VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

McCain kritikon Trumpin për urimin ndaj Putinit

By | March 21, 2018

Komentet

Jimmy Carter shtrohet në spital

Jimmy Carter, 2015.

Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara, Jimmy Carter, u shtrua në një spital në Atlanta për një procedurë në tru.

Qendra Carter tha se ish-presidentit duhet t’i ulet presioni, i shkaktuar nga gjakderdhja.

Carter, 95 vjeç, është udhëheqësi më i vjetër i gjallë i Shteteve të Bashkuara.

Ai ka qenë presidenti i 39-të dhe ka shërbyer nga viti 1977 deri më 1981.

Carter është mundur në garën për rizgjedhje nga Ronald Reagan.

Që pas largimit nga Shtëpia e Bardhë, ai ka mbetur aktiv, duke bërë punë humanitare me Qendrën e tij Carter.

Në vitin 2002, ai ka marrë Çmimin Nobel për Paqe për vepra humanitare.

Megjithë kritikat, Trump i vendosur të takohet me homologun turk

Trump dhe Erdogan në korrik 2018

Presidenti amerikan Donald Trump do të presë më 13 nëntor në Shtëpinë e Bardhë homologun e tij turk, Recep Tayyip Erdogan. Vizita vjen vetëm disa javë pas ofensivës turke kundër luftëtarëve kurdë në Siri, të cilët për një kohë të gjatë ishin aleatë të Shteteve të Bashkuara në luftën kundër terroristëve të Shtetit Islamik.

Ligjvënës në SHBA nga radhët e të dyja partive e kritikuan Presidentin Trump për tërheqjen e trupave amerikane nga Siria. Demokratët kritikuan edhe ftesën për vizitë të zotit Erdogan, ndërkohë që Turqia vazhdon të sulmojë kurdët.

Sulmet e Turqisë kundër forcave kurde në veri të Sirisë nxitën thirrjet e shumë anëtarëve të Kongresit që Shtetet e Bashkuara të ndërmarrin sanksione të fuqishme ekonomike ndaj Turqisë.

“Do të vazhdojmë thirrjet për sanksione ekonomike, të cilat do të veprojnë për aq kohë sa qeveria e Erdoganit sulmon aleatët tanë në luftën kundër ISIS-it, Forcat Demokratike Siriane”, i tha shërbimit turk të Zërit të Amerikës senatori demokrat Chris Van Hollen.

Një senator tjetër i kërkoi Presidentit Donald Trump që t’i tregojë Kongresit, se si do të sigurohet që Shteti Islamik nuk është ringjallur pas tërheqjes së trupave amerikane. Senatori Chuck Schumer e bëri po ashtu të qartë se nuk pajtohet me ftesën e zotit Trump për Presidentin turk Erdogan.

“Sinqerisht, është e habitshme se si Presidenti Trump po i shtron qilimin e mirëseardhjes një autokrati, veprimet e fundit të të cilit kërcënuan aleatët dhe partnerët tanë”, tha senatori demokrat Chuck Schumer.

Presidenti Trump i dërgoi letër homologut të tij Erdogan ditën kur filloi ofensiva turke, muajin e kaluar, ku thuhej “Mos luaj të fortin. Mos u bëj i marrë”. Zoti Erdogan e quajti letrën akt të pasjellshëm. Prandaj, ishte e paqartë nëse vizita në Shtëpinë e Bardhë do të realizohej.

Por ekspertët thonë se megjithtë kritikat për mundësinë e krimeve të luftës në Siri, të dy presidentët Trump dhe Erdogan shpresojnë të riafirmojnë lidhjet e vjetra midis dy vendeve aleate të NATO-s.

“Kur hedh sytë nga Shtetet e Bashkuara, Presidenti Erdogan shikon vetëm një mik në të gjithë vendin. Për fatin e tij, është një mik shumë i rëndësishëm, është presidenti i Shteteve të Bashkuara. Zoti Trump sheh një udhëheqës në Turqi, me të cilin pajtohet, për çfarëdo arsye, ndoshta sepse kanë një botëkuptim të ngjashëm në jetë…”, thotë eksperti Alan Makovsky i Qendrës për Zhvillimin Amerikan.

Eksperti i tha Zërit të Amerikës se megjithë letrën, Presidenti Trump duket se e admiron kokëfortësinë e Erdoganit dhe dëshiron të punojë me të. zëri i amerikës

Aaron Sorkin letër të hapur Mark Zuckerberg për fjalën e lirë – Mark Zuckerberg i përgjigjet Sorkin me Sorkin

Ka patur shkëmbime midis Aaron Sorkin dhe Mark Zuckerberg në lidhje me lirinë e fjalës. Aaron Sorkin që ka marrë Oskar si skenaristi i filmit që i dedikohet krijuesit të rrjetit social i drejtohet Zuckerberg përmes një Letre të Hapur në NYT. Nga ana e tij Mark Zuckerberg reagon në shtëpinë e tij, dmth në Facebook përmes një monologu shkëputur po nga një film i Aaron Sorkin, i “The American President”, 1995. Pra, Mark Zuckerberg i përgjigjet Sorkin me Sorkin. Përkthimi nga Rafaela Prifti.

