VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Komentet

ESE PËR NDJESINË E LETRARIT TË RI – Nga THANI NAQO

Krijimtaria ime poetike dhe prozaike nuk është ndonjë arsenal i madh. Në gjysëm shekull kam shkruar tre librushka me tregime e novela, katër romane, por që tani i quaj novela, një skenar filmi artistik dhe jo 3000 por…300 poezi lirike. Tematika ime e të poetuarit nuk është nga soji i atyre që lëvrohen në gjinitë e tjera. E them këtë mbasi, që në rini, kisha krijuar mendimin se jo çdo çast e jo çdo aspekt jetësor ia vlen të poetizohet. Në revista internetike dhe posaçërisht në fcb, bëhen afërsisht tridhjetë poezi të publikuara, ose 10% e arsenalit tim poetik. Në tre librushkat që kam publikuar nxitimthi pas 1990-tës, para dhjetë e pesëmbëdhjetë viteve, pohoj se në to ka poezi të dobëta e, tani vonë, më bren dyshimi se, sidomos në artin e të poetuarit nuk duhet nxituar. Dalloj, gjithashtu, edhe se poezitë e mia janë të natyrës time intime e vëzhguese, aq dhe ndjesore, instinktivisht, a, për shkak të karakterit të formuar letrar, nuk jam i larushitur me idol komunizma e moralizime. Sikur ta kisha parandjerë se këto viruse shkaktojnë kalbëzimin dhe mykjen e të shkruarave, pasi shemben e ndrohen sistemet. Mirëpo, kjo mburrje, pas çerek shekull, nuk ka vlerë, porse vetja përballet me atë që unë nuk e kisha pikasur; nuk kam shpëtuar nga vargëzimet me rekuizitë anakronike dhe stil bejtushke. Por, sërish ngushëlloj veten, mbasi kam disa poezi, që mua më pëlqejnë tani, por e që më vjen habi e inat me veten: pse nuk kam shkruar dikur të tjera si ato? Sepse nuk janë shumë, aq sa janë gishtat në trupin e njeriut. Tani jam ndërgjegjësuar se ato poezi janë shkruar instinktivisht në moshën adoleshento-rinore a, për inerci teknike, jo imitim tematik, as stilistikë improvizuese e kadencash të rrëmbyera nga poetët mjeshtra, rusë e evropianë. Ndërsa për poetë shqiptarë, përveç Lasgushit dhe Koçi Petritit, as që bëhet fjalë asokohe, por e as nga më të vonshmit, me të cilët përballem tani në kohën internetike, Gjithësej janë rreth 300 poezi, të pakta në numër ato me varg të thyer, por të shumtat janë lirika me varg klasik-tradicional, shkruar në 50 vjet. I bie mesatarisht 6 poezi në vit. Ky është arsenali im prozaik e poetik në gjysëm shekull krijimtari. Kohën më të shumtë krijuese e kam shpenzuar për prozën e shkurtër e të gjatën, jo se ato kërkojnë vërtet kohë e karrigen e fortë, porse poezia për mua ka qenë “gjah i lehtë”, ndërkohë që e shkrehja çiften edhe për ndonjë mëllenjë apo thëllëzë…
Megjithëse ka kaluar gjysëm shekull, që kur fillova të çukas tastierën e makinës së shkrimit dhe deri tani tastierën e kompjuterit, pohoj se nuk më shqitet ndjesia se ende jam Letrar i Ri. Pikërisht kjo ndjesi, e hershme dhe e tashme, më shtyn t’i dredhoj shtegut të verbër që të çon në grackën e grafomanisë. Kaq. Ç’ta zgjat?
Shumica e miqve dhe dashamirësve të mi në fcb e gjetkë, ma kuptojnë këtë ndjesi, mbasi janë krijuesa dhe ndërgjegjësuar se edhe bufi e bufesha e dinë që të shkruarit letërsi s’ka qenë e s ‘është për të gjithë.
Nga që sot kanë ndryshuar kushtet ekonomike, armata e të ngeshmëve është rritur, gjithashtu dhe rrethanat lehtësuese internetike te komunikimit, dëshira për t’u shprehur poetikisht e letrarisht i nxit e ua thëthin energjitë e ëndrrave dhe të ndjesive të tulatura. Paçka se letërsia e mirëfilltë, ajo poetike e letrare, është sa delikate e tekanjoze,nuk mungon guximi për t’u ngjitur nëpër shkallët e përpjeta dhe të veshura me akull të Tempullit të Artit…
Tetor, 2018

Për Serbinë fajtor NATO për natalitetin e ulët…! – Nga Skënder Karaçica

Në vend të lajmit

Këso kohe në Serbi e kanë huq fare dhe flasin nga të gjitha anët: Kosova,shqiptarët,Amerika,NATO…dhe prapë ulën e vajtojnë me zërin e çjerrur të Kishës Ortodokse ,,Kosovën se japim,,(sic!).

Në takimet e shpeshta të kohës në Beograd rreth Kosovës,diplomati i njohur amerikan Richard Holbrook me kryekriminelin S.Millosheviq i pati thënë se tërë kolovajza politike dhe ushtarake kundër shqiptarëve dhe Kosovës,në Amerikë ne i themi,,Martesë me pushkë,,(sic!).

Tashti Serbia vajton se i paska rënë nataliteti dhe,sipas fjalorit politik të ditës,për këtë dukuri të rënjës së natalitetit serbë,fajtor kujdestar (tashti)na qenka NATO(!).

