VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Maqedonia e Veriut, një shqiptar kryetar i Federatës së Futbollit

By | March 19, 2019

Komentet

Nora Gjakova fiton medaljen e argjendtë në Lojërat Evropiane

Xhudistja Nora Gjakova është shpallur nënkampione në kategorinë e peshave deri në 57 kilogramë në Lojërat Evropiane Minsk 2019, që po zhvillohen në Bjellorusi.

Nora Gjakova ia siguroi Kosovës medaljen e dytë në Lojërat Evropiane të këtij viti – pas të artës së Majlinda Kelmendit . Megjithatë, ajo e arriti vetëm medaljen e argjendtë, pasi që u mposht nga rusja Daria Mezhetskaia në finale.

Rrugëtimin drejt së argjendtës, xhudistja gjakovare e filloi në fazën e 1/8 të finales, pasi që rrethin e parë e kaloi pa luftë. Në rrethin e dytë ajo pati punë me francezen Gneto Priscilla, të cilën e mposhti në “Golden Score”.

Pas triumfit në këtë fazë, Majlinda u përball me gjermanen Starke Pauline, të cilën e mposhti me ippon në çerekfinale.

Pas pak më shumë se dy minutave në përballjen në gjysmëfinale me italianen Monteiro Telma, Gjakova e siguroi vendin në finale dhe të paktën medaljen e argjendtë për Kosovën.

Pikërisht medaljen e argjendtë e mori në finale, pasi që rusja Mezhetskaia e mposhti atë me Waza-Ari. Herën e kaluar në këtë turne, Baku 2015, Gjakova e kishte mbyllur garën me medalje të bronztë.

Podiumi për kategorinë deri në 57 kilogramë kompletohet nga rusja Mezhetskaia, Nora Gjakova, gjermania Starke Pauline dhe portugezja Telma Monteiro.

Rreth gjysmë ore para meçit të Gjakovës, Majlinda Kelmendi ia fitoi Kosovës medaljen e parë të artë edhe ajo duke triumfuar kundër një xhudiste ruse, Natalia Kuziutina.

Majlinda Kelmendi fiton medaljen e artë në Lojërat Evropiane në Minsk

Majlinda Kelmendi ka fituar medaljen e artë në Lojërat Evropiane që po mbahen në Minsk të Bjellorusisë.

Xhudistja nga Kosova, ka fituar medaljen e artë në kategorinë deri 52 kilogram, pas fitores në finale ndaj xhudistes nga Rusia, Natalia Kuziutina. Kelmendi është kampione botërore dhe olimpike në xhudo.

Në Lojërat Evropiane në Minsk, Kosova përfaqësohet me 12 sportistë, ku xhudo ishte sporti nga i cili Kosova edhe priste medalje.

Trajneri i Kosovës në xhudo, Driton Kuka ka postuar ne rrjetin social Facebook një mesazh i shoqëruar nga kampionia, Kelmendi.

Dodiku tërbohet kur i kalon para hundve flamuri i Republikës së Kosovës

Anëtari i presidencës së Bosnje dhe Hercegovinës dhe njëkohësisht president i ‘Republika Srpska’ në Bosnje, Milorad Dodik, ka lëshuar ceremoninë e lojërave olimpike që po mbahen në Minsk, kur kanë parakaluar sportistët e Republikës së Kosovës.

Ai mbrëmë nuk ka arritur të durojë kur para tij po parakalonin ekipi olimpik i Kosovës me flamujt e Republikës së Kosovë, në hapjen e garave olimpike evropiane në Minsk të Bjellorusisë ka lëshuar ceremoninë.

Para kësaj, Dodik ka përshëndetur të gjitha vendet e tjera në parakalimin e tyre e sidomos ata të Bosnjes dhe të Serbisë, shkruan pink.tv, trasnmeton Express.

Dodik vazhdimisht potencon se nuk e njeh shtetin e Kosovës./Express/

Nesër në Bjellorusi fillojnë Lojërat Evropiane

Minsk

Nesër në Bjellorusi fillojnë Lojërat e 2-ta Evropiane, të cilat njihen si një nga garat më të mëdha sportive në kontinentin e vjetër.

