VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

LIRI – Poezi nga CHARLES BUKOWSKI – E përktheu Sinan Kërpaçi

By | May 30, 2015

Komentet

PËRKËDHELJET LIRIKE – Vehbi Skënderi, “BËJMË SIKUR…“ Nga Shefqet Dibrani

Vehbi Skënderi, “BËJMË SIKUR…“, poezi, botoi Shtëpia Botuese „ELENA GJIKA“, Tiranë 1995, faqe 98.

Libri poetik „BËJMË SIKUR…“ i Vehbi Skënderit, kap çështje më të shqetësuara që mund t’i përkasin individualitetit krijues e artistik të një poeti. Ndonëse përmbajtja e këtij libri është e përbërë kryesisht nga lirikat, ai arrin me sukses të ofrojë një botë të tërë ndjenjash e shqetësimesh, por duke mos lënduar shpirtin e askujt. Bile, arrin ta përvetësojë lexuesin duke e futur edhe atë në botën e lezetshme të meditimit lirik.

Poezia lirike është një zhanër specifik i krijimtarisë letrare, andaj, poezia e Vehbi Skënderit, që përfshihet në këtë libër mund të trajtohet si poezi e ekzistencializmit lirik, si poezi e mirëfilltë dhe e angazhuar. Format e kësaj poezie janë të gërshetuara brenda këtij libri të lidhura mes veti me një konfiguracion idesh e mendimesh prej më të bukurave dhe me mesazhe të qarta ku vë në spikamë fatin e individit si pjesë kolektivitetit në përditshmërinë tonë, ose ndryshe, përshkruan me emocione ndryshimet e mëdha që ndodhën në shoqërinë shqiptare gjatë viteve të nëntëdhjeta.

Në poezitë e ekzistencializmit lirik janë poezitë e fillimit të këtij libri të përmbledhura kryesisht në ciklin „Mos ik“, ku prirjet krijuese sikur bien viktimë e idealizmit të një shpirti i cili është i ngjeshur me dashuri. Shpirt ky i cili jo rrallë është shkëputur nga realiteti duke u bërë viktimë e botës së imagjinuar duke ushqyer ndjenjën e dobësisë së individit, e cila shpjegon pafuqinë para gjinisë tjetër të quajtur femër. Në këtë cikël ka idealizëm lirik, por, për fat të mirë, nuk kalon në ekzotizëm të ardhur nga mentalitete të tjera. Këtu çdo gjë, çdo varg është autokton, që shpreh botën emocionale e artistike me atë pushtetin autonom brenda provincës poetike: „Ti më zbulove një të fshehtë/ Dhe unë të besova plot sekrete./ E pas një ore s’na kishte mbetur asnjë sekret për vete“. Kjo e drejt kaq elementare është një figuracion gjithsesi lirik, me konotacione të theksuara erotike dhe mjaft i stërholluar që përjetohet gati çdo ditë nga secili, por që kësaj radhe është thënë publikisht nga autori i këtij libri.

Këtë cikël e përforcojnë sidomos poezitë: „Mos i përbuzni gratë“, që është njëra nga poezitë më të mira, shkruar për gratë. Poezi e cila paraqet tërë atë dramacitetin laik e patriarkal në raport me gjininë tjetër – gruan. Poezi e realizuar mirë edhe poezia „Perla“. Poezi të tjera të realizuara me një sensibilitet të caktuar janë edhe: „Unë kam shkruar një bibël për vetullat e qerpikët“, „I marrë“ etj.

TANI

Tani ti je posi një “Zonë e pushtuar”.
Ku nuk ka ngelur kodër pa u marrë
Po pse të dua dhe të dua pa pushuar
Një mijë herë më shumë se më parë?

Faqe 22.

Poezia e Vehbi Skënderit, merr tjetër përfytyrim, ka të tjera emocione dhe një trajtim të posaçëm te ciklet: „Poezitë e shiut“, „Në krahët e çasteve“, „Lulet e detit“, „Gjethe hëne“ e „Vdekja vjen gjithmonë herët“, ku vargjet kanë kuptim dhe trajtim tjetër në krahasim me ciklin e parë. Këtu, autori me sukses të prezanton botën reale, kurse në anën tjetër subjektin lirik e bënë edhe më të çiltër, më të dukshëm, më të ngritur e më të avancuar. Bota poetike e V. Skënderit është arti dhe profili krijues, është ligjërimi i pastër për t’i rrahur problemet ashtu siç janë.

Të lexohen këto cikle e mos të venerohen poezitë e „shiut“, „Vrasësi i ujkut“, „Në disa sekonda“, „Tregim për qenin tim të vogël“, „Epitaf i nipit për gjyshin e vet veteran vrarë si armik i partisë“, „Dy lirika për mimozat“, apo poezitë për detin të radhitura në ciklin „Lulet e detit“ si dhe ndonjë poezi tjetër, paraqesin botën emocionale, të shoqëruar me të gjitha ndodhitë e përditshmërisë sonë të hallakatur.

Aty ku dominojnë poezitë lirike, prej më të bukurave, autori ka futur ciklin e poezive „Në këtë vend“, të përbërë nga dy arterie qendrore të emëruara me emra gjeografik si Kosova dhe Dibra.

Derisa, Kosova për autorin është një plagë që kullon dhembje shoqërore e kolektive, Dibra mund të kuptohet si zona provinciale nga na vjen autori, ashtu siç mund të mendohet se autori vjen pikërisht nga Kosova.

Me të kuptuar se autori është korçar, pra një zonë krejt tjetër e atdheut, portretizimi që i bëhet Dibrës e sidomos Kosovës merr eveniment krejt tjetër duke lënë përshtypjen e saktë se ai i takon pëllëmbë për pëllëmbë hapësirës shqiptare ku mbi këto dhembje e ka ngritur artin e tij, preventivë e parë për t’ia shëruar plagët Atdheut. Këndimi me këtë afsh poetik po aq edhe frymëzues për hapësirën shqiptare, e bënë Vehbi Skënderin poet dhe intelektual të veçuar.

Poezia që i kushtohet „Kosovës“, është njëra nga poezitë më të bukura, sikurse që është edhe poezia „Flijimi“, kushtuar poetit Jusuf Gërvalla, vëllait të tij, Bardhoshit dhe Kadri Zekës, paraqesin sentencat e një krijuesi të rrallë me një kredo artistike mjaftë të pasur, i cili nuk shkruan ashtu kot së koti sa për ta mbushur një hapësirë, por për të dëshmuar talentin e vet dhe mundësinë kreative për t’u marrë edhe me poezinë e angazhuar. Vehbi Skënderi gjithnjë ka dëshmuar atë dashurin për pjesën tjetër të atdheut, për njerëzit e kësaj ane, prandaj edhe poezia e tij është e dashur, e mirëpritur.

Poezia e realizuar mirë artistikisht dhe me përmbajtje e mesazh të çart e shumëdimensional është poezia „Në këtë vend…“ e cila mund të llogaritet poezi kapitale e shkruar për tokat ku „Ndalohet rreptësishtë: Mësimi i gjuhës shqipe!“.

Ligjërimi kaq i veçantë me qëndrime të rralla e bëjnë autorin edhe më fisnik në trajtimin e çështjeve delikate duke i dhënë poezisë vlerë artistike.

St.Gallen, 11 maj 1997.

SHËNIME PËR AUTORIN:

Vehbi Skënderi, (1929). Lindi në fshatin Strelcë të Korçës. Shkollën fillore e mbaroi në fshat, kurse medresenë në Tiranë. Më 1951 fillon një kurs estetik dyvjeçar ku japin leksione Jakov Xoxa, Bedri Dedja, Mark Gurakuqi etj. Në vitet 1953-1956 kryen shkollën e mesme profesionale (dega rusisht). Në vitet 1956-1961 kryen Fakultetin Histori-Filologji me rezultate të shkëlqyera.

Veprat letrare: „Këngët e para” 1953, “Vjersha” 1958, “Fletë nga ditari im” 1963, “Vjershat dhe poemat e Drinit” 1970, “Vrasja e Ofelisë” 1971, “Shqiponja e Vermoshit” 1972, “Vazhdim i një bisede” 1972, “Poezia shqipe“ 1973, “Përsëri mëngjes” 1974, “Kumbojnë vitet” 1984, “Nxitoj” 1988. “Bëjmë sikur…” 1995; “Hënë e vjedhur”, 1996; “Zvicra, Shqipëria ime, 2003; “Mirëmëngjes Shqipëri, Lirikat e një tetëdhjetë vjeçari, 2012, Postum

26 Shk 2011 · Publik · në “LIBRA DHE MBRESA” – kritikë letrare – St. Gallen 2005

Kartolinё Rizeldёs Nga Romelda Bozhani

Vendosa tё tё shkruaj mё nё fund, Rizelda. Mund ta kesh pritur gjatё kёtё kartolinё. Ndoshta me mendje ke bluar shpeshherё edhe pёrgjigjen. Sepse plot fjalё dashurie mё nanurisin si tё mё vinin prej teje.

Tё pёrfytyroj, teksa lёkundesh nё karrigen tёrё dredha mjeshtrie, atje te kopshti i brendshёm i shtёpisё tёnde koloniale, duke pritur kёto kartolina qё s’tё mbёrrijnё kurrё. Mё del parasysh trupi yt i stёrmadh qё rreh ajkёn e kafesё, art qё ta la trashёgim njё bujtёs i largёt.

Dhe ti mburreshe me artin tёnd europian. Ti e ulur sёrish nё zhezllong. Nga televizori i vjetёr dёgjon me ngulm lajmet e ditёs dhe qan vdekjen e diktatorit. Dhe mua qё mё zё koka e s’mё lё tё shoh bukuritё e vendit tёnd.

Se mё ndёrmendet e njёjta hata e madhe qё zuri vendin tim, kohё tё tjera. Po ti s’je gati tё hapёsh shqisat e tё shohёsh botёn e unё s’tё shkund dot, sepse ti je shkёmbi qё sodit nga bregu oqeanin e tёrbuar. Ti qan diktatorin e vdekur, me rite, ndёrsa bota qan varfёrinё tёnde, me indiferencё.

Do tё doja tё tё shkruaja mё parё, e dashur. Do tё tё doja tё dёrgoja njё kartolinё çdo vit e tё tё uroja. Shumё prej fёmije ishte lumturia jote atёherё kur numёruam bashkё çastet nё shkёmbim tё viteve.

Po ne nuk gjejmё dot fjalёt kur duhet, Rizelda. Vrapojmё ditёn nё kёrkim tё dritёs, lёvizjes, ngjyrave, ritmit rock. Ndёrsa natёn ngushёllohemi me adaxhion tёnde. Errёsira ka marrё shijen e lёngut tё mangos qё ti e pёrgatisje çdo mёngjes si njё magjistare e vёrtetё. Dhe unё tё flas nё heshtje. Flas me ty dhe dua tё kuptoj Kubёn tёnde.

Hemingueji (Hemingway) e deshi shumё Kubёn, mё the atёherё. U pёrpoqa ta pёrfytyroja shkrimtarin nё atё plazh tё bardhё teksa drejtonte palmat nga frynte era, si marinar i vjetёr.

E pёrfytyroja teksa meditonte çdo ditё para oqeanit. Ai rrinte nё kёmbё, atje, me orё tё tёra e nxirrte idetё nga bluja. Ulej e peshkonte me orё tё tёra e nё vend tё peshkut, nxirrte fjalёt. Derisa nata e mbulonte me njё tis vetmie e shkrimtari endej nga njё klub nё tjetrin e nё Havanёn ekzotike shpiknin kokteje pijesh pёr nder tё tij.

S’e di sepse e kam menduar gjithmonё si lehtёsim vdekjen e Heminguejit. Dhembja e shkrimtarit, mbush.

Sipёr shtratit tonё qёndronte portreti i Che Guevarёs. Dhe dhoma ishte e ngrohtё. I njёjti portret ngado. Edhe nё bankё ku radha e njerёzve pёr tё ndёrruar valutёn e bёn tё duket si dyqan qumёshti.

Pёrpiqem ta fotografoj po dukem si e lёnё mendsh mes njerёzish qё mё tregojnё se ёshtё e ndaluar. Edhe nё shtёpinё e thjeshtё tё Che-sё, atje nё majё tё kodrёs, shoh njё burrё tё bukur sa njё faqe muri qё vёshtron herё majtas, herё djathtas, herё lart, herё poshtё.

Kёsaj radhe nё shtёpinё tёnde, me vёshtrim tё papёrcaktuar, tё ngritur lart andej nga qielli, njeriu. Ёshtё idealisti qё nuk shiti dot idealin e tij.

Dhe t’i numёroj njё pёr njё ato muzetё retro qё pashё nё Havanё, tё mbushur me merimanga dhe me portrete revolucionarёsh me kapele, me mjekrra e me mustaqe, me mjekrra e me puro, me kapele e me puro.

Nё mes tё dhomёs, reforma agrare e mbyllur nё njё fuçi, te muri pёrballё, ishte gdhendur parrulla “Hasta la victoria siempre, Fidel”. E pёr Fidelin tёnd qё ju çoi “nga fitorja nё fitore”, njё tjetёr muze i stёrmadh me korniza e dysheme tё brejtura nga mola.
Santiago qё na shoqёroi me taksinё e tij deri nё Trinidad, na rrёfente.

Ishte veshur, rruar e qethur, si mos mё mirё. Kishte tё bёnte me turistё. Si valё rakie spanjishtja e tij. Muzika e pandashme pёr gjatё gjithё rrugёs. Unё shoh nga dritarja e makinёs e Santiagoja i shpjegon artin e joshjes A-sё .

Shoh plantacione tё tёra me sheqer dhe kafe dhe nё atё paqe tё nxehtё mё vijnё nё vesh fjalё tё njё bote tjetёr si: “parfum”, “femra”, “livando flokёsh” e “vёshtrim prej burri tё vёrtetё”. Santiagoja e ka marrё seriozisht rrёfimin dhe ngulmon si i panjohuri nё njё ballo me maska.

Shtёpi tё mёdha, me oborre me lule e pemё tё harlisura ndryshe, shfaqen nё tё dyja anёt e rrugёs. Oh, ato oborret mbushur me lule sa i desha! Secila lule ishte njё fron pёr zogj e ёndrra tё rralla.

Nё oborrin e brendshёm tё shtёpisё tёnde, Rizelda, ne ndjemё zemrёn e Kubёs sё vёrtetё, asaj Kube tё painfektuar nga ideologjia e masave. Pamё Kubёn e qeshur ku njerёzit gatuajnё me merak pёr ditё festash, pavarёsisht vulёs sё varfёrisё.

Ai oborr i brendshёm mbushur me lule, me karrige dhe tryezё tё bardha prej hekuri, ai oborr i brendshёm nё formё katrore, i rrethuar nga dhomat e shtёpisё me dritare tё mёdha, mё ndezi mё nё fund njё shkёndijё pёr Kubёn e vertetё, atё Kubё dekadente qё unё s’e njihja, por qё mezi e prisja.

I kishim lёnё pas nё Havanё ato ndёrtesa gёrmadha tё mbetura si rrёnoja komunizmi. Tё njёjta pallate parafabrikate tё zymta e tё ngushta e me dritare tё vogla qё gёrricnin ndjenjёn time estetike qysh nga atdheu im.

Tё njёjtat fabrika e uzina e muzera e shkolla e kopshte e çerdhe qё tё kujtonin pronёn e pёrbashkёt e qё pёrfundonin si pronё e askujt. Rrugёve tё Havanёs, fasada tё rёna ngrehinash dhe gra me puro tё pandezura. Ishin poza tё thjeshta.

Dhe nё tё njёjtёn pikё ku ishte xhiruar filmi i bukur dikur, era t’i merrte flokёt. Nё Malecónin buzё detit, shёtitorja mё e njohur e Havanёs, njё Chevrolet e kuqe, plotёsonte peizazhin.

Nё Kubёn e pararevolucionit, rrugёt ishin tё gjёra e shtёpitё e mёdha. Shtёpitё e mёdha e dritaret sa njё faqe muri. Nuk m’u nda Markezi (Marquez) dhe njё tregim i tij. Nё njё fshat tё humbur, deti solli kufomёn e njё njeriu tё stёrmadh.

Fshatarёt donin tё bёnin adetin e ta merrnin nё shtёpitё e tyre njeriun gjigand. Por trupin nuk e nxinte asnjё shtёpi, asnjё derё, asnjё dritare. Edhe rrugёt pёr dreq, ngatёrronin mё shumё.

Dhe qё atёherё, vendosёn tё zgjeronin rrugёt. Shtёpitё i ndёrtuan mё tё mёdha e dyert i bёnё nё pёrmasёn e njeriut tё detit. Dritaret i hapёn sa njё faqe muri pёr tё hyrё drita. Dhe drita hyri e s’doli mё.

T’i them tё gjitha kёto, ndёrkohё qё ti je aty, me dorё tё ngritur, nё prag tё derёs dhe na uron tashmё e pёrmallshme: “Feliz Navidad”.

Unё drejtohem drejt rrugicave tёrё diell e histori tё fshehta tё Trinidadit tёnd shumёngjyrёsh, ku njerёzit sajonin festa e vallёzime nё netёt e nxehta tё dhjetorit. Kthehem. “Feliz Navidad, Gёzuar, Rizelda”.

Nё kalldrёmin e zhurmshёm, njё artist bohemian bёnte instalacion me Krishtin njёngjyrёsh.

*****

Autorja jeton në Romë.

