VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

LOTË HESHTJEJE – Poezi nga NEKI LULAJ

By | January 16, 2019

Komentet

MONOLOG I LISIT NË PYLL – Poezi nga ATDHE GECI

Të palindurit duan ta dinë origjinën kush jemi dhe nesër cila është e ardhmja e tyre. Nëpër dy kohë ecë i tërë njerëzimi. Dashuria e lindi dashurinë dhe urrejtjen. E bukura është bimë e dashurisë. Çdo farë që laget edhe mbinë. Jemi farë prej qiejsh të paanë. Jemi gur i shkruar që nga lashtësia. Lyra, në sytë e tu të bukur më pëlqen liria dhe, ai krua poetik i shprehjeve!

Ky lot i art i tokës, i detit, i ajrit, i diellit dhe yjeve është poezi, filozofi, histori dhe çka jo. Bukuria e ndjesë në një dashuri me trazira të përziera përsonale e shoqërore në të tëra çastet është vlerë kulturore e mendjes dhe vetëdijes. I dashur popull, e dashur toka ime, i dashur deti im, i dashur kozmosi im! Kush të tha që Pirro Burri, Aleksandri, Eleuteri, Gjegj Kastrioti e Adem Jashar kanë vdekur!

Populli im! Heronjtë e historisë sonë janë gjallë. Veprat e tyre, idetë, kudo janë midis nesh. Ata Rilindin, sa herë i kërkon atdheu dhe flamuri!.. Çamëria, populli me epikë fushash, malesh, detërash dhe qiejsh të pafund,  është shqiptar, është Shqipëri, është atdhe.

Mbahu Çamëri s´e të mbajmë! Shqiptar, je populli me gjuhën më të parë të njerëzimit. I vetmi popull i pranuar, hyjnor, njëherit, dhe populli më jetëgjatë i tokës. Çamëria është vendi ynë, i pushtuar pa të drejtë nga Greqia. Pra, Çamëria është çelësi i bashkimit kombëtar dhe mision i pandalshëm i Rilindjes sonë Kombëtare. Rroftë Çamëria! Rroftë populli shqiptar!

Zoti e bekoftë Republikën e Çamërisë!

 

 Atdhe Geci – Dortmund, 2020  

In Memoriam- Nëse – Poezi nga Ilirjan Zhiti

 

Nëse lumturia ime është e lidhur

me fatkeqësinë e të tjerëve

preferoj të vuaj.

 

Nëse mirëqënia ime

rrjedh nga varfërimi i të tjerëve

preferoj varfërinë

 

Nëse jeta ime është e varur

nga vdekja e njerëzve të pafajshëm

Vrasës s’bëhem kurrë!

In Memoriam Cikël poetik nga Ilirjan Zhiti

ZËMRA E NËNËS

Rruga e lodhshme,
e gjatë…
Plakë e sëmurë;
fuqi e paktë,
çehrja e zverdhur,
shpirti si trung.
Nëna nëpër ecje,
i biri në burg.
Kaq dëshpërim,
kaq sfilitje,
kaq mall,
kaq pritje,
kaq dëshirë,
kaq drithërim,
kaq torturë,
kaq poshtërim,
kaq brengë…
Dhe një zemër vajze
njëzetvjeçare
do plaste pa frikë
si shalqi i pjekur
kur i vëmë thikën.
Po zemra e nënës,
(plakë e sëmurë)
si e duron vallë,
gjithë këtë torturë ?
Oh, vetëm zemra
e nënës, e brishtë,
mund të thyejë ligjet
e bushtrës diktaturë.

ËNDËRROJ NJË BOTË …

Ëndërroj një botë
që për veprimet e mia të gjykohem
dhe jo për ato që s`kam bërë
të paragjykohem.

A ISHA UNË NJË ËNDËRR ?!

A isha unë një ëndërr,
a Zoti pa një ëndërr,
që ishte
Jeta ime !?

“ HAKMARRJE “

Jeta pa ty,
një moçal trishtimi.
Fytyra jote
si një detektiv
më ndjek në mëngjes.
Edhe në drekë më ndjek.
Në mbrëmje më vdes.

RROTA E FATIT

Në një kohë,
që ishte vetëm në atë kohë,
një i ditur po mendonte :
-Njeriu bëri shpikjen më
gjeniale, shpikjen e rrotës,
por me siguri
nxitjen fillestare e pati
kur pa rrokullisjen
e fateve njerëzore.

IU MBURRA TIM ETI …

Iu mburra një herë babait
se isha i mirë në mësim.
Por më pas fytyrën vrenjti
se për shokun shfaqa nënvleftësim .
-Askush s`është i pa rëndësishëm,
çdokush ka aftësinë e tij;
në botën ku jemi të pranishëm
nuk janë të gjithë gjeni.
Pa punën e “ të rëndomtëve”,
ku jemi dhe ne pa dyshim,
gjenitë e mëdhenj të Botës,
do vdisnin, patjetër, për ushqim.

RJEPENI NANËN ( Parodi sipas Nolit te madh ) Nga Faruk Tasholli

Ç’asht ajo pa kunorë n’kokë
E rrëzueme shesh për tokë,
Flokëlëshueme fytyrëzanë
Që në kangë i thoshim nanë?!
Ç’asht ajo në diell e ngelun
Me lëkurën e shpervjelun,
Ç’asht ajo që za s’po qet
Tek e rjepin djemtë e vet?!
Rjepeni e mos kurseni
Asht ngjitun mos i leni,
Zyrtarë grykësa të pangeshëm
Gjeneralë me ushtarë t’rrejshëm,
Mbahu nan-o rri krekosun
Para djemve t’armatosun,
Do me kmesa do me thika
Që s’i ndal turpi as frika!
Rjepeni e mos u ndalni
Asnji grimcë mos ia falni,
Prefektë rrenca rjepacakë
Deputetë o bothcullakë;
Ju ministra kavalera,
Ju që vidhni në tendera,
Ju që rrini krye shtetit-
E ia rritni pagat vetit!
Ç’asht ajo që ka ulë kr’t
Kush i pari ia nxjerr sytë,
Seç po shtyhen qysh me shky
Kush n’Europë e kush n’Azi!
Rrinë gojëlidhun akadamikët
Kur e çojnë zanin klerikët,
Sa shumë duron Nan’shkreta
Me djem mbetun te Mesjeta.
Rjepeni e mos pushoni
Se kështu veten forconi,
Politikanë e pushtetarë
Djem të dijes e ofiçarë,
Kush e zen i pari anën
Rjepeni me hez nanën,
Që nga Sharri tej n‘Çakorr
Mos i leni vend as vorr!….

