VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

L’Univers Israelite (1939)- Një mjek hebre, refugjat nga Vjena, i erdhi në ndihmë mbretëreshës Geraldinë në Greqi

By | February 25, 2020

Komentet

VIRUSI PYET: PO KET A E DINI ? PREJ CILIT VIT JAM N’ SHQIPNI ? – Nga Fritz RADOVANI: Pyetja 2

 

 

 

KOMPANJELI  1913…

Kam plot 75 vjetë që kam vorrosë kushedi sa të gjallë e të vdekun…

“Ç’ donte Populli… Bënte Partia, dhe ç’ thonte Partia.., bente Populli!”

Ecë e mos e ban po deshte!.. 

Cila ishte detyra e parë e Virusit në Shqipni? – Zhdukja e kompanjelave!

Këte e dinin vetem “shokët” Tito, Stalini dhe Enveri me Mugoshen…

“Aty ku At Gjergj Fishta me 13 Qershor 1913 vuni Flamurin e Kastriotit, aty me 29 Nandor 1944, me vue Flamurin e Shqipnisë me yllin e kuq, dhe persa t’ jetë jeta, “mos të dëgjohët më Hymni i Flamurit i Patër Fishtës”!

E, “Të shkatrrohet kulm e thëmel çerdhja e Françeskanëve t’ Shkodres! Atire Gjirokastritëve tanë, u bie detirë, të shpartallojnë ‘Lahuten e tire’!..

Dyke filluar nga ajo gjuha e Krishtit, në Kalanë e Drishtit… Filloni nga:

Imz. Pal Engjulli, Don Gjon Buzukun… Don Aleksandër SIRDANI, At Anton HARAPI, Anton LOGORECI,  At Anton ZANONI, Arshi PIPA, At Bernardin PALAJ, At Benedikt DEMA, Branko MERXHANI, At Daniel GJEÇAJ, Dedë GAJTANI, Engjëll RADOJA, Ernest KOLIQI, Et’hem HAXHIADEMI, Elena LULI, Faik KONICA, Frano ALKAJ,  At Gjergj FISHTA, Gjergj PEKMEZI, Gjon SINISHTA, Guljelm DEDA, Ilo Mitkë QAFËZEZI, At Justin RROTA, Don Kolec PRENNUSHI (Pseudonim Mujs POLEMI), Karl GURAKUQI, Kolë Bib MIRAKAJ, Kolë THAÇI, Konstantin KOTE, Kostë A. ÇEKREZI, At Konrrad GJOLAJ, Krist MALOKI, Kristo FLOQI, Don Lazër SHANTOJA (Pseudonim Y…), Lef NOSI, Imz. Luigj BUMÇI, At Luigj MARLEKAJ, Luigj THAÇI, Lumo SKËNDO (Mit’hat FRASHËRI), At Marin SIRDANI, At Mark HARAPI, Mark DEMA, Martin CAMAJ, Mati LOGORECI, Mehdi FRASHËRI, Musine KOKALARI, Mustafa KRUJA – MERLIKA (Shpend BARDHI), Namik RESSULI, Ndoc VASIJA, Don Ndre ZADEJA, Don Nikoll GAZULLI, Nikoll DAKA, Don Nikoll MAZRREKU, At Pashko BARDHI, At Pjeter MËSHKALLA, Imzot Preng DOÇI, Qemal DRAÇINI, Sami REPISHTI, Simon SHUTERIQI, Stavro SKENDI, Zoj XOXA, Tajar ZAVALANI, Vangjel KOÇA, Imzot Vinçenc PRENNUSHI, Vasil ALARUPI  (B. Shapërdani),  Zef M. HARAPI, Zef SCHIRO Jr. (I riu), Zef ZORBA, At Zef VALENTINI, etj.., etj…”

A nuk ishte “Virus” në 1967, ajo që ngjau me “Kishen e Vaut të Dejës”?..

Detyra Virusit ishte: Shfarosja e Letersisë e Historisë Atdhetare Shqipe, tue piksynue që me zhdukë me themel GJUHEN GEGËNISHTE SHQIPE…

“Ky është kopshti i rilindjes socializmit në Ballkanin Perëndimor !”…            Melbourne, 31 Mars 2020.

Herman Bernstein (1932) : “Mbreti Zog është një nga udhëheqësit që punon më shumë në Europë! Shqipëria…”

Herman Bernstein

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 28 Mars 2020

 

“The Chicago Tribune and the Daily News” ka botuar, të mërkurën e 25 majit 1932, në faqen n°3, një intervistë të Herman Bernstein, ambasadorit amerikan në Shqipëri, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

 

Bernstein, ambasador në Shqipëri, në Paris

Rrugës për në detyrën e tij

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Herman Bernstein, ambasadori amerikan në Shqipëri, shkoi pasditen e djeshme në Paris, qëndroi atje për disa orë, dhe pastaj mori trenin e mbrëmjes për në Gjenevë për të kaluar dy ditë para se të kthehej në postin e tij në Tiranë.

 

Ai ishte shumë optimist për kushtet politike dhe ekonomike përtej Atlantikut. Tani për tani, tha ai, qytetet e mëdha pasqyrojnë depresionin shumë më tepër se qytetet e vogla sepse ato kanë një mentalitet të tillë depresioni, por “së shpejti do të dalin prej tij”.

 

— Po në lidhje me situatën politike çfarë mendoni ?

 

— Unë pres që t’i raportoj të njëjtit president gjatë pesë viteve të ardhshme. Nuk mund të them asgjë më shumë ?

 

— Shqipëria ?

 

— Një nga vendet më interesante në Evropë për të jetuar. Një vend shumë interesant dhe me të ardhme. Unë mendoj se Mbreti Zog është një nga udhëheqësit që punon më shumë në Evropë. Ai është i zënë çdo minutë në planet për të përmirësuar vendin e tij dhe po ia del mbanë me sukses.

 

Bernstein, i cili kaloi vetëm një muaj në Shtetet e Bashkuara, kryesisht në Uashington, u kthye me anijen Leviathan. Ai do të vizitojë vajzën e tij në Gjenevë para se të kthehet në Tiranë.

Excelsior (1927)- Fotografia historike e Duçes duke nënshkruar “Paktin e Tiranës” në Palazzo Chigi, në Romë

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 28 Mars 2020

 

“Exclesior” ka botuar, të enjten e 27 janarit 1927, në faqen n°6, fotografinë historike të Musolinit duke nënshkruar “Paktin e Tiranës”, në Romë, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

 

  1. Musolini nënshkroi të hënën e kaluar paktin mes Italisë dhe Shqipërisë

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Pakti i Tiranës, midis Italisë dhe Shqipërisë, u ratifikua të hënën në Pallatin Chigi, në Romë, dhe do të depozitohet në Lidhjen e Kombeve. Ne shohim këtu Duçen që nënshkruan dokumentin.

