrihej midis vizioneve, universeve dhe delirëve ëndërrimtarë. Pikturat e tija do të rikthejnë në jetë një botë të harruar, atë të përrallave, miteve dhe legjendave popullore.

Mëdyshja ndërmjet apparaît à thellë artistik dhe morisë së ndjenjave të ekzaltuara e bën çdo pikturë të jetë si një pikë kulmore, një pezullim i përkohshëm i kohës që kalon. Çdo pikturë është një psherëtimë e thellë gëzimi, zemërimi ose trishtimi.

Saktësia dhe rregullsia e vijës së tij të zezë zbulon në mënyrë delikate dritë-hijen e pikturave të tija. Pena e tij përvijon në mënyrë të njëjtë dhe të bukur si fuqinë e një peizazhi ashtu edhe
butësinë e formave të një gruaje.Kur Asllani prek atë pafundësisht të voglën, ai i futë në rezonancë gjurmët e së kaluarës.

Pikturat e mëdha akrilike me ngjyra të shndritshme, të pasuruara me një mori arabeskash me ngjyrë të zezë, e karakterizojnë këtë evolucion. Peizazhet ndonjëherë të trazuara, personazhe dhe objectses të përshkruara në mënyrë realiste ose alegorike, ngjallin emocione të mëdha te shikuesit përmes shumëllojshmërisë së subjectjecte të paraqitura.

Gjithnjë ka qenë i udhëhequr nga ndjenjat e tija prandaj edhe periudhat e ndryshme të jetës së tij janë paraqitur në pikturë. Rrethanat e jetës në rininë e tij ndikuan në paraqitjen e hijeve të errëta dhe të ftohta në veprën e tij.Por me kalimin e kohës vijnë duke u bërë më të kthjellëta, për të na dhënë edhe piktura më të lehta dhe të ndritshme, por gjithnjë me filigran, një stil që mund tënjihet krejt. Vepra e tij është ekspozuar në galeri të shumta në Zvicër, por edhe në Itali,

Francë, Luksemburg dhe Gjermani.

Critique e artit e përshkruajnë Asllanin si një piktor „mbërthyes“.

Botuar më 4 shkurt 2020 nga Vjosa Gërvalla

 

Klaudeta Riza: Ju rrëfej bashkëshortin, Petrika Riza, dhe jetët tona si aktorë – Nga Vepror Hasani

Korça mirëpriti dekorimin e Petrika Rizës “Mjeshtri i Madh” nga Presidenti Meta

 

Para disa ditëve, në dt. 2 shkurt 2021, Presidenti i Republikës, Ilir Meta dekoroi me titullin “Mjeshtër i Madh” aktorin e mirënjohur korçar Petrika Riza, për kontributin profesional ndaj artit shqiptar dhe interpretimit me nivel të lartë artistik të roleve të tij në skenën e teatrit dhe ekranin e kinemasë, dhe meqenëse dekorimi u mirëprit nga gjithë opinion qytetar i rajonit të Korçës dhe jo vetëm, menduam të sjellim jetën e tyre aktoriale, Petrika dhe Kaludeta Riza si dy artistë të respekuar dhe të adhuruar nga mijëra qytetarë shqiptarë.

Në fjalën e tij, ndër të tjera Presidenti Meta tha: “Karriera dhe puna e gjatë krijuese e Petrika Rizës, aktorit dhe më pas drejtorit të Teatrit  “Andon Zako Çajupi” në Korçë, është e stolisur hollë në dhjetëra e dhjetëra personazhe në dramë, komedi dhe kinematografi, duke u shpalosur përpara spektatorit, si një artist i kompletuar shumë planesh, i cili ka lëvruar me shumë sukses të gjitha interpretimet e tij”.  “… Ai ka interpretuar në skenë shumë role të rëndësishme dhe protagoniste, si Xhaxha Madhi te “Rruga e Madhe”,  Xhon Kelleri tek “Ishin të gjithë bijtë e mi” Dhespoti Filothe te “Plumbat e shkronjave”, komisari te “Përbindëshi”, prokurori te “Denoncimi” e shumë role të tjera. Në kinematografi Petrika Riza ka interpretuar në dhjetëra filma, ndër të cilat kujtojmë rolin e Rustemit tek “I teti në Bronz”, Neimi në filmin “Yjet e netëve të gjata”, roli i Dhespotit te “Mësonjëtorja”, Kajmekami te “Kush vdes në këmbë” e shumë personazhe të tjera të gdhendura prej tij”. Tashmë për të gjithë ata që dëshirojnë të dinë më shumë për këtë çift artistësh, rrëfimi vjen më poshtë.

Rëfimi

Isha në vit të parë të shkollës së mesme kur shkolla jonë organizoi një mbrëmje vallëzimi, – rrëfen aktorja Klaudeta Riza për veten dhe bashkëshortin e saj, Petrika Riza. U mlodhëm të gjithë. Atje pashë edhe Petrikën, e kisha njohur që kur isha në klasë të gjashtë. Unë isha e datëlindjes 2 qershor 1949, Petrika 1 qershor 1947. Në atë kohë, ai dhe motra ime ishin në vit të parë në të njëjtën klasë të shkollës së mesme, “Fuat Babani”, dhe siç ndodh me shokët e një klase, vinin te njeri-tjetri për ndonjë libër, fletore apo për zgjidhjen e ndonjë ushtrimi. Pas dy vjetësh edhe unë shkova në të njëjtën shkollë të mesme. Me Petrikën takohesha çdo mëngjes dhe gjithnjë më zgjonte respekt. Edhe kur e pashë që kishte ardhur për mbrëmjen e vallëzimit, u ndieva mirë. Nuk e dija që miqësia jonë do të merrte një rrjedhë tjetër.  Kur mbrëmjës po i vinte fundi, njoftuan: “Vallëzimi i fundit!” Në këtë moment i thashë motrës: “Kush kërcen mirë nga të klasës tënde?” Ajo më tha: “Petrika Riza kërcen shumë mirë”. “Thuaji një çikë Petrikës të vijë të më marrë!” Pasi motra komunikoi me të, sa filloi muzika u nisëm drejt njëri-tjetrit. Sipas zakonit, kërcimi i fundit vazhdoi gjatë dhe në u ndjem shumë mirë në këtë kërcim dhe pas kësaj, sa herë bëheshin mbrëmje, ne kërcenim të dy. Petrika Riza ishte gjithnjë tepër korrekt dhe i edukuar.

Vallëzimi i fundit

Vallëzimi i fundit zgjati rreth 25 minuta. Petrika vallëzonte shumë bukur. Më vonë mësova prej tij, që  një xhaxha i Petrikës, (babai i aktorëve Jani dhe Ligoraq Riza), ishte një nga këngëtarët dhe kërcimtarët popullorë më të dëgjuar të kohës. Madje edhe dalja e disa artistëve prej këtij fisi të madh kishte qenë ndikimi i tij. Por edhe unë nuk ngelesha pas në vallëzim. “Vallëzimi i fundit” më kujtohet shpesh. Petrika ishte regjistruar edhe për balet në Shtëpinë e Pionierit, kishte dëshirën ta njihte artin e valleve edhe nga ana profesionale dhe artistike. Në atë kohë  po ngjiteshin në skenë edhe balete moderne. “Shko, – i kishin thënë prindërit, – por pa lënë pas dore mësimet e shkollës”, dhe Petrika, si gjithnjë, i edukuar mirë, e mbajti fjalën. Pasi përgatiste mësimet shkonte në shtëpinë e pionierit. Mësimet e baletit fillonin në orën 16.00. U regjistrua edhe në kursin e fisarmonikës që të kishte edhe një vesh të kultivuar. Rrinte me Minella Borovën, Niko Kanxherin etj, ishte një grup djemsh që  dëshironin të ishin dikushi. Merrte pjesë edhe në mbrëmjet shqiptaro-sovjetike të asaj kohe, të cilat përgatiteshin nga dy regjisorët e mirënjohur Pirro Mani dhe Sokrat Mio. Qëndronin deri në orët e vona të mbrëmjes. Petrika ishte i talentuar. Unë njihesha si “vajza rebele” e shkollës, isha vajza e tretë e familjes Llogori, por të tria të shkëlyera në mësime. Kur shkova në kopësht, ngaqë kisha zë të veçantë, më bënë pjesë të aktorëve të vegjël, luaja rolin e mamasë, partner kisha aktorin Perika Gjezi, (tashmë nuk jeton më), rolin e fëmijës tonë e luante Maqo Lakrori, ish-deputet. Filloren dhe 7-vjeçaren i përfundova te “Mësonjëtorja e parë shqipe”, ku më regjistruan në korr, në kompleks me profesor Vaskë Kolacin. Në 75-vjetorin e shkollës isha drejtuesja e koncertit dhe recituesja e parë. Ashtu si Petrika edhe unë isha regjistruar në shtëpinë e pionierit.

 Familja e Petrikës

Petrika Riza kishte lindur në Bulgarec, fshat pranë Korçës, në një familje të madhe. Kishin edhe një shtëpi të bukur. Gazetari Fiqiri Sejdia, në një intervistë të tij, e përshkruan kështu shtëpinë e Rizave: “Fisin Riza e kam njohur qysh në vitet ’60, ishte një fis mjaft i madh, unë çuditesha me këta njerëz të cilët edhe pse punonin gjithë ditën në kooperativë, përsëri gjenin kohë: ndërtonin shtëpi të reja, mbillnin bahçen me lloj-lloj pemësh, qilarët i kishin gjithnjë plot dhe oborret me lule dhe trendafila. Në familjen Riza kishte mjaft dashuri, mjaft harmoni, paqe dhe respekt për njeri-tjetrin. Ata e donin artin, këngën, muzikën dhe të bukurën”. Dhe vërtet, Petrika Riza vinte nga një familje intelektuale, por edhe patriarkale për nga pjestarët që e përbënin familjen. Të gjithë bashkë bëheshin 17 veta, Gjithsecili kishte ëndrrat dhe synimet e veta. Petrika më tregonte se në këtë familje të madhe ka patur vërtet njerëz që demonstronin të dhëna (prirje) të ndryshme në jetën e tyre, ku dilnin në pah traditat patriotike, arsimdashëse, kulturore dhe artistike, dhe ai si i vogël që ishte në atë kohë, i ndiqte, përpiqej t’i kuptonte, i imitonte, dhe vazhdoi kështu të rritej me atë frymë që ishin rritur edhe kushërinjtë e tij të parë, përpara tij, duke ruajtur gjithnjë afinitetin me ta. Njerëzit e fisit Riza ishin të edukuar e donin, e respektonin dhe e ndihmonin njeri-tjetrin. Gjithashtu, Petrika, kishte edhe një djalë xhaxhai, i cili bashkë me Petrikën  i përkushtoheshin valles dhe këngës, si vazhdues të traditës së xhaxhait të famshëm për kohën. Kur mblidheshin në mbrëmje, në shtëpinë e tij, këndonin dhe hidhnim valle, ndërsa më vonë edhe me muzikën e të vetmes radio në fshat. Kushërinjtë e tij merrnin pjesë edhe në olimpiada dhe aktivitete sportive, bashkë me ta merrte pjesë edhe Petrika që i pëlqente shumë edhe futbolli edhe volejbolli, por më shumë teatri.  Bulgaerci kishte një nga grupet teatrore më të mira të zonës së Korçës, zinte pothuajse gjithnjë vendin e parë, shkonin fshatrave dhe bënin turne. Përveç Janit edhe Petrikës edhe Pertef Larti dhe Dhimitra Plasari nga ky teatër kanë dale.

Familja ime

Unë e dëgjoja me vëmendje Petrikën sa herë më fliste për familjen e vet. Edhe unë i tregoja për familjen time, Llogori, e cila ishte nga familjet më të vjetra autoktone, banonim në qendër të Korçës, prapa Ushtarit të Panjohur, ose sot, prapa Katedrales. Edhe Llogorët ishin fis i madh. Në kohën e Perandorisë Osmane emigruan në Bullgari, Rumani dhe Egjipt, punuan për çështjet shqiptare, veçanërisht për alfabetin e gjuhës shqipe. Një nga përfaqësuesit e fisit tim është edhe Qelidhona Llogori Athanas, mësuesja e parë e gjuhës shqipe për emigrantët në Sofje; Vasil Llogori solli nga Sofja shumë abetare për fshatrat e Devollit, vetëm në Progër çoi 20 abetare; Pandi Llogori dhuroi shtëpinë e vet për Mësonjëtoren e Vashave, ku shërbeu edhe vetë si kujdestar i saj; Loni Llogri qe përfaqësues i shqiptarëve të Misirit në Kongresin e parë për alfabetin e gjuhës shqipe në Dibër, deputet i Korçës në Parlamentin e Zogut, mbështetës i ideve patriotike të Mihal Gramenos, gjithashtu edhe shkruesi i teksit të himnit të qeverisë së princ Vidit; ka shkruar edhe tekste këngësh patrotike dhe lirike si: “Kënga e drenovares”, “Çelu, çelu mos rri sëndisur”, “Çelu lule se erdh pranvera” etj. Babai im, i datëlindjes 1912 kishte biznesin e vet, kurse mamaja ishte 18 vjeçe. Babai i mamasë ishte në Amerikë, kurse gjyshi nga mamaja jurist në Stamboll. Babai ishte i pashëm, me sy bojëqielli, por shpirtin e kishte edhe më të bukur, rriti edhe dy vëllezërit dhe motrën e mamasë, të mbetur jetimë të cilët studiuan jashtë shtetit, kurse motra e tyre studioi për ekonomi. Edhe oborri i shtëpisë tonë ishte plot lule dhe plot kalamaj.

Petrika Riza shkoi për aktor në Tiranë

Me përfundimin e shkollës së mesme, Petrika Riza shkoi në Tiranë, do të konkuronte për aktor. Prindërit e tij dëshironin të studionte për mjekësi, por tashmë ai e kishte ndarë mendjen, kishte vendosur të bëhej aktor. Më pas i mora vesh të gjitha. Për t’u përgatitur për konkurim ishte ndihmuar nga djali i xhaxhait, Todi Riza, edhe materialet ishin zgjedhur prej tij, pra, nuk e pati ndihmën e një aktori profesionist si Minella Borova apo Niko Kanxheri. Veç kësaj ai shkonte dhe vinte çdo ditë me biçikletë, Bulgarec-Korçë dhe anasjellas, koha që i mbetej ishte e paktë. Me t’u gjendur përballë komisionit të konkurimit, në një sallë të madhe, të kryesuar nga pedagogia Drita Agolli dhe regjisorët e mëdhenj Pandi Stillu, Mihal Luarasi, Kujtim Spahivogli etj, pati një çast humbje të besimit. Megjithatë nisi të recitonte, por befas ngeci, teksti nuk po i kujtohej më. U ndje i frikësuar, por pedagogia që do të merrte kujdestarinë e kursit të vitit të parë, i kishte thënë: “S’ka gjë Petrika, ulu qetësohu!” Edhe në aq sa kishte mundur të interpretonte Petrika, anëtarët e komisionit kishin vënë re fizikun e tij, ngrohtësinë e timbrit dhe plotësinë e zërit, aq të domosdoshme për një aktor. Ata që e përfunduan konkurimin, përgjigjen do ta merrnin në rrethet e tyre, kurse Petrikës i thanë: “Do të vish përsëri javën tjetër”, dhe sigurisht në provimin e dytë, i përgatitur nga Sotiraq Çili më së shumti dhe nga Jani Riza, mundi t’i tregonte aftësitë e veta aktoriale dhe të shpallej fitues.

Po unë?

Dy vjet më pas e përfundova edhe unë gjimnazin “Fuat Babani”. “Vallëzimi i fundit” me Petrikën, vijonte të mbetej për mua një nga kujtimet më të bukura të jetës time, dhe nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Edhe në shkollën e mesme “Fuat Babani” vazhdova të merrja pjesë në balet, ndaj edhe vallëzimi me Petrikën u pëlqye nga të gjithë. Edhe mua më pëlqente baleti. Gjithashtu isha edhe në korr, dhe në teatër, ku mësues muzike kishim Niko Ilon, dhe kur vonoheshim në provat e fundit që bëheshin në teatrin “Çajupi”, pas shfaqjeve që jepte vetë teatri, mësuesit tanë na çonin shtëpi më shtëpi. Regjisor kishim të madhin Pirro Mani. Aftësitë e mia si aktore tashmë njiheshin edhe nga regjisorët tanë, por atë vit shkolla për aktorë ishte mbyllur dhe mua m’u desh të punoja një vit në trikotazh deri sa të çelej përsëri. Aty gjeta një trupë teatrore shumë të mirë me aktorë si K. Prifti, Ylli Trajçe, Keti Çili, Liza Dhimitri, Niko Qirici, Vangjush Qendro,  me të cilët edhe sot e kësaj dite ruaj miqësi me shumicën e tyre dhe me punonjësit e repartit ku punova. Ndoshta edhe Zoti deshi të ndodhte kështu… Studimet në Tiranë do të më krijonin edhe mundësinë për të forcuar miqësinë time me shokun e shkollës, Petrika Riza… Në të vërtetë nuk e thosha më zë të lartë këtë gjë, por ndieja një lloj sigurie përpos diçkaje të pashpjegueshme që më shtynte drejt tij. Në pushimet e verës prisja kthimin e Petrikës nga xhirimet e filmave në Tiranë,  i cili vijonte të ishte po ai shok i sjellshëm, i vëmendshëm, i respektueshëm dhe i dashur… ndaj dhe shoqëria me njeri-tjetrin na pëlqente.

Konkurimi im për aktore

Vitin tjetër më dërguan të konkuroja për aktore, por ditën e konkurimit u ndjeva në siklet, isha e drojtur, nuk dija si do dilja, udhëheqës artistik i kursit të parë do të ishte i madhi Kujtim Spahivogli, emocionet ishin të shumta. Recitova poezinë, “Kujtime për Prespën”. Dëgjova zërin e Spahivoglit që më tha: “Mjaft, nuk ka nevojë për më shumë!”. U drodha kur dëgjova fjalën “mjaft”, deri atë çast kisha menduar se isha e talentuar për të qenë aktore, habia ime u nxit edhe prej egos dhe sedrës time. “Po pse!”- pyeta, – unë, kam edhe materiale të tjera…”. “Nuk ka nevojë vajzë”,- ma ktheu. Atë çast nuk u ndjeva mirë, sepse mendova që nuk kisha fituar. Dola nga konkurimi më shumë se e mërzitur. “Do të shkoj për fizikë”, – i dhashë kurajë vetes, sepse ishte dega që më pëlqente,  por në fakt e kisha fituar konkurimin, Spahivogli më kishte vlerësuar që në recitimin e parë, ndaj nuk kishte qenë e nevojshme të vazhdoja më shumë. Atë çast u ndjeva e lumturuar. Shoku im më i mirë edhe në Institutin e Lartë të Arteve, “Aleksandër Moisiu”  mbeti Petrika, rrinim bashkë, shkonim edhe në konvikt, dilnim të dy, i kërkoja ndihmë për problemet e shkollës dhe të mësimeve. Edhe pse ishim dy natyra të kundërta vazhduam lidhjen njeri me tjetrin. Njeriun që e vështroja me zili kur ishim në shkollën e mesme, tani e kisha përkrah meje.

Talenti po na shpërblehej

Kur Petrika Riza ishte në vit të tretë të Institutit, regjisori I Kinostudios, Pirro Milkani e mori për një rol figutranti te filmi “Ngadhënjim mbi vdekjen”, një rol figuranti i një ushtari gjerman, i cili mbart vlerat e çeljes së rrugës drejt filmit. Ndërsa në mbarim të vitit të katërt, Petrikës dhe Mevlan Shanajt iu ofruan role nga regjisori, i madhi Viktor Gjika, te filmi me metrazh të plotë, “I teti në bronz”. (Tashmë Gjika, nuk jeton më, ishte një nga regjisorët më të mirë dhe më kërkues të Kinostudios në atë kohë, siç ishte edhe regjisori Muharrem Fejzo etj). Petrika kishte rolin e Rustemit, ndërsa Mevlani të Ibrahimit. (Rustemi dhe Ibrahimi ishin vëllezër). Edhe për mua vitet e Institutit qenë të mrekullueshme. Kur ende isha në vit të parë, regjisori Pirro Mani, i cili punonte me kursin e vitit të tretë, më ftoi të luaja rolin e Violës te komedia “Nata e dymbëdhjetë”, por me qenë se nuk i plotësoi dot të gjithë personazhet, vuri në skenë një pjesë tjetër ku unë pata rolin e vjehrrës. Mundësi të tilla që në vitin e parë ishin të rralla ose të pamundura. Në vit të dytë pata rastin të luaja edhe një fragment nga një tragjedi ruse e Vishnjevskit, ku u vlerësova me notën më të lartë. Në vit të tretë vumë në skenë “Të pamposhturit” “e Mirush Jeros, ku luajta rolin kryesor, të nënës, Hava.

Propozime për të qendruar në Tiranë

Po atë vit Spahivogli krijoi  Teatrin e të Rinjve, ku Mihallaq Luarasi vuri në skenë “Mosha e bardhë”, unë luajta rolin e Meribanit, ku si partner të parë në teatër profesionist kam patur Robert Ndrenikën. Vitin tjetër, te komedia lirike, “Ylli pa emër” me regjisor Mario Ashikun, pata një rol karakteri shumë të bukur. Në rolet kryesore ishin: Agim Qirjaqi, Astrit Çerma, Bujar Lako, Pandi Siku, Pirro Malaveci, Fatos Sela, Justina Aliaj etj. Kjo shfaqje më krijoi mundësinë të njihesha me aktorët e mëdhenj të Teatrit Kombëtar dhe ata të njihnin aftësitë e mia aktoriale. Në kohën kur u vendos të merrnin Vangjush Furxhiun në Tiranë, u propozua edhe emri im, por Korça nguli këmbë: “Mund ta merrni Furxhiun, nëse Klaudetën e dërgoni në Korçë!”. Sigurisht, Furxhiu shkoi në Tiranë. Pas kësaj bënë përpjeke të më mbanin edhe mua në Teatrin e të Rinjëve, por edhe kjo nuk u bë e mundur. Unë kisha edhe një arsye më shumë për të qendruar sepse edhe për Petrikën po bëheshin përpjekje për ta mbajtur në Tiranë, madje u emërua tri herë për të qëndruar në Tiranë dhe tri herë u çemërua, nuk e lanë të qëndronte as si pedagog në Institut dhe as si asistent regjisor në Kinostudio, ku për 6 muaj punoi si i emëruar, sepse Korça ngulte këmbë të kthehej në aty. Kështu ndodhi edhe me Minella Borovën dhe Llazi Serbon. Në atë kohë ekzistonte një ligj që të ardhurit nga rrethet, duhej të ktheshin përsëri në rrethet e tyre.

