VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

AT MATI PRENNUSHI O.F.M. – Nga Fritz RADOVANI

By | October 9, 2019

Komentet

“Koçi Xoxe e thirri në zyrë dhe rrotullonte revolverin”, dëshmia rrënqethëse e gjeneralit: Si ekzekutuam dhe groposëm dajën e Mirush Kabashit dhe Mark Toçin

Publikohet historia e panjohur të Skënder Çelës dhe Mark Toçit, dy të rinjëve komunistë drejtues të Rinisë Antifashiste në qarkun e Durrësit në periudhën e pushtimit Italian të vëndit dhe më pas me funksione drejtuese si kuadro në brigadat partizane, të cilët pas mbarimit të Luftës, drejtuan për disa kohë organizatën e Rinisë Antifashiste të qytetit bregdetar, hynë në konflikt me krerët kryesorë të Partisë Komuniste në Tiranë, ata ishin kundër diktatit që vinte nga “qëndra”?! Si filloi eliminimi i tyre pasi ata nuk “reflektuan” edhe pas këshillave të Nako Spiros dhe Teodor Hebës, si dhe presioneve të ministrit të Punëve të Brendëshme, gjeneral-leitnant, Koci Xoxes, që e thirri në zyrë Skënderin dhe teksa rrotullonte revolverin në tavolinë në shenjë presioni, i kërkoi që të tërhiqej nga rruga e tij?!

E gjithë historia e tyre tragjike që nga transferimi fillimisht në Konispol e Leskovik , dhe më pas duke i mobilizuar si ushtarë në Qarkun e Korçës, ku sipas dëshmisë së gjeneral-major, Baki Starja, më 26 dhjetor të vitit 1946, me urdhër të Koçi Xoxes, gjeneral-major Beqir Balluku dhe kolonel, Panajot Plaku, përkatësisht komandant dhe komisar të Divizionit të Korçës, i morrën Skënderin dhe Markun të lidhur në “Chevrolet”-in e tyre dhe i dërguan në buzë të liqenit të Pogradecit, ku dhe i ekzekutuan me disa plumba në kokë!

Dëshmia e Bajram Vulës në Kongresin e parë të PKSH-së, në 1949-ën, lidhur me vrasjen tragjike të tyre, duke treguar se me urdhër të Koci Xoxes, të nesërmen ai me Beqirin dhe Panajotin kishin shkuar përsëri në vëndin e ekzekutimit, për t’i zhvarrosur dhe groposur më pas diku në një vënd tjetër në anët të rrugës nacionale në Qafë-Plloçë…

Nga Dashnor Kaloçi

Ishte fund dhjetori i largët i vitit 1946. Një “Chevrolet” i vjetër çante mes për mes errësirën e natës nga qyteti i Korçës për në Pogrades, me destinacion në kallamishtet buzë liqenit. Në automjetin e zi, udhëtonin pesë njerëz: Panajot Plaku, Beqir Balluku, Bajram Vula dhe dy të tjerë që qëndronin të lidhur me pranga në portobagazhin e “Chevrolet”-it. Fare pranë buzës së ujit disa krisma armësh përzihen me zhurmën e dallgëve të liqenit dhe gjithcka mbulohet me një vello misteri…

Kush ishin ekzekutorët?

Kush ishin këta njerëz që udhëtonin atë mesnatë të largët të vitit 1946? Nga vinin dhe për ku shkonin? Ç’farë misioni kishin marrë dhe nga kush, e kundra kujt u drejtuan ato breshëri armësh?

Kjo ngjarje misterioze do të zbardhej pjesërisht disa vite më vonë në Kongresin e parë të Partisë Komuniste Shqiptare, dhe e plotë vetëm pas shëmbjes të regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe hapjes së arkivave. Në atë makinë udhëtonin “dy armiq të Partisë Komuniste”, si dhe tre ekzekutorët, që më vonë edhe ata do pësonin të njëjtin “fat” me viktimat e tyre të asaj nate të turbullt dhe pa hënë.

Beqir Balluku, atëherë komandant i Divizionit ushtarak të Korcës, vite më vonë ministër i mbrojtjes dhe zv/kryeministër (deri sa u pushkatua në vitin 1974, i akuzuar si kryetar i grupit puçist në ushtri). Panajot Plaku, Komisar i Divizionit dhe më vonë zv/ ministër i Punëve të Brendëshme dhe Ministër pa Portofol, e anëtar i Komitetit Qendror të PPSH-së (i shpallur më vonë si kundërshtar politik i Enver Hoxhës, i cili mundi të shpëtoj nga hakmarrja e tij vetëm pasi u arratis jashtë Shqipërisë), dhe Bajram Vula, Komisar i Regjimentit II-të, të atij Divizioni.

Kushë ishin viktimat?

Dy personat e lidhur me tel ishin Skënder Çela, sekretar politik i celulës komuniste të fabrikës së Cigareve ”Stamles”, në periudhën e pushtimit Italian të vëndit, si dhe Mark Toçi, një ndër organizatorët e të parave demonstrata antifashiste të gjimnazistëve të Shkodrës. Skënderi ishte njëri nga ata që luftoi me armë në dorë në 7 prill të vitit 1939 në Bestrovë të Vlorës ku asokohe kryente shkollën Tregtare. Një ndikim të madh në formimin e Skënderit dhe Markut kishte padyshim miqësia që ata kishin me Shefqet Bejën dhe Enver Sazanin dy eksponentë të lartë të Lëvizjes Antifashiste dhe më pas në Kryesinë e Këshillit të Frontit Demokratik e deputetë të Kuvendit Popullor, të cilët në vitin 1947 do të shpalleshin “armiq të popullit” dhe do të dënoheshin me vdekje, të akuzuar si krerët kryesorë të “Grupin të deputetëve”.

Në vitin 1943, Skënderi me Markun drejtonin grupimet antifashiste të rinisë punëtore të qytetit të Durrësit, kryesisht Fabrikën e Cigareve, “Stamles” dhe portit detar. Në sajë të atij aktiviteti, së bashku dhe me Drita Malilen dhe Hysen Ballhysën, u bënë katër eksponentët kryesor të Lëvizjes Antifashiste të rrethit të Durrësit.

Pas demonstratës të 1943-it, Skënderi me Markun u arrestuan nga autoritetet italiane duke u konsideruar si persona tepër të rrezikshëm dhe u nxorrën para gjyqit dhe pas marrjes së dënimit ata u dërguan në burgun e Tiranës.  Pasi vuajtën disa kohë në atë burg, ata mundën të lirohen që andej me ndërhyrjen e Prefektit të Tiranës, Qazim Mulleti. Pas daljes nga burgu ata nuk mund të ktheheshin më në qytetin e tyre dhe dolën në mal në rradhët partizane. Skënder Çela u caktua në Batalionin Krujë-Ishëm dhe më vonë në Brigadën e 23-të Sulmuese që operonte në rrethin e Krujës, kurse Mark Toci, në Batalinon e tretë të Grupit të Pezës.

Që nga ajo kohë e deri në mbarimin e Luftës që ata ishin në rradhët partizane, kryen detyra të ndryshme si kuadro drejtues të atyre formacioneve të Ushtrisë Nacionalçlirimtare të komanduar nga Enver Hoxha dhe Spiro Moisiu. Akoma pa mbaruar mirë Lufta, nisur edhe nga fakti se ata kishim mbaruar Shkollën Tregtare, në nëntorin e 1944-ës, me kërkesën e përfaqësuesve të Durrësit, Marku dhe Skënderi thirren dhe vihen në shërbim të pushtetit lokal të sapo krijuar në qarkun e Durrësit. Kështu pa u shkëputur nga puna me rininë durrsake, Skënderi drejtonte Seksionin e Ekonomisë dhe të Punëve Botore, kurse Marku ato të Financës dhe Kulturës.

Rebelimi dhe konfliktet me udhëheqjen e PKSH-së

Gjatë asaj periudhe që ata të dy punuan në ato sektore si dhe rininë antifashiste të qytetit bregdetar, iu lindën konflikte të ndryshme pasi ata nuk mund të pajtoheshin me shumë udhëzime që iu vinin nga “qëndra” si dhe diktatin që ushtrohej ndaj tyre për zbatimin e urdhërave dhe detyrave që vinin nga Tirana. Këto konflikte me “qëndrën” u acaruan së tepërmi, sidomos pas zgjedhjeve për në organet drejtuese të Rinisë Antifashiste të Durrësit, ku ata ishin të zgjedhur. Të gjitha këto dhe problemet e tjera që kishin dalë në organizatën e Rinisë Antifashiste të atij rrethi, iu bënë menjëherë prezent udhëheqjes së lartë të Partisë Komuniste nëpërmjet Adil Çarçanit (ish-kryeministër i më vonëshëm shqiptar në vitet 1982-1990), në atë kohë Sekretari i Qarkorit të PKSH-së për Durrësin, i cili në mes të tjerash i shkruante Komitetit Qëndror dhe Enver Hoxhës:

”Në pasdrekën e ditës së zgjedhjeve, shoku Koço Pepo sekretar i Komitetit të nënprefekturës, ka lajmëruar Skënder Çelën dhe Mark Toçin, se në orën katër do të ishte mbledhja e komisionit të agjit-propit ku bënin pjesë. Skënder Çela duke mejtuar se mbledhja e komisionit mos gjoja qe caktuar për të sabotuar vajtjen e atij në zgjedhjet e rinisë, i inatosur karshi Koço Pepos, i gerthet me gjaknxehtësi, duke i thënë pikërisht këto fjalë.”E di unë more Koço Pepo që ti i bën të gjitha këto për të sabotuar që unë të mos shkoj në zgjedhjet e rinisë, por unë do të shkoj se më do rinia. E shkon në zgjedhje”….

Letrat e Adil Çarçanit dërguar Enverit për veprimtarinë “Katërshes”

Çfarë kërkonin Skënder Çela me Mark Toçin që e detyruan Adil Çarçanin  të vinte në “korent” udhëheqjen e lartë të Partisë Komuniste dhe personalisht, Enver Hoxhën?! Si idealistë që ishin, Skënderi me Markun nuk mund të pranonin diktatin që ushtrohej nga “lart”, pasi ata ishin kundër centralizimit të tejskajshëm që po vihej re si në parti ashtu dhe në organet e qeverisjes, gjë e cila i shtyri ata të kundërshtonin dhe denonconin manipulimet që po bëheshin në procesin e zgjedhjeve të organizatës së Rinisë Antifashiste të Durrësit. Lidhur me këtë, në ditarin e tij, mes të tjerash, Skënderi shkruante: “Ne filluam një luftë parimore, kurse nga qëndra nuk ishin të këtij mendimi”. Kështu, në veprimtarine e tyre, përveç Drita Maliles e Hysen Ballhysës, ata u mbështetën edhe nga një grup i madh të rrinjësh durrësak, i cili u konsideruar si ”Grupi i 47 të rinjëve”.

Kështu në kundërshtim të plotë me të gjitha porositë e udhëzimet e qëndrës në zgjedhjet e Rinisë Antifashiste, në mbledhjen e organizuar në kinemanë e qytetit, populli kërkoi që Skënder Çela të ishte president i Rinisë për Durrësin. Në kundërshtim me kandidaturat e sjella nga qëndra u zgjodhën dhe Mark Toçi dhe Hysen Ballhysa në zgjedhjet për pushtetin lokal, megjithëse “grupi të katërshes“, ju bë presion i madh që të mos vinin kandidaturat. Nisur nga fakti se ata nuk po “reflektonin” dhe po nuk zbatonin udhëzimet e porositë e “qëndrës”, ndaj tyre filluan presionet që ata të tërhiqeshin. Kështu Skënder Çela thirret në zyrën e general-letinant Koçi Xoxes (në atë kohë mbante postin e Ministrit të Punëve të Brendëshme dhe sekretarit organizativ të PKSH-së) , i cili i bëri shantazhe dhe presion që ai të tërhiqte kandidaturën ku ishte zgjedhur. Lidhur me këtë takim, sipas disa dëshmive, Skënder Çela do t’u tregonte në koefidencë familjaravë të tij: “Ndërsa Koçi Xoxe më fliste, në tavolinë rrotullonte një revolver”!

Në Durrës për “dy rebelët” dërgohen Nako Spiro dhe Teodor Heba

Nisur nga fakti se organizata e Rinisë Antifashiste të Qarkut të Durrësit “po dilte nga binarët”, udhëheqja e lartë e PKSH-së, vendosi që atje të dërgonte si të deleguar, Nako Spiron dhe Teodor Hebën, dy nga kuadrot durrsakë më të lartë që kishte udhëheqja se PKSH-së. Nako me Hebën, e parandjenë rrezikun që po u kanosej Skënderit dhe Markut, dhe ju bënë thirrje atyre që të tërhiqeshin nga veprimet e tyre dhe gjenin një mundësi të largoheshin nga ato detyra që mbanin, duke e kërkuar vetë atë gjë. Madje, po të ishte e mundur ta linin dhe Durrësin dhe të largoheshin që andej, duke kërkuar të shkonin me studime të larta jashtë Shqipërisë. Por ata të vendosur në idealet e tyre nuk e pranuan as “ofertën“ e Nakos, edhe pse ajo ishte mjaft dashamirëse.  Ata ishin të vendosur në luftën e tyre të pa kompromisë kundër diktatit që zhvillohej nga lart në Partinë Komuniste.

Më pas, kurë vota e lirë dhe vendimi i zgjedhjeve nuk u zbatua dhe në organet drejtuese u vendosën njerëz të diktuar nga lart, Skënderi e Marku, të pasuar nga Hyseni e Drita, shpallën publikisht daljen nga Partia komuniste. Ky ishte një aktë i pashembullt dhe që ndodhte për herë të parë në rradhët e kësaj partie. Dalja e këtyre publikisht nga rradhët e Partisë Komuniste Shqiptare, i solli jo pak probleme dhe telashe udhëheqjes së lartë në Tiranë, pasi ata kishin dhe gëzonin një popullaritet të jashtëzakonshëm në qytetin e tyre, sidomos në rardhët e organizatës së Rinisë Antifashiste. Po çdo të bëhej me ta? Eleminimi i tyre nuk mund të bëhej shumë lehtë, kur dihej përkrahja e madhe që ata gëzonin në qarkun e Durrësit. Gjë e cila u duk qartë më pas kur ata duke mos qenë fare në listat elektorle të përpiluara nga qëndra, populli i votoi pa qenë present në sallë dhe duke fituar bindëshëm me kandidatët e qëndrës në raportet 5 me 1.

Qëndra demaskon “tradhëtarët” Çela dhe Toçi  

Pas gjithë këtyre që po ndodhnin me dy “rebelët” durrsakë, duket se “qëndra” në Tiranë e humbi durimin dhe vendosi të hartonte skenarin për eleminimin e tyre fizik, por fillimisht ata duheshin demaskuar. Kështu në Durrës, sipas porosive dhe udhëzimeve konkrete të ardhura nga Tirana, Adil Çarçani, Kiço Kasapi, Eleni Terezi,(Pashko) udhëzuan të bëheshin mbledhjet e celulave ku ata u shpallën armiq. Në mbledhjen e celulës së Komitetit Ekzekutiv, Drita Malile që ishte mbështetësja kryesore e Skënder Çelës dhe Mark Toçit, u ngrit hapur kundra Kiço Kasapit, kur ai u shpreh se: “Skënderi me Markun ishin armiq”.  “Ne, na ka zgjedhur populli me votë të lirë dhe në mënyrë demokratike”, u shpreh e revoltuar ajo në atë mbledhje. Por, pas demaskimit që i’u bë atyre si element armiq dhe antiparti, filluan dhe arrestimet. Në fillim u arrestua Drita me Hysen Ballhysën, të cilët u mbajtën për gjashtë muaj në qelitë e Sigurimit të Shtetit, ku nuk munguan as torturat ndaj tyre.

Ndërsa duke parë reputacionin e madh që kishin në popull Skënderi me Markun, ata nuk u arrestuan menjëherë, por i transferuan larg Durrësit, duke i dërguar në Konispol dhe Leskovik. Po a kishte dijeni Enver Hoxha lidhur me sa po ndodhte me Skënder Çelën dhe Mark Toçin dhe a mund të dënoheshin ata pa miratimin e tij?! Kjo gjë konfirmohet qartë nga disa dokumente arkivore, ku në një fletore shënimesh të Enver Hoxhës, gjendet një listë e shkruar me dorën e tij, ku janë të shënuar 41 kuadro të qarkut të Durrësit, listë e cila i përket vitit 1943 dhe aty Skënder Çela figuron i treti pas Kozma Nushit dhe Telat Nogës (Heronj të Popullit). Për Skënderin, Hoxha ka vënë shënimin, “nënpunës, i qartë dhe i vendosur”. Kurse Mark Toçi në këtë listë figuron i 23-ti me shënimin: “nënpunës, i qartë, ambicioz”. Ky dokument është shkruar nga Hoxha në vitin 1943. Në këtë dokument emri i Markut figuron i nënvizuar…?!

Skënderi me Markun, thirren për shërbimin ushtarak?!

Në gusht të 1946-ës, Markun dhe Skënderin i thërasin për të kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak, gjë e cila për vetë ligjet e asaj kohe ishte një veprim i pa rregullt, pasi ata të dy kishin qenë partizanë, madje kuadro, me detyra drejtuese dhe nuk mund të mobilizoheshin tashmë si ushtarë të thjeshtë?! Transferimi i tyre në Konispol dhe Leskovik nuk ishte i rastësishëm, pasi sipas skenarit që ishte hartuar nga “lart”, atyre u “jepej” mundësia për ndonjë arratisje të mundëshme, ku ndonëse gjatë gjithë kohës ishin të survejuar. Duke parë se kjo arratisje nuk u relizua dhe Skënderi me Markun nuk po binin preh e atij kurthi që u ishte organizuar, atëhere “skenari” për eliminimin e tyre ndryshoi dhe ata dërgohen si rezervistë në Qarkun e Korçës. Kështu Skënderi dërgohet në Divizionin e tretë (regjimenti i dytë), kurse Marku në të tretin.

Disa kohë më pas, Skënderi transferohet në qytetin e Pogradecit. Lidhur me këtë, Petraq Laku, i cili ka qenë bashkë në një regjiment me Markun, në dëshmitë e dhëna për familjarët e tij shumë vite më vonë, kujtonte se atë fund dhjetori ai takohej pothuajse për ditë me të. Markun në atë kohë e tërheqin nga regjimenti, duke e veçuar dhe e ngarkojnë si përgjegjës të bibliotekës së regjimentit në Korçë, gjë e cila bëhej ndoshta për ta pasur nën kontroll? Petraqi dhe Marku janë takuar deri në ditën e Krishtlindjeve më 25 dhjetor kur papritur kanë takuar dhe Skënderin me të cilin kishin katër muaj pa u parë. Petraqi la takim me Skënderin të nesërmen, por ai nuk u duk as dhe dy tre ditët e tjera?! Më 29 dhjetor nuk u duk as Marku në takim?! “Më 1 janar, kujtonte Petraqi, në Korçën e mbuluar nga bora takova një shok nga Tirana (Adem Fagu) dhe më tha se Mark Toçi së bashku me një shok të quajtur Skënder Çela janë arratisur…?! Kjo gjë m’u duk e pabesueshme se ata i kisha aq shumë shokë, sa nuk mund ta bënin një gjë të tillë pa e ditur dhe unë”!