BAJRAM CURRI DHE DRAGOBIA … – Nga Fritz RADOVANI

 

 

SHPELLA  DRAGOBISË

29 MARS 1925… Kjo Shpellë u la me gjak… 95 vjetë perpara…

E sot, ka shumë prej “atyne” që mendojnë se “Shpella asht mbyllë”!..

E sot, ka edhe ma shumë që kujtojnë se Bajram CURRI “po harrohet”!..

E sot, ka edhe nga “ata”.., që po kerkojnë me ia mbyllë edhe plagët…

Atë ditë… Bash kur mreti po lante duert si Pilati, u suell e u tha “miqve”:

“Tashti, nuk kam ma frikë asnjë njeri!”… E Gjaku shkonte rrkajë!…

Rrkajë në Bari… Rrkajë në Dragobi… Rrkajë në Vermosh.., e n’ Ohër…

E peshë u çue Valbona… Me rrkajt’ e dallgët e saja skuqi Ballkanin!.. 

E rrkajë shkoi Gjaku i Bajram Currit.., mbi letrat e Pashiqit…

Gaboni o vrasës të pabesë! Bisha t’egra e të terbueme t’ Vllazenve tuej!

Nuk i kishte ra dheu Ftyrës ende as Luigj Gurakuqit e, as Bajram Currit,..

E, nder ata Bjeshkë t’ Nêmuna, katilat e pashshpirtë vazhduen me ua  zhgulë Foshnjet e merthyeme per parzem të Nanave të veta… E me i vra…

Loçkat e zemres së Tyne.., që perjetsisht ua nxine jeten Atyne Nanave…

E paturpsisht.., merren kockat e atij tiranit vrastarë nga vorret serbe të Parisit, e sillen n’ krah nga tradhtarët e atdheut, per me i vue në qender të Tiranës së Toptanve! Po, kockat e dajës Esad kur po i sillni o t’ paftyrë?

Rreshtoni me “heronjtë” e Titos, të skiles boshnjake e të kobres së zezë!

Shporruni andej, ikni atje ku keni “vëllezrit e gjakut”, o pjellë mizore!..

Shpellat e lame me Gjak Atdhetarësh dhe plagët e Tyne, do të vazhdojnë me gufue Gjak të paster po, po edhe të freskët, si flladi i Atyne Bjeshkve…

Atdhetarët që dhane jeten per Flamurin e Kastriotit janë të Pavdekshem!

            Melbourne, 27 Mars 2020.                     

Dokument: Rrëfimi rrënqethës i nënës Ferdonije Qerkezi për humbjen e bashkëshortit dhe katër djemve të saj!

E rrethuar mes fotografive që i sjellin kujtimet me bashkëshortin Halimin, djemtë Artanin, Armendin, Ardianin dhe Edmondin, jeton e vetmuar zonja Ferdonije Qerkezi. Ajo jeton me shpresën që pas tërë këtyre viteve, do të ketë një vend, ku më të dashurit e saj do të prehen të qetë. Një vend, ku edhe ajo të ketë mundësi  që të ulet e t’i vajtojë. E mbyllur mes  katër mureve të mbushura me fotografi, e të shndërruara madje në një shtëpi-muze, zonja Ferdonie pret vizitorë nga e gjithë bota.

Madje, i shpjegon secilit se çfarë ndodhi në natën e tmerrit të 27 marsit të vitit 1999. E bashkë me rrëfimin, secilit vizitorë i ‘falë’ edhe disa lotë trishtimi e dhimbje për më të dashurit e saj.Me lotë për faqe, na rrëfeu edhe neve se si serbët ia morën bashkëshortin e djemtë atë natë për të mos ia kthyer më kurrë. Pavarësisht ndodhive, ajo thotë se mundohet të qëndrojë e fortë, për një arsye. Ajo e përdor një thënie  gjakovare, “Sa më rëndë që bie, aq më i fortë bëhesh”.  Zonja Ferdonie, thotë se forcën e gjen vetëm e vetëm për shkak të armikut, për t’i treguar se nuk e kanë mposhtur.Ajo tregon se i njeh personat që atë ditë kanë qenë në shtëpinë e saj, por nuk ka informacione nëse është ngritur padi ndaj tyre. Në drejtësinë e Kosovës nuk ka aspak besim, madje as në politikanët të cilët thotë se e kanë vizituar edhe në kohë fushate, por që nuk i premtuan se do të ngrisin padi ndaj serbëve, sado që ajo ju kishte kërkuar.

“Bota sot”: Çfarë në të vërtetë ndodhi në natën e 27 marsit të vitit 1999?

Ferdonije Qerkezi: Në familjen e Halim Qerkezit ka ndodhur një tragjedi. Më 17 mars 1999 në shtëpinë e Halim Qerkezit, kanë hyrë policia serbe dhe ma kanë marrë burrin edhe katër djemtë. Në shtëpinë tonë kemi pas mysafirë, ka qenë miku i djalit të madh, Shpëtimi ka qenë me nënën, me motrën dhe gruan dhe dy vajza te vogla, kanë qenë dy shokë të djalit, Ardianit, me nënën, një kushëri i Halimit, bashkëshortit ka qenë me grua, do të thotë Skenderi me bashkëshortën, dhe Murtezai me nusen dhe me vajzë. Unë i kam pas edhe dy nuset, se dy djemtë e mëdhenj i kam pas të martuar. Kemi qenë 23 veta , 11 meshkuj dhe 12 femra. Kah ora 11 paradite kanë hyrë policia serbe, ka hyrja e podrumit. Kanë hyrë na kanë kontrollu, na kanë qitë jashtë ashtu siç kemi qenë krejt familjarët, bashkë me mysafirët. Na kanë kontrolluar dhe na kanë thënë mirë qenkeni, na pyetën kush janë këta dhe bashkëshorti i tregoi. Na tha hyni brenda se mirë qenkeni. Ata shkuan në 11.30, dhe pas orës 15.00 janë kthyer prapë të njëjtit policë dhe kanë ardhë na kanë marrë leternjoftimat, mua, bashkëshortit Halimit, Artanit, Armendit, Ardianit, Edmondi nuk ka pasur leje, pasi ishte 14 vjet dhe mysafirëve të tjerë. Na kanë marrë në sekretariat, një orë na kanë mbajtë, pas një ore na kanë kthyer leternjoftimat, dhe na kanë qitë para hyrjes së podrumit, ku kemi ndejtë një orë jashtë, ka qenë kohë me shi dhe aty kemi prit derisa na kanë kthyer lejet, sepse na thanë rrini aty. Edhe janë kthyer prapë, na kanë sjellë lejet, i kanë dhënë urdhër djalit të madh të nxjerrë veturën nga podrumi, e kemi pas një Opel Kadet, mandej na kanë dhënë urdhër mu vendos në podrum të gjithë, do të thotë 23 persona. Aty kemi ndjetë një orë e gjysëm. Gjatë asaj kohe, kanë kërkuar raki, por bashkëshorti i tha që nuk kemi.

