VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

L’Intransigeant (1928) – Urimet e Vatikanit për mbretin Zog I. Takimi në Tiranë me personalitetet e larta të kishës katolike

By | August 22, 2018

Komentet

Le Figaro (1924) – Ahmet Zogu e ka situatën nën kontroll në Shqipëri

Ahmet Zogu

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 18 Shtator 2019

 

“Le Figaro” ka botuar, të shtunën e 27 dhjetorit 1924, në faqen n°3, një shkrim në lidhje me marrjen e situatës nën kontroll në Shqipëri nga Ahmet Zogu, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

 

Pas marrjes së Tiranës

Ahmet Zogu e ka situatën nën kontroll në Shqipëri

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Beograd, 26 dhjetor.

 

Ahmet Zogu, pas marrjes së Tiranës, ku ai thirri anëtarët e qeverisë së tij të mëparshme, e ka tani situatën nën kontroll në të gjithë Shqipërinë.

 

Mbështetësit e qeverisë kanë evakuar Shkodrën dhe Elbasanin.

 

Asnjë rezistencë serioze nuk është parashikuar në Jug.

 

Thuhet se imzot Fan Noli gjendet i strehuar në Durrës me qëllim largimin prej aty.

 

Fise të shumta, deri tani indiferente, e mirëpresin Ahmet Zogun si çlirimtar.

 

Paqëtimi dhe vendosja e një regjimi të ri duken se do të ndodhin shpejt.

Zbulohet dokumenti- “Enver Hoxha mezi kaloi klasën në provimin e maturës”

Memorie, bën publike një faksimile të “Gazet e Korçës” të datës 21 qershor të vitit 1931 ku janë publikuar rezultatet e provimeve të nxënësve të Liceut francez të Korçës dhe emri i nxënësit Enver Hoxha nuk figuron fare te ata që kanë marrë provimet, por ai është publikuar dy ditë më vonë në gazetën në fjalë me një shënim prej gjashtë rreshtash, ku thuhet “Mention Passable”…?! Si dhe emrat e bashkënxënsve dhe profesorëve të atij Liceu që u pushktuan apo u burgosën dhe internuan për vite me rradhë, pasi dinin shumë të fshehta nga jeta e shokut të tyre të shkollës, Enverit….

Nga Dashnor Kaloçi/

Pas viteve ‘90-të për herë të parë u bënë publike shumë nga të fshehtat e jetës së dikatorit komunist të Shqipërisë, Enver Hoxha, i cili për katër dekada me rradhë qeverisi me dorë të hekurt vëndin e tij. Një nga temat shumë të diskutuara në shtypin shqiptar të periudhës postkomuniste ka qenë dhe mbetet ajo e shkollimit të Enver Hoxhës, ku ai gjatë gjithë jetës së tij nuk arriti dot të merrte një diplomë të shkollës së lartë, madje të mos merrte as provimet e vitit të parë të studimeve universitare në Montpelje, ku kishte shkuar me një bursë të qeverisë së Mbretit Zog.

Ndërsa kjo gjë tashmë është shumë e njohur pasi dhe është bërë publike edhe nga historiografia zyrtare e regjimit komunist të para viteve ’90-të, ajo që nuk dihet dhe nuk është bërë kurrë publike, është diploma e nxënësit Enver Hoxha në Liceun e Korçës, ku ai studjoi deri në vitin 1930 dhe me çfarë rezultatesh e përmbylli ai atë shkollë?!

Për herë të parë kjo gjë bëhet publike nga ky dokument që publikohet nga Memorie, e cila është një fletë gazete, faksimile e “Gazet’ e Korçës”, që mban datën 21 qershor të vitit 1930, ku është bërë një njoftim i shkurtër me gjashtë rreshta vetëm për Enver Hoxhën, ku thuhet:

“Në listën që botuam në numrin e pradjeshëm të nxënësve të Lyceut që fituan defenitivisht në provimet me shkrim e me këndim, gabimisht nuk u shënua Enver Hoxha, i cili morri notën Mention Passable.

Pra nga sa thuhet aty, dy ditë më parë në gazetën në fjalë janë publikuar të gjithë nxënësit e Liceut të Korçës që kanë fituar (kanë kaluar) provimet me shkrim dhe me këndim (me gojë), kurse emri i Enver Hoxhës nuk ka figuruar fare aty?! Dhe kjo gjë, pra emri i Enver Hoxhës është publikuar në gazetë vetëm dy ditë më vonë me një paragraph me gjashtë rreshta (si një ndreqje gabimesh), ku thuhet “Mention Passable”, që në shqip do të thotë “kalon klasën”, gjë e cila hedh shumë hije dyshimi mbi rezultatin përfundimtar të nxënësit Enver Hoxha?!

Sa më sipër me shumë gjasa tregon se ai është rrëzuar në ato provime duke marrë notë negative e rrjedhimisht nuk e ka kaluar klasën dhe falë ndonjë ndërhyrje, atij i është korigjuar nota dhe ajo gjë është bërë publike dhe në gazetën në fjalë i kanë shënuar “Mention Passable”. Pasi po të ishte se nxënësi Enver Hoxha do të kishte rezultate pozitiv, pra po të ishte kalues dhe me nota të mira, kjo gjë do të shënohej edhe në gazetë, por aty është shënuar vetëm “Mention Passable”,gjë e cila siç thamë hedh shumë hije dyshimi.

Lidhur me të kaluarën e Enver Hoxhës në Liceun francez të Korçës, jetën që ai ka bërë atje kur ishte nxënës i Liceut por edhe disa vite më pas kur punoi për disa kohë si mësues aty, ka pasur dhe janë hedhur shumë akuza publike, (kryesisht pas viteve ’90-të), që kanë të bëjnë si me jetën e shthurur të tij nga ana morale ashtu dhe për rezultatet negative gjatë procesit mësimor.

Me kokë të qethur, i mbështetur pas murit. Fotoja e Visar Zhitit pas arrestimit: Thashë se do më pushkatonin. Përpjekja e rrallë e malësorëve: Na lironin mësuesin

Dashnor Kaloçi/ Dëshmia e rrallë e shkrimtarit, poetit, publicistit dhe diplomatit Visar Zhiti në emisionin e njohur RREFIM në Tv Scan, lidhur me arrestimin e tij më 8 nëntor të vitit 1978 pas një shënimi që kishte bërë Ramiz Alia mbi një raport-informacion të Shtëpisë Botuese “Naim Frashëri” ku Zhiti kishte dërguar për botim një vëllim poetik. Si u ngritën një grup fshatarësh nga fshati Vilë në atë dimër të ftohtë duke bërë disa orë rrugë në këmbë në ngrica e acar dhe shkuan në degën e Brendëshme ku i kërkuan kryetarit Agron Kokona që ta lironte mësuesin, pasi fshati i tyre që kur ishte krijuar, nuk kishte bërë vaki me e pre mikun në besë….?!

“Në mesditën e 8 nëntorit të vitit 1978 teksa isha duke shëtitur me mikun tim, drejtorin e Teatrit të Kukllave, më hodhën hekurat dhe më arrestuan në mes të qytetit të Kukësit ku shërbeja si mësues prej disa vitesh pas diplomimit në Institutin e Lartë Pedagogjik të Shkodrës. Pas kësaj ashtu të lidhur më çuan në Degën e Punëve të Brendëshme të Kukësit ku pasi më qethën kokën zero, më mbyllën në qeli.

Pas disa ditësh më nxorrën nga qelia dhe më thanë të mbështetesha pas një muri pa lëvizur. Fillimisht u friksova se thashë kushedi çdo bëjnë me mua, ndoshta do më pushkatojnë…. ashtu siç kishim parë nëpër filma….?! Por ajo ndjesi e tmerrshme më kaloi shpejt, kur para meje u shfaq një njeri që mbante një aparat fotografik në dorë dhe më tregoi se si duhej të pozoja para tij…”.

Kështu e kujton shkrimtari, poeti, publicisti, përkthyesi dhe diplomati Visar Zhiti, momentin e arrestimit të tij, pikërisht në atë ditë feste, (8-nëntor) ku ata që kishin kurdisur arrestimin e tij, donin “ta gëzonin Partinë” se kishin zbuluar “një armik të popullit”. Kështu pas disa ditësh ku e lanë të mbyllur në një nga qelitë e hetuesisë së Degës së Brendëshme të Kukësit, pasi i bënë dhe foton që duhej për kartelën që hapej për të burgosurin, ndaj tij filloi menjëherë procesi hetimor.

Visari kujton se ishte ai i pari që iu drejtua hetuesit duke i thënë: “Po, pse po më arrestoni”?! “Po… se ke bërë agjitacion e propagandë”, iu kthye hetuesi me një ton të lartë dhe të prerë, gjë e cila nënkuptonte se ai kishte ardhur aty të jepte llogari dhe jo të kërkonte. Por pa mbaruar mire fjalën hetuesi, Visari ia ktheu përsëri po me të nëjten qetesi si me pyetjen e parë: “Po ajo është detyra ime, të bëj agjitacion e propagandë, pasi jam mësues…” “Po, por agjitacionin e propagandën e ke bërë kundra Partisë dhe pushtetit popullor”, ia ktheu hetuesi me një ton brutal, gjë të cilën ai dhe kolegët e tij e vazhduan deri në fund të hetimeve në muajin prill të vitit 1979 kur dhe u zhvillua gjyqi ndaj tij dhe e dënuan me 13 vjet burg politik me akuzën e agjitacion-propagandës.

Por para se të dilte në gjyq, madje që në ditët e para pas arrestimit, ndodhi një gjë që rrallë ndodhte asokohe me të arrestuarit politik që akuzoheshin për krime kundër shtetit: Një grup fshatarësh, një ditë të ftohtë dimri zbritën nga fshati Vilë duke bërë disa orë rrugë në këmbë në ngricë dhe në acar dhe shkuan para Degës së Punëve të Brendëshme të Kukësit?! Po çfarë kërkonin ata fshatarë aty pranë asaj godine që ndillte vetëm frikë e ankth dhe të kallte tmerrin me hijen e saj?!

Këtë gjë e kujton fare mirë një nga nxënësit e Visarit, Selman Billa, i cili midis të tjerash shkruan: “Nga katundi Vilë i Kukësit ku Visari ishte mësues, u ngritën nëntë malsorë me qeleshe të bardhë në dimrin e ftohtë me borë dhe acar dhe kërkuan takim me Kryetarin e Degës së Punëve të Brendëshme, Agron Kokona, për të liruar Visarin. Pasi i priti, Kryetari i Dëgës lejoi të flsinin vetëm Feriz Dragjoshin dhe Ismail Latif Billën.

Islami i thotë Kryetarit të Degës se: “Unë kam djalin e madh sakat qysh se ka le tash 30 vjet. Prej ditës që ju e keni shti në burg mësuesin, atij nuk jan tuj u tha lotët prej së keqit që i vjen për të. I lexojke libra dhe i kallxojke histori që ja ndryshoi gjëndjen djalit, për hatër të vocit tem dhe të popullit të Vilës, na e falni msuesin se na e njohim për ma të mirin deri më ditë të sodit.

Ndërsa Ismail Latifi i thotë Kryetarit të Degës: “Na e ndiem veten shumë ngusht me arrestimin e msuesit, me na pas ndalue nji djal tonin, noshta nuk do kishim ardh, porse qysh asht kurdis katuni ynë, nuk na ka ba vaki mos me i dal zot mikut kur asht me bukën tonë, kurrë nuk jena kanë mikpremë e me dasht ti o Kryetar, na e liron prej ktuhit e na do ta dina për nere sa t’ jesë jeta”.

Kryetari i Dëgës u tha malsorve: “Ju keni bërë mundin tuaj në këtë mot të ftohtë për mësuesin e fshatit tuaj dhe po thoni se ai është më i miri nga gjithë të tjerët, kjo ngelet për t’u parë. Ju po ma kërkoni ta liroj, por jeni në vëndin e gabuar, pasi unë kam në dorë vetëm çelësin e prangave dhe për mundin tuaj, nuk do ja shtërngoj fort. Çelësin e derës nuk e kam unë, çelësi i derës është në Tiranë, shkoni dhe merreni çelësin atje lart te Partia dhe unë do tua liroj mësuesin”.

Pas kaq vitesh doli se një kryetar Dege paska thënë një të vërtetë, e pavarësisht se ai ishte I keq, por katil mbi katila paska qenë Ramiz Alia”.

Të gjitha këto, pra zanafilla e arrestimit dhe procesi hetimor ndaj tij, erdhi pas një raport-informacioni që Shtëpia Botuese “Naim Frashëri” në Tiranë kishte dërguar në Komitetin Qëndror të PPSH-së më 27 korrik të vitit 1978, lidhur me një vëllim poetik që Visar Zhiti kishte dërguar për botim. Dhe mbi atë informacion të Shtëpisë Botuese ku merreshin në analizë poezitë e Zhitit dhe tre poetëve të tjerë, të cilat etiketoheshin për manierizma, poezi hermetike, moderniste etj etj, Sekretari i Komitetit Qëndror të PPSH-së, Ramiz Alia (që mbulonte artin, kulturën dhe propagandën), me shkrimin e tij kishte bërë një shënim të gjatë, ku ndër të tjera në fund porosiste:

“Asnjë lëshim mos bëni, mos e nënvleftësoni këtë çështje, se mund të bëhet e rrezikshëme. Por ndiqeni dhe çojeni deri në fund bashkë me organizatat e tjera këtë problem. Më njoftoni përfundimin”.

Dhe pas kësaj, sipas porosisë së lënë me shkrim nga Alia, dokumenti në fjalë me raport-informacionin u jepej për njoftim, edhe gjysmës së Byrosë Politike, si p.sh.: Simon Stefanit dhe Hekuran Isait, (dy sekretarëve të Komitetit Qëndror të PPSH-së që mbulonin sektorin e Diktaturës së Proletariatit, si Ministrinë e Brendëshme, Sigurimin e Shtetit, Prokurorinë, Hetuesinë, Gjykatat, kampe-burgjet, etj), dhe Manysh Myftiut, Foto Çamit, Xhelil Gjonit, Pirro Kondit, si dhe Mehmet Karakushit e Miti Nitos, dy funksionarë të lartë në aparatin e Komitetit Qëndror për artin, kulturën dhe propagandën. Ky shënim i Ramiz Alisë rezultoi fatal për poetin e ri Visar Zhiti i cili që nga viti 1972, kur miku i tij, poeti i njohur Xhevahir Spahiu, i botoi disa poezi në revistën “Nëntori” dhe “Drita”, rrekej të botonte atë vëllim poetik që i kthehej dhe i rikthehej nga redaktorët e Shtëpisë Botuese për ta rregulluar si papërshtatshëm për botim, dhe ai (Visari), jo vetëm që nuk ia arriti asaj, por përfundoi pas hekurave të burgut për vite me rradhë, ku vazhdoi pasionin e tij, duke shkruar poezi dhe duke i nxjerrë ato fshehurazi nga burgu me mënyra nga më të ndryshmet.

Lidhur me këto dhe ngjarje të tjera nga periudha e burgut prej nga ku ai do të lirohej në fundin e viteve 80-të, duke përfunduar si puntor ngarkim shkarkimi në Fabrikën e Tullave në Lushnje, (ku familja e tij prej vitesh jetonte gjysëm e internuar), etj etj, Zhiti i ka treguar në emisionin tashmë të njohur “RREFIM” në Tv Scan me president znj. Elvana Hana.

Në rrëfimin e tij ndër të tjera z. Zhiti bëri publike për herë të parë foton që atij i bënë pak minuta pas arrestimit më 8 nëntor të vitit 1978, foto e cila është siguruar nga dosja e tij e marrë para pak kohësh në Autoritetin për Informim të Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit.

Memorie.al

III – GJENERALI – Mërgimi i Prenk Pervizit dhe përkushtimi i mëtejshëm për çështjen shqiptare – Përgatitun nga i biri Lek Pervizi

 

 

 

Napoli 6.X.1953 – Nr.30/2576 – 224/31840  – SINJALIZIM –

  1. DREJTUES ZYRES VIGJILENCES HUAJVE pranӫ Kuesturӫs, GENOVA

 

Me dt 2 tӫ kӫtij, i ardhur nga Roma ka arrit nӫ Napoli, duke u vendos nӫ Hotel “S. Lucia” , qytetari shqiptar, PRENK DEFRROK PERVIZI, mbi karvizitӫn e tӫ cilit, tӫ varur mbi valigjӫn, ӫshtӫ shkruar, “          PRENK DEFRROK PERVIZI, ish  Gjeneral i Mbrohtjӫs Kombӫtare tӫ Shqipӫrisӫ.

Pasditӫn e djeshme, dt. 5 i kӫtij, ӫshtӫ pâraqitur nӫ hotel njӫ individ, me theks te huaj, i cili ka kӫrkuar takim  me Gjeneralin.

Personelit tӫ hotelit, i panjohuri  qӫ s’ka pranuar tӫ tregojӫ emrin e tj, ka deklaruar se duhet tӫ dorӫzojӫ PRENKES njӫ biletӫ, qӫ i pӫrkhyer nga anglishtja, kishte ketӫ tekst : “Koloneli JAMARAS Vasili nuk ӫshtӫ nӫ Napoli, por nӫ Gjermani. pa firmӫ.   I panjohuri si mori vesh se PRENK nuk ishte nӫ hotel tha se do tӫ vinte pӫrsӫri.  Deri tani s’ӫshtӫ dukur mӫ.  Gjen. PRENK, qӫ ӫshtӫ objekt  mbikqyrje, nga mbramja, po nuk ndryshoi vendim, do tӫ niset me tren  pӫr nӫ Genova.  Ai mban njӫ valigje luksoze dhe pô ashtu sende pӫrdorimi, si kuti  cigarӫsh, çakmak, cigarishte dhe  zinzxhir çelӫsash, tӫ florijtӫ.  Rezevohӫmi tӫ njoftojmӫ çdo gjӫ tjetӫr tӫ dobishme qӫ mund tӫ jepӫt nga shӫrbimi i mbikqyrjӫs nӫ vazhdim.*   Përsa i përket veprimtarisӫ së tij në mërgim, flasin  disa dokumentë  tё  Ministrisë së Brendshme italiane, ku del  se ai ndiqej nga sigurimi italian dhe mbahej nën vëzhgim për lëvizjet e  kontaktet e tij në Itali , veçanërisht  në vitin 1954, kur paskej bërë disa udhëtime e kontakte ne qytetet Romë, Napoli e Gjenova. Janë 11 dokumentë që  na u dërguen nga miku dhe histioriani e diplomati Bejtollah Destani  në Ambasadën e Kosovës në Romë, të cilit i shkojnë falemenderimet tona. Jo vetëm kaq, po nga një dokument tjetër del se ai ndiqej e vëzhgohej nga shërbimi sekret italiane edhe ne kohën e Mbretërisë kur ishte kolonel, e  ku cilësohej i rrezikshën dhe besnik i Mbretit Zog, bashkë me diplomatin shkodran Ҫatin Saraçi. Dikush me pat njoftue se nje shkodran kishte gjashte letra tӫ Prenk Pervizit dergue Mehmet Verlacit nӫ Itali. Ky ishte i biri i Shefqet Verlacit e bante pjesӫ nӫ Bllokun Indipendent.  Kӫto letra nuk na kane ra ne dore sepse  ai personi  as lajmӫroi as u interesue me i tёrheqё se pakut si kopje.

 

 

 

————————————

*– Dokumentёt e mёsipёrm  i kemi cituar si një provë e veprimtarisë tё PrenK Pervizit  edhe në kushtet e emigracionit politik kur u largua nga Shqipëria për në Greqi më 1946. Siç shihet, Prenk  Pervizi, ndonse  emigrant politik nӫ Greqi, ndiqej e vӫzhgohej nӫ lӫvizjet e tij, kur kalonte nӫ Itali. Ai i kishte agjentӫt e fshehtӫ pas shpine kudo qӫ shkonte e udhӫtonte . Patjetӫr se do te kӫtӫ edhe dokumenta tӫ tjerӫ tӫ llojit. Pёr tani ne u  mjaftuem me kӫto dy shembuj.

 

 

 

 

 

PERSHKRIM KRONOLOGJIK

Shkollat, karriera e detyrat.

 

 

4 maj 1897, lindi në Skuraj të Kurbinit.

6 shtator 1977, vdiq në Jolimomt tӫ Belgjikës.

 

 

Shkollat :

 

1904 – 1914,  kreu fillorën dhe gjimnazin në Shkodër

1914 – 1918,  kreu Akademinë Ushtarake në Austri, Vienë.

1929 – 1934,  kreu Shkollën e Luftës (Shtatmadhorisë)  në Torino

 

 

Karrіera ushtarake.

 

1918:-1920 : Toger rethh komandanti i Krujës

1920-1922 :  Kapiten me detyra të ndryshme.

1922 –1924  Kapiteni Kl. I-rë për merita lufte.

1924-1929- Zonë- komandant i Qendrës (Tiranë e rrethe)

1929- Major (në Shkollën e Luftës Torino)

1933 – N/Kolonel, pas mbarimit Shkollë Luftës.

1937 : Kolonel, më 25 vjetorin e Pavarësisë.

1942 -43:  Gjeneral Brigate

1943-45 : General Divisoni, Ministër i Mbrojtjës.

1946-1977 : Gjeneral, emigrant politik.

 

 

Detyra e veprime ushtarake : 

 

1918-1920. Reth komandan  i Krujës

Janar 1920 : në mbrojtje të Kongresit të Lushnjë

1920-1921 : Në shtabin e operacionëve pë dëbimin e Serbëve.

1921 : në shtabin e operacionit për shuarjën e rebelizmit të Mirditës.

8-9 Mars 1922 : mbrojtja e Tiranës kundӫr rebele, shpartallimi i grushtit shtetit.

Nëntor –Dhjetor  1926 : shuarja e kryengritjës  Dukagjinit

1929-1933 : Shkolla e Luftës e Torinos.

1933-1935 ; Ispektor i studenteve të Italisë.

1935-1936 : Në komisionin e Vezhguesve te Luftës së Abisinisë.

1936-1938 : Përfaqësues i Shqipërisë në  Manovrat të Mëdha të Italisë.

7-9 prill 1939 : në Korçë, i panjoftuar për sulmin fashist,  mbron e përciell Mbretin Zog në Greqi.

1941 : lufta italo-greke, urdhëron  braktisjën frontit  nga  trupat shqiptare.

1941-1942 :  si kundërmasë,  izolohët  në malet e Pukës.

Janar 1942, gradohet Gjeneral brigate.

8 shtator 1943 :  kapituillimi Italisë, merr në dorëzim Komandёn nga Gjenerali Dalmazzo.

1943 – 1944: Ministër i Mbrojtjës me gradën Gjeneral Divizioni.

1944 : gusht-tetoir,  me misionin  anglez në mal.

1944-1946 : I arratisur ne mal, largohët në Greqi.

1946-1977 : . emigrant politik në Greqi, Itali e Belgjikë ku vdes më 6 shtator 1977.

 

 

Dekorata :

 

  • Medalje e Artë e Trimërisë (1922)
  • Medalje e triumfit te Legalietit (1924)
  • Urdheri Skendrbeut (1927)
  • Urdhëri kalorsiak i SS. Maurizio e Lazzaro (1933)
  • Urdhëri i Besës (1937)
  • Urdhëri i Kurorës së Italisë (1937)

 

Ka dhe dekorata të tjera që duhet të verifikohën.

 

Tituj:

  • Qytetar Nderi i Bashkisë Laç – Kurbin, 2002.
  • Qytetar Nderi i Skurajt-Kurbin,  (vendlidja),2005.
  • Qytetar Nderi i Komunës Milot-Kurbin, 2005.

 

 

 

Jeta e veprimtaria, 

përmbledhje sipas datave kryesore

1987-1977

 

 

1897, 4 Maj 1897, lindja nё Skuraj tё Kurbinit.

 

1904-1914, kryen gjimnazin në Shkodër.

 

1914-1918, kryen Akademinë ushtarake në Vjenë t’Austrisë. Njihet e miqёsohet me Ahmet Zogun., me tё cilin kthehёt nё Shqipni mё nentor 1918.

.

1918 – 1920,  toger, rrethkomandat i Krujës, kalon pranë Ministrisë së Mbrojtjes. Martohet me Prena Gjokolaj (Paçukaj) nga Rrësheni.

 

Tetor 1920, merr pjesë aktivisht në mbrojtjen e Kongresit të Lushnjes me kuadrot  e tjerë oficerë dhe forcat ushtarake shqiptare.

 

1920 – 1922,  në Komandën e operacionëve për dëbimin e forcave serbe, dhe kundër bandave  të veriut bashkë me, Ahmet Zogun,  major Preng Jakun, Bajram Currin, Elez Isufin, Alush Agën e Lumës, Ahmet Satën, Dërvish Dumën, Muharrem Bajraktarin, Gjon Fushën,  etj., ushtarakë. Njëkohësish më 1921  me major Preng Jakun, shuejnë kryengritjen e Mirditës, e nxitun prej Jugosllavisë.

 

8 mars 1922, i lidhur me Ahmet Zogun,  mbron  Tiranën, nga grushti i shtetit të Elez Isufit,   duke i shpartalluar forcat rebele  që orvateshin të pushtonin kryeqytetin e Parlamentin e të rrëzonin Qeverinë ligjore. Kjo i dha mundësi Ambasadorit anglez Ayres të ndërhynte për të qetësuar gjendjën.  Gradohet kapiten i Kl. I-rë për merita lufte e dekorohet me medalje e trimnisë. Nё Nёntor Ahmet Zogu bahet Kryeministёr.

 

24 Qershor – 24 dhjetor 1924, Perkrah dhe ndjek Zogun në Jugosllavi,  ku ban pjesë në shtabin qendror te operacioneve me në krye Zogun, kolonel. Shtabi Qendror i operacionëve përbahej nga: Kryetar Ahmet Zogu, dhe kapitenët, Prenk Pervizi, Muharrem Bajraktari, Fiqri Dine, Hysni Dema, Ceno Beg Kryeziu etj.

 

Fiqri Dine     Prenk Pervizi    Muharrem Bajraktari   Hysni Dema

 

Katër Zonë Komandantët fuqiplotë të Shqipërisë, 1924-1929,  qe bashkë me Zogun afirmuan Shtetin e Ri shqiptar, ku  roli  e ndikimi  i tyne ka qenë vendimtar.

 

 

 

Një fotografi historike, prove e padiskutueshm e randësisë e autoritetit që kishin këta katër burra   që me te drejtë, Julian Amery e quejti “Kuadrimvirat” (sundimi i te katërve)  sipas termit latinisht të romakëve 1924 – 1929,  Presidenti A. Zog, ndan Shqipninë në katër zona e krijon një kuadrumvirat (sundimi i të katërve)  në rang guvernatorësh ushtarakë ose zonë-komandantë,  me Prenk Pervizin, Muharrem Bajraktarin, Fiqri Dinen e Hysni Demën, me fuqi të jashtëzakonshme që vareshin vetëm prej tij. Prenk Pervizi  caktohet  zonë-komandant i Qendrës (Tiranës). Mbrenda pesë vjetëve ky kuadrumvirat i çeliktë vendos rendin e stabilizon përfundimisht vendin.  Kjo përiudhë mund të quhet si periudha që u dominua nga këto katër oficerë, në rang guvernatorësh ushtarakë, ku Prenk Pervizi luajti rol kryesor e qëndroi  pranë Zogut, si krah i djathtë i tij.

 

Nendor – Dhjetor 1926, pelcet  kryengritja antikombëtare separatiste  e Dukagjinit me epiqendёr  Shalë e Shosh organizuar, nxitur e paguar nga Jugosllavia, që rrezikonte vetë  ekzistencën e Shtetit Shqiptar. Zgjidhja e kësaj krize të rëndë,  iu besua nga Presidenti A. Zog, Prenk Pervizit, që i dha komandën supreme të operacionëve me fuqi të jashtëzakonshme. Me një strategji befasuese e mposhti kryengritjen brenda një kohë rekord, që mrekulloi e çuditi  edhe këshilltarë anglezë  dhe hollandezë, dhe i dha lavdi  të madhe emrit tij. . Gradohet major. Qëndron në  këtë detyrë deri 1929. Gjatë kësaj kohë bashkëpunon me Gjeneralin Percy për formimin e kuadrove të Xhandarmërisë.

 

1929 – 1934   vazhdon e kryen Shkollën e Luftës  (Shtatmadhorisë) në Torino. Dallohet në manovrat të përfunimit të shkollës. Dekorohet me urdhërin e lartë kalorsiak, SS Maurizio e Lazzaro. Gradohët Nënkolonel. Transferohet në Firence ku caktohet me detyrën e inspektorit të stundentëve shqiptarë në Itali. Kthehët në Shqipëri, ku caktohet pranë Ministrisë së Mbrojtjes me detyra organizative, ku punon e ndikon për modernizimin e ngritjen profesionale të ushtrisë. Krijon e  derjton kurset e plotёsimit ku jep vetё mёsim.

 

1935 – 1936  përfaqëson vendin në Komisionin Ndërkombëtar të Vezhguesve nё luftën e Abisinisë i përberë nga oficerë (kolonela),  amerikanë, austriakë,   japonezë, portugezë, rumunë,  hungarezë, që qëndrojnë pranë shtabëve të  Gjeneralëve, De Bono,  Badolio e Graziani.  Kupton qëllimin e pushtimit të  Shqipërisë nga Italia (nga Musolini).  paralajmeron Mbretin Zog për këtë rrezik. Me rasin e 25 vjetorit të Pavarësisë, 28 nentor 1937, gradohet kolonel  e dekorohet me urdhnin e lartë të “Besës”,  dhe me Urdhërin e Lartë të Kurorës së Italisë për misionin në Luftën e Abisinisë.

 

7 – 9 prill 1939 Pushtimi i Italisë fashiste e gjen në Korçë të palajmeruar e panjoftuar nga askush, as nga Ministria e Mbrojtjёs as nga Mbreti Zog. E merr vesh vetëm nga radiot e huaja.  Me trupa tё pakta  e pa armatime të mjaftueshme, vendos të organizojë luftën popullore me armët personale të popullit e furnizim armatimesh nga ana greke, tё premtuara ne rast rreziku nga Italia.   Ky plan dështon sepse detyrohet t’i dalë zot mbrojtes e përcielljes së Mbretit Zog në Greqi. Para se të dale në Greqi, i ban thirrje mbretit për të leshuar kushtrimin dhe për të filluar luftën  popullore në mal, por  Zogu nuk pranon këtë propozim, sipas tij për të mos  dëmtuar popullin e vendin. Kthehet në Shqipëri, me urdhër të fundit tё vetë Zogut,  ku  mban  një fjalim n’emër tё tij.   Ishte fundi i Mbretërnsë shqiptare.

 

1939 – 1940  Ka takim me Gjeneral Pariani (Mёkёmbёs),  të cilit i parashtron se ushtria shqiptare do të qëndronte e pavarur dhe pasive, e nuk do  të merrte pjesë në veprime kundër popullit të tij, krah ushtrisë italiane. Ai qëndroi përdokohë në dispozicion. Mbahet nën vëzhgimi te SIMI- it, ( Shërbimi sekret  italian).

 

1940 – 1941, Lufta italo – greke. Disa batalione shqiptare u përfshinë në divisionet italiane, Julia e Venecia. Prenk Pervizi u caktua në zonën e Korçës – Ersekë –Bilishtit, komandant regjimenti ku  përfshihej batalioni “Tomorri” i major Spiro Mosiut. Lindën kundërshtime me italianët e ndodhën incidente, me asgjёsimin e n jё njёsiti shqiptar.  Prenk Pervizi, kundёsrhtoi pranё komandёs italiane ku u shpre se  “ushtria shqiptare s’bahej mish per top”.  Planifikon  me komandën shqiptare e urdhëron braktisjen e  frontit. Italianët pësojnё një disfatë të madhe. Ushtria shqiptare hiqet nga fronti. Prenk Pervizi, izolohet në malet e Pukës me një pjesë tӫ ushtrisë. I pari oficer i lartë shqiptar në histori që nuk pranoi që ushtria shqiptare të luftojë përkrah një ushtrisë pushtuese. Në kundështim me pashallarët shqiptarë, që jo vetëm  që luftuan përkrah ushtrisë së pushtuesit turk, por edhe kundër popullit të tyre.

 

8 shtator 1943, Kapitullimi i Italisë. Merr në dorëzim Komandën nga Gjenerali Dalmazzo, duke i imponuar lëshimin e urdhërit të dorëzimit të ushtrisë italiane, pranë komandave shqiptare efektive apo të malit (edhe NCl, etj.)  Kështu u krye kapitullimi i Italisë në Shqipëri.  Pas dorëheqjes së Gjeneral Aqif Permetit, në shtator  1943, emërohet Ministër i Mbrojtjës me gradën Gjeneral Divizioni.

 

1943 – 1944, në funksionin e Ministrit të Mbrojtjes (Komandant i Mbrojtjës Kombëtare), kërkon të riorganizojë Ushtrinë Kombëtare Shqiptare nën një komandë të vetme, por gjen kundërshtimin e gjermanëve, të cilëve u kundërvihet me vendosmëri duke mos i lejuar që të krijonin forcat SS në Shqipëri . Nga ky kundërshtim i acaruar, ai doli në mal bashkë me Keshillin e Lartë e  Qeverinë dhe u bashkua  me forcat e tjera nacionaliste të malit, si dhe me  misionin anglez, me të cilin qëndroi deri në largimin e tyre në tetor 1944, duke i mbrojtur nga sulmet e gjermanëve  dhe të komunistëve.

Sa ishte në Krye të Ushtrisë Kombëtare Shqiptare, rëndësi e përparësi të madhe  ai i dha frontit të Kosovës, për të përballuar sulmet e forcave serbe, ku  kishte dislokuar dy regjimentë efektivë  të përforcuara me njësi vullnetare  kosovare, duke caktuar dy kolonelët, Qazim Komanin dhe Fuad Dibren, në komandën e atyne forcave. Plane qe u sabouan nga partia komunsite shqiptare, që ishte lidhur pas politikës jugosllave, ku Kosova ishte viktima e parë që iu dorëzua Serbisë „motër“. Ky sabotim e tradhëti ndodhi edhe nga ana e Aleatëve që hoqën dorë e nuk ndihmuan nacionalistët, që kërkonin ta mbanin Kosovën. Sa ishte ne krye  ushtrisё kombёtare shqiptare, kambё serbi nuk shkeli ne Kosovё.