E shihni sa të zhdërvjellët janë serbët,janë mësuar nëpër shekuj dhe të ,,bekuar nga kisha ortodokse,,(sic!)dhe anti-Zot(sic!) që të gënjejnë para botës për Kosovën,për shqiptarët tashti për NATO!

Kjo është Serbia fashiste,maca e zezë e Ballkanit…!

Çikago,19 tetor 2018

Bisedimet Dardani-Serbi duhet t’i udhëheqë Uashingtoni – Nga GANI MEHMETAJ

 

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO duhej t’u prinin nga fillimi bisedimeve të Dardanisë me Serbinë, nëse kishte nevojë për bisedime të këtilla. ShBA-të e BE-ja nuk është dashur të lejojnë cirkun e vajtje-ardhjeve maratonike në mes të Prishtinës e Beogradit në Bruksel, sepse Serbia ka dëshmuar edhe në të kaluarën, dëshmon edhe tash se nuk dëshiron të zgjidhë asnjë problem në Gadishullin Ilirik. Ndërkaq, shtetarët e Dardanisë nuk janë treguar as të shkathët në bisedime, as që i përfill kush në propozime. Por edhe sikur ta kishim diplomacinë elitare, bisedimet me Serbinë do të dilnin shterpe.
Serbia është shkaktari i krizës, ndërsa shkaktari i krizës nuk mund të jetë çelësi i zgjidhjes. Është një gabim nismëtar diplomatik, që po na hakmerret, sepse çdo funksion elementar i shtetit tonë është paralizuar nga kushtëzimet serbe. Serbia e humbi luftën me 1999, prandaj bashkësia ndërkombëtare s’duhej t’ia pranonte diktatet. Kushtëzimet nuk duhej t’ia pranonte as shteti ynë, edhe atëherë kur s’mund t’i kundërvihej ushtarakisht, mjaftonte të tregonte vullnet kundërshtimi këmbëngulës.
Prishtina duhej të hiqte dorë nga bisedimet shterpe në Bruksel, kur shihej se delegacionet tona kot shkonin atje, pa asgjë ktheheshin, sepse serbët i përsërisnin gjërat e njëjta si papagalli pa afruar asgjë.
Serbët e nxitën luftën në disa shtete të gadishullit, bënë gjenocid në Dardani, Kroaci, Bosnjë e Hercegovinë, prandaj bashkësia ndërkombëtare gaboi kur i dha mundësi të kushtëzonte bisedimet me shantazhe. Kroatët u dhanë fund që në fillim shantazheve serbe me sëpatën e dardharit e me diplomacinë e të mençurit. Ne nuk e patëm forcën ushtarake të kroatëve, nuk e patëm as mençurinë e diplomatëve. Ndërsa nuk ua kërkuam ndihmën, as nuk i përfillem shpëtimtarët tonë SHBA-të, Britaninë e Madhe, Gjermaninë, Italinë etj.
Prandaj që të mos vazhdoj edhe më tutje cirku maratonik Beograd- Prishtinë, është mirë që bisedimet t’i udhëheq Uashingtoni, sepse pos që e kanë forcën ushtarake të zbatimit të marrëveshjes, ata e kanë edhe aftësinë që ta bindin Serbinë, ashtu si duhet t’i bindin. Serbët e kuptojnë gjuhën e amerikanëve më mirë se kushdo.
Nëpër kuluare thuhet kinse “korrigjimet” i kërkon SHBA-ja, zyrtarët më të lartë amerikanë i mohojnë publikisht shpifjet e tilla. Pse të mos ua mbyllim gojën fjalëve të kuluareve?
Është gabim tjetër i pafalshëm që iu dha mandati kryeministrit shqiptar Edi Ramës të zhvillojë bisedime me kryeministrin serb në Nish për fatin e Dardanisë. Ky shtetar i shantazhuar me dosje e i lëndueshëm politikisht e bëri rrëmujë shtetin e vet. Si mund të negociojë për neve atëherë?
Shteti ynë i ri gjendet para një kthesë dramatike, të ngjashme me vitin 1998-99. Atëbotë, ia kërkuam Amerikës e NATO-s ndërhyrjen urgjente, sepse nuk mund ta dëbonim agresorin serb, nuk mundem ta shpëtonim kombin nga gjenocidi e rreziku i shfarosjes. SHBA e NATO na çliruan e na shpëtuan. Do të na ndihmojnë e do të na nxjerrin nga situata kritike edhe tash, po i morën ata frenat e bisedimeve. Përgjegjësinë do ta kenë shumë më të madh se sa tash si vrojtues pasivë.
Jam i sigurt që nuk do t’ua kërkojmë ndihmën, por ata duhet të ndërhyjnë pa na pyetur sa s’është bërë vonë.

FOTO: Ashtu si e dëbuan Serbinë nga Dardania, SHBA mund ta dëbojnë edhe politikisht Beogradin pa ia dhënë territor tonin: – Avionët amerikanë duke bombardua Serbinë.

Mos ec mbrapsht… – Poezi nga VIRON KONA

 

-Vargje për ata që duan të dëgjojnë-

 

Mos ec mbrapsht, o miku im,

se pushteti s`është lojë fëmijësh,

të ecësh mbrapsht padashur bie,

në fundin e thepisur të greminës.

