VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Maqedoni, arrestohet ish-shefi i shërbimit sekret, Vladimir Atanasovski

By | December 5, 2018

Komentet

Zaev u përgjigjet zyrtarëve bullgarë: Jam maqedon, flas maqedonisht

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev iu është përgjigjur deklaratave të fundit të zyrtarëve të lartë të Bullgarisë lidhur me pohimet e tij për gjuhën dhe kombin maqedon duke theksuar se askush në botë nuk mund t’i kontestojë dikujt të drejtën e përcaktimit etnik, që sipas Zaevit, është vlerë evropiane e cila duhet të pranohet nga të gjithë.

“Unë jam maqedon, flas gjuhën maqedone, kjo është e drejtë e imja. Kjo është vlerë evropiane. Unë pres që vlerat evropiane të pranohen nga të gjithë. Ashtu siç kam shtrirë dorën dhe kam pranuar të ndajmë historinë e përbashkët, do të vazhdojë të flas në frymën e miqësisë dhe do të vazhdojë të ndërtojë fqinjësi të mirë, pa marrë parasysh se në çka i bazojnë deklaratat e tyre. Unë besoj se zoti Karakaçanov, ministrja e jashtme Zaharieva dhe kryeministri Borisov, por para së gjithash populli bullgar është popull mik i popullit tonë”, ka deklaruar kryeministri Zaev duke shtuar se të drejtën e përcaktimit e garanton marrëveshja me Greqinë për zgjidhjen e kontestit të emrit me të cilën Maqedonia do të ketë emër të ri, Maqedonia e Veriut.

Reagimet e zyrtarëve bullgarë kishin pasuar një deklaratë të kryeministrit Zaev se “Marrëveshja e Prespës vërteton ekzistimin e gjuhës maqedonase dhe se askush më nuk do të ketë të drejtë që këtë ta kontestojë”.

“Zoti Zaev, mos e keqpërdorni temën me gjuhën maqedonase. Kjo mund t’ju kushtojë me anëtarësimin në NATO dhe BE… Maqedonia e Veriut është emërtim gjeografik që përfshin edhe territore të Republikës së Bullgarisë. Zaevi nesër mund të dëshirojë një dialekt të ngjashëm bullgar të mësohet si gjuhë zyrtare e huaj te ne. Kjo është e papranueshme. Ky është provokim”, kishte deklaruar Krasimir Karakaçanov, Zëvendëskryeministër për siguri dhe Ministër i Mbrojtjes.

Maqedonia dhe Bullgaria marrëveshjen e fqinjësisë së mirë e kanë arritur më 1 gusht dhe me të dy vendet pretendojnë të zgjidhin mosmarrëveshjet historike që kryesisht kanë të bëjnë me gjuhën, kulturën dhe historinë maqedonase të paraluftës së dytë botërore. Marrëveshja ishte nënshkruar edhe në gjuhën maqedonase të cilën tani zyrtarët bullgarë e mohojnë.

Amnistia për 27 prillin, pazar me Gjyqësorin

Isuf Kadriu

Amnistia e mundshme për pjesëmarrësit në dhunën në Kuvend, më 27 prill të vitit 2017, nuk është asgjë tjetër pos pazar politik, apo kontrabandë me Gjyqësorin për qëllime tjera politike, thonë njohësit e çështjeve juridike duke komentuar lirimin e diskutueshëm të dhjetëra personave, në mesin e të cilëve edhe të gjashtë deputetëve që po gjykohen për “rrezikim terrorist të rendit kushtetues”.

Propozimi për amnisti apo falje është iniciuar nga kryeministri Zoran Zaev, para votimit të nismës për ndryshime kushtetuese, ndërsa filloi të finalizohet pasi mori mbështetje nga deputetët që po gjykohen për 27 prillin, pa votat e të cilëve do të ishte i pamundur kalimi i fazës së parë të zbatimit të Marrëveshjes me Greqinë për zgjidhjen e kontestit të emrit.

“Këta duan që në njërën anë të mos dëmtohet Gjyqësori, ndërsa në anën tjetër ndërhyjnë në mënyrë indirekte, që është e papranueshme për sistemin e drejtësisë. Vetëm pasi të jetë sjellë vendimi gjyqësor apo pasi të jetë shqiptuar masa e dënimit, mund të bisedohet për falje apo të ngjashme, kjo është ana juridike”.

“Por, kjo siç bëhet tani, është e pakuptimtë dhe e papranueshme në aspektin juridik. Këtu, thjesht, kemi të bëjmë me pazare politike, me të cilat kontrabandohet sistemi gjyqësor”, thotë Bashkim Selmani, profesor në Fakultetin Juridik të Universitetin e Tetovës.

Ligji i mundshëm për amnisti nuk është asgjë tjetër pos shpërblim për ata deputetë që siguruan dy të tretat në Kuvend për ndryshimet kushtetuese, thotë ndërkohë Vlladimir Bozhinovski, njohës i çështjeve politike.

