Bazuar në 98.55 për qind të mostrës së përpunuar të materialit zgjedhor, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve në Mal të Zi njoftoi të hënën rezultatet paraprake të zgjedhjeve, sipas të cilave, Partia Demokratike e Socialistëve, e udhëhequr nga presidenti Millo Gjukanoviq, ka fituar 35.12 për qind të votave, ndërsa koalicioni opozitar “Për ardhmërinë e Malit të Zi” 32,54 për qind të votave.
Zgjedhjet parlamentare në Mal të Zi u mbajtën të dielën, me një pjesëmarrje prej më shumë se 75% të qytetarëve.
Sipas rezultateve të KSHZ-së, koalicioni “Paqja është kombi ynë” ka siguruar 12.55 për qind të votave, “E bardha në të zezë”, 5.57, Socialdemokratët 4.09, Partia e Boshnjakëve 3.81, Partia Social-Demokrate 3.14, Lista Shqiptare 1.61 dhe koalicioni shqiptar “Bashkë nji za” 1.16.
Nisma Qytetare Kroate dhe Partia Kroate e Reformës nuk e kanë kaluar pragun.
Pas gati tri dekadash në pushtet, Partia Demokratike e Socialistëve në Mal të Zi, e cila udhëhiqet nga presidenti pro-perëndimor i këtij vendi, Millo Gjukanoviq, përballet me mundësinë e humbjes në zgjedhje.
Shanset për të fituar pushtetin i kanë partitë opozitare që i lidh nacionalizmi serb dhe orientimi pro-rus.
Zgjedhjet parlamentare në Mal të Zi u mbajtën të dielën, me një pjesëmarrje prej më shumë se 75% të qytetarëve.
Rreth katër orë pas mbylljes së vendvotimeve, Gjukanoviq iu drejtua mbështetësve në Podgoricë, duke thënë se partia e tij do t’i pranojë rezultatet zgjedhore, porse do të presë rezultatin përfundimtar të Komisionit Shtetëror Zgjedhor.
Dallimi midis dy forcave që kanë marrë vendet e para në zgjedhje është aq i vogël, saqë një votë në përbërjen e ardhshme parlamentare mund të sjellë shumicën e nevojshme për të formuar qeverinë.
“Do të presim të shohim se kush do ta ketë atë votën e 41-të”, tha Gjukanoviq, për të shtuar se partia e tij do të mbetet luftëtare e palëkundur për të ardhmen evropiane të Malit të Zi.
Tri koalicionet opozitare në Mal të Zi: “Për ardhmërinë e Malit të Zi”, i udhëhequr nga partia Fronti Demokratik, “Paqja është kombi ynë”, i udhëhequr nga Demokratët e Alleksa Beçiqit, dhe “E bardha në të zezë”, i udhëhequr nga Dritan Abazoviq, kanë fituar së bashku 41 mandate të deputetëve në Parlamentin e Malit të Zi, nga gjithsej 81.
Të gjitha partitë dhe koalicionet e tjera që kanë marrë pjesë në zgjedhje kanë fituar gjithsej 40 vende.
Në mesin e tyre janë: subjekti i deritashëm në pushtet, Partia Demokratike e Socialistëve e Millo Gjukanoviqit, partitë e pakicave shqiptare dhe boshnjake, Social-Demokratët dhe Partia Social-Demokrate.
Rezultati përfundimtar i zgjedhjeve dhe numri përfundimtar i ulëseve parlamentare mbeten të pasigurt ende, sepse, sipas drejtorit të CEMI-t (Qendra për Monitorim), Zllatko Vujoviq, nuk janë numëruar të gjitha votët dhe ndryshimet e caktuara janë të mundshme.
Zgjedhjet parlamentare janë mbajtur nën tensione të larta politike dhe nën rrezikun që paraqet pandemia e koronavirusit.
Për 81 ulëset parlamentare kanë garuar gjashtë koalicione dhe pesë parti.
Këto janë zgjedhjet e njëmbëdhjeta që nga futja e sistemit shumëpartiak në Mal të Zi, ndërsa të pestat prejse ky shtet ka shpallur pavarësinë, më 2006.
Njëkohësisht janë mbajtur edhe zgjedhjet lokale në tri komunat bregdetare: Budvë, Kotor dhe Tivat, dhe në dy komuna më të vogla në veri: Andrijevicë dhe Guci.
Të drejtë vote kanë pasur 540,026 qytetarë.
Zgjedhjet janë vëzhguar nga 2,089 vëzhgues, nga të cilët 265 kanë qenë të huaj.
Në Mal të Zi ndodhet Rrjeti Evropian i Organizatave për Vëzhgimin e Zgjedhjeve (ENEMO) me gjithsej 23 ekipe.
Shefi i misionit vëzhgues të ENEMO-s në Mal të Zi, Gianluca Passarelli, ka thënë se zgjedhjet parlamentare në Mal të Zi mbahen në një kohë vendimtare për këtë vend dhe se trazirat politike dhe sociale, kriza ekonomike dhe pandemia paraqesin një sfidë të madhe për të gjithë sistemin.
Drejtori i Institutit të Shëndetit Publik në Mal të Zi, Boban Mugosha, ka thënë se procesi zgjedhor nuk do të paraqesë rrezik epidemiologjik nëse respektohen të gjitha masat.
