Pritja për shenjtërimin e Nënë Terezës po jetohet me entuziazëm në të katër anët e planetit. Por duhet thënë se ka edhe njerëz, që e jetojnë me gëzim të veçantë këtë ngjarje. Ndërmjet tyre është, pa dyshim, zonja Agi Bojaxhiu, mbesa e vetme e Terezës, sot 70 vjeçe, me banim, që në të ritë e saj, në Sicili. Në këtë intervistë Agi, e bija e Lazrit, vëllait të Nënë Terezës, flet për hallën e vet, të jashtëzakonshme edhe në jetën familjare…
Përgjigje: – Nënë Tereza bënte shumë, por pa rënë kurrë në sy. Ishte tepër e matur në gjithçka bënte. I bënte në mënyrë shumë të natyrshme e të vetvetishme edhe punët më të lodhshme. E kam parë duke u munduar shumë e pa pikë ankimi: duke larë çarçafat, edhe në moshë të shtyrë, duke u përkulur mbi njerëzit për një kohë të gjatë. Sepse bëhej dyfish mbi kokën e atyre, që kishin sëmundje të rënda…Bënte punë të jashtëzakonshme. Veç ta shikoje duke prekur plagët, duke ndihmuar njerëzit, duke organizuar gjithë punën e motrave të saj…
Pyetje: – Ishte po kaq e thjeshtë edhe në takimet familjare?
Përgjigje: – Po, absolutisht, ishte shumë e dashur… njeri që përhapte rreth vetes atmosferën e paqes. Kur flisja me të, fjalët më dilnin nga goja në një mënyrë krej të veçantë. Nuk kisha folur kurrë me ndonjë tjetër, siç flisja me të. Dukej sikur më shikonte në bebe të syrit, por sytë e saj më depërtonin deri në shpirt, duke më mbushur plot me paqe. Në shtëpi ishte shumë e përmbajtur. Për shembull, me që urdhëri i saj është shumë i rreptë, ndonëse e adhuronte çokollatën, nuk e hante kurrë, sepse i dukej ushqim luksi. E thoshte: me që shumica e njerëzve që njoh e me të cilët rri, nuk ka para për ta blerë, nuk e ha as unë. Ja, të këtilla gjëra më kanë mbetur në kujtesë. Për të edhe karamelet ishin luks i madh. Prandaj kur ia dhuronin – e ia dhuronin vazhdimisht, karamelet e çokollatat – ajo ua falte të tjerëve, pa ruajtur asnjë për vete. Dhuronte, gjithnjë, pa menduar se edhe ajo kishte gojë. Mua më dhuroi edhe një mandolinë, që ia kishin falur italo-amerikanët në Amerikë…E pra, i binte mandolinës. Kështu ishte ajo, speciale, por edhe normale, në kuptimin se nuk e ndjeje kurrë veten keq, kur ishe me të, siç mund të ndodhë në praninë e ndonjë personaliteti botëror që, kur e takon, ndjehesh ngusht…
Pyetje: – Ishte thjesht e jashtëzakonshme…
Përgjigje: – Po, kjo është shprehja e saktë. Thjesht e jashtëzakonshme. I bënte të gjithë për vete, ishte e gatshme për të gjithë, dinte të thoshte fjalën e duhur, në çastin e duhur… Nuk ishte hallë klasike. Ishte hallë, por edhe Nënë Terezë: një përzjerje e të dyjave. Nuk mund të them se ishte hallë, si të gjitha hallat…
Pyetje: – Ata, që e njohën, e edhe ata, që mundën ta takojnë, qoftë edhe një herë të vetme, mbetën gjithnjë të prekur nga mënyra si lutej Nënë Tereza. Ju, a keni ndonjë kujtim për këtë?
Përgjigje: – Ajo vijonte të më kujtonte se duhet të lutesha; familja duhet të lutet së bashku, më përsëriste. Ne nganjëherë luteshim bashkë, por jo gjithnjë. E ajo vijonte të më thoshte: “Para së gjithash vjen familja, familja jote. Ti duhet të kujdesesh për fëmijët e tu, për burrin tënd, për shtëpinë. Duhet ta dish ç’bëjnë e ç’nuk bëjnë. Pastaj, kur të kesh më shumë kohë, kushtoja të tjerëve. Por, familja për të vinte para së gjithash, e shikonte si gjënë më të rëndësishme…
Pyetje: – Thonë se ishte gjithnjë e gëzueshme, qeshte e, nganjëherë, jepte përgjigje të përshkuara nga një ironi të hollë…
Përgjigje: – Po, e ç’ironi se! Shumëkush mendon se ajo ishte gjithnjë serioze, gjithnjë mendueshëm… nësa në të vërtetë ajo ishte gjithë gjallëri. Jepte ca përgjigje, s’po them sarkastike, por ironike sigurisht… Kishte shumë humor e nuk ishte fare bigote – a mund ta them edhe këtë?