 

Mos ec mbrapsht, o miku im,

se rreth teje do të lëvrijnë zvarranikë,

do të tërheqin n`punët e tyre të pista,

do të përzihesh në llum me ndyrësitë.

 

Mos ec mbrapsht, o miku im,

se ata që të ngritën e të deshën do dënosh,

n`botën e turbull që do krijosh në errësirë,

vetëm me diktat dhe krime do t`mbijetosh.

 

 

Mos ec mbrapsht, o miku im,

se në jetë “nyje gordiane” do të lidhësh,

më pas  ti Aleksandërin do të imitosh,1)

“nyjet” me forcën e shpatës t`i zgjidhësh.

 

Mos ec mbrapsht, o miku im,

se papritmas ti shndërrohesh n`ortek,

që rrokulliset dhunshëm nga lartësitë,

mbulon gjithçka, shkatërron dhe vret.

 

Mos ec mbrapsht, o miku im,

me sundimtarin që mallkove do ngjasosh,

frika dhe ambicia do të t`bëjnë tjetër njeri,

në një radhë me diktatorët do të qëndrosh…

 

——————-

1).Nyja gordiane dhe historia e saj janë shumë të njohura. Nga mitologjia greke dimë se ajo ishte një lidhje(nyje) e komplikuar që nuk mund të zgjidhej. Aleksandri i Madh, përballë kësaj nyje, ngaqë nuk e zgjidhi dot, e preu me forcën e shpatës.

SHKODËR 1913 – Dalin pamjet e rralla, shqiptarë të uritur, malazezë që festojnë e kufoma pa varr

Fatmira Nikolli – Burra e gra me thasë në shpinë, të veshur keq, me rroba popullore, siç e donte koha, të rraskapitur, me fëmijë në duar, me kafshët me vete, duke ecur, mbase duke u shpërngulur nëpër një rrugë plot pluhur, ta pashtruar. Fëmijë të vegjël rreken të ndjekin hapat e të rriturve me torba në duar në të njëjtën rrugë ku dhimbja e frika i shtyjnë të ikin nga sytë këmbët.

Një batalion ushtarësh ecën pothuaj në parakalim, të tjerë ‘kanë veshur’ dy anët e rrugës, duke u hapur udhë kalimtarëve. Mes tyre, kalojnë edhe grupe ushtarësh që duhet të jenë banda e ushtrisë. Pas tyre flamurtari me flamurin që valëvitet, ushtarë me armë e kuaj të bardhë.
Copëza filmike shënon në gjuhën frënge: “Trashëgimtari i kurorës Danilo dhe princi Petar i Malit të Zi, zbresin nga kështjella pasi iu dorëzua shpata e Esad Pashës.
Është viti 1913 dhe pashai ka humbur luftën. Për shkak të urisë, ushtarët e tij e kanë të pamundur të vijojnë mbrojtjen dhe ai e dorëzon Shkodrën. Kjo është damka më shumë se 1 shekullore ndaj tij për ç’arsye ju vu shpesh nofka e tradhtarit dhe u ‘shpall’ armik.

Po në gjuhën frënge shënohet: DY FYTYRAT E FITORES: në një anë një flamur që valëvitet mes një grupi fitimtarësh të hareshëm dhe nga ana tjetër, një gropë varri ku kufoma që nuk njihen më po kalben krejtësisht nën diellin e pamëshirshëm.

Një filmim pa zë, bardh e zi, u gjet në Kinotekën e Malit të Zi në vitin 2008 dhe pas procesit të restaurimit në digjital dhe 35 mm në laboratorin “Hungarian Film Lab”, do të ruhet në Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit si filmimi më i hershëm i fondit filmik të AQSHF-së. Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit, në bashkëpunim me ‘EYE Film Institute’, Kinotekën e Malit të Zi dhe mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, mbajtën të mërkurën në orën 19:00 një kino-koncert me filmime arkivale të xhiruara në Ballkan në fillim-shekullin e njëzetë.

Me muzikë origjinale të kompozuar nga Adorel Haxhiaj, premiera e filmimit të restauruar “Dorëzimi i Shkodrës” (1913) u shoqërua me performancë ‘live’ nga Adorel Haxhiaj në cello dhe Astrit Stafai në oud. Gjashtë kronika të shkurtra bardhë e zi dhe të pikturuara me dorë janë pjesë të programit “Në kërkim të Perandorisë Otomane” dhe u përzgjodhën në bashkëpunim me kuratoren e filmit pa zë të Institutit të ‘Filmit EYE’ të Holandës, Elif Rongen-Kaynakci. Peizazhet unike vizuale të rajonit të Ballkanit, u ndoqën nga premiera e restaurimit të filmimit francez Pathé të vitit 1913, titulluar “Dorëzimi i Shkodrës”, me pamje të qytetit verior pas përfundimit të rrethimit gjashtë mujor të tij.
Një varkë me vela mbase mbi Bunë, gra të veshura me rroba popullore, çobaneshë e një e moshuar me furkë. Pak çaste më vonë, Shkodra bardh e zi, banorë që ecin përkrah xhamisë, kur në fund të kuadrit duket stoike Kisha e Madhe. Në fund, një malësor mbi kalë, me pushkën në dorë e sheh kamerën drejt e në objektiv- qenë imazhe të tjera mes filmimit.