 

1944 – 1946, Me ardhjen e komunistëve në fuqi, qëndron dy vjet i shtrehuar në malet e forta të Kurbinit, i mbrojtur nga besnikëria e madhe e banorëve të kësaj krahine, në pritje të një veprimi të mbeshtetur nga Aleatët (sipas fjalës që kishin dhanë). Aleatët nuk ndërhynë fare. Në shtator 1946, ndërmerr aksionin tepër të  guximshëm të arratisjes për në Greqi, duke kaluar përmes Tiranës, ku qëndron 10 dit i strehuar tek disa miq besnikë mirditorë (Llesh e Ndue Gjeçi). Përcillet me makinë deri në kufi nga ish shoferi i tij korçar, trim e besnik, LLazi Sterjo.

 

1946 – 1965, qëndron 19 vjet në Greqi.  Orvatet të krijojë me atdhetarët e tjerë, një forcë  ushtarake ndërhyrëse më 1950 – 54 (me Muharrem Bajraktari, Fiqri Dinen,  Hysni Demen, (e të tjerë oficerë e patriotë)  në marrëveshje me Mbretin Zog, që gjendej në Kajro. Por Grekët, dhe kryesisht Anglezët e pëngojnë këtë organizim,  duke mos e  lejue Mbretin të vinte në Greqi, e duke venë kondita të  papranueshme.

 

1965 – kalon në Itali, ku i propozojnë të mbajë gradat e detyrat si Gjeneral, me  kusht që të merrte nënshtetësinë italiane, gjë që ai nuk pranoi dhe kalon në Belgjikë si refugjat politik, ku u bashkua me mikun e madh, kolonel  Muharrem Bajraktarin. Ndërkohë ai kishte hartuar një plan për krijimin e një  detashment shqiptarёsh  për të luftuar në Vietnamin e Jugut, plan qe ia paraqiti qeverisë amerikane me një letër dretue vetë Presidentit John Kennedy. Ky projekt s’u pranue nga fakti se nё atё luftё merrnin pjesё vetёm forca tё shtetёve anёtare OKB.

 

1966-1977,  nӫ Belgjikӫ, i nderuar e respektuar nga shqiptarӫt dhe belgӫt. Lidhur me miqӫsi tӫ madhe me Muharrem Bajraktarin, nӫ bashkӫpunim pӫr ceshtjӫn kombӫtare shqiptare. U shque pӫr fjalimet  e tij ne raste festash ku bente thirrje pӫr Bashkim, ku kritikonte ndasirat nӫ partina e organizata, qӫ krijonin mosmarrӫveshje e pӫrcarje. Mosha bёn tӫ veten dhe me 6 shtator 1977, pas një sëmundje të rendë e të shpejtë, ai ndërroi jetë në spitalin  Jolimont, duke pasur te kryet, mikun e shtrenjtë Muharrem Bajraktarin e miq të tjerë shqiptarë.  U përcoll në varrim nga gjithë mërgata e Belgjikës dhe të vendeve të tjera. Mbajtën fjalimet e rastit, Patër Ambroz Martini,  kolonel Muharrem Bajraktari e patrioti Rifat Kolgjini. Familjarët e tij gjendëshin  të mbyllur në burgjet e kampet e diktaturës. Vetëm pas 45 vjetëve të bijtë, Valentini dhe Leka me familjet e tyre patën mundësi t’ia nderonin varrin ku prehej prej kohësh i vetmuar, e të vendosnin lule te freskëta mbi atë varr.

 

 

 

FOTOGTRAFI HISTORIKE E SHTABIT Të LARTë 

TE USHTRIS KOMBETARE SHQIPTARE

TIRANE, 28 Nëntor 1944.

 

Gjeneral Prenk Pervizi, Ministër i Mbrojtës dhe Zv. tij  Gjeneral Mirdashi mes  oficerëve madhorë në festën e 28 Nëndorit 1943.

 

Kёta oficerë shtamadhorë u masakruen  nga dikatura komuniste,  përveç Prenk Pervizit , dhe Kol.Von Kishner (me shёrit tёb zi), tё arratisur.

 

 

Mbreti Zog e Prenk Pervizi u takuen edhe në mërgim disa herë për çeshtjen shqiptare. Mbreti vdiq më 1963 në Paris  24 vjet pas  largimit nga Shqipnia. Gjeneral Prenk Pervizi vdiq në  Belgjikë më 1977 pas 31 vjet  mërgim.

.

Në 100 vjetorin e lindjës dhe 20 vjetorin e vdekjës, 1997,  shqiptarët e Belgjikës

e nderuen kujtimin e Prenk Pervizit bashkë me familjarët  e tij

që te ky varr u  gjetën  vetëm pas 45 vjet.

Arkivoli i Prenk Pervizit në kishë.

Fotografi e ruejtun nga miku  Ded Mjeku nga Puka.

 

Lek Pervizi, i biri, te varri në 20 vjetori i vdekjës me djemi e nipin

e familjës së patriotit Refat Kolgjinit mik i Gjeneralit

 

I nënshkruemi para spitalit “Jolimont” të qytetit La Louvière,

ku im atë  u shtrue dhe vdiq  më 6 shtator 1977

 

BE: Që nga tetori, ora nuk do të ndryshojë më dy herë në vit

Ora nuk do të ndryshojë sërish dy herë në vit dhe kjo do të nisë nga tetori i këtij viti.

Bashkimi Evropian, përmes Komisioneres Evropiane për Transportin, Violeta Bulc, ka njoftuar se ndryshimi i orës dy herë në vit, në të gjithë kontinentin do të ndalojë që nga tetori i vitit 2019.

Praktika, e cila u përdor si një mjet për të ruajtur energjinë gjatë Luftërave Botërore, si dhe krizat e naftës të viteve 1970, u bë ligj në të gjithë bllokun në 1996.

Të gjitha vendet anëtare të BE-së kanë afat deri në prill të vitit tjetër për të vendosur nëse do të qëndrojnë përgjithmonë në zonën e kohës verore apo në zonën e dimrit.

Në Evropë, siç dihet, shtetet i ndryshojnë skemat e tyre 60 minuta para të dielës së fundit të Marsit, ndërsa në tetor ata i kthejnë akrepat 60 minuta pas.

Sipas njoftimit të BE-së, të gjitha shtetet anëtare duhet të kenë të njëjtën zonë kohore dhe t’i japin zgjidhje praktikës së ndryshimit.

Komisionerja Evropiane për Transportin deklaroi se duhet të gjendet një konsensus midis shteteve anëtare të Parlamentit Evropian.

Historia tragjike e familjes së tregtarit të madh tiranas që financoi luftën partizane, rrëfimi i djalit: Debati i babait me Enverin që e çoi pas hekurave

Historia tragjike e familjes së Ramazan Tabakut, tregtarit të madh tiranas që financoi luftën partizane në Pezë dhe pas përplasjes me Enver Hoxhën, si deputet e kryetar i Komitetit të Grumbullimeve, u dënua me 25 vite burg me Grupin e Deputetëve. Si u goditën pa mëshirë të gjithë pjesëtarët e familjes së tij, arratisjen e dy djemve nga Shqipëria, vdekja tragjike e nënës në internim në fshatin Baldushk ku nuk kishte se kush ta varroste dhe peripecitë e pafund të familjes që vuajti plot 109 vite burg e internim…

Nga Dashnor Kaloçi/ 

81-vjeçari Hysen Tabaku, apo Ceni, siç njihet ndryshe nga familjarët dhe të gjithë miqtë e tij, me shtetësi amerikane, i arratisur nga Shqipëria në vitin 1975, rrëfen për herë të parë për “Memory” historinë e tij dhe të familjes që nga burgosja e babait dhe nënës, torturat ndaj tyre deri sa treguan floririn, internimin e familjes dhe vuajtjet e tyre në fshatin Baldushk të Tiranës, vdekjen e prindërve dhe varrosjen e tyre në mënyrë tragjike në oborrin e shtëpisë, arratisjen e së motrës në Jugosllavi në vitin 1956, arratisjen e vetë Cenit në vitin 1975, pasi kishte bërë burgun e parë. Pasojat që ranë mbi bashkëshorten dhe dy djemtë që la në Tiranë, arratisjen e të vëllait, Engjellit, një vit më pas, arratisjen e vëllait tjetër, Yllit nga burgu i Fushë-Krujës dhe 28 vitet e tij të burgut deri te jeta e Cenit në SHBA, ku e ndihmoi për t’u stabilizuar ish-shoku i tij i ngushtë, Xhevdet Mustafa. Si u njoh ai me vajzën e re shqiptare, Gerta Qosja, me familje të arratisur nga liqeni i Shkodrës kur ajo nuk ishte më shumë se 3 vjeçe? Këto dhe të tjera histori tragjike dhe rrënqethëse do t’i ndiqni me poshtë në këtë intervistë të gjatë, që Cen Tabaku jep ekskluzivisht për lexuesit e Memorie.al.

Zoti Hysen, cila është origjina dhe e kaluara e familjes suaj dhe përse babai juaj, Ramazan Tabaku, i cili pas vitit 1944 mori një post të rëndësishëm në qeverinë e Enver Hoxhës, si ministër i Grumbullimeve, u godit nga regjimi komunist?

Origjina e hershme e familjes sonë është nga Tirana, por ne kemi banuar shumë kohë në Durrës, pasi kemi qenë familje tregtarësh. Në vitin 1939, kur u bë pushtimi italian i Shqipërisë, babai im, Ramazani, përkrahu forcat që akoma nuk ishin komuniste, por ishin forcat antifashiste çlirimtare kundër okupatorit. Babai im ka qenë një nga themeluesit e çetës së Pezës dhe i kishte miq të ngushtë krerët drejtues të saj, pasi Myslym Peza kishte qethur flokët e vëllait tim, e kishim kumbar. Kajo Karafili, (atentator dhe Hero i Popullit) gjatë kohës që ishte me Çetën e Pezës, u strehua disa kohë te shtëpia jonë, se u plagos nga duart. Babai në atë kohë e ka ngritur Pezën nga fuqia ekonomike e financiare, sepse ishte një idealist dhe patriot, që e donte shumë Shqipërinë. Në ato vite babai kishte një miqësi të ngushtë edhe me Shefqet Bejën, një patriot i madh, antifashist i bindur, i cili po ashtu si babai ynë, ka pas dhënë një kontribut të madh në financimin e çetës së Pezës dhe gjithë lëvizjes antifashiste në atë krahinë. Por të ndalem te babai im, Ramazani, i cili kishte shumë pasuri dhe në të njëjtën kohë bënte shumë propagandë për të fuqizuar forcat partizane. Kur ka qenë babai im në mal, ka qenë në të njëjtën kohë dhe bashkë me Rrahman Perllakun, Spiro Moisiun e Omer Nishanin. Kur erdhi çlirimi, babai kishte fuqi dhe mjaft kredibilitet në udhëheqjen e vendit të asaj kohe, kjo deri në vitin 1946. Në 1946-ën u bë reforma agrare e babai u dëshpërua shumë se pak para saj, ne na morën pasuritë, apo më saktë, na i shtetëzuan. Ne kemi shumë pasuri në rrethin e Durrësit, si në plazh, në një fshat që quhet Shkallnur, etj. dhe reforma na i mori të gjitha. Më 11 janar të vitit 1946, në një mbrëmje që bënë në hotel “Dajti”, babai bëri debat me Enver Hoxhën. Ndër të tjera gjatë asaj bisede, Enveri i thotë: “Ramazan, tani do të kemi shumë punë, se e formuam Republikën Popullore të Shqipërisë…”. Ndërsa babai i përgjigjet “Enver, atë punë mbaje për vete…, se unë nuk kam për të punuar më…”. Enveri i thotë: “Ti duhet të bësh diçka, se je vëlla dëshmori…”! (Në fakt, në familjen e babait tonë kemi një dëshmor, Abdulla Tabaku, por ai në nuk është vëllai i babait tonë. Për faktin se babai e ka rritur atë, e dinin të gjithë se e kishte si vëlla, por në fakt e kishte djalë xhaxhai. Abdullai pati një fat tragjik, pasi u kap nga gjermanët duke çuar municion në çetën e Pezës, u internua në Mat’hauzen, ku dhe vdiq nga torturat.

Të ndalemi te biseda e babait tuaj me Enver Hoxhën, ç’ndodhi më pas?
Pas bisedës me Enverin, babai ankohet te Myslym Peza duke i thënë se i është shtetëzuar toka dhe pasuria, por Myslymi nuk i jep asnjë shpresë se mund ta ndihmonte.

Pra, në një farë mënyre babai juaj nuk u pajtua me politikat e regjimit komunist të sapoardhur në fuqi asokohe, apo siç thuhej ndryshe, me Pushtetin Popullor…?

Jo vetëm që nuk u pajtua, por më keq, u zhgënjye shumë. Babait i ngeli hatri, (siç më ka treguar vetë kur kam folur me të vite më vonë), sepse nuk i donte jugosllavët dhe adaptimin e politikave ekonomike tonat me sistemin e tyre. Babai njihte mirë sistemin kapitalist perëndimor, pasi kishte bërë tregti me Italinë. Por mes popullit e udhëheqjes, asokohe ishte ndezur një zjarr dashurie, që babai nuk e konceptonte dhe nuk e suportonte dot. Unë kam qenë i vogël asokohe, por e mbaj mend kur turmat e njerëzve bërtisnin rrugëve të qyteteve në gjuhën serbo-kroate me parullën “Vëllazëri, unitet”. Babai përveçse ishte deputet, e kishin venë në një funksion, si biçim ministri i Grumbullimeve, por pa portofol. Në vitin 1947, babain e arrestojnë me të ashtuquajturin Grupi i Deputetëve, i cili kryesohej nga Shefqet Beja. Pas një periudhe të gjatë hetuesie tepër të vështirë, doli në gjyq me Grupin e Deputetëve dhe fillimisht e dënuan me pushkatim, por më pas ia falën jetën meqë ishte vëlla dëshmori dhe e dënuan me 25 vite burg. (Fotoja e babait tonë, Ramazan Tabakut në gjyq, ndodhet edhe në Muzeun Kombëtar në Tiranë, te “Pavioni i Genocidit Komunist”).

Tek arrestimi dhe më pas dënimi i babait tuaj, a ka pasur ndikim debati që bëri ai me Enverin?

Patjetër, pasi nuk mund të arrestohej një deputet dhe një anëtar i kabinetit qeveritar të kryesuar nga Enver Hoxha pa aprovimin dhe miratimin e tij.

Sa vite burg bëri babai?

Babai bëri plot 15 vite e 7 muaj dhe u lirua në vitin 1962, kur sapo regjimi komunist i Enver Hoxhës ishte prishur me Bashkimin Sovjetik dhe Tirana zyrtare ishte në një gjendje depresioni politik, pasi nuk po dinte se nga të orientohej. Dhe në këtë situatë u bënë disa falje dhe u liruan shumë të burgosur politikë, ku një prej tyre ishte dhe babai ynë. Gjatë vuajtjes së dënimit, unë kam pasur rastin të isha për shumë vite në burg, në një kamp pune me babanë, Ramazanin, në fushën e aviacionit të Rinasit, e cila është ndërtuar pothuajse e gjitha me djersën, kontributin e gjakun e të burgosurve politikë. Por po kthehem edhe një herë te viti 1947 kur u dënua babai, pasi inati i Enver Hoxhës nuk mbaroi vetëm me arrestimin e Ramazanit. Ndërkohë që babai ishte arrestuar dhe ndodhej në hetuesi, na arrestuan edhe nënën tonë, Sabrijen, të cilën e mbajtën plot nëntë muaj në hetuesi duke e torturuar që të tregonte se ku e kishim floririn e familjes sonë. Pas nëntë muajsh tortura, nëna nuk rezistoi dot më dhe i tregoi vendin ku ishte fshehur floriri i familjes dhe pasi erdhën dhe na e morën, vetëm atëherë na e liruan nënën nga burgu. Desha të shtoj se kur arrestuan nënën, na kanë arrestuar edhe ne të gjithë fëmijët e tyre; katër motra dhe tre vëllezër (Vera, Nevrezi, Dhurata, Drita, Hyseni, Engjëlli, Ylli) dhe na kanë mbajtur për shumë kohë të izoluar në hetuesi dhe burg. Motra, Nevrezi ka bërë katër vite burg dhe Dhurata dy. Edhe ne vëllezërit e tjerë u dënuam më pas me burgime dhe internime dhe po t’i mbledhësh të gjitha, në total ne si familje kemi bërë plot 109 vite burg dhe internim.

Mbasi u lirua nga burgu, si vijoi jeta e babait tuaj, Ramazanit? 

Babai u lirua në vitin 1962 pasi mbaroi 15 vite e 7 muaj burg dhe ndenji disa vjet te shtëpia që ishte si bodrum ku flinim ne. Vite më vonë, pasi isha arratisur nga Shqipëria unë dhe vëllai tjetër, Engjëlli, nënën, motrat e babain i hoqën nga Tirana dhe i internuan duke i çuar në fshatin Baldushk. Aty dhe vdiq babai në vitin 1982, pasi ishte i sëmurë nga vitet e gjata të burgut. Vdekja është vdekje dhe kur vjen nga Zoti nuk ke ç’i bën, por varrimi i babait tonë ka qenë një tjetër gjë mjaft tragjike dhe një moment tepër i dhimbshëm për këdo që mund ta dëgjojë, e jo më për familjen tonë. Pa e tepruar mund t’ju them se varrimi i tij ishte ndoshta edhe më i rëndë se vetë vdekja.

Në ç’kuptim…?!

Po kur vdiq babai aty në internim në fshatin Baldushk, në shtëpi ndodhej vetëm nëna, Sabrija dhe dy motrat, Nevrezi dhe Dhurata, pasi ne vëllezërit ishim të arratisur (unë me Engjëllin) dhe vëllai tjetër, Ylli, ishte në burg. Nëna ishte e sëmurë rëndë dhe nuk ishte në gjendje të lëvizte dot, ndërsa dy motrat e dobëta nga shëndeti nuk kishin fuqi që ta varrosnin babain. Pasi hapën një gropë, kërkuan se mos gjenin ndonjë dërrasë, por nuk kishin asgjë. Më pas me shumë mundime e kanë tërhequr babain zvarrë për këmbësh, derisa e kanë çuar tek gropa në cep të oborrit që do ishte dhe varri i tij.

A kërkuan ndihmë ato?

Siç më kanë treguar motrat vite më vonë, ato iu drejtuan për ndihmë një fshatari që po kalonte rastësisht aty pranë, pasi nuk bëhej fjalë që ato t’i shkonin ndokujt në shtëpi, qoftë edhe për ketë rast që po flasim, pasi nuk donin të dëmtonin njeri. Por dhe ai fshatari nuk erdhi, sepse ne ishim familje e deklasuar dhe ai në mos e ka ditur, e ka nënkuptuar, pasi nuk ishte normale që një të vdekur e përcillnin për në varr vetëm dy vajzat e tij dhe aq më pak në cep të oborrit të shtëpisë. Por duhet të kuptoni dhe të vëmë ngjarjen në kontekstin e kohës që ka ndodhur dhe kjo gjë asokohe si të thuash ishte e pranueshme për atë që i binte fatkeqësia. Regjimi komunist kishte detyruar që shqiptari-shqiptarin dhe vëllai-vëllain ta shihte me sy të keq. Po të kishe biografinë e keqe, njerëzit të largoheshin sikur të kishe murtajën. Kështu ka ndodhur dhe me familjen tonë.

Po kur vdiq nëna juaj?

Këtë desha t’ju them, se edhe kur vdiq nëna, Sabrija, me po të njëjtin ritual u varros. Dy motrat dhe mbesa e tërhoqën për këmbësh dhe e varrosën aty afër babait.

Po njerëzit tuaj të afërm nuk u lajmëruan as për vdekjen babait dhe as për vdekjen e nënës suaj?

Po, po u lajmëruan dhe lajmi shkoi edhe në Tiranë që ka vdekur, por nga fisi asnjë nuk shkoi ta varroste, me përjashtim të familjes së motrës, Verës. Pra, kishim mbetur vetëm. Ne si familje kishim arritur në atë pikë kritike, saqë ishim nën presion të vazhdueshëm të diktaturës së proletariatit, apo më saktë të Sigurimit të Shtetit që na ndiqte dhe na survejonte kudo. Por ka një ligj që studiohet në lëndën e Fizikës, që gjen zbatim edhe tek njerëzit. Që do të thotë ‘se kur diçka shtypet, ajo ka gjithmonë tendencë të ngrihet’. Kështu ka ndodhur edhe me një pjesë të atyre familjeve shqiptare që janë shtypur nga regjimi komunist, të cilët në një farë mënyre ose kanë reaguar në heshtje, ose kanë menduar dhe janë munduar që të largohen nga Shqipëria. Disa, ndonëse jo shumë, ia arritën të arratiseshin nga Shqipëria, e disa përfunduan prapë pas telave të burgut. Unë pata tendencën që të ngrihesha dhe pasi dola jashtë telave të burgut, më pas dola dhe jashtë atij burgu të madh pa tela që i thonin Shqipëri.(Memorie.al)

Greqia qe ndër shtetet e para në Ballkan në të cilat triumfoi fashizmi – Nga Mr.Isuf B. Bajrami

Shpërthimi i Luftës Italo-Greke më 1940 thelloi tensionin politik në Çamëri. Me gjithë përpjekjet e pushtuesit për ta tërhequr minoritetin shqiptar në anën e tij dhe pavarësisht se popullsia çame gjatë regjimit fashist të Metaksait kishte vuajtur shumë, ajo përgjithësisht mbajti një qëndrim neutral ndaj palëve në konflikt. “Edhe kur italianët pushtuan Gumenicën- shkruan Jani Sharra-  rrallë ndonjë çam u bashkua me ta”.

Gjithkush mund të shtrojë pyetjen: pse u mbajt ky qëndrim i ashpër ndaj minoritetit shqiptar ? A ishte kjo një masë vetëmbrojtjeje nga ana e autoriteteve lokale dhe qendrore greke ? A u shkaktua kjo vetëm nga frika e një hakmarrjeje të mundshme të shqiptarëve për krimet që ishin kryer ndaj tyre nga regjimi i Metaksait dhe bandat greke ? Të dhënat provojnë se asnjëra prej këtyre arsyeve nuk përbënte shkakun e këtij veprimi kriminal. Synimi ka qenë akoma më i largët dhe njëkohësisht më antishqiptar. Edhe në situatat e vështira dhe të komplikuara, kur Greqisë po i trokiste lufta në derë, autoritetet greke me gjakftohtësi u përpoqën të përfitonin ç’të mundnin. Ata gjykuan se ishte krijuar një moment i përshtatshëm në marrëdhëniet ndërkombëtare për spastrimin etnik përfundimtar të Çamërisë. Këtë e provon edhe fakti se pas shpërthimit të luftës, pasi u bë e qartë se kapitullimi i Greqisë përballë ushtrive italiane ishte i afërt, autoritetet lokale greke të Çamërisë përgatitën listat dhe po përpiqeshin të siguronin mjetet e nevojshme të mbartjes për të gjitha gratë dhe fëmijët që kishin mbetur në Çamëri me qëllim që kur të hynin ushtritë e huaja këtu, të mos gjenin këmbë shqiptari.

Pas thyerjes së ushtrive italiane dhe tërheqjes së tyre nga Greqia u intensifikua dhuna dhe terrori i qeverisë së re greke mbi popullsinë shqiptare të Çamërisë. Të burgosurit dhe të internuarit çamë u liruan vetëm pas pushtimit të Greqisë nga ushtritë gjermane në një gjendje të rëndë shëndetësore dhe shpirtërore.

Pas pushtimit të Greqisë nga gjermanët, pritej që çamët e kthyer nga internimi të hakmerreshin ndaj forcave shoviniste greke që kishin qenë shkaktarë të vuajtjeve. Por ndodhi krejt ndryshe. Ata u ngritën mbi pasionet shoviniste dhe zgjodhën rrugën e bashkëpunimit dhe të bashkëjetesës për të përballuar bashkërisht gjendjen e rëndë që u krijua nga pushtuesit e rinj gjermanë. Për këtë qëllim u organizuan dy mbledhje të gjera në Koskë dhe në Spatar. Njerëz me ndikim në krahinë si Musa Demi, Shuaip Llajo, Isuf Izeti, Xhaferr Çafuli, Jasin Sadiku dhe shumë të tjerë punuan me përkushtim për të krijuar atmosferën e mirëkuptimit midis dy komuniteteve, grek dhe shqiptar. Madje fshatarët e Varfanjit, Salicës etj., dërguan përfaqësuesit e tyre në fshatrat e krishtera ku burrat ishin larguar nga frika e hakmarrjes, duke i siguruar që të ktheheshin se asgjë e keqe nuk do t’i gjente.

Në zonën e Gumenicës dhe të Filatit ishte bërë rregull që asnjë grup i rezistencës greke nuk dilte në zonat e lira pa qenë i shoqëruar nga një shqiptar çam. Pikërisht për këtë veprimtari e sakrificë, jo pak çamë dolën para gjykatave të pushtuesit dhe u burgosën. Duke pasur parasysh këtë realitet të mirëkuptimit dhe të bashkëpunimit midis dy komuniteteve (greke dhe çame shqiptare) studiuesi Niko Zhangu shkruante: “Sikur shqiptarët çamë të ishin kriminelë, do të zhdukeshin të gjithë fshatrat e krishterë të Thesprotisë rreth fshatrave shqiptaro-çame”.

Për qarqet shoviniste greke nuk ishte i pranueshëm mirëkuptimi dhe bashkëveprimi midis komuniteteve shqiptare dhe greke. Për të nxitur përçarjen e tyre ata nxitën vrasjen e çamëve me influencë si Tefik Qemali, Jahja Kasemi, Jasin Sadiku etj.Me vrasjen e shqiptarëve të tjerë nga çeta e Koçnikollës, punët morën një drejtim të rrezikshëm. Të revoltuar nga këto akte, një grup çamësh u drejtuan për të djegur Rahulin, por u doli përpara popullsia e Karbunarit, një fshat i madh i përbërë prej shqiptarësh dhe i ndaloi. Edhe pse Rahuli shpëtoi nga një katastrofë e sigurte, “më pas bandat e Zervës therën edhe gratë dhe fëmijët e atyre që shpëtuan Rahulin”, domethënë banorët e Karbunarit. Në këto rrethana, disa krerë të Çamërisë u përpoqën të formonin një batalion për mbrojtjen e saj. U formua një batalion i cili kishte vetëm gjysmën e efektivit të një batalioni të zakonshëm, afro 300 veta. Për arsye se gjermanët nuk donin të prishin marrëdhëniet me qeverinë kuislingë të Ralisit, ky batalion veproi brenda kufijve politikë të shtetit shqiptar. Populli u armatos, por nuk pranoi të bashkëpunonte me gjermanët, nuk u fut në këtë batalion dhe nuk i përdori armët kundër popullsisë greke, por përkundrazi u rezistoi në mënyrë demonstrative përpjekjeve të gjermanëve për ta hedhur kundër elementit grek. Qëllimi i armatosjes së popullsisë çame ishte thjesht një masë vetëmbrojtëse, pasi ata kishin vuajtur shumë nga shovinizmi grek. Por ajo që i shqetësoi më shumë atëherë forcat shoviniste greke ishte ngritja e këshillave shqiptare në të gjithë Çamërinë. Në mars të vitit 1943 u formua çeta e parë mikste, e cila bashkëpunonte me EAM-in. Tashmë, edhe biografët e Zervës, si Mihal Miridhaqi nuk e mohojnë kontributin dhe pjesëmarrjen e çamëve myslimanë në radhët e rezistencës antifashiste greke, në formacionet e ELLAS-it dhe EAM-it. Historiani i lartpërmendur thekson se çamët nxorrën mbi 1000 luftëtarë. Popullsia çame filloi të organizohej në luftën kundër fashizmit në dimrin e viteve 1942-1943, madje që në verën e vitit 1942 u krijua në Filat grupi ilegal i rezistencës antifashiste i përbërë nga Njazi e Kasem Demi, Mustafa Sulo (Kalbaqi), Dervish Dojaka, Muharrem Demi, Braho Karasani, Sami Alushi, Tahir Demi, Vehip Huso e shumë të tjerë.

Ata punuan në rrëzë të kufirit të Shkallës së Zorjanit e më thellë për organizimin e rezistencës, për krijimin e bazave të luftës, për popullarizimin e ideve të Kartës së Atlantikut, e cila u garantonte popujve e pakicave etnike liri, barazi dhe të drejtën e vetëvendosjes pas fitores mbi fashizmin. Në shkurt të vitit 1943 u krijua çeta “Çamëria” dhe pak më vonë batalioni “Çamëria”, i cili zhvilloi në shtator 1943 betejën e famshme të Konsipolit kundër gjermanëve, që zgjati 55 ditë. Ajo betejë u shqua për pjesëmarrjen e gjerë të popullsisë së Çamërisë, të Delvinës dhe të minoritetit pa dallim kombësie e shtresash shoqërore. Në mars të këtij viti u krijua formacioni i parë mikst shqiptaro-grek. Ai luftoi me trimëri kundër gjermanëve dhe zervistëve në Mallun, në Revan, në Theojefira, në Pleshavicë, në malin Kacidhjar e gjetkë. Në pranverë të vitit 1944 në Qeramicë u formua Batalioni IV “Ali Demi” me më shumë se 500 djem çamë. Ky batalion hyri në përbërje të Regjimentit XV të Ushtrisë Nacionalçlirimtare Greke (EAM). Gjatë luftimeve të tij në rrugën Janinë-Gumenicë, Koskë, Smartë e Lopës si dhe në Mallun ranë trimërisht dëshmorët Muharrem Myrtezai, Ibrahim Halluni, Husa Vejseli etj. Gjithashtu, shumë çamë morën pjesë në Brigadën VI, VII, IX dhe XI të ushtrisë greke. Edhe misioni britanik që kreu hetime në Çamëri nuk e mohonte pjesëmarrjen e çamëve në radhët e EAM-it.

Edhe gjermanët u përpoqën ta hedhin minoritetin shqiptar në luftë kundër EAM-it dhe Frontit Nacionalçlirimtar Shqiptar. Këto përpjekje regresive shoqëroheshin me një propagandë me ngjyra të theksuara nacionaliste.

Në kuadrin e bashkëpunimit të popullit shqiptar dhe atij grek, u bënë përpjekje për të vendosur ura lidhjeje në linjën e atyre forcave që udhëhiqeshin nga Partitë Komuniste. Në bisedimet midis përfaqësuesve të të dy palëve ishte vendosur që në tetor të vitit 1943, të harmonizohej puna në minoritet. Për këtë qëllim ishte pranuar që të vinin në minoritetin grek në Shqipëri anëtarë të Partisë Komuniste Greke “që të bëjnë punë në minoritete duke enë në lidhje gjithmonë me ne”. Po kështu do të procedohej edhe në Çamëri.

Minoriteti grek në Shqipëri u synua me lakmi nga reaksioni zervist grek për të depërtuar në të, me qëllime të hapura antishqiptare. Të dërguarit e EAM-it në minoritet, si Aleks Janari, me propagandën e tyre shfrytëzuan marrëveshjen që përmendëm më sipër, për të ngjallur ndjenjat nacionaliste të minoritetit, “për t’i bërë masat e minoritetit t’i drejtojnë sytë nga Greqia”. Në një miting që ishte bërë në Akrovjan ishte deklaruar hapur se “ne pranojmë të jemi një Greqi qoftë komunikste, qoftë djalliste, por vetëm Greqi të jemi”. Sipas të njëjtit burim del se grumbullimet dhe veprimtaria e reaksionit grek financohej me të holla. Nga Dhrovjani dhe Leshnic ishin dërguar për tek Zerva 23 veta “pasi ky paguante 1 stërlinë për tre anëtarë të familjes” (minoritare). Ndjenjat nacionaliste po merrnin forcë në minoritetin shqiptar në Greqi, domethënë në Çamërinë e përtejme, duke ndikuar në çoroditjen e popullsisë çame ndaj situatës në luftës dhe të mbështetjes së saj. Megjithatë, Kryesia e Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar të Shqipërisë, duke pasur bindje në vijën e bashkëpunimit midis dy popujve, dërgoi një delegacion në Konferencën Panepirotike të EAM-it sipas ftesës së bërë nga Komiteti Panepirotik Nacionalçlirimtar i Greqisë më 14 qershor 1944. Duhet shënuar se ky bashkëpunim inspirohej nga qëllime fisnike të bashkëjetesës midis fqinjëve me devizën : luftë e ashpër dhe e paprerë armikut nazist dhe gjithë reaksionit në shërbim të tij.

Peshë jo të vogël në trajtimin e çështjes çame dhe të pozitës së Çamërisë në vitet e Luftës së Dytë Botërore do të luante dhe qëndrimi i nacionalistëve çamë, i cili aspironte hapur me qëndrimin e vet bashkimin e Çamërisë me Shqipërinë.

Këtë lëvizje e drejtonte një Këshill krahinor me organizmat e tij në nënprefekturat dhe fshatrat. Pjesëtarë të këshillit krahinor të Çamërisë ishin njerëz me influencë si vëllezërit Dino, Adem Muha, Hamza Rexhepi, Hizder Ahmeti, Mahmut Mala, Ramadan Sulo, Bido Taho, Haxhi Shehu etj. Këshilli krahinor kryente në një farë mënyre detyra të qeverisjes siç ishin mbajtja e rrefullit dhe qetësisë, zgjidhja e mosmarrëveshjeve, interesohej për hapje shkollash shqipe etj.