 

Shtëpia e familjes Qerkezi tash e një kohë është shnëdrruar në muze, ku shumë vizitorë vinë dhe njoftohen me dhimbjen që ka përjetuar nëna Ferdoni

Ferdonije Qerkezi:Ata thanë që ju e keni qebaptoren, dhe bashkëshorti i tha që momentalisht nuk kemi. E thirrën djalin e tretë Ardianin dhe i thanë hajde ti, se ti shërben mirë, me ju sjellë ujë, unë iu bëra kafe. Derisa ngjitesha shkallëve për t’i bërë kafet, ofshava dhe njëri serb me pyeti se ‘çfarë ki nano”, dhe i thashë që nuk e di. Mos u frikëso më tha se jemi ardh me ju ruajt. Unë aty u shlirova se thash ata po na ruajnë. Para se me i pi kafet, Dragani e kërkoi një tavolinë dhe dy fotele, dy karriga për tu ulur vetë dhe fotelet për tu ulë, Halimi dhe kushëriri, Skenderi. Dhe unë sa isha aty afër, e dëgjova që i tha Halimit se shqiptarëve duhet me ia pre kokën krejtve. Ai i tha po pse. Ai i tha sepse nuk ka më, ashtu duhet tash, janë prishur marrëdhëniet, nuk ka më si vëllëzër, tash duhet me iu pre kokën gjithë shqiptarëve. Bashkëshorti i tha që në dorë na keni, mundeni me na bo gjithqka. Unë aty u zbeha.  Kur shkova të familjarët tjerë, ata me pyetën se çfarë ndodhi. Ju thashë se asgjë. Aty e pashë që nuk është gjithqka në rregull, sepse kur hynë me kontrollu podrumin, e kemi një dalje mbrapa, e kontrollun podrumin krejtë, e mbyllën derën me qelës, i morën qelësat, edhe bashkëshorti i tha që mos e mbyllni sepse e kemi miellin këtu. Ata thanë që ju japim na. Gjatë asaj kohë, rreth orës 17.00, hyri Dragani na dha gjysëm kilogrami kafe edhe dy qokollada për vajzat e vogla që ishin me ne. Na i dha ato dhe doli, kur hyri Halimi tha mos u tutni se mirë jemi. Janë dalë ata, dhe prapë janë kthyer me maska. Kur janë kthyer i kanë thirrë të gjithë me emra, Artani, Armendi, Ardiani, Fatosi, Shpendi, Vegimi dhe Shpetimi, Edmondi. I kemi pasur disa letra të shitores, dhe Edmondi ishte shtrirë aty, dhe unë ia prisha gjumin, i thash qu se po kërkojnë edhe ty, (qan me zë) …dhe aty i kishin shkruar emrat në listë dhe e kërkonin edhe një mashkull , por i thash të gjithë i ke marrë se Edmondi nuk ka leje të njoftimit, të gjithë i keni marrë. Dolën dhe u kthyen prapë, për të marrë diqka dhe na kërkuan para. Na i mblodhën të gjithë arin që kishin nuset dhe e mbushën plotë një gotë dhe dolën. U kthyen prapë na thanë na jepni pare, njëri mu drejtua me një automat dhe njëherë nuk iu dhashë. Ato të tjerat iu gjuajtën tek këmbët, dikur unë ia dhashë 500 marka të asaj kohe, i morën paratë dhe dolën. Na thanë merrni vetëm disa rroba për fëmijë edhe shkoni për Shqipëri. Na dolëm, i morëm rrobat për fëmijë dhe jemi dalë dhe jemi shku në një shitore aty afër dhe na takuan policë prapë dhe na pyetën ku po shkoni. Ju thamë se kanë përzënë kolegët e juaj dhe na thanë kthehuni se askush nuk ju ngucë. Na nuk u kthyem atë natë në shtëpi dhe kemi qëndru në një banesë këtu afër, tek një qytetare e Gjakovës. Të nesërmen i kam marrë dy nuset dhe kemi ardhë këtu dhe i kam thanë ku doni me shku, ato më thanë ku të shkojsh ti, do të vijmë me ty. Kemi ardh këtu në shtëpi dhe nuk kemi parë asgjë, shtëpia ka qenë pa njerëz, mandej kam shkuar tek vëllau, Muharremi dhe iu kam treguar atyre, aty kemi ndejtë katër ditë. Pastaj kam shkuar të familja ime, dhe aty kemi qëndruar gjatë luftës, tre muaj. Vëllait Muharremit që ia kanë marrë djalin, unë me zonjën e tij, kemi shkuar deri tek Dragani, dhe kemi shkuar në gjyq. Sepse kur bombardoj këtu policia, u përhapë policia dhe tërë blloku ka qëndruar këtu dhe në gjykatë. Aty në gjykatë na thanë se ku me ditë se çfarë kanë bërë me ata. Aty, vëllau i Halimit, Kasimi e kishte njohur këtë Draganin, dhe kemi shkuar në shtëpi tek ai dhe doli kishin qenë në pantollona të shkurtër dhe na tha pritni sa të vishemi, dhe Kasimi tha se desha të marr vesh se e kanë marrë Halimin me djemtë. Unë kur i pashë ata, i njofta dhe njëri më tha a po me njeh se unë kam qenë tek ju dhe qelësat e podrumit i kam unë. Kasimit i thanë serbisht se ata kanë shkuar në Koshare, por ai i tha jo se nuk kanë shkuar se deri një natë para bombardimeve kanë punuar në shitoren tonë. Ata na thanë nëse nuk ju tregojmë sonte, vonë keni me marrë vesh. Unë i thash Draganit, që nuk është problem që i keni marrë se të gjithë janë pa ushtri, por ai tha se kanë shkuar për të luftuar në Koshare. Kasimi tha se ju i keni marrë. Ai tha se unë i kam marrë, i kam dërguar deri në polici, por drejtori i policisë i ka marrë. Unë i thash që nuk është problem që i keni marrë, por Halimi është keq nga zemra dhe deshta t’ia jap barnat. Ata më thanë mos ki dert se na barnat ia japim vet se kemi boll. Nga ajo ditë e deri në vitin 2005, asgjë nuk kam marr vesh. Në vitin 2005 kanë dalë djali i madh Artani dhe Edmondi. Për Halimin, Armendin edhe Ardianin nuk di asgjë, nga ajo ditë. Por në vitin 2008, unë rrobat e Ardianit i kam parë, por trupin jo. Dhe kështu tragjedia nga serbët, kështu ka ndodhur. Ata nuk kanë besë hiq, kështu të thonë por, nga mbrapa të prenë, janë të pabesë.

