VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

MË 21 SHKURT 1965 U VRA MALCOLM X, FILOZOF REBEL I LIRISË

By | February 21, 2017

Komentet

NACIONALIZMI, SHQIPËRIA ETNIKE DHE LËVIZJA N. – Çl. – Nga EUGJEN MERLIKA

 

7 Prilli, pushtimi fashist e rrethanat ndërkombëtare të tij

 

Zakonisht katastrofat, në jetën e kombeve, kanë një aftësi bashkimi e kompaktësimi të shoqërisë në gjirin e tyre. 7  prilli 1939, në historinë tonë, nuk pati një fat të tillë. Ai e ndau disa pjesësh opinionin shqiptar e madje dhe mënyrën e paraqitjes së tij në historiografi.

Është shkruar e folur shumë për këtë ngjarje ogurzezë për pasojat që pati në historinë e Shqipërisë. Propaganda komuniste vazhdon edhe sot të shkruajë se Mbreti Zog i a shiti Shqipërinë Italisë, po ashtu sikurse akuzohet Mërgata politike shqiptare për të njëjtin veprim. Nuk ka asgjë më të rreme e më pa baza se ky “postulat”, që prej gati 80 vjetësh turbullon kujtesën historike të shqiptarëve. Asnjë shqiptar, i çfarëdo bindjeje politike, nuk e ka dashur pushtimin, nuk ka punuar për të e po ashtu, nuk ka patur mundësi t’a shmangë. Sfidoj cilindo që të vërtetojë të kundërtën e këtij pohimi, qoftë edhe me një dokument të vetëm të vërtetë, jo me hamëndje dashakeqe demagogjike, të vëna në shërbim të politikës e të mbetura të tilla edhe sot, kur ajo lloj politike ka dështuar duke lënë mbrapa vetëm gërmadha.

Mbreti Zog që, deri në fund, i vazhdoi traktativat vetë ose nëpërmjet titullarëve të Qeverisë, vendosi të largohet kur e kuptoi se kërkesat italiane nuk mund të pajtoheshin me pavarësinë shqiptare. Bisedimet ishin një shprehje e hipokrizisë së politikës italiane, mbasi vendimi për pushtimin ishte marrë nga Kryeministri italian dhe ministri i jashtëm i tij, rreth një vit më parë. Mjafton të lexohet Ditari i Çianos :

Viti 1938

                        30 prill. I referoj Duçes mbi udhëtimin në Shqipëri. Do t’i përmbledh në një raport. Po ai menjëherë bie dakord për nevojën e një zgjidhjeje integrale e më thotë se, për të patur Shqipërinë është gati deri atje sa të bëjë një luftë. Duke i dorëzuar një kampion të mrekullueshëm bakri nga minierat e Lezhës, i thashë : “Ja fiqtë e Kartagjenës”.

                        10 maj. Në tren me Duçen diskutuam promemorien time mbi Shqipërinë. Bie dakord me vendimet e mia e mendon që muaji i mirë për veprim do të jetë maji i ardhshëm. Kështu do të kemi një vit për përgatitjet lokale e për ato ndërkombëtare. Meqënëse do të krijohet një krizë diplomatike dhe Franca me Ingliterrën do të jenë patjetër kundra nesh, është mirë të shtrëngohet Pakti me Gjermaninë. Kjo do të vlejë edhe për t’i këshilluar Jugosllavisë një moderim të madh. Jugosllavia e veçuar nga miqësitë e saj perëndimore e lindore, e shtrënguar midis Italisë e Gjermanisë, do të duhej të durojë e të adaptojë qëndrimin që kemi adaptuar ne ndaj Anshlusit.

                        Fola me Jakomonin e kërkova të më përgatiti një plan veprimi lokal : vepra publike, bamirëse,veprimtari ekonomike, sportive e, mundësisht, politike.

                        19 maj. …. Si pasojë e një informacioni nga Tirana lidhur me aktivitetin e ekzagjeruar të Ministrit të Gjermanisë, Duçja më tha t’i bëj të ditur Ribentropit se ne e konsiderojmë çështjen shqiptare si “çështje të familjes”; formulë e përdorur nga ata për Austrinë e Sudetet. Pra “hands off”. Deklaroi se është gati të shkojë menjëherë  në Shqipëri edhe me çmimin e ndezjes së luftës evropiane. Tani po vlerëson mjetet ushtarake.”[1]   

                        Këta ishin planet e fshehta të drejtuesve të Shtetit italian që, në asnjë rast, nuk mbanin parasysh e nuk merrnin në konsideratë vullnetin e shqiptarëve, as për të diskutuar mbi një kundërveprim të mundshëm të tyre. Janë shprehje të mendësisë megallomane të shtetit të madh në një epokë ku gjithënjë e më tepër zotëronte fuqia dhe zbeheshin liritë e të drejtat, mendësi që gjen edhe një motiv tjetër shtytës në garën me miken rivale, Gjermaninë. Kjo e fundit kishte pushtuar Austrinë më 12 mars 1938 dhe do të sulmonte Çekosllovakinë më 15 mars 1939, duke detyruar Presidentin Hacha të nënëshkruante pushtimin dhe ndarjen e Vëndit në dy shtete : Çeki dhe Sllovaki. Fillonte kështu zbatimi i “rendit të ri” në Evropë, me rikthimin e disa territoreve që Konferenca e Versajës i kishte mohuar Hungarisë e Polonisë.

Ishte parahyrja e luftës së dytë botërore, të cilën Anglia e Franca u munduan, në të gjitha mënyrat, t’a shmangin ashtu siç bëri dhe BS, duke nënëshkruar Paktin e mossulmimit me Gjermaninë. Më parë ishte zhvilluar konferenca e Mynihut, një përpjekje skajore për të ndaluar luftën që afrohej. Ajo qe një mashtrim i madh që Hitleri i bëri tre kolegëve të tij, përfshirë këtu, veç  kryeministrave të Anglisë e të Francës edhe Musolinin, të cilët u larguan që andej me bindjen se kërkesat e Gjermanisë, me marrjen e Sudeteve, ishin plotësuar. Aq sa kryeministri anglez, me t’u kthyer në Londër, deklaroi i kënaqur : “Besoj se ka paqe për epokën tonë”….

Duke u kthyer tek përgjegjësitë hipotetike shqiptare për pushtimin, ato mund të barazohen me zero. Mbreti shpresoi deri në fund se do të gjente një marrëveshje me Musolinin, që të ruante pavarësinë e Vendit. Qeveria shqiptare pranoi të verë në dispozicion të ushtrisë italiane portet dhe rrugët që do të shërbenin për të organizuar “mbrojtjen e Shqipërisë nga ndonjë sulm i mundshëm i fqinjëve”, por këto nuk mjaftuan. Mesazhet mes Zogut dhe Musolinit vazhduan deri më 6 prill, por Mbreti shqiptar e kuptoi se i duhej të vendoste ndërmjet ikjes nga Vendi dhe qëndrimit në kushtet e vartësisë italiane. Nga shumë anë kanë rrjedhur paditë se Mbreti nuk organizoi qëndresën e armatosur. Vendimi i Mbretit ndryshe nga kjo mundësi tregoi pjekurinë, largpamësinë dhe ndjenjën e lartë të përgjegjësisë ndaj interesave t’Atdheut, sepse shtyrja e këtij të fundit drejt vetëvrasjes ishte shërbimi më i keq që mund t’i bëhej. Ishte praktikisht e pamundur, sepse nuk kishte asnjë mundësi qëndrese ndaj një ushtrie të madhe e të paisur me mjete bashkëkohore lufte. Qëndresa do të thonte dëme të pallogaritëshme në njerëz e në pasuritë e qytetarëve e të Shtetit, sepse “dyfekët me gjalmë” nuk mund të haheshin me topat apo aeroplanët e Italisë. Dikush mund të nxjerrë si argument qëndresën greke më vonë kundrejt sulmit italian, por rastet nuk ngjasojnë, jo vetëm se Greqia kishte një ushtri të organizuar më së miri, por edhe sepse mbas saj qëndronte Anglia, e gatëshme të dërgonte forcat e saj në ndihmë. Shqipëria nuk mori nga Qeveritë e Evropës asnjë lloj inkurajimi për fatkeqësinë e saj.