“Ideja ishte që të binden disa deputetë që të votojnë për Marrëveshjen me Greqinë. Pra, nëse nisemi nga qëllimet për miratimin e Ligjit për amnisti, gjithçka është e qartë, ai propozohet për t’i shpërblyer ata deputetë që siguruan dy të tretat e votave të nevojshme”.

“Nëse nuk do të kishte nevojë për votat e tyre, as që do të hapej ndonjëherë debati për amnisti apo falje dhe kjo duhet të përfshijë të gjithë ata që janë përfshirë në padinë për ngjarjen në Kuvend. Si reflektohet kjo tani në Gjyqësor, unë vlerësoj se nuk ka njeri në vend që beson se Gjyqësori është i pavarur”, vlerëson Bozhinovski

Me mbylljen e dhunës në Kuvend me amnisti, jo vetëm që rrënohet sundimi i së drejtës, por edhe përçohet mesazhi se Maqedonia ende nuk është e gatshme për zbatimin e vlerave evropiane për Gjyqësor të pavarur dhe luftimin e krimit, konsideron Naser Zyberi, njohës i çështjeve juridike.

Ai thotë se Maqedonia ka të drejtë të arrijë marrëveshje dypalëshe, siç është edhe kjo me Greqinë për emrin, por assesi nuk guxon që zbatimin e saj ta realizojë përmes shkeljeve tjera që mund të kenë pasoja për vendin.

“A ka legjitimitet një strukturë qeverisëse që për hir të realizimit të koncepteve të saj politike, të bëjë koncesione në dëm të sistemit juridik? Kjo është çështja që shtrohet aktualisht. Është e pamohueshme se Qeveria ka të drejtë të nënshkruajë marrëveshje dypalëshe dhe ndërkombëtare, por vënia në funksion e atyre marrëveshjeve, a duhet të shkojë në dëm të Gjyqësorit?”

“Sigurisht se jo, pasi këto dy procese, gjykimi për 27 prillin dhe Marrëveshja për emrin, janë përjashtuese njëra me tjetrën, njëri proces është politik dhe tjetri juridik. Është diskutabile se sa këto janë kompatibile me vlerat themelore të BE-së dhe NATO-s për sundim të ligjit, për eliminimin e dukurive devijuese, etj”, thotë Zyberi.

Ndryshe, në dy proceset e fundit gjyqësore për ngjarjet e dhunshme në Kuvend, më 27 prill 2017, disa nga të akuzuarit për herë të parë kanë folur për organizatorët e ngjarjeve të dhunshme, duke apostrofuar personalitete të larta të Qeverisë së kaluar dhe të VMRO-DPMNE-së së ish-kryeministrit, Nikolla Gruevski, i cili ka fituar azil politik në Hungari pas arratisjes nga Maqedonia për t’i ikur dënimit prej dy vjet burgim për shpërdorim detyre. Po për vepra të njëjta ai po gjykohet edhe në të paktën katër procese tjera gjyqësore.

Maqedoni, arrestohet ish-shefi i shërbimit sekret, Vladimir Atanasovski

Isak Ramadani

Një gjykatë në Shkup i shqiptoi masën e paraburgimit prej tridhjetë ditësh, ish-drejtoritë shërbimit sekret maqedonas, Vladimir Atanasovski.

Ai akuzohet për përfshirje në ngjarjet e dhunshme të 27 prillit të vitit 2017 në parlamentin e Maqedonisë. Zoti Atanasovski u arrestua të martën mbrëma pas dëshmisë së dhënë në gjykatë nga dy vëllezërit Mlladenovski, të cilët drejtuan gishtin kah ish-shefi i shërbimit sekret, si organizator i atyre ngjarjeve.

Atanasovski ngarkohet për veprën penale “bashkim me qëllim të veprimit armiqësor”, për çka ligjet e vendit parashikojnë dënim me burg së paku prej katër vjetësh.

Prokurorja Vilma Ruskovska i tha medies se kishte kërkuar arrestimin e Atanasovskit për shkak të mundësisë së arratisjes së tij, të ushtrimit të ndikimit ndaj dëshmitarëve dhe rrezikut të përsëritjes së veprës penale.

Dy vëllezërit të cilët dëshmuan në procesin gjyqësor, e që po ashtu janë të akuzuar në këtë proces, thanë se planin e kishte përgatitur dhe zbatuar ish-shefi i shërbimit së bashku me Aleksandar Vasilevskin – Ninxha, “i cili kishte pasur mbështetje të plotë logjistike nga strukturat e Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim”, siç njihet shërbimi sekret maqedonas “dhe nga ish-zëvendës-shefi i Drejtorisë së Pestë në Ministrinë e punëve të brendshme, Nikolla Boshkovski”, i cili është arratisur prej muajsh dhe ndodhet në Greqi ku ka kërkuar strehim.