Dorëzimi i Shkodrës është një prej ngjarjeve historike më të debatueshme në vendin tonë. Botime e studime të ndryshme historike i heqin sa edhe i vënë mbi supe faje, Esad Pashës, që pasi e mbrojti një kohë të gjatë e dorëzoi qytetin mes skamjes e urisë. Pamjet e sjella së fundmi që u shfaqen këtë të mërkurë, në një farë mënyre pohuan të dhënat e librit “Esad pashë Toptani: Njeriu, lufta dhe pushteti” (UET PRESS) të Ilir Ikonomit i cili përmes dokumenteve shënonte se qe uria ajo që e bëri Esad Pashanë të dorëzohej.
“Nëse ke vetëm kaq për të thënë, më mirë kurseji fjalët! Është qesharake të ofrosh dyqind a treqind lopë për njëzet mijë njerëz që ushqehen keq prej një muaji. Është cinike të bësh këtë ofertë tani që i kam helmuar ushtarët e mi me kërmat e kuajve. Esadi tha se askush nuk mund ta mësonte se si ta kryente detyrën e tij.
– Kur them që dorëzimi është i domosdoshëm, – vazhdoi ai, – kjo do të thotë se kam pritur deri në çastin e fundit, përtej të cilit nuk mund të vazhdohej më pa cenuar dinjitetin dhe nderin tonë. Shihni si janë katandisur ushtarët. Nuk na ka mbetur asnjë thes miell. Racioni për sonte ishte një gjysmë peksimadhe dhe një grusht stafidhe. Kam dymijë të sëmurë dhe të plagosur nëpër spitale. Municionet e topave thuajse janë shteruar dhe një sulmi malazez nuk i përgjigjem dot më gjatë se 15 minuta me artileri. Nuk ju ka lezet të bëni patriotizëm në orën e fundit”,-qe shprehur Esad Pasha.

“Greqia financon portale”, Mustafaj: Të nisin hetimet, qeveria të reagojë (video)

TIRANE- Ish ministri i jashtëm, Besnik Mustafaj ka komentuar dorëheqjen e ministrit të jashtëm të Greqisë Nikos Kotzias si dhe efektet që ka dorëheqja e tij në marrëveshjen e emrit me Maqedoninë si dhe në marrëveshjen për detin me Shqipërinë. I ftuar në rubrikën ‘Opinion’ në News24, Mustafaj tha se nuk dihet koncepti i Kotzias dhe kryeministrit Tsipras në marrëveshjen e Prespës.

“Gjërat duhet të vazhdojnë, por nuk dimë deri ku është koncepti i Kotzias dhe kryeministrit në marrëveshjen e Prespës. Gjendja në Maqedoni për emrin nuk është në kushtet e favorshme për shkak të numrit të ulët të votuesve në referendum. Po ashtu nuk dimë as përmbajtjen e  marrëveshjes me Shqipërinë për detin. Ne nuk dimë konceptin e Kotzias. Ministri i Mbrojtjes ka akuzuar Kotzias se me fondet sekrete ka financuar 1 mln euro për disa portale në Shqipëri.”- tha ai.

Mustafaj tha se duhet një hetim kompleks në Shqipëri lidhur me lajmet dhe akuzat në Greqi se Ministria e jashtme greke financonte me fonde sekrete media dhe gazetarë në Shqipëri për të siguruar publikime pozitive rreth Greqisë.

“Kjo është e rëndë, pasi cenohet pavarësia e mediave në Shqipëri dhe ndërhyrje e rëndë në jetën demokratike. Heshtja e ministrit të jashtëm shqiptar është e rëndë. Duhet të ketë një hetim kompleks lidhur me akuzat për financimin e mediave nga fondi sekret i ministrisë së jashtme greke në Shqipëri sepse kjo ka të bëjë me sigurinë kombëtare. Duhet të ketë një hetim nga prokuroria dhe duhet qëndrim nga qeveria”- tha Mustafaj.

Ish ministri u shpreh se nuk mendon se Nikos Kotzias ka lidhje me Soros sic pretendohet.

“Nuk u besoj këtyre se janë pjesë e një paranoje ballkanike. Nuk besoj se Soros është kundër demokracisë. Ai është njeri i pushtetit që nuk e do vetë pushtetin, por përmes miqve të tij. Më duken të tepruara këto akuzat për Soros. E djathta ekstreme greke është kundër marrëveshjes me Greqinë dhe referendumi i dobët në Maqedoni për emrin duket se i ka dhënë zemër atyre”- tha Besnik Mustafaj.

“Fonde për mediat shqiptare”, Prokuroria e Athinës nis hetimet

Prokuroria e Athinës urdhëron hetim për informacionet e publikuara në gazetën elektronike greke iefimerida.gr, në lidhje me fondet sekrete dhe pagesat në median dhe biznese në Shqipëri dhe Greqi.

Ndërkaq, pas bujës së shkaktuar për listën e gazetarëve dhe portaleve shqiptare që kryenin propagandë pro Greqisë, Kryeministria greke e ka përgënjeshtruar zyrtarisht duke theksuar se nuk janë shpërndarë fonde në media ballkanike.

Sipas prokurorisë, publikimi në media i informacioneve sekrete te shtetit përbën akt penal dhe kriminal.

Mosha mesatare e jetëgjatësisë në Kinë do të kalojë mbi 80 vjeç

PEKIN – Bëhet e ditur se mosha mesatare e jetëgjatësisë në Kinë do të kalojë mbi 80 vjeç deri në vitin 2040.