Në Lojërat Evropiane në Minsk nga nesër deri më 30 qershor do të marrin pjesë 4.000 sportistë nga 50 vende, përfshirë edhe vendet e rajonit.

Sportistët do të garojnë për 200 medalje në 15 disiplina sportive, përfshirë edhe 10 disiplina ku garat do të kenë karakter të kualifikimit për Lojërat e ardhshme Olimpike në Tokio.

Organizatori i kompetecionit është Komiteti Olimpik Evropian (KOE), i cili njoftoi se Lojërat Evropiane në Minsk do të jenë garat më kompakte sportive të këtij lloji për shkak të afërsisë me të gjitha komplekset sportive në kryeqytetin e Bjellorusisë.

Lojërat e para Evropiane u mbajtën në Baku të Azerbajxhanit në vitin 2015. Për nikoqirin e dytë të Lojërave Evropiane, fillimisht u zgjodh Holanda e cila hoqi dorë nga organizimi për arsye financiare, kështu që KOE për organizator të ri zgjodhi Bjellorusinë. aa

Kosova do të udhëtojë për në Minsk për të fituar sa më shumë medalje

Ministri i Sportit e ka pritur të martën delegacionin e sportistëve të Kosovës, të cilët do të marrin pjesë në Lojërat Evropiane, që nisin më 21 qershor dhe përfundojnë më 30 të këtij muaji. Kosova do të përfaqësohet me 12 sportistë në “Minsk 2019”

Ministri i Sportit, Kujtim Gashi, në një takim ka mirëpritur delegacionin e sportistëve të Kosovës që do të marrin pjesë në lojërat evropiane në Minsk të Bjellorusisë.

Ai me këtë rast shprehu edhe njëherë gatishmërinë për t’i përkrahur sportistët e Kosovës, duke thënë se pas sukseseve dhe medaljeve të fituara kohë më parë në xhudo, tani është koha që vendin tonë ta nderojnë sportistët tjerë.

Ndërsa, presidenti i Komitetit Olimpik, Besim Hasani falënderoi ministrin Gashi për mbështetjen e dhënë nga kjo ministri, shkruan Kosova Press.

Ai ndër tjerash tha se Kosova do të udhëtojë për në Minsk për të fituar sa më shumë medalje.

Kampionia olimpike Majlinda Kelmendi tha se sportistët nuk duhet të fokusohen se kush nga qeveritarët do të jenë të pranishëm në Minsk, por duhet të fokusohen në garat që do t’i kenë atje.

Ndryshe, disa prej sportistëve do të nisen nesër për në Minsk e disa të tjerë më vonë, varësisht prej orari të garave përkatëse.

Arrestohet Michel Platini

VOAL – Ish presidenti i UEFA-s Michel Platini u arrestua këtë mëngjes nga autoritetet si pjesë e hetimit të korrupsionit në caktimin e Kupës Botërore në Katar në vitin 2022. Lajmet u raportuan nga mediat franceze dhe 63-vjeçari, tre herë Top i Artë, është aktualisht në paraburgim në polici në Nanterre. Çështja do të përfshinte gjithashtu Sophie Dion dhe Claude Gueant, ish-këshilltarë të Nicolas Sarkozy kur ai ishte president i Francës.

Platini tashmë ishte pezulluar për tetë vjet nga komisioni i etikës së FIFA-s për shkak të një pagese prej dy milionë franga të pranuara nga presidenti i atëhershëm Joseph Blatter. Më pas, dënimi u reduktua në katër vjet dhe skadon në tetor.

Kosova po bën emrin e saj në futboll

Fatlum Jashari

Saktësisht 615 ditë kanë kaluar që kur kombëtarja e Kosovës në futboll ka pësuar humbjen e fundit, në të gjitha garat.

Disfata e fundit e Kosovës në ndeshjet ndërkombëtare, daton më 9 tetor 2017, në Reikjavik, kur kosovarët ishin mposhtur nga Islanda me rezultat 2-0, në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Botëror “Rusia 2018”.

