Llaqi Davidhi lindi më 2 Janar të vitit 1947, në fshatin Fier i Ri të Bashkisë Lushnje. Shkollën Fillore e kreu në vendlindje. Ndërsa shkollën e Mesme e vazhdoi në Tiranë nga ku doli me rezultate të shkëlqyera në veçanti lëndët Fizikë dhe Matematikë.
Me mbarimin e Shkollës së Mesme prindërit e tij i kërkuan Llaqit të merrte një zanat dhe të fillonte punë diku në kryeqytet, por siç na tregon bashkëshortja e tij Margarita Ferro: “Ai nuk donte, pasi kishte diçka tjetër në mëndje”.
Qysh në fëmijëri Llaqit i pëlqente fluturimi. Ideja e fluturimit ishte e rrënjosur shumë thellë në shpirtin e tij, madje edhe bisedat e përditshme me shokët fjala fluturim vinte e para.
Ishte pikërisht ky pasion i zjarrtë që e nxiti atë të shkonte më tej. Kështu në vitin 1966 u regjistrua në Shkollën e Aviacionit në Vlorë. Në vitin 1969 pas shumë përpjekjesh arriti të merrte titullin e shumë pritur “PILOT”.
Gjatë karrierës ushtarake Llaqi Davidhi kreu me sukses këto detyra:
•Komandant ekuipazhi në periudhën 1969-1975.
•Komandant Tresheje në periudhën 1975-1983.
•Shef stërvitje Skuadrilje në periudhën1984-1985.
•Shef i sekretarisë sekrete në Regjimentin e helikopterëve Farkë në periudhën 1987-1996.
Në vitin 1997 u shkëput përfundimisht nga jeta e aviacionit për t’iu dedikuar më shumë familjes, gruas dhe dy vajzave.
Piloti Llaqi Davidhi në bazën e Vlorës dal me aeroplanin e tij të parapëlqyer “Yakovlev”
Por aktiviteti i Llaq Davidhit nuk mbyllet me kaq. Nuk mund të lë pa përmendur këtu një NGJARJE HISTORIKE me fund pozitivë por që mund të kishte përfunduar si mos më keq me një bilance të madhe jetësh të humbura. Megjithatë kjo nuk ndodhi. Kjo ngjarje aq prekëse na bënë të ndihemi KRENAR jo vetëm kaq por në veçanti NDERON vetë FORCAT AJRORE SHQIPTARE dhe pilotët profesionist të saj.
Ngjarja është përshkruar nga Ai vetë pak përpara se të ndërronte jetë (intervista është marrë më 7 Korrik 2018 në Tiranë).
“Ishte pranverë e vitit 1974, shirat e shumta kishin fryrë Shkumbin, duke bërë që vende-vende të kishte dalje të lumit nga shtrati i tij duke marrë përpara ç’të gjente. Nëpërmjet radios morën vesh se rreth 20 banorë nga fshati Bashtovë për t’i shpëtuar përmbytjes u strehuan në Kalanë e Bashtovës, pa e ditur se aty ishte vendi më i rrezikshëm, pasi lumi Shkumbin e përshkon atë nga Lindja në Perëndim duke lënë një hapësirë të vogël toke nga ana veriore por në kushte të tilla atmosferike kalaja mund të rrethohej nga ujërat dhe të futej brenda saj dhe kështu fati i banorëve të strehuar aty vihej në diskutim”.
“ Mbaj mend që më njoftuan me radio për këtë emergjencë. Pavarësisht kohës bashkë me pilotin tjetër Vangjel Nakucin u nisëm për në kalanë e Bashtovës. Kur u afruam pashë me vëmendje zonën piketova vendin dhe u ulëm”.
“Me shumë vështirësi bëmë tre herë vajtje-ardhje duke marrë me vete gjashtë persona njëherësh, që nga kalaja e deri në një kodër të quajtur nga banorët vendas ‘Kodra e Gjonajt’. Këtu i prisnin të tjerë persona. Në çastin që ishim drejt përfundimit të misionit nis një erë e fortë duke bërë që helikopteri jonë të anohet djathtas. Sa hap e mbyll sytë mendova me vetë se morëm fund.. Por siç thuhet fati ndihmon guximtarët, tërhoqëm fort dorezën kënd-gaz dhe vetëm kur u shkëputëm nga toka u qetësuam disi”.
“Në mendje më vinin lloj lloj mendimesh por i jepja kurajë vetës”.
“Pasi raportuam se misioni u krye me sukses na urdhëruan prerazi që të ulemi në një vend të sigurt dhe të afërt dhe pa e zgjatur shumë u ulëm në fushën e sportit të Rrogozhinës. Aty më pritën disa persona të Radio Televizionit Shqiptar të cilët më kërkuan edhe një intervistë të shkurtër, më kërkuan nëse kishin ndonjë person nga të shpëtuarit, por i thash që personat që ne shpëtuam nuk u kishin me vete dhe se i kemi zbritur në afërsi të fshatit Bashtovë”.
Më kujtohet që atë ditë, në Rrogozhinë erdhi edhe e fejuara ime gjë që më gëzoi pa mas. Ku menjëherë pas ngjarjes i kërkova të bëhej bashkëshortja ime.
E shtuam vargun e fundit jo pa qëllim por të treguar vlerat njerëzore të këtij njeriu i cili me gjestin e tij HEROIK nuk u vlerësua si duhet por as ai nuk kërkoi kurrë gjë në këmbim por e quajti detyrë ndaj ATDHEUT.
U nda nga jeta më 21 Korrik 2018. Trupi i tij të prehet (sipas amanetit të lënë prej tij) në varrezat e të parëve të tij në fshatit Krutje e Sipërme, Bashkia Lushnjë.
Ja si shkruan për Llaqi Davidhin një kolegu i tij i fluturimeve, piloti Zeqo Cama :
“I paharruari Llaqi Davidhi, trishtim i madh që të shoh në mungesë! Ajo dorë baltë që të hodha ditën e lamtumirës qe nje ngushëllim i madh. Qoftë i lehtë dheu që të hodha. Të kujtoj gjithnjë si një shok të veçantë, me vlera të rralla e plot mirësi, Mbi të gjitha ishe “NJERI” në kuptimin më të plotë që ka kjo fjalë, i punës e i shoqërisë, një nga më të talentuarit pilot të brezit tënd në regjimentin e helikoptrëve, trim dhe i mënçur, i provuar në shumë e shumë detyra të vështira e plot sakrificë, në ndihmë të popullatës, në shpetimin e jetëve njerezore e të ekonomisë, në situata te jashtezakonshme fluturimi moti e kushtesh meteorollogjike; të kujtoj gjithnjë si një koleg e shokë të dashur prej më shume se 40 vjetesh, i fjalës dhe i besës, i respektit dhe i arsyetimit të shëndosh, vitet pas nendhjetës na larguan si shumë e shumë të tjere në lufte e perpjekje per te mbijetuar, po prapë e gjenim rastin të uleshim e të pinim ndonje kafe e te kujtonim vitet e jeten tonë në shoqerine e perbashket te armes se aviacionit, shoket te donin e te respektonin se ishe per t’u dashur, s’dije ta mbaje koken menjane sidoqë ta kishe hallin, dije të falje e të keshilloje, s’kurseheshe për ndihmë e mirësi, se siç te thashe ishe”NJERI”, ishe shok, mik koleg, familjar e prind shembullor. Perjetë në kujtesën e miqve dhe shokëve të tu që i deshe dhe të deshën.”
Komentet