VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

MANDATI I TRETË I PUTINIT TË VOGËL TË SHKUPIT – Nga SKËNDER BUÇPAPAJ

By | May 18, 2015

Komentet

(Video) Presidentja e Zvicrës Simonetta Sommaruga me rastin e Ditës Kombëtare nderon shqiptaro-zviceranen Xhemile Fetaji me mirënjohjen “Heroinë e përditshmërisë”

Voal.ch – Këtë vit 1 Gushti Festa Kombëtare e Zvicrës u kremtua në mënyrë të veçantë.

E megjithatë, nën rregullat që dikton situata pandemike e koronavirusit, u festua nëpër familje, rrethe shoqërore e komunat në të 26 kantonet.

Po ashtu Presence Swisse hapi një faqe online për diasporën zvicerane nëpër botë.

Fishkzjarret shkëlqyen qiellin helvetik prej natës të 31 korrikut deri pas mesnatën e 2 gushtit.

Presidentja e Zvicrës Simonetta Sommaruga për ta kremtuar këtë ditë me kaq rëndësi kombëtare zgjodhi një mënyrë shumë të veçantë.

Në Rütli, në vendin që quhet “djepi i Zvicrës” buzë Liqenit të Lucernës, atje ku çdo vit kremtohet festa zyrtarisht, për të patur të pranishme gjithë Konfederatën, zonja Sommaruga kishte ftuar për çdo kanton nga një grua dhe burrë që ishin dalluar për kontributin e tyre gjatë pandemisë. Po ashtu ishin të ftuar edhe 2 përfaqësues të “Zvicrës të Pestë”, sikur quhet diaspora zvicerane. Gjithësej 54 përfaqësues, të cilëve  zonja Sommaruga u ndau mirënjohjet për kontributin e tyre të çmuar në përballimin e krizës, duke i quajtur ata “Heronjtë e Përditshmërisë”.

Në fjalën e saj zonja Presidente nënvizoi faktin se “forca e Konfederatës është solidariteti”. Ajo përmendi me nderim ndihmën e qytetarëve të Zvicrës në mbështetje të më të dobtëve dhe të moshuarve  me qëllim përballimin e situatës të jashtëzakonshme, që jeta e vendit në kushte aspak normale të vijonte normalisht, duke filluar nga supermerkatot, farmacitë, mjetet e transportit publik, por jo vetëm. Në ato momente të vështira u dëshmua solidariteti zviceran i qytetarëve për të ndihmuar të moshuarit, duke u bërë blerje dhe u ardhur në ndihmë atyre që kishin vështirësi ekonomike.

“Sot dua të them faleminderit. Faleminderit atyre që bënë blerje për të moshuarit në lagjet e tyre, atyre që i shërbyen vendit tonë pavarësisht virusit, stafit në spitale, stafit të shitjeve, punonjësve të hekurudhave, drejtuesve të kamionëve, fshatarëve, punëtorëve në vendet e ndërtimit dhe stafit në shtëpitë e të moshuarve “: këto ishin fjalët e Simonetta Sommaruga në kremtimet zyrtare për 1 gusht. “2020 ishte viti i koronavirusit, tha ajo, “por shpresoj që të quhet edhe viti i solidaritetit”.

Ceremonia po për shkak të situatës korona zgjati vetëm 90 minuta dhe prania ishte shumë e kufizuar, gjithësej ishin 150 të pranishëm.

Midis të nderuarve ishte edhe shqiptaro-zvicerania Xhemile Fetaji, me origjinë nga Gostivari, e cila mori direkt nga Presidentja e Zvicrës mirënjohjen bashkë me nga një fidan molle, që do të mbjellen në kantonet ku jetojnë.

Xhemile Fetaji është dalluar për kontributin e saj shembullor gjatë pandemisë si shitëse në Migros. Xhemilja ka punuar në mënyrë të jashtëzakonshme gjatë periudhës të lockdown.  Xhemilja është shumë aktive në jetën sociale. Këtë vit kandidoi për parlamentare në zgjedhjet lokale të kantonit të saj.

Për voal.ch Xhemile Fetaji tha: “Dje ishte një ditë shumë speciale për mua. Nuk fjeta hiç natën e 31 korrikut kur u zbardh 1 Gushti. Aktiviteti kishte një organizim të përsosur. Nuk quhet kot Zvicër. Kur filloi ceremonia më prekën shumë fjalët e Presidentes, zonjës Sommaruga, kur na u drejtua dhe tha :” Ju me siguri e keni pyetur veten pse pikërisht unë jam e ftuar këtu!” Edhe unë kur më erdhi ftesa për Rütli i kisha bërë vetes të njëjtën pyetje: Përse unë. Sepse në Thurgau, kantonin ku jetoj unë, ka patur shumë njerëz që janë angazhuar kështu sikur unë. Zonja Sommaruga na falenderoi ne, 54 përfaqësuesave nga e gjithë Zvicra. Unë do të falenderoja Zonjën Sommaruga dhe Zvicrën, për shtetin demokratik që kemi.”

Voal.ch e uron për këtë nderim duke i uruar suksese të tjera./Elida Buçpapaj

 

 

Xhemile Fetaji, kandidate e SP për këshilltare kantonale në Thurgau në partin SP shpreson të fitojë Nga Hava Kurti Krasniqi

Paralajmërimi i OBSH-së: Masat shtesë të padiskutueshme, mbyllja mbetet zgjidhja finale

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka paralajmëruar se situata që po ndodh në vendet e Amerikës së Jugut dhe asaj Veriore, përfshirë Shtetet e Bashkuara, është një tregues i qartë se çfarë e pret botën në muajt në vijim.

“Të presësh që ne do ta shkatërrojmë këtë virus brenda pak muajve, nuk është realiste,” tha Majk Rajan, drejtor i programit për emergjencat mjekësore në OBSH.

“Të besosh gjithashtu se vaksina perfekte do të zhvillohet si me magji dhe të gjithë do të kenë akses ndaj saj, është po aq jo realiste,” shtoi ai.

Sipas Rajan, në vende të ndryshme ku përhapja e virusit ka dalë jashtë kontrollit, izolimi mund të jetë i nevojshëm dhe se autoritetet duhet të marrin masa shtesë, të rivendosin besimin tek populli, të komunikojnë dhe të ndërmarrin strategji të forta për të mbajtur situatën nën kontroll.

4 Gabime Që Përkeqësojnë Përhapjen e Koronavirusit

Karantina

Nëse dikush dyshon që është i infektuar nga COVID-19 ose ka simptoma si temperaturë, kollë dhe dhimbje fyti duhet të izolohet në karantinë që mos të infektojë të tjerët.

Izolimi duhet marrë seriozisht.

Të luash me jetën tënde dhe të tjetrit nuk është aspak shaka.

Ndaj mos bëni gabimin të anashkaloni rëndësinë e të treguarit kujdes dhe vigjilencë.

Teoritë Konspirative.

Rrjetet sociale po gëlojnë me informacione të rreme, duke cituar edhe burime jo zyrtare dhe teori konspirative që i hedhin benzinë zjarrit.

Nëse njerëzit besojnë gjithçka që lexojnë në internet, ata nuk do ta marrin sëmundjen seriozisht, do të besojnë se rakia e shëron atë, dhe do të rrezikojnë veten e të tjerët.

Jini skeptikë ndaj asaj që lexoni, zgjidhni burime të mira informacioni dhe ndiqni këshillën e autoriteteve zyrtare.

Mos harroni që Koronavirusi është një epidemi e re dhe asnjë prej nesh nuk është ekspert i fushës, aq më pak ata që besojnë se rakia është ilaçi që shëron çdo gjë.

Kurat Natyrale

Po, hudhra është e mirë për shëndetin. Po, ajo është e pasur me antioksidantë e vitamina, por Koronavirusi nuk do t’ia dijë për këto.

Deri tani NUK ka asnjë vaksinë që shëron Koronavirusin.

Përderisa nuk ka vaksinë, si mundet hudhra apo rakia apo vitamina C ta shërojnë atë?

A nuk do të ishte Organizata Botërore e Shëndetësisë që do të këshillonte e para kura të tilla natyrale?

Mungesa e Higjenës

Me higjenën nuk bën dot shaka.

Larja e duarve duhet të jetë mbi 20 sekonda por nuk duhet të zgjasë aq sa të numëroni ju shpejt e shpejt deri në 20.

Duart duhen larë me sapun dhe nuk duhet thjesht shpërlarë siç shohim rëndom.

Njerëzit që tështinë duhet të vendosin bërrylin përpara gojës dhe jo dorën.

Stërklat mbeten në duar, dora prek diçka tjetër e kësisoj përhapet sëmundja.

Antidisinfektantët duhet të kenë mbi 60% përmbajtje të alkolit.

Ekspertët thonë se mënyra më e mirë për të mundur virusin është të ndryshojmë mënyrën tonë të sjelljes dhe kjo nis me larjen e duarve.

Zvicra kremton 1 Gushtin, Ditën Kombëtare

Flamuri                                                              Stema

 

Zvicra (gjermanisht Schweiz; frëngjisht Suisse; italisht Svizzera; romançe Svizra), zyrtarisht Konfederata Zvicerane (gjer. Schweizerische Eidgenossenschaft: frëngj. Confédération suisse; ital. Confederazione Svizzera; rom. Confederaziun svizra) është një shtet pa dalje në det në Evropën Qendrore. Ajo kufizohet në veri me Gjermaninë, në lindje me Austrinë dhe Lihtenshtajnin, në jug me Italinë dhe në perëndim me Francën. Zvicra është e ndarë gjeografikisht midis Alpeve, Pllajës Zvicerane dhe Xhurës, që përfshin një sipërfaqe prej 41 285 km2. Ndërsa Alpet zënë pjesën më të madhe të territorit, popullsia zvicerane prej rreth 8 milionë banorësh është e përqendruar kryesisht në Pllajë, ku ndodhen qytetet më të mëdha. Midis tyre janë dy qendrat globale dhe ekonomike, Zyrihu dhe Gjeneva.

Konfederata Zvicerane është krijuar më 1 gusht 1291, që festohet çdo vit si Dita Kombëtare e Zvicrës. Vendi ka një histori të gjatë të neutralitetit ndaj luftrave. Zvicra nuk ka qenë në gjendje lufte ndërkombëtarisht që nga viti 1815 dhe nuk iu bashkua Kombeve të Bashkuara deri në vitin 2002. Megjithatë ajo ndjek një politikë të jashtme aktive dhe është e përfshirë shpesh në proceset për vendosjet e paqes nëpër botë. Zvicra është vendlindja e Kryqit të Kuq, dhe në të kanë selitë organizata të shumta ndërkombëtare, përfshirë edhe zyrën e dytë më të madhe të OKB-së. Në nivelin evropian, Zvicra është një anëtar themelues i Shoqatës Europiane të Tregtisë së Lirë dhe është pjesë e zonës Shengen, edhe pse nuk është anëtare e Bashkimit Europian dhe Zonës Ekonomike Europiane.

Zvicra ndodhet në kryqëzimin e Europës gjermanike dhe romane dhe përbëhet nga katër rajone kryesore gjuhësore dhe kulturore: gjermane, franceze, italiane dhe romanshe. Prandaj zviceranët, edhe pse mbizotërojnë gjermanisht-folësit, nuk formojnë një komb në kuptimin e një etnie të përbashkët apo gjuhës. Ndjenja e fortë e Zvicrës e identitetit dhe komunitetit është krijuar mbi një sfond të përbashkët historik, vlera të përbashkëta të tilla si, federalizmi dhe demokracia e drejtpërdrejtë dhe simbolizmi alpin.

Zvicra renditet lart në disa parametra të performancës kombëtare, duke përfshirë transparencën e qeverisë, liritë civile, konkurrencën ekonomike dhe zhvillimin njerëzor. Ajo ka pasurinë nominale për të rritur më të lartë në botë (pronësinë financiare dhe jo-financiare) sipas Crédit Suisse dhe është e teta për PBB për frymë në listën e FMN-së. Qytetarët zviceranë kanë jetëgjatësinë e dytë më të lartë në botë. Zyrihu dhe Gjeneva renditen ndër qytetet me cilësi më të lartë të jetës në botë.

 

 

Etimologjia

Emri Switzer (shqip: Zvicër) vjen nga dialekti gjerman alemanik Schwiizer, në origjinë një banor i Schwyz-it dhe territori i lidhur me të, një nga kantonet Waldstätten që formuan bërthamën e Konfederatës së Vjetër Zvicerane. Emri rrjedh si një eksonym, i aplikuar për trupat e Konfederatës. Zviceranët filluan ta përshtatin emrin për veten e tyre pas Luftës Svabiane të vitit 1499, e përdorur së bashku me termin për “Konfedratën”, Eidgenossen (fjalë për fjalë: shokë të betuar), e përdorur që nga shekulli i 14-të.

Emri latin Confoederatio Helvetica u neologjizua dhe u fut gradualisht pas formimit të shtetit federal në 1848, duke u paraqitur në monedha që prej 1879, i gdhendur në Pallatin Federal në 1902 dhe pas 1948 u përdorur në vulën zyrtare. Ky rrjedh nga emri i Helvetive, një fis gal që jetonte në pllajën zvicerane para epokës romake. Helvetia shfaqet si një personifikim kombëtar i Konfederatës Zvicerane në shekullin e 17, me një dramë të vitit 1672 nga Johann Caspar Weissenbach.

Historia

Lashtësia

Zviceranët nuk janë një popull etnik apo një popull me një fe, gjuhë apo diçka të ngjashme që është karakteristike për kombet, por zviceranët janë një popull që si element të përbashkët kanë rregullimin politik në favor të tri shumicave. Zvicra është një konfederatë kantonesh disa prej të cilëve kanë histori 700-vjeçare.

Në vitin 58 p. e. s. fisi keltik i helvetikëve u sundua nga Jul Çezari në pjesën qendrore dhe perëndimore të Zvicrës dhe iu bashkangjit Perandorisë Romake, në vitin 15 p. e. s. u përhap perandoria edhe në pjesët lindore dhe alpine të fisit të retëve. Pas ikjes së romakëve në fillim të shekullit V, Zvicra mund të ndahej në katër rajone:

pjesët anësore jugore alpine, që nga viti 568 i përkisnin hapësirës lombarde;
hapësira rete (identike me ipeshkvinë e Churit);
rajoni i pllajës nga liqeni i Bodenit deri në rrethin e lumit Aare si pjesë e Dukatit së Alemanisë;
pjesa perëndimore që i perkiste Mbretërisë së Burgundit.

Mesjeta

Në vitin 497 u sundua Alemania, në vitin 534 Burgundi, në vitin 539 Retia dhe në vitet 773/774 Lombardia nga Mbretëria Franke.

