VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

BE: Mbështetja e SHBA-së për dialogun, e mirëseardhur

By | August 14, 2020

Komentet

Gjenden librat e grabitur të Galileut, Njutonit, Petrarkës dhe Aligierit

Prokurorët rumunë njoftuan zbulimin e rreth 200 librave antikë me një vlerë prej më shumë se 2,5 milionë euro, të grabitur në vitin 2017 në një depo në Britaninë e Madhe.

Botimet e para të Galileut dhe Isak Njutonit, një libër i Petrarkës, disa botime të rralla të Dante Aligierit apo dhe 80 skica të piktorit spanjoll Fransisko de Goja ishin vjedhur gjatë një grabitjeje spektakolare natën e 29-30 janarit 2017.

”Grabitësit kishin hyrë nga çatia në një depo në Feltham, pranë Londrës, pa u zbuluar nga detektorët”, theksuan prokurorët.

Ata kërkuan për disa orë mes mijëra librave që do të dërgoheshin në SHBA në pritje të një panairi ndërkombëtar të librit dhe dolën nga e njëjta rrugë.

Katër të dyshuar rumunë u arrestuan në qershor 2019 gjatë rreth 30 kontrolleve të shtëpive të kryera në Rumaninë Verilindore, ndërsa dhjetëra të tjerë, kombësitë e të cilëve nuk u bënë të ditura, u arrestuan në Britaninë e Madhe.

“Ky është një sukses i dyfishtë, pasi të dyshuarit u identifikuan dhe u arrestuan dhe thesaret u gjetën para se të hidheshin në shitje”, theksoi Eurojust.

Italianët votojnë: Kushtetuta do ndryshohet me referendum për të ulur numrin e deputetëve dhe të senatorëve nga 945 në 600

Qytetarët e Italisë po votojnë sot një referendum për uljen e numrit të deputetëve të Parlamentit dhe senatorëve.

 

Këtë të diel dhe të hënë qytetarët italianë janë thirrur të votojnë për të ulur numrin e ligjvënësve  në Parlament. Kjo do të thotë reduktim edhe në dhomën e deputetëve por edhe në senat.

Krahasuar me shtetet e tjera evropiane, Italia është vendi me numrin më të lartë të deputetëve të zgjedhur për numër popullsie. Synohet që numri ligjvënësve të reduktohet nga 945 në 600.

Ky ka qenë një propozim i kërkuar me këmbëngulje nga lëvizja “5 Yjet”.

“Përafrimi me standardet e vendeve të tjera evropiane do të thotë rritje e efikasitetit. Deri më tani, parlamenti është përdorur si një parking për të dashuruarit dhe miqtë e politikanëve të caktuar.

Është e qartë se nëse numri i deputetëve zvogëlohet, partitë do të duhet të bëjnë një përzgjedhje bazuar në cilësi”, është shprehur Michele Sodano, deputet i lëvizjes “5 Yjet”.

Por për disa kjo mund të nënkuptojë më pak përfaqësim sidomos për minoritetet.

“Ne duhet të përqendrohemi në vendosjen e njerëzve kompetentë në parlament, njerëz që vërtet dëshirojnë të na përfaqësojnë dhe të bëjnë ligje që përfshijnë sanksione për ata që nuk shkojnë, për t’u siguruar që partitë të ndjekin rregullat”, thotë Jasmine Cristallo, koordinatore e lëvizjes “Sardines”.

Reforma është aprovuar në parlament tetorin e shkuar pasi ishte një nga parakushtet e M5S për të formuar qeverinë e koalicionit me Partinë Demokratike.

Analistët shprehen se kjo është një përpjekje për t’iu përgjigjur politikës jo të mirë ndër dekada dhe skandaleve.

“Ajo ka për qëllim të ndëshkojë politikanët. Kjo do të thotë që kjo është një reformë anti-politike ose populiste dhe kjo është arsyeja kryesore pse është kaq e diskutueshme, përtej kuptimit të saj të vërtetë”, shpjegon drejtuesi i shkollës Luiss.

Kjo reformë kushtetuese zbulon krizën e thellë me të cilën po përballet demokracia përfaqësuese në Itali për momentin.

Sipas kritikëve, ajo lë shumë çështje të pazgjidhura siç janë nevoja për një ligj të ri zgjedhor dhe një reformë më të gjerë të funksionimit të parlamentit pas ndryshimit të numrave.