“Bota sot”: Ju thatë që në vitin 2008, keni parë rrobat e djalit tuaj Ardianit. Ku i keni parë ato?

Ferdonije Qerkezi: Trupat kanë qenë në morg të Rahovecit, por kur i kanë bartë, aty se si kanë mbetur rrobat pa trup nuk e dimë, dhe rrobat kanë shkuar në morg të Prishtinës. Ato rrobat kanë mbetë aty dhe tash nuk dihet se kush është aty. Nuk na kanë dhanë informacione se kush i sjellë, vetëm i kanë bartë. Ende ka trupa aty që nuk janë identifikuar.

“Bota sot”: A keni informacione nëse është duke u hetuar ndonjë person për ngjarjen e 27 marsit?

Ferdonije Qerkezi: Asnjë informacion nuk kemi as ku janë. Askush nuk po merret me ta. Tash që kanë qenë për fushatë, prej tri partive, unë ju thashë që kam qejf me i padit ata personalisht vetë, por ata nuk më dhanë kurfarë përkrahje.

“Bota sot”: Po me Dragani çfarë ka ndodhur?

Ferdonije Qerkezi: Ai ka ikur pas luftës, bile e ka marrë veturën e bashkëshortit, Halimit, Kadetin e ka marrë me gjësende që kanë vjedhë këtu në Gjakovë. Tek ne kanë vjedhë gjësendet e nuses dhe teknikën e muzikës që ka pas djali i madh në dhomë. Ato kush i ka marrë ne nuk e dijmë. Kryesisht në Gjakovë çfarë kanë vjedhë, e kanë pa disa familjarë Draganin duke dalë me veturë të mbushur plotë.

“Bota sot”: A është ngritur padi ndaj Draganit?

Ferdonije Qerkezi: Jo, nuk e dimë nëse është ngritur askush nuk na ka lajmëruar asgjë. Po duhet kap atë Draganin dhe drejtorin e Policisë, ai e di se ku i ka dërguar. Ne i kemi njohur ata me emra, se kanë ardhur kanë ngrënë në shitore dhe në qebaptore tek ne, më tepër pa para. Djemtë i kanë detyru me hangër qebapa njëherë për vete e pastaj me i ngrënë ata, se kanë menduar se mos po i helmojnë ata.

“Bota sot”: A ju kanë vizituar ndonjëherë krerët e shtetit?

Ferdonije Qerkezi: Krerët e shtetit më kanë vizituar, ka qenë Fatmir Sejdiu, Atifete Jahjaga, Hashim Thaçi, vetëm Isa Mustafa nuk ka qenë edhe Jakup Krasniqi. Tek Jakup Krasniqi kemi qenë dhe na ka pritë shumë mirë.

 

Eshtrat e dy prej djemve të nënës Ferdonije, Artanit dhe Edmondit janë identifikuar në vitin 2005, derisa për bashkëshortin Halimin dhe dy djemtë tjerë Armendin edhe Ardianin nuk di asgjë që nga 27 marsi i vitit 1999

Foto galeri

“Bota sot”: Çfarë ju kanë premtuar ata?

Ferdonije Qerkezi: Për padi nuk kanë premtuar asgjë, ndërsa për shtëpinë muze më kanë ndihmuar. Më kanë ndihmuar edhe shoqatat “Thirrjet e nënave”, dhe “Rrjeti i grave”, me Igballe Rogovën, që më kanë përkrahuar për shtëpinë-muze. Kur unë kam dashur me bë shtëpinë muze, vëllezërit e Halimit kanë kërkuar hise. E tash kur e morën vesh ato për këtë, ato erdhën dhe më përkrahen.

 

“Bota sot”: A shpresoni se drejtësia do të vë prapa grilave fajtorët?

Ferdonije Qerkezi: Me këtë drejtësi të Kosovës nuk kam shpresa, nuk besoj, vetëm nëse ndërkombëtarët bëjnë diqka.

“Bota sot”: Po Gjykata Speciale, a keni shpresa në të?

Ferdonije Qerkezi: Deri më tani nuk më ka kontaktuar askush asgjë. Përpara kanë ardhur shumë policë ndërkombëtarë, por unë nuk i kam njohur. Kishte me qenë mirë nëse bëhet diqka.

“Bota sot”: Vitin e kaluar është krijuar edhe një film për ju dhe jetën tuaj. Çfarë domethënie ka ky film për ju?

Ferdonije Qerkezi: Ai film ka një domëthënie shumë të madhe për mua, sepse sado pak është informuar bota se çfarë kanë bërë serbët këtu. Ne vizita kemi pasur prej kur ka përfunduar lufta, por ne në fillim nuk kemi ditë me rujt librin se kush ka hyrë e ka dalë këtu. Kanë ardhur doktorat më të mëdhenj të botës, për me na kontrollu si jemi. Nuset i kam pas ende këtu, por nuk kemi ditë me i rujtë të gjitha shënimet. Kemi pas gazetarë, dhe të gjitha mediat e kanë bërë të madhe këtë ngjarje. Atë ditë që është shpallë pavarësia, ka pasur visitor nga të gjitha anët dhe është bërë ngjarje e e madhe për gjithë Kosovën.

“Bota sot”: Si fillon një ditë e juaja e zakonshme dhe si mbaron ajo?

Ferdonije Qerkezi: Unë si të zgjohem e pi kafen, e bëj insulinën, mëngjesin dhe nganjëherë më lajmëron dikush që do të vijë dhe e pres, por më tepër merrem me punë të shtëpisë, e mirëmbajë shtëpinë.

“Bota sot”: Shtëpia juaj tash e sa kohë është bërë muze, a ka interesim të qytetarëve për t`ju vizituar?

Ferdonije Qerkezi: Prej vitit 2016 ka më tepër vizita, sepse në këtë vit është shpallur tamam zyrtarisht si muze. Pllaka ka qenë qe na viti 2005, ndërsa si muze ka filluar para një viti.