Hap dyert shtëpia muzé e poetit kombëtar Gjergj Fishta

Falë një investimi prej 5.5 milionë lekësh nga Ministria e Kulturës, shtëpia e At Gjergj Fishtës në fshatin Fishtë është shndërruar në një muze që rrit atraksionin turistik në të gjithë zonën. Shtëpia e rinovuar u përurua ditën e sotme gjatë një vizite të Kryeministrit Rama.

Objekti i rikthyer në identitet është shtëpia ku autori i “Lahutës së Malësisë”, një prej penave dhe Rilindasve më të shkëlqyer që ka nxjerrë Shqipëria kaloi vitet e tij të rinisë. Për hërë të parë, shtëpia u shpall monument kulture në vitin 2008, por asnjëherë në të nuk ishte vënë dorë, duke bërë që ajo të degradonte deri në pikën që të rrezikonte shkatërrimin e plotë.Për fat të keq, shtëpia ku Ati lindi tashmë nuk ekziston më. Godina u shpall monument kulture në vitin 1991, por në 1994-n u shemb përfundimisht. Në atë vend mendohet të ngrihet një shesh dhe një monument përkujtimor për veprën dhe jetën e Gjergj Fishtës.

Rindërtimi i shtëpisë ku Fishta kaloi fëmijërinë e tij është vetëm një ndër hallkat e projektit “Gjurmët Fishtiane”, që synon të nxjerrë nga harresa të gjithë vendet ku Rilindasi kaloi etapat e jetës së tij. Midis ndërhyrjeve të studiuara është famullia e Troshanit, vendi ku u zbulua në moshën 6-vjeçare talenti i tij i jashtëzakonshëm dhe shkolla françeskane në Shkodër, aty ku Gjergji mori formimin e tij të parë. Një fond i posaçëm pritet t’i dedikohet restaurimit dhe pasurimit të bibliotekës brenda Kuvendit dedikuar figurës së Fishtës.

Një tjetër gjurmë fishtiane është Kuvendi i Troshanit, i inauguruar në vitin 1882, vendi ku Ati kthye në vendlindje si mësimdhënës. Brenda Kuvendi të Troshanit, i shpallur monument kulture shumë vonë, vetëm në vitin 2017, mendohet të krijohet një kënd unik dedikuar Fishtës. Një tjetër propozim i përket restaurimit dhe muzealizimit të selisë së shoqërisë “Bashkimi”, që bashkoi së bashku me Fishtën edhe personalitete të shkëlqyera si Luigj Gurakuqi, Dom Ndoc Nikaj, Atë Ambroz Marlaska, Franc Baron Nopça, etj.

Në shoqërinë “Bashkimi”, Fishta mori pjesë aktivisht në të gjithë botimet e shoqërisë, duke nisur nga Abetarja, librat e këndimit dhe deri tek përpilimi i një fjalori të vyer të gjuhës shqipe. Shndërrimi në muze i kësaj godine, aktualisht gjysmë të rrënuar, në lagjen Sarreq të Shkodrës do t’i shtonte pas Marubit një tjetër muzeum me shumë vlera Shkodrës.

Të tjerë objekte ku mendohet të ndërhyhet për t’u përkujtuar jeta dhe vepra e Gjergj Fishtës janë Kisha famullitare e Dom Lleshit – Zoja Nunciatë, në Lezhë si dhe Kisha famullitare e Gomsiqes. Ekziston gjithashtu një propozim për të krijuar një kënd të ri dedikuar Fishtës edhe në godinën ku u mbajt Kongresi i Manastirit, në Maqedoni dhe ku Fishta, si përfaqësues i shoqërisë “Bashkimi” ligjëroi në mbështetje të një alfabeti latin.

Paralelisht, Ministria e Kulturës ka parashtruar edhe disa propozime të tjera, si ai për ngritjen e një faqe dixhitale që të përkujtojë jetën dhe krijimtarinë e At Gjergj Fishtës, nritja e një memoriali të bashkëjetesës fetare në Shkodër dhe në Tiranë, ku të citohen fjalët e Papa Françeskut në vizitën e tij në Shqipëri, kur tha se: “Në Shqipëri nuk ka bashkëjetesë fetare, por vëllazëri fetare” dhe ngritja e një busti në “Villa Borghese” në Romë, krahas autorëve të tjerë të famshëm si Gëte. Fshati Fishtë është gjithashtu një ndër përfituesit e programit të “100 fshatrave” turistikë. Këto do të ishin të paplota, nëse edhe fshati Fishtë nuk do t’i nënshtrohej një ndërhyrje të plotë dhe të gjithëanshme, si pjesë e projektit të “100 fshatrave”.

… A mundem me u rrfye … (Prelatit t’shejtë At’ Gjergj Fishta ) – Poezi nga ZEF BARDHI

Eh’ sa u idhnova ner inate pa t’njofte at’here ,
une camerdhoku i Nderfanes vjeter i pa’ditun,
mllefesh idheta te ngujueme zemres mjere,
Kullen e bardhe te gjyshneve djegun dy here,
zezuen flakve e territ treten here per nji liber,
komunistat shpyrtzi t’pa fe’ bese e t’pa ndere,
Kryqet t’parve i thyen e’ i muluen murana dheu.
Bardet’ e lashte si knoshin pri votrash i turiten,
hapsanes hekrave me vorre e fisnaje e pjelle`..
* * *
“Lahuta Malcise” i thoshin robt’ e bekue te Zotit,
piskames terpishme qe therte idhet hapsinen,
si zojte e qjellve te metuna jetime pranverave,
Fjalve t’saj krenije Ilire per nipat e Kastriotve,
dhimtave knonin t’gjalle e t’dekun si bajn drite,
dashnia Jote’ dhendi Shqyptarise lterit t’zemrave,
Kulla e shpyrtit asht kalaja e qenreses Arbnore,
kangsh rinohet e perjetsis knon bijve t’njerzise ,
buroja si pertrihen qjellve ashtit te bjeshkve,
* * *
Ka’ mote e breza prej mnise e dreqnive,
dheut tone te trishtue mortes e zise,
leqeve e gjaksive komuniste te pa’besa,
Zanat e ujnave e pylles krejt lafiten mensh,
helmeve t’flliqta si lshuen kunra dashnise,
vneri i zemres i sterpiku idhet si shemertena,
Mrizet u shkrumuen u pine’ hijesh shterpa,
pa krojna e lugje ku uji e druni thurin muzike,
gurrat e malit si fyelli pa fryme u than hajnise,
Muern hiken travajesh fertonave e deteve,
cubat e qartun t’maleve e qjelllve te lirise,
udhve t’botes jan ba’ si veshtllat e gjrenzeve,
Un’ buj` nermjet tyne si çoku i strukun varrejve,
tuj’u lute si fretnit e hershem perunjun Zotis`,
fjala Jote’ t’na bekoj’e dheut ton ta lidhim kryet..
ZNB. Nderfane, Alb.

