VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Lukashenko u betua për mandatin e 7 si president i Bjellorusisë

By | September 23, 2020

Komentet

BE: Lajçak u keqinterpretua, ndryshimet kushtetuese vlejnë edhe për Beogradin

Brukseli vlerëson se deklarata e përfaqësuesit special për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak për ndryshimet e nevojshme kushtetuese është keqinterpretuar. Zëdhënësi për Politikë të Jashtme dhe Siguri i BE-së, Peter Stano, i tha Radios Evropa e Lirë se duhet bërë dallimi mes asaj që është “percepcion dhe keqinformim, me realitetin e shpjeguar nga zoti Lajçak”.

“Në këtë rast, është thënë ajo çka është e qartë – dhe zoti Lajçak ka shpjeguar se çfarë ndodh nëse je duke e negociuar një marrëveshje ndërkombëtare. Kur arrin një marrëveshje ndërkombëtare, atëherë duhet të konsiderohen rregullimet e nevojshme ligjore nga qeveria, duke përfshirë edhe nivelin kushtetues, në mënyrë që ta integrojë atë në rendin ligjor dhe kushtetues. Dhe kjo vlen për Kosovën dhe Serbinë”, tha Stano.

Të enjten, më 15 tetor, në konferencën për media në Beograd, Lajçak kishte thënë se në një proces serioz negociator, “është e logjikshme që do të duhet të ndryshojë edhe Kushtetuta”.

Një deklaratë e tillë ka nxitur reagime të shumta në Kosovë, kryesisht kundër çdo mundësie për ndryshimin e Kushtetutës së Kosovës. Kur bëhet fjalë tek Asociacioni, brenga kryesore është te kompetencat të këtij organi.

Por, zëdhënësi i Komisionit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano thotë se qëndrimi i BE-së për Asociacionin nuk ka ndryshuar.

Ai iu referua fjalimit të ish-përfaqësueses së Lartë për Politikë të Jashtme, Federica Mogherini në Parlamentin e Kosovës më 2016, ku ajo kishte hedhur poshtë mundësinë që Asociacioni të jetë pushtet i ndarë në Kosovë.

“Ky Asociacion nuk do të jetë qeveri paralele brenda Kosovës dhe nuk do të ketë kompetenca legjislative. Do të formohet brenda kornizës ligjore dhe qeverisëse të Kosovës”, pati thënë Mogherini më 6 maj, 2016 në Kuvendin e Kosovës. Sipas Stanos, ky vazhdon të jetë qëndrim zyrtar i BE-së.

Mogherini poashtu atëbotë pati thënë se Asociacioni “do të jetë në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese që ofron udhëzime që të sigurohemi se statuti i Asociacionit do të reflektojë ligjet e Kosovës kur të përpilohet”.

Formimi i Asociacionit është paraparë me një marrëveshje midis Kosovës dhe Serbisë, të nënshkruar në Bruksel, në vitin 2013.

Dy vjet më vonë, Kosova dhe Serbia arritën edhe një marrëveshje shtesë për parimet e themelimit të tij, por Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar se parimet nuk janë në harmoni me Kushtetutën e Kosovës.

Gjykata Kushtetuese kishte konstatuar që akti juridik i Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe statuti që zbaton parimet, për të qenë në pajtueshmëri me frymën e Kushtetutës, duhet të plotësojë standardet kushtetuese.

Kjo temë ka ndikuar në shtyrjen e dialogut në Bruksel, pasi Serbia po insiston që të diskutohet sërish për Asociacionin e Kosova po konsideron si çështje të mbyllur, e cila do të zbatohet pas arritjes së marrëveshjes finale për njohje reciproke.

Çka është Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë?

Asociacioni i komunave me shumicë serbe parashikohet që të mbledhë rreth vetes dhjetë komuna në Kosovë ku shumica e popullsisë janë serbë, të cilat janë Mitrovicë e Veriut, Kllokot, Partesh, Ranillug, Graçanica, Zveçan, Zubin Potok, Novobërdë, Leposaviq dhe Shtërpcë.

