VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

LIDHJE TË NGUSHTA USHTARAKE MIDIS SHQIPËRISË DHE SHTETEVE TË BASHKUARA – Nga Frank Shkreli

By | April 19, 2019

Komentet

“Ambasadorët” e hallave dhe tezeve….! (preludim festiv) – Nga Agron Shabani

Qyteti i madh gjerman ndodhej në dufin dhe zallahinë e madhe të festë së njohur të Krishtlindjes dhe Vitit të Ri…. Në atë zgjua të madh njerëzish që vazhdimisht shkonin dhe vinin prej nga dikah, edhe fshatari i një katundi të skajshëm të Dukagjinit në Kosovë, të cilin rastësia ose anomalitë dhe patologjitë e njohura në jetën e përgjithshme institucionale, konstitucionale, politike dhe diplomatike në Kosovë së bashku me tezakun dhe shokët tjerë të rinisë ose femijërisë, me të cilët dikur u kishte grahur kijeve dhe bagëtive të tjera atyre ‘lugjeve të verdha’ me plot bar dhe kullosë, e kishin bërë “diplomat” ose ambasador të Kosovës në një shtet të madh.
Tek po qëndronte i ngrirë ose stepur për vendi si një pikë e vogël çuditëse: Ngjante nè “statujè” ose nè një “përmendore” të varur murëve të kohës pa kornizë. Pamja e jashtme së bashku me “stilin, veshjen dhe taktin e tij diplomatik” të kujtonin patjetër fragmentët e njohura letrare ose romaneske mbi fshatarët tipikë nga Ballkani me nofkulla të dalua përjashta, “quka” të groposura në faqe dhe sy të nxjeuurr (dalur) përjashta si “suvenire”, “artefakte” ose “kukulla festive” të metropolave të feksura të Perëndimit ku ende (akoma) besohët se edhe atje…njerëzit lindin të dehur dhe “bekuar” nga liria, dashuria, bukuria dhe Perëndia!
I humbur dhe tretur dikund largë në mendime dhe kujtime që i puçëshin ose gërshetohëshin në sfon me tingujt e prajshëm të ndonje muzike kishtare ose klasike që përbirohej dhe rrësqite pèrposhtë përmes grilave të dritarëve, sakaq i shfaqëshin dhe sillëshin në kujtesè kèmbanat e delève dhe mrizi i bagètive mè bacin Brahim, tek zbresin teposhtè kodres ose qafès sè sukès nga mali. I kujtohej babai i tij milic (polic) dhe ato “figura supreme” ose “madhështore” që i zotëronin dikur edhe “mbretëritë e yjeve” së bashku me gjëmimët e motit ose bubullimat e qiellit! Dikur dhe atëherë pra kur së bashku me kokat e përulura dhe fare bosh që nuk i prente kurrë tehu i shpatës, zgjatej ose shtrihej qafa e tyre poshtë krahut të së cilës atëbotë prehëshin tabelat e ligjëve së bashku me gjeometrinë ose gjeografinë e stisur të varrit dhe natës së fundit mbi tokë. Ato mjekërra të rëna (varura) ose zhytura në gjoks….Lapërat e zgjëruara të hundës dhe ato “flegëra të njoma” të buzëve ku mekej zëri dhe dridhëshin fjalët e pathëna në një kohë kur vjeshta dhe dimri ishin stinët e babait tè tij dhe komandirëve të vet, ndërkaq pranvera dhe vera vinin shumë rrallë ose nuk vinin kurrë.
Thonë se ai (jo veç ai!)ishte i zgjedhur ose preferuar nga “ata” që kishin lindur dhe ardhur në këtë botë për të” ditur dhe për të fituar dhe meritur gjithëçka”! Dhe, kjo duke shpotitur ose ngarendur të përulur dhe kokëposhtë salonëve, kancelarive ose koridorëve të huaja. Pa ua ditur kurrë gjërave as vlerën dhe as kuptimin. Sidomos lirisë, pavarësisë dhe krenarisë së njohur atdhetare ose vendlindore. I dituri dikur tha: “Në luftën, kampionatin ose maratonën e njohur të lirisë dhe pavarësisë së gjithëmbarshme shtetrore, nacionale dhe politike, të urtit, të mençurit, tè diturit dhe trimat ose heronjtë e vërtetë, ndoçën yllin e dritës dhe shkëlqyen duke e braktisur idenë për t´u bërë “dikushi” ose “dikushat” mbi shtatin ose kurrizin e thyer ose të lakuar të kombit dhe atdheut.
Pushtimi ose sundimi serb si duket ishte i mirëseardhur për shtresat ose kategoritë më të ulëta dhe më të prapambetura kosovare. Sidomos për familjet bujqësore ose blegtorale si dhe për familjet dhe pasardhësit e milicëve, xhandarëve, komandirëve, inspektorëve dhe bedelëve të ndryshëm shqipfolës oe antishqiptar të UD-s ose Serbisë. Serbia dhe regjimi i saj diktatorial ose komunosocialist nè Beograd, ua mundë­suan skllevërve tè vet fshatar ose katundar “çlirimin” e tyre nga ‘çipçinjët” ose “okupatorët” e qytetit! Të gjitha ato masa, sollën një “mirëqenie dhe lumturi të përgjithshme”, e cila bëri që sundimi, tirania dhe dominimi serbian, të ishin tè dëshiruar dhe i mirëpritur për familjet rurale ose fshatare në Kosovë. Nejse!
Sot disa qytete ose qëndra urbane kosovare, ndodhë në terr ose errësirë, në kohën kur falë “çlirimtarève” dhe paraardhèsve tè tyre “demokrat” ose “institucionalist”, edhe katundet ose fshatrat malore, kanè bërë ndriçimin publik. Në qytet mungojnë banjot ose pishinat, ndërkaq, fshatrat ose katundet kosovare kanè me mijëra. Rrugët e qyteteve kosovare, janè tè zhytura ose mbytura në pluhur e baltë, ndërkohë, që rrugët e Marecit, Glloxhanit, Brojes, Broboniçit ose Gramaçelit, Biteshit e Palabardhit, janë të shtruara me mermer ose pllaka betoni. Fëmijët e fshatit ose katundit studiojnë në shkollat ose univerzitetët elitare të vendit ose të globit, ndërkaq, ata të qytetit në të shumtën e rastëve shesin cigare ose çarapa për të sigurur ekzistencën ose mbijetesën për vetvetën dhe familjet e tyre të prekura nga “dora e fortë” e pushtetit (regjimit) dhe sundimit të “çlirimtarëve” dhe “intelektualëve politik” nga katundit, të cilët mezi i tubojnë dhe bëjnë bashkë gjysmën e shkronjave të alfabetit së bashku me “lëximet, studimët” dhe “njohuritë” e jetës dhe motmotit nepër konferenca shtypi ose në tubime dhe samite të ndryshme ndërkombtare.
Ndërkaq, debatët ose polemikat e njohura rrethë asaj se kush ishin ose kush janë çlirimtar dhe themelues të vèrtetë tè shtetit tè Kosovès, paraqesin rastin e një manipulimi dhe falsifikimi flagrant të luftës çlirimtare dhe gjithë përpjekjeve tjera shkencore, intelektuale, kulturore, historike dhe patriotike të shqiptarëve të Kosovës, ku elitat e njohura shkencore, akademike, pedagogjike, inrelektuale dhe kulturore nga Gjakova dhe qytetët tjera kosovare, paraqesin bazamentët ose fumdamentët e lirisë (çlirimit), shtetit dhe pavarësisë së Kosovës. Por….!!!
Gjakova (qyteti) në realitet, plotësoi një detyrë të madhe ose kolosale. Ajo la gjur­më të pashlyera, në analet e historisë shqiptare ose kosovare. Ky kontribut mund të çmohet dhe vlerësohet gradualisht, me zhvillimin e shoqërisë njerëzore ose qytetare në Kosovë. Duke menduar në thesarin e saj mendor, intelektual, shpirtëror dhe kulturor, jetës së saj, kulturës dhe zhvillimit të saj, nën hijen e sundimit tè huaj për shumë shekuj e dekada me radhë, gjatë të cilave ajo ishte qendër drite dhe shprese, vend i shkencës, artit dhe kulturës, prej nga ku shpërn­da­hej drita e njohur e shkencës dhe diturisë në tërë Kosovën.