ETËHEM HAXHIADEMI- Nis botimi i veprës së plotë të shkrimtarit që vdiq në burgun e Burrelit

Natë Dimri… 25 Janar 1947, natë e martë dimri. Ishim mbledhur të gjithë rreth votrës në dhomën e zjarrit, veç Xhaxhait, që nuk di pse atë natë, ra me fjetë më herët se zakonisht. Moma po mundohej të bindtte për gjumë tre më të vegjlit, ndërsa motra ime e madhe dhe unë po merreshim me punët e tona, përgatiteshim për të nesërmen. Baba po korrigjonte hartimet e një klase së Normales së Elbasanit, me temë: “Fëmija pa Nënë, si nata pa hënë”. Duke përfituar nga muri i shembur i avllisë, njerëz të armatosur, nuk e di për sa orë na kishin vu nën hetim. Në orën 12 të asaj nate, unë si fëmijë s’po kuptoja seç po ndodhte në familjen tonë, veçse në sytë e motrës pashë shumë lotë dhe më vonë Babën duke zbritur nga shkallët me duar të lidhura…
I biri i shkrimtarit Etëhem Haxhiademi e kujtonte kështu arrestimin e të atit. Nuk doli më i gjallë prej burgut. Për më se 7 dekada, tekstet e tija u “zhdukën”, u strukën, humbën, nuk u lexuan, nuk u shkrua për to, nuk u përmendën. Të botuara në Kosovë, sot ka nisur botimi i veprës së tij të plotë edhe në Shqipëri.


SERIA E BOTIMIT
Botimi i VEPRËS SË PLOTË poetike, dramaturgjike e përkthimore të Etëhem Haxhiademit (8 mars 1902 / 17 mars 1965) është projekti letrar më i bukur dhe më domethënës i “Botime POETEKA” gjatë vitit 2020. Ky vit shënon gjithashtu 55 vjetorin e ndarjes nga jeta e Etëhem Haxhiademit, i cili, siç shkruan Vargjo Nirvana (Vangjel Koça) në shënimet e tij kritike ‘Viti mendor 1936’, “është një zotësì mendore për të vënë re dhe një vlerë morale e rrallë, cilësira këto që e bëjnë të përshtatëshme për degën që ay punon dhe në të cilën është sot punëtori më i mirë dhe më i çmuar.”
Gjerdani i botimeve u përgatit nga Dr. Silvana Leka, në bashkëpunim të ngushtë me Hortensia Haxhiademin dhe Arian Lekën.
Veprat e para që lexuesi do ketë në duar gjatë këtyre ditëve janë: Vëllimi poetik “LYRA”; Tragjedia “ABELI”- më e fundmja vepër e autorit; Tragjedia “PIRRUA”- vepra e tij më e dashur. Më tej projekti botues vijon me tragjeditë “Skënderbeu”, “Aleksandri”, “Diomedi”, “Akili”, “Uliksi”. Një botim i veçantë do të jetë edhe përkthimi i parë i “Bukolikeve” të Virgjilit si edhe tekste të tjera.

Në nderim të krijimtarisë së autorit, ky botim i paraqet veprat e Etëhem Haxhiademit sipas publikimit të tyre të parë, duke e ruajtur të paprekur elementet e veçantë të gjuhës, stilemat, format dhe mjetet e të shprehurit të tij dramaturgjik, anën grafike në paraqitjen e tekstit, faqosjen sipas origjinalit dhe mjaft hollësi të tjera filologjike.
Ky paraqitje e “Veprave të Plota” të ETËHEM HAXHIADEMIT sjell pasurim gjithashtu edhe në dëshmi, pasi botimet qëmtojnë dhe ndjekin kronologjikisht vlerësimet kritike ndaj krijimtarisë së këtij autori në shtypin letrar mes viteve ‘30-’40 dhe pas viteve ’90.
Përtej karakterit dokumentar, kjo pjesë e botimit i pajis “Veprat e Plota” të Etëhem Haxhiademit edhe me elemente të “antikuariatit të bibliofilisë”. Përveç publikimit të artikujve kritikë kushtuar krijimtarisë së Etëhem Haxhiademit, lexuesi do ketë në duar edhe një galeri të pasur me dokumente, foto e faksimile nga revistat dhe gazetat, ku u botuan këto shënime kritike.
Falë këtyre përpjekjeve, herë i plotë dhe herë në formë fragmentesh të zgjedhura, vjen një koleksion i pasur i artikujve të Vangjo Nirvanës (Valgjel Koça), Jup Kastratit, Elvira Taros, Gjon Zaverit (Sterjo Spasse), Muhamet Balës e shumë emrave të tjerë të zëshëm të asaj kohe, përfshi këtu edhe polemikat që ka ngjallur aso kohe krijimtaria e Etëhem Haxhiademit.
Pjesë e tyre do të jenë edhe revistat ku Haxhiademi botoi artikuj e krijimtari publicistike.
Pjesa më e madhe e këtyre dokumenteve botohen për herë të parë. Mes tyre, vend të veçantë zënë faksimilet e letrës së Etëhem Haxhiademit drejtuar Mithat Frashërit, në shtator të vitit 1927, faksimilja e “Kopështi Letrar”, ku Etëhem Haxhiademi botoi artikullin “Aviseni Ibni Sina-i”, dokumenti nga revista letrare “Leka”, në të cilën gjendet njoftimi mbi përkthimin të Bukolikeve nga P. Vergil Maronit nga Etëhem Haxhiademi. Bashkë me to paraqiten edhe fotografi, dokumente e kopje nga revista “Përpjekja Shqiptare”, ku është botuar një polemikë ndaj krijimtarisë së Etëhem Haxhiademit apo dokumente nga revista “Rilindja”, në të cilën është publikuar një kritikë letrare mbi një poemth të Etëhem Haxhiademit etj.
Në kuptim simbolik, por edhe krejt të drejtpërdrejtë të aktit, botimi i “Veprave të Plota” të Etëhem Haxhiademit përbën gjithashtu një kthim e ringjallje letrare të tij përballë lexuesit, kritikës letrare, historianëve të letërsisë dhe profesionistëve të skenës teatrore.

Këshilla për të mos u bërë idiot – Nga Umberto Eco

I dashur nipi im

Nuk do të doja që kjo letër e Krishtlindjes të tingëllojë si e shkruar nga Deamici, dhe të të jepte këshilla dashurie për të singjashmit tanë, për vendin, për botën dhe gjëra si këto. As nuk do ia vije veshin dhe, kur të vinte çasti për t’i vënë në zbatim (ti i rritur dhe unë i ikur nga kjo botë), sistemi i vlerave do të ketë ndryshuar kaq shumë, saqë rekomandimet e mia ndoshta do të kenë dalë mode.

Kështu që dua të ndalem në një rekomandim, të cilin do të jesh në gjendje ta vësh në zbatim edhe tani, ndërkohë që lundron me iPad-in tënd. Nuk do të bëj as gabimin të të këshilloj që të mos e përdorësh, jo aq shumë se do të dukesha si një gjysh që ka mbetur me të vjetrën, por sepse e bëj edhe vetë.

Më e shumta që mund të të rekomandoj, nëse rastësisht ndesh në qindra faqet pornografike që tregojnë në një mijë mënyra, marrëdhënien mes dy qenieve njerëzore, apo mes një qenieje njerëzore dhe një kafshe, përpiqu që të mos besosh se seksi është ai që sheh aty, veç të tjerave tejet monoton, sepse bëhet fjalë për një aktrim, qëllimi i të cilit është të të mbajë mbyllur në shtëpi, e të mos dalësh të shohësh dhe takosh vajzat e vërteta.

Po nisem nga parimi që ti je heteroseksual, përndryshe përshtati rekomandimet e mia me rastin tënd: por shiko vajzat, në shkollë apo atje ku shkon të luash, sepse janë më të mira ato të vërtetat, se sa ato televizivet, dhe një ditë do të të japin kënaqësi më të mëdha, se sa ato online. Besoji kujt ka më shumë përvojë se sa ti (nëse unë do të kisha parë vetëm seks në kompjuter, yt atë nuk do të kishte lindur, dhe ti kushedi ku do të ishe, madje nuk do të ishe fare).

Gjithësesi nuk doja të të flisja për këtë, por për një sëmundje që ka goditur brezin tënd, dhe atë të të rinjve më të mëdhenj se ti, që ndoshta janë në shkollë të lartë: humbja e kujtesës.

Eshtë e vërtetë se, nëse të lind dëshira për të mësuar se kush ishte Karli i Madh apo ku ndodhet Kuala Lumpuri, mjafton të shtypësh një tastë në kompjuter dhe Interneti ta thotë menjëherë. Bëje kur duhet, por pasi ta kesh bërë, përpiqu të kujtosh atë që ke lexuar, që të mos jesh i detyruar ta kërkosh për së dyti, nëse do të të lindë nevoja, mbase për një detyrë shkollore.

Rreziku është që, duke qenë se mendon se kompjuteri yt mund të ta thotë në çdo moment, ti humbet shijen për ta ngulitur në kokë. Do të ishte pak a shumë njësoj sikur, pasi ke mësuar që për të shkuar nga Rruga Filan në rrugën Fistek, ka autobusë apo metro që të mundësojnë të lëvizësh pa u lodhur (gjë që është shumë komode dhe bëje kur e ke me nxitim), ti mendon se kështu nuk ke më nevojë të ecësh. Por nëse nuk ecën mjaftueshëm, ti bëhesh person “me aftësi ndryshe”, siç thuhet sot për të treguar ata që ecin në karrocë me rrota.

Dakord, e di që merresh me sport dhe di ta lëvizësh trupin, por le të kthehemi tek truri yt. Kujtesa është një muskul njësoj si muskujt e këmbëve, po nuk e ushtrove dobësohet dhe ti bëhesh (nga pikëpamja mendore) me aftësi ndryshe, domethënë (le ta themi qartë) një idiot.

Dhe veç kësaj, duke qenë se për të gjithë ekziston rreziku që kur të plakemi na vjen Alzheimeri, një prej mënyrave për të shmangur këtë incident të papëlqyeshëm, është të ushtrosh gjithmonë kujtesën.

Dhe vijmë tek dieta ime. Çdo mëngjes mëso ndonjë varg, një poezi të shkurtër, ose siç na bënin ne të mësonim “La Cavallina Storna” apo “Il sabato del villaggio”. Dhe ndoshta bëj garë me miqtë, për të parë se kush e kujton më mirë. Nëse nuk të pëlqen poezia, bëje me formacionet e futbollistëve, por kujdes sepse nuk duhet të dish vetëm cilët janë futbollistët e Romës sot, por edhe ata të skuadrave të tjera, dhe ndoshta të skuadrave të së kaluarës (mendo që unë mbaj mend futbollistët e Torinos, skuadrës avioni i të cilës u rrëzua në Superga me të gjithë futbollistët në bord: Bacigalupo, Ballarin, Maroso etj.)

Bëj gara kujtese, ndoshta me librat që ke lexuar (kush ishte në bordin e Hispaniolas në kërkim të ishullit të thesarit? Lord Trelauney, kapiteni Smollet, doktor Livesey, Long John Silver, Jim…) Shiko nëse miqtë e tu mbajnë mend se cilët ishin shërbëtorët e tre moskëtierëve dhe të D’Artagnanit (Grimaud, Bazin, Mousqueton e Planchet)… Dhe nëse nuk do të duash të lexosh “Tre moskëtierët” (dhe ti nuk di se çfarë do të humbasësh), bëje me një prej historive që ke lexuar.

Duket si një lojë (dhe është një lojë), por do të shohësh se si mendja jote do të popullohet me personazhe, histori, kujtime të gjithfarëlloji. Ndoshta ke pyetur veten, përse një herë e një kohë kompjuterat quheshin tru elektronikë: është sepse ata janë projektuar sipas modelit të trurit tënd (dhe tonit), por truri ynë ka më shumë lidhje se sa një kompjuter, është një lloj kompjuteri që ti e mban gjithmonë me vete dhe që rritet dhe fuqizohet duke e ushtruar, ndërkohë që kompjuteri që ti ke mbi tryezë, sa më shumë e përdor aq më shumë humbet shpejtësi, dhe pas disa vitesh duhet ta ndërrosh.

Ndërsa truri yt sot mund të zgjasë deri nëntëdhjetë vite dhe në moshën nëntëdhjetë vjeç (nëse e ke ushtruar), do të kujtojë më shumë gjëra se sa kujton ti sot. Eshtë dhe falas.

Pastaj është kujtesa historike, ajo që nuk ka të bëjë me faktet e jetës tënde apo gjërat që ke lexuar, por ka të bëjë me ato që kanë ndodhur, para se të lindje ti.

Sot nëse shkon në kinema, duhet të hysh në një orë të caktuar kur fillon filmi, dhe sapo fillon, dikush të merr – si të thuash – për dore dhe të thotë se çfarë ndodh. Në kohën time mund të hyje në kinema në çdo moment, dua të them edhe në mes të filmit, mbërrihej teksa po ndodhnin disa gjëra dhe ne përpiqeshim të kuptonim se çfarë kishte ndodhur më herët (pastaj kur filmi rifillonte kuptonim nëse kishim hamendësuar si duhej – përveç faktit që, nëse filmi na kish pëlqyer, rrinim të shihnim edhe atë pjesë që e kishim parë tashmë).

Ja pra, jeta është si një film i kohëve të mia. Ne vijmë në jetë kur shumë gjëra kanë ndodhur tashmë, prej qindra e mijëra vitesh, dhe është e rëndësishme të kuptosh atë që ka ndodhur para se të lindnim; vlen për të kuptuar përse ndodhin shumë gjëra sot.

Sot shkolla (përveç shënimeve të tua personale) duhet të të mësojë që të memorizosh atë që ka ndodhur para se të lindje, por duket që nuk po e bën mirë, sepse shumë studime na thonë që të rinjtë e sotëm, edhe ata më të rriturit që janë në universitet tashmë, nëse kanë lindur rastësisht në vitin 1990 nuk e dinë (dhe ndoshta nuk duan ta dinë) se çfarë kishte ndodhur në 1980 (dhe nuk po flasim për atë që ka ndodhur pesëdhjetë vjet më parë).

Statistikat na thonë se, nëse pyet dikë se kush ishte Aldo Moro, të përgjigjet që ishte kreu i Brigadave të Kuqe – ndërkohë që ai u vra prej Brigadave të Kuqe.

Nuk flasim për Brigadat e Kuqe, ato mbeten ende një mister për shumëkënd, e megjithatë ato ishin e tashmja vetëm 30 vjet më parë. Unë kam lindur në vitin 1932, dhjetë vjet pas ardhjes në pushtet të fashizmit, por dija se kush kish qenë kryeministër edhe në kohën e marshimit drejt Romës (çfarë është ky?). Ndoshta shkolla fashiste ma kishte mësuar për të më treguar se sa budalla dhe i lig ishte ai ministër, që fashistët e kishin zëvendësuar. Dakord, po të paktën e dija.

Dhe pastaj, duke lënë mënjanë shkollën, një i ri i kohëve të sotme nuk di kush ishin aktoret e kinemasë të njëzetë viteve më parë, ndërsa unë dija se cila ishte Francesca Bertini, e cila luante në filma pa zë, 20 vite para se të lindja unë. Ndoshta sepse shfletoja revista të vjetra të grumbulluara në depon e shtëpisë sonë, por po të ftoj pikërisht të shfletosh edhe revista të vjetra, sepse është një mënyrë për të mësuar se çfarë ndodhte para se të lindje ti.

Po pse është kaq e rëndësishme të dish se çfarë ka ndodhur më parë? Sepse shumë herë, ajo që ka ndodhur më parë të shpjegon se pse disa gjëra ndodhin sot dhe, në çdo rast, ashtu si me formacionet e futbollistëve, është një mënyrë për të pasuruar kujtesën tonë.

Dakord, kjo nuk mund të bëhet vetëm me libra dhe revista, bëhet fare mirë edhe në Internet. I cili duhet përdorur jo vetëm për të bashkëbiseduar me miqtë, por edhe për të biseduar (fjala bie) me historinë e botës. Cilët ishin hititët? Kamisardët? Dhe si quheshin tre anijet e Kolombit? Kur u zhdukën dinosaurët? A mund të ketë patur një timon Arka e Noes? Si quhej paraardhësi i demit? Kishte më shumë tigra 100 vjet më parë, apo sot? Çfarë ishte Perandoria e Malit? Dhe kush ishte personi që fliste për Perandorinë e të Keqes? Cili ka qenë Papa i dytë i historisë? Kur u shfaq Mickey Mouse?

Mund të vazhdoj në pafundësi, dhe do të ishin të gjitha aventura të bukura kërkimi. Dhe të gjitha për t’u kujtuar. Do të vijë dita kur do të jesh bërë plak dhe do të ndihesh sikur të kesh jetuar një mijë jetë, sepse do të jetë sikur ke qenë i pranishëm në Betejën e Vaterlosë, sikur ke qenë aty kur vritej Jul Çezari, dhe ndoshta vetëm pak metra larg vendit ku Bertoldi i Zi, duke përzierë substancat në përpjekje për të prodhuar flori, zbuloi gabimisht barutin, dhe hodhi veten në erë (e mbase mirë iu bë).

Miqtë e tu që nuk do ta kenë kultivuar kujtesën, do të kenë jetuar vetëm një jetë, të tyren, e cila do të ketë qenë e mbushur me melankoli dhe e varfër në emocione të mëdha.

Kultivoje kujtesën pra, dhe nesër lexo përmendësh “La Vispa Tesera” (poezi e Luigi Salierit).

 

*****

Burimi: “Espresso” – Në shqip nga bota.al

Më 19 shkurt 1951 lindi shkrimtari nobelist francez André Gide

André Paul Guillaume Gide’ (Paris, 22 nëntor 1869 – Paris, 19 shkurt 1951[1].) , ishte shkrimtar francez, fitues i Çmimit Nobel për Letërsi, për vitin 1947.

Fillimet letrare

André Gide u lind në Paris në vitin 1869. Babai i tij ishte profesor universitar, i drejtësisë, i cili i vdiq më 1880. Gide u rritë në Normandi, më shumë si i vetëmuar. Pas vdekjes së nënës në vitin 1895, martohet me një të afërme , por kjo martesë ishte vetëm formale.

Më 1891 Gide e botoi romanin e parë, Shënimet e Andrea Walterit (në origjinal: Les Cahiers d’André Walter). Nga 1893 deri më 1894 udhëton për në Afrikën e Veriut. Në Algjeri shoqërohet me Oscara Wilden dhe e pranon orijentimin e vetë homoseksual.

Koha e pjekurisë

Gide ishte pjesëmarës në formimin e revistës letrare Revista e Re franceze , më 1908 (Nouvelle Revue française).

Romani Bodrumet e Vatikanit (Les caves du Vatican) e boton më 1914. Kjo është një satirë për gënjeshtrat dhe mashtrimet e burokracisë.

