VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Më 12 gusht të vitit 30 para erës së re u nda nga jeta faraonesha e famshme Kleopatra

By | August 12, 2018

Komentet

Trashëgimia e vlerave, nga Luigj Guakuqi te Aqif Pashë Elbasani – Nga Dukagjin Hata

Në foto: Aqif Pashë Elbasani dhe Luigj Gurakuqi

Av. Sergjio Mazreku, në kërkim të rrënjëve dhe degëve të dy familjeve historike

Në foto: Av. Sergjio Mazreku

Kur kërkon gjurmët e të parëve të tij, Avokat Sergjio Mazreku mbushet me një dritë të brendshme shpirtërore dhe motivimet e tij shpirtërore, intelektuale e njerëzore shkojnë drejt hulumtimit të gjurmëve të tyre në kohë.

Av.Sergjio Mazreku gjithçka që ka arritur në jetën e tij ia dedikon trashëgimisë së vlerave historike e njerëzore, shenjave në analet e kujtesës sonë kolektive, të dy familjeve historike, njëra në Shkodër-Mazrekët- dhe tjetra në Elbasan-trungu historik i Aqif Pashë Elbasanit.

Takimi me Sergjio Mazrekun, avokat, publicist, autor librash, humanist në ndihmë të shtresave në nevojë, është gjithmonë një soj suprizimi.Kjo përfaktin se ai ndodhet gjithmonë në kërkim të përvojave të reja shpirtërore, në angazhime që lidhen me organet e drejtësisë, pjesë e të cilave ndihet si avokat, por dhe në angazhime të tjera që plotërojnë profilin e tij prej njeriu të veprimit, analisti dhe veprimtari shoqëror. Ai e ka pëjetësuar figurën e Aqif Pashë Elbasanit në një libër ku është bashkëuator, si dhe familjen Mazreku, në shkrime të ndryshme botuar në shtypin e përditshëm shqiptar.

Po kush janë këto dyer, që kanë lënë gjurmë në panteonën e lavdisë gjithëkohore mbarëshqiptare?

Dera e Mazrekëve lidhet me dy kreyqendra të shqiptarisë etnike, me Shkodrën që është vendorigjina dhe me Elbasanin, ku janë degëzuar shtrirjet e tij në kohë, veçanërisht me pinjollin e saj të ndritshëm, mjekun Vili Mazrekun.Vili është babai I Sergjios dhe një jetë të tërë shërbeu me një përkushtim shembullor për t’iu ardhur në ndihmë të sëmurëve dhe të pambrojturve.

Në Shkodër, Mazrekët krijuan në një kohë prej disa shekujsh modelin e rezistencës kombëtare në emër të vlerave të atdhetarisë, ku pinjollët e brezave mendjendritur lanë gjurmë në piketat e historisë. Në Elbasan, në qytetin e lashtë të kulturës dhe bukurive të dyzuara, në qytetin e bashkëjetesës dhe harmonisë, ku shkëlqejnë familjet e mëdha me sharm atdhetar e kontribute në histori, si dhe në Shkodrën loke ka hedhur rrënjë e ka ardhur gjer në ditët tona një familje historike, familja e shquar Mazreku, me gjurmë në kohë dhe sot në aktualitetin shqiptar. Kush shkel në qytetin e Shkodrës, qoftë dhe si vizitor i zakonshëm, nuk mund të mos kontaktojë me gjurmët e kësaj dere, që me kohë ka krijuar një portret të denjë për nder e respekt, jo vetëm në këtë qytet perlë e antik, por dhe më gjerë. Kjo familje është pjesë e palcës historike të Shkodrës, pjesë e identitetit historik të qytetit të mirënjohur, por edhe pjesë e identitetit të vlerave më të qenësishme dhe autentike të atdhetarisë dhe përveçësisve të tjera të Elbasanit.

Njëri nga pinjollët e kësaj dere fisnike është edhe Vili Mazreku, nipi historik i Luigj Gurakuqit, njërit nga luftëtarët dhe ideatorët e revolucionit nolian, i cili qëndroi përkrah liderit iluzionist e pacifist, deri sa dha jetën për kombin e tij.

Vili Mazreku është vëllai i komentatorit brilant të sportit Anton Mazreku, i cili la një emër të ndritur në analet e gazetarisë dhe sportit shqiptar, me shkëlqimin e një ylli të papërsëritshëm në valët e radiove dhe studio e televizoneve, ku gjëmoi fjala e tij që dehu e mrekulloi mijëra e mijëra spektatorë.

Martesa e Vilit me mbesën e patriotit të madh Aqif  Pashë Elbasanit, me Shpresën, një vajzë e bukur nga Elbasani, të cilën rinia e kohës e quanin “bejleresha”, ngaqë vinte nga një derë e kamur dhe dihet se në atë kohë lufta kundër njerëzve të kamur ishte ideologji vepruese,  e kohës, ku implikohej dhe figura e Ibrahim Biçakut, ish-kryeministër në kohën e nazi-fashizmit, pra kjo martesë do të bënte që Vili të vendosej në Elbasan, në lagjen e Kalasë.

Peripecitë ishin të shumta, “njollat në biografi” do të bënin të tyren, por mjeku pasionant ia doli të mbijetonte dhe të ruante dinjitetin e figurës së tij, falë asaj pune titanike që bëri dhe falë mbështetjes së plotë të qytetarëve të Elbasanit.

Vili ishte një mjek i përkushtuar, që gëzonte respektin e mirënjohjen e elbasanasve, të brezave të shkuar dhe atyre të sotëm, që kanë dëgjuar për veprimtarinë e tij si mjek i shquar dhe njeri me shpirt të pastër.

E thamë më sipër, e kush nuk ka dëgjuar për të vëllanë, komentatorin e shquar Anton Mazrekun, në Shkodër?

Kush nuk ka dëgjuar për plejadën e mjekëve, juristëve, letrarëve të derës fisnike të Mazrekëve?

Djali i  vetëm i Vilit, Sergjio Mazreku, avokat, është një person human, që ka asistuar me qindra çështje gjyqësore falas për nevojtarët dhe të varfërit. Reflektimet e tij në shtypin e përditshëm për nevojën e reformimit të plotë të organave të drejtësisë, para se kjo reformë të hynte në agjendën e ditës së politikës dhe më gjërë, janë pjesë e kredove të tij intelektuale, profesionale dhe njerëzore.

Gjithashtu është sponsor i disa dokumentarëve historikë, që lançojnë figurat emblematike të historisë së kombit, ku në përvjetorin e njëqind të shtetit të parë shqiptar, Sergjioja ka financuar një pjesë të projketeve të bashkisë së Elbasanit për të përjetësuar në dokumentarë e libra ikonat e saj në këtë qytet e më gjërë.