Petrika, aktor në Korçë

Petrika shkoi në Korçë. Teatri i Korçës në atë kohë ishte në kulimin e vet, kishte krijuar emër të mirë që nga fillesat e tij. Vajtjen në Korçë e priti mirë, nuk i mbeti peng mosqëndrimi në Tiranë, sepse e shihte të nevojshme të ishte pranë familjes; në atë kohë ishin ngushtë ekonomikisht, vetëm me rrogën e babait sepse nëna e Petrikës ishte e sëmurë, nuk dilte në punë, megjithatë  punonte shumë  për të përballuar nevojat e kësaj familje të madhe: gatimet, punët e shtëpisë e gjithçka tjetër, ku  lodhej më shumë se një tjetër që punonte në kooperativë. Në Teatrin e Korçës Petrika gjeti një ambient artisëtësh të mëdhenj dhe një regjisor të mrekullueshem, si Mihal Luarasi. Një nga rolet e parë të tij në Teatrin e Korçës ishte Xhaxha Madhi te drama “Rruga e Madhe”, e Vangjush Zikos, pastaj erdhen role të tjera: Xho Keller te drama “Ishin të gjithë fëmijët e mi” e Artur Miler;  Dhespoti Filothe, te drama “Plumbat e shkronjave” e Naum Priftit, e në vijim roli i hetuesit te shfaqja “Përbindëshi” e Agatha Krist, kryeroli i profesorit tek drama në vargje “Stuhi në Prill”, shkruar nga Skënder Luarasi, roli kryesor i Sofkinit tek drama “Koha në gjunjë, s’na ka parë” e Namik Dokles; Hilmiu tek drama “Të pamposhturit”  e Minush Jeros, Marku te “Bijat e çobanit” e Vangjush Zikos, Duka te “Triptik”-u i Pushkinit, “Gosti në kohë kolere”,  Ralf Komo te drama “Engjëjt e sketerrës” e autorëve francezë, Zhorh Bellok e Pol Kanten dhe  kryeroli i babait tek tragjedia greke “Pazari”.

Kryerole të tjerë

Dhe sigurisht, Petrika ka interpretuar edhe kryerole të tjerë, si: Lini te drama “Njerëz dhe minj”,  ku u vlerësua “Aktori më i mirë i vitit”; kapiteni Koks tek drama “Famur në dallgë” e Miliano Stefës; Marku tek drama “Vajza e Uzinës”; Abdi Sharra tek drama “Këneta” e Fatmir Gjatës; Xha Hekurani te drama e Riza Hysës, “Njerëz të afërt”; kryetari i Komitetit tek “Mësuesi i letërisë” e Ruzhdi Pulahës; roli i Aleksandrit te Madh të Maqedonisë, tek drama “Proskimes” e Miço Kallmatës,  si dhe role të tjerë në zhanrin e komedisë, ku e tregoi veten edhe si aktor i humorit, ndër të cilët mund të përmendim rolet kryesore të Turhanit tek komedia e Pëllumb Kullës “Kështu të dua”; shefin e Policisë tek komedia “Kohë për t’u çemdnur” e Kiço Blushit; Mbreti Oberon tek komedia “Ëndrra e një nate vere” e Shekspirit;  babain te komedia greke “Puthja” e autorit Grigoris Ksenopulos;  Çizon tek komedia  e Astrit Çermës,  “Qytetrrethimi”;  Hetuesin te komedia greke “Hajdutët ikin në D.P.”;  Kasapin tek komedia “Pallati i grave” e Erald Sojlit;  hotelxhiun Kristaq  tek komedia greke “Hipokritët e vegjël”; babain te “Shtëpia në rrugicë” e Teodor Laços; Postierin Malo te komedia e Ruzhdi Pulahës, “Shoqja nga fshati”; Qazimin te komedia “Ju ftojmë në dasmën e babait”, të Petrit Koçibellit;  Petron te komedia greke “Zonjusha 39 vjeç” e Aleksandër Saqellarit; Volponen tek drama me të njëjtin titull, etj.

Role në kinematografi

Petrika u miqësua shpejt me të gjithë, ishte tepër njerëzor, i çiltër, i mirëkuptueshëm, me humor dhe me një të qeshur të këndshme. Ishte një aktor që i duhej skenës shqiptare. “Por, nëse në hapësirën e skenës aktori Petrika Riza, improvizoi me sukses të dyja planet e aktrimit, – shkruan Miho Gjini,- në ekranin e kinemasë do të interpretonte role serioze, personazhe të karakterit dramatik, me psikologji të brendshme, si edhe karaktere të llojeve të ndryshme e të fushave shoqërore të ndryshme, të luftës, të punës dhe të mjediseve të veçanta. E gjithkund do të linte pas një vizion krijues që ka mbetur dhe është fiksuar në ekran, me dinjitetin e duhur të vlerave të artit”. Nga rolet e interpretuara në kinematografi, mund të përmendim: Rustemin te “I teti në Bronz”;  Neimin te “Yjet e netëve të gjata” (nënë Pashako);  kapitetin Koks tek telefilmi “Flamur në dallgë”;  dajën e Petritit te filmi televiziv “Me hapin e shokëve”; Janushin te filmi “Një emër midis njerëzve”;  shoferin e autobusit te filmi “Shokët e klasës sime”; zëvëndësministri, te filmi me dy seri “Fletë të bardha”;  Abdi Shara tek telefilmi “Këneta”;  Rrapi te filmi “Në fillim të verës”;  Rusta tek seriali televiziv me pesë seri “Agimet e stinës së madhe”;  Koço Sharko te filmi “Përballimi”;  xhandari Qazim te filmi me dy seri “Rrugicat që kërkonin diell”;  Xhaxha Madhi te telefilmi “Rruga e madhe” ;Kamjekami te filmi “Kush vdes në këmbë”;  Dhespotin te filmi “Mësonjëtorja”, ku shënoi nivelin më të lartë artistik etj.

Vlerësimi i kolegëve për Petrika Rizën

Nga intervistat e kolegëve të Petrikës, duket vlerësimi I vlerave njerëzore dhe artistike për të, pedagogia  vet Drita Agolli shprehet: “Kemi pasur shumë Riza aty në Institut, të gjithë ishin shembullorë, të displiniuar dhe aktorë të mirë, Petrika ishte edhe kujdestar i kursit, shembullor, njeri pa fjalë, dhe i etur për dije”; regjisori Mihallaq Luarasi: Petrika Rizën e njoh qysh në fillimet e veta, unë isha regjisor i Teatrit të Korçës kur ai erdhi në qytetin e vet dhe që atëherë u shfaqën tiparet e tij si aktor i talentuar, por më tepër si njeri, djalë shumë punëtor, i heshtur, i qetë, gjithmon jashtë konflikteve, jashtë fërkimeve me të tjerët, bënte punën e vet me përkushtim”; kolegët Timo Floko: “Petrika është shoku ynë i klasës, ka qenë i veçantë në një kuptim, ka patur maturitet që në moshën e rinisë, ka qenë korrekt, sillte një natyrë dhe një karakter të ngrohtë në përgjithësi që e zhvilloi më tej në marrëdhëniet me njerëzit”;  Llazi serbo: Petrika çmohej për korrektesën, pikë që unë e kam dobësi. Petrika, bashkë me bashkëshorten e tij, ishin njerëzit më të përpiktë në disiplinën artistike, dhe këtë e them me kurajo. Petrika ka patur gama rolesh të ndryshme, është ndryshe tek “I teti në bronz”, ndryshe te “Yjet e netëve të gjata”, ndryshe të “Mësonjëtorja” me dhespotin, që ai e ka me shumë dinjitet”; Albert Minga: “Petrika është një aktor që e meriton fjalën “aktor” me stof aktori; veçanërisht për konstruktin e tij, për portretin tepër ekspresiv, për seriozitetin me të cilin i zbërthen personazhet dhe punën profesionale që bën për të arritur te personazhet e tij; Gëzim Kame: “Petrika ka një botë të pasur emocionale, zë të ngrohtë dhe fizik të madh që janë avanatazhe për skenën”; Tinka Kurti: Për mua Petrika Riza është një aktor i mrekullueshëm, partner shumë i dashur, dhe unë nuk do të harroj kurrë marrëdhëniet e mia me Petrikën gjatë xhirimit të filimit Nënë Pashako”; Guri Koço: “E them me gojën plot: Petrika Riza është edhe një aktor shumë i mirë komedie”.

Puthja e parë!

Petrika shkoi aktor në Korçë. Mëngjesin e të nesërmes ndieva mungesën e tij, nuk erdhi të më takonte ashtu siç bënte gjithnjë, m’u duk sikur kisha mbetur vetëm. Gjithçka rreth meje ishte bosh. Por nuk ndodhi ashtu, ai prapë mbeti i lidhur me Tiranën në proces te xhirimit të filmave si “I teti në bronz” dhe “Montatorja” .Ndihesha ndryshe sa herë takoheshim. Një radhë mbërriti me trupën teatrore të Korçës për të dhënë në Tiranë shfaqjen “Engjëjt e Skëterës”, të Pol Kanten dhe Zhorzh Bellak.  Ishte një shfaqje shumë e bukur, sapo kishin filluar tendencat moderniste të shfaqura në vitet 1971-72, të cilat nuk e patën jetën e gjatë, sepse shumë shpejt u kthyem atje ku kishim qenë. Për mua dhe Petrikën kjo periudhë mbeti nga më të bukurat. Pata përshtypjen se kishim filluar ta donin njeri-tjetrin edhe me fort. Petrika vijonte të ishte ai që kishte qenë: i dashur, i qetë, i sjellshëm, ndërsa unë e entuziazmuar, i tregoja gjithçka me lëvizjen e duarve, me zë të lartë, pa u meraksor nëse dëgjonin njerëzit në rrugë, ndoshta ngaqë isha gjithnjë e sinqertë dhe s’kisha pse të druhesha. Në raste të tilla Petrika më thoshte: “Këtë histori e tregove për mua apo për spektatorin?”. Njëherë tjetër më tha: “Ty Klaudeta do të kenë thënë që Petrika nuk dëgjon mirë nga veshët!”, dhe qeshte. Një natë, pas shfaqjes, ndërsa po ktheheshim në konvikt, nuk e di pse mbetëm të heshtur, pa asnjë fjalë… një çast më pas duart tona u ndjenë të bashkuara… ndaluam diku rrugës së konviktit…befas në strehzën e një kioske e pamë veten duke u puthur… dhe përsëri asnjë fjalë. Ishte një prej netëve tona më të bukura. Pastaj vijuam të heshtur drejt konviktit. Kur  arritëm te dera, Petrika më tha: “Epo… do iki unë tani… do takohemi prapë…” Pas mbrojtjes së diplomës, shkova në Korçë, mezi prisja të takoja Petrikën, tashmë takimet tona po më ngjasonin me lumturinë e “Vallëzimit të fundit”, kur ishim në shkollën e mesme.

Dashuria jonë e kërcënuar

Në vititn 1972, fillova punë në Teatrin e Korçës. Ishin kohë të bukura! Më pas shkuam në një turne me teatrin, ato ditë dashuria jonë ra në sy të të gjithëve. Dikujt prej njerëzve të teatrit (nuk dëshiroj t’ia përmend emrin) që  nuk i kishte pëlyer dashuria dhe sjellja jonë në turne, tentoi ta kthente në çështje, por në analizën e turneut, nuk e përkrahu askush.  Kështuqë unë dhe Petrika vazhduam si gjithnjë. Mirëpo pas ca kohësh në familjen time ndodhi një ngjarje që për atë kohë mund të ishte me pasoja për ne e familjen time.  Edhe pse thellë-thellë, i trembesha humbjes së dashurisë me Petrikën, i tregova gjithçka që kishte ndodhur , duke qenë e ndërgjegjshme dhe mirëkuptuese për çdo vendim që do të merrte, sepse nuk doja që ai  ta pësonte për hir të kësaj ndodhie. Petrika më pa me habi dhe pasi kuptoi gjendjen time më tha: “Ne e kemi zgjedhur tashmë bashkë këtë rrugë, kemi marrë dhe një vendim, kështu që çfarëdo që të ndodhë do të jemi përkrah njeri-tjetrit”. Ju hodha në qafë, fjala e tij më ngrohu… më shkriu gjaku. Pas disa ditësh erdhi në familjen time dhe iu tha: “Ju jeni familja e Kaludetës, jeni edhe familja ime, jeni prindërit e saj, por tani e tutje do të kini edhe një djalë tjetër, ne së shpejti do ta zyrtarizojmë lidhjen tonë”. U habita nga fjalët e Petrikës, foli si i moshuar dhe ishte vetëm 25 vjeç. Pas një muaji e gjysmë, më 2 janar 1974 u fejuam, unë isha 23 vjeç. Fal vendosmërisë së Petrikës për të mos e braktisur dashurinë tonë, ata që  deshën të na bënin keq, kuptohet që u tërhoqën.

Çiftet e Tetrit të Korçës

Kur u ktheva në Korçë gjeta edhe disa çifte aktorësh (bashkëshortë): Qefsere dhe Vani Trako, Dhorkë dhe Dhimitër Orgocka, Vjollca dhe Aleko Prodani, Florika me Stavri Shkurtin dhe së fundi unë me Petrika Rizën, edhe si çifte patëm shoqëri të mirë e të sinqertë. Unë bashkë me Petrikën patëm fatin të interpretojmë drama jashtëzakonisht të fuqishme si “Denoncimi” e Ruzhdi Pulahës, një dramë që rrallë u bie në dorë aktorëve me personazhe të tilla. Petrika ishte në rolin e Prokurorit, Bekim, kurse unë në rolin e bashkëshortes së prokurorit, të cilët gjenden përballë një intrige; vajzën e tyre e kanë përdhunuar e kanë filmuar, kanë bërë afishe e video,  dhe nëse prokurori do të dënonte një vrasës, të gjitha filmimet do të reklamoheshin dhe mendo ç’tragjedi familjare mund te ndodhte?…

Vlerësimet si aktore

Gjatë jetës time si aktore kam luajtur edhe role burrash, ku së fundi luajta rolin e Skënderbeut, asnjëri nuk më njohu, me përjashtim të vajzës sime të vogël, që më tha: “Mami,unë  të njoha nga unaza që kishe në dorë”. Në vitin 1989, në Javën e artit skenik me kryerolin e Gazepes te drama satirë e vangjush Zikos, ” u vlerësova “Aktorja më e mirë”, këtë çmim e mora edhe te “Protagonist 2000”, si aktorja më e mirë e vitit, gjithashtu në vitin 2000 u vlerësova me “Emblema e artë”, kurse me rolin e nënës te drama “Kohë pa emër” e Ruzhdi Pulahës dhe regji të Dhimitër Orgoockës, u vlerësova “Aktorja më e mirë”, e Festivalit  teatror të komedisë “Ballkan 2000”, çmim të cilin disa muaj më vonë e mora edhe në Gjilan të Kosovës, në Festivalin “Flaka e Janarit”.  Në vitin 2010 Presidenti Bamir Topi me rastin e 60-vjetorit të Teatrit të Korçës më vlerësoi me  urdhërin e “Naim Frashëri i Artë”.

Petrika në verësimet e presidentëve

Petrika Riza, përveç çmimeve të tjera, si “Medalje pune”, “Naim Frashër i klasit të dytë”, është  është vlerësuar edhe me dy çmime të mëdha nga Presidenca: në vitin 2003 me medaljen “Naim Frashëri i Artë”, kurse më 2 shkurt të këtij viti me medaljen “Mjeshër i Madh”,. Petrika është edhe iniciuesi i Festivalit teatror të komedisë “Ballkan 2000” si dhe drejtor i teatrit “Andon Zako Cajupi” gjatë viteve 1998-2004. Besojmë se me punën tonë kemi nderuar edhe dy vajzat tona, njëra stomatologe, tjetra gazetare si dhe mbesën tonë të shtrenjtë. Mirënjohje publikut që na ka ndjekur e duartrokitur  gjatë gjithë jetës tonë artistike. Me këto fjalë e mbylli rrëfimin e saj për veten dhe bashkëshortin, aktorja e mirënjohur Klaudeta Riza.

 

PETRIKA RIZA, ROLET NË KINEMATOGRAFI E TELEVZION

 

Në kinematografi ,Petrika e ka filluar kontibutin e vet me rolin e Rustemi te filmi “I teti në bronz”; më pas me rolin e brigadierit te “Montatorja”; Neimin te “Yjet e netëve të gjata”. (Nënë Pashako); kapitenin Koks tek telefilimi “Flamur në dallgë”; dajën e Petritit, tek filmi televiziv “Me hapin e shokeve”; Janushin tek flimi “Një emër midis njerëzve”; shoferin e autobuzit, tek flimi televiziv “Shokët e klasës sime”; zëvëndësministrin tek filmi me dy seri “Fletë të bardha”;  Abdi Shara tek telefilimi “Këneta”; Rrapi tek filimi “Në fillim të verës”; Rustën tek seriali televizim me 5 seri; “Agimet e stinës së madhe”;  Koço Sharko tek filmi “Përballimi”;  xhandarin Qazim tek flimi me dy seri “Rrugicat që kërkonin diell”; Xhaxha Madhin, tek telefilimi  “Rruga e Madhe”;  Kajmekamin tek flimi “Kush vdes më këmbë”; Tahiri te “Dasmë e çuditshme”; Dhespotin tek filim “Mësonjëtorja”, ku shënoi edhe nivelin më të lartë artistik etj.

 

 

 

 

 

 

KLAUDETA RIZA, ROLET NË TEATËR

 

Ndërsa unë kam luajtur qysh në fakultet në vitin e tretë, kryerolin e  Nënë Havasë, te drama “Të pamposhturit” e Minush Jeros; po në vitin e tretë kam luajtur Madmauzel Kuku, te komedia rumune, “Ylli pa emër”; në vitin e katërt kam luajtur rolin e Meribanit te “Mosha e bardhë” e Dritëro Agollit, me partner të madhin Robert Nderenika, ndërsa kur erdha në teatër, kam luajtur rolin e Lonevicës (një personazh i thyer në moshë) te drama “Këneta” e Fatmir Gjatës; rolin kryesor të Pranverës te  drama “Rruga e madhe” e V. Zikos; kryerolet te “Prova e rritjes” dhe “Troket historia”; mësuesen e matematikës te drama “Mësues i letërisisë”; kryerolin e nënës Semi te “Denoncimi” i Ruzhdi Pulahës; Dhespina te “Pazari”- komedi greke, dhe  te komedia  “Zonjusha 39 vjeç”, rolin e zonushës, Krisanthi; Rajmondën te komedia “Kur çel dashuria” e Teodor Laços; Hanxhesën tek drama e Naum Priftit, “Plumbat e shkronjave”; Vullnetaren  tek komedia e Ruxhdi Pulahës “Zonja nga qyteti”; kryerolin e Lumturisë, te “Troket historia” dhe  Donika te “Procesi i hapur” e Shpresa Vretos.  Ndërsa si role kryesore mund të përmend: “Zonja e shtëpisë” te drama “Përbindëshi”; Nëna te shfaqja e Ruxhdi Pulahës “Kohë pa emër”;  Frosina te “Kopraci” i Molierit; Lucia te “Interesi i përgjithshëm”; Nëna te “Zgjohu Vasil”, Nëna te “Fryrja”  dhe Nëna te drama “Për këtë truall” të Teodor Laços;  Motra e Stasit te “Një nuse për Stasin; Gruan e aviatorit te “Pallati i grave”, Raimonda te “Shtëpia në rrugicë”, Aspasia te “Karnavalet e Korçës”, e Spiro Çomorës; Egra te drama “Era e Lartësive” e N. Dokles, Shpresa te komedia “Zonja nga qyteti” e R. Pulahës

 

Role te tjera

 

Parnela te komedia “Tartufi” e Molierit, Zhulieta te drama “Koka e tjetrit” e Marsel Eme, Sariqe te drama “Paja” e Di Maxhios, Nënë Rina te drama “Zeko Shkoza” e R. Pulahës, Xheni te drama “Opera për dy grosh” e Brehtit, Suzana te drama “Ishin të gjithë bijtë e mi” e A. Miler, Myrveti te drama “ Qytetrrethimi” e A. Çermës, Emilia, te tragjedia “Otello” e Shekspirit,  Kontesha te “Lakuriq me violinë”, gruan e aviatorit te komedia “Pallati i grave”, mamnë  e nuses, te komedia “Nusja modern”; nënën te komedia greke “Zgjohu Vasil”, nënën te “Qytetrrethimi”; Folerncën te komedia e Pëllumb Kullës “Kështu të dua”, nënëN te komedia greke “Hajdutët ikin në D.P” etj.

Në estradë: Kam interpertuar në shumë spektakle, madje për gati dy vjet, mbajta peshën kryesore në trupë, si rolin e profesores te skeçi “Bosi dhe profesorja” që m’u bë emër i dytë,  shumë njerëz më thërasin me emrin e personazhit- profesore; Krisën tek “Bishti i shqiptarit”, një skeç që fatmirësisht e kam interpretuar me të madhin Aleko Prodani dhe Arben Dervishin, skeçi i vdekjes “Grykësit” që spektatorët na i kujtojnë batutat gjithandej, shkruar ngë Petrit Koçibeli; Gjyshen te skeçi “Gjyshja e Droguar”; Gruan te skeçi Letër nga Larg”. Shitësen te skeçi “Mall vendi”; Evën te skeçi “Eva dhe Adami” Nënën te skeçi “Pronarët”, si dhe dhjetra role të tjera.

Familja Kaceli, një institucion arti më vete – Intervistë me piktorin Buron Kaceli, pinjoll i këtij fisi autokton tiranas – Nga Prof. dr. Fatmir Terziu

Me piktorin e mirënjohur shqiptar Buron Kaceli jemi njohur në atdhe. Natyrisht, njohja ishte në vrulle të tjera angazhimesh të kohës, që shënonte ndryshimin dhe formën e re demokratike. Në këtë mori angazhimesh e shihja dhe kuptoja se ishte forca e brendshme, kultura e gjatë e trashëgimisë dhe mënyra e mirësjelljes që dallonte në tërësinë e tij të komunikimit. Më tej, arti me të cilin ai gatuante tërë atë udhë të gjatë e bënte akoma më shumë një fisnik në detaj, një intelektual të tipit perëndimor, një njeri mjaft të respektuar. Dhe kështu kohërat ikin shpejt, ndërsa vetë koha mbetet një arsye më shumë që kërkon të shpjegohet me njerëzit që e përfaqësojnë atë. Në këtë përfaqësim, natyrshëm ndjenja jonë e njohjes më të gjerë na obligon të bëjmë këtë intervistë, që mbetet një dritare më shumë në një fis që ka kaluar normën e një institucioni arti në tërësinë e paraqitjes së tij. Në këtë realitet është dhe vetë piktori Buron Kaceli, një pjesë gjithnjë në rritje, një vlerë e merituar e kulturës shqipe, e pse jo dhe më gjerë, që gjithnjë e në të gjitha kohërat meriton Nderin e Kombit. Më poshtë ju sjellim intervistën e piktorit Buron Kaceli për “Gazeta Shqiptare”.

– Ku qëndron e pathëna dhe e panjohura në këtë udhë jetike midis mbiemrit dhe veprës?

