Madu
Madu ishte shoku im me të cilin “hanim bashkë”, shprehje kjo që në burg tregonte për miqësi siç është në jetën e lirë “shokë të ngushtë”. Nganjëherë kjo bëhej ndërmjet tre vetëve, por përgjithësisht ndërmjet të njohurish apo miqsh. Emri i vërtetë i Madut ishte Jamarbër, emër i veçantë e krejt i rrallë, si për të dëshmuar birësinë e artistëve Safo dhe Petro Marko. Në familje dhe shoqëri e thërrisnin Madu. Me të kishim lidhje familjare. Petro, veç njohjes me tim atë, kishte miqësi edhe me dajën tim Kadriun, ndërsa gratë e tyre ishin nga e njëjta krahinë. Kisha qëlluar njëherë kur ata ishin për vizitë bashkë me fëmijët:Arianitën dhe Jamarbërin. I bëra veshët katër kur Petro po fliste për romanin e tij “Qyteti i fundit”. Ky libër kishte kaluar “censurimin” e fundit tek familja e Mehmet Shehut ku i ishin bërë vërejtje për disa përshkrime që preknin “etikën e realizmit socialist”. Fiqretja i kish thënë: “Ti mund ta botosh, por unë s’do ua lejoj fëmijëve tanë ta lexojnë.” Mesazhi ishte i qartë: ai duhet t’i hiqte ato pjesë që i kërkoheshin se ndryshe nuk shikonte dritën e botimit.
Madu i çmonte të gjithë pjesëtarët e familjes që ishin artistë, por mbi të gjithë vinte Safon për nga talenti. Me ndërhyrje, ata kishin mundur ta transferonin nga Spaçi në Ballsh ku konditat ishin më të mira. Madu sapo erdhi u drejtua për nga unë duke qeshur, sepse kisha qenë i pranishëm përherë në bisedat që bënin shokët e mi dhe djali i dajës tim atje në Spaç. M’erdhi mirë që kisha pranë tani një njeri me të cilin mund të flisnim për letërsinë, muzikën e artin në përgjithësi. Madu ishte djalë i zgjuar dhe me kulturë, por megjithëse ishte mjaft inteligjent, ai nuk ishte i komunikueshëm me cilindo. Kishte një aftësi perceptuese të jashtëzakonshme dhe ishte i vetmi për përcaktimin e tipave. Ai vetë ishte një kombinim i çuditshëm sanguini, koleriku e flegmatiku së bashku. Herë- herë shkruanim poezi. Mua më kritikonte se nuk mund të shkëputesha prej stilit tim “arkaik” duke më thënë:”Ky brez nuk shkruan më si ju.” Dhe vërtet, ai shkruante bukur pa njohur caqet të cilat na kishin skllavëruar deri në klishe, me mënyrën e thurjes së vargjeve. Ritmi i vargjeve të tij tingëllonte ndryshe, tjetërsoj ishte dhe thyerja e tyre, por ato sillnin mendimin dhe ngarkesën emocionale me forcë. Ndër to ndjehej poeti, edhe pse kishte studiuar për gazetari. Më tregonte se kishte lexuar Kafkën, botimin kosovar pas të cilit ishte mahnitur. Kur e lexova, më tha, mendova: -Ja kështu shkruhet! – Më propozoi të hamë bashkë e u vura pak në siklet, sepse sapo arriti në kamp, mbas disa ditësh, Petro me Safon i erdhën në takim me trastat plot. Kur vinte nëna ime edhe sikur t’i kishte mundësitë financiare, nuk i mbante dot pesha të tilla. Ai e kuptoi situatën dhe sulmoi hezitimin tim: -Atëherë, më thuaj me cilin do të ha unë? Me x që është spiun apo me y që është imoral?
Njeriu zvogëlohet në burg, sidomos në drejtim të këtyre lidhjeve që jo rrallë përfundonin në grindje. Ne i tejkaluam situatat me vogëlsira të tilla duke i konsideruar me qëllim më të parëndësishme se sa ishin në të vërtetë.