Gjykimet mbi çaste të caktuara të historisë duhet të mbajnë parasysh veçantitë dhe rrethanat e atyre çasteve. Një gjykim që bazohet vetëm mbi parime, pa u ballafaquar me ato veçanti e rrethana, kthehet në një moralizëm shterpë e nuk mund të jetë as i saktë e as objektiv. Mos të harrojmë se asnjë nga shtetet e vegjël evropianë, duke filluar nga Norvegjia e Danimarka në veri, tek vendet e Beneluxit në perëndim, tek republikat baltike në lindje, tek shtetet e Evropës qëndrore, nuk organizuan qëndresat që mëtonin komunistët shqiptarë në historiografinë e tyre, mbasi këto qëndresa kërkonin ushtri të organizuara në shkallën më të lartë. Madje Franca e më pas Rusia treguan se edhe këto ushtri ishin të pamjaftueshme të përballonin fuqinë ushtarake gjermane. Koha provoi se vetëm ndërhyrja e forcave ajrore amerikane bëri të mundur kundërsulmin rus në fillimin e 1943-it dhe kthesën e luftës. Për të kuptuar sot se si jetoheshin ngjarjet e asaj kohe po sjell një pjesë nga “Historia e marrëdhënieve ndërkombëtare” :

…Musolini nuk lëvizi dhe nuk i u përgjigj thirrjeve për ndihmë të Schuschnigg-ut. Atëherë, Hitleri i dërgoi një telegram Musolinit, duke thënë se “nuk do t’a harronte kurrë”. Musolini i u përgjigj : “Qëndrimi im është i përcaktuar nga miqësia mes dy vendeve tona, që është vulosur me krijimin e Boshtit”…..

                        Mirëpo në orën 16:30, Chamberlaini i dërgonte telegram ambasadorit të Anglisë në Vjenë, me qëllim që ky i fundit të mos këshillonte rezistencën dhe nga ana tjetër u paralajmërua edhe qeveria franceze. Pra, i vetmi reagim ishte nota e protestës, që Francois – Poncet e komunikoi mbrëmjen e 11 marsit” [2]

                        Kur dhe Anglia e Franca kishin vështirësi të këshillonin qëndresën e Austrisë, që kishte qënë për shekuj një perandori, të gjitha insinuatat për Shqipërinë, nga cilado anë të vijnë, nuk janë realiste e nuk i shërbejnë vërtetësisë në paraqitjen e ngjarjeve historike dhe dinamikës së tyre. Ato mund t’i shërbejnë demagogjisë së një pjese të politikës, asaj komuniste, për të justifikuar rrugën kriminale me të cilën e mori dhe e mbajti pushtetin. Ja çfarë deklaronte në Dhomën e Komuneve më 13 prill 1939 Kryeministri i Britanisë së Madhe:

“…Cilido që ka njëfarë ndjenje përgjegjësie nuk mund të bëjë me lehtësi diçka që mund të shkaktojë një shtim të tensionit ndërkombëtar. Secili do të dënonte humbjen e përfitimeve që rrjedhin nga marrëveshje ndërkombëtare të përfunduara mbas një diskutimi të ndërsjelltë”.[3]

Shqipëria, e vetme në rrugën e saj, nuk kishte tjetër zgjedhje veçse të mundohej që, nëpërmjet politikës së saj, të pakësonte dëmet e pushtimit e të punonte për t’i dhënë Bashkimit një karakter sa më të dobishëm  për shqiptarët. “Shqipëria e pavarur nuk ekziston më” shkruante Çiano në Ditarin e tij. Këtë e kuptonin mirë atdhetarët shqiptarë, por vazhdonin të shpresonin se në fjalët e bukura të Musolinit, Çianos apo Jakomonit do të kishte sado pak të vërtetë.

Një tjetër tezë e historiografisë komuniste është dhe një “marrëveshje” e Opozitës kundër zogiste jashtë me Italinë për pushtimin. Edhe kjo është një tjetër tollumbace propagandistike. Duke marrë si dëshmi kujtimet e M. Krujës apo të A. Këlcyrës, që kanë qënë protagonistë të ngjarjeve për të cilat flitet, është e qartë se një farë bashkëbisedimi ka ekzistuar ndërmjet organizatorit të rinisë fashiste Xhiro dhe Ernest Koliqit e Mustafa Krujës. Ky i fundit mbante në dijeni edhe kolegët e tij të Bashkimit Kombëtar mbi bisedimet.

Italianët, në kuadrin e dredhive karakteristike të politikës së tyre, donin të gjenin tek Mërgata një shkak për të justifikuar planin që kishin hartuar. Por Mërgata, që donte të rrëzonte Mbretin, ishte e gatëshme të pranonte vetëm një princ të shtëpisë së Savojës për Mbret të Shqipërisë. Ishte edhe për bashkimin doganor, që do të sillte dobi për tregtarët shqiptarë që furnizoheshin me mallrat italiane. Bisedimet dështuan sepse italianët kërkonin bashkimin e kurorave dhe vendosjen e regjimit fashist në Shqipëri. Mustafa Kruja, që kryente bisedimet, më 19 mars i telegrafoi kolegëve të BK se “Tregtia u pezullue”. Pra çdo përpjekje për marrëveshje mori fund. Më 3 prill ai shkoi në Grenobël dhe vuri në dijeni të tjerët se pushtimi ishte i vendosur e nuk kishte asnjë shpresë të pezullohej. U bë një përpjekje e dëshpëruar nëpërmjet një telegrami, drejtuar Musolinit, nga ana e Mërgatës, i firmosur nga M. Kruja, Q. Koculi e A.Këlcyra, në të cilin shprehej shpresa se Italia do t’i mbante  premtimet e saj për të respektuar pavarësinë shqiptare.

(VIJON)

[1] Galeazzo Ciano   Ditari (1937 – 1943)  Shqipëria  Albinform 1994  faqe 13-14

[2] Jean – Baptiste Duroselle, André Kaspi  “Historia e marredhënieve ndërkombëtare” vëllimi I  f. 268

[3] Francesco Jacomoni  di San Savino  “La politica dell’Italia in Albania”  Capelli editore F. 151

Le Siècle (1924)- Njëzet e gjashtë deputetë të kryesuar nga Gurakuqi, kreu i opozitës, dhe peshkopi Fan Noli nuk e duan më Tiranën kryeqytet! Ja propozimi i tyre i ri !

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 6 Prill 2020

 

“Le Siècle” ka botuar, të premten e 23 majit 1924, në ballinë, një shkrim në lidhje me debatin e shkaktuar asokohe nga opozita shqiptare për zgjedhjen e kryeqytetit, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

 

Lufta për kryeqytetin

 

Shqiptarët që, dje, disa pretendonin një mbret dhe të tjerët një Republikë, tani po debatojnë për zgjedhjen e kryeqytetit të tyre.

 

Njëzet e gjashtë deputetë të kryesuar nga Gurakuqi, kreu i opozitës, dhe peshkopi Fan Noli nuk e duan më Tiranën, por Shkodrën si kryeqytetin e tyre.

 

Dhe ja një lloj i ri i krize politike në vendin e ish-princ Vidit, një krizë për kryeqytetin !