“Bota sot”: A ju lehtësojnë dhimbjen sadopak këto vizita?

Ferdonije Qerkezi: Po ma e lehtë është për mua, sepse po e di që njerëzit po interesohen më tepër për mua, për ngjarjen se çfarë ka ndodhur. Është shumë më e lehtë për mua, por edhe pak e vështirë sepse po më duhet me i përsërit vazhdimisht këto kujtime.

“Bota sot”: Po ju, si ndiheni kur shikoni gjithë këto kujtime?

Ferdonije Qerkezi: Më e lehtë është për mua ta mbajë shtëpinë me gjithë këto kujtime, sepse kur e kom marr më pastru dhe lyer shtëpinë, i kam heq të gjitha dhe më dukej shtëpia e thatë, menxi pritsha me përfundu shtëpinë dhe me i vendos fotografitë nëpër vende të veta, sepse më duket shtëpia më e mbushur.

“Bota sot”: A është Kosova e sotme ajo për të cilën u flijuan më të dashurit tuaj?

Ferdonije Qerkezi: Jo aspak nuk është kjo Kosovë, pa punë, pa asgjë në këtë vend. Bashkëshorti im dhe djemtë kanë qenë shumë punëtorë. Kur po i shoh të rinjtë pa punë, si kamarierë, edhe pse edhe atë punë duhet ta bëjë dikush por jo kështu siç është sot.

L’Echo de Paris (1913)- Intervista ekskluzive me Isa Boletinin ne Londer, perfaqesuesin e Kosoves dhe delegatin e qeverise se Vlores

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 27 Mars 2020

 

“L’Echo de Paris” ka botuar, të hënën e 5 majit 1913, në faqen n°3, një shkrim në lidhje me intervistën ekskluzive të Isa Boletinit, të zhvilluar asokohe në Londër, ku si përkthyes i ka shërbyer Luigj Gurakuqi, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

 

Bisedë me shefin shqiptar Isa Boletini

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

(Nga korrespondenti ynë i veçantë)

 

Londër, 4 maj.

 

E kam takuar Isa Boletinin në një nga hotelet e mëdha në Londër, i ulur para një filxhani çaji, i patundur, me një cigare në gishtat e tij. Rreth tij, anëtarët e qeverisë së përkohshme shqiptare të veshur me pardesy prej mëndafshi. Me këtë stil, ata mund të ligjërojnë në “House of  Commons”. Isa Boletini, edhe në zemër të civilizimit, nuk e hoqi kostumin e tij prej malësori luftarak. Ai mban plisin e bardhë, traditë për të gjithë bashkatdhetarët e tij.

 

Për të mashtruar disi kureshtjen e publikut, ai veshi një pardesy gri krejt perëndimore, por veshja kombëtare përsëri dukej : këmisha blu dhe jeleku (xhamadani), rripi i gjerë dhe pantallonat që i ngjiten nga afër pjesës së prapme të këmbëve. Një strukturë kockore, shumë e gjatë dhe e harkuar, mbart fytyrën, e pjekur dhe të djegur nga dielli, mbi të cilën shkëlqen një sy mjaft i mprehtë. I tillë është njeriu, i cili, me përsosmëri, përfaqëson Shqipërinë luftarake, atë, që e palodhur dhe prej shekujsh, ka zbritur nga lartësitë për të dëbuar gjithnjë e më larg serbin, grekun dhe bullgarin; ajo që, nesër, do të sulmojë ushtarët evropianë, qofshin në shërbim të koncerteve (planeve) apo interesave austro-italiane.

 

Shqiptarë të tjerë kanë pasur sukses në Yildiz – Kiosk, në poste të larta publike, por ky njeri përfaqëson shumë më mirë tokën shqiptare, të cilën kurrë nuk ka dashur ta braktisë, dhe që, edhe sot, në këtë hotel të madh perëndimor, ka një marshim të dhimbshëm dhe gjeste të ngadalta të kujtdo që ngjit një lartësi dhe mbart armë.

 

  1. Luigj Gurakuqi, një katolik nga Shkodra, anëtar i qeverisë së përkohshme të Vlorës, pranon të më shërbejë si përkthyes.

 

E pyes Isa Boletinin :

 

— Në çfarë moshe keni filluar të luftoni ?

 

Në moshën shtatëmbëdhjetë vjeçare. Unë jam dyzet e shtatë vjeç sot. Domethënë, tridhjetë vjet luftë. Kam lindur në fshatin Boletin, afër Mitrovicës. Armiqtë e mi të parë ishin serbët dhe malazezët. Ishte për të zmbrapsur bastisjet e tyre që pak nga pak fitova besimin e bashkatdhetarëve të mi dhe u bëra shef klani.

 

— Ju keni pasur marrëdhënie të mira me turqit e regjimit të vjetër ?

 

— Ndonjëherë ndoshta disa mosmarrëveshje; por, në përgjithësi, nuk kemi shkuar keq. Sulltani Hamid e dinte se çfarë vlere kishte një shqiptar; në vitin 1902, ai më thirri pranë tij, më vuri në krye të gardës së tij shqiptare dhe më dha titullin bej.

 

Isai me jep këto detaje copëza-copëza që i lë të dalin një nga një.

 

— Në Shqipëri, tha ai, njerëzve nuk u pëlqen të flasin për veten; kjo është në kundërshtim me zakonet.

 

— Fatkeqësisht ! iu përgjigja, në Perëndimin tonë, të mos flasim për veten është gjithashtu në kundërshtim me zakonet.

 

I ardhur në Londër për t’i shërbyer vendit të tij, Isai, nga Boletini, e pranon reagimin tim.

 

Për dy orë, ai u përgjigj pyetjeve të mia biografike, duke thënë herë pas here: “Kam vuajtur aq shumë sa nuk mund të them gjithçka !”

 

Pasi qëndroi për katër vite pranë sulltan Abdul-Hamidit, beu i ri u kthye në Shqipërinë e tij. Ai jetonte prej tre vitesh në kullën e tij afër Mitrovicës kur ndodhi lëvizja xhonturke. E dimë se, gjatë një takimi në Ferizaj, më 15 korrik 1908, delegatët shqiptarë e pranuan Kushtetutën. U kishin thënë se ishin të lirë ndaj pushtetit qendror, efektet e të cilit nuk është se ndiheshin atje.

 

— Nuk e lashë veten të mashtrohem, thotë Isai. Unë nuk kam qenë në Ferizaj.

 

— Pse ? A i njihnjit turqit e rinj ?

 

— Vetëm disa.

 

— A keni pasur marrëdhënie të këqija me ta ?