Vladimir Atanasovski qe emëruar drejtor i shërbimit sekret në vjeshtën e 2016-s pas dorëheqjes së Sasho Mijallkovit nga detyra, kur filluan dhe hetimet për dhunën në parlament. Atanasovski aktualisht ishte i angazhuar si këshilltar për çështjet e sigurisë në kabinetin e kryetarit të partisë opozitare VMRO-DPMNE, Hristijan Mickovski.

Hetimet pritet të zgjerohen, ndërsa prokuroria nuk dha hollësi të tjera.

Nga ana tjetër, pushteti dhe tetë ligjvënësit e përjashtuar nga VMRO-DPMNE-ja po përgatisin një projekt-ligj për faljen e një kategorie personash të cilët akuzohen për përfshirje në dhunën e 27 prillit të vitit të kaluar. Pesë deputetë të VMRO-së janë në listën e të akuzuarve. Pritet që do të falen ata të cilët ishin pjesë e turmës që hyri me forcë në parlament, deputetët e akuzuar gjithashtu, por jo organizatorët dhe ata të cilët ushtruan dhunë të drejtpërdrejtë.

Parlamenti i Maqedonisë votoi amendamentet për ndryshimin e emrit të vendit

Isak Ramadani

Parlamenti i Maqedonisë votoi amendamentet për ndryshimin e emrit të vendit, por faza kryesore, miratimi me një shumicë të kualifikuar prej dy të tretave të votave i ndryshimeve kushtetuese pritet bëhet në fund të dhjetorit ose në fillim të janarit.

Amendamenti për ndryshimin e emrit të Republikës së Maqedonisë në “Republika e Maqedonisë së Veriut” u miratua me 67 vota, 18 ishin kundër, ndërsa tetë ligjvënësit e përjashtuar nga VMRO-DPMNE-ja e opozitës abstenuan. Abstenimi i tyre duket se ka shqetësuar pushtetin. Qeveria dhe tetë ligjvënësit para pak ditësh arritën një marrëveshje për një lloj amnistie të një kategorie personash të akuzuar për dhunën në parlament më 27 prill, 2017 dhe kjo do të thoshte se ata do të votojnë ndryshimet e kushtetutës, përkatësisht ndryshimin e emrit të kontestuar të Republikës së Maqedonisë. Qëndrimi i ri i tyre mbi amendamentet mbase ndërlidhet me masën e paraburgimit për ish-drejtorin e shërbimit sekret Sasho Mjallkov, për çka duket se ka një afërsi midis tyre, madje se zoti Mijallkov t’i kishte bindur ata të votonin hapjen e ndryshimeve kushtetuese para pak javësh.

Ndërkohë, në lidhje me ndryshimin e Preambulës së Kushtetutës, ku shtohet dhe Marrëveshja e Ohrit, ministri i jashtëm Nikolla Dimitrov tha se mund të ketë hapsirë për ndryshime të tjera, duke lënë të kuptohet se mund të zënë vend kërkesat e opozitës, por pas një debati publik dhe vlerësimeve të ekspertëve. Opozita shqiptare kërkon që në preambulë të përmendet edhe populli shqiptar. Ziadin Sela i Aleancës për Shqiptarët tha se këmbëngulë që shteti në Preambulë të përcaktohet si shtet multietnik.

Këto ndryshime vijnë si rezultat i Marrëveshjes së Prespës të arritur më 17 qershor midis qeverive të Shkupit dhe Athinës për t’i dhënë fund mosmarrëveshjeve më se 25 vjeçe rreth emrit Maqedoni. Por, ndryshimet kushtetuese në Republikën e Maqedonisë do të zbatohen vetëm pasi parlamenti grek ta miratojë Marrëveshjen e Prespës.

Në atë rast, Shkupi do të bënte hapa të shpejtë drejt anëtarësimit në NATO dhe drejt integrimit në Bashkimin Evropian

Zaev: Di gjithçka për arratisjen e Gruevskit

Kryeministri maqedonas Zoran Zaev ka deklaruar se ka informacione për arratisjen e ish-kryeministrit Nikolla Gruevski, por për këtë do të flasë në një moment tjetër.

“I di të gjitha detajet, plotësisht jam i informuar. Kur do të vij koha unë dhe ministri Spasovski do t’i themi të gjitha detajet e hetimit, edhe për pjesën e hetimeve brenda MPB-së, por edhe për pjesën e Prokurorisë Publike”, theksoi Zaev.

Më tej ai u shpreh se pasi të përfundojnë hetimet, do të jap hollësi.

“Këtë nuk mund ta bëj tani për shkak të respektimit të hetimeve dhe ligjit”, tha Zaev, informon agjencia INA.

Hetimet për Gruevskin po zhvillohen rreth asaj se kush dhe si e ka ndihmuar Gruevskin për të lënë territorin e Maqedonisë.