Sipas Marrëveshjes për Asociacionin dhe në përputhje me Marrëveshjen e parë të Brukselit, objektivat kryesore e Asociacionit janë: ushtron vështrimin e plotë për zhvillimin e ekonomisë lokale; ushtron vështrimin e plotë në fushën e arsimit; ushtron vështrimin e plotë për përmirësimin e shëndetësisë lokale primare e sekondare dhe përkujdesjen sociale; ushtron vështrimin e plotë për koordinimin e planifikimit urban dhe rural; aprovon masa për përmirësimin e kushteve lokale të jetesës për të kthyerit në Kosovë; zhvillon, koordinon, lehtëson aktivitete hulumtuese dhe zhvillimore; promovon, shpërndan, dhe avokon për çështjet me interes të përbashkët të anëtarëve të tij dhe i përfaqëson ata përfshirë tek autoritetet qendrore; vendos marrëdhënie dhe hyn në marrëveshje bashkëpunimi me asociacionet tjera të komunave, vendore dhe ndërkombëtare, etj.

Frikë, revoltim pas vrasjes së mësuesit në Francë

Lisa Bryant

Franca u përfshi nga tubime në mbarë vendin me thirrjet pro lirisë së shprehjes dhe laicizmit, ndërkohë që qeveria diskutonte të dielën forcimin e masave kundër ekstremizmit islamik pas sulmit makabër që la të vrarë një mësues të premten.

Duke respektuar udhëzimet për maska, mijëra vetë u mblodhën në sheshin “Place de la Republique” në Paris, të revoltuar nga ekzekutimi me prerje koke i mësuesit të historisë Samuel Paty. Disa mbanin flamuj francezë, ndërkohë që ata që e morën fjalën kujtuan viktimën e fundit të terrorizmit në Francë.

Tronditja dhe revoltimi që përfshiu vendin i ngjante në shumë mënyra dhimbjes që përfshiu Francën gjashtë vjet më parë kur miliona protestues me lapsa në duar dolën për të mbrojtur lirinë e shprehjes, pas sulmeve terroriste në redaksinë e revistës satirike Charlie Hebdo.

“Liria e shprehjes është një ndër vlerat thelbësore të identitetit tonë,” tha Kryeministri Jean Castex për gazetën e përjavshme Le Journal du Dimanche.

Ndërkaq ata që e morën fjalën në tubimet e së dielës paralajmëruan se nuk duhet t’i përgjigjen urrejtjes me urrejtje.

Duke iu referuar slloganit “Unë jam Charlie” që u dëgjua fillimisht pas sulmeve të janarit 2015 tek revista Charlie Hebdo, zoti Castex tha “Jam më tepër se kurrë Charlie”.

Por, megjithë thirrjet për unitet kombëtar pas sulmit të dytë terrorist brenda një muaji, francezët kanë mendime të ndryshme kur flitet për përgjigjen ndaj radikalizmit islamik.

Një pjesë e këtij dallimi në mendime ushqehet edhe nga reagimi i autoriteteve ndaj koronavirusit.

“Ose ne, ose ata,” ishte titulluar një artikull redaksional i revistës Le Point lidhur me vrasjen, ndërsa Le Telegramme shkruante se sulmi i së premtes “na kujton se sa i kërcënuar është modeli ynë i sistemit arsimor si dhe ndarja e fesë nga shteti”.

Karikaturat e Profetit Muhamet

Të paktën 11 vetë janë ndaluar dhe po merren në pyetje lidhur me vrasjen e së premtes në një periferi pranë Parisit, kur mësuesi po kthehej nga shkolla në shtëpi.

Ndër të ndaluarit janë të afërm të të akuzuarit, një 18-vjeçar, refugjat nga Çeçenia i identifikuar nga zyrtarët si Abdoullakh A., i cili u qëllua për vdekje nga policia pak pasi kishte ekzekutuar me prerje koke viktimën.

Pasi kishte vënë një fotografi të viktimës Samuel Paty në Twitter, pas ekzekutimit, 18-vjeçari kishte lënë një mesazh kërcënues për Presidentin Macron.

Agjencia e lajmeve Reuters njofton se Twitter e hoqi shpejt postimin, duke thënë se llogaria ishte pezulluar sepse kishte shkelur rregullat e platformës së medias sociale.

Incidenti ndodhi më pak se një muaj pasi një imigrant pakistanez sulmoi me thikë dy persona para redaksisë së vjetër të revistës Charlie Hebdo në Paris.

Në të dyja rastet duket se autorët reaguan ndaj botimit të karikaturave të Profetit Muhamet. Sulmet u ndërmorrën ndërkohë që në Paris vazhdon gjyqi lidhur me sulmet e vitit 2015 në redaksinë e Charlie Hebdo.