Le Temps (Maj, 1939): Apeli i mbretit Zog drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm të Lidhjes së Kombeve

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 22 Nëntor 2017

 

Gazeta franceze, “Le Temps”, ka botuar të enjten e 18 majit 1939, në ballinë, apelin e mbretit Zog në lidhje me pushtimin e Shqipërisë nga Italia fashiste.

 

Mbreti i shqiptarëve i është drejtuar asokohe Sekretarit të Përgjithshëm të Lidhjes së Kombeve me qëllim për të mbrojtur interesat tona kombëtare.

 

Në vijim, do të gjeni dokumentin e plotë të liderit shqiptar, të sjellë në shqip nga Aurenc Bebja – Blogu “Dars (Klos), Mat – Albania” :

 

Apeli i mbretit Zog

 

Ja teksti i apelit të Mbretit Zog drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm të Lidhjes së Kombeve :

 

Konferenca e Londrës në 1912-1913 dhe më pas Konferenca e Ambasadorëve në Paris më 1921 e patën njohur pavarësinë e Shqipërisë. Shqipëria u pranua zyrtarisht si anëtare e Lidhjes së Kombeve dhe kufijtë e saj u vendosën përfundimisht. Që atëherë, dhe për tetëmbëdhjetë vjet, Shqipëria ka mbajtur marrëdhënie korrekte dhe të përzemërta me të gjitha shtetet dhe sidomos me fqinjët e saj, duke u dalluar kështu si një faktor i vërtetë paqeje.

 

Me të njëjtën frymë dhe si një shtet i pavarur, Shqipëria ka nënshkruar një traktat aleance mbrojtëse me Italinë. Ky traktat u regjistrua rregullisht në Lidhjen e Kombeve, në përputhje me Nenin 18 të tij. Italia, në mënyrë të padyshimtë në kundërshtim me këtë traktat, si dhe me të gjitha normat drejtuese të marrëdhënieve ndërkombëtare, dhe më veçanërisht me paktin e Lidhjes së Kombeve dhe paktin Briand-Kellogg, dhe pa ndonjë provokim nga ana e Shqipërisë së Pavarur, ka dhunuar ushtarakisht territorin shqiptar për herë të parë më 6 prill 1939 nga ajri, dhe, pastaj me 7 prill nga bombardimet e porteve dhe qyteteve bregdetare, si dhe me zbarkimin e trupave në bregdetin shqiptar.

 

Ushtria shqiptare, pavarësisht numrit të vogël të trupave të saj dhe pamjaftueshmërisë së pajisjeve të luftës, i bëri ballë pushtuesit ashtu si çdo shtet i lirë duhet të bëjë për të mbrojtur pavarësinë e tij. Një milion shqiptarë bënë sakrificat më të mëdha për të shmangur dhunën italiane. Por, me kohën, rezistenca nuk ishte e mundur, duke pasur parasysh sulmin e papritur, të bërë me të gjitha mjetet moderne, që një shtet prej 44 milionë banorësh mund të ketë në dispozicion kur ka paramenduar një akt dhune.

 

Duke protestuar fuqishëm dhe zyrtarisht kundër dhunës së Italisë dhe kundër zhdukjes së pavarësisë së Shqipërisë, e cila është anëtare e Lidhjes së Kombeve, i lutem Shkëlqesisë tuaj të sjellë në vëmendjen e anëtarëve të Lidhjes së Kombeve këto fakte, duke kërkuar që pushtimi nëpërmjet gjakut dhe hekurit (dhunës) nga Italia të mos njihet dhe të merren masa për restaurimin e të drejtave të mëparshme të popullit shqiptar.

 

Zogu I, mbreti i Shqiptarëve.

Esat Pasha – korrespondentit të Piccolo-s, në Trieste (1913): “Pavarësisht grindjes me Ismail Qemalin, shpresoj të kem sukses në krijimin e një Shqipërie të Madhe!”

 

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 4 Prill 2020

 

“Les Nouvelles” ka botuar, të mërkurën e 12 nëntorit 1913, në faqen n°3, një shkrim në lidhje me intervistën e Esat Pashë Toptanit me korrespondentin e Piccolo-s në Trieste, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

 

Situata në Shqipëri

Mendimi i Esat Pashës

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

 

Vjenë, 12 nëntor. – I intervistuar nga korrespodenti i Piccolo-s në Trieste, Esat Pasha nuk pranoi të tregojë cili, sipas tij, ishte sovrani që do t’i përshtatej më së miri Shqipërisë.

 

Ai shtoi se grindja e tij me Ismail Qemal Beun ishte aq shumë serioze sa që nuk do të kishte ndonjëherë një pajtim të mundshëm midis tyre; por megjithatë ai shpresonte të kishte sukses në krijimin e një Shqipërie të Madhe dhe kishte besim se as Austria dhe as Italia nuk do t’i lejonin vetes të tërhiqeshin në favor të grindjeve që ndajnë krerët shqiptarë, kështu për të evituar shkatërrimin e veprës së tyre dhe ndarjen  e Shqipërisë.

 

Korrespondenti i Piccolo thotë se Esati ka arritur të shtrijë autoritetin e tij mbi të gjitha popullsitë e zonave malore, veçanërisht tek Malsorët, të cilët janë plotësisht të përkushtuar ndaj tij. Ai takohet shpesh me peshkopin e Taraboshit dhe famullin e peshkopit të Durrësit, si dhe me Faik Beun, një nga anëtarët e qeverisë së përkohshme.

 

Journal des débats politiques et littéraires (1931)- Kur mbretëria shqiptare kërkonte të krijonte flotën e saj detare

 

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 3 Prill 2020

 

“Journal des débats politiques et littéraires” ka botuar, të dielën e 26 prillit 1931, në faqen n°6, një shkrim në lidhje me interesimin asokohe të mbretërisë shqiptare për të krijuar flotën e saj detare, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

 

Shqipëria dëshiron të ketë një flotë detare

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Tiranë, 25 prill.

 

Aktualisht, qeveria shqiptare është duke negociuar me përfaqësuesit diplomatikë italianë blerjen e një kryqëzori prej çeliku (anije lufte shumë e shpejtë), i cili do të jetë njësia e parë e flotës detare shqiptare.

 

Është planifikuar më pas blerja e disa njësive të tjera që do të formojnë zemrën e flotës së luftës së shtetit shqiptar. (Centropa).

 

Heinrich Müller, një nga përgjegjësit kryesorë të Holokaustit, i deklaruar i vdekur ose i zhdukur më 1945, thuhet se ka jetuar dhe punuar me një emër të rremë në Tiranë

Heinrich Müller

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 2 Prill 2020

 

Ndërsa po bëja disa kërkime mbi historinë e Shqipërisë, gjeta rastësisht një shkrim, i cili mbase mund të përmbajë një informacion të rëndësishëm mbi një zyrtar të lartë nazist që supozohej se kishte vdekur ose ishte zhdukur më 29 prill 1945, në Gjermani.

 

Bëhet fjalë për Heinrich Müller, pseudonimi i të cilit ishte “Gestapo Müller”, pjesëtar i SS-Gruppenführer. Ai ishte një nga përgjegjësit kryesorë të Holokaustit. Sipas një artikulli të gazetës “Le Figaro”, të datës 31 tetor 2013, Mülleri u varros më 1945 në një varrezë hebraike në lagjen Mitte të Berlinit, gjithsesi ky lajm ende nuk është konfirmuar zyrtarisht.

 

Shkrimi në vijim, i botuar me 1 qershor 1964, në faqen n°5 të gazetës mujore “Le Droit de Vivre”, i sjellë ekskluzivisht nga Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, na jep një tjetër version :

 

 

Heinrich Müller në Shqipëri

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Është zbuluar vendi ku gjendet i strehuar i ligu Heinrich Müller, krahu i djathtë i Himmler-it.