Sipas gazetës China Daily, mësohet se revista mjekësore The Lancet ka kryer një studim mbi moshën e jetëgjatësisë të 195 vendeve nga viti 2016 deri në vitin 2040.

Në studimin e kryer parashikohet se jetëgjatësia mesatare do të jetë mbi 80 vjeç në 59 vende duke përfshirë edhe Kinën deri në vitin 2040, ndërsa gjithashtu theksohet se do të rriten vdekjet nga aksidentet dhe sëmundjet si Alzheimer dhe ato të mëlçisë.

Jetëgjatësia në Kinë do të rritet, ndërsa në SHBA do të ulet

Teksa bëhet e ditur se jetëgjatësia do të jetë mbi 85 vjeç në vendet si Japonia, Singapori, Spanja dhe Zvicra, pritet që deri në vitin 2040 të ketë ndryshime në renditjen e jetëgjatësisë aktuale të vendeve.

Kina e cila aktualisht ndodhet në vendin e 68-të nga pikëpamja e mesatares aktuale të jetëgjatësisë, bëhet e ditur se ajo do të rritet duke u renditur në vendin e 39-të, ndërsa SHBA-ja e cila ndodhet në vendin e 43-të do të ketë një rënie duke vajtur në vendin e 64-të.

Bashkë me këtë theksohet se deri në vitin 2040 do të ketë përmirësime edhe në kohën e jetëgjatësisë të shumë vendeve, si dhe parashikohet që mesatarja e jetëgjatësisë në vendet e Republikës së Afrikës Qendrore dhe vendet afrikane si Somali dhe Zimbabve do të ulet nën moshën 65 vjeç. aa

Shqipëri, projekti për koncesionin e pompave ngre pikëpyetje

Një vendim i Këshillit të Ministrave në Shqipëri, i pasuar nga një tender për dhënien me koncesion të shërbimit të kontrollit të pompave të karburanteve ka ngritur dyshime për shmangien e interesit publik dhe një garë të paracaktuar. Tenderi është pezulluar në fillim të muajit pas ankimit të një kompanie zvicerane për diskriminim të operatorëve të huaj.

Dy herë në vit përgjatë dekadës së fundit, Drejtoria e Metrologjisë kryen kontrollin e pompave të naftës dhe të gazit të lëngshëm-shërbim ky që synon të mbrojë qytetarët shqiptarë nga abuzimet me sasinë e karburantit.

Por një vendim i Këshillit të Ministrave, i pasuar nga një tender i shpallur nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë i ka hapur rrugën dhënies së këtij shërbimi me koncesion, një vendim që ka ngritur hije dyshimi mbi cënimin e interesit publik dhe një garë të paracaktuar.

Zanafilla e projektit koncesionar nisi në dhjetor 2016 me një propozim të pakërkuar të kompanisë “Noa Control”, e cila u ofrua të zëvendësonte drejtorinë e Metrologjisë në kryerjen e kontrollit të distributorëve të karburanteve. Një vit e gjysmë pas propozimit, kompania private u shpërblye me bonus prej 10 pikësh, një praktikë tashmë rutinë e qeverisë Rama me referencë ligjin për koncesionet dhe partneritetin publik privat.

Kontrolli ligjor i instrumenteve shpërndarëse të karburantit është një ndër aktivitetet kryesore që i ka mbetur Drejtorisë së Përgjithshme të Metrologjisë në Shqipëri dhe arkëton çdo vit rreth 80 milionë lekë në buxhetin e shtetit. Ministria e Financave dhe Ekonomisë synon ta japë atë me koncesion në këmbim të një investimi dysheme prej vetëm 64.8 milionë lekësh për një periudhë 20-vjeçare.

Drejtoria e Metrologjisë është anëtare e një rrjeti organizatash ndërkombëtare në fushën e matjeve, të cilat kanë investuar ndër vite në përafrimin e legjislacionit, trajnimin e stafit dhe rritjen e kapaciteve teknike. Vetëm për kontrollin e shpërndarësve të karburanteve, ky institucion zotëron shtatë laboratorë të lëvizshëm me vlerë mbi 73 milionë lekë dhe një staf të kualifikuar.

Zëri i Amerikës iu drejtua Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë për të sqaruar arsyet se pse një shërbim i investuar ndër vite po jepet me koncesion, por nuk mori asnjë përgjigje. Edhe drejtori i Përgjithshëm i Metrologjisë, Petrit Rama nuk pranoi të komentonte.

Projekti koncesionar është pritur me kundërshti nga operatorët e tregut të karburanteve, ndërkohë që shoqatat përfaqësuese të biznesit apo ato në mbrojtje të konsumatorit kontestojnë mungesën e transparencës, të një strategjie të qartë të qeverisë si dhe rrezikun për kosto shtesë në çmimin fundor të naftës.

Gjergj Buxhuku, përfaqësues i organizatës Konfindustria i tha Zërit të Amerikës se në kushtet e mungesës së një studimi fizibiliteti, paqartësia e qeverisë mund të lërë hapësira për abuzime.

“Problemi i parë në këtë rast është që ne nuk e dimë se cili do të jetë përfitimi dhe cila është realisht leverdia e dhënies me koncesion. E dyta; ti po e jep në dorë të një privati një të drejtë që praktikisht i takon shtetit. I bie që edhe nëse ka pasur një frikë minimale, nesër mund të mos ketë fare. Është një absurditet,” tha Buxhuku.