Një veprimtari e tillë ishte e papranueshme për qeveritarët e Athinës. Ndaj Qeveria greke e Ralisit shtroi kërkesën këmbëngulëse pranë të Dërguarit të Posaçëm gjerman për Evropën Juglindore Nojbaherit “për rivendosjen e prefektit të administratës greke në Thesproti”, “të cilët do të kryenin funksionet e tyre zyrtare në Çamëri, duke u mbështetur në Vermahtin gjerman”.

Mirëpo autoritetet gjermane mbanin një qëndrim të dyfishtë. Sipas këtij qëndrimi, gjermanët nuk njihnin zyrtarisht veprimtarinë e Këshillit Krahinor çam, çka presupozonte njohjen e administratës shqiptare. Nga ana tjetër, nuk i jepte përgjigje të prerë as qeverisë së Ralisit. Megjithatë, në heshtje, autoritetet gjermane e pranonin punën e Këshillit, i cili siguronte mbajtjen e qetësisë në krahinë, gjë që u interesonte edhe gjermanëve. Nacionalistët shqiptarë çamë nuk përkrahnin përpjekjet e oficerit anglez të ndërlidhjes për një marrëveshje bashkëpunimi me grupin nacionalist të Zervës. Është e qartë se këto përpjekje nuk dhanë ndonjë rezultat, sepse qëllimet e këtyre grupimeve nacionaliste ishin diametralisht të kundërta.

Nacionalistët shqiptarë synonin bashkimin e Çamërisë me Shqipërinë, ndërsa përkrahësit e Zervës e kundërshtonin me çdo mënyrë një gjë të tillë. Madje zervistët prisnin rastin e volitshëm për një sulm vendimtar mbi Çamërinë, për të ushtruar mbi të shfarosjen kombëtare.

Për të realizuar synimet e tyre, nacionalistët çamë bënë përpjekje për t’u lidhur me Shtabin Aleat të Mesdheut, për të mënjanuar rrezikun zervist për fatin e Çamërisë. Një qëndrim të tillë e kishin konstatuar dhe autoritetet gjermane. “Sipas raporteve që i kanë ardhur të dërguarit të posaçëm të Rajhut, Nojbaherit, vërenin gjermanët-grupi nacionalist shqiptar po punon për t’ia aneksuar Çamërinë Shqipërisë”. Në përgjigje të këtij telegrami pohohet me gojën plot se “Ky grup (nacionalistët) është gati të lidhet me këdo, mjaft të bashkojë Çamërinë me Shqipërinë”.

Rreziku i një raprezaljeje nga bandat shoviniste të Zervës i bën më të vetëdijshëm nacionalistët çamë që të ngulnin këmbë në pikëpamjen e tyre se rruga e bashkimit të tyre ishte rruga e bashkimit të forcave politike shqiptare.

Edhe pse Marrëveshja e Mukjes (gusht 1943) ishte denoncuar nga PKSH në mënyrë të njëanshme, nacionalistët çamë i referoheshin asaj si e vetmja rrugë për të zgjidhur çështjen kombëtare shqiptare. Për këtë ata bënë disa herë thirrje për të shmangur luftën vëllavrasëse dhe për bashkimin e të gjitha forcave për mbrojtjen e çështjes kombëtare, në këtë kuadër dhe atë të Çamërisë. Në një letër që Nuri Dino i dërgonte më 21 shkurt 1944 Shefqet Peçit, konstatonte se në Greqi po bëheshin përpjekje për bashkimin e dy forcave kryesore politike të EAM-it dhe EDES-it me synimin që “grekët të shkatërrojnë Shqipërinë edhe nën maskën komuniste…”. Dhe më tej ai i kujton Sh. Peçit se “mjaft gjak shqiptari vaditi tokën tonë, mjaft larg u dëgjua afshi i popullit tonë për liri dhe kjo mjafton për të nesërmen, por e nesërmja duhet të na gjejë të bashkuar më shumë se kurrë”. Thelbin e kësaj letre e përbënte kërkesa këmbëngulëse për bashkim “për hir të gjakut që na bashkon dhe të zakonit që s’mund të na ndajë”. Ai kërkonte mendimin për bazat e bashkimit, por me “kusht që të mos preken parimet tona dhe karakteri kombëtar”.

Përballë bashkimit të armiqve të kombit shqiptar, një qëndrim i tillë për bashkimin e forcave politike shqiptare ishte më se i justifikuar. Por një gjë e tillë nuk ndodhi, sepse denoncimin e Mukjes e kishte sanksionuar edhe Konferenca Nacionalçlirimtare e Labinotit (shtator 1943).

Në anën tjetër, popullsia çame gjendej përballë veprimtarisë së ethshme antishqiptare të EDES-it të Zervës, i cili e kërcënonte atë me raprezalje dhe shfarosje. Zerva u përpoq ta përdorte popullsinë çame si forcë kundër ELLAS-it. Kjo manovër djallëzore synonte së pari ta fuste popullsinë shqiptare në kurthin e luftës midis forcave politike në Greqi, së majtës ekstreme dhe së djathtës ekstreme, me synimin që cilido të ishte rezultati i konfrontimit politik në Greqi, të krijohej preteksti dhe konjuktura e përshtatshme politike për shfarosjen dhe dëbimin e saj.

Së dyti, të shtonte forcat për të goditur EAM-in kundërshtar, pra ta përdorte popullin shqiptar si mish për top. Në bisedimet e zhvilluara në fshatin Mininë në -3-6 korrik 1944, të dërguarit e Zervës i parashtruan popullsisë çame këto kushte:

  1. Çarmatimin e plotë ,
  1. Mobilizimin e përgjithshëm të popullsisë çame në radhët e EDES-it si dhe të pranonin pushtetin e EDES-it në Çamëri.

Populli çam u gjend në pozita të vështira. Ai nuk pranoi të futet në luftën midis forcave rivale në Greqi dhe si ndëshkim Zerva filloi ndaj kësaj popullsie sulmin e përgjithshëm të 8 korrikut 1944 që ka patur ato konsekuenca që dihen. Ky fakt pohohet dhe në letrën e Këshillit Antifashist të Çamërisë dërguar: Qeverisë greke të Bashkimit Kombëtar, Shtabit të Përgjithshëm të Mesdheut, Qeverive të Fuqive të Mëdha, Komitetit Qendror të EAM-it, Guvernatorit të Epirit, Komitetit Panepirot të EAM-it.

Në arkivat e Shqipërisë ruhen shumë dëshmi të emigrantëve çamë lidhur me krimet e forcave zerviste.

Çamërisë dhe çamët gjatë Luftës së Dytë Botërore

Por përpara masakrës së korrikut, forcat e EDES-it kishin kryer një valë tjetër masakrash në qershor. Gjithashtu, pas verës pasoi një fushatë tjetër në tetor të vitit 1944 e cila bëri të plotë spastrimin etnik të Çamërisë.

Rezultatet e këtij spastrimi kanë qenë me të vërtetë tragjike. Nga një popullsi prej 35000 vetë që ishte para luftës mbetën vetëm disa dhjetëra familje. Vetëm në tragjedinë e Filatit dhe të Paramithisë që u zhvillua në qershor dhe tetor të vitit 1944, rezultati ishte: 2000 të vrarë, gra, fëmijë, pleq dhe burra të paarmatosur, të masakruar në mënyrën më çnjerëzore nga bandat zerviste. Në fshatrat e Paramithisë, Gardhitës, Dragomit, Karbunarit, Veliat, Filatit, Galbaqit dhe Spatarit u grabitën 4949000 okë drithë, 2217500 okë tërshërë dhe elb, 361500 okë djathtë, 457700 okë vaj ulliri, 12850 okë gjalpë, 27020 krerë bagëti të imta, 18500 okë duhan, 26800 okë oriz, 37000 okë bajame, 2500-3000 shtëpi të djegura dhe dëme të tjera të pronës që arrinin në 84700 frs.

Një pjesë e mirë e historiografisë greke të pasluftës dhe diplomacia greke gjatë periudhës së luftës së ftohtë, por edhe sot, kanë mbrojtur tezën absurde se populli çam (an blok) ishte bashkëpunëtor i nazistëve dhe fashistëve dhe u largua me ta për në Shqipëri në fund të luftës. Por si qëndron e vërteta ? Është rasti të (konfirmohet) pohohet se në luftën antifashiste popullsia shqiptare e Çamërisë inkuadroi në formacionet luftarake shqiptare dhe greke mbi 1000 luftëtarë, pa llogaritur qindra të tjerë që punonin në terren. Vetëm në radhët e ELAS-it dhanë jetën 68 partizanë çamë.

Është tashmë e provuar se masakrat dhe dëbimin e dhunshëm të popullsisë shqiptare të Çamërisë i kreu Zerva, i cili ishte dhe bashkëpunëtor i gjermanëve. Pikërisht këtu mendojmë se duhen rikujtuar disa dokumenta që provojnë bashkëpunimin e tij me gjermanët dhe kështu do të mbetet absurd pretendimi grek se një aleat i gjermanëve ka dëbuar nga trojet etnike një popullsi të tërë pse ishte në bashkëpunim me aleatët e tij.

Bashkëpunimi i Zervës me gjermanët është i provuar nga dokumentet gjermane si dhe nga shtypi grek i kohës dhe i pasluftës, i cili ka dhënë dhjetëra dëshmi në këtë drejtim. Nga arkivat sekrete të Vermahtit gjerman për Greqinë, zbulohet një marrëveshje bashkëpunimi midis Zervës dhe pushtuesve gjermanë që të godiste grekët e tjerë. Autori që ka publikuar këtë marrëveshje shprehet se “ekzistonte në thellësi një miqësi me ujkun”. Në dokumentin gjerman thuhet: “Gjatë natës së 1-2 shkurtit 1944, Zerva i parashtroi Komandës së Korparmatës XXII malore, me anën e një oficeri të plotfuqishëm propozimin për bashkëpunim mbi bazat që vijojnë: armëpushim, bashkëpunim në luftën kundër ELAS-it në azhurnim të vazhdueshëm mbi qëllimet e tij, mbi vetë pozitën e tij si dhe mbi forcat armike”. Propozimi i Zervës iu parashtrua dhe të Plotfuqishmëve të Posaçëm të Rajhut për Evropën Juglindore, ministrit Nojbaher (Neubacher?).

Përgjigja ishte: të vazhdojmë traktativat deri sa të merret vendimi përfundimtar. Më 9 shkurt 1944 u arrit aprovimi për marrëveshje lokalisht të përkufizuar… Kjo situatë vazhdoi deri në fillim të korrikut 1944. Forcat e Zervës në mars 1944 ishin rreth 10000 luftëtarë.

Sipas marrëveshjes me autoritetet gjermane duhej të mbetej e lirë nga ushtria e Zervës një rrip bregdetar prej 10 km. Mirëpo më 3 korrik 1944, trupat e Zervës e pushtuan zonën bregdetare pranë Pargës. Po ashtu, gjatë natës 6-7 korrik filluan në befasi veprimet luftarake të trupave të Zervës kundër reparteve gjermane në perëndim të Artës dhe në rrugët Janinë-Artë dhe Janinë-Gumenicë.

Siç shpjegohet në dokument “ndryshimi i qëndrimit të Zervës nga marrëveshja e arritur me gjermanët ndodhi si rezultat i ndërhyrjes së oficerëve të ndërlidhjes aleate, të cilët morën përsipër vetë udhëheqjen e ushtrisë së Zervës. Madje thuhet se edhe urdhrin për sulm kundër gjermanëve e dhanë oficerët ndërlidhës të aleatëve. Nisur nga ngjarje të tilla as edhe gjermanët nuk ishin të qetë për marrëveshjen që nënshkruan. Lajmet e shërbimeve sekrete gjermane konstatonin që në rast zbarkimi të aleatëve, EDES-i do të luftojë kundër gjermanëve, duke iu referuar udhëheqësit të EDES-it papajoanu. Në gusht 1944 forcat zerviste arrinin rreth 21000 vetë.

Në vitin 1947, pavarësisht nga dëshira e amerikanëve, që qeveria greke të mbështetej mbi një koalicion sa më të gjerë, Departamenti i Shtetit shfaqi hapur pakënaqësinë e tij ndaj kandidaturës së Zervës si ministër i Punëve Publike, duke e akuzuar atë hapur si bashkëpunëtor të gjermanëve. Ky qëndrim parimor i Departamentit të Shtetit ishte aq i vendosur saqë ai shkonte deri atje sa të kërcënonte udhëheqësit grekë se, në rast të kundërt, do të tërhiqte misionin ushtarak. Ambasadori amerikan në Athinë Macveagh i deklaroi hapur N. Zervos se si shtypi, ashtu edhe publiku në SHBA në shumicë ka opinionin se ai ka tendenca diktatoriale dhe fashiste që janë në kundërshtim me idealet e demokracisë sonë”. Kështu, atij iu bë e qartë se nuk meritonte besimin si anëtar i ndonjë qeverie që propozohej të bashkëpunonte ngushtë me SHBA. Po kështu, një personalitet tjetër me peshë, Guvernatori Grisuold, duke refuzuar ta priste Zervën, i deklaronte sekretarit të tij të njëjtën gjë, se ekzistonte një opinion i fortë publik, i cili ishte kundër Zervës në ShBA dhe në vendet e tjera si Franca dhe Anglia, të cilat ishin mike të Greqisë dhe se ai e ndjente se për këto arsye në qoftë se Zerva do të bëhej ministër i Rendit Publik, kjo do të ishte një fatkeqësi e madhe për Greqinë dhe mund të përmbysë punën që po bën Misioni Amerikan për të”.

Bashkëpunimi i Zervës me gjermanët, ishte dëshmuar edhe në Senatin Amerikan nga oficeri i ushtrisë amerikane me origjinë greke Kouvras më 31 mars 1947, duke e cilësuar atë si një kolaboracionist të tipit të Mihailloviçit të Jugosllavisë. Kouvaras i paraqiti Senatit një dokument shumë komprometues, i cili provonte marrëveshjen që ekzistonte midis forcave të armatosura gjermane në Epir dhe EDES-it të Zervës. Ky dokument ishte një memorandum i Shtabit të Përgjithshëm të Korpusit të 22 të Ushtrisë Gjermane.

Tezën greke e hedhin poshtë edhe dokumentet diplomatike angleze të kohës, të cilat nuk mund të dyshohen për ndonjë tendencë anti greke, por përkundrazi për tolerancë ndaj aleatëve të tyre dhe në radhë të parë ndaj forcave të së djathtës, të cilat ishin pikëmbështetja e tyre. Kështu, sipas dëshmive të njërit nga zyrtarët e lartë të misionit anglez në Shqipëri, majorit Palmer, i cili kreu një udhëtim eksplorues në Greqinë e Veriut pohohet se “Forca 399” kishte përcaktuar deri në 2000 veta që bashkëpunuan “me gjithë zemër me gjermanët”, por ai nuk mohonte faktin që pati edhe rreth 700 veta që luftuan në radhët e ELLAS-it kundër gjermanëve. Tërheq vëmendjen një fakt se shifra që jep Palmeri, përkon me numrin e të dënuarve nga gjyqi famëkeq i Janinës, i ashtuquajtur “Gjyqi i kolaboracionistëve”, i zhvilluar në vitin 1945-1946, i cili dënoi në mungesë 1930 shqiptarë të Çamërisë. Palmeri, i cili është mbështetur siç e thotë dhe vetë në të dhënat e palës greke e konkretisht të majorit Sarandis, i cili-thotë Palmeri- “pranoi përgjithësisht veprimet e kryera prej grekëve kundër minoritetit shqiptar” hedh paksa dritë edhe mbi një çështje tjetër mjaft të rëndësishme, e cila ka të bëjë me faktin se ç’vend patën gjermanët në gjenocidin që kryen forcat ultrashoviniste dhe fashiste greke kundër popullsisë shqiptare, të cilin Palmeri, pa u shqetësuar për tragjedinë e dhimbshme të kësaj popullsie, me gjakftohtësi e quan thjesht një “situatë grindjesh”. Ai pohon sidoqoftë, një të vërtetë se ky akt “padyshim ishte i inkurajuar nga gjermanët”. Gjenocidin zervist për spastrimin etnik në Çamëri e konfirmonte edhe koloneli, ish kryetar i Misionit Anglez në Greqi, i cili thotë se “Zerva i ndoqi çamët nga shtëpitë e tyre në 1944… Dëbimi u krye me gjakderdhje të madhe. Qëllimi ishte dëbimi i popullsisë së padëshirueshme shqiptare nga vendi i vet”. Madje këtë gjenocid ndaj shqiptarëve të Çamërisë e ka pohuar vetë N. Zerva. Në letrën dërguar më 4 gusht 1953, Jani Dani Popovitit e porosiste: “Të marrë përsipër detyrën e sqarimit të bashkatdhetarëve (grekëve) se kush e pastroi Çamërinë nga shqiptarët”. Këtë fakt e dëshmojnë edhe dokumentet e Komitetit Antifashist Nacionalçlirimtar të refugjatëve çamë në Shqipëri. Në një memorandum të këtij Komiteti dërguar Ministrave të Jashtëm në Moskë i cili u publikua në gazetën “Bashkimi” dhe pastaj edhe në “Pravda”, pohohej se “Para shpartallimit të gjermanëve, monarkistët grekë dhe fashistët, bashkë me Gestapon, sulmuan popullsinë dhe shkaktuan emigrimin e minoritetit shqiptar në territorin e Shqipërisë. Aktet e autoriteteve greke ishin në kontradiktë të qartë me Kartën e Atlantikut dhe me vendimet e Jaltës dhe të Potsdamit”. Pozitën e gjermanëve lidhur me gjenocidin e bandave zerviste kundër popullsisë çame e komprometon më tej një dokument tjetër që vjen nga një ditar i njërit prej nacionalistëve çamë, Rexhep Dino, i cili shpjegon dhe një enigmë tjetër, se si hyri Zerva në Çamëri, kur populli çam ishte i armatosur. Ky dokument provon se Zerva nuk guxonte të hynte në Çamëri, sepse i trembej konfrontimit me popullsinë çame, e cila ishte e vendosur të vetëmbrohej. Prandaj, ai ndërhyri pranë autoriteteve gjermane të pushtimit që ata të bënin çarmatimin e saj dhe ia arriti këtij qëllimi. Çarmatimi i popullsisë u krye nga gjermanët me një urdhër direkt të Hitlerit. Autori i lartpërmendur pohon se gjermanët në këtë rast nuk përfillën as lutjet e nacionalistëve shqiptarë çamë, që kishin besim tek ata për të realizuar aspiratat e tyre, për bashkimin kombëtar. Më pas Zerva hyri në Çamëri dhe kreu krimet monstruoze që tashmë dihen.

Nga hetimet e tij Palmeri përpiqet të hedhë sadopak dritë mbi motivet e kësaj masakre dhe ai jep një shpjegim interesant që i afrohet të vërtetës ose më saktë është një pjesë e saj. Ai i raportonte eprorëve të tij se “Rrethi ku banonte ky minoritet ishte i pasur, konsekuenca ka qenë gjithnjë një ndjenjë zilie dhe urrejtjeje nga ana e grekëve për atë rreth ndaj çamëve”. Në të njëjtën kohë Palmeri vë në dukje se pretendimi absurd për aneksimin e Shqipërisë së Jugut nga Greqia, të cilën shteti grek e kishte kultivuar në maksimum për disa dekada, kishte prodhuar “një urrejtje shumë të fortë, e cila drejtohej jo vetëm kundër çamëve, por kundër gjithë shqiptarëve në përgjithësi”.

Në këtë mënyrë, Palmeri vë në dyshim pretendimin se spastrimi etnik i Çamërisë u krye për shkak të bashkëpunimit të kësaj popullsie me gjermanët, por si pjesë e strategjisë shoviniste të Greqisë kundër shqiptarëve.

Megjithatë, Palmeri e pranonte dhe mundësinë hipotetike të bashkëpunimit të një pjese të minoritetit shqiptar me italianët dhe si shkaqe të këtij bashkëpunimi të mundshëm ai jepte “;dëshirën për ta bashkuar Çamërinë me Shqipërinë ose për të shfrytëzuar mundësitë që paraqiste realiteti i krijuar për të qëruar hesapet e vjetra me grekët. Ai pohonte se nuk mund të arrihej në ndonjë konkluzion se kush nga të dy palët ishte përgjegjës për fillimin e armiqësive. Në të vërtetë, armiqësitë dhe konflikti nacional në Çamëri, siç kemi theksuar më lart, kishin filluar këtu me aneksimin e kësaj treve shqiptare nga Greqia gjatë Luftërave Ballkanike.

Shkaku themelor ka qenë politika sistematike antishqiptare dhe shkombëtarizuese e qeverisë greke dhe organizmave të ndryshme të saj. Kjo situatë e tendosur, sigurisht që ka shkaktuar edhe konflikte të veçanta midis të dy palëve, por dhuna dhe krimi grek dallohen cilësisht pasi ata ishin të ushtruara, të organizuara, të drejtuara ose të nxitura nga shteti grek. Prandaj bashkëpunimin e elementëve të veçantë shqiptarë me gjermanët dhe italianët, i cili e kishte burimin në shtypjen e rëndë nacionale nga shteti grek, qeveria dhe propaganda greke, pas luftës, madje dhe sot, u përpoqën të fryjnë dhe ta paraqesin si një bashkëpunim total ndaj popullsisë çame me gjermanët. Qëllimi ka qenë i qartë, që t’i vihej një bazë justifikuese spastrimit etnik të Çamërisë.

Por armiqësitë dhe përplasjet sipas të dhënave të mbledhura nga Misioni Britanik, rezultonin edhe në një linjë tjetër, në kuadrin e ballafaqimeve midis EDES-it dhe ELAS-it. Por as këto ngjarje nuk përbëjnë argumente për të përligjur spastrimin etnik të Çamërisë.

Përpara se Palmeri të kryente hetimet e tij në Çamëri, zbulimet britanike në dhjetor të vitit 1944 dhe në janar të vitit 1945, kishin informuar se masakrat dhe shpërngulja e popullsisë çame ishin kryer nga Zerva. Pohohej se pas pushtimit italian një grup nacionalistësh shqiptarë “kishte ndihmuar në vitin 1940 Ushtrinë Italiane në fushatën e saj kundër Greqisë dhe në vitin 1944 ata i kishin dhënë ndihmë afektive forcave gjermane të pushtimit. Pas largimit përfundimtar të gjermanëve nga Çamëria trupat e Zervës u shpërndanë në shtëpitë e shqiptarëve. Në një lokalitet 40 ushtarë të Zervës u zhdukën dhe pastaj u gjendën të vdekur. Ky incident që ndodhi rreth qershorit të vitit 1944 shkaktoi reprezaljet e forcave të Zervës, të cilat çuan në dëbimin e të gjithë shqiptarëve nga Greqia”.

Pas raportit të Palmerit, një tjetër informacion iu dërgua Foreign Ofisit nga autoritetet ushtarake britanike në Greqi. Në të jepej vlerësimi i përgjithshëm se veprimet kundër çamëve ishin të kuptueshme, sado që ishin të qortueshme. Duke iu referuar Librit të Bardhë grek ky raport i paraqiste çamët si “një popullsi gjaknxehtë dhe violente ashtu si shumë komunitete të tjera malore ballkanike”. Ndër të tjera në këtë raport thuhej: “Dy herë minoriteti shqiptar ka qenë përfshirë në shkatërrimet e zonës ku ata jetojnë. Dhe bregdeti shqiptar që shtrihet përballë Korfuzit ishte një nxitje e përhershme për nacionalistët e zjarrtë grekë. Gjatë lëvizjes së rezistencës çamët i kishin shqetësuar grekët sërish duke vepruar në banda midis bregdetit dhe forcave të gjeneralit Zerva. Ata ia prenë lidhjet atij (Zervës) ose të paktën penguan lidhjet e tij me kolegët e vet në Korfuz. Çamët përfaqësonin për Aksin një element nacionalist antigrek. Nuk duhet harruar se Zerva kur u godit dhjetorin e kaluar nga ELAS-i, u ankua se ai ishte goditur gjithashtu nga shqiptarët. Këta më shumë mundësi ka që të ishin çamët se sa ndonjë forcë nga Shqipëria. Në këto rrethana, veprimet kundër çamëve nga ana e grekëve kanë qenë të kuptueshme, megjithëse të qortueshme”.

Çështja e Çamërisë, bashkë me atë të Kosovës u pozuan në opinionin publik nga Diaspora Shqiptare në kushtet e vetizolimit të Shqipërisë, kur shteti shqiptar thuajse i kishte lidhur duart vetvetes për të mbrojtur interesat kombëtare shqiptare, duke vënë në plan të parë interesat e ngushta të mbrojtjes së pushtetit dhe parimet e bashkëpunimit në linjën e ashtuquajtur internacionaliste. Reagimet më të vendosura u bënë nga Shoqata “Çamëria” në SHBA, e cila zhvilloi shumë aktivitete në mbrojtje të çështjes çame. Në një letër dërguar Sekretarit të Shtetit të SHBA Cordell Hull, pasi theksonte kontributin që dha Shqipëria në luftën kundër fashizmit, shoqata kërkonte që parimet e Kartës së Atlantikut të zbatohen me konsekuencë edhe në çështjen shqiptare. Në mënyrë të posaçme, shoqata i referohej neneve 2 dhe 3 të kësaj karte dhe kërkonte që populli shqiptar, që kishte mbetur në shtetet fqinje të përcaktonte formën e qeverimit nën të cilën do të jetojë, të ushtrojë të drejtat sovrane dhe të restaurohej vetëqeverimi; të drejta këto që u ishin rrëmbyer me forcë. Në këtë mënyrë, ata jo vetëm kërkonin kthimin e popullsisë çame në trojet e veta, por që edhe Çamëria së bashku me Kosovën të shpreheshin lirisht për të ardhmen e tyre.

Forca kryesore që u vu në krye të përpjekjeve për të mbrojtur çështjen çame ishte Këshilli Antifashist i Çamërisë që zhvillonte aktivitetin e tij në Shqipëri. Ai drejtoi masat e popullsisë çame, përpjekjet e saj për t’u kthyer në atdhe. Kjo organizatë zhvilloi një aktivitet të gjerë si në aspektin diplomatik, ashtu edhe në organizimin e refugjatëve çamë, në organizimin e propagandës dhe në mbajtjen gjallë të shpresave për t’u rikthyer në atdhe. Këshilli Antifashist i refugjatëve çamë u dërgoi disa memorandume dhe protesta Fuqive të Mëdha, Qeverisë Greke, Shtabit të Përgjithshëm të Mesdheut, Komitetit Qendror të EAM-it, Guvernatorit të Epirit dhe Komitetit panepirot të EAM-it. Më e hershmja është notë protestë dërguar Fuqive të Mëdha më 17 tetor 1944 në të cilën kërkohej që të largoheshin forcat e EDES-it nga Çamëria për të siguruar nderin, jetën dhe pronën e popullsisë si dhe sigurimin e të gjitha të drejtave të barabarta të bazuara në Kartën e Atlantikut dhe pjesëmarrjen e popullsisë çame në luftën e popullit grek kundër pushtuesit të huaj si dhe lirimin sa më shpejt që të ishte e mundur të 300 grave dhe fëmijëve të cilët mbaheshin në kampet e përqendrimit në Filat dhe në Paramithi.

Këtë protestë e pasoi një tjetër votim proteste dërguar këtyre subjekteve nga Filati i Çamërisë më 30 tetor 1944. Në të paraqitet në përmasa reale tragjedia çame, hidhet dritë mbi shkaqet e saj. Ky dokument shquhet për një sens konsekuent realizmi dhe nuk manifestohet në të asnjë shfaqje shovinizmi ose nacionalizmi ekstrem. Përkundrazi, dokumenti shquhet për frymën internacionaliste, në të manifestohen qartë prirjet e toleranca dhe bashkëjetesa paqësore me popullin grek pa asnjë paragjykim. Në kërkesat e kësaj proteste figurojnë kthimi i shpejtë i popullatës çame në vatrat e veta dhe sigurimi i jetesës së qetë të saj atje; fillimin e hetimeve nga Qeveria Greke në Çamëri për të zbuluar dhe ndëshkuar shkaktarët e krimeve, largimin sa më parë të forcave të EDES-it nga Çamëria si kusht për të shpëtuar nderin dhe pasurinë e popullsisë çame dhe barazimin real të të drejtave njerëzore kombëtare me popullsinë greke në bazë të parimeve të Kartës së Atlantikut dhe të pjesëmarrjes së popullsisë çame në luftën e popullit grek kundër pushtuesve të huaj.

Më 9 maj 1945 përfaqësuesit e popullsisë çame i dërguan një ankesë edhe konferencës së San Franciskos nëpërmjet Misioneve Aleate në Tiranë. Dukje iu referuar Kartës së Atlantikut dhe luftës që popullsia çame kishte zhvilluar kundër fashizmit, kërkohej ndërmjetësimi për kthimin e popullsisë çame në shtëpitë e veta. Ndërsa lidhur me fajtorët dhe ata që kishin kryer krime, kërkohej që të gjykoheshin nga një gjykatë dypalëshe (shqiptaro-greke).

Pas kësaj proteste, një komision çam shkoi në Athinë për t’i paraqitur Qeverisë së Papandreut kërkesat e refugjatëve çamë. Mirëpo ky nuk pranoi të merrte takim me të. Një funksionar i lartë i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Greqisë që mori kontakt me komisionin çam i deklaroi atij se “Qeveria nuk iu pret, sepse s’ka ç’tju thotë, pasi në praktikë është Zerva dhe në teori është Qeveria që ju të mos ktheheni në Çamëri”. Pas dështimit të përpjekjeve për të biseduar me përfaqësuesit e qeverisë greke, delegacioni çam iu drejtua autoriteteve të Fuqive Aleate dhe Komitetit Qendror të EAM-it dhe Partisë Komuniste Greke. EAM-i dhe Partia Komuniste vetëm sa protestuan pranë misioneve aleate dhe Qeverisë Greke që të merreshin masa kundër bandave kriminale të Zervës dhe që popullsia çame të kthehej në trojet e veta. Ata nuk morën asnjë masë ose nuk u bënë asnjë premtim ose propozim përfaqësuesve të Çamërisë për të zgjidhur çështjen e tyre të drejtë.

Kur forcat zerviste u shpartalluan nga forcat e ELAS-it dhe Çamëria u çlirua, popullsia çame që gjendej afër kufirit u riatdhesua. Por kjo nuk zgjati shumë. Pas kapitullimit të ELAS-it më 13 shkurt 1945, çeta të frymëzuara nga qeveritarët e Athinës me në krye Plastirasin, ndoqën shembullin e Zervës duke masakruar për të dytën herë popullsinë çame. Sipas hetimeve që kreu në këtë kohë Misioni ushtarak Britanik, dilte se udhëheqësit e kësaj masakre kishin qenë leitnant Kristo Kaca, që kishte ardhur nga Korfuzi, major Ilia Kaca, që kishte ardhur nga fshati Palo dhe kolonel Zoto, të cilët ishin vënë në krye të një grupi banditësh nga Korfuzi dhe të disa banorëve grekë vendas, anëtarë të forcave të Plastirasit, gjithsej rreth 100 vetë dhe më 13 mars 1945 kishin shpërthyer një terror në Filat si rezultat i të cilit ishin vrarë 70 vetë. Sasia e emigrantëve që u kthyen në tokat dhe shtëpitë e tyre ishte 3000-5000 veta. Ashtu siç pohojnë dhe autoritetet britanike, sulmi i fundit i grekëve nuk u provokua nga shqiptarët, por i ishte rezultat i “vazhdimit të ndjenjave ekstreme antishqiptare të grekëve në këtë rajon”. Ky akt i ri kriminal, i kryer disa muaj pas masakrave të verës të vitit 1944, dëshmonte jo për veprime thjesht hakmarrëse, por për një politikë të përcaktuar mirë të Qeverisë Greke, e cila tani e kishte shtrirë plotësisht autoritetin e vet në të gjithë vendin edhe në këtë rajon.

Kongresi i Minoritetit Shqiptar të Greqisë që u mbajt në shtator të vitit 1945 miratoi një rezolutë të cilën ia dërgoi Konferencës së Ministrave të jashtëm të vendeve aleate, në të cilën vihej në dukje se “Në kohën e okupacionit nazist, ndërsa luftëtarët e minoritetit shqiptar në Greqi, të inkuadruar me forcat e rezistencës së popullit grek po luftonin ashpërsisht kundër okupatorit gjerman, forcat reaksionare dhe shoviniste të Zervës të komanduara prej vetë këtij gjenerali gjakpirës, hynë pabesisht nëpër qytetet dhe fshatrat e Çamërisë, duke përsëritur barbarizmat e 1912-ës pas Luftës së Parë Ballkanike, ku u masakruan, u burgosën dhe u torturuan me mijëra qytetarë dhe fshatarë çamër nga të gjitha shtresat shoqërore”. Kongresi, duke iu referuar Kartës së Atlantikut, kërkoi jo vetëm kthimin e emigrantëve çamë në trojet e veta, por edhe “sigurimin e të drejtave të barabarta të minoritetit shqiptar në Greqi me pjesën tjetër të popullit grek, ashtu siç e gëzonte minoriteti grek në Shqipëri”.

Në fund të nëntorit 1945, përfaqësuesit e emigrantëve çamë i dërguan një letër zëvendëssekretarit të Jashtëm Ballkanik Mc Neil, i cili po vizonte Athinën dhe kërkuan që ai të ndërhynte pranë Qeverisë Greke për zgjidhjen e çështjes çame, por edhe si më parë, atyre nuk iu dha ndonjë përgjigje.

Këtë herë, Komiteti Antifashist Çam garantimin e të drejtave të minoritetit shqiptar si qytetarë të lirë e mbështeste jo vetëm në Kartën e Atlantikut, por edhe në Konferencat e Teheranit, të Jaltës dhe të Potsdamit.