Admiroja korrespondencën ndërmjet Madut dhe Nitës. Motër e vëlla korrespondonin me njëri-tjetrin në mënyrë të çuditshme. Metaforat dhe aludimet që përdornin ata përbënin një rebus për cilindo censurues sado i kualifikuar të ishte. Nita shkruante më bukur se vetë Petro që ishte mjeshtër i letrave. Çudi si kishte zgjedhur profesionin që kishte e ëma. Megjithatë asnjëra nuk përjashton tjetrën. Atë, pasi përfundoi artet e bukura për pikturë, e emëruan në fabrikën e qelqit në Kavajë. Motër e vëlla kuptoheshin në mënyrë perfekte. Më e drejtë do të ishte të them se ata nënkuptoheshin. Unë për vehte kisha gjithmonë nevojë për sqarimet e Madut që të kuptuar plotësisht se kujt i referoheshin shprehje të veçanta, edhe kur bëhej fjalë për vajzat. Madu fliste për “Paperinon” (Donald duck-un e Walt Disney) me një dobësi të veçantë (nën këtë nofkë i vinin informacionet për këtë vajzë nga Nita). Të gjithë kishim nevojë të na donin. Duke treguar për marrëdhënie me vajza, për pije e zënie, i lëshonte shpesh fre fantazisë. Ishin dëshira të ndrydhura në subkoshiencën e tij, të cilët s’kishte mundur t’i realizonte. Sa herë që Petro e Safo vinin në takim, prisnim prej tyre ndonjë amnisti të mundshme, por horizonti sa vinte e errësohej. Se si vepronin forcat brenda llojit të tyre, e për nga e kishin kahjen asnjeri nuk e analizonte dot, sepse absurdi vijonte tradicionalisht në çdo etapë. Çdo ngjarje nisej, zhvillohej e precipitonte jashtë çdo parashikimi. Në vazhdim të këtij arsyetimi alogjik, një ditë të bukur, Madut iu fal një pjesë e dënimit e ai iku duke na lënë me shpresë (kështu na pëlqente t’a merrnim) se kurba e luftës së klasave kishte nisur rënien e saj…
Kavajasit
Kavaja rrem Stambolli…! Shumë llojësh e komentonin pleqtë e Kavajës këtë emërtim. Ç’është e vërteta ajo kishte elemente të një qyteti oriental. Sheshi tek manat e pazarit mblidhte njerëz jo vetëm nga Kavaja e fshatrat, por edhe nga krahina të ndryshme. Krahu i dyqaneve të zejtarëve nga ana tjetër e rrugës fillonte më përpara se krahu i manave duke u shpalosur larmishëm: shtamaxhi, marangozi, samarxhi, hasrabërësi, qebaptore, rrobaqepësi, mejhane e restorante të vegjël, furra e një rresht i tërë që përsëriste deri tek usta Murati herë-herë të njëjtin specialitet. Në krahun tjetër, tek manat, ishin berberhania e Verit ose Agjensia e lajmeve të Kavajës; përkrah dy metrazheve përballë, xha Kupi, që blinte çdo lloj vjetërsire duke i shqiptuar çmimin si në ankand: “Peesëlek!” Një tufë patash që s’ua mësova të zotin kur kalonte sezoni i manave, ushqeheshin në mes të njerëzve me farat dhe lëkurat e pjeprit e të shalqinit, duke pritur menunë e ardhshme që i rezervonte stina. Nga rruga kryesore tek arka e kursimit kthente rruga e kalldrëmit që të çonte te xhamia. Në të djathtë ishte mejhaneja e xha Kasemit, një burri fisnik, që i priste myshterinjtë me një buzëqeshje të pikëlluar. Ja çezma ku merrnin abdes besimtarët që falnin namazin. Një hoxhë plot paraqitje me një xhybe të hijshme ngjiste shkallët.
Ai nuk ngjante me hoxhën e vjetër të lagjes Sharrë që i përgjigjej ngacmimeve të kalamajve me fjalët: Hë ju lafsha xhaja rruzën!