“Qerbelaja” e Naim Frashërit, aspekti historiko-simbolik i poemës – Nga Sadik Bejko*

“Qerbelaja”, vepër e Naim Frashërit, botuar në Bukuresht më 1889, është një poemë epike me subjekt nga historia e Kalifatit arab. Poema shtjellon ngjarje që ndodhin në shekujt IX-XV. Ngjarjet kryesore zhvillohen në luginën e Qerbelasë, në Irak.

Treva e Qerbelasë si gjeografi shtrihet në një largësi prej 100 kilometrash në jugperëndim të Bagdadit, në kufi të shkretëtirës arabe, buzë lumit Eufrat.

Aty, në tetor të vitit 680, nipi i Profetit Muhamed, Imam Huseni u vra bashkë me 72 meshkuj luftëtarë të Familjes së Profetit, ndërsa femrat e tyre, të mbetura gjallë, u robëruan dhe u keqtrajtuan nga ushtria e Jezidit, kundërshtarit fitimtar. Një gjakderdhje e përmasave të tilla, therorizimi i kaq burrave të një familjeje, flijimi i fëmijëve dhe i grave, i bënë ngjarjet e fushës së Qerbelasë tërheqëse për poetët me frymëzim tragjik. Fusha e Qerbelasë tej e përtej e përgjakur jepte dorë për të thurur vepra epike të mbrujtura me frymë sublime.

Si temë e zymtë dhe e madhërishme, kjo do t’i shkonte përshtat talentit të një poeti siç ishte Naim Frashëri, poet i dimensioneve tragjike dhe universale. Naimi e mori këtë ngjarje të ikonave themelore historiko-fetare të myslimanëve arabë, e mori këtë histori të largët Lindore dhe e ktheu në poemë epike që fliste shqip, fliste edhe për shqiptarët.

Për të hyrë në thelbin e ngjarjeve, le të shohim ç’thonë kronikat e lashta për motivet që çuan në tragjedinë e Qerbelasë.

Historia e trazuar e Kalifatit arab merr një kthesë të papritur pas vdekjes së Profetit Muhamed më 632.

Udhëheqësit që e zëvendësuan Profetin pas vdekjes së tij, u quajtën Kalifë, domethënë mëkëmbës të Profetit, ndërsa pushteti perandorak arab i ushtruar prej tyre u quajt Kalifat.

Me ardhjen si Kalif i kësaj perandorie të imam Aliut, dhëndrit të Muhamedit, Kalif që sundoi nga viti 665 deri më 661, filloi lufta civile, përleshja me armë me Mavijen, guvernatorin e Sirisë, pinjollin nga familja e rëndësishme e Umajadëve. Nga kjo luftë për pushtet Aliu mbetet i vrarë. Mavijes, fitimtarit, i mbeti barra e stabilizimit të Perandorisë arabe. Dhe ai ia arriti.

Historia vijon me dinastinë e Umajadëve me qendër në Damask, me dinastinë e Abasidëve me qendër në Bagdad, familje që kryesuan Kalifatin arab, e shtrinë sundimin e tij deri në Spanjë dhe nën udhëheqjen e tyre, qytetërimi i veçantë arab arriti kulmet e lulëzimit të tij.

Nga ana tjetër, kjo periudhë do të shoqërohej me revoltat e kundërshtarëve të Umajadëve, të cilët ishin përqendruar në Iran, Irak etj. Këta mendonin se Kalifati i takonte Aliut dhe pasardhësve të tij si trashëgimtarë të drejtpërdrejtë të Profetit. Umajadët, sipas tyre, ishin uzurpatorë. Kjo ndarje jo vetëm politike, por edhe teologjike, fetare vazhdon deri më sot.

Familja e Aliut e mëtonte trashëgiminë e Kalifatit si zgjedhje të dhënë nga ana e Zotit dhe e Profetit Muhamed. Sipas tyre, Profeti para se të ndërronte jetë, në Luginën e Gadirit takoi krerët që e pasonin dhe u la porosi që pas tij të vinte në krye Imam Aliu, i emëruar prej tij si Imam i gjithë umetit mysliman.

Meqë kjo nuk ndodhi, plasën luftërat shekullore për pushtet, luftëra për kryesimin e Kalifatit.

Këtu e merr lëndën poema e Naim Frashërit.

Përtej lëvozhgës historike të luftërave civile për pushtet, realiteti i miliona viktimave të dhunës çnjerëzore, flijimi i të pafajshmëve, i të pafuqishmëve, i të pambrojturve, u dhanë ngjarjeve të Qerbelasë një përmbajtje të lartë ideologjike, përmbajtje fetare, frymëzim hyjnor të luftës mes së mirës dhe së së keqes e, të luftës mes Zotit dhe djallit, pra, u gatua një lëndë e së madhërishmes, e tragjikes, lëndë që ushqeu dhe ushqen ndarjet përçarëse fetare të përmasave të tilla që vazhdojnë edhe sot.

Në këto motive të therorive të përgjakshme e ngjeu penën për të shkruar poemën e tij Naim Frashëri. “Qerbelaja” si vepër artistike formëson poetikisht këtë brumë të përzishëm tragjik me burim nga historia.

Qerbelaja, shkretëtira e mbuluar nga përgjakja e të flijuarve njerëzorë, me ndërhyrjen e poezisë, nga një lëndë e gjallë, konkrete, shndërrohet në materie artistike, kthehet në simbol të së përzishmes, në metaforë therorije, ngjashëm me vende të rrënuara, vende të kthyera në hi, vende të shfarosura me rrënjë nga luftërat çnjerëzore, vende që historikisht e përjetësisht simbolizojnë fatkeqësi, mizori, katastrofa, si Troja, Kartagjena, Vaterloja…

Qerbelaja në poemë nuk është më toka… është idealiteti, frymorja, hyjnorja.