Sergjioja është gjithashtu autor i dy librave politologjiko-analitikë ku fokuson probleme nga më të ndryshmet e më të spikaturat të politikës dhe tranzicionit të vështirë, libra që kanë pasur jehonë në qarqet publicistike, mediatike dhe politike shqiptare.

Fran Gjoka, i përjavshmi i gazetës “Mësuesi” – Nga Bashkim Saliasi, Gazetar dhe shkrimtar

 

Nuk kam patur fatin të njihem nga afër me Franin, por me shpirt e zemër jemi shumë të afërt, pasi që nga viti 2007 e deri në këto moment që mora shkruaj këto radhë, kemi komunikuar me të hera-herës në telefon, kur jam gjendur në shoqërinë e mikut tonë të përbashkët Viron Kona. Do ishte gazeta “Mësuesi” që do na njihte dhe miqësonte me shumë miq dhe shokë, mësues,  kolegë të tjerë të profesioneve nga më të ndryshëm, duke ndjekur hap pas hapi shkrimet e njëri-tjetrit.

E kam lexuar me qejf Franin vazhdimisht, sepse tek ai kam gjetur gazetarin e duhur në trajtimin e problemeve metodike dhe shkencore në fushën e letrave si intervista, trajtimit të problemeve të përsosjes së metodave të mësimdhënies, marrëdhëniet shkollë-familje, marrëdhëniet mësues nxënës, analiza dhe kritika letrare etj.

Puna e Franit në gazetën “Mësuesi” , ishte një nga penat që shkëlqente në ato vite të botimit të kësaj gazete. Frani pothuajse ishte i abonuar në këtë organ dhe çdo të mërkurë do e gjeje me një artikull të ri, ku trajtimi i problemeve nga njëri artikull në tjetrin ndryshonte. Ai sillte vazhdimisht risi të reja me artikujt e tij.

Në punën e tij si gazetar çdo gjë është e bukur, por mua më ka tërhequr në shkrimet e Franit  publicistika dhe trajtimi i problemeve të përsosjes së metodave të mësimdhënies, marrëdhëniet shkollë – familje dhe mësues nxënës, të cilat ai i përgjithëson me shembuj konkret dhe tregon dhe rrugën e duhur për të korrur sukses.

Gjuha e përdorur në shkrimet e Franit është e thjeshtë, e kuptueshme dhe e qartë dhe duket sikur kumbon në veshët e tua, kur lexon shkrimet e tij.

Duke qenë një mësues model dhe një gazetar i mirë me përvojë, Frani vazhdimisht ka trajtuar problem metodiko-shkencore duke na sjell përvojën e tij në mësimdhënie dhe të mësuesve lezhjanë.

Njohës i mirë i psikologjisë dhe pedagogjisë, Frani trajton me mjaftë profesionalizëm veçoritë psikologjik-pedagogjike  të moshës së fëmijëve dhe marrëdhënieve ndërmjet të rinjve, djemve dhe vajzave.

Këto problem të trajtuara me art në shumë artikuj metodikë – shkencor, tregojnë se ai i ndiente dhe i përjetonte dëshirat dhe pasionet e nxënësve të tij, por njëkohësisht, Frani me takt, i godet  ashpër konceptet e dëmshme që dëmtojnë marrëdhëniet shoqërore dhe sidomos përdorimin e dhunës nga kolegët e vet.

Në bisedë me kolegun e tij Nue Dragusha kam dëgjuar fjalët më të mira për Franin, i cili në prezencën time dhe mikut Viron Kona është shprehur: – Se Frani është një mësues model, korrekt në punë, korrekt në marrëdhënie me kolegët, korrekt në marrëdhëniet familjare dhe sjelljen në shoqëri.

-“Të këtij mendimi jemi dhe ne, -aprovuam  unë dhe Vironi, – prandaj e duam dhe e respektojmë Franin”.

Kultura letrare e gjuhësore, njohja e psikologjisë dhe pedagogjisë së fëmijëve, e ka bërë Fran Gjokën  edhe një studiues të mirëfilltë të problemeve sociale. Ai vazhdimisht në artikujt e botuar në organet e shkruara dhe mediet elektronike, ka trajtuar dhe trajton problemet gjuhësore dhe shtrembërimet që i bëjnë asaj.

Meritë e Franit është gama e gjerë e problematikave që ai trajton në shkrimet e tij në kohë dhe hapësirë.

Së fundi, mund të them, se Fran Gjoka është dhe do jetë një nga gazetarët më prodhimtar në medien e shkruar. Edhe pse ka dal në pension, ai vazhdon po me të njëjtin ritëm të shkruaj dhe të botoj kohë pas kohe në shumë gazeta të vendit dhe,gjithnjë tërheq vëmendjen e lexuesve,por dhe të mësuesve,drejtuesve të shkollave,që e ndjekin Franin si atëherë kur ai shkruante me aq vrull në gazetën e përjavshme dhe të dashur “mësuesi”. Ky libër është plotësisht i merituar për këtë njeri të letrave, gazetar të talentuar, mësues që i është përkushtuar vazhdimisht shkollës dhe jetës.

I uroj  Fran Gjokës pension të mbarë!

Pena e tij plug qoftë nga hera!

Xhon F. Kenedi i dhuroi të gjitha pagat e tij për bamirësi

Në vitin 1859, kolonisti anglez Tomas Ostin lëshoi 24 lepujt e parë në fermën e tij në Australi, duke thënë “Sjellja e disa lepujve këtu mund të bëjë pak dëme, dhe mund të më ofrojë një atmosferë më pranë shtëpisë”. Në fakt deri në vitin 1920, popullata e lepujve në Australi arriti në 10 miliardë.

Gjatë kohës së tij si kongresmen, dhe më vonë presidenti i SHBA-së Xhon F.Kenedi i dhuroi të gjitha pagat e tij për bamirësi.

Interpretimi i aktori amerikan Samuelit L.Xhekson në filmin “Ethet e Xhunglës”, u vlerësua aq shumë saqë Festivali i Filmit në Kanë në vitin 1991, krijoi një çmim të veçantë vetëm për të: atë të “aktorit më të mirë mbështetës”.

Në vitin 1923, një vrapues i garave me kuaj i quajtur Frenk Hajes pësoi një sulm vdekjeprurës në zemër, dhe vdiq në mes të garës. Trupi i tij mbeti në kalë, dhe ai e kaloi vijën e finishit në vendin e parë. Ironikisht, sa ishte gjallë Hajes nuk kishte fituar dot asnjë garë.