 

LETER E HAPUR E AARON SORKIN PER MARK ZUCKERBERG DHE REAGIMI I TIJ

 

Mark,

Në vitin 2010, shkruajta skenarin e filmit “Rrjeti Social” dhe e di e se ti do doje të mos e kisha shkruar. Ti protestove se filmi kishte pasaktësira dhe se Hollivudi nuk e di se ç’do të thotë të bësh një gjë vetëm për hir të këtij akti. (Në të vërtetë e dimë mirë – me këtë punë merremi për ditë.)

Nuk iu kundërvura akuzave të tua publike ndaj filmit si trillim sepse kam kaluar një pjesë të mirë të jetës në teatër, por ti ashtu si edhe unë e di mirë se skenari është kontrolluar me mikroskop nga një ekip avokatësh të studios së filmit që punojnë për një klient dhe një qëllim: Të mos paditen nga Mark Zuckerberg!

Ironia nuk më shqitej kur lexoja copëza nga fjalimi yt në Georgetown University, ku ti mbroje në emër të lirisë së shprehjes, modelin e Facebook-ut për reklamat me përmbajtje të pavërtetë publikuar nga kandidatët e fushatës. E admiroj përkushtimin tënd ndaj lirisë së shprehjes. Edhe unë e kam fort për zemër Amendamentin e Parë. Por edhe më me rëndësi është fakti që është gurthemeli i demokracisë sonë dhe duhet të qëndrojë i patundur.

Prandaj kjo nuk mund të jetë pasoja që dëshirojmë ti dhe unë, që të zbrazësh gënjeshtra në rezervat e ujit të cilat qelbin vendimet më të rëndësishme që duhet t’i marrim bashkarisht. Ato mashtrime kanë efekte konkrete dhe shumë të rrezikshme për rezultatet e zgjedhjeve, për jetën tonë dhe atë të fëmijve tanë.

Mos permend Lari (Larry) Flint. As Lari Flint nuk do ta thoshte këtë. Nuk mund të bësh krahasim me industrinë pornografike prej së cilës njerëzimi nuk pret të marr informacion. Gjysma e popullsisë amerikane thotë se Facebook-u është burimi kryesor i lajmeve për ta. Zgjidhja e problemit do ishte që ata të drejtoheshin tek një tjetër burim lajmesh ose që ti të vendosësh që Facebook-u të publikojë informacion të verifikuar.

Në afishen e filmit “Rrjeti Social” është shkruar batuta ‘Nuk mund të bësh 500 milion veta miq pa bërë disa armiq.’ Kjo shifër është tejkaluar disa herë sepse pas nëntë vitesh një e treta e planetit përdor Facebook-un.

Dhe pikërisht aty, ka një publikim që deklaron se Xho Biden i pagoi një miliardë dollarë Prokurorit të Ukrainës për të mos e hetuar djalin e tij. Çdo milimetër e publikimit është gënjeshtër dhe mban logon tënde. Kjo nuk është mbrojtje e lirisë së shprehjes, por vrasja e së vërtetës.

Ti dhe unë e mbrojmë lirinë e shprehjes për të mos lejuar që dikush të burgoset apo eliminohet sepse tha diçka që nuk gëzon popullaritet por jo për t’i hapur rrugën gënjeshtrave drejt e tek elektorati amerikan.

Edhe pasi skenari im për filmin “Rrjeti Social” i plotësoi kërkesat e ekipit ligjor të studios Sony, ne dërguam një kopje –sipas premtimit në një takim – tek një grup nëpunësish të kompanisë tënde dhe i ftuam të jepnin sugjerime. (Një prej tyre pyeti nëse mund të ndërroja emrin e universitetit të Harvard-it dhe nëse duhej të ishte në film emri i kompanisë Facebook.)

Pas përfundimit të xhirimeve të filmit, caktuam një shfaqje preliminare për drejtuesen operative, Sheryl Sandberg. Ajo u ngrit në këmbë në mes të filmit, u kthye nga producentët në fund të sallës dhe tha: “Si mundeni t’ia bëni këtë një çilimiu?” (Ti ishe 27 vjeç në atë kohë por nejse, e marr vesh se ç’donte të thoshte.)

Unë uroj që drejtuesja e Facebook-ut të hyj në zyrë dhe të anoj pakëz nga ty (siç sugjeron ajo në librin e saj) dhe të thotë: “Si mundet t’ua bëjmë këtë dhjetra milionë çiliminjve? Vërtet do publikojmë se Kamila Harris ndërsente zagarë në bodrumin e një picerie ndërsa Elizabeth Warren zhduku provat që vërtetojnë se ndryshimi i klimës është fars apo se klika sekrete shtetërore i ka shitur drogë Rashida Tlaib dhe Colin Kaepernick-ut?”