Ndërsa Gjergj Bojaxhi, ish-zv.ministër Ekonomie dhe aksioner i një kompanie brokerimi në fushën e hidrokarbureve thotë se mungesa e transparencës dhe e një strategjie të prezantuar shqetëson si konsumatorët, ashtu edhe operatorët privatë.

“Ky është një shërbim që jepet për vite të tëra nga institucionet shtetërore, nuk ka pasur ankesa, është një aktivitet me fitim dhe jo me humbje,” tha Bojaxhiu për Zërin e Amerikës.

“Fakti që ne përfundojmë duke e dhënë këtë shërbim fitimprurës një kompanie private që nuk do të paguajë lekë në buxhetin e shtetit, që investimi do të jetë minimal dhe fitimi i sigurtë, na bën të mendojmë se kjo është një praktikë ose politikë sektoriale, që nuk është në interes të konsumatorëve dhe as të buxhetit, por një praktikë në interes të disa segmenteve mbase nepotike të biznesit.

Në dokumentet e shpallura bashkë me tenderin më 18 shtator, Ministria e Financave dhe Ekonomisë citon standardet europiane si një ndër arsyet e koncesionit, por përjashton kompanitë e huaja të marrin pjesë në garë.

Një ndër kushtet kryesore është pasja e një certifikate akreditimi shqiptare, ndonëse certifikatat e lëshuara nga trupat europiane të akreditimit njihen në Shqipëri dhe jo e kundërta. Kriteri i dytë kualifikues është eksperienca 3-vjeçare në punë të ngjashme në fushën e inspektimit, e cila duket gjithashtu “e qepur” në masën e kompanisë propozuese.

“Noa Control” është themeluar në prill të vitit 2015 nga aksioneri i vetëm Gentian Sula dhe vepron si partnere në Shqipëri e kompanisë spanjolle Applus.

Përgjatë tre viteve të operimit të saj, Noa Control ka arritur të sigurojë një autorizim nga Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë për kontrollin e matësave të ujit, është organ i miratuar nga ministri i Transporteve dhe Energjetikës, Damian Gjiknuri për kontrollin e rezervuarëve të gazit dhe në fillim të vitit u bë kompania e vetme shqiptare e autorizuar nga ministri i Financave, Arben Ahmetaj për kontrollin teknik të ashensorëve.

Duke pretenduar për garë diskriminuese, një kompani me bazë në Zvicër e quajtur Penzoil Trading u ankua në Komisionin e Prokurimit Publik. Në fillim të tetorit, ky Komision pezulloi tenderin dhe kërkoi shpjegime shtesë nga Ministria e Financave.

Kompania Penzoil Trading i tha Zërit të Amerikës përmes një emaili se tenderi shfaq aspekte diskriminuese për kompanitë e interesuara, veçanërisht ato të huaja. Sipas saj, ankesa ka për qëllim ta vendosë tenderin në baza më të barabarta.

Kompania “Noa Control” nuk iu përgjigj pyetjeve të Zërit të Amerikës. Përfaqësues të saj thanë se “reagimet në këtë moment dëmtojnë interesat e kompanisë në procedurat e tenderit, përsa kohë që gara është e hapur dhe ka një proces pezullimi nga Komisioni i Prokurimit Publik”.

Kontraditat në tenderin e shpallur nga Ministria e Financave janë nxjerrë në pah edhe nga Confindustria Albania, një shoqatë që përfaqëson një grup industrialistësh italianë në Shqipëri. Përmes një deklarate për shtyp, shoqata Confindustria Albania denoncoi shmangien e detyrimit ligjor për konsultime me publikun dhe grupet e interesit si dhe përjashtimin e kompanive të huaja nga konkurrenca përmes kriterit për akreditimin.

Confindustria Albania i mëshoi qëndrimit se dhënia me koncesion e një shërbimi të tillë do të përkeqësonte klimën e biznesit si dhe do të shkaktonte një kosto mbi çmimin e karburantit.

Ministria e Financave, sipas dokumenteve të publikuara të tenderit nuk i ka mbyllur shtigjet për këtë rrezik. Aktualisht, operatorët janë të detyruar të kryejnë dy herë në vit verifikimin e pompave të karburanteve dhe paguajnë si tarifë 14 mijë lekë. Por projekti lë të hapur mundësinë që numri i verifikimeve periodike të detyrueshme në vit të ndryshojë në varësi të dakordësisë mes Ministrisë dhe koncesionarit.

Projekti koncesionar i kontrollit të pajisjeve në karburante nuk është i vetmi në këtë sektor. Në fillim të vitit 2013, qeveria e drejtuar nga Berisha firmosi koncesionin e markimit, tarifë e transferuar kjo në çmimin fundor të karburantit.

Ekspertët e kontaktuar nga Zëri i Amerikës argumentojnë se Shqipëria ka sot çmimin më të lartë të karburantit në rajon dhe një rritje tjetër e mundshme rrezikon ta çojë ekonominë në kolaps.

“Është e disata herë që qeveria i rrit taksat në sektorin e karburanteve dhe sot Shqipëria ka çmimin më të lartë të karburanteve vetëm për shkak të taksimit,” tha Bojaxhi për Zërin e Amerikës.