 

Që nga viti 1956, ky administrator i kampeve të vdekjes naziste ka jetuar nën emrin e “Abedin Bekir Nakoschir” në Tiranë, ku ai ushtron funksionet e shefit të policisë sekrete shqiptare.

 

Sapo u informua, një organizatë e luftëtarëve të rezistencës nga Schleswig-Holstein i dërgoi një mesazh Walter Ulbricht, presidentit të Republikës Demokratike gjermane, duke i kërkuar atij të kërkonte ekstradimin e Muller në mënyrë që ai të jepte llogari për krimet e tij.

 

Letra është e datës 15 janar 1964. Deri më tani, nuk është marrë asnjë përgjigje.

 

Gazeta “Le Monde” gjithashtu ka shkruar mbi mundësinë që Mülleri mund të ketë jetuar gjatë asaj periudhe në Shqipëri, së pari në një artikull të 7 janarit 1964, duke shpjeguar ardhjen e tij në tokën e shqiponjave : …thuhet se Mülleri ka zbuluar identitetin e tij të vërtetë një inxhinieri të Gjermanisë Lindore vitin e kaluar në hotelin Adriatik në Durrës, në bregdetin shqiptar, gjatë një momenti kur të dy burrat gjendeshin të dehur… Sipas Der Stern (gazetë javore gjermane), thuhet se Mülleri është përdorur që nga viti 1945 nga autoritetet sovjetike, të cilat i dhanë atij një funksion në aparatin e policisë (spiunazhit) që drejtonte Beria. Pas vdekjes së Stalinit dhe arrestimit të Beria-s, Mülleri thuhet se ka emigruar në Hungari, pastaj në Shqipëri pas kryengritjes së vitit 1956. dhe së dyti, në një artikull të 8 gushtit 1967 ajo specifikon : …I kërkuar në të gjithë botën, SS-Gruppenführeri Heinrich Müller thuhet se jeton aktualisht në Shqipëri. Të paktën kështu ka thënë të shtunën, në gazetën Schwaebische Donau-Zeitung, e cila botohet në Ulm, një ish-agjent sekret, Helmut LUI, i cili pretendon se ka ndihmuar Heinrich Müller-in te strehohej në Shqipëri. Sipas LUI, ish-eprori i dikurshëm i Adolf Eichmann-it ka një emër të rremë “Jergj Kovoc” (ndoshta Gjergj) dhe thuhet se jeton në Tiranë. Ai gjithashtu pretendon se ishte ai që e përgatiti largimin e Müller-it në 1949, që sipas tij, ky i fundit gjendej i fshehur në Itali…

 

Meqenëse vdekja ose zhdukja e Heinrich Müller-it mbetet ende një mister, pista shqiptare duket se është e nevojshme të gërmohet më tej nëpër arkiva më qëllim vërtetimin ose rrëzimin e kësaj hipoteze që e lidh me Tiranën.

 

Dhjetë mijë njerëz u mblodhën para pallatit mbretëror për të festuar dështimin e atentatit ndaj mbretit të Shqipërisë

Ahmet Zogu – Mbret i shqiptarëve

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 2 Prill 2020

 

“Journal des débats politiques et littéraires” ka botuar, të enjten e 26 shkurtit 1931, në faqen n°2, një shkrim në lidhje me një manifestim madhështor për shpëtimin nga jeta të Mbretit Zog gjatë atentatit të Vjenës, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

 

Shqipëri

Manifestim mbretëror

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Për të festuar dështimin e atentatit ndaj mbretit të Shqipërisë, dje, në orën 4 të pasdites, u zhvillua një manifestim mbresëlënës që mblodhi më shumë se dhjetë mijë njerëz dhe u zhvillua në rend të përsosur përpara pallatit mbretëror.

 

Nëna mbretëreshë dhe princeshat u shfaqën në ballkon, të përshëndetura me një gëzim të madh nga turma.

 

Më 4 prill 1949 lindi NATO, North Atlantic Treaty Organisation

Zgjerimi i NATO-së me vënde anëtare në rend kronologjik.

NATO (anglisht North Atlantic Treaty Organisation, shqip Organizata e Traktatit të Atlantikut Verior, Akronym: OTAV) është blloku perëndimor ushtarak. Kjo organizatë u themelua me firmosjen e Traktatit Atlantiko-Verior më 4 prill 1949 me qendër në Bruksel. Organizata ka themeluar një sistem mbrojtjeje kolektiv ku vendet anëtare bien dakord të mbrojnë njëra-tjetrën në rast sulmi nga një palë e jashtme.

Historia

Organizata e Traktatit të Atlantikut Verior (në anglisht: Organizata e Traktatit të Atlantikut Verior) shkurt “OTAV” (anglisht NATO) është një organizatë e themeluar në vitin 1949 në bazë të Traktatit të Atlantikut të Veriut, i cili u nënshkrua në Uashington më 4 prill 1949. Selia qendrore e NATO-s është në Bruksel, kryeqyteti i Belgjikës. Gjuhët e perdorura nga NATO janë anglishtja dhe frengjishtja, dhe roli kryesor i kësaj aleance është të ruajë lirinë e Shteteve Anëtare dhe mbrojtjen me anë të forcës ushtarake. Kjo organizatë luan një rol nëpër krizat politike, dhe të gjitha shtetet anëtare të saj kontribuojnë me forcat dhe pajisjet e tyre ushtarake.

Anëtarësimi

Artikulli X i Traktatit të Atlantikut të Veriut përshkruan se si shtetet jo-anëtare mund të anëtarësohen në NATO.

Palët mund të ftojnë për akordim në këtë Traktat me akordim anonim çdo shtet Evropian në pozitë të çojë më tutje principet e këtij Traktati dhe të kontribuojë në sigurinë e zonës së Atlantikut të Veriut. Çdo shtet i ftuar mund të bëhet Palë e këtij Traktati duke depozituar dokumentacionet e pranimit në Qeverinë e Shteteve të Bashkuara. Qeveria e Shteteve të Bashkuara do të njoftojë çdonjërën nga palët për depozitimin e çdo dokumentacion të tillë pranimi.

Vendet anëtare

Aktualisht NATO ka 29 shtete anëtare (nga të cilat 21 janë anëtarë të Bashkimit Evropian).

DataShtetiZgjerimiShënime
4 prill 1949Flag of Belgium.svg BelgjikaThemelues
Flag of Canada.svg Kanada
Flag of Denmark.svg Danimarka
Franca FrancaFranca është tërhequr nga komanda ushtarake në vitin 1966. Që nga ky moment ka qenë anëtare vetëm në strukturat politike të NATO-së. Forcat e saj nuk i janë ribashkuar komandës ushtarake.
Flag of Iceland.svg IslandaIslanda, i vetmi anëtar që nuk ka ushtrinë e saj, u anëtarësua me kushtin që mos të detyrohej të formonte një ushtri. Megjithatë ajo ka Gardën Bregdetare dhe kohët e fundit ka ofruar trupa të saj të stërvitura në Norvegji në misione paqeruajtëse të NATO-së.
Flag of Italy.svg Italia
Flag of Luxembourg.svg Luksemburgu
Flag of the Netherlands.svg Holanda
Flag of Norway.svg Norvegjia
Flag of Portugal.svg Portugalia
Flag of the United Kingdom.svg Britania e Madhe
Flag of the United States.svg Shtetet e Bashkuara
18 shkurt 1952Flag of Greece.svg Greqiai ParëGreqia i tërhoqi forcat e saj nga strukturat ushtarake të NATO-së si rezultat i tensioneve Greko-Turke pas Pushtimit Turk të Qipros në vitin 1974.
Flag of Turkey.svg Turqia
9 maj 1955Flag of Germany.svg Gjermaniai Dytë
30 maj 1982Flag of Spain.svg Spanjai Tretë
12 mars 1999Flag of the Czech Republic.svg Çekiai Katërt
Flag of Hungary.svg Hungaria
Flag of Poland.svg Polonia
29 mars 2004Flag of Bulgaria.svg Bullgariai Pestë
Flag of Estonia.svg Estonia
Flag of Latvia.svg Letonia
Flag of Lithuania.svg Lituania
Flag of Romania.svg Rumania
Flag of Slovakia.svg Sllovakia
Flag of Slovenia.svg Sllovenia
1 prill 2009Flag of Albania.svg Shqipëriai Gjashtë
Flag of Croatia.svg Kroacia
5 qershor 2017

2020

Flag of Montenegro.svg Mali i zi

Maqedonia

Zgjerimi i NATO-së

Anëtarësimi i vendeve Evropiane në NATO.

