Barack Hussein Obama (i lindur më 4 gusht 1961 në Honolulu, Hawaii) është presidenti i 44-t i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Barack Obama është fitues i Çmimit Nobel për Paqe në vitin 2009. Ai është presidenti i parë afro-amerikan (zezak).
Në vitin 2004 ai u zgjodh në Senatin amerikan për Illinois. Kandidaturën si president për fushatën e zgjedhjeve e shpalli më 10 shkurt 2007 në Springfield (Illinois). Më 3 qershor 2008 Obama arriti, sipas të dhënave të CNN, shumën e domosdoshme të votave për t’u nominuar si kandidat për president brenda partisë së tij, duke lënë pas në këtë mënyrë konkurrenten dhe senatoren amerikane, gruan e ish-presidentit të ShBA-ve, Hillary Clinton. Më 27 gusht 2008 Barack Obama u emërua në mënyrë zyrtare nga të deleguarit e Partisë Demokratike si kandidat për president.
Jetëshkrimi
Fëmijëria dhe rinia
Barack Obama u lind në Honolulu si fëmija e prindërve Stanley Ann Dunham (1942–1995) dhe Barack Obama Senior (1936–1982). I ati ishte me origjinë nga Alego, Kenia, ndërsa e ëma amerikane nga Wichita, Kansas.
Në vitin 1964 prindërit e tij divorcohen dhe i ati vijon studimet në Universitetin Harvard. Obama e shikon të atin për herë të fundit kur ai i është dhjetë vjeç. E ëma martohet me një student nga Indonezia dhe shkon më 1967 së bashku me djalin e saj në Jakarta, qytetin e bashkëshortit të ri.
Më 1971 Obama kthehet përsëri në Hawaii dhe rritet nën kujdesin e gjyshit dhe gjyshes nga ana e së ëmës, Madelyn (1922-2008) dhe Stanley Dunham (1918-1992). Shkollën e mesme e përfundon në vitin 1979 me rezultate të shkëlqyera. Në atë kohë Obama paramendonte të bëhej lojtar basketbolli.
Në qershor te vitit 1988, Obama takoi Michelle Robinson, e cila më vonë u bë bashkëshortja e tij. Ata filluan të dilnin më vonë atë verë, u fejuan në vitin 1991 dhe u martuan në 3 tetor të vitit 1991. Fëmija e parë e çiftit ishte Malia Ann, e cila lindi në vitin 1998. Në vitin 2001, ata lindën fëmijën e dytë, Natasha (“Sasha”).
Studim dhe profesion
Barack Obama studioi fillimisht në Occidental College në Los Anxheles dhe më pas ndërroi më 1981 në Universitetin e Columbias në New York. Pas diplomimit si Bachelor në vitin 1983 në shkencat politike ai punoi për një vit në ndërrmarrjen Business International Corporation në New York. Më 1985 ndërroi Obama vendbanimin në Chicago, ku punoi për një organizatë jofitimprurëse. Më pas studioi për tre vjet drejtësi në Universitetin Harvard (fakullteti Harvard Law School). Më 1991 Obama mbaroi studimet e larta si jurist me magna cum laude.
Pas kësaj kohe studimi, Obama u kthYe më 1992 në Chicago dhe filloi me aktivitetin e tij politike: Me një fushatë për regjistrimin e votuesve të qytetarëve afro-amerikan të Chicagos ai mobilizoi mbi 150,000 njerëz për votimin e Bill Clinton si president i ShBA-ve. Deri në vitin 2004 ai mësonte drejtësi kushtetuese në Universitetin e Chicagos.
Kariera politike
Më 1996 Obama u zgjodh si deputet i një rrethit të Chicagos në Senatin e Illinois.
Që nga 4 janar 2005 Obama e përfaqësonte shtetin federal të Illinois në Senatin e ShBA-ve.
Zgjedhjet presidenciale 2008
Në 4 nëntor 2008, Obama u vu kundër John McCain në zgjedhjet presidenciale amerikane. Ai u bë i pari afro-amerikan që kandidoi për zgjedhjet presidenciale në Amerikë. Në fjalimin e tij të fitores, Obama deklaroi: “Ndryshimi po vjen në Amerikë”. Sllogani i tij Yes We Can (Po Ne Mundemi) u bë e njohur në të gjithë botën.
Çmime dhe nderime
Këto shkollat e larta në ShBA ia dhanë Obamës doktoratin nderi për drejtësi:
- Knox College (2005)
- University of Massachusetts Boston (2006)
- Northwestern University (2006)
- Xavier University of Louisiana (2006)
- Southern New Hampshire University (2007)
- Howard University (2007)
- Wesleyan University (2008)
- University of Notre Dame (2010)
- University of Michigan (2010)
Në tetor 2005 zhurnali britanik, New Statesman, e quajti Obamën si një ndër dhjetë personat që mundeshin ta ndryshojnë botën. Revista Time e quajti më 2005 dhe përsëri më 2007 në 100 personat më me ndikim në botë dhe e zgjodhi më 2008 si personin e vitit. Më 2007 u zbulua në ishullin Santa Rosa, Kaliforni, likeneti Caloplaca obamae, e cila u emërua në nder të tij. Në 10 shkurt 2008 Obama e fitoi çminin Grammy për “albumin më të mirë të folur” në vitin e kaluar, një edicion libër-audio të veprës së tij “The Audacity of Hope”.
Në 10 dhjetor 2009 Obama e morri si presidenti i tretë amerikan në detyrë, pas Theodore Roosevelt dhe Woodrow Wilson, Çmimin Nobel për Paqe. Komiteti e arsyetoi vendimin e tij më 9 tetor 2009 me “përpjekjet e tij të jashtëzakonshme për t’a forcuar diplomacinë ndërkombëtare dhe bashkëpunimin mes popujve”. Reagimet ndërkombëtare ishin të ndara; shumë e vlerësuan çmimin si të parakohshëm, disa si të pamerituar. Ndërsa Obama vetë e vlerësoi si nxitje për planet e tij të filluara në çarmatim dhe pajtim.
Burimi i të dhënave
- David Remnick: The Bridge: The Life and Rise of Barack Obama, Alfred Knopf, New York 2010, ISBN 9781400043606.
- Christoph von Marschall: Barack Obama. Kennedy i zezë (Barack Obama. Der schwarze Kennedy), Orell Füssli, Zürich 2007, ISBN 978-3-280-06108-4.
- Bob Woodward: Luftërat të Obamës – përvojë e hidhur e një presidence (Obamas Kriege – Zerreißprobe einer Präsidentschaft), DVA, München 2011, ISBN 978-3-421-04508-9.
Lidhje të jashtme
- Biografia në faqen zyrtare të Kongresit amerikan (anglisht)
- Faqja zyrtare e Shtëpisë së Bardhë (anglisht)
- Faqja e fushatës presidenciale të Barack Obamës (anglisht)
- Profili në BBC
- Fjalimi “The Audacity of Hope” (anglisht)
- Fjalimi pas natës së fitores më 5 nëntor 2008 në Chicago (gjermanisht)
- Fjalimi pas betimit në Shtëpinë e Bardhë më 20 janar 2009 në Washington D.C. (anglisht)
- Fjalimi i drejtuar botës myslimane, e njohur si “Speech to Muslims”, më 4 qershor 2009 në Universitetin e Kairos, Egjiptë (anglisht)
Komentet