Buxhuku i shoqatës Konfindustria bie dakord.

“Shqipëria dihet që ka çmimin më të lartë të kaburantit në Europë, ka cilësinë më të keqe të karburantit, që është kosto shumë e lartë se edhe vetë çmimi dhe tentohet të shtohet edhe më shumë shumë ky çmim. Rrezikojmë që ekonomia shqiptare të asfiksohet pikërisht nga çmimi i karburantit,” përfundoi ai.

Protagonistë të bisedimeve të Vjenës kritikojnë idenë e ndryshimit të kufirit

Ideja e ndryshimit të kufirit, sipas së cilës Kosova merr territor të ri, por nuk jep asgjë, nuk ka logjikë, ka deklaruar ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu. Këto komente, ai i bëri gjatë një debati për dialogun me Serbinë, të organizuar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike.

Aty, përveç Fatmir Sejdiut, panelistë ishin disa prej politikanëve të Kosovës që kanë qenë pjesë e negociatave gjatë procesit të bisedimeve për definimin e statusit të Kosovës në Vjenë, si ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, dhe ish-zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi.

Panelistët thanë se Prishtina duhet ta ketë një platformë dhe një unitet politik për fazën e ardhshme të bisedimeve me Serbinë.

Ish-presidenti Fatmir Sejdiu tha se kjo është një fazë e ndjeshme dhe kërkoi që përfaqësimi i Kosovës në dialog të ketë mandat nga Kushtetuta dhe Kuvendi.

Ai e cilësoi si jo të logjikshme idenë e ndryshimit apo siç po prezantohet nga presidenti aktual Hashim Thaçi, të korrigjimit të kufirit.

Delegacioni i Kosovës në Vjenë

“Cila është esenca e asaj ideje që po marrim dhe korrigjojmë territore, po marrim pjesë nga vendi tjetër dhe s’po japim asgjë. Po flas me një logjikë që mund të pyes secili njeri i zakonshëm”, tha Sejdiu.

Në anën tjetër, ish-zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, nënkryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, ngriti nevojën për unitet brenda faktorit politik kosovar në bisedimet me Serbinë. Ai tha se procesi i bisedimeve duhet t’i ketë garancitë e bashkësisë ndërkombëtare se kjo do të jetë marrëveshja e fundit me Serbinë.

“Frika ime më e madhe është frika pas dialogut. Unë po e them me sinqeritetin më të madh, ne edhe atëherë kemi menduar se kjo është marrëveshja finale me Serbinë (bisedimet për dialogun në Vjenë). Duhet kërkuar garanci shumë të forta nga partnerët ndërkombëtarë se a do të jetë kjo marrëveshja finale”.

“Imagjinoni nëse ne e bëjmë një marrëveshje dhe pastaj prapë nuk kalon në Këshill të Sigurimit, prapë nuk ndodh diçka, atëherë ku është finalja tjetër”, theksoi Kuçi.

Sa i përket idesë së ndryshimit të kufijve, Kuçi theksoi se secila ide që buron nga udhëheqësit politikë, do të duhej të sqarohej në detaje në mënyrë që të shihen limitet kushtetuese të zbatimit të saj.

Përderisa mungon pajtueshmëria në Kosovë për vazhdimin e dialogut me Serbinë dhe kontestohet roli prijës i presidentit Thaçi në këtë dialog, kryetari i Këshillit Kombëtar të Partisë Nisma Socialdemokrate, Jakup Krasniqi, tha se askush nuk ka të drejtë të bisedojë për ndryshim të kufijve, demarkacion apo bashkim të ndonjë hapësire tjetër me Kosovën.

Jakup Krasniqi,kryetar i Këshillit Kombëtar të Partisë Nisma Socialdemokrate

“Shikoni është shumë e këndshme të thuash se dua t’ia bashkoj Kosovës, Kosovën Lindore, Preshevën, Mevdegjën dhe Bujanocin. Shikoni, është një mashtrim që iu bëhet qytetarëve që janë andej, por edhe këtyre këndej. Do të thotë kjo Serbia nuk po të njeh pa atë pjesë, e jo ti do t’ia marrësh atë pjesë e t’i normalizosh marrëdhëniet, kjo vërtet është pak fyerje e inteligjencës”, tha Krasniqi.

Prishtina dhe Beogradi po hyjnë në fazën finale të bisedimeve me synimin që të arrijnë një marrëveshje të obligueshme ndërkombëtare për të dy shtetet. Nisur nga ky fakt, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka deklaruar se aty do të shtrojë edhe çështjen e korrigjimit, siç e quan ai, të kufirit të Kosovës, me përfshirjen e tri komunave në Serbi, por që kanë popullatë shqiptare, Preshevë, Medvegjë e Bujanoc.

Sidoqoftë, kjo ide tash për tash nuk ka gjetur mbështetjen e pjesës më të madhe të spektrit politik në Kosovë.

VIDEO – WPI ALBANIA PROJECT CENTER – 24 Studentë të Institutit Politeknik Uster – Përgatiti ARDIAN MURRAJ

Qendra e Projekteve për Shqipërinë në Institutin Politeknik të Usterit organizoi paraqitjen përfundimtare të gjashtë projekteve kërkimore të studentëve të cilat do të zhvillohen në disa rrethe të Shqipërisë gjatë dy-tre muajve të ardhëshëm. Gjashtë skuadrat me nga katër studentë sejcila, përfaqësojnë gjashtë grupet e projekteve që do të bashkëpunojnë me drejuesit vendorë, OJQ-të dhe mbëshetësit e tyre në disa fusha të veprimtarisë si klima dhe mjedisi, sporti, libri dhe arti, arkitektura dhe kostumet popullore etj.