Kevin Mitnik, ishte një haker kaq i rrezikshëm, saqë besohet se ai u vendos nga autoritetet amerikane në izolim, për shkak të frikës se mund të “shkaktonte një luftë termonukleare, vetëm duke i rënë ziles në një kabinë telefonike”.

Gjatë Revolucionit Amerikan, shumë ushtarë amerikanë të pa trajnuar, i përdornin bajonetat vetëm për të pjekur mish mbi zjarr, në vend që t’i përdorin ato për luftime nga afër. Pasi u trajnuan për përdorimin e bajonetave nga një gjeneral prusian, ushtria amerikane qe në gjendje të fitonte edhe një betejë të tërë, pa asnjë të shtënë.

Ushtria skoceze u përpoq të përfitonte nga Epidemia e Murtajës në Angli, për ta pushtuar këtë të fundit, por u prek vetë nga kjo sëmundje e rëndë duke e çuar në Skoci, dhe vrarë gjysmën e popullsisë vendase.

Aleanca diplomatike më e vjetër dhe e pandërprerë në botë, është ajo midis Anglisë dhe Portugalisë, që daton që në vitin 1373.

Racionimi intensiv i ushqimit në Angli gjatë Luftës së Dytë Botërore, reduktoi në fakt vdekshmërinë foshnjore, duke garantuar bukë për të gjithë. /Bota.al/

Rexh Meta, shqiptari i parë që diplomoi e doktoroi në Kembrixh, u dënua me vdekje nga Enver Hoxha

Rexh Meta (1906-1985), nga një banor i jetimores së Shkodrës, bëhet shqiptari i parë që diplomohet me medalje të artë në Universitetin e Kembrixhit. Kjo falë fatit, aftësive të tij dhe shoqërimit që ai i bën gazetares amerikane më të paguar në botë, gjatë periudhës së pas-Luftës së Parë Botërore, Rose Wilder Lane.

Rexh Meta dënohet me vdekje nga Enver Hoxha. Por, gazetarja, shkrimtarja dhe antropologia Rose Wilder Lane, sapo e mëson këtë fakt, ndërhyn gjer te presidenti i SHBA-ve për t’ia shpëtuar jetën atij. Enver Hoxha pranon t’ia falë jetën Metës, por me kusht që Rose Wilder Lane, që kishte një prestigj dhe influencë të jashtëzakonshme në mbarë botën, të mos fliste kundër regjimit komunist në Shqipëri.
Rose Wilder Lane e pranon kushtin e, për rrjedhojë, Rexh Metës i falet jeta. Por, ai mbahet në burg për shumë vite e më pas në internim, derisa vdes diku në afërsi të Tiranës. Po kush ishte Rexh Meta? Babai i Rexhës, Metë Fazlia, bashkë me disa familjarë të tjerë, në vitin 1913 largohet nga Vuthajt për të shpëtuar familjen nga gjenocidi që u bëhej shqiptarëve në krahinën e Plavës dhe Gucisë nga forcat malazeze. Pasi shkojnë për disa vite në Kosovë, në vitin 1919, Metë Fazlia me djalin, Rexhën dhe dy vajzat, Gjykën dhe Zojën, kthehen dhe jetojnë në Shkodër. Aty, Metë Fasllia dhe gruaja e tij vdesin, kështu që Rexha dhe dy motrat e tij strehohen në jetimoren e Shkodrës, që varej nga Kryqi i Kuq Ndërkombëtar. Rexha aty nis shkollimin dhe mëson në mënyrë të shkëlqyer gjuhën angleze. Që 12 vjeç fillon të shoqërojë ekspeditat anglo-amerikane në Veri të Shqipërisë si përkthyes. Por, ekspedita që i ndryshoi jetën këtij djaloshi, ishte ajo që udhëhiqej nga Rose Wilder Lane. Ajo u kujdes për të (disa burime thonë se ajo e birësoi Rexhën) dhe i siguroi bursën për në shkollën teknike “Harry Fultz” në Tiranë. Lane e dërgoi Rexhë Metën më pas në Universitetin e Kembrixhit në Angli, në Fakultetin e Financave, të cilin Rexh Meta e kreu me sukses duke mbrojtur në vitin 1937 edhe temën e doktoraturës në lëmin e ekonomisë financiare.

Në Librin e Artë të Universitetit të Kembrixhit gjendet edhe emri i shqiptarit Rexhë Meta. Më 1938-n ai kthehet në Shqipëri dhe fillon punën si drejtor i Drejtorisë së Financave të Shqipërisë. Dy vjet me pas internohet në Itali, ku qëndron deri më 1943-shin. Në verën e vitit 1943 kthehet në Shqipëri dhe në shtator të po këtij viti ai merr pjesë në mbledhjen themeluese të Lidhjes së Dytë të Prizrenit, si një nga 45 përfaqësuesit e kësaj lidhjeje, përkrah figurave të tilla, si: Ismet Boletini, Xhafer Deva, Shaban Polluzha, Rexhep Mitrovica, Marie Kraja e shumë patriotë të tjerë. Menjëherë pas Luftës, Rexh Meta arrestohet nga pushteti komunist në Shqipëri dhe dënohet me vdekje. Ai e kreu dënimin në qelitë e Burgut të Burrelit. Familja e Rexhës, gruaja Pertefi, djali Fitimi dhe vajza Bora, përjetuan vuajtje, persekutim dhe mjerim ekstrem.

Rexh Meta vdiq afër Tiranës në vitin 1985 (vit në të cilin vdiq dhe Enver Hoxha). Trupi i tij u varros në Shkodër. Nuk e di nëse dikush është kujtuar ta vlerësojë apo dekorojë këtë figurë kaq të madhe. Nuk e di nëse dikush është kujtuar të shkojë tek i biri, nipi apo dikush që jeton prej familjes së tij për të shfletuar dorëshkrimet e tij. Sikur asgjë të mos ketë bërë Rexh Meta në jetë, veç fakti se ai ishte shqiptari i parë që është diplomuar në Kembrixh me medalje të artë, ai e meriton një shtatore në Tiranë. Për më tepër, të mos harrojmë se ai ka shoqëruar një nga gazetaret më në zë të botës për kohën që ajo jetoi, Rose Wilder Lane, e cila ka bërë për Shqipërinë më shumë se shumë e shumë shtetarë shqiptarë. Jeta e Rexhë Metës meriton të shkruhet. Ashtu siç e meriton të rivlerësohet dhe vihet në piedestalin shqiptar që meriton Rose Wilder Lane. Mendoj se Ministria e Kulturës bën më mirë të akordojë fonde për libra e dokumentarë rreth këtyre figurave të ndritura të historisë së Shqipërisë, sesa për ca programe televizive, libra apo aktivitete surrogate, të cilat nuk po i përmend me emër pasi nuk kam asnjë dëshirë apo nevojë të bëj armiq.

