Si gjithmonë Kosova qëndroi Në dekadën e fundit Kosova i ka provuar të gjitha: përndjekjet diskriminuese, heqjen e simboleve kombëtare, zëvendësimin e emrave të rrugëve, flakjet masive të njerëzve nga puna, linçimin psikologjik të diferencimit, inkuizicionin mesjetar mbi mjetet e informimit, proceset gjyqësore masive. Burgjet masive, helmimet masive të fëmijëve nëpër shkolla, vrasjet masive, kthimet vdekur të djemve nga ushtria… Dhjetëvjeçari në Kosovë qe dekadë ferri.
Aktivizimi i intelektualëve në Kosovë e maturoi lëvizjen politike, e paraqiti atë në qarqet evropiane me portretin e vërtetë, larg paraqitjes së gënjeshtërt të brushuar nga propaganda shoviniste.
Opinionit ndërkombëtar iu paratha që djalli duhet kërkuar tjetërkund.
Konflikti i serbëve me kroatët dhe sllovenët që kanë shpallur pavarësinë do të nxjerrë në shesh fytyrën e vërtetë të kanibalizmit shoven. Kosova, intelektualët e saj vazhdojnë formatin e Pal Engjëllit, Marin Beçikemit, Pjetër Bogdanit. Naum Veqilharxhit, Pashko Vasës, vëllezërve Frashëri, Ymer Prizrenit, Ismail Qemalit, Fan Nolit, Luigj Gurakuqit etj…, kanë bërë shumë që kjo e vërtetë të dalë në dritë të diellit…, që bota të paranjohë djallin…
Shkenca letrare është me arritje në Kosovë. Historianët, apo kritikët e letërsisë janë shumë. Në pamundësi të flas për të gjithë po përqendrohem në dy prej tyre, tek Ibrahim Rugova dhe Rexhep Qosja. Të dy studiues të kalibrit bashkëkohor. Zotërojnë aparaturë komplekse dhe të perfeksionuar shkencore, të aftë për të përballuar analiza dhe sinteza të thella e të gjera.
Në studimin e autorëve të vjetër të letërsisë shqipe, Ibrahim Rugova vazhdon rrugën e hapur nga Eqrem Çabej. E çon më tej këtë udhë me një vizion analitik shumëplanësh. Zbulon në dukurinë e shkrimtarëve të vjetër si Budi, Bogdani e të tjerë, një rrugëvazhdim që i sheh ata si rezultate të kohës, të rrethanave shqiptare dhe evropiane, vë në dukje botëformimin teogonik, filozofik, kozmogonik, historik dhe letrar të tyre arrin në përfundimin se ishin autorë të dimensioneve evropiane. Ashtu si përthithës tradite ata u shndërruan edhe vetë në traditë dhe reflektuan tek pasardhësit e afërt e të largët deri në optikën kozmogonike të Lasgush Poradecit.
Ibrahim Rugova ka dritësuar edhe raportet e secilit prej shkrimtarëve të vjetër shqiptarë me lëvizjen atdhetare. Me këto flukse dritëhijesh shkencore, ai i shtyn gurët e kufirit të letërsisë shqipe në vise më të largëta se ato të gjysmës së dytë të shekullit XIX ku janë vendosur padrejtësisht nga studimet dogmatike që përjashtonin autorët e vjetër klerikalë nga themelet e letërsisë shqipe.
Në krye të Partisë Demokratike, të partisë më të madhe në Kosovë, Ibrahim Rugovën e karakterizon guximi dhe qartësia e mendimit, që burojnë nga qartësia e idealit kombëtar. Ai ka kulturë të gjerë politike.
Personalitetin shumëplanësh të Rexhep Qoses e shpreh saktë konvencioni i poliedrit kulturor. Në kulm të këtij poliedri është studimi i historisë së letërsisë dhe kritika letrare.