Në kuadër të këtij debati, shoqata dhe parti opozitare kanë kërkuar dorëheqjen e ministrit të brendshëm, Oliver Spasovski, por edhe përgjegjësi nga Qeveria.

U nda nga jeta kryetari i komunës së Dibrës, Ruzhdi Lata

U nda nga jeta kreu i komunës së Dibrës, Ruzhdi Lata, njoftuan rrjet sociale në Facebook, Tweeter dhe protalet nga Maqedonia dhe media shqiptare.
Lata , sipas tyre vuante nga një sëmundje e rëndë në zemër, ndërkohë që ky ishte mandati i dytë si kryetar komune nga radhët e BDI-së.

Më pare se të zgjidhej Kryetar Komune, magjister Ruzhdi Lata ka qenë teolg, historian dhe studiues i njohur në botën shqiptare, një nga personalitet më popullore në Dibër të Madhe, I njohur për kontributin e tij në çështjen kombëtare.

I lindur më 06.05.1953, në Dibër. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, të mesmen në Medresenë “Alaudin” në Prishtinë. Pas përfundimit të shkollës së mesme vazhdon studimet ne fakulltetin Filologjik-dega Gjuhë orientale në Universitetin e Prishtinës. Shkallën e tretë të studimeve e kreu në Universitetin e Prishtinës dhe morri titullin Magjistër i shkencave të filologjisë.

Karriera e tij në public fillon prej vitit 1980 ka punuar në Bashkësinë Islame dhe në të njejtën kohë ka ligjëruar në Universitetin e Prishtinës në katedrën e Orientalistikës deri në vitin 1991 kur sërbët me dhunë e larguan nga fakullteti.

 

Punën në Prishtinë e vazhdoi edhe dy vjet në shtëpi private ku fakullteti mbante mësim. Pas vitit 1993 përsëri paralelisht dy vjet punoi në Bashkësinë Islame në Maqedoni dhe në Fakultetin e Shkencave Islame në Shkup deri në vitin 1995. Pas vitit 1995 punoi vetëm në Bashkësinë Islame deri në vitin 2009, pas vitit 2009 gjer në vitin 2013 punoi në Bashkësin Islame dhe ligjerues në katedrën e Orientalistikës në Universitetin Shtetëror të Tetovës.

Në vitin 2013 u votua dhe u zgjodh kryetar i Komunë së Dibrës.

Ai zotronte mire dhe fliste gjuhën letrae shqip, fliste e dinte maqedonisht, sërbokroatisht, turqisht dhe arabisht.

Lata gjatë karierës së tij është marrë me përkthime nga arabishtja, vepra e dhjetë e Sahihil-Buhariut, nga turqishtja, romani i Sami Frashërit “Dashuria e Talatit me Fitneten”, publikim i disa artikujve në katër vazhdime për Haxhi Vehbi Dibrën, Haki Sharofin, Fuat Dibrën etj.

 

Pjesmarrës në disa simpoziume ndërkombëtare dhe konferenca shkencore me temë “Kontributi i Ulemave dibranë në lëvizjen kombëtare”, “Kontributi i Ulemave të Rekës”, “Pjesmarrja e hoxhallarëve në Lidhjen shqiptare të Prizrenit dhe në Shpalljen e Pavarësisë” etj.

Ruzhdi Lata ka qenë përkrahës i lëvizjeve demokratike në Dibër dhe më gjërë, kontribut të veçantë ka dhënë për themelimin e partive politike shqiptare në Dibër pas vitit 1990.

Njihet edhe si aktivist për pajtimin e popullatës në raste konfliktesh të të gjitha niveleve dhe ka të regjistruar mbi 150 pajtime.

Njihet edhe si organizator për ndihmesë materiale për nevojën e kosovarëve, për pritjen dhe sistemimin e bashkëatdhetarëve nga Kosova në Dibër, për Lëvizjen kombëtare shqiptare në Maqedoni, për nevojat e qytetarëve të Peshkopisë në krizën e vitit 1997 etj.

 

Për punën e bërë gjatë kësaj kohe Ruzhdi Lata me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë dekorohet Qytetar Nderi nga Këshilli Bashkiak i Peshkopisë.

Ruzhdi Lata do të kujtohet gjatë si një patriot i shquar, atdhetar , liridashës, paqedashës, besmitar m devotshëm në komb e fenë e tij, studies, historian, dhe intelektual in madh dibran, buajr dhe zemërgjerë, i mençur dhe shumë popullor.

Familja humbi njeriun më të dashur të tyre, dibra dhe shqiptarët një figure të madhe, një patriot i shquar, atdhetar , liridashës, paqedashës, besmitar të devotshëm në komb e fenë e tij.

I lehtë dheu i asaj toke Pushofshë në Paqe – Ruzhdi Lata!