Në vitet njëzet të shekullit 20, Gide ishte inspirues për shkrimtarët Albert Kamynë dhe Jean-Paul Sartrin. E boton librin për Fjodor Dostojevskin, më 1923. E mbrojti orientimin e vet seksual në përmbledhjen me ese Koridon më (1924) e cila zgjoi një kritikë të madhe në publik. Gide këtë e konsideron si veprën më të rendësishme krijuese të tij.

Kishte një vajzë, Catherinen e lindur më 1923, nga lidhja jashtëmartesore.

Autobiografinë e vet, Gide e publikon më 1926, me titullin Nëse një kokërr nuk vdes (Si le grain ne meurt). Më vonë udhëton nëpër Afrikën qendrore si në Kongo dhe Çad. Ishte kritik për metodat eksploatuese koloniale francezeBio.

Gjatë viteve të tridhjeta, një kohë të shkurtër ishte i lidhur me idetë e Komunizmit, por u zhgënjye pas vizitës në Bashkimin Sovjetik.

Gide përsëri shkon në Afrikë, më 1942 dhe atje jeton gjatë kohës së Luftës së dytë botërore.

Tingëllime të vona Nga Lek Pervizi

 

 

 

Poem kushtue familjës

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

DORIAN

 Familjës

gjyshës e nanës

babés e vllazënve

grues e fëmijëve

t’afërme të dashtun

që përjetuen

tmerrin e terrorin

e një diktature të egër

viktima të pafajshme

të   flijijueme

idhullit gjakatar

të komunizmit

 

 

 

 

 

 

 

Hyrje

 

 

         Në kushtet e lirisë  së fitueme në një vend ku mbrenon liria e demokracia, si Mbretnia e Belgjikës,  na jepej mundësia të shprehnim fjalën e mendimin, dhe të merremi me krijimtari letrare, artistike e studimore,  qe na ishin mohue nën diktaturën komuniste në Atdheun tonë. Kështu gjithçka që na ishte ndalue me dhunë e terror, me burgje e kampe internimi, patjeter se gjenin mundësinë që të kkrijohëshin, botohëshin e të bahëshin të njohuna shoqnisë shqiptare dhe të huej. Me ketë rast patëm mundësi të shkruenim e botonim vepra që i kushtohëshin asaj periudhe fatkeqe që përjetuen shqiptarët e ku ne, disa të venë në shënjestrën e diktaturës u nepërkambëm e persektuem me masa drastike kriminale, siç ishin pushkatimet e intelektualëve dhe patriotëve, që ishin formue në Universitetet ma të mira të Europës. Ata që i shpëruen plumbit u mbyllen  në burgje e kampe përqendrim, ku shumë prej tyne humbën jetën, dhe s’u gjendën as varret.  Theksoj se i shpëtuem gjalëë nga ai tmerr, lashë mbrapa, shokë të mi moshatarë, të pushkatuem e te vdekun në burgjet e kampet e internimit. Në këtë valë të një terrori mizor e gjakatar, u përfshi dhe familja jonë, jo vetëm trungi i familjës sonë, babë, gjyshe nanë e ne femijët, por dhe kushërij e farë e fisi.  Në këto kushte të pa konceptueshme e të pa besueshme për një mendje te shëndoshë të shoqnisë europiane, mue m’u dhaa që të baj disa vizatimle te kampit të Tepelenës e te tjerë,  dhe po asht të krijoj poezi që pasqyronin atë gjendje terrori që mbretnonte në atë kamp, dhe në përgjithës në gjithe Shqipninë, te mbushun me burgje e kampe internimi. Pa përjashstue gjendjën e popullit të varfën të fshatarsisë, që vuenin për copën e bukës.  Mrekullish i shpëtuem atyne kushtëëve mizore, që patjetër se do të bahësha dëshmitar i përveçëm, i tmerrëve që e katandisën Shqipninë në një burg apo varr të madh.  Kështu arrita të shkruej e të botoj disa libra me poezi të shpëtueme nga burgjet e kampet, bashkë me disa vizatime që kishin shpëtue mrekullisht. Siç dihet në sajë të këtyne vizaatimëve, doli në shesh dhe u ba i njohun kampi i Tepelenës, si ishte ndërtue e si funksiononte, që tronditën shoqninë shqiptare por dhe  autoritetet shtetnore. Jo vetëm kaq, por edhe të huejt mbetën të befasuem, si gjermanët italianët, francezët, belgët, autriakët, hungarezët etjerë vende. Kjo që treguem sa me marrë vesh se si tmerret e komunizmit shqiptar u banë të njohun brenda dhe jashtë Shqipërisë.  Tashti vijmë te ky libër me poezi në formë tingëllimesh, që unë e nisa thjesht me nja dhjetë tingëllime kushtue gjyshës sime, që e pësoj nga ky terror, ku vdiq në kampin e Tepelenës, në moshën 90 vjeçe, pas 5 vjet internim.  A e mendon lexuesi, se si internohet nje plakë 85 vjeçe, e mbyllet ne nje kamp në kushte mizore ?  Apo dhe varri i saj asht zhdukë si  të gjithë varret e tjerë të kampit të Tepelenës.ë  e të tjerë.  Kjo u ba shkak që unë të krijoj një poemë në tingëllime kushtue gjithë pjestarëve të familjës, që mori titulli, Tingëllime të Vona, sepse u krijuen pas 30 vjet që dolëm në Belgjikë., ku vetëm unë jetoj,  se ata tashmë pushojnë në paqën e përjetshme.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

GJYSHËS

 

I

Të trishta janë kto vargje që rreshtohen,

të trishta historitë që aty fliten,

të trishta po janë kohnat që kujtohen,

kur trupi bashkë me shpirtin u sfiliten.

 

Gjyshja më del para porsi vegim,

ajo qe « nanë vogla » thirrnim të tanë.

Ma pushton zemrën fort një mallengjim,

përjetoi mundime n’ moshë të randë.

 

Fisnike dhe krenare kurdoherë,

vocrrake me trup, dive për qëndresë,

n’at mjerim nuk u ligshtue asnjëherë,

 

E urtë e dashun, shum e dhanë pas fesë,

« Zoti e ban mirë » përsëriste përherë :

në mendje t’internuemve mbet kujtesë.

 

II

Grue me cilësi t’rralla dhe me vlerë,

u përfshi në ngjarjet e historisë

përkrah trimave qëndroi ma se ‘i herë,

n’ato lufta për fitorën e Lirisë.

 

Kur në Milot u grit flamuri kombtar,

pranë Gjin Pjetrit rrinte një djal’ i ri,

ishte bir’ i saj ai që fort krenar,

po përjetonte t’dishruemen pavar’si.

 

Nuk u mburr kurr për këto përjetime,

gjithmonë qëndroi si një femën zojnore.

Edhe në kushte t’mjerueshme e internime,

 

tregoi një forcë të madhe shpirtnore.

Jetën e humbi ndër ato mundime

emni saj ka me u përmend përore

 

 

 

 

 

Gjyshja, Mrika  Pervizi

Lindë në Bulgër më 1860 –  e vdekë në Tepelenë më 1950.

Psa 5 vjet internim, në moshën  90 vjeçe.

(Vizatim i autorit)

 

 

 

 

 

III

Mbas viteve të para të stuhishme,

në luftë kundër turkut dhe Serbisë,

përjetoi Atdheu kohna t’lavdishme,

me shpalljen e vendosjen e mbretnisë.

 

Djali yt ish ndër ata burrat e dheut,

që i dolën zot kombit me t’madh guxim,

ishin ata ndërtimtarë t’Atdheut,

katër trima të lidhun në bashkim.

 

Kuadriumvirat prej tyne u krijue,

Ahmet Zogu në krye sundonte vendin:

Ish bir’ i yt n’atë kohë që shum u shque,

 

Në tanë Shqipninë ata vendosen rendin,

prej tyne dhe mbretnia shum u forcue,

n’faqet e historisë do t’i përmendi.

 

IV

Ishe ti nje tregimtare e madhe

ngjarjesh të kalueme t’historisë

bashkë me legjenda t’lashta me radhë:

një thesar i vërtetë i mençurisë.

 

Flisje për Gjin Pjetrin e për Kurbinin,

për Lidhjen e Prizrenit, për burrat e dheut,

për Abdyl Frashërin, Isa Buletinin,Z

 

ogun Mbret prite sa herë,

me burrat që po ndërtonin Shqipninë

Gjergj Fishtën e madh, poetin Homer,

 

që me lahutën perjetësoi trimininë,

e Shqiptarve , që luftonin me nder,

për trojet e tyne, atdheun e lirinë

 

 

 

 

V

Re të zeza qiejt e botës mbuluen,

për Shqipninë e mjerë një kob i ri ;

hordhitë fashiste vendin e sulmuen :

ishte dita e atij shtat prilli të zi.

 

Re pas reshë dhe shpërthejti stuhia,

rruzulli u përfshi n’përleshje viganash,

shkatërrime pësoi mbar njerëzia,

n’ lufta t’përgjakshme mbetën sa djem nanash.

 

E kur dita e lirisë agoi mbi botën,

e popujt po shpresonin për shpëtim,

mbi vendin tonë djalli lëshoi shqotën,

 

ra mbi shqiptarët një ma i madh mallkim

Historia mbrapa po e kthente rrotën,

Pesonte Atdheu ma t’egërin pushtim.

 

 

VI

U vërsulen t’egra brigatat partizane,

zjarrin duke u kallë kullave kreshnike,

që kishin pas djegun hordhitë osmane:

ti dëshmitare ngjarjesh historike

 

Cilësitë e tuja aq të shqueme

për të cilat të njihnin krahinat mbarë

e gjithë vendi, si një grue t’nderueme

nuk i përfillte hiç regjimi barbar.

 

Në Laç e në Skuarj, u ngrit flaka,

mbi ato kulla kala, çerdhe shqiptarizmi

bashkë me to t’u pre dhe ty nafaka,

 

re n’kthetrat e pushtetit të sadizmit,

që burgoste e internonte pleq e plaka,

dhe i pllakoste n’kampet e komunizmit.

 

 

 

VII

Vendin, sllavo – komunizmi e zaptoi,

me hekur e zjarr e krime mizore,

mbi kullat heroike flakën lëshoi,

e mbushi trojet me burgje e me vorre.

 

Ku ishin burrat ma të mirë të Shqipnisë,

i lidhi n’hekra, i çoi në pushkatim,

të përfshiu edhe ty vala e barbarisë,

të moren, larg të tretën n’internim.

 

Atje t’ përplasën n’Tepelen’n gurore :

me mija ndër kapanone u stivosën,

ku sillej vërdallë veç vdekja mizore,

 

mbi t’pafajshmet viktima sillte kosën,

s’kurseu as pleqërinë as moshën fëmijore

Aty, gjyshe e dashun, vitet t’u sosën !

 

VIII

Lot kan me u derdhë për ata që s’janë,

për atë gjak të pafajshmish që rodhi gurrë

Mos u përsëristë ma ajo kasaphanë,

ajo kohë mizore mos u ktheftë kurrë.

 

Një vend aq i bukur, parajzë toksore,

krejt u shndrrue në burgje e kampe t’ punës,

që për shum kënd u kthyen n’të zeza vorre:

vdisnin njerëzit prej mundimi e dhunës

 

E atdheut të tanë elita e mençurisë,

u zhduk nga faqja e dheu e u shue fare:

mbaroi pafajsija n’kthetrat t’lemërisë,

 

nuk u kursyen as mosha ma mitare:

nanat u veshën me rrobat e zisë,

i humbën foshnjet e tyne ndër llahtare

 

 

IX

Hije lugetnish xhelatët vinin vërdallë,

viktima tuj kërkue n’fshatna e qytete

tmerrin përjetonin njerëzit për s’gjallë:

shpëtuen ata që u ndan prej kësaj jete.

 

Vdekje mbillnin çdo çast armët vrastare,

brigjeve tëlumejve t’llahtarisun:

kositëshin veç jetat djaloshare,

ndër gropa të përbashkëta gremisun.

 

N’prehnin e nanës përpëlitej fëmija,

për një pikë qumësht i etun i sëmurë:

kërthiqet e gjora i zinte veç uria

 

gjini i nanës ishte kthye në murë.

Kënaqëshin sadizmi e ligësia, :

shpirt katilët, xhelatët zemër gurë !

 

X

N’se vdekja të shpetoi nga ato mjerime,

ku viktimat vuenin për një kotherë,

pushteti gjakatar sajonte krime,

mos me t’lan me pushue n’vorr asnjëherë.

 

Eshtnat e tua, tri herë ndërruen vend

bashkë me qindra t’ tjerë të çvarrosun,

diktatura barbare veç ish çmend,

tmerret e saja nuk kishin të sosun.

 

Edhe sot nuk dihet vorri yt ku gjëndet,

A thue vjen një kohë që ka me u zbulue ?

emni yt përsëri do të përmendet,

 

në pllaka të mermerta ka me u shkrue,

dhe përjetësisht aty do të gdhendet,

Heroinë të pafajsisë me të nderue

 

 

 

XI

Tani që vjetët mbi supet randohen,

e flokët e zbardhun flasin për pleqni,

çastet e fëminisë më kujtohen,

kur ti më llastoje me plot dashni.

 

Aq shum pas nipave jepëshe me shpirt,

e mbi të gjithë mua fort ti me doje,

e kishe zemrën të bardhë aq të dlirtë,

s’ta bante kur zemra të na qortoje

 

.E urtë, e përvujtun e grue zojnore,

të gjithë të nderonin të vjetër e të ri,

ishe me t’vërtetë një grue arbnore,

 

stolisë me virtyte e jo me flori,

nga jeta na ndau humnera mizore,

për me u takue vetëm n’përjetësi

 

 

NANËS

 

I

Ç’të them për ty fort e dashuna nanë,

kur koha që kaloi ishte krejt mundime,

që në kujtesën tmerre na ka lanë,

plot me tortura, vuejtje dhe mundime ?

 

Qëndrove n’ato rrethana sokoleshë,

porsi shembull mbete ti e krenarisë,

me njerëz katilë çdo ditë t’u ndeshë,

që donin t’mposhtnin nderin e Shqipnisë.

 

Zonjë ishe dikur, një zonjë fort e randë,

bashkshorte e një oficeri shtatmadhor,

që gjurmë në histori po kishte lanë,

 

kur po formohej shteti i ri arbnor :

prandaj t’denuen ty aq egërsisht, nanë,

e t’pllakosën përsgjalli si në vorrë

 

II

Që në foshnjëri mbete ti jetime,

prindin ta kishin vra në pabesi,

pate asokohë të pakta gëzime,

të përjetueme e vetmueme në vogli.

 

Në Rrëshen ti linde n’shtëpi fisnore,

e u rrite me një nanë vërtet burrneshë,

ishe fejue që në moshë mitore,

me trimin tand ti kurr nuk ishe ndeshë.

 

Në Vien t’Austrisë në shkolla të larta,

oficer u kthye n’Atdhe per me punue,

i pari n’mësime me dekorata t’artaë

 

Lufta e Madhe Botnore sa ishte mbarue,

vlonin n’shpirtin e tij hove të zjarrta,

për kombin shqiptar vepra me ndërtue.               

 

 

 

 

 

 III

Dasme e madhe u ba n’at shpi kreshnike,

që kishte njoh beteja dhe lavdi,

shpesh u dogjën ato kulla historike,

prej hordhive t’pushtuesit osmanlli.

 

Grueja e një ushtaraku shum të lavdishëm,

që mënjëherë iu imponue kombit shqiptar,

jetove midis njerëzve të dijshëm,

qytetnimin njohe t’Evropës mbar.

 

Kur erdhi koha të lindësh fëmijë,

atje në mal të Skurajt burri të nisi,

tradita duhej t’ruhej n’at shtëpi,

 

ku lind kishin stërgjyshët e atij fisi,

duhet të lindnin edhe djemt e tij,

si degë t’forta n’trungun e një lisi

 

IV

Atdheu po kalonte vështirësi,

çakej të tërbuem sulëshin nga çdo anë,

anmiqt shekullor në Jug e Veri,

e përtej detit italianët breshkamanë.

 

Kërkonte Sllavi që të zgjaste dorën,

për me gllabërue trojet e Shqipnisë,

hesapet pa hanxhinë ata ndermorën,

shqiptarët i dolën zot historisë.

 

Heroin e Kombit, Bajram Currin trim,

bashkë me Prenk Jakun, dhe miq të tjerë,

prite e përcolle me të madh nderim.

 

Planet ata duke hartue përherë,

serbët me i përzanë me forcë e luftim,

trojet tona mos me shkel kurrnjëherë.

 

 

V

Ishte një kohë heroizmi e burrnie,

kur vinte shpesh Muharrem Bajraktari,

me miq të tjerë, fort u kishte hije,

si Fiqri Dinja dh’Hysni Demë luftari.

 

Të tillë burra nderonte shum Shqipnia,

patriote të shquem, kapidana me namë,

për ata do të shkruente historia,

shtetin e ri me forcë kishin rimkambë.

 

Ahmet Zogun prite n’at banesë ti vetë,

kur Preng Pervizin vinte me takue,

rrethanave t’randa zgjidhje me u gjetë,

 

anmiqt e kombit për me përballue.

Me Nanë Mbretneshën shpesh kish bisedue,

se si me ua hequn grave ferexhetë.

 

VI

Përparonte Shqipnia plot mbarësi,

tue ça detin e historise krenare,

e njohun në gjithë botën si mbretni,

me në fron Mbretin Zog të parë.

 

Nga politika u ba lamsh njerëzimi,

shtetet e vogla viktima të para ranë :

plane demoniake po thurte Mussolini,

për me gllabërue Ballkanin të tanë.

 

Me krijue donte madhshti përandorake

si në kohë t’romakve e sulmoi nga deti,

si baloz i zi, me forcat ushtarake

 

,në Durrës u duk se kishte ra tërmeti.

N’at shtat prillin e zi të pa nafakë,

Për Shqipninë e mjerë ndodhi kjameti.