16-vjeçarja shqiptare Iva Zurbo, gjeni i pianos në Gjermani Nga Dhurata Hamzai

“Duket i pabesueshëm lajmi, që nxënësja jonë 16-vjeçare, fal përgatitjes së saj dhe e mbështetur nga mësuesja Valbona Shehu, dhe profesori gjerman Heribert Koch, që prej vitesh ndihmon talentet tona; të fitojë konkursin e pranimit në Akademinë Muzikore të Munsten, Gjermani, me mundësinë që i dha “Paragrafi i GJENIUT” për pjesëmarrjen në konkurs krahas 19-vjeçarëve, që kishin kryer shkollat e mesme”.  Kështu shprehet për “Shqiptarja.com” Takuina Truja Adami, presidente e EPTA-Albania, shoqatës së mësuesve pianistë shqiptarë që kanë arritur të realizojnë me sukses këtë garë pianistike, duke e sjellë këtë vit në edicionin e 24-të.

Takuina ka qenë njeriu i parë që e ka promovuar Iva Zurbon në Shqipëri që në moshën 7-vjeçare.  Që nga viti 1994, pasi u legalizua EPTA- Albania nga një grup i mësuesve të Liceut Artistik “Jordan Misja”, e drejtuar për 21 vite nga mësuesja Takuina Adami dhe aktualisht nga Klodi Zheji, shoqata ka krijuar ura bashkëpunimi me simotrat e saj në Angli, Itali, Kosovë, Serbi, Gjermani, Francë, Kroaci, Norvegji e Suedi.

Ishte kjo portë e hapur me botën, ku hyri gjithë droje vajza e vogël, por edhe me një trup shumë më të imët se moshatarët e saj, Iva Zurbo. “Ajo u promovua kur mori pjesë në duetet pianistike në dhjetor të 2010-s dhe ngaqë doli shumë mirë, unë e zgjodha të luaj si pianiste, për herë të parë e ftuar si talent i veçantë. Ishte shumë e vogël, 7 vjeç”, -rrëfen Takuina Adami në intervistën për “Shqiptarja.com”.

Intervista e plotë

Zonja Takuina, pianistja 16-vjeçare Iva Zurbo është një nga talenetet e promovuar nga shoqata e mësuesve të pianos EPTA Albania, si i kujton hapat e parë të saj?

– Ajo u promovua në duetet pianistike në dhjetor të 2010-s dhe ngaqë doli shumë mirë, unë e zgjodha të luaj si pianiste, për herë të parë e ftuar si talent i veçantë. Ishte shumë e vogël, 7 vjeç”. Dhe kështu shoqata i ka dhënë mundësinë që ajo të garojë e të shfaqet në çdo aktivitet, si dhe në aktivitetin “Pianisti i ri”. Në takimet me pedagogë të huaj, merita e saj u bë shumë e dukshme. Më pas me ardhjen e profesor Heribert Koch në juri, ndodhi që ai mori përsipër zhvillimin e saj, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Gjermani. Dhe ajo sfidoi, në një konkurs me 100 veta dhe fitoi të drejtën të ndjek që tani në moshën 16-vjeçare direkt studimet universitare me pëcaktimin si gjeni. Iva Zyrbo edhe më 11 nëntor 2015, u shqua për suksesin e jashtëzakonshëm të Koncertit për Piano dhe Orkestër në re-minor të Mozart, që e interpretoi nën drejtimin e dirigjentit H. J. Lovenich, në “Festivalin e Pianisteve të Rinj” në St. Anna.

Gazeta “Aacheren Zeitung” ka shkruar për të:“…loja e pianistes që nuk njeh limite teknike. Demonstroi një personalitet të fuqishëm në interpretimin e saj”. Kështu unë sot kam kënaqësinë të risjell në kujtesë dy foto nga suksesi i Iva Zurbos në koncertin e parë të saj, si e ftuar në Takimin e parë të “Dueteve pianistike”, që tashmë realizohet çdo dhjetor.

Çfarë të ka frymëzuar të kontribuosh me talentet e reja të pianos?

-Në fakt ideja më lindi gjatë kohës kur kisha time bijë që studionte në piano, në fillesat e saj në Shqipëri, ku unë ndjeja edhe mbështetje, edhe bërryla. Ishte fati i saj që ishin ca profesorë të huaj në një konkurs dhe ata e çmuan shumë. Kështu iu dha mundësia të lidhej me botën, me shkollat më të mira. Të huajve u ka bërë përshtypje që talentet e dala nga Liceu Artistik, luanin me program të plotë. Tani ime bijë është pianiste e suksesshme në Holandë. Këtë e mendova edhe për të ardhmen e sigurt të fëmijëve të tjerë. Kështu që në Epta Albania ka gjithmonë një juri me standarde ndërkombëtare dhe kjo tregon nivelin real të vlerësimit. Ata vijnë me dashuri e përkushtim dhe pjesëmarrja shkon deri në 140 veta. Ky ka qenë qëllimi, fryma për të përkrahur talentet dhe ajo ç’ka bëjmë për të zhvilluar dhe komunikimin me botën, që na ka munguar kaq shumë. I ideuar në dy etapa prezantimi: për vlerësimin e tyre nga profesorë të konservatorëve, kryesisht europianë, konkursi ynë stimulon çdo vit talentet tona në promovime koncertale, masterclase brenda e jashtë vendit, si dhe në koncerte me orkestrën tonë të RTSH-së, nën drejtimin e dirigjentit të njohur Oleg Arapi.

Çfarë karakteristikash speciale kishte pianistja e talentuar Iva Zurbo?

-Iva binte në sy për cilësitë, për nivelin shumë të lartë në krahasim me moshatarët e saj dhe vihej re për një studim serioz dhe qëndrim të jashtëzakonshëm. Ajo që e vogël, duket edhe po ta shohësh në fotografi që po bënte një klisandio, dhe pozicioni i dorës së saj ishte një gjë e madhe, po ashtu fytyra dhe përqendrimi i saj i jashtëzakonshëm tregonin dhunti të rralla të saj. Kështu që vitin e kaluar e çuan në Gjermani për një përgatitje shumë të mirë dhe i thanë se do ta fusnin për studime eksperimentale. Ndihem shumë e lumtur për arritjet e saj.

Nga festivali juaj kanë dalë dhjetëra talente, që kanë sot sukses në botë. Mund të na flisni për disa prej tyre që na nderojnë, ashtu si Iva Zurbo?