Dukati i Schwabenit u bë në shekujt XII/XIII në Perandorinë e Shenjtë Romake nga dinastia e Stauferve (1138 deri 1250) e rrëndësishme. Kështu në mesjetë, Zvicra i përkiste një kohë të gjatë kësaj perandorie. Por pushteti i perandorit nuk ndiheje fortë në këtë pjesë të perandorisë dhe kështu mund të formohejn vende të mëdha dhe të vegjël që mund të quheshin autonome.

Dhe kështu këto vënde, më saktë përfaqësuesit e tre kantoneve të Uri, Schwyz, Unterwalden, në vitin 1291 nënshkruan konfederatën, kështu që këto tre njësi administrative janë themelet e Zvicrës.

Në betejën në Morgarten në 15 nëntor të vitit 1315, Zvicra mundi armatën e Habsburgut dhe siguroi pavarësinë si Konfederata Zvicerane. Habsburgët i humbën deri në shekullin XV posedimet e tyre në Zvicër.

Në vitin 1353, tre kantonëve të para iu bashkangjitën kantoni i Glarusit dhe Zugit dhe qytetet shtete Lucerni, Zyrihu dhe Berna duke formuar “Tetë Vendet e Vjetra”. Dhe më vonë në vitin 1481, Frajburgu dhe Solloturni u bënë pjesë të konfederatës. Me anëtarësimin e Shafhauzenit, Baselit dhe Appenzellit u riemërua Konfederata në “Trembëdhjetë Vendet e Vjetra”.

Flamuri aktual i Zvicrës në mesjetë qe në përdorim afërsisht që nga viti 1500. Dhe poashtu në atë kohë banorët të asaj konfederate u quajtën për herë të parë Zvicerian – një emër që fillimisht u përdor vetëm për banuesit të Schwyzit në Zvicrën qendrore.

Reformimi dhe zgjerimi i shtetit

Reformimi protestant në shekullin XVI e ndau Zvicrën në aspektion fetar. Një pjesë e kantonëve me udhëheqjen e Zyrihut dhe me priftin e tij Huldrych Zwingli e kryej përtëritjen kishe, ndërsa kantonet në qendër të Zvicrës mbetën katolike.

Poashtu në atë shekull Kantoni Bern e sundoi vendin në brigjet e liqenit të Gjenevës. Por ky qe zgjerimi i fundit i madh i Zvicrës. Deri në vitin 1798, kufijtë e vendit nuk ndryshuan shumë.

Pas Luftës Tridhjetëvjeçare dhe Paqes Vestfale në vitin 1648, Zvicra mund të shkëputej përfundimisht dhe faktikisht nga Perandoria e Shenjtë Romake e Kombit Gjerman dhe u bë konfederatë e pavarur brenda botës shtetërore të Evropës.

Në vitin 1712 e fitojnë luftën protestantët kundër katolikëve dhe epërsia e kantonëve katolike mori fund përnjëherë.

Në shekullin XIX Zvicra është një nga vendet evropiane që përjeton zhvillimin industrial në ekonominë e saj dhe bëhet një nga shtetet më të industrializuara në kontinent. Absolutizmi epërson në shoqërinë zviceriane në atë kohë. Nga Gjeneva, Neuchâtel-i, Baseli dhe Zyrihu vijnë idetë të Iluminizmit.

Republika Helvetike dhe Kushtetuta Federale Zvicerane

Nga viti 1798 deri 1814 Zvicra është e zënë nga francezët në krye me Napoleon Bonaparte, që e prishi konfederatën e vjetër dhe e shpalli Republikën Helvetike. Por e cila nuk mbijetoi gjatë dhe pas humbjes së Napoleonit në luftën e tij kundër despotizmit evropian u shkatërrua përfundimisht. Pas 1814 Zvicra pushtohet njësoj si para 1798: despotizmi dhe absolutizmi i disa fisëve e përcaktoi politikën e brendshme.

Nga viti 1815 deri 1830 Zvicra zhvillohet ekonomikisht shumë shpejt, por kufijtë, doganat dhe monedhat e kantonëve i pengojnë shtetit shumë në zhvillimin e tij. Poashtu në vitin 1815 në Kongresin e Vjenës, Zvicrës i njohet “neutraliteti i përjetshëm”.

Në vitin 1847, luftohen kantonet katolike dhe liberale njëra-tjetrën për mosmarrveshjen e tyre në aspektin e pushtetit dhe sistemit politik. Liberalët kërkojnë një shtet me kushtetutë demokratike, por katolikët nuk e ndryshojnë mendimin e tyre dhe kërkojnë mbajtjen e sistemit e vjetër despotist. Fitoren e marrin liberalët dhe në vitin 1848 Kushtetuta Federale Zvicerane ngrihet në këmbë. Lufta si pasojë ka 130 persona të vdekur dhe 400 të plagosur. Është një nga luftat më të mëdha të Zvicrës. Zvicra për herë të parë është shtet federal me një demokraci përfaqësuese. Shteti i ri përbëhet nga 25 kantone dhe tre gjysmë-kantone dhe. Në vitin 1874, kushtetuta bën një revizion totale: e drejta e referendumit dhe elemente nga demokracia direkte hynë në fuqi. Në vitin 1891, i shtohet kushtetutës poashtu e drejta e iniciativës.

Në luftërat botërore Zvicra nuk merr pjesë, por organizata e Kryqit të Kuq (ide zviceriane) i ndihmon të plagosurit të luftës dhe e bën Zvicrën anëtare të luftës vetëm në aspektin human.

Gjeografia

Zvicra është e vendosur në sistemin e maleve të larta të alpeve. Shpesh në literaturën gjeografike përmendet si shtet alpin. Zvicra për një kohë të gjatë ka qenë e izoluar, larg rrugëve kryesore dhe bënte kufirin natyror ndërmjet shteteve të Evropës Qendrore dhe atyre të detit Mesdhe. Pozita ndërmjetësuese ka imponuar nevojën e një lidhjeje më të mirë me shtete fqinje. Parakushtet e mira të luginave të tërthorta dhe të qafave malore kanë qenë elemente të rëndësishme të vendosjes së një rrjeti të rrugëve përmes së cilave Zvicra hapet ndaj shteteve të zhvilluara të Evropës. Roli tranzit i saj shprehet në gjysmën e dytë të shekullit XIX, në kohën kur kushtet teknike të komunikacionit ndërrohen në saje të revolucionit industrial. Rrugët bashkëkohore e bëjnë Zvicrën prej një shteti të izoluar dhe të varfër të jetë nyje e shumë rrugëve që lidhin Evropën Mesdhetare me atë Atlantike dhe Evropën e Mesme.

Pozita qendrore e Zvicrës, e vendosur në rrugët e rëndësishme ndërkombëtare, periudha e gjatë e neutralitetit të saj, peizazhet e natyrës së Alpeve, luginat e thella të lumenjve, zona e përshtatshme e pllajës e kanë bërë që ajo të jetë atraktive dhe shumë tërheqëse në suaza botërore. Nuk është e rastësishme vendosja e shumë organizatave ndërkombëtare pikërisht në Zvicër. Organizata Ndërkombëtare E Kryqit të Kuq në Lozanë, Unioni Botërorë i Postave në Bernë, Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe e Punës në Gjenevë, bankat ndërkombëtare në Basel etj. janë vetëm disa nga funksionet që ajo kryen në suaza botërore.

Gjeografia e Zvicrës përfshin një larmi të madhe peizazhes dhe klimash në një zonë të kufizuar prej 41,285 kilometra katrorë, e cila shtrihet në të gjithë anën veriore dhe jugore të alpeve. Popullsia është rreth 8.1 milionë, gjë e cila rezulton në një dendësi popullsie mesatare rreth 195 njerëz për kilometër katror. Pjesa malore jugore e vendit është shumë më pak e populluar se gjysma veriore. Zvicra përmban tri zona kryesore topografike: alpet në jug, mesfushën qëndrore dhe malet Jura në veri. Alpet janë male të cilat shtrihen përgjatë pjesës jug-qëndrore të vendit, që përbën rreth 60% të sipërfaqes totale të vendit. Ndër luginat e larta të alpeve zvicerane gjenden shumë akullnaja, që arrijnë një sipërfaqe prej 1063 kilometra katrorë. Nga këto burojnë burimet e disa lumenjve të mëdhenj, të tilla si Rhein, Aare, Reuss, Inn, Ticino dhe Rhone, të cilat rrjedhin në katër drejtimet kryesore në të gjithë Evropën. Rrjeti hidrografik përfshin disa nga liqenet më të mëdha të ujërave të ëmbla në Evropën Perëndimore, ndër të cilat janë të përfshira liqeni i Gjenevës, liqeni i Bodenit dhe Liqeni Magjore. Zvicra ka më shumë se 1500 liqene, dhe përmban 6% të Evropës në ujë të freskët. Liqenet dhe akullnajat mbulojnë rreth 6% e territorit kombëtar.

Demografia

Numri i popullsisë së tashme është 8.1 milionë banorë nga të cilët 24% janë të huaj. Një pjesë e madhe të “të huajve” e përbëjnë edhe shqiptarët. Jeta mesetare e njeriut është 84.7 vjet për femra dhe 80.3 vjet për meshkuj (viti 2011). Gjuhët zyrtare janë gjermanishtja, frëngjishtja, italishtja dhe gjuha romançe. Katolikët e përbëjnë 38.2% të popullsisë, protestantët 26.9% dhe 21.4% janë jo-fetarë (viti 2012).

Politika

Sipas legjendës Zvicr është krijuar më 1 gusht 1291. Për këtë shkak 1 gushti është ditë kombëtare (dita e pavarësisë) e Zvicrës.

Në politikën e jashtme Zvicra ndjekë rrugën e politikës neutrale dhe për këtë merret edhe si shtet “neutral”. Në Kongresin e Vjenës më 1815, i garantohet neutraliteti i përhershëm. Është anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), Këshillit Evropian, EFTA-së, WTO-së, por jo edhe anëtare e Bashkësisë së Evropës (BE).

Inicialet e shtetit janë: “CH”, që nënkuptojnë shkronjat e para të emrit latinisht Confœderatio Helvetica.

Njësitë territoriale

Konfederata zvicerane përbëhet nga 20 kantone dhe 6 gjysmë-kantone:

*Këto kantone njihen si gjysmë-kantone dhe përfaqësohen vetëm me një këshilltar (jo dy këshilltarë) në Këshillin e Shteteve Zvicerane.

Kantonet kanë një status të përhershëm kushtetues dhe në krahasim me situatën në vendet e tjera, një shkallë të lartë pavarësie. Sipas Kushtetutës Federative, të gjitha 26 kantonet janë të barabartë në status. Secili kanton ka Kushtetutën e tij dhe parlamentin, qeverinë dhe gjykatat e tij. Megjithatë, ekzistojnë dallime të konsiderueshme midis kantoneve të veçanta, veçanërisht në aspektin e popullsisë dhe zonës gjeografike. Popullsitë e tyre ndryshojnë midis 15.000 (Appenzell Innerrhoden) dhe 1.253.500 (Zyrih), dhe sipërfaqet e tyre midis 37 km² (Basel-Stadt) dhe 7.105 km² (Graubünden). Kantonet përfshijnë një total prej 2485 komunat. Brenda Zvicrës ka dy enklava: Büsingen që i takon Gjermanisë, Campione d’Italia që i takon Italisë.
Ekonomia[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Zvicra ballafaqohet me shumë probleme, në radhë të parë me mungesën e lëndëve të para për industri, me kushte jo të favorshme natyrore në të cilin relievi malor përfshin 2/3 e sipërfaqes së shtetit me klimë të ashpër dhe me dendësi të vogël të popullsisë, sidomos në kompleksin malor të Alpeve. Edhe pse Zvicra ka kushte të kufizuara të zhvillimit ekonomik, ajo për të ardhurat nacionale të përgjithshme për kokë të banorit, me 44.350 dollarë, është pas Luksemburgut në vendin e dytë në botë. Është befasuese fakti se si ka arritur një zhvillim të tillë në një ambient jo aq të volitshëm. Pa dyshim, faktorët shoqërorë janë ata më esencialë të cilët kanë ndikuar në transformimin e rrethit gjeografik. Nëpërmjet kuadrit kualifikues të punëtorëve Zvicra ka mundur të zhvilloi industrinë precize që nuk ka pretendime të mëdha në lëndët e para. Me ndërtimin e rrugëve, tuneleve, urave, hoteleve, vendet për pushime rekreacion, çdo pjesë e saj, pa marrë parasysh lartësinë, mund të vizitohet.

Turizmi dhe roli transit i saj janë dy shtylla të rëndësishme të ekonomisë. Intensifikimi i ka gjetur mbështetje në potencialin energjetik të shfrytëzuar prej lumenjve. Mirëpo, për një zhvillim kontinuel të ekonomisë pa dyshim ka influencuar statusi i saj neutral prej vitit 1815. E kursyer prej shkatërrimeve të dy luftërave botërore, papasur për pasojë fuqinë tërheqëse të kapitalit të jashtëm, i cili ka kërkuar siguri në investimet e veta.

Bazën ekonomike e bën industria e cila karakterizohet për konceptimin e kapitalit sipas degëve. Kështu, në industrinë e aluminit është monopoli Alusisse, në industrinë e makinave – Orlikon, në industrinë ë orëve – Longine dhe Omega, etj. Vlera e prodhimtarisë industriale është dyfishuar në periudhën e fundit, sidomos zhvillim më intensiv kanë shënuar industria kimike, e makinerisë, e orëve dhe elektronika. (Wikipedia)

2020 – VITI I AT GJERGJ FISHTËS – PROFESOR ULLMAR QVICK shkruen për Fishtën. Përgatiti Fritz RADOVANI

2020 – VITI I AT GJERGJ FISHTËS – PROFESOR ULLMAR QVICK shkruan për Fishtën. Përgatiti Fritz RADOVANI

PROFESOR ULLMAR QVICK shkruen për Fishtën:

Sivjet kanë kaluar 80 vjet nga vdekja e poetit kombëtar shqiptar Gjergj Fishta. Zgjodha dhe përktheva suedisht një prej poezive të tij më të njohura:

Kujtim Spahivogli, jeta tragjike e gjigandit të madh të skenës shqiptare shembur nga diktatura – Bisedë me Luljeta Minarolli Hana Nga Elida Buçpapaj

Portret i gjigandit të skenës shqiptare dhe tek fotoja bashkëngjitur Luli, Ani dhe Timi tek obelisku i Muntaz Dhramit kushtuar Kujtim Spahivoglit

 

E dashur Luli, ti je mbesa e Kujtim Spahivoglit, vajza e motrës, pra je një njeri shumë i afērt.