Sipas tij, situata epidemiologjike në Mal të Zi është përkeqësuar për shkak të tubimeve masive, porse nga vetë zgjedhjet nuk do të ketë rrezik.
“Njerëzit mund të shkojnë lirshëm të votojnë dhe të mbajnë maska, distancë dhe higjienë. Kështu, hapësira e votimit mund të jetë plotësisht e sigurt”, ka thënë Mugosha.
Garuesit
Subjekti më i madh në Mal të Zi, Partia Demokratike e Socialistëve (DPS), që udhëhiqet nga presidenti i shtetit, Millo Gjukanoviq, ka garuar në mënyrë të pavarur, ndërsa bartës i listës zgjedhore është kryeministri aktual, Dushko Markoviq.
DPS është në pushtet që 30 vjet, në koalicion me parti më të vogla qytetare dhe parti të pakicave kombëtare.
Nga partitë e pushtetit aktual, në garë ishin edhe Social-Demokratët, Partia e Boshnjakëve, pastaj dy koalicione të partive shqiptare: “Lista shqiptare” dhe “Bashkë nji za”, si dhe dy parti të pakicës kroate.
Opozita, ndërkaq, ka garuar me tri koalicione dhe një parti.
Fronti Demokratik, partia më e madhe opozitare, njëherësh pro-serbe dhe pro-ruse, ka garuar brenda koalicionit “Për ardhmërinë e Malit të Zi”, që udhëhiqet nga profesori Zdravko Krivokapiq – një figurë jopartiake.
Lart në listë zgjedhore ishte edhe Marko Millaçiq, i cili vitet e kaluara ka udhëhequr një fushatë kundër NATO-s, duke djegur publikisht flamuj të aleancës ushtarake.
Koalicionin “Paqja është kombi ynë”, me në krye Alleksa Beçiqin, e përbëjnë Mali i Zi Demokratik dhe Demos.
Lista “E zeza në të bardhë” drejtohet nga lëvizja qytetare Ura e Dritan Abazoviqit – i cili është shqiptar – me mbështetjen e një numri të konsiderueshëm intelektualësh të profesioneve, kombeve dhe ideologjive të ndryshme.
Partia Social-Demokratike e opozitës, e cila ka garuar në mënyrë të pavarur, ka qenë në pushtet me DPS-në deri pesë vjet më parë.
Ajo e ka lënë pushtetin për shkak të, siç ka thënë, korrupsionit të kudogjendur në strukturat shtetërore.
Fushata
Për shkak të pandemisë së koronavirusit, fushata parazgjedhore është zhvilluar kryesisht në mediat online dhe në rrjetet sociale.
Në përputhje me urdhrat e Trupit Kombëtar të Koordinimit, në tubimet partiake kanë mundur të mblidhen deri në 100 persona jashtë dhe 50 brenda.
Temë mbizotëruese e fushatës ka qenë Ligji për Lirinë e Fesë, për të cilin shteti dhe Kisha Ortodokse Serbe në Mal të Zi kanë mosmarrëveshje të ashpra.
Ligji, i cili është miratuar në Kuvendin e Malit të Zi më 27 dhjetor, 2019, dhe me incidente të deputetëve të Frontit Demokratik, për Kishën Ortodokse Serbe paraqet përpjekje për të rrëmbyer pronën e saj.
Ligji përcakton që e gjithë prona e Kishës, e krijuar para vitit 1918 në Mal të Zi, për të cilën Kisha Ortodokse Serbe nuk ka prova të origjinës, t’i transferohet shtetit.
Përveç organizimit të protestave për muaj të tërë në të gjithë Malin e Zi, Kisha Ortodokse Serbe u ka bërë thirrje qytetarëve që të dalin në votime dhe të votojnë kundër Qeverisë aktuale, e cila ka miratuar ligjin.
Në liturgjitë e kishave, të mbajtura gjatë fushatës zgjedhore – përkundër ndalesës së tubimeve për shkak të pandemisë – kanë dominuar simbolet kombëtare serbe dhe mesazhe politike kundër Gjukanoviqit dhe Qeverisë aktuale.
Për një pjesë të opozitës, kryesisht Frontin Demokratik, mbështetja e Kishës Ortodokse Serbe ka qenë shtyllë e fushatës.
Qeveria e ka përqendruar fushatën e saj te Kisha Ortodokse Serbe dhe opozita, që e mbështet atë, duke thënë se ato bëjnë përpjekje për ta përmbysur shtetësinë e Malit të Zi nga pozicioni serbomadh.
Pjesa tjetër e opozitës është marrë kryesisht me temat e krimit, korrupsionit dhe sundimit të ligjit.
Përfaqësuesit e popujve pakicë, ndërkaq, janë përqendruar në temat e mbrojtjes së identitetit kombëtar dhe tek e drejta për përfaqësim më të madh të pakicave në institucionet qeveritare dhe administratën publike.
Pa i specifikuar kërcënimet, shefat e policisë kanë thënë se institucionet nuk do të lejojnë që shteti të destabilizohet gjatë zgjedhjeve dhe se ato do ta mbrojnë paqen dhe sigurinë e qytetarëve.
Zgjedhjet paraprake
Zgjedhjet e fundit parlamentare në Mal të Zi janë mbajtur më 16 tetor, 2016, me një pjesëmarrje të lartë – mbi 73 për qind – të votuesve të regjistruar. Partia Demokratike e Socialistëve e Millo Gjukanoviqit i ka fituar shumicën e ulëseve.