Bilanci studimor i Rexhep Qoses mund të barazohet me atë të instituti albanologjie. Nuk është hiperbolë kjo…
Përveç hulumtimeve në hapësirat albanologjike dhe evropiane, Rexhep Qosja ka ndjekur hap pas hapi zhvillimin e letërsisë shqiptare. Ka analizuar veçoritë e saj, vlerat të metat. Thelbin e analizës së tij e përbën antirecensionalizmi, zbërthimi deri në fijëzim i strukturës estetike të veprave duke i njohur së brendshmi e së jashtmi, pra në të gjithë anatominë, sipas mënyrës së një Sent Bevi… Këtë lloj shkrimi ai e ka përdorur edhe në studimet e historisë së letërsisë shqipe, të cilat përgjithësisht i kompozon sipas principit piktorik të poliptikut dhe afreskut. Në këtë laborator është verifikuar vepra e Asdrenit, Fan Nolit, Ndre Mjedës dhe mjaft autorëve të tjerë të traditës. Korpusi i leksioneve të historisë shqiptare dhe monografia për Naim Frashërin janë aprovime të mprehtësisë së shikimit shkencor dhe të erudicionit të tij të madh…
«Mite të zhveshura»; «Vdekja më vjen prej syve të tillë» dhe vepra të tjera të krijimtarisë së mirëfilltë dëshmojnë talentin, por që deltohet hap pas hapi në pusin voluminoz të studimeve të dobishme për letërsinë dhe kulturën shqiptare, në të cilat shpërfaqet flakërima prometeike e intelektualit atdhetar… Edhe pse nuk është politikan në profesion, ai është një politolog i shquar, njëri nga pjesëtarët e ekipit të konstruksioneve të Rilindjes Demokratike dhe të bashkimit gjithëkombëtar…
Poezia në Kosovë nuk është vetëm poezi… Ajo i ngjet atij zogut të stinës së parë shqisat e të cilit janë përherë në përgjim të sinjaleve të largëta të diellit. Pasi i kapin këto sinjale në kohën, ku ende hirnon e boreton dimërimi, zogu i përgjak deri këto shqyerje të gjitha kordat e zërit duke shpallur lajmin e mirë të afrimit të stinës së ngrohtë. Është poezi fluge. Poezi manifest. Në të gjitha indet e saj është shkrumbi i Kosovës. Në të gjitha venat e saj janë lumenjtë e trazuar të Kosovës. Në të gjitha rrahjet e zemrës së saj janë rrahjet gjëmimtare të zemrës së Kosovës…
Në buçimën e korales secili poet ruan timbrikën vetjake. Ali Podrimja gjen sekretin e shkrirjes së dhembjeve intime me dhembjen e madhe të Kosovës. Instrumentimet e tij kanë rezonancë të plotë me ato të poezisë bashkëkohore në përgjithësi.
Ndryshe nga furia e shpërthimit të Podrimjes, Azem Shkreli e drejton rrjedhën e mendimit në shkulme të kontrolluara disi më flegmatike, por që befasojnë me argumente figurative ku shkëlqen alegoria dhe simbolika e fabulës. Din Mehmeti dhe Qerim Ujkani janë stuhi mllefi. Në metaforikën e tyre, që mbështetet në truallin e autoktonisë sonë popullore dhe të kultivuar metaforike, gurgullojnë thirrjet e gjakut të Kosovës.
Në poezinë e Fahredin Gungës tjerret e tëhollet kuptimi e nënkuptimi i largët i nëntekstit. Ndërsa Sbri Hamiti është i mbushur me buçima të shpërndara nëpër rregullsinë që nuk kufizon, por çliron energji portike në vijimësinë e hermetizmit simbolik të Lasgushit. E kështu shumë të tjerë… Poezia e Kosovës është një tupan për zgjimin e ndërgjegjes. Një tupan kushtrimi…»*
* (Abdulla Tafa, Kodra – një univers Botim i Entit ART, Tiranë 1992)
BRENGA E BUKUR
Paul Eluard: Iba, primitivi i një qytetërimi të ri
«Pol Elyari. Është aortë e fuqishme poezie dhe humaniteti. Gërsheton natyrshëm përfytyrimet onirike me pamjet jetësore. Elyari është mjaft i ndjeshëm në aftësinë për të parandaluar politizimin e poezisë edhe kur lënda e trajtuar është krejt politike. Nuk është e lehtë të zbulosh këtë sekret. Pablo Neruda, të cilin e çmoj si poet disa herë nuk e gjen. Politika kërcet si shumë në poezinë e tij. Tek Elyari poezia është instrument i paqes, i ndërlidhjes midis njerëzve.» Ibrahim Kodra
Pol Eluari m’u bë rrodhe asaj dite: o sot, o s’ka. Unë kam fituar një zakon të ri, miku im, duhet ta bëj menjëherë atë që kam në mendje. Kjo nuk më vjen vetëm ngaqë mendoj pozitivisht, por më tepër nga një pritshmëri pozitive e jashtëzakonshme dhe po aq e papritur. Nuk ka më keq se sa kur bie në duart e ëndërrimit pozitiv, ku vetëm cilësori pozitiv mbetet, të tjerat thërrmohen dhe treten menjëherë dhe të krijojnë më pas telashe të papara.