Luljeta Minarolli: Po, është e vërtetë, kam qenë shumë e afërt dhe shumë e lidhur me dajën tim. Fillimisht ne jetonim në të njëjtën shtëpi, pasi prindërit e mi, kur u martuan, nuk ishin sistemuar ende me banesë dhe u strehuan tek gjyshja. Daja ishte me studime në Moskë, por natyrisht, kur vinte me pushime në shtëpi kimia me mbesën e vogël ishte shumë e madhe dhe e tillë mbeti deri kur ai u largua nga kjo jetë. Ka qenë shumë i pranishëm në jetën time, kurdoherë. Shumë koncepte për jetën, për mënyrën e sjelljes, për përballimin e vështirësive , madje edhe shumë vendime që kam marrë në jetë ia dedikoj këshillave të tij.

Pra ke pasur një lidhje shumë të veçantë me dajën, që në vetvete kishte një emër të madh, ishte Kujtim Spahivogli.

Luljeta Minarolli:  Unë kam qenë mbesa e parë, dhe thonë që i pari ka privilegjet e gjyshërve, dajave, xhajave, hallave e tezeve. Fatmirësisht i kam pasur këto privilegje sepse kam qenë e para edhe nga ana e mamit, edhe nga e babit. Por Tani ishte djali i parë dhe ai gjithashtu ishte i privilegjuari. Nga ana e mamit ai mbeti i vetmi nip, pra kishte dy herë privilegj. Për gjyshen ishte i veçanti.

Tek familja e mamit ishin gjyshja dhe tre fëmijët e saj. Daja i madh, u martua shpejt, u bë me familjen e tij dhe me fëmije, por edhe jetoi edhe shumë kohë në Sazan. Ishte inxhinier nëndetëseje. Natyrisht dashuria ishte e madhe, por lidhja shpirtërore ishte jo si me Kujtimin edhe për faktin se e zgjati shumë beqarinë. Unë kam qenë 19 vjeç kur daja u bë me vajzë, me Anin.

Për rrethanat e jetës, ai e vazhdoi lidhjen e ngushtë me familjen tonë deri në fund.. Si i thonë: “Në të mirë dhe në të keq, dera e motrës është e hapur” dhe Kujtimi gjente gjithmonë dashuri, jo vetëm tek mami unë edhe Tani, që kishim lidhje gjaku, por edhe tek babi dhe farefisi i tij.

Në shtëpinë tonë kishte gjithmonë njerëz, shoqëri, farefis dhe Kujtimi e ndjente veten të rrethuar me dashuri, Atij i pëlqente zhurma njerëzore, e përfshinte brenda dhe e vinte në qendër të saj për aftësitë komunikuese që kishte.

Le ta fillojme këtë nga fëmijëria e Kujtimit, familja ku lindi dhe u rrit Kujtimi si dhe diçka edhe për rrethin familjar.

Luljeta Minarolli: Prindërit e mamasë sime, pra edhe të Kujtimit e Skënderit vinin nga një familje qytetare prej Elbasani. Gjyshi u rrit jetim, kurse gjyshja ishte një bijë nga familja Narazani, shumë e njohur në Elbasan.. Gjyshi ka punuar në administratën financiare dhe megjithëse shumë ri, ngjiti shkallët e hierarkisë financiare me shpejtësi. Në qershor 1934, transferohet me punë në ministrinë e financave dhe vendoset përfundimisht me familjen në Tiranë ku ble një shtëpi në rrugën Hoxha Tasin.

Kujtimi e ka vendlindjen në Lushnjë pasi ishin i transferuar familjarisht atje ku i ati punonte si n/drejtor i financave të qarkut.

Gjyshi vdiq në moshë te re, 40 vjeç dhe gjyshes iu desh të përballonte e vetme rritjen dhe edukimin e tre fëmijëve që mbetën jetimë të mitur. Ajo ishte një grua e fortë, autoritare, shumë e zgjuar dhe arriti t’i shkollojë të tre fëmijët e saj. Edhe kur ishin të rritur fjala e “momës” ishte ligj për ta.

Një herë e pyeta dajë Kujtimin që kishte natyrë rebele: “Si ka mundësi, që fjala e nanës ( kështu e quaja unë) është ligj për ju? Mirë mami dhe dajë Skënderi që janë të butë, po ti që je zjarr?” “Na ka mbetur që në vogëli- u përgjigj ai- që të na mbante lidhur me njeri-tjetrin , të kujdesshëm, sepse i duhej të punonte. Nga një herë dilte nga shtëpia dhe na thoshte se do të kthehej kur të bëheshim të mirë dhe të mos grindeshim me njeri tjetrin. Ne – tregonte daja- e mendonim se e ajo e kishte me tërë mend dhe betoheshim të tre se do ta dëgjonim momën, do të bëheshim të mirë dhe nuk do grindemi me njeri-tjetrin. Kjo na edukoi dhe na shoqëroi gjithë jetën”.

Familja e Kujtim Spahivoglit, Nëna, Babai, dhe tre fëmijët, Dhurata, Kujtimi dhe Skënderi

Kam lexuar se shtëpia e familjes të Kujtimit ishte bazë e luftës ?

Luljeta Minarolli: Që kur filluan të depërtonin idetë komuniste, gjyshja i pëlqente ato. Si një grua e ve, me tre fëmijë të vegjël dhe me shumë vështirësi për rritjen e tyre, i dukej se do të vinte një epokë e re që do të zgjidhte dhe hallet e saj. Propaganda dehu edhe njerëz që jetonin më mirë se gjyshja ime me tre jetimë.

Me fillimin e luftës, në shtëpinë e gjyshes mblidheshin të rinj dhe ilegalë dhe zhvillonin mbledhje. Idealizmi i saj, pa qenë kurrë anëtare partie, ndikoi erdhe tek Skënderi dhe Kujtimi. Ata filluan që në moshën 10-12 vjeçare të merreshin me pune të vogla të lëvizjes. Në 1944 dolën partizanë dhe mbanin armë, daja i madh 14 vjeç, Kujtimi, i vogli 12.

Pas çlirimit në shtëpinë gjyshes u vendos një pllakë ku shkruhej se kjo shtëpi kishte qenë bazë e Luftës.

Çlirimi e gjen Kujtimin 12 vjeçar. Fillon faza e shkollimit të tij. Vokacionin për teatrin kur kishte filluar ta shfaqte. A mund të na e tregosh me hollësi?

Luljeta Minarolli:  Pas Çlirimit, Kujtimi ndoqi shkollën fillore Hasan Prishtina, sot Kongresi i Lushnjës.  Në 1945, ai u regjistrua në shkollën teknike, por mendjen e kishte tek teatri. Fshehurazi bënte plastikë përpara pasqyrës në dhomën e tij dhe mbyllej me çelës. Gjyshja e tij nga nena, që shpesh vinte të banonte tek e bija, u bë kurioze, vë syrin në vrimën e çelësit dhe sheh se ç’bënte. Vrapon duke bërtitur nëpër shtëpi: “Qyqja m’u çmend çuni, flet me vete dhe shtrembëron fytyrën!!!  Por nuk e pranuan në Teatër, sepse nuk kishte përvojën e duhur. Ai e la shkollën teknike në vitin e dytë dhe u regjistrua ne Liceun Artistik “Jordan Misja”, që çel për herë të parë në 1946. Atje jepnin mësim profesionistë të atëhershëm të artit skenik. Si i pasionuar pas teatrit dhe regjisë që në rininë e hershme, ai filloi të bëjë shfaqje në oborrin e shtëpisë, nëpër fshatra, së bashku me djemtë e lagjes. Në 1951 niset për studime në Moskë.

Kujtimi adoleshent

Më 1958 Kujtim Spahivogli diplomohet ne Institutin e Lartë të Artit ne Moskë, cili është angazhimi i tij kur kthehet ne atdhe?

Luljeta Minarolli:  Në 1956, punoi për Diplomën në Institutin Teatror të Moskës “GITIS”  me temë vënien në skenë të pjesës “I çuditshmi”, të dramaturgut turk Nazim Hikmet, të cilën e realizoi në Teatrin e Tiranës, me aktorët Sandër Prosi, Ndrek Shkiezi, Drita Pelingu, etj. Kjo shfaqje, ku spikati regjia ndryshe, u cilësua si risi regjisoriale dhe bëri bujë në Tiranën e asaj kohe.  Këtë punë diplome, pedagogët e tij rusë e vlerësuan shkëlqyeshëm. Një vit më vonë luan rolin e Xherxhinskit tek ‘orët e Kremlinit”, edhe ky një sukses tjetër, për plastikën aktoriale.

Por ky sukses i tij nuk u prit mirë nga partia. Kur Kujtimi u paraqit tek Ministri i Arsimit dhe Kulturës së asaj kohe, Ramiz Alia, për të marrë emërimin e punës, ky i komunikoi se duhej të shkonte në Korçë sepse ishte caktuar atje. Kujtimi refuzoi, sepse vuante nga një azëm e vjetër kronike, kishte nënën vetëm, dhe të vëllanë që shërbente si inxhinier nëndetëseje në Sazan. Ramiz Alia nuk i përfilli arsyet. Kujtimi nuk shkoi në Korçë. Drejtori i Teatrit asaj kohe Xhemal Broja e përkrahu shumë, edhe aktorët e atëhershëm gjithashtu, i ndenjën afër dhe ai u aktivizua me role të ndryshme dhe regji të pjesëve, duke u paguar me honorarë, jashtë borderosë.

Kujtim Spahivogli pati një sukses të jashtëzakonshem si aktor, autor, regjisor dhe pedagog. Kush ka parë rolet e interpretuara prej tij ka mbetur i mahnitur, po ashtu edhe regjite, per te mos lene pa nēnvizuar rolin si pedagog, krijues i Teatrit të Rinisë. Ishte poet dhe deklamonte poezi mrekullisht. Ishte nje talent dhe potencial i madh. Perse partia e futi menjëherë ne rreth te zi. Ai nuk merrej me politike veç me art?

Luljeta Minarolli: E sigurt që armik nuk ishte, por duke iu kthyer së shkuarës mendoj se ishte një xhelozi profesionale, e mbështetur nga persona politikë me pushtet të fuqishëm, e përforcuar edhe nga qëndrimi krenar dhe i patjetërsueshëm i Kujtimit. E ç’ishte jeta e një njeriu në atë sistem, ta merrnin i dhe nuk i dridhej dora askujt! Sa raste njohim, sa shembuj boton edhe ti. Daja gjithmonë thoshte se në të gjithë këtë kishte dorë Ramiz Alia. Dikur kishin qenë fqinjë, në një rrugicë.

A i ke ndjekur shfaqet e dajës, që ishte nje aktor dhe regjisor aq i shquar por që ne moshën 40 vjeçare regjimi komunist ia shkaterroi jetën.

Luljeta Minarolli:  Nuk mund te pretendoj se kam ndjekur të gjitha shfaqjet.  Në 1958 u shfaq premiera e pjesës “Majlinda”. Si autor ishte Xhemal Broja dhe regjia nga Zina Andri. Kujtimi kishte rolin kryesor, Agronin,ishte një dramë familjare. Duke banuar në të njëjtën shtëpi, për herë të parë më mori tek kjo shfaqje. Isha rreth 5 vjeç, por më ka mbetur gdhendur rruga kur po shkonim në teatër, daja më shtrëngonte dorën fort dhe e bëmë në këmbë, ndaluam tek fillimi i rrugës dhe morëm edhe Ora Pelingun, vajzën e Drita Pelingut, që ishte një vit më e madhe se unë. Ajo luante rolin e fëmijës në dramë.

Edhe një rast tjetër. Isha gjashte vjeç e gjysmë, përgatitesha për t’u futur në klasën e parë. Përsëri më kishte marë me vete, por përpara se të shkonim në teatër ndaluam tek Dyqani i Pionierit dhe më bleu çantën e klasës së parë.

Në vogëli nuk me kujtohen shfaqjet e tjera, por daja me merrte me vete dhe më vinte në lozhën e projektorëve në katin e trete. Aty ishte edhe sufleri.

Nuk numërohen titujt. Në Teatrin Popullor ai vuri dhe luajti afërsisht 25 pjesë, pa përmendur shfaqjet me studentët. Asnjëra nuk ngjasonte me tjetrën, zgjidhja regjisoriale gjithmonë ishte e ndryshme. Vetëm në vitet ’60-‘70 ai vuri në skenë 19 shfaqje duke luajtur edhe role në to. Ai u lartësua shumë lart si personalitet në fushën e artit skenik

Veç kësaj, me hapjen kursit të parë të artit dramatik 1959 Kujtimit iu shtua ngarkesa, ishte ndër pedagogët kryesorë. Në 1960 arti dramatik kaloi në ndërtesën që është sot dhe krijohet Instituti i Lartë i Arteve Kujtimi u caktua dekan detyrë që e la pas 2 vitesh me pretekstin se kishte shumë burokraci. Ai ishte i lidhur vetëm me skenën. Vetëm në vitet ’60- ‘62 ai vuri në skenë 4 drama.

Luli në ditën e parë të klasës të parë me dajën e saj, të madhin Kujtim Spahivogli

 

 

Cili rol i tij të ka mbetur në mendje?

Nuk mund të veçoj ndonjë rol, pasi kur aktronte unë isha e vogël për të veçuar ndonjë rol, nuk kisha shije artistike, shikoja vetëm dajën. Kur fillova të kuptoj ai merrej kryesisht me regji dhe rrallë luante ndonjë rol episodik. Fillova t’i kuptoj më e rritur, 12- 13 vjeç e lart. Mbaj mend “Ngjarje në fabrikë”, “Drita” e Mimika Lucës e shume të tjera. Kishte përfunduar koha kur viheshin pjesë të huaja. Në mesin e viteve ’60 ishte ndikimi i revolucionit kinez.

Me ka pëlqyer shumë “Karnavalet e Korçës”, vënë me trupën teatrore të Shkupit, 1972. U shfaq edhe në Tiranë. Risi regjisoriale! “Një shok i klasës sonë”, shfaqur ne teatrin e Rinise, në Institutin e Arteve. Luante edhe e madhja Vaçe Zela. ( Shkruar nga vetë Kujtim Spahivogli). Dramën “Banja” e Majakovskit e kam parë në prova gjenerale në Institutin e Larte të Arteve. Kjo shfaqje u ndalua, nuk u shfaq për publik. Kam shijuar shumë rolin e Selimit tek filmi artistik “Familja e peshkatarit”. Edhe tashti kur e shoh me pëlqen loja e tij. Më kujtohet, premiera u shfaq tek kinema Republika. Unë isha me gjyshen, mamin, Tanin. Më kujtohet që gjyshja e përjetoi shumë keq fundin e filmit, kur personazhi i Selimit vritet..