Në Conflans-Sainte-Honorine, rreth 30 km nga Parisi, buqeta me lule ishin vënë para shkollës ku jepte mësim zoti Paty. Banorët nderuan mësuesin, që shumë e përshkruan si “të sjellshëm dhe të rreptë”.

A është në rrezik liria e shprehjes?

Vrasja e mësuesit ndodhi pasi kishte treguar gjatë mësimit lidhur me lirinë e shprehjes dhe karikatura të Profetit Muhamet. Sipas nxënësve, në raste të ngjashme para ditës së sulmit ai kishte paralajmëruar nxënësit myslimnë se mund të dilnin nga klasa nëse i konsideronin karikaturat ofenduese.

Por prindërit e nxënësve myslimanë kishin shprehur ankesa. Babai i një nxënësi kishte shprehur pakënaqësi në median sociale, gjë që ishte mbështetur nga Abdelhakim Sefrioui, një islamist i njohur.

Sipas gazetës Le Journal du Dimanche, autoritetet e konsiderojnë Sefriouin si agjitator të rrezikshëm, megjithëse nuk mendonin që reagimi do të ishte deri në vrasje, por vetëm me protesta.

Hetuesit ende nuk kanë gjetur ndonjë lidhje direkte mes të dyshuarit çeçen që jetonte në Normandi dhe zonës ku ndodhej shkolla.

Të dielën, Presidenti Macron u takua me kabinetin e tij për të diskutuar masat kundër ekstremizmit. Partia e zotit Macron ka përgatitur një projekt-ligj kundër separatizmit që kryesisht përqendrohet tek islamizmi radikal.

Presidenti ndërkohë ka pësuar rënie të popullaritetit si rezultat i reagimit të autoriteteve ndaj koronavirusit. Kritikët e akuzojnë qeverinë se edhe në rastin e ekstremizmit, masat e saj kanë qenë të zbehta.

Në përgjigje të komenteve të zotit Macron se ekstremistët nuk do të fitojnë kurrë, udhëheqësja e ekstremit të djathtë, Marine Le Pen reagoi në Twitter me postimin “Ata i kemi këtu, i kemi edhe në shkolla!”.

“Fjalët e mëdha duhet t’ua lënë vendin veprimeve të mëdha,” tha udhëheqësi i qendrës së djathtë Christian Jacob.

Ndërkaq, udhëheqësit e komunitetit mysliman në Francë, komuniteti më i madh mysliman në Evropën Perëndimore, shqetësohen se sulmi i fundit do të pasohet me shtim të ndjenjave anti-myslimane.

“Jam shumë i vrarë nga ky akt i papërshkrueshëm në emër të një feje që nuk ka asgjë të përbashkët me të. Pa dyshim që do të na ndikojë, si qytetarë të Francës dhe si myslimanë,” tha kleriku i xhamisë së Bordosë, Tareq Oubrou në një intervistë për radion franceze.

Merkel apel bashkëqytetarëve: Qëndroni në shtëpitë tuaja sa më shumë të jetë e mundur

Kancelarja gjermane, Angela Merkel u bëri thirrje bashkëqytetarëve të saj që të shmangin grumbullimet dhe udhëtimet për shkak të koroanvirusit.

“Hiqni dorë nga çdo udhëtim që nuk është vërtet i nevojshëm, nga çdo festë që nuk është vërtetë e nevojshme. Qëndroni në shtëpitë tuaja sa më shumë të jetë e mundur. Se si do të jetë dimri, se si do të jenë Krishtlindjet, do të vendoset në ditët dhe javët e ardhshme”, shprehet Merkel.

Për të luftuar rikthimin e epidemisë, Merkel kujtoi rëndësinë e respektimit të mbajtjes së barrierave mbrojtëse dhe maskave dhe ventilimin e rregullt të hapësirave të mbyllura duke shpjeguar se tashmë duhet të shkohej më tej.

“Nëse secili prej nesh redukton tashmë në mënyrë domethënëse numrin e takimeve jashtë familjes së tij për disa kohë, ne mund të jemi të suksesshëm në ndalimin dhe përmbysjen e trendit të rritjes së infeksioneve”, paralajmëroi ajo.

Gjermania ka regjistruar 7 830 raste me COVID-19 në 24 orët e fundit, një rekord për vendin që prej shpërthimit të pandemisë së COVID-19, sipas të dhënave zyrtare të publikuara sot.