 

Vendi i Lekës;15.09.2019

II – GJENERALI – Mёrgim politik 1946-1977 i Gjeneral Prenk Pervizit – KUJTIME – Pregatitun nga i biri LEK PERVIZI

 

 

Lamtumirё Atdheut

 

 

 

Nё atё fillim shtatori 1946, im atё vendosi tё ndёrmarrё aksionin e tij pёr t’u largue nga Shqipnia. Zarët ishin  hedhun. Një të vendosun, një të veprue. U nis nga kulla e Nikoll Llesh Gjokёs, ku u pёrshendet me ato njerёz besnikё qё e kishin mbajtё tё strehuem  dhe e kishin mbrojtё aq mirё. Ai mori me vete ma tё madhin e tre vllazёnve, Llesh Nikoll Lleshin,  e kaluen në Lestër të shtëpia e Gjin Pjetër Hidrit, nip i tyne, prej ku kontrollohej gjithë rruga, nga Laçi e tutje. Aty qëndroi një javë, për ta marrë vetën mirё nga jeta e malit. Tue gdhi dita e  5 shtatorit, u nis me Lleshin, vesh si kurbinas dhe me një palë hebe krahaqafë, ku kishte veshjën që i

duhësh për atë aksion e disa bomba dore. Nё brez  revolverin “Browning”. E morën rrugën në kambë, njëni pas tjetrit, Lleshi përpara dhe im atë pas tij, për një far sigurie, sa të kalonin  Zhejën e Mamurrësin, ku Lleshin e njihnin, përveç miqësisë edhe pse atje kishin disa rranjë ullijsh, ku vinte e shkonte për t’u përkujdesue për to.    Qarkullimi me makina atëhere ishte i rrallë, dhe lëvizje tё pakta. Kur arritën të Ura e Zezë, e lanë rrugën kryesore duke marrë rrugën e dytë që qonte drejt e në Tiranë, nga ana tjetër dhe jo nga Vora, që i binte ma gjatë. Në këtë drejtim ecnin plot fshatarë të tjerë, për pazarin e s’enjtës që mbahej në Tiranë.  Kështu të përziem me udhëtarë  dhe duke ecun rregullisht e pushue nga pak e duke ndezë nga një duhan, arritën pasdreke në afërsi të qytetit. Aty pushuen nën hijen e një peme deri sa u afrue mbramja,  ku im at u nda prej Lleshit tue e falënderue për gjithçka kishin ba për të,  e tue  sigurue që të mos shqetësohëshin,  sepse do t’ia dilte në krye asaj nisme. Ai kishte zgjedhë ditën e mërkurë. Atë natë  do rrinte te një familje mike, ku do t’informohej për ne,  që t’ nesërmen, e enjte e ditë pazari, të mund të qarkullonte  pa ra në sy.

Mbërriti të rruga e Pishës, e u ndal para derës së madhe të shtëpisë së Bedri Toptanit. Lёshoj njё vёshtrim pёrreth, asnjeri. Trokiti me dorëzën e hekurt. Nuk vonoi dhe dera u hap dhe u duk i biri i Bedriut, Saliu, që e njohu në vend dhe e bani me hy menjëherë duke i hedhun edhe ai një vështrim  rrugës mos kishte njerëz. Askush. Kur im atë hyni në dhomën e ndejës, aty gjeti zojën Nadiré me të bijën Denin, e djalin e vogël, Uranin, që fillimisht i kapi  frika kur e njohën. Im atë u përfal me to, që ishin shumë të emocionueme duke e pa të katandisun ashtu si fshatar, atë që kishte qenë një njeri i shquem e i nderuem, mik  i madh i familjës tyne. Si e morën veten nga tronditja, menjëherë u vunë në lëvizje për ta pritë e nderue siç duhej. Deni i përgatiti banjon dhe ia pastroi rrobat.

Zoja Nadiré,  shoqe e ngushtë e mamës sonë, mundohej ta përmbante veten, aq i kishte hy frika e pushtue emocioni. Megjithatë ia shtruen bisedës, dhe  im atë u informue se ku mund të na gjente. Unë punoja te libraria Kote-Pepo, ish libreria Marzoko në hymje të rrugës për në ish shkollën “Nana Mbretneshë”, ku vinte dhe Genci. Ndërkaq Saliu, dy vjeç ma i madh se unë, kishte dalë me kontrollue  përjashta dhe u kthye duke i qetësue të vetët se s’kishte pse të merakosëshin, askush nuk mund të dyshonte se në shtëpinë e tyne ishte strehue gjenerali Prenk Pervizi.  Për atë natë gjithçka shkoi mirë. Pritja e kujdesi  i miqve ishte në naltësinë e duhun. Im atë bani një gjumë të rëhatshëm, po në atë krevat ku kishte fjetun dikur, ku kishte banue do kohë, deri sa zuni një shtëpi aty afër. Miqësia me Toptanët ishte e kahershme dhe historike. Gjithashtu me familjen e Petrelëve, ku zoja Nadire ishte bijë. I ndjeri Bedri Toptani ishte vellai i Nanës Mbretneshë e bashkë me  Muratin, Avdiun, Fuadin dhe Refat Toptanin, ishin miq të  Gjin Pjetrit, e kishin bashkëpunue me të  në kryengritjen e Kurbinit.  Gjithë këto rrethana e banin atë vizitë kuptimplote, sepse vetëm aty im atë e dinte se do të gjente mirëpritje e besnikëri të madhe. Kaloi nata, dhe të nesërmën,  andej nga ora dhjetë, kur kishte fillue lëvizja e fshatarëve që vinin me ba pazar,  ai u nis prej rrugës së Pishës, i ra përmes pazarit dhe u shmang te rrugica që çonte drej e te libraria. Kur kishte mbërritë aty, ishte ndalue para vetrinës së librave në gjuhë të hueja, ku na kishte dallue mue dhe Gencin, që për fat ndodhej aty e po lexonte një gazetë. Këtu fillon ajo aventurё e rrezikshme.  Kur e pashë atë fshatar kurbinas, që po shikonte në vetrinën e librave të huej, thashë me vedi, ç’don ai katundar aty ?  Kur ja, katundari ngre kokën dhe mi ngul sytë. Baba ! Në çast ai ma ban me sy e kokë nga Genci e shkon drejt çezmzes përballë librarisë ku ulët, gjoja me pi ujë. Unë i kthehëm Gencin me za t’ultё:

– Genc, baba ! Te çezmja.

Genci e len gazetën e fill e në derë, ku rrin në pritje. Im atë kthhet e  kalon para tij duke i shushurit:

–  Më ndiq,  pesedhjetë.

Genci u kthye në librari dhe e përshëndeti zoti Llambin siç bante  çdo herë, për mos me ngjall dyshim. Pastaj iu qep babës mbrapa deri në kodrat e Saukut, pak përtej shtëpisë ku banonim. Gjithë këto veprime po kryhëshin nën hundën e spiunëve që rrinin vazhdimisht përtej rrugёs, t’ulun në murin e lulishtës pёrballё librarisё.  Apo nuk ishin mbledhë nja katër atë ditë,  por për fat po merreshin me fiqtë që ia kishin ble një fshatari në kalim.  Unë i kotrolloja nga libraria. Asgja. Në këtë ngjarje, ishte hera e fundit që unë e shifsha babën, si para vetrinës ashtu kur kaloi pranë librarisë me hebet krahaqafë. Guximtarëve u prin fati. Dhe vërtet ashtu po ndodhte.

S’vonoi nё çerek ore, kur ia behu nё librari Sali Toptani, krejt i shqetёsuem, qё m’u afrue te banaku e me kujdes mё pyeti, si shkoi puna.

I tregova me pak fjalё. Ai u qetёsue e me tga.

-Sa doli Prenka prej shtёpisё, unё me njё revolver nё xhep u nisa, nga frika mos i ndodhte gja, e dilte sikur ne besё time. Saliu tregoi kёshtu atё fisnikёri qё e nderonte familjёn e tij. E sigurova se im atё do tё strehohej shumё mirё dhe se do ta njoftoja pёr çdo gja. Ai u largue i qetёsuem.

Tani tё kthehёmi nё ngjarjёn. Si shkoi puna ma gjatë ? Një aventurë e vërtetë, subjekt për film.Te kodrat e Saukut, ku u takuen pas disa pemëve e ferrave, jo larg nga banesa ku rrinim,  im atë dhe Genci sajuen planin e veprimit. Duhej gjetun nje strehim, sepse tek ne nuk ishte e mundun. I vetmi vend do t’ishte te shtëpia e Llesh Gjeçit në Sauk, nja 100 metra përtej Pallatit Brigatave. Vërtet se kishte plot roje, por ato ishin në shërbim të Pallatit. Banesa ishte e izolueme, me një kopsht të madh përpara. Por për këtë punë duhej takue Ndou djali i madh  i Lleshit, që punonte pranë ATSH, si daktilograf. Ndou ishte shok e mik i ngushtë ynë. Familje mirditore, ku besa ishte e shejtë. Genci i thotë babës të priste aty nën hijën e disa ullijve, deri sa të kontaktonte Nduen. Kështu u veprue. Genci shkon e takon Nduen të cilit i thotë si qendron puna. Ndou menjëherë pranon, por nuk mund të lëvizte prej aty para orës gjashtë. Largimi tij mund të binte në sy. Genci të priste te libraria, ku ai do të kalonte me e marrë për me shkue  me takue babën te ullijtë, pastaj fill e te shtëpia e tij. Ky ishte një sukses i madh. Gjetja e  strehimit ishte gjysma e punës. Askush nuk mund të dyshonte se Prenk Pervizi, ndodhej aty, për deri sa kërkohej ditë e natë në Skuraj e rrethina. Po im atë ç’bante gjatë kësaj kohë ?  Duke prit aty, i shkon mendja mos vall mund të mësynte Qazim Zymën  ish majorin e gardës, mik i tij e njeri i ndërshëm. Se nga i erdhi ai frymëzim zoti e di. Ndoshta nga fakti që ajo banesë ishte krejtësisht e izolueme e larg banesave të tjera, aty përballë stadiumit. Paraqitet para shtëpisë së majorit, dhe therret alla shqiptarshe:

– O i zoti i shtëpisë, a doni qymyr ?

Zoja e majorit, Nuria del në verandë, që baba e njihte mirë.

–  Hej, shoko, ç’kërkon këtu, kush të thirri ?

–  Mirëdita zojë. Unë prodhoj qymyr të mirë, dhe e shes me leverdi. A doni të ju bie një sasi ?

Zoja Nurie e kishte shikue me çudi fshatarin. Ç”za që paska, sikur e  kishte dëgjue diku.   Por e nervozueme për shqetsimin i foli vrazhdë:

– More shok nuk te ka kërkue kush qymyr që vjen e na shqetëson në pikë të zhegut.

–  Me falni zojë. Ditën e mirë,  ia kishte kthye baba, duke u largue.

Ndërkohё, aty afër, pranë rrugës Elbasanit, banonte Marta Doda, kushërina e mamës por edhe e babës, me të cilën ishim lidhë me miqësi të madhe. Marta banonte vetëm me vajzën e saj Frida.  Ajo njihej edhe si Marta e Preng Pashës, sepse Preng Pasha (Preng Bib Doda), që s’kishte fëmijë dhe e kishte mbesë,  e kishte marrë si bijë në shpirt. E kishte shkollue jashtë shtetit, në Francë e Itali.  Grue intelektuale, me përvojë të madhe jetësore, e lidhun me miqësi të madhe me Francën, qyshë në kohën e Preng Pashës. Vazhdimisht në kontakte e vizita me Ambasadën e Francës në Tiranë, që e kishte nja 100 metra ma larg, përballë Ambasadës amerikane. Shtëpia e saj ishte një muzeum i vogël sendesh antike të trashëgueme nga Preng Pasha.  Ajo kishte qenë e martueme me doktor Sadedinin me të cilin kishte atë vajzë, por ishte nda prej tij. Në këto kohë doktori kishte ra n burg i denuem 10 vjet prej komunistëve.

Nanë e bijë e pritën babën gjithë t’emocionueme e nuk i përmbanin  lotët, kur e panë ashtu të transformueme në  fshatar. Ai u tregoi se ishte nisë me kalue jashtë shtetit, dhe a do t’ishte e mundshme me njoftue Ambasadën franceze, se mos gjente mënyrën për me e nxierrë me anë të trupit diplomatik.   Qendroi aty sa me pi një kafe sade e thithë nja dy cigare “Kamel” që shitëshin në dyqanin e valutës. U largue pa ra në sy, që nuk kishte kalimtarë dhe u kthye te ullijtë ku Genci i kishte thanë me prit. Por aty nuk e ndjente veten te qetë, se qarkullonin mjaft ushtarë të mbrojtjës e disa kishin ardhë edhe aty nën hijen e ullijve. U çue dhe drejt e te shtëpia e Llesh Gjeçit, ku e priti lehja e një qeni, dhe duel vetë Lleshi te dera. Im atë i thirri nga sgara e kopshtit:

– A pret miq or Llesh Gziqi ?

– Hajde burm or burrë !

Kur baba u afrue me u përfalë me të, Lleshi e njohu :

–  Ti zoti gjeneral ? Mirësevjen në shtëpinë time,  e i prini brenda, ku u prit si një mik i nderuem. Zunë vend  me Lleshin në dy anët e oxhakut tuj ia shtrue muhabetit me raki, duhan e kafe, për shtatëpalëqejfe. Robt e shpisë u mobilizuem për këtë mik të rrallë, në një kohë aq të frikshme. I biri, Gega, rrinte si roje për çdo rast.

– Je i mirëpritun zoti Gjeneral, dhe mos u shqetëso fare, se pushkë, fishekë e bumje kemi boll. Apo nuk jemi veç 100 metra larg Pallatit të Brigatave, plot roje t’armatosuna deri në dhambë.

Dy miqt e ndjenin veten rehat me zotin, sikur s’kishte as një lloj rreziku që t’u kanosej.  Ndërkaq Ndou që kishte mbarue punën erdh deri  te libraria ku e priste Genci dhe së bashku u nisën për në Sauk. Kur mbërritën te ullijtë, s’gjetën njeri. E kuptuen se baba e kishte msy vetë shtëpinë e Lleshit. Si arritën atje, mbasi Ndou u njoh dhe u përfal  me babën, e shtruen çeshtjën. Problemi ishte se nuk kishte asnjë mënyrë tjetër për me arrit deri në kufinin grek, përveç ndonjë shoferi besnik. Pra duhej gjet një nga ish shoferat e tij, që punonte me makinë,  që ta përciellte deri në kufi. Dolën dy emna, ai i korçarit  Llazi Sterjo, dhe i dibranit Qemal Lika, që punonin akoma si shoferё.  Llazi vinte e shkonte nga Korça e takohej vazhdimisht me ne. I binte me kalue rrugës Elbasanit, e nganjëherë  ndalohej te libraria, ku zakonisht me gjente mue dhe me merrte me më qeras në ndonjë pastiçeri. Unë isha ma i vogli i familjës, dhe me Llazin kisha udhëtue disa herë për punë e për qejf. Llazi asokohë flinte në shtëpinë që kishim zanë me qëra, në kodrën e Fuad Beut. Im atë vendosi për Llazin,  që e bante vazhdimisht rrugën e Korçës dhe e njihte atë zonë kufitare. Po ku me e gjetë Llazin ? Kjo punë m’u ngarkue mue që të kisha kujdes mos e shifsha tue kalue aty së pari me kamionin e kuq Fiat 26, i vetmi që punonte atë rrugë. Kamioni ishte i familjës Demir Alizoti, që bante  transport mallnash për hesap të tregtisë shtetnore. Kaluen tre dit e Llazi nuk dukej gjëkundi. Ditën e tretë që unë kisha dalë për një porosi të zotit të librarisë e po ecja në rrugën e sahatit, me kalon një kamion aty pranë e dëgjoj një za që therret emnin tim : Leka… Leka!  Llazi ! Makina ndalet disa metra ma tutje. U përqafuem.

Menjëherë e njoftova për babën. Ai, në vend që të friksohej, u gëzue së tepërmi.  I tregova dhe se ku gjendëj.

– Do ta takoj patjetër. Por me duhet me shkue me shkarkue mallin, pastaj shifemi me Gencin në ora tetë te Kafe Sahati.

Kështu ndodhi  dhe bashkë me Gencin drejt e në Sauk, ku ai u përqafue me komandantin e dashtun. Nuk përshkruhet emocioni e mallëngjimi i tij. Llazi ishte një njeri shumë zemërmirë dhe i dashtun. U shtrue problemi e Llazi e mori përsipër pa hesitim. Veç i duhej të bante një rrugë me mall për në Korçë dhe vetëm pas tre ditësh ishte në dispozicion.  S’mund ta merrte nё kёtё rrugё se kishte njerёz qё shoqnonin mallin. Ashtu u la. Gjatë atyne tre ditëve qetësi.  Qendrimi te shtëpia e Llesh Gjeçit i shërbeu babës me marrë vesh gjithë tmerret e terrorit komunist në Tiranë. Gjithë kolegët e miqt e tij, ushtarakë e civilë, personalitete e figura të shqueme të shoqnisë shqiptare, një pjesë i  kishin pushkatue, të tjerë   toturue e pllakosë  në burgje. Një katastrofë. Një absurditet.

Pas tre ditëve Llazi  kthehёt e me takon në Librari. Po atë mbramje fill e në Sauk me Gencin, ku u përcaktue plani. Por komandanti i tij duhet të dilte diku në rrugën  e Elbasanit. Kjo punë u zgjidh me anën e një mirditori tjetër, Ndue Pjetri, mik i Lleshit e burrë besnik, që banonte të Mullini i Farkës, ku kalonte xhadja. Mirë fort. U trasferuen atje, natën përpara. Të gjithë : Lleshi me të bijtë, Nduen, Gegën e Pjetrin, Genci dhe Ndue Pjetrin i zotin e shtëpisë. Të armatosun me pushkë, revole e bomba dore. Këto i kishte sigurue Lleshi që i mbante të fshehuna në shtëpi.  Nuk i dihej. Në mengjes herët vinte makina, dhe im atë duhej të dilte në rrugë me kërkue një kalim, si një xhaxho fshatar që po shkonte me takue djalin e tij ushtar në Korçë.  Banesa e Ndout ishte afër një reparti të forcave të ndjekjës e kishte lëvizje oficerësh që shkonin e vinin.  Doli drita dhe erdhi ora e caktueme. Fshatari del buzë xhadës në pritje. Oficerët që kalonin e përshëndesnin:

– Mirëmëgjes xhaxho, je nisur për te djali ushtar ? Mos u merzit se ka makina. Hajt udha e mbarë !

Po hiqej valle në gojë t’ujkut  siç do ta thoshte një kangë e mavonshme, por për tjetër kuptim. Kur ja nga kthesa poshtë duket turini i një kamioni të kuq. Llazi ! Fshatari ngre dorën. Makina ndalet.

– Për ku xhaxho ?

– Për në Korçë ku kam djalin ushtar.

– Hyp !

Kёto fjalё u shkёbyen se aty po kalonin disa ushtarё. Fiati i kuq 26 u nis me shpejtësi duke lshue pluhn mbrapa.  Miqt tanë që po e ndiqnin skenën nga larg morën frymë. Gjithçka po shkonte si s’ka ma mirë. Ndue Pjetri u poqi kafe e u shtroi rakinë për gëzimin e kësaj  punë që u krye pa pengesa. Një mrekulli.

Si shkoi udhëtimi ? Llazin,  që atë rrugë e bante vazhdimisht,  e njihnin gjithë postoblloqet qe ruhëshin akoma nga partizanë. Sa vinte makina e tij, dyreku ngrihej e  Llazi u hidhte dy tri paqeta  partizani  duke shkëmbye shaka me oficerin e rojës.  Kështu ndodhi edhe  kësaj radhe, me një shtesë, sepse  e pyesnin,

–  Po ky  xhaxhoja ku shkon ?

–  Ore,  po të takojë djali ushtar, e ku do shkojë ?

–  Udhë e mbarë !

Kështu arrtën pa telashe në Korçë dhe im atë e porositi ta çonte në Zemblak te shpia e Kullajve, ku kishte miqësi të fortë. Një t’arritun aty, ai shkon   drejt te dera e katit përdhes të shtëpisë. Ai e njihte mirë atë banesë. Ndërkaq dallon lëvizje  ushtarësh e oficerësh. Dera hapët dhe i del para një djal i Gani Kullës, që e njohu.

– Zoti gjeneral ku vete kështu ? A nuk e sheh ç’bëhet ? Ganiun e kanë pushkatuar dhe shtëpinë sipër  e kanë bërë komandë të forcave kufitare. Ne na kanë lënë poshtë he për he, por me siguri do të na heqin.  Largohu shpejt që këndej se je në rrezik. Shko në Bilisht ku e njeh mirë vendin. Vetëm atje mund të ia dalësh. Paç fat !

Llazit i kishte hy frika. Si shkon komandanti i tij ashtu esber midis oficerëve të sigurimit ?  Apo nuk i flisnin:

– He xhaxho, kërkon  djalin ushtar ?

Im atë i tha Llazit që ta çonte deri në zonën e Bilishtit afër rrugës së Kapshticës ose Folorinës. Ai e njihte mirë atë zonë ku kishte zhvillue  operacione ushtarake.  Djali i Gani Kullës  e kishte këshillue mirë. Aty do ta kalonte kufinin.

Llazi e ndaloi makinën në një kthesë, gjoja pёr njё difekt nё motorr. . Im atë kishte hypë në karocerinë e mbulueme ku kishte hequn teshat fshatare e veshun rrobat që kishte në hebet.  Kur doli para Llazit, ky u hutue. Xhaxhoja ishte kthye në një gazetar të huej. Me patallona kilote, këpucë me qafa me lidhëse. Bluzë të hirtë me xhepa. Dylbi e aparat fotografik. Çantë dokumentash. Kasketë. Syze dielli, që i hoqi e futi në xhepin e bluzës.

U përqafue me Llazin që nuk i përmbante lotët, duke i thanë:

– Mos u shqetëso Llazi, brenda dy orëve e shumta, unë jam matanë. Gjallë nuk më kap kush. Kam revolverin dhe disa bomba dore. Lamtumirë e të fala gjithë miqve që më dolën zot në këtë ditë të vështirë. Mi përqafo djemtë dhe nanën e gruen po mujte. Ndoshta vjen një ditë që të shifemi prap. Lamtumirë !

Kishte ra nata kur ai u nis nëpër shkurret e pemët. Ai u zhduk në  errësinë nga sytë e Llazit, i cili qëndroi aty në pritje që të kalonte koha e mos ndodhte gja. Për fat, nuk kishte qarkullim makinash, që asokohë ishin shumë të pakta në Shqipni. Ai i mori plaçkat fshatare dhe i futi në një gropë aty pranë, duke hedhë do shkurre sipër. Kot, si për inerci.

Kaluen dy orët pa ndodhun asgja. Atëhere ai mori rrugën e kthimit për në Korçë, ku atë natë nuk e zuni gjumi. Të nesërmën qarkulloi nëpër disa lokale mos dëgjonte gja. Hiç. Mori dhe një gazetë.  Asgja.  Kaloi dita dhe nata tjetër. Duhej të nisej për Tiranë. Para se të nisej u ul në një lokal ku porositi  një kafe e një fernet. Aty ishte një shok i tij i rinisë, i  cili iu afrue te tavolina e i  foli me  za t’ultë:

– Ore Llazi, a e ke marrë vesh ? Ai komandanti  yt, gjenerali Prenk Pervizi paskej dalë në Greqi. E tha mbramë  radio e Folorinës, ku kishte dhanë edhe një intervistë, e kishte folë zi e ma zi për qeverinë tonë.

–  Ashtu? Po habitëm fare. Po a nuk ke frikë që dëgjon radion greke?  Mos vallë mashtrojnë e genjejnë.

– Ik or burrë ! A jemi a s’jemi shokë. Ty po ta them, se jemi miq dhe e ke pasë komandant.

Llazi si mori lajmin fluturoi në Berat, ku takoi gjyshën tonë, mamën dhe Valentinin, të cilin,  nga burgu i Shkodrës e kishin internue në Berat. Ata u gëzuen së tepërmi, veçanërisht gjyshja, tashma 85 vjeçe, që gëzohej për shpëtimin e të birit.

Prej aty, Llazi erdhi në Tiranë, fill e në librari, ku më mori e më qerasi për këtë ngjarje tashma të shkallës lëgjendare.  Të gjithë  të gëzuem nga ky sukses, u mblodhëm të Llesh Gjeçi për ta festue me raki e meze. Kjo ishte pak a shumë  e gjithë ngjarja që u zhvillue nën hundën e sigurimit e te qeverisë komuniste.

Siç ndodh nё Shqipni qё çuditёrisht merret vesh çdo gja, u fol se kur Enveri  e mori vesh atё punё, kishte thirrë Koçi Xoxën, duke i folun  randë për këtë mungesë të madhe vigjilence.

– Si, or shoku Koçi,  të na kalojë Prenk Pervizi nën hundë ? Të shkarkohën gjithё oficerët e sigurimit  kufitar  të zonës Bilishtit. Maskarejtë ! E të shikohet e të kapën e dënohët ata që e kanë  ndihmuar e përkrahur.

Ky ishhte tregimi i arratisjes së Prenk Pervizit, që u përhap anëmbanë e u ba lëgjendë. Këtu mbyllet periudha kur ai jetoi e punoi në Shqipni.

Por do të kthehëmi pak mbrapa, për me tregue se kishte edhe të tjerë që ishin të interesuem e të vendosun për me e nxierrë babën  në Greqi.

Një prej tyne ishte ish shoferi shkodran Kol Prela, që kishte ba luftën e grekut me babën, ku im atë pas kapitullimi të Italisë e kishte marrë prap shofer n’ushtri me gradën kapter. Kola vlerësohej nga shoqnia si një ndër shoferë ma të mirë, sa që kur hypnë në fuqi komunistët,  udhëheqësit e morën si shofer të tynin. Ndodh që Kola udhëton për në Shkodër me Enver Hoxhën dhe Koçi Xoxën.  Gjatë rrugës duke bisedue, Koçi e pyet se ku kishte punue si shofer ma përpara.  Kola, pa hiç drojë, i përgjigjet se kishte qenë shoferi i Gjeneral Prenk Pervizit. Kishte ndërhy Enver Hoxha:

– Po si or Kolë nuk e hodhe Prenk Pervizin  në ndonjë humnerë ?

Kola ishte përgjigjë si pa të keq :

– Po ta kisha ba atë punë, ju nuk do të më kishi marrë  kurrë  n’e kurrës për shofer tuejin !

Sa i dhanë fund atij udhëtimi, e hoqën nga ajo punë dhe Kola mori një veturë dhe e punonte si  taksist. Këtë ndodhi na e tregonte vetë Kola, kur na takonte në Tiranë. Sa herë që  vinte me na pa, na kerkonte që t’i çonim fjalë babës në mal, së Kola  ishte i gatshëm me e përciell në Greqi.

– Përderisa kam vendosë  me hik vetë, pse mos ta marr dhe  gjeneralin ?

Ne nuk e kishim atë mundësi kontakti me babën në mal. Kështu Kola vendosi me ikë, dhe në një rast që përcolli disa fuksionarë të partisë për në Korçë, duke e njohun mirë terrenin e Bilishtit nga koha e luftës italo-greke, kishte gjet një vend afër kufinit ku kalone një perrue. Një ta kalue atë megjithë makinë, dhe rrugë pa rrugë kishte kapërcye matanë në xhaden e Folorinës ku kishte arritë shëndosh e mirë për habinë e grekëve se si kishe mundun me kalue ashtu  me gjith veturë  rrugё pa rrugё.   Ma vonë Kola ishte takue me babën në Greqi. Pastaj se si kishte ndodhun e ishte martue me një maqedonase, dhe kishte kalue në Maqedoni, në Shkup,  pa pasë trazime, ku kishte jetue e vdekë, i respektuem prej të gjithë shqiptarve që e njihnin dhe e respektonin  si shofer i gjeneral Prenk Pervizit. Të gjitha këto ne i morëm vesh kur dolëm në Belgjikë, prej ku unë shkova në Maqedoni i ftuem prej disa miqve e ku i mora vesh të gjitha  sa thashë ma nalt për Kol Prelën.

Se si im atë arriti të kalojë kufinin nuk kishte si ta merrnim vesh. Ma vonë, nëpërmjet disa personave që, të gënjyem nga propaganda komuniste, ishin kthye nga Amerika, na erdhen  lajme të ndryshme.  Nga ana tjeter im atë na kishte thane se për t’u marrë vesh me ne, do të përdorte  pseudonimin Aleksadër Rubin. Kështu ndodhi që pas njё muej n’adresë të zojës Marta, erdhi një kartolinë nga Praga,  dergue nga ky Aleksander Rubin, që uronte  Krishtlendjet dhe shkruente se ishte mirë me shëndet e me punë.  Në Pragë im atë kishte miqt e tij të vjetër, me te cilët ishte lidhë menjëherë. Me këtë kartolinë na linte me kuptue që të mos shqetësohëshim për të. Ai ishte i vetmi lajm që na erdhi prej tij. Sigurisht se çenzura komuniste nuk linte me kalue asgja, për familjet e përsonat që ishin në listat e zeza, të specifikuem si reaksionare e te prekun, aq ma keq t’internuem e të burgosun.  Sigurimi kishte dëpërtue kudo e kontrollonte jetën e sjelljet e njerëzve. Ata mburrëshin  se e dinin se ç’ziente nën kapakun e vorbës në çdo votër shqiptare.

Si thamë, për rastin e arratisjes së babës, u ba alarm e çeshtje në organet e  Ministrisë së Brendshme. Pati shkarkime në komandat kufitare. Në Zemblak të Korçës u arrestuen  e denuen  disa pjestarë të familjes Kulla, të akuzuem se e kishin ndihmue arratisje e gjeneralit, mik i shtrejtë i Gani Kullës, të cilin e kishin pushkatue.  Faktikisht, Kullajt nuk ishin implikue  në atë arratisje. Por duke e ditun se im atë kishte miqësi të fortë  me Gani Kullën, kryetarin e fisit, me deshmitarë të rremë  e me  tortura, sigurimi  kishte krijue një  proçes fallso, ku një prej djemve të Ganiut hangri 10 vjet burgun e Burrelit dhe gjithë familja Kulla, burra, gra e fëmijë u internuen në kampet e ndrysme gjatë gjithë kohës së diktaturës. Mbi ta pëshonte dhe fakti se aty kishte pushue Mbreti Zog para se me dalë në Greqi më 8-9 prill 1939  ku ishte takue me prindin tonë, të cilit i kishte besue organizimin e kalimit të tij në Greqi. Pra Kullajt përsekutohëshin  edhe si një familje e randësishme zogiste.  Çeshtja e arratisjes se babës mbeti mister e u duk se u mbyll me aq. Kur papritun në muejin janar 1947, u arrestuen njeni pas tjetrit ata që ishin implikue në atë aksion: Zoja Marta Doda, Ndue Lleshi Gjeçi, vllai im Genci dhe shoferi Llazi Sterjo.  Si ndodhi kjo? Thjesht për një gabim trashanik të famulltarit të Tiranës, Dom Shtjefën Kurti, të cilit iu gjet në regjistrin e meshëve, shënimi : – Meshë për Prenk Pervizin, prej zojës Marta Doda, 200 lek.

Një t’u arrestue zoja Marta, dhe fill pas saj të tjerët. Hetuesia prej gjashtë muejsh në birucat e sigurimit bani të vetën dhe ata u dënuenme nga 10 vjet. Ata patën kurajon e vendosmerinë  mos me implikue askënd tjetër në atë punë, e kjo ishte nje meritë e madhe e tyne, që pësuen tortura mizore për të përfshi edhe të tjerë. Unë që shkruej, shpëtova kot, gjoja si tepër i ri për   me më besue,  sikur vllai im Genci  më kishte paraqitë,  e të tjerët po ashtu. Ndërsa unë isha kambë e kokë i përfshimë në atë ngjarje.  Ja pra ç’ban vendosmënia e shqiptarit, kur ia kërkon besa e burrnia.  Jo që, për arratisjen e babës kishte të tjerë që e dinin dhe kishin kontribue e deri dhe takue e bisedue me të. Si familja e Toptanëve, e mirditori  Ndue Pjetri. Asnjë emën nuk doli. Ky asht një rast unik, ku i gjithë aparati shtetnor e veçanërisht ai i Ministrisë Brendshme nuk qenë në gjendje me e diktue arratisjen e t’im etit, që për më tepër kishte qendrue ma se 10 ditë i strehuem në Tiranë, duke u tallë me vigjilencën e organëve të sigurimit  e duke kalue nën hundë e tyre,  siç ishte shfry vetë diktatori.

Ndërsa ne Kurbin, në Malsinë e Lezhës dhe në zonën e Mirditës kufitare me Skurajn, operativët u kishin thanë njerëzëve që kishin   lidhje gjaku me ne, se tashma, që Prenk Pervizi  ishte arratisë në Greqi i kishin shpëtue rrezikut t’arrestimit e denimit për shkak të tij.