Familja Kaceli është një ndër familjet e vjetra autoktone tiranase. Kaceli u rrit dhe u edukua në gjirin e kësaj familjeje të madhe me tradita të shquara patriotike si dhe me një moral, moralin qytetar tiranas, ku dallimi ndërmjet të mirës dhe jo të mirës, të bukurës dhe jo të bukurës, të vërtetës dhe jo të vërtetës ishte shumë i ndjeshëm. Gjyshi i tij Ismaili, ushtarak dhe akademik me gradë të lartë, do të binte dëshmor, duke luftuar heroikisht në Lidhjen e Prizrenit. I ati, Osmani, do të ndërronte jetë nga një i ftohtë i marrë në luftën për mbrojtjen e Shkodrës, duke e lënë Sadikun në një moshë të re. Ishte koha kur frytet e Rilindjes kombëtare po ndiheshin në mbarëvajtjen e punëve në çdo fushë, vendi po përparonte në çdo drejtim dhe po ashtu edhe familja Kaceli po gëzonte një mirëqenie ekonomike në rritje. Sadikut, vëllait të vogël prej katër vëllezërve të mrekullueshëm, nuk do t’i mungonte asgjë që do t’i duhej për zhvillimin e talentit të tij, që u shqua që në shkollën fillore. Vëllai më i madh Ismaili, i cili mbante emrin e gjyshit të tij, ishte specializuar për këpucari në Çeki, pranë firmës së famshme të këpucëve “Batta”, ndërsa tre vëllezërit e tjerë, Aliu, Ramazani dhe Jonuzi do të tregtonin në një dyqan në tokën e tyre pranë Sahatit të Tiranës. Ishin me shumë sqimë dhe mallrat që tregtonin ishin mallrat më të mira të kohës, të cilat i merrnin nga Milano.

Buron Kaceli

Im atë kujtonte kur kish qenë shumë i vogël, kur një ditë e kishte zënë gjumi duke parë vëllezërit e tij që në një faqe të madhe të bardhë muri të shtëpisë kishin pikturuar rrapin madhështor të Tabakëve. I kishte bërë jashtëzakonisht përshtypje dhe nuk do ta harronte kurrë. Një zeje e hershme e familjes kishte qenë dekorimi i arkave të nuseve dhe ndoshta kjo zeje, dekoracionet e ndryshme floreale do të bënin që Kaceli, një ndër nxënësit më të mirë të Shkollës së Vizatimit të Tiranës, do të admironte artistin e madh francez Matisse, të cilin e kishte njohur përmes enciklopedisë britanike në bibliotekën “Karnavon” të Tiranës. Do t’i shkruante artistit duke i kërkuar që të bëhej nxënës i tij, por Matisse e drejton te miku i tij André Lhote, sepse ai ishte i vjetër, nuk mbante më nxënës. Kaceli do të shkojë në Paris, por nuk do të shkojë te shkolla private e Lhote-it, duke menduar kthimin në Tiranë, ku do t’i duhej një diplomë zyrtare dhe jo private. U regjistrua në “Ecole Superieure des Beaux Arts” të Parisit. Pas mbarimit të studimeve me shumë sukses dhe pjesëmarrjeve në ekspozitat më prestigjioze të Parisit, do të kthehet në Tiranë me disa metodika për dhënien e mësimit të vizatimit në shkollat fillore, sepse shumë më vonë do të hapeshin shkollat profesionale. Më vonë, kur do të hapej Liceu Artistik, do të jetë një ndër mësuesit e parë të kësaj shkolle, ku do të punojë deri në daljen e tij në pension. Në të njëjtën kohë zhvilloi një krijimtari shumë të madhe artistike, duke bërë një art të tijin jashtë çdo influence, ashtu siç i kishte thënë pedagogu i tij, mjeshtri Sabatte kur kishte parë Sadikun të bënte një nudo alla Matisse: “Sadik, ti duhet të bësh artin tënd”. Dhe Kaceli vërtet bëri një art të tijin, një art që i buronte nga shpirti i tij i ndjeshëm, një art që do t’i burojë nga përjetimet në atdheun e tij që e donte aq shumë.

– Duke parë këtë udhëtim mes artit, mund të thuhet fare hapur se jeta juaj dhe tradita e këtij fisi është Institut i Artit më vete?

Arti ka qenë prezent që herët në familjen tonë. Familja kishte një traditë dhe një qasje të mirë ndaj së bukurës, ndaj artit. Gjyshi i Sadikut, Ismaili, ishte njëkohësisht dhe një lahutar i mirë. Fishta kur vizitoi Shkollën e Vizatimit të Tiranës dhe mori vesh se Sadiku ishte i vëllai i Aliut, mikut të tij, i recitoi vargjet e tija nga Lahuta e Malësisë: “Merr Kacel një herë lahutën e na thuj një kangë shqipëtare, smajm na zi pa na qit faret….” Kur rritej im atë, ndodhi që muzika klasike, ariet me të bukura të dëgjoheshin çdo ditë ngaqë Banda e Tiranës së kohës me një dirigjent grek bënte prova ngjitur me shtëpinë e Kacelëve. Im atë kalonte një kohë të mirë duke dëgjuar këto arie dhe ishte bërë gati një përkthyes i dirigjentit grek. Do ta kishte të përhershme të luajturën me mandolinë dhe violinë kur pushonte së pikturuari. Dekorimi siç thashë më sipër ishte prezent në familje që herët. Kështu që mund të themi se arti dhe e bukura ishin në çdo aspekt të veprimtarisë së familjes. Gëzim Ali Kaceli, nipi i tim eti, mbetet një ikonë e vyer e baletit dhe koreografisë sonë kombëtare. Një ndër themeluesit e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore, Gëzimi me krijimtarinë e tij e ngriti vallen popullore në nivele të larta artistike, pa ia lënduar thelbin e tabanit mbi të cilën u mbështet dhe u frymëzua. Vallet e tij kanë përfaqësuar me nder Ansamblin në vende të ndryshme të botës dhe sot luhen sikur të jenë burimore. Është autori i dy baleteve, “Kecat dhe ujku”, me muzikë të A. Peçit dhe “Legjenda e Lules Honine”, me muzikë të Hajk Zaharianit. Për gjithë këtë kontribut ai gëzon titullin “Artist i Merituar”, por realisht ky titull është shumë pak për atë çka ai i ka lënë trashëgim kulturës sonë kombëtare, duke e pasuruar shumë atë. Renis Kaceli, djali i Gëzimit, ishte një ndër balerinët e shquar të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. I diplomuar me titull nderi pranë “Accademia di Danza del teatro alla Scala” të Milanos. Sot ai bashkë me Aleksandrën, bashkëshorten e tij, i dedikohet mësimdhënies në shkollën “Realballet” të hapur prej tyre në Kalabri. Po ashtu e motra, Sonila Gëzim Kaceli, që ka mbaruar studimet pranë Universitetit dhe Konservatorit të Bolonjës, është arsimtare dhe bën pjesë në mënyrë aktive në jetën kulturore dhe artistike të qytetit të Bolonjës. Shija ndaj së bukurës do të shfaqet edhe te mbesa e tim eti, Qefsere Ramazan Frashëri, që njihej në të gjithë Tiranën si një rrobaqepëse dhe stiliste e shkëlqyer. Motra e saj, Lule Kaceli Borova dhe motra ime, Heroina Kaceli Saraçi, do të punojnë dhe krijojnë në artet e aplikuara, ndërsa motra tjetër e imja, Lumnika Kaceli Triest, do të realizojë disa portrete dhe në Holandë, atje ku jeton, do të hapë edhe një ekspozitë me motive nga Holanda. Një nga djemtë e Heroinës, Omer Alush Saraçi, mbaroi Akademinë e Arteve për pikturë dhe realizon me sukses fotografinë artistike. Fëmijët e xhajës tjetër, Jonuz Osman Kaceli, “Martir i demokracisë”, do të shquhen po ashtu për shije të hollë ndaj së bukurës. Drita Jonuz Kaceli do të punonte në Artistiken Migjeni, po në Artet e Aplikuara, ndërsa motra e saj, Dhurata Jonuz Balena po jeton dhe pikturon bukur në Itali. A ka qenë një institucion arti? Mund të themi që arti dhe biseda për të bukurën ka qenë dhe mbetet prezent në familjen Kaceli dhe me mjaft rezultate.


Prof. dr. Fatmir Terziu

– Le të ndalemi te ju. Thuhet se preferoni peizazhin, por te ju dhe peneli juaj shohim mjaft risi të tjera; si e shpjegoni për lexuesit tanë?

Im atë ka lëvruar të gjitha gjinitë e artit të pikturës. Përveç kompozimit, portretit, peizazhit dhe natyrës së qetë, ai është i pari që ka realizuar gravurat, pllakatin si gjini etj. Por kur erdhi koha që kërkesa ndaj artit të kompozimit u bë nga pushteti tepër tendencioze në drejtim të kompozimeve tematike, im atë iu drejtua peizazhit. Në atë kohë unë, nxënës në Liceun Artistik, e shoqëroja tim atë nëpër daljet e tija në natyrë. Ai realizonte peizazhe të atdheut të bukura e plot poezi në teknikën e vajit, ndërsa unë pikturoja peizazhe në teknikën e akuarelit (ngjyrave të ujit). Pasazhi ishte dhe mbetet për mua një dashuri e madhe. Lëviz mjaft nëpër Shqipëri dhe më gjerë, por përveç peizazhit, unë realizoj edhe mjaft portrete. Portreti është po ashtu një gjini që e çmoj shumë. Gati-gati, për mua janë njësoj portreti i njeriut, fizionomia e tij e veçantë, psikologjia e tij, ashtu si peizazhi që ka veçoritë e veta. Natyra po ashtu të shfaq gjendje nga më të ndryshmet, që përkojnë me gjendjet shpirtërore të njeriut. “Natura humanum est” thoshin latinët. Natyra është njerëzore. Kur thellohem për të bërë një portret, më duket gati-gati sikur po pikturoj një peizazh. E dua shumë këtë gjini, më pëlqen kur thellohem në botën e brendshme të njeriut.

Po ashtu trajtoj edhe kompozimin, gjininë komplekse siç është romani në letërsi, ku të gjithë elementet duhet të flasin dhe të shprehin një gjendje e të përçojnë një mesazh. Dhe kur bën portretin dhe peizazhin, nuk ka sesi të mos duash të realizosh edhe kompozimin. Më pëlqejnë të gjitha gjinitë e pikturës, i trajtoj ato dhe realisht nuk mund të them se ku jam më mirë.

– A ka qenë jeta një përkëdhelje për ju?

Nuk mund të them se ka qenë një përkëdhelje, ndonëse, edhe kur më ka ardhur disi mbrapsht, nuk më ka penguar asgjë që të jem vetvetja e të vazhdoj me kujdes, por me vendosmëri t’i marr jetës më të mirën e mundshme. Pas një fëmijërie të bukur në gjirin e familjes së ngrohtë me prindër të mrekullueshëm, Sadikut dhe mamasë Safijes, arsimtare që la punën për të qenë më pranë nesh teksa rriteshim, si dhe pas një rinie të këndshme, çka e bënte të tillë përfshirja totalisht në botën e artit, më pas kam pasur edhe probleme dhe vështirësi. Për atë regjim ishte problematike biografia politike e familjes Kaceli dhe ai regjim ishte shumë i ndjeshëm për të kuptuar mospërshtatshmërinë me të. Tri herë më kanë emëruar jashtë Tirane. Në atë kohë nuk ishte e lehtë, aq me tepër për një të ri të përkushtuar ndaj artit, të përballonte reagimin jo dashamirës të strukturave të ndryshme shtetërore që dirigjonin jetën e shoqërisë dhe të çdo individi. Nëse jam përkëdhelur në këto periudha, jo vetëm prej disa miqve të afërm që nuk m’u larguan për asnjë moment, por, dhe e them me plot gojën, jam “përkëdhelur” nga njerëzit e thjeshtë, qoftë në Tropojë kur më emëruan në fillim, e qoftë në Malësinë e Tiranës, kur dy herë më larguan prej Institutit të Monumenteve të Kulturës, ku punoja jo pa sukses në restaurimin e veprave të artit. Në një farë mënyre jam vetëpërkëdhelur me aktivitetin tim krijues, pikturën, që nuk e lashë asnjëherë, përveçse në periudhën e ndërrimit të sistemit, ku iu përkushtuam me idealizëm të madh, gati-gati infantil, dëshirës për transformimin e jetës.

– Një ndalesë te disa nga veprat tuaja. Kë do të dallonit (veçonit) më shumë në syrin tuaj profesionist?

Kur rriteshim katër fëmijë dhe im atë shiste ndonjë pikturë, dhe gëzoheshim të gjithë sepse plotësonim nevojat e ndryshme të jetesës, im atë, sigurisht që gëzohej, por edhe me një lloj ndjenje të lehtë pakënaqësie, sepse siç thoshte ai, pikturat i kam si fëmijët e tij, pjesë shpirti. Ashtu si prindi nuk bën dallime te fëmijët, edhe piktori krijues nuk e ka të lehtë të vlerësojë krijimet e veta. Siç thashë më lart, unë i trajtoj të gjitha gjinitë, dhe ndër to po listoj ato vepra të miat që të tjerët i kanë vlerësuar më shumë. Për shembull në gjininë e kompozimit po përmend: “Tokë Shqipëtare”, “Bendo Buzi”, “Violinisti”, “Cigania”, “Lypësi” etj. Te peizazhet: “Porti i vogël i Sarandës”, “Tirana në muzg”, “Drenova”, “Valbona”, “Liqeni i Pogradecit” etj. Dhe te portretet: “Portreti i Kacelit”, “Portreti i nënës”, “Pranvera”, “I braktisuri” etj.

– Si e shikoni artin dhe artistin në këto vite të demokracisë?

Të gjendurit direkt në një liri të plotë dhe të papritur, direkt nga një periudhë e gjatë izolimi prej botës së qytetëruar, artistët shqiptarë, ndonëse të përgatitur profesionalisht shumë mirë me një formim akademik, me gjithë keqshfrytëzimin në kuadër të metodës së realizmit socialist, nuk e kishin të lehtë të njehsonin hapin me kolegët e tyre, artistët e botës së lirë, që gjatë 50 viteve kishin rrugëtuar normalisht në një jetë në zhvillim e sipër, me zhvillimet teknologjike si dhe me zhvillimin e koncepteve të reja për jetën dhe artin. Megjithatë, me shumë sakrifica dhe përkushtim, mendoj që mjaft artistë si jashtë, ashtu edhe brenda vendit, rezultuan të suksesshëm dhe në përgjithësi arti pamor shqiptar po ndjek një zhvillim të mirë. Dhe kjo, fatkeqësisht, jashtë vëmendjes dhe kujdesit të shtetit.

– Ku qëndron forca dhe e fshehta e një shpirti artisti si ju?

Mendoj që forca dhe e fshehta për çdo artist qëndron te shpirti i paracaktuar për të pasur sukses në art, nëse edhe rrethanat do të jenë dashamirëse dhe nëse nuk do të mungojë përkushtimi i artistit për artin. Sigurisht që ndjeshmëria karshi së bukurës, dëshira dhe rendja pas saj e jo thjesht dhe vetëm për ta ndjerë siç ndodh te shumica e njerëzve, por edhe për ta prekur atë e për ta hedhur e fiksuar të bukurën në telajo. Nuk është e lehtë, por të lehtëson dashuria për të bukurën. Kërkon shumë forcë, por herë-herë të jep një kënaqësi të tillë të madhe që të mos pushosh së renduri pas së bukurës, së bukurës dhe së vërtetës, sepse e bukura dhe e vërteta nuk janë veçse një, një dhe e pandarë.

– Ku qëndron rëndësia dhe vlera e ekspozimit të veprës së artistit nga studioja tek ekspozitat?

Si të gjithë artistët kur janë në proces të realizimit të një vepre që do ta ekspozojnë në publik, edhe unë e vendos veprën në një sipërfaqe të lirë të studios për ta parë sikur do ta shihja në ekspozitë. Dhe ndodh gjithmonë që, në studio e mendon të mbyllur dhe gati për ta dërguar në publik, kur e shikon veprën tënde të ekspozuar krahas veprave të tjera të kolegëve, gjithmonë do ta shohësh me shumë më tepër objektivitet. Të duket sikur po e shikon për herë të parë dhe e shikon sikur po e shohin dhe vizitorët e tjerë. Ekspozimi ka shumë rëndësi. Aty ballafaqohen vlerat dhe vlerën se si e shikojnë punën tënde të tjerët, pavarësisht nëse je ose nuk je dakord, shkëmben mendime me krijuesit e tjerë, si dhe me personalitete të ndryshme të kulturës, dhe kështu del në konkluzione të vlefshme për krijimtarinë tënde në vazhdim. Për këto arsye, ekspozitat janë shumë të rëndësishme për zhvillimin e krijimtarisë krijuese të çdo artisti dhe të artit në përgjithësi. Fatkeqësisht, në Tiranë artistët e kanë problem ekspozimin. Tiranës, kryeqytet me një milion banorë, i mungon sot e kësaj dite një sallë e mirë ekspozimi dhe artistët e ndjejnë shumë këtë mungesë, me gjithë ekzistencën e dy-tri sallave të vogla private.

-Çfarë mesazhi përcillni ju te kjo pjesë shqiptare, që mbetet me sy dhe zemër në atdhe, ndërsa ka hyrë në katalogun “Diasporë”?

Diaspora, pjesë shumë e ndjeshme e shpirtit të kombit, e shpërndarë nëpër botë, ku çdo pjesëtari të saj i rreh zemra me zemrën e nënës Shqipëri, është një vlerë e madhe dhe e patjetërsueshme për mbështetjen e zhvillimeve pozitive në Shqipëri nëse ajo nuk qëndron e kataloguar në termin “Diasporë”, por ndihet dhe merr pjesë aktive në zhvillimet e Shqipërisë. Sigurisht që, arritjet individuale të shqiptarëve nëpër botë, për fat jo të pakta, influencojnë pozitivisht për përmirësimin e imazhit të Shqipërisë, por nëse elementët më të shquar të diasporës do të organizoheshin në një lëvizje të mirëformuluar, atëherë do të mund të ndihmonin shumë më tepër në përmirësimin e politikëbërjes në shërbim të vendit sesa votimi i thjeshtë që edhe mund të manipulohet. Nëse ky mesazh mbetet i paplotë në sensin e një bisede, konteksti i së cilës është arti, atëherë diaspora, atje ku ndihet mirë dhe e ka të mundur do të mund të kontribuonte në propagandimin dhe krijimin e mundësive të ekspozimit për artistët shqiptarë, çka do të ishte shumë e mirëpritur. Por për të qenë efiçente, e rëndësishme është që diaspora të jetë e mirëorganizuar, jashtë përkatësive dhe detyrimeve partiake dhe me të vetmen dëshirë dhe objektiv, zhvillimin e përgjithshëm kombëtar.

Në Milano, te Kodra! – Nga Bajram Sefaj

Para se për piazza del Duomo, për piazza San Fidele, për piazza de la Scala, para se për Galleria Vittorio Emanuele i dytë, para se për katedralen vetë, apo për Teatro alla Scala… me një fjalë, para se për të gjitha sheshet, monumentet e kulturës dhe të historisë, me të cilat ky qytet është i pasur dhe i stolisur dendur, shekuj me radhë, me të shqiptuar të emrit të tij, në mendjen e çdo vizitori shqiptar, shfaqet pamja e piktorit tonë të çmuar e me famë botërore, Ibrahim Kodra. Në bredhjet e shpeshta dhe të kamotshme pas krijuesve shqiptarë, anëve të ndryshme të Evropës, jo një herë, kam përsëritur të vërtetën – se, një njeri shpesh bën, vlen, sa një qytet i tërë! Ashtu edhe është, njëmend. Ja dëshmia! Sa herë shqiptohet emri i qytetit italian Milano, aq herë në mendje të vjen piktori ynë, Ibrahim Kodra. Kështu është edhe me piktorët dhe krijuesit tanë të tjerë të shquar që, në rrjedhë vitesh, jetojnë e krijojnë jashtë trojeve të Atdheut. Po mos t’ishte Gjelosh Gjokaj, fare pak do të dinim për qytetin Ausburg të Gjermanisë, po mos t’ishte Viktor Eftimiu, Eqrem Çabej, Lazgush Poradeci, Aleksandër Drenova – Asdreni, po mos t’ishte Aleksandër Moisiu, po mos t’ishte Theofan Sotir Noli, Faik Konica e shumë e shumë krijues të tjerë dhe veprimtarë shqiptarë, sigurisht se shumë më pak do të dinim për, Parisin, për Bostonin, për Gracin, për Konstancën, për Luganon… e kështu më radhë. Ky pohim, ndoshta më se miri kasniset me këtë shembull. Kush do të kujtohej se në ç’vend dhe, a do të mund ta gjende fare në hartë qytezën e vogël, me emrin Raçibuzh, që gjendet në një cep provincial të Polonisë, po të mos jetonte e krijonte atje, piktori akademik shqiptar, Zyhdi Çakolli, nga Peja e kështu më radhë.
Kështu, akëcilit shqiptar, gati pa përjashtim, sa herë i jepet rasti të kalojë nëpër këtë qytet, dhe të qëndroje aty për kohë sa do të shkurtër, sa për një kafe, ose sa është ajo mes dy trenash, apo mes dy fluturimesh avioni, përpara se në Milano të Kodra, fitohet përshtypja se ishe të Kodra në Milano.