Që atëherë, Kosova ka 14 ndeshje pa humbje, prej tyre nëntë (9) fitore dhe pesë (5) barazime. Në këtë ecuri ndeshjesh, “Dardanët” – siç është nofka zyrtare e kombëtares së Kosovës – kanëshënuar 32 gola dhe kanë pësuar vetëm 10 sosh, duke mos shënuar gol vetëm në njërën nga këto ndeshje, në barazimin 0-0 me Azerbajxhanin, në Baku, në shtator të vitit të kaluar.

Dymbëdhjetë ndeshjet e fundit – nga marsi i vitit 2018 – Kosova i ka zhvilluar nën drejtimin e trajnerit zviceran Bernard Challandes.

Prej katërmbëdhjetë ndeshjeve, pesë kanë qenë miqësore, gjashtë në kuadër të Ligës së Kombeve. Ndërsa tri të fundit janë në kuadër garave kualifikuese për Kampionatin Evropian të futbollit – EURO 2020, ku Kosova garon në Grupin A, me Anglinë, Çekinë, Malin e Zi dhe Bullgarinë.

Me fitoren dramatike më minutat e fundit, 2-3, ndaj Bullgarisë, në Sofje, Kosova mori vëmendjen e opinionin futbolldashës në Evropë.

“Kosova po i bën vetës emër”, ka qenë titulli një prej artikujve në gazetën prestigjioze “The Guardian”, në Britaninë e Madhe, pas këtij triumfi të kosovarëve në Bullgari. Në shkrimin e tij, gazetari i këtij mediumi, Nick Ames, shkruan se “askush me mendje të shëndoshë nuk do e nënvlerësojë Kosovën”, duke vënë në pikëpyetje vendimin e Federatës Angleze të Futbollit që ndeshjen me Kosovën të mos e luaj në stadiumin Wembley, me kapacitet prej 90 mijë ulësesh, por në atë të Southamptonit, që ka vetëm 32 mijë ulëse.

“Disa u çuditën kur FA (Federata e Fubtollit) njoftoi që Anglia do ta mirëpresë Kosovën në St Mary’s (stadiumi i Southampton), e jo në Ëembley, në shtator. A nuk ishte skuadra e ‘njomë’ e Bernard Challandes aq e denjë? Askush me mendje të shëndoshë nuk do t’i nënvlerësojë ata, në fushë: Fitorja e së hënës, 3-2 në Bulgari, me golin e Elbasan Rashanit në minutën e 92të, mes festës së çmendur, çoi në 14 ecurinë e ndeshjeve pa humbje” shkruan ai.

Sipas Ames, Kosova po luan futbollin më argëtues ndër kombëtare në Evropë, me gjasa reale për kualifikim në Evropianin 2020.

“Si minimum, Kosova duhet të luftojë me Republikën Çeke për vendin e dytë, në grupin A. Skuadra e Challandes janë duke dominuar në posedim dhe fituan në Sofje, përkundër mungesës së të lënduarit Arbër Zeneli, njëri prej dy anësorëve të tyre të klasit të lartë; tjetri, Milot Rashica erdhi me një gol dhe një asistim. Ndoshta, ata nuk mund ta mbushin Wembley-n ende, por është vështirë të mendohet për një kombëtare më argëtuese për tifozët në Evropë, për momentin”, thekson tutje Ames, në shkrimin e tij.
Njohësi i futbollit, Shpend Thaçi, i cili jeton në Itali, tha për Radion Evropa e Lirë, se kombëtarja e Kosovës, tashmë është shndërruar në rrëfim suksesi.

Në mesin e faktorëve kyç në këtë sukses, sipas Thaçit, është vendimi i ish-kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës,të ndjerit Fadil Vokrri, për emërimin e zviceranit Challandes, në krye të kombëtares, që beson se ka qenë lëvizje e qëlluar dhe e nevojshme.

“Përzgjedhja e Challandes si trajner i kombëtares pa shumë zhurmë dhe puna e tij në heshtje, më vonë u vërtetua se ishte veprim i goditur nga i ndjeri Fadil Vokrri. Qasja e tij në raport me lojtarët, kundërshtarët, komunikimi me shtyp, gjakftohtësia me të cilën ia del të arrije t’i menaxhojë qoftë edhe kthesat në rezultat, janë “vitamina” të rëndësishme për opinion tonë sportiv, që dihet botërisht se është më euforik se sa duhet”.