Gjermania pritet të pranojë 1 500 refugjatë nga ishujt grekë

Gjermania planifikon të ofrojë strehim për 1 500 emigrantë që aktualisht janë në ishujt grekë, kanë thënë disa burime qeveritare për agjencinë e lajmeve AFP, ndërkohë që çështja e ndjeshme e migrantëve është përfshirë sërish në agjendën politike të Bashkimit Evropian, pasi një zjarr ka shkatërruar një kamp të stërngarkuar të migrantëve në ishullin grek Lesbos.

Rreth 12 000 ish-banorë të kampit Moria në Greqi janë duke jetuar aktualisht në ndërtesa të braktisura, apo rrugë, pasi kampi është shkatërruar më 8 shtator.

Teksa rritet presioni ndaj bllokut evropian për ta bërë punën e tij, Berlini veçse i është bashkuar iniciativës evropiane për të strehuar 400 fëmijë të pashoqëruar të këtij kampi. rel

Mirëpo përveç 150 fëmijëve tjerë, Gjermania po ashtu planifikon të mirëpresë familjet me fëmijë që tashmë kanë siguruar statusin e refugjatit dhe mund të mos jenë nga kampi Moria, është cituar një plan i miratuar nga kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe ministri i Brendshëm gjerman, Horst Seehofer.

Ky plan është thënë të jetë krijuar pasi qytetet gjermane i kanë bërë thirrje Berlinit që të bëjë më shumë.

Qeveria e Merkelit ka insistuar se duhet të gjendet një zgjidhje evropiane për këtë çështje në vend të individualitetit.

Shefi i Këshillit Evropian, Charles Michel, ka thënë në Athinë, teksa ka takuar kryeministrin Kyriakos Mitsotakis, se BE-ja duhet të ofrojë “përgjigje të fuqishme dhe efikase” për problemin e emigrimit.

Greqia është duke rritur përpjekjet për të krijuar strehim të përkohshëm, ndërkohë që banorët lokalë janë duke u përgatitur për mbajtje të protestave kundër emigrimit.

Të martën, ministria greke për Migrim ka thënë se rreth 800 banorë të kampit Moria janë strehuar në vendbanime të përkohshme në Lesbos.

Prej tyre, 21 kanë rezultuar pozitivë në testet për koronavirus, ka thënë kjo ministri. rel

BE arrin marrëveshje për blerjen e 200 milionë dozave të vaksinës kundër COVID-19

Bashkimi Evropian (BE) ka arritur marrëveshje për blerjen e 200 milionë dozave të vaksinës potenciale të zhvilluar nga kompania farmaceutike BioNTech-Pfizer kundër koronavirusit të ri (COVID-19), transmeton Anadolu Agency (AA).

Komisioni Evropian njoftoi se kanë përfunduar bisedimet eksploruese për blerjen e vaksinës kundër COVID-19 të zhvilluar nga kompania farmaceutike amerikane Pfizer dhe kompania bioteknologjike gjermane BioNTech.

Pasi vaksina e zhvilluar të provojë se është e sigurtë dhe efektive kundër COVID-19 në emër të vendeve anëtare të BE-së do të blihen 200 milionë doza. Në marrëveshjen që do të bëhet do të përfshihet edhe alternativa për blerjen e 100 milionë dozave shtesë.

BE-ja deri më tani ka përfunduar bisedime të ngjashme për blerjen e vaksinës edhe me kompanitë Sanofi-GSK, Johnson & Johnson, CureVac, Moderna thuhet në deklaratën në të cilën vihet theksi se kompaninë AstraZeneca është nënshkruar marrëveshje.

Bjellorusi, arrestohet në kufi opozitarja Maria Kolesnikova

Maria Kolesnikova

Autoritetet kufitare të Bjellorusisë thanë se Maria Kolesnikova, një ndër anëtaret kryesore të opozitës, u arrestua të martën në mëngjes kur do të kalonte për në Ukrainën fqinje.

Zyrtarët thanë se zonja Kolesnikova po udhëtonte me dy anëtarë të tjerë të opozitës, Anton Rodnenkov dhe Ivan Kravtsov, të cilët përfundimisht hynë në Ukrainë.

Rrethanat se si grupi i opozitarëve u ndodh në kufi nuk janë ende të qarta.