Këto zgjedhje i ka karakterizuar afera “Grushtshteti”, pasi në ditën e votimeve janë arrestuar disa shtetas të Serbisë, nën dyshimet se kanë përgatitur përmbysjen me dhunë të Qeverisë malazeze dhe, sipas Prokurorisë Speciale të Shtetit, edhe likuidimin e kryeministrit të atëhershëm malazez, Millo Gjukanoviq.
Video: Arrestimet në Mal të Zi, 16 tetor, 2016.
Gjatë gjykimit dyvjeçar, në shkallën e parë janë dënuar dy shtetas rusë, të cilët janë gjykuar në mungesë, dy udhëheqës të Frontit Demokratik dhe një grup i shtetasve serbë.
Askush prej tyre nuk e ka pranuar fajësinë.
Rasti ndodhet në Gjykatën e Apelit, ku duhet të merret vendimi përfundimtar.
Udhëheqësit e Frontit Demokratik, Andrija Mandiq dhe Millan Knezheviq, që kanë dënim të shkallës së parë me nga pesë vjet burgim, gjenden në listën zgjedhore “Për ardhmërinë e Malit të Zi”.
Parlamenti i Republikës Sërpska në Bosnjë e Hercegovinë e ka miratuar të enjten një raport, i cili thekson se vrasja e 8.000 myslimanëve në Srebrenicë gjatë luftës së Bosnjës, nuk përbën gjenocid.
Më 2007, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e shpalli gjenocid krimin në Srebrenicë, në të cilin u vranë më shumë se 8.000 burra dhe djem boshnjakë më 1995 nga Ushtria e Republikës Sërpska.
Masakra e Srebrenicës është cilësuar si më e rënda në Evropë prej Luftës së Dytë Botërore.
Megjithatë, presidenti nacionalist i Republikës Sërpska, Millorad Dodik, tha para ligjvënësve se “nuk ka ndodhur gjenocid, prandaj një cilësim i tillë duket të hidhet poshtë”.
“Serbët nuk kanë kryer gjenocid”, shtoi ai.
Ky vendim u mor në një kohë kur Serbia dhe Republika Sërpska janë duke bërë fushatë kundër një draft-rezolute, e cila është duke u diskutuar në Kombet e Bashkuara për ta shpallur 11 korrikun si Ditën Ndërkombëtare të Kujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë.
Asambleja e Përgjithshme e OKB-së pritet ta votojë në fillim të majit këtë draft-rezolutë.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha javën e kaluar se Serbia do të luftojë kundër miratimit të kësaj rezolute në OKB, e cila do t’i fajësonte serbët. Ai druhet se rezoluta mund të krijojë bazën për boshnjakët që të kërkojnë dëmshpërblim lufte nga Serbia, aleatja e serbëve të Bosnjës gjatë luftës.
Rezoluta është pjesërisht e ngjashme me rezolutën për gjenocidin e Ruandës, ku rreth 800.000 tutsi dhe hutu ishin vrarë. Drafti i saj është zhvilluar nga një grup vendesh, përfshirë Ruandën, Gjermaninë, Francën dhe Shtetet e Bashkuara.
Deri tani, më shumë se 50 njerëz janë dënuar me mbi 700 vjet burgim për gjenocid dhe krime të tjera në Srebrenicë.
Radovan Karaxhiq, presidenti i parë i Republikës Sërpska [1992/1995], entitetit kryesisht serb i cili bashkë me federatën boshnjake dhe atë kroate e përbëjnë Bosnjën, u dënua me burgim të përjetshëm për gjenocid dhe krime të tjera, përfshirë në Srebrenicë.
Komandanti i ushtrisë së Republikës Sërpska në atë kohë, Ratlko Mlladiq, po e vuan një dënim me burgim të përjetshëm për gjenocid po ashtu. Radio Evropa e Lirë
Kryetare e Komitetit të Helsinkit për të drejtat e njeriut në Serbi, Sonja Biserko ka folur për integrimin e serbëve të Kosovës. Gjatë fjalës së saj Biserko u shpreh se komuniteti serb në Kosovë po përballet me presion të ashpër nga Beogradi.
Sipas saj, ata po instrumentalizohen për interesat e Beogradit dhe jo për interesat e tyre. Biserko ka deklaruar se ideja për ndarje të Kosovës është ende në tavolinë kur flitet për qëllimet e Serbisë por jo edhe nga komuniteti ndërkombëtar.
“Pas rastit të Banjskës dhe luftës në Ukrainë, konteksti ndërkombëtar ka ndryshuar dhe siç e dini, është përfolur për një front të dytë në Ballkanin perëndimor, dhe që atëherë komuniteti perëndimor e ka rritur prezencën e tij”, tha ajo.
Biserko foli edhe në lidhje me sulmin eregjistruar para disa muajsh në Banjskë ku u shpreh se ka një qasje të re ndaj Serbisë.
“Ka një qasje të re anipse ata janë ende duke mbajtur derën hapur ndaj Serbisë për të iu bashkangjitur anës perëndimore në vend të lindjes. Janë disa ndryshime që diskutohen në Serbi dhe që përshkruhen si akte armiqësore nga perëndimi ndaj Serbisë”, ka thënë ajo për KTV.