Një digresion:

Parimi i lirisë së ndërgjegjes dhe aryes, i cili përbën gurin themeltar, mbi të cilin qëndron madhështia e vërtetë e çdo kombi dhe shteti, ishte shumë i vlerësuar, madje, gati i shenjtë në qytet. Nga viti 1972 dhe deri në fundshekullin e kaluar, kur njerëzit ose fshatarët e ndryshëm të Kosovës, binin në gjak, vritëshin dhe sillëshin ndaj njeri tjetrit si pjesëtar klanësh ose fisësh të egra: Elitat e njohura shkencore, intelektiale dhe kulturore të Gjakovës dhe qytetëve tjera kosovare, ne krye me Prof. Zekeriah Canën, Anton Çettën dhe intelektual të tjerë shqiptar të asaj kohe, me dritën e mendjes dhe shpirtit të tyre inovator dhe humanist, e kishin nxitur dhe stimuluar procesin e madh të faljes dhe pajtimit të gjaqëve dhe ngatërresave në Kosovë dhe gjithadej.
Ndaj, ‘nëse ka diçka intelegjente, racionale, morale, njerëzore ose humaniste tek njeriu i ditur, njeriu i thellë, intelektual dhe patriot’, sipas filozofisè dhe psikologjisè politike, ajo patjetër do duhej të zbriste ose ulej në fushën ose terrenin e njohur të arsyes dhe ndërgjegjjes së lartë njerëzore ose qytetare. Në të kundërten, duke i konsideruar joarsyen dhe jondërgjegjën si “derivate të dorës së dytë”, Siegumnd Freudi, pèrveç tjerash, thekson faktin se përvoja bazë e të pandërgjegjëshmes (jondërgjegjies) ose iracionales, përreth së cilave gjithçka duhet të përmbyset dhe rrotullohet në raport me figurat e ndryshme prindërore, qëndron në cmirën, inatin, urrejtjen dhe xhelozinë e madhe vdekjepruese të etërve ose baballarëve të ndryshëm iracional, mediokritë, stupid, nebulozë, paranojak dhe tekanjozë, të cilët me ekuivalencën, polivalencën dhe ambivalencën e tyre imagjinare, fiktive ose halucinative, mundohen t´i disiplinojë, moralizojnë, emancipojne dhe kontrollojnë impulset, incestet ose defektët e ndryshme (në radhë të parë seksuale, shpirtërore, emocionale, mentale ose psikologjike) të personave ose individëve të ndryshëm të cilët sipas tyre përbëjnë tufën ose kopenë dhe jo qarqet ose rrethet e njohura informative, kulturore, institucionale, profesionale, politike, diplomatike etj.
Ndër­kaq, akoma më i çuditshëm, paradoksal, reaksionar dhe anakroik është fakti se shumica e politikanëve tè sotèm kosovare qè e konsi­derojnë vetvetèn si përcjellës të drejtpërdrejtë dhe të pandër­prerë të luftës dhe levizjeve tjera çlrimtare dhe patriotike për lirinë (çlirimin), shtetin dhe pavarë­sinë e Kosovës, e mohojnë, prolongojnë ose paragjykojnë shpesh rolin, angazhimin, kontributin dhe misioin kolosal dhe titanik të elitës së njohur shkencore, inteletuale, kulturore, ushtrake (luftarake) dhe patriotike të Gjakovës dhe qytetëve tjera në lirinë (çlirimin), shtetin dhe pavarësinë e Kosovës.
Edhe përngjasimet, paralelet ose analogjitë e ndryshme në mes të Gjakovës dhe Vajmarit (Weimar) duhet kuptuar, përceptuar dhe konceptuar si jo të rastësishme ose sipërfaqësore ose egocentrike.
Kur tërë Kosova ishte zhytur në errësirën e paditurisë dhe kërkonte edhe përmes vrimës së gjilpërës dritën e shkencës që të gjallë­ro­hej, në Gjakovë shkëlqente dhe brilonte një dritë e madhë­ríshme për Kosovën dhe shqiptarët. Ndërkaq, në kohën kur edukata, kultura, arsimimi, emancipimimi, morali dhe disiplina e njohur shkencore, intelektuale, kulturore ose akademike së bashku me librat dhe bibliotekat, për politikanet dhe “diplomatët” kosovar, sot nuk nënkuptojnè asgjë (sepse ata i kanë në dorë shkollat, uiverzitetin, shtetin, pushtetin, politikën dhe diplomacinë): Njeriu habitet me zellin dhe përkushtimin e madh me të cilin gjermanët dhe tètjerèt, i qasen ose rrekën studimit dhe analizës.
Ndërkaq, “ambasadorët e tezeve dhe hallave” kosovare në Berlin dhe gjithandej, i bijnë trup ose shkel e shko! Si në “darkat e lamës” ose qethjes së dhenëve me plot lesh dhe koqe të dashit!

Mbresa të pashlyeshme nga publicistika e dr. Andon Dedes – Nga Prof. Dr. ESHREF YMERI

Me mikun tim të vjetër Andon Dede jam njohur në mesin e viteve ’60, gjatë kohës që isha student në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë të Universitetit të Tiranës. Asokohe Andoni ishte student në degën e gjuhës dhe të letërsisë shqipe. Që gjatë viteve studentore, Andoni ishte i dhënë pas gazetarisë. Në mbyllje të vitit akademik 1964-1965, dy grupe studentësh të degës së gjuhës shqipe dhe të degës së gjuhës ruse, u dërguan në aksionet e rinisë për hapjen e rrugëve pyjore në Kërrabë të Pukës. Andonit, bashkë me Ramadan Pasmaçiun, u qe ngarkuar detyra për të shkuar me shërbim në sektorët e aksioneve të rinisë universitare në zona të ndryshme të vendit, për të përgatitur reportazhe për shtypin e kohës. Ata erdhën edhe në sektorin e Kërrabës.

Pas përfundimit të fakultetit  në vitin 1968, Andoni u emërua gazetar në Televizionin Shqiptar, ku punoi 15 vjet. Mandej e transferuan në Institutin e Studimeve Marksiste-Leniniste dhe më pas në Institutin e Studimeve Pedagogjike. Në vitin 1991 mbrojti doktoratën me temë “Koha e lirë dhe raporti i saj me mjetet komunikimit masiv”, një studim ky që kryhej për herë të parë në vendin tonë. Andoni u bë i njohur me botimin e mjaft artikujve në shtypin e vendit dhe të huaj. Në vitin 1997 ai emigroi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Atje ka punuar në Akademinë “Xhejms Satteruajt” të Administratës së Shërbimit për fëmijë për Bashkinë e qytetit të Nju Jorkut, derisa doli në pension.

Në bibliotekën e familjes sime në Tiranë kam dy libra-dhuratë të Andonit me artikuj mjaft tërheqës, në të cilët del në pah bota e tij shpirtërore, si një publicist mjaft i talentuar. Librat titullohen:

“Dialogje me të tjerët dhe me veten” (254 faqe) dhe “Pa iluzione dhe paragjykime” (178 faqe). Librat kanë dalë nga shtypi në vitin 2010 dhe i ka hedhur në qarkullim Shtëpia Botuese “Globus R”.

            Në publicistikën a Andonit bie në sy çiltërsia e shpirtit të tij qelibar, vendosmëria e publicistit mendjehollë, pjekuria shembullore e intelektualit të paanshëm, i cili ka për yll karvani vetëm të vërtetën, kthjelltësia e gjykimit gjakftohtë dhe mjeshtëria analitike e trajtimit sa më objektiv të temave të ndryshme nga realitetet shqiptare pas vendosjes së pluralizmit.

Çiltërsia e tij të bëfason në një analizë me titull “Ne, ish-komunistët”. Paragrafi i mëposhtëm e dëshmon më së miri pastërtinë e shpirtit të tij:

“Edhe në kushtet e tmerrshme të diktaturës, në atë pak hapësirë që na kishte lënë ajo, ne e kishim mundësinë të tregonim sadopak vlerat apo antivlerat tona. Tjetër punë që kemi duruar shumë, kemi heshtur apo jemi konformuar për kafshatën e bukës, duke ia lehtësuar e shtuar jetën diktaturës. Përjashtim bëjnë ish-të burgosurit politikë” (Nga libri “Dialogje me të tjerët dhe me veten”, f. 36).

Në këtë analizë, duke shtegtuar drejt viteve të diktaturës komuniste, ai parashtron  edhe fakte se si një palë kuadrosh nga qendrori i partisë, shumë të paktë këta në numër, të cilët, kur shkonin me shërbim poshtë në bazë në periudhën ogurzezë të tufëzimit, flisnin me sinqeritet, madje edhe me revoltë për atë gjendje të mjerueshme ekonomike të fshatarësisë kooperativiste, çka ngjallte zemërimin e autoriteteve të pranishme. Kurse të tjerë kuadro, më të shumtë këta në numër, me paturpësi dhe përmes një demagogjie të sofistikuar, mundoheshin t’u mbushnin mendjen të pranishmëve se gjoja askush nga fshatarët-kooperativistë nuk ankohej për mjerimin e gjendjes ekonomike. Tipik ishte Fatos Nano, i cili, për t’iu servilosur Nexhmije Hoxhës, s’e kishte për gjë të mashtronte pa iu skuqur faqja, duke thënë se “gjithë fshatarët qenë të shqetësuar se si po shkon mekanizmi i ri ekonomik dhe asnjë nuk na u ankua për mungesa e vështirësi…”, ç’ka ishte krejt e kundërta e asaj që deklaronte Vangjel Moisiu, asokohe sekretar shkencor i institutit të Nexhmijes. “Ai, – shkruan Andoni, – foli me pasion, duke na përmendur disa të vërteta tronditëse për gjendjen e rëndë në fshat. U skuq në fytyrë, si ai që detyrohet të pranojë diçka kundër dëshirës së vet. Na tregoi, p.sh., për radhët e gjata qindrametërshe për të marrë vajguri apo, ngaqë nuk kishin dru për t’u ngrohur, futeshin në rroba herët. Për të ndezur zjarr sa për të gatuar, – tha ai, – përdornin kallamishtet e misrit…” (f. 249).