Ku fillonte lagjja Zguraj, ishte në qosh rrugës, një rrobaqepësi. Aty prisnin fëmijët Mit Dimroçin, sulmuesin sallak, dhe për dore me të shkonin deri në fund në “fushën e sportit” ku fillonte stërvitjen skuadra… klubi i sportit, ku kaloja orë të tëra duke luajtur bilardo e duke dëgjuar qyfyre prej atyre që luanin domino. Aty vinte e më gjente Hekri, postieri që më sillte letra nga Amerika e Austria e kështu siguronte bakshishin e rastit.
Sa pamje mbresëlënëse më kalojnë parasysh nga ky qytet mikpritës, bujar e tepër disident, sepse i kishin cënuar atë që ata nderonin aq shumë: besimin fetar. Kavajasin e kishin privuar nga natyra e tij punëtore, duke i ndërprerë iniciativën private dhe për punë. Kavajasit e donin kulturën.
Ah, për ato dasma! Kur Nija ndizte atmosferën me tamburet, zilet e kastanjetat, kur Xhafa gjithë elegancë përdridhej me Malenaken!
Kavajasit ishin dhe arsimdashës. Kam qenë i pranishëm në një takim aty pranë manave ku “propozohej” për deputet Medar Shtylla. Megjithë mangësitë e shumta një mesoburrë u ngrit dhe kërkoi jo hapje të ndonjë fabrike, por atë të gjimnazit!
Disidencën e tyre, kavajasit e shprehnin hapur dhe shpesh bëja pyetjen se përse ishin të paktë në numër të burgosurit politikë deri në atë kohë nga ky qytet. Përgjigjja më e logjikshme ishte ajo se kavajasit ishin popullsi joheterogjene si në qytetet e tjera. Shumica ishin autoktonë dhe mbanin njëri-tjetrin.
Afro dy vjet pas burgosjes time filluan të vijnë kavajasit e parë. Fillimisht erdhi A.B. të cilin e njihja që në Kavajë. Për të kishte thashetheme se i kishte dalë dëshmitar një agronomi i cili kishte lënë tri vajza të vetme, pa një burrë në shtëpi. Me A.B. kishim luajtur poker një natë në shtëpinë e tij. I dyti erdhi Luan Baci. Dhe me të njihesha se veç pokerit, shkonim shpesh dhe për të gjuajtur peshk. Kishte biseda të këndshme, fliste shtruar dhe kishte dell letrar kur tregonte. Ai i zbukuronte dhe i sajonte me mjeshtëri rrëfimet e tij duke i përshkruar dhe detajet më të parëndësishme për t’i bërë të besuara. Këtë radhë ia kishin punuar në hetuesi. Nënkryetari i sigurimit të Durrësit, Kapllan Shehu, me të cilin ishte edhe farefis, e kishte mashtruar keqas gjatë procesit. Luani justifikohej duke thënë se metodat e hetuesisë ishin më të rafinuara në krahasim me kohën kur ishte burgosur për herë të parë. Erdhi dhe Dyl Dedej, një kavajas tjetër i arrestuar në Durrës. Më vonë arritën të tjerë kavajas autoktonë si Harun Kiku e Baki Xheneti me të cilët kisha banuar në një lagje. Me moshë ishin më të rinj se unë. Me ta e vëllezërit e tyre, Med Kikun e Bexhet Xhenetin kishim luajtur futboll bashkë dhe me Bardh e Xhafë Zhelegun, Bel Allain, e Sulë Kilën. Më vonë Medi e Bardhi u bënë futbollistë të njohur.
Me Harunin e Bakiun kisha kënaqësi të veçantë kur bisedoja sepse e shijoja humorin tipik kavajas që nuk i afrohet asnjë krahine tjetër nga Shqipëria e Mesme. Shtiresha si naiv, ironia e thumbat “me spec”, sidomos kur ishim vetëm të tre, ngjanin si “palegio” ndërmjet tyre. Bakiu vinte i ridënuar nga Spaçi dhe s’e bënte qejfin qeder. Me të luanim tavëll shpesh unë e Çet Kau, por nuk i bënim dot ballë, sepse sapo të humbje pak vigjilencën, ai ta ngecte gurin që i duhesh.