Maqedoni, arrestohet ish shefi i sigurimit Mijalkov

Sasho Mijalkov

Policia e Maqedonisë tha se ka arrestuar ish-shefin e shërbimit të sigurimit, Sasho Mijalkov për shkak të informatave se ai po përgatitej për t’u arratisur.

Zotit Mijalkov i është caktuar masa e paraburgimit prej tridhjetë ditësh dhe është dërguar në burgun e Shuto Orizares në Shkup.

Gjykata Themelore njoftoi se arrestimi është bërë me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme.

Zoti Mijalkov akuzohet për një vepër penale në çështjet e njohura me emrat “Target”, “Fortesa”, “Tortura” dhe së fundmi “Perandoria”. Ai ishte i pranishëm të martën në seancën ku po zhvillohej procesi kundër tij.

Zoti Mijalkov është kushëriri i parë i Nikolla Gruevskit, ish-kryeministrit të arratisur në Hungari.

Sasho Mijallkov konsiderohet si njeri me shumë fuqi dhe ndikim. Mendohet se ishte ai që solli Gruevskin në postin e kryeministrit, ku qëndroi për më tepër se dhjetë vjet.

Shpaloset programi për shënimin e Ditës së Alfabetit Shqip

SHKUP – Kongresi i Alfabetit në Manastir 110 vjet më parë ka rëndësi edhe në kontekstin bashkëkohor politik, pasi shqiptarët e këtij rajoni janë para momenteve të rëndësishme për të siguruar orientimin e tyre perëndimor, deklaroi zëvendës kryeministri për Çështje Evropiane, Bujar Osmani, me rastin e shpalosjes së aktiviteteve të cilat do ta shoqërojnë shënimin e kësaj date në Maqedoni.

Siç bëri të ditur Osmani, 110 vjetori nga unifikimi i alfabetit të gjuhës shqipe, sivjet do të shënohet me moton, “Për ne, dielli lind në perëndim”, mendim i parafrazuar i Naim Frashërit, që flet për përcaktimin thelbësor të shqiptarëve drejt vlerave të civilizimit perëndimor, për të shtuar se kjo korrespodon edhe me përcaktimin e sotëm të vendit drejt ardhmërisë evropiane dhe atlantike.

Qeveria dhe Kuvendi i Republikës së Maqedonisë, tha Osmani, e obliguan Sekretariatin për Çështje Evropiane t’i organizojë ngjarjet që kanë të bëjnë me shënimin e këtij jubileu.

“Për ditën e Alfabetit shqip, 110 vjetori nga Kongresi i Manastirit, kemi organizuar më shumë ngjarje në Shkup dhe në Manastir të cilat do të kurorëzohen me koncertin e gjigantit të violinës Shkëlzen Doli me Filarmoninë e Maqedonisë dhe dirixhimin e Mihail Micijashçik nga Polonia që do të mbahet të enjten në Shkup”, tha Osmani, sipas të cilit do të mbahen edhe ngjarje në Shkup dhe Manastir, konferenca dhe debate shkencore si dhe promovime librash.

Drejtori i Institutit për Trashëgimi Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve (ITSHKSH), Skender Asani, nga ana e tij tha se ndjehet i lumtur për përfshirjen e tij në këtë shënim, pasi siç tha, 22 Nëntori është e dita e themelit të këtij institucioni të rëndësishëm për shqiptarët në Maqedoni, ndërsa për vet përmbajtjen, tha se kanë bërë përpjekje të përfshijë personalitete nga të gjitha institucionet shtetërore dhe akademike mbarëshqiptare.

“Aktivitetet do të fillojnë nesër në Institut me ligjeratë të David Hoselflog, i cili ka zbuluar notat e alfabetit të gjuhës shqipe që do të jetë një prurje e jashtëzakonshme, një lajm i rëndësishëm për të gjithë shqipatrët, meqë pas 110 vitesh, po zbulohen notat e alfabetit”, tha Asani.

I pranishëm në konferencën për mediat ishte edhe violinisti Shkëlzen Doli, i cili premtoi një performancë e cila do të kënaqë publikun, sepse siç tha, do të ekzekutohen kompozime të autorëve më të famshëm botërorë.

Lidhur me shënimin e Ditës së Alfabetit, është vendosur në funksion ueb faqja www.110vjetalfabet.mk ku do të vendosen të gjitha faktet historike për unifikimin e alfabetit por edhe përmbajtje tjera nga letërsia shqipe. aa

Nikolla Gruevski fiton azil në Hungari, Shkupi kërkon ekstradim

Isuf Kadriu

Ish-kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski përmes një postimi në Facebok ka bërë të ditur se autoritetet hungareze kanë pranuar kërkesën e tij për azil politik në këtë vend.