Plani i Veprimit për Anëtarësim

Plani i Veprimit për Anëtarësim (PVA), është aprovuar në Samitin e Uashingtonit të vitit 1999 si një procedurë për vendet që aspirojnë anëtarësim në NATO. Pjesëmarrja e një vendi në PVA monitoron progresin e tij në pesë fusha të ndryshme:

  • Gatishmëri për zgjidhjen në mënyrë të paqshme të mosmarrëveshjeve ndërkombëtare, etnike ose territoriale. vendosmëri në rregullin e ligjit dhe të drejtat e njërit, dhe kontrolli demokratik i forcave të armatosura.
  • Aftësi për të kontribuar në mbrojtjen dhe misionet e organizatës.
  • Përkushtim i mjaftueshëm i burimesh për forcat e armatosura për të plotësuar angazhimet e anëtarësimit.
  • Siguri e informacioneve të ndjeshëm, dhe ruajtja e tij.
  • Përshtatshmëri e legjislacionit të shtetit me bashkëpunim të NATO-së.

NATO jep mendime si dhe këshilla teknike për çdo vend dhe vlerëson progresin e tij në bazë individuale.

Shqipëria konsideron se anëtarësimi i saj në NATO do paraqiste në shtrirjen natyrale të Aleancës në krahun e saj Juglindor. Pozicioni gjeografik Shqipërisë është i favorshëm për implementimin e konceptit të ri strategjik të NATO-s të aprovuar në Samitin e Washingtonit. Nëpërmjet MAP-it Shqipëria është e angazhuar të arrije objektivat e mposhtem:

  • Do te vazhdoje të përmirësoje rendin dhe ekonominë e tregut duke i kushtuar vëmendje të veçante përmirësimit të rendit dhe luftës kundër korrupsionit.
  • Do inkurajoje dhe zhvilloje respektin për të drejtat e njeriut, duke përfshire të drejtat e minoriteteve.
  • Do te forcoje institucionet demokratike dhe si pasoje rolin e tyre në shoqëri. Do te vendose një administratë publike efektive.
  • Do te forcoje kontrollin civil demokratik mbi FA.
  • Do te ruaje rezultatet e arritura vitet e fundit në rritjen ekonomikë dhe do të vazhdojë reformat e saj ekonomikë, veçanërisht në fushën e privatizimit.
  • Do të vazhdojë politikën e fqinjësisë së mirë, veçanërisht në kontekstin e situatës pas ngjarjeve në Kosove, duke përdorur plotësisht rrjedhojat rajonale të programeve të Paktit të Stabilitetit.
  • Do te modifikoje legjislacionin përkatës me qellim që ta harmanizojë atë me sistemet standarde të Aleancës.
  • Do të jete plotësisht e angazhuar që të garantojë kontrollin e brendshëm të armeve dhe çarmatimit.

Integrimi i Shqipërisë në NATO

Shqipëria është Anëtare e Këshillit të Bashkëpunimit të Atlantikut të Veriut që nga qershor 1992. Ajo përkrahu Iniciativën e Partneritetit për Paqe në janar 1994 dhe nënshkroi Dokumentin Kuadër më 23 shkurt 1994 duke u bërë vend anëtar i Partneritetit për Paqe. Me 22 shtator 1994 paraqiti Dokumentin e Prezantimit në të cilën përcaktohen fushat, përmasat dhe niveli i pjesëmarrjes në bashkëpunim me NATO-n. Dokumentat e mësipërm përbënë bazën e hartimit të Programit Individual të Partneritetit për vitet 1995, 1996, 1997, Programet Individuale Speciale NATO – Shqipëri për vitet 1997-2000.

Programi i Partneritetit Individual (IPP) është zhvilluar që të përkrahë programet kryesore që burojnë nga rishikimi i mbrojtjes. Ai përforcon vazhdimësinë e procesit të ristrukturimit duke synuar rritjen e aftësive operacionale të FA. Prioritetet kryesore të mbrojtjes për 2002 do të fokusojnë në zhvillimin e një strategjie ushtarake kombëtare, të shoqëruar nga një strukture organizimi, e orientuar në nivel të lartë profesionalisht, me një numër më të vogël të FA, adaptimin e konceptit të trajnimit të forcës, një sistem menaxhimi personeli dhe një sistem menaxhimi burimesh.

Programi i Partneritetit Individual (IPP), i vitit 2002 synon tre çështje kryesore bashkëpunimi:

  1. te ndihmojë Shqipërinë në ristrukturimin e FA të saj, nën kontrollin demokratik të autoritetit civil sipas planit afatgjate të implementimit,
  2. te sigurojë përkrahjen në fusha të interesit të NATO-s dhe Shqipërisë,
  3. ti japë më shumë përmbajtje marrëdhënieve me PfP në një afat kohor më të gjatë.

Qëllimi kryesor për NATO-n dhe Shqipërinë në këtë IPP 2002 është që të arrihen rezultate konkrete me qellim që të demonstrohen efektet pozitive të PfP. Shqipëria ka marrë pjesë dhe në Procesin e Planifikim – Rishikimit që nga viti 1996 e në vazhdim. Për vitin 2000 ajo pranoi 53 Objektiva Partneriteti. Në shkurt 2002 do të diskutojë për Paketën e Re të tyre.

Nëntor 1999, Shqipëria paraqiti Planin e Veprimit për anëtarësim duke u bërë një nga 9 vendet aspirante për anëtarësim në Aleancë.

Në 1 prill 2009, Shqipëria u bë anëtare me të drejta të plota në strukturën e NATO-s.

Tregon Fatos Naço, i biri i gjeneral Todi Naço: “Në Berat, populli bërtiste: ‘në litar’, si e varrosëm me qerre babanë…”

Jeta e Todi Naços është e mbushur plot gëzime e suksese, shërbime dhe kontribute me vlera ushtarako-kombëtare, por që fatkeqësisht, në apogjeun e një personaliteti ushtarak e rrëmbeu arbitrarisht “Fshesa e hekurt” e diktaturës moniste. “Sa herë kujtojmë Todi Naçon, kemi të gjallë portretin e tij, trupin madhështor dhe elegant, simpatik, gazmor, me llullën në dorë ose në gojë. Kur flisnim në radio ose bisedonim nëpër stërvitje, të vetmit gjeneral i kishim vënë pseudonimin “Çibuku”. Todi Naço lind në vitin 1915 në qytetin e Pogradecit. Është e vështirë të përshkruash jetën dhe veprën e tij, por, ndërkohë, përjeton edhe një kënaqësi të veçantë, sepse shërbimet e Naços për artilerinë, ushtrinë dhe mbrojtjen e atdheut janë kolosale, komplekse, me ngritje e ulje, me vlerësime të larta dhe me dyshime e etiketime të padrejta. Mirëpo, falë mençurisë dhe karakterit të tij të fortë, ai dinte t’i përqafonte ose t’i largonte me pjekuri e me qëndrim atdhetar. Megjithatë, dyshimet e sipërfaqshme mbeteshin në Dosjen Sekrete, për të dalë në sipërfaqe përfundimisht në vitin 1974. Todi Naço vinte nga një mjedis Lasgushian, nga një familje e shquar patriotike; babai i tij ndihmoi Ismail Qemalin e Fan Nolin dhe për 15 vjet në emigracion drejtoi një degë të Shoqërisë Vatra. Në këtë mjedis, me synime të mëdha për jetën, u brumos Todi Naço, si dhe u paracaktua zgjuarsia e tij, atdhedashuria, prirja liberale-demokratike dhe etja për dije. Pas fillores në qytet, ndoqi për dy vjet Liceun Francez në Korçë, por gjimnazin e mbaroi në Tiranë. 