Sipas një shkrimi të botuar me të dhëna nga Dosja e tij del se zanafilla e kalvarit mban datën e gushtit 1972, pra përpara Festivalit të 11-të, me një karakteristikë të nxirë që gjendej në degën e kuadrit të Komitetit të Partise të Tiranës firmosur nga sekretari i partise i organizatës bazë me inicialet S.B. A e keni parasysh se kush e drejtonte atë kohë Komitetin e Partisë të Tiranës, kush eshte S.B., a kujtoni diçka nga viti 1972 që ka lidhje me dajën tuaj, aktorin dhe regjisorin e shquar Kujtim Spahivogli?

Luljeta Minarolli: Ndoshta këto të dhëna kanë dalë tashti, pasi janë hapur dosjet.. Kujtimin mund ta kenë survejuar, por ai në asnjë rast nuk ishe armik. Çdo gjë mund të jetë e vërtetë, por ishte nën rrogoz sepse deri në 1972 nuk ishte ndjerë asgjë. Në prill të 1972 lindi Ani, familja ishte shume e lumtur. Unë shkoja shpesh sepse kishte ardhur një vajzë e vogël ne shtepi. Çdo gjë ecte normalisht.  Në vjeshtën e vonë të 1973 filloi lufta kundër liberalizmit. Që aty nisin edhe mbledhjet në Institutin e Arteve kundër Kujtimit dhe përfundojnë në Plenumin e 4, kur Enver Hoxha e quan mbartës të liberalizmit. Datat nuk i di me saktësi.

Pas Festivalit të 11-të nisi kalvari per Kujtim Spahivoglin, pasi e shohin si bashkëunetor me Todi Lubonjën dhe Fadil Paçramin. Në nje mbledhje te organizatës bazë te partisë të Institutit të Lartë të Arteve të firmosur nga sekretari me inicialet Xh.S., propozohet që Kujtim Spahivogli të shkarkohet nga detyra e shefit të katedrës dhe propozohet t’i jepet vërejtje me shënim në kartën e regjistrimit e të dergohet dy vjet për riedukim në një teatër në rrethe, por Komiteti i Partisë i Tiranës vendosi që ai të shkonte për riedukim si punëtor bonifikimi në Fier. A e kujton atë periudhë, pasi që keni qenë tepër e re. Kush ishte në krye të Komitetit të Partisë asaj kohe?  Kujtim Spahivoglit i ishte përgatitur largimi prej një viti më parë.

Luljeta Minarolli: Të gjitha këto dihen janë të shkruara dhe të rishkruara, në një intervistë një ish-student, thotë se Kujtimi ishte naiv. Jo, kjo nuk është fare e vërtetë. Kujtimi ishte i drejtë, i ndershëm, i njihte të poshtrit, i përbuzte hapur, madje edhe me fjalë, por nuk mendonte se do bëhej pre e tyre. E konsideronte veten te paprekshëm, shumë i talentuar, shumë i përkushtuar profesionalisht, kishte vetëm suksese, ishte anëtar partie, politikisht i përfocuar, pra nuk mund ta ngiste asnjeri.

Gjithmonë besonte se do vinte dita që ai do rikthehej. Besonte në madhështinë e vet. Një herë më tha: “Të gjithë këta, një ditë do të krenohen që më kanë pasur “të njohur”.
Dhe u vërtetua profecia e tij..

Nga një intervistë e bashkëshortes Vllosava Musta mësohet se ajo shkoi nē KQPPSH të kērkonte ndihmë për Kujtimin, por Sevo Tarifa, sekretari i Enver Hoxhes e priti me këmbët e para dhe i tha se Kujtimin e priste arrestimi. Gjyshja juaj që kishte dhënë aq shumë për lëvizjen antifashiste a trokiti në ndonjë derë?

Luljeta Minarolli: Po është e vërtetë. Ky ishte opinion i përgjithshëm se ”Kujtimin do ta burgosin!”. Edhe ndodhte atëherë! Sevo Tarifa e njihte mirë familjen e Kujtimit. Kishte punuar me gjyshen gjatë luftës.
Gjyshja, grua e zgjuar, aktiviste, e fortë, sikur u shastis nga e gjithë kjo, rrinte me një stol ulur tek dera e shtëpisë në rrugën Hoxha Tasin dhe ndoshta me heshtjen e saj bluante atë që kishte ndodhur. Kurrë nuk e kisha dëgjuar të fliste për atë që ndodhi, veç për ankesa ekonomike.

Sa zgjati periudha e riedukimit e Kujtimit, vetëm si punëtor bonifikimi në Fier punoi apo punoi edhe tjetër kund. Gjatë kohës të dënimit a vinte në Tirane të takohej me vajzën, nënën dhe ju?

Luljeta Minarolli:  Kur e dënuan për “liberalizëm”, “faji” i Kujtimit ishte se nuk kishte plotësuar regjistrat. Dënimi ishte të vihej në dispozicion të Teatrit Popullor. Kur vajti të marrë në Komitet fletën e punës, i thanë se nuk ka vend ne Teatrin Popullor, por do të shkosh në dispozicion të Teatrit te Fierit. As atje nuk e pranuan dhe i thanë do shkosh për riedukim, në shkresë shkruhej për pesë vjet

Zakonisht vinte në Tiranë çdo dy javë, por ndonjëherë edhe çdo javë. Vinte tek ne, sillte rrobat që ia lante mami. Mami shkonte merrte edhe Anin e ia çonte në shtëpi. Kur Ani u u bë 7-8 vjeç, daja e merrte vetë.
Pasi kreu “riedukimin” për 5 vjet dhe nuk kishte ndonjë shenjë që do ta rehabilitonin, Kujtimi e kuptoi se do ta linin përgjithmonëë atje, braktisi punën dhe u kthye në Tiranë.. Gjithmonë besonte se do ta rikthenin ne Teatër.

Kam lexuar shumë për Kujtimin, kudo kam vënë re se atë e deshi i madh dhe i vogël. Kolegët, artdashësit, punetoret kur ishte i denuar – si e shpjegon gjithe kete simpati e respekt për të si një “mit”.

Luljeta Minarolli: Kujtimi ishte kolos si artist dhe shumë njerëzor në jetën e përditshme. Atë e gjeje me mekanikë, punëtorë, njerëz të thjeshtë dhe po ta shihje nuk e mendoje që ky është ai njeriu i madh. Kur punonte për “t’u riedukuar”, njerëzit e thjeshtë me të cilët rrinte e pyesnin:”Pse të kane dënuar ty Kujtimo, ti je rob zoti”. Dhe daja merrte shume gëzim nga dashuria e këtyre njerëzve që kanë qenë miqtë e vërtetë të tij.

Në vitin 2014 u përurua një relief me fytyrën e Kujtimit, punuar nga Mumtaz Dhrami, vendosur në afërsi të urës së Mbrostarit, buzë rrugës për Fier. Me këtë rast, një banor i zonës, dikur punëtor me të si hekurkthyes, që kishte hapur një lokal, shtroi një drekë të madhe për të gjithë të pranishmit, duke quajtur Kujtimin mikun e tij të madh.

Prej 1978 deri 1983, Kujtimi u kthye në Tiranë por ishte pa punë. Ku rrinte? Gjyshja jetonte? E kujton atë kohë? Si mund të lihej pa punë një artist sikur ai?
Luljeta Minarolli:  Ajo ishte koha kur ai ishte pranë nesh më shumë se kurrë. Jetonte me gjyshen në shtepinë në rrugën Hoxha Tasin. Kujtimi pati shumë miq e shokë që nuk iu ndanë për asnjë çast. Më i rëndësishmi prej tyre ishte Ferdinand Radi. Aq e madhe ishte dashuria sa edhe vajzës të parë Ferdinandi ia vuri emrin Andeta, sikur e ka emrin edhe vajza e Kujtimit dhe Vllasovës, që unë e kam si motrën time.

Kujtimi gjente qetësi në familjen e tij. Vinte tek ne me dy pasta në dorë, aq kishte mundësi, dhe kur ngrihej për të ikur thoshte se po i çonte tek Nandi. Një gjest mirënjohjeje e një njeriu që jetonte vetëm me pensionin e së ëmës. Sado përpiqej familja ime t’i jepte diçka, por nuk mund të mbahej gjatë. Ai kishte dhe shumë miq që përpiqeshin ta ndihmonin, por ishte shumë krenar, nuk pranonte. Një herë ishim tek një pastiçeri tek Pazari i Ri. Kujtimi kishte marrë diçka për të pirë. Një dashamirës, i thotë banakieres: “Mos i merr lekë Kujtimit, e ka nga unë”, daja u kthye dhe i tha se “Kujtim Spahivogli, nuk i shtrin dorën askuj”. Edhe kur vinte tek ne në kohën e drekës, mami shtonte edhe një pjatë, kurrë nuk pranonte që mund të mos kishte ngrënë: ”Kam ngrënë, por po e marr që mos ta prish qejfin”.

Dy vitet e fundit i kaloi i metodist ne shtëpinë e kulturës në fshatin e Bërzhitës në rrethin e Tiranës. 15 vjet tortura, largimi nga teatri dhe instituti i arteve, denimi si punetor ne fshatrat e Fierit, shkaterrimi i familjes deri sa dha frymën e fundit në moshën 55 vjeçare duke mos pasur asnjë faj. E kujton atë ditë korriku te vitit 1987?

Luljeta Minarolli: Mami im në tetor të vitit 1985 u operua dhe e diagnostikua me kancer. Atë ditë, ndërkohe që prisnim të dilte mami nga salla e operacionit, Kujtimi nuk po dukej. U shqetësuam. Pas operacionit unë vajta në shtëpi, duhej të përgatitesha të rrija natën me mamin. Ndërkohë bije zilja e telefonit dhe një zë më thotë: “Familje e Kujtim Spahivoglit? Flasim nga spitali, Kujtimit i ka renë infarkt.” U nis në spital dhe daja tjetër.

Ditën që ndërroi jetë Kujtimi, unë isha me nxënësit tek liqeni në kamp veror, organizoheshin në atë kohë. Atje vijnë një grup aktorësh dhe më thonë se duhet të vish, Kujtimi eshtë shumë keq. Nuk di si më kishin gjetur, por mbaj mend vetëm Xhemil Taganin. Kur erdhëm tek ish- kinema Partizani, ata më thane se duhej të shkoja të vishesha në shtëpi. E kuptova që nuk jetonte më. Një vit e gjysmë më parë kisha humbur mamin, në moshën 52 vjeçare.

Kur shkuam tek shtëpia e dajës, në fund të Tiranës së Re, sapo ishte larguar mjeku që kishte konstatuar vdekjen. Kujtimi dergjej në toke dhe në dorë mbante ilaçet e zemrës.

E kishte gjetur ashtu Ani, vajza 15- vjeçare. Ai nuk iku, e vrau regjimi. Ishte shumë krenar për të shprehur dhimbjen, por zemra nuk ia duroi. Dhe ishte vetem 55 vjeç.

 

Çfarë u bë me shtëpine e gjyshes, ku lindën dhe u rriten tre fëmijet, Kujtimi me vellain dhe motrën, zysh Dhuratën, mamanë tuaj, që ishte baze e levizjes antifashiste në rrugën Hoxha Tahsin. Kush jeton aty tani?

Luljeta Minarolli:  Në 1982, kur Kujtimi ishte ende i papunë, pa ndonjë vendim Komiteti, pa asnjë copë letër, vjen njëë person që merrej me lagjen dhe lajmëron se shtëpia do të prishej. Ishte një tragjedi e vërtetë. Erdhi kamioni mori gjyshen time dhe e çuan në një apartament të vogël, atje ku u gjet pa jete Kujtimi. Aq i madh ishte hidhërimi i gjyshes sa humbi mendjen dhe ndërroi jetë pak muaj me vonë, në mars 1983.

Kujtimi që nuk e pranonte dot prishjen e shtëpisë, për ditë me rradhë flinte në renojat e saj, tragjedi. Në 1988, në atë truall filloi ndërtimi i një pallati nga punonjës të Uzinës së autotraktorëve. Tre vjet më parë ne morëm një kompensim për truallin,

Kam dëgjuar se aq respekt dhe simpati gëzonte Kujtim Spahivogli sa ditën e varrimit, Teatri anulloi shfaqjen, po keshtu edhe estrada dhe cirku, a mori shumë pengje me vete Artisti i madh?
Luljeta Minarolli:  Ajo ishte një ditë shumë e trishtuar, mbushur me emocion dhe dhimbje dhe une nuk i mbaj mend keto hollësi. Di vetëm qe ishte një varrim madhështor, nuk kisha pare ndonjëherë aq shume njerëz. Gjatë 7 ditve, siç ishte zakoni, aty pashe te vinin njerëz tufa tufa, SI DUKET VDEKJA E KUJTIMIT UA KISHTE VRARË FRIKËN

Kujtimit ia shembën të gjitha karierën, ëndërrrat, familjen dhe në fund jetën. A mund të jenë indiferent shqiptarët me mijëra e mijëra jetë të shkatërruara nga regjimi mizor?

Luljeta Minarolli: Daja u bë tjetër njëri kur u martua. Nga një beqar moskokëçarës, që gjente çdo gje gati, filloi të merrej me probleme që ka njeriu në familje. Një herë gatoi Sova (Vllasova)  byrek dhe ky, që nuk dinte ku ishte furra, e mori tepsinë dhe me shaka bërtiste nëpër lagje se sa e veshtirë ishte të ishe burrë i martuar se duhej të çoje edhe byrekun në furrë.  Kishte shume humor dhe nuk e kuptoje nëse mërzitej ndonjëherë apo jo. Jeta e një artisti të madh, e një fenomeni, e një njeriu të gjitha shkuar dëm, vrarë nga regjimi. Kush i harron bëmat e atij regjimi është njeri pa gjak. Kam përshtypjen se ne shqiptarët kemi memorie të shkurtër.

Sa zgjati periudha e suksesit dhe e lumturisë e Kujtimit, periudhë gjatë së cilës ai krijoi edhe familjen, u martua me Vllosavën dhe lindën vajzën?