Pas orësh të tëra të bllokuar, janë liruar udhëtarët nga Kosova që ishin ndaluar nga autoritetet kufitare serbe në vendkalimin Kroaci-Serbi.
Ata u ndaluan pak orë pasi në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës u dha drita e gjelbër për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.
Ndalimi i tyre ka nxitur reagime të shumta. Kryeministri Albin Kurti ka thënë se me këto veprime, Serbia po hakmerret ndaj votimit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës që i hap rrugë anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë.
Edhe Bashkimi Evropian ka thënë se Serbia shkeli Marrëveshjen e Lëvizjes së Lirë.
Ndërkohë ende nuk dihet për kosovarët e ndaluar në vendkalimin kufitar Serbi – Hungari.
Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi ka njoftuar edhe për ndalimin e shqiptarëve të Luginës së Preshevës te “Dheu i Bardhë”.
Ai tha se qytetarët atje po mbahen me orë të tëra nga autoritetet serbe.bw
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq gjendet në panairin ekonomik në Mostar, Bosnje-Hercegovinë.
Vuçiq ka shprehur nervozizëm gjatë ditëve të fundit për Rezolutën që do të miratohet në Asamblenë e Kombeve të Bashkuara, ku një sërë vendesh me ndikim janë pro njohjes së gjenocidit në Srebrenicë.
Gazetarja tha se në Srebrenicë ka pasur gjenocid dhe se në Hagë është vërtetuar se Serbia është fajtore për mos parandalimin e gjenocidit.
Vuçiq e ndërpreu atë duke pohuar se “nuk është e vërtetë, mos e shpik. Është vërtetuar se Serbia nuk është në asnjë mënyrë përgjegjëse për gjenocidin, vetëm për ta mbajtur parasysh. Mos i mashtroni njerëzit si ju i mashtroni njerëzit në Sarajevë që kam bartur një snajper, se kam qëlluar dikë”.
“Problemi është se ju vazhdimisht shpikni, se nuk mund t’i përmbaheni fakteve, se ju në Sarajevë duhet të shpikni diçka,” vazhdoi ai. “Dhe ti duhet të më dëgjosh mua”, i preu përsëri ai fjalën.
Dodik iu bashkua duke thënë se më shumë serbë u vranë në Sarajevë gjatë rrethimit sesa u vranë në Srebrenicë.
Vuçiq dhe Dodik më pas, mjaft të revoltuar, u larguan nga panairi.
Është regjistruar biseda e tyre në të cilën ndër të tjera Dodik e quan gazetaren lopë.
Vuçiq dhe Dodik kritikojnë gazetaren për pyetjen në lidhje me Srebrenicën, dhe më pas i referohen deklaratës së mëparshme të Dodikut në panair, në të cilën ai la të kuptohet për daljen e Republikës Serbe nga Bosnja dhe Hercegovina nëse rezoluta miratohet, për të cilën Vuçiq, para konflikti me gazetaren, ka reaguar para gazetarëve serbë me njëfarë indinjate ndaj deklaratës së Dodikut, ndonëse ka shtuar se në disa gjëra kishte të drejtë.sn
Transkripti i bisedës mes Dodik dhe Vuçiqit
Më poshtë transkripti i gjithë bisedës mes Dodik dhe Vuçiqit pas bashkëveprimit me gazetarie.
Dodik: Shikoni ato lopët e N1, si quhen. Ajo ka të vërtetën e saj, të thotë dhe largohet.
Vuçiq: Çfarë do të bësh…
Vuçiq: Dhe e keni parë ndërtimin? Fillimisht ju thotë se çfarë fajtore ka Serbia, por pastaj ju thotë se Serbia nuk përmendet.
Dodik: Po…
Vuçiq: E di, duhet të jesh i lumtur, mendoj…
Dodik: Epo, kjo është historia e tyre që ju nuk e përmendni, po, po. Dhe si “po, cili është problemi”.
Vuçiq: Po…
Vuçiq: Por e pashë, Mile, se gazetarët në Serbi janë të kënaqur me njoftimet e tua. Nuk më intereson çfarë u thashë…
Dodik: Hahaha
Dodik: Dhe çfarë tjetër, nuk ka të bëjë me vullnetin… Të lë me një zgjedhje, çfarë? Dëshiron të qëndrosh e të vuash…? Mendoni se netji do të ndalet këtu? Ata kurrë nuk do të…
Vuçiq: Të vizitojmë vëllezërit tanë hungarez këtu? (duke iu referuar pjesës së panairit ku ekspozojnë hungarezët)
Dodik: Që të mos ndihen vetëm…
Vuçiq: Ku jeni? Përderisa ka serbë, hungarezët nuk janë vetëm.
Ish-kryeprokurori special i Malit të Zi, Milivoje Katniç u arrestua së bashku me një ish-zyrtar të lartë policor, të quajtur Zoran Lazoviç.
Lajmi bëri shumë bujë në mbarë rajonin, ndërsa raportohet se hetimet ishin nxitur nga Bashkimi Europian. Edhe në këtë rast, zbërthimi i komunikimeve në rrjetin SKY duket se ka luajtur një rol vendimtar për hetimin e tyre.
Mediat e Malit të Zi raportojnë se ishte pikërisht zyrtari i lartë policor Zoran Lazoviç që kishte formuar një organizatë kriminale në vitin 2020.