“Sot, Republika e Hungarisë, si vend anëtar i BE-së dhe NATO-së, i është përgjigjur pozitivisht kërkesës sime të parashtruar më parë me kërkesën për status politik për shkak të ndjekjes politike në Republikën e Maqedonisë. Në kërkesën për azil politik kanë theksuar se të njëjtën e kërkoj për shkak të ndjekjes politike nga Qeveria e re e udhëhequr nga partia LSDM….Unë nuk kam ikur nga drejtësia, por duke shfrytëzuar metoda tjera demokratike ndërkombëtare vazhdoj të kërkoj drejtësinë për mua dhe të gjitha viktimat tjera të ndjekjes politike në Maqedoni”, ka shkruar veç tjerash Gruevski duke akuzuar Qeverinë për siç ka thënë, kaos, politizim të gjyqësorit, rrënimin e shtetit juridik, rrezikimin e interesave kombëtare dhe shtetërore.

Njoftimi i Gruevskit vjen vetëm disa çaste pasi Ministria e Drejtësisë e Maqedonisë i ka dërguar autoriteteve të Hungarisë kërkesën për ekstradimin e ish-kryeministrit, Nikolla Gruevski.

Kërkesa për ekstradim mbështetet në vendimin e Gjykatës Penale të Shkupit, e cila e ka dënuar Gruevskin me dy vjet burgim, për shpërdorimit të detyrës zyrtare, por edhe për katër procese tjera gjyqësore që po zhvillohen kundër tij

“Republika e Maqedonisë kërkon që personi, Nikolla Gruevski të ekstradohet dhe duke marrë parasysh seriozitetin e veprave penale, kërkojmë që i njëjti të ndalohet dhe të mbahet në paraburgim për faktin se kundër të njëjtit është shpallur edhe fletarrest ndërkombëtar”, është në njoftimin e ministrisë së Drejtësisë duke hedhur poshtë pretendimet e ish-kryeministrit Gruevski se ndaj tij ka pasur kërcënime për jetë.

“Nikolla Gruevski është mbrojtur në liri dhe në asnjë procedurë gjyqësore nuk i ishte shqiptuar masa e paraburgimit. Kishte të angazhuar më shumë avokatë sipas përzgjedhjes së tij me të cilët kishte komunikime duke i shfrytëzuar të gjitha të drejtat në bazë të ligjit për procedurë penale. Republika e Maqedonisë është shtet i sigurt dhe nuk ndodhet në asnjë konflikt të brendshëm apo ndërkombëtar, që do të vinte në rrezik jetën dhe integritetin e ndonjë personi. Si ish-kryeministër i Maqedonisë, Nikolla Gruevski ka pasur edhe sigurim personal prej gjashtë pjesëtarëve të MPB-së, që i takojnë në bazë të ligjeve në fuqi. Gjithashtu theksojmë faktin se Gruevski asnjëherë nuk ka paraqitur ndonjë rast kërcënimi për jetën e tij”, është thënë në komunikatën e dikasterit të drejtësisë duke mohuar gjithashtu pretendimet e të arratisurit se ndaj tij ka pasur ndjekje me motive politike.

“Asnjë nga veprat për të cilat Nikolla Gruevski është dënuar apo janë në procedurë gjyqësore nuk paraqet vepër politike apo vepër penale ushtarake, përkatësisht asnjë nga to nuk parashihet në konventën evropiane për ekstradim si vepra për të cilat mund të refuzohet ekstradimi. Të drejtat e Nikolla Gruevskit në çdo moment janë siguruar përfshirë edhe të drejtën e mbrojtjes para organeve gjyqësore, në përputhje të plotë me Konventën Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive”, ka vlerësuar Ministria e Drejtësisë e Maqedonisë.

Duke komentuar njoftimet e mediave hungareze se ish-kryeministri, Nikolla Gruevski tashmë ka fituar të drejtën e azilit, ministrja maqedonase, Renata Deskoska ka thënë se pavarësisht kësaj, kërkesa për ekstradim veçse është dorëzuar.

“Procedurat për azil zgjasin shumë, vetëm nëse nuk kanë zbatuar ndonjë procedurë jashtëzakonisht të shpejtë”, ka deklaruar ministrja Deskoska.

Ish-kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski është arratisur javën e kaluar drejt Hungarisë.

Autoritetet e Maqedonisë kanë qenë në kërkim të tij, pasi ai është dënuar me dy vjet burgim për shpërdorim të detyrës zyrtare.

Maqedonia notë proteste ndaj Hungarisë, kërkon ekstradimin e ish-kryeministrit Gruevski

SHKUP – Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë ka thirrur në takim ambasadorin hungarez, Laszlo Istvan Dux, mbi informacionet e fundit në lidhje me arratisjen e ish-kryeministrin maqedonas Nikolla Gruevski dhe kërkesën e tij për azil në Hungari.

Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë njofton se ambasadori hungarez është thirrur në takim me sekretarin maqedonas shtetëror, Viktor Dimovski, ndërsa qëllimi i takimit ishte dorëzimi i një note proteste nga ana maqedonase në anën hungareze.