Nuk është formuluar – ende – ligji që kërkon përgjegjësi platformës që mbart reklama të publikuara nga përdoruesit për përmbajtjen e reklamës së publikuar në të, siç ndodh me studiot e filmave, rrjetet televizive dhe botuesit e librave e revistave. Pyet Peter Thiel, që financoi një padi ligjore për shpifje kundër platformës Gawker dhe e çoi në falimentim deri në mbyllje të biznesit. (Duhet ta kesh numrin e tij në telefon sepse ka qenë një nga investuesit e parë për Facebook.)

(Aaron Sorkin është dramaturg dhe skenarist amerikan, me prodhimtari shumë të suksesshme në teatër dhe film. Për përshtatjen e skenarit të filmit “Social Network” 2010 (Rrjeti Social), Sorkin u nderua me çmim Oskar nga Akademia e Kinematografisë.)

 

Reagim: Mark Zuckerberg i përgjigjet letrës së Aaron Sorkin botuar në Nju Jork Tajms duke cituar një monolog nga skenari i një filmi tjetër të Sorkin, “Presidenti Amerikan” 1995:

“Amerika nuk është e kollajshme. Amerika është qytetari e përparuar. Duhet ta duash me gjithë shpirt se ta përplas në fytyrë. Dhe të thotë: Ti ngrihesh në mbrojtje të lirisë së shprehjes? Ta shikojmë sa do ta mbrosh kur dikush flet për gjëra që të përvëlojnë shpirtin dhe nga mesi i skenës trumbeton me të madhe krejt të kundërtën e asaj të cilës ti, me të njëtin pasion, ia ke përkushtuar gjithë jetën. Ti deklaron se kjo tokë është vendi i lirive? Atëherë simboli i vendit nuk mund të jetë një flamur; sepse në atë rast duhet të jetë edhe imazhi i nënshtetasit që ushtron të drejtën e vet ta djegë atë flamur në shenjë proteste. Manifestoje këtë, ngrihu në mbrojtje të kësaj dhe thuri nderime në çdo klasë shkolle. Pastaj, çohu dhe këndo për tokën e lirë.”          

Përktheu: Rafaela PRIFTI  

Trump: Nuk jam i shqetësuar nga hetimi

Presidenti i SHBA Donald Trump tha se ai nuk është i shqetësuar në lidhje me hetimin e Dhomës së Përfaqësuesve, tani që dëshmitë do të bëhen të hapura për publikun. Por ai tha se nuk dëshiron ta mbështesë procesin duke lejuar ndihmësin e tij kryesor të dëshmonte të premten.

Duke folur para gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti Trump nuk u kushtoi rëndësi teksteve të zbardhura të dëshmive me dyer të mbyllura nga ana e zyrtarëve të tjerë që tashmë janë bërë publike.

Demokratët në Dhomën e Përfaqësuesve po hetojnë mbi akuzat se Presidenti republikan i ka bërë presion Ukrainës për të hetuar rivalin e tij politik, ish-nënpresidentin Joe Biden, i cili kandidon për zgjedhjet e 2020s.

Presidenti kritikoi gjithashtu demokratët për zhvendosjen e hetimit të tyre në seanca të hapura për publikun javën tjetër.

“Ata nuk duhet të zhvillojnë seanca dëgjimore publike; ky është një mashtrim,” tha Presidenti Trump, i cili ka mohuar se ka bërë ndonjë shkelje.

Ai akuzoi demokratët se po kërkonin njerëz që e urrejnë presidentin dhe tha se ai nuk ishte i njohur me shumicën e dëshmitarëve, të cilët mes të tjerash përfshijnë një numër zyrtarësh të lartë të Departamentit të Shtetit.

“Unë nuk jam i shqetësuar për asgjë. Për mua dëshmitë nuk kanë asnjë problem. Dua të them, në pjesën më të madhe, as që i kam dëgjuar këta njerëz. Nuk e di se kush janë,” u tha ai gazetarëve.

“Le të gjejmë 10 personat që urrejnë më shumë Presidentin Trump dhe le t’i sjellim atje”, shtoi ai.

Hetuesit vazhdojnë të kërkojnë dëshmi pas dyerve të mbyllura nga zyrtarë dhe ish-zyrtarë, përfshirë edhe nga shefi i stafit në detyrë të Presidentit Trump, Mick Mulvaney.

Zotit Muvaney iu kërkua të enjten mbrëma të paraqitej për dëshmi të premten, por ai nuk u paraqit. Shtëpia e Bardhë ka thënë se nuk do të bashkëpunojë me hetimin e Kongresit. zëri i amerikës

Tre vjet nga zgjedhja e Presidentit Trump

8 nëntori shënon përvjetorin e tretë të zgjedhjes së Donald Trumpit si Presidenti i 45-të i Shteteve të Bashkuara në vitin 2016.

Zoti Trump mbetet një personazh i fuqishëm në politikën amerikane. Por përvjetori i tretë i ardhjes së tij në pushtet vjen në një kohë kur ai po përballet me kërcënimin më të madh ndonjëherë për presidencën e tij: hetimin për shkarkim, të udhëhequr nga demokratët e Kongresit, lidhur me dyshimet për përpjekjet e tij për të bërë presion ndaj Ukrainës për të hetuar rivalin politik Joe Biden.