Më pikanti ishte Dash Curri. Dashi erdhi invalid nga Spaçi. Gjatë një shembjeje në minierë kishte shpëtuar për hiç gjë. “Pale se ku do kem bo ndonji sevap të modh që s’e di as vetë se do t’i kisha lonë reshtat atje që më ja …mumën atij kopilit të anesë. Aneja e kishte mësu prane mos me i kthy shpinën armikut po vetëm Ali Beut ene Dem Xhepës!” Dashi i jepte gojës sa të mundte. Në dhomën e veçantë për të sëmurët rëndë, që u krijua mbas ndonjë udhëzimi, rrinin paralitikët e ndonjë plak afro 100 vjeç si Muqerem Janina! Mirëpo për njërin që rrinte pranë Dashit thonin se raportonte. Një ditë kur po i çoja kafen Dashit, shoh krevatin e tij bosh. -Vdiq? – e pyeta atë. -Jo mër mo se s’bje rrufeja n’hale. Ka shku ishalla me lanë amanetet e fundit se huqi del mbas shpirtit o lalë. Kërkoi takim me komandën se do me i qa hallet, pra!
Me Dashin u njoha në kaush. Aty grumbulloheshin të sapodënuarit për t’u shpërndarë më vonë në kampe e burgje. Ne të Tiranës kishim afro një muaj aty dhe gjithë ditën bënim qyfyre, sidomos me të sapoardhurit që ende s’e kishin mbledhur veten nga hetuesia. Një herë, kur u hap dera, na hyn një njeri me rroba ushtari me pantallona një pëllëmbë poshtë gjurit: kur u mbyll porta, qyqari shikonte si i hutuar tridhjetë palë sy që po e vëzhgonin. I afrohem duke bërë tonin e hetuesit. – Për çfarë je dënuar? – i them rëndë-rëndë.
Për agjitacion, – më përgjigjet.
Domethënë qenke armik?
…
Nga je?
Nga Kavaja.
I kujt je nga Kavaja, mor armik i fëlliqur?
I usta Muratit.
Qysh ore i usta Muratit,- i them në dialekt, – po ti na paske fëlliq fare mër qen!
Heshtje në gjithë dhomën. Ai më vështronte i hutuar.
Or të mortë dreqi puntullt, or Kurral!
E qeshura vazhdoi gjatë, ndërkohë që e shtrëngova prej qafe dhe e ula pranë.
Ene kët kobë m’bone ti mu are?! – qeshte dhe Dashi me ne.
Këtë mesele nuk e harronte. Por kur tregonte zhvillimin e gjyqit ndaj tij me ato nota humori kavajas, vinim duart në ije. Ato batuta mjaltë të ëmbla të mbledhura nga nektari i “rrem Stambollit” plot aromë dashamirësie, gjallërie e zgjuarësie të njerëzve të mrekullueshëm kavajas, shplodhnin pa e kuptuar trishtimin që kaplonte secilin prej nesh. Çdonjëri bartte një dramë, shumë prej nesh edhe më shumë se një dramë… një tragjedi.
Lagjja ime (fqinjët)
Në distancë jo më shumë se dyqind metra larg njëri-tjetrit kemi shtëpitë në Tiranë të gjithë ne, duke filluar nga Valer Dyrzi, unë, Kosta Nano, Musa Maçi, Shefqet Kau, Nezir Stërmasi e Spiro Vllaho. Tani jetojmë në distanca jo më shumë se njëzet metra larg njëri prej tjetrit me të njëjtën akuzë, agjitacion e propagandë për regjimin e pushtetit popullor me përjashtim të radiologut dr. Kosta Nanos i cili gëzon privilegjin e të qenit “agjent” i zbulimit të huaj, pra i dënuar për spiunazh. Ai e kishte gruan hungareze dhe e kishin përfshirë në situata që dashur pa dashur, Kosta i trembur nga presionet e torturat, i kishte pranuar ashtu siç ia kishin diktuar.