Ai kishte rekrutuar në këtë organizatë të birin e tij, Petar, që vepronte si ‘agjent i maskuar’; kryeprokurorin special Katniç dhe prokurorin special Sasha Cadenovic, të arrestuar më herët.
Qëllimi i bandës ishte të bashkëvepronte me grupin kriminal famëkeq të Radoje Zvicer nga Kotori me qëllim përfitimesh të paligjshme.
Lazoviç dhe Katniç ndihmuan edhe kriminelët famëkeqë serbë Veljko Belivuk dhe Marko Miljkoviç që të futeshin në mënyrë të ligjshme në Mal të Zi, edhe pse ndaj tyre kishte një urdhër-ndalimi.
‘Vëllezërit’ Belivuk dhe Miljkoviç njihen si njerëz të ngushtë të presidentit serb, Aleksandër Vuçiç.
Pasi i ndihmuan të futen në mënyrë të ligjshme në Mal të Zi, Lazoviç u dërgoi një mesazh në SKY.
“Tani jeni të sigurtë. Tani mund të udhëtoni. Ky është një vend i sigurt. Faleminderit që udhëtuat me SBPOK (sektori i luftës kundër krimit të organizuar)”.
Lazoviç i dërgonte mesazhe kryeprokurorit special dhe ky i fundit udhëzonte prokurorin special Cadenoviç se si duhej të vepronte. sn
Presidenti serb Aleksandër Vuçiç u ka dërguar letra të gjithë liderëve evropianë në lidhje me njoftimin se Kosova do të pranohet në Këshillin e Evropës, tha më 12 prill ministri i Financave Sinisha Mali.
“Serbia do të bëjë gjithçka që ai pranim të mos ndodhë… Sfida e parë për ne është pikërisht Këshilli i Evropës dhe ajo betejë që na pret,” tha Mali për Happy TV.
Sipas tij, Serbia është objekt i presionit më intensiv deri më tani.
Mali tha se problemet më të mëdha në rajon ishin çështja e marrëdhënieve midis Republikës Srpska dhe autoriteteve qendrore në Bosnje dhe Hercegovinë, situata në Kosovë dhe Metohi, çështja e vendosjes së sanksioneve kundër Rusisë dhe mundësia e miratimit të një rezolute të OKB-së. për gjenocidin në Srebrenicë.
Vuçiç: Përgjigja e Serbisë ndaj anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës do të jetë e fortë
Reagimi i Serbisë ndaj pranimit të mundshëm të Kosovës në Këshillin e Evropës do të jetë i fortë dhe i përgjegjshëm, tha presidenti serb Aleksandar Vuçiç në një fjalim më 29 mars. Vuçiç nuk pranoi të thotë saktësisht se cili do të jetë reagimi i Serbisë, por tha se Beogradi mbetet i gatshëm të negociojë.
“Ne do të vazhdojmë të flasim. Jam i gatshëm të dëgjoj mendimin e Kuvendit dhe të qeverisë. Do të përgatitemi dhe do të presim”, tha Vuçiç, shkruan RFERL.
Vuçiç më 28 mars hodhi poshtë vlerësimet se Serbia po e braktis rrugën e saj evropiane pasi shpalli një dalje të mundshme nga Këshilli i Evropës nëse kjo organizatë pranon Kosovën, një ish-krahinë e Serbisë, pavarësinë e së cilës Beogradi nuk e njeh.
Ai në fjalën e tij vlerësoi se një iniciativë evropiane për ta futur Kosovën në Këshillin e Evropës vjen pa kushte për Prishtinën.
“Edhe pse sanksionet evropiane ndaj Kosovës janë zyrtarisht në fuqi për shkak të moszbatimit të Marrëveshjes së Brukselit], në vitin e kaluar Prishtina ka marrë pjesë në të gjitha forumet ndërkombëtare perëndimore”, tha Vuçiç.
Vuçiç po i referohej një marrëveshjeje të arritur nga vendi në 2013 në Bruksel për të normalizuar marrëdhëniet rreth pesë vjet pasi Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia, veçanërisht një angazhim për të krijuar një Asociacion të Komunave Serbe për të përfaqësuar komunitetet me shumicë serbe.
Vuçiç shpalli më 22 mars se Serbia do të largohet nga Këshilli i Evropës pas më shumë se 20 vitesh anëtarësim nëse do të pranohej Kosova.
Ideja e tij u mbështet nga ish-kryeministrja Ana Brnabiç, e cila tani është kryetare e parlamentit.
“Pranimi i Kosovës në Këshillin e Evropës do të shkelte statutin e atij institucioni dhe do të rrezikonte rolin e saj në mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe sundimin e ligjit”, tha Ana Brnabiç.
Këshilli i Evropës, një organizatë e pavarur evropiane, u themelua në Londër në vitin 1949 dhe merret me mbrojtjen e të drejtave të njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit.
Janë 46 vende anëtare, duke përfshirë 27 shtetet e Bashkimit Evropian. Anëtarët janë nënshkrues të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut./SYRI.NET
Zyrtarë të qeverisë serbe thanë se presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç, u ka nisur të premten letër presidentit francez Emanuel Macron, kancelarit gjerman, Olaf Sholz dhe udhëheqësve të tjerë evropian për të kundërshtuar anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, megjithë thirrjet perëndimore për zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën e cila kërkon që palët të mos pengojnë njëra tjetrën në proceset integruese.