Agjencia e lajmeve Interfax për Ukrainën tha se veprimtarja kishte grisur qëllimisht pasaportën në mënyrë që zyrtarët ukrainas të kufirit të mos ishin në gjendje ta lejonin të kalonte.

Zëvendës Ministri i Brendshëm i Ukrainës Anton Gerashchenko tha se zonja Kolesnikova, e cila ishte zhdukur gjatë 24 orëve të mëparshme, kishte penguar me sukses “një dëbim me forcë nga vendi i saj”.

Menjëherë pas incidentit, Presidenti i Bjellorusisë, Aleksandër Lukashenko u tha gazetarëve rusë se ai nuk do ta përjashtonte mbajtjen e zgjedhjeve të reja pas katër javë protestash të mëdha, por refuzoi çdo bisedim me kundërshtarët, që ai tha se po e çonin vendin drejt katastrofës.

Fati i zonjës Kolesnikova, një figurë kryesore gjatë protestave, kishte mbetur mister që kur mbështetësit e saj thanë se ajo ishte rrëmbyer në rrugë nga njerëz të maskuar në kryeqytetin Minsk të hënën.

“Maria Kolesnikova bëri një veprim të guximshëm që nuk lejoi shërbimet speciale bjelloruse ta dëbonin atë për në territorin e Ukrainës,” tha zoti Gerashchenko për agjencinë Reuters. “Të gjithë përgjegjësinë për jetën dhe shëndetin e saj e mban Aleksandër Lukashenko, diktatori i Bjellorusisë,” tha ai.

Vendndodhja e zonjës Kolesnikova është e paqartë.

Dy figura të tjera të opozitës që rezultonin të zhdukur në të njëjtën kohë me të, Anton Rodnenkov dhe Ivan Kravtsov, megjithatë hynë në Ukrainë në orët e para të mëngjesit të së martës, tha shërbimi kufitar ukrainas.

Dje, Gjermania dhe Britania bënë thirrje që Presidenti Lukashenko të tregonte vendndodhjen e zonjës Kolesnikova, pas njoftimeve se ajo ishte rrëmbyer nga njerëz të paidentifikuar në kryeqytetin Minsk.

Zonja Kolesnikova ishte e fundit nga tre gratë opozitare të mbetura në Bjellorusi, që u bashkuan në këshillin koordinues të opozitës, në përpjekje për të mposhtur Presidentin Lukashenko në zgjedhjet e 9 gushtit.

Ai u shpall fitues, por partitë e opozitës, së bashku me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian, thanë se zgjedhjet ishin të manipuluara. zëri i amerikës

Autoritetet bjelloruse vazhdojnë goditjen ndaj figurave kryesore opozitare

Zyrtarja opozitare, Maryya Kalesnikava, e cila raportohet të jetë arrestuar, flet para protestave në Minsk, më 17 gusht, 2020

Zyrtarët dhe dëshmitarët okularë thonë se një organizatore kryesore e protestave të opozitës u arrestua në kufirin me Ukrainën herët më 8 shtator, derisa thirrjet ndërkombëtare janë shtuar ndaj Minskut për të dhënë përgjigje mbi rrëmbimin e saj të dyshuar dhe zhdukjet e tjera të kritikëve të presidentit, Alyaksandr Lukashenka.

Maryya Kalesnikava thuhet se arriti në pikën e kontrollit kufitar Alyaksandrauka rreth orës 5:00 në një makinë me dy organizatorë të tjerë të opozitës, – që u zhdukën një ditë më parë – me sekretarin e shtypit të Këshillin Koordinues, Anton Randyonkau dhe sekretarin ekzekutiv, Ivan Krautsouat.

Të tre janë figurat kryesore në Këshillin Koordinues që ka bërë presion për një tranzicion paqësor të pushtetit, që kur zyrtarët e zgjedhjeve shpallën presidentin Alyaksandr Lukashenka fitues të zgjedhjeve presidenciale të mbajtura më 9 gusht.

Opozita thotë se zgjedhjet ishin të manipuluara, dhe që nga përfundimi i tyre më 9 gusht, ka organizuar protesta, të cilat në shumë raste janë shtypur nga ana e autoriteteve të sigurisë.

Më parë, përfaqësuesi i Komitetit Shtetëror të Kufijve, Anton Bychkouski, deklaroi se që të tre ishin larguar nga vendi.