E la punën në telajo, ndërsa unë u ula dhe po prisja. Kisha krijuar një nderim për atë mesoburrë të plotë, elegant, që herë–herë më merrte në telefon, ndoshta për të kërkuar mendime për krijimtarinë, temat e ditës, ato më të nxehtat, por sidomos për Milanon ku kishte pasur një lidhje të mrekullueshme.
Kështu u krijua një marrëdhënie e re, gati «institucionale» dhe me pamje zyrtare, duke lënë mënjanë diskutimet e vjetra kur ai ishte mesoburrë dhe unë ca vite më i ri. Por kjo nuk prishte punë. Poli i asaj kohe nuk thurte ëndrra kot më kot, nuk fluturonte as me krahë as me gisht, nuk sajonte thjesht fjali të bukura, por kalitej për të bërë punë të mëdha. Tërë këtë kalitje durimi dhe inteligjence ai e mori në dorë përmes dashurisë: i bukur, i shkathët, i burrëruar, i çelur mendërisht, njohës i mrekullueshëm i mjaft gjuhëve të huaja, studenti i dikurshëm befas u rrit dhe u bë i madh, i madh dhe me pjekuri të hatashme. E papritura e madhe ishte kur ai mori rrugën e madhe të artit. Hipi në «Olimpin» e poezisë dhe më vonë e gjithë kjo u kthye në një provë të re kalitjeje. Tanimë poezia u bë sunduese dhe endej në avlëmendin e shpirtit dashuria e tij e madhe… Kur e takova për herë parë pas shumë vitesh (ishte kthyer në një dyshtetësi ideale, pas tronditjeve të jetës për t’iu kushtuar vendit të tij me një madhështi sublime). I mprehtë, si i skalitur nga era (më erdhi në mendje skalitja e fytyrës së Dante Aligierit nga era në hyrjen shkëmbore në dalje të Triestes!), i këndshëm, nuk harroi të më përvijonte operacionin e famshëm në stomak, duke dalë triumfues ndaj sfidës së tmerrshme të jetës. Ruante idenë se mos bëhej më emocional nga ç’duhej, i trimëruar nga një arritje aq befasuese dhe doemos me një lloj ironie madhështore, të paarritshme, sigurisht edhe përmes një ankthi prej një brenge të padukshme. Kishte ardhur me mendjen se do të bënte një gjë të rëndësishme dhe themeloi një shoqëri letrarësh të mezipritur, ndonëse në mes do futej si gjithnjë një emër i anatemuar nga rrugët e shtrembëta të përfitimit…
Poli buzëqeshte (ai kishte një buzëqeshje krejt të veçantë dhe tipike e personalitetit të tij!) dhe mezi pret të shprehet. E di, në mijëra punë që kam nisur dhe i vijoj, nga Parisi në Firence, nga Milano në Londër, endur në fijet e padukshme të politikës, mes një grupi interesant dhe një kolegji të mirëmenduar, midis punëve të shumta që kërkon një revistë e përmuajshme letrare, sociale, politike, psikologjike, kulturore etj., si dhe punëve të pafundme që më kërkon krijimtaria e tij e mirëfilltë poetike, e rrëmben Milano dhe New York-u (qyteti që na dha aq shumë dashuri dhe lumturi të parrëfyer) kthehet menjëherë në Parisin e tij dhe, në poetikën time të mbushur me ankth dhe dëshira të zjarrta në pikturë, me të papritura angështuese dhe mistere të tilla që të plotësojnë me ide të reja. A e di se zbulimi im i fundit janë trembëdhjetë bustet prej argjile të punuar hollë, duke pasur magjinë e atij trupi femre që e kam aq pranë dhe ma mbush jetën. Trembëdhjetë buste! Një mrekulli. Dhe unë prandaj jam me ty tani, më thotë, t’i hipim makinës dhe t’i shohim të dy me sy