Borrell: Kosova dhe Serbia mund të arrijnë marrëveshje brenda muajsh

Shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha të hënën se beson që arritja e një marrëveshjeje përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është çështje muajsh dhe jo vitesh, nëse të dyja palët angazhohen në mënyrë konstruktive.

Ai i bëri këto komente pas takimit të ministrave të jashtëm të Bashkimit Evropian, të cilët diskutuan një sërë çështjesh, përfshirë bisedimet Kosovë-Serbi.

Zotri Borrell tha se Bashkimi Evropian nuk “përshkruan zgjidhjen, nuk synon të përshpejtojë artificialisht procesin por as ta zvarrisë atë”, duke theksuar se Kosova dhe Serbia e kanë të qartë se gjetja e një zgjidhjeje është kusht i domosdoshëm në rrugën e tyre drejt integrimeve evropiane.

Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, raportoi, para ministrave të jashtëm për procesin e bisedimeve, pas të cilit tha se “diskutimi i sotëm konfirmoi që bisedimet janë qartazi të lidhura me të ardhmen evropiane të Kosovës dhe Serbisë”.

Zoti Lajçak, gjatë javës do të qëndrojë në Prishtinë dhe në Beograd në përpjekje për rifillimin e bisedimeve, të cilat duket se ngecën për shkak të mospajtimeve rreth çështjes së Asociacionit të komunave më shumicë serbe në Kosovë.

Serbia kërkon që në bisedimet e lehtësuara nga Bashkimi Evropian të diskutohet për këtë asociacion, ndërsa Kosova thekson se kjo çështje është mbyllur me marrëveshjet ekzistuese të vitit 2013 dhe 2015.

Serbia kërkon që ky mekanizëm të krijohet sipas marrëveshjes së arritur në vitin 2015, që parasheh përgjegjësi të gjera në disa fusha, por Gjykata Kushtetuese e Kosovës kishte gjetur shkelje të shumta në marrëveshje dhe sipas opinionit të saj, asociacioni mund të krijohet vetëm sipas kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës.

Serbia kërkon ndryshime në Kushtetutën e Kosovës për të mundësuar kalimin e më shumë përgjegjësive ekzekutive tek asociacioni i komunave me shumicë serbe, por Kosova kundërshton çdo ndryshim që do t’i jepte përgjegjësi ekzekutive një asociacioni të tillë.

Përgjatë diskutimeve të së hënës, ministrat e jashtëm thanë se bisedimet Kosovë – Serbi janë thelbësore për qëndrueshmërinë e rajonit por edhe Bashkimit Evropian.

Muajin e kaluar, dy vendet kanë arritur një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike, e cila është nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë, në praninë e presidentit amerikan, Donald Trump.

zëri i amerikës

Komisioni Evropian: 20 miliardë euro për Ballkanin Perëndimor

Komisioni Evropian synon që, gjatë dekadës së ardhshme, të investojë deri në 20 miliardë euro në Ballkanin Perëndimor, thuhet në një plan investimi që ka parë Radio Evropa e Lirë.

Draft-dokumenti thekson se prioritet do të jenë lidhjet më të mira të ekonomive të Ballkanit Perëndimor, brenda rajonit, por edhe me Bashkimin Evropian.

“Një gjë e tillë kërkon një angazhim të fuqishëm nga Ballkani Perëndimor për zbatimin e reformave themelore, për thellimin e integrimit ekonomik rajonal dhe për zhvillimin e një tregu të përbashkët rajonal, bazuar në legjislacionin e BE-së, për ta bërë rajonin një zonë më tërheqëse për investime”, thuhet në dokument.

Paketa, e paralajmëruar në kulmin e krizës nga pandemia COVID-19, do të paraqitet nga Komisioni Evropian të martën pasdite.

Bashkimi Evropian konfirmon se rajoni do të përfitojë shumë nga përpjekjet e intensifikuara, që synojnë “kapërcimin e trashëgimisë së të kaluarës, jo vetëm në drejtim të normalizimit të marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës, por edhe të përfundimit me sukses të dialogut, me ndihmën e BE-së”.

Paketa po ashtu parashikon që, përveç granteve, Bashkimi Evropian të ofrojë garanci që ndihmojnë në uljen e kostove për investime publike dhe private dhe, në këtë mënyrë, zvogëlojnë rreziqet për investitorët.

Von der Leyen del negative në testin për koronavirus

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se ka dalë negative në testin për koronavirus, porse do të vazhdojë të vetizolohet deri të martën mbrëma, pasi mori pjesë në një takim me dikë që doli pozitiv.