Por, televizioni shtetëror bjellorus më vonë citoi Bychkouskin duke thënë se Kalesnikava, një zyrtare kryesore e Këshillit të Koordinimit, u arrestua duke u përpjekur të kalonte kufirin ndërsa dy të tjerët kishin hyrë në Ukrainë.

Shërbimi Shtetëror i Kufirit i Ukrainës më vonë konfirmoi se Kalesnikava nuk ka hyrë në vend.

Një dëshmitar okular raportoi se kishte parë Kalesnikavan duke u rrëmbyer nga disa burra të paidentifikuar në qendër të qytetit Minsk, më 7 shtator. Më pas u raportua se kontakti ishte humbur menjëherë me dy zyrtarët tjerë të opozitës, Randyonkau dhe Krautsou.

Zhdukjet e tyre nxitën akuza nga Bashkimi Evropian se regjimi i bjellorus ishte duke përdorur rrëmbimet dhe frikësimet për të shuar protestat që po organizohen kundër presidentit Lukashenka.

Gjermania, e cila aktualisht mban presidencën e radhës së BE-së, ka kërkuar informacion për të zhdukurit dhe lirimin e të burgosurve politikë.

“Ne kërkojmë informacione për vendndodhjet dhe lirimin e të gjithë të burgosurve politikë në Bjellorusi”, tha ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas për Bild.

Deri më tani, mijëra njerëz janë arrestuar, përfshirë gazetarë.

Anëtarët e Këshillit Koordinues dhe organi i tij vendimmarrës janë thirrur nga policia dhe në disa raste janë dënuar me burg.

Kandidatja e opozitës në zgjedhjet e muajit të kaluar ishte Svyatlana Tsikhanouskaya, e cila iku në Lituani disa ditë pas votimit.

Më 8 shtator, Tsikhanouskaya është planifikuar t’i drejtohet Komisionit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (PACE) për Çështjet Politike dhe Demokracinë mbi situatën në Bjellorusi.

Ajo gjithashtu do të vizitojë Varshavën këtë javë për të zhvilluar takime me zyrtarë të lartë polakë.

Lukashenka, i cili ka shërbyer pesë mandate tashmë, ka refuzuar të mbajë bisedime me kundërshtarët e tij dhe ka hedhur poshtë thirrjet për të mbajtur zgjedhje të reja.

Përgatiti: Kestrin Kumnova

Kosovë-Serbi, Lajçak: Për herë të parë u diskutua për marrëveshjen gjithëpërfshirëse

I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak pohoi se në dialogun e zhvilluar mes përfaqësuesve të këtyre dy shteteve në Bruksel, është arritur përparim i plotë në diskutimet rreth bashkëpunimit ekonomik dhe çështjes së personave të pagjetur dhe të zhvendosur.

“Është e rëndësishme që të dy liderët këtë mëngjes, teksa kanë ardhur nga takimet e Shtëpisë së Bardhë, kanë konfirmuar se janë të lidhur me prioritetet e integrimit në Bashkimit Evropian dhe në vazhdimin e punës për dialogun Beograd-Prishtinë, të ndërmjetësuar nga BE-ja”, tha Lajçak pas takimit. Sipas tij, në takimin e së hënës për herë të parë është diskutuar edhe për marrëveshjen gjithëpërfshirëse, ligjërisht obliguese, çështjet e komuniteteve joshumicë, dhe pretendimeve të përbashkëta financiare e pronësore.

“Ky ka qenë këmbimi i parë që na ka lejuar neve të definojmë hapat e ardhshëm të diskutimeve tona. Takimi ynë i radhës do t’iu dedikohet këtyre temave”, ka deklaruar ai. Edhe kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç kanë konfirmuar të hënën në Bruksel se kanë përafruar qëndrimet e tyre për çështjen e të zhvendosurve dhe të zhdukurve si dhe bashkëpunimin ekonomik. bw

Bjellorusi, rrëmbehet drejtuesja e opozitës, Kolesnikova

Në Bjellorusi, persona të maskuar të paidentifikuar ndaluan të hënën në qendër të Minskut udhëheqësen e njohur të protestave Maria Kolesnikova dhe e morën atë me një furgon, sipas një dëshmitari të cituar nga media bjelloruse Tut.By.

Zonja Kolesnikova, anëtare e këshillit koordinues të opozitës, është e fundit nga tre politikanet gra të mbetura në Bjellorusi, të cilat bashkuan forcat para zgjedhjeve presidenciale të 9 gushtit për të sfiduar Presidentin Alexander Lukashenko.