-Pavarësisht mungesës së mbështetjes nga institucionet, falë sakrificave që kemi bërë; shpesh duke i strehuar profesorët e huaj në shtëpitë tona dhe jo në hotele, meritojmë këtë kënaqësi të madhe, kur marrim lajme të tilla. Shkëlqimi i Iva Zurbos, nuk është një rast i shkëputur. Pas viteve 90′, me ardhjen e Demokracisë, neve na u krijuan mundësitë e komunikimit me botën. E nëse shkolla jonë sapo merrte frymë për të korrigjuar programet, që ishin të cunguara dhe të dominuara nga dogma e “Trekëndëshit revolucionar”, atmosfera e bashkëpunimit midis shkollave jashtë vendit me pedagogjinë europiane, u bë gradualisht realitet. Në këtë aspekt, EPTA- Albania ka dhënë një kontribut të madh. Krijoi bashkëpunimin me European Piano Teachers Assotiation të krijuar më 1978-n në Londër, nga figura e shquar pedagogjike Carola Grindea, që mbolli farën e bashkëpunimit pedagogjik midis perëndimit e lindjes.

Më 1993-shin, ajo kontaktoi me mësuesen tonë të suksesshme Nadiezhda Porodin, dhe i dha idenë e formimit të EPTA- Albanias edhe në Shqipëri. E mbështetur nga Liceu Artistik dhe Universiteti i Arteve, shoqata ka nxitur motivimin e mësuesve e pedagogëve tanë, në përgatitjet e talenteve në 3 deri 4 Festivale Mbarëkombëtare e takime Kombëtare, kryesisht të degës piano, por dhe kanto, me pjesëmarrjen e moshave 6 deri 23 vjeç. Në Juri marrin pjesë profesorë të ftuar nga Konservatorët e ndryshëm europianë.  Si rrjedhim: shumë prej tyre janë në Itali, midis të cilëve pianisti Aredion Liçi, që u vlerësua për 3 vitet e fundit në Konservatorin e Venecias si pianisti më i mirë,duke i dhënë mundësinë për të interpretuar në Koncerte me orkestrën e Teatrit të njohur “La Fenice” çdo vit. Në konservatorin e Triestes shquhen studentët tanë; Kostandin Tashko, ish nxënës i Liceut Artistik, fitues ne 7 Konkurse Ndërkombëtare. Në Holandë është integruar tashmë pianistja Mariola Lishi, në Norvegji, pianistja Dorina Komani po mbron doktoraturen. Në Gjermani, nga vëmendja që tregoi prof. Till Engel, i ftuar nga Akademia e Arteve, që shumë shpejt u bë mbështetësi i të talentuarve të EPTA- Albanies, fillimisht, me pianistët Desar Sulejmani e Deniola Kuraja, që sot janë dirigjentë e pianistë profesionistë. Më pas, një numër i konsiderueshëm pianistësh, të mbështetur nga prof. Tomas Leander dhe Roberto Domingos, tashmë janë integruar në jetën artistike ose pedagogjike. Por, përkushtimin e plotë ndaj talenteve tona, e ka manifestuar që nga viti 2008, Prof. Heribert Koch, pedagog në shkollën e mesme Muzikore si dhe Akademinë Muzikore në Munsten, njëherësh ai është dhe President i EPTA-Gjermanisë. Më 2009-n, ai u bë drejtuesi kryesor i suksesit të motrave nga Vlora; Annarita dhe Lajda Hitaj në promovimin e tyre në Gjermani, ku janë dhe sot.

Çfarë roli ka luajtur Prof. Heribert Koch në promovimin e Iva Zurbos?

-Vëmendjen ndaj promovimit të aftësive të Iva Zurbos e ka nisur me 2015-n. Për rrjedhojë, ajo ka arritur suksese të njëpasnjëshme në skena të ndryshme europiane. Ai ka mbajtur në vëmendjen e tij dhe kujdesin për studenten e suksesshme Fatjona Maliqi nga Kosova, si dhe dhe Nikolin Tukën nga Shkodra e Orenc Gracen nga Elbasani, e shumë e shumë të tjerë. Prof. Koch sapo ka ftuar në “Festivalin Hugo-Staehle për Pianistë të Rinj Nikol Tukën dhe Orenc Gracen që realizohet 29 Shtator-5 Tetor. 15-vjeçarit Orenc Graca i është ofruar interpretimi i Koncertit për Piano dhe Orkestër i kompozitorit Robert Schman, që përbën një nga koncertet më të bukura dhe prestigjioze të literaturës pianistike, në fillim të janarit 2019…..

Shtëpia Botuese Onufri sjell një foto antologjike!

Shtëpia Botuese Onufri bën surprizë dhe sjen foton e Ismal Kadaresë dhe Visar Zhitit bashkë me zonjën e tji Eda Zhiti në një kafe në Tiranë fotografuar më 27 shtator 2018!

Foto Antologjike, e dy kollosëve të kulturës shqiptare!

 

Më 26 shtator 1998 forcat pushtuese serbe kryen masakrën ndaj familjes Deliu në Abri të Drenasit

Më 26 shtator 1998 forcat serbe kryen njërën nga masakrat më të tmerrshme, gjatë luftës në Kosovë, ku u masakruan 23 anëtarë të familjes Deliu, në mesin e tyre gra, fëmijë e pleq, nga mosha gjashtë muajsh e deri në 94 vjeçare.

Më 25 shtator familja Deliu ishte strehuar në mal, për t’i shpëtuar sulmeve shfarosëse serbe.

Një ditë më vonë, më 26 shtator, rreth orës 10:00 paradite, aty kishte depërtuar këmbësoria serbe, ku edhe kanë kryer masakrën ndaj familjes Deliu, që të gjithë civilë.

Familja e masakruar ishte fotografuar nga gazetarët ndërkombëtar, pasi forcat armike nuk kishin arritur që t’i fshehin gjurmët e masakrës, ashtu siç kanë bërë në shumë masakra tjera në Kosovë

MATURANTET 70 VJEÇARE… (OSE, ZEQIRI PUNON SI BLETA…) – Nga Lekë Ndue Rica, Sanxhak, Kurbin

Çifti Zeqir e Sabrie LUSHAJ, 50 vjet bashkë. (Shengjin, Shtator 2018. Foto Lejla Golemi)

Vellezer e motra, ish shokë e shoqe të klases se IV A, të vitit 1967 në shkollen Pedagogjike “Shejnaze Juka” Shkoder.

Lekë Ndue Rica

Atë dite që morem maturen dhe u shperndame neper atdhe, atje ku kishte nevoje, asnjeri nga ne nuk e ka menduar se mbas kaq dekadash, pra, edhe sot pensionistë, do takohemi e gezojme e kujtojme ato vite sebashku. Mbas shperndarjes neper atdhe, mbas 4 dekadash u mblodhem se pari ne Fushe Kruje ne lokalin “Brazil”. Gezim por edhe befasi e madhe per te gjithe… Vendosem qe keto lidhje ti mbajme edhe me te shpeshta  se edhe mosha e ben te veten. Caktuam daten 20 shtator per tu takuar diku sebashku per të thirrur emrat si dikur, në regjistrin shkollorë, per te risjelluar kujtimet tona, per te ngrene nje dreke se bashku e per te berë disa foto.