 

— Jo ! marrëdhënie të mira. Megjithatë, nuk kisha besim tek ata. Burrat e regjimit të ri nuk më falën për abstenimin tim. Të ngarkuar për nënshtrimin e të gjitha elementeve armiqësore, komandanti i Mitrovicës, Xhavit pasha, përmes meje, vendosi të fillojë serinë e ekzekutimeve të tij. Ai, pa asnjë paralajmërim, rrethoi kullën time, nga e cila familja ime mezi arriti të dilte. I kapur në befasi, kisha vetëm 20 burra rreth meje. Nga këta 20 burra, 12 u vranë. 8 të tjerët, përfshirë edhe mua, qemë në gjendje të shpëtonim por të mbuluar nga plagët.

 

Duke rrëfyer këtë arritje, shefi shqiptar tregon shpatullën e tij të majtë të enjtur. Ishte e shpuar nga njëra anë në tjetrën. Shoh që në dorën e tij të majtë mungon gishti i mesit.

 

— E ka marrë Xhavit pasha ?

 

Isai buzëqeshi me përbuzje :

 

— Jo. Aksident i thjeshtë gjatë rinisë.

 

Natyrisht, kjo nuk llogaritet. Që ky gjigant i zhdërvjellët dhe esmer të rrëzohet për tokë, do të duhej të vritej shtatë herë, si një mace. Ai vazhdon :

 

— I detyruar të largohem nga Mitrovica, u strehova afër Pejës. Xhaviti arriti shpejt me pesë batalione, duke djegur të mbjellat dhe kullat. Pasi u mundova të luftoj me aq sa munda, u strehova te malsorët e Gjakovës. Rezistenca u organizua, betejat e Lumës dhe Rugovës u mësuan shtypësve modestinë. Në pranverën e vitit 1909, të thirrur për arsye të ngjarjeve të Kostandinopojës, ata u larguan. Kjo ishte për t’u kthyer një vit më vonë, nën urdhrat e Shefqet Turgut pashës. Këtë herë, erdhën për të ndëshkuar lëvizjet shqiptare në krahinën e Kosovës. Ne luftuam në Kaçanik, të shpërndarë, kurrë të mposhtur. Pastaj, kam gjetur azil në Mal të Zi.

 

— Çfarë mendoni për mbretin Nikolla ?

 

— Ai më ftoi disa herë në tavolinën e tij, duke më bërë të ulem pranë mbretëreshës. Më mbetet vetëm ta falenderoj atë dhe popullin e tij. Pasi paqja u rivendos, u ktheva në fshatin tim të lindjes Boletin, më mungonte vendlindja. Unë qëndrova në heshtje për një vit të tërë dhe nuk mora pjesë në kryengritjen e malsorëve të Shkodrës dhe në kuvendin e Berçës, i cili hartoi statutin e lirive shqiptare. Isha akoma në Boletin në gusht, kur sulltani erdhi të vizitojë fushën e betejës së Kosovës, ai më ftoi të shkoj. Nuk pranova. Mësova se ishte i shoqëruar nga Haki pasha dhe Mahmud Shefqeti. E dija si njeri pa vullnet, mendova se ishte e kotë të shkoja e ta shihja. Një vit më pas, unë mora drejtimin e kryengritjes së madhe, e cila na çoi radhazi në Pejë, Gjakovë, Prishtinë dhe Shkup. Hyra me në krye ushtarët e mi. Kështu arrita qëllimin e përpjekjeve të mia : të siguroj ekzistencën kombëtare të Shqipërisë, të kërcënuar nga Turqit e Rinj. Ne ishim duke përfunduar një marrëveshje me Gazi Muktar  pashën (Ahmed Muhtar Pashën) kur papritmas deklarata e luftës së aleatëve shpërtheu.

 

— Duke pasur parasysh zgjedhjen midis serbëve, me të cilët keni luftuar tërë jetën, dhe turqit, të cilët i keni luftuar për pesë vjet, çfarë bëtë ?

 

— Unë kërkova armë në Kostandinopojë; me të vërtetë, të gjithë njerëzit e mi i kishin çarmatosur. Këto armë m’u refuzuan. Unë luftova me mundësitë që pata, duke u tërhequr nga Mitrovica në Dibër, Elbasan dhe Vlorë. I emëruar kryetar i milicisë së formuar nga qeveria e përkohshme, m’u desht të ndërhyja për të larguar grekët nga Himara. Ndërsa vizitova jugun e Shqipërisë, vura re se të gjithë shqiptarët janë vëllezër; isha shumë i lumtur. Tani kam ardhur për të kërkuar drejtësi në Europë.

 

— A do t’i pranoni kufijtë e rinj që kanë vendosur ambasadorët ?

 

— Kurrë. Është një dhimbje e madhe për mua që vendi im Kosova është ndarë nga Shqipëria. Shqiptarët nuk do t’i nënshtrohen kurrë me qetësi zgjedhës serbe.

 

— A do ta ndaloni hekurudhën tregtare që i është dhënë Serbisë ?

 

— Trazirat do të jenë të pandalshme.

 

— Çfarë mendoni në lidhje me një pushtim italo-austriak ?

 

— Për sa kohë që nuk ka drejtësi, dhe ndërsa Mali i Zi dhe Serbia vazhdojnë të aneksojnë vendet shqiptare, Italia dhe Austria mund të jenë pjesë e kësaj loje. Kam ardhur këtu për të protestuar si një përfaqësues i Kosovës, si një delegat i qeverisë së Vlorës. Tërë jetën time, unë do të luftoj serbin, malazezin, grekun, italianët, austriakët, deri në çlirim ose vdekje.

 

Duke thënë këto fjalë, Isai merr flakë dhe lëviz. Ai përsërit të njëjtën fjali tri ose katër herë. Ka frikë se unë nuk i kam shënuar mirë fjalët e tij.

 

Ndërsa unë e kam lënë tashmë të qetë, ai ngrihet dhe nxiton drejt meje :

 

— Ajo që thashë është e vërteta. Nëse dikush pretendon ndryshe, unë jam këtu për t’iu përgjigjur atyre.