 

 

 

VII

Gjëmoi deti dhe qielli i krejt Shqipnisë,

nxi me luftanije dhe plot balona,

kishte sulmue fashizmi i Italisë :

prej radiove ushëtiu n’ botë jehona.

 

Tre dit ma përpara vlonte hareja,

lindun na kishte princi trashgimtar ;

lajmi i pushtimit ra porsi rrufeja,

u largue mbreti me disa oborrtarë.

 

Mbeti vendi pa udhëheqje e ushtri,

dy orë zgjati në Durrësin qëndresa,

luftoi si luani një kapter i ri,

 

dhe ra si deshmor prej armve të pabesa :

Mujo Ulqinaku mbeti n’histori,

E lartë ishte trimnija e tij edhe besa.

 

VIII

Përjetove nanë këtë tragjedi,

me gjithë popullin patriot korçar,

mbi ballkon valoi flamuri kuq e zi,

dy muej mbeti aty një simbol krenar !

 

« Autoritetet » erdhen me të thanë :

« Zonjë e nderueme, duhet heq flamuri ! »

« Hiqnje po t’guxoni » – u gjegje nanë,

« me dorë të vet e ka vendosun burri ! »

 

Nuk ja mbajti kujt flamurin me prekë,

deri sa u kthye komandanti trim,

përciell kishte Mbretin n’shtetin grek :

 

urdhën kishte marrë prej tij për kthim :

Ora e Shqipnisë tashma kishte vdekë !

Atdheu nën fashizmin ra në pushtim.

 

 

 

 

IX

Agoi dita e lirisë u çuen shqiptarët,

Bashkimin Kombtar n’Mukje me vendos.

N’shtëpinë tande mblidheshin atdhetarët,

për ktë çeshtje të shenjtë me ba çmos :

 

At Anton Harapi, Mehdi Frashër Beu,

Fiqri Dine dhe Gjeneral Permeti,

me Hysni Demën dhe Cen Elez Ndreu,

Muharrem Bajraktari etjerë pas veti.

 

Aty Lef Nosi, e frati Pater Leka,

dh’oficera tjerë të gjithë madhorë,

për ta duke shtrue si darka dhe dreka,

 

tregove grue burrneshë e zojnore.

Por Shqinisë besa i kishte ardhun deka :

kurdiseshin për të plane tradhtore !

 

X

U tradhtue Shqipnia n’Teheran e Jaltë,

« Aleatët » të pabesë si gjithmonë,

e braktisën krejt e lanë në baltë,

komunistët përkrahen për t’keqen tonë.

 

Nuk mjaftonin bombardimet gjermane,

mbi shtëpit’ tona sa gjyle u lëshuen ;

barbare veç erdhen forcat partizane,

kullat i grabiten, dogjën e shkrumuen.

 

N’malet e Kurbinit gjete strehim,

bashkë me vjehrrën e dy djemt e ri,

prej bishës komuniste me pasë shpëtim :

 

Populli ju mbrojti me besnik’ni.

Ma vonë ju deshti me kërkue dorzim :

ne burg ju pllakosen, në kamp të zi

 

 

 

XI

Me radhë i more kampet e Shqipnisë

prej Lezhe në Berat der n’Tepelenë

me vjehrrën tande në moshën e pleqnisë,

me shumë familje tjera mbyllun mbrendë.

 

Gjomarkaj, Bajraktari, Dema, Dine,

Marashi, Sokoli, Kolaj dhe Ndreu,

prej çdo vendi verior prej çdo krahine :

një krim të tillë nuk e kisht pa dheu !

 

Uria, sëmundjet, t’ftohtit dhe mundimet,

ju katandisë në viktima t’shkreta,

vit mbas viti pllakosën internimet,

 

vdiqen n’ato kampe mija veta.

Mbi ty ranë vazhdimisht shqetsimet,

në të randa vuejtje t’kaloi jeta.

 

XII

N’ Portopalermo t’ mbyllen në kala,

n’atë shpellë e sketerrë ty të pllakosën,

me shumë viktima, pleq fëmijë e gra.

Një ditë disa oficera të llafosën :

 

« Zonjë e gjeneralit, burrin vall pret,

t’ vij me nëndetse ? Do t’turrëshe si era,

që t’ikje me atë anije nëpër det… ! »

« Gaboheni fort, zotnij oficera ! »

 

« Nuk i braktis askurr unë djem e mij,

n’dorë tuej me i lanë me u torturue :

nuk mund t’ketë për mue tjetër lumtuni ! »

 

Mbetën ushtarakët krejt të hutue :

« Hak na dha pergjigjeë Se ka n’ Shqipni,

grue si kjo krenare, s’kemi besue ! »

 

 

 

XIII

Në kampet të thrrisnin, zojë e gjeneralit,

dikush të drejtojej edhe zoja Prenë,

Të thrrisnin t’internuemit n’emën t’djalit,

Nanë e Valentinit, n’Berat e Tepelenë,

 

Valentinin e kishe fëmijën e parë

me të ti kalove atë jetë të mjerë :

akademik edhe oficer krenar,

burgjet dhe kampet përballoi me nderë

 

Nanë e Gencit të kan quejtë ma vonë,

tridhjetvjet burgje e kampe Genci i mjerë,

për aviator kishte mbarue në Rome.

 

Pastaj, nanë e Lekës, t’thirrnin ngaherë,

ky ma i vogli, me ty pat mbetun gjithmonë,

me pikturë e shkrime merrej përherë.

 

XIV

Tridhjetëtre vjet kalove n’internim,

bashkshorte e Gjeneralit e fajsueme :

njohe vetëm vuejtje e të madh mjerim,

urdhën kishte dhanë partia e mallkueme !

 

Gratë edhe vajzat e nuset e reja,

tek ti gjenin një mbrojtje veç nga dhuna,

shumë prej tyne kishin mbetun të veja,

shumë pa fëmijë, të mjera e kërcuna !

 

Ishte një ditë prilli, e një prilli të zi,

kur prej nesh u ndave ti për përherë,

erdhën t’internuemit të gjithë për ty,

 

për të përciellun plot respekt e nderë

Simbol ishe për qëndresë në Shqipni,

do t’kujtojnë bashkvuejtësit kurdoherë.

 

 

 

XV

Tani pas kaq vitësh larg në mërgim,

mendimi shkon tek ti, moj nanë e shtrenjtë,

si një andërr e bukur, si një vëgim,

për gjithë jetën time mbetesh ti e shenjtë.

 

N’ato kohna të kobshme të dënimit,

ishe ti kurajo e forca shpirtnore :

gjithmonë e pamposhtun, një grue e guximit,

që s’përfillje fare shtypjen mizore.

 

Para teje xhelatët ulnin sytë,

t’mposhtun prej asaj sjellje fort krenare :

e ndienin veten keq edhe të ndytë,

 

aq spikastey krenaria shqiptare,

që rrezatonte porsi një rreze e yjtë

n’ato të mynxyrta kampe llahtare.

 

XVI

Me pluhun mbulon koha gjithë kujtimet,

fytyren tande asgja s’mund ta mbulojë,

ripërtërihen në mendje gjithë mundimet,

që me vite të tana përballoje.

 

Ditët e f’minisë çfaqen tash e parë,

kur lumtunia n’mesin tonë qëndronte ;

ishin dit të bukura, kur e pandarë,

mirëdashsia amore veç me llastonte.

 

Peshoi randë mbi ne padrejtësia,

jetën na mohuen, na mohuen lirinë,

u dënue nga terrori pafajsia,

 

dashnia jote e përballoi lemërinë,

u thyen prangat mizore, u mposh flliqësia

e ruejte t’ pa cenueme krenarinë.

 

 

 

 

XVII

Atje në një vorr të vetmuem po pushon,

larg atij bashkëshortit aq të vyeshëm,

në gishtin tand një unazë arit ndriçon,

simbol i atij bashkimi të pathyeshëm.

 

Do t’ vij një kohë t’bashkohi përsëri,

atje në ato vorreza ku pushojnë t’ parët,

do mblidhen eshtnat anëmbanë n’Shqipni,

tretun qëllimisht nga xhelat barbarët.

 

Gjyshja e degdisun larg në Tepelenë,

ndoshta vorri saj humbi e nuk u gjet ;

eshtnat e djemve t’tu kanë marrë dhenë,

 

njëni n’Myzeqe, tjetri në kurbet :

miset e burrit ne Belgjikë po flenë,

presin që të kthehen n’ Atdhe të vet.

 

 

 

 

XVIII

Paska qenë shkrue për ne një fat mizor,

me fije të padukshme duke u tjerrë,

përjetuem llahtar, përjetuem terror,

përdhunisht na pllakosën në skëterrë.

 

Ishe shpresë n’at ferr, ishe shpëtim,

guximtare, e pamposhtun shum fisnike,

me shpirt sakrifice e me durim,

s’u trembe kurr, s’u ligshtove prej frike.

 

Na jepshe ti kurajo për me qëndrue,

n’at vend ku qëndresa kishte humb fare :

« Do t’vijë dita, që kemi me shpëtue,

drejtsia – thoje – do dali ngadhnjimtare,

mbi t’keqen e mira ka me fitue,

ka me triumfue për’sri mbi botën mbarë

 

XIX

Shkelqeu dita e fitorës të së mirës,

lumenj njerëzish me pishtarë t’lirisë,

shemben ato muret e prapështirës,

rivendosën themelet qytetnisë.

 

Nuk je e pranishme në mjedisin tonë,

për me shijue simfoninë e ngadhnjimit,

që madhërisht mbi botën ban jehonë,

n’zemrat dhe në mendjet e njerëzimit.

 

Nuk je ma krijesë ti, thjesht tokësore :

shpirt n’hapësinën e pafundësisë,

na veshtron e na ruen nga lart, qiellore,

 

me dashuninë e nanës ndaj fëmisë.

Je ma e madhja mirësi njerëzore,

je veç shprehja e përkryeme e dashunisë !

 

 

BEBA

 

I

Nga mendja nuk më hiqet ajo ditë

kur m’dole para porsi një zanë mali,

engjëll ngjaje ti prej qiellit zbritë,

aq krijesë të bukur Zoti t’ fali.

 

Ishte një dit’ maji, qeshte pranvera,

m’erdhe pranë e hirëshme si përri,

flokët e zi valëzues t’i shprishte era ;

shtangun kisha mbetun dhe gjuha mpi.

 

T’vezullonin sytë si yjet e qiellit,

e mahnitun dukej vetë natyra :

anderr ishe ti a thjeshtë një vëgimë

 

Aq të ndriste e bukur ajo fytyra

sa venitej fare dhe drita e diellit :

e zemra ime shkrihej në mallëngjim.

 

II

Nga shkumba e detit thonë se kishte dalë,

Afërdita, perëndesha e dashunisë,

bija e Zeusit n’Olimpin zot i parë,

në kohnat legjendare të njerëzisë.

 

Ti nga ajo shkumbë nuk u përftove

veç bukuria jote shqelqeu si rreze dielli,

dhe nëse jetë të trishtë ti përjetove,

ngjaje sikur ishe pikë prej qiellitë

 

Ndrite si ylli i mëngjesit në jetën time,

porsi Afërdita, që në shqipen thuhej,

ose Venusi në atë gjuhën latine,

 

që e skalitun nga Praksiteli n’shekuj ruhej.

N’se jeten kalove n’vuejtje e mjerime,

bukuria jote askurrë s’do shuhej.

 

 

 

 

 

Gjuliana Pervizi (Beba)

Vërmosh, 1948

Ajo mori emrin Beba ne Kampin e Tepelenës

si fëmijë që i shpëtoi vdekjës

42 vjet internim – dëbim

 

 

 

 

 

 

 

 

 

III

Kur më kishte pllakos fati mizor,

Në mes asaj të tmerrëshme skëterrë,

M’u shfaqe para si vëgim hyjnorë

Në zemër time ai çast mbetët përherë.

Cilido njeri ty rrugën ta lëshonte,

 

Kur si engjëll kaloje plot hijëshi,

Kush të shihte, i mahnitun t’admironte,

Për ato sy t’ ndritun, e bukur, perri.

 

I heshtun rrija aty fare pranë teje :

Fort me rrihte mue zemra pa pushim,

As një fjalë nuk mundja për me thanë,

 

Thue më kishte godit shkrepje rrufeje.

Aq fort në ty dashnia më kishte zanë,

Nuk dija n’se i çuet isha apo n’andrrim.

 

IV

Do kalonin vitet por jo dashunia,

që per ty ushqeva gjithë një jetë,

bota mund të shuhej dhe njerëzia,

por jo kurrë ajo ndjenjë e vërtetë.

 

N’zemër time mbetësh ti përore,

si n’at’ ditë maji kur per her’ të parë

ti u duke aty porsi krijesë hyjnore :

prej atij çasti mbetëm të pandarë.

 

Jeta të përplasi ndër mundime,

njohe ti ç’ishte ajo sketërra,

ku kërthiqe e njom’ kapun pas gjinitë

 

përfundove ti ndër gjemba e ferra,

e u rrite nëpër kampe dhe mjerime,

ku veç endëshin pëlhurat e qëfinit

 

 

 

V

U nxi qielli i botës dhe i Historisë

nder lufta t’kobshme popujt kacafytë.

U nxi dhe qielli i të gjithë Shqipnisë

kob e mizori na panë veç sytë.

 

Të llahtarshme u sulën diktaturat,

mbi të pafajshmit duke ba kërdi.

Çfarosën popujt, gratë, fëmijët e burrat,

thëror tuj ua flijue idhujve te rij.

 

Idhuj gjakatar, Stalina, Hitlera,

diktatura t’egra plot me parime,

naziste, komuniste, krejt antinjerëzore.

 

Dolen Pot Pota, Çausheska edhe Envera,

mbi popujt e shkretë duke ba krime,

tepër të përbindshme dhe mizore.

 

VI

U rrite ndër kto kobe, vajzë heroinë,

krenare, e pamposhtun, guximtare,

e ruejte t’pa cenueme bukurinë,

prej bishave me huqe grabitqare.

 

Si trëndafil që mbin n’gëmush të ferrës,

dhe nëpër gjembat rritet, del në dritë,

ashtu veç dole ti përmes skëterrës,

me hijëshinë tande njerëzit tue habitë.

 

Me dhimbje thurën këto vargje t’vona,

pas kaq vitësh heshtje, frike e tmerri ;

ty të kushtohën moj vajzë lëgjendare,

 

Ka me u përhapë e tyne veç jehona.

Si engjëll shpëtove prej atij ferri,

tue ruejtë hyjnore të bukurat tipare.

 

 

 

 

VII

Me ankth, me brengë, me dert e lot,

mbushën mbresat tona ndër kujtimet,

për një jetë të humbun që shkoi kot,

kur na u grabitën përdhunisht gëzimet.

 

Ish një kosë katile, kosë mortore,

ajo që me bar t’thatë kosiste lulet :

sa e sa lulet t’bukura, lule bore !

Një kujtim i trishtë që kurr nuk shkulet.

 

Moshatarët e tu, si kerubina,

ndër kthetrat mizore mortja rrëmbeu ;

kumboi e sa nan’zezave lemëria !

 

U rënqethën male dhe lugina,

vorre, vorre u gërmue mbar dheu :

përpëlitej n’ bark të nanës fëmia !

 

VIII

Prej stuhive t’prap’sive njerëzore,

ishe përfshi në moshën e pafajsisë ;

të rrembyen ato kthetra mizore,

që nuk kursenin as jetën e fëminisë.

 

Telat të rrethonin, ferra çeliku,

varun për pas gjinit t’nanës s’re,

t’ quenin edhe ty këlyshe anmiku,

fajtore se prej ’i babe kishe le.

 

U rrite tue mos njohun ç’asht liria,

bashkë me pafajsisnë ajo vorrosë ;

fort e llahtarshme ra mbi ty egërsia,

 

moshatarët t’ tu, tuj pre me kosë.

Ndër këto tmerre u denue pafajsia,

diktatura kështu kishte vendosë.

 

 

IX

Një skllave ishe mes skllavëve mizëri,

në fushat balturina tue punue :

në një grop ‘ me gjarpnin ujin tue pi,

flaka e diellit l’kurën tuj të përcllue.

 

Qysh kur lindte dita dhe binte nata

kërrusun për mbi bel tue hap hëndeqe,

rrije n’ato lluca me gra të ngrata :

urdhën kishte dhanë partia përdreqe.

 

Nanë u bane shpejt, një nanë krenare :

djemt i rrite ti, të fortë si azgana,

edh’ e pamposhtun kurrë, nuk pyete fare,

 

se mbërthye të kishte si ndër dana,

diktaturë mizoreë Fort guximtare,

ball i bane asaj për vite të tana.

 

X

Bukuria jote kishte marrë dhenë,

rrotull të vinin disa lakmitare,

xhelatët ty mir ta kishin ba benë,

për qëllimin e tyne grabitqare.

 

Porsi Zanë e malit fort inatosun,

këto katila t’ eger i shitove,

mbeten ata veç si te perdhosun :

me qendrimin krenar krejt i dermove.

 

Me zemër fisnike, besë e nder,

grue ti burrneshë; si shpatë vringlluese,

Fjala jote ra si rrufé përherë

 

Tue përmbysun ato jena gllabruese.

Nuse e re shkue kishe ti n’atë derë,

Që s’kishte njohun kurr sjellje poshtruese.

 

 

 

 

XI

Mes një dimni të madh, kallkan mbërthye,

qëndronte krejt pa shpresë jeta shqiptare:

si nje shpatë vrastare për mbi krye,

regjimi kish vendos ligje barbare.

 

Të drejtat e njeriut, universale,

ishin mohue krejt, shkelun mizorisht.

O Zot, këta përbidsha pse s’i ndale,

që i mundonin t’pafajshmit porsi Krisht !

 

Në k’të skëterrë që mbillte lemerinë,

me pranga na kish lidhun diktatura.

Jetën na rrëmbeu, na rrëmbeu rininë :

 

kockat kishin mbetun edhe lëkura.

Terrori i kuq po bante batërdinë,

tue mos kursye as gra, as fëmijë, as burra.