Vende si Troja, Kartagjena, Qerbelaja… nuk janë vetëm shenja në histori, por dhe topikë në simbolikë, në idolatri.

“Qerbelaja” e N. Frashërit nuk është vepër historike, është poemë epike himnizuese me mesazhe metafizike që nuk njohin hapësirë dhe kohë konkrete. Ajo u flet të shtypurve të çdo kohe dhe të çdo hapësire, u thotë se si duhet vepruar nën dhunën dhe nën mizoritë e tiranëve. U thotë të shtypurve se ju, duke paguar me heroizëm, me gjak dhe me sakrifica sublime për një ideal të lartë, do të krijoni një kauzë të shenjtë që nuk do të harrohet kurrë ndër shekuj.

 

Pse Naim Frashëri në vitin 1889, një vit para se të vdiste, botoi “Historinë e Skënderbeut” dhe “Qerbelanë”, dy poema epike, njëra me ngjarje dallueshëm kombëtare, tjetra me frymëzim fetar dhe me temë ndërkombëtare?

Për “Historinë e Skënderbeut” dihen shtysat. Ai ishte poeti misionar i popullit të vet. Ishte mësuesi, ideologu kombëtar. Figura e Skënderbeut ishte në përputhje me idealet e Rilindjes Kombëtare.

Po “Qerbelaja”, përse duhej shkruar?

Studiuesit kanë dhënë shumë shpjegime, që nuk i përjashtoj.

Naimi ishte i frymëzuar nga kultura persiane, ishte ndikuar nga paraardhësit e vendlindjes që shkruanin poema të gjata me tema historiko-fetare. Naimi ishte filozof i bektashizmit. Ishte panteist, ishte mistik. Po. Këto dhe të tjera shpjegime kësisoj, janë të pranueshme. Të gjitha.

Veç me një ndryshim… Mbase është koha të themi edhe diçka tjetër. Poeti është poet. Si poet me talent ai i shpërthen kufijtë, del jashtë kohës dhe jashtë vendit të vet. Bëhet qytetar i botës.

Poezia, materia poetike me cilësitë e saj universale, e bëjnë poetin qytetar të botës. Jo tjetër gjë. Poeti i mirë nuk mbetet vetëm apostull në altarin e kohës së tij e të kombit të tij.

Temat ngjethëse, temat tragjike, universale, madhështitë pa kohë e pa vend, që nga poet Bajroni edhe më përpara tij, ishin të parapëlqyera nga gjithë poetët, në veçanti nga romantikët. Ata i gjuanin gjëmat, tragjeditë botërore.

Kështu dhe Naimi ynë me “Qerbelanë”.

Si poezi me lëndë tragjike ajo i përket gjithë njerëzimit, si frymëzim fetar u flet vetëm besimtarëve bektashinj.

Është një poemë që sot mund t’i flasë më afër një lexuesi që adhuron tarikatet e Islamit. Kjo ngaqë himnizon gjakun e dëshmorëve të Qerbelasë, vajton flijimin e pjesëtarëve nga Familja e Profetit.

Poema “ Qerbelaja” është ndarë në 25 këngë. Në secilën këngë ka heronj që nuk veprojnë në këngët më pas. Poema shqyrton ndodhi, vuajte, sakrifica, trimëri dhe përcjell mesazhe humane dhe hyjnore.

Lënda e marrë nga historia fetare arabe shtrihet prej shekullit IX deri në shekullin XVII. Lufta fillimisht zhvillohet ndërmjet Profetit Muhamed dhe Sufjanit, pastaj mes Imam Aliut dhe Mavijes, mes Imam Husenit dhe Jezidit si dhe mes Muhtarit me Mervanin (birin e Jezidit), pra, luftëra të pandërprera mes dy fiseve që shkojnë nga një brez në tjetrin.

Poema fillon me lajmërimin e ardhjes së një feje të re me misionar Profetin Muhamed. Vazhdon me flijimin e nipit të tij Imam Husenit, me hakmarrjen e Muhtarit, stërnip i brezit të katërt, dhe përmbyllet në këngën XXV me një mesazh për popullin shqiptar, për të krishterët dhe për myslimanët. Naimi do të edukojë te bashkatdhetarët ndjenjat e larta të fisnikërisë, të humanitetit, të besimit në hyjnoren.

Për lexuesin e sotëm, një poemë si “Qerbelaja”, përtej mesazheve fetare, ia vlen të lexohet për shijen e tragjikes, për madhështinë e flijimit njerëzor, për bukurinë e gjuhës, për rrjedhën muzikore të vargjeve, për arkitekturën mjeshtërore të strukturës së saj, për cilësitë artistike të një vepre të periudhës së pjekurisë të një poeti si Naim Frashëri.

*Me rastin e 120-vjetorit të vdekjes së poetit, në Vitin e Naimit, mbajtur në Kryegjyshatën Bektashiane Tiranë

XLV – 2020 VITI I AT GJERGJ FISHTËS – Profesor Simon Rrota: “Po shkruej për vedi e për Shkodren” – Përgatiti për botim Fritz RADOVANI

XLV – 2020 VITI I AT GJERGJ FISHTËS – Profesor Simon Rrota: “Po shkruej për vedi e për Shkodren” – Përgatiti për botim Fritz RADOVANI

Profesor Simon Rrota: “Po shkruej për vedi e për Shkodren”

Profesor Simon Rrota (1887 – 1961) shkruen:

Zoti krijoi me dorë baballarët ! Poezi nga Laureta Petoshati

Kur bie shi thonë engjëjt qajnë
dhe shpirtrat kullojnë pikë-pikë,
miliarda shpirtra tokën e lajnë,
miliarda shpirtra na bëjnë vizitë.

Një shi që bie me vëtëpërmbajtje,
si të jetë parfum, me butësi,
gjatë gjithë natës në dritare,
lotët e tim eti janë aty.

Dua të dal e të më lagin,
diçka prej tij dhe unë të prek,
lotët lajmëtar të mallit,
që nuk pranojnë sakrilegj.

Se vërtetë zoti krijoi dimër,
përlotet vendi nga të qarët,
por enkas ai krijoi prindër,
mburojë për ne janë baballarët.

Kur bie shi thonë qajnë engjëjt
por dhe demonët qajnë me shtrëngatë,
duan të shkulin çdo gjë nga rrënjët,
se nuk bëjnë ligjin dot më, atje lart.