Luljeta Minarolli:  Kujtimi ishte një talent i lindur , një punëtor i jashtëzakonshëm për profesionin e tij dhe nga 1956, kur mbrojti diplomën deri kur vuri në skenë dramën e Majakovskit “Banja”, që godiste burokracinë në pushtet që ishte edhe shfaqja e fundit e tij, karriera profesionale pati vetëm ngritje. Një parantezë. “Banja” është vënë në skenë në sallen e Akademise se Arteve  në korrik të vitit 2000 me regji të Altin Bashës në  nder të Kujtim Spahivoglit. – (13 Korrik 2000). Për “Banjën” Kujtimin e akuzuan edhe mbledhjet e Institutit të Lartë të Arteve.

Nga bisedat me aktorë, atë e cilësojnë si fenomen në artin skenik shqiptar.

Megjithëse beqaria i zgjati, daja mbeti deri në fund një djalosh me shpirt rinor. Më kujtohet që erdhi dhe më tha se ishte njohur me një vajzë të talentuar, poeteshë nga Gjirokastra, që studionte në vitin e fundit për gjuhë-letërsi. Unë isha gjimnaziste. E solli per vizitë në shtëpinë tonë dhe ne u miqësuam shumë. Dilnim të dyja, shkonim në kinema, estradë. Daja bëri dasmë të madhe, unë isha krushkë në Gjirokastër, me dajën e madh dhe të shoqen. Pastaj erdhi Andeta, emrin ia vuri Kujtimi, në kujtim të muajit të mjaltit kaluar anes detit, Kujtimi ishte dashnor i detit. Po ta kërkoje në verë e gjeje vetëm buzë detit. Ishe nje çift i sapomartuar, sapo ishin bërë prindër, lundronin në qiellin e shtatë, por tak lumturia e tyre, këputet në mes!  Sova 24 vjeç, me një fëmijë të vogel, me një presion psikologjik të jashtëzakonshëm kudo, shoqet e punës, njerez të afërt…

Kam lexuar se djali i Anit, vajza e Kujtimit, e ka amrin Tim, pra mban emrin dhe i ka sytë e kaltër si të gjyshit, po talentin e tij e ka?

Sytë e kaltër, Kujtimi dhe mamaja ime, i kishin trashëguar nga gjyshja e tyre. Ajo ishte turke nga Stambolli dhe kishte fytyrën ngjyre gruri, me sy te kaltër, si xixa. As fëmijët e saj, nuk i trashëguan ata sy si xixa, por asnjë e nga ne të brezit të tretë. Vetëm daja, mami im dhe Timi i ka bojë qielli, si xixa.

 

Timi, kur ishte i vogël me syçkat si të Gjyshit të tij Kujtim Spahivogli

Qeverisja antikombëtare e Edi Ramës shembi Teatrin Kombëtar dhe Teatrin Eksperimental që mbante emrin e Kujtim Spahivoglit. Të dy monumente të kulturës shqiptare qe i kishin rezistuar tërmeteve që u shembën me aq barbari sikur jeta e pafajeshme e artistit te madh e shume e shume kolegëve të tij. Apo jo?

Luljeta Minarolli:  Shembja e teatrit ishte jo vetëm një krim kombëtar kundër kulturës, trashëgimisë, por edhe goditje për nostalgjinë e brezave e gjithë brezave. Për mua, ishte një dhimbje tmerrësisht e madhe tek shikoja makinën shkatërruese që tërhiqte zvarrë suvanë e teatrit Eksperimental që mbante emrin Kujtim Spahivogli.

Por edhe diçka tjetër. Në hapësirën midis dy ndërtesave, në korrik 1992, me rastin e 60-vjetorit te lindjes së Kujtimit dhe 5-vjetorit të vdekjes, me kujdesin e Ferdinand Radit, u mboll një pemë me emrin e Kujtim Spahivoglit dhe nga një pemë për të gjithë aktorët e Teatrit që nuk jetonin më. Me duket se mbjellja e tyre vazhdoi sa herë qe largohej nga kjo jetë një aktor(e). U shkatërrua edhe ky oz përkujtimor i figurave të ndritura të artit skenik.( Por mos mërzitemi se kemi shtëpine me gjethe…).

Kujtim Spahivogli ishte daja e regjisorit aq të talentuar Artan Minarolli, vëllait tënd, i cili u nda papritmas nga jeta duke u gëdhirë 31 dhjetor i vitit 2015. Artani e trashëgonte talentin e Kujtimit, filmi me skenarin e tij “Delegacioni” fitoi Grand Prix ne Festivalin e 34-ert  Ndërkombëtar të Varshavës që u shfaq postum ne 2018. A kishte lidhje te madhe mes dajës artist të madh dhe nipit?

Tani kishte lidhje që i vogël me dajën. Kujtimi vinte enkas, me kujtohet, thërriste mamin nga poshtë (ne banonim në katin e pestë të një pallati tek rruga Durrësit , përballë Kafe Florës), dhe i thoshte ta bënte Tanin gati se do ta merrte në ndeshje futbolli, kur luante Tirona, skuadra e zemrës.

Kur Tani ishte në gjimnaz, tek Sami Frashëri, e aktivizuan në një pjesë teatrale. Si duket, dëshira e fshehur u zgjua dhe filloi të këmbëngulë për të ndjekur Akademinë e Arteve. Filloi të mësonte me Kujtimin. Mami ishte e shqetësuar dhe e pyeti dajën: ”Kujtim vlen për teatër ky djalë, apo jo? Ndërkohë Tani kishte mesatare 9.7 dhe mund të kërkonte degë tjetër, Daja, më kujtohet, iu përgjigj: Si mendon ti Dhurata, do ta linte Kujtim Spahivogli nipin e tij të studionte dramë, nese nuk ishte 100% i sigurt se ky vlen?

Dhe koha tregoi se ai ia vlente, u bë regjisor i suksesshëm, por edhe shkrimtar i talentuar. Tani i ngjante shumë dajës në entuziazmin kur tregonte për projektet e veta, entuziazmin kur shkruante diça, entuziazmin dhe këmbënguljen kur punonte. Të dy tregonin plot patos dhe duhej t’i dëgjoje me vëmendje, sepse mërziteshin, njëlloj fare!

Në përfundim dua të shtoj, unë e falënderoj dajën tim për shumë mësime që më ka dhënë, për praninë e tij në jëtën time, por më e rëndësishmja është se më ka falur një motër të pakrahasueshme. Daja e kishte shume merak që unë ta mbaja afër Anin që ishte dashuria e madhe e jetës së tij. Çdo njeri do të ishte e lumtur te kishte një motër si kjo imja. Por këtë dashuri që na lidh të dyja ia dedikoj edhe Sovesqë  ia ka ushqyer që në fëmijëri për mua dhe për Tanin.

Kujtimi dhe Ani disa muajshe

E dashur Luli, të flam shumë për këtë intervistë me kaq emocione. Unë e kam peng që nuk kam mund ta kem parë në skenë Kujtim Spahivoglin, se padyshim që do të isha edhe unë krenare, por kam patur fat të kem njohur Zysh Dhuratën, motrën e Kujtimit mësuesen time të fiskulturës në Gjimnazin Sami Frashëri, një grua e jashtëzakonshme me zemër të madhe, Artan Minarollin, nipin e tij, talenti i të cilit i mungon sot skenës shqiptare dhe ty, mbesën e Kujtim Spahivoglit, që e mban gjithmonë në zemër dajën tënd dhe nuk i harron kurrë vuajtjet e tij!

Uroj që një ditë të jemi bashkë kur të inagurohet Teatri Eksperimental me emrin e Kujtim Spahivoglit, krahas Teatrit Kombëtar, që duhet të jenë identikë me ata që shembi fatkeqësia e shqiptarëve Edi Rama!

(Video e jashtëzakonshme) Kur Regis Philbi dhe Kara DioGuardi e bija e ish Kongresmenit JoeDioguardi i tregojnë publikut rrënjët arbëreshe nga Greçi

voal.ch – Legjenda e televizionit Amerikan Regis Philbin që posa ka ndërruar jetë nga ana e nënës së tij ishte me origjinë nga Greçi, arbëresh.

Me këtë fakt të prejardhjes së tij ai krenohej dhe e ka publikuar disa herë gjatë shfaqjeve që drejtonte.

Lexuesve të voal.ch po i sjellim një video të shkëlqyer ku legjenda e televizionit amerikan është duke prezantuar në një nga emisionet e tij anëtaren e re të jurisë së programit “American Idol”, artisten e famshme Kara DioGuardi, e cila është e bija e ish kongresmenit Joseph DioGuardi, po ashtu me prejardhje arbëreshe.

Për herë të parë ata zbulojnë se kanë lidhje familjare me njeri tjetrin dhe se që të dyja familjet e kanë origjinën në Greçi të Italisë ku u vendosën të parët e tyre arbereshe në kohën e Skenderbeut.

Kara Elizabeth DioGuardi, datëlindja 9 dhjetor 1970 është një tjetër ikonë e showbizit në SHBA, këngëtare, kompozitore, personalitet televiziv, producente, orkestruese, vajzë e denjë e Babai të shquar si Joe DioGuardi. Këngët e saj janë hite të gjithë yjeve botërore të muzikës nga Celion Dion,  Anastacia, Christina Aguilera, Gwen Stefani, Kelly Clarkson, Diana DeGarmo, Avril Lavigne, Demi Lovato, Ashlee Simpson, Ashley Tisdale, Britney Spears, Hilary Duff, Jessica Simpson, Mýa Harrison, Pussycat Dolls, Katharine McPhee, Pink, Lindsay Lohan, Paris Hilton, Kylie Minogue, Natalie Imbruglia, Delta Goodrem, The Veronicas, Laura Pausini, Enrique Iglesias, Marc Anthony, Thalía, Ricky Martin e Carlos Santana.

Është e jashtëzakonshme! Aq më tepër kur ata ndajnë të përbashkët edhe gjakun e rrënjët shqiptare./EB

 

Miq të përbashkët!

(Foto) Presidenti Donald Trump kujton Regis Philbin, legjendën e TV Amerikan me rrënjë arbëreshe: Ai ishte miku im! Regis ju duam!

Voal.ch – Dje ka kaluar në botën tjetër legjenda e televizionit Amerikan Regis Philbin, në gjakun e të cilit rridhte edhe ai arbëresh pasi nëna e tij ishte nga Greçi. Regis kishte lidhje farefisnore edhe me ish kongresmenin Joe DioGuardi sepse edhe familja e ish kongresmenit e ka origjinën nga Greçi, ngulitje arbëreshe e krijuar me emigrantë shqiptarë që lanë vendin pas vdekjes të Skënderbeut.

Ka qenë vetë Presidenti i SHBA Donald Trump që dje ka shprehur ngushëllimet. Po të kërkosh në google do të zbulosh foto pafund të Regis dhe Trump. Regis e ftonte Trump në emisionet e tij.

Ja si shkruan Presidenti Trump në Twitter: “Një nga më të mëdhenjtë në historinë e televizionit, Regis Philbin ka kaluar në valë edhe më të mëdha ajrore, në moshën 88 vjeçare. Ai ishte një person fantastik dhe miku im. Ai vazhdonte të më thoshte gjithmonë që të kandidoja për President. Mban rekordin për “televizionin më të drejtpërdrejtë” dhe ai e bëri gjithçka mirë. Regis, ju duam…” Përfundon tweet-in e tij Presidenti Trump./EB

 

 

 

 

Raporti: Tentakulat e krimit të organizuar nga Ballkani Perëndimor –

Një raport i fundit i Nismës Globale Kundër Krimit të Organizuar Ndërkombëtar, arrin në përfundimin se grupet kriminale nga Ballkani Perëndimor po veprojnë gjithnjë e më shumë në botë, megjithëse rajoni vetë është një treg relativisht i vogël për krimin e organizuar.

Raporti “Tentakulat Ndërkombëtare: Zonat Problematike të Krimit të Organizuar nga Vendet e Ballkanit Perëndimor” i përpiluar nga Walter Kemp, i cili drejton zyrën e studimeve të kësaj organizate dhe Observatorin e Shoqërisë Civile Kundër Krimit të Organizuar në Evropën Juglindore, thotë se fitimet e këtij aktiviteti të paligjshëm bëhen kryesisht në vende të tjera, përfshirë Evropën Perëndimore, Turqinë, Amerikën Latine, Afrikën e Jugut dhe Australinë.

Në raport thuhet se në shumë nga epiqendrat e krimit të organizuar, grupet nga Ballkani Perëndimor, janë ngritur në hierarkinë e krimit, në 20 vitet e fundit.

“Burra nga qytete të vogla të Ballkanit Perëndimor, po organizojnë tani transportimin e ngarkesave shumëtonëshe kokaine nga xhunglat e Amerikës Latine përmes disa prej porteve më të ngarkuara të Evropës, në rrugët e kryeqyteteve të saj. Marinarë nga porte të vogla të Ballkanit po përdorin jahtet për të dërguar drogë në Afrikën e Jugut dhe Australi, apo imigrantë nga Turqia në Evropën Perëndimore”, thuhet në raport.

Raporti tregon se si grupet nga rajoni angazhohen në financimin, transportimin dhe shpërndarjen e sasive të mëdha të kokainës të transportuara nga Amerika e Jugut në Evropë.

Lidhjet e ngushta me grupe lokale kriminale dhe qasja tek kokaine që nga burimi, kombinuar me praninë e tyre në qytete të mëdha porte të Evropës, do të thotë se grupet kriminale nga Ballkani Perëndimor janë në gjendje të kontrollojnë gjithë ciklin e furnizmit të kokainës nga burimi në destinacion.

“Kjo u jep atyre mundësinë që të ulin çmimet, duke bërë të mundur që konsumatorët të kursejnë, të ofrojnë një cilësi të mire me çmim të arsyeshëm, duke eliminuar kështu konkurrencën. Falë këtij modeli biznesi, disa grupe kriminale nga Ballkani Perëndimor, janë bërë elita e krimit”, thuhet në raport.

Po ashtu raporti thotë se grupet kriminale nga Ballkani Perëndimor që fuksionojnë në vende të tjera janë moderne, dinamike, me aftësi për sipërmarrje dhe për t’u përshtatur dhe përdorur teknologjin në avantazhin e tyre.

Ata “për shembull përdorin forma të koduara komunikimi; eksplorojnë rrugë dhe mjete të reja trafikimi, si edhe pastrojnë para përmes kripto-monedhave, parajsave financiare para se t’i fusin në vendet e tyre”.

Pjesa më e madhe e dhunës nga këto grupe, duket se është e lidhur me larjen e llogarive brenda rrangjeve të tyre ose ndaj rivalëve.

Sipas raportit, nuk ekziston në vetvete një Kartel i Ballkanit, megjithëse “grupe nga rajoni herë pas here punojnë me njëri tjetrin dhe ka edhe raste grupesh shumëetnike”.