Kongresi i parë: Akuzat bien mbi Xoxen

Po ç’kishte ndodhur me Skënder Çelën e Mark Toçin dhe si qëndron e vërteta rreth misterit të tyre? Kjo gjë do të zbardhej pjesërisht vite më vonë në Kongresin e parë të Partisë Komuniste Shqipotare. Kështu pas eleminimit që Enver Hoxha i bëri bashkëpunëtorit më të ngushtë të tij që nga koha e Luftës, Koci Xoxes, të gjitha krimet, vrasjet, torturat, internimet dhe reperkusionet që kishin ndodhur deri në atë kohë, ai (Enveri), do t’ia ngarkonte atij, ndonëse siç do të dëshmonte Xoxe në deponimet e tij, ai çdo gjë e kishte bërë me dijeninë dhe aprovimin e “Komandantit”. Po kështu u veprua dhe me misterin Çela- Toçi. Në një nga seancat e Kongresit të parë të PKSH-së, Bajram Vula do të dëshmonte: ”Në qershorin e 1946-ës, kam qenë në pushim kur është bërë revizionimi në parti, atëherë dolën 27 anëtar antiparti, armiq të partisë.

Kur u bë thirrja në ushtri, erdhën dhe dy prej tyre Skënder Çela dhe Mark Toçi. Në këtë kohë me 26.12.1947 ka ardhur Koçi Xoxe në Korçë për të punuar konventën ekonomike me Jugosllavinë. Po në këtë periudhë ka ardhur dhe Beqiri me Panajotin dhe më thanë të shkojmë në komandë. Ka qenë ora 11.00 e natës. I morëm të dy usharakët dhe i vramë. Të nesërmen shkuam dhe i fshehëm. Unë i thashë shokut Panajot që t’ua bëjmë gjyqin, të mbledhim ushtarët dhe pastaj t’i vrasim në sy të ushtarëve. Kjo vepër është vepër kriminale sepse këta janë vrarë pa ligje. Koçi me shokët e tij nuk kanë zbatuar urdhërat e Partisë. Unë nuk kam qënë i qartë për gjyqet e popullit. Unë si komisar Regjimenti nuk ndihem të kem faj në këtë vepër, prandaj faji parë është i Koçi Xoxes, i dyti i Beqir Ballukut dhe i treti imi. Por nuk më lë të qetë ndërgjegja se Koçi nuk i vrau vetë, po me anë tonë”.

Ky është diskutimi i Bajram Vulës i mbajtur në Kongresin e pare të PKSH-së, kurse në një deklaratë tjetër të bërë prej tij pas shëmbjes së regjimit komunist (në vitin 1993) për të afërmit e tyre, ai e shtjellon më tej këtë çështje, ku midis të tjerash shton:

Nata e krimit, dëshmojnë autorët

“Më bëri përshtypje se Panajot Plaku nuk e kishte marrë shoferin, por e ngiste vetë makinën. Kur hypa në makinë pashë mbrapa Skënder Çelën dhe Mark Toçin të lidhur me litar. Pasi ndaluam makinën diku në breg të liqenit në qendër të plazhit të sotëm, Beqiri dhe Panajoti me shpejtësi I nxorrën nga makina dhe i qëlluan disa herë me revolver. I ndodhur në befasi në këtë skenë, protestova për veprimin të paligjshëm duke iu drejtuar Panajotit se; veprime të tilla duhet të bëhen vetëm me vendime gjyqi.

Ndërsa në momentet e mbulimit të kufomës me rërë, Beqir Balluku, i ekzaltuar u përgjigj se kishte një urdhër nga gjeneral Koçi Xoxe. Të nesërmen në darkë rreth orës 23.00, nga frika se do të zbulohej vëndi, i morëm kufomat dhe i varrosëm në një cep të rrugës automobilistike para se të arrish në Qafë – Plloç, vetëm se këtë herë në vënd të Beqir Ballukut, erdhi Baki Starja. Unë dhe Bakiu hapëm një gropë dhe mbuluam kufomat, kurse Panajoti ndriçonte vendin me dritat e makinës”.

Kështu në atë fund të dhjetorit të 1946-ës, me urdhër të Koçi Xoxes, Skënder Çela dhe Mark Toçi u pushkatuan prej Beqir Ballukut, Panajot Plakut dhe Bajram Vulës në Pogradec.

Dëshmitë e fundit: Krimi zhvarroset

Ndërsa në një dëshmi tjetër që bën fjalë për këtë ngjarje të dhënë për familjarët e Skënder Çelës dhe Mark Toçit, ish-shefi i Stërvitjes i Regjimentit të Pogradecit në atë kohë, Baki Starja, (më pas gjeneral-major), thuhet se: ”Më ka ardhur Panajot Plaku duke më thënë se: ‘Sot do të zhdukim kufomat e dy armiqëve që i kemi vrarë mbrëmë, detyra është shumë sekret dhe duhet konspiracion i madh’. Nga mënyra se si m’u komunikua detyra, mendova se kishim të bënim me një detyrë shumë të rëndësishme, ku nuk përjashtohej mundësia që pas kryerjes së detyrës mund të më zhduknin dhe mua për të humbur gjurmët, prandaj mora me vete revolverin të mbushur plot me fishekë. Në vënd ngjarje shkuam unë dhe Bajram Vula, ai me një lopatë xheniere më tregoi vendin ku ishin kufomat.

Pas ç’varosjes, unë njoha menjëherë Skënder Çelën se ishte rezervist në repartin tonë dhe një tjetër më të dobët dhe më të gjatë. Të dy kufomat që ishin goditur disa herë prapa koke me plumba, menjëherë i ngjitëm në “Chevrolet”-in e Panajotit, i cili nuk doli për asnjë çast nga makina. Makinën e ndaluam në Qafë – Plloç dhe duke shfrytëzuar një transhe të luftës italo-greke, bëmë varrosjen e kufomave. Panajoti rrinte përsëri në makinë duke na ndriçuar vendin me dritat e maknës. Unë e njihja personalisht Skënderin në regjiment, ku ngrinte probleme që ishin në kundërshtim me vijën e partisë… Mua nuk më është dukur asnjëherë e drejtë vrasja e tyre, pavarësisht se kisha rezervat e mija për ta”.

Hoxha eleminon autorët e krimit

Duke parë dëshmitë dhe dokumentat e mësipërme që hedhin dritë mbi misterin “Çela-Toçi”, duket qartë se udhëheqja e lartë e PKSH-së dhe personalisht Enver Hoxha, shihnin tek ata dy djem të rinj komunistë idealistë, dy kundërshtarët politkë, që mund t’u sillnin”telashe” të mëdha sistemit autoritarist që ata po instalonin në Shqipëri, gjë e cila kishte filluar që nga periudha e Luftës. Vetë angazhimi i krerëve kryesorë të atij rregjimi për eleminimin fizik të Skënder Çelës dhe Mark Toçit, e konfirmon dhe e tregon më së miri këtë gjë. Një fakt tjetër që e bën më bindës këtë ngjarje, janë edhe njësërë dokumentash të gjendura në arkivat e ish-Sigurimit të Shtetit, që hedhin dritë “mbi veprimtarinë tepër të rrezikshme të Skënder Çelës si nisiator i krijimit të Partisë Social Demokrate, i nxitur dhe përkrahur nga mësuesi i tij, që ai e kishte si idhull, Skënder Luarasi dhe miqtë e tij Shefqet Beja dhe Enver Sazani”.

Nga të gjithë njerëzit e tij të ngushtë që Hoxha përdori për eleminimin fizik të Çelës dhe të Toçit, vetëm Adil Çarçani mundi t’i shpëtonte dorës së tij të hekurt. Kështu siç dihet tashmë, në periudha kohë të ndryshme ata patën një fat tragjik duke rënë viktima e idealit të tyre që përqafuan që në rininë e tyre, si: Nako Spiro, Koçi Xoxe, Panajot Plaku, Beqir Balluku, Kadri Hazbiu etj. Kështu në vitin 1975 njëri nga ekzekutorët e Çelës e Toçit ish-nënkryeministri dhe ministri i mbrojtjes Beqir Balluku do të shkonte po në mesnatë po në atë fshehtësi drejt vdekjes, por këtë rradhë jo në rolin e ekzekutorit si dikur me Çelën e Toçin, por këtë rradhë në atë të viktimës.

Në Qafë- Plloçë pak metra anës rrugës nacionale, koha ka mbuluar me mister eshtrat e Çelës e të Toçit. Megjithë dashamirësin e njërit nga personazhet e kësaj ngjarjeje të largët Baki Starjes që shkoi disa herë aty, ato varre akoma nuk janë gjetur…?! Ndërsa edhe Baki Starja është ndarë prej kohësh nga kjo jetë, dy nipat e Skënder Çelës, Mirush Kabashi (aktori i madh) dhe Ylli Rusi, si dhe vëllai i Mark Toçit, (Vangjel Toçi), edhe pse u endën për shumë vite duke shpresuar të gjenin atje vënd-groposjen e dy njerëzve të tyre të shtrenjtë, ajo gjë akoma nuk është bërë e mundur…?! Por në shënje të kujtimit të tyre dhe asaj ngjarje që iu morri jetën, nga viti 2011, ata kanë ngritur një memorial të vogël, mbi të cilin herë pas here gjendet ndonjë tufë me lule…/memorie.al

 

Esat Pasha – gazetarit të La France (1914): “Myslimanë jemi dhe mysliman duhet të jetë udhëheqësi ynë !”

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 25 Janar 2020

 

“L’Homme Libre” ka botuar, të dielën e 19 korrikut 1914, në faqen n°3, intervistën e gazetarit të “La France” me Esat Pashë Toptanin, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

 

Intervistë e Esat Pashës

 

La France. — Z. Pierre Villatte :

 

Pashai, megjithëse në shprehjet e tij dukej i moderuar, pranoi se ende ishte i “zemëruar” ndaj Princ Vidit : “Princi nuk është as i guximshëm, as i mirë, as i dobishëm. Unë madje dyshoj se në sferën e tij të mëparshme – përkthimi i sekretarit – të ketë qenë një njeri i lartë (i vlerësuar).”

 

Dhe pashai i mirë më kujton që i bombarduan shtëpinë “në padijeni të tij”.

 

Por sytë e tij ndriçohen dhe pashai bën gjeste të mëdha me krahët e tij : “Përveç kësaj, shikoni se çfarë ndodh tani !”

 

Loja është e mirë për të; ai është shumë i lumtur me të :

 

“Shqiptarët nuk mund të komandohen kurrë nga një gjerman. Ne jemi shumë të denjë. Përveç kësaj, ne jemi 800.000 myslimanë kundër 40.000 katolikëve. Ne jemi shumica, duhet të komandojmë; është diçka logjike. Përkundrazi, Princ Vidi përbën një urdhër në të cilin ekziston kryqi që ne myslimanët nuk mund ta bartim kurrë. Dhe pastaj, ai është i rrethuar nga shumë të huaj!

 

Myslimanë jemi dhe mysliman duhet të jetë udhëheqësi ynë !”

BIJTE E IZRAELIT: Të më thahet krahu i djathtë, nëse të harroj ty Shqipëri! – Nga Luan Rama

Sa herë afrohet 25 janari, «Dita e Holokaustit» do më shfaqet gjithnjë fytyra e mikut të vjetër Josef Jakoel, një nga hebrejtë e shquar të Shqipërisë që para se të largohej në Izrael, tha shprehjen e tij të famshme: «Të më thahet krahu i djathtë nëse të harroj ty Shqipëri!» Dhe kjo thënie e tij kishte një të vërtetë të fuqishme dhe të rrënjosur në historinë e hebrenjve të Shqipërisë: atë të bashkëjetesës, të besës, mbrojtjes së hebrenjve. E kujtoj gjithnjë e mall fytyrën e tij, shtëpinë ku ka jetuar dikur pranë Shkollës së Kuqe në Tiranë në rrugën «Riza Cerova», ajo shtëpi e thjeshtë dykatëshe ku ai jetonte në katin sipër dhe plot me libra dhe e mbushur me aq dashuri, pasi Cefi, siç i thërrisnim të gjithë ishte një poliglot që fliste e lexonte në disa gjuhë, që veshët i mbante në radion e BBC dhe të Vois of America. Ishte një shpirt i madh, mjaftë i sjellshëm dhe me humor. Ishte i pari hebre që shkroi për historinë e hebrenjve të Shqipërisë. Më kujtohet kur më dha të lexoja një shkrim qe kishte shkruar në vitin 1988 për mbrojtjen e hebrenjve nga shqiptarët gjatë Luftës së Dytë Botërore. Kishte dëshirë ta bënte të njohur dhe shkrimi u botua në gazetën «Bashkimi» të asaj kohe. E megjithatë atij i vinte keq që akti i madh i shqiptarëve për çështje ideologjike ndaj Izraelit ishte ende i panjohur në botë dhe se ai meritonte të njihej kudo dhe së pari nga Izraeli. Pikërisht atë kohë, Cefi filloi të mendojë për shkrimin e një libri të plotë mbi hebrenjtë e Shqipërisë që nga pikëtakimet e vjetra të hebrenjve dhe shqiptarëve, me sinagogën e tyre në epokën bizantine e më pas në Mesjetë në shekujt XVI-XVII, me historinë e Sabvatai Tsvi dhe më pas forcimit të komuniteteve hebraike dhe hebrenjtë e shekujve XIX-XX, kohë kur ata banonin kryesisht në Berat, Vlorë, Elbasan e gjetkë duke ruajtur tradicionet e tyre hebraike.

Kush e ka njohur Cefin atë kohë flet me admirim për të: gjithnjë i gatshëm për të dhënë mendimin e pavarur dhe kontributin e tij. Dikush madje na tregonte dhe një histori të këndshme çka tregonte një anë tjetër të tij. Një ditë vere Cefi po pinte një kafe me dikë në një kafene kur papritur filloi një rrebesh i madh. Të gjithë ikën me nxitim pa paguar. Kur shiu mbaroi dy orë më vonë, Cefi ishte kthyer në banak të paguante dhe kamerieri ishte habitur se ishte i vetmi që kishte ardhur tek ai.
Pas një pune intensive si financier e pastaj si pedagog i ekonomisë në Institutin Bujqësor të Kamzës, në pension, Cefi filloi të shkruante. Disa miq i kishin gjetur një makinë «Oliveti» dhe me të nisi të shkruante kujtimet e para, historitë e vjetra, me shpërnguljet dhe hebrejtë e ardhur në brigjet e Ilirisë nga Spanja, safaradët. Cefi e pëlqente shumë letërsinë. Parapëlqente librat e gjeografisë, historisë, biografitë e personaliteteve botërore dhe letërsinë, sigurisht. Ja pse përktheu dhe tregimet e shkrimtarit hebre Bashevis Singer që i kishte rënë në dorë «Një djalosh në kërkim të Zotit», apo një tjetër vepër të Filiber. Dinte t’i këndonte pothuaj të gjitha këngët e festivalit të San Remos, mes të cilave njëra që i pëlqente aq shumë «Finche la barca va…» e Orieta Berti. Por shqetësimi kryesor ishte libri që do tu kushtonte hebrenjve dhe shqiptarëve që i mbrojtën ata nga shfarosja. Gjithë jetën ai kishte jetuar në Shqipëri. Kishte lindur në Vlorë, ku kishin jetuar nëna e tij Sandra dhe i ati, Rafael. Por tashmë ata kishin vdekur me mallin për të parë një ditë «Tokën e Shenjtë». Por Cefi donte të tregonte ç’kishte ndodhur me hebrenjtë në Shqipëri dhe për këtë duheshin pyetur vetë hebrenjtë, kudo që ishin, për ngjarjet e tyre personale e familjare, për kujtimet historike e veçanërisht për kujtimet gjatë pushtimit fashist e nazist në Shqipëri. Çfarë ndodhi me hebrenjtë gjatë luftës? Si shpëtuan ata? Cilët ishin ata njerëz të thjeshtë që i mbrojtën si të ishin pjesëtarë të familjes së tyre e po kështu dhe ata qeveritarë që nuk i dhanë listat e hebrenjve në Shqipëri? Gjithçka duhej dëshmuar për familjet Veseli, Myrto, Herri, Zeneli, një listë e gjatë…

JETA E TIJ NJË ROMAN
Po, jeta e Cefit ishte në fakt një roman më vete pasi atij gjithnjë i ishte dashur të mbijetonte, si në kohë lufte ashtu dhe pas saj. Kur ishte student në Korfuz, gjatë luftës italo-greke, ushtria greke e arrestoi dhe bashkë me qindra të tjerë e nisën drejt një kampi të burgosurish në Korint. Cefi ishte me shtetësi shqiptare por edhe pse hebre atë e internuan. I kishin hipur në një anije por atje u sëmur shumë dhe desh vdiq nga ethet, por dy murgesha që ndodheshin aty u kujdesën për të dhe e shpëtuan. «Dy engjëjt e mi», thoshte Cefi kur kujtonte atë kohë. Familja nuk dinte asgjë se ku ndodhej biri i tyre. Shumë muaj më vonë më së fundi ai u kthye dhe erdhi në Vlorë. Portën ia hapi nëna e tij, Sandra, e cila nuk e njohu në fillim, aq shumë ishte dobësuar dhe kishte ndryshuar brenda aq pak muajve. Por pastaj ajo e kishte marrë në krahë. Ishte Cefi… Pikërisht në Korfuz ai ishte njohur dhe me Nako Spiru, që të dy student nga Shqipëria. Një miqësi i lidhi të dy dhe Cefi kujtonte me mall inteligjencën e Nakos kur bënte komentet në shkollë dhe që nganjëherë i bënte më mirë se dhe vetë mësuesi. “Ishte tepër i zgjuar dhe me shumë talent!” kujtonte ai.
Kur ushtria e Wermahtit marshoi drejt Shqipërisë, një ditë Cefi po kalonte rrugës kur papritur u takua me një shokun e tij të Shkollës Tregtare, Shyqyri Myrto. – Ku shkon kështu i humbur? – e kishte pyetur ai. – S’di çdo bëhet e fatin tonë! – ia kishte kthyer Cefi dhe i tregoi se duhej të fshihej bashkë me të motrën pasi mund ta arrestonin nga çasti në çast. – Eja në familjen time, do të jetojmë bashkë, – i kishte thënë menjëherë Shyqyriu dhe e kishte strehuar tek familja e tij në Kavajë. “Ishte një familje e madhe, – kujtonte Cefi, – dhe njerëz shumë të dashur që ishin gati të sakrifikonin për ne!”

Ndërkohë, Pepe Kantozi ndërkohë kishte marrë malet në Mallakastër bashkë me partizanët. Të tjerë hebrenj u lidhën me lëvizjen. Në Vlorë «Ceta Plakë» arriti të nxirrte nga Vlora e rrethuar shumë hebrenj dhe ti çonte në Dhërmi e gjetkë, nga ku shpëtuan. Doktor Spiro Litos, miku i tij, kishte qenë atëherë doktor në Prishtinë dhe ai mundi të nxjerrë nga kampi shumë hebrenj të burgosur, të cilët më së fundi shpëtuan. Po kështu, dhespoti i Beratit, Visarion Xhuvani strehoi hebrenj të tjerë në manastirin e Ardenicës, ashtu si në Kamëz Aqif dhe Ganimet Toptani që shpëtuan familjen Altarac dhe Sida Levin me birin e saj. Në Elbasan, Marko Menahem u mbrojt nga familja Nosi, të cilët e fshehën në fabrikën e tyre. Në Shkodër ishte familja e Dario Arditit. Dario kishte njohur në Firenze Qemal Stafën dhe ishin miq të afërt. Por kur gjermanët erdhën në Shkodër, atë dhe gjithë familjen, me përjashtim të Moisiut, i arrestuan dhe i çuan në kampin e Prishtinës. I ati mundi të kthehej pas luftës por vdiq menjëherë nga sfilitja e madhe ndërsa të tjerët, të gjithë përfunduan në kampet e shfarosjes. Emrat e shqiptarëve si Fatlli Imami, Haxhi Herri, Hasan Xhufi, Lilo Xhimitiku, Tol Todi e shumë e shumë të tjerë mbetën të paharruara në zemrat e hebrenjve.