Mendoj babanë dhe ndihem në kullë,
shtëpia dhe kombi mbahen nga trarët,
ca lotë shiu më vijnë si ninullë,
se Zoti krijoi me dorë baballarët.

 

 

© Vlorë 21 tetor 2020

 

 

Mbylleni sa më parë këtë farsë – Nga SULEJMAN MATO

Se kujt i ka shkrepur më tru, pas një heshtje të gjatë tridhjetëvjeçare, të vlerësojë poetin laureat të vitit.
Madje për këtë aktivitet kanë sjellë ndërmend dhe 25 letrarë nga të cilët poetë të mirëfilltë mund të jenë vetëm katër- pesë vetë.
Mirë kjo, se njeri prej tyre dhe mund të laurohet, por, së pari, me çfarë kritere do të vlerëhohet? Së dyti, pse nuk janë kujtuar të fusin në këtë listë dhe nja 20 poetë të tjerë, tepër të afirmuar, në vite? Së treti: Kush e zgjodhi këtë juri poezie e cila nuk ka asnjë lidhje me poezinë?
Pashë komisionin e vlerësimit dhe u pataksa. Mirë Besnik Mustafaj që është dhe vet poet dhe mund të gjykojë, edhe pse nuk do ta paragjykoj për subjektivitietin e vet, por tjerët që janë futur në këtë juri nuk di të kenë ndonjë lidhje me poezinë. Të parën që pashë në listë ishte. Arlinda Dudaj. Çfarë lidhje ka kjo zonjë me poezinë? E kemi parë nëpër televizione të ndryshme herë si analiste e herë si moderatore, por asnjëherë nuk e kemi dëgjuar të flasë për poezinë…
Ka mbaruar degën e frëngjishtes, fati e ka dashur të hapë një shtëpi botuese.O.K. Po me poezinë çfarë e lidh dhe nuk e di në mund të gjykojë kjo zonjë dhe zonja tjetër Viola Isufaj për vlerat e poezisë sonë në këto tridhetë vjet?
Ndaj ju lutem, mbylleni këtë nisiativë sa më pare.
Në qoftë se dikush dëshiron të dijë për vlerat poetike të poetëve shqiptarë, së pari duhet të ketë lexuar nja 30 poetë… Dhe kjo nuk mjafton. Poetët janë të ndryshëm. Nuk ngjajnë me njeritjetrin. Vetvetiu lind pyetja: Mbi çfarë kriteresh do të përzgjidhet poeti më i mirë? Dikur kriteret ishin të qarta dhe ne që bënim pjesë në juritë e dikurshme i kishim të qarta kërkesat. Po tani çfarë kërkesa keni ju zotërinj dhe zonja të jurisë? Pse iksi është më i mirë se Ypsiloni?
Së pari vihen kërkesat e, së dyti, zgjidhen poetë me eksperiencë dhe të shquar për të vlerësuar poetët. Disa nga emrat e vënë në këtë listë ishin për të qeshur.
Në atë liste ka pak poetë. Një ndër ta është Skënder Buçpapaj, i përmasave europjane, që pak kush e njeh poezinë e tij në Shqipëri, me që ai jeton dhe punon në Zvicër.
A mund te më thotë ndonjë nga anëtarët e jurisë pse poeti i përzgjedhur është më i mire dhe ku dallon nga të tjerët…?
Kriteri i vlerësimit duhet të jetë përmbajtja, problematika shoqërore, thellësisht shqiptare dhe qytetare, dhe ajo e veçantë artistike, novatore ose tradicionalisht shqiptare, që e dallon këtë poezi nga poezitë e vendeve të tjera.
Po kujt t’ia themi këto? Viola Isufajt? Çfarë lidhje ka kjo profesoreshë me poezinë? A e di ajo që ka ca poetë si Agim Shehu, Hiqmet Mecaj, Faslli Haliti, Moikom Zeqo, Xhevahir Spahiu, Ndoc Paplekaj, Roland Gjoza, Petraq Risto, Agim Bajrami, etj, (duhet te kem harruar dhe disa te tjere) të cilët nuk kanë nevojë për t’i lauruar ajo juri pasi i ka lauruar koha dhe lexuesi shqiptar.
Në qoftëse do të donit të ishit sa më të drejtë në dhënien e një çmimi të tillë, së pari duhet të kishit nisur një diskutim paraprak në gazeta letrare apo Facebook e të grumbullonit mendimin e lexuesit të poezisë.
Por dhe kjo nuk mjafton, pasi poetët janë të ndryshëm.
Poezite e poetëve nuk janë si domatet, fiqtë dhe mollët, ku mund të zgjedhësh në treg atë që të pëlqen. Poezitë nuk janë shalqinj e as qershi, mollë e dardhë.
Miqësisht do t’ju sugjeroja ta ndalni këtë lloj çmimi pasi do të jetë formal dhe do të nxisë debatin si një çmim i dhënë nga persona jo kompetentë.

I garantoj sukses të plotë librit të Agim Hushit me prozë të shkurtër “Udha e qumështit” Nga Ymer Nurka

Shkrimtari jo rrallëherë gjendet përpara dilemës krijuese: “Të shkruash, a të mos shkruash?!”

Megjithatë kjo mëdyshje nuk vlen për ata më të talentuarit, për ata që e kanë “hambarin” e përvojës jetësore plot, të cilët krijimtarinë artistike e kanë jo vetëm një ndër dimensionet e personalitetit, por edhe një nga misionet e jetës së tyre. Vullneti qëndron tek ata krijues, të cilët guxojnë të rrëfejnë vizionin e tyre e që besojnë se ka ligje dhe energji të mjaftueshme për transformimin e shoqërisë, duke perfeksionuar e përmirësuar gjithë sistemin e vlerave humane. Nëse një krijues nuk udhëhiqet nga motive të tilla idealiste, në veprat e tij, pa dyshim, do të ketë “kërcitje” nga lënda e materies. Për fat të mirë, apo të keq, qëllimi kundrejt pragmatizmit për individin e sotëm është kthyer në një filozofi jetike. Te kapitali si doktrinë, konvergojnë dhe vërtiten tërë aksiomat dhe idetë, aty janë orientuar pothuajse gjithë sensorët e shoqërisë njerëzore.

Teksa lexova me ëndje vëllimin me prozë të shkurtër, me titullin kozmik “Udha e Qumështit”, të poetit Agim Hushi, jo thjesht u mrekullova, por njëkohësisht dhe u freskova në këtë zheg korriku, u freskova me tematikën e larmishme të përzgjedhjes për t’ia sjellë përpara lexuesit.