Pasojat e kësaj ndërmarrje të guximëshme, ranë vetëm mbi ato të katërt që përmendëm. Ndërsa unë vazhdoja të punoja te libraria i pashqetësuem.  Një ditë shkoj me u qethë dhe me ra si berbër i radhës, dibrani Tomini, bërberi personal i tim etit. Ai me njohu dhe gjatë qethjës me tregoi se si e kishin denue dy vjet burg, ku  i kishte qëllue me ndejtë në një birucë me nja dy korçarë, me mbiemnin Bylykbashi,  që kishin hy si diversantë nga Greqia, të dërguem prej Prenk Pervizit.  Me porosi e letra dhe një shumë dollarёsh për ne, por i kishin diktue e kapë rob në kufi. Ata i kishin tregue se im atë rrinte ne nje hotel të Athinës, ku gezonte  respekt e nderime. Dhe se si ai, me shqiptarë të tjerë, si Muharrem Bajraktarin, Fiqri Dinen, Hysni Demën, Abaz Ermenit etj.,  merrej me organizimin e një ndërhyrje t’armatosun me rrexue regjimin komunist.  Këto ishin të vetmet informata që rastësisht na vinin, për si jetonte e vepronte im atë në Greqi.  Lajme të tjera erdhën nga një reportazh i gazetarit Aleks Çaçi, i cili kishte shoqnue një komison shqiptar për të asistue në marrjen ne pyetje te  arratisunve shqiptarë, bullgarë, rumunë e jugosllavë, nga një komision ndërkombëtar, ku ishte i përqafuem misoni anglez në Shqipni, Koloneli Meklin, kapiteni Julian Amery e koloneli David Smiley, që kishin ndejtë në mal me babën deri në fund te tetorit 1944.  Qeveria shqiptare paskej ndërhy që t’i dorëzohëshin  gjithë kriminelët e luftës (siç i quenin nacionalistët) që kishin gjetë strehim në Greqi e Itali. Komisioni vepronte si gjykatë, dhe i merrte në pyetje me radhë  t’arratisunit.  Kur erdhi radha e Shqiptarve, Aleks Çaçi, përshkruen nje nga një, si u morën në pyetje, duke theksue se si Bajraktari, Fiqriu e Hysniu, flisnin me anë përkthyesish.  Ndërsa Prenk Pervizi, i veshun  elegant, përgjigjej direkt vetë, e që në një rast i kishte ban me qeshë ato të komisionit anglo-amerikan që e mernin në pyetje. Edhe Abaz Ermeni kishte folun vetë pa përkthyes. Sigurisht se komisioni e refuzoi kerkesën e qeverisë shqiptare për dorëzimin e tyne. Këtë reportazh Aleks Çaçi e kishte nxierrë në gazetat “Zeri i Popullit” e “Bashkimi”,  si dhe e kishte botue në librin “ Përmes Greqisë Heroike”. Këto ishin të vetmet burime ku ne merrnim vesh ku gjendej prindi ynë e si jetonte e ç’bante.

Muharrem Bajraktari, Prenk Pervizi e Fiqri Dine  nё festёn e

Flamurit e tё Pavarёsisё, 28 Nёntor 1952, mes shqiptarve tё arratisur nё Greqi,

 

Duhet shtue se situata në Greqi në ato vitet e para ishte mjaft e trubullt dhe e pasigurtë, prej veprimeve të komunistëve që kishin nisun luftën partizane kundër qeverisë greke e kundër forcave aleate  të dislokueme aty, kryesish kundër anglezëve.

 

Në këto rrethana forcat komunsite kontrollonin disa zona të territorit, veçanërish ato në kufi me Shqipninë dhe Jugosllavinë, ku partizanët grekë hynin e dilnin sipas qejfit dhe furnizohëshin me armatime.  Kjo gjendje kishte qenë dhe ishte e rezikshme për shqiptarët që kalonin në Greqi, pse po të binin në duer të komunistëve, këta ua kthenin autoriteteve shqiptare, siç ndodhi me ministrin Koço Kota,  që e dorëzuen e i cili u denue 25 vjet e vdiq në burgun e Burrelit, që kishte ndërtue vetë kur ishte ministër i brendshëm në kohën e Zogut.  Në raste të tjera, ata shqiptarë që komunistët grekë ua dorëzonin forcave të kufinit, i pushkatonin ne vend pa gjyq.

Ky rrezik qendronte dhe mbi kokën e tim etit, dhe ai e dinte dhe na kishte thanë se do ta gjente mënyrën me i shpëtue atij rrezku, siç ndodhi, që nuk pati ndonjë telashe në atë drejtim.

Kampi i Tepelenёs, qё jepёt nё kёtё vizatim tё Lek Pervizi, qё e pёrjetoi vetё atё kamp me familjёn e me mija tё dёnuem tё tjerё.  Ky ishte kalvari qё pёsonte familja Prenk Perviizit   dhe  tё tjera familje tё patriotёve shqiptarё.

 

 

 

Kalvari i familjës

 

 

 

         Siç dihet, përsekutimi i familjës sё Prenk Pervizit,  kishte nisun qyshë me shtator 1944, me djegien e shtëpive ne Laç e në Skuraj dhe  qendrimi  i fshehun në mal. Në shpëtuem mirë pa na diktue se do të na kishin eliminue në vend. Por mbas dorëzimi tonë mё prill 1945,  filluen masat e internimeve për ne dhe për të gjithë familjet që kishin njerëzit e tyne t’arratisun në mal ose jashtë shtetit, të cilëve u kishin vu vulën e anmiqve të popullit, kriminela e tradhtarë. Kështu masa e internimit ra mbi mamën dhe gjyshën, që i çuen fillimisht në Lezhë, bashkë me familje të tjera tё cilesueme armike e reaksionare. Unë e Genci shpëtuem kot, pse ishim në Tiranë dhe nuk e çoj kush zanin kundër nesh.  Ndërsa vëllai madh Valentini i sapo ardhun nga Italia u arrestue e u burgos në Shkodër qysh me dhjetor 1944, si bir i Prenk Pervizit, në shtetrrethimin që Mehmet Shehu kishte vendosë në atë qytet. Nga Lezha mamën e gjyshën me të tjerë i internuen ne Berat, që ishte caktue si qender internimi e ku u vendosën familjet ma të randësishme të veriut : Gjomarkaj,  Pervizi, Bajraktari, Dine, Dema, , Kaloshi, Ndreu,  Kolaj,  Melyshi, Mirakaj, Merlika, Kupi, etj. Ku mbas do kohë internuen edhe Valentinin.  Unë e Genci mbetëm akoma si të lirë deri kur Genci përfundoi në burg, për pjesmarrje në arratisjen e t’atit. Kisha mbetun vetëm unë, që kërkoja të mbijetoja në Tiranë, dhe përpiqësha me hy në jetën normale, që ishte vazhdimi i shkollës së ndërpreme prej dy vjetësh. Një mirënjohje e veçantë i shkon qiftit korçar Llambi Kote dhe Vrisidha Pepo që më pranuen e mbajtën në librarinë e tyne, që me vlejti si një mburoje. Si dhe të zotët e shtëpis ku banoja, Qazim e Nurie Zyma, që ndonse u banin presion, nuk pranuen kurrë që të më qitnin prej banesës e nuk me morën kurrë qera. Mirenjohja asht gjaja ma e çmueshme e njeriut.

Nuk më pranonin në asnjë shkollë, dhe disa  herë që arrita të regjistrohëm më refuzuen që ditë e para, si ne Liceun Artistik ashtu ne një shkollë ekonomike dhe ne nje kurs gjeometrash. Por pas prishjes me Jugosllavinë, të gjitha fajet iu ngarkuen asaj, dhe keshtu u la një frymëmarrje për nxanësit e familjeve reaksonare qe nuk ishin pranue ose ishin përjashtue. Së pari arrita të vazhdoj gjimnazin natës, Qemal Stafa, në sajë të piktorit prof. Abdurrahim Buza, nëndrejtor, mik e admirues i prindit tim. Kështu u pajisa me një dokument shkollor, që nuk kisha si ta sjellja prej shkollës sim të Romës. Ndodhi që Liceu  Artistik “Jordan Misja” i ripranoi përsëri nxanësit që kishte përjashtue me cerimoni, duke i rrahun. Unë mora zemër dhe u paraqita në konkursin paraprak që ishte shpallun, ku fitova dhe  u pranova. Ndersa gjithe njerëzit e familjës edhe të mbarë fisit ishin mbyllun në burgje e kampe internimi, isha i vetmi që akoma vegjetoja i lirë, por gjithmonë si mbi gjemba.  E ndodhi që edhe unë u arrestova më maj 1950 e drejt e në kalanë mesjetare të Porto Palermos, me gjithë vellain e madh Valentinin, si në Shpellën e Polifemit, por pa një Uliks që të na nxierrte prej andej. Prej aty në Tepelenë, ku u bashkuem me mamën.  Gjyshja kishte vdekun, e semunë e plakë 90 vjeçe, me emnat tonë e të birit në gojë. Aty lexohej për çdo mbramje gazeta, prej së cilës morëm vesh gjyqin e Hamit Matjanit, ku ai fliste pёr  Prenk Pervizin dhe  kishte pasë punë me të. Gjenerali,  sipas Hamitit, jetonte ne një hotel llukzos t’Athinës. Më 1954 kampi i Tepelenës mbyllet dhe gjithё  t’internuemit vendosën ne rrethin e Lushnjë në disa kampe që ishin edhe sektorë të fermës Bujqësore 29 Nëndori, ku t’internuemi u caktuen me punë të detyrueshme në fushat e bujqësise e në sektoret e ndërtimit.

Në këto rrerthana jeta duhet të vazhdonte, dhe shpresat për shpëtim ishin të pakta, kështu që t’internuemit filluen të krijojnë familje e të martohen mes tyne. Edhe vëllai im Genci që ishte lirue pas dhjet vjet burg, u martue me nje vajzë t’intenueme, e bija e Llesh Marashit,  e radha me kalonte mue. Ndersa Valentini e kishte gruen e vet në Itali, prej së cilës i vinte ndonjë kartolinë, se letrat nuk kalonin dot. Ne këto kushte une u njoha me një vajzë të re t’intenueme që pothuej ishte rritë në mesin tonë qysh kur ishte një fëmi në kampin e Tepelnës, ku e kishin mbyllun me t’amën qyshë në moshën e njomë katër muejshe. Duke qenë se në atë kamp ra një semundje e randë epidemike në formë kolere, shumë fëmijë e pleq vdiqen, dhe ajo vetë shpëtoi kot dhe duke qene se e ama, Zorka,  ishte malazeze, iu ngatërrue emni dhe bebe ketu e bebe atje,  e i mbeti emni Beba. Emni i vërtetë  Gjuliana, doli kur mbushi 15 vjeç dhe u pajis me letër njoftimi. Por emni Beba nuk iu hoq ma dhe kështu e  njihte e gjithë shoqëria. Ndodhi që në u afruem, u deshëm dhe u martuem, ku u bamë me tre fëmijë, djem.  Vellai, Genci, martue me të bijën e Llesh Matashit, Albina, u ba me katër djem e dy vajza. Keto ishin rrethana të diktueme nga gjendja e pa shpresë,  ku  pas vitit 1958 të iinternuemit filluen të martohën midis tyne. Sidoqoftë  internimi nuk na hiqej nga kurrizi. Në këto rrethana ne patëm edhe humbje njerëzore, si gjyshja 90 vjeçe në Tepelën më 1950, mama 77 vjeçe në Pluk të Lushnjës, më prill 1977, baba 80 vjeç  në Belgjikë më shtator 1977, një femijë e Gencit më 1960. Genci 63 vjeç në kampin e Gradishtës  më prill 1989. Në Tepelënë kishin vdekur edhe disa kushrij tonë, Gjin Pali, nip i Gjin Pjetrit, e shoqja e kushrinit Preng Lleshit (vra në mal), me të bijën më 1948 në Berat dhe dy  gra të kushrijve  në Tepelenë me dy fëmijë të tyne. Pastaj tetë burra u vranë në përpjekje në mal. Me dhjetra të tjerë, kushërij tonë, të burgosun. Gjhithsejt 23 viktima. Një katastrofë. Ky ishte haraçi ose ma mirë me thanë, flijimi  që i bahej idhullit të komunizmit nga familja jonë.  E pamë t’arësyseshm të paraqesim shkurtazi se si u trajtue familja e  Prenk Pervizit, pa i pasë ba asnjë të keqe askujt, krejt të pafajshëm.

 

Shtëpia “kulla” e Prenk Pervizit në Laç, qё u grabit dhe u dogj nga njё brigatё komuniste partizane  mё shtator 1944,

foto ne gjendje tё rindertueme mё 2002.

 

 

 

Si  vinin lajmet

 

 

 

Ne nuk do të kishim marrë vesh asgja për prindin tonë kur ai kaloi në Greqi, por ja që rasti i krijon mundësitë, dhe asht më të vërtet  për t’u çuditë.

Siç ishim të mbyllun në kampet e Tepelenës, Porto Palermos, Shtyllazit e Kuçit të Vlonës,  ku nuk kalonte asnjë fjalë nga jashtë, ne, as që mendonim se do të na vinte ndonjë lajm prej tij, dhe jo ma me marrë vesh se si asht me shëndet,  ç’ban e si e kalon, me kë rri, ku udhëton e shkon, etj.etj.

Kur na transferuen në kampet e  Lushnjës, kontakti me njerëzit ishte ma i mundshëm.  Ma e bukura ishte se shefi i degës i Lushnjes, koloneli Nuçi Tira, kur na mblidhte çdo tre muej në kampin e Savrës për me na mbajtë konferenca, nuk kishte rast pa përmendë babën tonë, duke tregue se si ai punonte kundër vendit e bashkëpunonte me anglo-amerikanët, duke ba nje jetë luksosze mes Athinës. Se si kishte shkue në Itali, ku ishte krijue Komiteti Shqipëria e Lirë, e takohej me kriminelët e tjerë si Zef Palin, Muharrem Bajraktarin, Mehdi Frashërin, Ernest Koliqin,  Gjon Markagjonin,  e të tjerë. Prej fjalimeve te tij nё mbledhje tё tjera  morëm vesh ma në fund se si ai kishte kalue  ne Belgjikë dhe ishte fut në shërbim  të imperializmit amerikan e te Natos. Nuçi Tira siduket e kish pas njohun babën tonë që kur  ishte në Tiranë, në kohën e gjermanëve, ku kishte hy në punë në zyrat shtetnore, si agjent i  fshehun i komunistëve i lidhun me grupet që kryenin atentate. Ai kryente punën e informatorit dhe korierit. Për çudinë tonë dhe t’internuemve të tjerë  ai nuk shprehej me sharje. Ne një rast tjetër  ai e kishte përmendë si një ushtarak e gjeneral tё zotin por qe bani gabimin që nuk u lidh me partinë dhe kaloi në shërbim të anglo-amerikanëve.

Të gjithë çuditëshin, dhe ne ma tepër, për këtë përmendje të vazhdueshme  në çdo mbledhje që ai mbante me t’internuemit. Por erdhi koha kur Nuçi Tira doli në pension dhe ne nuk dëgjonin ma lajme të tilla indirekte  për prindin tonë. Ne ato kushte kur sa kishim dalë nga Tepelena dhe nga Kuçi i Kurveleshit krejt të çoroditun nga ato izolime të mjerueshme, filloj epoka Hrushoviane, dhe u banë disa lehtësina, si lejimi i marrjës së pakove dhe dollarëve nga jashtë edhe për t’internuemit.

Kështu më 1960, na vjen një dokument postar ku duhej të shkonim në Durrës ku paskej ardhë një pako e madhe nga Italia n’emnin të nanës me një vlerë prej  20.000  lekësh. Lista e plaçkave, kryesisht veshmbathje, ishte e gjatë. E kuptuem se ishte dergue prej babës n’emën të grues së Valentinit  nga Bolonja. Si me ia ba ? Ne nuk mund të shkonim. Ku me i gjete paret ? Na dolën disa miq t’internuem që na ndihmuen, sepse parashikohej se plaçkat e pakos do ta nxirrnin e tejkalonin shpenzimin. Këtë punë e mori përsipër e shoqja e Lazër Radit që ishte e lirë, Vitore Radi, së cilës i leshuem nje autorizim  n’emën të mamës që figuronte pakoja, e cila  për shkak sëmundje nuk mund te shkonte vetë në Durrës. Pa permendun se ishte e internueme. Kështu ne e morëm atë pako, që ishte një mrekulli për ne, e u veshëm e u mbathëm si s’ka ku shko ma mirë, dhe shitëm disa plaçka për me shlye borxhin. U duk se keshtu do të kishim edhe ndihma te tjera, por nuk vonoi dhe u ndalue si marrja e pakove ashti  e dollarëve. Këto ishin pra disa forma nga ma të ndrysmet qe ne mernnim vesh lajme nga prindi ynë. Nuk mbaroi me kaq, në një letër që  i kishte ardhë një t’internuemi tjetër, jo aq në sy, shkruhej se si im atë kishte nisë dy pako të tjera, po aq të mëdha  nga Austria me anën e miqve të tij. Ato nuk erdhën kurrë sepse u bllokuen e konfiskuen në doganë nga organet e Sigurimit, që e kishin kuptue se kush i çonte. Nga një përson i lirë që kishte njerëz në Ministrinë e Brendëshme, dhe kishte respekt për familjen tonë, morëm vesh se në atë Ministri, ishin disa letra dhe fotografi të babës  që Sigurimi  i kishte ndalue e marrë nga  posta. Këto ishin ato raste që ne mundëm me pasë nje far lidhje me prindin tonë. Por ma e bukura do të vinte ma vonë. Diçka e pabesueshme. Një aventurë për film.

Duke qene se gjithë përmbajtja e librit i përgjigjet jetës dhe veprimeve të prindit tonë, duke kapercye mbi ngjarjet ku edhe ne vetë u përfshimë, që janë tregue në shkrime të tjera, do të flasim për kohën e qendrimit jashtë shtetit si i arratisun ose refugjat politik shqiptar. Patjetër se do të fillojmë nga qendrimi tij në Greqi, përsa kemi marrë vesh nga ata që i ndejtën pranë dhe bashkëpunuen me të.

Një nga keto ishte  Kapllan Bylykbashi, nga Devolli, i arratisun në Greqi që më 1945, që e njihte tim etin  dhe ishte takue me të shpesh. Bylykbashët ishin trima e besnikë, dhe me Prenk Pervizin  ishin lidhun fort. Disa prej tyne kishin hy në Shqipni si diversantë nën urdhnat e tij. Nja dy që i  kishin kapë i kishin burgosë.  Thuhet se pati dhe të pushkatuem prej tyne.  Ky Kapllani pasi ndejti 10 vjet në Greqi kishte kalue në Amerikë.  Atje qëndroi 20 vjet. Se se si dikush ia  mbushi mendjën të kthehej te familja në Shqipni, se nuk e gjente gjë e s’kishte kush punë me të, sepse gjendja ishte e qetë dhe Shqipëria lulëzonte. Ishin mashtrime të agjentëve të sigurimit.  Ndërsa Bylykbashët ishin pushtaktue, burgoisë e internue. Kështu ndodhi që Kapllani u kthye andej nga viti 1980.  Zhgënjimi i tij nuk mund të përshkruhet, mjafton të dihet se e arrestuen dhe internuen ne kampin e Gradishtës së Lushnjës, duke ia mbajtë edhe ato pak dollarë e plaçka që kishte sjellë me vete.  I shkreti Kapllan, që ia sollën dhe familjën aty  të detyruem me punue në bujqësi si të gjithë t’intenuemit e tjerë. Kishte ra nga tigani në zjarr ! Nuk kemi ndërmend të bajmë historinë e Kapllanit,  por ai kishte sjellë lajme si për babën tonë ashtu dhe t’arratisuni e tjerë që i kishin familjet e internueme në atë kamp.   Dihet se në Grandishtë ishin internue disa familje të njohuna të botës shqiptar, si e Prenk Pervizit, Hasan Dostit, Murat Kaloshit, Cen Elez Ndreut, Mustafa Krujës, Mirakaj, Demaj,  Kupi, etj.  Familje të tjera ishin në kampe të tjerë, si Savër, Grabian, Gjazë, Çermë etj.

Prej tij ne morëm vesh si e kaloi kufinin prindi ynë dhe si u paraqit në Greqi.  Kapllani kishte pasë rast të shoqnohej shpesh me të, dhe kishte ra biseda e arratisjës tij. Aq ma tepër që i kishte dalë besnik një Korçar si shoferi Llazi Sterjo dhe djemt e Gani Kullës në Zemblak. Korçarët kishin pse të krenohëshin.  Ja se ç’morën vesh nga Kapllani.

Atë natë kur ishte nda prej Llazit, që e kishte ndalë makinën aty pranë rrugës së Kapshticës, im atë kishte  ndjekë atë rrugë paraleshit i fshehun ndër shkurret deri afër Doganës, siç quhej posta e kufinit.  Aty kishte dredhue anash deri ne një pikë, ku kishte qendrue duke kontrollue lëvizjet e rojëve  kufitare  e duke iu afrue  dalë nga dalë vijës së kufinit, që ai njihte mirë dhe që pika kufitare e Doganës e ndriçuar i shërbente  si orientim.  Kur ishte sigurue mirë, kishte ndërmarrë kalimin, duke ecun për aq kohë sa mendonte se gjendej ne tokën greke. Dritat e Doganës qendronin shumë mbrapa tij dhe nga ana tjetër dukëshin dritat e fshatit grek Kristallopi që ai njihte mirë, sepse dikur aty kishte vendosë komandën  në kohën e luftës italo-greke.  Por ç’kishte bërë ?  thoshte Kapllani,  nuk ishte paraqitur gjekundi dhe kishte kalue natën bri rrugës së Folorinës deri sa kishte dalë drita.  Pse? Për arësye se qendronte rreziku me ra në dorë elementësh komunistë e ta pësonte si miku i tij Koço Kota, e të tjerë që komunistët grekë  i kishin pikasur e dorëzue shqiptarve.  Kur kishte dalë mirë drita, ai kishte kaluar në rrugën  kryesore duke ecur esber, me syze dielli, si nje gazetar i huaj.  Kishte ndeshun në ndonjë kalimtar që e pershendeste  me respekt, si turist ose gazetar  të huej.   Ndërsa ecte kështu, vjen një veturë nga pas e ndalët disa metra para tij, ku shoferi i bën me shenjë që të hypte, dhe i kishte folur nja dy fjalë italisht. Kjo i erdhi e papritun dhe e pranoi ftesën duke e falenderuar po italisht shoferin, i cili u gëzua pse italishtën e fliste disi dhe mundi të shkëmbente bisedën me të huajin, që doli që ishte një gazetar francez, Aleksandër Rubin. Kur arritën në Folorinë, ku im atë kishte qendrue do kohë kur përcolli Mbretin Zog, e falenderoi  shoferin  dhe shkoi te një bankë ku këmben në pare greke disa sterlina. Ai kishte edhe napolona florini, por paraqiti sterlinat qe te mos dyshonin, sepse dihej se napoloni përdorej zyrtarisht në Shqipni,  dhe shkoi  fill e ne një hotel ku zuni një dhomë për atë natë.  Ai kishte njё dokument njoftimi francez me emrin  Aleksader Rubin, qё e mbante pёr udhёtime “inkonjito”, qё kur ishte nё Itali, kur i binte tё udhёtonte pёr punё personale.  Pastaj vendosi të paraqitet në policinë e qytetit, pse ishte informue prej shoferit se aty nuk kishte elementë komunistë. Kur ishte paraqitun në atë zyrë me dokumentë që tregonin se si ai ishte nje gjeneral shqiptar që ishte arratisë prej Shqipnie, dhe kur kishte tregue edhe karvizitat e tre gjeneralëve grekë që e i kishin ba vizitë në Korçë, ato të policisë u sollën me respekt ndaj tij, dhe nuk vonoi edhe aty erdhën gazetarë nga radio e Folorinës, të cilët donin t’i banin një intervistë me atë  përsonalitet  të naltë ushtarak  që ishte arratisun prej një vendi komunist.

Për Folorinën ishte një lajm  sensacional. Sepse u mor vesh se Gjenerali kishte shoqërue  Mbretin Zog  në Greqi më prill 1939,  ku kishte qëndrue  do kohë në Folorinë.   Intevista u la për ditën tjetër, që t’i lejonin që të pushonte e të qetësohej.  Ai u takue edhe me autoritetet e vendin të cilët i treguen respekt e nderime. Mori vesh se miqt e tij gjeneralë, dy ishin vra gjatë luftës italo-greke në një bombardim, dhe i treti kishte vdekun.  Atë natë ai e kaloi në hotel, ku mundi ta marrë veten e të qetësohej. Të nesërmën mbrama ai dha intervistën në radion e Folorinës, ku lajmi shkoi edhe në Shqipni. Babai, juaj, tregonte Kapllani, nuk i besonte shumë grekëve, dhe për sa mori vesh, aty përreth qarkullonin grupe partizanësh komunistë. Për t’i ikur çdo rreziku ai u largua nga Folorina e drejt e në Athinë me një autobus udhëtarësh. As në  Athinë nuk u paraqit gjëkundi, por zuri edhe aty një hotel të mesëm, si gazetar francez, me emnin Aleksadёr Rubin. Ai e kishte marrë vesh se qeveria shqiptare kishte kerkuar dorezimin e kriminelëve të luftës (siç i quente t’arratisurit), dhe donte të sigurohej nga çdo e papritur. Zuri miqësi me hotelxhiun, që dinte pakëz frëngjisht, i cili  ishte një  njeri i mirë dhe  antikomunist.  Ndërkaq prindi juaj merr vesh se në Athinë kishin ardhur ato të komisionit për shqyrtimin e çeshtjës së t’arratisurve nga Shqipëria,  Bullagaria, Jugosllavia e Rumania, që mbahëshin në në qendrёn e refugjatëve “Haxhi Qiriako”   aty në Athinë.  Ishin miqt e tij të malit, koloneli Meklin, koloneli David Smiley e kapiteni Julian Amery.  Ai, nuk shkoi t’i takonte, por u kishte shkruar një letër drejt në adresën e qendrës n’emër të kolonelit Meklin. Nuk kaloi java dhe para hotelit u ndalën dy  xhipsa, prej ku zbritën disa ushtarakë anglezë.  Sa hynë në hollin e pritjës, ku Prenka po rrinte e po pinte kafe,  e njohën prindin tuaj dhe u përfalën përzemërsish me të, nën sytë e zgurdullar të pronarit.  E morën menjëherë me vete. Kështu mori fund aventura e prindit tuaj për arratisjën në Greqi. Ai u detyrua të vepronte kështu për t’i ikur çdo rreziku të mundshëm.  Por babai juaj me tё cilin zuna njohje tregoi se si pas disa ditësh ishte kthyer te hoteli, ku e kishte falënderuar pronarin për sjelljën e mirë ndaj tij. Pronari nga ana e tij, ishte inatosur e zemrue  pse nuk i kishte treguar se kush ishte, se ai do ta kishte mbajtur si mik të nderuar.  Tregimi i Kapllanin nuk mbaroi me kaq. Ai kishte shtue, se si pas do kohë, një ditë prej ditësh  nё kampin “Haxchi Qiriako”  ishte paraqitun një zotni grek, pasunik i madh dhe i lidhur me personalitete tё larta te shoqeris greke. Ai kishte kërkue të takohej me gjeneralin  shqiptar Prenk Pervizi.   Kur babai juej ishte gjetur para tij, vazhdonte Kapllani, nuk e kishte njohur  dhe ishte çuditur pse e kishte kërkuar ky zotni i panjohur.  Greku i ishte përgjigjur që e shoh se ti nuk po me njeh, por jam unë që të njoh mirë.  Si qendronte puna ?  Ky njeri  në kohën e Zogut, paskej qendruar disa kohë në Shqipëri, për bisnesin e tij si argjëndar, ku kishte blerë shumë gjëra të çmueshme, xhevahirë, margaritarë, unaza me diamantë, e te tjera sende të vlefshme, me çmim shumë t’ultë. I kishte mbushur valigjet plot, por ishte puna si të  kalonte doganën  pa e kontrolluar.  Drejtohet fill e te babai juaj që ishte komandant i qarkut Korçës, ku  ia qan hallin, qe kishte ble disa mallna tregitie me vlerë dhe kishte frikë se ia ndalonin shqiptarët se për grekët nuk kishte problem.  Babai juaj i pergjigjet se nuk merrej me asi  punësh.  Ai ishte nje komandant i ushtrise e nuk përgjigjej  për doganën.  Greku i kishte thënë, se ashtu është, por ishte dhe ana tjetër, se emri tij njihej në gjithë Shqipërinë. Ai nuk kërkonte tjeter veçse një copë letër me firmën e tij, ku të shkruhej, të lejohet kalimi i këtij  personi me plaçkat që ka. Kaq. Mirë, i kishte thënë, po ta bëj qejfin, por se sa të vlen nuk përgjigjem.  Ato të doganës sa kishin pa firmën e Prenkës  e kishin lënë të kalonte menjëherë. Me ato valixhe ai e kishte zgjëruar tregtinë e tij e ishte bërë milioner e personalitet i Athinës. Ai ishte i lidhur me figurat  me tё larta tё Greqisё deri dhe me vete mbretin. Gezonte besimin e tyne e kishte influencё  tё madhe nё qeveri.   Ai e nxori Prenkën prej aty  dhe  mori përsipër gjithë shpenzimet për jetesën e tij  midis Athinës, ku e kishte vendosë ne një hotel lukzoz, duke ia siguruar të gjithë nevojat materiale.  Sa që e quente si vëlla. Nga ana tjetër duke e perkrahur ne aktivietin e tij politik, me shpenzimet qe ato punë kërkonin. Deri dhe udhёtime nё Itali qё tё takohej e bashkёpunonte me patriitёt e tjerё shqiptarё. Unë u largova pas 10 vjet vjet, më 1955, për në Amerikë, e nuk di tjetër për të, veçse dëgjoja se shqiptarët e respektonin dhe e nderonin.  Mora vesh pastaj se si kishte kaluar në Belgjikë, dhe për vdekjen  e tij atje.   Kështu në ato kondita na erdhi një tregim ma i shkoqitun se si ai kishte kalue kufinin në atë natë dhe si ishte paraqitë.

Sipas dёshmisё sё t”arratisurit Zef Luka, Prenk Pervizi, qё jetonte nё njё hotel lukzos tё Athinёs,  kishte njё zyrё nё kampin e Haxhi Qiriakos, ku vinte herё pas here. Ai merrej me  organizimin e caktimin  e njerёzve qё do tё hidhёshin si diversantё nё Shqipni, nga Greqia ose Italia, siç  kishte ndodhё  me vetё Zef Lukёn, njё ndёr diversantёt ma tё njohun  qё kishin veprue  nё Shqipni.

Siç e përmendëm për pakot e ndalueme nga Sigurimi, që ishim lajmërue nga një përson tjetër, të cilin e kishte njoftue babai, pati dhe raste te tjera ku na vinin te falat e tij. Një here i kishte ardhë një letër djalit të Muharrem Bajraktarit, Gencit, ku i shkruente se familja e Prenk Pervizit mos të bahej merak se ai i rrinte pranë e kujdesej për Prenkën  për çdo gja. Edhe grueja e Valentinit nga Bologna, me ndonjë kartolinë, sepse letrat nuk kalonin, na siguronte here pas here për shëndetin e na bante të falat e tij, gjithmonë  në emën të një gjoja tezës sonë Ana, që ishte vetë dora.

Së fundi, ishte miku i tij i ngushtë,  Muharrem Bajraktari, që me anën e familjës tij  na njoftonte dhe na ngushullonte për vdekjën e babes, më shtator 1977. Këto ishin të gjitha mundësitë e marrjës së ndonjë lajmi prej prindit tone sa qendruem në kampet e internimit. Njoftime të tjera do t’i  merrnim gjatë qendrimit tone në Belgjikë, ku kaluem në tetor 1990 e deri më sot që po shkruejm këto kujtime.

 

 

 

 

Në botën e lirë

 

 

Në tetor 1990  arritëm me dalë familjarisht në Mbretninë e Belgjikës, me gruen e tre djemtë. Një mrekulli. Nga skëterra komuniste në botën e lirë. Nga Ferri në Parajzë.   Në shtetin ku kishte jetue vitet e ditët e fundi prindi ynë. Ishim familja e vetme dhe e parë që vinte drejt nga kampet e internimit. Shqiptarë të ndryshëm të mërgatës vjetër erdhën me na takue.  Njerëz që e kishin njoftë babën e ishin shoqnue me të.

Por kryesorja imediate për ne ishte  rregullimi i gjendjës sonë.  Duhej me u paraqitë patjetër në Komisariatin  për refugjatët.  Unë, grueja e djali i madh. I vogli nën 14 vjeç nuk merrej në pyetje.

Na  intervistonin veç e veç. I fundit me takoi mue. Hetuesi ishte një burrë rreth 50 vjeç. Përkthyese frëngjisht, një zonjushë bionde kosovare.  Nuk pata nevojë për përkthim. Me frëngjishtën që kisha mësue në shkollë në Itali  dhe përmirësue në burgjet e kampet  me intelektualët të mbyllun aty, veçanërisht në Kuç, ia dola vetë në krye punës. Relacioni im ishte tepër i plotë e tronditës për hetuesit belgë. Me vendet e internimëve, data dhe konditat.  Sigurisht se aty doli pse keni zgjedhë Belgjikën. Këtu kishte jetue e vdekë prindi ynë, Prenk Pervizi, gjeneral shqiptar. Hetuesi në një çast mori leje dhe shkoi diku. U kthye pas 10 minutash.

– Zoti Pervizi, jeni te pranuar qe tani, komplet me gjithë familjën.   Me urdhën e vendim të vetё Presidentit të Komisariatit. Mirësevini  në Mbretninë e Belgjikës !

Ndërkaq, me dha një posulle, ku ishte shkrue adresa e qytetit ku kishte jetue e vdekë im atë dhe e varrezave  ku ishte varrosë. Gjendja  jonë u rregullue. Zumë një apartament dhe përfituem ndihmën e caktueme për refugjatët.  Kjo i habiti  gjithë shqiptarët për shpëjtësinë e rregulimit tonë. Faktikisht ato ishin t’ardhun atyqyshё nga viti 1956, me rregulla të tjera, e kishin hasë në veshtirësi në kohën e tyne.  Me shëmbjen e komunizmit dhe vërshimin e refugjatëve n’Evropë, OKB-ja kishte marrë masa të reja për përballimin e situatës.  Kjo me pak fjalë paraqitja dhe sistemimi ynë në Belgjikë, ku u pritëm ma së miri.  Aty grueja ime kishte dhe t’amën, Zorka Malaj  e tre vllaznit për nanë, që edhe ato e kishin provue internimi deri sa u riatdhesuen në Mal të Zi, e pastaj kaluen në Belgjikë.