—-

Dashnor Kaloçi/ Publikohet historia e panjohur e Todi Naços me origjinë nga Pogradeci, babai i të cilit, Spiro, mik i ngushtë i Fan Nolit, pasi kishte financuar ndërtimin e Kishës së Shën-Kollit në SHBA-ës, në vitin 1924-, me ardhjen e Nolit në pushtet, u emërua prej tij në detyrën e Sekretarit të Bashkisë së Pogradecit, pasi ishte në vështirësi të mëdha ekonomike, sepse kishte harxhuar të gjithë kursimet e tij për ngritjen e asaj kishe. Dërgimi i të birit, Todit për të studjuar në Shkollën Mbretnore të Plotësimit të Oficerëve në Tiranë, nga ku më pas ai përfitoi një bursë shtetërore për të ndjekur studimet në Akademinë Ushtarake të Torinos në Itali, ku ai u diplomua me rezultate të larta në degën e Artilerisë, duke fituar dhe gradën e nëntogerit.

Kthimi i tij në Shqipëri dhe dezertimi nga fronti i luftës italo-greke në vitin 1940-të ku ishte efektiv i Batalionit “Tomorri” dhe angazhimi i tij në Lëvizjen Antifashiste me shokun e ngushtë, Reshit Çollakun, në zonën e Pogradecit, pasi më parë ishte përndjekur nga autoritetet italiane që shkuan për ta arrestuar dhe për t’i djegur shtëpinë në qytetin e Pogradecit, ku oficeri italian, kur pa bibliotekën e tij të pasur, i la një shënim ku thuhej: “Zoti Naço, gjynah që një njeri i kulturur si ty, të kthehet në një bandit”.

Dalja e Todit partizan në Brigadën e Përë Sulmuese të Mehmet Shehut, ku ai deri në përfundimin e Luftës morri pjesë në të gjitha betejat që bëri ai formacion partizan, duke qenë si komandant i Artilerisë dhe një nga miqtë e ngushtë të Mehmet Shehut.  Konflikti i Todit me Enver Hoxhën që në Kongresin e Parë të Partisë Komuniste Shqiptare në vitin 1948-të, pasi Enveri dyshonte se Naço me gjeneralin tjetër, Tahir Kadarenë, kishin nxitur gjeneral Gjin Markun që t’i kërkonte Koci Xoxes në Kongres, që ai të thellohej në autokritikën e tij lidhur me fajet e Komandantit të Përgjithshëm, sidomos për lidhjen e nënshkrimin e Traktatit të Bashkëpunimit Reciprok me Jugosllavinë, që kishte sjellë më pas rrënimin e ekonomisë shqiptare.

Dëshmitë e të birit të tij, Fatos Naço, lidhur me spostimin që iu bë Todit duke u dërguar me studime në Akademinë e Shtabit të Përgjithshëm “Voroshillov” të Bashkimit Sovjetik, ku ai u diplomua me rezultate të larta dhe kthimi i tij në Shqipëri, ku ai u emërua në disa detyra të larta me gradën gjeneral-major, dhe si Komandant i Artilerisë Kundërajrorë të Ushtrisë Shqiptare, ku ai shërbeu me vullnet e pasion të rrallë deri në vitin 1975, kur u akuzua si “bashkëpunëtor i ngushtë i Beqir Ballukut” dhe u internua në rrethin e Beratit, ku punoi si punëtor llaçi deri në vitin 1985 kur vdiq në fshatin Lapradha nga mungesa e mjekut dhe varrimi me qerre vetëm nga tre pjestarët e familjes.

Internimi në Berat

Po si u trajtua ish-gjenerali Todi Naço dhe familja e tij pas largimit nga Tirana dhe internimin e tyre në fshatrat e Beratit? Për këtë, i biri i tij, Fatosi kujton: “Në qytetin e Beratit ne na vendosën në një banesë në lagjen periferike dhe që në fillim aty e ndjemë veten shumë keq, pasi të gjithë na shikonin dhe na bënin me gisht duke na thënë: ‘Ja armiqtë e popullit’, gjë e cila na e vështirësonte akoma dhe më shumë gjendjen tonë shpirtrore në të cilëm u ndodhëm familjarisht pas largimit nga Tirana. Gjëja më e padurueshme për ne ishte kur dilnim nga shtëpia për të blerë ndonjë gjë në dyqane, ku të gjithë njerzit ndalonin dhe na shikonin, duke na bërë me gisht, e duke thënë refrenin e përhershëm; ‘O i biri i armikut, o i biri i ballistit’. Atëhere isha i ri dhe nuk i kuptoja mirë disa gjëra dhe sa shkoja në shtëpi tepër i mërzitur i thosha babait: Përse më thonë djali i ballistit, a ke qenë partizan ti’? Në Berat babain e sistemuan në punë si puntor me lopatë në një kantier që prodhonte llaç, i cili ndodhej jashtë qytetit, diku në fshatin Velabisht, ku babai shkonte çdo ditë me biçikletë. Kurse nënën e cila në Tiranë kishte punuar si arsimtare, atje e sistemuan si puntore në një punishte duhani. Puna që bënte babai atje në kantierin e llaçit, ishte aq e rëndë dhe robtuese, saqë ai nga 90 kg. që ishte, ra në 60 kg. Pasi kishin kaluar disa muaj nga vajtja jonë në Berat, babain e thirri sekretari i partisë së ndërrmarrjes ku punonte dhe i tha: ‘Todi, ti nuk do punosh më dhe ne do ta paguajmë rrogën të plotë, veçse kërkojmë nga ty që të na shkruash se çfarë di për shokët e tu, ish gjeneralët’. Babai nuk pranoi që ta bënte atë punë, ndonëse atë gjë ia kërkuan disa herë dhe pas atij refuzimi, ai na tha që duhet të përgatiteshim për një goditje tjetër që nuk i dihej se si do të na vinte”, kujton Fatosi gjendjen në të cilën u ndodh familja dhe babai i tij gjenerali i famshëm i Artilerisë, i cili ndonëse kishte mbaruar shkollat dhe Akademitë Ushtarake në Tiranë, Torino e Moskë, përfundoi duke punuar me loptaë si puntor në kantierin e llaçit në fshatin Velabisht të Beratit, i cilësuar si armik i popullit.