konkretisht, sepse unë nga vuajtjet e bukura të krijimit po vij, më kanë shpuar gurët, ferrat dhe gjembat, sepse më është dashur të pastroj (domethënë ti), duke iu përveshur një pune që do ta ndryshojë edhe njëherë në një kthesë të habitshme fytyrën e artit tënd, kësaj dashurie të magjishme. U kthye nga unë, më pa me një entuziazëm të veçantë dhe përmes një buzëqeshjeje të përmbajtur, duke ia mbledhur buzën e poshtme në mes. Dua të plotësoj një detyrim, mik, tha, po ulem në tryezën tënde të punë, dua një letër të trashë dhe një brushë të hollë dhe bojë vaji të kuqe. Iu vunë përpara si me magji. Ai përveshi mëngët dhe shkroi: «Ibrahim Kodra, Primitivi i një Qytetërimi të Ri!» Priti sa u tha dhe e futi në një zarf të madh. Sipër hodhi firmën: Paul Eluard. Tha: Do ta hapësh zarfin kur të kem ikur unë! Ja dhe kjo punë mbaroi dhe jam krejt në dorën tënde. Askush nuk mund ta marrë këtë pamje aq joshëse sa Poli. Në syrin e djathtë thuri një fjali të menduar brenda strategjisë së tij më të njohur. Më mirë se ndonjë aktor ai fliste me sy. Të gjithë njerëzit e bëjnë këtë, përpiqen, por ashtu si e përcjell mendimin Poli, unë s’kam gjetur dot bashkëbisedues. E pra, do të hipnim në makinë dhe do të shihnim misteret e reja dhe me platformën e ndërtimit të bllokut të ri të ndërtimit në Milano, tashmë të prishur e të mbetur vetëm me reliktin e rregulluar të murit anësor ku gjendet edhe vendi i faljes e i dhurimit. Të fillonim menjëherë nga puna! Ç’prisnim më?… Qeshte me të madhe. Dhe sytë nuk i dukeshin më.
Polin në punë dhe në ethet e saj e kisha harruar. Jo nuk jemi futur ende në epokën e harresave, ndonëse me ngulm të pa treguar jemi duke harruar të vjetrit. Jo njerëzit e moshuar por historitë e vjetra që na çojnë tek misteret, historitë, pritshmëritë sigurisht pozitive ndaj nesh. Dukej si i kredhur në një trysni, madje e tillë që të bëhet edhe si një gangrenë. Ndërkohë kërkon sfondin e tij muzikor dhe e vë në vesh kufjen (në një vesh sepse i duhet ta mbajë gjallë bashkëbisedimin. Më shpjegoi se kishte një disk të madh me melodi muzikore nga më të mirat që e nxitnin brenda një motivimi të madh, ashtu siç ndodhte që ta gjeje jo vetëm me pjesët muzikore, po edhe me pikturat, librat, poezitë e tij, frymëzimin e brendshëm të rritur në lartësitë e Mont Blanc, pa e dorëzuar veten të mbulohej nga pluhuri i kohës. Ja tek jemi, nën hije, këtu te shkallët, ku është një reklamë e madhe e Berluskonit të ri që ka vendosur të japë ndihmë të përveçuar që të fillojë së këndejmi njohja me mrekullinë. Sa mbarojnë shkallët e gjera dhe para nesh hapet një shesh i ri, e mbushur me bimësi të përcëlluar nga dielli, e etur për një pikë uji. E sheh, më pyeti, as ti nuk e kishe parë ndonjëherë këtë shesh. Jemi dymbëdhjetë metra lart nga rruga dhe kemi fituar kështu sheshpushimin dhe sheshndërtimin e lagjes së vjetër, Shën Mërisë. Nuk gjej dot paqe të brendshme pa e arritur këtë betim. U drejtohem kujtdo, rrjeti im dhe rrjetet e tjera kulturore e sociale në Paris, më tha, ma krijojnë këtë mundësi dhe unë atë po bëj. Nuk lodhem aspak. Tani ngjitemi, sepse pak metra na ndajnë nga guva e parë. Ai hedh një gur dhe një trumbë zogjsh tremben, largohen. Mes tyre edhe pëllumbat e egër të Kështjellës monumentale të Milanos…