Puna e parë për t’u krye ishte gjetja e vorrit të babës. Kjo u arrit  me  adresën që më dhanë në Komisariat.  Nga ana tjetër dolën dy puknjanë, Gjergj Tishi, bir’ i Zef Tishit,  që kishte shoqnue babën kohët e fundit, dhe Ded Mjeku, të cilët na përcollën në spitalin ku im atë ishte shtrue e kishte ndërrue jetë. Ku na pritën mirë, dhe takuem  edhe infermierën që ishte kujdesue për të. Edhe ajo na dha adresën e varrezave dhe na tregoi se im atë ishte varros në atë që quhej parcela e herojve, ku varroseshin personalitete tё larta ushtarake të ikun  nga vendet komuniste.

Te varri shkova bashkë me Patër Ambroz Martinin, që kishte krye shërbimin e fundit  fetar t’im etit dhe Ded Mjekun, i cili ishte shoqnue vazhdimisht me babën, dhe njihte gjithë mergatën shqiptare të Belgjikës. Ai punonte si përkthyes, sepse zotnonte, përveç shqipës, italishtën, frëngjishtë e serbo-kroatishtën.  Prej Dedës dhe Patër Ambrozit mora informatat e para për babën. Ndër të tjera mora vesh se si, pas vdekjës së babës, të gjithë plaçkat, orenditë dhe sendet përsonale të tij, libra, letra, fotografi  e shkrime, ndër to dhe një revolver, ishin mbyllun në një valixhe apo arkë të vulosun me dyll. Shqiptarët ndërhynë dhe propozuen se ato plaçka mund t’i dorëzohëshin në ruetje Pater Ambrozit. Kështu u la. Por kur ai u paraqit ditën e caktueme për t’i marrë, nuk ia dhanë dhe i thanë se po nuk doli kush i familjës, ato sende nuk  i dorëzohën askujt. Për deri sa nuk kishte njerëz të familjës që t’i dorëzohëshin, ato ruhëshin 25 vjet, në pritje mos dilte një i afërm i tij.  Pastaj digjeshin.  Si me ia ba ?  Doli se shqiptarët kishin vu dorë mbi atë arkë, duke ndërhy me anë të pëshkopit me origjinë polake, Jordan, që përgjigjej për shqiptarët.  Arka u hap në prani të tre shqiptarve, të cilëve nuk po ua përmend emnat. Për disa sende personale, si orë dore, çakmak  i markës « Dupont », stilograf e stilo-laps me veshje ari,  çestek ari, unazë e martesës, një pako me letra, ndër to një letër drejtue Presidentit t’Amerikës, një sasi fotografishë dhe dy blok-shënimesh me  adresa, pasaportë e letër njoftim të  OKB-së, si refugjat politik, ia kishin dorëzue një far Ded Volaj, nga Puka Atё   e kishin thirrë aty, sepse ai njihte disa nipa të Prenk Pervizit, që gjendëshin në Amerikë, prandaj ai të ua çonte. Ded Volaj e kishte pa arkën e hapun, me plaçkat dhe sendet e tjera, ndër to fletore me shkrime e libra, si dhe revolën. Për ato sende nuk u tha asnjë fjalë se si do shkonte puna e ku do të përfundonin.

Ai kishte pranue me e krye atë porosi. Deda më tregoi se kush ishin  tre shqiptarët aty të pranishëm përveç pëshkopit.  Ndërhyna pranë kryetarit të Komunës (Burgmestrit)  ku kishte jetue im atë, në qytetin La Luvierë, i cili m’u përgjigj që kishte ngarkue komisariatin  e policisë që ta ndiqnin çeshtjën. Nga policia erdhi njoftimi, që rezultonte se Prenk Pervizi nuk kishte lanë asgja. U kuptue se asaj pune i kishin vu kapak, dhe kot që mundohësha me e zhbirilue. Njerëzit që  e kishin organizue atë punë kishin vdekun, dhe kur unë shkova me kërkue llogari te familjet  e tyne, se mos kishin ruejtë ndonjë send të babës, veçanërsiht  kutinë e cigarëve prej ari me emnin e firmën e tij të skalitun, dhe pёr dokumenta  e dorёshkrime,  tue qenë se kishin pasë miqësi me prindin tim, m’u përgjigjen që nuk kishin asgja nga sendet të tij dhe se nuk dinin asgja për to.  Ndërsa ishte krejt e kundërta.

Kisha ardhë në një kohë kur të gjithë miqt e t’im etit kishin vdekun.  Gjashtë muej përpara kishte vdekë Muharrem Bajraktari. Po në ato ditë që mbrritëm në Bruksel, kishte vdekë miku tjetër kurbinas, Brahim Bami, nga Zheja.  Ky i shtruem në spital, kur kishte marrë vesh për ardhjën e birit të Prenk Pervizit,  kishte shpreh dëshirën me më takue, por u njoftova pas vdekjёs tij.  Me rastin e vdekjës tij, vjen nga Amerika, Gjergj Qipi që me Brahimin  kishin lidhë kumbarie.  Ky Gjergji ishte nga një familje mike jona den baba den, nga Malibardhë i Kurbinit. Gjergji vjen më takon me djalin e Brahim Bamit, dhe me dorëzon  disa sende të babës, që ia kishin dhanë nipat tonë në New York, Ndue e Martin Lala të cilëve ua kishte çue ai Ded Volaj. Mbeta i befasuem, sepse përveç disa fotografive, orës dorës dhe një stilo-lapsi,  që unë i njihja, të tjerat ishin zevendesue me gjana pa vlerë.  Pakoja e letrave mungonte me gjithёletrёn dergue presidentit Knnedy.  U detyrova me i pranue, ashtu siç mi kishin sjellë.  Mos tjetër fotografitë, që nuk kishim asnji të tijën, dhe unazën e martesës, jo ajo që unë dija, me mbishkrimin e emnit tij dhe të datëlindjës,  por se pakut florinit. Kur ia tregova Ded Mjekut ato sende, ai mbeti i çuditun, sepse kishte ndejtë vazhdimisht me babën dhe ia njifte gjanat që mbante. Ndër te tjera me tregonte se si i ishte prishë çakmaku « Dupont », prej florini,  dhe se si Deda e kishte ndihmue me ia dergue me postë speciale fabrikës në Svicër, që ia kishte kthye të riparuem.  Pastaj ku ishte kutija e cigarëve po prej florini, me emnin e firmën e tij të gdhendun në të ?  Ma vonë kishte dalë se nje nga personat qe kishin vu dorë mbi plaçkat u muer vesh  se përdorte e thyente pesë-napolonsha florini, që nuk kishte disponue as dispononte askush shqiptar. Përfundimi i sa thamë deri tani : edhe ato sende të fundit të Prenk Pervizit,  ku kishte edhe dokumentë si dhe shkrime, shënime, kujtime  dhe sende   të tjera, ashtu dhe korispondenca, u zhdukën pa lanë gjurmë, humbën.  Nipat ne Amerike, për letrat më thanë se ato ishin kalbë nё bodrum prej lagështinës. Ec e merre vesh. Po pse në njё bodrum  me lagështinë ruhën letrat ?  Kisha mbet  krejt i pafuqishëm dhe i zgënjyem. Koha kishte ba të veten. 45 vjet i ndamë prej botës dhe jetës normale njerëzore.

Nuk më mbetej tjetër veçse me marrë  informata gojore prej shqiptarve të mërgatës së vjetër, ose ma mirë me thanë prej fëmijëve të tyne.   Me ra rasti me shkue edhe ne Paris qysh në verën 1991, ku u takova me Leka Zogun e disa shqiptarë të rrethit tonë miqësor.  Rezultati ishte se informatat jepëshin me pikatore. Leka Zogu me tregonte, ndërsa gëlltiste konjak,  se per Prenk Pervizin  i kishte folë mirë Hysen Selmani, kujdestari tij  pas vdekjës se Mbretit Zog. Aq. Si përfundim arrita të marr vesh sa ma poshtë vijon.

 

Prenk Pervizi në Belgjikë

kaloi 11 vjetët e fundit, 1966-1977

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Jetë e veprimtari në mërgim

 

 

 

Im atë kishte qëndrue 19 vjet në Greqi, ku, në periudhën 1950-1954, bashkë me Muharrem Bajraktarin, Fiqri Dinen, Hysni Demën, Abaz Ermenin e të tjerë shqiptarë, kishin nisë një organizim ushtarak për rrëzimin e regjimit komunist në Shqipni.  Puna kishte ecë mbarë, pse kishte mjaft shqiptarë t’arratisun dhe kishin edhe ndihmën e grekëve e t’anglezëve.  Nga njoftime ma të sakta nga shërbimi i fshehtë amerikan dilte se Prenk Pervizi  kishte mbështet planin anglez për atë organizim me anën e Greqisë, ndërsa Hasan Dosti atë armerikan me anë të Jugosllavisë.  Për në Greqi  pritej që të vinte aty vetë Mbreti Zog, me të cilin ishin në lidhje, për t’i dhanë fund organizimit dhe nisjes së aksionit. Por ç’ndodhi ? Anglezët e kishin pengue Mbretin e nuk e kishin lanë me ardhë në Greqi prej Egjyptit  ku rrinte, nën mbrojtjën e Mbretit Faruk, që i i kishte krijue kushte të mira jetese. Ndërkohë, anglezët i kishin dredhue fjalët duke paraqitë si kusht të mbështetjës dhe ndihmës së tyne, kthimin e Korçës e Gjirokastrës Greqisë.  Shqiptarët të revoltuem nuk kishin pranue të tilla kondita dhe organizimi u prish. Mësova pastaj se si ato ishin përpjekë me dërgue  diversantë nepërmjet kufinit, ku ishte dallue Hamit Matjani e vllaznit Bylykbashi nga Devolli, të  cilët kishin hy e dalë disa herë.  Rezulton se ata  kishin punue sipas udhëzimeve të Prenk Pervizit, dhe ishte  shtrue mundësia që Hamiti  të tërhiqte  në Greqi djemt e tij, pra, mue dhe vëllain Valentin e ndonjë tjetër.

Më 1950-1951, një grup t’intenuemish, shumica gra e disa djem te ri në moshë pune, ishin transferue me punue në një fermë të Lushnjës, në sektorin Pluk. Hamit Matjani  e kishte marrë vesh atë punë dhe ishte interesue, deri aty sa kishte shkue fshehurazi në atë kamp, aq i zoti dhe i zhdërvjelltë ishte, por doli se djemt e gjeneralit nuk ishin aty dhe s’kishte ndonjë tjetër person që t’ia vlente për ta marrë me vete. Në atë periudhë ne ishim të mbyllun në Porto Palermo e Tepelenë.

Organizimi i diverasantëve  u shtue dhe  filloj hedhja e tyne me parashuta, ku në Dibër u hodh kapiteni Zenel Shehu me te tjerë që u kapën, dhe Sigurimi i detyroi te punonin për të. Arriti puna që, gjoja ishte krijue një zonë e lirë dhe pritej të vinte ndonjë figurë udhëheqëse me emën, si Prenk Pervizi, Fiqri Dine, Muharrem Bajraktari, etj.  Kjo mund të kishte ndodhë, por Zenel Shehu e paskej ruejt një kod të fshehte që krijoi  dyshim. Prandaj, kësaj punë do t’i paraprinte Hamit Matjani, që do të konfirmonte e vërtetonte  se ishte mundësia e ardhjës së personalitetëve që përmendëm, për të fillue luftën kundër komunizmit.  Dihet si përfundoi misioni i Hamit Matjanit, që ra në kurthën e Sigurimit, që nga ana e tij priste mos zbriste ndonjë peshk ma i madh.  Kështu Hamiti u sakrifikue për një çeshtje  të madhe, dhe nuk u përkul e nuk pranoi të luej lojën e Sigurimit.  U gjykue dhe u denue me varje midis Lushnjës, më 1954. Dega e Brednshme  u dha lejë t’intenuemeve që të shkonin e ta shihnin Hamitin të varun me iu shti frikën dhe me i dëshperue.  Shumë pak prej tyne shkuen, ma tepër çunakë.

Dështimi i ndërhyemjës  me diversantë, si nga toka ashtu nga qielli,  siç do të vazhdonte ma vonë, erdhi si rrjedhim i spiunit anglez Philby,  që punonte per Sherbimin Sekret Rus, pranë shtabit të  komandës aleate, i cili informonte për çdo hedhje të  diversantëve  në Shqipni, që kapëshin sa shkelnin në tokë. Pati dy raste të veçanta që nuk u diktuen, ai i Ndue Pjetër Gjomarkut, në maj 1949, që koincidoi me vrasjën e Bardhok Bibës dhe ai i grupit të Alush Lleshanakut, që u hodh në zonën e  Mirditёs mes dimnit e bores më 1949. Por edhe ai dështoi, sepse u diktue nga tradhtia e një shoku të ngushtë të tij që ishte lidh me sigurimin, të cilit ai i kishte besue. Alush Lleshanaku u vra në Elbasan.

Ndërkohë, im atë kishte udhëtue në Francë në Marseille ku ishte takue me Mbretin Zog, për të gjetun mundësinë e një ndërhyemje me forcën e armëve në Shqipni me ndihmën e shtetëve fqinje.  Aty dolën kontradita.  Zogu e kishte mendjën akoma te Jugosllavia, ku mund të gjenin mbështetje, tue kujtue se do të përseritej 24 dhjetori 1924.  Prenk Pervizi insistonte se kësaj radhe ishte Greqia bashkë me anglezët që mund ta banin atë punë, qё pёrmatepёr ishte Mbretni. Kurse Jugosllavia ishte një vend  komunist, dhe kurrë n’e kurrës nuk do të pranonte një gja të tillë, aq ma keq se do t’ua bante të zezën me i tradhtue e dorëzue te komunistët shqiptarë.  Kështu ato u ndanë pa arritë në mirëkuptim. Ma vonë Zogu vdiq dhe nuk u ba gja. I biri ishte tepër i ri e vazhdonte  shkollën. Ku u rrit, mori drejtim te gabuem duke u shkëputun prej atyne që i kishin ndejtë pranë babës tij, duke u rrethue me njerëz pa emën, pa nam e nishan, siç thotë populli. Një fakt i vogël që tregon punë ma të mëdha, ishte një shkëmbim fjalësh që unë pata me disa shqiptarë në nje kafe. Njerëz të mirë por me flutura  në kokë. Aty unë kisha ndërhy se si mergata shqiptare nuk kishte qene aspaki e  organizueme dhe e gatshme me i dalë punës në ballë pas shëmbjes së  komunzmit. Mergata me mbretin Zog duhet të kishin organizueme një qeveri hije, me intelektualët shqiptarë në mergim. Po ku janë ata ? Jo ky i kuq, ai i zi, tjetri i bardhë apo i verdhё. Duke ba të tilla dallime ata  i keni largue. Pastaj ku i keni djemte e juej  që të kenë mbarue shkollat e të jenë të dipllomuem ?  Jo, i keni ba shëgertë e kamerierë kafesh me fitue pare. Jeni marrë me bixhoz, me pije e me lavire.  Mbretin e keni rrethue me njerëz të pa nivel e të panjohun, bari dhnesh, anonimë. S’keni organizue asgja të hajrit, as keni një shtyp që të ju perfaqësojë. Legaliteti ? Kush e ka shpikë këtë emërtim të panjohun e të pa vlerë ? Sigurisht një injorant, sepse asnjë zogist i ngritun e intelektual nuk merr pjesë në të.  Zogizmi asht gja tjetër, dhe njihet në Mbretin Zog dhe jo në legalitetin, e udhëhequn nga njerëz tё pashkolluem, analfabetё e pa  asnjë vlerë. Pak a shumë kështu fola. Atëhere një shqiptar kërcej nga një tavolinë.

– Po ai baba yt, Prenk Pervizi ka dashtë me e vra Zogun e me i zanë vendin !

Ia ktheva aty për aty:

– Mor i shkretë, po ta kishte pasë atë mendje, jo një kokë por disa  të kishte pasë Zogu ia kishte hjekë. Ndërsa ka qene besniku ma i madh i tij, si ne të mire ashtu në të keqe, nga fillimi deri ne fund të mbrenisë. Këtë e di çdo shqiptar deri dhe fëmijët në Shqipni, por siduket jeta në megrim ua ka marrë mend dhe ua ka hjek edhe ato pak që kishi. Isha i revlotuem.  Mos je ti filani, nipi i filanit ? Atё axhën  tand e kam pas në burg e internim, burrë i mirё  e zogist i flakët, por jo legalist si pua juej !

Fjala ime i la në heshtje të gjithë sa ishin. Unë u kisha tregue atë të vërtetë që ata  as e kuptonin as e njihnin, por që u detyruen ta pranonin.   Këto ishin gjithë sa unë arrita me marrë vesh  prej njerëzve të ndryshëm  në Belgjikë e Francë, të mira apo të këqia.

Përsa i përket periudhës së Belgjikës, im atë erdhi aty më 1966.  Duke qenë se nuk kishte familje as njeri të vetin, atë e caktuen në një hotel për refugjatë ku i caktuen një apartament të veçantë, nёn kujdesin e Karitasit, në qytetin  La Louviere, një gjysmë ore me tren nga Brukseli. Aty ishin dhe katër gjeneralë rumunë e bullgarë, edhe ata t’arratisun prej komunizmit, që trajtohëshin si prindi im. Ai vinte vazhdimisht në Bruksel, ku shkonin dhe e merrnin me makinё, ose me tren, qё e kishte tё paguem.  Nё Brukesl  e kalonte kohën me miqt e tij, Muharrem Bajraktarin, Refat Kolgjinin, familja Duraku, Brahim Bamin, Tahir Zajmin, ku shpesh vinte dhe Abaz Kupi e të tjerë prej Parisi, e ia shtronin bisedës duke analizue shkaqet e gabimet që çuen ne deshtimin e nacioalistëve  në kohën e luftës. Dhe ç’mund të bahej për imediatën e t’ardhmën.

Në një takim të tillë miqsor, im atë ishte shprehun :

– Dëgjoni, për si asht Shqipnia tash nën diktaturën komuniste, janë famimljet tona që ia njohin kriminalitetin, që po e pësojnë mbi kurrizin e tyne, si hakmarrje ndaj nesh, burrave të mirë.  Ne jemi në parajzë ato në ferr.  Kjo dihet. Si do shkojë puna thoni ?  Dëgjoni, pa u shemb komunizmi në Rusinë Staliniste,  nuk shëmbet diktatura shqiptare, as të tjerat.  Ajo kohë dotë vijë. Kur ? Ne do jemi a s’do jemi. Tjetër zgjidhje s’ka, për deri sa e lamë të na fluturojë zogun nga dora. Na mashtruen tё huejt qё mbanim si miq. Na prenё nё besё duke e shpёrdorue mirёbesimin tonё. Kjo e gjitha.

Miqtë i kishin dhanë të drejtë, se edhe ata ishin të bindun për sa thoshte im atë, por banin gjoja se nuk e dinin, sipas shprehjës “bane zot andërr”.

Aktivitete kulturore nuk kishte dhe jetohej  me bindjen se agjentët komunistë vepronin lirisht në diasporë, kudo, nga Belgjika e Franca, në Itali, Angli e në Amerikë.  Deri sa kishte arritë që një far Cuf Mullaj (me shokë),  agjent e spiun  komunist, të tërhiqte për hunde vetë Mbretin Zog bashkë me gjithë legalitetin e kur e mbaroj misionin të ikte duke u tallë me ta. Sa qё kёto agjentё bukurosha, Mbretnesha Gjeraldina i quente si bijt tё saj.

Siç e thamë, kur vinte në Bruksel, im atë rrinte vazhdimishi me Muharrem Bajraktarin, dhe kryesisht në lokalin e nipave të tij Lita,  por dhe të kafeneja e Rrok Çunit, nga Puka, që babën e donte dhe e respektonte shumë. Tregohen disa anekdota.

Sa herë që im atën  vinte në lokalin e nipave të Bajraktarit, ky porosiste  konjak « Metaxas ».  Nipat e pyetën  një ditë :

–   Si asht puna or mixhë, që sa herë që vjen Prenk Pervizi, ti porosit konjak, e kur vijnë shqiptarë të tjerë porosit ujë.

–   Ore djelm, Prenk Pervizi, asht nje burrë e general që  meriton të nderohet  me konjak. Të tjerët janë veç për ujë…

Një here tjetër kur e kishin pyet pse e nderonte e respektonte aq shumë Prenk Pervizin:

– Prenka na e ka kalue të  gjithë neve të tjerëve për shkollat e nalta ushtarake që ka krye, për gjuhet e hueja që zotnon, dhe detyrat që ka përballue me  nder.  Nga kjo anë asnjë oficer madhor shqiptar nuk mund të matet me të.  Ai ka qenё pёr mue dhe asht miku ma i shtrejt e i nderuem.

Ndodhte që vinin aty në tavolinën e tyne dhe njerëz të tjerë dosido me të cilët s’ ecte biseda. Atëherë  Prenk Pervizi,  u drejtohej  me  gjentilesë të madhe :

-Ju lutemi zotnij të keni mirësinë të na lini të qetë se kemi  disa çështje tё randёsishme për të diskutue me Bajraktarin.

Kështu të dy miqtë mund shkëmbenin mendime e gjykilme mbi çështje të randësishme e të kujtonin edhe  jetën dhe veprimtarënë e kalueme të tyne.  Im atё e Muharrem Bajrktari dhe Fiqri Dine sa kje gjallё, nuk merrёshin me organizata politike as ishin nё ndonjё parti. Ata banin thirrje gjithmonё pёr bashkim pa dallim feje, ideje,  krahine e partie. Po me ke,  qё shqiptarёt ishin pёrça, secili krah e grup pas kokёs vet ?

Në Belgjikë  i vetmi aktivitet i randësishëm ishe dita e Flamurit, 28 Nëndori, që festohej bashkarisht. Në këto festa i jepej fjala  Prenk Pervizit, i cili vazhdimisht bante thirrje për bashkim.  Nga këto fjalime ka shpetue vetëm një i mbajtun më rastin e 28 Nëndori 1971, organizue nga Blloku  Indipendent, fatmirsisht i   paraqitun në buletinin e Bllokut Indipendent  të atij viti. Një fjalim që  kishte lane mbresa të bashkahdetarët, që  e përmendnin gjithmonë. Po e japim ma poshtë.

 

 

Shënim:

 

Përsa i përket veprimtariës së tij në mërgim, janë gjetur disa dokumentë në arkivin e  Ministrisë së Brendshme italiane, se ai ndiqej nga sigurimi italian dhe mbahej nën vëzhgim për lëvizjet e  kontaktet e tij në Itali, veçanërisht  në vitӫt 1950-1954, kur paskej bërë disa udhëtime e kontakte ne qytetet Romë, Napoli e Gjenova. Janë 11 dokumentë që u gjetën dhe na u dërguen nga miku, histioriani e diplomati Bejtollah Destani  në Ambasadën e Kosovës në Romë, të cilit i shkojnë falemenderimet tona. Jo vetëm kaq, po nga një dokument tjetër del se ai ndiqej e vëzhgohej nga shërbimi sekret italiane edhe ne kohën e Mbretërisë kur ishte kolonel, e  ku cilësohej i rrezikshën dhe besnik i Mbretit Zog, bashkë me diplomatin shkodran Ҫatin Saraçi.

Detyrohemi tӫ paraqesim dy nga kӫto dokumentӫ si një provë e veprimtarisë tij edhe në kushtet e emigracionit politik kur u largua nga Shqipëria për në Greqi më 1946. Dhe pӫr tӫ tregue se edhe ne kohӫn e Mbretnisӫ ai vӫzhgohej nga shёrbimi sekret italian.

 

 

 

 

Fjalimi i Gjeneral Prenk Pervizit

më  28 Nëndor 1971 në Bruksel

 

Zoja e Zotni të nderuem, bashkatdhetarë të pranishëm,

 

Jam i gezuem dhe i nderuem, që po marr pjesë në mbledhjen tuej, për të festue 25 vjetorin e Bllokut Kombtar Indipendent. Ju e dini se unë jam i deklaurem i pavarun, nuk baj pjesë në partinat politike t’emigracionit, por nuk jam kundra asnji partie apo rryme politike. Më mbetet të urrej vetëm ata elementa që shkaktojnë grindje e përçarje në radhët e mergatës. Mund të them, përsa i përket Bllokut Kombtar Indipendent, se asht një Organizatë me një program të përsosun, dhe që mbi të gjitha ven nevojen e një bashkimi të rrymave politike të mergatës sonë. Asht i kryesuem prej elementave t’ajkës Shqiptare, të pajisun me kulturë, të squet, patriotë të pastër e aktivistë. Zani i Bllokut, për bashkimin e mergatës gjen në mue admirim e kështu besoj se edhe ndër të tjera ambiente.

Për të pa se sa randësi ka bashkimi, le t’i hedhim një sy shkurtazi, historisë. Mbretnesha Teuta, ka pasë arritë me bashkue fiset ilire, e me këtë bashkim i pat dhanë lufta të rrepta Perandorisë Romake, që ishte fuqia ma e fortë e asaj kohë. Edhe Mbreti Genc, ndoqi shembullin e Teutës, e me atë bashkim u perballoi fuqive të mëdha romake, por mjerisht ra rob, pa mund të arrije synimet e veta.  Po për atë kohë, vjen për t’u përmendë burri fatos, që dikush quen Burri e dikush Pirro, i cili bashkoi fiset iliriane prej jugut e deri ne zenrën e Ballkanit, e duke pase arrite nje lidhje historike, pat guximin, po me atë ushtri iliriane e mjetet e asaj kohë, me i ba luftë Perandorisë Romake në tokën e saj. Luftë e përgjakëshme, por megjithatë fatosat iliriane i mundën  legjionet e shumta romake.  Shqypja e zeze dy krenare u brohorit në fushën e asaj beteje për  të parën herë, mbas kësaj fitoreje të shkëlqyeshme.  E me qenë se qe shumë e përgjakshme, për të dy palët, historia e pagëzoi “Fitore e Pirros”. Për mos me u zgjat tepër, t’i hedhim një sy kohës s’è Fatosit tonë Kombtar Gjergj Kastriot Skenderbegut, që qyshë në moshë të re u muer peng prej turqëve e u rrit me të tana miradinat e Pallatit të Sulltanit, e qe nderue e  respektue prej të gjithëve. Por ai u ra shqelm të tana këtyne miradinave e u vue në shërbim të Atdheut. U shkëput   prej ushtrisë turke, mbërriti në Krujë, e nbasi i dëboi turqit prej keshtjellës, bani mbledhjen historike ku mlodhi të gjithë Prijësat e fiseve shqiptare. N’atë mbledhje t’Lezhës, nën hijen e Flamurit Kombtar u lidh Besa Shqiptare e u ba «Bashkimi », u vendos Pamvarësia. Lidhen besë burrat e Shqipnisë, njohën për prijës të tyne Skenderbegun. 24 vjet vazhdoi mbrojtja e Shqipnisë nën udhëheqjen e atij Fatosi, duke i dhane 22 beteja fuqisë shumfishe turke dhe duke ia thye hovin për të pushtue Europen.   Mbas vdekjes së Heroit, Shqipnia ra nën okupacionin turk për ma së katër shekuj. Edhe gjatë kësaj kohë, shqiptarët u përpoqën ta rifitojnë lirinë, por intrigat e hueja nuk i lanë të zhvillohen përpjekjet shqiptare. Me fjalë të tjera, të rrethuem në të katër anët prej anmiqve, Pamvarësia u rifitue  vetëm në vitin 1912. Konferenca e paqës në Londër, caktoi kufijt e vendit tonë, tue lanë gjysmën jashta nën sundimin e anmiqve tonë. Mbledhja e Patriotëve me 28 Nendor 1912, shpalli  Pamvarësine Shqiptare, dhe pat për qellim me e mbrojtë Pamvarësine  dhe me u perpjeke me i fut në gjinin e Nanës Shqipni të gjithë shqiptarët. Kaluen kohnat, përpjekje e shumë flijime u banë prej shqiptarve për të mbrojtë Pamvarësinë, por nuk u arrit «Bashkimi », ai Bashkim i të gjtha forcave të shëndosha shqiptare. Fatkeqësisht tue mos u ba Bashkimi, erdhen në fuqi komunistët internacionalë. Me ndihmen e sllavizmit morën frenat në dorë. Gjaku i shqiptarve të pastër rrodhi currila e rrëkaje për ti dalun zot Atdheut. Elementat ma të zgjedhun mbaruen nëpër burgje. Familjet shqiptare u morën nëpër kambë. Populli shqiptar u ba skllav i klikës së kuqe.

Vjen pyetja: cila asht detyra e emigracionit? Përgjigja asht krejt e thjeshtë : « Bashkimi ! Vetëm të bashkuem rrymat politike munden me i sherbye Atdheut.    Rrofte Shqipnia e Lirë Etnike !

 

* * *

 

 

Para se të vinte në Belgjikë, im atë ishte ndalë në Itali, e kishte qendrue do kohë në Bolonja ku jetonte e grueja e Valentinit, me të cilën ishte kontaktue dhe n’emën të së cilës nëpërmjet shoqatave bamirëse na kishte nisë një pako të madhe me plaçka, siç e kemi tregue, që e morem,  e dy të tjera që nuk na i dhanë e i grabitën.  Në qëndrimin në Itali, Ministria e   Mbrojtjës Italiane i kishte propozue të ia njihte gradën e lartë si general divizioni,  dhe t’i jepte një detyrë komanduese, por me konditën që ai të pranonte nënshtetësinë italiane. Ai nuk e pranoi assësi atё ofertë që e fyente në dinjitetin e tij si shqiptar, dhe prandaj kaloi në Belgjikë, si refugjat politik ONU.  Në Itali, sa ndejt u takue me figurat e tjera shqiptare, miq të tij e t’afërm, si Gjon Marka Gjoni me të birin Nduen;   Ernest Koliqin, ish shok shkolle e mik;  Zef Palin, Kryetar i Komitetit Shqiperia e Lirë, Taf Pervizin, fis i vjetër dhe luftëtar i shquem, nga Hasi i Kosovës; Mehdi Frashërin, Nermin Vlorën me të shoqin Renzo Falaski;  kishte shkue e ba vizitë në Institutin Santa Maria, Kolezhi ku kishim studiue ne. Kishte takue edhe ish shokë të Shkollës së Luftës së Torinos, që ishin akoma në  shërbim e me pozita. Kjo pak a shume sa morëm vesh nga grueja e Valentinit kur shkova me e takue me rastin e ardhjës së Valentinit nga Shqipnia, në shkurt 1991, ku ajo na tregoi për gjithë sa thamë. Aty mora vesh edhe një çudi tjetër që vetëm shqiptarët janë mjeshtra për të krye.

Ja se ç’më tregoi ajo. Kur ishte bashkue me Valentinin pas 47 vjet ndarje, ajo ndër të tjera i kishte tregue një paketë me letra të dërgueme nga baba kur ishte në Greqi dhe Belgjikë pra 30 vjet korepondencë. Valentini ishte gëzue dhe me padurim  i merr zarfat dhe fillon t’i hapë. Ç‘ka me pa e me diftue ? Zarfat ishin bosh ! Ku kishin shkue letrat ?  Gori, e shoqja e Valentinit kishte mbetë pa mend. Atëherë ishte kujtue. Ajo paskej njohun disa shqiptarë, dhe paskej ra dakord me ta që t’ia blinin mobiljet e vjetra të familjës saj. Kështu ajo i kishte pranue me hy e me dale gjatë asaj kohë. Pra ato, sigurisht agjentë të Sigurimit shqiptar, kishin përfitue me vjedhë letrat me mjeshtri, duke i lane zarfat bosh siç ishin pakëtue. Poshtërsi e madhe që vetëm komunistët janë mjeshtra për me krye.  Prej Gorit përfituem disa fotografi të babes dhe tonat që ajo kishte ruejtë e shyqyr që nuk ia kishin vjedhë edhe ato.

Shkova disa here në Romë, ku më mbajti dy javë shkolla ime ku isha kthye pas 50 vjet plot. Pata rast të takohëm me Nërmin Vlorën e te shoqin, Renzo Falaski, që kishte qenë oficer në Shqipni, pranë shtabit të Gjeneralit   Dalmazzo, i cili më konfirmoi, se kur ndodhi kapitullimi i Italisë, Prenk Pervizi kishte ardhë me marrë  në dorëzim komandën   prej Dalmazzos,   bashkë me oficerë të tjerë shqiptarë, ndër të cilët mbante mend gjeneralin Gustav Mirdashin.  Në Romë jetonte edhe  Taf Pervizi, fis i vjetër yni, i  cili kishte qenë në grupin e Bajraktarit kur ishin nisë me dale në Greqi nga Maqedonia, dhe se nga 84 vetë vetëm 24 kishin mbrritë në Greqi, edhe ato të gjithë të plagosun. Të tjerët ishin vra në përpjekje. Ai me tregoi se si ishte takue me babën që ishte gëzue sikur t’ishte nje djalë i tij, pse edhe Tafa ishte një i ri shumë i pashëm e shtatnaltë që i përgjigjej  races sonë. Mandej kishte ndejtë me tim atёn në Romë, ku ai  vinte prej Greqie në mbledhjet e “Komitetit Shqiperia e Lirë”, me qendër në Romë e me  Kryetar  Dr. Zef Palin, nga Shkodra. Aty bashkohëshin ne ato vitet e para deri më 1954-56, im atë me Bajraktarin, Fiqri Dine, Abaz Kupin,  Ernest Koliqin, Gjon Marka Gjoni e të birin, Nduen, si dhe Taf Pervizin e të tjerë, për të trajtue problemin shqiptar dhe a mund te gjendej një zgjidhje. Asgja s’u ba. “Komiteti” u transferue nga Roma në New York, ku kryetar u caktue Rexhep Krasniqi. Përveç Bazit Canes asnjë prej tyne nuk shkoi në Amerikë. Një pjesë qëndruen ne Itali të tjerët  u vendosën në Belgjikë, që ishte qendra ma e njohun e mergatës shqiptare,  qyshë me 1956.  Im atë do të shkonte atje, 10 vjet ma vonë, më 1966.