Dy jubiletë e një jete të madhe

Një ditë vere me vapë të vitit 1998, vërtetë në Milano nuk ishim për të vizituar këtë qytet të lashtë dhe, për kush e di të satën herë, t’i mrekullohemi bukurisë se tij përrallore, kur përnjëmend, është i pasur dhe i stolisur me aq shumë shtresa përlash e margaritarësh, në kuptimin historik, kulturor dhe artistik të fjalës. Në Milano, me fuqishëm se asnjëherë më parë, kësaj radhe, na grishnin, dy data jubilare, përnjëherë, të Ibrahim Kodrës. Ishte tetëdhjetëvjetori i lindjes tij dhe gjashtëdhjetë vjetori i jetës se pasur krijuese dhe artistike, të këtij piktori të madh shqiptar, në Itali. Dy data të mëdha, dy arsye madhore dhe, dy ftesa të pakapërcyeshme për të marrë rrugë, sado e gjatë dhe mundimshme qoftë ajo, te Kodra, në Milano. Ky rrugëtim bëhet me qëllim që jeta dhe karriera e bujshme e Kodrës, të shpalosën përmes shumë e shumë pyetjesh të sajuara me kujdes e respekt, në të cilat do të merren përgjigjet e gjalla të bardit shqiptar, të artit të pikturës, z. Kodra. Si shumë herë më parë, edhe kësaj radhe, nuk mund të fshihej krenaria kur, njëmend, në një djep të lashtë të pikturës, të arkitekturës, të letërsisë dhe të të gjitha gjinive të arteve, në përgjithësi, të arteve pamore në veçanti, të këtë arritur të hedh aq shumë shkëlqim emri dhe vepra artistike e një shqiptari, me origjinë nga një fshat, me emër të çuditshëm, Ishmi, që shtrihet, si të fshihet, mes kodrinash, të rrethinës së Durrësit, bregdetar. Meqë asaj ditë të nxehtë korriku, Kodrës i shkonim të pajisur me një kamerë televizive, natyrisht se pos pyetjeve të hartuara që më parë, kishim hedhur në letër një sinopsë, një skenar, (të quhet kështu kushtimisht) duke provuar të figurojnë në të, sa më shumë pamje e hijesa që do t’i shkonin përkrah fjalës se gjallë të piktorit. Paramendohej që meditacioni rreth temës – një njëri sa një qytet! – të ilustrohet me pamje sa më gjegjëse, sa më të gjëra, sa më të gjalla, si në kërkim, të qytetit të Milanos. Gjithnjë në lëvizje, si në gjurmim të beftë, rrugëve e shesheve të tij, për të ardhur te Piazza Lagosta, pranë godinës së pallatit, brenda atij pallati, për të trokitur në portën e apartamentit-studio, ku Ibrahim Kodra jeton e punon, këtu e gjashtëdhjetë e pesë vjet të shkuara. Skenari, pastaj, parashikonte edhe njëmijë e njëqind detaje e hijesa të tjera të këtij qyteti me traditë të lashtë kulturore dhe artistike. Me dëshirë do të xhirohej, jo vetëm çdo rrugë e rrugicë, por edhe çdo gur e dru, që ka çfarëdo lidhjeje me jetën dhe krijimtarinë e piktorit tonë, në këtë qytet. Para shumë të tjerash, synohej të xhirohej afresku i Kodrës në ballinën e jashtme të murit të restorantit «Brera da Franko», si ilustrim të kallëzimit, të një si anekdote, kur për katërmbëdhjetë vjet, tre muaj e njëzet ditë rresht, Kodra ishte ushqyer pa pagesë në atë restorant, duke ia marrë kështu, rekordin që e mbante, deri atëherë, piktori italian, ai me emrin Tintoreti. Për fat të keq, as muri, prandaj as freska e Kodrës, as restoranti vetë, nuk ekzistonin më. E gjallë dhe e freskët ngelte vetëm anekdota që kallëzohet edhe sot për këtë kontratë origjinale të pronarit të restorantit me piktorin e madh shqiptar, të ditëve të fillimit të ndërtimit të karrierës tij, kur nuk ishte në gjendje të lakmueshme materiale e financiare. Kaptinë në vete parashikohej xhirimi i Akademisë Brera. Akademi kjo, ku piktori ynë, krahas zënies së mësimeve e magjive të lojës se vijave dhe të ngjyerave, që do t’i çelin rrugë të shndritshme drejtë portave të mjegullta, atëbotë, të artit të pikturimit, mësonte edhe për artin e jetës, të dashurisë, të bohemisë e të tjera. Sinopsa parashihte edhe shumë e shumë xhirime e piketime, natyrisht, jo vetëm në Milano, sa do që është «metropol i artit modern», por edhe në Romë, ku Kodra kishte bërë ditët e para në Itali. Poashtu parashikohej zbritja në qytetin e «detit magjik», në Pozitano. Qytet ky, me të cilin piktori është i lidhur ngushtë, emotivisht dhe emocionalisht. Aq sa edhe për qytetin e Palermos ku, pothuaj se, çdo stinë vere, hap ekspozitë të vetën. Shumë prej këtyre ekspozitave, kritikët, studiuesit dhe njohësit e tjerë eminentë të arteve pamore, i përgëzuan dhe i vlerësuan si prezantime antologjike të mjeshtrit shqiptar të pikturës. Natyrisht se harku i synimeve për xhirime gjithandej, as për së afërmi nuk përfundonte me kaq. Kishte edhe shumë për t’u xhiruar e filmuar. Qyteti mesdhetar francez, Cannes, bie fjala, ku Kodra kishte takuar të madhin Pabllo Picasso dhe kishte ekspozuar bashkë me të dhe të tjerë. Pastaj qyteti i Romës, ku Kodra, në vitin l948, kishte takuar dhe ishte njohur me Picasso-n, me rastin e Kongresit të Paqes. Bashkë me këtë piktor Kodra kishte ekspozuar edhe në Spanje, në vitin 1954. Synoheshin sa më shumë xhirime ilustruese, jetëshkruese të duhura për pasurimin vizual të telekronikës kushtuar Kodrës dhe veprës se tij. Pa çare duhej zbritur në Paris, sa për të xhiruar ambientet, ku në vitin 1971 Kodrës i jepet medalja e artë ndërkombëtare e shkencës, artit dhe letrave të Akademisë Franceze. Por edhe galeritë e mjediset e tjera, ku Kodra ishte paraqitur me ekspozita të veta apo në grup me të tjerët. Në këtë shteg, si mund të anashkalohej Lugano, pa pamje e motive të xhiruara në këtë qytet mbi liqe, të cilin Kodra e do(nte) aq shumë, jo vetëm pse është i mrekullueshëm, jo vetëm pse është «qytet ideal» siç e quan(te) Kodra, por mbase, pse emri i këtij qyteti është ngushtë i lidhur me aktorin e famshëm shqiptar të artit teatror, Aleksandër Moisiun, ku edhe sot e kësaj dite, në afërsi të këtij qyteti, gjendet varri i mbretit të artit teatror, në përmasa botërore të gjysmës se parë të shekullit të kaluar. Natyrisht se, kompletimi i këtij dokumentari as që mund të paramendohej pa xhirimet e fshatit të lindjes se piktorit, Ishmit. Pa xhirimin e Durrësit, ku Kodra hedh në letër vijat e para të jetës dhe të karrierës si piktor, kur një italian ia bleu kavaletën e parë. Pa pamjet nga Tirana ku Kodra, pos tjerash, kishte ndjekur mësimet në Liceun artistik, ku kishte takuar skulptorin me famë, Odhise Paskalin, ku kishte bërë panotë e filmave që shfaqeshin në Tiranë, midis të tjerëve edhe atë në të cilin rolin kryesor e lozte aktorja më e famshme italiane e kohës, ajo me emrin Maria Denis, me të cilën e njoftoi gazetari i njohur shqiptar i kohës ai me mbiemrin Shundi. Nuk bëhej dot. pa Tiranën e kohës kur Kodra bëri edhe ilustrimin e kopertinës se romanit të njohur, «Sikur t’isha djalë» të Haki Stërmidhit, ku … mbolli kujtimet më të paharrueshme të fëmijërisë, djalërisë dhe të rinisë së tij të hershme. Të asaj Tirane kur në vitin e afërt 1996, me rastin e 78 vjetorit të lindjes në Shqipëri, i jepet titulli «Nderi i Kombit» Në këtë manifestim ishin të pranishëm dhe me prezencën e tyre e madhëronin këtë akt solemn, dy shkrimtarë të mëdhenj, ndër më të shquarit e shekullit të kaluar, Ismail Kadare, shqiptar, dhe Ernesto Sabato, argjentinas, me origjinë shqiptare. Në këtë kronikë sigurisht se duhej të hynin pamje nga ambientet e «pishave të Deçanit», ku Kodra, në vitet e shtatëdhjeta, kishte rastin që, në gjirin e Kolonisë tradicionale verore të artistëve dhe të krijuesve shqiptarë, në Deçan, t’i kalojë disa ditë bashkë me ta, për t’i njohur ata, më mirë e më thellë. Nga kjo njohje e përafërt Kodra do të përfitojë që, një ditë, të flas me kompetencë e të shkruaj me përkushtushmëri, mbi poezinë dhe artin e tyre. përgjithësisht, në një ese të tij të thukët. Apo ndoshta duhej marrë edhe imazhet e Prishtinës, ku Ibrahim Kodra, për herë të parë ekspozoi, në trojet shqiptare, pas aq shumë e shumë vjetësh në ekzil. E kështu me radhë. Ngjashëm me kasnisjen e kopertinës se romanit emblemë të letërsisë shqipe, «Sikur t’isha djalë», gjë kjo që kishte ndodhur në Tiranën e djalërisë se tij të hershme, gjatë qëndrimit në Prishtinë, Kodra kishte gjetur kohë, energji dhe motiv, për një kasnisje tjetër. Kësaj radhe jo vetëm të kopertinës por edhe të shumë faqeve të tjera (të brendshme) të një përmbledhje poezish për fëmijë, «Përrallat e vatrës», të poetit të shquar kosovar, Qerim Ujkani.

(Sa) shumë dashuritë e maestros Kodra!

Sa i takon pjesës foljore të dokumentarit, ambiciet ishin shumë më të mëdha. Synohej marrje dhe regjistrim i çdo fjale e mendimi të artistit. Natyrisht, e në rend të parë, ato mbi artin. Mbi poezinë. Mbi letërsinë, mbi filozofinë. Mbi filmin, teatrin, muzikën… Për t’i sistemuar sa më mirë e për të marrë përgjigje sa më kuptimplota, sa më gjegjëse dhe sa më shkoqitëse në këto pyetje vargmale, synohej që mjeshtri Kodra te vihet, midis shkrepave të disa dashurive më të mëdha në jetën e tij. Pyetje, pra, shtruar gjithnjë përmes dashurive. Nga dashuria ndaj femrës. Kësaj krijese misterioze kur, e para zgjon, e trazon këtë ndjenjë të thellë e plotë lëngatë, te njeriu. Aq më parë te artisti, kur, në të shumtën e rasteve, qëllon të ketë shpirt bohemi. Dashuria e dytë e Kodrës, ndoshta edhe më e madhe se e para, është piktura. Dihet. Dashuria ndaj muzikës. Kësaj pyetje apo kapitulli, sigurisht se do t’i printe loja e Kodrës në kitarë apo, qoftë edhe në ndonjë instrument tjetër muzikor. Për të dalur, kështu te mendimi i tij i shkoqitur, mbi artin e muzikës. Preferencat e deri të sajimi autorial, i veprës muzikore të tij. Asaj me titull «Zëri i kambanave», në la maxhor. E katërta dashuri e Kodrës, është poezia. Dëshmia më e mirë, për këtë pohim, janë vargjet e poezisë së tij me titull «Unë kërkoj». Lë të ndjekim bashkë vargjet e kësaj vjershe, plotë porosi filozofike.

Unë kërkoj

Djalosh kapedan
A s’më thua që nga vjen
Ti, se në luftë paske qenë
rrëfemë në e ke parë të dashurin tim?

Vogëlushja ime e mirë
Fytyrëbardhë si vetë dëbora
Unë që kthehem nga fushat e betejës
Të dashurin tënd s’e kam parë.

Vogëlushja ime e mirë
Që ngrys netët n’ato fusha,
S’mund të shihemi më,
Sepse i dashuri yt u vra.

Vogëlushja ime e mirë
Me sy të përlotur,
Në të shtyftë dashuria,
Mendoj se do të jem për ty.

Ah, djalosh kapedan,
Si vetë dëbora n’ato maja,
Nuk shkel zjarrin e zemrës sime,
Qofsh gjeneral.

Po, moj vogëlushe,
Që ngrys netët në ato fusha,
lotët terna sytë,
se jam unë i dashuri yt.

Dashuria ndaj sportit…

Dashuria ndaj sportit. Dihet mirë se Ibrahim Kodra, jo vetëm në rini, por gjatë gjithë jetës së tij të stuhishme, ishte një dashamirë i madh i sportit. Në rini ai, pos që shquhej si flakës i gjyles dhe çekiçit, ishte i dalluar edhe në sportin e notit. Ai vazhdoi, deri në ditët e pleqërisë së thellë, vallen me këtë dashuri! Dashuria ndaj vendlindjes, është e papërgjumur kurrë. Dashuri që nuk soset (shpenzohet) kurrë. Dihet, si për të gjithë e, veçmas për ata që digjen e piqen në shkretëtirën e mërgimit, edhe për piktorin tonë të shquar, dashuria ndaj vendlindjes ishte dhe mbeti dashuri që nuk shteret kurrë. Dashuria ndaj fshatit Ishëm, ku është lindë, para disa deceniesh. Dashuria ndaj Durrësit. Ndaj Tiranës… Dashuria ndaj Shqipërisë. Kur për asnjë çikë mbrapa nuk ngel dashuria ndaj Prishtinës, Prizrenit, Deçanit, Lubotenit plisëbardhë… Dashuria ndaj Kosovës, përgjithësisht. Ashtu siç është e madhe dashuria e tij ndaj trojeve shqiptare të arbëreshëve në Itali. Kur poaq e madhe është dashuria dhe malli i tij për Çamërinë dhe për trojet shqiptare në Serbi, në Mal të Zi e në Maqedoni. Megjithatë, maestro Kodra, nga ai mozaik trojesh shqiptare, megjithatë, pas aq shumë vjetësh në mërgim, të parën vizitoi Kosovën. Ndodhi kjo në verën e vitit 1968. Me atë rast, pos që, para artdashësve të Prishtinës, dhe përgjithësisht para publikut të gjerë të Kosovës, u paraqit me ekspozitë vetëm, kishte takime dhe kontakte, të ngrohta e vëllazërore, më piktorë, në rënd të parë, por edhe me shkrimtarë, me poetë, me gazetarë… dhe më njerëz të rëndomtë. Qytetarë të thjeshtë që gjakonin e dëshironin ta takojnë, të shohin, shijonë e përjetojnë artin e tij, të shfaqur në ekspozitë…Në këtë pyetje-konstatim, përgjigjen më të mirë të Kodrës e gjejmë, në librin e tij, me titull «Kujtime» të cilin, sikurse dihet, e nxori në dritë Shtëpia botuese «Onufri» e Tiranës. Ja fragmenti me titull : «Në Kosovë, mes Shqiptarëve» që e riprodhojmë, në tërësi ngase imponohet me origjinalitetin dhe spontanitetin e tij rrëfyes.

Në Kosovë, mes Shqiptarëve

«Më 1968 çela një ekspozitë në Prishtinë, në Kosovë. Për mua ish një ngjarje e paharruar – ish kthimi në Atdhe, po shprehem në mënyrë letrare – sepse gjer më atëherë nuk kisha pasur lidhje kulturore me shqiptarët e Ballkanit në përgjithësi, dhe në veçanti me ata që jetonin në (tash, ish) Jugosllavi. Kurrë nuk pandehja se mes shqiptarëve të Kosovës – Metohija, siç e quanin asokohe, ish ngritur një industri kulturore e përbërë nga gazetat, revistat, teatrot, shtëpitë botonjese. Mu dha rasti të piqem e të vlerësojë disa vjershëtorë, shkrimtarë, artistë dhe muzikantë. Gjithçka zuri fill me një shkrimtar që zbriste nga Zagreb, një farë Joja Ricov, që dëshironte t’i jepja një intervistë për të përjavshmen Telegraf e cila u kasnis më pas e shoqëruar me disa nga punimet e mia. Artikulli u këndua me interes nga Aleksandër Stipçeviq, i cili duhej të kish lidhje të vjetra gjaku me shqiptarët posa pat shkruar dy vëllime mbi artin e Ilirëve – që janë stërgjyshërit e shqiptarëve. Ai njoftoi disa profesorë të Universitetit të Kosovës, që pikërisht në ato vite po hidhte hapat e para. Kështu në studion time ia behu Nehat Islami drejtor i gazetës «Rilindja» të Prishtinës dhe pak kohë më pas me ftuan që të çel ekspozitën. Për mua ish sukses i madh, mjafton të shihje pritjen që më bëri jo vetëm shtypi në Kosovë por edhe në Beograd, siç ishin gazetat Politika, Lufta etj. Me prekëse ishte pritja që më bëri Bekim Fehmiu – aktori që mbuloi rolin e Uliksit – i ardhur nga Londra, pasi atje punonte një film, i cili mori pjesë në përurimin e ekspozitës. Ymer Shkreli në fletet e gazetës « Rilindja » të datës 8 gusht të vitit 1968 do të shkruante: »Megjithëse ekspozita e Ibrahim Kodrës u çel gjatë sezonit të verës, mundi të tërhiqte një numër të madh admiruesish të arteve figurative të Kosovës. Ekspozitën e vizituan 13.000 vetë. Një numër kaq i madh shikuesish nuk është parë në asnjë shfaqje tjetër në Prishtinë». Ekspozita u çel në hollin e Teatrit Popullor. Historia e shqiptarëve të ish-Jugosllavisë – rreth dy milionë – mund të ketë vetëm një titull : »luftën për çlirim dhe për njohjen e krenarisë se tyre kombëtare». Këtë krenari, në krye turqit e më pas serbët e kanë shkelur pa prerë duke u përpjekur që të mbysin me pahir. Në letërsi kjo dëshirë quhet «domosdoshmëri e mallkuar» që haset në të gjitha shkrimet ose pothuaj të të gjithë autorët e çfarëdo vërse qofshin. Ka pasur edhe syresh që me cinizëm racial i kanë quajtur shqiptarët «njerëz me bisht». Vjershëtori Esad Mekuli, një nga kokat e letërsisë së re pas luftës së dytë botërore, shfren me zgjuarsi në një ndër poezitë e tij davanë e atij bishti tek shqiptarët : «është një tërkuzë me të cilën lidhin kizën në brez, që lipset për punë të lodhshme dhe mund ta shohësh paksa nëpër shalë. Është arkaja e vuajtjes por edhe e qëndresës». Në përshkrimin që këta vjershëtorë i bëjnë vuajtjes së njerëzve të atij populli ndeshemi me një ngarkesë të madhe emocionale. Një emocion i tillë shfaqet tek poezia e Enver Gjerçekut, pas të cilit njerëzit e letrave nuk mund t’i vendosë mbi nivelin e jetesës se një kombi të rrëgjuar nga uria, siç është Kosova. Përpjekja që bëhet për të gatuar çorbën në sofrën e një shtëpie – mundësisht në sofrën e vetë autorit, duke parë tërë autobiografinë që sundon në të gjithë veprën e tij – është kthyer në një rit, në venom që përsëritet paçka se qëllimi i saj objektivisht lë për të dëshiruar. Kështu, në qendër të poezisë shfaqet nëna që shtron «sofrën» (një tryezë e rrumbullakët një pëllëmbë nga toka) që grish vocërrakët të ulen, ndonëse s’ka gjësendi për të ngrënë. Me anë të shkrimtarëve kam arritur të njoh një krahinë tërheqëse që jetonin akoma së toku sipas natyrës «primitive» dhe kjo me pëlqen. Aty do të gjesh dhe sot e kësaj dite disa mënyra jetese që tashmë janë lënë prapa nga pjesa tjetër e Evropës. Ky përshkrim nuk lartëson vlerat, madje as i përdhos. Këtë kontradiktë e përjetojnë personazhet e romanit të famshëm «Heshtja e armëve» i Ramiz Kelmentit. Kosova dalëngadalë por pa u ndalur po i lë prapa këto kontradikta. Kultura e shqiptarëve të ish Jugosllavisë është mbushur me këto kontradikta, por identiteti kombëtar mbetet një urë lidhëse dhe bashkimi. Në katundet ku kohë më kohë mungon drita elektrike dhe nuk ka rrugë kryesore, njerëzia jeton çdo ditë lidhur me forma arti shumë të shpërndara, siç janë muzika dhe gojëdhënat Të mos e zëmë ngoje formën paraletrare e cila është kuvendimi, që rëndom merr ngjyra zakonore e të jashtëzakonshme. Ende ruaj në mendje një kujtim të ëmbël për ato vise të magjishme dhe për njerëzit që me mua u treguan shumë të dashur».

Të gjithë shkruan(m) për Kodrën

Ky s’ishte tjetër veçse një evokim rasti i mjeshtrit Kodra, thadruar në kujtesën e tij mbi Kosovën, artin dhe njerëzit e saj, ashtu siç i ka parë dhe i ka përjetuar, tash e më shumë se dyzet vjet më parë. S’do mend se, ndërkohë, në Kosovë gjithçka ka ndryshuar, në kuptimin e bardhë të fjalës. Në këtë pjesë të rrëfimit të vetë, mjeshtri Kodra, ndër të tjera përmend, emrat e vetëm dy gazetarëve shqiptarë nga Kosova, Nehat Islamin dhe Ymer Shkrelin që kanë shkruar për të dhe artin e tij. Kurse në librin monografik « Ibrahim Kodra – prezentazione di Carlo Bo», botim i vitit 1987, në regjistrin nga madje 252 autorë që me shkrimet e tyre e kanë bërë të gjallë e të njohur, në të katër anët e botës, veprimtarinë artistike të tij, midis të cilëve më i shquari është shkrimtari italian me famë botërore, Dino Buzzati, gjendet, më së pakut, edhe një njëzetësh autorësh shqiptarë, jo vetëm gazetarë e publicistë por edhe poetë e letrarë. Duke filluar nga Azem Shkreli, Anton Pashku, Ali Aliu, Teki Dervishi, Gani Hoxha, Sharr Hoxha, Nehat Islami, Vehbi Kikaj, Ernest Koliqi, Rashit Krasniqi, Musa R. Mehmeti, Demetrio Patituçi, Bajram Sefaj, Vehap Shita, Ymer Shkreli, Hilmi Thaçi, Hajro Ulqinaku, Ana Maria Patituçi, Abdulla Tafa, (që është autor i monografisë shumë të mirë me titull «Kodra një univers», botim i ARTE, Tiranë 1992) dhe Fiqiri Sejdiaj.

Jam i lirë dhe nuk kam frikë nga vdekja!

Nga një bisedë e këtij të fundit, botuar në të përditshmen e popullarizuar të Tiranës «Shekulli» të ditës se diel, 5 mars 2000, huazojmë, ad literam, vetëm dy prej tyre. Jo pse nuk ishim kujtuar t’ia shtronim vetë, por, nga frika mos janë delikate, intime, të rënda. Që prekin thellë në intimë, me paragjykim se edhe mund të lëndojnë sedrën e piktori të madh. Ja, dy pyetjet dhe përgjigjet e Kodrës në to. E para : »Si shpjegohet që nuk jeni martuar asnjëherë?».
Kodra : »Oh, tre herë desha të martohesha, besa, e tre herë, për fat, lavdi Zotit, shpëtova. Nuk u martova asnjëherë. Një herë, duke bërë dashuri, në rini, e dashura ime më thotë : »Oh, Ibrahim, me shtrëngo fort!». Dhe unë, kuptohet e shtrëngova. «Të lutëm më fort!» – me tha ajo përsëri. Dhe unë përsëri e shtrëngova diçka më fort. «Më fort, më fort, më fort!» -me thoshte ajo ndërsa me puthte pa pushim. Dhe unë e shtrëngova vërtetë fort, mirëpo, në atë kohë diçka kërciti si gjeth i thatë dhe të dashurës sime i qe thyer… një brinjë. Kur martohesh thyhen shumë gjëra. Largohesh nga miqtë, nga shokët dhe shoqet, nga të afërmit, nga njerëzit e tu që i do fort. Martohesh dhe çuditërisht mbetesh krejt vetëm. Kodra nuk mund të largohet nga shokët dhe shoqet. Kodra nuk mund të pranojë të mbetet vetëm. Gjatë jetës sime kam pasur plotë goca të reja. Kam shëtitur në Paris dhe Londër, në Romë dhe Milano, në Amerikë, kudo dhe ju me thoni të martohem ! Nuk është e mundur, kupton apo jo? Për këtë arsye nuk jam martuar. Shumë shokë me kanë thënë : ke bërë shumë mirë Ibrahin që nuk je martuar! Të tjerët më thonë të kundërtën. Unë vetë them se kam shpëtuar. Kam bërë mirë që s’u kam hyrë telasheve të martesës. Merreni me mend sot në Milano ka 754 mijë divorce, çka do të thotë se në katër familje një shkatërrohet. E kupton çdo të thotë kjo? Atëherë pse të martohesha? Që të ndahesha përsëri! Gruaja ka luftuar dhe lufton për të fituar lirinë e saj. OK! Po unë pse duhet të humbas lirinë time?! Sot punët e familjes kanë rënë shumë poshtë e unë këto gjëra s’i duroj. Kur shkova në Ishëm, shumë njerëz me pyesnin të habitur : « Si nuk je martuar, bre zotëri Ibrahim?». Ndërsa bisedonim këto gjëra, një grup fëmijësh kalojnë të gëzuar, gjithë vrap para nesh. Dikush me tha : »Zotëri Kodra, ju s’keni as fëmijë ». Atëherë unë e kundërshtova. « Kam. Ja, këta janë fëmijët e mi » (qanë).
Dhe pyetja e dytë : « A keni frikë nga vdekja?».
Kodra : «E çfarë frike të kem nga vdekja, kur njeriu vdes sapo lind. S’kam frikë. E kam thënë shpesh dhe kjo është filozofia ime. Jeta ime fillon sot. Edhe nesër do të jetë sot, edhe pasnesër do të jetë sot, vazhdimisht. Miqve, shokëve, gazetarëve, kritikëve e shumë të tjerëve që me kanë bërë të njëjtën pyetje, unë u jam përgjigjur : jeta ime fillon sot !