Papritur duke dalë nga drita e diellit, nga thyerja e dritës prej fasadave prej xhami doli një burrë i vjetër, që në përfytyrimin tim të fëmijërisë dukej si Memeci i Shpellave të Rodonit, sepse këto guva e shpella ishin vendbanimi i tij i përjetshëm e i vonë po që strehonte pëllumbat e egër. Mos e merr si ëndërr, por sidoqoftë ai shfaqet sa herë unë shkoj atje mendërisht. Rri atje në largësi dhe kurrë nuk afrohet. Tund kokën, më udhëheq rrugë dhe pastaj tretet. Domethënë kjo qenka e papritura e parë, një mister tjetër. Më fal, shtoi, nuk jemi në film dhe as në ndonjë skenar, nuk ka improvizime, po diçka që i takon vetëm këtij momenti. Po përjetoja idenë e një spektakli që mund të njihte një rrugë të gjatë dhe të mos mbyllej menjëherë. Poli, pas largimit të përhershëm të plakut duket se u ngjit në skenë. Para meje u shfaq guva e Rodonit (në të vërtetë ishin foto nga Lioni dhe guvat e murgjëri të atij qyteti antik!), sikur më hoqën një cergë prej syve. Mos harro Maestro se shpella më e madhe në Lion e ka emrin Rodon! Më tej kishte punëtorë–vullnetarë që hapnin udhë, rregullonin shkallët dhe hapësirat para shesheve të tjera të ndërtimit, duke dalë në strehën e reklame mjaft të lartë, që të futesh në një kthinë të papritur e të lidhte me «tunelin» e ujit e që andej mund të shkoje në Kështjellë…
Poli dukej që ishte mësuar me këto skena. Vërtet pritshmëria pozitive iu bë krah? E pse jo? Ajo nuk e mënjanon kurrë motivimin dhe kthehet në energji, duke e pasuruar njeriun me një personalitet të fuqishëm. E ngriti pak zërin e melodisë që dëgjonte. «When Doves Cry» e Prince. Një mrekulli. E uli tonin dhe m’u bë se atë çast do të ulej në piano dhe të këndonte. Melodia e interpretuar prej tij do të tingëllonte origjinale. Konfirmoi me kokë saktësinë e emrit. I pëlqente shumë muzika dhe kjo dukej menjëherë nga ndriçimi që i merrte fytyra. E theksoi këtë pamje, më hapi rrugën dhe para meje u shfaq pamja e parë: hapësira, lëmimi i brendshëm i gurëve, shtrati prej guri, vendi paksa i ngritur te koka, drita e jashtme që lëpihej plot gjallëri brenda, hija e lehtë që mbyllte fundin, emra të shkruar, gdhendje të lashta, përvijime figurash të kohëve të vjetra. Kushdo që të ishte do të mahnitej, por mua më duhej të shihja magjepsjen e jashtëzakonshme të Pol Eluarit dhe, ndërkaq vura re një mbyllje të vetvetishme të syrit të majtë, duke përmbyllur kështu një mendim të shpejtë dhe të fshehtë. Kishte diçka si një ngutje, padyshim e fshehur, pasi me ç’kuptova ai donte të vilte emocione të tjera më tej, sepse rrëfimi sa kishte filluar. Dialogët ishin gjithnjë të heshtur, por kur dy burra merren vesh me anë të mendimit nuk i pengon të sfidojnë duke dialoguar me një lloj madhështie që i shkonte skenës, vapës së madhe, shisheve të ujit që dilnin nga frigoriferi me bateri. Njerëzit e tjerë rrinin pranë. Nuk duhej të komentonim me zë. Fjalët e sapothëna vrapojnë dhe kthehen të tjetërsuara në thashetheme dhe pastaj vandalë që s’dihet nga dalin kthehen dhe prishin gjithçka, aq më