Kujtimet e luftës ishin të shumta. Të atin, Rafaelin, fashistët italianët e burgosën gjatë pesë muajve meqë një makinë e shoqërisë «Levi-Jakoel» kishte çuar ndihma në mal tek luftëtarët e lirisë. Por ditët më të vështira për të gjithë hebrenjtë e Vlorës dhe gjetkë do të ishin pas masakrës së 4 shkurtit në Tiranë, kur Cefin kërkonin ta arrestonin. Nga fundi i luftës kur Shqipëria po çlirohej dhe ushtria e Wermahtit po tërhiqej me shpejtësi, ai mori vesh se Vlora ishte çliruar dhe bashkë me të motrën 16 vjeçare, Enriketa, nga Kavaja ku ishin fshehur u nisën drejt Vlorës. Rrugës panë një kamion dhe e ndaluan. Por kur hipin në të dalluan se ishte një ushtar gjerman. Cefi dinte ca fjalë gjermanisht, por nga ai udhëtim i kishte bërë përshtypje se ai gjerman çakërrqejf i përgjigjej gjithnjë “javol”, “javol”… E ku ta dinte ai se kishte me vete dy hebrenj. I kishte dhënë çakmakun që kishte si kujtim dhe ai i kishte çuar gjer në Fier… Që andej një makinë tjetër i kishte hedhur në Vlorë. Kur mbërritën në shtëpi dhe i kishte treguar të atit se kishte ardhur me një shofer gjerman ai e kishte qortuar: «Po ti paske qenë i çmendur!» Aty kishte gjetur tashmë dhe Viktorin me motrën tjetër Eftiminë, të cilët kishin qenë të fshehur në shtëpinë e Qamil Xhyherit.

Kur lufta mbaroi hebrenjtë e Shqipërisë filluan të presin lajmet e të afërmve të tyre nga Janina, Selaniku, Korfuzi, ata që ishin arrestuar nga nazistët dhe ishin nisur me trena drejt kampeve të shfarosjes. Ç’kishte ndodhur me ata? Cefi dhe prindërit e tij prisnin kthimin e Eftihisë bashkë me burrin dhe dy fëmijët, të arrestuar në Korfuz në maj të vitit 1944, por një heshtje varri mbretëronte. Për një kohë ata i mbante shpresa e shpëtimit. Por koha kalonte dhe pak nga pak lajmet filluan të vinin.
Kisha parë fotografitë e motrës së Cefit dhe të burrit të saj, të fëmijëve dhe ndër të tjera në një poezi kisha shkruar: «Rafael, Rafael, ku je shpirti im,/ thuamë ku është pjella ime,/ ah, ky tymi i zi i Gjermanisë që s’më lë të të shoh/ të shoh sytë e tu dhe buzën tënde të tharë/ gjithë diejtë e botës po më shuhen sot në Auschvitz,/ kam dalë nëpër kamp të kërkoj pjellën time/ por këta tela me gjëmba më kanë bërë gjak/ thuam burri im i shtrenjtë ku janë,/ I kërkoj ngado dhe nuk e dëgjoj zërin e tyre,/ Niso dhe Lina nuk më përgjigjen më,/ mos vallë janë duhitë e erës që i largojnë/ vallë i ke fshehur nën krahët e tu,/ thuamë Rafael, ku është pjella jonë me sy të bukur/ që cicëronin si zogjtë dhe rendnin si fluturat…»

Nga të parët u kthye Fortunia, e cila nga Gjirokastra ishte martuar në Janinë nga familja Vituli, të cilën e kishin arrestuar bashkë me familjen e burrit. Me qindra të tjerë ata i kishin nisur drejt kampeve të shfarosjes. Por gjatë seleksionimit, kur e panë Fortuninë të fuqishme, nazistët e kursyen dhe e çuan në grupet e punës, ndërkohë që të gjithë të tjerët u çuan drejt dhomave të gazit. Më së fundi nga Gjermania Fortunia ishte kthyer në Gjirokastër ku më vonë do të martohej përsëri po me një hebre që i kishte mbijetuar kampeve. Dhe ata ishin të pakët. Fortunia ende kishte të damkosur krahun e saj me numrin e kampit. Pikërisht atëherë hebrenjtë e Shqipërisë kuptuan gjëmën e madhe që kishte ndodhur me komunitetet hebraike. Nga letrat që vinin pikërisht ato vite ata panë turrat me flokët e të internuarve, malet me këpucë dhe valixhe, pirgjet e panumërt me kufoma… Ishte Holokasti

PAS-LUFTA
Vitet e para të pasluftës në Shqipëri ishin të vështira për familjen Jakoel. Rafaeli, i ati i Cefit bënte tregti në Vlorë ku jetonte dhe kishte hapur një dyqan edhe në Durrës. Jetonte në paqen e tij dhe hebrejtë mendonin se një epokë e re po fillonte për ta si për gjithë popullin shqiptar. Por shpejt, edhe ata do të zhgënjeheshin. Cefi e kujtonte gjithnjë atë kohë të dhimbshme kur dyqanin në Durrës ia sekuestruan të atit dhe kur një ditë, në shtëpinë e tyre të madhe në qendër të Vlorës erdhën nga Mbrojtja Popullore dhe u konfiskuan gjithçka. Mban mend kur një nga ata që kontrollonin, nxori nga dollapi kostumet e tij dhe në sy të tij i provonte duke qeshur. Kështu ata mbetën pa shtëpi dhe u detyruan të shkojnë në një shtëpi përdhese, gjersa Cefi i mori prindërit me motrën dhe u vendosën përfundimisht në Tiranë. Ashtu kokulur, të thjeshtë e të ndershëm dhe gjithnjë mirënjohës ndaj shqiptarëve që i shpëtuan qofshin këta (dhe komunistë me utopinë e tyre të barazisë), një jetë e re filloi për ta. Cefi ishte financier i zoti dhe në detin plot tallaze të jetës diti të çajë me punën, ndershmërinë dhe inteligjencën e tij si gjithë hebrenjtë e tjerë. Kështu Cefi krijoi familjen e tij simpatike, me Aliqin dhe dy vajzat që rriteshin në një mjedis intelektual ku flitej për letërsinë, muzikën, shkencën e historinë. Miqtë e tyre ishin intelektualë me emër si, Eqrem Çabej, doktor Paparisto, doktor Pavlo Pavli dhe shumë intelektualë të tjerë. Një piano dhe një violinë u blenë me sakrifica. Feliçeta luante piano dhe Ksenia luante violinë. Por kur Feliçeta kërkoi të vazhdonte Institutin e Lartë të Arteve për piano, kërkesa e saj u refuzua dhe kjo sepse ishte nga një familje me origjinë tregtare, të cilës i ishte konfiskuar gjithçka. Dhe kjo Cefit i dhëmbi shumë. Feliçeta e kujton dhe kësaj dite atë çast kur hyri në shtëpi dhe e pa të atin duke pirë një dopio raki dhe që qante. Ishte e para herë që e shikonte të qante, e para herë që pinte… S’dinte ç’të bënte, dhe ashtu që ta lehtësonte, me talentin e saj spikatës, u ul ne piano dhe nisi të luante Mozart. Ai qante dhe ajo luante, një trisht që do të kthehej në plagë në zemrën e tij. E megjithatë Shqipëria ishte një atdhe për të.

TRADICIONE HEBRAIKE
Mbaj mend kur nga fundi i viteve ’80, në plazhin e Shkozetit, Cefin e shikoja gjithnjë me dorëshkrimet e tij. Dhe gjatë kohës që shkruante, një nga dëshirat e tij ishte të tregonte se si tradicionet hebraike, edhe pse nuk kishin një sinagogë në Shqipëri, përsëri ato kishin mbijetuar me festat, ritet, gjuhën dhe lidhjet mes hebrenjve. Kujtonte dhe shkruante për ritet e varrimit ku i vdekuri futej në dhe pa arkivol meqë në Testamentin e Vjetër thuhej se «Je prej pluhuri dhe në pluhur do të kthehesh përsëri». Kujtonte Jehuda Saretën që kujdesej për ritet e tyre, për të kremtet apo festimin e Vitit të Ri hebraik siç e quanin ndryshe «Rosh Hashana»; për ditën e «Jom Kipurit» ose «Ditën e Pendesës së Madhe», ceremoni kjo që mbyllej me lutjen «Kol Nidrei», për të kremten e «Hanukasë», Dita e Purimit dhe Purifikimit te Altarit të Tempullit në muajin dhjetor… Me ardhjen e pranverës vinte Pashka apo «Pesah» e hebrenjve. Kështu traditat vazhdonin me këngët dhe vallet e tyre, me shallin e bardhë me dy vija blu anash apo me shallin e lutjes kur bekoheshin në emër të Abrahamit, Isakut dhe Jakovit… Një Bibël e vjetër në gjuhën greke ishte një nga librat me të çmuar të tij, pasi aty ishte Testamenti i Vjetër i popullit të tij, tregimet e Moisiut dhe të Abrahamit, luftërat e shumta të mbijetesës nëpër shekuj.
Pas një pune të palodhur shkrimi i librit mbaroi. Në krye të tij Cefi kishte vendosur një përkushtim për motrën e tij Eftihia që u tret në hiret e krematorit nazist: «Kushtuar Eftihisë, burrit të saj Rafo, djalit pesëvjeçar Niso, vajzës 2 vjeçare Lina – viktima të Holokaustit. Cefi» Dhe më pas një shënim të shkurtër: «E treta vajin tim në vajin e pafund të popullit tim. Sandra». Ishin falët e shtrenjta të nënës së tij.

Libri ishte padyshim jo thjesht një dëshmi familjare por dëshmi e gjithë komunitetit hebraik të Shqipërisë, e vetë historisë dhe gjurmëve të hebrenjve në Shqipëri. Cefi krenohej që hebrenjtë edhe pse të kërcënuar për tu shfarosur, ata u lidhën me luftën dhe luftuan për çlirimin e Shqipërisë. Madje e veçantë ishte dhe kërkimi i gjenealogjive të shumë familjeve hebre që kishin ardhur përsëri në Vlorë në 1850 duke filluar me familjen e Solomon Menahem Jomtov i ardhur nga Janina dhe vendosur në Delvinë me gjithë gruan e tij Astro Negrin. Por ai nuk mjaftohet vetëm me të por dhe pasardhësit e tij siç shkruan në dorëshkrimin e tij: «Nga martesa e tyre lindi një djalë, Menahem Solomon Jomtov, i cili u martua me Rakela Samuilidhi [Rachele Samuilidi], me origjinë nga qyteti Trikalla i Greqisë dhe jetonin n¸ Delvin¸. Rakela ishte izraelite me prejardhje nga Spanja, por në shtëpinë Jomtov flitej greqisht sepse anëtarët e tjerë të familjes nuk e flisnin spanjishten. Ky ¸sht¸ nj¸ nga shembujt e pak¸t t¸ p¸rzjerjes s¸ izraelit¸ve me prejardhje t¸ ndryshme. Nga kjo martesë lindën 6 vajza dhe 2 djem. Nga vajzat, e madhja Astridi, vdiq gjatë barrëlindjes së saj të vetme, tre t¸ tjerat u martuan në Greqi me të rinj izraelitë, ndërsa Viktoria, u martua me doktor Jani Melon dhe jetuan në Fier. Më e vogla, Ana u martua me Agim Sinën. Ajo ka vdekur dhe është varrosur në Krujë. Nga djemtë e Menahemit, i dyti Sami (Samuel), vdiq në Sarandë më 1937 dhe tjetri Solomoni (Tovi) Jomtov deri në muajin mars 1991 banonte në Vlorë, dhe këtej po atë muaj u kthye në Izrael. Në fillim familja Jomtov i mbajti të forta lidhjet me Janinën nga ku kishin ardhur. Kështu, kur vdiq plaku Solomon dhe e shoqja Astro, ata i varrosën në Janinë. Po ashtu, në Janinë u varros edhe nipi 17 vjeçar Sami. Të tjerët janë varrosur në Vlorë dhe në Krujë…»
Vetëm po të shohësh bibliografinë e këtij libri me titullin «Izraelitët në Shqipëri», (për të cilin po përkujdeset Brikena Çabej dhe Agron Alibali që e gjeti këtë dorëshkrim në Bibliotekën e Harwardit), e kupton seriozitetin e autorit, duke konsultuar në gjuhë të ndryshme vepra themelore për gjurmët hebraike në Shqipëri, nga Straboni, Apollodori, Josephus Flavius, Bonfante, Stipçeviç, etj e deri tek librat e Kristo Frashërit, Selami Islamit, Arben Puto, etj. Po kështu të shumta janë dëshmitë që Jakoel ka mbledhur nga Fejzi Hoxha, Doktor Litos, Shyqyri Myrtos, Kadri Kërçiku, Sado Qamil Xhyheri, doktor Ludovik Kalmari, Zhaneta Solomoni, Rafael Levi e Nesim Levi, Eftihia Silberman, e shumë të tjerë.

MIRËNJOHJA E MADHE
Në vitin 1991 ngjarje të mëdha ndodhnin në Shqipëri: dominoja e fundit e shteteve totalitare në Lindje po binte. Për hebrejtë erdhi dita të shikonin dhe ata tokën e Abrahamit, të realizonin kthimin e tyre në Izrael. Por kjo nuk ishte e lehtë, pasi martesat me shqiptarët, vdekjet dhe varret e të parëve, gjithçka i lidhte ngushtë me këtë tokë. Bashkë me mikun e tij fotograf Refik Veseli dhe hebrejtë Marko Menehem dhe Pepe Kantozi, etj, Cefi mendoi për krijimin e Shoqatës së Miqesisë Shqipëri – Izrael. Pikërisht në ditën e themelimit, në fjalën e tij, mes të tjerash Cefi do të thoshte frazën e tij të famshme: «Të më thahet krahu i djathtë po të harrova ty Shqipëri!» Që kohë më parë vajza e tij Feliçeta kishte shkuar fshehurazi nga Greqia në Izrael dhe në Institutin «Yad VaShem» të Holokaustit kishte dorëzuar listën e mbrojtësve shqiptarë që më pas do të shpalleshin «Fisnikë mes Kombeve». Dhe emrat e tyre do të shkruheshin mes «fisnikëve» të botës… pemë për nderin e tyre do të mbilleshin në kopshtin e madh të «fisnikëve». Më pas, në vitin 1991, një grup «shpëtimtarësh» shqiptarë me ftesë të Yad VaShem do të vititonin Izraelin dhe do të priteshin me shumë mirënjohje nga Instituti i Holokaustit. Gjithçka kishte qenë prekëse. Që atëherë, emrat e 75 fisnikëve shqiptarë (ata kanë qenë më të shumtë, por mjerisht dëshmitarët kishin vdekur në atë kohë) janë rreshtuar krah fisnikësh të tjerë nga e gjithë bota. Por Shqipëria e vogël është e veçantë pasi asnjë hebre nuk u dorëzua nga shqiptarët!

NË KIRIAT BALIK ME
JOSEF JAKOEL
Shumë vite më parë vizitova Izraelin dhe një nga vizitat e para që doja të bëja atje ishte të shkoja në varrin e Cefit të dashur, në «Kiriat Balik», që mbante emrin e një poeti të madh izraelit. Nga Haifa shkuam në ato varreza plot pemë ku ai prehej bashkë me gruan e tij Aliqi, krah më krah me të dashurën e tij, pasi historia e tyre ishte një histori e vjetër dashurie që kishte filluar që në rininë e tyre në shkollat e Korfuzit, kur i ati i Aliqit, doktor Koleka, republikan, ishte një i mërguar politik i viteve ‘30. Atëherë Cefi ishte në një kolezh e më pas në Shkollën Tregëtare. Prehej aty me ëndrrën e tij të realizuar e ndoshta ende pëshpëriste siç i kishte pëshpëritur Aliqit gjithnjë: «E ëmbla ime, dashuria ime!” – edhe pse ishin të moshuar. Preheshin bashkë në Tokën e Shenjtë ku jo larg ishin vendbanimet e reja të familjeve shqiptare në Haifa apo në kodrën e bukur të Carmel-it, duke vazhduar me tej në Tel-Aviv, Jeruzalem, Cesare, të cilat jetonin mes dy dashurive: Izraelit dhe Shqipërisë. Cefi flinte dhe unë kujtoja ato ditë e netë plot bujari kur ai n’a priste dhe n’a fliste me aq dashuri për «vëllezërit» e tij shqiptarë, për Shqipërinë që e kishte rrahur nga njëri cep në tjetrin. Jo, krahu i tij nuk ishte “tharë” ashtu si i gjithë shqiptaro-izraelitëve që shkuan në Izrael.
Tashmë të gjithë kanë vdekur, të mbijetuar dhe “shpëtimtarë” modestë. Vetëm aktet e dashurisë humane kanë mbijetuar, “besa” shqiptare për të mos e dorëzuar mikun që vjen në shtëpinë e tij, dhe ky akt jo vetëm nga njerëzit e thjeshtë, jo vetëm nga partizanë e nacionalistë por dhe ata që ishin në krye të qeverisë kuislinge. Besa qëndronte mbi politikat dhe ideologjitë. Ishte ajo që i dha emër Shqipërisë bujare nëpër botë…

Le Rappel (1919)- Ismail Qemali, i cili ka luajtur një rol të madh gjatë revoltës shqiptare, sapo ka ndërruar jetë në Peruxhia

Ismail Qemali

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 24 Janar 2020

 

“Le Rappel” ka botuar, të martën e 28 janarit 1919, në faqen n°2, lajmin e ndarjes nga jeta të Ismail Qemalit në Peruxhia, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

 

Vdekja e Ismail Qemal Beut

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Ismail Qemal beu, ish-presidenti i qeverisë së përkohshme të Shqipërisë, sapo ka ndërruar jetë në Peruxhia, vend ku ai ishte tërhequr (strehuar).

 

Ismail Qemali pati kaluar disa kohë në Paris në fillimin e luftës. Ai luajti një rol të madh gjatë revoltës shqiptare, e cila shërbeu si prelud për Luftën Ballkanike të 1912.

IBRAHIM RUGOVA ASHT MA I MADH SE THONI JU… – Nga Fritz RADOVANI

 

PAPA GJON PALI II PRITI IBRAHIM RUGOVEN

1998… Në sejcilin minut që lëviznin hagrepët e sahatit… Pritej një lajm per Kosoven!

Sot ju duket e pabesueshme, po ata që e kujtojnë atë kohë, besoj mendojnë si unë… Pra, edhe sot unë nuk mund të mendoj si “disa”!.. Lexoj e lexoj, e shpesh kaloj rreshta e faqe.