Por ai, duke konsiderue se duhej gjetun një formulë për organizimin e shqiptarve të diasporës dhe nje far bashkimi të tyne, hartoi një projekt për formimn e një detashmenti ose  batalion ushtarak  të rregull shqiptar per me luftue në Vietnam si vullnetarë, bashkangjitun trupava te tjera të OKB, përkrah forcave amerikane.  Kuadrot oficerë shqiptarë kishte, ashtu  dhe ushtarë, që  ishin gati me u përfshi të gjithë, kush mundte. Kishte bisedue me Bajraktarin e te tjerë oficerë që e kishin aprovue atë projekt. Po t’ishte se krijohej ajo force e rregullt shqiptare, atëhere hapej rruga për një organizim ma të gjanë, që bahej shkak për bashkimin e gjithë forcave shqiptare pa dallim rreth atij kontingjenti ushtarak, nën komandën e oficerëve ma të mire y tё Shqipnisё.

Një të hartue projektin dhe ia nis drejt “Komitetit Shqipëria e Lirë” që t’ia paraqiste qeverisë amerikane dhe drejt Presidentit të asaj kohë,  Kenedit,  të cilit im atë i kishte shkrue një letër  që mjerisht nuk me ra në dorë, por që miku ynё  Ded Volaj e kishte pa me sytë e tij.  Jo që kjo u vërtetue nga letërkëmbimi midis babës dhe Rexhep Krasniqit,  ku Rexhepi e falënderonte dhe e përgëzonte atё për  projektin, por qe qeveria amerikane nuk e kishte aprovue, sepse  në Vietnam nuk pranohëshin forca vullnetare, por vetëm reparte  t’ushtrisë  efektive  të shtetëve anëtare të OKB.  Kështu kjo orvajtje nuk pati sukses, por qellimi dhe  projekti mbetën të randësishëm e tregojnë se  im atë çeshtjen shqiptare e mbante  në mendje e në zemër për t’i gjet zgjidhje. Mjerisht nuk kam arritë që ta gjej projektin, megjithëse kam nderhy me anë të disa miqve që jetojnë në Washigton, mos ai projekt gjendët në arkivin e Shtëpisë së Bardhë a gjekund tjetër. Im atë bashkëpunoi vazhdimisht me Muharrem Bajraktarin me të ciilin e lidhte një miqësi e madhe e kalitun gjatë kohës së vështirë të krijimit e stabilizimit  të shtetit shqiptar. Mbetët historike e lëgjndare koha e Belgjikës, ku dy miqtë gëzonin respektin dhe admirimin e bashkatdhetarëve për aftësitë e tyre ushtarake, mençurinë e urtësinë  ytet e larta shqiptare.

I

 

 

 

 

 

Leter e Gjeneral Prenk Pervizit

Kryetarit të Komitetit ‘Shqpëria e Lire”

  1. Rexhep Krasniqi

 

Belgjike, Jolimont  me 21 Shtator 1966

 

Zotni Rexhep!

 

Po ju njoftoj se jam transferue prej Greqie  ktu ne Belgjike definitivisht me datë 15 Fruer 1966, me aprovimin e të Deleguemit te Kombeve te Bashkueme  n ‘Athine e t’Organizates se Pergjithshme te refugjateve t’Europes ne Gjeneve (Svicer).

Per nderimin e grades se nalte qe kam pase si dhe per rekomandimin e nje miku te madh, kan ba perjashtim,  tue me vendose ne nje vend te zgjedhun ne nje apartament special…

Siç e dini, une at Komitet qe asht formue me at kriter te dijtun e kam njofte qyshe ne  fillese, sepse un kam qene kurdohere edhe jam i idese se organizata te ketilla duhet te jene pa ngjyra partinash, per te ba orvajtje vetem per Shqipni e jo per interesa partinash meskine.  Jam e mbetem i deklaruem indipendent (dmth. i pavarun).

Ne Greqi kam pase nje mik privat, qe ka qene zengjini ma i madh i Greqise e me influence te gjane. Ky mik i madh vullnetarisht e bujarisht me ka ndihmue financiarisht  per 19 vjet  rresht. Une  kam ba nji jete princi e luksoze ne saje te tij, e po ne saj te tij te gjitha portat e atyne qe nuk ushqenin idena te mhrapshta per Shqipnine per mue rrishin te çeluna. Ky mik i jem,  para disa muejsh vdiq befasisht nga zemra dhe une, mbas vdekjes se tij mbeta si peshku pa uje ….Greqia as zyrtarisht as anas nuk me ka pas ndihmue….Mbas vdekjes se ketij mikut nga qe edhe pak kam qene merzite aq gjate ne at vend  tue prite ndryshim te  gjendjes  kah  Atdheu, pa muejt me pa rezultat etj., u shperngula në Belgjikë.

Bashkadhetaret tane te matun e te logjikshem  e dijne ket te vertete se une ne Greqi rrnojshe me burim ekonomik privat e se me grek nuk kam pase asnje angazhim e nuk ka pase vend per as nje lloje fjale ose  premtimi qe te cenoje çeshtjen kombetare tonen n’as nje pikpamje. Me gjithe kete asht per t’ardhe keq se pa e konstatue ket te vertete, disa  sharlatane  meskine,  nuk kan mungue me krijue fantazina te pa vend  rrotull ndejtjes sime n’Athine e qe tani me ket transferim ose shperngulje s’andejmi, bjen poshte ky “myth” i tyne vetvetiu.   Asht per t’i besue proverbit filosofik se “e verteta mund te ndrydhet por nuk mund te shqymet nga se ma ne fund  triumfon”.

Per sa i takon demarsheve te mija rreth thezes per « vullnetare » ne sherbin te USA per ne Vietnamin e Jugut, nuk me mbetet (veçse) te ju perseris shenime tjera ne menyre private, perveç sa jane  permende n’udhen zyrtare (me leter te drejtueme Komitetit t’uej, po  me date te soçme  e me te gjitha kopjet e dokumentave relative)

Une jam i bindun se nje intervenim i juej si Kryetar i Komitetit “Shqipnia e Lire” prane Departamentit te Shtetit te USA per Pune te ]ashtme, me percjelljen e gjithe kopjeve te dokumentave (ashtu siç jane), jo vetem  se kishte per ta forcue thezen e çeshtjes  shqiptare, por kishte per te naltsue konsideraten e mire per ju personalisht, si edhe për Komitetin përgjithësisht.

Tue Ju urue suksese ne detyren e nalte t’uej, tue ju sigurue subordinimin t’em ne drejtimet e jueja, si per kohe paqe si per kohe  lufte eventuale kah librimi i dishruem i Athdeut e tue ju paraqite te falat e perzemerta si ju personalisht, Z. Kryetar, si edhe bashkantareve, ZZ Neshat Peshkepise e Vasil Germenit. *

Mbetem i  juej me stime e me bese.

Prenk Pervizi.

 

___________________

*Ky  letërshkëmbim me  Rexhep Krasniqit, vlen si  një domument  historik, që pasqyron ma së miri patriotizmin, qëndrimin  dhe përkushtimn e Prenk Pervizit ndaj kauzës shqiptare me  thirrje e përpjekje të vazhdueshme për bashkim.  Mendohet se im atë ka pasë letërshkëmbim me  patriotë  të tjerë shqiptarë  dhe  me të huaj, që shpresojmë të gjëndën një ditë.  S’ka dyshim se pranё Minstrisё  Brendshme, nё ndonjё skutё tё arkivit ka dokumentё mbi Prenk Pervizin. Njё kolonel i sigurimit ia kishte thanё njё nipi tё tij, i cili na njifte, se pёr Prenk Pervizit nё Ministri kishte dokumentё  e fotografi tё jetёs tij  nё mёrgim. Ashtu dhe nga Ministria e Mbrojtjёs, ku ishte i ikuadruem. Deri tani s’ka dalё asgja.  E s’dihet a do tё dalё njё ditё, pёr si shkojnё punёt. Tjetёr çeshtje asht ajo e dokumentave tё projektit tё nje force ushtarake “vullnetare, pёr nё Vienamin e Jugut, drejtue Qeverisё amerikane me anё to Komitetit Shqipёria e Lirё, mё 1966, ku  edhe ato s’janё gjendur. Ne s’i kemi pasut atoi mundёsi qё tё ndёrhyjmё.

 

 

 

Pergjigje nga Kryetari i Komitetit

Shqiperia e Lirë Z. Rexhep Krasniqi.

 

New York me 6 maj 1966

I nderëshëm Z. Gjeneral,

 

Para sa kohe e kemi marrë shkresen tuej  te dates  21-4-66, bashhkë me kopjet e shkresave që ia keni dergue Ministrisë Mbrojtjtes së Shtetëve të Bashkueme t’Amerikës, percjellë me anën e Ambasadës Amerikane në Athinë ( Greqi).  Të gjitha shkresat në fjalë i kemi lexue me vemendje bashkë me antarët e Komitetit ZZ. Germenji e Peshkëpija, dhe ju pergëzojnë per idenë e bukur që keni pasë per me ofrue sherbimin e juej në luftën kundra agresionit komunist që po mundohet me robnue Vjetnamin e jugut, ashtu edhe me mund  me formue një grup vullnetarësh prej bashkatdhetarëve tanë në botën e lirë.  Megjithqë Komiteti asht në dijeni se Amerika per arsye parimore i asht shmangë idesë së formirnit të grupeve vullnetare të hueja që kishin me u  perngja formacioneve merhume  të legjionit t’huejve françez.  Mbas hetimeve të rastit kopjet e shkresave t’jueja në fjalë i kemi dorzue aty ku duhet. Të shpresojmë se heret ase vonë, do të merrëni pergjegje në adresen e re t’ Juejen.  Na vjen keq per humbjen mikut të fort grek që keni pasë, gja që ju ka detyrue me lanë jeten e qetë dhe të sigurueme qe keni gëzue deri tani. Por n’anë tjeter gëzohemi bashkë me Ju që ma në fund me lidhjet që keni pasë, keni mujtë me i sigurue vetes nji vend aq të pershtatshëm në një nga vendet ma të shqueme të kulturës europiane, populli i të cilit asht  diftue kaq bujar e zemerbardhë ndaj  mija refugjatësh shqiptarë… Komiteti tash asht tue kalue  një perjudhë kritike me veshtirësina  financiare që na ka detyrue me kufizue veprimtarinë tonë në  çfardo fushe të lufte antikomuniste. Kjo asht e verteta dhe vetem rrethana të papritshme mund të ndryshojnë ket realitet t’idhët.

Tue iu dishrue shëndet të plotë dhe të mira, edhe prej kolegëve t’mij Z.Z.Germenji dhe Peshkepisë, mbetem me nderime të posaçme .            Rexhep Krasniqi.*

 

——————————

*– Theksojmё  njё tё metё nga Zoti Krasniqi, sepse ne s’dinim  gja pёr projektin e krijimit trupash shqiptare per luftёn e Vjetnamit, qё e morёm vesh ma vonё. Ai duhet tё na kishte dorёzue projektin po ta kishte ose udhёzue se ku mund ta kёrkonim.

 

 

Ditët e fundit të një jete

kushtue Atdheut

 

 

Nga mesi i muejt gusht im atë kishte marrë një ftohje që kaloi në bronkopneumoni të randë. I shtruem urgjëntisht në spitalin e madh  Jolimont, të qytetiti La Luviere, nuk arriti me e marre veten, tashma në moshën 80 vjeç. Lajmi u hap dhe miqt e tij të përhershëm, Muharrem Bajraktari, me nipat e tij e miq të tjerë shkonin vazhdimisht me e pa e me u njoftue për shendetin e tij. Bajraktari i ndejti pranë gjithë kohën. Den Mjeku, nga Puka,  me tregonte se nuk mbeti kush pa i ba vizitë dhe miqtë puknjanë e mirditorë aty i kishe gati përditë si dhe kurbinasit tij, si Brahim Bami e të tjerë.  Edhe shqiptarё nga Parisi erdhën me e takue ne ato ditë të fundit të jetës tij.  Me tregonte zoti Ramiz Zekolli, që rrinte vazhdimisht me Bajraktarin, dhe kishte shkue me të për me i ba vizitë të semurit deri  në çastet e fundit, se Gjenerali e perballoi atë gjëndje me dinjitet e qendrim burrnor. Në ato  çaste të fundit permendte emrin tim, duke u thanë të pranishëmve, se nga të gjithë njerëzi e tij i dhimbej ma shumë Leka, ma i vogli që ishte përfshi në moshë fare te re në terrorin komunist.  Prej Ramizit kisha marre edhe njoftimin, për të cilin kemi shkrue ma nalt,  se si im atë ishte takue me Zogun më Marseille, ku kishin shtrue çeshtjen e nje ndërhyemje në Shqipni, ku kishin ra në kontradita, sepse Zogu insistonte akoma te Jugosllavia (sipas kohës vjetër)  që tani ishte krejt komuniste   e  Prenga te Greqia e cila  se pakut ishte nje mbretni  antikomuniste dhe e mbeshtetun nga Aleatët anglo-amerikanë.  Te krevati i babës kishte ardhë edhe  Pater Ambroz Martini, për funksionet fetare të rastit, në krahët e të cilit im atë kishte dhanë shpirt. Për varrimin e tij ishte interesue vetë shoqata e Karitasit në bashkëpunim me komunën ku ishte i regjistruem, që u ba në vorrezat Saint Pierre Lahay të qytetit La Louvière, në një parcelë që ishte enkas për ato personalitete që ishn arratisë nga vendet komuniste e quhej parcela e herojve. Në cerimoninë e  varrimit erdhën edhe nga Parisi dhe nga Londra. Aty folën me radhë, Pater Ambroz Martini, Muharrem Bajraktari dhe Refat Kolgjini. Por ishte fjala e Bajrktarit ajo që  e nderoi kujtimin e Prenk Pervizit, mikut e kolegut  tij të një jete të tanë kushtue Atdheut e Kombit shqiptar.   Ky fjalim mu dha nga Ded Mjeku, që kishte ruejt edhe fotgrafinë e arkivolit të mbuluem me flamurin kombëtar.

 

 

 

 

Revista  “KOHA E JONE”shtator 1977,

botues Lec Shkreli

============================

 

VDIQ GJENERAL  PRENK PERVIZI

 

Me 6 Shtator 1977 ne JOLlIMONT (Begjlike) vdiq Gjeneral PRENK PREVIZI. ku ishte strehue nga Caritas Catholica qe ne vi­tin 1966 kur emigroi nga Greqija.

Gjeneral Prenk Pervizi leu me 4 Mai 1997, ne SKURAJ (Krujë), dhe mesimet e para i kreu ne Shkoder. Me 1914-18 dergohet ne shkollen e oficicerave (Kadetten­schule) ne Viene. Me 1918 kthe­het ne Shqipni dhe si oficier i ri merr pjese me forcat vullnetare te ELEZ ISUF NDREUT e te ALUSH AGE LUMES te cilat aso kohe luftojshin kundra invazionit serb.

 

Me 1924 Gjeneral Pervizi largo­het nga Shqipnija bashke me ZOGUN ne Jugosllavi dhe kthehet ne dhjetor te atij vjeti ne Tirane me graden Major. Tue qenese Shipnia ishte nda ne kater zona ushtarake. Gjeneral Pervizit i be­sohet zona ushtarake e Tiranes (1924-1929) e ma vone e Korçes (1936-1939 me graden N/Kolonel Prej vjetit 1939 deri 1943 me gradat suçesive Kolonel e Gieneral asht ne dispozicionit te Komandes se  Per­gjitheshme. Prej vitit 1943 deri ne Tetor 1944 Gjeneral Pervizi asht Komandant i Mbrojtjes Kom­betare.

Trupi i Gjeneral Pervizit u varros me 7 shtator ne Jolimont, dhe ne Kishen e Institutit ku ishte strehue. Frati Shqiptar At Ambroz MARTINI, kreu funksionet fetare dhe e perkujtoi te ndjerin me fjale e shprehje prekese tue vue ne pah cilesinat dhe meritat e tija.

Trupj i Gjeneral Pervizit u per­cuell prej ma se 300 Shqiptarve dhe mbajten fjalime shoku i tij i armeve Kolonel Muharrem Bajra­ktari dhe patrioti Rifat Kolgjini. Arkivolin të mbuluem me flamurin kombetar   e stolisnin dy kunora: ajo e Kol. Bajraktarit dhe e Bllokut Kombetar  Indipendent.

 

Redaksija e te perkoheshmes Koha e Jone, gamiljёs e  fare e fisit ne Shqipni u paraqet ngushllimet e veta.

 

 

 

 

Fjala e Kolonel Muharrem Bajraktarit

në varrimin e Prenk Pervizit

Saint Pierre de Lahay më 7 shtator 1977

 

Të Nderuem bashkatdhetarë,

 

Po përcjellim sot për në banesën e fundit një nga figurat më të shqueme të patrioizmit shqiptar dhe figurën ma të naltë ushtarake që ka pasun ushtria shqiptare, si edhe mikun më të shtrejtë timin, dhe bashkatdhetarin e nderuem e të dashun të mërgatës sonë, gjeneralin Prenk Pervizi.

E kam pasun mik të ngushtë, koleg e bashkëluftëtar të disa betejave, kundër forcave serbe, kundër banditizmit, kundër  rebelizmit të nxitun nga armiqtë e huaj, serbë, grekë dhe italianë, për të copëtue vendin tonë edhe ma tepër nga ç’e kishin copëtue.

E kam njohun në detyrat më të vështira të përbashkëta, per afirmimin e shtetit të ri ligjor shqiptar, të sapo dalë nga Kongresi i Lushnjës më 1920, duke përballue operacione të vështira, për të vendosun rendin e qetësinë kudo.   E kam admirue për cilësitë e rralla dhe për përgatitjen e naltë ushtarake. Ai ishte pajisun edhe me virtytet më të mira shqiptare, si besa, burrnia, trimnia, bujaria, urtësia, fisnikëria dhe dashunija për Atdhe e Komb.  I doli zot Atdheut në ma shumë se një çast të vështirë e të rrezikshëm, duke zgjidhun situata kritike, për vetë ekzistencën e Shtetit shqiptar. Ndërhymjet e tij qenë vendimtare për fatet e  Atdheut dhe koha e historia kanë për të nxjerrë në pah e në dritë veprimtarinë e tij patriotike në dobi të çështjes kombëtare.

Njё vepёr e madhe e tij, asht mposhtja  e Kryengritjёs antikombёtare sё Dukagjinit, e organizueme  nga Jugosllavia me disa tradhёtarё e renegatё, ku ai tregoi aftёsi tё larta ushtarake si strateg, duke e shpёtue vendin nga njё krizё tё madhe destabilizuesi, e krijueme nga serbet e italianёt. Ky sukses i dha famё si njё oficer me pregatitje e  aftёsi tё larta

Si në Shqipni. ashtu edhe në mërgim, ai qëndroi i pavarun nga partitë politike, tue ba thirrje e tue na frymëzue vazhdimisht për Bashkim.Veçanërisht mbas ardhjes në fuqi të komunizmit ai u përpoq, bashkë me patriotët e tjerë, për të arritë atë Bashkim të nevojshëm që ti bante ballë gjëndjes së pushtimit të sllavo- komunistëve  Me Prenkën më ka lidhё një jeté e tanë dhe asnjé çast nuk qëndruem pa qenë në marrëveshje me njëni-tjetrin. si në kohën e  Mbretnisë, po edhe gjatë pushtimi te huej italo-gjerman dhe ma vonë në mal, në qëndresën kundër    komunizmit. U detyruem të largohemi nga Shqipnia, sepse  komunizmi po bahej gati për t’u bashkue me Federatën jugosllave e s’kishte vend ma për ne. Aleatët na lanë në baltë dhe ne vendosëm të krijojmë qëndresën jashtë kufijve. U perpoqëm, por gjithmonë na sabotuen të huejt. Prenka, siç dîhet   u arratis nga Shqipnia në një  mënyrë  tepër të guximshme, që e bani Sigurimin të luej menç  dhe kjo ishte një mëritë e aftësive dhe trimnisë së tij të pashoqe.  Fjalimet e tij mbeten të paharrueshëm, për thellësinë e  trajtimit për të nxitun Bashkimin e të gjitha forcave politike në mërgim, si e vetmja mënyrë për të arritun një sukses në luftën kundër komunizmit, që në Shqipni po bante namin mbi  atdhetarët e mbi famijet tona.

Duke përciellur mikun e madh e bashkatdhetarin   e shquem, patriot e burrë shteti, gjeneralin Prenk Pervizin, ne përcjellim një pjesë të randësishme të historisë se Shqipnisë që lidhet me emrin e tij, ku ai luejti gjithmonë  një rol qendror e vendimtar!   Deri në çastin e fundit ai  qëndroi si burrë fisnik e nuk e dha kurrë veten,  me pikëllimin e vetëm që nuk po vdiste në truellin e shejtë të atdheut të shtrejë  e nuk do të varrosej atje ku janë varrosun prej shekujsh të  parët e tij. Një pikëllim që mbetet për  të gjithë  mërgatën. Asnjë njeri i familjes së tij nuk gjendet këtu  sot. Ata janë të mbyllun atje, ndër burgjet e kampet e internimit të diktaturës komuniste. Prandaj e ndjej për nder e detyrë t’ia bajmë varrimin edhe në emën të familjes së tij te martirizueme. Na takon t’u përcjellim amanetet e mikut e bashkatdhetarit tonë, djemve dhe nipave të Prenkës, kur të vijë koha e lirisë për Shqipninë.

Qoftë i përjetshëm dhe i nderuem kujtimi yt, or mik i shtrejtë Prenk Pervizi !

 

 

 

New York më Nëndor 1992

dhe përfundimi i librit

 

 

Në fillim të Nëndorit 1992 shkova në New York, për me u takue familjën  e vëllait dytë Gencit, që kishte vdekë në kampin e Grandisihtës më prill 1989. E shoqja, Albina, me katër djem e dy vajza kishin shkue në New York ku e ama e tyne, Albina, kishte një vëlla t’arratisun qysh më 1952, Rudolf Marashi, djali i vogël i major Llesh Marashit, i cili i kishte tërhequn atje.   Mbrritja ime në New York me bani të njoh mjaft shqiptarë të vjetër, ndër to kushrinin  Ndue Gjomarkun, në moshën afro 80 vjeç, ku i bana vizitë me dajën tim Preng Paçuku, që kishte ba burg me Gencin, dhe kur u lirue ishte arratisë.

Ndou u përmallue, se nuk shifëshim nga viti 1942 kur unë isha fëmijë.  Aty ndër të tjera, Ndou me tregoi se si im atë kishte ba një gabim të madh mos me pranue nënshtetësinë italiane, ku do të kishte ruejtë gradën e tij të naltë  si gjeneral dhe do të kishte marrë rroga të majme dhe do të na kishte lanë një trashëgim ligjor të pensionit të tij. Nga ana tjetër do ti kishte shërbye kauzës shqiptare kundër komunizmit, me autoritetin dhe influencën që do kishte fitue. Ndou  më tregoi si Kapidan Gjoni i kishte folë me ia mbushë mendjën, por me kot se ai nuk e honepste fare atë  nënshtetësi, biles e quente si  një turp të madh po të kishte pranue.

Mora  pjesë i ftuem në mbramjën e festës së 28 Nëndorit, ku u njoha me miq të vjetër të babës, ndër ta Rexhep Krasniqin, që u gëzue shumë kur me pa  e njohu, dhe me foli fjalë të mira për tim atё, me të cilin ishte i miqësuem qysh në kohën  kur ishte ministër.  Rexhepi, e mori vesh se une do të kthehësha shpejt në Belgjikë e më mori adresën, sepse kishte njё letёr nga im atё, si dhe një fotografi të tij. U njoha me Kryetarin e Shoqatës Vatra që ishte zoti Karaxhozi dhe që drejtonte gazetën Dielli, ku ai më propozoi të merrja redaksinë, sepse gazeta ishte në gjendje të keqe e gati mos me u botue, për mungesë mjetësh, sepse nuk kishte t’ardhuna e shqiptarët nuk kontribonin as abonohëshin.  Me ripërtrijen e saj, me ardhjen tuej (emigracioni i ri), më tha, ishte shpresa qe gazeta  Dielli të vazhdonte të botohej.  Unë nuk kisha si me pranue sepse tashma isha vendosë në Belgjikë, prej ku nuk do të largohësha.

Erdhi me më takue edhe Ndue Pjetër Gjomarku, me dy mirditas, ku ndër të tjerat më tregoi, se kur kishte kalue në Greqi me gjithë vëllanë  Gjon, kishin  mbetë të plagosun nga rojet shqiptare të kufinit. I kishin çue në Athinë ku i kishin shtrue në spital. Gjenerali, tregonte Ndou, erdhi me na pa, bashkë me Muharrem Bajraktarin,  per  me u sigurue  për shëndetin tonë, sa e kishte marrë vesh, që ishim plagosë  në kufi dhe na kishin shtrue në atë spital. Jo vetëm për ne, që na njifte se kush  ishim, por edhe për shqiptarë të tjerë që plagosëshin në kufi prej rojëve komuniste, ai tregonte kujdes dhe shkonte me i pa në spitalet ku ishin shtrue për mjekim.  Një sjellje fisnike e tij që e karakterizonte dhe për të cilën kishte fitue respektin dhe admirimin  e shqiptarve që ishin arratisë duke rrezikue edhe jetën, dhe shpesh  mbetëshin të plagosun  dhe linin pas edhe shokë të vramë.  Këto ishin disa të dhana për prindin tim nga shqiptarët emigrantë. Në përgjithësi jeta në emigracion nuk i jepte hapësinë veprimi shqiptarve, sepse të huejt nuk e kuptonin realitetin shqiptar, sa që pati orvatje nga vete ana amerikane për të lidhë marëdhanje diplomatike me regjimin diktatorial e tiranik t’Enver Hoxhës. Kjo do të kishte qenë një padrejtësi e madhe që u bahej atyne që vuenin të zezat e ullinit, të mbyllun në burgje e kampe internimi. Aq ma keq, kur mendon se sa mija vetë u pushkatuen, ndër ta, pjesa ma e ngritun e intelektualëve tё shqipnisё.  Në një bisedë kafeneje  me Ded Mjekun, kur ky e kishte pyet pse nuk ishte angazhue në ndonjë institucion  ushtarak, si Nato etjera, im atë i ishte përgjigjë, se të huejt sa do të mire që shiten, nuk ta lirojnë karrikën e tyne, prandaj or Dedë, ne këtu jemi si peshku jashtë ujit.

Këtu i japim fund këtij përshkrimi  të jetës dhe veprimtarisë të tim etit që ndonse me vonesë, arritëm të rreshtojmë e të përmbyllim, për të ia ba të njohun publikut shqiptar, e sidomos historianëve, ku patjetër do të gjajnë materiale mjaft intersante për ndriçimin sa ma të mire të historisë shqiptare. Sado qӫ asht ndjekun njӫ vijӫ tregimtare e lirӫ, gjithshka qӫ asht shkrue lidhet me rrjedhӫn e vӫrtetӫ tӫ ngjarjёve historike shqiptare ku Prenk Pervizi  ka qene i pӫrfshirӫ nga fillimi deri nӫ fund, jo vetӫm si shoqnues i saj, por edhe si faktor vendimtar  nӫ ngjarje jetike pӫr Shqipninё e Kombin shqiptar.

 

Muharrem Bajraktari e Prenk Pervizi  Nёnkolonela 1936,

shokё armёsh e shokё detyrash.

 

 

 

Nё mёrgim nё Belgjikё  dy kolegët e miq të pandamë të një jetë të tanë kushtue  Atdheut e Kombit Shqiptar

 

 

 

Katër oficerët shqiptarë më të shquar  të

Ushtrisë Kombëtare Shqiptare

 

 

                      

Katërshja dominuese e periudhës 1924-1929 që  anglezi Julian Amery (Lord Amery) quajti “Kuadrumvirat (sundimi i të katërve). Këta burra  hyjnë në radhën e patriotëvee ushtarakë  të cilët bashkëpunuan  me Mbretin Zog për t’i  shërbyrn Atdheut.

Të katët kёto burra  u arratisën më 1946  e jetuan e vdiqen ne dhe të huaj.

Padyshim se u asht mohue e injorue gjithё jeta e veprimaria patriotik  nga ana e historianёve tё regjimit komunist e nё vazhdim edhe sot e kёsaj dite nga pasuesit e tyre qё vazhdojnё tё fallsifikojnё historinё shqiptare.

 

 

PERSONALITETE POLITIKE E USHTARAKE TE BOTES SHQIPTARE  ME TE CILET PRENK PERVIZI KA PASE MIQESI  DHE KA BANSHKEPUNUE PER TE MIREN E ATDHEUT.

 

 

          

                        

 

Këto janë disa figura të shquara te politikës dhe patriotizmit shqiptar, me të cilat Prenk Pervizin e lidhnin  detyrat dhe miqësia.

 

 

 

Dokumente sekrete nga

Ministria e Brendshme e Italisӫ

 

Dokument sekret

Romӫ, 15 nӫntor 1934

Nr.300/3590

 

Ne rrethet shqiptare ӫshtӫ komentuar shumӫ qendrimi i gjatӫ i Ҫatn Saraçit qӫ ishte ndaluar nӫ Paris pӫr mӫ tepӫr se dy javӫ. Nӫ atӫ qytet ai ka pasӫ takime me elementӫ tӫ dyshimtӫ  qӫ janӫ nisur nga Tirana me detyra tӫ rrezikshme.

Prania e njӫkohӫshme e Ҫatin Saraçit e tӫ Kolonel  Prenk Pervizit  tӫ thirrur nga Qeveria shqiptare, ka rӫndӫsinӫ e vet pӫr karakterin  e besimit absolut  qӫ gӫzojnӫ kӫta dy personat e lartpӫrmandur  pranӫ Mbretit Zog qӫ pӫr intrigat  e tij  pӫrdor elemntin katolik dhe jo atӫ musulman, pӫr t’i skredituar  mӫ tepӫr tӫ pafetӫ (krishterӫt).  Nӫ Francӫ ka shumӫ agjentӫ  tӫ derguar jashtӫ shtetit  pӫr qӫllime kriminale nga regjimi i Tiranӫs. *

 

———————————–

*– Nӫ fakt Prenk Pervizi, mbasi mbaroi Shkollӫn e Luftӫs nӫ Torino me qershor 1933, qӫndroi nӫ Firence me familjӫn deri nӫ fund tӫ 1934, si ispektor i studentӫve shqiptarӫ tӫ Italisӫ.  Dyshimi i shӫrbimit italian, tregon se si Prenk Pervizi ndiqej e kontrollohej nӫ lӫvizjet e tij, edhe pse krejtӫsisht normale. Ndӫrsa Ҫatin Saraçi ishte njӫ diplomat e mik i ngushtӫ e i besueshӫm i Zogut, dhe sigurisht  i kishte nӫ detyrӫ lӫvizjet e takimet e tij.  Tӫ dy kӫta persona i pӫrkisnin njӫ miqӫsie  tӫ lidhun me Zogun qyshӫ nӫ Vjenӫ, 1914-1918, dhe pastaj nӫ detyrat e ndrysme, Prenk Pervizi si ushtarak, e Ҫatin Saraçi si diplomat.

 

 

Tjetӫr dokument i Shӫrbimit Sekret italian mbi lӫvizjet  e Prenk Pervizit, emigrant politik nӫ Greqi

Dosja sekrete në kasafortën e Enverit- Fejesa papërshtatshme djalit të Mehmet Shehut. Kush ishte vajza problematike

Më 3 shtator ’81 ka qenë vizita e fundit që Enver Hoxha ka bërë në shtëpinë e Mehmet Shehut, ish-Kryeministrit komunist dhe numrit dy të regjimit. Atë mbrëmje ka shkuar për të uruar bashkëpunëtorin e tij më të afërt për fejesën e djalit dhe nga ajo ditë e derisa ndërroi jetë, nuk është shfaqur më aty.



Në bisedën me Ramiz Alinë, mëngjesin e 8 shtatorit ’81, është befasuar nga të papriturat tronditëse që ka mësuar për biografinë e papërshtatshme të nuses që kishte kapërcyer rishtas portën e Bllokut të udhëheqjes. Pas kësaj është interesuar të njihet zyrtarisht me dokumentet që komprometojnë integritetin politik të krushqisë së re të Mehmet Shehut. Atëherë, kur ka siguruar të plotë dosjen përkatëse, e ka thirrur në zyrë dhe ia ka vënë në dukje vetë ish-Kryeministrit.

Pas tri takimeve konfidenciale me këtë të fundit, më 11, 12 dhe 13 shtator të vitit 1981, ka filluar shtjellimin e çështjes me krerët e lartë të partisë e të shtetit, jo thjesht për të denoncuar biografinë problematike të vajzës që ishte futur rishtas nuse në Bllok, por për të qëndruar fort ndaj arsyeve që e kishin motivuar Mehmet Shehun të bëhej pjesë e një krushqie reaksionare. Në këto rrethana të panjohura, Enver Hoxha nisi divorcin me njërin nga bashkëpunëtorët më të afërt të tij, për të vijuar me dizenjimin e prapaskenave që do të kryqëzonin jo thjesht dhe vetëm politikisht Kryeministrin, i cili kishte drejtuar ekzekutivin shqiptar plot 27 vite.

E gjitha kjo sipërmarrje është dokumentuar në dosjen sekrete, që Hoxha e ruante në kasafortën e tij. Në të janë pasqyruar në mënyrë kronologjike dhe me detaje të gjitha bisedat e takimet që ai ka zhvilluar pasi është njohur me të dhënat e papërshtatshme të biografisë së familjes së nuses së djalit të Mehmet Shehut. Në numrin e sotëm, “Panorama” publikon për herë të parë bisedën e Hoxhës me Ramiz Alinë dhe Hekuran Isain pasditen e 18 shtatorit 1981, për të vijuar me bisedat e tjera që janë konsumuar në zyrën më të rëndësishme të regjimit, në vigjilje të eliminimit të njeriut më të fuqishëm pas Enver Hoxhës…

Dosja Sekrete Enveri Kasaforta Biseda Faksimile1 Copy

BISEDA E SHOKUT ENVER HOXHA ME SHOKËT RAMIZ ALIA DHE HEKURAN ISAI MË 12 SHTATOR 1981

Shoku Enver Hoxha i vuri në dijeni shokët Ramiz Alia dhe Hekuran Isai mbi kritikën e rreptë që i bëri shokut Mehmet Shehu, anëtar i Byrosë Politike dhe Kryetar i Këshillit të Ministrave, për fejesën e papërshtatshme të djalit të tij, Skënder Shehu, me vajzën e një familjeje me qëndrim shumë të keq politik.