tepër që kjo pasuri ende nuk është në mbrojtje. Kaq mund ta themi apo jo. Komuna duhet të kishte marrë masat e para, të kishte bërë ndriçimin e fshehtë, sepse mjaft shpejt kjo zonë e Milanos do të kthehet në vend të magjishëm turistik. Pale skena e madhërishme që shfaqet para teje. Parandjenja që pata atë çast më erdhi menjëherë dhe më iku po aq thjesht. Më mirë që nuk fola. Shkallët e vjetra zbuloheshin një nga një. Para meje shfaqeshin pamje të tilla kur njerëzit e vjetër ecnin pa bërë zë mbi gurët gri të lëpirë nga këmbët dhe shkelësit e pavëmendshëm, prej grave të asaj kohe, teksa ktheheshin me ujin në bucela dhe i linin ato në sofatin e gurtë majtas shpellës. Edhe shpellat e Milanos janë nga më të vjetrat në histori. Ku të gjenin pikën e ujit murgjit e dikurshëm, në mënyrë që lutjet të spërkatura edhe me ujin e ftohtë ardhur nga burimet e fshehura nën rrepet shekullorë dhe më tepër se aq nga përmbytja që linin pas gratë me aromën e tyre. Kaq pak imagjinatë natyrisht që të bën mirë…
Poli pak çaste duket se po interpretonte me buzët e holla magjinë e melodisë që dëgjonte. E kapi në ajër mendimin e syrit tim dhe buzëqeshi kuptimplotë. Është i ndjeshëm ai. Hollësitë janë edhe një mërzi e bezdi të padurueshme, po s’kemi ç’bëjmë. U hap ferra e prerë (dikur medoemos kanë qenë trëndafila!) dhe para nesh u shfaq shpella e dytë. Një harmonim i Mesjetës me ndërtimet moderne. E bryllët. Trazuar me një melankoli fine. Pranë hyrjes duket se një nervozizëm të bënte majë menjëherë që mund të kthehej edhe në lodhje dëshpëruese. Ç’ishte kjo madhështi si prej femre që vonohej të na ftonte brenda? Kush jeni ju, mund të pyeste. S’kemi ftuar njeri. U mora vesh me Polin dhe ai komunikoi pa zë me heshtjen e shpellës: kush ishim dhe nga vinim. Buçima e një të qeshure të bubullimtë sikur na erdhi pas krahëve. Duhej të qe plaku i përfytyrimit tonë të ndezur. Asgjë nuk ndryshonte dot pamjen e Polit dhe as qëndrimin e tij. E pyeta me sy se së shpejti do t’i duhej të filmonte seriozisht dhe jo me mjete anësore dhe ai mbylli sytë: e sigurtë. Po, shpella ishte kaq e bukur, sa unë, më besoni, s’kam si ta fsheh, isha dashuruar menjëherë dhe papritur me të. Ndiqja hijet e grave që sillnin ujin në sofatin e majtë të shpellës. Shtrati prej guri edhe këtu binte në sy, drita lëpihej po me atë madhështi mizore. Duket se nga kjo gjendje do t’më shpëtonte intuita e femrës, e hijes së saj, që ishte pjesë edhe e pritshmërisë sime pozitive. Rreth e rrotull e ndjenin këtë mallkim të ëmbël të natyrës. Mund të zmbrapsesha, por zgjodha të futesha brenda saj. Është e kotë, pëshpërita përbrenda, duke dëgjuar tingëllimin e melodisë, tonin e së cilës e ngriti Poli, si një hile e vjetër për të dalë nga gjendja. «Un attimo ancora», nga Grand Collection. E mblodhi mendjen që edhe unë e kisha atë disk dhe e dëgjoja dendur. Ky nganjëherë bëhet shqetësim i kotë, pastaj krejt i padurueshëm… Ishim kaq mirë aty brenda shpellës sa nuk na duhej asgjë tjetër, përfshi edhe komunikimin. E pashë të përtërirë dhe më erdhi mirë. Është ende i ri, mendova…