Kujtoj mirë edhe dhomen ku punonte Dr. Rugova, si dhe veshtrimet e vizitorve kur hynin në dhomen e Tij… Vetem Ai dinte kush duhet me kenë nder suazat e zyres së Tij! Pak Shqiptar janë me horizontin mendor të Dr. Ibrahim Rugovës, shumë pak e aspak… Ai kishte gjetë Mikun e vertetë të Popullit Shqiptar, kishte gjetë Ate që shikonte Malet e prej çakqirve e xhubletës shekullore deri tek fustanela e shpateve të Jugut, të gjithë Atij i dukeshin si ushtar të atyne 25 viteve kur ata i drejtonte Gjergj Kastrioti, dhe sejcili kur fliste i kujtonte Gjuhen e paharrueshme Shqipe të trashigimtarve të Skenderbeut… Pra, vetem një Burrë Polak, Papa Gjon Pali II, e dinte mirë kush asht ky Ibrahim Rugova?!

Dhe, vetem mbasi Papa i pat shterngue doren, kur pritej me ankth ardhja e Rugovës nga Beogradi… E kur, zbriti në aeroportin e Romës i shoqnuem nga kardinali i Vatikanit, e pat kuptue mirë serbi, se “iku edhe Kosova!”, po edhe Dr. Rugova i tregoi Ballkanit se: “Kosova shpejtë do t’ i perkasin Bashkimit Europjan!”… E po të rronte Rugova ashtu do të ngjante, nuk kishte as sesi të bahej kështu si sot çeshtja e Kosovës… E as e Shqipnisë!

Po bahen sa vite që “shteti shqiptar nuk gjenë ambasador” per me dergue në Vatikan.

Jo pse nuk ka njeri, po nuk ka kush me e gjetë “atë njeri” që i duhet atje… Asht vështirë me e kuptue këte mungesë, kur në “Kushtetuta”.., tradhtarët janë “heronjë të popullit”…

E Shqipnia bashkë me Kosoven dhe me Shqiptarët e tyne… Vazhdojnë Kalvarin…

E pra, Ajo Shqipni e bekueme…Sot, asht nder shtete t’mallkueme! Shikoni kush drejton!

            Melbourne, 23 Janar 2020.   

Mbi vlerat shpirtnore të Evropës – LETËRKËMBIM MUSTAFA MERLIKA KRUJA – ATË PAULIN MARGJOKAJ

 

 

 

Graz, me 6 dhetuer 1957

 

I Perndritshmi e i  Dashtuni Mik,

Sadopak nji herë në vjetë! Po kam dý letrat e mbrame t’Uejat para vetes: atê të marrun me 19 dhetuer të vjetës së kalueme e atê të dergueme prej Jush me 14 príll të kësaj vjete. Por edhe vetë Ju kam shkrue ket vjetë. E besoj se këjo âsht e dyta leter qi po Ju shkruej.

Më kënaqi sa s’ka artikulli i Koliqit mbi Jú nder SHÊJZAT E QIELLIT. Më erdh keq veç qi nuk ka dhânë shumë data mbí Jú. Por ata i kam un të gjitha. Un do t’u lâ fjalë atyne qi vîn  mbas meje, qi kta të porosisin ata qi vîn mbas tyne, se te vetë janë në nji leter të gjatë t’Uejen datat e biografisë s’Uej, në mënyrë qi ata, kur të vîj koha qi Ju pernjimend me ndrrue jetë, të vêhen e t’i publikojn edhe datat e gjata të jetës s’Uej. Prá ket gjâ po u a lâm pasardhësave të pasardhësave të mij, pse un jam teper i vjeter e edhe pasardhësat e mij janë të vjeter per ket gjâ. .

Tashti po kalojmë te masllahatet. Si po jeni me shëndet e me të gjitha? Prej letres së prillit e pásh se Amerika Ju bâni mejherë per vedi. Mue m’a merr mendja se as “Azija barbare” as “Amerika e qytetnueme” (sic!)” – ket kontrapozicjon e bâni Ju në letren e mbrame -, nuk do të t’i a marrin vendin Europës. Edhe po mbaroi Europa, vlerët shpirtnore, qi paraqet, do ta kenë perherë fitimin. Ju po e shifni se tekniken po e zhvillojn edhe ata qi s’kanë kurrnji kulturë shpirtnore. Me luejtë nji makinë, mund të nxâjë edhe nji zezak, nji indian ase nji papuan, por me kta nuk don me thânë se ata kanë nji qytetní. Njashtu sikurse nuk mund të thohet qi Rusët ase Amerikant të kenë nji qytetní. Nji qytetní materjale mekanike po, por jo nji qytetní shpirtnore.

Po nejse, nuk po hîm në nji pyllë teper të dendun. Tasht po ju bâj ndonji pyetje:

Si âsht per t’u spjegue fakti, qi në luftë ballkanike Shqiptarët nuk luejten aspak per së gjallit? Serbët e Malazezt paten shkelë Shqipnín e kurrkushi nder malet tona nuk luejti per së gjallit per të trazue mbrapa-vijat e anmikut. Po t’ishin çue peshë Malësorët në nord e të Mirditast e tjerët burra të Lumës e Mat e Diber e tjerë, sugurisht nuk do të kishin mujtë Serbët e Malazezt me luejtë jesír me né në vende shqiptare. Kah ka rrjedhë kjo punë?

A âsht e vertetë qi si Shehu si Hoxha rrjedhin, i pari prej familjesh sheh – a thirrej kështû nji rybe fetare e bektashijve? – e i dyti, prej nji familje hoxhallarësh? Do të spjegohej kështu psikologjikisht se si ata qi rrjedhin nga familje fetare, të çohen tash kundër fesë. Sikurse Hitleri, qi të parët jo fort të largët i kishte çfuten, çohet e bân namin kundra Çfutenvet.

Shka doni me thânë në leter, kúr shkrueni: “Por më rá lota në pleqní”? Fjalën lota un s’e kuptoj.

Selman Riza thotë në nji liber me titull “Fillimet e gjuhësís shqipe”, botue në Prishtinë, 1952, këto fjalë: “Mirëpo te i njâjti Bardh në të njâjten veper – krahas me thânjen “gjûha e Arbneshe” gjindet edhe thânja gjûha shqipe“. Ju thoni n’artikullin e mbram nder SHÊJZA, se êmni Shqiptar ishte i panjoftun gjatë jetës së Frangut të Bardhë e sugurisht edhe shumë mâ vonë. Tashti a e njifte a jo Bardhi fjalen shqip? Due me e dijtë me sugurí.

Mandej pse thoni Ju: “shumë mâ vonë u njoft kjo fjalë. Bogdani e ka sugurisht fjalen shqip.

Në të njâjtin artikull thoni n’oroen 92: “Kush të mundet me i dhânë dum etj.”. Mue më duket se ashtu krejt e vshtirë nuk âsht. Ju vetë e spjegoni dikund tjeter fjalën zinima baras m’a nxêni. Fjalën fëdigëze e spjegon lehtë seicilli nga fëdiga  (fatica). Ndoj gabim shtypit duhet me e suponue perherë nder këta libra të shtypun nder shtypshkroja të hueja. Gabime shtypit po bâjn sa uji këto fletushkat t’ona të përdame si kpurdhat mbas shiut të vjeshtës gjithkund neper kontinente. Tashti un kishe me e spjegue me ata shka diej vetë në gjuhësí ase mâ fort mbas buon senso: “m’a nxêni (m’a njehni) ket fëdigëzë (questa piccola fatica, lavoro) sa âsht e sikur âsht, po sikur t’ishte nji kafshë (gjâ) e madhe, e vlefshme e tjera. Prá ai âsht i pervûjtë e modesto.

N’oroe 22 nuk e dij pse e thirrni Ju prashtû adverb e jo lidhës (konjunkcjon).

Në letren e dhetorit po gjêj edhe njekto fjalë qi lypin tfillim. Ju shkrueni kështu: “P. Gjergji ka shkruem se e keqja i erdh Shqipnís qyshse erdh pasha turçelí e ipeshkvi jabanxhí”. Un  e kam kerkue boll nder tana veprat e P. Gjergjit, por ende nuk e kam gjetë ket fjalë. A thue njimend e ka shkrue Pater Gjergji ket fjalë? Ndoshta nder satirikat e veta të botueme në ALBANIA të Bruxelle (London), të cillat vetë nuk i njof? Ashtu kollaj nuk mund e nxâ besë qi P. Gjergji ka vû baras Ipeshkvîj si Gjon de Piano Carpini, Guljelm Adam ase Anton de Banstro me pashallarë tyrqelí, qi Shqipnís i kanë prû ata shka i kanë prû, por jo kurrnji qytetní qi ka ardhë nga Okqidenti. Gjendjen e mjerë të popullit shqiptar sugurisht nuk e ka shkaktue ipeshkvi jabanxhí, edhe po t’a ket thânë ket fjalë P. Gjergj Fishta, qi historín s’e ka njoftë. Pse ai s’i ka kndue kurr veprat e Šufflay-t e të Jireček-ut e t’Ippen-it e tjera, mbasi ai nuk e ka dijtë gjermanishten, edhe me pasë dashtë me i lexue.

Mbasi na rá rasa me permendë këta auktorë austriakë, kúr do të keni me i botue ata shka keni perkthye ju nga Illyrisch-Albanische Forschungen? Jam i sugurtë se këto perkthime t’Ueja kanë me kenë egzakte e jo sikurse perkthimi i vepres së Šufflay-t “Serbët e Shqiptarët”, plot me gabime të marra, qi as qeni nuk i han. Nder dý perkthyesat e kësaj vepre, njâni ka njoftë shumë-shumë kroatishten, por nuk ka zotnue lânden e librit qi perkthehet; tjetri e ka zotnue deri dikund, por jo shumë, lânden, por nuk ka dijtë kroatishten. E kështû ka dalë nji mish-mash, qi me t’ardhë marre se jemi Shqiptarë, qi nuk diejn as me perkthye nji liber krejt të fjeshtë. Por nejse, këto janë hallet e Shqipnís, qi i a paska prû mbas fjalëvet të P. Gjergjit, kush? – Urdhni françeskan nder mâ se 700 vjet jete i ka falë Shqipnisë 104 ipeshkvîj. Nder ta nuk e xâ besë se janë kenë 10% shqiptarë, por të tanë jabanxhí. Këta, thue, i a paskan prû Shqipnisë të keqen? E këta po e thânka P. Gjergji, si shkrueni Ju në leter? M’a diftoni njiherë se ku e thotë këtê P. Gjergji. E atëherë të shohim.

Letrës i erdh fundi, prandej edhe vetë po e perfundoj per sot me kaq.

Ju uroj shumë shëndet e të mira sá ujët e Oqeanit per Vjetin e Rí 1958.

Jueji me shumë nderime

  1. P. Margjokaj O.F.M.

 

 

 

 

Niagara Falls, 18 maj 1958

 

Fort i dashuni mik,

Çdo gjâje i vjen dita e vet dikur: kështu si po i vjen sod, mbas pesë muejsh, letres s’ate me 6/12/57 me pasun pergjegjen t’eme. Me pasun për të shtruem hesapë ndërmjet nesh, prap se prap un po dalkam për të marrë. Se ti paske pasë pritun tetë muej për me m’u përgjegjun, pra tre mâ shumë se un. Po t’i shtojmë mbasandej këtij hesapi edhe ndryshimin e dý moshave t’ona e atê, mendoj un, të punëve tjera qi ka secilli prej nesh, un jam edhe mâ shumë fitues. Po të kallxoj punët e mija qi nuk besoj se i ke ti: me kontrolluem se ç’i mungon shtëpisë e me dalë e me i blemë; me gatuem; me lamë enët (kapërceva rendin, por s’ka gjâ); me shtruem tryezën e mbasandej me e dëlirë. Qe, pra, ti këto punë nuk i ke, besoj. Vajza e mjerë, qi ka mbetun femën shqiptare 400- derhemsh ( e prandej edhe pa burrë!) nuk don me më lânë qi të merrem me asnji kso punësh qi i përkasin grues; por kush lanë e shpërlanë ndërresat e kush dëlirë shtëpinë bashkë me 10 orë punë e rrugë përjashta? Këto i ka mbi shpinë trup’i saj, e veç me e mbytun, se nuk banë mâ tepër.

Me kaqë, desha vetëm me zgjatun kuvêndin me tý, se më paska pasë marrë malli. E tash po dal te argumentet e letrës s’ate. Faleminderës qi të paska kënaqun panegjyriku i Ernestit për mue. Edhe tjerë miq si ti janë kënaqun. Âsht nji reakcjon shpirtnuer shumë të shameve qi kam pasun prej anmiqsh e kundrështarësh të paburrní. Âsht e vërtetë, si po thue vetë, se ti ke mjaft lândë të shkrueme mbi jetën t’eme.

Un paskam folë në letrën e mbrapme qi të kam dërguem për “qytetninë” amerikane si antithesë me “barbarinë” asjatike, natyrisht përsa i përket epokës s’onë e jo historisë. E po e mbaj kët’antithesë. Ti duket se po dashke me i a mohuem kryekëput Amerikës çdo farë qytetnije shpirtnore, tue i konceduem vetëm përparimin teknik, e me i a njohun “ kurvës së motit” si monopol gjithë ç’âsht pasuní shpirtnore. Por ke kaluem rrëshqitas e thue se “nuk po hîmë në nji pyllë tepër të dendun. Okay, pra; edhe un kisha me thânë si ti, se njimênd nuk do të dijshim kurrsesi me dalë prej nji pylle t’atillë, e pa kurrfarë dobije.

Ti po më pyet: “Si âsht për t’u spjegue fakti qi në luftë balkanike Shqiptarët nuk luejtën për së gjallit” kundra okupatës sërbo-malazeze? Un për vete, historikisht do t’a zhvillojsha këtë themë kështu:

  1. Në 1908, Shqiptarët u gjindën përpara nji avenimenti politik e historik të papritun: përpara revolucjonit të Tyrqe të Rij qi i dha fund absolutizmës së sulltanit, edhe me ndihmën e tyne, dhe çeli nji herë të re, herën konstitucjonale, në sundimin othoman. Gjithë Evropa u çudit e u hutue, se nuk e kishte parapamë e pritun nji gjâ të këtillë. Tash ajo besoi se “njeriu i sëmûtë”, jo vetëm qi s’e kishte t’afër dekën, por qi po kishte mjaft gjasë me u shëndoshun krejt e me u mbëkâmbun edhe nji herë. Prandej, tre muej mâ vonë, në tetuer, Austro-Hungarija nxitoi me aneksuem Bosne-Hercegovinën ndërsa ishte në kohë, dmth. para se t’u forconte regjim’i ri, e Bullgarija me u shpallë e pavarme e me aneksuem vilajetin “Rumelija Lindore”.
  2. Gjithë popujt jo-tyrq të mbretnisë othomane e brohoritën n’e parë regjimin e ri tue besuem se do të pështetej mbi parime liberale e nji systemë decentralizimi administrativ e kulturuer. Por u zhgënjyen shpejt. Tyrqit e Rij kishin ardhun në fuqí me idena krejt të kundërta; me forcuem mbizotnimin e elementit tyrk e centralizimin e filluem me reformat antifeudaliste të Mahmudit II e të vazhuem prej të birit, Abd-ul-Mexhidit. Në 1909 pakënaqsija vot tue u shtue e dhe në Shqipní nisën me u shtue turbullinat lokale. Represjone barbare në Kosovë e Mbishkodër (Durgut, qëndresë heroike e malsoret, Ismail Kemal e Luigj Gurakuq në Cetinë e Podgoricë, Libri i Kuq).
  3. 1912-ta e gjet gati gjithë parinë shqiptare kundra regjimit të vendosun në Stamboll prej elementit tyrqist fanatik. Por ç’donte kjo parí ? Duhet të flasim për parinë e stërvitun, mbasi i pastërvituni s’ka mundun kurrë e askund me konceptuem nji program politik. E pra parija e stërvitun, e ashtuquejtuna parí intelektuale, s’ishte kurrkund e marrun vesht rreth nji programe politike-kombëtare e, natyrisht, as rreth nji plani veprimit. Mâ zí, parija e tre elementavet fetarë qi përbâjshin popullin t’onë rrojshin, mendojshin e veprojshin secilli në botën e vet mbë vete. Mblidhen e shmbëlidhen beglerët, deputetën e senatorë në parlamentin othoman, lidhin e zgjidhin, vendosin e zhvendosin ndër vete e ignorohet elementi katholik, në të vërtetë mâ i cillsuemi për me thânë fjalën e vet, mbasi ishte ai qi pak parandej kishte lamë me gjak të vet shkrepat e Mbishkodrës dhe kishte lëshuem para sŷve të botës nji program kombëtar, 12 pikat e Librit të Kuq. Vendoset në kryeqytet kryengritja në tânë Shqipninë, por pa nji përgatitje të mirë e pa program. Parlamenti mbyllet për pushime e beglerët shpërdahen nëpër vêndet e tyne. Përgatisin popullin për kryengritje .( Nuk jam i sigurtë nga kujtesa e ime për këtë pikë: në se njimênd qe mbyllë parlamenti e beglerët t’anë deputetën qenë kthye, apo i dhanë me mjete tjera udhzimet për kryengritje.)
  4. Esad Pashë Toptani vê në dijení vllaznín e vet, Toptanët tjerë. Këta ishin në kontakt e në marrveshtje me elementin nacjonalist burgez të Shqipnisë së mesme. Elbasani kishte beglerët e vet – për Jugën s’po flas, se nuk dij hollsina – edhe ata në kontakt me ne të prefekturës së Durrësit. Abdi beg Toptani e un bâmë nji udhtim në Shkodër me nji pretekst. Un isha djalosh 25 vjeçar aso kohe, ishte e para herë qi vejsha n’atë qytet me famë, nuk njifsha personalisht askênd atje. Vizitën e parë i a bâmë së bashku me Abdi Benë, Hasan-Rizá begut. Kështu ishte taktika qi kishim caktuem: kishim votun hajsmi, me i paraqitun Valisë gjêndjen e prefekturës s’onë (Durrës, Kavajë, Shjak, Tiranë e Krú) edhe për nji punë tjetër private qi më përkitte mue, pretekst edhe kjo. Vizituem, mandej, parinë e qytetit, myslimane e katholike, Emz. Serreqin e Prengë Pashën prej katholiqet, Sylço begun e Alush Lohen prej Myslimanet. Asnjiu s’i folëm për kryengritje. Abdi begu ishte tepër prudent ; u nis vetë, para meje, për Tiranë e më porositi mue me folë vetëm me Prengë Pashën, mbasi zona e jonë vetëm me Mirditë (mâ përpiknisht, me 12 Bajrakët) përpiqej, e Prenga, po të donte, do të merrej vesht edhe me tjerë : kler e parí myslimane.

Pasha i  Merditës pra, e un n’emën të prefekturës së Durrësit mbarë u muermë vesht plotsisht e mbas nevojës qi çfaqi Pasha, mue m’u desh me shkuem edhe në Kallmet në nji mbledhje krenësh qi kishte grishun ai atje në shtëpí të vet, por… pa qênë ai vetë. Të gjitha pikat e veprimit, mbi të cillat qênë marrë vesht në këtë mënyrë 12 Bajrakët e prefektura e Durrësit, janë zbatuem pa asnji shmângëje a mungesë. Këtê po due t’a nënvizoj për me të siguruem veçanë edhe tý personalisht me kompetencën qi m’apin faktet e jetueme me trup, me krye e me zêmër fillim e mbarim, sikurse kam pasë siguruem dikur gjithë kënduesit e Hyllit të Dritës, qi legjenda e tradhtisë së Toptanet në ndeshjen malcore të Bregut të Matës me Shjakas, âsht edhe mâ pak se legjendë, âsht krejt e thjesht nji përrallë e shpifun prej atyne malsore të shkretë, qi i muer mbë qafë vetëm mêndja e lakmija e vet. Tash vonë, atë përrallë e përtrîni edhe Karl Gurakuqi me kryeartikullin e Shqipnisë së Lirë në rasën e 28 Nândorit.