Rikthimi në Shqipëri

I kthehemi edhe për një çast librit «Kujtime» të Ibrahim Kodrës. Ndalemi pikërisht në faqen 68 të saj. Lexojmë tekstin me titull «Rikthimi në Shqipëri». Kodra aty thotë kështu : »Siç kam pasur rast të rrëfej, gjatë gjithë atyre viteve në Shqipëri kam ardhur vetëm dy herë. Më 1942 dhe më 1973. Por kanë qenë raste disi të veçanta : të parën herë erdha gjatë luftës, asokohe kur Shqipëria ndodhej nën pushtimin e Italisë, dhe herën e dytë gjatë viteve të diktaturës komuniste të Enver Hoxhës. Pra, ishin çaste dhe periudha në të cilat nuk mund të qarkullohej lirisht. Po ndërkohë Historia ia ndërroi krejtësisht fytyrën Evropës sonë e më në fund kombi i vogël shqiptar arriti të fitonte demokracinë. Ka qenë, pra them, një kënaqësi e madhe, që në prill të vitit 1996 pranova ftesën e Presidentit Sali Berisha për të bërë një udhëtim njëjavor në Shqipëri. Dhe kështu nga data 20-27 prill të vitit 1996 kalova një javë në Shqipëri, plot ngarkesa, për të bërë një shëtitje të detyruar, të lodhshme po të kënaqshme i shoqëruar nga bashkëpunëtori dhe miku im Demetrio Patituçi. Nuk mund ta fsheh kënaqësinë kur mora tok me dy shkrimtarë të mëdhenj siç ishin Ernesto Sabato dhe Ismail Kadaré, vlerësimin më të lartë të shtetit shqiptar : d.m.th. çmimin «Nderi i Kombit» me këto fjalë : »Ibrahim Kodra, gjatë gjithë kohës së qëndrimit të tij larg Atdheut denoncoi me guxim të madh diktaturën orelljane dhe natën e gjatë të komunizmit shqiptar. Për më tepër se dyzet vjet ai mbeti përkrahës i të vërtetës së gjeniut të lirë dhe krijues i popullit të tij në tokën mike, Italinë». Ato ditë m’u dha rasti të takoj një mikun tim të vjetër, shkrimtarin Ismail Kadaré, dhe të njihja një emër të madh të letërsisë botërore Ernesto Sabaton. Atë ditë nuk munguan edhe takimet zyrtare, ku arrita të njohja figurat më me peshë të inteligjencës shqiptare. Kam arritur të takoj edhe shokët e mi të lodrave, disa syresh janë bërë piktorë të njohur në Shqipëri. Një ngjarje tjetër që më gëzoi pa masë ish kremtimi i 78 vjetorit të lindjes sime, mbajtur nga Presidenti i Republikës në Galerinë Kombëtare të Arteve të Bukura. Midis artikujve të shumtë që munda të këndoj atyre ditëve me ka mbetur në mendje sidomos poezia që më kushtoi miku im vjershëtor, Visar Zhiti.

Në ditëlindjen e mjeshtrit

Qirinjtë e ditëlindjes tënde
digjen mes nesh…
Ç’flakë të bukur që solle
Dritë peizazhesh
Ku mbiemri yt
prej kodrash pafund
ngrihet i praruar,
aq i blertë…

Mjeshtër,
edhe peneli i mikut tënd, Pikasos,
pena e Elyarit e Kuazimodos,
e Kadarésë,
vijnë sonte
e befas bëhen qirinj
Shtojnë vitet për datëlindjet
e mençurisë
zërin e flakëve
të urtësisë.

*

Me këtë rast, – vazhdon rrëfimin Kodra, – me ndihmën e një helikopteri që më vunë në dispozicion autoritetet, munda të vizitoj mbarë Shqipërinë. Sigurisht mes shumë qyteteve, vizitova me mall edhe vendlindjen time, Ishmin, ku me habi e me interes vura re se nuk kish ndryshuar një qime që kur e lashë shtatëdhjetë vjet më parë. Them vizitova me interes po sa pashë fëmijë, gjë që tregonte se jeta ziente. Pata rast të shihja një fukarallëk të madh por edhe dëshirën për të ecur përpara dhe sidomos dëshirën e ethshme për të rrojtur sa më mirë. Më ka lënë mbresa pritja që më bënë a thua se isha kampion futbolli a një yll i këngës që shkonte me makinë përpara turmës dhe ajo brohoriste emrin tim. Por më shumë me ka lënë mbresa kuvendimi me pleqtë e katundit që u sollën me mua sikur të isha rritur mes tyre. E ndjeja se isha një prej tyre. Në fletët e para të këtij libri e kam përshkruar Ishmin si një zonë të rrallë e të magjishme. Këtë përshtypje pata edhe kur u ktheva me barrën e viteve mbi supe. Sytë e plakut e vërtetojnë më së miri atë pamje që mbaja mend që fëmijë. Nuk e gjeta më derën e madhe që të shpinte në oborrin e shtëpisë sime, e cila ngrihej mbi kodrën më të lartë të asaj zone. Pjesa tjetër kish mbetur po ajo. Aty ndodhesha dhe unë, si një zotëri që ka njohur frikën, lumturinë, makthin dhe bindjet e veta. Dhe duke sjellë në mendje një baladë të vjetër amerikane, kam mundur të ndjej brenda vetës një të vërtetë të pakundërshtueshme : ky dhé është imi, ky kaltërosh është qielli ynë, kjo jetë është imja.

Vuajtja që nxit gjeninë!

Tash vjen koha kur xhiruesi ynë i vyer, i ish Televizionit të Prishtinës, Lulëzim Shasivari, me syrin magjik të kamerës së tij, merr sa me shumë e sa më mirë piktura mbi pëlhurat e dimensioneve, teknikave dhe fazave e «epokave» të ndryshme, të mjeshtrit Kodra. Punime këto që paraqesin rrugën e piktorit tonë nëpër dallgët e rrymave, kubizmin, apstrakizmin, futurizmin e të tjera.
Pavarësisht se në regjistrin tonë kemi arritur të shënojmë titujt e madje 23 veprave të tij, pa kronologji datash kur ato janë krijuar dhe kanë zbritur nga kavaleta e maestros, duhet shpresuar se kamera e xhirimit bën punën e vet fisnike duke shpalosur, nëse jo tërë «atllasin tematik» të piktorit tonë, atëherë, së pakut një pjesë të mirë të tij. Sigurisht se edhe mbi pëlhurat e këtyre pikturave gjenden veprat që shënojnë ashtu të quajturën «periudhë e artë» të Kodrës por edhe bredhjet e tij, pas vijave e shprehjeve të reja, gjithnjë duke i mbetur besnik dorëshkrimit të tij autentik dhe origjinal. I gjithë ky thesar që rrjedh para vështrimit të teleshikuesit eventual të këtij dokumentari modest, të realizuar brenda vetëm dy ditësh me vapë sahariane, siç bënte në muajin korrik të vitit 1998 në Milano, është fryt i punës shumëvjeçare dhe titanike të Ibrahim Kodrës. Është fryt i flijimit, i vetmisë robinsoniade dhe e i «vuajtjes që nxitë gjeninë». «Ngjyrën time përfaqësuese e quajtën të kaltërtën. E kaltërta në të gjitha variacionet është deti magjik i vendlindjes» – thotë, ndër të tjera, ky krijues i madh shqiptar që, me të drejtë e quajtën edhe Everest i pikturës, në përmasa të gjëra. Ndoshta kjo kaltërsi dominuese në pikturën e tij e ka zanafillën apo mbase edhe prejardhjen nga dy burime. E para, ngase Kodra lindi buzë kaltërsisë se detit Adriatik shqiptar, por edhe nga shkaku se rruga e tij e parë drejtë një bote tjetër, ishte rruga e detit të parë : Durrësi, i Shqipërisë – Bari, i Italisë. Duke vështruar me mall, një nga këto sajesa përrallore, të bukurisë se ngjyerave dhe universit tematik dhe të porosive të urta që kumtojnë ato, apo një krejt tjetër, ajo me titullin «arshitetto» t.m. su tela 80×70, në thellësinë e pellgut të një nate plotë pikëllim, si i syrgjynosur që isha, diku nën kulmet e Parisit, duhet të kam hedhur në letër, këto vargje që po i riprodhoj pa përtesë!

*

sy të zgurdulluar
duar të prera
si në cung
një gisht i këputur
një dritore e thyer
ngjyera të trazuara
deri në shqetësim
mund të gjesh aty ndonjë muzicient
me kitarë të braktisur
me tela të këputur
jehun e një kënge
një këlthitje të thellë
për një trohë ajër të pastër
për një grimës qielli e dielli
për një ditë pa shi
për një gram liri
(B. Sefaj)

Poeti per Kodra!

Krahas Visar Zhitit janë edhe shumë e shumë poetë të tjerë të huaj de shqiptarë, këta të dytët nga të gjitha trojet tona, që në raste e shkase të ndryshme, të impresionuar nga vepra dhe personaliteti i tij, Kodrës i kushtuan poezi të goditura dhe të nivelit të lartë artistike. Ishte ide fisnike dhe projekt i qëlluar i mikut dhe bashkëpunëtorit të Kodrës, zotëri Demetrio Patituçi, kur kishte vendosur që gjithë ato poezi që i kushtoheshin piktorit, kudo që të jenë shfaqur, t’i mbledh e t’i botojë në një libër. Dhe, vëllimi me poezi me titull Poeti per Kodra (con illustrazioni di Ibrahim Kodra), Poetët për Kodrën (me ilustrimet e Ibrahim Kodrës), nën përkujdesjen e Francesco Fusca dhe në botim të Grafosud, ka parë dritën e botimit dhe, shpresojmë se ka gjete lexuesin e vetë gjithandej. Prandaj, mbase nuk është e arsyeshme të flitet më gjatë për këtë vëllim me poezi që autorë të huaj dhe shqiptarë ia kushtojnë maestros Kodra, pos të shënojmë (edhe njëherë) emrat e autorëve ashtu siç janë radhiturën këtë libër të përgatitur mrekullisht në pikëpamje teknike, grafike dhe estetike në përgjithësi. Sajuesi, Francesco Fusca, kolonën e poezive të përmbledhura në këtë vëllim, e hapë me poezinë e vetë Ibrahim Kodrës, atë me titull Unë kërkoj që piktori e shkroi në vitin 1981, për të vazhduar me thënien e njohur të poetit francez Paul Eluard.” Kodra est le primitiv d’une nouvelle civilisation”. Fill pastaj vjen poema e sajuesit të këtij libri, Francesco Fusca, I pari mall (Il primo amore) në shqip e italisht. A Kodra dhe Ibrahim Kodra (Pittore della primavera), janë dy poema, që të dyja në italisht, të poetit Giuseppe Martucci. Me, Poashtu dy poema në gjuhën italiane, Le quattro stagioni dhe Guardava il poeta L’Albania, veprën e Kodrës e nderon, tjetri poet italian, ai me emrin Carlo Franza. Me nga një poezi paraqitën Franco Esposito, Per Kodra (“Microprovincia” per gli ottant’anni dell’amico Ibrahim Kodra), Vorea Ujko, Davanti alla pictura di Ibrahim Kodra, Adalberto Cuzzi, Libetà dhe A kodra, Sarina Aletta, Incontro galassie di colomb, Fiorenza Valenti, Dedicat al Maestro Ibrahin Kodra, Vittorio Catalani, La vela di Allah (A Ibrahim Kodra), Visar Zhiti, Nel giorno del compleanno del maestro, Fedro Fiori, me dy poezi:Kodra (Al querido Ibrahim con el afecto de nuestra antgua amistad) dhe Kodra (Al cro Ibrahim con affetto della nostra antika amicizia), Agim Doçi, Dedikuar shqiptarit të madh Ibrahim Kodra (shqip dhe italisht), Sara Roversi, A Ibrahim, Zef Kakoca alias Pino Cacozza, Mjeshtrit (Al maestro) Ibrahim, Andrea Carretta, Com’tè lungo il tempo, Sylë Mujaj, Simboli (Diktorit të njohur Ibrahim Kodra) në shqip dhe italisht, Beppe Novali, Arte senza confini (Al maestro Ibrahim Kodra), Giuseppe Caracausi, Ibrahim Kodra, Vicenzo Buonassisi, Come i grandi artisti, Gaetano Blaiotta, A Ibrahim Kodra, Paloma, Para Ibrahim Kodra (spanjisht) dhe Per Ibrahim Kodra (italisht), Bajram Sefaj, Kodra (Arshitetto” t. M. Su tela cm 80×70), shqip e italisht, Jenny de Bert, Per Ibrahim, Angelo Gaccione, Il sole dhe Krimer, Placata disperazione (A Ibrahim Kodra).

Biseda (kurrë) e papërfunduar, me maestron!

Kohëzgjatja (hapësira) e (pa)paraparë e këtij reportazhi ngushtohet dhe vjen çasti kur duhet të bie sipari i tij (i saj) simbolik. E, në anën tjetër sikur, duarthatë e të pikëlluar, ndahemi nga ky piktor i madh dhe studioja e tij, nga kjo uzinë ku kanë lindur, janë formësuar dhe janë finalizuar me mijëra e mijëra piktura të dala nga duart e vyera të artistit të madh shqiptar, Ibrahim Kodra. Duhet ikur, gjithnjë me ndjenjën e hidhur të dështimit dhe përgjegjësisë se, pranë këtij kolosi nuk është bërë asgjë, madje as çereku i asaj që meriton karriera e tij e pasur. Ikim me shijen e pezmit se kanë ngelur të hapura shumë tema të aq shumë idesh e synimesh, të pa çelura fare. Siç janë, bie fjala, të dhënat mbi ato dhjetëra e dhjetëra, ekspozita vetëm dhe në grup, organizuar dhe realizuar në të ketër anët e botës. Pak ose hiç, është thënë e përfolur në këtë reportazh, mbi numrin e madh të çmimeve, medaljeve e të tjera çmime më të cilat u nderua opusi krijues gjigante i këtij piktori. Krejt në prag të ndarjes shënuam se Ibrahim Kodra është qytetar nderi i dhjetë qyteteve, se veprat e tij ndodhën në muzeume e galeri si dhe në koleksione private në të katër krahët e meridianëve, duke filluar nga Shqipëria e vendlindjes, nga Prishtina e Kosovës, Italia, Zvicra, Gjermania, Belgjika, Greqia, Australia, Brezili, Argjentina, Danimarka, Franca, Britania e Madhe, SHBA-të e tjera. Posaçërisht merakosese ishte e vërteta që nuk u arrit të shënohet: veprat e cilëve autorë me famë botërore, Ibrahim Kodra i ka pronë në koleksionin e vetë dhe anasjelltas, cilët piktorë me famë botërore, bashkëkohanikë të tij, pasurojnë koleksionet e tyre me veprat e Kodrës. Ikim me merakun pa e parë bibliotekën e tij, pa mësuar se cilin libër letrar e ka lexuar së fundi, cilin film artistik, shfaqje teatrore, apo koncert muzikor ka ndjekur, ditëve më të reja… Por, të gjitha këto mbyllen më të vërtetën se bisedat me krijues të mëdhenj, sikurse është Ibrahim Kodra, nuk kanë të sosur kurrë. Ato mund të jenë vetëm fragmentare, kurse përpjekjes për të zënë tërësinë e tyre nuk do t’i mjaftonin as kopertinat e librave, aq më pak, reportazhet dhe emisionet televizive, qofshin ato me shumë minuta. Kështu është vërtetë, jo vetëm një vegim ngushëllues i imi si autor modest, që është ndër qindra të tjerë, të po aq autorëve dhe studiove televizive nga shumë qendra të kompanish dhe agjencish të njohura, nga qytete të ndryshme të botës, kushtuar Ibrahim Kodrës dhe veprës së tij madhështore. Le të jetë prandaj kjo vetëm një sprovë e imtë, e shënimit të këtyre dy jubileve të tij përnjëherësh: tetëdhjetë vjetorit të lindjes dhe të gjashtëdhjetë vjetorit të krijimtarisë se tij të frytshme artistike.

(Në bredhje e sipër rrugëve plotë vapë në Milano-n e muajit korrik, pikërisht në çastin kur bisedohej për ngjyerat e preferuara dhe të furnizimit me to, Kodra i moshuar, ngriti nga toka një gjeth që iu gjend përpara. Tha: Ja ngjyra më mirë në botë. Të gjitha të tjerat, janë të tjera!).

(diku e dikur, si dikur e diku)

15 VJET PAS KODRËS, PIKTORIT QË THIRRI: “DON’T MOVE!” DHE ENGJËLLI MBROJTËS… – Nga Visar ZHITI

15 vjet më parë, në ditën e 7-të të shkurtit të vitit 2006, piktori Ibrahim Kodra mbylli sytë përgjigjmonë në Itali, në Milano, ku jetonte që para Luftës së Dytë Botërore dhe, si të thuash, lufta për të nuk rreshti, kaloi në fushën e artit, ku ai triumfoi, u bë ndër piktorët më të njohur në Europë në kohën e tij.

 

Po, ai ka kohë të veten, tashmë.

Dhe piktorin e njohur e sollën në atdhe, që të prehej në vendlindje, në Ishëm të Durrësit, mbi nje kodër të lartë është varri, ku duken deti, Durrësi, Kruja, edhe Shkodra më tej, madje, kur bën kohë e mirë, edhe bregu Italian përballë..

Patjetër që Ibrahimi fëmijë, jetimi, kishte ardhur aty, mbase për të kullotur delet, do jetë ndjerë më pranë qiellit, si shpirt, si tani dhe ka ëndërruar të ikë larg, te ëndrrat, të bëhet piktor, se ja, a nuk habiten të gjithë kur vizatonte mureve apo në fletat që ia sillte babai marinar?

      Dhe iku. Atdheu i mbylli dyert për shumë gjatë, një gjysmë shekulli dhe ai u bë shqiptari i famshëm, siç i thoshte Pikasso, “shqiptari im”.

      Hapi ekspozita nëpër të gjithë Italinë dhe në metropolet e Europës, në Francë, Austri, Gjermani, Spanjë, Zvicër, etj, shkonte dhe vetë, deri në SHBA ka qenë i ftuar.

      Mbi 6000 vepra të tij janë përhapur në të gjithë kontinentet…

      Albumet, librat për të, kujtimet, intervistat, edhe ato televizive deri në Japoni, dokumentarët, ekspozitat prapë, postume janë të shumta dhe joshëse.

      Do të desha ta kujtoj dhe unë piktorin Ibrahim Kodra në këtë 15 vjetor, kam mall, u bëmë miq, edhe familjarë, kam arsye dhe ca më shumë, dhe kërkoj nga ato që kam botuar për të, artikuj, madje dhe në shtypin Italian, në “Corriere della Sera”, që ai u gëzua shumë, jo për vete, po për mua, edhe në katalogë të tij kam thënë diçka, deri edhe në një roman, po i nxjerr… më mërmërit dhe ëngjëlli im…

  

                

          Ibrahim Kodra:

         portrete të Visarit dhe Edës

 

 

MIQËSI ME PIKTORIN:

 

Ne e kemi njohur piktorin Ibrahim Kodra, ai e kishte te shenjtë miqësinë. Kemi qenë dhe në shtëpinë e tij në Milano, jemi kthyer në Akademinë “Brera” ku ai studioi, e kemi pritur dhe në Tiranë, kemi parë ekspozita të tij… kemi bërë dhe homazhe dhe…

…Vepra e tij ndrit, me të vërtetë ndrit, me ato ngjyra të gëzueshme jete, kur arti i shekullit XX, i pas Luftës së Dytë Botërore në Perëndim, ra në një ekzistencializëm pesimist, në një alienim të pa mëshirshëm, kurse te postkubisti Kodra mbeti dhe një buzëqeshje fëminore dhe e mençur, për të cilën ka aq shumë nevojë, jo vetëm arti, por i gjithë njerëzimi… Dhe kujtimi i Kodrës ashtu është, njerëzor, që sa më plak bëhej, aq dhe më shumë fisnik. Madje i gjithmonë për pikturën.

Siç duket, krahas miqve të mëdhenj që pati Kodra, piktorë së pari deri edhe Pikasso-n, poetë, madje bashkëpunoi me nobelistët italianë Eugenio Montale e Salvatore Quasimodo, ndërsa shkrimtarit Dino Buzati do t’i thoshte: “po vizaton ashtu siç shkruan”, që e ngazëlleu së tepërmi, ishte bashqytetar me ta në Milano, po kështu vazhdoi miqësitë dhe me brezin e mëpastajmë të tyre, si me poetin dhe kritikun e artit Sebastiano Grasso, i cili na bashkoi me Kodrën tonë, etj, po Kodra njihej dhe me Alberto Moravian, kishte pritur në shtëpi poetin francez Paul Eluard, kishte ndejtur me shkrimtarin amerikan Heminguejin, etj, etj, miq të tij ishin dhe të panjohur, fqinjët, kamerirët, mjekë, juristë, studentë, etj, etj, por mbi të gjitha të vegjëlit….

Ndërkaq në biseda ai mallëngjehej menjëherë kur fliste për fshatin e lindjes, imazhin e nënës, që e la fohnjë, shokët, kujtohej që para se të ikte me studime nga Mbretëria e Shqipërisë, ilustronte reklamat për filmat e rinj, tekstet e të cilave i bënte shkrimtari që do të burgosej më vonë, Mustafa Greblleshi, bëri kopertinën e romanit të njohur atëhere, “Sikur të isha djalë” të Haki Stërmillit, etj, do të çmonte shumë si shkrimtar bashkatdhetarin e tij Kadare, shkonte në Kosovë, ku e shpallën dhe akademik, takohej me Presidentin Rugova apo priste prapë në shtëpi kitaristin me famë botërore, Ehat Musa, që tashmë jetonte në Paris, e gëzoi pa masë monografia–album e Abdulla Tafës, pritjet në Tiranë, helikopteri presidencial që Berisha i vuri në dispozicion, datëlindjet qe festonte, gjithmonë 79 vjetorin, një here, dy, tre, 80 do të bëhem kur dua unë, thoshte…

Në këtë kohë me Kodrën rrinte shumë arbëreshi Demetrio Patitucci, bënte manexherin e pastaj, deri në fund, me një besnikëri epike, Fatos Dashi Faslliu, duke i dhënë atij copëza atdheu, ngrohtësi familjare të familjeve të tyre, por edhe gjuhë amtare. Deri më tani, pas vdekjes…

 

                      Ibrahim Kodra: “Fëmija me emrin Atjon”

 

FËMIJËT:

 

…atij i mbeti një çiltërsi dhe një buzëqeshje fëminore për gjithë jetën, ndoshta nga që i pëlqente shumë të rrinte me fëmijët, ishin miqtë e tij përrallorë. Edhe ushqimet, kur e njohën ne, na dukej se pëlqente nga ato të fëminïsë dhe i patëm çuar në Milano gatime shqiptare, i bënte Eda ime, e falenderonte si një atë, i tregonte se sa mirë bëjnë ngjyrat për sytë, sidomos fëmijëve, teksa hidhte shpejt ca vija dhe skiconte portretin e saj.