Në një postim në Twitter, von der Leyen konfirmoi se ky është testi i dytë negativ.

Ajo, megjithatë, tha se do ta vazhdojë vetizolimin deri nesër mbrëma, “ashtu siç parashihet me rregulloret në fuqi”.
Në një postim të mëhershëm në Twitter, von der Leyen njoftoi se është futur në vetizolim, pasi një person, me të cilin është takuar të martën e kaluar, ka dalë të dielën pozitiv në testin për koronavirus.

Von der Leyen tha se u testua edhe të enjten, kur po ashtu doli negative.

Presidentja e Komisionit Evropian në vetizolim

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, njoftoi se ka hyrë në vetizolim pasi ka qenë në kontakt me një person të infektuar me koronavirusin e ri, që e shkakton sëmundjen COVID-19.

Përmes një postimi në rrjetin social Twitter, von der Leyen tha se ajo mori pjesë në një takim, më 29 shtator, ku ishte prezent “një person i cili dje doli pozitiv”.

Presidentja e Komisionit Evropian tha se testi të cilin e ka bërë më 1 tetor, ka rezultuar negativ dhe se ajo do t’i nënshtrohet një testi tjetër, më 5 tetor.

Von der Leyen tha se ajo do të jetë në vetizolim deri më 6 tetor në mëngjes.

Një pjesë e vendeve evropiane po marrin masa të reja kundër koronavirusit, derisa numri i të infektuarve po rritet.

Në të gjithë botën, vendet që dikur e kishin vënë nën kontroll përhapjen e virusit me bllokime dhe protokolle shëndetësore, tani po përballen me një ringjallje shqetësuese, derisa ekspertët e shëndetësisë paralajmërojnë një vjeshtë dhe dimër të vështirë përpara. rel

Debati i parë presidencial, Trump kërkon që Biden të bëjë testin për drogë

Presidenti amerikan Donald Trump tha të dielën se do të kërkojë që sfiduesi i tij demokrat për zgjedhjet e 3 nëntorit, ish-Nënpresidenti Joe Biden, të bëjë testin për drogë para ose pas debatit të tyre këtë të martë në mbrëmje.

Ai sugjeroi se paraqitja jo e njëtrajtshme e zotit Biden në debatet e mëparshme politike, ishte tregues se ai ishte i droguar. Akuza e pazakontë e zotit Trump, të cilën ai e ka ngritur edhe më parë gjatë javëve të fundit, vjen ndërsa ai vazhdon të renditet pas zotit Biden në sondazhet kombëtare, prej disa muajsh me radhë.

Unë kërkoj me forcë që “gjumashi” Joe Biden të kryejë testin për drogë para ose pas debatit të së martës në mbrëmje“, shkruante zoti Trump në Twitter.

Natyrisht që edhe unë pranoj që ta bëj një të tillë gjithashtu. Prezantimi i tij në debate ka qenë rekord për sa i takon të qënurit jo i njëtrajtshëm, për ta thënë në mënyrë të butë. Vetëm barnat mund ta kenë shkaktuar këtë gjendje???”, shkruante ai.

Prej vitit të kaluar deri në 2020, zoti Biden u përfshi në një varg debatesh me pretendentë të tjerë demokratë për fituar emërimin e Partisë Demokrate si kandidat për president.

Disa herë ai doli dobët gjatë debateve me 10 kandidatë të rreshtuar së bashku në një podium. Por ai u duk se e rifitoi ritmin pas një prezantimi të fortë në një debat kokë më kokë në mars kundër senatorit të Vermontit Bernie Sanders, kundërshtari i fundit i tij përpara se pranonte kandidimin zyrtar për president në emër të demokratëve.

Muajin e kaluar zoti Trump tha se: “Ju i patë disa nga ato debate me numrin më të madh të njerëzve në skenë. Thosha: si është e mundur që ai mund të bëjë përpara?! Sinqerisht, prezantimi i tij më i mirë ishte kundër Bernie-t. Ne do të bëjmë thirrje për të kryer testin për drogë, meqë ra fjala sepse, prezantimi i tij më i mirë ishte kundër Bernie-t. Nuk ishte se u paraqit si Winston Churchill, por ishte një debat normal dhe i mërzitshëm. Asgjë e jashtëzakonshme nuk ndodhi. Nëse ktheheni dhe shikoni disa nga ato debate të shumta, ai ishte shumë keq. Nuk ishte as koherent. Ndërsa kundër Bernie-t ishte”, përfundonte postimi i zotit Trump.