  1. Qe ndër këto kushte qi plasi kryengritja e 1912-s, tue filluem në Kosovë. Ka qênë verë, korrik besoj. Na të prefekturës së Durrësit e kemi nisun, për nji ditë me 12 Bajrakët, mbasi muerëm lajmin nga Hasan beg Prishtina se atje po vlonte. Malsorët e Bregut të Mates, plot nji javë para nesh, i ranë befas nji detashmenti qi ishte tue kaluem rrugës nëpër ta prej Leshje. Vranë do ushtarë e bânë mjaft plaçkë; edhe prej sish qe bâmë do dâm. Na pritëm nji bataljon qi po vinte në Krú udhës drejt, tue e pritun ku mbaron fusha e fillon Krasta; mâ fort nji përpjekje demonstrative e symbolike, se nuk e kishim ndër mênd me u vramë aspak! Mandej edhe do batare pushkë e ndonji top nga ana e ushtrisë para se me hŷmë në qytet, gjithashtu si përpjekja e parë. Shtabin e kishim nalt, në mal të Krusë, ku bânte mâ fresk e kishte ujë të ftohët me të këputun. Prej andej duelëm në Skuraj e Milot edhe zûmë vanë e Matës. Këtu qemë tue sharruem ndërmjet dý zjarmesh, prej Leshje e prej Kruje. Shpëtuem pa dâm edhe aty; kâmba e shpejtë, faqja e bardhë; e “mâ mirë të thonë hiku Leka se mbet Leka”!
  2. Kosovarët kanë hŷmë në Shkup pa pushkë, tue pasë lajmuem qeverija se ishte gati me ramë në kuvênd me kryengritësit. Edhe na lajmohemi me pezulluem çdo veprim me armë e me dërguem në Shkup përfaqsuesit t’anë. Muerëm atë rrugë të gjatë mbë kual: Marka Gjoni ( i ati i Kapidan Gjonit), Abdi Toptani e un, natyrisht të shoqnuem edhe prej ndonji tjetri, por na të tre, demek, ishim krenët. Kur mbërrîmë na në Shkup, gjithça kishte qênë kryem! Kosovarët ishin marrë vesht me Marshal Ibrahim Pashën me ato kushte qi janë njohun si 14 pikat : mbrênda katër vilajetevet qi na i kemi pasë quejtun Shqipní, kudo qi shumica e popullit flitte shqip, nëpunsit do të dijshin shqip e shkollat do të mësojshin shqip; Shqiptari do t’i shërbente mbretit në kohë paqe vetëm në Rumelí (në Tyrqinë e Evropës). Këto tri pika kishin mâ tepër rândsí e tjerat s’i mbaj mênd. Ndër krenët e Kosovës mbretnonte Khaosi, kishte ndër ta nacjonalista, si Hasan Prishtinë e Bajram Curr, qi do t’a kishin rrezikuem edhe jetën e tyne për t’i siguruem Shqipnisë nji autonomí të plotë ; kishte koka, si Riza beg Kryeziu i Gjakovës e Isë Boletini, në polin e kundërt, qi do të kishin bâmë gjithashtu për me shliruem Abdyl-Hamidin e me e hypun përsrí në thront, me qênë Kosova e falun prej shërbimit ushtarak e taksash ; kishte gjind t’urtë e të stërvitun si Nexhib Draga, qi spjegojshin se me koka t’atilla, siç ishte krejt popull’ i Kosovës, fitim’ i atyne 14 pikave duhej konsideruem nji mrekullí për atëherë; kishte edhe asish, ndër të parë të vêndit, qi kishin qênë gati me kthye e shkuem në shtëpí me njerëzit e tyne, porsa t’ishte marrë lajmi qi u ndërrue kabineti në Stamboll, ai i Tyrqe të Rij me nji “ancien régime”.
  3. Ti më ke ndjekun deri këtu ndoshta me nji farë interese, porse edhe tue menduem se athue e kam marrë vesht un se ç’më ke pyetun, apo jo! Po, edhe t’a shkrova madje mû në krye të këtyne pikave. Tash pra po i përgjigjem drejtpërdrejt pyetjes s’ate. Tashmâ po e dijmë se si u bâkan gverriljet e partizanëvet : u dashkan armë, municjon e pare ar qi mos të mêjnë kurrë, nji organizim sa mâ i përsosun, qi mund t’a bâjnë vetëm gjind të mësuem e të stërvitun e mund t’a mbajnë vetëm njerëz qi kanë në shpirt ndjenjën e disiplinës. A i kishte populli shqiptar këto elemente atëherë?
  4. Në tetuer 1912 plasi lufta e në dhetuer po t’ asaj vjete, dmth vetëm mbas dy muejsh a mâ pak, u mblodh konferenca e Londrës ndërmjet gjashtë Pushteteve të mëdhá edhe vûni në rendin e ditës çashtjen shqiptare. Ishte pra urtí diplomatike për qeverín e përkohshme të Vlonës, qi ishte në kontakt të përditshëm me konsujt autrijak e italjan, jo vetëm qi mos të provokonte veprime luftarake, por edhe t’i shkëshillonte këto. E, mbënjanë të mbesë diplomatija, ku ishin armët et. et. et.? Austrija e Italija, jo vetëm qi nuk na ndihmojshin me mjete materjale, por na kshillojshin pajadamë mos me lujtun asnji gisht dore. E as qi kishim si me i a bâmë ndryshe, pa pasë vendosun me shkaktuem, qysh’atëherë, nji luftë të përgjithëshme.

Me kaqë, besoj se t’a kam tfilluem mjaft mirë mendimin t’em për sa i përket pyetjes s’ate mbi shkaqet e çdo natyre për të cillat Shqiptarët nuk mundën e, edhe sikur të mundshin, nuk duhej me u vûmë pushken shkelse sllavo-grekë të tokës së vet në 1912-     13. Tash mund të shtŷhemi mâ tutje. Porse deshta edhe me justifikuem (ligjuem) deri diku pse u zgjata me revolucjonin e  regjimin e Tyrqe të rij në lidhje me pyetjen e parë. Kisha ndër mênd me tënduem të provoj a të spjegoj tërthoras qi do t’ishte gabim me krahasuem epopenë shqiptare – kështu mâ po e quejmë edhe në prosë – të fillueme me Lidhjen e Prizrenit e njizânit me pushtetet othomane, do t’ ishte gabim, pra, mbas mendimit t’em e këtë kam dashun të qaroj, me krahasuem ato gjeste me rrethanat krejt të ndryshme, nga çdo pikpamje, t’okupatës balkanike të Shqipnisë. Kam dashun të kallxoj se aso kohe të largë kishim para nesh nji Mal të Zi të vocërr e në 1912 – 13 ishin kundra nesh Malazez, Sërb e Grekë gjatë kufîje të Shqipnisë mbarë, pa përmendun Bullgarë e Tyrq. Në 1909-1912 Shqiptarët qênë kaçafytun me Tyrqit vetëm e krejt në mënyrë khaotike, pa pasë qênë kurrë të zotnit me u organizuem rreth nji programe kombëtare. E shi nj’ashtu shkonte puna e jonë edhe nën okupatën 1912 -’13 e jo ndryshe. Sido qoftë, kujtoj se s’kam bâmë nji mundë të kotë tue t’a përshkruem shkurt atë perjodë. Këndoji, n’i paç kund, ata dy rreshta të shpalljes së pavarsisë s’onë në Vlonë, këndoji e analizoje kuptimin e tyne tepër rivelatuer e instruktiv.

Fjala sheh (arab. shejkh) s’ka në shqipet nji kuptim as aqë të gjanë  as aqë fisnik sa n’origjinën e vet. Te na âsht përgjithsisht nji ignorant qi fshihet nën këtë titull e nën nji veshë të posaçme, qi don me qênë nji farë frati i nji sekti mysliman; por jo i sektit bektashijan, në të cillin bajnë titullin dervish e kur marrin nji gradë, bâhen baba (atë), nji gradë edhe mâ nalt dedë (gjysh), i par’ i gjithë bektashijet kryegjysh. Dervishët mund të martohen, por dervish’ i martuem nuk bâhet dot babà. Dedei mundet me qênë e mâ të shumtën âsht abat i nji kuvêndi. Në Shqipní sikur kemi ndër orthodoksa Prifti ose greqisht-opull (os) (sl. Popoviq, Popof), ashtu kemi ndër myslimanët : Shehi ase Shehu e Hoxha. Shehu e hoxha martohen.

Âsht e para herë qi po e dij, prej teje, qi Hitleri i paska pasun të parët e vet çifutën. Kush e ka zbuluem e provuem këtë fakt të çuditshëm? Fakt i çuditshëm jo aqë për të mbytunit e qinda, ndoshta mija çifutnish të Gjermanisë e për dëbimin e tyne mbarë prej Gjermanije me urdhnin e njí stërnipi të vet, sa për të marrunit e këtij stërnipi çifutnish qëndrimin e apostullit të racës arjane e për durimin e popullit gjerman të nji komedije kaqë banale. E si âsht lânë kaqë mbas dore theksim’i këtij fakti nëpër botë?

Fjala lotë don me thânë short, më ra lota = më ra shortja. S’guxoj me të siguruem nëse vjen prej it. lotto, se edhe kjo pa ardhëka nga nji gjerm. e vjetër laut ose lauta, gjëní me anglo-saks. hlot.

Për ça ka thânë Selman Riza, et., do t’a keshë kënduem përgjegjen t’eme ke Shêjzat kaherë. Për fjalën prashtu kam thânë adv. pa e vramë fort mênden, i tërhjekun ndoshta prej pjesës – ashtu; edhe Mann-i e Krist. ashtu adverb e kanë; por un, tash qi më nxite ti me e stërholluem mâ imtë, t’ap fort arsye tý për lidhzë (lidhës).

Sa për vargun e heshtun të Lahutës së Malcisë “Edhe ipeshkvi jabanxhí”, un jam i bindun se ata qi më kanë pasë thânë se ishte kështu, nuk më kanë gënjyem. Sod as nuk mbaj mênd mâ aspak se kush kanë qênë – kam pasë pyetun mâ se nji- , por besoj se kanë qênë burra të mirë e në gjêndje me e dijtun. Mbas letrës s’ate i shkrova, se kisha për t’i shkruem, Karl Gurakuqit e e pyeta. M’a vertetoi edhe ky se ishte ashtu. Por për veten t’eme un nuk e zâ nji problemë këtê, prandej as nuk e kam stërholluem kurrë. Madje më thotë mêndja qi ai varg nuk âsht botuem kurrë askund, por ka mbetun në dorshkrim. Athue janë ruejtun dorshkrimet e vepravet fishtjane? Nuk e besoj. Ti i paske marrë ato fjalë të të ndjyemit P. Gjergj si nji pohim historik. Kurse un kisha me i marrë thjesht si nji trill poetiko-patrijotik dalë ashtu pa dashun e pa menduem gjatë e hollë. Me pasë për t’a nxjerrë historinë t’onë për epokën e përshkrueme, prej Lahutës, mund të dalë nji legjendë, por jo sakt historí.

Un nuk dij se kur kishin me u botuem e a kishin me u botuem ndonji herë shkrimet e mija, përkthime e origjinale qofshin. Këtë veç Zoti e din. Gabime ndër to do të gjinden sa të duesh ; mund të them vetëm se kujdesi s’ka munguem. Them kujdesi i parë, tue i shtrimë mendimet në letër. Edhe nji shikim të parë va kam hjedhun. Por mâ fort se kështu nuk jam lodhun me to. Mendojsha me i bâmë qërtimet e fundit, me ndryshime eventuale, kur të kishin fatin me u botuem.

Tash me argumentet e letrës s’ate kam mbaruem punë krejt. Vetë edhe s’po kam ç’me shtuem tjetër. Por hê, qeshë tue harruem me të lëvduem për studimet historike qi ke nisë me botuem ndër Shêjzat. Un deri tash s’e kam marrë pjesën e dytë.

Këto katër fletë dý faqesh âsht e drejtë me m’i quejtun për katër letra. Festat t’i kam uruem gjithmonë me kartolina. Këtu po t’uroj me gjithë zêmër e bashkë me gjithë dy të mijt shumë shëndet e të mira tjera.

Mustafa

Esat Pasha për Le Temps (1914): “Propozoj këtë zgjidhje për drejtimin e Shqipërisë !”

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 23 Janar 2020

 

“Le Temps” ka botuar, të premten e 10 korrikut 1914, në faqen n°2, intervistën e saj me Esat Pashë Toptanin, të zhvilluar asokohe në Paris, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

 

Bisedë me Esat Pashën

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Esat Pasha, i cili ndodhet në Paris, u tregua mjaft i sjellshëm që të na priste dhe të na fliste për situatën në Shqipëri.

 

Ai është një burrë i ri, me tipare delikate dhe me sy në lëvizje; shtrëngimi i tij i dorës, i shkurtër dhe energjik, ngjan me atë të një ushtari. Goja e tij, qoshet e të cilës bien shpesh kur flet, është bindëse. Ai qesh me gëzim, një të qeshur të sinqertë.

 

Unë nuk mund t’ju them asgjë në lidhje me gjendjen aktuale të Shqipërisë. – tha ai. Kanë kaluar dy muaj që jam larguar, dhe korrespodenca ime dhe e gruas sime përgjohen me aq kujdes sa unë jam më pak në dijeni se ju për atë që ndodh në Durrës.

 

Situata e Princ Vidit më duket se është më e keqe sesa kur u largova. E megjithatë gabimet e bëra që nga fillimi e kishin kompromentuar sovranin. Disa nga këto gabime i atribuohen. Kështu ai u dha përshtypjen myslimanëve shqiptarë se favorizonte padrejtësisht elementin katolik. Por, për të qenë i drejtë, duhet pranuar që mënyra se si ai u zgjodh nga Evropa ishte e gabuar.

 

Më lejoni t’ju them një anekdotë personale. Disa javë pasi mbërriti princi në Durrës, unë isha duke gjuajtur në male me uniformën e një gjenerali shqiptar. Një fshatar, me të cilin u takova, një nga ata malsorë për të cilët Evropa beson se është gjysëm barbar dhe zgjuarësia e të cilit përkundrazi shpesh më ka mahnitur, më pyeti pse kisha ndryshuar kostumin. “— Ishte Evropa, — i thashë atij, — e cila na dha këtë uniformë.” “— Evropa nuk po sillet mirë drejt popullit shqiptar, — vazhdoi ai; ajo duhej të ishte këshilluar me ne përpara se të zgjidhte princin tonë.” Unë i tregova atij se kisha shkuar për të kërkuar princin në krye të një delegacioni shqiptar. “— Po, Shkëlqesi, — tha ai, — por a na kërkuat mendimin tonë ?”

 

E pranoj se nuk dija çfarë t’i përgjigjesha. E megjithatë kundërshtimi që më bëri ky burrë trim unë vetë ia pata drejtuar përfaqësuesve të Evropës, kur ata më dërguan për të takuar princin. Më anashkaluan. Rezultati është që nga dita e parë, Princ Vidi iu shfaq Shqipërisë si një sovran i imponuar nga jashtë ;

 

Një njeri i shkathët dhe energjik megjithatë ia doli. Por Princ Vidi padyshim që nuk ishte lindur për të mbretëruar.

 

Zgjidhja ? Unë e shoh atë në largimin e princit dhe në dorëzimin e qeverisë në duart e komisionit ndërkombëtar të kontrollit.

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Ky komision mund të arrijë të vendosë rendin pa pasur nevojë të përdorë forcën. Ju nuk mund të besoni se sa qartë shqiptarët e të gjitha shtresave, fanatikët si dhe të tjerët, e kuptojnë rolin e dobishëm që Evropa mund të luajë në Shqipëri. Sado urrejtje të ketë, pas një lufte disa mujore, çarmatosja do të arrihej shpejt nëse komisioni ndërkombëtar do të merrte përsipër administrimin e vendit.

 

Natyrisht që kjo zgjidhje mund të jetë vetëm e përkohshme. Pas disa muajsh, do të ishte e nevojshme të formohej një qeveri përfundimtare dhe t’i vihej në krye një shef. Por këtu përsëri vështirësitë janë më pak të mëdha nga sa besohet përgjithësisht. Disa imagjinojnë se myslimanët shqiptarë nuk do ta pranojnë kurrë një princ të krishterë. Ky është një gabim absolut. Që princi i ardhshëm, kushdo që të jetë ai, të shpëtojë nga jopopullshmëria e Princ Vidit, do të mjaftonte që Evropa të mbledhë kokat e vendit dhe përfaqësuesit e rajoneve kryesore për të paraqitur për miratim emrin e sovranit të ri. Nëse dëshironi, një lloj kongresi kombëtar.

 

Sa për mua, unë nuk kam ambicie të zgjidhem për këtë funksion, të cilin e kam refuzuar kur ma ofruan gjatë kohës kur qeverisja Shqipërinë qendrore. Le të marrin një njeri të shkathët (aksioni), me kapacitetet e duhura, dhe me kënaqësi do të përulemi para tij.

 

Puna e Evropës në Shqipëri është relativisht e thjeshtë : nëse i jep shqiptarëve përshtypjen se sinqerisht dëshiron të mirën e tyre, të gjitha përballjet do të zhduken.

“Çfarë na pyeste UDB-ja në burgun e Prizrenit, demaskimi në disa qytete dhe torturat nga dy hetuesit në Krujë”

Dashnor Kaloçi – Memorie.al publikon historinë e panjohur me dëshmitë e rralla të dy vëllezërve laçianë, Skënder dhe Shpëtim Marku, të cilët në fundin e prillit të vitit 1988, bashkë me shokun e tyre, Agron Gjoka, morën rrugën në drejtim të qytetit të Peshkopisë dhe pasi u ngjitën në majën e malit të Korabit të mbuluar nga bora dhe një furtunë të madhe me rrebeshe shiu dhe bore, kaluan kufirin shtetëror në brezin e butë pa u kuptuar nga rojet shqiptare të kufirit. Si u orientuan ata deri sa mbërritën në fshatin Restelicë të Dragashit, ku u dorëzuan vetë në postën jugosllave të kufirit dhe si u trajtuan ata nga organet e UDB-së në burgun e qytetit të Prizrenit, për çfarë i pyesnin aty dhe përse pas dënimit me një muaj burg për kalim të paligjshëm të kufirit, ata nuk i lejuan të shkonin në Beograd ku do aplikonin për azil politik pranë ambasadës së SHBA-së, por iu vunë hekurat dhe i nisën për në drejtim të pikës kufitare të Morinit. Si i ndaluan dy vëllezërit Marku në disa qytete ku kalonte rruga nacionale ku u organizuan mitingje duke mbledhur popullin me detyrim nga qendrat e punës e shkollat, si në Kukës, Milot, Laç, Fushë-Krujë etj., ku u mbajtën fjalime për t’i demaskuar ata, dhe më pas torturat në hetuesinë e Krujës, e gjyqi në qytetin e Laçit, ku ata mbajtën një qëndrim burrëror. Gjë e cila u bë shkak që atyre t’u jepeshin dënime maksimale, përkatësisht me 20 dhe 17 vjet, duke i dërguar në Qafë-Bari, Spaç dhe Burrel, prej nga ku u ata liruan në marsin e vitit 1991, me të fundmit të dënuar.