Fati im të kem në dorë këtë libër dhe të jem nga të parët lexues që “degustoj” këtë koktej ngjyrash, ndjenjash, udhëtimesh, të sjella me mjeshtëri nga përvojat e çmuara, në etapa të ndryshme të moshës së autorit.

Ngjarjet vijnë të përshkruara, nëpërmjet një verbi të bukur rrëfimtar, të spikatur dhe modern, pa predikime, moralizime dhe mesazhe të drejtpërdrejta. Lojën e bëjnë personazhet, autori rrëfen duke ruajtur me kujdes statusin si asnjanës, e më tej duke shpalosur çastet më mbresëlënëse e më të papërsëritshme të jetës së tij.

Jam i sigurt se një thesar i tillë shpirtëror do të bënte ziliqar çdo poet, ose shkrimtar, madje çdo eksplorator të pasionuar, pas aventurave për udhëtime të gjata e me plot surpriza.

Natyrisht që një komoditet të tillë nuk e ka gjithkush. E cilësova “komoditet” edhe pse nuk është i tillë, përveçse fryt i një pune titanike, i një durimi gati mitik, për të arritur në majat e artit, pikërisht aty ku gjendet sot poeti, prozatori, piktori, akademiku dhe tenori me famë botërore, Agim Hushi.

Nuk e teproj aspak nëse individualitetin e tij e cilësoj si një diamant të çmuar, i cili u zbulua së pari në këtë vend dhe i përket deri në krenari po kësaj toke që quhet Shqipëri.

Autori shkon e vjen natyrshëm nga skaji në skaj, ku pavarësisht amplitudave të jetës, sukseseve të arritura, ai nuk mohon aspak rolin e vendlindjes për formimin e tij bazik si qytetar dhe si artist.

Qyteti i vogël, është pikënisja e ëndrrave, e konvertuar në vargje dhe vokalica, për të ardhur deri këtu, në majat triumfuese, gati të pabesueshme, të auditorëve dhe skenave botërore.

Pa një jetë aktive, gjithmonë në lëvizje të autorit, në këto tregime do të na mungonte larmia e fakteve, karaktereve dhe motiveve, e mbi të gjitha do të na mungonte filozofia njerëzore, që me përzgjedhjen e kujdesshme të tematikës, së bashku me radhitjen e ngjarjeve në kohë, ravijëzon tamam si në një “puzzle”, portretin e saj.

Shkrimtari nuk trillon, ai i njeh thellësisht të dyja ekstremet e jetës, që nga fëmija i braktisur e deri tek “Udha e Qumështit” në Malajzi, ku të lë të kuptosh se uria e popujve nuk mund të shuhet me një apo me dy vakte të dhuruara, por do zgjidhje madhore. Pastaj autori, si për të mbushur boshllëkun shpirtëror të lexuesit, shenjtëron edhe më tepër natën e falënderimeve te “Darka e shenjtë”, duke ngjallur shpresën e duke shuar urinë e Sofisë dhe dy fëmijëve të saj në një tryezë të bollshme. Përsëri të fut në mendime se hallet e njerëzimit nuk zgjidhen me magji. Shkrimtari e ka në dorë situatën dhe me një të rënë të lapsit mund ta ndryshojë rrjedhën e subjektit, por ai nuk e bën këtë sepse nuk i shmanget problematikës. Krijimtaria e çdo autori të njeh me opinionet dhe mendimet që ka ai kundrejt fenomeneve sociale, por në të njëjtën kohë krijimtaria shpalos dhe karakterin e tij. Agim Hushi me zgjidhjen që u jep rrëfimeve shfaq botën e tij të madhe dhe të ndjeshme. Të kreshpëron tregimi “E përdala” që zbulon instinktet e paskrupullta të turmës dhe të rrëqeth te tragjedia “Dy vëllezërit”. Dhe kapërcimet vazhdojnë me kontrastet e thella, që lindin nga njëri tregim, tek tjetri. “Profesori”, simboli i dijes, ai që sa e sa fëmijëve u ndriçon mendjen, pse jo u ndryshon edhe fatin, pikërisht ky njeri ndihet i braktisur dhe i harruar; merr një pagë gjysmake që e detyron të zgjidhë urinë në kazanin e plehrave.

Autori nuk ka për qëllim thjesht të tregojë bëma dhe gjëma, por të sjellë argumente të pakundërshtueshme pse jemi katandisur kështu. Ai sjell dramën e jetës, që në çdo çast merr përmasat e një tragjedie për brezin e ri, ku mendja fluturon ndër ëndrra dhe dëshira, ndërsa këmbët janë në llumin e varfërisë dhe injorancës. Si të mos mjaftonte kjo autori trajton një temë edhe më të guximshme, atë të kalbjes së sistemit shoqëror, pikërisht atje në krye të tij. Marrëdhëniet midis njerëzve nuk janë aq humane, diçka i provokon rëndë ato. Ajo që më befason është se autori di të bëjë diferencimin e temave, pasi Shqipëria dhe vendet e qytetëruara nuk kanë të njëjtat halle. Nga uria e fëmijëve, nëpër metropole dhe zona rurale, te “Mbretëresha”, që jeton në luks. Jeta mondane e monarkes së plakur, e cila dremit dhe kërkon paqen mbi qefinin e një kohe që po perëndon. Përfundimi në çdo rast vjen natyrshëm.

Po autori nuk do të ndalet as këtu. Në një tjetër çast ai e çon lexuesin të udhëtojë bashkë me të, me avion drejt Sidneit e në një tjetër moment zbret në Moskë e niset me tren për “Një takim në stepë” drejt Siberisë.

Me shtegtimin për në Polin e Jugut, përshkruan shpirtin njerëzor deri në dhimbje, te “Shtëpia e engjëjve” aty në sediljet e vendosura pranë dritares së avionit takon personazhin më interesant, murgun budist, një krijesë “e fortë”, pjellë e mëkatit, i cili transformohet në një qenie e brishtë e mishërimit të mirësisë. E në Polin e Veriut, heroi lirik, zbulon “vëllanë” e burrëruar me një peng të madh në zemër, “produkt” i një sistemi kriminal, që mbi çdo gjë, e mbi gjithçka vendos dogmën e një filozofie utopike.