Sot na ka mbledhur ne shtepine e tij shoku yne nga me te miret Zeqir Lushaj, ketu ne pyllin me pisha te Rana e Hedhur ne Shengjin, ne kete ambjent te mrekullueshem qe familja LUSHAJ e ka ngritur me shume pune e djerse per shume vite.

Pozicioni gjeografik, planvendosja ne kete koder ku ka ne shikim jo veç detin Adriastik por krejt Lezhen e deri ne malet e Krujes, malin e Shengjinit e Velipojen deri ne vargmalet e Krajes, jo vetem ti mbushe zemren e mushkrite me oksigjen por e ben kete pike turistike te lakmueshme, do te thoja pa frikë, edhe per njeriun me te pasur te botes. I pari nga klasa jone Zeqiri punoi ne Tirane, ne gazeten “Zeri i Rinisë” qe ne vitet ’70. Per 22 vjet ne shtyp e organizatat qendrore te masave, ai krijoi personalitetin e tij te admirueshem si publicist, aktivist shoqror e politik, si autor librash te te gjitha gjinive.

Jo vetem gjate ketyre viteve te punes ne  Shqiperi por edhe rreth dy dekada ne Amerike ku punoi e jetoi ne NJ të SHBA, Zeqiri mbajti lidhje te panderprera jo vetem me Tropojen e tij por edhe me shoket e shoqet e shumte ne te kater anet e atdheut.

Zeqiri bashke me shoqen e jetes Sabrien, sot jane shtetas amerikan, pensioniste shqiptare e amerikan njerez te respektuar nga te gjithe. E lane Ameriken e erdhen ne Shqiperi, e lan Tiranen ku kane jetuar rreth 3 dekada ku kane edhe nje shtepi te bukur dhe erdhen ketu ne Shengjinin bregdetar ne legjen e At Zef Pllumit, ne perlen shqiptare me emrin Rana e Hedhur.

Të  behet zemra mal kur sheh jo vetem shtepine por bahçen e bukur ku me doren e tyre Zeqiri e Sabrieja si dhe djali i tyre Lulzimi (i cili jeton tash 26 vjet ne Lozanë të Zvicrres), kane mbjellur te gjitha pemet e nje ferme simpatike, me rrush, ullinj, mollë, dardhe, pjeshka, hurma, te gjithe llojet e agrumeve etj etj.

Ja pra mes gureve, mes shkurreve e pyllit te thatë, mes ferrave e shegave te egra çfare ben syri e dore e njeriut punetor. Se Zeqiri punon si bleta e jo si gjinkalla.

Ish klasa jone e IV A, e vitit 1967 e shkolles Pedagogjike “Shejnaze Juka” Shkoder mburret me Zeqirin si dhe me tre shoket e tjere te klases autor librash Kolec Traboini, Frrok Vukaj e Bajram Gashi. Ndaj Zeqiri kishte te drejte kur ne pershendetjen e tij  veçoi sidomos ish pedagoget e letersise te atyre viteve en Shkoder qe na kane dhene mesim si Tomorr Osmani, Fadil Podgorica, Selami Tabaku e Vebi Troshani.

-Shikoni Zeqirin e Frrokun, edhe tani jane ulur prane njeri tjetrin, ashtu siç ishin shoke te pandare banke per 4 vjet ne pedagogjike, aty ne rrjeshtin e mesit, ne fund te klases…!

Dhurate e paharruar e kesaj dite do te jen edhe pakot me librat e Zeqirit qe i morem te gjithe shoket e shoqet e klases per ti lexuar e mbajtur ne bibliotekat tona.

…!

Në kete shtepi ku jemi mbledhur e po gezojme sot vijne shume shoke e miq jo veç nga Shqiperia por edhe nga jasht atdheut Ketu vijne shoket e femijerise se Zeqirit nga Tropoja, vijne ata te shume viteve pune të Komitetit Qendror te Rinise, te Frontit Demokratik, shoket e shtypit Qendror, vijne nga Amerika , vij ne nga Kosova miq e dashamire e sidomos shume krijues. Por, ne te sotmit jemi me te privilegjuarit nga te gjithë, se ne  jemi shoket e shoqet me te vjeter, jemi maturantet 70 vjeçare. Dhe jo vetem te Zeqirit.

I degjuat kur folen këtu Gjergj Kola, Frrok Vukaj, Shaqir Aga etj. Me shume se per Zeqirin folen per babain e Zeqirit, per Sadik Selmanin e Grisë te cilin e kane njohur nga afer dhe e vleresojne kaq lart. Pra, stafeta e mikepritjes jo veçse vazhdon por edhe naltohet në breza.

Duke perfundur kete pershendetje te thjeshte ne emer te te gjithe shokeve e shoqeve te klases i urojme Zeqirit e Sabries, te cilet kete shtator festuan edhe 50 vjetorin e jetes bashkshortore, jëtë të gjatë e sa me te lumtur.

Zoti ua shtofte bujarine e gjithe te mirat e kesaj bote.

Me shume respekt e dashuri,

Lekë Ndue Rica,

-Rana e Hedhur, Shengjin, 20 Shtator 2018-

Më 23 shtator 1939 u nda nga jeta Sigmund Freud, gjeniu i psikanalizës

Sigmund Freud (Zigmund Frojd 1856 – 1939) lindi më 6 maj të vitit 1856 në Freiberg, një qytet në Mähren (Çekia e sotme), mjek, neurolog austriak dhe pionier i psikoanalizës.[1]

Biografia

Familja e tij i takonte kulturës hebraike në ketë qytet dhe ky ishte një nga 130 hebrej në një qytet të banuar nga 4500 banorë. Frojdi filloi universitetin në moshën 17 vjeçare, por nuk u promovua si mjek pas provimeve derisa i plotësoi 25 vjet. Por kur u promovua, ai u punësua menjëherë në spitalin e Vjenës. Në vitin 1903 Frojdin e takojmë si profesor, pas 17 vitesh përvoje pune në profesion (koha normale ishte tetë vjet), ndërsa në vitin 1886 u martua dhe kishte gjithsejt gjashtë fëmijë.