Maria Kolesnikova

Maria Kolesnikova

Si kritike e zëshme e zotit Lukashenko, ajo ka luajtur rol të rëndësishëm në demonstratat dhe grevat e mëdha që kanë vazhduar prej javësh, në të cilat protestuesit akuzojnë zotin Lukashenko për manipulimin e rizgjedhjes së tij.

Ai mohon se ka patur manipulime dhe ka akuzuar fuqitë e huaja se janë përpjekur ta rrëzojnë me revolucion.

Zoti Lukashenko ka mbështetjen e Presidentit rus Vladimir Putin, i cili ka premtuar të dërgojë policinë për ta mbështetur nëse është e nevojshme.

Rrëmbimi i zonjës Kolesnikova, nëse konfirmohet, vjen ndërkohë që autoritetet bjelloruse duket se po i shtojnë përpjekjet për ndalimin e protestave dhe për të penguar punën e këshillit koordinues që ata e kanë akuzuar se ka komplotuar për rrëzimin e Lukashenkos. zëri i amerikës

Borrell: Po zhvillohen bisedime për dy tema të vështira

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell ka paralajmëruar se sot (7 shtator) në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, do të hapen dy çështje që ai i ka quajtur “të ndjeshme” por “shumë të rëndësishme, më saktësisht çështjet e kërkesave pronësore e financiare si dhe aranzhimet për komunitetet joshumicë në Kosovë”.

Borrell tashmë është duke zhvilluar takime me kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Takimet bilaterale do të pasohen me një takim të përbashkët.

“Bisedimet nuk janë gjithmonë të lehta. Prandaj unë jam i lumtur të shoh përkushtim dhe respekt nga të dyja palët. Mirëpres faktin se ata e konfirmuan këtë së bashku në deklaratën e përbashkët ku u shprehen se e kanë si prioritet të lartë integrimin në BE dhe vazhdimin e punës në dialogun e lehtësuar nga BE-ja”, tha Borrell.

Borrell po ashtu tha se “është e natyrshme që qëndrimet të jenë të ndryshme, por se ata kanë ardhur këtu për të gjetur gjërat e përbashkëta dhe të punojnë drejt normalizimit gjithëpërfshirës të raporteve të tyre, duke u përballur më të gjitha çështjet e hapura”.

Sipas tij, në këtë takim do të bisedohen për aranzhimet për komunitetet joshumicë dhe zgjidhjen e kërkesave të ndërsjella financiare dhe pronësore.

“Të dyja këto tema janë shumë të ndjeshme dhe shumë të rëndësishme për raportet e ardhshme mes Kosovës dhe Serbisë dhe për jetën e përditshme të njerëzve”, ka thënë Borrell.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, janë zotuan se do t’i japin prioritet më të lartë integrimit në Bashkimin Evropian dhe vazhdimit të punës në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, të ndërmjetësuar nga BE-ja.

Ata e bënë këtë zotim te përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell, thuhet në një komunikatë të lëshuar nga BE-ja.

Takimi i 7 shtatorit në Bruksel vjen pasi më 4 shtator, Kosova dhe Serbia, në Shtëpinë e Bardhë arritën marrëveshje për normalizimin ekonomik. Marrëveshja, u nënshkrua në prani të presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

Ndërmjetësues të marrëveshjes për normalizim ekonomik ishin këshilltari për Siguri kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Robert O’Brien dhe i dërguari i presidentit Trump për dialgoun Kosovë-Serbi, Richard Grenell.

Me këtë marrëveshje, Kosova është pajtuar që brenda një viti të mos kërkojë anëtarësim në organizata ndërkombëtare, kurse Serbia në anën tjetër, është pajtuar që brenda një viti të ndalë fushatën për çnjohjen e pavarësisë së Kosovës.

Para takimit të sotëm në Bruksel, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, janë takuar me përfaqësuesin e posaçëm të BE-së për dialog, Mirosllav Lajçak, dhe të dërguarin e posaçëm amerikan për çështje të Ballkanit, Matthew Palmer.

Këto takime, në të cilat kanë marrë pjesë dy diplomatë të lartë nga BE-ja dhe nga Departamenti amerikan i Shtetit, konsiderohen si dëshmi për një angazhim më të madh të SHBA-së në dialogun e Brukselit, por edhe si mbështetje për rolin udhëheqës të BE-së, si lehtësuese e dialogut në aspektin politik dhe në kërkim të marrëveshjes gjithpërfshirëse për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi.