Vetëm me një analizë të thjeshtë për fatin e një vajze mjaft të talentuar, me emrin Kozeta, e cila shkollën e mesme e kishte mbaruar me rezultate të shkëlqyera dhe e drejta e studimit i kishte dalë për mjekësi, siç edhe pati ëndërruar, Andoni zbulon natyrën egërane të luftës së klasave, e cila qe një fatkeqësi e rëndë për mbarë popullin tonë gjatë sundimit diktatorial të kriminelit Enver Hoxha. Për pasojë, Kozetës aq të talentuar ia patën hequr të drejtën e studimit, pasi babai i saj, Ilia Naska, kishte qenë oficer në periudhën e mbretërisë, paçka se nuk kishte kryer kurrfarë shkeljeje në dëm të atdheut. Për këtë “arsye”, Kozetën e shkretë e dërguan të punonte në një serrë domatesh.

Me domethënie të thellë është artikulli  “Zhgënjimi i dhimbshëm”. Gjatë një vizite që Andoni ka bërë në Çeki, në qytetin Brno qe njohur me disa ish-komunistë grekë, të cilët kishin ardhur aty si emigrantë pas përfundimit të luftës civile në Greqi. Megjithëse kishin mbetur të zhgënjyer nga premtimet e qeverisë së koalicionit, e cila nuk e kishte mbajtur fjalën për bashkëpunim me komunistët, ata ish-emigrantë, tashmë pas gati një gjysmë shekulli, kishin arritur në një përfundim tepër domethënës:

            Çfarë do të kishte ndodhur në Greqi sikur pushtetin ta kishin marrë komunistët dhe të largonin aleatët perëndimorë? Sigurisht që edhe Greqinë do ta kishte pllakosur po ai mjerim ekonomik që pati goditur të gjitha vendet Evropës Lindore.

Pena e Andonit vjen e bëhet e pamëshirshme kur ndalet në krimet e diktaturës komuniste, të cilat i radhit në analizën që i ka bërë qëndrimit të Ramiz Alisë gjatë procesit gjyqësor. Në artikullin “Qetësia e një ndërgjegjeje të tjetërsuar”, Andoni citon fjalët e Ramiz Alisë para trupit gjykues:

“Si çdo njeri, edhe unë kam pasur të meta e gabime në punë… Ky është borxhi im ndaj popullit. Por asnjëherë, asnjë veprim imi nuk ka shkuar në dëm të punonjësve, asnjëherë nuk kam rënë ndesh me interesat e tyre” (f. 57).

Pas këtyre fjalëve të kriminelit Ramiz Alia, vrasësit të poetit Havzi Nela, Andoni shpërthen:

“Një pohim i tillë kapërcen edhe caqet e logjikës më elementare. Pra, sipas tij, të ngresh dorën e të miratosh vendime për të pushkatuar të pafajshmit, për t’i mbyllur gojën popullit e për ta trajtuar atë më keq se skllavin, duke mos e lejuar të flasë, të besojë, të lëvizë e të ketë një pronë sado të vogël; ta katandisësh atë sa të mos ngopë as barkun me bukë, në një kohë që për vete jeton si princ a si sheik; ta izolosh nga bota e ta lësh në një prapambetje të tillë të dhimbshme, gati të pabesueshme për tërë ata që po na njohin; t’i presësh njerëzit në besë, duke iu thënë se kalimi i kufirit nuk përbën më krim e pastaj t’i vrasësh pas shpine e t’i tërheqësh zvarrë… e plot e plot mynxyra të tjera si këto, sipas tij, nuk e realizojnë figurën e krimit, por janë thjesht të meta e gabime (?!)” (po aty).

Në këtë artikull, Andoni ka nxjerrë nga pena një aforizëm me vlera jashtëzakonisht domethënëse për fatet e një populli:

“Është fatkeqësi për një popull, kur, jo për faj të tij, udhëheqësit e vet nuk përfundojnë në panteonin e lavdisë, por në bankën e të akuzuarve” (po aty, f. 55).

            Më shumë se 100 faqe  të librit “Dialogje me të tjerët dhe me veten”, Andoni ia ka kushtuar ecurisë së jetës së vendit pas vendosjes së sistemit pluralist. Këtë pjesë të librit ai e ka titulluar “Ky tranzicion i vështirë”.

            Andoni, si një intelektual me një brumosje të shkëlqyer atdhetarizmi, shpreh shqetësimet e veta për zhvillimin e ngjarjeve pas dhjetorit të vitit 1990. Të gjitha analizat e tij në këtë pjesë të librit i përshkon si një fill i kuq dëshira e tij e zjarrtë për të dalë nga ky tranzicion, të cilit ende nuk i duket fundi. Një vëmendje e veçantë u kushtohet këtu ngjarjeve tragjike të vitit 1997. Në këndvështrimin e Andonit, firmat piramidale nuk ishin arsyeja kryesore e shpërthimit të asaj tragjedie shqiptare. Ato firma vetëm sa shërbyen si “shkrepse” apo si “kapsula” për ndezjen e pasioneve çmendurake të opozitës neokomuniste për marrjen e pushtetit me dhunë. Sepse dihet që opozita e asaj kohe ishte pasuese e drejtpërdrejtë e Partisë së Punës, e cila, në kongresin e saj të 10-të të qershorit të vitit 1991, thjesht ndërroi “modelin e kostumit”, duke mbajtur të njëjtin “stof komunist”. Sepse, siç shkruan Andoni me shumë të drejtë, “e tillë qe e ashtuquajtura “opozitë” te ne! Duke u bashkuar me rebelët e armatosur të Jugut, për marrjen e pushtetit, siç edhe e morën, ajo vetë vulosi përfundimisht identitetin e saj si një grupim kundërshtar që s’ka asgjë të përbashkët me pluralizmin e demokracinë. Këtë e pohoi fare troç edhe Skënder Gjinushi në një miting parazgjedhor, kur e krahasoi 29 qershorin e këtij viti (është fjala për ditën e zgjedhjeve parlamentare më 29 qershor 1997 E.Y.) me 29 nëntorin e 44-ës, kur dihet edhe nga nxënësit e fillores se atëherë as që bëhej fjalë për demokraci” (po aty, f. 131).

Andoni, me objektivitetin e një analisti shembullor, hedh një vështrim psikosocial mbi skenën e politikës shqiptare të fundit të viteve ’90, duke e flakur tutje vellon e mashtrimit të qeverisjes socialiste. Dhe për të qenë sa më i paanshëm në vlerësimet e veta, ai citon fjalët e ministrit të mbrojtjes të asaj kohe, Perikli Teta:

“Neve duhet të na vijë turp për atë që kemi bërë gjatë këtyre viteve. E gjithë e shkuara e këtij koalicioni qeveritar është një njollë turpi në historinë e politikës së këtij vendi. Ministria e Rendit, në gjithë sistemin e saj, është e mbushur me një numër mafiozësh, kriminelësh e kontrabandistësh” (po aty, f. 143).

Këto fjalë të ministrit Perikli Teta, të cilat Andoni i ka qëmtuar me shumë kujdes nga mjetet e informimit masiv, janë të një rëndësie të jashtëzakonshme, sepse ato kanë një tingëllim mjaft aktual për mënyrën e qeverisjes së vendit pas rikthimit në pushtet në vitin 2013 të neokomunistëve socialistë.  Kjo për arsye se Partia e Punës, në kongresin e saj të 10-të, nuk dha llogari dhe nuk kërkoi ndjesë absolutisht për traumat e rënda që i pati shkaktuar popullit shqiptar përmes luftës së egër të klasave dhe varfërimit të tij shkallë-shkallë, i cili, në vitet ’80 pati arritur deri në përmasa katastrofike. Dhe nuk mund të ndodhte ndryshe, sepse Partia Socialiste, e cila ndërroi vetëm emrin, por jo psikologjinë kriminale-varfëruese të Partisë së Punës, nuk mund të qeveriste në një tjetër mënyrë. Pra, edhe Partia Socialiste nuk do të lëviste nga hullia e Partisë së Punës, e cila, në politikën e vet udhëhiqej nga mendësia e bolshevizmit rus, i cili kishte në themel zhdukjen e peronalitetit të njeriut përmes varfërimit të tij të shkallëshklallshëm.

Në vitin 1992, Edi Rama pati deklaruar:

“Për sa kohë PS nuk ka bërë denoncimin e plotë të origjinës dhe historisë së saj, ajo s’ mund ta ketë të drejtën për të qenë një parti e ligjshme”. (Edi Rama dhe Ardian Klosi, “Refleksione“, Shtëpia botuese “Albania”, Tiranë 1992, f. 184).

Kjo ishte një deklaratë shumë e goditur dhe pikërisht në kohën e duhur. Por me ardhjen në krye të Partisë Socialiste në vitin 2005, Rama harroi çfarë kishte deklaruar 13 vjet më parë, harroi që u bë kryetar i një “partie të paligjshme”, pra, e ktheu pllakën, nuk ia bëri “rezonancën magnetike” Partisë Socialiste dhe, me marrjen e postit të kryeministrit në vitin 2013, vazhdoi traditën enverhoxhiste në qeverisjen e vendit përmes varfërimit të pandërprerë të popullit, për të qenë sa më jetëgjatë në pushtet. Dëshmia më e qartë e kësaj mënyre të ushtrimit të pushtetit,  është braktisja e atdheut nga disa qindra mijë shqiptarë gjatë gjashtë vjetëve të qeverisjes socialiste të Edi Ramës. Duke pasur parasysh një mënyrë të tillë qeverisjeje socialiste varfëruese, publicisti atdhetar Andon Dede shkruan me dëshpërim:

“Ndaj dhe populli ynë ushtar, me sa duket, do të paguajë haraç të madh; ka për të vuajtur edhe shumë kohë, derisa të largohen nga skena bijtë e nipërit e babë Enverit e gjithë enveristët e tjerë” (po aty, f. 154).