“Mënyra se si iu qas “finales” së “Ligës se Kombeve”, për grupin D, divizioni A, duke e shmangur presionin në konferencë për media dhe duke ua atribuuar azerëve, personalisht mendoj qe ishte një lëvizje e matur qe ndihmoi sigurimin e plasmanit në “play off”-in për në mars të 2020-ës në po të njëjtën ligë,” tha Thaçi

Rritja progresive në aspektin tekniko-organizativ, duke eliminuar “vakumet organizative dhe logjistike” dhe plotësuar stafin teknik me njerëz profesionistë të fushës, vlerëson Thaçi, janë faktorë përcaktues për arritjet e skuadrës.

Duke marrë shembull ngritjen e madhe të Milot Rashicës e Benjamin Kolollit, në klubet e tyre, Thaçi beson se kombëtarja po “korrë atë që lojtarët kanë mbjellë me klubet përkatëse”.

“Ky përmirësim i vazhdueshëm që kurorëzuan lojtarët (me klubet e tyre), po demonstrohet më së miri edhe në 14 paraqitjet e fundit (të kombëtares). Kemi pjekuri, përgatitje fizike më të mirë, kontigjent lojtarësh më të lart dhe dyfishim të konkurrencës për repart, gjë që s’e kishim më herët. Të gjitha këto faktorë kanë ndikuar që kombëtarja e Kosovës ta krijojë profilin e saj të lojës. Natyrisht se gërshetimi i të gjitha këtyre komponentëve bën që Kosovës t’i “dekorohet” imazhi ndërkombëtar sportiv dhe jo vetëm,” shtoi ai.

Edhe gazetari dhe komentaori i futbollit, Arlind Sadiku, beson se, me rezultatet e dy vjetëve të fundit, Kosova po krijon reputacionin e një kombëtareje të respektueshme në Evropë.

Sadiku, i cili e përcolli nga afër Kosovën në dy ndeshjet e fundit, në Podgoricë kundër Malit të Zi dhe Bullgarisë në Sofje, tha se respekti që po i jepet Kosovës nga trajnerët dhe lojtarët kundërshtarë, dallon shumë me atë të para dy-tre vjetësh.

“Kosova ka marrë vëmendjen e gjithë Evropës me këto dy ndeshje, sidomos me fitoren ndaj Bullgarisë. Askush nuk e ka pritur që ta nisnim në këtë mënyrë, edhe pse me pak fat, mendoj se është dashur të kemi nëntë (9) pikë tani, sepse kemi bërë tri ndeshje shumë të mira, me Bullgarinë në Prishtinë por edhe Malin e Zi në Podgoricë. Mendoj se fati ka qenë në pyetje që nuk i kemi nëntë pikë, por edhe me kaq mund të jemi të kënaqur sepse kemi kundërshtarë mjaft të fortë në grup dhe ekipi nuk duhet të ‘rritet’ menjëherë në një far mënyrë, për të fituar atë ndjenjën e euforisë, sepse mund të jetë e rrezikshme”, tha Sadiku për Radion Evropa e Lirë.

Derisa vlerëson lartë punën dhe mentalitetin, që trajneri Challandes i ka dhënë skuadrës, gazetari Sadiku beson se dy ndeshjet me Çekinë, e cila aktualisht zë vendin e dytë në grup – para Kosovës, janë vendimtare për kualifikim ose jo, në Kampionatin Evropian.

“Ndeshjet vendimtare besoj se do të jenë pikërisht ato me Çekinë, në shtator do ta presim Çekinë në Prishtinë, nëse dëshirojmë të luftojmë për vendin e dytë, duhet të fitojmë me doemos aty, por edhe në nëntor pastaj, në Pragë. Sa i përket ndeshjeve me Anglinë, do të jetë tepër vështirë për të marrë një pikë qoftë në Prishtinë apo në Southampton, por megjithatë është me rëndësi që ekipi është shumë i motivuar dhe kur po ballafaqohet me cilindo kundërshtarë nuk kanë fare frikë”.