Po kalonim në vijim shkallët e hirta zbritëse, e të pastruara. Ç’mbetet më, e pyeta me sy. Një komunikim me sy, i përkryer, por të mos harrojmë se për të arritur deri këtu duhet të bëjmë rrugë të gjatë dhe secili në mënyrën e vet: unë në rrugë e vjetër psikologjike, ndërsa ai rrugën e kalitjes me pritshmërinë pozitive, nga më të rrallat që njoh dhe që atë burrë të ri e fisnikëron mjaft. Bukur fliste, po veç për mua që e kuptoja, përcillte ndjenjë me lëvizjen dinamike të syve, bëhej edhe më i vërtetë, mendimi i tij i përcjellë tashmë tek unë gati s’fshihte asgjë dhe befas bëhej ideal. Të ketë pasur ndonjë prej atyre grave që të kenë kaluar mesditën e lodhshme me murgjit oshënarë si sot, vapën e mesditës? Ai qeshi, por këtë radhë ndryshe, dhe tej u përhap oshtima e të qeshurës tjetër, duke zbritur kithët Kështjellën. Duke përfituar nga rasti Poli e vijoi dialogun duke më dhënë të kuptoj se ka pasur edhe atëherë si sot gra të dashuruara, me siguri histori dashurie të llahtarshme që mbyteshin në gjakun e forcës dhe të hakmarrjes. Por shtretërit e gurtë duhet të ritregojnë histori të mahnitshme. Dashuria e atyre grave me bucela uji nuk u kthyen dot në zakon, kështu e ndjej… Ah, Poli, batakçi, mos mendo më kaq bukur, por a përputhet me kompozimin që po dëgjon? Mendova i joshur kompozimin «Pushkatimi i nënës». Ai e priti me gëzim dhe, si gjithnjë, tejet i gjallë, plot me fjalë imagjinare e të ëmbla, të cilat ia kuptoj për mrekulli, vijoi rrugën drejt shkallëve dhe shpellave që ngjanin si dy pika uji me të mëparshmet dhe s’reshtte duke folur me mua. U bë lajtmotiv ky lloj komunikimi. Vetëm për të mos krijuar të paqena dhe nxitjen e egër të nesërmen…
Ishte gati të hapte një shampanjë për rastin, por nuk e bëri. Ishim para shpellës së trembëdhjetë. Poli ndihet vërtet i lumtur. Dukej sikur sapo kishte kaluar provën me një grup turistik. Dashuria e mbetur në sy mbaron me një melodi tjetër. Dukej sikur do të zbrisnin poshtë gratë e kështjellës me bucelat me ujë, do të hynin te shtegu, teksa të lodhura u çonin ujë oshënarëve për të hyrë te dalja para Shën Gjergjit madhështor. Të qeshurat e tyre mbillnin farë dashurie. Ato edhe asokohe kishin aleatë të fortë. Bamirësia. Po tek Poli si zbriste kjo magji e shpirtit? Ishte vërtet si pjellë bamirësie ky burrë i ri. Darkën e ndante, ashtu si shpirtin e bukur. Duket se edhe këtu e lidhte subjektin te shpella e fundit. Po burrat a i ndiqnin nga pas? S’besoj. Burrat janë kurdoherë syleshë para dashurive të zonjave të tyre. Mardhen përbrenda shpellës së shpirtit dhe enden në hapësirën e ngushtë pa e gjetur dot deriçkën e daljes, të mbetur aty të trembur nga tërmeti i papritur, siç ndodh prej vërteti. Po ndonjëra a nuk ecte e vetme në atë «tunel» të ngushtë e me shkallare, të frikshëm dhe të kthente menjëherë në prangat e një çmendurie të malultë? Mos e harroni këtë, gratë aty vinin një nga një, jo të gjitha bashkë. Se dashuria është sakrificë, therori. Mos ishte pak? Ndoshta. Dashuria, mik, të rinon edhe duke u plakur. Mos! Ç’na thua! Ç’bën ti gjithë ditën, a nuk shkruan? Po. Domethënë se lumturisht vijon të jesh i dashuruar. Çdo gjë rreth e qark na ndjek me vështrim dhe na dërgon frymën e magjishme.