Barbaria sintetizohet qartazi deri në ekstremitet, te tregimi “Pata e artë”. Një rrëfim jetësor, që e sjell thjesht me naivitetin e një krijese delikate, siç është fëmija, duke përcjellë natyrshëm gjendjen e degraduar sociale të një shoqërie që vret deri në qelizë ndjenjën latente, besimin e natyrshëm dhe lirinë sublime të fëmijëve, duke e nxjerrë lakuriq atë kohë, plot slogane dhe dogma, e cila në emër “të shumicës” degradoi personalitetin e njeriut, shkatërroi boshtin themelor të vetë arsyes, për hir të së cilës dhe jemi në këtë jetë.

“Pata e artë”, në harkun kohor sa hap e mbyll sytë, kryen fluturimin tragjik, duke përcjellë natyrshëm mesazhin se një shoqëri që nuk respekton dëshirat e fëmijëve, herët a vonë, është e destinuar të shembet.

Por vektori i krijimtarisë së shkrimtarit përsëri lëviz me shpejtësi, në një rreze të gjerë në hapësirë dhe në kohë, ai në çdo rast mban për seli shpirtërore vendlindjen, atë qytetin e vogël rrëzë kodrave të ulëta në breg të Adriatikut. Aty bën një retrospektivë romantike, me “cicmicet” e dashurisë në adoleshencë, pasi për Agimin, nuk ka tema të mëdha apo të vogla, për të ka qëllime të shprehura me art, në funksion të mesazhit social. “Shtriga” e bukur, me ndjenjën mbisunduese, që me një egoizëm femëror ndan të sapodashuruarit, të bën të vësh buzën në gaz e ta duash më fort. Është një psikologji e tërë që duhet të merret me këtë fushë.

Ndonjëherë, surpriza të befason me rastësitë e saj e të bën të dyshosh, si mundet të ndodhë kështu?! Te “Maskat e Romës”, “Udhëtim për në stepë”, edhe vetë autori e kupton këtë, por gjithçka kryet në funksion të asaj çka duhet thënë. Apo “Ullishta” që fshehu dhe zbuloi njëherësh surprizën e padëshiruar të djelmoshave. Mësuesja e tyre e bukur, idhulli i ëndrrave të tyre, etaloni me të cilin ata do të matnin bashkëshortet e ardhshme, na dashuruaka dikë?! “Ullishta”, pa dyshim, që përgjithëson aq bukur ndjenjat e asaj moshe, ku zhgënjimi lë vragë në shpirt, e cila zbehet vetëm kur personazhet rriten.

Papritur autori si një shtërg i bindur shtegton përsëri, por këtë radhë në Europë. “Maskat e Romës” një nga tregimet më tronditëse. Simoni, ky personazh me tipare tejet njerëzore, i cili beson verbërisht në virtytet e gruas së tij, shokohet pikërisht në atë moment kur dhe vetë tundohej të kryente aktin e parë të tradhtisë bashkëshortore. Ai kuptoi se tradhtia paskësh qenë e ulur këmbëkryq në vatër me kohë, por shpeshherë i zoti e merr vesh i fundit. Kjo ngjarje mund të sillte goditjen fatale për familjen, po çuditërisht godina e saj nuk u shemb, por qëndroi më këmbë, pasi hyri në lojë gjykimi dhe arsyeja, e ardhmja e fëmijëve, mbi të cilët nuk qëndron asgjë.

“Maskat”, simbol i hipokrizisë njerëzore. Ato askush nuk guxon t’i heqë, pasi tashmë ato për qytetërimin janë bërë tabu. Nëse guxojmë t’i prekim, atëherë do t’i ndiejmë deri në palcë tërmetet sociale.
Autori herë pas here kthehet dhe trazon kujtimet, të cilat i rrëfen me një butësi të admirueshme, e pastaj si bën një tango të bukur së bashku me avionin “Çesna”, “degdiset” te “Fillimi i botës”, aty për aty zbret në tokë e vallëzon me aborigjenët, të cilët ruajnë ende në shpirt zakonet e moçme, raportet arkaike, por tejet të besueshme të njeriut me zotat dhe me mëmën natyrë.

Ajo çka të trishton pasi ke mbaruar leximin, është braktisja deri në harresë të plotë e këtyre njerëzve, ndërsa ajo çka më mahnit se tepërmi, janë detajet e dhëna për pilotin, për shpirtin e tij të aventurës.

Një përshkrim gati personifikues i avionit “Çesna”, që çante qiellin dhe dukej sikur për karburant përdorte merakun dhe dashurinë e pakufishme të Berrit. Vërtet ky është udhëtimi më magjik i kryer ndonjëherë, por nga rrëfimi, në rrëfim mbizotërojnë kontrastet e thella.

Tregimi që të bën të sëmbojë/të sëmbon në zemër është “Armiku”. Një subjekt i papërsëritshëm, me një mesazh të madh. Historia e tmerrshme e luftës së klasave, shpëlarja e trurit, ku njeriu urren njeriun, ku mendja halucinante, pasi zgjohet, kupton rrethin vicioz të barbarisë që ka kryer. Ndërgjegjja nuk ka më paqe dhe kërkon drejtësinë dhe faljen e madhe, të cilat i lyp si një çelës, që duket sikur nuk kanë asnjë vlerë tjetër, veç për të hapur portën e botës së përtejme.

Këto rrëfime, me të gjitha elementet e një proze klasike, diku më shfaqen si prozë poetike, madje vijnë si një poezi me varg të bardhë. “Dreri” bart një mesazh universal edhe pse duket një subjekt gati si një përrallë.

Zbritja me një trajektore në kohën e luftës shekullore për liri te “Nata e fundit”, stoicizmi epik i personazhit Jaho, të lë mbresa të pashlyera në kujtesë. Proza e shkurtër përgjithësisht kërkon fabul, këtu kam parasysh tregimet e Mopasanit, Çehovit, apo Elin Pelinit, pse jo dhe të Dino Buxatit, por te ky libër nuk ka trill, as “surpriza” të sajuara me stil, me qëllimin e vetëm për të mbajtur në ankth lexuesin. Tek “Udha e Qumështit” do të gjeni jetë dhe vetëm jetë, të shprehur pa pompozitetin e një letrari të madh. Vëllimin e përshkon fund e krye si një fill i kuq, gjuha e thjeshtë deri në modesti e autorit, që mund të vinte edhe në formën e ditarit, por autori me ndërgjegje ka zgjedhur këtë gjini artistike, pasi këtu galeria e personazheve të tij, me simbolikën e përgjithësimit, merr gjithë vëmendjen e lexuesit. Një nga një tregimet ngjajnë si substancat e një tharmi, nga ku mundet të zinin fill rrëfime më të gjera, në nivele novelash apo romanesh, por autori e njeh mirë psikologjinë sociale të shoqërisë së konsumit, e cila është e prirë drejt esencës dhe i do gjërat t’i rrufisë “flesh”.