Fëmijët, vërtet fëmijët ishin gëzim për Kodrën. Dhe jo vetëm aq. Ka një mister në miqësinë e artistëve, poetë, piktorë, me fëmijët, marrin jo vetëm nga nga spontaneiteti i tyre, por dhe nga ajo habi për të cilën arti ka aq shumë novojë. Nuk ka art pa habinë magjepsëse. Pastaj në kujtesën e fëmijëve gjyshi do të mbetet më gjatë, e thotë dhe Frojdi pak a shumë kështu.

E ç’të kujtojmë më parë, kur për ne kujtimet janë bërë aq të shtrenjta, qiellore… Ja, një herë në një festë me miq, kur Kodra po luante me dy fëmijë spanjollë, motër e vëlla, e i tha dikush përreth: janë si ëngjëj fëmijët, jo, u përgjigj Kodra: janë engjëj. Ndërsa në vendlidjen e tij, në fshatin Ishëm të Durrësit, i rrethuar nga qindra fëmijë të shkollës, u dëgjua t’i përgjigjej gazetarit të një televizionit, që po e pyeste ndër të tjera se ç’fëmijë kishte: ja, të gjitha këta, tha Kodra dhe qeshi I gjithë, sytë, buzët, balli, duart…

E kishim parë në studion e tij, që ndërsa pikturonte totemin e tij të famshëm, po i shtonte një Pinok përballë, do ia dhuroj një djali, kemi miqësi familjare, më dha një orë për datëlindjen, tregoi. Në kavaletin më tej kishte mbaruar një pikturë që dhe ajo do të dhurohej, një kirurgu këtë radhë, në vend të pagesës për një operacion që kishte kryer mbi bashkëshorten e një miku.

Ndoshta të mbi 6 mijë pikturat e Kodrës, të shpërndara nëpër botë, kanë nga një histori.

 

 

Kopertina e romanit, vepër e piktorit Alfred Mirashi Milot,

                   student i Akademisë “Brera”, ku Kodra është diplomuar i pari.

 

 

“NË KOHËN E BRITMËS”

KODRA PERSONAZH NË ROMAN

 

      Në një nga romanet e mi, “Në kohën e britmës”, botuar në 2009 dhe ribotuar një vit më vonë, piktori Ibrahim Kodra është persoznazh. Besoj se kur bëhen personazhë letrarë personalitete të jetës dhe artit, ndjehen më mirë se kudo, janë të gjallë shumë më tepër se në monografitë apo konferencat, aty jetojnë, janë mes nesh siç do të donin.

      Po sjell pjesë nga kreu për Kodrën:

 

– Ku është tryeza jonë? – pyeti Adriani kushërirën e vet kameriere.

– Ja, përballë është e maestro Kodrës.

– Bukuri, – fërkoi duart Evgjeni. – Ka verë të mire…

Në tryezat më tej kishte gra, dukeshin të bukura. Llërë, dorashka të bardha, të zeza, gjinj, dekolte, kapela, gjunjë, uli sytë, çizme […].

Një riprodhim me numër serie e një totemi-muzikant të Kodrës. I qeshur ndërkohë, siç janë veprat e tij. I fundmi postkubist i botës, mendoi Evgjeni. Ca shkallë të drunjta, kati i dytë i lokalit dhe muzikë klasike, ulët fare.

– Vilma, të thashë, janë miqtë e mi, Evgjeni dhe Martini.

– Gëzohem. Këtë e kam parë, më duket, po, po, – dhe ajo tregoi Martinin. – Na erdhët në shtëpi, kur kërkonit… Ka ndonjë lajm?

– Jo, jo.

– Të gjithë humbim, – psherëtiu Vilma. – Unë e kam vënë njoftimin në xham, që na e dhatë atë mbrëmje, ja […]’

Adriani po ulej në karrigen e tij, kurse Evgjeni me Martinin po vazhdonin bisedën. “Miqtë e Afërditës dhe të Gjergjit”, thoshin… të sensibilizonin shqiptarë dhe italianë… të kërkonin të humburit… të jemi kundër harresës… për përgjegjësi të barabarta. Të gjithë jemi përgjegjës. Po, po, pse jo?…

– Po vjen Maestroja, – tha Vilma, është me një mik.

 Piktori plak ecte rëndë-rëndë, siç e përshkruanin gazetat, “Zhan Gabeni i ngjyrave”, ashtu qe veshur, xhaketë me katrorë të bardhë, pantallona me katrorë të zinj, kapelë me katrorë të verdhë, shall blu, të mëndafshtë rreth qafës, flokë të rrallë, por me pak bisht pas, e kam shpikur unë, thoshte, pastaj u bë modë, këpucë me tri ngjyra, njëra si e shtuar rishtas. Ç’i tundej te këmbët, kone e vockël? Jo, i kishte rënë llapa e njërës prej çorapeve, ha–ha-ha, sa piktoreske. Gjithë mirësi në fytyrën e rreshkur, me rrudha të shumta, me një hundë të madhe e buzë të trasha, e poshtmja pak e kthyer, sy të vegjël, të qashtër. Në gishta, unaza të shumta si të arixhinjve, byzylykë dhe zinxhirë të florinjtë

– Bah, duket që është i madh! – u entuziazmua Evgjeni. – Mitik dhe ky… – “Sa pleq të mirë ka Shqipëria, – tha me vete, – veçanërisht kur janë mërgimtarë! Po im atë si po plaket?”

Maestroja u drejtua për në tryezën e vet, tërhoqi karrigen… Tjetri, që i shkonte nga pas, burrë i ri, arkitekt italian, kështu tha Vilma, por që ka një merak, a i shkon xhaketa me sherrin që ka bërë me gruan që bashkëjeton. Po, po, tha vetë. Kamerierët e dinin se ç’duhej të sillnin si fillim.

 Maestroja hante pa u ngutur, me sqimë, i mbushte vetë gotat me verë, të kuqe patjetër, jo vetëm që s’të bën dëm, por mirë gjithmonë, nga pak, se Zoti na e ka dhënë përjetësinë, njerëzit s’dinë dhe vdesin, thoshte Kodra dhe bëhej gjithë sy e veshë kur fliste tjetri, tundte kryet i qeshur, futte lugën e madhe në tarator, përgatitur për qejfin e tij. Mbaroi më parë se tjetri. “Ti ha, – i tha, – peshku s’ishte i ndenjur, ka fosfor, të bën mirë për kujtesën, merr dhe ëmbëlsirë. E di ti që kam botuar në “Corriere della Sera” në faqet “Salute” për ushqimet dhe shëndetin, çfarë të forcon njëra dhe çfarë tjetra dhe si duhen përdorur? Vëri re frutat: çdo prodhim ka formën e një organi të njeriut… Ti pare?… Molla i bën mirë zemrës. Por edhe domatja, prite dhe shiko si është e ndarë në 4 xhepa si zemra. Se, po s’e gjete ngjashmërinë së jashtmi, ndaje frytin, autopsi… shiko një rrotëz karote, është si irisi, se i bën mirë syrit. Dardha, patëllxhani, kanë formën e seksit të gruas, atë e ushqejnë më shumë, si fiqtë që i duhen burrit të hajë, përnjëmend e kam, farzat brenda ndihmojnë farën. Dhe më vinin letra nga gratë, kërkonin të dinin se çfarë u bënte mirë… deri dhe për qerpikët më pyesnin. Pisha, thosha, të ziesh halat e tyre.” – Dhe qeshi.

Maestro, pse s’je martuar? Kam pasur raste shumë, nuk u thosha unë ikni, iknin vetë, të duan të gjithin ato, kurse unë vazhdoja të punoja. Maestros i sollën një pije tjetër me pak akull brenda. Duhej të ishte e fortë. Heshtte dhe shikonte pa u kuptuar se po këqyrte përreth. Dhe kthente herë pas here gotën.

Dhe filloi mrekullia. Ai nisi të bënte atë për të cilën kishte ikur herët nga shtëpia, që para luftës, nga fshati i tij, nga atdheu, përshkoi qytete e shkolla dhe moshën e vet e u bë piktor, ndër më të njohurit, shkonte kudo me ekspozita, në të gjitha kontinentet, por vetëm në atdhe s’mund t’i çonte veprat e tij. Ishte i ndaluar arti i tij, impresionist, abstrakt, postkubist… Arriti të vinte një herë në Tiranë dhe tha se donte të vizitonte burgjet, por s’ka burgje te ne, i tha shoqëruesi. Pse, ç’i bëni ata që i dënoni? – pyeti. Jo, i kritikojmë në mbledhje në lagje dhe u mbajmë pará nga rroga, një ditë, dy ditë pune, kaq. Ashtu? – tha Kodra, – s’e dija, se kam ca miq në burg, s’më kishin thënë gjë… U mbani ditë pune apo vite jete? Tani i zhdukin, Maestro, sikur të mos kenë qenë kurrë.

Ai po vazhdonte të vizatonte mbi një gazetë çfarëdo. Ngadalë. Me qejf. E shikonte fletën e madhe, përllogaritte shkronjat, vizat e tij, e anonte, hidhte sytë nga tryezat përtej. Nxori një tjetër tip stilolapsi nga xhepi i madh i xhaketës, me majë më të trashë. “Ik më merr një gjethe nga ajo vazoja atje, – i tha atij që kishte pranë, – jo, jo, atë tjetrën.” E mori gjethen, e bëri shuk me gishtat e trashë dhe e ngjeshi mbi vizatimin. E kaloi disa herë lart e poshtë deri sa ajo lëshoi ngjyrë aq sa donte ai, një e blertë natyrale.

Demokracia më e mirë është ajo në natyrë, kishte thënë Kodra gjatë një interviste me një gazetar të opozitës, që kishte ardhur nga atdheu. Njëlloj janë palmat në Afrikë me palmat në Vlorë, vazhdoi Mjeshtri, dhe ato s’u bëjnë gjë mollëve. Edhe bari s’ka frikë nga ullinjtë. Do të doja një apel, ia ktheu me kujdes gazetari, që në Shqipëri të votojnë për… Po pse, që këtej do t’i mësoj unë se ç’duhet të bëjnë shqiptarët atje, i doli kundër Mjeshtri, ata e dinë vetë se ç’duhet të bëjnë.

Maestro, kanë kapur bashkatdhetarë të tu në stacion të trenit me drogë”… – “S’kanë faj emigrantët, – bëri të urtin ai, – por qeveria, pse s’u jep shtëpi e punë?”

Vazhdonte të vizatonte. Portret gjysmë i blertë e gjysmënatë dhe lajmet e botës. Nënshkrimi poshtë, për të cilën Pikasso i kishte thënë: firma jote është një vizatim më vete, shqiptari im. I bëri shenjë kamerieres. Iu afrua një shoqe e Vilmës.

– Çoja, të lutem, atij, – i tha ngadalë.

– Uaa, sa bukur! Kush e bëri? – ngritën zërin në tryezën tjetër. – Ngrije pak më lart… ta vëmë në korrnizë…

– Ai plaku e pikturoi, kush është ai?…

– Kodra? A? Po, po, e kemi dëgjuar …ç’farë fati! Falemnderit shumë.

Ndërkaq Kodra po fshinte me cepin e shamisë së tij një pjatë të bardhë porcelani.

– Shko tek ajo gruaja matanë, – i tha prapë shokut të tryezës, – merri pak të kuqin e buzëve. – Ndërkohë futi një shami të mëndafshtë në gotën përpara. I duhej e lagur. Po vizatonte mbi pjatë, po, po, me të kuqin e buzëve: sy, flokë, buzëqeshje, qafa e mjellmët… dhe ngazëllehej. – Çoja…

– Ç’mrekulli! Uaa, che bello, a mund ta marr pjatën? – i tha kamerieres gruaja e vizatuar.

– Po, po, urdhri i Maestros.

Dhe ajo sikur donte të thoshte diçka tjetër, po hapte çantën, jo, jo, atëherë të paguante të paktën verën e tryezës së Maestros a të porositte çfarë të donin, po jo, bënte moskokëçarësin ai. Dhe ajo e puthi në faqe. Plaku u skuq. Mori një pjatë tjetër bosh. Po shikonte nga salla.

– Është e kotë t’i lutesh, – po thoshte Vilma, – nuk dëgjon, vizaton atë që do ai, kush ta ketë fatin.

Po grumbulloheshin njerëz përreth tij. Është Kodra i madh, po thoshin. E shikonin me adhurim si punonte. U afrua dhe Evgjeni. I doli nga pas. Si e lëvizte dorën e trashë si degë e zhveshur.

Maestro, sa rron ky vizatimi në pjatë?

 – Jo dhe aq, nja 50 vjet, – buzëqeshte.

 

            Ibrahim Kodra “Lufta për Paqen”, një ndër veprat m:e të njohua të tij…

 

BEFAS VJEN SHEJKU

(Vërtet si në roman)

 

 Një si zhurmë brutale karrigesh, shtyrje dhe zëra, hapuni, ej! Dhe dy burra të hardallosur përballë, njëri me një gotë të gjatë wisky në dorë dhe tjetri… me një revole po aq të gjatë në brez.

 – Bëja portret një zotnias tim, shpejt, këtu! – urdhëroi me një italishte çapraz ai i revoles. Tjetri, i gotës së wisky-t, ktheu karrigen duke nxjerrë shpinoren e saj nga përpara, u plandos mbi të dhe fill po pozonte i kreshpëruar. Dhe po gajasej. Duhej të ishin ca çakërrqejf nga pija.

Heshtje dhe ankth. Dhe një revole në brez. Po, po, prej vërteti…

– Një sheik arab me shoqëruesin… Vijnë shpesh këtu, – u dëgjua të shpjegonte njëra nga kamerieret si për të qetësuar gjendjen. – Ishin lart. Panë vizatimet dhe morën vesh se na paskësh ardhur një piktor i madh. Mysliman…

Plaku Kodra s’tha asgjë. Pa u shqetësuar, si një beduin, e vërejti sheikun. Mori një pjatancë, e rrotulloi dhe nisi të hidhte vija mbi të. Ca si mustaqe të paka allafrënga. Sheiku u zgjat që nga karrigia dhe buzëqeshi. Elipsi i fytyrës, i syve… Prapë sheiku lëvizi, iu afrua vizatimit, hetoi atje dhe u rregullua mbi karrige. E kishte harruar pozicionin e parë. Mjeshtri priti pak. Dhe po zhgarravitte flokët. Sheiku qeshi dhe u ngrit përgjysmë. Piu një gllënjkë nga gota që i dridhej. Njëri vesh… Tjetri. Sheiku u përkul përsëri mbi vizatimin dhe qeshi sikur e gjithë kjo punë të ishte meritë e tij. Pa nga njerëzit më këmbë përreth karriges së tij, piu dhe një gllënjkë tjetër dhe…

Don’t move! – bërtiti Maestro Kodra. Se si i doli zëri, si i deveve. Sheiku ngriu. Shoqëruesi i tij vuri dorën mbi revolver, priste urdhrin. Martini u bë gati t’i hidhej. Njerëzit panë njëri-tjetrin. “Eja, futu në kuzhinë”, – i mërmëriti Vilma Adrianit. Vetëm piktori plak ishte i qetë dhe po vazhdonte të vizatonte sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Evgjeni shikonte i mrekulluar sheikun e ngrirë. Nuk lëvizte, sikur t’i kishin bërë magji. A merrte frymë? Atij, siç duket, nuk i bërtiste kurrkush, zevzek siç duhej të ishte, vetëm urdhëronte. Dhe i plotësohej çdo dëshirë prej pasurisë që mund të kishte. Dhe ja, për herë të parë një plak në vend të huaj i klithi: mos lëviz! Dhe atë e zuri ngërçi. Të tërin. Zbuloi se kishte pasur mall t’i thoshin një gjë të pazakonshme për të, aq e zakonshme për të tjerët. Pra, kishte më të fuqishëm se ai dhe kjo e bënte që të besonte se herë-herë kishte pasur frikë nga fuqia e vet, të gjithë në jetën e tij prisnin prej tij dhe i bindeshin. Dikush e urdhëroi. Allah, Allah, bekuar qoftë! “Edhe unë qenkam si të tjerët dhe kjo s’është pak!”

Vizatimi mbaroi. Emri në fund si me shkronja arabe. Gjindja përreth duartrokiti. Bravo, Maestro! Sheiku në pjatancë shkëlqente si në pasqyrë, gjithë nur. Plaku ia zgjati pa thënë asnjë fjalë. Sheiku e mori pjatancën me dy duar dhe gati sa s’po hidhej përpjetë nga qejfi. Diku tjetër shëmbëlltyra e tij na paskësh tjetër tërheqje, sharm dhe një lloj sigurie, sa po e rikrijoi mbi një sipërfaqe të paktë, të brishtë, të thyeshme një rob zoti, që i thirri: Don’t move! Ia dha pjatën shoqëruesit dhe i shtrëngoi dorën piktorit plak. Ha-ha-ha, qeshi dhe iu kthye prapë shoqëruesit, seç i tha në gjuhën e vet duke ia marrë pjatën.

– Sa para pagojmë ne? – pyeti shoqëruesi.

– Ikni! – tha Kodra. – Pjatanca të lyhet me llak, për t’u mbrojtur portreti.

– Ka ashtu llaku restoranti? – Asnjë përgjigje.

Shoqëruesi i sheikut iu drejtua përsëri Mjeshtrit:

– Sa duhet pagojmë, thoni ti, që firmos çekun ai.

– Nuk dua gjë, jua thashë një herë.

– Zotëria im jo qetë, po nuk dha çmimin.

– Dëgjoni, – ndërhyri më në fund ai që kishte ardhur bashkë me Kodrën, – ç’keni për të dhënë, çojeni në banak dhe vijmë e pimë ndonjëherë tjetër këtu, për miqësinë tuaj, na kënaqët. Do you understand? – O yes, yes.… Të gjithë qeshën me zgjidhjen. Dhe arabët ashtu bënë. Sheiku doli duke përshëndetur me njërën dorë, kurse me tjetrën mbante pjatancën e paketuar mirë në kuti picash.

– E dini sa kanë paguar? – tha Vilma në tryezën ku ishte Adriani me shokët dhe zuri kokën me duar, – qyqja, moj nane, t’ja shtrojnë me darka këtu për nja 20 vjet rresht. E bëri llogarinë banakieri.

– Për natë do t’ju vijmë, – tha seriozisht miku i tryezës së Kodrës. Maestroja buzëqeshte heshturazi.

– Eja edhe vetëm, kur unë s’do të kem kohë.

 – Maestro, duan t’ju njohin, – tha Vilma duke vënë duart mbi supet e tij dhe, pa marrë përgjigje, vazhdoi në shqip: – Janë nga Shqipëria.

– Po afrohuni, more çuna, – i ndritën sytë Kodrës. – Ç’kemi andej? Si po janë punët? Ju si ia çoni? Uluni, bashkë jemi parë edhe një natë tjetër, – i tha Adrianit, – po, po, çfarë do të merrni, apo shkojmë në një lokal tjetër, “Il sole mio”? Është këtu afër, pimë ndonjë gja.

– Mjafton të jemi me ju, ku të doni.

Mbasi dolën nga “Il sole mio”, italiani, miku i tryezës së Kodrës, që Vilma tha se ishte arkitekt dhe mbante një xhaketë që shkonte me sherrin që do të bënte me atë me të cilën bashkëjetonte, iku.

– Po të lë me bashkatdhetarët e tu, Maestro, është ora 2 pas mesnate.

– Shkojmë në shtëpi, pimë atje, – këmbënguli Kodra.

Maestro, ti nesër çohesh në mesditë, në një…

– Po të dua, s’çohem fare, – e ndërpreu Kodra.

– E po mua më duhet të shkoj. Kam një projekt në dorë, do të punoj

– Ne duam të bëjmë dhe pak muhabet, apo jo, çuna? I thuaj Adalbertos, se ai nuk na erdhi, ngaqë kishte shkuar në studion e Stefanit, ishte vonuar atje, se i kishte shpjeguar pikturat e veta, – po thoshte Maestroja me zë të zvargur, – Po jo, mor njeri, nuk shpjegon piktori pikturat e veta, pikturat shpjegojnë piktorin, i thuaj.

– E drejtë, Maestro.

Evgjeni i futi krahun piktorit plak dhe bënë për tutje, në një rrugë që s’kishte pikë rëndësie se ku të çonte, në Milano jemi, gjithsesi. U kuptua, Kodra i ruhej vetmisë, ajo e gërryente, ai donte njerëz, shokë, i ftonte për drekë, për darkë, të panjohur, ikim në barin tjetër i cytte, sa më vonë, gjithë natën, vetëm të mos ishte vetëm, sidomos në shtëpi.

Tej dukeshin prostitutat, në rresht, jo shumë larg njëra nga tjetra, ndriçonin. E përshëndeti atë më pranë, sa e bukur!

– Ishim një natë me Heminguejin, – po tregonte Kodra, – dhe me Moravian, gruaja e tij i kishte gjinjtë të zbuluar përgjysmë, po pinim, por Hemingueji mbeti duke parë nga gruaja e Moravias, nga gjinjtë e saj. I thashë kamerierit në vesh, merre Heminguejin dhe çoje atje… të zgjedhë një nga ato… U mbyllën në një dhomë lart dhe, kur u kthye, Hemingueji nuk shikonte më nga gjinjtë e gruas së Moravias.

– Cili Heminguej, cili Moravia? – u kthye Martini nga shokët. – Për kë e ka fjalën Mjeshtri?

– Janë shkrimtarë, njihen, – tha Kodra. – A s’po e flas mirë shqipen, e kam harruar? – u bë merak vërtet ai.

– Jo, jo, shumë mirë, Maestro, – i thanë ata dhe ia shkrepën të qeshurit së bashku.

– Janë përkthyer vepra të tyre edhe te ne, – tha Adriani.

Hemingueji, Moravia… të dy ishin ndaluar më pas. Rezana lexonte “Çoçarja”, ia kishte dhënë Gjergji romanin. Unë endesha me biçikletë. E mori Beti librin ta lexonte natën në punë, ishte infermiere-rojë në spital. Ia vodhën. Dhe Kodra ka ndenjur me ta? Don’t move! – i tha vetes Martini. Dhe ndjeu mall për motrat dhe e përfytyroi veten në dasmat e tyre, duke treguar për Kodrën […]

Para se të ngjiteshin në apartamentin e madh të Kodrës, panë vetet e tyre në pasqyrat e mesores: jemi shqiptarë të bukur, bëri humor Maestroja. Evgjeni ndihej i lumtur. Çfarë store, po thoshte Adriani me vete. Martini kishte një pikëllim, që i shkonte.