Në pjesën e parë të këtij shkrimi të botuar në numrin e kaluar, sipas dëshmisë së 60-vjeçarit, Skënder Marku, ish-komandant i Burgut të Tiranës në vitin 1997 me gradën e majorit, dhe vëllait të tij më të vogël, Shpëtimit, u njohëm me historinë e arratisjes së tyre nga Shqipëria në prillin e vitit 1988. Familja Marku është me origjinë nga fshatrat e Peshkopisë, por babai i tyre, Hakik Marku, ish-ndihmësmjek në spitalin e qytetit të Peshkopisë, ashtu si shumë familje të tjera në vitet ’60-të, u transferua për në qytetin e Laçit, që sapo kishte filluar të ndërtohej. Pas mbarimit të shërbimit të detyrueshëm ushtarak në vitin 1981, Skënderi filloi punë në ofiçinën e Kombinatit Kimiko-Metalurgjik të Laçit, ku punonte dhe i vëllai i tij i madh, Iliri. Ndonëse familja Marku nuk kishte probleme me regjimin komunist të asaj kohe, vetë Skënderi, i cili ishte i dhënë shumë pas letërsisë e sporteve, kishte rezervat e tij dhe nuk pajtohej me shumë aspekte të jetës që afronte regjimi në fuqi i asaj kohe. Nisur nga kjo, ai vendosi të arratisej nga Shqipëria dhe planin e arratisjes e bëri vetëm me vëllanë më të vogël, Shpëtimin, i cili në atë kohë ishte kampion kombëtar në mundjen klasike për të rinj me ekipin “Kastrioti” të Laçit. Dhe planin e tyre ata vendosën ta realizonin në ditë e fundit të prillit të vitit 1988, kur Shpëtimi që kryente shërbimin e detyrueshëm ushtarak në rrethin e Pogradecit, shkoi në qytetin e Laçit dhe u takua me Skënderin, por pasi kishte marrë me vete dhe shokun e tij, Agron Gjokën, i cili kishte një vëlla të arratisur në SHBA dhe një tjetër në burg. Ka qenë mbrëmja e 23 prillit 1988, kur me një makinë “Skoda” të kromit, ata u nisën nga Laçi menjëherë për në drejtim të qytetit të Peshkopisë dhe pasi zbritën në fshati Kastriot, u nisën për në drejtim të Kalasë së Dodës, në orët e para të mëngjesit të 24 prillit 1988, u gjendën në majën e malit të Korabit, duke bërë rreth katër pesë orë rrugë në vende të thepisura dhe nën një stuhie bore me mjegull dhe ngrica.

Kalimi kufirit më 24 prill ’88 në majën e Korabit
Pas shumë peripecive të kaluara në lartësitë e malit të Korabit, duke ecur në rrugë pa rrugë dhe në shtigje të thepisura, në të ftohtin e acartë të atij mëngjesi të 24 prillit të vitit 1988, Skënder Marku me të vëllanë e tij, Shpëtimin dhe shokun e tyre po nga Laçi, Agron Gjoka, mundën të kalonin kufirin shtetëror diku pranë një poste në afërsi të Kalasë së Dodës, pa u kuptuar nga njeri, pasi rojet e postës më të afërt të kufirit nuk e mbulonin me shërbim atë zonë për arsye të terrenit tepër të thyer. Lidhur me këtë dhe peripecitë e tyre në tokën jugosllave, 60-vjeçari Skënder Marku, ish-komandant i Burgut të Tiranës në vitin 1977, me gradën e majorit, në rrëfimin e tij ekskluzivisht për Memorie.al dëshmon: “Nga qendra e zjarrit aty në majë të Korabit ku qëndruam për disa orë për të mbledhur veten pas atij udhëtimi të gjatë tejet rraskapitës prej katër pesë orësh dhe në një terren ku nuk mund të kaloje as ditën, vendosëm që të dilnim dhe të kalonim kufirin ende pa zbardhur dita. Si tani më kujtohen ato minuta ankthi që na dukeshin të pafundme, kur bashkë me vëllanë tim Shpëtimin dhe shokun e tij, Agron, lamë pas territorin shqiptar dhe dolëm në tokën jugosllave. Nuk mund t’ua përshkruaj dot me fjalë se ç’farë ndjenim në ato momente. Më në fund menduam se dëshira dhe ëndrra jonë e madhe për të ikur nga ai realitet ku jetonim prej vitesh dhe që na ishte bërë i padurueshëm, po bëhej realitet. Por po kështu na dukej e pabesueshme dhe shikonim njëri tjetrin nëse vërtet kishte ndodhur ajo gjë për të cilën unë me Shpëtimin kishim menduar prej kohësh dhe kishim bërë biseda të pafundme”?! Kështu e kujton Skënderi atë moment të shumëpritur prej tyre, kur ende pa zbardhur mëngjesi i 24 prillit të vitit 1988, ai më të vëllanë Shpëtimin që mbante ende uniformën e ushtarit dhe me shokun e tij, Agron Gjokën, u gjendën në territorin e Republikës Federative të Jugosllavisë.

Udhëtimi drejt fshatit Restelicë të Dragashit
Pas kalimit të kufirit dhe udhëtimin që ata bënë më pas, Shpëtimi kujton: “Pas daljes sonë në tokën jugosllave, nuk kishim asnjë rrugë tjetër përveçse të dorëzoheshim pranë autoriteteve ushtarake të asaj zonë kufitare. Ndërsa vazhdonim udhëtimin duke iu larguar gjithnjë e më shumë zonës kufitare, nga larg dalluam një bari me disa dele. Në mënyrë instiktive menjëherë ndaluam të tre dhe ndonëse që shumë kohë përpara se të mbërrinim aty, bashkë me Skënderin e Agronin, kishim parashikuar të gjitha versionet e mundshme, pra se si do të përgjigjeshim kur të na pyesnin se përse ishim larguar nga Shqipëria, etj., i kujtuam dhe njëherë ato si për të qenë më të sigurt në veten, pasi mendonim se mund të na kapnin nga çasti në çast. Përgjigjja jonë do të ishte kjo: “Jemi larguar nga Shqipëria për motive politike dhe dëshira jonë është për të shkuar drejt SHBA, pasi aty nuk mund të përshtatemi me sistemin dhe politikën që po ndjek regjimi komunist i Nexhmije Hoxhës dhe Ramiz Alisë”. Ndërsa bisedonim këto me njëri tjetrin, iu afruam atij bariut dhe e pyetëm se ku ndodheshim e si quhej fshati më i afërt. Ai na tregoi se aty ishim afër fshatit Restelicë të Komunës së Dragashit dhe qyteti më i afërt nga aty ishte Prizreni nga ana veriore, kurse nga ana jugore, qyteti më i afërt ishte Tetova. Pasi u orientuam disi se ku ndodheshim, vazhduam ta pyesnim se ku shkohej më shpejt, në Prizren apo në Tetovë, ai na tha se pothuaj ishte e njëjta rrugë në këmbë, që mbante rreth tre orë, si për në Tetovë ashtu dhe për në Prizren. Pasi u ndamë prej tij, vendosëm që të shkonim në drejtim të fshatit Restelicë dhe më pas drejt Prizrenit ku do të dorëzoheshim. Prizrenin ne e kishim menduar dhe më parë dhe kjo jo vetëm për arsyen se shqiptarët e Kosovës sikur na dukeshin më të afërt se ata të Maqedonisë, por edhe për arsye se në Prizren ishte dorëzuar disa vite më parë, vëllai i Agronit, Gazmir Gjoka, i cili ishte arratisur ashtu si dhe ne, ai kishte fituar azilin politik e ndodhej në SHBA. Sa mbërritëm në fshatin Restelicë, morëm kontakt me disa banorë që na treguan postën kufitare dhe ne shkuam e u dorëzuam aty ku pasi na morën në pyetje, na shoqëruan për në qytetin e Prizrenit, duke na dorëzuar në Stacionin e Policisë”, kujton Shpëtimi lidhur me rrugëtimin e tyre deri sa mbërritën në atë vend siç dhe e kishin parashikuar.

Presionet e Sigurimit të Shtetit në familjen Marku në Laç
Po pas arratisjes së Skënderit dhe Shpëtimit, çfarë ndodhi me familjen Marku në qytetin e Laçit dhe si e mësuan ata të vërtetën e arratisjes së dy djemve të tyre? Lidhur me këtë, Skënderi me Shpëtimin kujtojnë se të vërtetën për atë se çfarë kishte ngjarë me ta, familja e tyre në qytetin e Laçit, e kanë mësuar disa ditë më vonë nga njerëzit e Sigurimit të Shtetit. Që në paraditen e 24 prillit, prindërit e tyre ishin bërë shumë merak duke u shqetësuar për faktin se dy djemtë e tyre, Skënderi me Shpëtimin, nuk po ktheheshin në shtëpi dhe akoma më keq, ata nuk kishin fjetur tek e motra e tyre, Zana, ashtu siç kishin thënë një natë më parë. Sa më shumë kalonte koha, aq më shumë shtohej ankthi në familjen e tyre, pasi edhe në ditët që pasuan, nuk u mësua asgjë e re për fatin e dy djemve. Familja Marku nuk la të afërm të tyre pa i kërkuar, telefonuar dhe pa u bërë telegram, por të gjitha përgjigjet prej tyre vinin negative, duke thënë se nuk dinin gjë për Skënderin dhe Shpëtimin. Ankthin e tmerrshëm e të pafund që kishte pllakosur në familjen Marku, e shtoi akoma dhe më shumë ardhja e njerëzve të Sigurimit të Shtetit në shtëpinë e tyre pas disa ditësh. Ata bënë kontrolle të imta të banesës, duke sekuestruar pothuaj të gjithë fotografitë e familjes dhe pas atij kontrolli, njerëzit e Sigurimit u thanë familjes Marku, se: “Dy djemtë e tyre, Skënderi me Shpëtimin, kishin braktisur atdheun duke u arratisur nga Shqipëria si tradhtarë të poshtër”. Më pas, motrat e Skënderit dhe Shpëtimit, si dhe vëllai i madh, Iliri, u hoqën nga punët e tyre dhe iu ndalua ushtrimi i profesionit. Përveç kësaj njerëzit e Sigurimit dhe Frontit Demokratik të lagjes ku ata banonin, u bënin presion bashkëshortëve të tyre që t’i ndanin gratë, (motrat e Skënderit), si dhe nuses së Ilirit, që ta ndante atë, pasi dy vëllezërit e tij “kishin tradhtuar atdheun”. U thoshin se: do t’ua merrnin shtëpitë dhe do t’i internonin në fshatra të largët, prandaj më mirë t’i ndanin gratë e tyre, që ishin motrat e Skënderit e Shpëtimit. Këto gjëra ua thanë hapur edhe në disa mbledhje që bëri Fronti Demokratik në lagje për demaskimin e tyre. Pas gjithë këtyre presioneve, disa ditë më vonë, njerëzit e Sigurimit dhe të Frontit, shkuan përsëri në familjen Marku dhe u thanë atyre se: “Dy djemtë e tyre tradhtarë, Skënderin dhe Shpëtimin, do t’i kthenin së shpejti në Shqipëri”. Po ato ditë, u organizuan edhe disa mbledhje në qëndrën e punës ku kishte punuar Skënderi, në Ofiçinën e Kombinatit Kimiko-Metalurgjik të Laçit, ku iu kërkua shokëve të tij të punës, që të dënonin aktin e tyre. Por jo vetëm që në ato mbledhje nuk foli njeri kundër Skënderit, por disa shokë të tij si Naim Kasmi, Gëzim Hoxha, si dhe vëllezërit Shefqet e Flamur Domi, e mbrojtën Skënderin, gjë e cila u kushtoi disave prej tyre, dënimin me gjashtë muaj punë korrektonjëse.

Dënimi me 33 ditë burg me akuzën: Kalim i paligjshëm i kufirit
Çfarë ndodhi me dy vëllezërit Marku dhe shokun e tyre, Agron, pasi ata u dorëzuan në stacionin e Policisë së Prizrenit? Lidhur me këtë, Skënderi kujton: “Aty në Policinë e Prizrenit menjëherë na morën në pyetje, fillimisht duke na pyetur për gjeneralitetet dhe më pas për arsyet se përse ne ishim arratisur nga Shqipëria etj. Gjatë pyetjeve që na bënë, të treve bashkë dhe më pas veç e veç, ne përsëritëm të njëjtat gjëra, duke thënë të vërtetën e arratisjes sonë dhe qëllimin e vetëm që kishim për të shkuar në SHBA. Ne përsëritëm disa herë, se nuk donim të rrinim në asnjë vend tjetër, përveçse të iknim në SHBA, pasi ky ishte qëllimi ynë i vetëm dhe për këtë gjë ne kishim vënë kokën në rrezik. Pas disa seancave me pyetje të shumta që na bënë autoritetet jugosllave të atij stacioni policor, gjithnjë duke pasur një përkthyes shqiptar të Kosovës, ata na thanë se do ta shqyrtonin problemin tonë dhe pas disa ditëve do të na jepnin përgjigje se çfarë vendimi do të merrej për ne. Deri sa të shqyrtohej problemi ynë, ne do të na mbanin të izoluar aty në atë stacion policie. Dhe vërtetë, pas disa ditësh, na dërguan në Gjykatën e Prizrenit, ku na u bë një gjyq i shpejtë, i cili na dënoi të tre, me nga 30 ditë burgim, me akuzën: “Për kalim të paligjshëm të kufirit”, duke na dhënë dënimin minimal, pasi ligji i tyre për atë akuzë, parashikonte një deri në tre muaj”, kujton Skënderi, lidhur me dënimin që iu bë atyre në Gjykatën e Prizrenit.
Provokimet e UDB-së dhe informacioni i saktë që ata kishin.

Po çndodhi me vëllezërit Marku dhe shokun e tyre, Agron Gjokën, pasi Gjykata e Prizrenit i dënoi me nga 30 ditë burgim, me akuzën për kalim të paligjshëm të kufirit? Lidhur me këtë, Shpëtimi, dëshmon: “Pas dënimit na rikthyen përsëri në stacionin e Policisë së Prizrenit, ku na izoluan si më parë në dhoma të ndryshme, veç e veç dhe çdo ditë na merrnin në pyetje me anë të përkthyesit shqiptar, duke na bërë pyetje dhe provokime nga më të ndryshmet. Na bënin pyetje të karakterit politik, për udhëheqjen e lartë, për Ramiz Alinë, për Nexhmije Hoxhën, për anëtarët e tjerë të Byrosë Politike, për Haxhi Lleshin, etj., duke na thënë se kush kishte më shumë fuqi dhe pushtet prej tyre, etj. Gjëra për të cilat ne i përgjigjeshim shumë shkurt, duke iu shpjeguar se nuk kishim shumë dijeni dhe as informacion se ça ndodhte në udhëheqjen e lartë, pasi ne nuk kishim nga t’i dinim ato gjëra, pasi kishim jetuar në një qytet të vogël larg Tiranës, ku ishim marrë vetëm me punët tona. Po kështu ata na pyesnin edhe për organet e pushtetit dhe të partisë të Laçit dhe Krujës ku kishim jetuar dhe punuar në të tre, ku ne mbetëm të çuditur nga informacioni i saktë që ata kishin, pasi përmendnin emra konkret dhe pyesnin nëse ishin përsëri në ato funksione dhe detyra. Por ajo që më bëri më shumë përshtypje mua, ishte problemi i datës së saktë të ditëlindjes sime. Kur më pyetën për gjeneralitetet ditën e parë që na futën aty, unë i thashë 12 shkurt 1966, siç e kam në të vërtetë. Por pas disa ditësh, ata më pyetën përsëri dhe kur unë i thashë po të njëjtën gjë, ata më thanë: ‘Mendohu mirë se mos je gabim, se ndoshta e ke më 22 shkurt 1966’?! Unë në fillim ngula këmbë se ishte data 12 dhe se ajo nuk mund të ngatërrohej, por më pas u kujtova, se data 22 ishte shënuar gabim në Librezën time Ushtarake, që unë e kisha djegur dhe e kisha bërë hi në qendrën e zjarrit diku në majë të malit të Korabit, pak para se të kalonim kufirin në mëngjesin e 24 prillit. Kur ua shpjegova atë, pra datën 22 që ishte vënë gabim në Librezën Ushtarake, oficeri i UDB-së, nënqeshi me ironi si për të më thënë se ata dinin gjithçka rreth nesh. Kështu gjatë gjithë asaj kohe, pra gjatë një muaji që ne na mbajtën të izoluar në Stacionin e Policisë së Prizrenit, trajtimi që na bëhej ishte më se normal, si nga ushqimi, fjetja, dalja në ajrosje etj., por seancat me pyetje provokuese vazhdonin çdo ditë. Një ditë më pyetën se: përse ne nuk kishim zgjedhur për t’u arratisur një vend tjetër, p.sh., atje ku unë isha ushtar në afërsi të Pogradecit, në Malin e Thatë, ku nuk e kisha larg kufirin etj.? Na thoshin se përse ne nuk kishim dëshirë që të qëndronim në Jugosllavi, ku ata do të na krijonin të gjitha kushtet dhe një jetë normale, si ajo që bëhej në Perëndim, etj. Seancat me pyetje vazhduan pothuaj çdo ditë dhe kur plotësuam 30 ditë, ne u bëmë merak se përse nuk po na lironin, gjë e cila na i shtoi shumë dyshimet dhe për një fakt tjetër, pasi nga dritaret ku ne kacavirreshim për të parë vendin ku bëhej ajrosja, nuk e pamë më shokun tonë Agronin?! Pasi kishin kaluar katër a pesë ditë më shumë se dënimi që na ishte dhënë, ne iu kërkuam atyre se përse nuk po na lironin siç dhe kishte vendosur Gjykata e Prizrenit?! Ata nuk na përgjigjeshin, por dukej se na shikonin me një keqardhje dhe kjo gjë na i shtoi dyshimet duke parandjerë se diçka e rëndë po luhej me ne…”, kujton Shpëtimi lidhur me ditët e fundit të tyre në paraburgimin e Stacionit Policor të Prizrenit.