 

XII

Porsi ajo anije mes detit tallazor,

me ato vela të shkyeme shkon, përplaset,

por drejtimin e mban ajo peror

shkrepave u largohet e nuk u qaset,

 

ashtu dhe ne u shkapetem nëpër motët,

timonin tue mos e lëshgue kurr prej dore,

ç’ka se gjaku rridhte, rridhnin lotët:

veç për me i shpëtue dhunës mizore !

 

dh’erdhi koha që t’agonte liria:

u shëmben idhujt, përbindëshat mizorë!

Prej tyne qe e denueme pafajsia,

 

t’mallkuem në historië mbetën peror.

Llahtarue prej sish ishte njerëzia,

Për një gjysmë shekulli t’gjat’ kohor.

 

 

 

XIII

Vitet e llahtarit lanë plot mbresa,

n’zemër e në mendje t’çdo njeriu,

por mbi t’gjitha fitoi nderi e besa,

dhe per ata që vdekja na i perfshiu.

 

Me bukurinë tande fort krenare,

moj trimneshë e re kurr nuk u ligshtove,

gjithmon’ mbete e vendosme, luftetare,

stuhitë e njëpasnjëshme perballove.

 

Dhe kur mbi ty kanosej egërsia,

për me të gllabrue me kthetrat mizore,

e patundshme rrinte vendosmënia,

 

nuk pyesje ti per bishat aq gjaksore :

e pa prekëshme mbetej bukuria,

që Zoti vet’ kishte qëndis’ me dorë.

 

XIV

Emni yt « Beba » do t’mbetet lëgjendar,

me u përmend gjithmon sa të jetë jeta,

qysh n’ Tepelen’, ku f’mijët moshatarë,

si miza vdiqen e lan’ nanat e shkreta.

 

Me at’ emën përmblidhej nje histori,

që përjetëson t’rënqethshme mendime

, do t’kalonte koha dh’ emni përsëri,

do t’ përmendej për me ringjall kujtime.

 

I bukur tingëllonte kur shqiptohej,

sepse përmblidhte mosh’n e pafajsisë,

ashtu do t’mbetej, kurr nuk do t’harrohej.

 

Dhe kur jeta t’merrte rrug’n e pleqnisë,

emni do të jehonte plot me shpresë,

si mbresë e paharrueme e fëminis

 

 

 

XV

Atje në Tepelenë, n’at kamp tmerri,

pa dal drita mirë, çanga kërciste,

« Apeli ! » si lugat Selfo kapteri,

emnat duke lexue, çirrej, bertiste.

 

« Beba » ty të thrriste një kamp i tanë,

por n’ listen e zezë ndryshe ishte shkrue,

aty emni i vertetë dilte « Julianë » :

e egra diktaturë nuk t’kish harrue !

 

N’krah të nanës gjorë strukun përherë,

duhej paraqit te kapter xhelati

« këtu ! » përgjigjej nana, « këtu ! » dy herë,

 

sepse e denueme dhe ti ishe nga fati,

e degdisun keq n’at kamp skëterrë,

ku të kishte pllakos shtet malukati.

 

XVI

Si kafshë grabitqare rrinte partia,

mbi çdo përson gati me sulmue :

trishtohej burri, grueja dhe fêmija,

kush radhën e kishte me u denue.

 

Në një natë të kobshme ty të thirren

« Beba, para popullit ti me dalë,

llogari me dhan’ ! » të shanë, t’u çirren,

« ai emën Julianë, prej nga doli vallë ? »

 

Anmike ty të quejtë,n t’demaskuen,

bij e një far tradhtari n’arrati,

me shpifje e gënjeshtra të mbuluen,

 

fer s’ta bani syni, gjithë krenari,

shpifjet i hodhe posht’ që kin kurdisun,

me guxim të madh, plot fisnikëri

 

 

 

XVII

Mbetën njerëzit krejt të lemerisun,

ç’ishte ky lloj teatri, kjo komedi,

Beba me mendjen krejt të çakërdisun,

kishte friken mos kthehej n’ tragjedi.

 

Emni i ri « Juliana » ish në çdo gojë,

populli nuk po merrte vesh asgja,

ah ! moj Beba e shkretë, me ty u ba lojë,

që t’ulish kryet e të mos bajsh me za.

 

Por qe besa si femën vërtet trime,

s’deshte të ia dish për demaskim,

dhe me kokën lart s’ pyete për mashtrime,

 

kurdoherë trimnisht mbajte qendrim,

djemt e burrin pranë në kto shqetsime,

ti jetën përballove me guxim.

 

XVIII

Nuk merrte fund jo kurr përsekutimi,

që si shpatë mizore varej mbi krye,

i tërbuem vërdallë vjen sigurimi,

çdo qëndresë t’vendosun për me thye.

 

Femijën nandëvjeçar ta torturojnë

me mjete ma mizore tue e mundue,

familjen mir po duen të shkatërrojnë,

për çdo ditë e natë duke e kërcnue.

 

Sikur shqipe mali që çerdhen mbron,

ashtu Beba e kampëve mbron shtëpinë,

me ia prek fëmijët kush nuk guxon,

 

si një shqiponjë ajo e shpreh trimninë,

fjala e saj e flakët të përvëlon,

s’pyet për Sigurimin as për partinë.

 

 

 

XIX

Përse u krijuen kto kampe kaq mizore,

e kush ishte ai me mendje aq sadiste,

si bagëti me ndry qenie njer’zore ?

Bota kishte marrë të tatëpjetën,

 

qysh në Teheran dhe n’ Jaltë ma vonë,

ku « Përenditë e Luftës » ujdinë gjetën,

me e nda rruzullin mbarë në dy zonë.

Stalini mustakosh dhe i madh xhelat

Zeus atje në Kremlin – Olimp i ri –

mirë e kish mashtrue Rusveltin sakat,

Evropës për me i vu n’Berlin kuii’

 

Mesdheun donte Stalini e s’pati fat:

Çurçilli nuk e la me prek Greqinë,

Ku menjëherë çoi anglezën  ushtri.

 

XX

Nuk pyeti kush për t’bukuren Shqipni !

Si skllave n’treg e qitën për ta shitë :

komunizmi mizor erdhi në fuqi,

errësinën mbolli aty ku kish dritë.

 

Krime u kryen të rënqethshme gjakatare,

kosa e partisë nuk kursej dhe lule,

pamëshirë, njerëzit qiti fare,

e ktheu vendi në vorr, n’kufomë kërbule.

 

Porsi lubi t’mbërtheu dhe ty kërthiqe,

të përplasi në kamp, n’at ferr te zi :

shpëtove kot nga gjith’ ato rrëziqe,

 

viktima le mbrapa, qindra fëmi,

mrekulli ishte ajo q’aty nuk vdiqe :

në qiell për ty mendonte ‘i Përendi.

 

 

 

XXI

Sot, mbas kaq vite, atje ku mbretnon liria,

Madamë Gjuliana t’thrasin me nderë,

akoma nuk asht zhdukun lëmeria

që n’zemër t’kish hy qysh fëmijë aherë.

 

Emnin e bukur Beba kudo ndigjon,

i përket ai një femne fort krenare,

gjithkund ku paraqitesh të nderon,

dhe n’rrethet ma të mira qytetare.

 

Mbas kaq vjet, të vona kto tingëllime,

në medje bluejtun, tani veç gjejnë shkrimë

të pa ndamë ne ishim ndër sa mjerime,

 

për me u kuptue mjaftonte një shikim :

dashunia na shoqnoi, patëm gëzime,

Zoti, tre djem na fali, si dhurim.

 

XXII

Një dhuratë, unazë a gjerdan florinit,

dhuratë të çmueshme, s’munda me t’dhanë,

një varëse arit, me t’zbukurue gjinin,

nuk t’bleva gjatë një jete të tanë !

 

Një lule, gonxhe trendafili të kuqe,

nuk t’solla njëherë në jetën time,

sikur të vogël fare, një burbuqe,

që të buzëqeshje ti me plot gëzime.

 

Si nji tufë lulesh, t’kushtoj kto poezi,

mes tyne ndonje varg me shum shkelqim,

i mblodha gjat’ kohës me dashuni,

 

qe t’mbeten n’zemrën tande si kujtim,

si një dhuratë e çmuar, ma se flori :

me ato të kam dhurue gjith shpirtin tim.

 

 

GJENERALI

 

I

Atje ndër ato malet e Kurbinit,

ku ende jehon kushtrimi i Skënderbeut,

ku luftonin çetat e njatij Gjinit,

kundër pushtuesve, për liri t’Atdheut,

 

n’at’ Skuraj të lavdishëm plot legjenda,

mes zjarrit të kryengritjes patriotike,

linde n’ato kulla krenare, brenda,

ku farkëtoheshin ngjarje historike.

 

Orët e zanat të qëndronin pranë,

me ty mor vogëlush duke lodrue,

fatin të caktonin, jetën të tanë,

 

që ndër vite do t’shkonte tue u zhvillue ;

fort emni yt do t’shquhej anëmbanë :

Atdheut jetën do i kishe përkushtue.

 

II

Akoma në shpërgaj, foshnje kërthiqe,

n’kurriz t’nanës more shtigjet e malit,

mes pyjeve e shkrepave plot rreziqe,

për me i shpëtue anadollak vandalit.

 

Dh’erdhi dita kur vet Gjin Pjetri u çue,

Synin ta vuni mes f’mijëve të tjerë :

« Frrok – i tha prindit tand – kam mendue,

n’shkollë m’e nis Prenkën menjëherë ! »

 

I rrebt ishte prindi yt e trim drague :

« Mos me pyet or Gjin ti tjetërherë,

n’daç hidhe n’zjarr, n’daç n’ujë m’e lshue,

 

Zot je i shtëpisë, ti vendos n’ktë derë ! »

N’shkollë Gjin Pjetri vetë të ka shoqnue :

për ty një vogëlush ishte i madh nder !

 

 

 

 

 

 

Gjeneral Prenk Pervizi

Skuraj 1897- Jolimont 1977

(Foto, Tiranë,  1943)

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

III

Fort po gjimonin malet e Kurbinit,

thue një stuhi e madhe kishte shpërthye,

s’ishte e motit gjama, veç çetat e Gjinit,

fyt për fyt me turkun duke u mbërthye.

 

Gryk’s Urdhazës topi idhshëm po kriste,

e frikshme hapej malevet ushtima,

krejt i tmerruem pashaj turkisë bërtiste :

« Topa vallë do të jenë a bubullima ? »

 

Shkreptinin armët shqiptare si rrufeja,

rridhte uj’ Urdhazës kuq me gjak nizami,

gjak nizami rridhte poshtë rrekëja.

 

Mbi hordhitë osmane po bahej nami,

aq e zezë për ta ish kthye beteja :

s’u kish mbetun as nam e as nishani !

 

IV

Kur agoi madhshtore dita e lirisë,

burrat e Kurbinit, luftarë të shquem,

mbas Gjin Pjetrit lshue, si vrull’ i stuhisë,

në Milot flamurin kuq e zi naltsuen.

 

Shpërthej fjala e kryetrimit porsi flakë,

ndezi zemrat e Kurbin’sve patriotë :

« Burra t’Arbënisë, në Vlonën plakë,

shpallet Pavarësia jonë në botë !

 

« Rroftë Shqipnia ! » – thirri – dhe gjashtë herë

qiti me rëvol’, ty t’kish për bri,

Treqind pushkë kan krisun pernjëherë :

 

pesëmbëdhjet’ vjeçar ishe, krejt i ri.

Ma i madh dukej Gjini se kurdoherë,

bashkë me të ti hyne n’ histori

 

 

 

V

Në Shkodrën krenare shkollën vazhdove,

n’mësime duke u shque si kurrnjëtjetër,

me Gjergj Fishten dhe Mjeden ti mësove,

Gurakuqin, Kamsin, Mosin e vjetër.

 

Por një kob i zi ra mbi tan Kurbinin,

Gjin Pjetri luftëtar e plak i parë,

ndërroi jetë, shumë ia nderuen kujtimin,

i madh dhe i vogël mbetën duke qarë.

 

Aty u gjende ti dy lot me lshue,

për axhën që t’pat nis në rruge t’arsimit.

Atdhetarët rreth tij ishin tubue,

 

përshendetjen e fundit me i ba Gjinit.

Vajtoret ma të mira duke e vajtue,

lavditë duke përmendun të kryetrimit.

 

VI

E kobshme n’Sarajevo revolja krisi,

flakën ia dha barotit të Ballkanit :

lufta e madhe botnore shpejt ia nisi,

tmerr duke i kallun, të madh, evropianit.

 

Kufijt krejt u mbyllen, mbaroi dhe shkolla,

n’pritje atje në Skuraj ti po qëndroje.

Fati i tirrte fijet tepër të holla,

Atij, për me i shpëtue nuk mund t’guxoje.

 

N’kasapane u hodhën ushtritë anmike,

në t’pergjakshme beteja kacafytë,

faqe t’zeza shkruheshin historike,

 

me miliona njerëzit duke u mbytë,

popujt t’llahtarisun krejt prej frike :

vazhdoi për katër vjet kjo luftë e ndytë

 

 

VII

Trimni tregove shpejt të pakundshoqe,

për në Vienë t’Austrisë për m’u nisë :

shum u rrezikove e shum veç hoqe,

për me mbajtun besën e miqsisë.

 

Tre të huej, austriakë, t’kerkuen shpëtim,

n’dorën tande ranë, tue t’njoftë fisnik,

për n’Austri me u kthye me shumë nxitim,

në një rrugë t’veshtirë e plot rrezik.

 

Fatit para i dole shum guximtar,

dhe të shoqnuem me burra t’armatosun,

kaluet t’gjitha pëngesat ju për mbarë,

 

ne vend te dëshiruem duke sosun :

për tre miqt austriakë, ti shpetimtarë

N’Vienë ata të çuen siç ish vendosun.

 

VIII

Në kryeqytet t’madhes përandori,

n’Akademinë ushtarake u pranove :

ndoqe studimet me vëndosmëni,

medalje e lavdërime aty fitove.

 

Lidhe miqsi edhe me shumë shqiptarë,

studentë dhe burra shteti t’pranishëm :

Ahmet Zogun zune mik të pandarë,

ndër gjithë të tjerët ai ma i lavdishëmë

 

Një miqsi që rritej e do t’forcohej

e shum e vlefshme do ishte për Shqipninë.

Atdheu për këta njerëz do t’krenohej,

 

e do t’u a shkruente të bukur historinë.

Përandoria austro – hungare asgjesohej

në at’ vit kur ti mbarove Akademinë.

 

 

 

IX

U ktheve në Shqipni plot hove t’reja,

me Ahmet Zogun n’ Durrës u përshëndete.

Në Skuraj u ndez dasma dhe hareja,

nusja po të priste pas katër vjete.

 

Prena, quhej ajo një vajzë e re vendi:

në Rrëshen t’kishte fejue prindi trim,

besnik i kishe ndej atij kuvendi,

martesë  në Vienë s’pranove propozim.

 

Nanë Mrika nuk e përmbante gzimin,

Djali saj tashti ishte burrnue e rritun :

n’Austri kishte mbarue të naltë shkollimin.

 

Në Skuraj ai qëndronte duke pritun,

vëndimin që do t’i vinte për emnimin,

rreth komandant në Krujë e kishin qitun

 

X

Ora e Shqipnisë po zgjohej përsëri,

nga koma e pesëqinvjetëve osmanë,

ku lëngoi e pafuqishme nën robni :

shqiptarët u çuen të bashkuem të tanë.

 

Në Vlonë së pari shpallën Pavarësinë :

valoi flamuri kuq e zi krenar !

në Lushnje patriotët krijuen Shqipninë,

u nisën shqiptarët n’rrugën e mbar.

 

Ishe n’atë kohë një oficer i ri,

gati me i shërbye Kombit tand arbnor,

atje ku të thirrën u gjete me ushtri,

 

me mbrojt vendin nga çdo sulm anmiqsor.

Me çetat shqiptare luftove në veri,

me i dëbue serbët prej truellit atnor

 

 

 

XI

Legjendare mbetën ato beteja,

me Prenk Jakun dhe Bajram Curr luftarin,

binit ju mbi serbët porsi rrufeja,

duke e dëbue prej trojëve barbarin.

 

Me bataljon shetitës nëpër male,

vëndoset ju rregullin e qet’sinë,

i zhduket gjithë bandat kriminale,

q’egërsisht plaçkitnin popullsinë.

 

E kur sulmuen rebelat në Tiranë,

me pushtue qytet’n, me rr’xue qeverinë,

te një pus i vjetër pritën kish zanë,

 

me do mitroloza u a preve fuqinë,

me trima që çelik brenin me dhambë.

Guximtar ! e shpëtove ti Shqipninë.

 

XII

E kur me pabesi sulmojti opozita,

me të bukura fjalë e punë të këqija,

dolët ju në mal porsi komita,

n’Beligrad ju pranoi Jugosllavia.

 

Ish viti njëzetekatër muej qërshor,

mbas Ahmet Zogut shkuet n’arrati,

ti ndër oficerët, shtatmadhor –

shkelqeje mbi tjerët si nj’yll i ri.

 

Erdhe në mal të Skurajt me pak veta,

lëshove ti kushtrim, ish muej dhjetor,

u mblodhën rreth tejet kurbinas veleta,

 

drejt Tiranës marshimi u ndermor,

ia mbathën kundërshtar’t – kambët e lehta –

u rivendos përsëri shteti ligjor

 

 

 

XIII

Katër burra aher kish pasë Shqipnia,

që kurr ma nana nuk përkund në djep,

Ahmet Zogu i çmonte nga zotsia,

detyra të randsishme shpejt u jep.

 

N’katër zona krejt vendi ishte caktue,

katër kapidana formuen kuadrumvirat,

guvernatorë ushtarakë ishin emnue :

për Shqipninë ishte shum i madh fat.

 

Prenk Pervizi me qendër në Tiranë,

për përgatitje e rrjedhë të lartë fisnore :

Presidentit Zog veç i rrinte pranë.

 

Krizat i zgjidhi ai tepër vendimtare,

që të rrezikshme mbi vendin tonë ranë,

me veprime të shpejta fitimtare.