Teoria Froidiane

Puna e parë e Frojdit në teorinë e psikoanalizes ishte ”Studie über Hysterie” të cilën e shkroi së bashku me kolegun e tij të punës Joseph Breuer (Jozef Brojer). Ky libër u botua në vitin 1895, pra nëntë vite, pas hapjes së klinikës së tij private. Libri i parë të cilin ai e shkroi vetë ishte ”Traumdeutung” – “Ëndërrshpjegim” që doli në qarkullim në vitin 1899.

Në fillim më 1902 një grup studjuesish u interesua aq shumë rreth këtij libri saqë filluan të takohen me Freudin çdo javë në shtëpinë e tij për të diskutuar idenë e librit të ëndrrave dhe shkrimet e tjera në të.

Frojdi shkroi edhe një sasi të madhe librash dhe artikujsh mbi psikoanalizën në fillim të vitit 1900. Në këtë kohë, ai ishte 40 vjeç, që zakonisht mendohej si një moshë produktive në bazat shoqërore.

Në vitin 1908 u formua shoqata e psikoanalistëve, ku në fakt, shumë studiues të jashtëm udhëtonin shpesh në Vjenë për të studjuar tek Frojdi dhe për ketë edhe mori edhe shumë urime dhe premtime dhe komplimente.

Në vitin 1909 Frojdi u bë mjek nderi në Clark University në Amerikë dhe po në të njëjtin vit u mbajt edhe kongresi i parë mbi psikoanalizën në Salzburg të Austrisë. Frojdi u propozua edhe për marrjen e çmimit Nobel, por edhe pse zbuloi shumë, kontribuoi shumë dhe dha teori të rëndesishme, ai nuk e mori kurrë ketë çmim.

E bija e tij Anna Freud filloj që të shkojë së bashku me të nëpër seminare të ndryshme dhe e zëvendësonte edhe atë nganjëherë. Anna e cila shkoj për analiza tek babai i saj dhe e studijoi psikoanalizen tek ai, ishte edhe si sekretare e tij, infermiere por edhe si kolege më e besuara e tij.

Përforcimi i nazistëve në Gjermani dhe përndjekja e hebrejve krijoi një pasiguri tek Frojdi. Në një bashkëpunim të hershëm në lidhje me një libër Woodrow Wilson (kryetar i Amerikës) Frojdi e njihte ambasadorin amerikan në Francë William Bullin dhe kishte marrëdhënje të mira me të. Ky e ndihmoi Frojdin që të dalë në Angli për shkak të pasigurisë së tij në Gjermani, e gjithë kjo ndodhi në vitin 1938, kur ai kaloi në Angli.

Në vitin 1923 Frojdi u diagnostikua me kancer në gojë dhe për këtë shkak ai bëri me dhjetëra operacione që në fillimet e para të sëmundjes në Austri. Pak pasi mbërritjes së tij në Angli, dhimbjet e tij u rritën aq shumë saqë ndikuan që te kërkonte nga mjeku i tij, aplikimin e një doze morfine vdekjeprurëse më 23 shtator të vitit 1939.

Sëmundja me kancer

Në shkurt të vitit 1923, Frojdi zbuloi se ishte me leuçemi, semundja ishte e lidhur me pirjen e duhanit në mënyrë të vazhdueshme dhe sasi të mëdha, e cila ishte malinje dhe iu rrit në gojë. Frojdi fillimisht e mbajti këtë sekret, por në prill të vitit 1923 ai informoi Ernest Jones, duke i thënë atij se rritja ishte hequr. Frojdi u konsultua me dermatologun Maximilian Shtajner, i cili e këshilloi për të lënë duhanin, por e gënjeu në lidhje me seriozitetin e rritjes së sëmundjes, duke minimizuar rëndësinë e saj. Frojdi më vonë takoi Felix Deutsch, i cili e pa se rritja ishte kanceroze; ai e identifikuar atë përdorur eufemizëm “një leukoplakia e keqe” në vend të epitheliomës teknike të diagnozës. Deutsch këshilloi Frojdin të ndalonte pirjen e duhanit dhe të hiqte masën kancerogjene. Frojdi u trajtua nga Marcus Hajek, një rhinologist për kompetencat e të cilit ai kishte dyshime me përpara. Hajek kreu një kirurgji kozmetike të panevojshme në klinikën e tij. Frojdi pati gjakrrjedhje gjatë dhe pas operacionit dhe mezi i shpëtoi vdekjes. Deutsch pa se duheshin operacione të tjera por nuk i tha Frojdit se ai kishte kancer, sepse ai ishte i shqetësuar se Frojdi mund të kryente vetëvrasje. [2]

Kronologjia jetësore

  • 1860 – Vendosja e familes në Vjenë
  • 1865 – Fillimi i Liceut
  • 1873 – Fillimi i Universitetit
  • 1873 – Udhëtim në Angli
  • 1877 – Publikimi i parë shkencor
  • 1878 – Sigismund ndryshon emrin në Sigmund
  • 1876 – 1882 Punë kërkimore në laboratorin Brücke
  • 1881 – Doktoratura në mjekësi

Referenca dhe shënime

  1. ^Pasho Baku: Enciklopedia universale e ilustruar. Shtëpia Botuese Bacchus, Tiranë, 2011, fq. 342
  2. ^Gay 2006, pp. 419–420

“Millosheviçi iu shit Gjykatës së Hagës për 10 milionë dollarë”

Publicisti serb Miroslav Lazanski ka bërë një pohim “shokues”, pasi sipas tij, ish–kryetari i Serbisë dhe i akuzuari i Hagës për krime lufte në Kosovë, Sllobodan Millosheviç, “iu shit Gjykatës së Hagës për 10 milionë dollarë”.

Këtë informatë, e ka konfirmuar edhe avokati i njohur Toma Fila, i cili ka theksuar se njerëz nga Presidenca shumë herë i kanë thënë se ai nuk është dorëzuar më 28 qershor 2001, por është shitur.

Siç shkruan “Kurir”, Lazanski në debatin televiziv në “rts” me liderin e Partisë Liberale Demokratike të Serbisë Çedomir Jovanoviçin, ka thënë se “është krejtësisht e qartë se dikush ka marrë para për kokën e Millosheviçit”.

“E kanë shitur kryetarin Millosheviç! Ka ekzistuar çmimi 10 milionë dollarë. Kush i ka marrë ato para s’e di, por është e qartë se dikush i ka marrë, sepse po të mos i merrte do të bëhej i marrë. Milosheviçi është shitur kur e arriti çmimin më të lartë. Mu sikur është shitur Mlladiqi, mu sikur është shitur Karaxhiçi”, ka theksuar Lazanski, pa përmendur se tek kush dyshon.

“Luani i shkretëtirës”, 87 vite nga ekzekutimi i Omer Muhtarit

Kanë kaluar 87 vite që nga ekzekutimi i Omer Muhtar, i cili u bë një simbol botëror me rezistencën që ai kreu kundër forcave pushtuese italiane në Libi dhe u quajt “Luani i shkretëtirës”.