Libri përmban edhe analiza të tjera që u kushtohen problemeve të tranzicionit. Ai mbyllet me një autointervistë me titull “Shpresa, iluzione dhe zhgënjime…” dhe me një intervistë që i ka marrë Andonit zotëria Vehbi Bajrami për gazetën “Iliria”. Në atë intervstë, Andoni ka nxjerr në pah përsëri natyrën mashtruese të Fatos Nanos, i cili, si karrierist dhe servil i lindur që ishte, gjatë një mbledhjeje, kërkonte t’u mbushte mendjen punonjësve të institutit dhe vetë Nexhmijes, sikur gjoja “veprat” e përkthyera të Enverit “kërkoheshin” nga të huajt dhe nuk i gjenin, çka atij, si anëtar i një delegacioni rinie, “i kishte rënë në sy” gjatë një vizite që delegacioni në fjalë kishte bërë në Burkina Faso. Ja si reagon Andoni në atë intervistë ndaj mashtrimeve të Fatos Nanos:

“Kjo qe një gënjeshtër me bisht… Ajo që më habiti mua qe se si e hëngri Nexhmija. Ajo e dinte mirë se si qe e vërteta për veprat e të shoqit. Sa e sa herë qe bërë problem që ambasadat nuk po punonin si duhet për shpërndarjen dhe propagandimin e tyre, ngaqë nuk ua merrte njeri. Edhe kur ua dhuronin të ftuarve, të nesërmen i kishin gjetur në koshin e plehrave” (po aty, f. 250).

Jo më pak tërheqës është libri “Pa iluzione e paragjykime”, i cili përmban shënime nga Amerika. Aty lexuesi njihet me mjaft analiza prekëse, në të cilat ndihet malli i Andonit për atdheun e largët. Të ngjall mallëngjim artikulli me titull “Burime të krenarisë kombëtare”, në të cilin Andoni ndalet në të tilla figura të shquara të Diaporës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si Noli, biznesmeni i famshëm Anthoni Athanas, bamirësi i njohur Idriz Lamaj – poet, gazetar, hulumtues, historian, aktivist, veprimtar dhe atdhetar i  shquar ndaj çështjes kombëtare, autor i shumë veprave, mes të cilave Andoni përmend përmbledhjen poetike me titull “Rrugëve të mërgimit”, e cila doli nga shypi në vitin 1973. Këtë vepër e patën vlerësuar lart Martin Camaj dhe Ernest Koliqi.

Bamirësia e Idriz Lamajt u shfaq veçanërisht me ndihmën që dha për botimin e një romani të Adem Demaçit gjatë kohës që ky ndodhej në burg. Romani titullohet “Gjarpërinjtë e gjakut”, për të cilin Andoni thotë se Idriz Lamaj gjeti çastin e duhur për botimin e tij, çka i shërbente më së miri Çështjes së Kosovës.

Mbresëlënëse janë vlerësimet e Andonit për Komitetin “Shqipëria e Lirë”, nëpërmjet te cilit Idriz Lamaj qe njohur me personalitete të Diaporës, si Arshi Pipa, Faik Konica, Gjon Sinishta, Kostë Çekrezi, Kristo Dako, Nelo Drizari, Petro Kolonjari, Qerim Panariti, Rexhep Krasniqi, Stavri Skëndi, Vasil Alarupi, Xhafer Deva, etj. Nga ky libër i Andonit mësova për herë të parë se “Komiteti “Shqipëria e Lirë” paska qenë “i vetmi institucion politik shqiptar në SHBA që është mbështetur politikisht dhe materialisht nga qeveria amerikane” (f. 32). Kryetar i parë i atij Komiteti, siç dihet, ka qenë Mit’hat Frashëri dhe pas vdekjes së tij – Hasan Dosti dhe profesor Rexhep Krasniqi.  Andoni ndalet edhe në vdekjen enigmatike të Mit’hat Frashërit, kufoma e të cilit u gjet në një dhomë të një hoteli të Nju Jorkut.  Ka pasur mendime të ndryshe për vdekjen e tij, aq më tepër që nuk i qe gjetur asnjë dokument identiteti me vete. Në Shqipëri kanë pasë qarkulluar mendime se në vdekjen e Mit’hat Frashërit ka pasur dorë Sigurimi i Shtetit, në bashkëpunim të ngushtë me shërbimin sekret sovjetik, i cili i pati injektuar gaz helmues përmes brimës së çelësit.

Përmes rrëfimeve të Idriz Lamajt, Andoni e njeh lexuesin edhe me një tjetër personalitet të shquar të Diasporës shqiptare – Xhafer Devën. Në përfytyrimin  e çdo shqiptari të Shqipërisë Londineze, Xhafer Deva paraqitet si një kriminel, si armik i Shqipërisë, sepse të tillë e pati përshkruar historiografia komuniste. Ndërsa, në të vërtetë, Xhafer Deva, si bir i një pasaniku nga Kosova, tërë pasurinë e trashëguar dhe atë që pati vënë vetë, e pati shpenzuar për çështjen kombëtare.

Ja portretizimi që Andoni i bën figurës së Xhafer Devës përmes rrëfimeve të Idriz Lamajt.

“Xhaferi kishte mbaruar dy universitete, për ekonomi, kontabilitet e shërbime bankarë, në Pragë dhe në një shkollë amerikane në Aleksandri të Egjiptit. Ndaj dhe anglishten, edhe para se të vinte në Amerikë, e zotëronte në nivelin më të lartë. Veç anglishtes, ai zotëronte gjithashtu në mënyrë të përsosur gjermanishten, frëngjishten, italishten, turqishten, arabishten dhe gati të gjitha gjuhët sllave. Në universitetin e Stanfordit, në qytetin Palo Alto të Kalifornisë, të thuash në pleqëri, mësoi deri në perfeksion kompjuterin… Në këtë universitet, ku ai punoi për disa vjet, jepte herë pas here leksione. Ligjërata ai ka mbajtur edhe në disa akademi ushtarake” (f. 39-40).

Kur lexuesi e krahason formimin intelektual të Xhafer Devës me Enver Hoxhën, ai bindet plotësisht për vërtetësinë e fjalëve të Mustafa Kaçaçit, i cili, në Konferencën e parë të Vendit në Labinot në mars të vitit 1943, deklaroi publikisht:

“Ti Enver ke qenë një hiç…” (Vasfi Baruti. “Enver Hoxha, ana tjetër e Hënës”. Botim i Institutit të Studimeve të Krimeve të Komunizmit. Tiranë 2018, f. 326).

Me këtë rast, Andoni citon fjalët e Idriz Lamajt për Xhafer Devën:

“Nuk është qëllimi im që ta mbroj atë e këdo tjetër e të bëhem avokat i tyre. Janë veprat ato që flasin më mirë e më bindshëm. Jo rastësisht ai është sulmuar egërsisht si nga regjimi i Tiranës edhe nga ai i Beogradit; komunistët nuk mund t’ia falnin atij nacionalizmin e antikomunizmin. I kam këtu nja pesë-gjashtë artikujt mjaft interesantë, të botuar në “Borba” dhe në “Zëri i Popullit”” (po aty, f. 40).

Në këtë libër të Andonit, intelektuali i mirënjohur Idriz Lamaj del para lexuesit si një thesar i vërtetë i të dhënave dhe i fakteve konkrete për përfaqësues me emër të Diasporës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe si modeli i një atdhetari të shquar me brumosje nacionaliste.

Tepër prekës në këtë libër është rrëfimi me titull “Një histori e jashtëzakonshme”, i cili të ngjall emocione të fuqishme me nëntitullin “Tre shokë nga Shqipëri, Spanja dhe Rusia takohen pas 50 vjetësh në Madrid”. Në qendër të këtij rrëfimi janë tre “personazhe” interesante: miku i çmuar i Andonit, kirurgu i shquar Perikli Sheti dhe dy miqtë e tij – Kosta Ribakovi nga Rusia dhe Manuel Arse nga Spanja, që të tre studentë të mjekësisë në Universitetin “Seçenov” të Moskës, ku i patën filluar studimet në vitet ’50. Mes këtyre tre studentëve, Perikliu ishte më i shkëlqyeri në mësime. Edhe diplomën e pati mbrojtur “shkëlqyeshëm”. Prandaj, që në vitin e gjashtë të studimeve i patën propozuan të vazhdonte aspiranturën, të cilën nuk e patën fituar dot as Kosta, as Manueli. Pas tre vjet studimesh, Perikliu arriti që edhe aspiranturën ta mbronte “shkëlqyeshëm”.

Andoni, me aftësinë e një publicisti mendjemprehtë, ndjek me kujdes odisenë e jetës së kirurgut të talentuar Perikli Sheti, i cili kthehet në atdhe në vitin 1960, kur marrëdhëniet e Moskës me Tiranën kishin marrë rrokullimën. Kirurgu fillon punë në Spitalin e Tiranës dhe vëren se aty mugonin gjërat më elementare. Përveç përballjes me sëmundjet e pacientëve, atë e trondiste varfëria e tyre. Andoni zbulon botën e brendshme të doktor Perikliut, i cili ndiente dhembje në shpirt për njerëzit e thjeshtë që nuk e meritonin atë varfëri. Megjithatë, përmes penës në Andonit, lexuesi mëson se kirurgu i talentuar bënte të pamundurën për ushtrimin e profesionit të vet, qoftë në klinikën e spitalit, qoftë si pedagog në auditoret e uniuversitetit. Por, siç dihet, në mjediset shqiptare dikujt nuk i pëlqejnë  arritjet e tjetrit.