 

Ndërsa largohem, mendoj për të ardhmen që pret Isain dhe arnautët e tij krenarë. I krijuar për luftë, i papërshtatshëm për çdo punë tjetër përveç asaj të pushkës; i ushqyer në idhtësinë fisnike të armëve, kur ai të ketë luftuar mirë kundër ndërhyrësve të rinj, pa dyshim malli për vendlindjen do ta kthejë sërish në kullën e tij në Boletin, në Serbi; ai do të shohë njerëzit (rayas), që, dikur, kur takonin shefat shqiptarë,  zbrisnin me përulësi nga gomerët e tyre, të kalojnë tashmë para tij duke e shikuar në sy; ai do t’i shohë djemtë e tij të bëhen gjithnjë e më pak luftëtarë dhe gjithnjë e më shumë fshatarë; udhëtuesit shitës dhe sllavët do të qarkullojnë me mallrat e tyre në këtë vend, i çelur më parë vetëm për vendasit (autoktonët). Ata do ta tregojnë me gisht plisin e tij të bardhë dhe jelekun e tij blu. Isai do të flasë me veten se fundi i botës ka mbërritur. Europa do të ketë humbur racën e saj më bukur ushtarake. — A. C

VIRUSI PYET: A E DINI KET ? – Nga Fritz RADOVANI: Pyetja I.

 

 

NDUE  PALI

 

Ju pyet ju qeveritarve të Shqipnisë e të Kosovës, a e dini ket?

 

  • 1945 Plot 75 vjet ma parë, Ndue Pali para pushkatimit në Zallin e Kirit, i lidhun përdore me Caf Metin, ka deklarue simbas proces verbalit të mbajtun nga terroristi Aranit Çela:

Proçes- verbal. I mbajtun mbi vullnetin e mbramë të të dënuarve me vdekje,

Ndue Mirash Pali dhe Caf  Meti, nga Shkodra.

Sot më 15 gusht 1945, ditën e mërkure, ora 5.00 para drekë, unë prokuror i Gjykatës Ushtarake, kapiten i II Aranit Çela, shkova në vendin ku do të ekzekutoheshin kriminelët e luftës dhe armiqtë e popullit, Ndue Pali dhe Caf Meti nga Shkodra, për të marrë fjalën e fundit të tyre, në të cilën thanë këto: Ndue Pali: Nuk më vjen keq, që unë sot pushkatohem prej vllazënve të mij. Jam i lumtun që unë po vdes në tokën shqiptare pas pesë vjet vuejtjesh që pata nga fashistët dhe nazistët. Shqipnia rron edhe pa Ndue Palin!

Një fjalë dua t’ja drejtoj rinisë nacionaliste: Punoni deri në vdekje për një Shqipni të lirë, indipëndente, me baza shoqnore moderne demokratike!

Rrnoftë Shqipnia e Shqiptarëve!

Të fala familjes.                             Prokuror  (Aranit Çela) d.v.”

        

         Shenim FR: Fjala e fundit botohet pa asnjë ndryshim nga origjinali.

Qeveritarë! Tash 75 vjetë vetem vritni e zhdukni Atdhetarë! Turp per ju!      

FOTOKOPJO E ORIGJINALIT:

 

 

Melbourne, 26 Mars 2020.

Kalendari historik – 26 mars

26 marsi është dita e 86 e vitit të brishtë. Deri në fund të vitit kanë mbetur edhe 280 ditë.

1169 – Saladini apo Salahudini bëhet emir i Egyptit. Saladini ishte sulltani i parë i Egjiptit dhe Sirisë dhe themeluesi i dinastisë Ayyubid. Mysliman me origjinë kurde, Saladini udhëhoqi opozitën myslimane kundër kryqtarëve evropiane. Në kulmin e fuqisë, sulltanati i tij përfshinte Egjiptin, Sirinë, Mesopotaminë, Jemenin, dhe pjesë të tjera të Afrikës së Veriut.

1881 – Lufta greke per pavaresi nga perandoria Osmane – Thesalia bëhet pjesë e Greqisë. Në epikën e Homerit, Odiseu viziton mbretërinë e Aeolus, dhe ky është emri i vjetër për Thesalisë. Fusha e Thesalisë është vendi i betejës mes perëndive; sipas mitologjisë, Kadmus mbolli dhëmbë në këtë fushë dhe prej tyre mbinë njerëz, autoktonë, vendas, lindur nga dheu); një nga djemtë e Kadmusit dhe Harmonisë quhej Ilir dhe Illyrian u quajtën pasardhësit e tij. Kadmus, fenikas, solli edhe alfabetin në këtë rajon, sipas mitit. Në shek. IV pes, Thesalia u përfshi në mbretërinë e Filipit II të Maqedonisë. Në shekujt e parë të erës sonë, Thesalia më u bë pjesë e Perandorisë Romake, dhe më pas pjesë e perandorisë romake të Lindjes, Bizantine. Avarët erdhën në këtë pjesë të Evropës në vitet 550, të pasuar nga fiset sllave në shekullin e VII, dhe aleanca Avare – Sllave filloi të kontrollojë Perandorinë byzantine, përfshi Thesalinë. Në vitin 1821, pjesë të Thesalisë u përfshinë nga kryengritjet e para për pavarësi nga perandoria osmane. Thesalia u bë pjesë e shtetit modern grek në vitin 1881, pas Traktatit të Berlinit.

1904 – Lindi Joseph Campbell, mytologist amerikan, shkrimtar dhe pedagog i njohur për punën e tij në mitologjinë krahasuese. Vepra e tij mbulon shumë aspekte të përvojës njerëzore. Filozofia e tij është përmbledhur shpesh thënien; “Ndiqni lumturinë tuaj”. Joseph John Campbell vdiq më 30 tetor 1987.

Rrugë e hapur… nga Josef Kampbell
(shqipërim)

Futu në pyll
në pikën më të errët,
ku nuk ka rrugë.
Udha e hapur,
Eshtë e dikujt tjetër.
Nuk je në rrugën tënde.
Nëse ndjek gjurmët e tjetrit,
Nuk do të mund të kuptosh
As potencialin tënd.

1913 – Lufta I Ballkanke: Forcat bullgare marrin Edirnenë (Adrianopojë), pas 5 muajsh rrethimi dhe dy sulme të guximshme gjatë natës. Robërit osmanë të luftës u trajtuan shumë keq dhe disa prej tyre u vranë. Sipas raportit Carnegie, ndaj bullgarëve u bënë dy akuza kryesore:
1 – ata i trajtuan robërit osmanë të luftës me mizori dhe shumë brutalitetit.
2 – autoritetet bullgare lejuan plaçkitjen e pronës së popullsisë turke të Edirnesë për tre ditë pas dorëzimit të qytetit.

1931 – SwissAir themelohet si linja ajrore kombëtare e Zvicrës. Swissair konsiderohet një nga linjat ajrore më të mëdha ndërkombëtare dhe njihet si “Flying Bank” (Bankë Fluturuese) për shkak të stabilitetit financiar të kësaj linje ajrore.