Muhtar, i cili lindi në rajonin malor Xhebel Ahdar të Libisë, në vitet 1860, u arsimua në medresenë e Lëvizjes Senusi. Muhtari i cili tregoi një sukses në arsimimin e tij dhe tërhoqi vëmendjen e krerëve të lëvizjes në vitin 1899 ai kreu një luftë të armatosur kundër punimeve koloniale dhe misionare të francezëve.

Italia në vitin 1911 duke nisur luftën e saj pushtuese ndaj Libisë sulmoi Tripolin dhe Bengazin. Forcat italiane kërkuan dorëzimin e forcave osmane që ndodheshin në rajon, por këto të fundit duke refuzuar këtë bashkë me njësitë e mbrojtjes lokale të Libisë luftuan kundër italianëve duke u tërhequr në pjesët e brendshme të vendit.

Pasi njësitë osmane u tërhoqën në Anadoll pas shpërthimit të luftës ballkanike, italianët morën nën kontroll rajonet Tripoli, Fezzan dhe Cyrenaica të Trablusgarp (Tripolitania).

Omer Muhtar, i cili ishte mësues i Kur’anit dhe shkencave islame, u shkaktoi goditje të mëdha italianëve përmes taktikave luftarake strategjike, meqenëse njihte nga afër rajonin. Ai mori nofkën “Luani i shkretëtirës” nga suksesi që tregoi në luftë, ndërsa rezistoi për 22 vite kundër okupimit italian edhe përkundër moshës së shtyrë, duke kthyer shumë guvernatorë okupatorë në vendin e tyre me disfatat që u shkaktoi.

Pas ndryshimeve ne qeverinë italiane me ardhjen në krye të qeverisë kreu fashist Benito Mussolini, emëroi në rajon si guvernator italian në vitin 1930 gjeneralin Radolfo Graziani.

Pasi forcat italiane të udhëhequra nga Graziani dështuan në përpjekjet kundër forcave të rezistencës kombëtare, në vitin 1931 Italia ndërmori një taktikë të re të përgjakshme në rajon, me miratim edhe nga Musolini.

Rreth 100 mijë civilë nga popullata lokale në rajonin Xhebel Ahdar u mblodhën në kampe përqendrimi në rripin bregdetar dhe njëkohësisht u mbyll kufiri me Egjiptin, duke e mbyllur kështu linjën mbështetëse për rezustencën libiane.

Njësitë Senusi të kryesuara nga Muhtar vazhduan përpjekjen e tyre, megjithatë, pas sulmeve të bashkëpunëtorëve vendas me italianët dhe sulmeve ajrore të italianëve, Muhtar u zu në pritë më 11 shtator të vitit 1931 në rajonin Slonta, ku ai u plagos dhe u kap.

Ai u dënua me vdekje nga një e ashtuquajtur gjykatë në kampin ku forcat italiane kishin burgosur të kapurit në luftën në Slonta, ndërsa më 16 shtator të vitit 1931 u ekzekutua.

Komandanti italian Graziani pas njohjes me Omer Muhtarin kishte thënë: “Ishte me përmasa mesatare, me trup të mbushur, me flokë, mjekër dhe mustaqe të bardha, ishte i shkathët dhe i zgjuar, i pajisur me dije fetare, energjik dhe kishte karakter të fortë. Ishte vetë-sakrifikues dhe i papërkulur. Edhe pse ishte një nga liderët më të spikatur të Lëvizjes Senusi, ai mbeti i devotshëm dhe i varfër”.

“Luani i shkretëtirës” në kinematografi

Përpjekja e Omer Muhtarit, i cili u shndërrua në hero kombëtar në Libi për rezistencën kundër italianëve, është shfaqur edhe në kinematografinë e Hollywoodit. Regjisori sirian, Mustafa Akkad, i cili njihet për filmin “Mesazhi”, në filmin “Luani i shkretëtirës” (1981) solli para spektatorëve rezistencën e Omer Muhtarit.

Filmi u financua edhe nga lideri libian i asaj kohe, Muammer el-Gadafi, ndërsa rolin e Omer Muhtarit e luajti aktori i çmimit Oscar, Anthony Quinn.

Fjalët “Ne jemi popull që nuk e dimë çfarë është dorëzimi, o fitojmë, o vdesim” që në film i atribuohen Omer Muhtarit, libianët i shfaqën në pankarta gjatë ngjarjeve që u emërtuan si “Pranvera Arabe”.

Destabiliteti në Libi

Me ndërhyrjen ushtarake të NATO-s në procesin e “Pranverës Arabe” në vitin 2011 u rrëzua qeveria e Muammer el-Kaddafi i cili qeverisi Libinë për 42 vite me “grushtin e hekurt”. Por Libia që prej 7 vitesh është skenë e një lufte të përgjakshme për pushtetin dhe burimet natyrore të grupeve të luftës të mbështetura nga forcat rajonale.

Sot, Libia po kërkon zgjidhje për të arritur stabilitetin, duke treguar përpjekje kundër sulmeve me bomba, atentateve, ekzekutimeve pa gjyq, konflikte të brendshme dhe depresionin ekonomik.

Foto e ditës: Poeti Fatos Arapi me dy fanset e tij!

Këtë foto të rrallë e gjetëm në profilin e krijueses Dituri Meçi Dizdari. Aty kanë dalë poeti Fatos Arapi, Dituria dhe vajza e saj Fjoralba Dizdari, fytyra e njohur që jemi mësuar ta shohim kur na bën prognozat e motit tek ABCNews.

Fotografia është shkrepur 3 vjet më parë dhe ka një vlerë të madhe dokumentare e njerëzore pasi Fatos Arapi për shkak të moshës është mbyllur në “Kullën e fildishtë” të poetëve.

 

Poezi nga Fatos ARAPI

Nuk mbyllen dot…

S’kam fuqi më as të trishtohem
Jemi anije pa spirancë
Mes erërave të egra të kundërta.
Peshqit Ilafazanë shurdhojnë qiellin
Më jepni ju një copë ironie,
Se nuk e gjej dot në veten time,-
Një copëz ironie
Sa gjysmëz e krahut të zogut,-
Të mbrohem nga shirat e verdhë
Të predikimeve të apostujve të lajthitur.
Të gjithë na kanë faj dhe askush:
Deshëm të krijohemi në asgjësimin tonë
Tani gjithë dritaret e shpirtit
Janë hapur, bymyer e kalbur
Nga shirat e lotëve,-
Dhe s’mbyllen më dot.

Mund të hyjë kush të dojë.