“Dhe, jam i sigurt që pas kësaj forme të mirë, përkundër mungesave të shumta që kemi pasur, lojtarët në ndeshjen me Anglinë do të hyjnë pa pikë frike dhe sigurisht që do të mundohen që edhe në Southampton të kërkojnë pikë, pse jo”, shtoi Sadiku.

Edhe pse beson se kualifikimi në Evropian është i mundshëm, njohësi Shpend Thaçi mendon se rezultatet e rivalit direkt për vend të dytë, Republikës Çeke, me kundërshtarët tjerë brenda grupit, janë të rëndësishme në garën për kualifikim.

“Sa i përket rendimentit të fazës së tanishme të grupit dhe gjasave për te rivalizuar me Republikën Çeke, vlerësoj se nuk duhet të ngutemi ne hapa. Ne ende nuk e kemi përfunduar gjysmën e ciklit kualifikues, ku na mungojnë përballjet ndaj Republikës Çeke dhe Anglisë për të krijuar një ide më të qartë se ku jemi dhe deri ku mund t’i vëmë linjat tona për të synuar diçka konkrete”.

“Në situatën ne të cilën ndodhemi momentalisht, në letër mundësitë janë mëse reale, mirëpo duhet të ndihmohemi nga disa kombinatorika që s’varen domosdoshmërisht nga ne, por nga rezultatet e kombëtareve tjera ku ndeshen mes tyre. Ta zëmë, për Kosovën do ishte e rëndësisë së veçantë në qoftë se Mali i Zi do ta ndalte Republike Çeke në Podgoricë, nëse një gjë e tillë nuk ndodhë, shanset tona do minimizoheshin”, theksoi Thaçi.

*Video nga arkivi: Infrastruktura sportive e klubeve kosovare

Me pesë pikë pas tri ndeshjesh, momentalisht, Kosova zë vendin e tretë në Grupin A, në kampanjën kualifikuese për EURO 2020. Çekia zë vendin e dytë me gjashtë pikë, ndërsa Anglia është e para, po ashtu me gjashtë pikë, por një ndeshje më pak të zhvilluar.

Dy vendet e para brenda grupit sigurojnë pjesëmarrjen në Kampionat Evropian. Përderisa Anglia konsiderohet “superfavorit” për të fituar grupin, vendi i dytë – vlerësojnë njohësit – mbetet objektiv i arritshëm për Kosovën.

Në shtator, Kosova luan dy ndeshjet e radhës në këto kualifikuese, kundër Çekisë në Prishtinë dhe Anglisë në Southampton. Ndërsa, në tetor dhe nëntor edhe tri ndeshje të tjera: me Çekinë në Pragë, dhe me Malin e Zi e më pas Anglinë në Prishtinë.

Megjithatë, Kosova ka edhe një mundësi tjetër të kualifikimit në EURO 2020, atë përmes “play off”-it të Ligës së Kombeve, ku fillimisht, në gjysmëfinale do të përballet me Maqedoninë e Veriut, e në rast fitoreje, pastaj me fituesin nga ndeshja tjetër Gjeorgji – Bjellorusi.

Granit Xhaka e konfirmon se do ta shikojë nga stadiumi lojën Angli-Kosovë

Mesfushori i Arsenalit dhe Zvicrës Granit Xhaka ka deklaruar se do të jetë prezent në ndeshjen Angli – Kosovë, për ta mbështetur Kosovën.

Ylli i Përfaqësueses së Zvicrës po qëndron në Prishtinë këto ditë dhe sot do të jetë prezent në ndeshjen e “Yjeve” kundër skuadrës së Milot Rashicës.

Kjo ndeshje bamirësie organizohet nga komuna e Prishtinës dhe FFK-ja.

Ylli i Arsenalit ka treguar se do të jetë prezent në ndeshjen Angli – Kosovë, që do të zhvillohet në stadiumin e Southamptonit.

“Do të jem prezent në Angli për ta shikuar ndeshjen Angli – Kosovë, shanset janë shumë të mira shpresoj të ia arrijnë qëllimit”, ka thënë Xhaka.