“Megjithëse problemi i krimit të organizuar në Ballkanin Perëndimor është zhvendosur kryesisht në vende të tjera, aktivitetet e këtyre grupeve kriminale po dëmtojnë reputacionin e vendeve të tyre, sidomos në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, thuhet në raport.

Raporti thekson gjithashtu se disa nga problemet dhe vështirësitë që shkaktuan largimin e njerëzve nga vendet e Ballkanit perëndimor në të kaluarën, vazhdojnë të ekzistojnë si papunësia, korrupsioni, mungesa e mundësive, pakënaqësia me qeveritë e tyre dhe vonesat në procesine integrimit evropian.

“Nëse nuk zgjidhen këto probleme, do të vazhdojë të ketë grupe të rinjsh në Ballkanin Perëndimorë ose diasporë me vullnetin të rrezikojnë duke ndjekur një jetë krimi”.

Raporti bën thirrje për një bashkëpunim të strukurave të ligjit dhe të rendit, gjurmin dhe konfiskim pronash dhe këmbim informacioni, sidomos duke pasur parasysh që anëtarët e këtyre grupeve përdorin identitete të rreme. Po ashtu thekson nevojën për reduktuar kërkesën për mallra dhe shërbime nga grupet kriminale në Ballkan.

“Ndërsa disa kritikë dhe një pjesë e medias i bien kambanës së alarmit për grupet kriminale nga Ballkani Perëndimor, shumë pak prej tyre e përmendin faktin që ata janë një shërbim shpërndarjeje për tregjet e paligjshme të Evropës Perëndimore”, thuhet në raport.

Raporti synon paraqitjen e një tabloje mbi aktivitetin kriminal 20 vjeçar të grupeve kriminale nga Ballkani perëndimor, përhapjen e tyre globale, dhe ngjitjen në hierarkinë kriminale.

“Tentakulat e këtij oktapodi janë shtrirë nëpër të gjithë botën: që nga furnizimi me kokainë në Amerikën Latine, deri në rrugët e Evropës perëndimore; nga korridoret e trafikimit të heroinës në Turqi në Evropë; nga fushat e kanabisit në Shqipëri drejt Turqise, dhe vendeve të Bashkimit Evropian”, thuhet në raport.

Raporti arrin në përfundimin se pozita gjeografike, rrethanat me konflikte dhe trazira nga dolën këto vende, marrja në sy e rrezikut dhe pritja për inovacion dhe përshtatje, i kanë fuqizuar këto grupe.

Raporti thotë se është e qartë se ekosistemi i korrupsionit, pandëshkueshmëria politike, dhe sistemi i dobët i drejtësisë penale në vendet e Ballkanit perëndimor krijon një strehë që mbron disa nga figurat kryesore.

Fillimet e aktivitetit të paligjshëm kriminal në Shqipëri

Sipas raportit, zanafilla e “korridorit ballkanik” të aktivitetit kriminal mund të gjurmohet, në vitet e komunizmit dhe pikërisht në vitin 1966, kur për të gjetur burime për thithjen e valutës së huaj, qeveria shqiptare pranoi një ofertë për t’u përfshirë në kontrabandën e cigareve, me një plan për të trafikuar në Itali cigare të markave amerikane, dhe që atje ato të shpërndaheshin në vende të tjera të Evropës, dhe në Lindjen e Mesme.

Sipas raportit, ndërmjetësit zviceranë që bënë ofertën kishin lidhje me mafian italiane, që po kërkonte korridore të reja trafikimi pasi operacionet policore në detin Tirren ishin bërë më të efektshme. Sipas një ish-prokurori italian të antimafias, bosë mafiozë arritën të kuptonin se kontrolli i shtetit pas Perdes së Hekurt ishte strikt vetën për çështje politike, por nuk përbënte ndonjë pengesë serioze për trafiqe të paligjshme.

Qeveria shqiptare krijoi një zonë të lirë ekonomike që shërbente si pikë tranziti për kontrabandën e cigareve që vinin nga Shtetet e Bashkuara, dhe krijoi kompaninë Albtrans, që mendohet se administrohej nga Sigurimi i Shtetit, që siguronte mbarëvajtjen e punës në Shqipëri në shkëmbim të një tarife prej nëntë dollarësh amerikanë për koli. Llogaritet se qeveria shqiptare ka grumbulluar rreth 35 milionë dollarë nëpërmjet kësaj veprimtarie gjatë periudhës 1968–1991.

Si pasojë e kësaj veprimtarie Deti Adriatik, që deri në atë kohë konsiderohej thjesht si ‘kufi blu’, u transformua në një korridor shumë fitimprurës për në lindje për grupet kriminale italiane.

Trazirat dhe përmbysjet e viteve 1990

Trazirat dhe përmbysjet e viteve 1990, sollën vështirësi por edhe shanse për grupet kriminale.

Një ndërthurje e depërtimit të grupeve kriminale në strukturat e forcave serbe dhe vendosja e sanksioneve kriminale, krijuan kushtet për lulëzimin e aktivitetit kriminal, ku u përfshinë Beogradi dhe Podgorica, por ku më pas u përfshinë vendet fqinjë.

“Sasi të mëdha nafte kalonin kontrabandë nëpër Liqenin e Shkodrës, nga Shqipëria në Malin e Zi, si dhe nëpërmjet kufirit tokësor të Maqedonisë

së Veriut dhe Shqipërisë. Në fakt, shkelja e sanksioneve, kufijtë e rinj të krijuar nga prishja e ish- Jugosllavisë, hapësirat dhe mundësitë e reja për të

zhvilluar kontrabandë, sollën pasoja të papritura në zhvillimin e grupeve kriminale, dhe rritjen e ndikimin të tyre në ekonomitë e disa vendeve fqinje”,

thuhet në raportin i cili fajëson si një nga faktorët komunitetin ndërkombëtar që vendosi sanksione, duke krijuar mundësinë e një rrjeti gjigand kriminaliteti.

Rënia e skemave piramidale në vitet 1996 dhe shpërbërja që pasoi në Shqipëri, në vitin 1997 krijoi edhe më tej terren për kriminalitet si edhe për kontrabandë përfshirë atë të armëve në Kosovë.

Lufta e Kosovës bëri gjithashtu të mundur krijimin e një terreni pjellor për aktivitete kriminale, që vazhdoi edhe pas saj, gjatë kohës së administrimit ndërkombëtar dhe përpjekjeve të konsoldimit të qeverisjes së vendit.

“Në këtë periudhë paslufte të ngritjes së shtetit, ku institucionet dhe infrastruktura ishin të dobëta, disa individë në pozita të forta, që kishin marrë pjesë në luftë dhe kishin lidhje të forta me diasporën, e shtuan ndjeshëm pasurinë dhe influencën e tyre, duke u marrë njëkohëshisht si me

aktivitete të ligjshme, ashtu edhe me veprimtari kriminale”, thuhet në raport, ku shtohet se “për disa ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u fol se ishin të përfshirë në aktivitete kriminale”.

Zhvendosja e aktiviteteve kriminale në Perëndim

Raporti vë në dukje se falë disa faktorëve të brendshëm dhe të jashtëm, që nga viti 2000 grupet kriminele të Shqipërisë filluan ta zhvendosin veprimtarinë e tyre jashtë vendit, veçanërisht në Greqi, Itali, Zvicër dhe Gjermani.

Vetëm gjatë muajve të pranverës të vitit 1997, rreth 10,600 shqiptarë, duke përfshirë edhe shumë kriminelë, emigruan ilegalisht në Pulia, Itali.

Që nga viti 2001, grupe kriminale shqipfolëse (përfshirë edhe grupe nga

Kosova, dhe Maqedonia e Veriut) ishin përfshirë në trafikimin e heroinës në disa shtete, evropiane, si në Republikën Çeke, Belgjikë, Greqi, Austri, dhe Zvicër.

Itinerari i zakonshëm ishte blerja e heroinës nga organizata kriminale turke dhe transportimi i drogës drejt Evropës perëndimore, veçanërisht nëpërmjet Hungarisë.

Nga viti 2001, Shqipëria u bë edhe vend origjine për kanabisin e shitur në Evropë pas mbjelljeve masive të kanabisit në vend gjatë viteve 90.

Shqipëria u bë gjithashtu një nga burimet kryesore për barishte kanabisi për tregjet italiane dhe greke, dhe gradualisht u kthye në një nga burimet kryesore edhe për rezinën e kanabisit. Grupet kriminale shqiptare u përfshinë edhe në trafikimin e qenieve njerëzore në Belgjikë, Francë, Itali dhe në Mbretërinë e Bashkuar, por ata ishin veçanërisht aktivë në Itali, ku punonin krah për krah me mafian italiane. Disa nga këto bashkëpunime do të krijonin themelet për krijimin e rrjeteve të mëvonshme të trafikimit të drogës.

Raporti thotë se brenda një kohe të shkurtër shqiptarët, u transformuan në

faktorë të rëndësishëm në fushën e trafikut të drogës, emigracionit të paligjshëm, dhe trafikimit të qenieve njerëzore në disa vende të Evropës.

Evropa ishte baza më e nxehtë e aktivitetit të grupeve kriminale të Ballkanit.

Në raport përmendet Mafia e Frankfurtit e përbërë kryesisht nga shtetas maqedonas të qytetit të Veleshit dhe u bë i njohur për trafikimin e heroinës në Frankfurt dhe Vienë.

Në Suedi kriminelë nga vende të Ballkanit perëndimor gjithashtu ngjitën shkallët e krimit. Në vitet 70 dhe 80, disa kriminelë – si Arkani – u përfshinë në grabitje bankash dhe zhvatje. Një nga grupet kriminale kryesore në Suedi drejtohej nga Naser Xhelili, një shqiptar nga Maqedonia. Grupi ushtronte aktivitetin në Goteborg dhe merrej me trafikun e drogës, zhvatjes, dhe grabitjeve me armë. Raporti thotë se në fillimet e viteve 2000, shqiptarët filluan pak a nga pak të merrnin në në dorë tregun e madh të kokainës në Londër.

“Nga viti 2015, ata ishin kthyer në disa nga trafikantët kryesorë në kryeqytetin britanik dhe zona të tjera anembanë vendit. Ata janë aktivë jo vetëm në shpërndarjen e drogës, por bandat shqiptare kanë marrë goxha nam dhe luajnë rol kryesor në shitjen e drogave, në grabitjet me armë, dhe zhvatjet. Një në dhjetë të burgosur në Britani është shqiptar”, thuhet në raport.

Italia

Në raport flitet gjerësish për fuqizimin e grupeve kriminale nga Shqipëria në Itali, përfshirë trafikimin e kanabisit dhe kokainës, e cila është më fitimprurëse.

Aty thuhet se shqiptarët kaluan nga trafiku i qenieve njerëzore në vitet ’90 tek ai i drogës.

“Fillimisht shqiptarët ishin në shërbim të italianëve në këtë bashkëpunim, por gjatë dy dekadave të fundit, falë edhe lidhjeve me furnizuesit e kokainës në Amerikën Latine dhe rrjetet e tyre në vende të Evropës perëndimore ku ka shumë emigrantë shqiptarë, ata kanë arritur të ngjitin shkallët e hierarkisë

kriminale, deri në atë pikë sa në disa raste janë bërë partnerë të barabartë me grupe mafioze italiane”, thuhet në raport.

Bregu lindor i Italisë, duket të jetë porta kryesore për drogat, përfshirë Barin dhe Ankonën ku vijnë tragetet nga Durrësi. Grupet kriminale shqiptare janë bërë faktorë kryesorë në marrjen e vendimeve dhe ndonjëherë konsiderohen si krahu i armatosur i aleancave kriminale. Sipas autoriteteve italiane të rendit kombinimi i kriminelëve italiane dhe shqiptare është i rrezikshëm.

Një nga vendet ku kriminelët shqiptarë fillojnë bashkëpunimin me ata italianë, janë burgjet siç përmendet rasti i Arben Zogut që filloi furnizimin e Romës me kokainë që tani kontrollohet nga shqiptarë, i cili vuante dënimin në një burg me Rocco Bellocco-n, bosin e një prej familjeve më të fuqishme të Ndrangetas.

Lidhjet midis grupeve italiane dhe shqiptare janë evidentuar nga një numër operacionesh policie në periudhën midis 2019 dhe 2020. Një shembull nga raporti, është ai i operacionit Rëra 2 (Sabbia 2) në dhjetor 2019, ku nëntë të dyshuar, mes së cilëve shtatë shqiptarë, u arrestuan nga karabinierët si pjesë e goditjes së trafikimit të kanabisit dhe kokainës në Firence.

Ndërsa në janar 2019, një shqiptar dhe një malazez u arrestuan së bashku me anëtarët e klanit të Kazamonikës në Romë, si pjesë e operacionit Brazil Low Cost që shkatërroi një grup që furnizonte me kokainë Romën dhe Napolin. Shqiptari Dorion Petoku, thuhet se është një nga krerët e grupit të Arben Zogut. Grupi po planifikonte që të transportonte shtatë tone kokainë të pastër nga Brazili në Evropë, me avionë privatë.

Më 1 gusht 2019, pesë shqiptarë, një rumun, dhe një italian u arrestuan në kuadër të operacionit Shqiponja e Zezë. Ata bënin të mundur transportimin e kokainës nga Kolumbia në Roterdam, ku ndahej në pako të vogla dhe më pas transportohej për në Itali nga shqiptarë me vetura të modifikuara, me dysheme me fund të dyfishtë, si dhe në furgonë dhe autostrada. Droga i shitej më pas grupeve italiane.

Një oficer policie që ishte marrë me një operacion të gjerë kundër krimit të organizuar në Romë në nëntor 2019, tha se “bosët e rinj të drogës në Romë janë shqiptarë. Grupet kriminale të Romës e blejnë prej tyre pluhurin e bardhë për 28,000 euro për kilogram. Nuk gjen kurrë më lirë se aq.”

Në shkurt 2020, në kuadër të operacionit Herostrati (Erostrato), një grup me 11 shqiptarë dhe italianë, që njihej edhe si mafia e Viterbos, u dënuan me një total prej 135 vitesh në burg për zhvatje dhe shantazh në qytetin e Viterbos. Krerët e grupit, një italian nga Kalabria dhe një shqiptar nuk janë kapur akoma.

Për të ilustruar forcimin e elementeve kriminalë shqiptarë, në raport thuhet se tani ata kanë filluar të mbajnë peng pjesëtarë të mafias italiane, si garanci për pagesën e drogës.

Sipas një burimi nga policia financiare italiane, mbajtja e pengjeve është diçka normale në marrëdhëniet midis grupeve kriminale, “por kur shqiptarë mbajnë peng siçilianë, atëherë kjo tregon se gjërat kanë ndryshuar dhe janë bërë goxha të fuqishëm”.