Musai me shtëpi njëzet metra larg nga dr. Kosta, kishte një odise të gjatë përndjekjeje. Bashkë me të ëmën dhe dy vëllezërit kishin kaluar më shumë në internime e burg se sa jetë të lirë. Shkaku ishte se i ati dhe xhaxhai konsideroheshin si të arratisur aktivë kundër pushtetit. Musai mbas disa ditësh pas vendosjes së tij në burgun tonë, më shprehu kënaqësinë që kishte përfunduar këtu, sepse në internim, atje në Paftan, ku kish qenë, nuk kishte një njeri me kë të shkëmbente dy fjalë, kurse këtu kishte ca të njohur. Megjithë kushtet e vështira kishte arritur si autodidakt një të nivel të pëlqyeshëm intelektual. Zotëronte edhe gjuhë të huaja si frëngjisht, italisht etj.
Valeri ishte një djalë simpatik e ëndërrimtar të cilit i pëlqenin shakatë. Njihja të atin, Seitin, si edhe xhaxhain e tij. Seiti ishte martuar me një nga gratë më të bukura sovjetike të ardhura në Shqipëri. Shquhej veç bukurisë dhe si një grua me karakter e një komunikim plot finesë. Ishte tragjike historia e kësaj familjeje, sepse veç Valerit, ishte burgosur edhe e ëma, ndërsa Seiti, i ati, ishte detyruar të divorconte bashkëshorten e tij. Valeri mendonte shpesh për të motrën, Dianën, së cilës i mungonin e ëma dhe i vëllai. Shpesh Valeri bënte vizatime interesante, ai i abstragonte figurat me shumë elegancë. Trashëgonte nga e ëma sensin e artistit.
Ndërmjet shtëpisë së Valerit dhe times banonte Eqerem Biba. Ai, megjithëse, aktiv që nga lufta në favor të Partisë Komuniste, anëtar i saj nuk kishte qenë kurrë. Përpos të tjerave, ishte i dashur e komunikues. Dinte shumë histori të luftës dhe pas saj. Në shumë episode tregonte se kishte luajtur rol të rëndësishëm. Ishte i frikësuar e shprehej vetëm kur pinim ndonjë kafe bashkë me mikun tim Jani Gjinon.
Paolinin e kisha komshi rrugice, pesëmbëmbëdhjetë metra larg dhe e njihja qëkur isha fëmijë. Me vëllain e tij, Aldon, ishim shokë shumë të afërt rinie. Paolini ishte në Moskë me studime dhe çdo mbasdite prindërit e tij Gjoni e Rexhina, çmalleshin duke dëgjuar të birin nga radio Moska. Ishte një folës i mirë dhe u aktivizua nga kinostudio për dokumentarët që dilnin çdo muaj. E shikoja në mur foton e tij me bashkëshorten ruse me të cilën pati dhe një vajzë. E vuajti mosardhjen e saj, e si të tjerëve i censurohej korrespondenca e më vonë me ndërprerjen e saj, filloi një survejim deri sa mbas një mbledhjeje kolektivi u largua nga puna duke u internuar. Mbas internimit e prunë në porcelan si ekonomist e pak kohë para se të arrestohej u martua nga martesa pati një djalë që s’arriti t’a përkëdhelte. Me Paolinin u bashkuam mbas ridënimit të tij. Atë e riarrestuan ditën kur do të lirohej. Kjo e kishte dërrmuar fare dhe i kishte damkosur një frikë. Rezervohej në çdo bisedë dhe shmangej menjëherë sapo biseda devijonte. Kjo fobi e shoqëroi deri në fund kur u ndamë.