Presidenti Trump 74-vjeçar e ka vënë shpesh në dyshim mprehtësinë mendore të zotit Biden, 77 vjeç. Por zoti Biden i ka ironizuar shpesh akuzat e zoti Trump dhe ka shtuar ai do të jetë në nivelin e zotit Trump apo më lartë gjatë debateve me të.

“Më shihni, zoti President, na shihni çfarë them, çfarë bëj, çfarë di e në ç’formë jam”, tha zoti Biden gjatë një interviste për ABC News. Por zoti Biden pranoi se ka “pyetje legjitime” për t’u bërë në lidhje me gjendjen mendore të dy kandidatëve.

Në një intervistë të regjistruar paraprakisht e të transmetuar të dielën në CNN, bashkëshortja e zotit Biden, Jill, tha se “ai është gati”.

Një nga gjërat për të cilën jam e ngazëllyer është momenti kur populli amerikan të shohë Joe Bidenin atje lart në atë skenë. Ata do të shohin se si duket një president. Dikush që është, i qetë, i qëndrueshëm, i fortë, elastik“.

Jill Biden tha se ka një diferencë si “nata me ditën mes dy kandidatëve. “Mezi pres që populli amerikan ta shohë atë burrë shteti përpara publikut amerikan”, tha ajo.

Presidenti Trump dhe ish-Nënpresidenti Biden debatojnë tre herë, duke filluar me debatin 90-minutësh të së martës të moderuar nga gazetari i Fox News-it, Chris Wallace në qytetin e Klivlendit në shtetin Ohajo.

Zoti Wallace ka zgjedhur gjashtë tema për diskutim të ndara në segmente 15 minutëshe: mes tyre rezultatet e punës së dy kandidatëve, Gjykatën e Lartë me emërimin nga zoti Trump të juristes konservatore Amy Coney Barrett, gjithashtu çështje si COVID-19, ekonomia, integriteti i zgjedhjeve” si dhe “gara e dhuna në qytetet amerikane”. zëri i amerikës

Francë, myslimanët të shqetësuar nga projektligji i ri kundër separatizmit

Lisa Bryant

Qeveria franceze pritet së shpejti të paraqesë një projekt-ligj të ri kundër separatizmit, me Presidentin Emmanuel Macron që pritet të mbajë një fjalim të rëndësishëm mbi këtë temë javën e ardhshme. Detajet janë ende të paqarta, por pritshmëritë janë tashmë të mëdha dhe kanë shkaktuar shqetësim në komunitetin mysliman të Francës, më i madhi në Evropën perëndimore.

Në Francë këtë muaj është kthyer vëmendja në të ashtuquajturin gjyqi “Charlie Hebdo” kundër bashkëpunëtorëve të dyshuar të ekstremistëve islamikë që sulmuan një gazetë satirike franceze dhe një supermarket hebre në vitin 2015.

Ky ishte i pari i një numri sulmesh terroriste, së bashku me kryengritjen islamike në Lindjen e Mesme dhe gjetkë që çoi në përqëndrimin e vëmendjes së publikut francez tek islami radikal. Ky është pjesërisht sfondi i legjislacionit të pritshëm mbi të ashtuquajturin separatizëm.

Detajet nuk janë të qarta, por njoftimet sugjerojnë se ligji do të godasë imamët e huaj dhe financimin e huaj të shkollave private dhe do të rrisë mbikëqyrjen e grupeve të dyshuara.

Qeveria thotë se qëllimi i legjislacionit është luftimi i të ashtuquajturve “armiq të Francës”, vlerave franceze dhe mënyrës franceze të jetës. Zyrtarët thonë se në mesin e këtyre armiqve janë edhe grupet si supremacistët e bardhë.

Alexandre Del Valle e mirëpret legjislacionin. Ai është bashkëautor i një libri rreth pretendimit se Vëllazëria Myslimane synon të infiltrojë dhe pushtojë perëndimin.

“Unë mendoj se së pari është e nevojshme që të ndalojmë çdo organizatë që rrezikon vlerat tona perëndimore, franceze, republikane dhe laike. Vëllazëria Myslimane është në mesin e organizatave radikale islamike më fanatike.”

Zyrtarët qeveritarë thonë se ligji nuk synon të vendos në shënjestër myslimanët e moderuar.