Po të premten, presidenti serb takoi ambasadorin kinez në Beograd, Li Ming, për t’i kërkuar mbështetjen e Kinës në përpjekjet e Serbisë kundër miratimit të mundshëm të një rezolute në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara mbi gjenocidin në Srebrenicë.
Presidenti Vuçiç, i ka cilësuar këto dy çështje si “sfida të rënda” para Serbisë. Javën e kaluar urdhëroi qeverinë e tij të themelojë një grup punues për të kundërshtuar anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, ndërsa Asambleja Parlamentare e këtij mekanizmi pritet të votojë me 16 prill, dhe më pas çështja kalon në Këshillin e Ministrave.
Të enjten në mbrëmje presidenti serb i cili mblodhi në Beograd udhëheqësit e qeverisë së tij dhe ata të Republikës Serbe, sërish përvijoi mundësinë qe vendi i tij të tërhiqet nga Këshilli i Evropës nëse Kosova bëhet anëtare e tij, ndërsa kritikoi ashpër vendet kryesore perëndimore që kritikuan Listën Serbe në Kosovë për shkak të thirrjeve të saj për bojkotimin e votimit për shkarkimin e kryetarëve në katër komunat në veri të Kosovës.
“Ata duhet të turpërohen”, tha ai, duke i akuzuar perëndimorët se duan ta bëjnë Kosovën pjesë të Këshillit të Evropës “pa plotësimin e kushteve”, duke vënë theksin te Asociacioni i komunave me shumicë serbe.
Më 27 mars Komiteti për Politikë dhe Demokraci i dha dritën jeshile kërkesës së Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Serbia votoi kundër.
Komiteti tha pas votimit se mirëpret një listë të gjerë të zotimeve të bëra me shkrim nga autoritetet e Kosovës ndërsa nënvizoi se themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe duhet të jetë një “angazhim pas anëtarësimit” për Kosovën, që do të ndihmonte për të siguruar mbrojtjen e të drejtave të serbëve të Kosovës.
Vendet e “Quint-it”, siç njihet pesëshja kryesore perëndimore e përbërë nga Shtetet e Bashkuara, Franca, Gjermania, Italia dhe Mbretëria e Bashkuar, e shohin çështjen e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës si një levë për të ushtruar trysni mbi qeverinë e kryeministrit Albin Kurti, të hedhë hapa drejt themelimit të Asociacionit, që është edhe pika më e vështirë e bisedimeve Kosovë – Serbi.
Presidenti serb Vuçiç, takoi të premten ambasadorin kinez në Beograd për t’i kërkuar mbështetjen e Kinës “në luftën për të vërtetën para Kombeve të Bashkuara”.
Me 17 prill në OKB pritet të prezantohet një projekt-rezolutë që shpall 11 prillin si Ditën Ndërkombëtare të Kujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë. Ruanda dhe Gjermania po udhëheqin këtë përpjekje, por sipas informacioneve që ka siguruar Zëri i Amerikës, pjesë e kësaj nisme janë edhe Shtetet e Bashkuara, Shqipëria, Bosnja, Kili, Finlanda, Zelanda e Re, Turqia, Franca dhe vende të tjera.
Më 11 korrik të vitit 1995, më shumë se 8 mijë burra dhe djem myslimanë boshnjakë u ekzekutuan nga forcat e serbëve të Bosnjës në Srebrenicë. Megjithë vendimin e gjykatave ndërkombëtare se në Srebrencië është kryer gjenocid, Beogradi e mohon një gjë të tillë.
Ish udhëheqësi i serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiç dhe ai ushtarak Ratko Mladiç, janë dënuar më burgim të përjetshëm nga Gjykata e OKB-së për krime lufte në ish Jugosllavi, për krime lufte dhe gjenocid në Srebrenicë.
Presidenti serb e cilësoi nismën për rezolutën në OKB, si “të pafytyrë” duke theksuar se Serbia “do t’u kundërvihet vendeve të NATO-s, nga Gjermania në Turqi”.
Presidenti pro rus i Republikës Serbe, Milorad Dodik, paralajmëroi se parlamenti i entitetit të tij do të ndërmarrë veprime për t’i braktisur institucionet vendimmarrëse në Bosnje, nëse kalon rezoluta, që sipas tij “synon t’i bëjë serbët kolektivisht fajtorë për gjenocid”, duke mohuar sërish që kjo të ketë ndodhur në Srebrenicë.
Milorad Dodiku është nën sanksionet e Shteteve të Bashkuara dhe Mbretërisë së Bashkuar për shkak të përpjekjeve për shkëputjen e entitetit të tij dhe bashkimin me Serbinë.
Qeveria e Republikës Serbe nisi në fund të marsit procesin e miratimit të ligjit të saj zgjedhor me të cilin synon të marrë kompetencat nga autoritetet qendrore të Bosnjës.
Të premten ambasada amerikane në Sarajevë tha se krijimi i një sistemi zgjedhor paralel nga qeveria e Republikës Serbe do të ishte antikushtetues dhe kundër marrëveshjes së Dejtonit, e cila i dha fund luftës në Bosnjë me 1995.