Qendra e Projekteve për Shqipërinë – 24 Studentë të Institutit Politeknik Uster, “Hapsira pa kufij, me mendje të çelur e mundësi pa fund” – Nga ARDIAN MURRAJ

Pasditen e së Martës, 9 Tetor 2018, Qendra e Projekteve për Shqipërinë në Institutin Politeknik të Usterit organizoi paraqitjen përfundimtare të gjashtë projekteve kërkimore të studentëve të cilat do të zhvillohen në disa rrethe të Shqipërisë gjatë dy-tre muajve të ardhëshëm. Gjashtë skuadrat me nga katër studentë sejcila, përfaqësojnë gjashtë grupet e projekteve që do të bashkëpunojnë me drejuesit vendorë, OJQ-të dhe mbëshetësit e tyre në disa fusha të veprimtarisë si klima dhe mjedisi, sporti, libri dhe arti, arkitektura dhe kostumet popullore etj.

Dëshira për të njohur një vend si Shqipëria, njerzit e saj dhe kërkesat e zhvillimit të tyre i ka shtyrë këta studentë të shtrijnë kërkimet dhe njohjen në disa drejtime që zgjojnë interes dhe janë lehtësisht të prekshme në jetën e përditshme të popullsisë vendase. Kështu paraqitjet 15 minutëshe të çdo grupi u ndalën në temat;

1- Artet Publike në dobi të ndryshimeve pozitive shoqërore.(Një prirje për ndërhyrjen me vizatime në sipërfaqet murale qytetase).

2- Përfshirja shoqërore përmes futbollit.(Shtysë e së cilës bëhet arritja historike e kombëtares shqiptare me pjesmarrjen e parë në Euro 2016, ish kapiteni Lorik Cana dhe fondacioni i tij me nismën e përgatitjes së futbollistëve që në moshat e reja).

3- Ruajtja e trashigimnisë kulturore përmes vilës së Sarajeve. (Shtëpia Toptanase e fillimit të shek.XVIII dhe rreziku i humbjes së saj nga “vrulli” ndërtimtar i shumkatëshve në qendrën e Tiranës së vjetër, ose shprehur ndryshe si konflikt i zhvillimit urban mes çështjeve të Pronës, ndërtimi ose jo të një teatri ku sot është përfshirë dhe politika, apo qendrimi i shoqërisë shqiptare në veçanti mes dyzimit të ruajtjes së një monumenti kulturor 300 vjeçar që vetëm gjatë dy epokave historike të shekullit të kaluar atë të mbretërisë shërbeu si Bibliotekë Kombëtare, ndërsa gjatë komunizmit si shtëpi banimi për shumë familje, monument kulture dhe Insituti i Monumenteve të Kulturës).

4- Përfytyrimi i Ri i Xhubletës. (Kurreshtja në etnografi që të bën të besosh se ndoshta është thjeshtuar vetëm në dy numuri i artizaneve që prodhojnë kostumin popullor të xhubletës në veriun e Shqipërisë dhe se a do të mundet të mbijetojë kjo trashigimni).

5- Bibliotekat Lëvizëse si një mjet i zhvillimit të bashkësisë. (Ideja dhe rëndësia që libri dhe kultura t’i gjindet pranë banorëve, pa ç’ka se popullsia sot zotëron pajisjet celulare dhe elektronike).

6- Zotërimi i rrezikut nga përmbytjet në Shkodër përmes Përshtatshmërisë së mbështetur në Ekosistemet, (Një temë e ndjekur prej disa vitesh dhe që pason informacionin në vazhdimësi me organizatat dhe banorët e zonës).

Të gjitha temat që paraqitën studentët treguan për seriozitetin e bashkëpunimit në grup dhe lidhjet e forcuara me burimet njerëzore dhe institucioneve në Shqipëri si dhe treguan mundësinë e mjeteve realizuese përmes intervistave, fondit arkivor, ilustrimin audio-viziv të guidave turistike dhe më pas i lanë vend shkëmbimit të pyetjeve mbi projektet e tyre. Pasditja studentore vlerësoi punën e nisur nga Instituti Politeknik që në vitin 2013 me ngritjen krah të tjerave të Qendrës së Projekteve për Shqipërinë, me nismëtar matematikanin e njohur me origjinë shqiptare Prof. Peter Christopher dhe dy bashkëpuntorët e njohur prej vitesh Prof. Robert Hersh dhe Prof. Leslie Dodson. Vlen të theksojmë edhe një fakt tjetër të ri, se prej dy muajsh Instituti Politeknik i Usterit (WPI), përuroi mjediset e “Foisie Innovation Studio”, ndërtesa kryesore e projekteve ndërkombëtare studentore me hapsirë rreth 7,250 m2 dhe me një vlerë 49 mil. dollarë fond i grumbulluar nga dhjetra donatorë kryesisht ish studentë të këtij Instituti është tregues dhe vlerësim në breza që investojnë në fushën e dijes që në përballjen me botën shkencëtarët e rinj të jenë me “hapsira pa kufij, me mendje të çelur dhe mundësi të pafund”.