Një sondazh i fundit i organizatës “Odoxa” tregon se shumica e të anketuarve francezë mbështesin projekt-ligjin për separatizmin. Por disa udhëheqës dhe grupe myslimane janë të shqetësuar se ligji do të drejtohet padrejtësisht kundër tyre.

“Dhuna nuk i përket një komuniteti të caktuar. Terrorizmi nuk është problem i një komuniteti të vetëm. Nuk është e drejtë të stigmatizohet një komunitet i tërë sepse një anëtar i tij ka kryer sulme terroriste”, thotë Jawad Bachar, drejtor i organizatës “Kolektivi Kundër Islamofobisë në Francë”.

Organizatat si ajo që drejtohet nga Jawad Bachar citojnë një rritje të veprimeve anti-myslimane dhe shtim të mungesës së tolerancës ndaj tyre në vitet e fundit.

Disa vëzhgues thonë se politika qëndron prapa projektligjit të separatizmit, duke pretenduar se presidenti Macron dhe partia e tij e qendrës “Në Lëvizje” po anojnë nga e djathta përpara zgjedhjeve të vitit 2022.

Ndërkohë, partia kryesore e opozitës në Francë, Tubimi Kombëtar, një parti e ekstremit të djathtë, thotë se zoti Macron është shumë i butë ndaj ekstremizmit dhe po bën thirrje për t’i dhënë fund çdo sistemi që inkurajon komunitetet etnike të funksionojnë jashtë linjës kryesore të shoqërisë.

“Ajo që duam është një luftë pa mëshirë kundër ‘komunitarizmit ’dhe separatizmit. Por kjo nënkupton trajtimin e politikës në rrënjë, ndryshimin e politikës së imigracionit, mbylljen e xhamive salafiste, ndalimin e financimit për shoqatat e të dyshuarve. Ekzistojnë një numër mjetesh që deri më tani nuk janë përdorur”, tha Sebastien Chenu, zëdhënës i Tubimit Kombëtar.

Ekziston shumë pritshmëri dhe frikë rreth asaj se çfarë nënkupton luftimi i seperatizmit, veçanërisht për komunitetin mysliman të Francës.

Francë, hetime ndaj gazetave që publikuan përmbajtjen e bisedës Putin-Macron

Paris

Në Francë kanë filluar hetime ndaj gazetave që publikuan përmbajtjen e bisedës telefonike mes presidentit të Rusisë, Vladimir Putin dhe presidentit francez, Emmanuel Macron, transmeton Anadolu Agency (AA).

Një gazetar në pjesën “pyetje-përgjigje” që ndodhet në faqen e Ministrisë së Jashtme franceze ka pyetur ministrinë lidhur me publikimin nga gazetat franceze të detajeve për bisedën mes presidentëve Putin dhe Macron lidhur me pretendimet e helmimit të opozitarit rus, Alexei Navalny.

Në përgjigjen me shkrim nga ministria thuhet se “Është e papranueshme rrjedhja e dokumenteve sekrete që u përkasin çështjeve të brendshme. Për këtë arsye distancohemi për të dhënë komente. Hetimi lidhur me çështjen vazhdon. Presidenti ynë (Macron) synon dhe do të vazhdojë që të zgjidhë me dialog dhe çiltërsi të gjitha çështjet lidhur me Rusinë dhe kryesisht për çështjet që ndikojnë ndaj sigurisë tonë”.

Ndërkohë shtypi rus ka shkruar se hetimi ka filluar për gazetën “Le Monde”.

Putin dhe Macron zhvilluan një bisedë telefonike më 14 shtator. Gazeta “Le Monde” në artikullin e saj lidhur me bisedën kishte pretenduar se Putin ka vënë theksin se duhet përqendrim mbi skenarin se Letonia ku jetojnë ata që kanë zhvilluar substancën “Noviçok” është e përfshirë në çështjen e Navalny-t.

Pretendimi për helmimin e Navalny-t

Gjendja shëndetësore e Navalny-t u përkeqësua më 20 gusht gjatë një fluturimi nga qyteti siberian Tomsk për në Moskë. Avioni më pas bëri ulje emergjente në Omsk. Pasi Navalny u dërgua me urgjencë në një spital, u pretendua se ai ishte helmuar me një substancë të përzier në çajin e tij.