“Milorad Dodik gabon nëse mendon se Shtetet e Bashkuara do të qëndrojnë mënjanë ndërsa ai ndjek agjendën e tij ndarëse dhe e shtyn Bosnjën drejt konfliktit”, thuhet në një postim të ambasadës amerikane të shpërndarë në rrjetin X, duke nënvizuar se “çdo përpjekje e një entiteti apo ndonjë njësie tjetër nënshtetërore për t’u shkëputur është një veprim kundër Dejtonit që nuk do të tolerohet”.
Perëndimi është i shqetësuar se Rusia mund të përpiqet të nxisë destabilitet në Bosnje për të shmangur një pjesë të vëmendjes nga lufta në Ukrainë. Bosnja mbetet etnikisht e tensionuar dhe politikisht e brishtë pas luftës së viteve 1992-1995 që la pas vetes mbi 100 mijë të vrarë dhe miliona të zhvendosur.
Presioni ndaj Serbisë nuk ka qenë kurrë më i madh. Kështu pretendon ministri i Financave në serbi Sinisha Mali, i cili konfirmoi se presidenti Aleksandër Vuçiç u ka dërguar letra liderëve europianë këtë mëngjes për çështjen e anëtarësimit të mundshëm të Kosovës në Këshillin e Europës.
Siç pretendon, Vuçiç u ka shkruar kancelarit të Gjermanisë Olaf Sholc, presidentit francez Emanuel Macron dhe liderëve të tjerë.
“Nuk e kam parë presidentin më të shqetësuar se këto ditë. Presionet dhe problemet nuk kanë qenë kurrë më të mëdha”, deklaroi ministri i Financave që përmendi si sfida, Kosovën, sanksionet ruse dhe rezolutën për Srebrenicën.
“Sfida e parë për ne është pikërisht Këshilli i Evropës dhe lufta që na pret”, tha Mali , duke shtuar se Serbia do të bëjë gjithçka që anëtarësimi i Kosovës të mos ndodhë. Ai theksoi se kushdo që e njeh Vuçiçin e di se dorëzimi për të nuk është një opsion dhe se ai gjithmonë. sn
Pas 102 vitesh në Selanik është hapur sot për herë të parë Xhamia e Re për kremtimin e Fitër Bajramit nga myslimanët e këtij qyteti. Monumenti historik, i cili përdoret si hapësirë ekspozite e Galerisë së Arteve Komunale, u është dhënë për herë të parë që nga viti 1922 myslimanëve për faljen e namazit, pas agjërimit të Ramazanit. Vendimi është marrë nga Sekretariati i Përgjithshëm i Feve dhe sipas ligjit, imami që kryen namazin është zgjedhur nga shteti grek. Namazi i parë në Xhaminë e re ka nisur herët në mëngjes në orën 7.30.
Prej orëve të para të mëngjesit ka pasur një prezencë të forcave policore dhe masa të rrepta sigurie, mes të cilave kontrolli në të gjithë zonën dhe brenda xhamisë para se të hapej.
Kujtojmë se pas një sërë pengesash burokratike, xhamia e parë në Athinë ku jetojnë mbi 300 mijë myslimanë, kryesisht emigrantë nga Azia, Afrika dhe Lindja e Mesme, është hapur në vitin 2021.
Sipas të dhënave të Sekretariatit të Përgjithshëm të Feve, në Atikë, përveç xhamisë islame të Athinës, funksionojnë 15 xhami të licencuara, ndërsa ato jozyrtare llogariten nga 55 deri në 60. Në Thrakë ka rreth 300 xhami dhe një në Kos, Rodos, Thebë dhe Selanik.
Qytetarët myslimanë grekë janë afërsisht 125,000 dhe jetojnë kryesisht në Traki. Në Atikë, refugjatët dhe emigrantët myslimanë vlerësohen në 250,000 kryesuar nga pakistanezët.bw
Masakra e Tivarit e prillit të vitit 1945, nga studiuesit dhe historianët, cilësohet si njëri ndër krimet më të mëdha ndaj shqiptarëve nga Kosova.
Në këtë masakër brenda një dite u vranë dhe u masakruan gati 3000 të rinj të gjithë nga Kosova të rekrutuar si partizanë për të luftuar në territoret e ish-Jugosllavisë.
Kjo ngjarje tragjike nisi të shënohet shumë vonë nga subjektet politike shqiptare në Malin e Zi. Studiuesi Hajrullah Hajdari i tha Zërit të Amerikës se në vendin e ngjarjes duhet të ngritët një monument për të rikujtuar datën më të dhimbshme të historisë shqiptare.
Masakra e Tivarit ishte krimi më i madh ndaj shqiptarëve të rekrutuar nga Kosova nga partizanët jugosllavë në fundin në fillimin e prillit të vitit 1945, në fund të Luftës së Dytë Botërore.
Llogaritet se numri i viktimave i kaloi mbi 4000 të vrarë dhe të zhdukur, dhe deri vonë kjo ngjarje ishte një temë që është mbajtur e fshehtë për dekada të tëra, ku ishte i implikuar edhe shteti komunist shqiptar.
Studiuesi Hajrullah Hajdari, vë në dukje, se kjo ngjarje la gjurmë të pashlyeshme në ndërdijen kolektive të popullit shqiptar.
“Masakra e Tivarit është një pikë e zezë në historinë tonë kombëtare. Në kasaphanën e pamëshirshme e ndodhur në Monopolin e Duhanit në Tivar pothuaj 80 vite më parë u masakruan afro 3 mijë shqiptarë nga Kosova”, tha ai.