“Suksesi, – thekson Andoni, – përherë ngjall reaksion te mediokrët, të paaftët e të paformuarit që nuk mungojnë në çdo vend e mjedis” (f. 58-59).

Prandaj edhe kirurg Perikliun, nën vjegën e qarkullimit, e patën transfertuar në spitalin e Elbasanit, pra, thjesht për ta hequr qafe. Atje doktori krijon familje me Kozarën, bijën e një të përjashtuari nga partia, i cili, në Konferencën e Partisë së Tiranës të vitit 1956, paskej bërë një pyetje “me spec”. Retë e zeza që u grumbulluan rreth doktor Perikliut “e derdhën rrebeshin” e tyre mbi kokën e tij dhe më 12 gusht 1982 ai përfundoi në burg.

Jo me pak emocione e përcjell Andoni edhe odisenë e doktor Emanuelit, i cili, pas një bisede telefonike me doktor Perikliun,  bashkë me të shoqen Sofia, një ditë të bukur, vendosi të vinte në Shqipëri për t’u takuar me mikun e tij të vjetër, pasi kishin kaluar më shumë se njëzet vjet. Ajo bisedë telefonike qe bërë pak ditë para 12 gushtit të vitit 1982.  Andoni shkruan:

“Shqipëria e befasoi. Nuk e kishin menduar se do të kishte në Evropë një vend kaq të varfër e të prapambetur, duke filluar që nga aeroporti, rrugët, ndërtesat, gjithçka. Emanuelit po i vinte keq për mikun e tij të dashur që i duhej të jetonte në një varfëri të tillë” (f. 56).

Me nota mjaft prekëse e përshkruan Andoni këmbënguljen e doktor Emanuelit për t’u lidhur me doktor Perikliun. Në anën tjetër të telefonit nuk i përgjigjej kush. Shoqëruesi-përkthyes nuk dinte ç’përgjigje t’i jepte. Kaluan disa ditë dhe Emanuelin po e brente dyshimi:

“Mos vallë miku i tij i vjetër ka përfunduar keq… Jo, e pamundur. Ai ishte jo vetëm kirurg i zoti e punëtor, por edhe njeri i nderuar…”, – ngushëllonte veten Emanueli.

Arsyen e vërtetë se pse qe e pamundur të takohej me doktor Perikliun, Emanueli do ta mësonte pas disa vjetësh, kur në vendin tonë u vendos sistemi pluralist.

Edhe kur doli nga burgu, doktor Perikliun nuk e lejuan të punonte në Elbasan, por e transferuan në Peqin, larg familjes. Andoni ndjek me emocion ecurinë e jetës së këtij kirurgu të shquar dhe të familjes së tij. Djali i kirurgut, Ralfi, nuk shikonte asnjë perspektivë në jetën e tij se dyert për të qenë mbyllur. Prandaj, pa miratimin e familjes, në korrik të vitit 1990, iu drejtua kangjellave të ambasadës italiane. Prindërit, bashkë me vajzën e tyre, Evën, e përjetuan me ankth situatën e krijuar në familje. Më në fund, edhe ata i dhanë karar të mos ndaheshin nga Ralfi dhe, familjarisht, hyn në ambasadën italiane dhe përfunduan matanë Adriatikut. Pikësynimi i tyre ishte “toka e premtuar”. Më në fund, ëndrra e tyre u realizua. Megjithëse në një moshë rreth të gjashtëdhjetave, doktor Perikliu arriti të hyjë në indin e jetës amerikane si një mjek i talentuar.

Ëndrra për një takim të të tre miqve të vjetër nuk qe shuar për asnjë çast në zemrën e tyre. Pasi doli në pension, doktor Perikliu e pa të udhës se takimi duhej bërë. Dhe ai takim i shumëpritur, pasi kishte kaluar një gjysmë shekulli, u bë në Madrid. Aty doktor Perikliu me Kozarën dhe doktor Kosta Ribakovi me Nadjen, panë me sytë e tyre se si doktor Emanueli dhe Sofia kishin krijuar “një mirëqenie që mund t’i kishte zili shumëkush… Një apartament komod në kryeqytet e një vilë në një vend turistik malor… Kjo nuk i habiste dy miqtë e tij: ata e kishin tashmë të qartë se ç’do të thoshte të kishe klinikën tënde, biznesin tënd në një vend të zhvilluar si Spanja” (f. 53).

Takimi i tre miqve të vjetër ishte një ngjarje e shënuar në jetën e tyre. Përjetimet qenë të jashtëzakonshme kur sillnin në kujtesë vitet e largëta të rinisë studentore. Por, pas disa ditësh çlodhjeje dhe çmallimi mallëngjyes, “ia behu” dita e ndarjes “shpirtlënduese”, e cila u shoqërua me lot të nxehtë dhe me “ngashërime të thella që s’i kishin provuar prej kohësh”.

Me ngrohtësinë ndjenjave të një publicisti të talentuar, Andoni ka hyrë mjeshtërisht në botën e tre miqve kirurgë, të lidhur ngushtë me fijet e një miqësie aq të admirueshme, të cilën nuk e zbehu dot për asnjë çast ndarja gjysmëshekullore për faj të asaj politike që njerëzve ua plagos shpirtin rëndë.

Në këtë libër gjejnë pasqyrim përshkrime mjaft tërheqëse nga jeta e bashkatdhetarëve tanë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilët, në kushtet e një shteti ligjor dhe me demokraci të konsoliduar, dinë se si ta shpëthejnë talentin e tyre në shumë fusha të dijes, çka për shumë syresh një gjë e tillë është e pamundur në atdheun amë, për shkak të demokracisë anarshiste apo ‘demoshëmtisë” që mbretëron në vendin tonë, ku nuk mund të bëhet fjalë absolutisht as për një shtet ligjor dhe, për pasojë, as për një demokraci të standardeve perëndimore. Neokomunistët, trashëgimtarë të partisë kriminale të Enver Hoxhës, njerëzit e talentuar dhe me personalitet i kanë si “gjakun në këmishë”. Një nga përshkrimet e lartpërmendura e gjejmë në artikullin me titull “Kërcimet pindarike të shqiptarëve”.

Edhe pas botimit të këtyre dy librave gati dhjetë vjet më parë, Andoni asnjëherë nuk është ndarë nga publicistika e tij mbresëlënëse.

Mes shumë analizave të shumta që Andoni ka botuar pas daljes nga shtypi të dy librave të larpërmendur, pështypje të veçantë i bën lexuesit njëra prej tyre, e cila i  kushtohet problemit kaq shumë diskutueshëm deri tani, siç është “Reforma në Drejtësi”. Në atë analizë Andoni zbulon komedinë që po luhet më shumë se tre vjet në sytë e popullit shqiptar:

“Po atëherë, pse gjithë kjo zhurmë, tërë këto përpjekje për të miratuar një reformë që s’ka për të vendosur drejtësi, gjë që e dinë edhe më mirë se unë ata që po lëvizin çdo gur, gjoja për ta miratuar atë se, në të vërtetë, janë pikërisht ata që po e pengojnë miratimin e saj. Të krijohet përshtypja sikur tek ne gjithë fajin për këtë gjendje korruptive na e paska vetëm sistemi i drejtësiësë, se të qe për ata, si “burra të ndershëm” që janë, situata do të qe krejt tjetër. A ka ndonjë budalla që mund ta hajë këtë? Që Sistemi i Drejtësië ka përegjegjësinë kryesore, kjo është e vërtetë, por jo e tëra. Po kaq përgjegjësi kanë dhe vetë të korruptuarit”.

Kjo analizë, me titull “Reforma në drejtësi farsa e radhës e politikës shqiptare”, është botuar në disa faqe interneti më 18 korrik 2016.

Në disa biseda telefonike që kam pasur me Andonin, kam këmbëngulur që analizat e botuara në shtypin e shkruar apo në faqe të ndryshme të internetit pas vitit 2010, t’i përmblidhte për t’i botuar si libra me vete, sepse ato janë dhe do të mbeten thesare të vërteta në artin e publicistikës shqiptare. Dhe këmbëngulja ime mbështetej në vlerësime plotësisht të merituara që i kanë bërë publicistikës së Andonit mjaft përsonalitete të njohura, si Teodor Laço (Andon Dede është një fenomen, një gazetar dhe analist i zoti), Mehmet Elezi (Ka qenë fillimi i viteve nëntëdhjetë kur zbulova një Andon të ri. Në të vërtetë, Andonin “tjetër” nuk po e zbuloja unë. Po e zbulonte Liria), Mitro Çela (Edhe para pluralizmit, tek Andon Dede kam vlerësuar përherë sensin kritik dhe njëfarë antikonformizmi, për aq sa lejonin hapësirat e kohës. Por ai bëri emër sidomos pas ’90-ës, me shkrimet e tij politiko-filozofike), Qemal Sakajeva (Shkrimet e Andon Dedes pulsojnë si të jenë shkruar dje, pasi autori zuri anën e duhur… Publicistika e tij përfshin problematikë të rëndësishme, është e mprehtë e kurajoze, mbështetet mbi fakte, ka analizë, shpërfaq njohje, gjithçka e thotë me gjuhë e stil të bukur), Fuat Memeli (Gazetari i shquar, por edhe “rebel”, Andon Dede, ka qenë model i gazetarit të aftë e kurajoz, jo vetëm për vitet që punuam bashkë në Televizion, por edhe më vonë, madje edhe sot).