Portat e shtëpisë kishin sistem alarmi. Nga brenda mbante erë boje, ngjyrash të përziera me erë lulesh. Medalje shumë, kupa, vegla muzikore, libra, pllakate dhe fotografi kudo, bardhezi, të mëdha, të vogla, rregull artisti, dikush shërbente këtu, dhe një pikturë e pambaruar. Edhe një tjetër…

– E kam për një shok, – tha Kodra, – i operohet e shoqja dhe do t’ia japim mjekut. Hapeni frigoriferin dhe merrni çfarë të doni, ka, shikoni dhe shishet në dollap. Më jepni dhe mua… – dhe u ul te një poltronë lëkure. Një kapicë me albume të tij mbi dysheme dhe riprodhime pikturash.

Pikasso s’ka qenë komunist vërtet, – po thoshte Kodra çfarë i kujtohej, – por e bënë komunistët të tillë. Ishte kundër çdo forme të borgjezisë dhe donte që pikturën e tij ta kuptonin edhe punëtorët. Dalí po, ishte egocentrik, dua ta mposht Pikasson, më ka thënë njëherë. Pol Kle ka vuajtur shumë. – Evgjeni po trallisej. Sa i madh!

– Po ti ç’bën? – pyeti befas Adrianin.

Maestro, ja, studioj kështjellat… se si më duken ndonjëherë, ala buzzatiane, – u përgjigj, por donte që Kodra të vazhdonte.

– Shumë mirë. Kur filloi të vizatonte Buzzati, më pyeti njëherë: “Si të duken?” – e mori prapë fjalën Kodra. “Dino, – i thashë, – ti po vizaton siç shkruan.” – U gëzua shumë. Dëgjoni, modestia dhe altruizmi janë pasuria më e madhe në botë. Papa puth dhe lebrosët, por personazhet e mëdha kanë vdekur të gjithë. Edhe në Itali…. Statizmin e kanë krijuar arabët, modernistët i panë nëpër xhami dhe i bënë me 2-3 ngjyra… Po ti ç’bën? – iu drejtua Martinit.

– Asgjë, do të shes lule në Sanremo.

– Bukur! Edhe unë kam shumë lule në tarracën time. Ti je piktor, – u kthye nga Evgjeni, tundi gishtin tregues dhe buzëqeshi si fëmijë.

Maestro, guxoj t’ju pyes, – ia ktheu Evgjeni, – nëse do t’ju thoshin se cili është mesazhi i veprës suaj, çfarë përgjigje do të jepnit sonte?

– E kam thënë: njeriu si viktimë, po humbet…

– Por ju s’keni njerëz në veprat tuaja!

– Ashtu është, unë nuk paraqes njerëz, por njerëzimin. – Maestroja heshti. E ktheu gotën, të gjithën. Pas peizazheve mahnitëse, fundeve të detit, nëpër portretet e tij kubiste, totemë e robotë, ende xhufkëronin flokë dhe jo tela. Dhe duart, jo ganxhat. Gishta të trashë. Janë forma të qëndresës së njeriut. Mund të krihesh ende, thoshte dhe qeshte, duhet të zbukurohesh. Kurse dora është përvoja, ndjenja dhe mendimi bashkërisht. Dashuri dhe punë. Është e shenjtë dora… – S’kam asnjë dorë andej…, – po ankohej Kodra, – kërkoj njeriun. 3 vjeç më la nëna mua… Ajo s’më kujtohet, por vdekja e saj. Graria më thoshin se po flinte, e zeza. Një vëlla ma zhdukën, se ishte patriot, me Ballin, babai m’u vra në det, nga minat angleze, transportonin petrol. Mua më humbi atdheu…

– Edhe ne kërkojmë të humburit tanë…, – tha Evgjeni.

Maestroja s’bëzani. I shikoi një grimëherë në sy të tre me radhë. Si ta kuptonte: kishin humbur vërtet njeri apo ishte britmë intelektuale?

– Vuajnë më shumë ata që kërkojnë, ndonjëherë më shumë se ata që kërkohen. I kam provuar të dyja: edhe të humb, edhe të më humbasin, – tha me zë të pasmesnatshëm. Pas pak shtoi:

– Prandaj jeni kaq të mirë ju. Miqësia është më e madhja e të gjithave…, – dhe kapsalliti sytë. – I thashë presidentit të Shqipërisë, dua të vij, të pikturoj… të bëj afreske nëpër mure, në institucione… që të mësohen njerëzit atje, t’i respektojnë… se ishin ngritur, i kishin shkatërruar institucionet… gjersa kam vepra në Milano, Vatikan, Napoli, Sorrento, Palermo… nëpër botë… pse të mos kem në atdhe? – Kodra heshti. – Mbushini gotat, edhe timen..

– E çfarë tha presidenti? – po priste me padurim përgjigjen Adriani.

– “Institucionet janë të mbyllura, – më tha. – Veprat e tua duhen të jenë kudo, ku mund t’i shikojnë të gjithë…”

– Po ju çfarë i thatë? – u ngrit në këmbë Evgjeni.

– “Atëhere hapni institucionet, që t’i shohin qytetarët”, i thashë, – qeshi Kodra. Evgjeni përpoqi gotën e tij me të Maestros. – “Shkëlqyer!” – buçiti. – Dhe s’doja asgjë, vetëm një student të pikturës, që të më ndihmonte të mbante kovat me bojëra. Nuk hipi dot shkallëve tani… E si i quanin ata?

– Cilët?

– Miqtë tuaj të humbur… janë dhe të mitë…, – u përlot Kodra.

– …Gjergji, Afërdita…

– Emra të bukur, të vjetër… T’i kërkojmë… në fillim brenda vetes… – Dhe u ngrit me mundim, dalëngadalë, mori mandolinën te rafti tjetër. – Është një pjesë, – tha, – që Salvatore Quasimodo ma kërkonte shpesh, kompozim imi, melodi shqiptare, “Dhentë zbresin nga Olimpi”, po i bie, thërrasim shpirtrat e tyre të bardha…

Don’t move! Megjithatë ne do të ikim, Maestro. Afër mëngjesit Evgjeni e la Martinin në rrugën “Buenos Aires”, me dy-tri albume të ndryshme të Kodrës, të firmosura nga ai, po kështu dhe Adrianin, në Institutin “Padre Mondi”, afër një kishe dhe e ktheu makinën me shpejtësi. Vetë do të ikte për në Milano Fiori. Në shesh ende s’kishte lëvizje. Agimi vazhdonte të rridhte nga qielli si një ujëvarë e madhe.                                                                                                      

Don’t move, don’t move, thoshte me vete dhe s’kishte gjumë. Mos lëviz, o njeri, rriji besnik vetes! Eppur si muove, kishte thënë një plak tjetër, që desh e vranë për këtë fjalë, agjitacion dhe propagandë kundër Zotit, neni 55 i Kodit Penal, me anën e të cilit na kishin dënuar. “Anti-55” duhej të ishte ajo gazeta në Tiranë, jo “55”. Bota, po, duhet të lëvizë, kjo është e drejtë, të ikë, në universin pa fund, të rrotullohet, kjo mjafton, por njeriu jo: don’t move!, të mbetet njeri. Me virtytet te liria dhe lirinë në virtyte. Profeti, Maestroja, çfarë pleqsh, si perëndi… thinjat e arta të kohës… po u shtoj dhe një shok, Galileo Galilein, çfarë trinie…! Kur vdes, njeriu i merr me vete të gjitha sekretet e tij, por jo imazhin, as disa nga idetë, as mirësinë… çfarë etërish! Ashtu dua të plakem dhe unë… Dhe u pa në pasqyrën e makinës, në mes… Ku paskam vajtur kështu, tha, në ç’rrugë jam?

Dhe e drejtoi makinën në anë të këmbësores plot me gjethe të mëdha, të rëna. Të kuqërremta si bakër. Mbështeti krahët mbi timon, vuri kokën përsipër dhe donte që ta zinte gjumi. Sa për një ëndërr, s’dihej ç’i thoshin pleqtë e shenjtë…

 

ËNDRRA ME MUR

(prapë në roman)

 

Muri i këtejmë i burgut.

Afroma kovën, thirri Mjeshtri plak. Atë tjetrën. Trazoje me penelin e madh.

Dhe Evgjeni ashtu bëri.

Shikon gjë në mur ti? Ç’janë këto përhijime?

Janë mbështetur të burgosur.

Mos i hiq. Lëri njolla. As gjakun mos ia pastro murit…

Dhe Mjeshtri plak nisi nga puna. Hidhte ngjyra, të zeza, të kuqe, njëra mbi tjetrën, me penel, me bishtin e penelit, blu, të blerta, hije, krahë, zinxhirë, bir, çfarë ngjyre ishin plagët? Në atë të diellit kur perëndon?… Merri shkallët, hip lart dhe puno mbi atë që bëra unë, mbaroje afreskun. Vër fytyrat e miqve të tu të humbur…

Hidh ca ujë në kovë, nga përmbytja e asaj nate, përzieje me britma, flaki penelat, pikturo me gishta, me duar, ngjishe fytyrën tënde mbi atë të Afërditës… fort… si puthja… Ja dhe sytë e Gjergjit, çfarë shikojnë? Je ti brenda në ata sy… Pranë tij Rezana… Profeti… Erdhi dhe Martini, Adriani… Të gjithë bashkë. Ç’afresk tronditës, i shkëlqyer! Ta ngremë me gjithë mur dhe ta çojmë në kryeqytet.

Është e mundur?

Po. Unë jam arkitekt, miku i Kodrës, do ta presim murin…

Jo, në asnjë mënyrë, kundërshtoi Drejtori, s’mund ta heqim, se na hapet burgu dhe ikin të dënuarit.

Po ky është qëllimi i veprës sonë, ulëriu Evgjeni…

Autografi i Kodrës për djalin me emrin Atjon

 

ENGJËLLI IM

 

…bashkë me Edën duam të tregojmë që Kodra i vonë u miqësua shpejt dhe me djalin tonë, Atjonin dhe ai e deshi atë si një gjysh mitik, që kur e pa, foshnjë në Romë, diku aty afër “Piazza di Spagna”, teksa rrekej të afrohej dhe befas binte. Kodra tha: “Po shpik të ecmen” dhe nisi ta vizantonte mbi gazetën që gjendej mbi tryezën tonë, ashtu siç ai e kishte zakon. Na skiconte dhe ne, kë t’i shkrepej. I ruajmë ato portrete me dashuri.

Kur u bë tre vjeç djali ynë, Kodra i dhuroi një pikturë me autograf. Rastet e bukura erdhën bujarisht për t’u takuar prapë. Kodrës i pëlqente të bënte lodra me fëmijëtnga ato që quhen “numra shpejtësie”, zhdukte letra, sajonte njolla nëpër duar pa u kuptuar, i mahniste fëmijët, këndonte… Lodrat që mësoi nga Kodra, Atjoni ua bënte fëmijë të tjerë dhe u dukej atyre si magjistar i vogël.

Së fundmi u panë në Tiranë. Kodra kishte sjellë një ekspozitë antologjike, më të madhen të tijën në Galerinë Kombëtare, ishte viti 2003. Kështu u krijuan mundësitë të rrinim përsëri gjatë me Kodrën, në darkat ku ai rrethohej me miqtë e shumtë, në hollin e hotelit, ku linte qelqen me verë dhe tundohej si përherë të merrte një gazetë, menytë, jo që t’i lexonte, por të vizatonte mbi to, le të ishte ç’të ishte, edhe pjatë, ngjyrat i kishte gati nëpër xhapat e mëdhenj dhe të shumtë, ashtu ishte i veshur, në mënyrën më piktoreske dhe vetë, por ndodhte të përdorte për ngjyrime dhe petlat e luleve e të gjtheve përreth.

Atjoni ishte 8 vjeç dhe tani me Kodrën fliste më gjatë e kuptohej më shumë. Dhe donte të bënte dhe ai diçka për të, gjyshin e artit, një si dhuratë, një vepër si të atij, postkubiste,  një totem, “Homazh Kodrës”, kështu e titulloi siç kishte bërë dhe Kodra dikur “Homazh “Pikassos”.

Piktura e Atjonit do të vlerësohej më pas nga kritikë arti, nga studiuesi Prof. Gëzim Qendro, kuratori i ekspozitës së Atjonit në Tiranë, po kështu dhe nga piktori dhe botuesi i njohur Gëzim Tafa, përgatitësi i Albumit të Atjonit, nga shikues të shumtë.

Dhe mbase dhe në Qiell shkëmbejnë prapë piktura parajsërore.

Ngjyrat e asaj miqësie që lidhën piktorin e madh Kodra me fëmijën me emrin Atjon, qoftë dhe për aq, çaste që fluturonin, tani vezullojnë me fuqinë e së vërtetës së bukur, janë dëshmi të një lumturimi që mbetet ashtu si një vepër arti, Nuk ka art pa xixëllima të tilla, që na i jep në jetë Hyu dhe nuk na i merr dot më…

 

     Vepra që Kodra i dhuroi Atjonit                                  Vepra që Atjoni ia dhuroi Kodrës

Elton Deda në kujtim të babait: Sot do mbushje plot 80 vjeç. Të kujtojmë gjithmonë me mall maestro

VOAL – Në 80 vjetorin e lindjes së kompozitorit Ferdinand Deda, dirigjentit më të shquar shqiptar, Elton Deda këngëtar dhe instrumentist i shquar, e ka kujtuar babain, me këtë përshëndetje dhe më këtë foto:

“Sot do mbushje plot 80 vjeç. Të kujtojmë gjithmonë me mall maestro.”

Më 5 shkurt 1941 lindi Ferdinand Deda, kompozitor dhe dirigjent i shquar shqiptar

Kompozitori dhe dirigjenti i shquar shqiptar Ferdinand Deda lindi në Peqin, Shqipëri në 5 shkurt të vitit 1941 dhe vdiq në 24 gusht 2003. Pasi mbaroi liceun artistik në Tiranë në vitin 1960 studioi në konservatorin e muzikës së Pragës për dirigjim. Pas një viti detyrohet të ndërpresë studimet dhe t’i vazhdojë në 1962 në konservatorin e Tiranës. Që kur ishte student udhëhiqte orkestrën e RTSH dhe pas studimeve u emërua në këtë orkestër. Në vitet 1991-1992 u specializua në Itali.

Prej viti 1964 ka realizuar mbi 300 koncerte brenda dhe jashtë vendit si në Itali, Turqi, Greqi. Me orkestrën simfonike të RTSH ka kompozuar muzikën e shumë filmave. Deda është shquar edhe si kompozitor, ai ka kompozuar 3 valle simfonike “meditim 1-2-3”, ka kompozuar gjithashtu edhe katër skica për piano, trio për violinë, violonçel dhe piano, prelud të kënduar, impropt për piano dhe orkestër harqesh, fantazi për ksilofon dhe orkestër, koncertino për korn dhe orkestër, koncert për klarinetë dhe orkestër, rapsodi me tema poullore për orkestër, koncertino për fagot, klarinetë dhe flaut, muzikë filmi etj.. Është shquar edhe në gjininë e këngës së lehtë për fëmijë. Vepra e tij është vlerësuar me çmime, Ferdinant Deda është themelues i koncerteve pranverore në RTVSH. Më 1997 u shpall fitues i “diskut të artë” është nderuar me titullin “Artist i merituar” dhe “Mjeshtër i Madh”.

Ferdinand Deda vdiq nga një sëmundje gjaku në një nga spitalet e Ankarasë, ku ishte shtruar me urgjencë ditët e fundit. Ndarja e tij nga jeta është një humbje e madhe për muziken shqiptare, të cilës ai i kushtoi tërë jetën. “Kompozitor, dirigjent, orkestrues, instrumentist, Ferdinand Deda me veprat e tij të panumërta, do të jetë gjithnjë midis nesh”, tha një nga miqtë e tij, Zhani Ciko. Ai tha se humbja e Ferdinand Dedës duhet të konsiderohet si humbje e një supertalenti, për faktin se ai ishte një figurë tepër komplekse si në aspektin e drejtimit ashtu dhe në atë të kompozimit. “Ke se çfarë kujton nga melodizmi i tij i sinqertë, por dhe nga natyra sociale e karakterit që ai kishte. Kjo e fundit ndikonte në zbulimin e skutave të shpirtit të tij, pa teklif përpara njerëzve, kjo e bënte atë tepër të veçantë. Ferdinand Deda do të mbetet përherë prezent me regjistrimet e pafundme që ka në RTSH. Imazhi dhe interpretimi i tij do të jenë gjithnjë prezent, pavarësisht zhdukjes fizike”, tha Ciko. Aktorja Edi Luarasi ka thënë se ai dinte t’i shëronte shpirtrat njerëzorë me muzikë, dinte t’i lexonte dhimbjet prej së largu. Për Alfred Kacinarin ai është një ndër muzikantët që kanë ndihmuar thellësisht në të gjithë hapat që ka hedhur muzika shqiptare këto vite. “Është talenti më i madh në fushën e dirigjimit. Por mbi të gjitha, ai është një personazh shumë kompleks, ka qenë dirigjent, instrumentist, orkestrues kompozitor, etj”, ka thënë Alfred Kaçinari.

Më 2017 iu dha Urdhëri Nderi i Kombit.

Edison Gjergo dhe tabloja “Epika e yjeve të mëngjesit” – Nga Toni Milaqi

Edison Gjergo “Epika e yjeve te mengjesit” (oil on canvas, 179×119.5 cm, 1971)

Kisha degjuar te flitej shpesh nga babai im per Edison Gjergon (1939 -1989). Kishte patur fatin ta njihte personalisht. Kishte pare nga afer ne ekspozita te ndryshme punet e tij. Sa here e degjoja te fliste per Edisonin ndjeja zerin e tim eti te ngjyrosej me nje lloj malli per vitet  ’60, me zgjimin e kujtimeve per romantizmin e brezit te tij, me ndjesine e mungeses per brishtesine naive te atyre njerezve.
Isha i sigurt se adhurimi i tim ati per artin e Gjergos, ishte thjesht shprehje e nostalgjise, dhe jo e vlerave qe mund te mbarte vepra e tij. Mendoja se kishim te benim me nje tjeter piktor demagog-propagandistik nga ata qe qarkullonin me shumice ne hapesirat pamore, me nje tjeter pjelle te realitetit medioker artistik qe lulezonte ne Shqiperi, por per cudine time e verteta do te ishte teresisht e ndryshme…
Brezi im u rrit pa mundur te njohe pikturen e Edison Gjergos, si pasoje e denimit te tij ne periudhen e diktatures komuniste. Me pas ne vitet e vakumit social-politik (i cili vazhdon edhe sot) ishte po kaq e veshtire te qenit ne kontakt me keto vepra…

***
Te tera keto deri ne vitin 2005, kur ne nje vizite ne Galerine Kombetare pashe per here te pare nga afer artin e Edisonit.
Gjendesha ne sallen e Realizmit Socialist . Te gjithe sallen e vizitova brenda dhjete minutash. Derisa hasa vepren e Edisonit: ”Epika e yjeve te mengjesit”. U shtanga, pa mundur dot te heq syte prej atij burimi drite. Nje elektricitet i marre vizual, shpartallues, turfullues ndjeja te me godiste pameshirshem . Papritmas koha u ndal, duke me permbytur me ndjesi gati-gati tronditese. Rrija e rrija, veshtroja dhe s’kisha te ngopur. Diku prej kanavaces filluan te kacavirren e me pas te kapllojne tere sallen tingujt e pare te lahutes se vjeter, ne fillim te larget, e me pas teper kumbues; derisa qenia ime u permbyt prej tyre. Veshet filluan te me bucisnin, shtegetoja, fluturoja… Ishte nje pikture magjike! Nje vullkan ndjesish. Vibrimet demoniake te penelit, tregonin per tallaze te verteta brenda gjithesise emotive te artistit. Nje veper e perkryer ekspresioniste, me elemente te theksuar kubist (si psh. “thyerjet” e formes tek fytyrat, duart, veshjet e heronjve kryesore apo edhe tek grupi i njerezve ne planin e fundit). Nje piktor virtuoz, zoterues i nje teknike teper imponuese, por edhe nje “shkaterrues” dhe “shperberes” i formave klasike, duke krijuar nje univers te ri, te gjithpushtetshem. Kobalti provokues i  fytyrave, forma, drita, ngjyra, stilizimi, kompozimi, perceptimi i vepres, nuk me ngjasonim me asnje norme apo forme te Realizmit Socialist.
Tematika, perzgjedhja e subjektit ka ne vetvete interes teper te madh. Lautari plak –figura qendrore e vepres– perngjason me nje figure mitike te dale prej shekujve. Nje ure lidhese mes se shkuares dhe se ardhmes. Syte e tij hermetikisht te mbyllur, te zhytur thelle ne labirinthet e shpirtit, koka e tij paksa e kthyer pjerrtazi por qe gjithsesi me kahje drejt qiejve, pasiviteti nostalgjik si edhe deliri sharman qe e ka kaperthyer te terin, nuk mund te jete pjelle e asnje principi te “vijes se kuqe komuniste” qe duhet te mbizoteronte tek cdo veper e soc-realizmit. Eshte ai qe flet (kendon); eshte ai qe sundon veshtrimet e te rinjve dhe shpirtrat e tyre. Simboli i rapsodit endacak, i muzikantit, simboli i artistit. Keshtu e sheh Gjergo rolin e ketij te fundit, ne zemer te shoqerise ku jeton, por dhe ne balle te saj. I veshur me maturine e viteve; i kredhur ne mendime; levrues emocionesh; syfikur -nje pasardhes legjitim dhe i denje i Homer-it te lashte grek; sfidues i muzgut social dhe udherrefyes ne monopatin e drites se endrrave.
Prezenca e erresires (e nates) ne ambientit ku ka vendosur personazhet, vetem si  e paqellimte nuk mund te konsiderohet. Nje aludim i drejteperdrejte mbi realitetin shqiptar te kohes. Porse nga ky realitet i erret lindnin edhe krijesa vezulluese si rapsodi plak, spektatoret e tij, apo edhe vete Edisoni…

Edison Gjergo “The Epic of the Morning Stars” (oil on canvas, 179×119.5 cm, 1971)

S’di sa qendrova aty. Me zgjoi zeri i rojes se Galerise: “Na falni, por do te mbyllim Galerine”. Akoma sot ndjej therjen qe i beri brendise sime kobalti i asaj pikture.

***
Ishte kjo pikture edhe fillimi i fundit te tij. Vepra u demaskua si “nxirje e realitetit” dhe Edisoni si artist me “ndikime te huaja”. Fundi ishte i pashmangshem, burgjeve, kampeve te perqendrimit dhe ambienteve karantine te diktatures.
Shume vepra u zhduken nga Galerite dhe fondet e tyre. Shume te tjera (te permasave te medha), u copetuan nga piktoret medioker te kohes, per t’u marre kanavacat dhe per te pikturuar ne to “kuaj me cizme meksikane”. Kam degjuar qe Galeria Kombetare ka vetem tre pune te Gjergos ne fondet e saj…

***
Edison Gjergo ishte nje artist brilant. Nje krijese anarshiste, kryenece dhe veteshkaterruese, sepse donte te ishte i lire.
Edison Gjergo ishte nje shqiponje e eger. Vdiq ne fluturim, i vrare nga mizerja, meskiniteti, injoranca, cmira, persekutimi i mediokritetit te turmes. Sot, vepra e tij krijuese eshte nje pishtar udherrefyes, dhe Gjergo vete eshte padyshim personaliteti me i fuqishem, me kompleks, me rrezatues i shekullit te njezet ne artet figurative shqiptare, i permasave nderkombetare. Qofte edhe ato pak pune te mbetura, ato gjurme te shpirtit dhe te mendjes se tij jane fanare artistik, filozofik, e njerezor. Eshte testamenti i “brezit te humbur” te prinderve te mi per brezin tim.
“Epika e yjeve te mengjesit” eshte epika e triumfit te madheshtise krijuese dhe njerezore, ndaj tiranise se sistemeve diktatoriale; eshte epika e triumfit te drites ndaj erresires…

Më 23 janar 1936 lindi Dhimitër Anagnosti, një nga regjisorët shqiptarë më të rëndësishëm të shekullit XX

Dhimitër Anagnosti (Vuno, 23 janar 1936) është një nga regjisorët shqiptarë më të rëndësishëm të shekullit XX.