Korrespondenti i Zërit të Amerikës Jim Malone sjell më shumë informacion nga Uashingtoni.

Kanë kaluar tre vjet nga ajo natë nëntori kur Donald Trump tronditi botën me zgjedhjen e tij si presidenti i 45-të i Amerikës

“Ju them republikanëve, demokratëve dhe të pavarurve në të gjithë vendin, se është koha që të bashkohemi si një popull i tërë,” tha President Donald Trump​.

Kjo thirrje e hershme për unitet u zbeh shumë kohë më parë.

Zoti Trump tani po mbështetet tek baza e tij besnike e përkrahësve që së pari t’i rezistojë procesit të shkarkimit, dhe më pas ta ndihmojë në përpjekjet për t’u rizgjedhur vitin e ardhshëm.

“Në këtë luftë është në rrezik vetë demokracia amerikane. Mos u gënjeni. Kjo është ajo që ata duan. Ata po shkatërrojnë këtë vend, por ne kurrë nuk do ta lejojmë që kjo të ndodhë. Asnjëherë”, tha President Donald Trump​.

Hetimi për shkarkimin e Presidentit nga Dhoma e Përfaqësueve është përqendruar në dyshimet për përpjekjet e zotit Trump për të bërë presion ndaj Ukrainës për të hetuar rivalin politik Joe Biden.

Zoti Biden e ka vënë çështjen në qendër të përpjekjeve të tij për të fituar kandidaturën presidenciale të Partisë Demokrate vitin e ardhshëm.

“Ai thotë se do të ketë luftë civile. Ky njeri nuk është mirë mendërisht. Nuk është mirë. Jam i shqetësuar se çfarë do të bëjë. Jo për mua apo familjen time. Jam i shqetësuar çfarë do të bëjë vitin tjetër të presidencës së tij”, tha zoti Biden.

Ashtu si shumë çështje gjatë presidencës Trump, edhe hetimi për shkarkimin po luhet përgjatë linjave partiake, thotë analisti John Fortier:

“Demokratët besojnë se presidenti ka bërë diçka të gabuar. Ata mendojnë se do të sjellin më shumë prova duke shpresuar se do të kthejnë opinionin publik kundër presidentit dhe ndoshta do ta shkarkojnë atë nga detyra. Republikanët nga ana tjetër, po shikojnë tek rastet e shkuara si ky, për të thënë se kjo lëvizje mund të jetë diçka që do t’i dëmtojë vetë demokratët ose të paktën nuk do të shkaktojë problem”.

Anketat tregojnë se vlerësimi për punën e presidentit Trump është pak më shumë se 40 përqind, një vlerësim historikisht i dobët për një president në detyrë që përpiqet të luftojë kundër shkarkimit dhe të kërkojë të rizgjidhet në të njëjtën kohë.

Por nënvlerësimi i mbështetjes që ka Trumpi tek baza e tij politike është i rrezikshëm, thotë strategu republikan John Feehery:

“A po japin ekspertët e Uashingtonit një vlerësim të gabuar për Trumpin? Absolutisht. Ata nuk e kanë idenë e fuqisë së tij tek baza. Një nga arsyet që ata e mbështesin është mbajtja e premtimeve dhe përparimi në ekonomi.”

Edhe nëse zoti Trump akuzohet përfundimisht nga Dhoma e Përfaqësuesve e kontrolluar nga demokratët, ai ka të ngjarë t’i mbijetojë një procesi gjyqësor në Senatin e kontrolluar nga republikanët, thotë analisti William Galston:

“Kam besuar që në fillim të diskutimeve për shkarkimin e tij, që filluan më shumë se një vit më parë, se nëse demokratët duan ta heqin Presidentin Trump nga detyra, do të duhet të bëjnë këtë përmes procesit zgjedhor në vitin 2020. Asgjë që kam parë deri tani nuk më nxit të ndryshoj aspak mendimin tim”.

Tre vjet në presidencën e tronditur të zotit Trump, amerikanët tani po përgatiten për perspektivën e një beteje partiake në procesin hetimor për shkarkimin e presidentit dhe ndoshta për garën zgjedhore më të ashpër në kujtesën e tyre.

Pompeo: NATO të ndryshojë, ndryshe rrezikon të vjetërohet

Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo tha të premten se NATO-ja duhet të rritet dhe të ndryshojë përndryshe rrezikon të vjetërohet. Komentet e tij vijnë një ditë pas deklaratës së presidentit francez Emmanuel Macron dhënë revistës The Economist se aleanca është në vdekje klinike, komente që u hodhën poshtë nga kancelarja gjermane Angela Merkel.

Zoti Pompeo tha se aleanca është ndoshta një nga më të rëndësishmet “në të gjithë historinë e derisotme”.