“Dimovski ka shprehur shpresë se Hungaria në këtë rast do të veprojë në frymën e marrëdhënieve të mira bilaterale, në vlerat dhe parimet evropiane që lidhen me sundimin e ligjit dhe në këtë kontekst, pa vonesë do të refuzojë kërkesën për marrjen e statusit të azilit të të dunuarit dhe të arratirusirt nga drejtësia, Nikolla Gruevski, si dhe të njëjtin do t’ia dorëzojë Maqedonisë për ekzekutimin e dënimit me burg, si dhe për vazhdimin dhe kompletimin e procedurave të tjera ligjore kundër tij”, thotë Ministria e Punëve të Jashtme.

Kujtojmë se ish-kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski, i cili u dënua me dy vjet burg e që duhej të vuante dënimin, në profilin e tij në Facebook shkroi se ndodhet në Budapest dhe se ka kërkuar azil politik nga autoritetet hungareze.

Për Gruevskin të hënën e kaluar u lëshua flet arrest nacional për ta dërguar në vuajtje të dënimit me burg prej dy vitesh për rastin “Tanku” lidhur me furnizimin e automjetit luksoz “Mercedes” në vlerë prej 570 mijë euro, ndërsa një ditë më vonë, pas njoftimit të tij në Facebook se ndodhet në Budapest, Maqedonia lëshoi flet arrest ndërkombëtar ndaj tij. aa

Kush e ndihmoi Gruevskin të arratiset? (tabela)

Isuf Kadriu

Derisa institucionet po përgatisin dokumentacionin me kërkesën për ekstradimin e ish-kryeministrit, Nikolla Gruevski nga Hungaria, prej nga kishte njoftuar se ka kërkuar azil politik, nga ana tjetër në opinion qarkullojnë hipoteza të ndryshme përfshirë edhe atë nëse Gruevski është ndihmuar gjatë arratisjes nga vetë institucionet apo nëse paraprakisht ka pasur marrëveshjes mes tij dhe Qeverisë aktuale.

Kjo dilemë ngrihet për faktin se ish-kryeministri nga e dita e premte, 9 nëntor, ishte i pakapshëm nga organet e rendit dhe të drejtësisë për t’iu dorëzuar vendimi për vuajtjen e dënimit, ndërsa ditët e fundjavës, më 10 dhe 11 nëntor nuk kishte asnjë aktivitet në kërkim të tij, për të vazhduar me pas të hënën (12 nëntor)me shpalljen e fletarrestit fillimisht vendor dhe më pas edhe ndërkombëtar, por vetëm pas njoftimit të autoriteteve të Shqipërisë dhe të Malit të Zi se ish-kryeministri i Maqedonisë përmes territoreve të tyre ishte arratisur për në Hungari.

Mediat shqiptare duke u thirrur në burime të policisë shqiptare kanë njoftuar se Gruevski në Shqipëri ka hyrë ilegalisht më 11 nëntor afër Dibrës, derisa autoritetet maqedonase ende nuk kishin shpallur fletarrestet.

“Vëmendja në gjithë këtë situatë duhet të shikohet në atë se pse u lejua që Gruevski të arratiset dhe kush duhet të bartë përgjegjësi, e jo ajo si iku dhe ku fshihet. E gjithë kjo që tani po ndodh është vetëm shpërqendrim i vëmendjes, që shkon në interes të shmangies së përgjegjësisë të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe të organeve gjyqësore”.

“Sikur të ngritet çështja se pse iku, atëherë do të duhet të kërkohet përgjegjësi nga policia dhe gjyqësori që nuk kanë vepruar me kohë, që nga caktimi i masës së paraburgimit e deri te shpallja me kohë e fletarrestit apo ndalimin e tij në momentin e refuzimit të kërkesës për shtyrjen e vuajtjes së dënimit me burg”, thotë Marko Trashanovski nga Instituti për Demokraci, duke ngritur dilemën nëse në gjithë këtë arratisje kanë gisht autoritetet për të ndihmuar arratisjen e tij në emër të qetësimit të situatës politike, por edhe të ndonjë pazari të mundshëm për të kaluar me më pak probleme zbatimin e Marrëveshjes me Greqinë për çështjen e emrit.

Bllagoja Markovski, njohës i çështjeve të sigurisë, thotë se është e absurde të mendohet se organet e sigurisë nuk kanë qenë në dijeni të lëvizjeve të Gruevskit nëse kemi parasysh fuqinë e tij gjatë qeverisjes me vendin.

“Ministria e Punëve të Brendshme duhej patjetër që të dispononte të dhëna se si po përgatitej të arratisej dhe si duhej ajo t’i ndiqte lëvizjet dhe gjithë atë që po përgatiste Gruevski. Duke marrë gjithë këtë parasysh, vlerësoj se strukturat e Ministrisë së BHrendshme nuk mund t’i ikin përgjegjësisë për këtë rast”, thotë Markovski.