Jetëshkrim

Shkollën fillore e kreu në fshatin e lindjes dhe shkollën unike dhe të mesme të përgjithshme i kreu në Vlorë. Më 1954 – 1960 ndoqi Institutin Kinematografik “VGIK” të Moskës, ku u diplomua për kinooperator. Së bashku me Viktor Gjikën xhiruan si punë diplome filmin “Njeriu kurrë nuk vdes”, një ekranizim i tregimit të Ernest Heminguejt, i cili u vlerësua me Çmimin e Parë në Festivalin Botëror të Shkollave Kinematografike, që u zhvillua në Holandë më 1961.

Filloi punë si operator në Kinostudion “Shqipëria e re” në 1961, me filmin “Debatik” (1961) e më pas me filmin “Toka jonë” (1964). Xhiroi edhe të parin film dokumentar me ngjyra “Gurët dekorativë”. Filmin e parë si regjisor e realizoi në vitin 1966, së bashku me Viktor Gjikën, “Komisari i dritës” dhe një vit më vonë i vetëm si regjisor filmin “Dueli i heshtur”. Në karrierën e tij 40-vjeçare ka realizuar 14 filma artistikë, 10 filma dokumentarë, ka fituar mjaft çmime në konkurse të ndryshme kombëtare e ndërkombëtare. Është autor i 15 skenarëve dhe pothuajse në të gjithë filmat e tij skenarin e ka shkruar vetë. Anagnosti është njeriu i mendimit të lirë, këmbëngulës në mbrojtjen e pikëpamjeve të tij, me një kurajë qytetare, e cila e ka vënë shpesh në shënjestër të mediokërve.

Për cilësitë e tij të rralla artistike, si dhe për veprat e tij dinjitoze është nderuar me titullin “Artist i Popullit”, 1987 dhe me kupën e karrierës në Festivalin e 10të Filmit Shqiptar. Viti 1991 e gjen të impenjuar në lëvizjen demokratike për pluralizmin në Shqipëri, motiv për të cilin zgjidhet edhe deputet i Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërisë (1991-1996). Në 12 prill 1992 u emërua ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, post të cilin e mbajti deri në 4 dhjetor 1994, ku dha dorëheqjen. Anagnosti është ideator dhe kryetar i Fondacionit për Artin dhe Kulturën “Fan Noli”, duke mbështetur intelektualët më aktivë, duke u impenjuar në forcimin e kulturës shqiptare në vend e në botë. Në vitin 2001 shkroi, dhe vuri në skenë në Teatrin Kombëtar dramën e vetme “Nata e trokitjeve në xham”. Ndërsa në vitin 2005 korri sukses me filmin e tij më të fundit “Gjoleka, djali i Abazit”, film i nderuar me dy çmime ndërkombëtare në Itali.

Anagnosti është i martuar me aktoren e mirënjohur të skenës dhe ekranit shqiptar, “Artisten e Merituar” Roza Anagnosti.

Veprat artistike

Ai është autor i shumë filmave shqip:

Gjoleka, djali i Abazit (2006)
Kthimi i ushtrisë së vdekur (1989)
Përrallë nga e kaluara (1987)
Gurët e shtëpisë sime (1985)
Kujtime nga Gjirokastra (1983)
Vëllezër dhe shokë (1982)
Në shtëpinë tonë (1979)
Monumenti (1977)
Lulëkuqet mbi mure (1976)
Kur hiqen maskat (1975)
Cuca e maleve (1974)
Përjetësi (1974)
Motive nga dita e diel (1973)
Malet me blerim mbuluar (1971)
Parafabrikatet (1970)
Plagë të vjetra (1968)
Duel i heshtur (1967)
Komisari i dritës (1966)
Njeriu kurrë nuk vdes (1961)

Më 23 janar 1989 u nda nga jeta Salvador Dali, gjeniu i pikturës sureale

Koktej, pra përzierje, e sajuar bukur nga ndërthurja e gjenialitetit dhe delirit, piktorit të sureales dhe të botëve mitologjike, Salvador Daliu ka pasur një jetë të shënuar nga përçudnitë që nga fillimi i saj. Duke lindur në fakt tre ditë pas vdekjes së vëllait të madh, babai i tij mendoi se do të ishte mirë ta thërriste me të njëjtin emër, në mënyrë që ashtu të mos e harronte kurrë djalin e madh. Një rrethanë kjo pakëz „përkeqësuese“, e cila ka ndikuar gjithnjë në atë mungesë të barapeshës mendore që e ka karakterizuar gjithë jetën Salvador Dalinë.

Salvador Dali lindi në Figueras të Katalonjës, Spanjë, më 11 maj 1904. Kur ishte në moshë ende të njomë ai ekspozoi disa nga punimet e tij në pikturë në sallën e teatrit bashkiak të qytetit të tij të vogël. Ekspozita e parë u prit me një vlerësim të lartë nga kritika e asaj kohe.
Në vitin 1921 u regjistrua në Akademinë e Arteve të Bukura San Fernando në Madrid, ku ai do të lidhte miqësi me regjisorin Luis Bunjuel (Luis Buñuel ) dhe me poetin Federiko Garsia Lorka (Federico García Lorca ). Me Lorkën ai do ta kalonte verën në Kadakues (Cadaqués ) në vitin 1925. Vitin tjetër ai do të udhëtonte në Paris, ku do të takonte Pablo Pikasonë. Po atë vit Salvador Daliu përjashtohet nga Akademia ku studionte. Piktura e fazës së parë të krijimtarisë së tij është shënuar nga ndikime futuriste, kubiste, e mbi të gjitha nga ndikime prej veprës së Giorgio De Chirico. Në vitet e mëvonshme, miqësia e tij artistike dhe intelektuale me Lorkën e Bunjuelin do të çonte në prodhimin e disa vepra të skenografisë teatore e kinematografike, ndër të tjera në dy filmat e famshëm «Një qen andaluzian » (Un chien andalou)  dhe « Koha e artë » (L’âge d’or).
Në rrafshin e veprës piktorike, ndërkaq, shumë shpejt vemendja e tij do të tërhiqej drejt riprodhimit të pikturave të Max Ernst, Miró e Tanguy, mjeshtrave të cilët ai pëlqente t’i përkthente në pëlhurën e telajos. Në vitin 1929 Salvador Dali do të hynte përfundimisht në grupin e surealistëve e në vitin 1931, bashkë me Breton, elaboron teorinë artistike të « objekteve surealiste në funksion të simbolikës ». Por surealizmi i Dalísë mban gjithsesi vulën e fortë të personalitetit të Dalisë. Frymëzuar nga De Chirico e ushqyer me filozofinë e psikanalizës frojdiane, piktura e Salvador Dalisë në këtë periudhë është karakterizuar nga një teknikë tejet e përkryer, e ftohtë dhe e lëmuar.

Më 1930 ai publikon « Gruaja e dukëshme »(La femme visible), monografi kushtuar Galës, e cila që nga viti 1929 kishte qenë gruaja e tij , modelja e tij dhe muza e tij e gjithë jetës. Ky libër shënon orientimin e ri të piktorit Dalí, që fillon të shkojë drejt një realizmi pothuaj akademik me një ngjyresë të një deliri, pra të një dalldie pothuaj deformante, pra shpërfytyruese, nganjëherë deri edhe makabre. Pak vjet më vonë ai ndeshet ashpër me surealistët për shkak të pikturës “Enigma e Vilhelm Telit”. Kjo përplasje çon në vitin 1936 në shkëputjen e parë të tij nga grupi i Breton, shkëputje që do të bëhej përfundimtare tre vjet më vonë. Ndërkohë Dalí kishte marrë pjesë në Ekspozitën Ndërkombëtare të Surealistëve në Paris dhe në Amsterdam.
Midis viteve 1940 e 1948 jeton në Nju Jork, bashkë me të shoqen, Gala Eluar (Gala Éluard ),ish bashkëshortja e poetit Pol Eluar duke u marrë me modën dhe me stilizimin e modës. Gjatë këtyre viteve atij i jepet mundësia të ekspozojë në Muzeun e Arteve Moderne, pra Museum of Modern Art, bashkë me piktorin Miró e të kontribuojë me skenografinë filmin e Alfred Hiçkokut (Alfred Hitchcock ) « Unë do të të shpëtoj ». Në përfundim të kësaj periudhe njujorkeze ai largohet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe rikthehet në Evropë bashkë me Galën.

Në vitin 1949 vazhdon veprimtarinë skenografike për kinematografinë, duke bashkëpunuar me Lukino Viskontin (Luchino Visconti ). Në vitet 1950 ekspozon në Itali, përkatësisht në Romë e Venecia, pastaj edhe në Uashington. Në vitin 1961 ai vë në skenë në Venecia Baletin e Galës (Ballet de Gala ), me koreografi të Maurice Béjart. Ekspozitat në vitet e mëvonshme janë të shumta në Nju Jork, Paris, Londër, deri në ekspozitën aq të rëndësishme antologjike në Madrid e Barcelonë në vitin 1983.
Shtatë vjet më vonë ekspozon veprat e tij stereoskopike, pra tërësore, në Guggenheim Museum e në maj 1978 emërohet anëtar i Akademisë së Arteve të Bukura (Accadémie des Beaux-Artes ) të Parisit. Vitin tjetër u ekspozua vepra retrospekitve e gjeniut Dalí në qendrën Georges Pompidou të Parisit, duke u transferuar më vonë në Tate Gallery të Londrës. Më 10 qershor 1982 vdes Gala e në korrikun e po atij viti i jepen tituj të lartë nderi nga bota politike. Në maj të vitit 1983 pikturon “Bishti i dallëndyshes”, e cila do të ishte piktura e fundit e jetës së Dalisë. Më 1984 ai pëson plagë të rënda për shkak të zjarrit që ra në dhomën e tij në kështjellën Pùbol, ku tashmë e kishte përqëndruar banimin e tij. Më 23 janar 1989 vdiq në mënyrë të menjëhershme në kullën Galatea nga një goditje e rëndë apoplektike, pra nga dambllaja.
Në zbatim të vullnetit të tij Salvador Daliu u varros në kriptën e Teatro-Museo Dalí në Figueras, pra në qytetin e tij të lindjes. Në testamentin e tij ai ia lë shtetit spanjoll gjithë pronën e tij. Një ekspozitë e madhe retrospektive postume, pra pas vdekjes, u organizua në Staatsgalerie të Shtutgardit, që pastaj u transferua në Kunsthaus Zurich. Në 100 vjetorin e lindjes së Salvador Dalisë, më 11 maj 2004, gjithë bota e përkujtoi.

Elida Buçpapaj

Më 11 janar 1946 lindi artistja e shquar e humorit Zyliha Miloti

Zyliha Miloti lindi më 11 janar 1946, në Shkodër. Mbaron shkollën e mesme “Jordan Misja” në vitin 1965 . Në vitin 1967 e në vijim paraqitet si një nga aktoret më të suksesshme të Estradës Profesioniste të qytetit të Shkodrës. Mban titullin “Mjeshtre e Madhe”.

Pa i mbushur 14 vjet, kur ishte në klasën e 7-të, ajo u paraqit për herë të parë para publikut si një këngëtare e vogël shumë e talentuar. Rolet e para kanë qenë dramatike dhe si aktore e humorit ajo i filloj në moshën 20 vjeçare në estradën profesioniste të qytetit të Shkodrës pranë teatrit “Migjeni”.
Galeria e personazheve që krijoi dhe eksperienca e saj, bënë që ajo të mbetet një nga aktoret e shquara në skenën e humorit shqiptar.
Rreth 60 vite karrierë artistike në Teatrin e Estradës dhe gjatë këtyre viteve ka realizuar më shumë se 260 premiera. Në çdo premierë rolet e saj kanë spikatur për interpretim të shkëlqyer dhe kanë qenë të arritura. Përveç këtyre ajo ka marrë pjesë në teatrin e dramës dhe në një numër të madh filmash të kinostudios “Shqipëria e re” dhe të atyre pas viteve ’90.

Gjithë jetën e saj pa u larguar asnjë ditë nga kjo estradë e që prej vitit 1967 ajo ka interpretuar plot gjallëri në shfaqet e planifikuara të asaj kohe në fshat, malësi si dhe në të gjithë Shqipërinë.

Zyliha Miloti ka pasur fatin e madh që ka punuar me një plejadë artistësh të mëdhenj, regjisor e shkrimtarë në estradën profesioniste të qytetit të Shkodrës pranë teatrit “Migjeni”. Ajo gjeti një grup aktorësh të paarritshëm.

Ka qenë regjisor i ndjeri Paulin Sekuj i cili ka punuar për një kohë të gjatë me Zylin, pastaj kanë vazhduar të tjerë regjisor të mëdhenj si: Serafin Fanko, Edmond Mhilli, Zehrudin Dokle,
Arjan Çuliq, Stefan Çapaliku, Gjergj Vlashi, Haxhi Rama, Fatbardh Smaja, Bruno Shllaku etj, si dhe shkrimtarët Fadil Kraja, Kolec Pepa, Paulin Selimi e të tjerë.

Nuk harrohet dyshja e humorit Tano Banushi – Zyliha Miloti, për 25 vite me radhë dhe më vonë me aktorin Paulin Preka që janë padyshim maja e estradës shqiptare.

Qindra role ka interpretuar Zyli edhe me aktorë të tjerë, duke pasur materiale letrare të jashtëzakonshëm, me të vërtetë secili më i mirë se tjetri.

Nuk harrohet kurrë autori i pashtershëm i burimit të këtij materiali letrar shkrimtari humorist, i ndjeri Paulin Selimi, cikli i parodive me Gjosho Vasinë, apo kupletet dhe paroditë e spikatura me aktorin, humoristin e shquar Zef Deda.

Në plejadën e mrekullueshme të aktorëve ka qenë edhe i paharrueshmi Hasan Smaja (Artist i merituar), Bik Pepa, si dhe aktorët e një brezi më të ri, Zef Deda( Mjeshter i Madh), Besnik Çinari( Mjeshter i Madh), Jolanda Shala, Katrina Biga, Drande Xhaj, Gëzim Kruja(Mjashter i Madh), Smajl Alia, Edmond Halili, Sandër Ruçi(Mjeshter i Madh), Anton Krosaj, Muhamet Çekini etj. Talenti dhe aftësia profesionale e Zylit, sigurisht që ka bërë të jetë e përshtatshme për këta aktor, duke punuar me një dëshirë e pasion të madh me të cilët sukseset kanë qenë gjithmonë të garantuar.

Zyliha Miloti ka qenë gjithmonë shumë energjike në rolet që ajo ka interpretuar me kaq siguri dhe madhështi, jo vetëm në estradë por edhe në dramë e komedi, pa harruar pjesëmarrjen e saj në filma, opereta etj. Ajo vazhdon të jetë aktive edhe sot në skenën e teatrit.

Zyliha Miloti ka luajtur në shumë shfaqje teatrale, por disa kanë mbetur si një identitet i saj, duke e thirrur me emrat e roleve siç janë: Hana, Rabija, Zade, Luli, dhe Lokes.

Zyli është vlerësuar me disa çmime, tituj dhe shpërblime. Artiste e Merituar, “Gruaja e vitit 2000-2001″ nga Instituti i Biografive në Kembrixh të Anglisë, duke u zgjedhur mes 2000 personaliteteve botërore.. Ka marrë çmime në “Ditët e humorit”, pastaj çmimin “Naim Frashëri i Artë” me motivacionin “Për kontribut të shquar në artin skenik dhe interpretim me nivel të lartë në gjininë e humorit”: “Mjeshtre e Madhe ”, dekoruar nga Presidenti i Republikës.

Më 11 janar 1999 u nda nga jeta kantautori i shquar italian Fabrizio De André

VOAL – Fabrizio De André lindi më 18 shkurt 1940 në Genova (Pegli) në Via De Nicolay 12 nga Luisa Amerio dhe Giuseppe De André, një profesor në disa institute private që ai drejton.

Në pranverën e vitit 1941, Profesor De André, një antifashist, duke parë përkeqësimin e situatës për shkak të luftës, shkoi në zonën e Astit në kërkim të një shtëpie në fermë ku familja e tij mund të strehohej dhe bleu pranë Revignano d’Asti, Calunga, Cascina dell’Orto ku Fabrizio kalon një pjesë të fëmijërisë së tij me nënën dhe vëllain e tij Mauro, i cili është katër vjet më i madh.

Këtu “Bicio” i vogël – siç e kishte nofkën – mëson për të gjitha aspektet e jetës fshatare, duke u integruar me vendasit dhe duke e bërë veten të pëlqyer prej tyre. Është pikërisht në këtë kontekst që fillojnë të shfaqen shenjat e para të interesit për muzikën: një ditë nëna e tij e gjen duke qëndruar në një karrige, me radion të vendosur, me synimin për të drejtuar një pjesë simfonike si dirigjent i orkestrës. Në fakt, legjenda thotë se ishte “Country Walsz” i dirigjentit dhe kompozitorit të famshëm Gino Marinuzzi, nga i cili, mbi njëzet e pesë vjet më vonë, Fabrizio do të frymëzohet për këngën “Vals për një dashuri”.

Më 1945 familja De André u kthye në Gjenovë, duke u vendosur në apartamentin e ri në Via Trieste 8. Në tetor 1946, Fabrizio i vogël u regjistrua në shkollën fillore në Institutin e murgeshave Marcelline (të cilat ai i riemërtoi “derra”) ku ai filloi të tregojnë temperamentin e tij rebel dhe jokonformist. Shenjat e qarta të intolerancës ndaj disiplinës nga ana e djalit më vonë bënë që bashkëshortët De André ta tërhiqnin atë nga struktura private për ta regjistruar në një shkollë shtetërore, Armando Diaz. Në vitin 1948, pasi kishin konstatuar predispozicionin e veçantë të djalit të tij, prindërit e Fabrizios, admiruesit e muzikës klasike, vendosën ta linin të studionte violinën duke ia besuar duarve të maestro Gattit, i cili menjëherë identifikoi talentin e nxënësit të ri.

Më 1951 De André filloi të ndiqte shkollën e mesme Giovanni Pascoli, por refuzimi i tij, në klasën e dytë, e tërboi babanë e tij në një mënyrë të tillë që ai e dërgoi atë, për arsim, te Jezuitët shumë të rreptë të Areccos. Ai më pas do të përfundojë shkollën e mesme në Palazzi. Në vitin 1954, në nivelin muzikor, ai gjithashtu trajtoi studimin e kitarës me maestron kolumbian Alex Giraldo.

Është viti vijues paraqitja e parë publike në një shfaqje bamirësie të organizuar në Teatro Carlo Felice nga Auxilium në Gjenovë. Grupi i tij i parë luan zhanre country dhe perëndimor, duke vizituar klube dhe ahengje private, por Fabrizio së shpejti i afrohet muzikës xhaz dhe, në ’56, zbulon këngën franceze si dhe atë të trubadurit mesjetar.

Kur u kthye nga Franca, babai i tij i solli dy dhurata nga 78-të nga Georges Brassens, nga të cilat muzikani që lindi fillon të përkthejë disa nga tekstet. Pasojnë gjimnazi, shkolla e mesme dhe më në fund studimet universitare (fakulteti juridik), të ndërprera me gjashtë provime për të mbaruar. Albumi i tij i parë doli më ’58 (single i harruar tashmë “Nuvole barocche”), pasuar nga episodet e tjera me 45 rpm, por pika e kthesës artistike u maturua disa vjet më vonë, kur Mina regjistroi “La Canzone di Marinella” për të. Kthehet në një sukses të madh.

Ndër miqtë e tij në atë kohë janë Gino Paoli, Luigi Tenco, Paolo Villaggio. Më 1962 ai u martua me Enrica Rignon dhe lindi djali i tyre Cristiano.

Janë modelet amerikane dhe franceze të kohës që magjepsën këngëtarin e ri, që shoqëron veten me kitarën akustike, i cili lufton kundër hipokrizisë fanatike dhe konventave mbizotëruese borgjeze, në këngë që më vonë u bënë historike si “La Guerra di Piero”, ” Bocca di Rosa “,” Via del Campo “. Albumet e tjerë ndoqën, të mirëpritur me entuziazëm nga një grusht të dashuruarish, por kaluan në heshtje nga kritikët. Ashtu siç fati vetë shënoi albume të mrekullueshëm si “Lajmi i Mirë” (nga 1970, një riinterpretim i Ungjijve apokrifë), dhe “Jo për para, as për dashuri as për parajsë”, përshtatja e Antologjisë së Lumit Lugë, e nënshkruar së bashku me Fernanda Pivano, pa harruar punën e thellë pacifiste të “Historisë së një punonjësi”.

Vetëm që nga viti 1975 De André, i ndrojtur dhe i heshtur, pranon të performojë në turne. Luvi lindi në vitin 1977, vajza e dytë e partneres së tij Dori Ghezzi. Këngëtarja bionde dhe De André rrëmbehen nga anaonimë sardë, në vilën e tyre në Tempio Pausania më 1979. Rrëmbimi zgjat katër muaj dhe çon në krijimin e “Indianit” më 1981 ku kultura sardeiane e barinjve është e kombinuar me atë të vendasve të Amerikës. Shenjtërimi ndërkombëtar vjen me “Creuza de ma”, më 1984 ku dialekti ligurian dhe atmosfera e tingullit mesdhetar tregojnë erëra, karaktere dhe histori të portit. Albumi shënon një moment historik për muzikën e atëhershme world music italiane të sapolindur dhe jepet nga kritikët si albumi më i mirë i vitit dhe i dekadës.

Në vitin 1988 ai u martua me partneren e tij Dori Ghezzi dhe në 1989 ai filloi një bashkëpunim me Ivano Fossati (nga i cili lindën këngë si “Këto vende para detit”). Në vitin 1990 ai lëshoi ​​”Retë”, një sukses i madh për sa i përket shitjeve dhe kritikëve, i cili u shoqërua me një turne triumfal. Ndjek albumin live të ’91 dhe turneun teatral të vitit 1992, pastaj një heshtje prej katër vjetësh, i ndërprerë vetëm në vitin 1996, kur kthehet në tregun e rekordeve me “Anime Salve”, një album tjetër shumë i dashur nga kritika dhe publiku. Më 11 Janar 1999 Fabrizio De André vdiq në Milano, i goditur nga një sëmundje e pashërueshme. Varrimi i tij bëhet më 13 janar në Genova në prani të mbi dhjetë mijë njerëzve./Elida Buçpapaj


Send this to a friend