Me Nezir Stërmasin ishim farefis nga nëna e nga i ati. Në një aksident kur ishte fëmijë, i ishte amputuar këmba, e ai gjatë fëmijërisë kishte lëvizur në perfeksion mbi një patericë. Me të atin kur isha arsimtar në Sukth, udhëtonim përditë me tren së bashku. Ramazani ishte specializuar tek “Siemens” dhe ishte njohës i mirë i elektricitetit. Në vitin ’60 atij iu arratis djali i mesëm, i cili siç flitej, u ekzekutua në Romë nga kosovarë, agjentë të sigurimit. Nga ai moment filloi një përndjekje e cila pati si pikë kulminante dy djemtë e tjerë Nezirin dhe Shpëtimin. Gjatë hetuesisë pata parë një protezë e më shkoi nëpër mend se do të jetë e Zirit, siç e quanim ne shkurt. Më vonë, vërtet Ziri arrestohet e na e prunë në Ballsh. Vërtet e dhimbshme që dy djemtë u burgosën njëkohësisht. Ai kishte vështirësitë e veta të cilat i tejkalonin ato tonat. Nëse ne kishim të përbashkët dhembjen shpirtërore, ai kishte plus edhe invaliditetin.
Me Shefqet Kaun, ish-volejbollist i kombëtares, njiheshim prej shumë kohësh. Çeti siç e thërrisnim, na shoqëronte përherë te lokalet, megjithëse ishte martuar që i ri, ndonëse nuk pinte dhe bisedat me të ishin kryesisht për sportin. Kur u arrestova, më kishin futur në një grup me të, por meqë asnjëri prej tyre nuk deponoi gjë kundër meje, unë u dënova i vetëm. Në kamp luanim volejboll dhe ping-pong ku ne të dy manifestonim stilin e vjetër. Edhe në tavëll kishim rivalitet. Ai u lirua një vit më vonë se unë.
Ndër të rejat që na sillte Petro e Safo, njëra ishte me të vërtetë tronditëse. Kishin arrestuar Spiro Vllahon, një inxhinier topograf minierash, i cili ishte dhe piktor. Gjatë kohës kur ai ishte në hetuesi, i ati në shenjë proteste, vrau veten duke u hedhur nga kati i katërt ku banonte në rrugën “Qemal Stafa”. Madu e njihte, sepse kishte pasur shok shkolle të vëllain, Lekën. Një histori e bujshme në Tiranë kishte pasur për personazhe Madun, Rit Ndroqin, Fatos Lubonjën dhe Leka Vllahon, të gjithë veç Madut ishin djem të mëhallës sime. Këta kishin hyrë natën në shkollë, kishin hapur zarfin e ministrisë që kishte tezën e provimit të matematikës dhe kur ditën e provimit njëra nga mësueset e kishte pikasur, plasi skandali i cili pati pasoja jo të këndshme me gjithë koracën që u siguronte qenia e prindërve persona publikë të njohur. Ndërsa unë me Spiron kisha njohje të vjetër. Ai kishte mbaruar në Bashkimin Sovjetik për inxhinieri dhe e kishin caktuar në një galeri minierash, ku edhe u plagos në kokë. Ishte tip energjik dhe gjithmonë në lëvizje. Bashkë me të mbaruam liceun artistik natën për pikturë në harkun kohor të katër vjetëve. Sapo mbaruam, ai hapi një ekspozitë në Pallatin e Kulturës e cila për nga tematika ishte “ në binarë”, sepse në hyrje të saj mbizotëronte një tablo e Enver Hoxhës mes minatorëve. Spiroja kishte në punë një vajzë me të cilën ishte fejuar. Ishte i dashuruar i tëri mbas saj. Udhëtonin së bashku Tiranë – Mëzes e kthim. Ishin të pandarë gjithë kohës, sepse edhe ajo ndiqte liceun për pikturë. Ai nuk nxiste asnjëherë biseda “me spec”. Detonatorë për to ishin Everesti dhe Skënderi nga Durrësi. Spiroja ishte i kujesshëm dhe nuk shpërthente kurdo. Megjithatë klasa jonë rezultoi “prodhimtare”. Më vonë u arrestua dhe Everest Kërliu. Ishte arrestuar së bashku me vëllain dhe dajën. I pa eksperiencë, Everesti ishte zbërthyer keqas në birucë nga Izet Petani, një kokëmadh i shkurtër e zijosh një “mi birucash”, shumë i rrezikshëm, sepse nuk i mungonte inteligjenca. E paraqiste veten si eksponent i grupit të naftës. Pati një fund tragjik: u gjend i therur në Greqi dhe nuk u mor vesh se cili e theri. Kur u lirua bibliotekari, Spiro zuri vendin e tij duke bërë edhe punën e piktorit të kampit. Kur erdhi në fillim, për një kohë të gjatë fliste si të ishte në përgjim të vazhdueshëm. Vetëflijimi protestues i të atit e kishte tronditur mjaft. Me kohë e mori veten dhe përveç meje e Madut, u afrua edhe me at Zef Pllumin të cilin në fillim e shikonte me frikë.