Rikujtohet se 44-vjeçari Navalny u transferua më 22 gusht nga Omsk në spitalin privat Charite në Berlin të Gjermanisë. Zëdhënësi i qeverisë gjermane, Steffen Seibert më 2 shtator njoftoi se përfundimisht kanë përcaktuar se Navalny është helmuar me një kimikat nga grupi i Noviçok që përdoret në luftën kundër sëmundjeve nervore.

Seibert, edhe më 14 shtator tha se helmimi i Navalny-t është konfirmuar edhe nga dy laboratorë të pavarur në Suedi dhe në Francë.

Spitali Charite më 7 shtator informoi se situata shëndetësore e Navalny-t është përmirësuar dhe se ka dalë nga koma. Ekipi i Navalny-t pretendon se kimikati i grupit të Noviçok është gjetur në një shishe në dhomën e hotelit ku Nanalny ka qëndruar më parë në qytetin Tomsk.

Më 23 shtator u njoftua se Alexei Navalny ka dalë nga spitali Charite në Berlin ku mori trajtimin mjekësor.

Lukashenko u betua për mandatin e 7 si president i Bjellorusisë

Alexander Lukashenko sot zyrtarisht është betuar për një mandat të shtatë si president i Bjellorusisë, pavarësisht polemikave të vazhdueshme mbi rezultatet e zgjedhjeve të muajit të kaluar, raporton Anadolu Agency (AA).

Ceremonia e betimit u zhvillua në Pallatin e Pavarësisë në kryeqytetin Minsk, tha zyra presidenciale e shtypit në një deklaratë.

Pasi Lukashenko bëri betimin, duke mbajtur dorën në Kushtetutën e vendit, Lidia Yermoshina, kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Bjellorusisë, i dha atij certifikatën presidenciale.

Pas ceremonisë, Lukashenko tha se bjellorusët jo vetëm që rizgjodhën presidentin e tyre, ata “mbrojtën jetën paqësore dhe sovranitetin në Bjellorusi”.

“Kjo është dita e fitores sonë të mrekullueshme”, tha ai.

Në mënyrë të pazakontë, ceremonia ishte një ngjarje modeste me vetëm disa qindra të ftuar, nuk u njoftua paraprakisht, me sa duket për arsye sigurie.

Ajo u zhvillua derisa demonstratat e opozitës kundër rezultateve të zgjedhjeve presidenciale të 9 gushtit vazhdojnë të trondisin vendin.

Protestat shpërthyen pasi Lukashenko, i cili ka shërbyer si president që nga viti 1994, u shpall fitues i zgjedhjeve. Kandidatët e opozitës, megjithatë, akuzuan administratën për manipulim të votave.

NATO dhe udhëheqësit evropianë e kanë nxitur Lukashenkon të fillojë dialog me opozitën dhe të respektojë të drejtat themelore të njeriut të qytetarëve të Bjellorusisë.

Macron-Erdogan, telefonata e parë pas tensioneve në Mesdhe

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan dhe ai francez Emmanuel Macron thanë të martën se kishin zhvilluar bisedën e tyre të parë pas konfrontimit midis dy aleatëve të NATO-s lidhur me tensionet në rritje në Mesdheun Lindor.

Në një deklaratë pas telefonatës midis dy udhëheqësve, e para pas disa muajsh, presidenca turke tha se zoti Erdogan theksoi nevojën e përdorimit të mundësive diplomatike për shtensionimin e gjendjes dhe zhvillimin e negociatave të qëndrueshme.

Ministria e jashtme franceze tha pas telefonatës që zgjati mbi një orë, se shpresonte që dialogu midis Turqisë dhe Greqisë do të mund të vazhdojë. Ajo tha se Presidenti Macron kishte bërë thirrje për një qasje të ngjashme me Qipron.

“Ai (Macron) i bëri thirrje Turqisë që të respektojë plotësisht sovranitetin e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian si dhe të drejtën ndërkombëtare, dhe të përmbahet nga çdo veprim i mëtejshëm i njëanshëm që mund të provokojë tensione”, tha ministria e jashtme franceze, duke shtuar se Macron dhe Erdogan kishin rënë dakord të qëndronin në kontakt.

Marrëdhëniet midis Bashkimit Evropian dhe Turqisë janë tensionuar mjaft për një numër çështjesh, siç është kërkimi i hidrokarbureve në Mesdheun Lindor, ku Ankaraja ka mosmarrëveshje me vendet anëtare të BE-së, Qipron dhe Greqinë. zëri i amerikës


Send this to a friend