Agroni fitoi azilin politik, dy vëllezërit, Marku, i kthejnë në Shqipëri
Po ç’po ndodhte me Skënderin dhe Shpëtimin gjatë kohës që ata u mbajtën në Stacionin e Policisë së Prizrenit dhe cila ishte përgjigja që u dhanë atyre në lidhje me përfitimin e statusit të emigrantëve politikë që ata donin të aplikonin pranë ambasadës së SHBA-së në Beograd? Ku ndodhej shoku i tyre Agroni që ata nuk po e shikonin më gjatë ajrosjes?! Lidhur me këtë, Skënderi dëshmon: “Ndërsa ishim në pritje të lirimit pas 30 ditë paraburgimi ashtu siç dhe kishte vendosur Gjykata e Prizrenit për ne, me shpresën se do të na dërgonin në Beograd ku do bënim aplikimin për azil politik për në SHBA, ndodhi diçka që ne nuk e kishim parashikuar kurrë gjatë planeve që kishim bërë. Më datën 1 qershor të atij viti, pra rreth 36 ditë pasi ne ishim dorëzuar aty, që në mëngjes na nxorën nga dhomat ku ishim të izoluar dhe na bashkuan në korridor duke na lidhur me pranga. Policët që na lidhën dhe ata të tjerët që qëndronin në të dy anët korridorit, nuk flisnin fare por kishin ulur kokat dhe na shikonin me keqardhje. Aty e kuptuam se ajo që nuk e kishim menduar kurrë, po ndodhte me të vërtetë. Ndërkaq para se të na nxirrnin nga ajo godinë për të na hipur në një automjet të policisë që priste në oborr, më kryesori i tyre na tha: “Na vjen keq për këtë që po ndodh me ju, por nuk është në dorën tonë. Ne vetëm po zbatojmë urdhrat që na kanë dhënë eprorët tanë”. Dhe ato fjalë ai na i tha jo pa keqardhje, madje duke u ndierë si fajtor, pasi mua dhe Shpëtimit nuk na u dha e drejta e strehimit politik, ashtu siç kishte ndodhur me Agronin, që e kishin nisur për në Beograd. Pas kësaj, ne na hipën në një makinë të mbyllur dhe vetëm pas pak minutave e pamë veten në pikën Kufitare të Morinës së Kukësit, në tokën shqiptare, ku na u vërsulën si bisha duke na sharë me një fjalor banal. Nuk do t’i harroj kurrë ato minuta tmerri, kur njerëzit e Sigurimit që kishin ardhur nga Kruja e Tirana, na morën në dorëzim dhe hipën në makinën e tyre, e cila u nis me shpejtësi në drejtim të qytetit të Kukësit”, kujton Skënderi, momentet e dorëzimit të tij dhe vëllait, Shpëtimit, pranë autoriteteve të palës shqiptare të pikës Kufitare të Morinit, duke shtuar se ato kanë qenë minutat më të tmerrshme që ai ka kaluar deri më sot dhe gjithnjë kur i kujton, përpiqet t’i fshijë nga kujtesa!

Demaskimi para popullit në Kukës, Milot, Laç, Kombinatin Kimiko-Metalurgjik dhe Fushë-Krujë
Po përse dy vëllezërve Marku nuk iu plotësua kërkesa për strehim politik nga ana e autoriteteve jugosllave ashtu siç u bë me shokun e tyre, Agron Gjokën dhe përse ata ua dorëzuan autoriteteve shqiptare, kur dihej se ç’fat do i priste?! Lidhur me këtë, Skënderi tregon: “Dorëzimi ynë pranë autoriteteve shtetërore shqiptare në pikën kufitare të Morinës, kishte ndodhur pas kërkesave të shumta që kishte bërë pala shqiptare, gjë të cilat i kam mësuar disa vite më vonë kur fillova punë në Tiranë. Nisur nga një marrëveshje që kishte nënshkruar Sigurimi i Shtetit me UDB-në Jugosllave që para shumë vitesh, e cila konsistonte në shkëmbimin e emigrantëve politikë në mes dy vendeve, ne e pamë veten në duart e Sigurimit të Shtetit Shqiptar. Ne i kishim të gjitha mundësitë që të largoheshim nga Stacioni i Policisë së Prizrenit, por nuk e kishim menduar kurrë se do të na dorëzonin duke na kthyer në Shqipëri. Në qytetin e Kukësit ku na ndaluan fillimisht, na çuan te një shkollë, ku kishin mbledhur me qindra njerëz duke i sjellë aty me detyrim nga qendrat e punës. Pas kësaj, autoritetet kryesore të rrethit nga Partia, Fronti, Sigurimi etj., mbajtën fjalimet e rastit, duke na sharë ne si “tradhtarë, armiq të popullit”, etj. Pas kësaj, automjeti “ZUK” nga Laçi që kishte marrë Sigurimi i Shtetit për të na marrë ne, mori rrugën e kthimit dhe fillimisht na ndaluan në qytezën e Milotit, ku u përsërit e njëjta gjë si në Kukës, pra: duke na demaskuar para popullit, si “armiq e tradhtarë”. Nga Miloti na dërguan në Kombinatin Kimiko-Metalurgjik të Laçit (ku kisha punuar unë me vëllanë, Ilirin, motra jonë me bashkëshortin e saj, etj.) dhe nga aty në qendër të qytetit të Laçit, para Pallatit të Kulturës, ku kishin mbledhur me detyrim nga qëndrat e punës, me qindra njerëz. Dhe aty u mbajt një miting me fjalime ku nuk na lanë gjë pa na sharë dhe demaskuar siç thuhej atëherë. Pasi mbaroi mitingu i Laçit, ne na nisën për në Fushë-Krujë, ku dhe aty u bë “rituali” i zakonshëm, e më pas përfunduam në Degën e Punëve të Brendshme të Krujës, pasi Laçi ku banonim ne asokohe, varej nga Kruja. Por, të jemi të sinqertë deri në fund, në të gjitha ato mitingje që u bënë për të na demaskuar ne, banorët e atyre qyteteve, jo vetëm që nuk i mbështetën fare organizatorët e atyre mbledhjeve, por na shihnin me keqardhje dhe asnjë nga populli nuk doli të fliste në tribuna, edhe pse iu bë thirrje disa herë”, kujton Skënderi, lidhur me atë që ndodhi me të dhe vëllanë e tij, Shpëtimin, atë ditë që pala jugosllave i dorëzoi në pikën Kufitare të Morinës .

Torturat nga dy hetuesit e Krujës dhe gjyqi në Laç
Po çfarë ndodhi me dy vëllezërit Marku në Degën e Brendshme të Krujës ku i dërguan ata në pasditen e vonë të datës 1 qershor të vitit 1988, pasi i kishin “demaskuar” në disa prej qyteteve ku kalonte rruga nacionale nga Kukësi deri në Fushë-Krujë? Lidhur me këtë, Shpëtimi dëshmon: “Në Hetuesinë e Krujës na mbajtën nga data 1 qershor deri më 15 korrik, një muaj e gjysmë dhe gjatë gjithë atyre ditëve që ata i quanin seanca hetimore, ne na kanë mbajtur nën tortura fizike dhe psikologjike të pandërprera. Hetuesinë na e bënte vetë personalisht, Kryetari i Hetuesisë së Krujës, Seit Duraj, një kriminel i lindur që ka ushtruar dhunë fizike ndaj nesh duke na masakruar barbarisht, por e kemi përballuar falë dhe moshës së re dhe fizikut tonë. Kur lodhej ai, pra Seti, vazhdonte hetuesi tjetër, Nexhat Selimi, një kriminel tjetër ky, që na torturonte më shumë, si duket edhe për servilizëm ndaj shefit të tij. E gjitha ajo bëhej në shenjë hakmarrje ndaj veprimit që kishim bërë ne, pasi pyetjet që na bënin, se kush ishte pjesëtar tjetër i grupit tonë, kush na nxiste, cilët ishin shokët që ne kishim biseduar për arratisjen etj., ne i hodhëm poshtë që ditën e parë, dhe u thamë se për atë gjë, nuk kishte njeri dijeni fare, ashtu siç ishte dhe e vërteta. Por ata nuk donin t’ia dinin dhe bënë “ritualin” e tyre ndaj nesh deri më datën 14 korrik dhe të nesërmen, më datë 15 korrik 1988, na dërguan në qytetin e Laçit, ku u zhvillua gjyqi ndaj nesh në sallën e madhe të Pallatit të Kulturës, e mbushur plot e përplot nga njerëzit që i kishin marrë me detyrim nga qendrat e punës. Gjyqi ishte me dyer të hapura dhe bëhej me qëllim që të na demaskonin ne për të frikësuar popullin. Kujtoj se ishte një Kolegj Ushtarak, (pasi unë isha ushtar) dhe trupin gjykues e kryesonte një person me emrin Agim (nga Tirana), ndërsa prokuror, ishte Elmaz Lala. Si unë ashtu dhe Skënderi, mbajtëm të njëjtin qëndrim ashtu si në Hetuesi, dukë thënë se qëllimi i vetëm i joni, ishte të emigronim jashtë Shqipërisë për në SHBA, dhe nuk pranonim se ishim “tradhtarë dhe armiq të popullit”, siç na akuzonin. Ndryshe nga Kryetar i Gjyqit që dukej më i qetë dhe jo prepotent, prokurori na bërtiste dhe na ofendonte, aq sa e detyroi Skënderin që të ngrihej në këmbë pa ja dhënë fjalën kryetari i gjyqit dhe t’i drejtohej prokurorit, duke i thënë: “Mos uluri ashtu dhe mos na bërtit, se nuk ta ka njeri frikën. Ne nuk jemi as tradhtar dhe as armiq të popullit siç po na akuzoni ju, por thjesht deshëm të emigronim për në SHBA, për një jetë më të mirë. A mund të më thuash shoku prokuror, ça të keqe i ka ardhur Shqipërisë nga emigracioni që ka pasur në kohën e Zogut, asnjë e keqe. Shumë prej tyre kanë punuar jashtë dhe janë kthyer përsëri në Shqipëri”. Ndërkohë që Skënderi iu hakërrye prokurorit, sidomos kur i tha “mos leh si qen”, ai filloj të flas dhe të bërtas edhe më shumë, por kryetari i gjyqit, i tha me një ton sikur po i fliste një të pandehuri, “ulu ti mor aty dhe mos fol pa të dhënë unë fjalën”. Kjo shkaktoi si të thuash një admirim tek të pranishmit në sallë, ku pjesa më e madhe e bashkëqytetarëve tanë, me ndonjë përjashtim të vogël, na shikonin me keqardhje.

Kështu u mbyll ai gjyq po atë ditë të 15 korrikut, përfundimi Skënderin e dënuan me 20 vite heqje lirie, ndërsa mua me 17 vite, me akuzën e “tradhtisë së lartë ndaj atdheut”, dënim i cili u ndikua edhe nga qëndrimi që mbajtëm ne në gjyq, sidomos Skënderi”, kujton Shpëtimi lidhur me dënimin e tij dhe të vëllait, Skënderit. Dhe vërtetë, të gjithë bashkëqytetarët laçianë që asistuan në atë sallë atë ditë, e mbajnë mënd fare mirë qëndrim burrëror gjatë gjyqit të vëllezërve Marku, ku ndonëse ata i kishin sjellë aty për t’i “demaskuar”, ata fituan admirimin e pjesës më të madhe të bashkëqytetarëve të tyre. Nisur dhe nga ai qëndrim që ata mbajtën në gjyq, dënimi i tyre ishte maksimal dhe pas atij vendimi të formës së prerë, ata u dërguan për të vuajtur dënimet në burgjet e Qafë-Barit, Spaçit e Burrelit dhe u liruan prej tyre vetëm në fillimin e marsit të vitit 1991, me të fundit të dënuarit që u liruan nga burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës. Me shembjen e regjimit komunist dhe fillimin e proceseve demokratike, Skënder Marku, vazhdoi studimet dhe shërbeu si ushtarak në Drejtorinë e Kampeve dhe Burgjeve, fillimisht në Shën-Koll të Lezhës dhe më pas si Komandant i Repartit 313 në Tiranë, ku ai qëndroi deri në trazirat e vitit të mbrapshtë 1997 dhe shërbimi i fundit që bëri si drejtues i atij institucioni, ishte përcjellja për në shtëpi e ish- kryeministrit Fatos Nano, i cili shumë vite më vonë, në emisionin “Opinion” në TV “Klan”, në mes të tjerash do të shprehej: “Ndërsa u larguan të gjithë nga burgu ashtu në mes krismave të armëve, mbeta vetëm unë….! Por atë gjë, e mori përsipër vetë komandanti i burgut, një djalë i ri i shkëlqyer nga Laçi, një djalë shumë trim dhe tepër inteligjent, Skënder Marku quhej, i cili me makinën e tij, në mes breshërive të plumbave që na vërshëllinin mbi kokë, më çoi deri te hyrja e pallatit. E ftova në shtëpi, por nuk pranoi, duke më thënë se aty përfundonte detyra e tij. Nuk do t’ia harroj kurrë”. “Memorie.al”

Intervista e Esat Pashës për Le Petit Parisien (1914): “Princ Vidi nuk mund të jetë më mbret i shqiptarëve.”

Esat Pashë Toptani

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 22 Janar 2020

 

“Le Petit Parisien” ka botuar, të mërkurën e 8 korrikut 1914, në ballinë, intervistën ekskluzive me Esat Pashë Toptanin, të zhvilluar asokohe në Paris, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

 

Princ Vidi nuk mund të jetë më mbret

Të paktën kështu thotë Esat Pasha

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Esat Pasha, ish-Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, i cili u përjashtua nga atdheu i tij nga Princ Vilhelm Vidi në vijim të ngjarjeve nga të cilat ne me siguri i kujtojmë, sapo ka mbërritur në Paris.

 

Ai na priti dje me respekt të madh, dhe askush nuk do të dyshonte se, do të dukej aq Parizian, në një xhaketë të zezë elegante, për të cilën u akuzua se kishte ekzekutuar një nga mbrojtësit kryesorë të Shkodrës, gjatë luftës Turko-Ballkanike.

 

Esat Pasha, i cili flet frëngjisht, nuk e beson ende veten të përgatitur sa duhet që të flasë gjuhën tonë pa ndihmën e një përkthyesi.

 

— Çfarë mendoni, Shkëlqesi, për situatën aktuale në Shqipëri ?

 

— Sigurisht, mund të ishte më mirë; sidoqoftë, kam besim se atdheu im, me përkrahjen dhe ndihmën e fuqive të mëdha, do të jetë në gjendje të dalë nga sikleti me të cilin po lufton. Dhe zhvillimi i tij nuk do të vonojë shumë për të qenë madhështor.

 

— A e konsideroni si të humbur çështjen e Princ Vidit ?

 

— Absolutisht. Princi nuk ka treguar asnjë nga cilësitë që duhet të zotërojë një drejtues njerëzish; hezitimet e tij, masat e ngathëta që ai ndërmori në lidhje me njërin apo me tjetrin, e bënë që të humbte popullaritetin, gjë do ta detyronte atë herët a vonë të ikte ose të abdikonte.

 

Unë nuk kam ambicie!…”

 

— Po kush mund ta zëvendësojë ? Ju vetë …

 

— Të mos flasim për mua, ju lutem, thotë Esati me plot gjallëri. Asnjëherë nuk kam aspiruar për një dinjitet të tillë dhe nuk e kam kërkuar kurrë. Unë kërkova vetëm një gjë, që t’i shërbej mirë vendit tim, dhe për këtë vura në dispozicion të tij jetën time dhe të gjitha gjërat e mia, dhe ju e dini se si Vilhelm Vidi më shpërbleu për këtë. Kush mund të marrë kurorën ? – më pyesni ju. Të jeni të sigurtë – dhe ne shohim në buzët e bashkëbiseduesit tonë një buzëqeshje disi sardonike – të jeni të bindur se vullneti i mirë nuk do të mungojë dhe që fuqitë e mëdha nuk do të gabojnë për të gjetur një kandidat që plotëson cilësitë e nevojshme…

 

— Por, ne insistojmë, nëse fuqitë e mëdha ju ofrojnë të jeni ky kandidat ?

 

— Edhe një herë, unë nuk jam kandidat dhe dua vetëm një gjë : të kontribuoj, me mundësitë që kam, të sjell lumturinë e vendit tim.

 

— A duhet të konsiderohet udhëtimi juaj në Francë si një udhëtim  studimesh apo i kohës së lirë, apo ka një qëllim diplomatik ?

 

— Një qëllim diplomatik, jo; por, zotëri, i internuar nga atdheu im, shkoj këtu e atje, në Itali, në Zvicër, tani, në Francë, në Paris, të cilin tashmë e admiroj dhe e dua thellësisht.

 

Ne po përgatiteshim që të ndaheshim prej tij, kur ai na tha :

 

— Mësova se një familje franceze ishte e burgosur në Shqipëri nga ata që quhen “kryengritës”. Kam mësuar gjithashtu se ajo ishte arrestuar në pronat e mia. Eh pra! përmes zërit të fuqishëm të gazetës suaj, siguroni prindërit e kësaj familje, i thoni që nuk do t’i keqtrajtojnë. Shërbëtorët e mi e njohin me të vertetë shumë mirë vullnetin tim për të mos e zbatuar atë. Ata e dinë që asnjë i huaj, e posaçërisht asnjë francez, nuk duhet të keqtrajtohet. Edhe një herë, siguroni familjet.

 

Me këto fjalë u larguam prej Esatit, princit shqiptar…

Ismail Qemali për L’Eclair (1914): “Nuk e ka fajin Princ Vidi për ngjarjet në Shqipëri, por oficerët hollandezë.”

Ismail Qemali

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 21 Janar 2020

 

“L’Eclair” ka botuar, të premten e 19 qershorit 1914, në faqen n°4, reagimin Ismail Qemalit në lidhje me ngjarjet e fundit asokohe në Shqipëri, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

 

Deklaratat e Ismail Qemal beut

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

(Me telefon nëpërmjet korrespondentit tonë) Romë, 18 qershor. – I nisur nga Fiume, në bordin e avullores Bregen, Ismail Qemal beu kaloi sot në Brindizi dhe u largua këtë mbrëmje për në Vlorë.

 

Ish-presidenti i Qeverisë së Përkohshme të Shqipërisë tha në intervistën e tij se nuk ishte në dijeni për ngjarjet e fundit, por gjithashtu se nuk ndihej i befasuar.

 

Kjo që po ndodh, tha ai, unë e kisha parashikuar dhe denoncuar si në Komisionin e Kontrollit, po ashtu dhe në kabinetet e Romës dhe Vjenës. Atëherë, besuan se unë flisja vetëm për interesa personale dhe nuk më dëgjuan. Princ Vidi nuk është përgjegjës për atë që ndodhi, por viktimë e një mijë kurtheve. Faji është kryesisht i oficerëve hollandezë, të cilët, në vend që të kufizoheshin me rolin e tyre, u morën me politikë.

Dokumentet sekrete të ’89- Kur kongresmenit amerikan, Joseph Kennedy, biri i kandidatit për president të SHBA-ve nuk i jepej vizë për Shqipëri

Publikohen disa dokumente të nxjerra nga arkivat sekrete të Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë (tashmë të deklasifikuara), të cilat bëjnë fjalë mbi një korrespodencë të misionit diplomatik shqiptar në OKB dhe Ministrisë së Punëve të Jashtëme në Tiranë, lidhur me një kërkesë të bërë nga kongresmeni amerikan, Joseph Kennedy, djali i madh i senatorit amerikan Robert F. Kennedy, i cili në gushtin e vitit 1989, i paraqiti një kërkesë përfaqësuesit të përhershëm pranë misionit shqiptar në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Bashkim Pitarka, duke i kërkuar që ata ta paisnin me një vizë, pasi ai dëshironte që të vinte për një vizitë në Shqipëri, duke dhënë dhe shpjegimet e rastit rreth arsyeve që e obligonin për ta ndërrmarë atë udhëtim, si dhe planet konkrete që ai kishte për ta ndihmuar vëndin e vogël ballkanik. Cili ishte ndërmjetësi që mundësoi takimin në mes politikanit të lartë të SHBA-ve dhe msionit shqiptarë në OKB, që ishte dhe zyrtari i parë amerikan që pritej prej tyre që nga mbarimi i Luftës së Dytë Botërore dhe debatet e ashpra që u bënë prej tyre lidhur me arsyet që iu parashtruan atij dhe përgjigjien negative e refuzimin kategorik që Tirana zyrtare po i bënte kërkesës së tij…?!