Arsim Sinani, njohës i çështjeve politike dhe drejtues i Qendrës për Studime Ndërkombëtare dhe Hulumtime Ballkanike, thotë se rasti me Gruevskin është dëshpërues për të gjithë ata që kanë pritur ndryshime në vend, në kuptimin e sundimit të ligjit dhe nxjerrjen para drejtësisë të të gjithë atyre që kanë keqpërdorur detyrën zyrtare.

“Unë mendoj se ajo çfarë është e rëndësishme ka të bëjë me atë që Gruevski të kthehet në vend dhe të përfundojë pas grilave, pasi nga kjo varen gjithë proceset e mëtutjeshme. Qytetarët janë të zhgënjyer që iu dha mundësia atij, apo një mentaliteti dhe një doktrine, që të largohet nga Maqedonia pa një therë në këmbë dhe të mbeten pa u ndëshkuar. Mendoj se këtu duhet të përqendrohemi në ditët në vijim”, thotë Sinani.

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev ka thënë para mediave se institucionet kanë vepruar në përputhje të plotë me ligjin dhe se përgjegjësi do të ketë, përfshirë edhe veten e tij, nëse konstatohen lëshime në ndonjë segment të pushtetit.

Ish-kryeministri i arratisur, Nikolla Gruevski disa herë kishte deklaruar se asnjëherë nuk do t’i ikë përgjegjësisë dhe se do të përballet me gjyqësorin, pavarësisht, siç kishte thënë, ndjekjes së tij politike. Por, menjëherë pas shqiptimit të dënimit me dy vjet burg dhe refuzimit të ankesave për shtyrjen e vuajtjes së dënimit, Gruevski u arratis nga vendi në drejtim të Hungarisë, që gjithashtu nuk vlerësohet si destinacion i rastësishëm, duke marrë parasysh lidhjet e tij që fuqishme me kryeministrin, hungarez, Viktor Orban.

Arratisja e Gruevskit, dyshime për përfshirjen e Mickovskit

Ekstradimi i Gruevskit nga Hungaria do të kërkohet përmes Ligjit për bashkëpunim juridik ndërkombëtar. Kjo pasi dy vendet nuk kanë marrëveshje për ekstradim. Pavarësisht kësaj, ende nuk dihet nëse Nikolla Gruevski vazhdon të qëndrojë në Hungari, apo ka vazhduar rrugën për të gjetur strehim në ndonjë shtet tjetër, raporton Alsat-M.

Përkundër tentimit të televizionit të Shkupit për të mësuar nëse Gruevski ka lëshuar Budapestin, autoritetet hungareze mbeten pa përgjigje.

Derisa Ministria e Brendshme heton mënyrën e arratisjes së Gruevskit dhe nëse i njëjti është ndihmuar nga pjesëtarë të policisë, LSDM-ja në pushtet dyshon se në organizimin e ikjes së Gruevskit ka pasur gisht edhe kryetari aktual i VMRO-DPMNE-së, Hrisjan Mickovski.

Vetë Mickoski në një emision debativ pati thënë se ka pasur takim me Nikolla Gruevskin në të cilin kanë diskutuar rreth ardhmërisë së Nikolla Gruevskit. Nga këtu kanë filluar dyshimet se ndoshta Hristjan Mickoski ka ndihmuar në organizimin e arratisjes së Gruevskit. Unë pres që përgjigje në pyetjen tuaj të jap vetë Mickoski i cili ditëve të fundit nuk po paraqitet në opinion”- theksoi Konstandin Konstadinov, deputet i LSDM-së.

Në paraqitjen e parë para publikut që pas arratisjes së Gruevskit, kreu i VMRO-së Mickovski nga Gostivari tha mbrëmë se nuk e mbështetë aktin e arratisjes por shtoi se Gruevski është viktimë e persekutimit politik.

Dua të apeloj deri tek kryeministri që të vetëdijesohet dhe seriozisht ta kuptojë gjendjen sepse mijëra jetë varen nga hapat e tij dhe për këtë jo që nuk e udhëheq shtetin në drejtimin e duhur, por është e gabueshme dhe do të duhet që shumë gjenerata ta drejtojnë atë”- tha Hristijan Mickovbski, kryetar i VMRO DPMNE-së.

Gruevski u arratis në kohën kur duhej të pranonte letrën e cila do e dërgonte në burg, për vuajtjen e dënimit 2 vjeçar, për blerjen e Mercedesit luksoz. Në Hungari ai arriti nëpërmjet Shqipërisë, Malit të Zi dhe Serbisë. Së fundmi kryeministri Zaev në emisionin  350 gradë në Alsat M u shpreh optimist se ish kryeministri Gruevski herët apo vonë do të kthehet në Maqedoni dhe do të vuajë dënimin.