 

XIV

Katër komandantët e Shqipnisë

vendosën rend kudo, shtetin forcuen,

po përgatitnin ardhjen e mbretnisë :

Ahmet Zogun ata në fron e çuenë

 

Muharrem Bajraktari n’Lumë i parë,

me Fiqri Dinen edhe Hysni Demen,

miq të tu të ngushtë me fis krenar,

së bashku ju të katër fituet emen.

 

Kapidana të shquem, trima me fletë,

n’dorë Shqipninë e patët për do vite,

Ahmet Zogu ua dha ktë detyrë vetë,

 

Shtetin e ri për me qitun në dritë :

s’ishte kjo një punë aq fort e lehtë ;

me shokët e pandamë në krye ia mbrritë

 

 

 

XV

Befasisht në malet e Dukagjinit,

kryengritje e madhe plasi me tradhti,

(rob e zun’ komandën e Fiqri Dinit)

me u bashkue Malsia me Malin e Zi !

 

Kurthën kishte ngrehun mirë Serbia,

me njerëz të pabesë edhe tradhtarë,

me u coptue përfarët gjithë Shqipnia,

 

krejtas për me u zhduk kombi Shqiptar !

Presidenti Zog, n’mesnatë dimnore,

Po thrret me telefon Prenk kapidanin,

 

« Ja sot ja kurr ! Vendi po del dore :

patjetër me shpëtue na sot vatanin ! »

Fjalën ia ke dhanë, me krenari burrmore.

 

 

XVI

Si një trup i vetëm Kurbini u çue,

te Shtegu i Dhenve arritën vullnetarët,

burrat ti ma trima kishe bashkue,

shkambit përpjetë u ngjitën me litarët.

 

Krejt armatimet atje lart arritën,

ku kalue nuk kish kurr një malësor,

kryengritesit të rrethuem u topitën,

kur krisma e mitrolozit gjmoi kobnor.

 

U dorëzue pa luftë e krejt paria,

krenët e rebelimit, para asaj mrekullie :

« Si kish dalë nga ajo humnerë ushtria,

 

ku nuk guxon të shkeli thundër dhie ? »

Në pallat shkoj përgjigja me pak vija :

« Prenk Pervizi në krye t’asaj ushtrie !

 

 

 

XVII

Ceno Beg Kryeziu fort revoltue,

midis parlamentit fjalën ka thanë :

« Pren Pervizin n’krye t’ushtrisë me vu

dhe gradën e gjeneralit me ia dhanë ! »

 

T’tronditun intrigantët nga këto fjalë :

« I ri asht, President, mendja mos i rritet,

gradat le t’ia japim ma ngadalë,

kur të piqet koha e të kalojnë vitet ! »

 

U mjaftue Zogu me disa levdata,

me falenderime e fjalë të mira,

i dha disa medalje e dekorata,

 

aq ishin të forta zilia edhe smira,

q’ushqenin oborrtarët tru sakata.

Ti nuk i perfillje ato fundërrina !

 

XVIII

Kur me bujë u shpall Mbretnia Shqiptare,

dh’anëmbanë botës shkruen shumë gazeta,

katër kapidanat zon’komandarë,

u shkarkuen prej detyrave të veta.

 

Tashma Mbreti kishte fuqinë në dorë,

lypëshin servile t’i vinin rrotull,

largojti oficerët shtatmadhorë,

për të bredh pas qejfit e ndonni kotull.

 

Kur Ahmet Zogu i preu kështu në fjalë,

komandantët trima kërkuen takim :

« Që besa Ahmet ti fjalës na i ke dalë,

 

për reformat që patëm marrë vendim.

Dakord nuk jemi, ti veç me na falë,

që po të shprehim haptas këtë mendim ! »

 

 

 

XIX

U tërbuen oborrtarët intriganta,

dhe n’vesh i frynin Mbretit për komplot :

« Kujdes, Madhni, se mbajn’ në brez naganta,

e për trima çerpiku nuk u lot ! »

 

Arratinë morën burrat në dhe t’huej,

për me u largue sherreve oborrtare,

atje ku besa gjaku bahet ujë,

prej mallëngjimit të trojeve amtare.

 

Nana Mbretneshë fort e mençun zojë,

djalit Ahmet dy fjalë t’urta ia thotë :

« Si kish guxue ato trima të largojë

 

që ma besnikë nuk i gjen në botë ?

Ndigjo mor bir se nuk asht jeta lojë,

E mos u beso kurr njerëzve të kotë ! »

 

XX

Prenk Pervizi mori vendim me mend,

shkollën e Luftës në Torino me krye,

me gradën major vazhdojti student,

Atdheut shum ma mirë për me i shërbye.

 

Kolonel ma vonë u kthyen n’Shqipni,

me detyra të randsishme u caktue :

n’Komisionin Nderkombtar n’Abisini,

vëzhgues për atë luftën që u zhvillue.

 

Pranë shtabëve t’Badoljos e t’Gracianit,

qëndroi gjashtë muej e mori njoftime,

të Musolinit mori vesh, hartues i planit,

 

që për Shqipninë kish të kqija qëllime :

do të versulej Duçja kundër Ballkanit,

për të vazhdue ma tej t’reja pushtime.

 

 

 

XXI

Manovra të mëdha mban Italia,

me armatime fort Duçja kërcnohet,

asht e pranishme aty edhe Shqipnia,

e parë ndër delegacionet prezentohet.

 

« Jeni popull trim ! » – thotë Musolini.

« Por i vogël fort ! » – ia pret shqiptari :

« Të madh ne do ta bajm ! Ju mirë ta dini »

« Ne na mjafton siç asht ! » – Gjegj komandari.

 

Dy herë te Mbreti Zog hyn oficeri :

« Ahmet, mbrojtjen ma jep t’Atdheut tonë ! »

Mbreti po e vështron si fort për seri :

 

« Me Italinë miqsi kem përgjithmonë.

Prej italianve nuk na vjen kurr sherri ! »

« Mbret, mendohu mirë sa nuk asht vonë ! »

 

XXII

Me shtatë Prill u nxi qiell’i Shqipnisë,

si prej termetit gjithë vendi u trondit :

fronin braktisi Zogu të Mbretnisë,

në Qafë Thanën me vetura u ngjit.

 

Tre dit Leka i vogël qante për gji,

nanë Gjeraldina pranë tuj e pajtue.

Kaloi familja atje n’Jugosllavi,

Mbet Mbreti vetëm, veç tuj u mendue :

 

« Hakut, Prenk Pervizi, m’paska dalë ;

oborrtarët e mi më kanë tradhtue !

Burrë besik e komandant i rallë :

 

Qysh për ktë punë mos me i besue !

Në Korçë Kolonelit me i çue fjalë,

Veç ai mundet tashti me na ndihmue !

 

 

 

XXIII

Korça peshë ish ngritun, qyteti i tanë,

« Armë ! » duke kërkue, dh’armë nuk ka,

radiot po buçasin t’huejat nga çdo anë,

prej Tirane s’ndigjohet as një za.

 

Komandanti trim fort asht ngushtue,

ushtri s’po ka dhe pa armatime mbetë,

me popullin qëndresë me organizue,

secili me armët e veta e me fishekë.

 

Tre dit pa lajme mbeti Korça e shkretë,

para postës të mbledhun duke pritë,

Prenk Pervizi aty qëndronte vetë,

 

don me fillue qëndresën si komitë.

Po na i vjen lajmi : « Mbreti po të pret ! »

Veç ka mbet pa mend, fort asht dhe çuditë.

 

XXIV

Në Zemblak kish zanun Mbreti vend,

te shpija e Gani Kullës plak i parë,

i njohun për burrni edhe për mend,

një fis fort atdhetar dhe shum bujarë

 

Përball u gjetën të dy miqt e vjetër,

Mbreti e Prenk Pervizi i madh besnik :

u përqafuen aty si asnjëherë tjetër,

gjendja ishte e randë e plot rrezik.

 

« Mbret, sa ma shpejt kushtrimin me lëshue,

luftën lart nëpër malet na me nisë,

ty të kemi kryetar me komandue,

 

në ball për me i qëndrue ti sot Shqipnisë ! »

« Jo ! se një t’keqe vendit ia kam prue,

s’due me i sjellë damtime popullsisë ! »

 

 

 

XXV

Komandanti Prenk fort ish zemrue :

« Oborrtarë t’pabesë dhe intriganta,

a e shihni ju, ku vendin keni çue ?

mbi ju duhet të kriste sot naganta !

 

T’gjithë ktu meritoni me ju varë,

porsi cironkat’thata, si tradhtorë !

Po t’ju pikasi populli korçar,

ka me u versul mbi ju tepër mizor ! »

 

« Ahmet Zog vendos, në luftë me pri,

ja sa ma vrik këndejti me u largue,

se populli i tërbuem vjen me na gri,

 

Ose italianët vijnë me na rrethue ! »

Tronditun foli Mbreti : « Në Greqi !

Komandën merre shpejt me na drejtue ! »

 

XXVI

Me mija e pasuen Mbretin në Greqi,

atje në Folorinën zuni vend,

pa fron e pa kunorë e pa mbretni,

si peshku n’ranë kish mbetun përnjëmendë

 

Shurdhët i bani veshët bota mbarë,

mohit i ra Evropa keqas Shqipnisë :

protestat e Mbret Zogut s’patën farë,

humbisnin sikur zani mes shkretisë.

 

Urdhën ty të dha për m’u kthye n’Atdhe,

dhe gradat mirë t’i njohu gjeneral :

lamtumirë e trishtë, shkon loti rrëke,

 

përmallimin e fundit kush s’e ndalë

Mbaroi kështu Mbretnia porsa kish le,

Prej Duçes Musolinit kokë batall

 

 

 

XXVII

Nën zgjedhë fashiste kishte ra Shqipnia,

Atdheun e kish përfshi, i madh, trishtimi.

Në shesh po dilte e poshtër tradhëtia :

shitun disa shqiptarë të Musolini.

 

Kunorën e Skënderbeut ia çuen Viktorit,

me një turp të madh ata veç u damkosën,

flamurit i vunë shenjat e liktorit :

vetën e tyne përjetsisht përdhosën.

 

Por e papërlyeme mbetej tanë ushtria :

komandantët shqiptarë morën vendim,

kur plasi lufta andejti nga Greqia,

 

bataljonet mos me marrë pjesë n’luftim.

Kur iu kërkue Badoljos llogaria :

« Prej shqiptarve e pësuem këtë deshtim ! »

 

XXVIII

Atje në Berlin u inatos Hitleri :

« Ç’ asht or Duçe kjo disfatë n’ Greqi ? »

Musolini kur foli rrebtë Fyhreri :

« Shqiptarët na tradhtuen : » tha, surrat nxi.

 

Në malet e Pukës t’çuen për denim,

me pjesë t’ushtrisë e bataljonët tjerë,

italianët i kish kap i madh friksim,

mos shkatohej prej jush ndonjë poterë.

 

Parianit ia kishe ba fare t’qartë,

se ushtria shqiptare e pavarun qendronte,

me një krenari t’pashoqe të lartë.

 

Italia me i cenue nuk guxonte,

i kish dalun me shqiptarët fort thartë,

kur në njëzetën n’Vlonë keq e pësonte !

 

 

 

XXIX

Fatet e luftës u rrok’llisën shpejt,

Musolini na e theu qafën nga fiku,

në Mukje Shqiptarët u mblodhën krejt,

për Bashkimin Kombtar n’ktë çast rreziku.

 

Tetë shtatori solli kapitullimin,

në krye t’ushtrisë, gjeneral shqiptar,

Dalmacos ia imponove dorëzimin :

Valoi përsëri flamuri ynë kombtarë

 

Asambleja kushtëtuese na u formue,

me i dalun zot fatëve të Shqipnisë,

prej Kosove n’Cameri atdheu u bashkue,

 

ty të vendosën n’krye të gjithë ushtrisë :

kufijt etnikë kurr ma mos me i lëshue,

me ia pre krejt turrin lakmiqar Serbisë !

 

XXX

Në Shqipni gjermanët kishin qëndrue,

vendin tonë neutral veç duke e shpallë,

rrugë kërkonin vetëm për me kalue,

në Gjermani tashma po kthenin dalëë

 

Konferenca ish mbajtun në Teheran,

mes Curçillit, Rusveltit dhe Stalinit,

botës këta të tre me i gjet derman,

mbas dorzimit pa kushte të Berlinit.

 

U tradhtue gjithë çeshtja e Shqipnisë,

Aleatët, shqiptarët, i lanë në baltë,

veç shpetuen territoret e Greqisë,

 

për Evropën lindore u tha në Jaltë,

t’invadohej prej ushtrive t’Rusisë.

« Zoti ato tradhtarë kurr mos i faltë ! »

 

 

XXXI

Shpresa të medha lindën për shqiptarët,

me u bashkue në një shtet t’vetëm etnik,

por t’asaj mendje nuk ishin sllav – barbarët,

që politikën n’Shqipni sillnin vërtik !

 

Partinë komuniste ata kishin formue,

Gjoja në luftë kundër okupatorit !

Komunistët shqiptarë kishin gabue,

Duke u lidhun pas qerres sllav mizorit.

 

Qeveria kombëtare nga ana tjetër,

me një Këshill të Naltë në krye të shtetit,

prej katër burrash t’urtë patriotë të vjetër,

 

Kosovën kërkonte të mbante pas vetit,

me fakte konkrete e jo me fjalë në letër.

Shqiptarët po gjendëshin mes sikletit.

 

XXXII

Prenk Pervizi, në krye të gjithë ushtrisë,

Gjermanëve u doli në kundërshtim :

Trupat SS ata donin me kurdisë,

« Jo , kjo s’bahet ! » tha komandanti trim.

 

T’ zemruem teuton’t u prishën me shqiptarët.

Kta në mal shpejt dolën me qeveri,

atje të bashkuem të gjithë atdhetarët,

kërkonin me shpëtue t’mjerën Shqipni.

 

Hesapët po i banin kta pa hanxhinë,

sepse aleatët me anglezët diplomatë,

i mashtruen ma së miri dhe i përzinë,

 

vendosmëninë e tyne tue luhatë.

Anglez’t donin me shpërblye Jugosllavinë,

Me ia rikthye Kosovën si një dhuratë

 

 

 

 

XXXIII

Krenar qëndrove n’malet e Kurbinit,

bashkë me anglezët n’orvatje për shpëtim,

i propozove gjeneral Mek Linit,

planin ushtarak për organizim.

 

Nga ai vesh anglezët fare nuk ndigjonin,

e ma tepër mendonin për kuzhinën,

si ma mirë me ngranje ta kalonin :

shqiptarëve tashma ua kishin kthye shpinën.

 

I shoqnove n’Skuraj e t’Velës male,

duke i mbrojtun nga sulme e pabësi,

n’kala të Lezhës me ta ti u përfale,

 

kur vendosën t’largohën n’Itali.

Fisnik burrë njaty hapin e ndale,

edhe u ktheve trimnisht n’tandin Kurbi.

 

XXXIV

Mbetën atdhetarët si peshqit n’ zallë,

t’braktisun nga aleatët n’mëshirë të fatit ;

dikush me ta sikur deshi me u tallë,

duke i lanun në dorë të malukatit.

 

Ishte ky malukat veç komunizmi,

që duke mohue atdheun dhe Shqipninë,

po çfaqej si regjim kanibalizmi,

mbi vllaznit e vet duke ba kërdinëë

 

Njëni pas tjetrit u vranë gjithë patriotët,

duke luftue në mal me pushkë në dorë,

rrëke kullonte gjaku, kullonin lotët,

 

krime po kryheshin nga ma mizore.

Do t’rridhnin ditët, do t’kalonin motët,

E s’ do t’pushonin vajtimet mortore.

 

 

 

XXXV

Vriste dhe priste ky shteti xhelat,

Llesh Marashin, Prek Calin, Marka Gjonin

E pësonin të tjerë të njejtin fat :

Jup Kazazi, Lef Nosi me At Antonin.

 

Nga Gjyqet Speciale pat fillue kërdia,

denime me vdekje, batare ekzekutime,

në vorre po kthehej e tanë Shqipnia,

në burgje mizore, kampe, internime.

 

Diktatori katil quhej Enver,

sikur e kish krijue djalli vetë,

i denjë për me sundue atje në ferr,

 

e jo përmbi Shqipni në këtë jetë.

Populli po ia shihte mirë atë sherr :

Shëndrrohej gjaku i krimeve në detë !

 

XXXVI

Të Skurajve ju male lavdiplotë,

në shekujt kala e pamposhtun qëndrese,

e treguet dhe njëherë ju në botë,

se ruenit tradita burrnie dhe bese.

 

Ndër juve u strehue gjenerali komit,

me forcat e ndjekjes ai duke u tallë,

që orvatëshin m’e rrethue natë e ditë :

si kuajt në lamë veçse vinin vërdallë.

 

Hoqën njerëzit tortura e mundime,

pati t’pushkatuem etjerë t’burgosun,

edhe kalamajt pësuen kërcnime,

 

besnikë qëndruen të gjithë e të vendosun.

Shefat e mbrojtjes pësonin deshtime,

të zhgënjyem, të mposhtun e të dreqosun !

 

 

 

XXXVII

Skuraj një fshat malor fshat historik,

që në shekujt përmendet për lavdi,

Gjergj Kastrioti e zgjodhi vend strategjik,

për me sulmue t’anadollakut ushtri.

 

Vend i Kok Malçit, plakut shum mentar,

që u miqsue me njat Skenderbeg kruetanin :

aty luftoi Pervizi Skura, k’shtjellar,

kur u rrethue prej hordhive të Sulltanit.

 

Te kisha e Shna Prenës u grit shkolla,

shqip për me lëxue e për me shkrue,

kur Turkia na kish lidhun porsi bolla,

 

s’donte me lanë Shqipninë me përparue.

Nxore ti Gjin Pjetrin me ato sokola,

që në Milot flamurin patën çue.

 

XXXVIII

Në pyjet e Skurajt gjete strehimin,

te fisi i N’koll Llesh Gjokës ke zatet,

vërdallë e solle ti gjithë Sigurimin,

kurr n’e kurrës nuk mundën me të gjet.

 

Nipat e tu trima mbajte veç pranë,

njat Nikoll Pal Gjinin, trimin velet,

trim drague me brejt hekur me dhambë,

njeri pa fjalë por pushka mirë po i flet.