Me këto impresione, që po marr nga këto tregime, i garantoj sukses të sigurt librit “Udha e Qumështit”, duke shpresuar që së shpejti krijimtaria e poetit Agim Hushi, përpos poezisë dhe tregimit, të kulmojë me romanin e tij të parë!

Një fillim i mbarë të çon gjithmonë drejt majave dhe këtë më mirë se çdokush tjetër e di poeti Agim Hushi.

 

Ymer Nurka

ZOJA E SHKODRËS NË DY POEZI

Kisha Katolike përkujtoi me 18 tetor vig jilien e festës së “Zojës së Shkodrës”, pajtores së g jithë Shqipërisë. Historia e saj lidhet me ikjen e pashpjegueshme në 1467 të një afresku ku paraqitet Zoja e Bekuar (Shën Mëria) me Jezusin fëmijë nga një kishë buzëKalasë së Shkodrës, kur osmanët po afroheshin për ta pushtuar qytetin. Ajo u vendos në Gjenacano tëItalisë ku g jendet akoma dhe sot. Ky moment ështëparaqitur nga dhjetra piktorë, si Kolë Idromeno, Lin Delia e deri edhe Lekë Tasi. Historia e kësaj ngjarjeje shpjegohet më së miri nga Italo Sarro në librin “Zoja e Këshillit të Mirë: historia e një shtegtimi të jashtëzakonshëm”, përkthyer nga Ardian Ndreca dhe botuar në shqip në 2017.

Shumë poetë të veriut i kushtuan poezi Zojës, disa syresh edhe si lutje për rikthimin e saj në Shkodër. Mëposhtë po paraqesim dy pre tyre, njërën të shkruar nga Luig j Gurakuqi dhe tjetrën nga Atë Gjerg j Fishta:

Dallëndyshja u kthye

LUIGJ GURAKUQI

Ti dallndyshën porosite,

Vendin tand me shkue me e pá,

Nepër Shkodër me shetitun,

Mbi vorr t’bab’s e t’nans me kjá,

N’ shkoll, n’ shpi tande ‘i herë m’u ndalë,

Me miq t’ motshëm m’u përfalë.

Erdh njimend, e nepër Shkodër

Shum kërkoi tuj fluturue,

Rrugs, n’ livadhe, n’ mal e n’ kodër,

Me kang t’vet na ka gazmue,

N’ fush t’ Rrmajit asht ndalue,

E mbi vorre ka vajtue.

Në prendverë ktej porsa mbrrini

Miqve tu i u fal me shndet,

Nepër shkollë, n’për kisha hini,

Me t’a hiek at kasavet,

E n’ shpi t’ vjetër ku ke le

Ka godit’ çerdhen e re.

Por kur kthej, me t’than a diti

Miqt, qytetin, punt si i la?

Para sysh Shqypnin a t’ qiti?

A e harroi ndoj send beldà?

A t’ kallxoi gjithshka kish pamun?

Si mbi vorre kishte kjamun?

Po prej prindsh ndoj shndet, ndoj fjalë,

Ndoj bekim a t’a ka pru?

Mbi rras’ t’ tyne kur u ndal,

Ndoj tub’ lule a e kish vu?

T’ zezat t’ona a t’i kallxoi?

Me kang’ t’ vet a t’i diftoi?

Shkodrën brengat e kan marrë,

Tjetër s’ndin veç gjamë e ankime,

Ma shpesh shifen se nej par

Gjaksi t’ mrapshta e turbullime.

S’ ka mbet’ gja pa u çoroditë,

Ma fort prangat na jan rritë!

Por ani, Zojën e kena,

Qi me dije na i shin lott,

Në Tê, na t’vorfnit pshtetun jena,

Na ruen Zoja e na del zot!

Varrën tonë na e ankon

Si bylbyli kur gjimon!

Mir’ po shoh se ke shum mall

Për me u gjet’ njiher’ n’ Shqipni.

Ik pra e eja për të gjall

Me miq tu m’u knaq’, m’u ngi.

Eja vetë Zojën m’e pa,

Eja vetë n’ Rmaj me kja!

 

Zoja Shkodrës – Shkodra e Zojës

ATË GJERGJ FISHTA

Zoja e Shkodrës

Kúr permbrenda atij Tempullit të rí,

Mue per nen dollma t’Rozafatit true,

N ’g jűj shoh Shkodranin ulë me pervűjtní,

M’bjen n’mend se Zoja e Shkodres më thonë mue.

E kúr per rreth e qark t’eltervet t’mí,

Si stina e bukur t’nise me lulzue,

Fmín e Shkodranit ndiej tue m’kndue n’brohrí,

Vedin Shkodrane m’ kandet me e kujtue

Por edhe atë herë, po, kúr Shkodrani t’kjajë

E t’ dnesë nder t’ vshtira, neper t’ cillat jeta

Ati i pershkohet, syt mue m’mbushen m’vajë,

E askurr nuk lâ pingul që Shkodren zhgjeta

E mnís s’ qiellës t’a shinojë, perse e verteta

Âsht kjo: qi Shkodra â’ emja e un e sajë.

 

Shkodra e Zojës

Atë botë mbi Shkoder kúr mâ i bukur dielli

Ndritte, e larg nâmi ksajë mbi tokë kumote,

Perpara elterit t’And Shkodrani fielli

Vîte, e Ty lavde me haré t’këndote.

E kúr mbi Shkoder xű m’u muzgun qielli

E per tę t’vshtira m’u endun stinë e mote,

Me Ty Shkodrani zęmren prap e kthielli,

Kah gurt e lterit t’And me lot rigote.

Por edhe sod Shkodra pshtjellë âsht n’ zí

E jeten si n’nji vorr ajo âsht tue shkue,Shkodrani

Ty po t’ ngrehë nji tempull t’ rí.

A ‘i mend, prá, o Zojë, se doret ké me lshue

Shqipninë e mjerë, e se edhe s’ke me ndí’

Dhimbë për Shkodrani, kurr qi s’t’ ka harrue?

( Marrë nga ExLibris)


Send this to a friend