Demaskimi para popullit në Berat

Po çfarë ndodhi më pas me Todi Naçon pasi ai refuzoi që të jepte dëshmi për ish-shokët e tij gjeneralë? Lidhur me këtë Fatosi, dëshmon: “Në qytetin e Beratit na lanë për një vit e tre muaj. Pas kësaj më 1 prill të vitit 1976, ne na njoftuan se duhet të paraqiteshim familjarisht në mbledhjen e Frontit Demokratik të lagjes ku banonim. Në atë mbledhje ku ishin grumbulluar të gjithë banorët e lagjes, Kryesia e Frontit, sipas porosisë nga lart, e kishte organizuar enkas për të bërë një demaskim publik të familjes sonë. Në fillim të asaj mbledhje, kryesia e Frontit mori në analizë dhe bëri demaskimin publik të dy personave të tjerë, ku njeri akuzohej për vjedhje, dhe tjetri sepse kishte prejardhjen jugosllave. Pas kësaj kryetari i Frontit u ngrit dhe tha: ‘Sot jemi mbledhur për të marrë në analizë veprimtarinë e Todi Naços, i cili është një nga bashkëpunëtorët e Grupit puçist të Beqir Ballukut’, dhe më pas ai radhiti një sërë akuzash, si: shkollimi i babait në Itali e Bashkimin Sovjetik, të cilat ai i quajti vende armike, si dhe pjesamrrjen e tij në luftën italo-greke me gradën e kapitenit. Pas gjithë atyre akuzave të cilat turma i priste me irritim, kryetari i Frontit vazhdoi duke thënë: ‘Ne si kryesi e kemi marrë vendimin që ta internojmë familjarisht armikun e popullit Todi Naço, por deshëm të dimë dhe mendimin tuaj. Pas kësaj e gjithë turma u ngrit duke bërtitur me thirrje histerike: ‘Të pushkatohet, të pushkatohet. Në litar, në litar armikun e popullit’. Në këto momente teksa turma vazhdonte të thërriste, nënës i ranë të fikët dhe babai më thoshte mua që ta mbaja të mos rrëzohej në tokë. Pasi mbaroi mbledhja dhe akoma pa mbaruar mirë thirrjet e popullit, të cilët ishin instruktuar mirë nga Kryesia e Frontit, ne na futën në zyrat e lagjes dhe na porositën që të përgatiteshim, sepse të nesërmen do të na internonin. Kur dolëm që andej për të shkuar në shtëpi, gjatë gjithë rrugës u ndodhëm nën vështrimet e njerëzve që qëndronin anash trotuarëve dhe na shikonin si armiq. Gjatë gjithë asaj nate ne qëndruam në ankth pa e ditur se ku do të na çonin dhe vetëm të nesërmen kur na erdhi makina me policët që do të na shoqëronin, e mësuam se do të na internonin në fshatin Lapardha”, kujton Fatos Naço, demaskimin që i bënë familjes së tij para banorëve të lagjes në qytetin e Beratit, pasi babai i tij, Todi, refuzoi që të dëshmonte për shokët e tij, ish-gjeneralët dhe ushtarakët e tjerë që Enver Hoxha i kishte shpallur armiq të popullit dhe bashkëpuntorë të Beqir Ballukut.

Internimi në Lapardha

Po si rrodhi më pas jeta e familjes së ish-gjeneralit Todi Naço aty në Lapardha të Beratit, ku ata u dërguan të internuar dhe si u trajtuan ata nga banorët e atij fshati? Lidhur me këtë Fatosi kujton: “Në fshatin Lapardha të Beratit na vendosën në një banesë të vjetër dhe nënën e caktuan që të punonte në bujqësi, kurse babai me që doli në pension, dilte vetë për të ndihmuar nënën me qëllim që ajo të bënte normën dhe të fitonte ato pak lekë sa për të siguruar bukën e gojës. Pas kësaj e internuan në Plug të Lushnjes edhe vëllain tone, Gavroshin, i cili pasi ishte diplomuar për inxhinier, punoi disa kohë në Lushnje. Për disa kohë atij ia hoqën edhe të drejtën e ushtrimit të profesionit, për të cilin ishte diplomuar. Aty në fshatin Lapardha ndonëse ne paraqiteshim dy tre herë në ditë në zyrat e Këshillit Popullor, dhe për të lëvizur për ndonjë problem që kishim për në qytet, duhet të merrnim leje në Këshill dhe të prisnim nëse na jepej ajo, u ndodhëm disi më mirë se kur ishim në Berat, Kjo gjë erdhi nga trajtimi që na bënë fshatarët aty, megjithëse ne e kishim vulën e armikut dhe njerzit para se të na jepnin ndonjë salutim, kthenin kokën për të parë nëse po i shikonte njeri. Në fshatin Lapardha vazhdimisht ne ishim nën survejimin e rreptë dhe herë pas here nuk mungonin dhe provokimet e njerzve që ishin caktuar nga Sigurimi i Shtetit për të na kontrolluar në çdo hap, të cilët porositeshin vazhdimisht: Kini kujdes Fatosin, se mos na bënë ndonjë sabotim’. Këtë refren unë e dëgjoja pothuaj përditë, ndonëse punoja me lopatë duke hapur kanale dhe me cfurk në mullarët e barit. Kur ne menduam se na mbaroi internimi, (pak ditë para se të mbushnim pesëvjetshin e parë) na erdhi një person nga Tirana dhe na komunikoi, se: na ishin shtuar edhe pesë vjet të tjera internimi, të cilat duhet t’i kryenim po aty. Babai e kundërshtoi atë vendim, por ai na tha se ashtu e kishte urdhërin. Në vitin 1984, kur na mbaroi internimi i dytë prej pesë vjetësh, përsëri erdhi një njeri nga Tirana, i cili na komunikoi se na ishte shtuar edhe pesë vjet të tjera internimi. Atëhere babai u mërzit shumë dhe na thoshte: Këtu na kanë sjellë që të vdesim, sepse Enver Hoxha nuk do prova. Këtu do të vdesim të gjithë’. Gjatë atyre viteve babai filloi të mbante një ditar, ku shkruante fshehurazi gjatë ditës kur unë e nëna ishim në punë. Ndonëse atë ditar ai e mbante të fshehur, unë dhe nëna shpesh herë gjenim mënyrën dhe ja merrnim për ta lexuar. Ajo që binte në sy në shënimet e tija, ishte evolimi i mendimeve që ai kishte për Enverin, ku Todi nga një komunist i bindur, u kthye në një kundërshtar i rreptë i vijës politike që kishte ndjekur dhe po ndiqte Enver Hoxha”, kujton Fatosi lidhur me trajtimin q ëi bëhej familjes së tyre në internim dhe babanë e tij, Todin që fillou të shkrunate fshehurazi në ditarin e tij për Enver Hoxhën..

Todi në ditarin e tij: Enveri gjakatar

Po çfarë shkruante Todi Naço në ditarin e tij për Enver Hoxhën dhe çfarë thoshte ai për të ardhmen e tij dhe të familjes? Lidhur me këtë, Fatosi dëshmon: “Në fillimet e atij ditari babai shkruante: Jam një ushtar i bindur dhe kudo që të më dërgojnë, do të punoj për t’i shlyer partisë gabimet që kam bërë’. Kurse mbas disa vjetëve, ai filloi shkruante hapur kundra Enver Hoxhës dhe herë pas here përdorte shprehjen: ‘Sa të jetë Nasi në Kala-të, nuk gëzon nëna për evlatë’. Nasi ishte një budalla që banonte në lagjen Kala të Beratit, i cili ishte bërë tmerri i nënave të asaj lagje, pasi ua rrihte fëmijët ku i gjente. Me Nasin babai nënkuptonte Enver Hoxhën dhe pa pasur frikë se po na përgjonin, na thoshte hapur: ‘Do vij një ditë që Enver Hoxha, do të mbytet në gjakun e shokëve të tij’. Ndonëse babai na thoshte se fati jonë ishte parashkruar dhe ne do të vdisnim aty në internim, ai kujdesej për mua dhe në mbrëmje kur kthehesha nga puna e lodhëshme, më vinte të mësoja gjuhët e huaja, pasi ai zotëronte mjaft mirë frengjishten, italishten, rusishten dhe në ato kushte përpiqej të mësonte dhe anglisht. Unë nga që vija i lodhur nga puna e rëndë me kazëm, i thoja: ‘Po çfarë më duhen mua gjuhët e huaja, kur punoj gjithë ditën në kanal’?!. Atëhere ai më thoshte: Unë nuk do t’ë gëzoj, por ti ke për të shpëtuar një ditë dhe këto do të duhen shumë’. Ndonëse babai kishte qëndruar më shumë vjet në Bashkimin Sovjetik se në Itali, ai gjithmonë kujtonte me nostalgji vetëm kohën që kishte studjuar në Itali. Mbas dhjetorit të vitit 1981, kur ndodhi ngjarja me  Mehmet Shehun dhe shumë nga shokët e babait që ishin të internuar, u arrestuan dhe përfunduan burgjeve, unë dhe nëna ia morëm ditarin dhe e dogjë nga frika për ato që ai kishte shkruar aty. Babai u mërzit shumë për këtë dhe nënës i foli ashpër, kurse mua deshi të më qëllonte”, kujton Fatosi peripecitë dhe vuajtjet e mëdha të familjes gjatë periudhës së internimit si dhe ndryshimin e bindjeve të babait tij lidhur me figurën e Enver Hoxhës.