 

Vellain e tij Ndue Palin burrë besnik,

dhe Ndue Gjergjin të parin ndër luftarë,

që i këndon pushka dhe zani si poet,

 

me nip Preng Lleshin t’fortin nishantar,

që s’ pyet për Sigurim as për anmik :

në kangët do t’këndohën legjendar.

 

 

 

XXXIX

Ndër ato malet e Shqipnisë veriore,

kishin mbetun veç katër komandarë,

oficerët ma t’shquem t’ushtrisë arbnore,

burra t’jashtzakonshëm, trima e luftarë.

 

Në Lumë gjithmonë Muharrem Bajraktari,

n’Dibër Fiqriu e Hysni Dema qëndrojnë,

n’malet e Kurbinit rrin gjenerali,

njena pas tjetrës brigatat vërshojnë.

 

Vërshojnë brigatat veçse tuj ba krime,

tuj kërcnue njerzit e tuj pushkatue,

ti qëndroje i sigurt n’ato strehime :

 

vërdallë komunistët si qen t’tërbue,

koha kishte ardhun me marrun vendime,

miqve u çove fjalë n’Greqi me shkue.

 

XL

Me veprime guximtare e me çeta,

tre shok’t e tu kaluen n’Maqedoni,

Në luftime t’ashpra humbën sa veta,

deri sa dolën n’kufi në Greqië

 

Ti një ushtarak me të madhe përvojë,

me krye vendose aksion me befasi,

ia punove shtetit një taralojë,

Sigurimin të tanë e ke përzi.

 

Fillikat e vetëm zbrite n’ Tiranë,

mes qytetit tuj shkue nëpër pazar,

u takove me disa miq Toptanë,

 

Dhe me djemt e tu trima dhe shkollarë.

Ndue dhe Llesh Gziqin miq i kishe zanë,

burra besnikë e Mirditor bujar

 

 

XLI

Dhjet dit ndejte aty si një mik i rrallë,

kafe, duhan, raki tuj pi me Lleshin.

Në Skuraj komunistët vijnë vërdallë,

ndërsa të dy miqt bisedojnë e qeshinë .

 

Ishte Genci djali yt fort guximtar,

Llazi Sterjon, shoferin, vrik ta gjeti,

Llazi Sterjo, një trim e besnik korçar :

me makinën atje n’kufi t’zateti.

 

Pak dit kaluen, flet radioja e Greqisë,

Prenk Pervizi shqiptarët përshendet,

Enver Hoxha me grusht bie skrivanisë,

 

Prej marazit zen çirret dhe bërtet

Koçi Xoxës edhe gjithë Ministrisë,

llogari u kërkon, shum keq u flet.

 

XLII

Fillojti jeta jote n’arrati,

me Bajraktar, Fiqri, Hysni bashkue ,

plane duke thur me u kthye n’Shqipni,

regjimin komunist për me rrëxue.

 

 

Tani me anglezët miqt e juej të vjetër,

Gjeneral Meklin dh’Amery Julianin,

Përsëri ia niset edhe një herë tjetër,

Si me shpëtue Shqipninë e tanë Ballkanin.

 

Por politika lozte role t’kqija,

Dh’Aleatët vetë e sabotuen atë plan,

Nuk e lanë Zogun t’vinte nga Greqia :

 

Organizimi mbeti pa taban.

Me spiun Filbin na u sajue tradhëtia,

Resitenca n’Shqipni shkoi fare dam

 

 

XLIII

Disa vjet i kalove në Greqi,

një mik të ngushtë atje kishe pas zanë,

i ndodhi atij ma e madhja fatkeq’si,

prandaj t’u desht atë vend veç për me lanë. 

 

Belgjikën zgjodhe për me kalue jetën,

ku Muharremi e Fiqriu kishin shkue.

Por n’Italinë oferta ty të gjetën,

Gjeneral italian ti me vazhdue…

 

S’pranove kurr të tilla propozime !

Ndërkaq ti, John Kenedit President,

I drejtove mesazh me t’shumta shkrime,

 

Me Shqiptarë me formue një detashment,

me shqiptarët me krijue një ushtri trime,

Në luftën e Vietnamit për me u gjend.

 

XLIV

Me mbretin Zog dhe patriotët e tjerë,

u takuet n’biseda zgjidhje me gjet,

por hasët n’kundërshtime ma se ‘i herë,

e nuk u arrit marrëveshje e t’vërtetë.

 

Shqiptarët i kishte zanë amullia,

përçarjet nuk i linin kurr rehat,

u krijuen organizata e partia,

bashkimi i shqiptarve aq e pat !

 

Me Bajraktarin e me miq tuej besnikë

me biseda kalon koha e mërgimit.

Fjalime mbajte n’ festat në Belgjikë,

 

Që të mblidhën shqiptarët rreth bashkmit,

t’mos coptohën n’shoqatat e partitë

veç në bashkim gjendët rruga e shpëtimit.

 

 

 

 

XLV

Prind i dashun, mes stuhive të jetës,

kalove si një shqipe fort krenareë

Me flakën e pishtarit të s’vërtetës,

veprat e tua ndriçojnë si lëgjendare,

 

të shkrueme n’histori me gërma t’arta,

se Zot i dole Atdheut n’ koh t’vështirë,

i pajisun me dije e ideale t’larta,

për Shqipninë ti punove gjithmonë mirë.

 

Atje pushon i vetëm në Belgjikë,

në një vorr të thjeshtë herojsh, përkohor

Patjetër ka me ardhun ajo ditë,

 

që të ngrihet një i bukur përmerndor,

për ty, nanën e gruen edhe fëmijtë,

burrat e fisit, heroj dhe dëshmorë !

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

TRE VLLAZNIT

I

U shtjellue historia e tanë njerëzimit,

me qytetnime t’lashta shekullore,

me popuj ndërtues, pëhapës zhvillimi,

siç ishin Pellasgët e rracës arbnore.

 

Por mbi të gjitha luftat shkatrrimtare,

përmbysen miradinat e krijueme

e korrnin vdekjen nëpër botën mbarë,

me krime të hatashme e të shemtueme.

 

Zhdukëshin popujt si t’ishin bubrreca,

më kasaphane, të përbindshme, llahtare :

hordhitë barbare si re me karkaleca,

 

kudo që shkelnin, s’binte bari fare.

Përpëlitej njerëzimi në ngatrresa,

N’genocide e holokauste gjakatare.

 

II

Faraonë, tiranë, mbretën e diktatorë :

njeni kalue tjetrit, katil e xhelat,

q’e shkruenin historinë me gjak njerzor,

duke zhdukun n’hiç viktimat pa fat.

 

Ma i tmerrëshmi nder ta veç ish Neroni,

që Koloseun e kthej në një skëterrë,

kërdinë mbi t’krishtenë ban i patënzoni ;

ushqim egërsinash hidhte ato të mjerë !

 

i mbeti emni atij, simbol gjakatari :

histeria vazhdonte me Neronë tjerë

që u ngritën mbi botë me huqe barbari,

 

t’pafajshëm tuj vra, tuj djeg e tuj therë.

Ndër do te shquhej një pjellë shqiptari,

kalue Neronit e nazistit Hitler

 

 

 

 

Tre vllaznit

Lek, Valentin e Genc Pervizi,

40-47-42, vjet  burgje e kampe internimi.

(foto, Gradishtë, 1970.)

 

.

 

 

 

 

 

 

III

Gjëmimi i luftës jehonte mbi botën,

përfshinte mbarë rruzullin tonë toksor :

diktatorët u ngritën porsi Zotën,

duke mbjellun veç mizori e terror.

 

Kombet u sulën n’ lufta viganore,

u kacafytën për vdekje ushtritë anmike,

duke i harrue t’gjitha lidhjet vllaznore :

përjetonte njeriu çaste kritike.

 

Teutonët gjermanikë për rreth Hitlerit,

kërkonin për me sundue botën mbarë,

prej Afrike deri ne skaj të verit,

 

prej Aglisë dhe përtej maleve Urale.

Dridhëshin popujt e mjeruem prej tmerrit,

Me miliona viktima mbetën t’vrarë.

 

IV

Nga ana tjetër njaj Stalini, muzhiku,

duke i dredhun musteqet me sadizëm,

orvatej me parime karabediku,

botën për me përmbyt me komunizëm.

 

Duçe Musolini mendje flureci,

për me krijue romakën perandori

andrronte, deri sa në Ballkan ngeci,

n’Shqipni së pari e mandej në Greqi,

 

i varun për kambësh përfundoi i shkreti.

Ashtu dhe miku i tij, Hitler gjemani,

veten ky vrau dhe në bunkerin treti.

 

Përfundimisht u mposht allamani,

Por Evropën rrezik tjetër e gjeti,

U nda në dyshë nga Jalta e Teherani

 

 

 

 

V

N’ Teheran u kry s’pari tradhtia,

nga Stalini, Rusvelti dhe Curcilli.

Rusvelti i semunë nga psikopatia,

ra në kurthën e një Stalin bandilli.

 

Fati i Evropës u përcaktue në Jaltë,

Ku ndër viktimat ishte dhe Shqipnia,

Aleatët e dashun e lanë në baltë,

Gjithë Evropën lindore e përpiu Rusia.

 

N’ vorbullën e k’tyne ngjarjeve t’vështira,

u gjetëm ne tre vllaznit të pllakosun,

e morën fund për ne kohnat e mira :

 

filluen stërmundimet e pa të sosun,

gjithë jetesën tonë e patëm të nxirë,

gjithë kohën ndër kampet e të burgosun.

 

VI

Tre vllazen ishim, si deget e nje lisit,

lindun atje n’ato kulla kreshnike,

nen hijen e rande te kalase Pervizit

te Skurajve, komandar me veti fisnike.

 

Ndoqem ne shkollat qe ne moshe foshnjore,

n’Itali : Torino, Modena e Roma,

per me i sherbye tokes sone arbnore,

me t’nalta dije dhe t’arta diploma.

 

Valentini e Genci, vllaznit ma t’moshuem,

moren drejtim ne shkollat ushtarake,

me detyra te ndryshme u caktuen.,

 

i madhi ne kalorsi, tjetri n’armen flutrurake,

perjashtim une bana, krejt i frymezuem,

nga arti e poezia, te dyja dege binjake.

 

 

 

VII

Ne krye te vendit na kish hyp Enveri,

nje shpirt katil edhe xhelat mizor,

e katandisi vendin ne shpell’ ferri

me krime te llahtarshme e me terror.

 

Zakon e kish pasun qe n’femini,

zogjt e klloçkes ne muret me i pllakose,

mbi shqiptaret e vet bani kerdi,

i mbylli ne burgje, i korri me kose.

 

Ato masa ekstreme nuk na kursyen,

dhe ne tre vllaznit, bashke me te tjere,

si jeten dhe lirine na i rrembyen,

 

na katandisen ne nje gjendje t’ mjere,

na ulen dinjitetit edhe na fyen,

edhe donin te na zhduknin çdo vlerë.

 

VIII

Nder burgje e internime na shkoi jeta,

thelle t’izoluem ne skutat malore,

ne kampe çfarosje, moçale e keneta,

keshtu ia kish qejfi qeverise mizore.

 

Valentini, ma i madhi, e pesoi i pari,

ne dhjetor dyzetekater ne burg u pllakos,

nga grueja e ndau Mehmet Sheh barbari,

dyzeteshtatevjet n’denime u rropos.

 

Krye shkollat e nalta ushtarake,

ish kthye n’atdhe me i sherbye Shqipnise,

po ashtu s’mendonte partia zhabulake,

 

u arrestue me urdhen te qeverise

me disa akuza absurde teper qesharake:

kryhej vertet denimi i pafajsise.

 

 

 

IX

Kur u gremis statuja e diktatorit,

dhe flladi i lirise po fryente mbi Shqipni,

ai mori udhetimin n’ate muej te frorit,

per ne qytetin Bologna n’Itali,

 

ku, prej dyzeteshtate vjet e shoqja e priste,

kjo Penelope e shekullit njezet,

keshtu e deshi partia komuniste,

duke e nda dhunisht prej burrit t’vet.

 

Valentini, Uliks i kaluem Uliksit,

pas i gjysme shekulli me gruen bashkohet,

njeni tjetrin s’e njohen, aq kishin ndryshue,

 

kur mendon njeriu, shpirti trishtohet,

si kto gjendje absurde me u krijue !

Aq ma teper diktatura denohet.

 

X

I dyti, Genci, po ashtu e kish pesue,

me burgje, tortura te tmerrshme, çnjerezore,

krenar e i pamposhtun, kurre s’u dorezue,

i qendroi sypatrembun dhunes mizore.

 

Perjetoi terrorin e t’hatashme tmerre,

si mbyteshin njerezit me t’egra tortura:

shkrumoheshin ne zjarrin e asaj sketerre,

intelektuale te nalte e patriote burra.

 

Me vite te tana, kanale tuj germue,

ne fushat moçalore te bujqesise.

Ne ato kushte te randa u martue,

 

me nje vajze kampi, te shoqnise.

Me femi Zoti e kishte gezue,

por jeta iu pre ne pragun e liris

 

 

 

XI

Pishtaret e lirise mbi boten u ngriten,

duke u versulun si lumej te perflakun,

diktatoret mbeten te lebetitun,

mbi qafen e tyne e ndienin lakun.

 

Trupi yt nga torturat i dermuem,

nuk mundi me durue, keq u degdis:

prej shoqnise u ndave, shum i nderuem,

nuk e shijove fitoren e lirise.

 

Atje ne nje koder te fshatit Spalat,

pushon dhe ti ne nje vorr vetmitar,

pret pa durim qe te vije ai fat,

 

me u bashkue me te tjeret familjar,

atje ne Skuraj, n’at mal e n’at shpat,

ku kshtjelli i Pervizit ngrihet krenar.

 

XII

I treti, jam une, qe vargjet po shkruej,

tmerret kalova me shume te tjere,

tash gjendem larg ne vend te huej,

ato kohna te trishta kujtoj perhere.

 

N’se artin ushtarak vllaznit pervetsuen,

une, i perveçem, tjeter drejtim mora,

me artin e piktures e te poezise i dashnuem,

mendja me punojti per to edhe dora.

 

Nuk vlenin kto aftesi per diktaturen,

nder kampe mizore ne u groposem,

xhelatet kriminele kishin zanat torturen,

 

egersisht na persekutuen e na rroposen,

na dermuen trupin, ne ropen lekuren,

persegjalli ne burgjet na vorrosen.

   

Takim prezantues për romanin e ri “TRIPTIKU I MAGJISTARËVE” të Bashkim Shehut

F T E S Ë

Të nderuar miq të Librit dhe të Botimeve Toena
Ju ftoj të merrni pjesë
në takimin prezantues për romanin e ri me titull
“TRIPTIKU I MAGJISTARËVE”
të shkrimtarit Bashkim Shehu.

Të premten, më 21 shkurt, ora 12:00,
në sallën “Akademikët” në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë.

Me respekt për ju,

Irena Toçi
Drejtore e përgjithshme
Botimet Toena

Pas përpjekjeve për shumë vite – Poezi nga Michelangelo Buonarotti – Shqipëroi Astrit Lulushi

Michelangelo Buonarotti, piktor italian, skulptor, arkitekt, poet. Poezitë e Mikelanxhelos karakterizohen nga një platonizëm; adhurim për femrën që e cilësonte superiore dhe nuk guxonte t’i afrohej.

“Pas përpjekjeve për shumë vite”, nga Mikelanxhelo
(shqipërim)

Pas përpjekjeve shumë vjeçare,
njeriu i aftë, tani, pranë vdekjes,
është në gjendje ta kuptojë
imazhin brenda gurit.
Madhështia vjen ngadalë,
por për ne nuk zgjat shumë.
Njësoj vepron Natyra;
përpiqet të krijojë
bukuri të rrallë
dhe me ty e arrin.
Tani asaj po i ikën koha
siç ndodh me fundin e karrierës.
Frika, qëndron pranë bukurisë,
dhe ushqen dëshira të çuditshme.
Kështu, mendja në heshje bie, s’thotë dot
kush është më i madh; gëzimi apo dhimbja,
megjithëse pamja jote lajmëron Fundin e Ditëve,
ajo përmban imazhin e  herëshëm
dhe mua më jep kënaqësi të madhe.

Dimensioni universal i veprës letrare të shkrimtarit grek Nikos Kazantzakis – Nga Stavri J. Dajo

 

Nikos Kazantzakis (1883-1957) është, pa dyshim, një shkrimtar dhe dijetar i madh i shekullit XX. Prozator, poet, publicist, dramaturg, politikan, muzikant, eseist, përkthyes i letërsisë, filozof, studiues, kritik letrar dhe, më së pari, një udhëtar i përjetshëm, la një trashëgimi shpirtërore të vyer dhe një vepër të begatë letrare, poetike dhe përkthimore lexues-ndjellëse. Kualifikohet si shkrimtari bashkëkohor grek më i vlerësuar dhe më i përkthyer, i promovuar në listën e emrave më të shquar të letërsisë botërore.

Kazantzakis ka qenë 14 herë kandidat për fitimin e çmimit letrar Nobel nga viti 1937-1957, me propozime kryesisht nga organizma ndërkombëtarë, personalitete të lartë të letrave si Albert Kamy (Albert Camus, 1913-1960) por dhe nga vet Akademia e Shkencave e Suedisë dhe e Norvegjisë. Fakti që nuk e fitoi këtë çmim lidhet vetëm me faktorë jashtëletrarë, me mëri tinëzake të kolegëve ose me ndërkëmbje të administratës dhe interesa meskine të grupeve të ndryshme politike të kohës. Megjithatë, mosfitimi nuk zbeh kurrsesi prestigjin e lartë ideoestetik të shkrimtarit. Këtë e dëshmon më së miri romani i tij i mirënjohur “Zorba”, i cili rreshtohet në 100 librat më të dalluar letrarë të të gjitha kohërave të letërsisë botërore, sipas sondazheve të Qendrës Norvegjeze të Librit (2002).