Në fundin e viteve ’80-të kur në mbarë Europën Lindore kishin filluar dhe po frynin “erërat e Perëndimit”, gjë e cila u “finalizua” me rrëzimin e Murit të Berlinit dhe hapjen e kufijve të disa shteteve ish-komuniste, si Hungaria etj., (ku turma njerzish vërshuan drejt Gjermanisë Perendimore), në Shqipërinë komuniste dukej se gjërat po rrinin në vënd dhe “ujrat” nuk po lëviznin! Madje po ndodhte e kundërta! Kështu, ndryshe nga pjesa më e madhe e vëndve ish-komuniste të Lindjes që i thanë ok “Perestrojkës gorbaçoviane”, duke e përkrahur dhe zbatuar atë, Ramiz Alia, pasardhësi i Enver Hoxhës, që ishte betuar për “vazhdimësinë”, po i mbahej “fjalës së dhënë”, dhe me qëndrimet e deklaratat e tij, si: “Nuk tundet Taraboshi nga era”, Shqipëria nuk është as Lindje, as Perëndim”, “Edhe bar do ham, por parimet nuk i shkelim”, etj., duket se po i çonte sinjale të qarta si Lindjes ashtu dhe Perëndimit, se ato gjëra nuk mund të ndodhnin kurrsesi në Shqipëri.

Dhe nisur nga këto qëndrime dhe deklarata të pasëardhësit të Enver Hoxhës, shumë analistë të huaj që ndiqnin me vëmëndje dhe interes të veçantë ngjarjet në vëndin e vogël komunist më të prapambetur të Evropës, i shihnin me skepticizëm ndryshimet që mund të ndodhnin, kjo edhe për shkak të izolimit gati gysëm shekullor që kishte Shqipëria komuniste dhe që po vazhdonte ende. Ndoshta kjo, edhe për shkak të informacionit të pakët që ata kishin se ç’ndodhte në këtë vënd të vogël të Ballkanit, si dhe një interesi të pakët që po tregonte bota, apo më saktë Perëndimi për të?! Kjo tezë, pra, “interesi i pakët i Perëndimit” ndaj Shqipërisë komuniste, pas viteve ’90-të, është përdorur si një justifikim nga ish-kreu komunist Ramiz Alia e ndonjë tjetër bashkëpunëtorë i tij, për të përligjur jo vetëm vonesën e reformave në aspektin ekonomik dhe politik që ndodhën në Shqipëri, por edhe gjëndjen tejet të mjeruar dhe katastrofike ku e çoi vëndin vija e tyre politike që ndoqën prej gati gjysëm shekulli.

Po, a ka pasur vërtetë një “interes të pakët të Perëndimit”, ndaj Shqipërisë komuniste, të paktën në periudhën “post Enver Hoxha” nën udhëheqjen e Ramiz Alisë?

Duke përjashtuar vizitën e Shtrausit në Shqipëri në mesin e viteve ’80-të dhe negociatat e tij që kishin filluar që në gjalljen e Enver Hoxhës, pothuaj nuk ka asnjë të dhënë apo fakt tjetër që ta konfirmojë këtë gjë. Të paktën publikisht në shtyp apo në librat memuaristikë, nga ish-diplomatë e funksionarë të lartë të asaj kohe që, për arsye pune, j’u dha rasti të merreshin apo të negocionin me zyrtarë të huaja që kishin shprehur interes për Shqipërinë komuniste.

Si p.sh. diplomatët shqiptarë pranë misionit diplomatik të OKB-së, ku në mesin e viti 1989, kongresmeni amerikan, Joseph Kennedy, (pinjoll i familjes së njohur amerikane dhe i biri i Robert Kennedy), bëri demarshe të madha që të vinte për një vizitë në Shqipëri, duke iu premtuar ndihma konkrete dhe duke argumentuar me fakte bindëse se përse kërkonte të vinte për vizitë dhe të ndihmonte Shqipërinë?! Por ata, pra misioni diplomatik shqiptar në OKB, pas refuzimit kategorik që iu bënë eprorët e tyre në Tiranë, jo vetëm që nuk e lejuan politikanin e njohur amerikan që të vinte në Shqipëri, por i nxorrën lloj lloj preteksesh tepër absurde (absudre dhe për atë kohë), dhe nuk ia aprovuan kërkesën e tij?! Madje edhe pas lutjeve dhe kërkesave të një pas njëshme të tij me letra dhe takime, qëndrimi i udhëheqjes së lartë komuniste ishte i prerë: “Joseph Kennedy, nuk duhet të vijë në Shqipëri”

Lidhur me këto dhe të tjera ngjarje dhe fakte për kërkesën e kongresmenit amerikan, Joseph Kennedy, për të ardhur në Shqipëri, si dhe debatet që ai zhvilloi me diplomatët e misionit shqiptar në OKB-së, ky ishte dhe zyrtari i parë amerikan që ata takonin që nga mbarimi i Luftës së Dytë Boterore, etj., na njohin një sërë dokumentesh arkivore (tashmë të deklasifikuara), që publikohen për herë të parë ekskluzivisht nga Memorie.al

 

Informacioni i Ministrisë së Punëve të Jashtëme lidhur me kërkesën e gazetarit amerikan me origjinë shqiptare, Peter Lukas, për kërkesën e kongresmenit amerikan, Joseph Kennedy, që të vijë për vizitë në Shqipëri

Informacion

Këto ditët e fundit, gazetari politik amerikan me origjinë shqiptare, Peter Lukas ka dërguar një teleks në të cilin thotë se “kongresmeni amerikan Xho Kenedi, nipi i presidentit të ndjerë, do të donte të vizitonte Shqipërinë, me 1 shtator”, së bashku me të.
Kur ishte në Shqipëri për vizitë, Peter Lukasi e ka quajtur Xho Kenedin “mik personal të tij dhe një nga personalitetet më në zë në politikën e jashtëme amerikane, i cili ka influencuar edhe në Kongresin amerikan për miratimin e rezolutës për çështjen e Kosovës”.

Xho Kenedi, kongresmen amerikan, është nip i Xhon F. Kenedit dhe i biri i Robert Kenedit, kandidat për president, i cili edhe ai u vra.

Mendojmë që, për tani, ta evitojmë këtë kërkesë, duke udhëzuar Misionin tonë në New York, që të komunikojmë me Peter Lukasin e t’i thotë atij që këtë çështje ta diskutojmë kur të vijë atje delegacioni ynë, i cili do të marrë pjesë në sesionin e 44-të të Asamblesë së Përgjithëshme të OKB-së.

2. Kryetari i Lobit shqiptaro-amerikan, Xhozef Dioguardi, me banim në New York, nëpërmjet shqipëtarëve të ndryshëm patriot që jetojnë në SHBA, ka shprehur dëshirën e tij për të ardhur në Shqipëri, si vizitor. Ai ka qenë kongresmen për shtetin e New York dhe tani, si qytetar privat, është vënë në krye të Lobit shqiptar, i cili ka rreth 6 muaj që është krijuar, me synimin kryesor: propogandimin e gjendjes së popullit shqiptar në Kosovë e në viset e tjera të Jugosllavisë, si pasojë e dhunës terroriste të shovinizmit serbomadh.

Vetë ai është me origjinë arbëreshe gjë që e propogandon, në çdo rast, me krenari. Tani është polotësisht i angazhuar me drejtimin e veprimtarisë së Lobit, i cili luajti një rol të rëndësishëm në miratimin e rezolutave kundër Jugosllavisë nga Dhoma e Përfaqësuesve e Kongresit Amerikan, si dhe nga Senati Amerikan. Ai ka njohje të shumta në hierarkinë legjislative të SHBA. Sipas burimeve të lartpërmendura, në asnjë rast publik, nuk ka folur negativisht për vëndin tonë.

 

Sadoqë rasti i Dioguardit është pak ndryshe nga ai i Xho Kennedit, sepse Dioguardi është qytetar privat dhe ka avantazhin që është me origjinë shqiptare, mendojmë që, për tani, edhe kërkesën e tij ta evitojmë, duke e lënë mundësinë të hapur. Delegacioni ynë, gjatë qëndrimit në New York, të paraqitet të mësojë më shumë për personin dhe veprimet e Dioguardit.
Tiranë, më 17 gusht 1989

………………………………………………………………………………………………………………………….

Letra e kongresmenit Joseph Kennedy, për ambasadorin shqiptar, Bashkim Pitarka, në SHBA
Komiteti Shqiptar për Marrëdhënien Kulturore
E Miqësore me Botën e Jashtëme.

KONGRESI I SHTETEVE TE BASHKUARA
DHOMA E PERFAQESUESVE
WASHINGTON DC 2015

5 shtator 1989
Bashkim Pitarka

Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë
Përfaqësues i Përhershëm i RPS të Shqipërisë

Pranë Kombeve të Bashkuara
I dashur Ambasador Pitarka,

Po ju shkruaj juve për t’u shprehur me respekt interesimin tim të fortë për të vizituar vëndin tuaj.
Si antar i Kongresit të Shteteve të Bashkuara nga Bostoni, shteti i Mesecusets-it jam i interesuar për Shqipërinë nëpërmjet miqve të mij nga komuniteti shqiptar këtu. Shqiptaro-amerikanët kanë dhënë një kontribut të madh për kombin tonë dhe unë jam i besimit se marrëdhënien më të ngushtë midis popullit të SHBA dhe popullit të Shqipërisë do të ishin në avantazh të të dy vendeve.

Qëllimi i udhëtimit tim do të jetë që të kuptoj më mirë kulturën, historinë dhe nevojat e vëndit tuaj dhe për të arritur një mirëkuptim më të madh të Shteteve të Bashkuara. Nëpërmjet një angazhimi dhe marrëveshjeje reciproke, ne mund të eksplorjmë mundësitë për hapjen e disa lidhjeve ekonomike e kulturore midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara. Për shembull, ne mund të merreshim vesh për shkëmbimin nga të dy vendet të grupeve drejtuesish në fushën e biznesit, akademikëve apo organizatave kulturore. Udhëtime të tilla mund të përdoreshin për të identifikuar më tej mundësitë për zhvillimin e marrëdhënieve me dobi reciproke.

Unë besoj se populli shqiptar ka shumë për t’i ofruar popullit të SHBA-ve dhe unë do të dëshiroja të vizitoja vendin tuaj në mënyrë që të mund të fillonim një dialog. Do të shpresoja se një udhëtim i tillë mund të rregullohej për një periudhë aty nga fundi i këtij viti ose në fillim të vitit tjetër.

Ju falenderoj për shqyrtimin e kërkesës sime. Do të kisha kënaqësinë të takoheshim personalisht me ju, zoti ambasador, kur ta kini ju të mundshme për të diskutuar më tej lidhur me këtë çështje.

Me sinqeritet.
Joseph P. Kennedy II
Antar i Kongresit

……………………………………………………………………………………………………………………………

Udhëzimi nga Tirana: Joseph P. Kennedy, të mos vijë në Shqipëri
SHBA
Nipi i presidentit Kennedy, Joseph Kennedy të mos vijë për vizitë në Shqipëri. Mund të pritet në takim nga ambasadori në qoftë se kërkon dhe me korrektesë t’i thuhet se kjo dëshirë për arsye të njohura të shkallës së marrëdhënieve me SHBA për tani nuk realizohet (nga SHBA nuk shohim ndonjë gjest ndaj Shqipërisë që ta justifikonte një Vizitë të tillë).

Ish-senatori De Guardia në qoftë se kërkon të vijë, meqenëse ai është arbëresh, kërkesa e tij mund të shihet.
Funksionarë të organizatave ndërkombëtare amerikane dhe sovjetike të mos pranohet të vijnë në Tiranë.…………………………………………………………………………………………………………………
Informacioni i ambasadorit Pitarka për Ministrinë e Jashtëme në Tiranë lidhur me kërkesën e kongresmenit, Joseph P. Kennedy, që kërkonte me insistim vizë për në Shqipëri

Prot. Nr. 383 New York, me 15.10.1989

MINISTRISË SE PUNËVE TË JASHTME
TIRANË
Bashkëlidhur ju dërgojmë dokumentat:
Informacionin “Mbi kërkesën e kongresistit amerikan Joseph P. Kennedy II për të vizituar vëndin tonë dhe takimin e tij në mision punuar nga shokët Bashkim Pitarka dhe Sazan Bejo;
Informacion “Mbi debatin e përgjithshëm të komisionit ekonomik e financiar”, punuar nga sh. Kadri Cenko.

Përfaqësuesi i Përhershëm
(Bashkim Pitarka)

INFORMACION
Mbi kërkesën e kongresmenit Joseph P. Kennedy II për të vizituar vendin tonë dhe takimin e tij në mision

Siç dihet në korrik të këtij viti gazetari me origjinë shqiptare nga Bostoni, Peter Lucas, i dërgoi një telegram në Tiranë, me anën e të cilit lutet të ndihmohet për vajtjen për vizitë private në vendin tonë të antarit të Kongresit të SHBA, Joseph P. Kennedy II. Me 5 shtator 1989 vetë kongresisti amerikan Joseph Kennedy, në një letër drejtuar titullarit të misionit tonë pranë OKB-së, Bashkim Pitarka, paraqiste kërkesën e tij për të shkuar për një vizitë private në Shqipëri, duke e argumentuar me dëshirën e tij për të parë e njohur vendin tonë si mik i komunitetit shqiptaro-amerikan të elektoratit të tij të shtetit Meseçusets dhe për “të hapur një dialog për eksplorimin e mundësive për vendosjen e lidhjeve ekonomike e kulturore midis Shqipërisë dhe SHBA”.

Duke insistuar në kërkesën e tij për të realizuar këtë vizitë, kongresisti J. Kennedy mori në telefon misionin tonë dhe kërkoi të flasë me titullarin dhe me që ky i fundit nuk ndodhej në mision u lut që ai t’ia kthente telefonatën. Sh. Bashkim Pitarka sipas udhëzimeve e mori në telefon dhe pasi dëgjoi përsëri kërkesën e kongresistit Kennedy, për organizimin e vizitës në Shqipëri, i tha shkurt se tani për tani nuk mund të realizohet kjo vizitë e se meqënëse në telefon nuk mund t’i jepte shpjegime më të hollësishme, ishte i gatëshëm ta priste kongresmenin në takim në mision kur t’i paraqitej atij rasti për të ardhur në New York. Në fakt kërkesën për takimin kongresisti e bëri pas disa ditëve nëpërmjet mikut të tij, gazetarit P. Lukas.

Me datën 13 shtator 1989 pritëm në selinë e misionit tonë pranë OKB-së në New York antarin e Dhomës së përfaqësuesve të kongresit të SHBA, Joseph P. Kennedy II, përfaqësues i shtetit të Meseçutes. Në takim ai shoqërohej nga dy shqiptarë, P.Lukas dhe Lul Theodhos, si dhe nga ndihmësi i tij ekzekutiv James E. Mahoney. Nga misioni ynë morën pjesë Bashkim Pitarka dhe sekretari i parë i misionit, Sazan Bejo.

Kongresisti J. Kennedy, pasi falenderoi me përzemërsi që u prit nga ne në misionin shqiptar dhe shprehu kënaqësinë e tij për njohjen me ne, ndër të tjera tha: “Siç u kam shpjeguar edhe në letrën që u kam dërguar para disa kohësh, si dhe në bisedën që m’u dha rasti të kem me ju në telefon, unë kam kohë që dëshiroj të shkoj për një vizitë private në Shqipëri. Kjo dëshirë më ka lindur jo vetëm thjeshtë nga interesimi për të parë një vënd si Shqipëria, të cilën nuk e njohim shumë, por edhe i nisur nga miqësia që ndjej për miqtë e mij të komunitetit me origjinë shqiptare të elektoratit tim në Meseçustes, i cili ka dhënë e jep një kontribut shumë të vlefshëm për kombin tonë. Unë gjithashtu jam nisur edhe nga predispozicioni im pozitiv e miqësor për të kontribuar në njohjen dhe afrimin midis dy popujve tanë. Kam shumë dëshirë, pra, që ju të ndërmjetësoni për të m’u dhënë mundësia të shkoj për vizitë në Shqipëri, që të njihem nga afër me popullin e vendin tuaj, me kulturën, historinë dhe jetën e nevojat e vendit tuaj, si dhe për të dhënë një kontribut direkt për arritjen e një mirkuptimi më të gjerë për SHBA. Ka ardhur koha që të merret iniciativa për vendosjen e lidhjeve e kontakteve për të arritur në përmirsimin e vendosjen e marrëdhënieve midis dy popujve e dy vendeve tona. Kjo do të ishte në dobi të të dy vendeve.

Një arritje e tillë do të plotësonte edhe dëshirën e vjetër e shumë të madhe të qytetarëve tanë shqiptaro-amerikan, të cilët për një kohë tashmë shumë të gjatë kanë mbetur pa lidhje me atdheun e tyre të origjinës. Këtu e kam fjalën sidomos për brezat më të rinj, që janë rritur pa e parë e njohur atë. Nga miqtë e mij shqiptaro-amerikan, kam mësuar për zhvillimin e vendit tuaj dhe ndryshimet që kanë ndodhur atje. Kam mësuar se kini arritur një zhvillim të mirë të bujqësisë, arsimit e kulturës dhe në fusha të tjera; se vëndi juaj nuk ka probleme të mprehta sociale, si krimet, papunësia, etj,. Mbi të gjitha më kanë thënë se kini një vend e natyrë shumë të bukur, të cilin kam vërtetë dëshirë e pasion për ta parë nga afër.

Unë, vazhdoi J. Kennedy, vërtetë jam një zyrtar qeveritar, një antar i Kongresit amerikan, por megjithatë dua që vizita ime të jetë …./Memorie.al
vijon…

Esat Pasha – korrespondentit të Berliner Tageblatt (1914): “Jam në dispozicion të Mbretit! Ismail Qemali është një sharlatan…”

Esat Pasha (Excelsior, 8 février 1913, Ballinë) – Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 20 Janar 2020

 

“L’Humanité” ka botuar, të hënën e 1 qershorit 1914, në faqen n°3, një shkrim në lidhje me intervistën e Esat Pashë Toptanit me korrespondentin e “Berliner Tageblatt” në Romë, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

 

Optimizmi i Esat Pashës

Ai është “në dispozicion të mbretit”

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Berlin, 31 maj. (Me telefon, nëpërmjet korrespondentit tonë special).

 

Dje, në Romë, korrespondenti i “Berliner Tageblatt” pati një konferencë me Esat Pashën.

 

Esat Pasha tregoi një optimizëm të madh. Ai deklaroi se nuk kishte dyshim se Mbreti i Shqipërisë do të ishte një sovran i drejtë dhe i mirë për popullin. Sa për rikthimin e tij në Shqipëri, ai tha se do të bënte atë që dëshiron mbreti.

 

Esat Pasha tha gjithashtu se agjentët austriakë, për të cilët flet shtypi italian, nuk janë të panjohur për të, dhe shtoi se Qemal beu, i cili është rikthyer pikërisht në Shqipëri, është një sharlatan që fajësohet nga e gjithë Evropa.

 

Esat Pasha duket mjaft i sigurt për të ardhmen e Shqipërisë. Të paktën, ai nuk tregohet i shqetësuar.