Pyetje: – Mendoj se duhet të ketë pasur edhe shumë femërsi, apo jo?
Përgjigje: – Po, kishte…Për shembull, kur ishte e re, kur ishte ende në Shqipëri, kishte studiuar pianoforten. E i pëlqente t’i binte pianos. I pëlqenin shëtitjet, të cilat edhe i organizonte me shokët e shoqet e shkollës…Sepse ka qenë gjithnjë organizatore e madhe. Këtë ma thoshte edhe im atë!/RV
Voal po ju sjell edhe një intevristë tjetër të Agi Bojaxhi lëshuar më 2003 po për Hallën e saj, Shenjtoren Nënë Tereza
AGI BOJAXHIU – ‘HALLA IME NËNË TEREZA’
TIRANE – Mes mijëra njerëzve, që përjetuan ditën emocionuese të lumturimit të Nënë Terezës, ishte dhe Agi Bojaxhiu, mbesa e vetme e saj, vajza e vëllait Llazar. Agi është 55 vjeç. Është e martuar, ka dy fëmijë dhe jeton në Palermo.
Pyetje: Si e përjetuat lumturimin e Nënë Terezës?
AGI BOJAXHIU: Me spiritualitet dhe respekt të thellë ndaj këtij momenti fetar shumë domethënës. Por zhurma e gazetave në këto ditë sikur më ka larguar pak nga lutja.
Pyetje:Çfarë marrëdhëniesh keni pasur me hallën tuaj?
AGI BOJAXHIU: Shumë njerëz habiten, por unë i jam drejtuar gjithnjë me emrin “Nënë”. Nuk më bëhej ta thërrisja ndryshe. Mes nesh ka pasur gjithnjë shumë dashuri. Shiheshim pak, por e gënjenim largësinë me telefonata të shpeshta dhe letra të gjata. Takimi ynë i përvitshëm ishte në maj, në Romë, kur Nënë Tereza shkonte në Shtëpinë e saj, dhe në Palermo.
Pyetje: A ka ndonjë frazë, që i pëlqente ta përsëriste?
AGI BOJAXHIU: Më porosiste të lutesha gjithnjë për të mbajtur të bashkuar familjen, vlerë të cilën e kishte më për zemër. Të lexoja lutjet së bashku me familjen, ashtu siç bënte ajo me nënën dhe vëllezërit në vitet e vështira të fëmijërisë në Shkup. Si shenjë e ngrohtësisë dhe e lidhjes brenda familjes.
Pyetje: Si ishte nga afër Nënë Tereza?
AGI BOJAXHIU: E fortë dhe me kurajë, kokë ulur dhe e thjeshtë, e rreptë më shumë me veten se me të tjerët. U kushtoi gjithë jetën të tjerëve. Ka jetuar me një thjeshtësi të skajshme, por me një gëzim të brendshëm për t’u admiruar. E kam takuar për herë të parë në 1966 në Romë. Im atë, Llazari, nuk e shihte prej 38 vjetësh. Ishte tejet emocionuese. Rrethana të ndryshme, e mbi të gjitha qëndrimi i saj i gjatë në Indi, për vite të tëra i kishin penguar të takoheshin. Çka më bëri më shumë përshtypje ishin sytë e saj të gjallë e të zgjuar, që pasqyronin një njeri të ndryshëm nga të tjerët. Ndonjëherë qëndronim në heshtje duke u lutur: prania e saj më bënte të ndjehesha më mirë.
Pyetje:Cilat janë objektet që ju ka lënë?
AGI BOJAXHIU: Disa rruzare plastike, medaljone me figurën e Shën Mërisë dhe një shishe xhami me ujë të bekuar, me të cilën “Nëna” ka bekuar shtëpinë time. Ky është objekti më i dashur për mua: më shoqëron kudo. Kam vënë re që ndër vite ky ujë ka mbetur gjithnjë i kthjellet….
Pyetje:Për ç’arsye motra shqiptare e Kalkutës është dashur në të gjithë botën?
AGI BOJAXHIU: Sepse ishte një grua që çmonte më shumë veprat se fjalët. Punonte shumë, pa u shqetësuar për kotësira e gjëra të parëndësishme. Humbja e saj na ka lënë një boshllëk të madh. Që nga 6 shtatori 1997 kam humbur një pikë referimi shumë të rëndësishme./2003
Komentet