Fillon Copa America, ndeshjen hapëse të turneut e fiton Brazili

Brazili ka fituar ndaj Bolivisë me një rezultat 3-0, në ndeshjen hapëse të Kampionatit të futbollit Copa America 2019.

Ndeshja e parë e turneut të 46-të, u zhvillua mes Brazilit dhe Bolivisë në grupin A.

Vendi nikoqir priti Bolivinë në stadiumin Morumbi në qytetin Sao Paulo. Brazili fitoi ndeshjen 3-0, me golat e Coutinho në minutat 50 (penalti) dhe 53, si dhe Everton në minutën 85.

Ndeshja tjetër e grupit A do të zhvillohet sot në ora 21.00 mes Venezuelës dhe Perusë.

Në tre grupet e përbëra me nga katër ekipe, kombëtaret që do ta zënë dy vendet e para dhe dy kombëtare më të suksesshëm në rendin e tretë do të përballen në çerek finale. aa

Kosova ngjitet 6 pozita në renditjen botërore të futbollit

Përfaqësuesja e Kosovës në futboll është ngjitur në vendin 121-të me 1149 pikë në muajin qershor duke u ngjitur 6 pozita më lartë se renditja e kaluar, me një kërcim më të lartë në rajon pas suksesit në eliminatoret e EURO 2020.

Sipas të dhënave në ueb faqen e FIFA-s, Shqipëria radhitet e 66-ta, Kosova 121-ta dhe Maqedonia e Veriut 73-ta. Turqia është në vendin e 37-të.

Për sa u përket vendeve të rajonit, Kroacia është përfaqësuesja e renditur më së larti, më saktësisht në vendin e gjashtë, Serbia ndodhet në pozitën e 34-të, Bosnjë e Hercegovina në vendin e 39-të, ndërsa Mali i Zi mban pozitën e 53-të.

Renditja e rradhës do të bëhet e ditur më 25 korrik. Sipas renditjes 10 vendet e para janë kështu:

Belgjika mbetet e para (1.746) dhe ndiqet nga Franca (1.718), Brazili (1.681), Anglia (1.652), Portugalia (1.631), Kroacia (1.625), Spanja (1.617) Uruguaji (1.615), Zvicra (1.605 ) dhe Danimarka (1.589).

EURO U21, Kosova mposht Turqinë në Prishtinë

Përfaqësuesja e Kosovës në futboll nën moshën 21-vjeç (U21) e ka mposhtur Turqinë U21 me rezultatin 3-1 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë në kuadër të ndeshjeve kualifikuese për Evropianin U21.

Arbenit Xhemajli i dha epërsinë Kosovës në minutën e 45+2, rezultat me të cilin përfundoi pjesa e parë e ndeshjes.

Menjëherë pas kthimit në fushë në pjesën e dytë, Turqia barazoi rezultatin nëpërmjet Halil Dervişoğlu në minutën e 46-të.

Megjithatë, Kosova përsëri shënoi për të kaluar në epërsi me rezultatin 2-1 nëpërmjet Mirlind Dakut në minutën e 72-të.

Rezultatin e fitores Kosova U21 e thelloi në minutën e 89-të, kur golin përfundimtar e shënoi Lirim Kastrati me një kundërsulm.

Fitorja ndaj Turqisë i dha Kosovës kryesimin në tabelë në Grupin 3 kualifikues për Evropianin U21. Krahas Turqisë, në këtë grup garojnë edhe Shqipëria, Andorra, Austria dhe Anglia. aa

Lë basketbollin legjenda e NBA-së, Tony Parker

Legjenda e San Antonio Spurs dhe fituesi i MVP-së së finales së NBA-së Tony Parker njoftoi pensionimin e tij nga basketbolli.

“Jam me shumë emocion që pensionohem nga basketbolli, ishte një udhëtim i jashtëzakonshëm! Edhe në ëndrrat e mia më të egra, kurrë nuk kam menduar se do të përjetoj të gjitha momentet e pabesueshme me NBA dhe ekipin kombëtar francez. Faleminderit për gjithçka!”, njoftoi Parker pensionimin e tij në Twitter.

Koshashënuesi veteran 37-vjeçar kaloi 18 sezone në NBA, kryesisht në San Antonio Spurs. aa