Pas një takimi që zgjati rreth 140 minuta me grupin parlamentar të PD-së, ambasadorët Lu dhe Vlahutin deklaruan jashtë selisë blu se gjatë diskutimit për reformën në drejtësi u sqaruan disa çështje që nuk ishin të qarta.
Ambasadori amerikan Donald Lu, duke vlerësuar rolin e rëndësishëm të Partisë Demokratike në historinë e vendit ka theksuar se pret që tradita e kontributit të vijojë edhe me reformën në drejtësi.
“PD ka luajtur rol vendimtar në historinë post komuniste të vendit dhe presim që kjo traditë të vazhdojë në reformën në drejtësi”- tha Lu.
Ndërsa për ambasadoren e BE, Vlahutin, diskutimi ishte shumë i dobishëm.
“Ishte diskutim shumë i dobishëm, shumë i mirë dhe shumë konstruktiv. Kemi sqaruar disa cështje që nuk ishin të qarta, por në të gjithë ramë dakord që jemi partnerë dhe aleatë për të mirën e vendit, dhe që në ditët në vijim të gjitha energjitë tona do të fokusohen që kjo reformë të përfundojë”- tha ajo.
Ajo theksoi se edhe zbatimi i reformës do të jetë i rëndësishëm vecanërisht për BE. “Do sigurohemi që ajo që është shkruar në letër të bëhet në fakt realitet për qytetarët e këtij vendi”- tha Vlahutin.
Komentet