Vdekja e Todit, nuk vjen mjeku, varroset me qerre

Po si rrodhi më pas jeta e familjes së gjeneralit të famshëm Todi Naço, pas plotësimit dë pesëvjetëshit të dytë të internimit aty në fshatin Lapardha? Lidhur me këtë, Fatosi kujton: “Aty nga viti 1984, nga puna që babai kishte bërë gjatë periudhës së internimit, ai u sëmur rëndë dhe ne u gjetëm përpara vështirësive të mëdha, pasi doktorët nuk vinin në shtëpi për ta vizituar, sepse ne na quanin armiq të popullit. Po kështu ne nuk kishim mundësi që ta dërgonim në spital, sepse ishim të internuar e duheshin disa leje që nga Këshilli Popullor i fshatit, Këshilli Popullor i qytetit, e policia. Për të nxjerrë lejet që të vizitonim apo të shtronim babanë në spital, duheshin ditë të tëra, gjë e cila e çoi në keqësimin e mëtejshëm të shëndetit të tij. Kështu në mëngjezin e 7 marsit të ’85, babai ishte në një gjendje tejet të rëndë dhe unë e nëna e lamë vetëm në shtëpi, sepse shkuam për të bërë paraqitjen e zakonëshme në zyrat e këshillit. Pasi u paraqitëm aty, ne shkuam e takuam doktorin të cilit pasi ia thamë situatën në të cilën ndodhej babai, ai na u përgjigj: Të shikoj se nuk vij dot, por po të keni mundësi nxirrni një leje dhe silleni këtu babanë me qerre. Kur shkuam në shtëpi babai kishte vdekur. Kryetari i Kooperativës që ishte dhe kandidat i Komitetit Qëndror dha urdhër që babanë ta varrosnim jashtë varrezave të fshatit. Ky urdhër u kthye pasi nga Tirana lajmëruan që nuk kishte ndonjë problem që ai të varrosej në varrezat e fshatit”, kujton Fatosi vdekjen tragjike të babait të tij atje në internim, për arsye se mjeku nuk pranoi ta vizitonte pasi kërkonte leje që të shkonte në shtëpinë e “armikut të popullit”. Kështu atë pasdite marsi të vitit 1985, ndërsa dy vëllezërit Fatosi e Gavroshi, së bashku me nënën e tyre po përcillnin për në banesën e fundit babain e tyre, ish gjeneral-leitnantin e famshëm Todi Naço, qerrexhiu i fshatit, i vetmi njeri “që iu gjend pranë” iu thoshte: Shpejt, shpejt, se më kërkojnë qerren…”?!./Memorie.al

BOTEN E SHKALLMON HARRESA! – Nga Fritz RADOVANI

 

 

HEROJT’ E 2 PRILLIT 1991

2 PRILL 1991 – MASAKRAT KOMUNISTE NUK KANË KURR AUTOR!

AUTORËT E  VRASJEVE JANË “HERONJË” TË PAPREKSHEM!

ATA MBROHEN NGA LIGJI I GJENOCIDIT DHE KUSHTETUTA T…

SHQIPNIA I SIGURON EDHE “TITUJT” E DHANUN NGA AKADEMIA…

U pat fillue një gjyq… E pritej me fillue prap tjetri… Po, u la per ma vonë!

Shumë prej atyne vrastarve që atë ditë të zezë të 2 Prillit në Shkoder, patne shkrepë armët barbare mbi 93 persona, tue lanë kater djelmë të rij të vdekun, para qendres terroriste të komitetit PPSH së Shkodres, sot nuk jetojnë, po persa kohë ishin gjallë, vetem zi e ma zi i sollen Atdheut!

Shqipnia sot ata monstra i ka në të gjitha qoshet e veta, madje edhe disa nga fëmijtë e tyne, i ka angazhue në armen terroriste të sigurimit shtetit. Te vriten njerzit e pafajshem diten per diell e mos të dënohet askush, kjo nuk besoj se ngjet në ndonjë tjeter vend të Botës… Të pakten formalisht!

Sigurisht, dënimi i vrastarëve barbarë nuk pritet nga “Rilindja” e sotme, po as harresa e Atyne Djelmëve Heronjë, nuk i takon opozitarve që rrijnë e shikojnë duerkryq prej dritareve të kafeve në Shkoder… As nuk dij me e kuptue se ku kullosin gjithë ato parti “politike”, që nuk kryejn asnjë nga angazhimet e veta para zgjedhjeve atje. Ndonjëherë mendja më shkon perkeq: “A thue të gjithë të persekutuemit politik të Shkodres janë pajtue me korrupsionin dhe poshtersitë antinjerzore të drogamanve socialist?!”

Edhe kjo më duket e pabesueshme! Që sigurimi i shtetit në Shkoder ka vu të gjitha metastazat e veta kunder “Shkodranve demokratë”, per këte sot unë nuk kam asnjë dyshim, po që në Shkoder, mos me u kujtue dhe mos me u nderue Ata Atdhetarë antikomunistë që dhane edhe jeten per Atdhe këte, e tham pa pikë mëdyshjet: “Nuk mund t’a besoj e, as t’a pranoj!”

Shkoder! Mos u pajto me “harresen”.., turpin e socialistave komunistë!

            Melbourne, 2 Prill 2020.

Journal des débats politiques et littéraires (1932)- Kjo është arsyeja e mbylljes së Gjykatës së Kasacionit nga qeveria mbretërore shqiptare

 

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 1 Prill 2020

 

“Journal des débats politiques et littéraires” ka botuar, të mërkurën e 9  marsit 1932, në faqen n°2, një shkrim në lidhje me shkarkimin asokohe të të gjithë gjyqtarëve të Gjykatës së Kasacionit nga qeveria mbretërore shqiptare, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

 

Shqipëri

Revokimi i dhjetë gjyqtarëve

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Na shkruajnë nga Tirana :

 

Zyra e shtypit shqiptar komunikon shkresën në vijim :

 

Qeveria mbretërore, pasi konstatoi se sjellja e gjyqtarëve të Gjykatës së Kasacionit ishte e papajtueshme me misionin e tyre të lartë dhe se mosmarrëveshja midis anëtarëve minonte prestigjin e Gjykatës, deklaroi se gjyqtarët nuk mund të mbaheshin në funksionet e tyre.

 

Qeveria mbretërore, duke pasur si qëllim pastrimin e Gjykatës së Kasacionit dhe e bazuar në ligjet në fuqi, vendosi të shkarkojë të dhjetë anëtarët e saj.

 

Vendimi iu komunikua të interesuarve nga Ministria e Drejtësisë.

 

Pas disa ditësh, qeveria do të emërojë gjyqtarë të rinj që paraqesin të gjitha garancitë e nevojshme për misionin e tyre të lartë.