Pas fjalimit në Berlin, sekretari Pompeo iu përgjigj pyetjes nëse NATO-ja është e vjetëruar ose klinikisht e vdekur. Ai u përgjigj se pas 70 vjetësh, aleanca duhet të rritet dhe të ndryshojë, duhet të përballet me realitetet dhe sfidat e sotme.

Nëse vendet e ndryshme besojnë se mund të marrin përfitimet që sjell siguria pa i siguruar NATO-s burimet që i duhen, nëse ato nuk i respektojnë angazhimet e tyre, ekziston rreziku që NATO-ja të bëhet e paefektshme ose e vjetëruar,” tha ai.

Në fjalim, zoti Pompeo kritikoi trajtimin e Rusisë ndaj kundërshtarëve politikë dhe tha se taktikat e Kinës duhet të jenë mjaft të njohura për njerëzit e ish-Gjermanisë Lindore. Ai tha se vendet e lira janë në konkurrencë vlerash me vendet më pak të lira.

Zoti Pompeo ndodhet në Gjermani në prag të 30 vjetorit të rënies së Murit të Berlinit.

Duke reflektuar mbi mësimet e nxjerra nga rënia e Muri në vitin 1989, zoti Pompeo tha se “Perëndimi dhe të gjithë ne humbëm rrugën në muzgun që ra pas atij momenti krenar“.

Ne menduam se mund t’i zhvendosnim burimet tona larg aleancave dhe ushtrive tona, por e kishim gabim,” tha ai.

“Sot, Rusia udhëhiqet nga një ish oficer i KGB-së, dikur i stacionuar në Dresden. Ajo pushton fqinjët dhe vret kundërshtarët politikë”.

Ne nuk duam që furnizimet me energji të Evropës të varen nga Vladimir Putini,” shtoi ai, duke iu referuar tubacionit të gazit Nord Stream 2 i cili do të transportojë gaz natyror nga Rusia në Gjermani.

Zoti Pompeo tha se Partia Komuniste Kineze po “formon një vizion të autoritarizmit” dhe paralajmëroi Gjermaninë që të mos përdorë pajisjet e firmës kineze Huawei Technologies për ndërtimin e rrjetit 5G të të dhënave.

Shefi juaj i inteligjencës ka thënë se Huawei nuk mund të besohet plotësisht“, tha ai.

Në Pekin, Ministria e Jashtme e Kinës e kritikoi zotin Pompeo për komentet e tij të mëparshme në adresë të Partisë Komuniste Kineze, duke thënë se komentet ishin “jashtëzakonisht të rrezikshme” dhe kishin nxjerrë në pah “qëllimet e tij të errëta” siç i cilësoi ajo. zëri i amerikës

Libri i ri “Paralajmërimi”, një portretizim kritik i presidentit Trump nga shkrimtari anonim

Një libër i ri, i pa publikuar ende, me titullin “Paralajmërimi” portretizon profilin publik më kritik të presidentit Trump që kur mori detyrën gati tre vjet më parë.

Trump është “si një 12 vjeçar në një kullë të kontrollit të trafikut ajror” thuhet në librin nga një autor pa emër.

Shkrimtari anonim e përshkruan veten si “një zyrtar të lartë në administratën Trump”, i cili vendosi të mos publikojë emrin e tij për të mbajtur Trumpin në qendër të vëmendjes.

Autori është i njëjti person që shkroi një artikull opinionist në gazetën New York Times vitin e kaluar duke përshkruar sesi disa zyrtarë të lartë po përpiqen të mbrojnë vendin nga ajo që ai e quan një president impulsiv.

Sipas një kopje paraprake të librit të marrë nga gazeta The Washington Post, Presidenti Trump është mizor, i paaftë dhe i rrezikshëm.

Sipas librit “ai pengohet, ngatërrohet, irritohet lehtë dhe ka probleme në sintetizimin e informacionit, jo herë pas here, por rregullisht,”.

Presidenti është krahasuar me një “12 vjeçar në një kullë të kontrollit të trafikut ajror duke shtypur butonat pa dallim”, ndërsa avionët përpiqen të shmangin një përplasje.

Shkrimtari flet për ato që përshkruhen si komentet seksiste të Trumpit për gratë, duke komentuar veshjen dhe peshën e tyre.

Në një takim, presidenti dyshohet të ketë përqeshur me një theks hispanik për t’u ankuar për imigrantet që vinin nga Meksika, duke i quajtur ato të padobishme dhe duke thënë se nëse do të vinin me burra, burrat mund të përdoren për të mbledhur misër.

Trump është përshkruar gjithashtu si i paaftë për të udhëhequr vendin në një krizë, duke thënë se ai nuk dëgjon informacionet e inteligjencës dhe të sigurisë kombëtare dhe cilësohet si një njeri që komplimentohet me lehtësi, të cilin udhëheqësit e tjerë botërorë e konsiderojnë si “një njeri që influencohet lehtë”.