Studiuesi Hajdari, vë në dukje, se ngjarja tragjike e Tivarit nisi të shënohet shumë vonë nga subjektet shqiptare në Malin e Zi, duke rikujtuar në forma të ndryshme këtë datë të dhimbshme të historisë shqiptare.
“Janë shkruar disa libra dhe madje është xhiruar edhe një film dokumentar dhe janë zhvilluar disa manifestime dhe përkujtime për këtë datë, kurse bjeshkatarët e shoqatës “Rumia” kanë organizuar një udhëtim në rrugën e Masakrës së Tivarit,” tha zoti Hajdari.
Zoti Hajdari tha se në Tivar duhet të ngritet një monument i shkruar në disa gjuhë kushtuar kësaj ngjarje tragjike. Një monument i tillë duhet të jetë monument i kujtesës, për të kaluarën.
“Duhet bërë çmos që faktori politik shqiptar dhe të tjerët, që së paku ato shpirtra që u masakruan në oborrin e Monopolit të pushojnë të qetë dhe t’iu ngritët një përkujtimore e shkruar jo vetëm në gjuhën shqipe, por edhe në anglisht dhe në gjuhën serbe që ta kuptojnë të gjithë se çka ka ndodhur aty dhe çdoherë të përkujtohen”, tha zoti Hajdari.
Studiuesi Hajdari tha se në çështjen e masakrës së Tivarit të angazhohen institucionet e Kosovës dhe me përfaqësuesit malazezë të kërkojnë ndriçimin e kësaj ngjarje që do të ishte shumë e rëndësishme në rrethanat të reja shoqërore e politike në rajon.
Serbia ka nisur një ofensivë diplomatike për të ndaluar një rezolutë në Kombet e Bashkuara, që do ta shpallte atë një komb gjenocidal. Për këtë, presidenti Aleksandër Vuçiç, ka njoftuar se synon që në pak ditë të bisedojë me liderët e 50 vendeve, por që në fakt shumica prej tyre janë shtete të varfra të Afrikës.
“Është jashtëzakonisht e rëndësishme të fitosh Egjiptin si një vend që ka një ndikim të madh”, deklaron Vuçiç.
Presidenti serb bëri me dije gjithashtu se bashkë me ekipin shtetëror do të udhëtojnë për në Nju Jork për të ndaluar rezolutën në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Dokumenti, i cili kërkon që 11 korriku të jetë dita ndërkombëtare e përkujtimit të gjenocidit në Srebenicë, dënimin e të gjithë atyre që mohojnë gjenocidin dhe përfshirjen e kësaj teme në tekstet shkollore, është përpiluar nga Gjermania dhe Ruanda.
Raportohet se për miratimin e rezolutës janë angazhuar Britania, Shtetet e Bashkuara, Turqia, Shqipëria, Franca dhe shumë shtete të tjera me shumicë myslimane. Rezoluta mund të hidhet për votim në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në fund të këtij muaji.
Për miratimin e saj nevojitet një shumicë e thjeshtë. Rezoluta në fjalë nuk është e natyrës detyruese, por ka një peshë të madhe politike, dhe me gjasë do t’i vendosë emërtimin Serbisë, një komb gjenocidal./A2
Miro Kovaç, ish-ministër i Jashtëm i Kroacisë ka komentuar shënimin e 75-vjetorit të NATO-s dhe 15- vjetorit të anëtarësimit të Kroacisë dhe Shqipërisë në Aleancën Veri-Atlantike.
Ai për RTK-në tha se presin që shumë shpejt edhe Kosova t’i bashkohet me të drejta të plota kësaj aleance.
“Kur bëhet fjalë për gjithë komunitetin shqiptar Kroacia është përkrahëse tejet e fuqishme e NATO-s dhe gjithsesi e gjithë aleancës transatlantike. Jemi shumë të gëzuar që i jemi bashkuar aleatëve tanë bashkë më Shqipërinë dhe gjithsesi presim që edhe Kosova shumë shpejt të jetë anëtare e NATO-s me të drejta të plota”, ka thënë Kovaç.
Duke folur për shqetësimet për një konflikt real në Ballkanin Perëndimor, Kovaç tha se është çështje e Bashkimit Evropian që të merret me sigurinë.
“E para, Ballkani Perëndimor është oborri i Bashkimit Evropian, prandaj BE gjithsesi duhet të merret me këtë punë. Dhe së dyti, Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut, janë anëtare të NATO-s dhe nuk kanë asnjë brengë sa i përket sigurisë në Ballkan”, tha Kovaç.
Ai tha se nëse ka ndonjë lloj agresioni brenda Ballkanit shtetet anëtare brenda NATO-s, do të ndërhyjnë menjëherë për të siguruar që rendi e siguria të ruhet dhe të mbahet si e tillë.
“Mund të ketë telashe të vogla, por nuk besoj që dikush guxon ta sfidojë këtë rend në Ballkanin Perëndimor”, tha ai.
Kovaç ka komentuar edhe rastin e Bansjkës me 23 shtator të vitit të kaluar, duke thënë se ishte një përpjekje për të shkaktuar trazira.
“Mund të ketë përpjekje për trazira në Kosovë, porse po pati diçka të ngjashme më Banjskën gjithsesi do të ketë intervenim brenda Kosovës dhe se këto janë vetëm ide dhe nuk besoj që do të konkretizohen”, tha Kovaç.
Komentet