Kazantzakis u takon autorëve të paktë klasikë botërorë që interesi leximor dhe tregtar i veprës së tyre mbetet dhe sot e gjithë ditën i papakësuar, madje me një përshkallëzim rritës (në kundërvënie me Stendalin apo dhe Herman Hesse p.sh.) dhe si i tillë mbetet aktual dhe aktiv.

Kazantzakis përbën rast unik në historinë e letërsisë botërore: u imponua në opinionin letrar dhe të institucionalizuar të vendit të tij përmes karrierës dhe vlerësimit ndërkombëtar(!) Megjithëse u luftua pa mëshirë dhe për motive të dobëta nga ekstremi i majtë dhe i djathtë politik i kohës, Nikos Kazantzakis dhe vepra e tij triumfoi: sot përbën pasuri shpirtërore për miliona lexues kudo në botë.

Kush ishte Nikos Kazantzakis?

U lind në Irakleio të Kretës dhe vdiq në Frajburg (Freiburg) të Gjermanisë, pas një udhëtimi në Kinë. Vepra e tij nistore evidentohet në vitin 1906, kur autori ishte ende në moshë relativisht të re. Në vitin 1919, kryeministri Eleftherios Venizelos e emëron drejtor të përgjithshëm të Ministrisë së Asistencës Sociale me mision të posaçëm riatdhesimin e grekëve të dëbuar nga Kaukazi pas ndjekjeve dhe spastrimeve etnike të qeverisë bolshevike. Ishte një përvojë e hidhur të cilën Kazantzakis e shfrytëzon si lëndë të parë për romanin “Krishti rikryqëzohet” (1954). Për një periudhë të shkurtër u emërua ministër pa Portofol në qeverinë e Sofulisit (nëntor 1945 – janar 1946) dhe më vonë (1947) specialist në UNESCO për gjuhët klasike.

Gjatë gjithë jetës së tij la një numër të madh veprash letrare të të gjitha gjinive dhe zhanreve. Por, megjithatë, kjo pjellori letrare (romane, poezi, studime, përkthime, ese, shënime udhëtimi etj.) nuk cenoi aspak nivelin e lartë cilësor të letërsisë së tij.

Sipas një studimi të detajuar të Qendrës Kombëtare të Librit në Athinë – pa qenë mbarështerues dhe i paaktualizuar, me të dhëna deri në 2007 – vepra letrare e Nikos Kazantzakis rezulton e përkthyer në 41 gjuhë të huaja. Vendin e parë e zotërojnë botimet në gjermanisht: 64 botime titujsh të ndryshëm, në anglisht 57 tituj, në frëngjisht 43, portugalisht 30, turqisht 22, italisht 13, rusisht 12 etj. Është kontradiktore, por statistikisht e saktë: dy fituesit grekë të çmimit letrar “Nobel” Giorgos Seferis (1963) dhe Odiseas Elytis (1979) nuk kanë arritur të kenë këtë dallim ndërkombëtar; i afrohet vetëm poeti Konstantinos Kavafis, i cili është përkthyer në 29 gjuhë ose të folme dialektore. Krahasuar me dy fitues të tjerë të çmimit Nobel nga areali ballkanik, Ivo Andriq (1961), Kazantzakis ka shkallë më të lartë vlerësimi ndërkombëtar dhe numër më të madh përkthimesh, por, ndërkaq, me më pak tirazh se shkrimtari nobelist turk Orhan Pamuk (2006) – me 11 milionë kopje, por i përkthyer vetëm në 20 gjuhë të huaja. Krahasuar me Ismail Kadarenë, i cili ka dhe ai një rrezatim universal (përkthyer në 30-35 gjuhë të huaja ose të folme dialektore). Kazantzakis, rezulton me një epërsi të dukshme statistikore.

Interes të posaçëm paraqet vepra publicistike e Kazantzakis, si korrespondent i medias greke të kohës në vende të ndryshme (në mënyrë të veçantë në Spanjë, 1936) me një prurje gazetareske të bollshme dhe të një niveli të lartë kulturor, e kualifikuar dhe me përgjegjësi të madhe qytetare. Kjo letërsi krahasohet me korrespondencat dhe reportazhet më të mira të Ernest Hemingway (Çmimi Nobel, 1954), si korrespondent i luftës civile po në Spanjë i dërguar nga shtypi amerikan ose për reportazhet gjatë procesit të këmbimit të popullsive të ndërsjella minoritare mes Greqisë dhe Turqisë në Trakë (1922-1924).

Nikos Kazantzakis vijon të klasifikohet në vendin e parë të shkrimtarëve grekë me ndikimin më të madh tek lexuesi, sipas sondazheve të fondacioneve të ndryshme, por edhe studiuesve të huaj, në sajë të universalitetit të veprës së tij dhe predikimeve e ideve të përjetshme që mbart ajo: raporti i njeriut me lirinë (kryemotivi i veprës së tij), i së vërtetës me gënjeshtrën, atdheu dhe njeriu, kombi dhe humanizmi, frika nga vdekja dhe besëtytnitë, etj.

Si temperament (që shpreh dhe brendinë ideore të veprës së tij), Nikos Kazantzakis konsiderohet një nga personalitete më të emancipuara në fushë të letrave në shkallë botërorë, i përplotë dhe i pakompromis në sistemin e tij moral dhe parimor, tolerant dhe i paparagjykuar. Rrjedhimisht, vendi i tij i posaçëm në panteonin e letërsisë botërore është tejet i merituar.

Së fundmi, në Shqipëri Nikos Kazantzakis u botua për herë të parë në vitin 1973, dy vjet pas lidhjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy shteteve (“Kapedan Mihali”, nga frëngjishtja Enver Fico). Në vitin 1978 u botua në Kosovë “Jeta e Zorbës” (përkthyer nga serbokroatishtja nga Nazmi Rrahmani). Sot është përkthyer pjesa më e madhe veprës së Nikos Kazantzakis në gjuhën shqipe, me “Zorbën” në vend të parë (ka tre botime: 1995, 2005, 2017, përkthyer nga origjinali tashmë) i cili ngjalli dhe vijon të ngjallë një interes të lartë dhe të justifikuar ideoestetik.

Nikos Kazantzakis është një shkrimtar i dashur për lexuesin shqiptar.

Më 18 shkurt 1883 lindi Nikos Kazantzakis, shkrimtar, poet, eseist, dramaturg, filozof dhe përkthyes i madh grek i shekullit XX

VOAL – Nikos Kazantzakis – Nikos Kazanzaqis (në Greqisht Νίκος Καζαντζάκης, AFI: [ˈnikos kazanˈd͡zacis]; Megalokastro, 18 shkurt 1883 – Freiburg im Breisgau, 26 tetor 1957) ishte një shkrimtar, poet, eseist, dramaturg, filozof dhe përkthyes i madh grek i shekullit XX.

Kazantzakis lindi në një fshat në provincën e Chania, Kretë, më 1883, në atë kohë nën sundimin turk, në një periudhë të karakterizuar nga trazirat e shpeshta të popullatës Greke që synonin të fitonin pavarësinë nga Perandoria Osmane dhe bashkimin me Greqinë. Babai, një tregtar, merr pjesë në lëvizjen e pavarësisë.

Më 1902 u transferua në Athinë, ku studioi për drejtësi, dhe më vonë, në vitin 1907, në Paris, ku ndoqi disa mësime të Bergsonit dhe ra në kontakt me filozofinë e Niçes, nga e cila u ndikua fuqishëm, siç është motoja në Latinisht Nec spe nec metu ( As me shpresë dhe as me frikë).

Pas kthimit në shtëpi, ai punoi për përkthimin e veprave filozofike dhe, më 1911 u martua me shkrimtarin Galatea Alexiou nga e cila u nda më 1926. Më 1914, ai ra në kontakt me Angelos Sikelianos, poet dhe dramaturg, nga entuziazmi nacionalist i të cilit u infektua dhe me të cilin vizitoi manastiret e malit Athos dhe disa rajone të tjera të Greqisë. Në vitin 1919, si drejtor i përgjithshëm i ministrisë për çështje sociale, ai organizoi transferimin e popullsisë Greke me origjinë nga Pontus, nga Kaukazi në Maqedoni dhe Thrakë pas Revolucionit Ruse të vitit 1917. Nga ky moment, Kazantzakis udhëton vazhdimisht. Ai qëndron në Paris, Berlin, Itali, Bashkimi Sovjetik si korrespodent për një gazetë Athinase, në Spanjë dhe Itali ku interviston Miguel Primo de Rivera dhe Benito Mussolini, në Qipro, Egjipt, në malin Sinai, në Çekosllovaki dhe përsëri në Rusi dhe në Francë. Përshtypjet e këtyre qëndrimeve rrjedhin në një seri vëllimesh që konsiderohen tani klasike të letërsisë greke të udhëtimit.

Gjatë luftës ai jeton në ishullin Aegina. Ai u martua me Elena Samiou në 1945, një shoqëruese për shumë vite. Në të njëjtin vit ai u kthye në jetën politike si ministër i arsimit pa portofol të qeverisë së Sofoulis, pozicion që ai u largua më pas më 1946.

Ai më pas largohet nga Greqia për të mos u kthyer më, gjithashtu për shkak të kushteve të ndryshuara politike dhe vendoset në Francë, në Antibes. Ai është persekutuar nga kisha ortodokse greke për shkak të romaneve Kapiten Michael dhe Tundimi i fundit, ky i fundit gjithashtu u vendos në indeks nga Kisha Katolike Romake.

Në vitin 1957, megjithë leuceminë e diagnostikuar disa vjet më parë, ai filloi një udhëtim të ri për në Kinë dhe Japoni por, për shkak të një infeksioni të kontraktuar pas një vaksine, ai u detyrua të kthehej në Evropë, së pari në Kopenhagë, pastaj në Freiburg im Breisgau ku vdiq më 26 tetor, në moshën shtatëdhjetë e katër vjeç. Ai është varrosur në Heraklion. Epitafi mbi varrin e tij është:

Ոչ ελπίζω τίποτα, δεξιβούμαι τίποτα, είμαι λέφτερος.
Nuk pres asgjë. Nuk kam frikë nga asgjë. Jam i lire.

Vepra e parë narrative daton që nga viti 1906 dhe përbëhet nga romani Όφις και Κρίνο botuar me pseudonimin e Karma Nirvami. Më 1910, pas studimeve të tij në Paris, ai shkroi tragjedinë Ο Πρωτομάστορας [Kryemjeshtri], bazuar në një përrallë popullore greke.

Vepra qendrore në prodhimin e Kazantzakis është vjersha Odyssey në 24 këngë për gjithsej 33.333 vargje, botuar në vitin 1938, por rezultat i shtatë skicave të ndryshme gjatë katërmbëdhjetë viteve të punës.


Pas luftës ai botoi një seri romanesh që mbeten ndër veprat e tij më të famshme. Këto përfshijnë Zorba Grekun (1946), Krishtin përsëri në kryq (1948), Kapiten Michael (1950), Tundimin e fundit (1951), botuar për herë të parë në Gjermani për shkak të vështirësisë për të gjetur një botues në Greqi dhe Njeriu i varfër i Zotit, bazuar në jetën e Françeskut të Asizit.

Transpozicioni i filmit Ai që duhet të vdes, 1957, i marrë nga Krishti në Kryq përsëri i drejtuar nga Jules Dassins por mbi të gjitha Zorba Greke, 1964, nga Michael Cacoyannis sjellin veprën e Kazantzakis në vëmendjen e publikut ndërkombëtar. Filmi “Tundimi i fundit i Krishtit”, me regji nga Martin Scorsese, ende arrin, më 1988, të provokojë skandalin e disa grupeve fetare në Amerikë./Elida Buçpapaj

GËZO KOSOVË PAVARËSINË – Poezi nga Eduard M. Dilo

 

Sot mbare Kosova gezon
Diten e Pavaresise

Vitet nen zgjedhen sllave
Dhe qielli nxinte, pise.

Erdhi dita e shumepritur
17-Shkurt 2008-ta
Lart ne qiell ushtoje zeri
Jemi te lire sa te jete jeta

Te renet n’kemb u çuan
Kete dite pershendeten
Dhe ashtu me plot gezim
Ne perjetesi u mbeshteten.

Gezon gjithe populli shqiptar
Per ket’ dite lumturie
Dite e shtrenjte e Pavaresise
Si lindja e nje femije.

Qeshu ti Kosova jone
E lumtur do jeshe perhere
Ti e lire, e pavarur
Ditet do ti kesh pranvere

Sa me shpejt urojme
Bashkimin me trungun Ame,
Jemi pjese e nje trupi
Kemi nje gjak ne damare

Rrofsh ne jete Kosova ime
Djepi je i shqiptarizmes
Nder shekuj e nder dekada
Ke treguar heroizem

Nena femijes ne gji
I ushqente dashurine
Per Atdheun e bashkuar
Per te Shejten Shqipërine.

Më 17 shkurt 1673 u nda nga jeta komediani francez Molière, një nga figurat më të ndritura të letërsisë botërore

Molieri lindi më 15 janar 1622 e vdiq më 17 shkurt 1673.

Molieri ( Jean-Baptiste Poquelin – Zhan Batist Poklen) është një nga figurat më të ndritura të letërsisë botërore, që hodhi themelet e komedisë franceze. Jetoi veprimtarinë e vet dramatike në të ashtuquajturin “shekull të artë” të monarkisë absolute, që shënonte etapën më të lartë të feudalizmit si rend shoqëror dhe fillimin e shpërbërjes së tij. Së bashku me disa dashamirë të vet, formon një trupë me nëntë aktorë, të cilën e quan “Teatri mbreteror”, pikërisht në këtë kohë e ndërroi emrin dhe u quajt Molier. Ai ushtronte në të njëjtën kohë detyrën aktor, regjisor, drejtues trupe dhe autor tekstesh. Jeta e tij ishte lidhur ngushtë me teatrin. Duke i shpërthyer rregullat e ngurta të doktrinës klasiciste autor-aktor-regjisor, në emër të arsyes e të logjikës së shëndoshë, krijoi komedi, e cila godiste çdo ves ose shfaqje negative të kohës dhe të njeriut në përgjithësi. Temat delikate që trajtonte, i nxirrnin shumë telashe në jetë. Për shembull, vënia në dukje e hipokrizisë së klerit tek Tartufi, e detyroi ta përpunonte tri herë tekstin për ta shpëtuar nga censura, ndërkaq guximin për ta shfaqur me çdo kusht para publikut, e pagoi me shkishërim.

Molieri shprehu nëprmjet teatrit mendimin e vet për shumë nga problemet kryesore të epokës kur jetoi, si për shembull: hipokrizinë klerikale dhe shoqërore, degjenerimin moral e shpirtëror, preciozitetin, kopracinë, tendencën e një pjesë të borgjezisë për të imituar fisnikërinë, martesën borgjeze e despotizmin prindëror etj.

Teatri i Molierit është i veçantë, origjinal dhe krejt i ndryshëm nga ai i bashkëkohësve të vet, Kornejit e Rasinit. Molierin nuk e shqetësonte shumë ideja e respektimit të rregullave të ngurta të klasiscizmit. Para se gjithash, ai dëshironte “t’i pëlqente publikut” dhe për të “kjo është rregulla e madhe e të gjitha rregullave”. Sipas tij komedia duhet ta bëjë spektatorin të vetëkorrigjohet duke qeshur. Kjo cilësi u quajt katarsis komik. (d.m.th. të pastohesh shpirtërisht nëpërmjet së qeshurës).

Veprimi komik në veprat e tij rrjedh natyrshëm, shpejt dhe me tensionime. Kjo karakterizohet jo vetëm me situatat e freskëta komike, kthesat e papritura dhe kontrastet e ashpra, por edhe me dialogun e gjallë e shumë dinamik. Me mjeshtëri Molieri krijon atmosferë të nxehtë, të shkaktuar nga veprimet dhe pasionet e personazheve sipas mënyrës së të folurit dhe pasioneve të tyre i nënshtrohen plotësisht idesë kryesore: përqeshja dhe demskimi i ashpër i së keqes shoqërore dhe triumfi i drejtësisë. Veprat më të njohura të Molierit mbahen: Tartufi, Don Zhuani, Mizantropi, Kopraci dhe Borgjezi fisnik.

Molieri mbetet një krijues i madh i ndërtimit të karaktereve. Një pjesë e mirë e tyre jo vetëm që i kanë qëndruar kohës, por janë shndërruar në emra simbolikë. Dhe kjo është një arritje e madhe e artit të Molierit, i cili atë që mori nga jeta, ia riktheu asaj me gjenialitetin e vet. Së bashku me Shekspirin, Molieri ishte pa dyshim një nga dramaturgët më të mëdhenj e më popullor botërorë.Por fama e tyre vazhdon të ecë edhe në gjurmët e së ardhmes.

==

Kopraci: Në komedinë Kopraci Molieri demaskon me forcë të madhe fuqinë shkatërruese të parasë dhe godet kopracinë, që ishte tipar karakteristik i borgjezisë në zhvillim. Ai e dënon si një ves të ulët me pasoja shumë negative. Herpagoni koprac e fajdexhi jeton në ethen e parave. Ai ka humbur dinjitetin e ndjenjat prindërore dhe dashurinë e fëmijëve. Këta të fundit, jo vetëm që s’e duan më, por edhe e urrejnë. Herpagoni mbetet një nga figurat më negativë, antipatikë e qesharake njëkohësisht, që ka krijuar pena e Molierit.

Duke i vene titullin Kopraci,Molieri e percakton qysh ne titull pjesen e gij si komedi karakteri,ne te cilen perqeshen personat qe e bartin kete ves te lig e asocial, qe e deformon perçudshem karakterin e tyre.Pikenisjen per Kopracin Molieri e ka marre nga komediografi romak Plauti, i cili ne pjesen me titull Kusia tregon se si Euklioni , qe gjeti nje dite nje kusi plot me monedha te arta , jo vetem qe nuk harxhoi asnje grosh, po edhe humbi rehatine e gjumin nga frika se mos ia merrte kush kusiçken e shtrenjte. Molieri e quan kopracin e vet me emrin Harpagon dhe e paraqet si qenid te roberuar nga vesi i vet,ne ate mase sa te qenit koprac perben thelbin e karakterit te tij.Dhe ishte me i miri i te gjith autorve