Sipas librit “Paralajmërimi”, zyrtarë të lartë të administratës kishin konsideruar një dorëheqje masive dhe thonë se Nënpresidenti Mike Pence ishte gati të mbështeste një shumicë të anëtarëve të Kabinetit, nëse ata do të përpiqeshin të largonin Trump përmes amendamentit të 25-të.

Nënpresidenti e mohon këtë, duke thënë se libri është “tmerrues” dhe tha se ai kurrë nuk ka dëgjuar askënd në Shtëpinë e Bardhë të fliste për një veprim të tillë.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Stephanie Grisham e cilësoi librin si “një trillim” dhe “farsë”, duke e quajtur shkrimtarin një “frikacak” që dëshiron të mbetet anonim.

Por autori thotë se shumë zyrtarë aktualë dhe të mëparshëm të administratës ndajnë pikëpamje jo të mira për Trump.

Shkrimtari gjithashtu thotë se ai ose ajo me qëllim shmang ngjarje specifike në hollësi për të mbrojtur identitetin e tij ose të saj. zëri i amerikës

Ish-kryebashkiaku i Nju Jorkut, Michael Bloomberg, mund të kandidojë për president i Shteteve të Bashkuara

Ish-Kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut dhe manjati miliarder i mediave, Michael Bloomberg, mund të bëhet pjesë e garës vitin e ardhshëm për në Shtëpinë e Bardhë.

Zoti Bloomberg pritet që të regjistrohet për të kandiduar në zgjedhjet paraprake të Partisë Demokrate në shtetin Alabama që ka një afat më të hershëm për regjistrimin e kandidatëve.

Zoti Bloomberg nuk kishte marrë ende vendimin përfundimtar. Megjithatë, ndihmësat e tij thonë se ai është “gjithnjë e më i shqetësuar” se kandidatët e tanishëm demokratë, “nuk janë të mirëpozicionuar” për të mundur Presidentin Donald Trump vitin e ardhshëm.

Zoti Bloomberg u largua nga Partia Republikane dhe u bë i pavarur. Në vazhdim, ai mbështeti kandidaten Hillary Clinton në zgjedhjet e vitit 2016.

Ai ishte kryebashkiaku i Nju Jorkut gjatë periudhës 2002-2013 dhe është i familjarizuar me njujorkezin Trump, të cilin Bloomberg e ka quajtur një “demagog të rrezikshëm” që ekzagjeron suksesin e tij në biznes.

Zoti Bloomberg drejton një perandori shërbimesh financiare, si dhe zotëron rrjete televizive, radiofonike dhe revista të specializuara në fushën financiare. zëri i amerikës

SHBA paralajmërojnë Gjermaninë: Kujdes nga kërcënimi rus

Shtetet e Bashkuara paralajmëruan aleaten e rëndësishme evropiane, Gjermaninë, mbi kërcënimet në rritje që vijnë nga Rusia, ndërkohë që Berlini përgatitet të shënojë 30 vjetorin e rënies së Murit.

Sekretari i Shtetit Mike Pompeo arriti të mërkurën në Gjermani, një vizitë për të shënuar tre dekadat nga rrëzimi i murit dhe për të nënvizuar atë që zyrtarët e SHBA e quajnë nevojë për vazhdimin e një partneriteti të fortë ndëratlantik.

Takimet e diplomatit të lartë amerikan me udhëheqësit në Gjermani vijnë gjithashtu pak ditë pasi Danimarka hoqi një nga pengesat e fundit ligjore për një tubacion të propozuar të gazit natyror që lidh Rusinë dhe Gjermaninë, i njohur si Rrjedha Veriore 2.

Një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit tha se SHBA janë të shqetësuara për “sigurinë e energjisë” për partnerët evropianë, duke e quajtur tubacionin e propozuar “kryesisht një mjet politik” të Rusisë dhe “jo një projekt thjesht komercial”.

Zyrtari tha se tubacioni në fjalë “rrezikon” përparësitë e sigurisë energjitike, duke i “bërë vendet evropiane dhe aleatët më të varur nga burimet e energjisë të një vendi të vetëm”.

Gjermania është konsumatori më i madh i gazit natyror në Evropë dhe varet shumë nga importet. Zyrtarët e atjeshëm nuk u kanë kushtuar rëndësi shqetësimeve amerikane për sigurinë dhe gjeopolitikën.

Në një lëvizje tjetër që shihet si sfidë ndaj paralajmërimeve të SHBA, Berlini nuk po e përjashton firmën Huawei Technologies, shitëse kryesore e pajisjeve të telekomit me qendër në Shenzhen të Kinës, nga pjesëmarrja në rrjetin 5G të Gjermanisë.

“Ne u kemi bërë thirrje të gjitha vendeve, veçanërisht partnerëve dhe aleatëve, të vlerësojnë me kujdes ndikimin afatgjatë nëse lejojnë kompani të cilave nuk mund t’u besohet, të kenë qasje në infrastrukturën e rëndësishme të rrjetit 5G,” i tha Zërit të Amerikës zyrtari i lartë i Departamentit të Shtetit.