Një valë vrasjesh në periudhën 2019-2020, përfshirë një nga krerët e krimit në Romë, Fabrizio Piscitelli dhe trafikanti shqiptar i drogës Gentian Kasa, lë të kuptohet se jo gjithmonë ka harmoni mes grupeve kriminale shqiptare dhe italiane dhe se konfliktet e brendshme çojnë në dhunë.

Spanja

Në Spanjë, grupet kriminale nga Ballkani që fillimisht merreshin me grabitje, kaluan më pas në trafikim droge në vendin që shërben si portë kryesore për hyrjen e drogën nga Amerika Latine. Në raport përmendet një shembull për lidhjet mes Spanjës dhe grupeve të Ballkanit, sipas së cilit në janar 2015, një helikopter me rreth 900 kilogramë hashash në bord, që mendohej të ishte nisur nga Maroku, u përplas pranë Malagas. Piloti ishte major në forcat e armatosura të Shqipërisë.

“Ky nuk ishte i vetmi incident i këtij lloji: duket se ka një trafik të vazhdueshëm helikopterësh dhe avionësh të lehtë që transportojnë drogë nga Maroku në Spanjë, por niveli i angazhimit të pilotëve nga Ballkani në këtë trafik është akoma i paqartë”, thuhet në raport.

Holanda

Në Holandë, grupet kriminele nga Ballkani filluan të bëhen objekte hetimi nga fillimi i viteve 90. Shqiptarët u përfshinë në trafikun e qenieve njerëzore në vitet 90 dhe më pas të emigrantëve, ndërsa pas vitit 2010 në trafikun e drogës.

“Ashtu si përmendet edhe në lidhje me zona të tjera problematike të analizuara në këtë raport, ngjitja e shqiptarëve në shkallën e krimit ndjek pak a shumë të njëjtin model. Mesa duket ata hynë në tregun hollandez duke punuar për grupet italiane, por sot, në vitin 2020, ata janë shndërruar në një nga faktorët kryesorë të tregjeve kriminale. Në fakt, ka të dhëna se shqiptarët ndërrmarin operacionet e veta transatlantike”, thuhet në raport.

Portet në Hollandë dhe Belgjikë (si Roterdami dhe Anversa) përdoren shpesh për të importuar sasi të mëdha kokaine nga Ekuadori, Brazili dhe Kolumbia.

“Në fushën e trafikimit të drogës grupet shqiptare në Hollandë shpesh quhen ‘uithalers’ – që do të thotë ‘marrësit’ – me fjalë të tjera, persona që e marrin drogën, veçanërisht kokainë dhe heroinë, nga porte dhe e shpërndajnë anembanë veriut të Evropës perëndimore. Shumë nga grupet shqiptare të krimit të organizuar që veprojnë në Hollandë (dhe Belgjikë) i përdorin bazat e tyre si platforma për trafikimin e kokainës në Britani, tregu më i madh i kokainës në Evropë”, thuhet në raport.

Në raport thuhet se mendohet se shqiptarët luajnë rol të dorës së pare në botën e krimit në Amsterdam. Në vitin 2018, dy nga krerët e klanit Bajri u arrestuan në Roterdam për trafik droge, kontrabandë armësh, prostitucion, zhvatje, organizimin e llotarive të paligjshme, dhe lojëra fati pa leje. Ndërsa në gusht 2019, policia italiane arrestoi 17 persona që ishin pjesë e një rrjeti shqiptar për trafikimin e gati 200 kilogramëve kokainë nga Hollanda në Itali.

15 grupe kriminele shqiptare që veprojnë në zonën e Beneluksit (Belgjikë, Hollandë dhe Luksemburg), kanë krijuar lidhje me tre-katër grupe shqiptarësh në Amerikën Latine.

Zyrtarisht në Holandë ka 1,200 shqiptarë por autoritetet mendojnë se mund të ketë rreth 40 mijë, shumica me pasaporta të rreme nga vende të BE-së.

Një pjesë e mirë e tyre janë vendosur në zonën e Limburgut në Jug të vendit, e cila është bërë bazë e kultivimit të kanabisit në ambiente të mbyllura, dhe llogaritet se ky aktivitet mund të sjellë rreth 200 milionë euro në vit.

Gjatë operacionit Shqipëria, në maj 2019, u arrestuan 30 persona të dyshuar në zonën e Limburgut, dhe 25 prej tyre ishin shqiptarë. Grupet që zhvillojnë aktivitetin e tyre në këtë zonë, thuhet në raport, përdorin përvojën e fituar në Shqipëri për rritjen e kanabisit, që në fakt e mësuan nga hollandezët.

“Ndërkohë që autoritetet shqiptare po godasin kultivimin e kanabisit në vendin e tyre, grupet shqiptare të krimit të organizuar e kanë transferuar përvojën e tyre jashtë vendit, jo vetëm në Hollandë, por edhe në Belgjikë, Britani, dhe Turqi. Duket se grupet shqiptare i kanë xhepat plot me para, ose kanë akses në fonde të mëdha, duke parë numrin e shtëpive që kanë blerë me para në dorë në zonën e Limburgut”.

Raporti citon një prokuror të thotë: “Është e çuditshme sa të zotë janë në gjetjen e pikave të dobëta në shoqërinë tonë. Dinë si të përdorin dokumente identifikimi false për të marrë shtëpi me qera në mënyrë të paligjshme. E dinë si të shfrytëzojnë noterët hollandezë, janë në gjendje të përdorin agjencitë e pronave të paluajtëshme për të blerë shtëpi; përdorin metoda shumë të rafinuara, dhe e dinë shumë mirë si të veprojnë.”

Sipas raportit, grupet shqiptare nuk konsiderohen si të dhunshëm, dhe nuk tërheqin vëmendjen e të tjerëve, pasi kjo do t’i prishte punë.

Sipas një prokurori, edhe kur arrestohen, shqiptarët nuk bëjnë fjalë, dhe shpesh gjatë procesit gjyqësor “nuk e hapin gojën fare”.

Republika Çeke

Në Republikën Çeke, kriminelët shqiptarë nga Kosova Shqipëria, dhe Maqedonia e Veriut janë marrë më shumë me krimin e rrugës, përfshirë edhe

trafikimin e personave dhe drogës, veçanërisht në qytetet pranë kufirit me Gjermaninë. Por mes tyre ka patur edhe disa kriminelë me emër, si në rastin e Princ Dobroshi nga Kosova, një nga trafikantët kryesorë të drogës dhe transportonte heroinë nëpër korridorin ballkanik në Republikën Çeke, dhe prej andej në vendet nordike. Ai u arrestua në Pragë, në shkurt 1999, dhe më pas u ekstradua në Oslo (ku ishte arratisur nga burgu në vitin 1997). Më pas u lirua me kusht ‘për sjellje të mirë’, dhe u urdhërua të largohej nga vendi në janar 2005. Mendohet që ai të jetë kthyer në Kosovë.

Po ashtu Qazim Osmani nga Kosova, një nga themeluesit e kompanisë së lojërave të fatit Banco Casin, u tërhoq pikërisht nga elementi i lojrave të fatit, të cilat që nga vitet ’90 ishin përdorur për pastrimin e paravet të pista.

Strukturat e krimit të organizuar nga vendet e Ballkanit perëndimor brenda rrjeteve globale të krimit të organizuar mund të përdorin fare lehtë rrjete ndërkombëtare për pastrimin e parave të pista dhe nuk kanë pse i mbajnë brenda Republikës Çeke.

Afrika e Jugut

Në Afrikën e Jugut, krimi i organizuar nga Ballkani vjen kryesisht nga serbët që kanë një komunitet të konsiderueshëm në vend me dy valë, nga vitet 60 dhe 70 dhe nga mesi i viteve 2000. Në periudhën 2018–2019, Afrika e Jugut u trondit nga një valë vrasjesh dhe shumë nga autorët dhe viktimat ishin shtetas të vendeve të Ballkanit perëndimor, veçanërisht nga Serbia. Afrika e Jugut mund të kthehet në një zonë problematike për trafikun e drogës për grupet nga Ballkani Perëndimor.

Turqia

Turqia, që konsiderohet edhe porta e lindjes, është një bazë e rëndësishme për trafikimin e heroinës dhe trafikimit të emigrantëve. Grupe kriminale nga Ballkani perëndimor kanë patur lidhje me Turqinë që nga vitet 70 dhe 80.

Nga tregëtia e mallrave si veshjet me valixhe nga Turqia në Ballkan u kalua në tregëtimin e mallrave të paligjshme si cigaret dhe drogat. Shumë shqiptarë (kryesisht nga Kosova) filluar të përfitojnë nga numrat gjithnjë e të mëdha të emigrantëve shqiptarë në Evropën perëndimore për të zgjeruar rrjetin dhe veprimtaritë e tyre dhe u përfshinë në të gjitha hallkat e trafikimit që nga blerja, trafikimi dhe shpërndarja.

Një rast i tillë ishte ai i Sami Hostanit (i mbiquajturi shqiptari) nga Maqedonia e Veriut i cili trafikonte sasi të mëdha droge nëpër Turqi, Amerikën e Jugut, dhe Evropë dhe kishte lidhje të dyshimta biznesi me rrjete të trafikimit të drogës në Hollandë dhe Kolumbi. Ai më pas filloi të investonte shumë në fushën e lojërave të fatit dhe ishte një nga pronarët e kazinosë në Hotel Sheraton në Stamboll. Ai u dënua me katër vjet burg për krijimin dhe drejtimin e një rrjeti kriminal.

Trafikantët nga Ballkani kanë përfituar edhe nga bumi i heroinës në Afganistan dhe bëjnë përpunimin e saj para se ta shesin, për të maksimizuar fitimet.

Në vitin 2015, u llogarit se fitimi i përgjithshëm bruto nga trafikantët e opiateve në Evropën juglindore ishte rreth 1.7 miliardë dollarë në vit.

Ndërsa kërkesa në rritje për kanabis, ekstazi dhe droga sintetike në Turqi krijoi mundësi për shtetasit e vendeve të Ballkanit perëndimor që

të transportonin këto lloj drogash nga Evropa në Turqi në shkëmbim të heroinës. taksat e larta mbi cigaret në Turqi krijuan një treg në rritje për kontrabandën e cigareve shumë më të lira nga Ballkani.

Fakti që banorët e Ballkanit dhe të Turqisë mund të lëvizin pa viza dhe që kushdo që fut 250 mijë dollarë fiton shtetësinë pa pasur nevojë ta deklarojë burimin e ka shtuar mundësinë për aktivitete të paligjshme.

I ashtuquajturi “Korridori Ballkanik” njihet më tepër për transportimin e heroinës nga Afganistani nëpër Iran, në Turqi, dhe përmes Ballkanit perëndimor. Që këtej droga dërgohet në tregjet kryesore në perëndim.

Nganjëherë heroina magazinohet përkohësisht në baza të ndryshme në vendet e Ballkanit perëndimor. Ministria e rendit në Maqedoninë e Veriut ka raportuar mbi shkatërrimin e një organizate kriminale në muajin shkurt 2019, në bashkëpunim me agjencinë e luftës kundër drogës të Shteteve të Bashkuara (DEA). Grupi kriminal ishte përfshirë në mënyrë të vazhdueshme në trafikimin e heroines dhe kanabisit nga Turqia në Maqedoninë e Veriut, Shqipëri, dhe më pas drejt Zvicrës, dhe vendeve të Evropës perëndimore. Ky grup kishte ngritur edhe laboratorë për prodhimin e stimulantëve tip amfetamine (ATS). Ka të dhëna se heroina kalon tranzit edhe nga Kosova.

Kohët e fundit në disa raste trafikantët shqipfolës janë përpjekur që të anashkalojnë rrjetet turke të trafikimit të drogës, dhe të krijojnë kontake direkte me furnizuesit iranianë të heroines dhe kjo sinjalizon një ndryshim të mundshëm të strukturës së trafikut të heroinës.

Forcat e rendit kanë arrestuar disa grupe shtetasish shqiptarë dhe kanë konfiskuar sasi të mëdha heroine dhe substancash të tjera.

Nga ana tjetër, edhe grupet iraniane duket se po përpiqen që të krijojnë bazat e tyre në Ballkanin perëndimor. Kjo mund të ketë pasoja të paparashikueshme për sigurinë në Ballkan.

Mendohet që trafikantët e heroinës përdorin të paktën 18 rrugë të ndryshme nga Turqia për në tregjet evropiane dhe destinacioni kryesor i heroinës janë Hollanda, Gjermania, Shqipëria, dhe Moldavia.

Hetime të zhvilluara në Turqi, Greqi dhe Shqipëri tregojnë se rrjetet turko-shqiptare shfrytëzojnë portet detare të Turqisë, dhe mijëra mole të vogla përgjatë bregdetit të Detit të Zi, Detit të Marmarasë, Detit Egje dhe Detit Mesdhe për trafikimin e kanabisit dhe heroinës.

Origjina primare e transportit të drogës me rrugë detare ka qenë Amerika e Jugut dhe Lindja e Mesme, ndërsa ngarkesat që dalin nga Turqia kanë si destinacione Hollandën, Gjermaninë, Belgjikën, Italinë, Britaninë, Greqinë dhe Italinë.

“Që nga viti 2015, forcat e rendit në Turqi kanë konfiskuar sasi të mëdha droge nga mjete detare transporti që kontrolloheshin nga grupe kriminale shqiptare. Zakonisht kontrollet dhe siguria në mole janë të kufizuara dhe duket se kjo është edhe pika më e dobët në kontrollin e kufirit të Turqisë me vendet e Bashkimit Evropian. Që këtu jahte luksoze dhe skafe që përdoren nga shqiptarë hyjnë e dalin pa ndonjë kontroll sigurie”, thuhet në raport.

Një pjesë e drogës transportohet edhe nga ajri.

Turqia po bëhet një treg gjithnjë e më i madh për ekstazi të prodhuar në Evropë, dhe grupet nga Kosova janë përfshirë në këtë trafik. Po kështu ka të dhëna se disa shtetas të vendeve të Ballkanit perëndimor janë përfshirë në prodhimin e methamfetaminës në Turqi.

Kur sektori antidrogë i policisë në Stamboll zbuloi një laborator methamfetamine në vitin 2018, organizata kriminale ndërkombëtare përbëhej nga shtetas nga Turqia, Uzbekistani, Irani, Britania, dhe Shqipëria.

Kanabisi është droga më e përhapur në tregun turk. Edhe super marihuana (skunk), një lloj droge me bazë kanabis (e prodhuar në Shqipëri), është mjaft e përhapur: 11 tonë nga kjo drogë u kapën në vitin 2018, një rritje prej 530 për qind krahasuar me një vit më herët.