Nisin takimet në Bruksel

Në Bruksel po zhvillohen sot (7 shtator) takimet në nivelin e lartë në kuadër të dialogut midis Kosovës dhe Serbisë, nga i cili Bashkimi Evropian pret edhe rezultate konkrete.

Tashmë ka nisur takimi ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti me përfaqësuesin e lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, dhe me të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak.

Një takim bilateral me zyrtarët e BE-së më pas do e zhvillojë edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Më pas do të zhvillohet edhe takimi trepalësh, më saktësisht takimi i Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Në këtë takim, siç kanë paralajmëruar edhe burimet e BE-së, edhe vetë palët në dialog, pritet të arrihet pajtim për tri temat për të cilat kanë biseduar në takimet e mëhershme ekspertët.

Ato janë: çështja e të pagjeturve, çështja e të zhvendosurve dhe bashkëpunimi ekonomik.

Për këto tema është diskutuar në Bruksel edhe të shtunën e të dielën, në nivel të ekspertëve.

Pas këtyre takimeve, koordinatori i Kosovës për dialogun, Skënder Hyseni, ka konfirmuar se ka pasur përafrim të qëndrimeve dhe se mund të ndodhë që të arrihet pajtim.

Por Hyseni ka thënë se secila temë mund të jetë vëtëm pjesë e një marrëveshjeje të vetme finale, e jo marrëveshjeje individuale.

Takimi i 7 shtatorit në Bruksel vjen pasi më 4 shtator, Kosova dhe Serbia, në Shtëpinë e Bardhë arritën marrëveshje për normalizimin ekonomik. Marrëveshja, u nënshkrua në prani të presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

Para takimit të sotëm në Bruksel, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, janë takuar me përfaqësuesin e posaçëm të BE-së për dialog, Mirosllav Lajçak, dhe të dërguarin e posaçëm amerikan për çështje të Ballkanit, Matthew Palmer.

Këto takime, në të cilat kanë marrë pjesë dy diplomatë të lartë nga BE-ja dhe nga Departamenti amerikan i Shtetit, konsiderohen si dëshmi për një angazhim më të madh të SHBA-së në dialogun e Brukselit, por edhe si mbështetje për rolin udhëheqës të BE-së, si lehtësuese e dialogut në aspektin politik dhe në kërkim të marrëveshjes gjithpërfshirëse për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi.

Burimet e BE-së kanë paralajmëruar më parë se në këtë takim mes kryeministrit të Kosovës, Hoti, dhe presidentit të Serbisë, Vuçiq, do të diskutohen edhe temat e kërkesave financiare e pronësore mes palëve, si dhe çështjet e lidhura me komunitetet joshumicë në Kosovë.

Hoti, edhe para këtij takimi në Bruksel, ka thënë se të vetmen marrëveshje të suksesshme e sheh atë që rezulton me njohjen e ndërsjellë midis Kosovës dhe Serbisë.

Ishte për ndryshim kufijsh, Petritsch shprehet për takimin e Uashingtonit

Diplomati austriak Wolfgang Petritsch i cili ishtë angazhuar personalisht në idënë për ndryshimin e kufijve mes Kosovës dhe Serbisë gjatë vitit 2018, ka thënë se dyshon në marrëveshjen e sotme në Shtëpinë e Bardhë.

Ai madje kishte deklaruar se edhe Rusia duhet të përfshihet në zgjidhjen e çështjes së Kosovës.

Petritisch tash thotë se Bashkimi Evropian duhet të përfshihet në zgjidhjen e çështjes së Kosovës, sepse Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk mund ta zgjidhin atë çështje më vetë.

“Unë do të doja që BE-ja dhe SHBA-ja të bashkëpunojnë në një temë kaq komplekse, e cila ka të bëjë me Evropën dhe është e rëndësishme për bashkimin e ardhshëm të Evropës, domethënë zgjerimin në Ballkan. Shpresoj që kjo të ndodhë”.

Petrich deklaron se ai nuk beson që SHBA-ja mundet të zgjidh këtë qështje vet, dhe se BE-ja është e nevojshme që të marrë pjesë në implementimin e çdo marrëveshje në mënyrë që ajo të zbatohet.