Bruno Kahl, kreu i shërbimit gjerman të inteligjencës, kohët e fundit u tha ligjvënësve se firmës Huawei “nuk mund t’i besohet plotësisht”.

Për të zbutur shqetësimet, Kancelarja gjermane Angela Merkel ka ngulur këmbë në nënshkrimin e një pakti me firmën Huawei, ku të sanksionohet se ajo nuk do të merret me aktivitete përgjimi, ndërkohë që kancelarja ka vendosur ta lejojë kompaninë kineze të marrë pjesë në instalimin e teknologjisë 5G.

Drejtori i Përgjithshëm i firmës Huawei Ren Zhengfei ka thënë se kompania e tij nuk ndan informacione konfidenciale të përdoruesve, duke mohuar se ajo kontrollohet nga qeveria.

Nëntori shënon 30 vjet nga rënia e Murit të Berlinit. Prishja e murit i dha fund Berlini të ndarë, dhe simbolizoi çlirimin e Gjermanisë Lindore, e më vonë të pjesës tjetër të Evropës Lindore, nga sundimi komunist sovjetik.

Zoti Pompeo, i cili dikur shërbente në Gjermani si oficer i ri, do të vizitojë qytetet Grafenwohr, Vilseck, Modlareuth, Leipzig dhe Berlin për të marrë pjesë në përkujtimet e fundit të Luftës së Ftohtë.

Në Leipzig, shefi i diplomacisë amerikane do të takohet me Ministrin e Jashtëm gjerman Heiko Maas, për të diskutuar mbi partneritetin ndëratlantik përballë kërcënimeve në rritje nga Rusia, Kina dhe Irani, sipas Departamentit të Shtetit.

Në Berlin, ai do të takohet me Kancelaren Merkel dhe zyrtarë të tjerë të lartë për të folur mbi fushat e bashkëpunimit dhe shqetësimet e ndërsjella.

Zoti Pompeo do të mbajë një fjalim pranë Portës së Brandenburgut “mbi domosdoshmërinë e vazhdueshme për të mbrojtur vendet e lira dhe popujt e lirë”, tha Departamenti i Shtetit. zëri i amerikës

Demokratët shpallin fitoren në Kentaki dhe Virxhinia

Flamuri amerikan

Demokratët në Shtetet e Bashkuara kanë korrur sukses në zgjedhjet e nivelit shtetëror. Demokrati Andy Beshear pretendoi fitoren në zgjedhjet për guvernator të Kentakit, pas një gare të ngushtë, në shtetin me prirje kryesisht konservatore.

Ndërkohë, demokratët morën kontrollin e plotë të organit legjislativ në Virxhinia, për herë të parë në mbi 20 vjet.

Rezultatet janë duke u parë si një matës i gjendjes politike, përpara zgjedhjeve presidenciale të vitit të ardhshëm.

Sidoqoftë, republikanët mbajtën pushtetin në votimin për guvernatorin e Misisipit, pas një gare të ngushtë me demokratët.

Në Kentaki, Beshear pretendoi fitoren ndaj guvernatorit aktual, republikanit Matt Bevin, pasi rezultatet përfundimtare i dhanë një epërsi prej 0.4%.

Bevin, 52 vjeç, ka thënë se nuk do të pranojë rezultatin, duke përmendur disa “parregullsi” të papërcaktuara.

Sidoqoftë, demokrati Beshear, një avokat 41-vjeçar, babai i të cilit ishte ish-guvernator i shtetit, tha: “Ne do të jemi gati për ditën e parë në detyrë, dhe unë mezi po e pres atë”.

Në një fjalim para mijëra mbështetësve, presidenti amerikan, Donald Trump, tha se Beshear ishte “shumë ekstrem dhe shumë i rrezikshëm” për të qeverisur shtetin e Kentakit. rel

Trump: Kartelet meksikane të drogës të fshihen nga faqja e dheut

Presidenti amerikan, Donald Trump, tha se kartelet meksikane të drogës “duhet të fshihen nga faqja e dheut”, pasi që pjesëtarët e një bande dyshohet se masakruan nëntë gra dhe fëmijë amerikanë në veri të Meksikës.

Ministri meksikan i sigurisë beson se anëtarët e një karteli të drogës me sa duket ngatërruan makinën e viktimave me atë të një bande rivale të drogës.

“Nëse Meksika ka nevojë ose kërkon ndihmë për pastrimin e këtyre përbindëshave, Shtetet e Bashkuara janë të gatshme, të vullnetshme dhe të afta të përfshihen dhe të bëjnë punën shpejt dhe në mënyrë të efektshme,” shkroi presidenti Trump. Ai u ofrua të ndihmojë Meksikën “të luftojë” kundër karteleve.

Por, presidenti meksikan Andres Manuel Lopez Obrado, refuzoi një qasje të tillë, duke theksuar se qeveria e mëparshme meksikane provoi një zgjidhje ushtarake dhe “kjo nuk funksionoi”.

“Gjëja me e keqe është që të kesh luftë”, tha ai.

Presidenti Lopez Obrador foli në telefon me presidentin Trump të martën.