1979 – Anwar al – Sadat, Menachem Begin dhe Jimmy Carter të nënshkruajë Traktatin e Paqes Izrael – Egjipt në Uashington, DC. Normalizimi i marrëdhënieve mes Izraelit dhe Egjiptit, hyri në fuqi në janar 1980. Në mars 1980 u përuruan fluturime të rregullta ajrore. Egjipt gjithashtu filloi furnizimin e Izraelit me naftë bruto. Traktati u prit me polemika të mëdha në të gjithë botën arabe, ku ishte dënuar dhe konsiderohet si një thikë në shpinë. Ndjenja e zemërimit ishte veçanërisht i fortë në mesin e palestinezëve, me udhëheqësin e Organizatës Çlirimtare të Palestinës, Jaser Arafat, duke deklaruar; ” . . Le ta nënshkruajnë atë që u pëlqen paqja e rreme nuk do të zgjasë”. Në anën tjetër, traktati bëri që presidenti egjiptian Anwar Sadat dhe kryeministri i Izraelit, Menahem Begin të ndanin Çmimin Nobel të Paqes. Megjithatë, si rezultat i traktatit, Egjipti u pezullua nga Lidhja Arabe në 1979 deri1989, dhe Sadati u vra me 6 tetor 1981 nga anëtarët e Xhihadit Islamik Egjiptian.

1997 – Afër San Diegos, Kaliforni, policia zbulon 39 viktima të një vetëvrasjeje në masë – anëtarë të kultit “Heaven’s Gate”, të cilët besonin se vetëvrasja do t’i lejonte ata të dilnin nga trupi dhe të hynin në një anije jashtëtokësorësh e fshehur pas kometës Hale-Pope.

  • 1999 – në Padalishtëtë Skendraj nga kriminelët serbë janë masakruar 19 anëtarë të familjes Imeraj (në mesin e të cilëve 11 femra dhe 5 fëmijë të moshës 2 – 16 vjeçare).
  • 1999 – Okupatoret Serbë masakruan Krushen dhe disa fshatra per rreth
  • 2000 – Vladimir Putin bëhet kryetar i ri i Rusisë.
  • 2011 – Rrëqebulli fotografohet në Veriun e Shqipërisë nga ekipi i PPNEA.

Mendim i ditës
“Mitologjia, me fjalë të tjera, është psikologji e lexuar gabimisht si biografi, histori, dhe kozmologji”
Joseph Campbell

Lindje

  • 1951 – Rexhep Mala,Hero i Kombit Shqiptar
  • 1868 – Fuad I, mbret i Egjyptit
  • 1876 – Princ Vidi, Mbret i Shqipërisë (vdiq më 18 prill 1945)
  • 1893 – Palmiro Togliatti, politikan italian
  • 1911 – Tennessee Williams, dramaturg amerikan
  • 1913 – Paul Erdös, matematikan hungarez (vdiq më 1996)
  • 1925 – Pierre Boulez, kompozitor francez
  • 1935 – Mahmoud Abbas, politikan palestinez
  • 1937 – Ahmed Kurei, politikan palestinez
  • 1940 – James Caan, aktor amerikan
  • 1942 – Erica Jong, letrare amerikane
  • 1944 – Diana Ross, këngëtare amerikane
  • 1968 – Mahsun Kirmizigul, këngëtar dhe aktor turk
  • 1982 – Princi Leka, pinjoll i familjes mbretërore Zogu

Vdekje

  • 1212 – Sancho I, mbret i Portugalise (lindi më 1154)
  • 1827 – Ludwig van Beethoven, kompozitor gjerman (lindi më 1770)
  • 1902 – Cecil Rhodes, politikan britanik (lindi më 1853)
  • 2005 – Melihate Ajeti, aktore (lindi më 1935)
  • 2015 – Tomas Tranströmer, nobelist suedez

SIKUR T’A KISHA ARKEN E NOEHIT ?! – Nga Fritz RADOVANI

ARKA IMAGJINARE E NOEHIT…

 

Sa miljarda njerzë sot mendojnë si unë ?!

 

  • As nuk din kush me e diftue…

 

Po neser, sa do të mendojnë si unë ?

 

Asht mirë me e lanë të shkrueme n’ Arkë, edhe pse …

 

Per disa shekuj “disa..”, nuk kanë me dijtë me e lexue !..

 

         Melbourne, 20 Mars 2020.  

La France Libre (1918)- Profesori më i mirë francez i okulistikës erdhi nga Parisi në Lyon për të operuar Esat Pashë Toptanin

 

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 14 Mars 2020

 

“La France Libre” ka botuar, të enjten e 22 gushtit 1918, në faqen n°2, një shkrim në lidhje me operimin e syve të Esat Pashë Toptanit në qytetin Lyon të Francës, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

 

Një mysafir i shquar

 Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Një qendër shëndetësore pranë parkut Tête-d’Or, në Lyon, aktualisht është shtëpia e një mysafiri të shquar, shëtitjet e të cilit nëpër qytet kanë mbetur pa u vënë re. Bëhet fjalë për Esat Pashën, udhëheqësin shqiptar, dikur kokë turku e “M’bretit” të disa muajve Princ Vidit.

 

I prekur nga një sëmundje e rëndë e syve, Esat Pasha, iu drejtua mjeshtërit të oftalmologjisë (okulistikës) franceze për ta operuar. Dhe profesori Morax, i cili erdhi nga Parisi, e kreu vetë ndërhyrjen e nevojshme.

 

Le t’i urojmë një rikuperim të shpejtë këtij luftëtari të fortë, goditjet e të cilit austriakët dhe bullgarët, që nga fillimi i luftës, i ndien më shumë se një herë, në malet e Shqipërisë, ku ai komandonte trupat autonome.

Le Soleil (1912)- Ismail Qemali: “Shqipëria nuk do ta pranojë më sovranitetin e Sulltanit.”

Ismail Qemali

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 15 Mars 2020

 

“Le Soleil” ka botuar, të martën e 24 dhjetorit 1912, në faqen n°4, një shkrim në lidhje me qëndrimin e Ismail Qemalit ndaj Turqisë, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

 

Deklaratë e Qemal Beut

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Romë, 23 dhjetor.

 

Një telegram nga Vlora njofton se anëtarët e qeverisë shqiptare kanë falënderuar konsujt italianë dhe austriakë për mbështetjen e dhënë nga qeveritë e tyre për çështjen shqiptare.

 

Qemal Beu tha : “Shqipëria, në asnjë formë, nuk do ta pranojë sovranitetin e Sulltanit, sepse në këtë rast do të kufizohej dhe kompromentohej autonomia dhe pavarësia e saj e arritur për mrekulli.”