Analizat e Andonit janë shkrime të shkëlqyera publicistike, jo vetëm për problemet që trajtohen në to, por sidomos për mënyrën e të shkruarit, natyrshmërinë e rrëfimit, befasinë e kthesave në rrëfim e sipër, sintaksën mahnitëse dhe stilin elegant. Prandaj emri i Andonit ka zënë një vend nderi në historinë e publicistikës shqiptare pas vendosjes së pluralizmit në vendin tonë.

Tiranë, 03 shtator 2019

NË KËRKIM TË SË VËRTETËS – Nga EUGJEN MERLIKA

Ka libra që lexohen me ëndje, në të cilët jeta rrjedh e qetë në larminë e saj të përditëshme, në të cilët lexuesi njëjtësohet me personazhet, ka përshtypjen  se ato ngjarje i ka jetuar apo dëgjuar dhe kur arrin në fund ka përtypur në vetvete gjithshka. Ai e mbyll librin, e arkivon atë në kujtesë i bindur se nuk do t’i kthehet më leximit të tij. Ka të tjerë që të mbërthejnë, që nuk i lëshon dot nga dora, mbasi ritmet e leximit janë shumë të larta e ankthi apo kureshtja për vijimin e ngjarjeve, apo përfundimin e tyre marrin një ngarkesë të tillë që, në mbarim të librit, duket se ajo është bërë pjesë përbërëse e vetes. Këta lloj librash nuk mbyllen për të mos u hapur më, tek ata rikthehet sërish lexuesi, mbasi  përsiatjet rreth ideve apo ngjarjeve të librit mbeten gjithmonë  nxitëse.

Një libër i tillë është romani “Odiseja e një dedektivi” i shkrimtarit Agim Hamiti. Si nëntitull ai shënon “ngjarje të jetuara”. Ky i jep një karakter të veçantë veprës, që anon më shumë nga  dokumentari se sa nga filmi artistik, nëse do të përdornim gjuhën e kinematografisë.

Romani fillon me kapitullin e parë që titullohet : Spaçi. Është një përshkrim i bukur i mjedisit natyror e njerëzor të një kampi pune të detyruar në Mirditën e gjysmës së dytë të viteve 70. Është kampi ku më 1973 u zhvillua e para kryengritje në një burg komunist shqiptar, edhe se në formën e saj parake. Emri Spaç është binjakëzuar me kryengritjen e majit 1973 dhe me ekzekutimin barbar të tre të dënuarve (Xhelal Koprencka, Fadil Kokomani e Vangjel Lezho) “Për dy letra adresuar pushtetit qëndror në Tiranë, ku denoncohej veprimtaria antikombëtare e diktatorit Hoxha”. Për revoltën, siç e quan autori, “Çmimi me të cilin u pagua ajo qe tepër i shtrenjtë. Katër të pushkatuar dhe 86 të ridënuar me një shumë të përgjithshme prej 1400 vjet burg (14 shekuj jetë njeriu!)”. E gjithë kjo mynxyrë për tri ditë mosbindje policëve e ngritjen e një flamuri pa yll nga disa pjestarë të një bashkësie njerëzish të dënuar në kundërshtim me të gjitha normat juridike të një ligjëshmërie normale. Madje këtyre u duhet shtuar, për detyrë kronike edhe varja e një qeni, besoj një dukuri e panjohur në gjithë historinë botërore të shtypjes së kryengritjeve….

Në këtë kamp famëkeq dërgohet për të kryer dënimin prej dhjetë vjetësh për “agjitacion e propagandë” një djalë 31 vjeçar nga Dukati i Vlorës, Sazan Diksi. Jeta e tij, e përshkruar shkurt, na paraqet një stereotip, atë të shumicës dërmuese të bijve të familjeve “të prekura”, t’ashtuquajturit armiq të klasës. Ata rriteshin pa baballarë, sepse këta ishin nën tokë, në burg ose në mërgim. Rriteshin me njëqind sakrifica nga nënat apo gjyshet në kampet e pafund të internimit, në vënde të ndryshme të Shqipërisë. Në më të shumtën e rasteve këta fëmijë ishin të parët e klasës, nxënës t’etur për dije e që mundoheshin të mësonin ndonjë gjuhë të huaj, për t’a zgjeruar atë. Ata i priste kazma që në moshën 16 vjeçare, sepse dyert e universitetit e, ndonjë herë edhe të shkollave të mesme, ishin të mbyllura për to. Kur arrinin moshën i përlante shërbimi ushtarak, pa kapur armë me dorë, në repartet e punës. Ishte preludi i viteve të punës së papaguar që më vonë do të kryenin në burgjet politike. Ata ishin gjithmonë nën vërejtjen e pandërprerë të “ëngjëjve projtës”, “heronjve të heshtur”, kriminelëve të Sigurimit të shtetit, pjesa më parazite e një shoqërie që kishte në themel të saj dhunën dhe varfërinë. Strategjia e tyre e zakonshme synonte një trysni të pashembullt, të gërshetuar me premtime joshëse, për t’u vënë në shërbim të tyre. Kur kjo nuk funksiononte “pinjojtë e klasave të përmbysura” viheshin në listën e arrestimeve, për t’u dënuar e dërguar në kampet e punës së detyruar pa shpërblim, ku ridënoheshin, vriteshin, torturoheshin e, në rastin më të mirë, dilnin të gjymtuar e bëheshin klientë të përhershëm të spitaleve.

Kështu fillon edhe kalvari i Sazan Diksit. Mbas pesë vitesh qëndrimi në Spaç, ai shpërngulet në Qafë Bari, një tjetër emër kampi, i lidhur me një t’ashtuquajtur kryengritje, shtypja e së cilës, përsa i përket mizorisë së dhunës, shënoi rekorde planetare. Këtu dukatasi fjalëpak u njoh me një gjirokastrit, në frontin e punës së zbrazjes së vagonëve të mineralit.  Kolegu i burgosur quhet Hamit Meli dhe vjen nga një përvojë krejt tjetër nga ajo e Sazan Diksit. Hamiti është bir i një partizani të brigadës së parë, një invalid lufte që mban ende në kokë ciflat e predhës, të cilat bëhen shkak i vdekjes së tij të parakohëshme n’operacionin për t’i nxjerrë. Simbas nënës së Hamitit i shoqi “më shumë duhet të ketë vdekur për shkak të brengave, se nga operacioni”. Ai porosiste djemtë që asnjë të mos bënte shkolla ushtarake e shpesh thonte : ”derdhëm gjak për t’i sjellë një mënxyrë këtij populli…”. Ishte njëri nga të shumtit e zhgënjyer nga socializmi i Enver Hoxhës e që dëshmonte jo vetëm objektivitet gjykimi, por edhe ndershmëri karakteri.

Këto dy veti të çmuara i trashëgonte dhe i biri, Hamiti, që e kishte filluar veprimtarinë në rradhët e DSJ (drejtoria e sigurimit të jashtëm), organi më besnik e më i zgjedhur i diktaturës, që në moshën 19 – vjeçare, si student i vitit të tretë në shkollën e posaçme të kuadrove të saj. Ja si e përshkruan, me pak fjalë, autori i librit parabolën e rrufeshme të karierës së personazhit të tij :

Kishin mjaftuar vetëm tre vjet veprimtarie në DSJ që Meli të shpallej unanimisht si detektivi më i mirë i shërbimit sekret shqiptar. Pas pesë vjetësh emri i tij do të regjistrohej në librin e artë të rekordeve botërore të detektivëve që e kalonin shifrën 100 të misioneve të realizuar me sukses….. . Barra e misioneve të kryer për interesat e diktaturës i rëndonte tashmë në ndërgjegje. Rekordet në shërbim të së keqes përbënin një famë lënduese për të….. Pa i plotësuar të 28 vjetët – moshë në të cilën shumica e detektivëve të botës fillojnë karrierën e tyre – Meli hoqi dorë përfundimisht nga veprimtaria e detektivit…… Gjithshka kishte qenë anormale në karrierën e Melit : fillimi i hershëm, ritmi i lartë i zhvillimit si detektiv cilësor, martesa e ndaluar nga ligji, përfituesit e fruteve të veprimtarisë së tij si detektiv [Inteligjencë Servici britanik], pendesa e thellë e Melit, burgu dhe, sidomos, ofertat e refuzuara në kampin e Qafë-Barit për rifillimin e karrierës së ndërprerë befasisht….”   

Do t’i mjaftonin këto pak fraza lexuesit për të hyrë në botën e mbrendëshme të personazhit e për të kuptuar dramën e tij. Mes Hamitit dhe Sazanit lind një miqësi e fortë, që buron jo vetëm nga prania në të njëjtin ambient të vuajtjes, por edhe nga një këndvështrim i përbashkët i të vërejturit të botës, nga një përceptim pothuaj i njëjtë i problemeve të Vendit të tyre. Kështu veçoritë e jetëve të tyre nga lindja, stilet e ndryshme, prejardhjet jo të njëjta, shkrihen e sheshohen në vetëdijen e përbashkët të të qënit viktima të një diktature, që ka çuar në kasaphanë dhjetra mijra qytetarë e në mjerim një popull të tërë n’emër të idealeve të paqëna. Në bazën e lidhjes së tyre është respekti e besimi i ndërsjelltë. Ky shfaqet më parë tek Hamiti që, në një çast të vështirë për të, i ndërgjegjshëm për rrezikun që i kanoset çdo ditë, ka nevojë për një shok që t’i hapë zemrën, të ndajë me të shqetësimet, ankthin, pasigurinë. Të gjithë ata që, fatkeqësisht, kanë kaluar përvoja të tilla e dijnë mirë se sa vlen një shok i vërtetë n’ata kushte.