ENVER HOXHA: Dua t’ju vë në dijeni se Mehmetin e ndalova të vazhdonte punën në Korçë dhe ai u kthye. Kështu, dje në mëngjes, e thirra në zyrë për sa jeni në dijeni. Thirra dhe Kadriun të vinte, po ndodhet me punë në Fier. Qëllimi që ju thirra është t’ju vë në dijeni për bisedën që pata me Mehmetin për këtë çështje, se me ju isha konsultuar më parë, më informuat dhe ju informova për sa dija. Tani, si qëndron puna? I thashë, more shoku Mehmet, kë pyete ti që fejove djalin me vajzën e Qazim Turdiut?

Je informuar për qëndrimin politik të tij dhe të familjes së tij? Po, m’u përgjigj ai, jam plotësisht i informuar. Kam pyetur për këtë çështje shokun Feçor Shehu, i cili më solli curriculum vitae, sikurse i thonë, dhe më tregoi se babai i vajzës qenka njeri i mirë. Ne jemi përpjekur ta bëjmë atë agjent, me qëllim që nëpërmjet tij të ndikonim te një vëlla i tij ballist dhe i arratisur, që të mos vazhdojë të punojë kundër nesh. Më vonë, Qazimin e hoqën nga lista e agjenturës. Tani ai i ka prerë marrëdhëniet me të vëllanë. Një vëlla tjetër, – vazhdoi Mehmeti, – gjatë kohës së luftës ka qenë në Itali për studime, pastaj pas çlirimit, meqenëse nuk i kish mbaruar studimet, pushteti ynë e çoi në Jugosllavi dhe kur ne u prishëm me Jugosllavinë, ai mbeti andej.

Vajza, – i paska thënë Feçori Mehmetit, – është e mirë, e ndershme, e zgjuar, i ka të gjitha cilësitë. Po e dëgjoja Mehmetin me vëmendje kur më fliste. Po tjetër gjë, nuk të kanë informuar për këtë familje? – e pyeta. Jo,- u përgjigj ai, – tjetër gjë nuk më kanë thënë. Po dua të të tregoj edhe një gjë,- shtoi pastaj,- djali im nuk ka pasur sjellje të mira, shkonte me një çupë që përbërjen politike të familjes e ka të mirë, po vetë nuk qëndron mirë moralisht, është kurvë, e njohur si e tillë në gjithë Tiranën. E ndërpreva dhe në parantezë i thashë se, për fat të keq, këto që po më thua unë nuk i di, se nuk të lija pa t’i thënë që të merrje masa në kohë. Këto m’i kanë thënë përnjëherë ditët e fundit, bile më kanë treguar edhe të tjera dhe do të t’i them të tëra.

Mehmeti vazhdoi të më tregojë se ka qenë shumë i shqetësuar për djalin dhe e këshilloi t’i priste marrëdhëniet me atë vajzë të përdalë dhe e vërteta është se i ndërpreu, – më tha ai. Tani kujdesu që të martohesh, – e kishte këshilluar Mehmeti. Kështu, kur djali shkoi në Stokholm, marrëdhëniet me atë vajzë jo të mirë i kishte prerë. Më në fund, një ditë pasi ishte kthyer nga jashtë, Skënderi shkoi e i tha Mehmetit: Baba, e kam gjetur një vajzë për t’u fejuar. Cila është kjo? – e kishte pyetur ai dhe djali i tregoi emrin. Pastaj Mehmeti e pyeti më tej: Është e mirë? – Babanë e ka profesor, – ishte përgjigjur djali, i mirë është. Ka ndonjë pjesëtar jo të mirë nga njerëzit e familjes, po ai i ka prerë marrëdhëniet me ta. Thirra pastaj Feçorin, – vazhdoi Mehmeti, – dhe më tha ato që të tregova më parë. Kështu, tok me Fiqretin gjykuam ta përfundonim këtë fejesë, mbasi i ati i vajzës nuk kishte ndonjë gjë negative, lidhje nuk kishte me të arratisurin, vetë vajza gjithashtu ishte e mirë, prandaj vendosëm dhe i thamë djalit që ne jemi dakord që të fejohesh. Me rastin që Feçori i kishte çuar informacionin, Mehmeti e kishte pyetur këtë të fundit: Feçor, ti je shoku ynë, po vihu një herë në këmbën time.

Sikur të të ndodhte një ngjarje e tillë me djalin tënd, çfarë do të bëje? Dhe Feçori i qe përgjigjur se, po të ishte për çupën, do ta merrte. Për të tjerat do shkonte e do të pyeste Mehmetin. Përgjigje e zgjuar kjo nga ana e Feçorit. Pasi mbaroi tregimin Mehmeti, iu drejtova me pyetjen: E thellove përgjigjen që të tha Feçori? Sinjali që të dha ai donte të thoshte se ti duhej të shkoje e të pyesje një shok tjetër. Natyrisht, në këtë situatë kë do të pyesje? Duhej pra, të vije e të më pyesje mua në radhë të parë.

RAMIZ ALIA: Dhe në fakt, Feçori tërthorazi ashtu i tha.

HEKURAN ISAI: I ka folur shumë bukur Feçori.

ENVER HOXHA: Po, po. Pse nuk e bëre ti këtë?, – e pyeta unë. Cila ka qenë arsyeja që ti deshe të lidheshe me këtë familje? Çfarë ka pas bërë Qazim Turdiu që ta lante këtë të kaluar kaq të keqe të familjes dhe të vetë qëndrimeve të tij? – shtova unë. Nuk më sqaron një çikë?! Qazim Turdiu njihet se ka qenë profesor pas çlirimit, por ka mbajtur qëndrim indiferent, kurse gjatë luftës ka qenë ballist.

RAMIZ ALIA: Nga Balli Kombëtar ka anuar ai.

ENVER HOXHA: Pak të duket ty Mehmet, që ky njeri të ketë dy vëllezër të arratisur politikë? – i thashë.

HEKURAN ISAI: Dhe bile, njëri prej tyre me aktivitet kundër vendit tonë. Tani, një njeriu të tillë me një veprimtari armiqësore të vazhdueshme, nëpërmjet të vëllait që ka këtu, ne t’i lutemi të mos ushtrojë aktivitet kundër vendit tonë.

ENVER HOXHA: Po, këto i thashë unë Mehmetit. Shoku Enver, e shoh që kam bërë gabim, – m’u përgjigj ai. Mirë, more shok, pse ta bëje këtë gabim ti që hiqeshe shumë parimor,- iu drejtova unë. Të lejohet ty Mehmet, anëtar i Byrosë Politike, të bësh një gabim të tillë politik? Ne kemi përjashtuar nga Partia Komuniste të tjerë për hiç gjë. Pastaj, në raste të tilla vetë ti ke qenë i pari që ke ngritur zërin. Po dhe shoqja Fiqret, për shkak se një profesor në Shkollën e Partisë mori një vajzë për djalin që e kishte xhaxha nuk e di se ku në djall, bëri gjithë atë zhurmë kundër tij në shkollë./ Panorama

‘Mëso sa të duash, kazma të pret’, historia e përndjekjes së Alma Liços, mësuesja e parë e internimit

Historia e internimit dhe përndjekjes së Alma Liços, mbesës së Muamer Liços, të diplomuar në Harvard dhe të pushkatuar nga regjimi komunist. Edhe pse vajza e dy mësuesve dhe nxënëse e shkëlqyer, komunizmi nuk i dha asnjë mundësi arsimimi tej vitit të parë të shkollës së mesme, duke e detyruar të punonte në bujqësi që në moshën 15 vjeçe… siç i kishte thënë mësuesja e filloresDitën kur familja u internua nga Tirana në zonën e Dumresë, Alma mbushi 10 vjeç. Ishte dita e fundit e fëmijërisë. I ati filloi t’i tregonte, duke e parë në sy, arsyen e ndryshimeve që goditën jetën e tyre. Babai i tij, Muamer Liço, kishte qenë avokat i diplomuar në Harvard dhe ishte pushkatuar nga regjimi komunist në vitin 1945. Për këtë arsye, në kuadër të luftës së klasave, e cila prodhoi shumë viktima gjatë viteve të diktaturës, edhe pse Shqipëria zyrtarisht ishte në gjendje paqeje, ata nuk do të kishin më punën, shtëpinë, shkollën, shokët dhe mësuesit që kishin pasur, por do t’iu nënshtroheshin vendimeve të Partisë e cila i shihte si armiq. Pikërisht këtu, edhe pse mund të mos ketë perceptuar gjithçka saktë, Alma ndali së qeni fëmijë.

Sigurisht, fjalët e të atit, u bënë më të thjeshta, nga pamja e banesës që i priste në Belsh: një kasolle e mbuluar me kashtë dhe e shtruar me dhe, ku do të jetonin dy prindërit dhe tre fëmijët, nga të cilët ajo qe më e madhja. As mësuesja nuk do të ishte shumë miqësore, duke ndihmuar që 10-vjeçarja të kuptonte më mirë çfarë do të thoshte të ishe pjesë e një familjeje të internuar.

Në librin e botuar pak vite më parë, “Krahë të këputur”, Alma Liço Gjurgji, e përshkruan me detaje këtë episod që nuk i është fshirë nga kujtesa.

“Ndërsa marrëdhëniet me fëmijët e tjerë po ecnin drejt normalitetit, nuk mund të them të njëjtën gjë për mësuesen. E krahasoja me mësuesen time të mrekullueshme në Tiranë dhe ndjeja se ajo nuk donte t’ia dinte fare për ata fëmijë, që ndonëse frekuentonin shkollën, ishin pothuajse analfabetë. Ndryshe nga ata, unë kisha pasur fatin të më rrinin mbi kokë tre mësues në shtëpi. Sigurisht, këtu përfshij edhe gjyshen. Prindërit e atyre të ngratëve gdhiheshin e ngryseshin arave për të siguruar bukën për fëmijët e shumtë që sillnin në jetë. Në shenjë hakmarrjeje, me pushtoi dëshira ta sfidoja. Ishte një formë rebelimi. Veçanërisht në orën e matematikës, që ishte lënda ime e preferuar. I bëja pyetje me të cilat e vija në vështirësi. Madje, ndjeja një lloj kënaqësie të pakuptueshme, kur asaj i ndryshonte ngjyra e fytyrës. Kishte raste kur i kërkoja mënyrat alternative për zgjidhjen e disa problemeve. Duke kërcitur dhëmbët, ajo e duroi disa ditë këtë situatë, por një ditë në pamundësi për t’iu përgjigjur pyetjes sime, në kulmin e tërbimit më tha: “-Mëso sa të duash, kazma të pret”. Ky shpërthim ndodhi në klasë, në sy të gjithë fëmijëve, të cilët shihnin të habitur herë mua, herë mësuesen. Unë kisha pritur një reagim prej saj, por kurrë kaq të pamëshirshëm dhe vrasës të shpresës dhe ëndrrave. Isha aq e mpirë, gati të qaja.

Në atë regjim çnjerëzor kishe ndrojtje edhe të qaje… Lotët mund të konsideroheshin pakënaqësi dhe sfidë për sistemin. Lotët e pafajshëm të një krenarie të vrarë ishin kërcënim. Ka disa momente në jetë që lënë gjurmë të thella dhe ky ishte një prej tyre. Ndjeva të ndahesha në copëza të brishta e të dëshpëruara, të cilat më zbehën besimin se një ditë do të arrija t’i mblidhja e t’i ngjisja sërish.”

Alma, pas pak kohe do të kthehej sërish në Tiranë, për të jetuar me gjyshen nga e ëma, sepse gjyshja nga i ati kishte ndërruar jetë kohë më parë, para pushkatimit të bashkëshortit, duke lënë në atë kohë 4 fëmijë jetimë, përfshirë edhe babain e Almës, Nevzatin, të cilët u flakën në rrugë. Në shtëpinë e gjyshes, e cila, sipas rregullave të atëhershme kishte më shumë hapësirë nga sa shteti gjykonte të arsyeshme për një person, kishin sjellë edhe një banor, i cili vuante nga çregullimet mendore pas një aksidenti që kishte pësuar. Gjyshja dhe mbesa u mësuan të jetojnë me dyer të mbyllura brenda shtëpisë, por në vitin 1972, gjatë një epidemie gripi, gjyshja u sëmur dhe ndërroi jetë duke e lënë Almën pa mbështetjen kryesore të atyre viteve.

Si pak njerëz do të bënin në atë kohë, Almën e mori në shtëpi familja e shoqes së saj, Ritës, ndërkohë që ajo përfundoi klasën e tetë në Tiranë. Është një periudhë e mbushur me kujtime për çdo të ri të asaj moshe, por Alma e përjetonte në mënyrë të veçantë, njëkohësisht duke qenë dhe duke mos qenë pjesë e asaj atmosfere të mbushur me ëndërrime të pashmangshme, por që për të, ishin të mohuara.

“Po afronin provimet dhe isha tërësisht e përqendruar të përgatitesha sa më mirë. Me Ritën pranë, kjo gjë ishte më e lehtë, pasi mbështesnim njëra-tjetrën. Shoqet dhe shokët e klasës kishin vendosur pak a shumë si do t’i vijonin studimet më tej. Prindërit e tyre kishin filluar përpjekjet për të siguruar shkollën e dëshiruar, ndërsa unë nuk kisha kurajo të mendoja se çfarë më priste. Gjithçka ishte aq e zymtë. Veçanërisht muajt e fundit, disa nga mësueset e shprehnin hapur keqardhjen për pamundësinë e të qenit e barabartë me të tjerët. Përpiqeshin të më thoshin ndonjë fjalë inkurajuese, por pa dobi. Nuk kishin asgjë në dorë të ndryshonin fatin tim të parashkruar. Mbërritën dhe ditët e provimeve. Unë isha përgatitur mjaft mirë dhe u paraqita shkëlqyeshëm.

Pata një lloj dileme për provimin me shkrim të letërsisë. Ishte një hartim me temë që lidhej me mrekullitë e socializmit shqiptar. Duhej të shkruaja për diçka që nuk kishte lidhje fare me atë që ndjeja dhe mendoja, një hipokrizi e gjallë. Ishte si të dilja kundër vetes. U përpoqa shumë. Megjithatë, arrita të hidhja disa fjalë të bukura në ato rreshta. Në perceptimin tim, e tërë përmbajtja e asaj që kisha shkruar ishte patetike dhe pa jetë. Mora vlerësimin maksimal. Nuk isha aspak e sigurt, nëse e meritoja. Me sa duket mësuesja e letërsisë e kishte mirëkuptuar zbrazëtinë time. Ajo e njihte shumë mirë raportin që familja ime kishte me diktaturën dhe socializmin. Përfundimi i sezonit të provimeve ishte çlirim për të gjithë. Sado e përgatitur të jesh, paraqitja përpara një komisioni që kërkon të eksplorojë njohuritë e tua të fituara në vite, është shumë stresues. Organizuam një festë të vogël lamtumire. Rrugët e jetës në mënyrë të pashmangshme po ndaheshin.

Gjithkush do të merrte drejtimin e vet. Vetëm unë nuk kisha të drejtë të ëndërroja dhe të shprehesha për perspektivën time. Ishte kaq emocionuese dhe e trishtueshme njëkohësisht. E parandjeja se shumë prej tyre nuk do të kisha rastin t’i takoja më kurrë…Brenda pak minutash m’u rikthyen shumë situata të bukura dhe të trishtuara që kishin shoqëruar fëmijërinë time. Po të qëndroja edhe ca, isha gati t’ia plasja të qarit dhe nuk kisha kërrkënd pranë të më fshinte lotët. Pasi kontrollova edhe një herë dyert nxitova të largohem, për të mos humbur trenin. Si asnjëherë tjetër, ai nuk ishte i mbingarkuar me udhëtarë. U ula në një kabinë pranë dritares… Ditët e fundit kisha përjetuar shumë emocione që kishin në themel të tyre lamtumirën.”

U kthye sërish në Tiranë për të vazhduar shkollën e mesme teknike, por mundësia që vajza e deklasuar të arsimohej, do të zgjaste vetëm një vit.

“….Shtatori erdhi sërish shumë shpejt dhe më duhej të kthehesha në Tiranë për të vazhduar vitin e dytë të shkollës. Këtë radhë më shoqëroi vëllai im, i cili ishte rritur, madje ishte bërë më i gjatë se unë. Nuk kisha pikën e entuziazmit që po rikthehesha në shkollë. Kisha një parandjenjë të keqe. Çdo vit duhej të rikonfirmohej regjistrimi. Hyra në shkollë për të kryer këtë procedurë. Oborri ishte plot me nxënës që kishin ardhur për të njëjtën arsye. Mësimi fillonte dy ditë më pas. Me hapa të shpejtuara, u shmanga të mos takoja asnjërin. Me një lloj pasigurie dhe ndrojtjeje u futa në godinën e degës elektrike. Ngjita me shpejtësi shkallët dhe vura re se dera e zyrës së drejtorit, në katin e dytë ishte gjysmë e hapur. Ai ishte mësues fizike dhe matematike, me autoritet të padiskutueshëm. Trokita lehtë. Drejtori më ftoi të futesha në zyrë, por njëkohëshisht vura re që u prish në fytyrë. Pasi më pyeti sesi i kisha kaluar pushimet, i vënë dukshëm në vështirësi, më tha se ishte i detyruar të më informonte se unë nuk mund të vazhdoja më shkollën aty.

Më tej vijoi me fjalë ngushëlluese se isha e re dhe nuk duhej të dekurajohesha, se jeta do të më ofronte mundësi të tjera. Ndonëse për një moment u mpiva, në të vërtetë për mua ishte fundi i një ankthi, e kisha parandjerë, e kisha pritur një fund të asaj natyre. E mësuar me goditje dhe shtypje të tilla, u përpoqa të mblidhja menjëherë veten dhe me gjysmë zëri e pyeta se kush ishte shkaku i këtij përjashtimi. Dhe përgjigja që mund të tingëllojë shumë e çuditshme dhe gati e pabesueshme ishte kjo: “…nuk duhej të merrje dhjeta në mësime, dikush të ka njohur nga fotoja në tabelën e nderit dhe morëm urdhër të prerë që të mos vazhdosh më këtu”. Nuk kishte vend për asnjë koment. Me zemër të copëtuar i dhashë dorën dhe njëkohësisht lamtumirën. Në të vërtetë nuk pata më rastin ta takoja kurrë këtë profesor që ia lexova keqardhjen e të qenit i detyruar të flakte në rrugë një nxënëse 15-vjeçare, e cila kishte “guxuar” të merrte vlerësime maksimale në mësime. Me të njëjtën shtysë për të mos takuar askënd, u largova me shpejtësi nga ajo shkollë për të mos u kthyer më…”

Siç kishte ikur një vit e ca më parë nga oborri i tetëvjeçares dhe nga nxënësit, me të cilët e dinte që nuk do të kishte të njëjtin fat. Ajo ishte mbesa e një armiku, ishte bija e një familjeje të internuar, nuk mund të ishte nxënësja e dalluar e një shkolle të mesme në kryeqytet. Alma u kthye në Dumre, ku punoi në bujqësi, u martua, u bë nënë e dy fëmijëve dhe jetoi deri në vitin 1991, kur tashmë kishte mbushur 33 vjeçe.

Mësuesja e fillores kishte pasur mizorisht të drejtë…/kujto.al

TELEGRAM NGA PARISI, AT GJERGJ FISHTA O.F.M. – Nga Fritz RADOVANI

At GJERGJ FISHTA (1919)
1919 – 1922 Kjo ishte Shqipnia! E dalun nga kthetrat turke në 1912, pa kalue as dhjetë vjetë kishte në Paris një Delegacion me Kryetar Imz. Luigj Bumçi e, Sekretar At Fishta, që komunikonin me të gjithë delegacionet e Botës, pa pasë nevojë per perkthyes!
1919 – 1924 Asht periudha ma brilante e pjesmarrjes At Gjergj Fishtës O.F.M., në fushen politike, kur me esen e vet “Shqiptarët dhe të drejtat e tyne”, shkrue në Paris në 1919, kur ishte Sekretar i Delegacionit zyrtar të Shqipnisë në Konferencen e Paqës në Paris, i zgjedhun në këte detyrë nga Kryetari i Delegacionit Imz. Luigj Bumçi, i cili kur e lexoi në sallen e delegatëve, i tregoi mbarë Europës kush perfaqson Shqipninë atje!
16 SHTATOR 1922: At FISHTA i ban telegram Provinçialit At Palë DODAJ: “Këtu në Washington kam kontaktue me nji senator katolik, si të kam shkrue (29.4. 1922), françeskanin me ndikim të madh në qarqet diplomatike të Washington-it, At Godfried Shilling, dhe i jam lutë me u interesue pranë Qeverisë së Tij, per njohjen e Shqypnisë si Shtet i Pamvarun. Ai ka folë me Senatorin Henry Cabot Lodge, i Partisë Republikane, njeri me autoritet të madh dhe i një mendimi me Presidentin Wilson për të drejtat e barabarta të popujve,  dhe sot më tha: Se njohja e Shqypnisë asht e mundshme, prandej Qeveria e Tiranës, t’a paraqesin kerkesen e Saj me shkrim në Nensekretariatin e Shteteve të Bashkueme t’ Amerikës.”Në fund të letrës, At Fishta shton : “Ndërkaq vizita eme në Washington ka pasë si përfundim njohjen e Shqypnisë prej anës së Shteteve të Bashkueme të Amerikës.Të gjitha përpjekjet e mâparshme të Qeverisë sonë, si ato të “Vatrës”, s’kanë pasë sukses…Kjenë Senatorët katolikë, të cilve ua pata paraqitë çashtjen sidomos në pikëpamje fetare, ata qi me ndërhimje të veta xuerën njohjen zyrtare të Shqypnisë nga Qeverija amerikane. Paris 16 Shtator 1922”
Faik Konica në përgjegje të një letre që At Fishta i kishte dërgue, i shkruen nga Bostoni: “Ju falem nderit për letrën e bukur që më dërguat. Kini lënë në Shqipëtarët e këtushëm një kujtim lartësie dhe drite, që kà shuar gjithë moskuptimet e shkuara”.
ASHT NJË SHPREHJE E VJETER: “PA SHKODER E VERI NUK KA HISTORI !”
Melbourne, 16 Shtator 2019.

LETËRKËMBIM MUSTAFA MERLIKA KRUJA – ATË PAULIN MARGJOKAJ – MENDIMET PËR HASAN RIZA PASHËN

                                                                                       

Aleksandrí, 8 dhetuer 1949

I Ndriçmi Atë,

Letrën t’Ânde me 2 nânduer  të kaluem e kam marrë. E faleminderës.

E dijshem se tash po e gjên mënyrën…. me më lëshue në kurthë! Kurthë patriotike, kjo, e nji idealisti kryeneç. Të lumtë e un s’ kam si mos me Të kënaqun.

Kam me Të vu  përgjegjun  gjithë pyetjeve qi do të më bâjsh e po filloj prej mâ të parave qi ka letra e Jote. Mâ të parat, veç, ku un jam mâ pak kompetent se kudo në jetën t’eme politike.

Rrethim ‘ i Shkodrës mue më ka gjetun në Vlonë. Kishem shkue atje si delegat i Krujës e i Shoqnís Vllaznia qi kam pasë krijue vetë me qêndër në Durrës e me karakter revolucjonar për të drejtat t’ona kombtare. Duel Ismail Kemali n’atë skele e si s’qe e mundun me u mbledhun Kuvêndi kombtar n’ atë qark fanatik e ku ende ishte mjaft i gjallë pushteti tyrk, i u vûmë mbrapa kush mujti për Vlonë.

Pra gjithçka dij un rreth pyetjes që më bân Ti në letrën t’Ânde e kam vetëm me të ndieme e s’më ka pasë ra asnji herë me e gjurmue punën me njerëz qi kanë qênë vetë n’ atë punë. Këta kanë qênë pa dyshim krenët e klerit katholik, ndër të cilët P. Gjergj Fishta.

Hasan Rizaja, guvernor e komandant i Shkodrës, ka qênë nji oficer i shtatmadhorís tyrke qi ka pasë krye studimet në Gjermaní. E kam pasë pá e kam pasë folë me tê vetëm nji herë në maj ase në qershuer të vjetit 1912, kur porsa kishin fillue trazimet në krahina të ndryshme të Shqipnís qi mbandej muerën karakterin e nji revolucjoni të përgjithshëm e mbaruen me pushtimin e Shkupit prej Kosovarvet. Un ishem i ri atbotë, vetëm 25 vjeç. Ai kishte pasë pasun urdhën prej Ministrit të Mbrêndshëm  Haxhi Adil begut me më kapun e internue – kinse si profesor gjymnazi – në Urfa, qi as sod s’e dij a bie në Syrí apo n’ Irak. Shqipnija e mesme po përgatitej me marrë pjesë në kryengritje së bashku me Mirditën e un kishem nevojë me fitue edhe nja nji muej kohë. Prandej kishem shkue në Shkodër, bashkë me Avdi beg Toptanin e me i u lutun Valís qi të shkruente për me më ndalë atje në zyrat e tija si sekretar. Më premtoi edhe përnjimênd e bâni të venë, por përgjegja i erdh negative. Por qëllim’ i im i vërteti qe krye. Moji qi   më duhej kishte kalue.

Mbaj mênd se Hasan Rizán e kam pasë përshkrue nji herë në nji rivistë shkodrane, nuk dij a në Hyllin apo në Lekën. Tyrk e bir Tyrku e burrë katërqindsh e me pamje të gjâna. Oficer gjerman me gjithë kuptimin e fjalës. Kur plasi lufta balkanike, pra edhe me Malin e Zí, sigurisht ai i ka shpeshue kontaktet e tija me parín e Shkodrës e posaçe me klerin katholik. Malsija e Madhe, sikurse dihet, pat kapun pushkën bashkë me Malazezt kundra Tyrqís. S’ka dyshim qi Kleri, për me ligjue veprën e Malsorvet, do t’i kenë pasë bâmë fjalë përmbi ndienjat qi i kishin shtýmë ata me u bashkue me Shkjá.

Por derisa atdheu i vet ishte në luftë e kishte ende shpresë fitimi, qoftë edhe me ndërhymjen e Austro-Hungarís, s’kishte si me dhânë asnji premtim për me kënaqun ato ndienja. Mirë po qe se Tyrqia u mujt, u shtrëngue me pranue vendimet e konferencës së Londrës e me lamë duert prej Shqipnije e gati prej gjithë Rumelís. E qe se Hasan Rizaja atëherë na zbulohet me të tânë shkëlqimin e vërtyteve të tija. E din se atë ditë e mbrapa s’ ishte tue luftue mâ për nji qytet të Tyrqís, as për t’i ndihmue tërthoras atdheut të vet në konferencën e paqës, mbasi për Tyrqín s’kishte mbetun mâ mundsí transakcjonesh për nji vênd qi e kishte pranue si të humbun definitivisht. Ç’e shtŷni ushtarin gjerman me u grî ndër fortesat e bregdetit verijuer të Francës edhe sa kohë mbas kapitullimit të gjith’atdheut të tij? Hasan Rizaja ishte nji kolos ushtarak qi e kishte thithun edukatën ushtarake prej së njâjtës gurrë. Ai luftonte tash vetëm për nderën ushtarake të kombit e të vetes së vet. Më thotë mêndja edhe se në vêndimin e  tij për qëndresë do të ketë luejtun rol mjaft edhe nji ndiesí tjetër: Shkodra për Tyrqín kishte mbarue, por kufîjt e Shqipnís me Malin e Zí ishin ende në bisedim e mâ vonë e dijmë se për me i mbetun Shkodra Shqipnís u deshtën 800000 ushtarë t’Austro-Hungarís nën bajoneta. Hasan Rizaja pra e dinte edhe qi Shkodra ishte në kontestim ndërmjet Shqipnís e Malit të Zí e për ta, ndërmjet Austrís e Rusís. E sigurisht qi donte t’i jitte mâ parë Shqipnís, kombi qi historikisht kishte lânë gjurma të thella në zêmrat e Tyrqvet, pa përjashtue as ndiesín fetare, se sa të Shkjenís. Dhe qe ideja e Hasan Rizá Pashës me e vazhdue luftën me flamurin e Shqipnís. Mâ në fund edhe në nji faktor tjetër më shkon mêndja. Tyrqija kishte bâmë armpushim me anmiqt e vet e atbotë trupat e Shkodrës e Komandanti vetë, tue luftue me flamurin e Tyrqís, në bazë të së drejtës ndërkombëtare mund të quhej rebele me të gjitha konsekvencat ushtarake të ksaj gjâje. Por nuk më resulton se ushtarët e komandantat gjermanë qi zuna në gojë mâ nalt janë trajtue si rebela.

Si po e sheh, un jam i bindun se inicjativa e ndërrimit të flamurit të Tyrqís me të Shqipnís në Shkodër âsht marrë prej Hasan Rizás. Por para se me e bâmë këtë ndërrim ai desh me e shtimë në punë edhe ushtarakisht. Kështu hyni në marrveshtje me klerin katholik për me tërhjekun Malsorët prej veti tue i propunue atë gjâ për shkak të së cilës ata ishin bashkue me Malazezt.

Bash kur puna kishte mbërrîmë në këtë pikë, pra, duel dora tradhtare e i a preu fatosit të Shkodrës ditt e jetës dhe inicjativën bujare.

Mâ shumë un nuk dij me Të thânë rreth asaj episode historike e prandej këtu po i ap fund. Por jo pa e mbarue këtë letër me urimet e mija mâ miqsoret për Kërshëndellat e vjetën e  re qi kemi mbas dere.

MKruja

 

 

 

 

 

 

Aleksandrí, 18 kallnuer 1950

 

I dashtuni mik,

Letrën Tânde me 6 të k.m. e mora. Kishi fillue tue thânë se “ket herë nuk po e pres përgjegjen  T’uej… “. S’e mora vesht cilën përgjegje, mbasi nji përgjegje qi të kam pasun borxh T’a kam nisë ka kohë e të porositun madje. Flas këtu për përgjegjen e letrës ku më pyetshe për Hasan Rizán. Kësaj i jam përgjegjun me 22 dhetuer me letër të porositun. Mbas asaj tjetër letër prej Teje marrë s’kam mâ posë ksaj së fundit.

Shënimet e dy fotografí Tuja (aqë sa duhen e të tretën po e mbaj vetë për kujtim) për pasaportën t’Ânde nisen nesër për Kajro e pasaportën do t’a marrsh prej andej nga miku i im Z. Nexhmedin Bey Qorraliu. Ka me qênë nji pasaportë e lëshueme prej Legatës Mbretnore Shqiptare në Kajro, i vetmi mjet qi na ka mbetun sod ne të ngratve për nji ksi dokumenti. Ky âsht e vërtetë qi s’ pin ujë kudo, por s’kemi mundsí tjetër.

Ato shtete qi s’ kanë lidhje me Shqipnín komuniste, me sa më rezulton, e pranojnë, ndërsa tjerat më duket se jo. Besoj, pra, se n’Austrí mundesh me shkue me tê e … ishalla, mbasi je frat, edhe Italija s’T’a mohon vistimin e kthimit mbi tê, sado qi i a desht interesa me bâmë lidhje me Tiranën e kuqe.

Shkuen edhe nji palë Krishtlindje e filloj edhe vjeti 1950 e na gjithmonë në vênd të huej e Zoti e din se edhe për sa Krishtlindje tjera! Veç vetë e din i Lumi se edhe për sa vjet vuejtje tjera e ka dënue atë popull e sa tjerë bashkë me tê. Na po i lutemi, veç, për veti, për familjet e për popullin t’onë e Ai, me madhní të vet, bâftë e na i ndëgjoftë lutjet t’ona. Kështu po bâj un edhe për tý, i dashtuni mik.

Nuk dij a Të bie në dorë rregullisht “L’Albanie Libre”, organ i Blokut Kombtar Indipendent. Të dy këta emna jam un qi i kam gjet’ e ngjitun. Me gjithë këtê, n’e paç lexue numrin e dhetorit të kaluem do t’ a keni pá sa mirë jam shpërblye! Këta për sa më përket personalisht. Por gjith’ aqë interesant janë edhe dy numrat shtatuer e nânduer nga nji pikpamje e përgjithshme. Në mos i paç këndue asnji, edhe mâ mirë, e as vetë s’po Të flas për ta.

Në kohën e Alì Pashë Tepelenës Pasha i Beratit qi kishte pasë qênë nji qyqar, po bisedonte nji ditë me nji qehajë të vet qi ishte njeri i squet e homme d’esprit[1], si i thonë Frângjit; – A ke ndie ti, po i thotë Pasha qehajës, qi Mbreti paska nisun këtyne anve nji tartar të posaçëm me nji dekoratë të madhe për nji Pashë? – Jo, Pashë, un s’kam ndie kurrgjâ, përgjigjet qehaja. – Pra âsht e vërtetë, por s’ po dij se cili ka me qênë ky Pashë fatlum; a të merr mêndja gjâ tý? pyetë Pasha i Beratit prap. E qehaja: – Qe besa, lum Pasha i em, un kishem me thânë se n’i a pastë nisë Mbret’ i ynë këtë nishan kuj për mênd ky ka me qênë Pasha i Vlonës, për trimní ai i Janinës e… në qoftë veç për rizá të Zotit, ky pa dyshim ka me qênë Zotnija e Jote!

Ndiç pra, edhe ne Shqipove veç për mëshrirë në dashtë i Madhi Zot me na  falë gjâ.

E me kaqë po Të përshëndes me zêmër e miqsí të vërtetë.

MKruja

[1] Frengjisht : njeri i mençëm