Kumbara (Andoni)
Prej disa ditësh kishte ardhur nga hetuesia Andon Sheti, shef i kundërzbulimit të ushtrisë, një ndër figurat e njohura të grupit të ushtarakëve të quajtur “puçist”. Para se të hyjë në burg një ditë shoku im Ingri, më tregoi në rrugë tek po zbriste nga një Mercedes se kush ishte Andon Sheti. Të them të drejtën, atëherë më kishte impresionuar pamja e tij. Një trup i drejtë, atletik, me një vështrim të shkathët, si shqarth, ai krijonte një figurë të shkëlqyer të një oficeri të zbulimit të rangut që përfaqësonte. Ishte tipi që ishim mësuar të shihnim nëpër filma si oficerë të zbulimit amerikan apo gjerman. Tani e shihja tek ecte në oborrin e burgut me të njëjtin hap, vëreja të njëjtat lëvizje të matura dhe një tendosje e përqendrim kur bashkëfjaluesi thoshte diçka. Ishte mjaft i zbehtë nga hetuesia e gjatë. Nja dy javë pas mbërritjes së tij e kisha të ulur pranë me një person nga krahina e tij. Ai tregoi me dorë nga unë dhe Andoni u kthye, duke buzëqeshur më pyeti: -Ti je Gëzim Peshkëpia ë? Si je? Sa u dënove?
-Tetë vjet – u përgjigja me zë të mekur. Të them të drejtën u trondita mjaft kur oficeri më i lartë i zbulimit tregoi se më njihte. Si isha bërë i njohur për të? Mos më priste përsëri ndonjë hetuesi tjetër? Lloj-lloj hamendjesh njëra pas tjetrës më kaluan ndërmend vetëtimthi.
Ai e kuptoi menjëherë gjendjen dhe ndërhyri të më qetësonte:
– A e njeh Gjergj Lukën që ka qenë infermier në ndërmarrjen zooteknike në Shkodër? – më pyeti. – Ishte miu i birucës që kisha patur për tre muaj me radhë. Një tip pa nivel, por me një zgjuarsi natyrale, ai ishte mjaft i rrezikshëm.
-Po,- i thashë, – e kisha gjatë hetuesisë, ma kishin futur për të më zbërthyer.
-Kemi patur të njëjtin kumbarë,- më tha duke qeshur. U habita kur mora vesh se si Gjergj Lukën, mbas meje ia kishin futur Andon Shetit. Ishte për t’u trembur që kishin përdorur të njëjtin kalibër “mi birucash”, si për mua, ashtu edhe për Andonin. Më vonë, Andoni më tregoi se atij i ishte paraqitur si shoku im dhe se ne gjoja ishim të arrestuar së bashku me një grup prej pesë vetësh. Për Andonin ishin të njohur të gjithë shokët e mi. Qeshnim për të se në momente të caktuara, na e kishte hedhur të dyve.
Gjergj Luka ishte i dënuar ordiner dhe vinte nga një kamp ku bënin ndërtime në Tiranë. Megjithëse i kisha thënë hetuesit se e kuptoja se ishte i futur prej tyre, prapë e pranoja praninë e tij si më të mirë se vetminë. E çuditshme ishte se kish zell për të mësuar gjuhë të huaja. Arriti të mësonte brenda tre muajsh të fliste italisht, megjithëse me fjalor të varfër. Mësoi barsaleta dhe ndonjë vjershë në gjuhën italiane, të cilat ia kishte treguar e recituar Andonit si të mësuara në jetën e lirë jashtë burgut. Andonit i ishte gjendur gjatë hetuesisë se kishte patur probleme shëndetësore dhe ai me dijet e tij mjekësore, ishte përkujdesur mjaft.