Sazani befasohet nga rrëfimi i Melit. Natyrshëm në fillim shtanget, por shpejt kupton se tek tregimi i Melit nuk ka hije provokacioni apo prapamendimi të keq e i beson. Shoqëria e tyre forcohet çdo ditë e përballon prova skajore, paralel me ngjarjet e pazakonta në të cilat bëhet pjesëmarrës Meli. Këto ngjarje e futin lexuesin në botën e mistereve, të hafijeve, të të fshehtave, të prapaskenave të paimagjinueshme, që përbëjnë sekretet e pazbulueshme të një regjimi, të një shteti, të pushtetit të një kaste. Jemi të pranishëm në një botë sureale ku në një kamp pune të detyruar, në një nga burgjet më mizore të diktaturës enden ndërmjet të burgosurve, të veshur me uniformën e tyre, kuadro të larta të DSJ që i njeh vetëm një oficer i komandës, kartelisti. Vijnë për të takuar ish detektivin Meli drejtori i DSJ, Dofemi, alias Ilir Enver Hoxha, në shoqëri të funksionarëve shumë të lartë të Sigurimit të KQ, të Inteligenc Servisit britanik, të CIA-s amerikane. Galeria e personave të fuqishëm, që kërkojnë të bindin Melin për rifillimin e veprimtarisë së detektivit, secili në rradhët e tij, është marramendëse, pothuaj e pabesueshme. Ata takime janë përshkruar me imtësi, me data e me orë.

Pa hyrë në përshkrimin e hollësishëm të tyre, edhe se zënë pjesën kryesore të lëndës së rrëfimit, ajo që del nga këta takime ka diçka sa të pabesueshme, aq edhe të llahtarëshme. Fatet e njerëzve  ndërthuren me fatet e popujve në një lojë të fshehtë, të shumfishtë që mbetet e panjohur për shumicën dërmuese të njerëzimit, në rastin tonë për shqiptarët. Është loja e shërbimeve të fshehta që përcaktojnë dhe politikat e qeverive, ajo e interesave që shqelmojnë parimet e ideologjitë, ajo e aleancave të padukëshme, të panjohura, të pabesueshme, që mbeten mundësi vendim-marrje e pak njerëzve “të zgjedhur”, shpesh herë e  një njeriu të vetëm që i jep  vetes atributet e një perëndie, që vendos gjithshka mbi vartësit e tij, mbi një popull të tërë. Në këtë xhungël të dëndur interesash, në të cilën papritur Hamit Meli zë një vënd qëndror, atij i zbulohen fakte që përmbysin krejtësisht botën e tij të deriatëhershme. Kështu ai merr vesh se në më shumë se njëqind misione vrastare në të cilat ka marrë pjesë, me përjashtim të dy të parave, gjithë të tjerët i kanë shërbyer Inteligjenc Servisit britanik, zyrtarisht armik i tij dhe i Vëndit të tij, e në sajë të tyre sot ka një llogari rrjedhëse në një bankë angleze e rezulton i ngritur edhe në gradë.

Midis qeverisë sonë dhe partisë suaj ka ekzistuar gjithmonë një aleancë e fuqishme, e cila, për të qënë efikase, është lypsur të mbahej sekrete. Kjo aleancë ka lindur qysh në vitet e Luftës së Dytë Botërore, kur, si aleatë me njeri-tjetrin, ne luftonim nazi-fashizmin.” Zinxhiri i zbulimeve të të fshehtave që gëlonin në marrёdhëniet e Enver Hoxhës e të komunizmit shqiptar me anglezët dhe amerikanët është një varg i gjatë episodesh, ndodhish e pohimesh marramendëse që e futin lexuesin në një botë të cilën mund t’a konsiderojë fantapolitike, pjellë e një fantazie të ndezur e të prirë për romanet policorë. Kështu lexuesi mëson për luftën mes CIA-s dhe Inteligjenc Servisit për të patur në zotërim fatet e Shqipërisë, me miratimin e “udhëheqësit legjendar” të saj,  për oficerët e DSJ të vrarë nga anglezët sepse donin të mbështeteshin tek CIA, për të ndryshuar jo vetëm vartësinë por edhe sistemin me dënimin e tradhëtisë së Enver Hoxhës, për vizitën tepër sekrete të këtij të fundit në Londër në tetor 1983, në një nga misionet e fundit të veprimtarisë 40 – vjeçare në shërbim të zbulimit anglez.

Lexuesi njihet edhe me të tjera dukuri të mistershme, të pashpjegueshme, që zënë fill nga mbas lufta e kanë të bëjnë me veprimtarinë kundër komuniste të të mërguarve shqiptarë. Është fjala për dhjetra misione desantësh që binin në dorën e Sigurimit, sapo zbrisnin në tokën shqiptare, e që janë motivuar me tradhëtinë e Kim Filbit, për të cilin përgjegjësi i CIA-s për Evropën, në një pasazh të romanit shprehet kështu : “ Un jam gati të vë bast, se dekorata që i ka akorduar në heshtje Kim Filbit Inteligjenc servisi me këtë rast, është dy herë më e madhe nga kjo që i ka dhënë KGB-ja. Në ambientet e CIA-s në Amerikë tashmë thuhet nën zë, se Kim Filbi është një nga agjentët e dyfishtë më të suksesshëm të historisë së shërbimeve sekrete.”                      

Në një tjetër fragment të veprës zbulohet një tjetër dukuri e pashpjeguar për shumë prej të mërguarve politikë shqiptarë. Bëhet fjalë për 100 vetë që punonin për CIA-n e që “kishin shprehur në formë të hapur protestën ndaj qeverisë amerikane, për qëndrimin dashamirës që mbahej ndaj regjimit komunist të Tiranës.” Të gjithë këta, në pak kohë, vdiqën në rrethana aksidentale e jo bindëse. Ndërmjet tyre ishte dhe i ati i Sazanit, për të cilin detektivi i kërkon shpjegime shefit të seksionit evropian të CIA-s, prej të cilit merr këtë përgjigje : “Babai i shokut tuaj ka tradhtuar interesat e shtetit amerikan, të cilit i shërbente.” Një fund tragjik kanë edhe të gjithë ata t’arratisur, të lidhur me operacionin e Maltës, për të cilët dëshmon edhe plaku kolonjar i mërguar që erdhi nga Nju Jorku n’Athinë, për të tërhequr dy bijtë e tij që ishin arratisur nga Shqipëria. Ai ruante si një relike të shenjtë librin “ Të tradhtuarit” dhe fjalët që i kishte thënë një djalosh, më i riu i Operacionit të Maltës : “ Ruaje si kujtim të hidhur këtë libër vrastar, në emër të të cilit u zhdukën të gjithë ata që ëndërronin të luftonin e të vriteshin për çlirimin e Shqipërisë nga komunizmi.”

Rrjeshtova këtu disa prej fakteve dhe pohimeve  të romanit, të gjitha rrëfime të detektivit Meli autorit, që ka përmbushur amanetin e shokut të tij për t’i shkruar këto “ngjarje të jetuara”. Ai na ka dhënë një vepër në të cilën spikasin dy linja : burgjet e diktaturës komuniste, si shprehja më e përsosur e “luftës së klasave”, në tërë mizorinë e tyre, dhe prapaskenat e politikës s’asaj diktature në marrёdhëniet me armiqtë – miq anglo-amerikanë në më shumë se një gjysëm shekulli.

Linja e parë është shtjelluar shkëlqyeshëm. Stili i të rrëfyerit është shumë tërheqës e i kursyer, autorit nuk i pëlqen uji i tepërt dhe ai e shmang atë. Personazhet portretizohen më së miri, përshkrimi i mjediseve dhe ngjarjeve është një riprodhim i saktë e cilësor i realitetit. Përsiatjet e autorit dëshmojnë thellësi  mendimi e citatet në krye të kapitujve erudicionin e tij. Në këtë drejtim është një nga veprat më të realizuara në gjininë e saj, duke zënë një vënd të nderuar në letërsinë e mbas diktaturës. Linja e dytë rrok një problematikë tepër të ndërlikuar, pasqyron një botë të padukshme, që nuk sheh dritën e diellit, që ka për model urithin, që mbetet e panjohur për shumicën dërmuese të njerëzve. Por aq sa është larg përfytyresës  së përgjithëshme, po aq është pranë fateve t’atyre që pësojnë historinë. Libri na jep një tabllo që i ngjan një tërmeti të fuqishëm  që rrafshon gjithshka : bindje, opinione, besime, ideale, botkuptime, ideologji, parime, të vërteta të kthyera në tabu. Mbi gërmadhat e tyre, mes shumë luhatjesh, mosbesimesh, dyshimesh ngre krye një kult i ri, që është ai i mashtrimit, i hipokrizisë, që mbulojnë interesa marramendëse, leva të fuqishme që lëvizin jetë kombesh si t’ishin lodra fëmijësh e që në të folurit diplomatik merr termin “real-politikë”.