Ish-përfaqësuesi i lartë i bashkësisë ndërkombëtare në Bosnje dhe Hercegovinë theksoi se sukseset e politikës së jashtme janë gjithmonë të rëndësishme para zgjedhjeve në SHBA dhe kujtoi marrëveshjen e paqes për Lindjen e Mesme dhe marrëveshjen mbi normalizimin e marrëdhënieve midis Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Izraelit

“Unë mendoj se është një model i administratës Trump. Ata duan të arrijnë normalizimin, por pyetja është nëse është e mundur për ta arritur atë kaq shpejt. Unë jam skeptik në lidhje me këtë, dhe duhet të kihet parasysh se zbatimi i çdo marrëveshjeje duhet të zbatohet nga BE-ja” , tha Petritsch, duke kujtuar se vendet e Ballkanit Perëndimor duan të anëtarësohen në BE dhe jo në Shtetet e Bashkuara.

Petrich pret që sot do të arrihet një marrëveshje ekonomike midis Beogradit dhe Prishtinës do të takimet e Ëashingtonit.
Sipas tij, do të ishte interesante të krijohej një zonë tregtare ndërkufitare, duke shtuar se kjo po shkon në drejtim të “mini-shengenit”.

BE-ja është e informuar për agjendën e takimit në Shtëpinë e Bardhë

Bashkimi Evropian është njoftuar nga administrata e Shteteve të Bashkuara rreth agjendës së takimit mes Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë, dhe kjo është e zakonshme në bashkëpunimin e partnerëve.

Kështu ka thënë më 4 shtator në Bruksel, në një konferencë për gazetarë, zëdhënësi i Komisionit Evropian për Çështje të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano, kur është pyetur për t’i komentuar takimet që po zhvillohen në Uashington.

Ai nuk ka dashur të deklarohet rreth temave dhe se a është kërkuar apo jo në atë takim njohja e ndërsjellë.

Por BE-ja edhe këto takime i sheh vetëm si “plotësim” të përpjekjeve për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, korniza kryesore e së cilave, sipas BE-së, është dialogu i Brukselit.

“Gjithë kohën kemi thënë se është e mirëseardhur secila përpjekje e cila lehtëson normalizimin e raporteve”, ka thënë Stano, duke paralajmëruar se gjatë kësaj fundjave dhe të hënën do të ketë takime në nivele të ndryshme edhe në Bruksel, në kuadër të dialogut.

Ky zëdhënës i BE-së ka thënë se pritjet janë që të shfrytëzohet ky moment pozitiv për t’u afruar drejt marrëveshjes finale, e cila do të duhej t’i zgjidhte të gjitha çështjet e hapura dhe do të ishte ligjërisht obliguese.

Sipas një njoftimi të Shtëpisë së Bardhë, presidenti amerikan, Donald Trump, takohet të premten në mëngjes me kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në një ceremoni nënshkrimi me ta, si edhe në një takim trepalësh, transmeton Zëri i Amerikës.

Njoftimi i së enjtes në mbrëmje i Shtëpisë së Bardhë nuk e përcakton se çfarë do të nënshkruhet, nëse bëhet fjalë për një marrëveshje, dhe nuk është e qartë se çfarë do të përmbajë ajo.

Njohja e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë ka qenë njëra nga pikat në takimin ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Shtëpinë e Bardhë të enjten. Vuçiq tha se “nuk ka dyshim se sot dhe sonte njohja e pavarësisë së Kosovës do të jetë temë, sepse unë e kam bërë të qartë se nuk mund ta pranojmë atë”.

Nikoqirë të këtij takimi, që u paralajmërua se në fokus ka bashkëpunimin ekonomik, ishin këshilltari për Siguri Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Robert O’Brien, dhe i dërguari i posaçëm i presidentit amerikan për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell.

Pas takimit, këshilltari për Siguri Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Robert O’Brien, tha se në Uashington, u zhvilluan bisedime “shumë të mira” ndërmjet udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë dhe paralajmëroi vazhdimin e bisedimeve edhe gjatë së premtes.

“Bisedime shumë të mira këtë pasdite me liderët e Kosovës dhe Serbisë. Ata bënë përparim të vërtetë. Normalizimi ekonomik nënkupton vende pune për të rinjtë. Bisedimet do të vazhdojnë nesër”, thuhet në postimin në Twitter të Këshillit për Siguri Kombëtare.


Send this to a friend