“E falënderova për gatishmërinë e tij për të na mbështetur dhe e njoftova se institucionet e qeverisë së Meksikës do të veprojnë për të siguruar që drejtësia të vihet në vend”, shkroi presidenti meksikan.

Prita ndodhi të hënën në një zonë të thellë të shtetit verior të Sinaloa të Meksikës, ku karteli Sinaloa ka zhvilluar një luftë të gjatë dhe të përgjakshme me bandat rivale të drogës.

Viktimat janë anëtarë të familjes LeBaron, qytetarë amerikanë që themeluan një komunitet fondamentalist Mormon dekada më parë në rajonin kufitar.

Familja po udhëtonte në tri makina për të vizituar të afërmit. Një grua po udhëtonte për të takuar burrin e saj në aeroportin e Phoenixit në Arizona të Shteteve të Bashkuara.

Kur personat e armatosur hapën zjarr, disa prej fëmijëve ikën. Një grua u hodh nga makina duke ju përgjëruar sulmuesve që të mos qëllojnë sepse ata janë të paarmatosur dhe të pafajshëm. Ajo u qëllua me gjakftohtësi.

Disa nga plumbat qëlluan njërën nga makinat, duke bërë që të shpërthejë rezervuari i karburantit duke djegur një grua dhe katër fëmijë, përfshirë binjakët 8 muajsh.

Disa nga fëmijët arritën të ikin dhe të fshihen ndonëse më plagë në trup. Autoritetet meksikane i gjetën dhe i dërguan në një spital aty afër.

Ndonëse autoritetet meksikane thanë se familja ishte viktimë e ngatërrimit, pjesëtarët e familjes thanë se sulmuesit e dinin qartë se kë e kishin vënë në shënjestër.

Familja LeBaron ishte për disa vjet në konflikt me bandat e drogës. Benjamin LeBaron, ishte vrarë në vitin 2009, dhe disa anëtarë të tjerë të komunitetit Mormon në Chihuahua gjithashtu janë shënjestruar nga trafikantët e drogës.

Ish ambasadorja amerikane në Meksikë, Roberta Jacobsen, i tha rrjetit MSNBC se persona të pafajshëm vriten zakonisht nga banditët e karteleve.

“Reagimi i pjesëtarëve tyë karteleve është shpesh i tillë që së pari qëllojnë e më pas pyesin se kush ishte përfshirë”, tha zonja Jacobsen. zëri i amerikës

Komisioni: financimi i SHBA në sferën e inteligjencës artificiale është prapa

Një komision i pavarur qeveritar në SHBA tha të hënën se financimi i qeverisë amerikane në sferën e inteligjencës artificiale ka mbetur prapa dhe se vendit i duhet të investojë në kërkime, të trajnojë një forcë pune të gatshme për inteligjencën artificiale dhe ta zbatojë këtë teknologji në misionet e sigurise kombëtare.

Komisioni i Sigurisë Kombëtare për Inteligjencën Artificiale (NSCAI) ngriti shqetësime për përparimet e arritura nga Kina në këtë fushë. Komisioni gjithashtu tha se qeveria e SHBA ende përballet me një punë të madhe para se të mund ta shndërrojë inteligjencën artificiale nga “një teknologji e re premtuese në një teknologji të pjekur, të integruar në misionet bazë të sigurisë kombëtare.”

Komisioni mendon se një përpjekje e përbashkët për inteligjencën artificiale në fushën e sigurisë kombëtare është e rëndësishme, tha për gazetarët Robert Work, nënkryetar i komisionit dhe ish-sekretar i mbrojtjes. Komisioni ka folur me Japoninë, Kanadanë, Mbretërinë e Bashkuar, Australinë dhe Bashkimin Evropian, tha ai.

Kina po investon më shumë se Shtetet e Bashkuara në inteligjencë artificiale, thuhet në raportin, i cili i referohet vendit aziatik më shumë se 50 herë.

“Kina përfiton nga hapja e shoqërisë amerikane në aspekte të shumta – herë në mënyrë të ligjshme e herë jo – për të përvetësuar njohuritë e inteligjencës artificiale,” thotë raporti, i cili publikohet në një kohë tensionesh të rritura midis dy vendeve.

Një zëdhënëse e ambasadës së Kinës në Uashington nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës për koment.

“Kina është përpara në dy fusha. Njëra është survejimi me anë të njohjes së fytyrës. Tjetra është në teknologjinë financiare. Kjo nuk do të thotë se ata janë përpara përgjithësisht në inteligjencën artificiale,” tha Eric Schmidt, kryetar i komisionit dhe njëri nga disa prej drejtuesve të industrisë në komision.

Nga një sondazh del se Kina është një “ndjekëse e shpejtë” por “shumica e zbulimeve origjinale dhe më të mirat prej tyre realizohen në Perëndim,” tha zoti Schmidt, këshilltar teknik i firmës Alfabet Inc, pararendëse e kompanisë Google, si dhe ish kreu ekzekutiv i saj. zëri i amerikës