Tani nuk po e vija më re brengën e Polit. Aq të entuziazmuar nuk e kisha parë asnjëherë. Pse nuk po mërzitej? Ndoshta prej këtij komunikimi aq të zjarrtë, apo se herë pas here dëgjonte shpërthimin e furishëm të plakut të shpellave… Dhe ti e ke parë me sy tjetër, por po ta them se sot ke gjetur njëqindetridhjetenëntë të fshehta, mistere. Ato nëntëqindenëntëdhjetenëntë misteret e Parisit më vijnë në mendje, qenkan edhe të Milanos dhe sot do gjejnë kuptim. I nxitur prej tyre unë i zbulova të fshehtat e magjishme të shpellave të oshënarëve të famshëm. Do ketë edhe të tjera. Ku ishte manastiri i tyre? Si zbrisnin deri në lumë? Ç’lidhje kishin me katedralen më të madhe të viseve tona: Shën Mërinë e Ujit? Ku hanin? Ku pinin? A e donin verën? Ç’marrëdhënie kishin me botën shtazore? Po Milano vetë ç’peng ruante për oshënarët? Ç’pengje fshehin? E pamundur t’u fshihesh pyetjeve dhe sidomos t’i mbarosh ato. Poli ecte para meje dhe zbriste. Te platforma, një iniciativë tërësisht e tij, u ndal. Gjithçka e thoshte (tani me zë) përherë me një përmallim të çuditshëm. Ky vend fsheh thesare. Unë e di. E shoh. Është bërë pritshmëria ime pozitive, më e fuqishmja forcë që na motivon dhe nxit drejt arritjes së qëllimit. Këtu s’ka portë pa një kandile. Po sikur të fshihej ndriçimi si pishtar dhe si kandile? Pse jo. I jepte hijeshi mrekullisë së misterit, ashtu si e përjetojnë këta njerëz të mi. Ai fliste duke e treguar si hollësi thjesht po me shumë emocion. I mahnitshëm Poli! S’duhej ta harronim aq lehtë këtë që po shpalosej. Vdes ky vend magjik për një restorant të vogël, por edhe intim, këtu në shtëpinë e këndit…
Poli nuk u kthye pas dhe ndoqi programin e tij të fillimit. Ne do të ktheheshim në shtëpi. Do të mbete, vetëm me të dashurinë e tij të re e që me siguri do të bëhej dashuria e përjetshme. Dukej nga zjarri i syve dhe siguria e të folurit. Tanimë nuk komunikonim më me sy. Pse pikërisht atë çast vura re dëshpërim, vuajtje të thellë, me ç’dukej s’mund të përballohej dot edhe me një diskutim të ri. Fshihte diçka, me siguri, po që po me atë ndjesi përmbahej e nuk po fliste. Një si hije po nderej në fytyrën e tij. Nuk ka ndihmë prej askujt, mik, edhe kur e shohin që mund të arrihet fare lehtë. Kur them prej asnjë, kam parasysh institucionet, shtetin, jo njerëzit e mi, ata pa dallim më ndihmojnë, por kjo nismë nuk zgjidhet dot me gjëra të vogla. Kërkon palë ente të mëdha si vetë sipërmarrja. Më bëri përshtypje se ky njeri sikur u ndje i lehtësuar në krye të shpellave mesjetare, ndonëse i brejtur përbrenda nga bezdia e përhershme e sigurimit të financave aq jetike për këto lloj punësh. Gjithashtu vura re edhe një lloj egoizmi, siç ndodh rëndom tek artistët kur duan të mbarojnë punë shpejt. Duket se makina e tij mezi na priste dhe sa herë që bëheshim gati të hynim brenda, pikasja lodhjen e tij fisnike. Më dukej se ndjenja e hollë e prej poeti po përshkohej nga një melankoli sfilitëse. Dhe hajt të përmbaje zymtinë dhe ftohtësinë e tmerrshme që do të bënte ballë, ndonëse fytyrës dhe portretit të tij i jepnin një hijeshi të pazakonshme. Po pse vuante kaq shumë ky njeri? Mos vallë diçka nuk shkonte? Nuk po më rrihej pa e pikasur: një energji e vizatuar këndshëm, që flet kurdoherë për projekte, trysnuar prej një dëshpërimi të papritur që me siguri e mbart frymëzimi, puna krijuese. Eureka! E gjeta! Frymëzimi dhe vetëm ai mbetej kështjella e vetme dhe e fuqishme e brengës, që fryhej në shpirtin e tij si një e fshehtë ngashënjyese.
Pol Eluar mori frymë thellë.
Komentet