Kështu pra, filluam t’i drejtohemi njëri-tjetrit me Andonin me fjalën “kumbarë”. Çfarë më çuditi, ishte se Andoni bënte pjesë në partinë e optimistëve për amnistitë. Duke folur për verëra dhe për pije të ndryshme, ai më foli për një uzo franceze “Perno”. Më tregoi se gjatë kontrollit hetuesit ia kishin gjetur dy shishe në tavan, por që nuk ia kishin marrë. I shtyrë nga unë, kishte pyetur djalin i cili ia kishte pohuar këtë gjë. Më premtoi se do t’i pinim vetëm ne të dy kur të liroheshim. Nganjëherë kur i arsyetoja se nuk do kishim amnisti, më drejtohej: – Ik shejtan se edhe “Pernonë”, do ta pi vetëm. Njëherë, gjatë apelit, u zverdh dhe të gjithë u shqetësuam. Më vonë mësuam se kishte pësuar melenë, hemoragji të brendshme në stomak. Kur u bë amnistia, më erdhi keq për të se u zhgënjye keqas. Andoni ishte nga njerëzit me pozitë i cili pa diskutim rrezatonte inteligjencë e dinjitet të veçantë në krahasim me të tjerët.
Ihsani , delegati i Konferencës së Tiranës
Dy herë pata përjetuar flladin e shpresës për ndryshime gjatë diktaturës. Rasti i parë ishte Konferenca e Partisë së Tiranës, më 1956, dhe fillimi i viteve ’70 që u quajt liberalizëm. Në të dy rastet, një dorë e pamëshirshme ndërpreu ëndrrat e shqiptarëve fatkeqë. Nga Konferenca e Tiranës në burg pata delegatët e saj si Dashnor Mamaqin, Andon Shetin dhe viktimat e kahershme të saj I. Budon, e V. Stratoberdhën. Ihsani në diskutime ishte një tip që merrte zjarr dhe ishte mjaft këmbëngulës në mendimet e tij. Për Konferencën e Tiranës kishte shumë thashetheme. Ndër to thuhej se Hulusi Spahiu i kishte kërkuar Mehmet Shehut llogari se si ishin vrarë intelektualët shqiptarë pa gjyq me farsën e bombës në Ambasadën Sovjetike. Thuhej (sipas variantit zyrtar) se legata jugosllave ishte mjaft aktive, me aktivitet komplotues ato ditë dhe merrte kontakte me delegatë të saj dhe se ngjarjet ishin pasojë e agjenturës së saj. Isha mjaft kurioz dhe megjithëse ishte bisedë me zarar, ai kur i kërkova të vërtetën, më tha:- Të tëra gjepura. Dëgjo, Gëzim, shumë vetë më kanë kërkuar dhe s’kam folur për këtë temë, por ty do ta them: asgjë nuk ishte e organizuar, jugosllavët nuk patën kurrfarë influence. U përgatit dhe në shtyp një atmosferë kritike nga poshtë duke u kritikuar hapur dhe Stalini e kulti i tij. Këtu qe gracka ku ranë diskutuesit të cilët folën hapur pa asnjë prapamendim. Kadri Hazbiu u përpoq të krijonte një insinuatë për të implikuar jugosllavët duke iu drejtuar një diskutanti ushtarak, por sallën e përfshiu një ilaritet. Kështu e pësoi dhe Ihsan Budo në atë kohë zëvendësministër. Në vitin 1963, i thirrur nga Hysni Kapo, pati rastin për rehabilitim, por për qëndrim konsekuent dhe konflikt me Nevzat Haznedarin e humbi këtë shans, sepse karakteri i tij ishte i ngurtë dhe i paepur.
Ihsani, i degdisur në Kurbnesh, më 1977 u arrestua.
Sot ai ka mbetur, ashtu siç kish qenë, i drejtë e njëkohësisht impulsiv.
Komentet