Raporti thotë se nuk ka të dhëna zyrtare mbi numrin e trafikantëve të kanabisit nga vendet e Ballkanit perëndimor, por sipas raportit mund të arrihet në përfundimin se shqiptarët janë përfshirë në trafikimin e kanabisit në Turqi. Së pari, shqiptarët sjellin sasi të mëdha kanabisi me mjete detare transporti në porte.

Autoritetet turke kanë konfiskuar sasi rekord të super marihuanës që nga viti 2016, dhe ekspertët mendojnë se një pjesë e madhe e super marihuanës furnizohet nga rrjete shqiptare.

“Në të vërtetë, disa grupe shqiptare e kanë kthyer Detin Adriatik në një autostradë detare për trafikun e drogës”, thuhet në raport.

Sipas raportit, një nga trafikantët më famëkeqë është shqiptari Met Kenani, që transportonte sasi të mëdha drogash me mjete detare dhe që u arrestua në një aksion në vitin 2018. Raporti përmend disa aksione në disa vende të lidhura me rrjetin e tij.

Por megjithë arrestimin e Kenanit, rrjedha e kanabisit ka vazhduar. Në nëntor 2018, tre persona u arrestuan, duke përfshirë edhe një shtetas shqiptar që i jepte kamionit nga doganierët turq në kufirin me Greqinë, duke kapur 1.5 tonë hashish në një kamion që transportonte sojë.

Në qershor 2019, sektori antidrogë i policisë së Stambollit goditi një rrjet ndërkombëtar të krimit të organizuar që trafikonte rregullisht super marihuanë nga Shqipëria në Turqi, dhe konfiskoi 525 kilogramë super marihuanë. Në tetor 2019, policia greke zhvilloi një hetim mbi një grup trafikantësh shqiptarë që trafikonin sasi të mëdha marihuane nga Shqipëria në Turqi, nëpërmjet Greqisë.

Aksione të përbashkëta të policisë greke, Rojës Bregdetare, dhe Agjencisë Evropiane të Kufirit dhe Rojës Bregdetare (European Border and Coast Guard Agency – Frontex) rezultuan në kapjen e 1,172 kilogramëve opium të papërpunuar. Grupi shqiptar përdorte skafe për të dërguar kanabis në disa qytete në bregdetin turk. Nga hetimet doli se shqiptarët përdornin ishuj të pabanuar në Greqi për magazinimin e përkohshëm të drogës.

Hetuesit thanë se grupi shqiptar e shkëmbente kanabisin për heroinë në Turqi, dhe transportonte heroinë duke u kthyer mbrapsht nëpër të njëjtin itinerar.

Vitet e fundit, grupet nga Ballkani janë përfshirë në trafikun e migrantëve.

Sipas raportit grupet nga Ballkani perëndimor – veçanërisht nga Kosova dhe Shqipëria – kanë ngjitur shkallët e hierarkisë në botën e krimit, si në Turqi ashtu dhe në marrëdhëniet e tyre me grupet turke që kanë lidhje me Ballkanin.

Amerika Latine

Kriminelë nga Ballkani perëndimor filluan të hyjnë në biznesit e kokainës në Amerikën Latine, sidomos në Ekuador and Kolumbi rreth viteve 2008–2009 dhe janë kthyer në ndërmjetës të suksesshëm midis furnitorëve vendas dhe grupeve kriminale të konsoliduara, dhe tani së fundmi janë transformuar në faktorë kyç dhe shpërndarës të fuqishëm.

Në informacionet më të hershme në vitin 2001, u arrestuan tre shqiptarë në kuadër të operacionit Rrugëtimi (Journey), që zgjati dy vjet, dhe u zhvillua nga DEA në bashkëpunim me vende të tjera për të goditur trafikimin me rrugë detare nga Kolumbia. Po atë vit u zbulua edhe grupi i parë shqiptar që trafikonte kokainë.

Policia arrestoi gjashtë pjesëtarë të një grupi, duke përfshirë dy persona që në atë kohë punonin në prokurorinë e përgjithshme në Tiranë. Operacioni Rrugëtimi konfirmoi se ky grup kishte patur kontakte me kartelin e Medellin në Kolumbi që nga viti 1999, dhe ishte pjesë e një rrjeti të trafikimit të kokainës të shpërndarë në të gjithë botën.

Por trafiku i vërtetë duket se ka nisur rreth periudhës 2008–2009, kur serbi Darko Shariç u përfshi në trafikun e drogës nga Amerika Latine në Evropë.

Ndërsa Shariç po vazhdonte me sukses trafikun në Amerikën Latine, shqiptari Arbër Çekaj shkoi në Ekuador dhe hapi një kompani për tregtinë e bananeve. Brenda pak viteve Çekaj u bë trafikanti më I madh i drogës në Shqipëri, duke e fshehur drogën në ngarkesat me banane që i eksportonte në Evropë. Shumë shpejt të tjerë filluan të ndjekin shembullin e Shariçit dhe Çekajt, pasi kapjet e ngarkesave me drogë nga policia, arrestimet, dhe artikujt e lajmeve tregojnë se ka një angazhim gjithnjë e më të madh të kriminelëve nga Ballkani perëndimor në trafikimin e kokainës nga Amerika Latine.

Elementë të ndryshëm i kanë bërë tërheqës këto vende për grupet kriminale nga Ballkani, përfshirë lehtësinë për të hyrë dhe për të qendruar, korrupsionin dhe lehtësitë në sistemin gjyqësor siç e shpjegon një rast kur në vitin 2014, tetë ekuadorianë, dy shqiptarë, dhe një shqiptar i Kosovës u kapën në kuadër të operacionit Ballkani dhe u akuzuan për magazinimin e sasive të mëdha drogash në Guayaquil, për t’i trafikuar në Evropë.

Megjithë natyrën serioze të këtyre akuzave, Remzi Azemi nga Kosova u lirua një muaj pas arrestimit të tij. Në nëntor 2018, një shqiptar dhe një grek u arrestuan në një aksion antidrogë në bregdetin ekuadorian dhe u akuzuan për trafik droge, së bashku me gjashtë ekuadorianë. Kur çështja shkoi në gjykatë, gjykata e shkallës së parë dënoi ekuadorianët por la të lirë shtetasit e huaj.

Kjo pandëshkueshmëri ekziston edhe në Kolumbi. Në këtë vend këto grupe përfituan edhe nga vakuumi i krijuar kur pas nënshkrimit të marrëveshjes së paqes me qeverinë, organizata FARC filloi të tërhiqej nga territoret që mbante nën kontroll.

Në raport thuhet se që nga viti 2008, shqiptarët vajtën në Amerikën Latine si emisarët e grupeve mafioze italiane si ‘Ndrangheta dhe Kamorra, dhe si përfaqësues të grupeve grupeve mafioze nga vende të tjera evropiane, si Greqia dhe Spanja.

“Ata duket se kanë krijuar lidhjet e tyre edhe me mafiat turke dhe marokene për shpërndarjen e narkotikëve në Evropë. Sipas një burimi, roli i tyre fokusohet mbi shpërndarjen e brendshme të drogës, veçanërisht në shërbim të mafieve italiane dhe spanjolle, që kanë lidhje më të hershme me kartelet kolumbiane”, thuhet në raport.

Në raport thuhet se gjatë dekadës së fundit, Amerika Latine është kthyer në një zone problematike në lidhje me përfshirjen e grupeve nga Ballkani perëndimor në trafikun e drogës dhe nga informacionet e fundit duket se kjo prirje do të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Raporti citon një burim të afërt me strukturat anti-drogë në Ekuador, sipas së cilit 160 shqiptarë hynë në atë vend gjatë vitit 2018, dhe 20 prej tyre mund të kenç qenë trafikantët droge, ndërsa një burim nga policia kolumbiane tha se kanë vënë re një “rritje të pajustifikuar” në hyrjen e shtetasve shqiptarë në Kolumbi.

Nga ana tjetër, së shpejti mund të ndryshojnë edhe pikat e hyrjes: në janar 2020 Shqipëria dhe Guyana (në kufi me Brazilin dhe Venezuelën) nënshkruan një marrëveshje për heqjen e vizave.

Australia

Australia ka konsumin më të lartë të kokainës për banor në botë. Është një treg i pasur dhe ka të dhëna mbi persona nga Ballkani që janë të përfshirë në trafik. Sipas një burimi nga policia australiane, cituar në raport “aktualisht, krimi i organizuar ballkanik është kërcënimi më i madh për Australinë, është kaq i disiplinuar, kaq i ndërthurur dhe me influencë në komunitetet vendase, dhe paraqet një sfidë serioze për forcat e rendit”, por krahasuar me grupe të tjera, prania e tyre është më e vogël./ Zëri i Amerikës

Osmani kritikon Hotin: Me emërimin e Hysenit koordinator për dialogun shkele Kushtetutën

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani ka kritikuar kryeministrin e vendit Avdullah Hoti sa i përket dialogut me Serbinë. Thotë se arsyetimi i Hotit se ‘platforma e tij dialoguese është Kushtetuta’ nuk vlen, pasi Hoti tashmë ka shkelur Kushtetutën.

Osmani thotë se Gjykata Kushtetuese nuk lejon “mekanizëm të veçantë për negocim”, gjë të cilën sipas saj qeveria Hoti e bëri me emërimin e Skender Hysenit, koordinator për dialogun me Serbinë.

“Nëse në asgjë tjetër, në këtë pikë po, sepse është shkelë aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese i cili thotë se nuk mund të ketë mekanizëm të posaçëm që negocion. Në këtë rast mekanizmi i posaçëm që është krijuar me një vendim të qeverisë thotë që koordinatori shtetëror e udhëheq këshillin e ekspertëve. Pra, me shkrim nuk ia kanë dhënë kompetencën për të negociuar por gojarisht po, u tha edhe sot në Kuvend që z.Hyseni e ka mandatin për të negociuar e hartuar marrëveshjen finale”, tha Osmani në Kuvendin e Kosovës.

“Kurse Gjykata Kushtetuese e thotë se nuk mund të marrë një kompetencë të tillë”, tha Osmani.

“Ka negociuar në emër të Republikës së Kosovës ky “mekanizëm i posaçëm i quajtur kështu nga vetë Gjykata Kushtetuese”, theksoi ajo, duke thënë se vetë Hyseni një ditë më parë pranoi një gjë të tillë.

“Gjykata Kushtetuese thotë se vetëm kuvendi mund të themelojë trupa të veçantë ose mekanizma të veçantë, por jo me ja marrë kompetencat qeverisë ose Kuvendit”, tha ajo në Kuvend.

Ndërkohë ditë më parë, Hoti ka emëruar Skender Hysenin në postin e koordinatorit shtetëror në dialogun me Serbinë.

“Duke u bazuar në platformën e Qeverisë së Republikës së Kosovës për dialogun me Serbinë, në mbështetje të vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës të datës 1 korrik 2020, me qëllim të organizimit dhe të bashkërendimit institucional dhe ndërkombëtar të këtij procesi, kryeministri Avdullah Hoti sot ka emëruar z. Skender Hysenin Koordinator Shtetëror për Dialog”, thuhet në njoftimin e qeverisë.

XXV – 2020 VITI I AT GJERGJ FISHTËS – PROFESOR ARSHI PIPA: “Spastrimi” i gjuhës së armikut të klasës: Rasti i Fishtës, Camajt – Përgatiti Fritz RADOVANI

XXV – 2020 VITI I AT GJERGJ FISHTËS – PROFESOR ARSHI PIPA: “Spastrimi” i gjuhës së armikut të klasës: Rasti i Fishtës, Camajt -Përgatiti Fritz RADOVANI

Merrni me mend një adoleshent shqiptar, që duke kërkuar në një raft të vjetër të gjyshes së vet, zbulon një libër të hollë, botuar në vitin 1905. Ai mund të lexojë pjesë e parë të titullit “Te ura…”, pa qenë në gjendje të vazhdojë, pasi ka rënë në vështirësi në shkollimin e disa shkronjave

(Video) Darka Historike në Sheraton New York në 1990 me Dr. Ibrahim Rugovën e të tjerë, të udhëhequr nga DioGuardi & Kongreseni Tom Lantos

 

2500 shqiptar-amerikanë merrnin pjesë në atë darkë historike –

Voal.ch po i sjell lexuesit një video të rrallë nga aktivitetet e komunitetit shqiptaro-amerikan nën drejtimin e ish-Kongresmenit Joe DioGuardi që kish mbledhur rreth vetes personalitete nga komuniteti shqiptaro-amerikan dhe emra të shquar nga administrata amerikane, senatorë dhe kongresmenë me në krye Senatorin Republikan Larry Pressler dhe Kongresmenin Demokrat Tom Lantos që ishte i praishëm me gruan e tij dhe me familjen e njërës prej vajzave.

Është darka historike e organizuar në Manhattan në 28 prill 1990 të organizuar nga Lidhja Qytetare Shqiptaro Amerikane rreth një muaj para Dioguardi dhe Lantos dhe unë vizituan Hotelin Grand në Prishtinë për të paralajmëruar Millosheviqin që Kongresi amerikan do të vëzhgonte gjithçka që regjimi i tij brutal komunist dhe ultra nacionalist serb po i bënte popullatës civile të Kosovës. Më pas DioGuardi dhe  Lantos udhëtuan në Gjakovë dhe pastaj kaluan nga prizreni kufirin për në Shqipëri pak para qershorit 1990 për të takuar diktatorin komunist Ramiz Alia për t’i kërkuar atij që të hapte Shqipërinë drejt një Demokracie kur më pak se një vit më parë më 1989 ishte rrëzuar Muri i Berlinit. Mbi 2.500 përkrahës shqiptaro-amerikanë të AACL morën pjesë në darkën historike në Sheratonin e New York-ut, përpara krijimit të partive politike në shqiptare në Ballkan.

 

 

Shënohet sot 10 vjetori i vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare pro Pavarësisë së Kosovës

Sot mbushin plot 10 vjet që kur Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë ka shpallur vendimin këshillëdhënës, sipas të cilit deklarata e shpalljes së pavarësisë së Kosovës nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare.

Vendimi në favor të Kosovës, u bë me 10 vota pro dhe 4 kundër nga anëtarët e Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës, duke refuzuar kështu kërkesën e Serbisë për shkelje të së drejtës ndërkombëtare.

Vendimi u lexua nga presidenti i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në atë kohë, Hiasashio Ovada.
Kujtojmë se në atë kohë ai tha se shpallja e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt të 2008 nuk e kishte shkelur të drejtën ndërkombëtare.