Në rastin tonë, ajo që del në dritë, simbas autorit, është një aleancë e fortë mes regjimit komunist shqiptar të Enver Hoxhës dhe demokracive të mëdha të Perëndimit, konkretisht të Anglisë dhe të SHBA, një dukuri që cik absurden, po të mbahet parasysh historia zyrtare e marrёdhënieve mes tyre, e shënuar nga një armiqësi proverbiale. Lexuesit ndahen në dy pjesë : disa, që u besojnë më shumë dogmave të antikomunizmit të sinqertë të Perëndimit, apo të tjerë besnikërisë ndaj komunizmit të Enver Hoxhës e idhtarëve të tij, më të paktë këta të fundit, e hedhin poshtë romanin si një shpikje apo delir të autorit. Të tjerë, mendoj shumica, duan të gjejnë të vërtetën. Ajo mund të jetë shumë e hidhur, por duhet pranuar si e tillë, cilado qoftë pamja e saj.

Që këtu lind kërkesa, sa e drejtë aq edhe ligjëshme, që ata që drejtojnë shtetin shqiptar të kenë kurajon e burrërinë të hapin arkivat e të nxjerrin prej tyre të vërtetën. Nuk është më e pranueshme që të gjitha sekretet e diktaturës të vazhdojnë të ruhen si të tilla, duke e mbajtur ende shoqërinë tonë robe të së shkuarës, sepse pa u zbardhur mirë e shkuara nuk mund të hidhet shikimi tërësisht në t’ardhmen. Në një demokraci të vërtetë, dyshime të tilla kaqë të rënda nuk mund të mbahen pezull në ndërgjegjen e një kombi, apo të trajtohen me logjikën e diktaturës si “trillime” të një shkrimtari apo të mikut të tij detektiv. Nëse janë të tilla Agim Hamiti apo Hamit Meli duhet të japin llogari para opinionit publik apo ligjeve të shtetit, në të kundërt dikush duhet të japë shpjegime.

Mendoj se këto shpjegime i takojnë më shumë shtresës së luftuar egërsisht nga  diktatura. Kemi jetuar gati gjysëm shekulli nëpër kampet e internimit e burgjet e komunizmit shqiptar të Enver Hoxhës, kriminelit më të madh të racës shqiptare. Kemi shpresuar tek “forcat e së mirës”, të personifikuara në përfytyresën tonë nga “bota e lirë”, nga demokracitë e Perëndimit, nga SHBA së pari. Kemi besuar në to, jemi përndjekur, jemi vrarë, jemi gjymtuar me ato bindje në mëndje, në një Vend në të cilin Perëndimi dhe sistemi i tij i demokracisë ishin “të këqijat absolute”, “varrmihësit e lirisë së popujve”, “imperializmi agresiv”, “neofashizmi”, “xhandari ndërkombëtar” e sa e sa epitete të tjera, njëri më i keq se tjetri. Mbijetuam, kufoma të gjalla, në një botë që lavdi Zotit u ndryshua me  shpejtësi, por që për ne solli pak ndryshime. Na hoqi telat me gjëmba e na dha mundësi të marrim rrugët e globit në kërkim të një jete të re, duke filluar nga zeroja. Besuam se Perëndimi i “ëndërruar” do të kishte një qëndrim më dashamirës, humanizmi i shoqërive të tij do t’ishte më bujar me plagët tona e më mikpritës ndaj shpresave tona. Qe një tjetër zhgënjim. Në pjesën më të madhe të tij, Perëndimi qe indiferent karshi nesh, i shurdhët ndaj dëshmive tona, madje shumë më mikpritës ndaj xhelatëve tanë.

Tani ky roman merr përsipër të zbulojë një realitet që, po të vërtetohet nga dokumentat, shpjegon domethënien e shumë dukurive të habitëshme. Uroj me gjithë shpirt që dokumentat t’a përgënjeshtrojnë, sepse nuk dua që ajo godinë, thellë në veten time, që ka strehuar një jetë të tërë ëndrrat,  shpresat, iluzionet në të mirën njerëzore, në botën e lirë, të kthehet në një gërmadhë që do të zinte poshtë dhe vetë qënien time. Ka 21 vjet që është botuar ky libër, por asnjë nga pyetjet që shtron nuk ka gjetur përgjigje. A ka qënë Enver Hoxha spiun i Inteligjenc Servisit deri në fund të jetës së tij ? Nëse ka qenë, si është e mundur që Anglia, demokracia më e hershme e historisë njerëzore, s’ka bërë asgjë për të zbutur instiktet e tij kriminale e për të ndihmuar sado pak shqiptarët të ndërtonin një shtet të së drejtës, pa dhunën e terrorin karakteristik të tij? A ka përgjegjësi shteti amerikan, apo ndonjë segment i rëndësishëm i tij,  për qindra antikomunistë shqiptarë, të vrarë nga Sigurimi i shtetit shqiptar këtu, apo nga “rastësitë” në vënde të ndryshme të botës? A ekziston një prirje e administratës amerikane për të favorizuar ish komunistët gjatë këtyre viteve të kalesës e si motivohet ajo? Cili është fati i oficerëve shqiptarë që punojnë në CIA dhe pse nuk kthehen në Shqipëri për t’a vënë në shërbim të Vendit të tyre përvojën e vyer?

Këto janë disa nga pyetjet që dalin nga leximi i romanit të Agim Hamitit. Nuk më duket me vënd heshtja dhe bojkotimi që i bëhet këtij libri, nuk më duket një shenj i mirë. Librat nuk bojkotohen, nuk digjen, nuk ndalohen, përvojat e tilla na kthejnë në faqet më t’errta të historisë së njerëzimit. Librat diskutohen, idetë e tyre rrihen në kuvende, në faqe gazetash, në libra të tjerë. Ato mund të miratohen ose të kundërshtohen, por nuk mund të vihen para plotoneve t’ekzekutimit. Ky është mësimi i madh që na jep leksioni i demokracisë së mirëfilltë, së bashku me trasparencën, thyerjen e tabuve, dënimin e së keqes, zbulimin e së vërtetës, asaj historike të së shkuarës, asaj të këtyre pothuaj tridhjetë viteve të mjegullta të demokracisë. Është një mësim që duhet t’a përvehtësojmë nëse duam të shkojmë përpara, duke pastruar rrugën tonë  nga “shpendërat, hithrat, ferrat” e së shkuarës, siç thonte më shumë se njëqind vjet të shkuara poeti ynë kombëtar. Këtë mision i ka vënë vetes edhe ky libër.

Eugjen Merlika

LIVADHISJA E HORRAKËVE – Nga IDRIZ ZEQIRAJ

     Fjala – livadhisje -, e cila përdoret, jo pak,  në Shqipëri, është e baras kuptimshme me fjalën -sallamadi- në Kosovë. Ajo vjen nga livadh, që njeriu ecën shpengueshëm, pa pengesa. Më dendur është përdorur nga hetuesit e lëndëve politike. P.sh. ne, shqiptarëve të Kosovës na thonin: “Jeni mësuar me livadhisur ke Titua. Ne ju vëjmë fre. Kemi hekura dhe burgje!”
 
     Sigurimsat, hetuesit, nuk kishte rëndësi çfarë arsimi kanë. I kishin mësuar 4 – 5 nene të dënimeve politike dhe kaq! Rëndësi kishte të jenë të zellshëm për dajak, kundër “armiqve të brendshëm”, “armiqëve të klasës!” Partiakët shqiptarë ishin shumë xhelozë, për lëvizjen e lirë të shqiptarëve të Kosovës, qysh në fund-vitet `60-a e këtej, në Evropë dhe botë. Akuza e gjithmonshme për regjimin jugosllav, ka qenë tradhtia ndaj rrugës staliniste.
 
     Livadhisja e horrakëve në Facebok, portale e medie tjera, është bërë shqetësuese. Në të shumtën e rasteve shkrimet e horrakëve priten në heshtje, qofshin ato edhe gjuhë-gjarpër, shantazhuese, kërcënuese, shpifëse e moralizuese, edhe pse janë larg të qenit të moralshëm.
 
      1) Është kërcënimi i dytë i radhës që Gani Koci bënë për akademik Jusuf Buxhovin, për intervistat e tij, lidhur me Luftën e Kosovës dhe “komandantët” e saj. Në emisionin “Reprizë”, Profesor Buxhovi ishte i drejtëpërdrejtë se disa komandantë vranë në emër të UÇK-së, burrat dhe djemtë luftëtarë të përzgjedhur, pëfshirë edhe ministrin e luftës, Kolonel Ahmet Krasniqin. Dhe, tani, për krimet e tyre makabre, akuzojnë Gjykatën Speciale, se “po dënon UÇK-në!” Broçkulla e pisllëqe!

     Gazetarja e pyet Profesor Buxhovin të japë opinion për veprimet e Hashim Thaçit, si president i vendit? Dhe, Buxhovi është i prerë, pa ekuivoke,  se “Presidenti Thaçi vuri në mëdyshje pavarësinë , shtetësinë e Kosovës, me gadishmërinë e tij për korrigjimin e kufinjëve. Këto janë pazare të dyshimta, duke qenë edhe nën frikën e Gjykatës Speciale”. Dhe, pyetjes se me cilën figurë historike shqiptare e krahason? Profesori, me bindjen e plotë, thotë “me Esat Pashë Toptanin, veçse shkon përtej tij, për rrethanat e sotme”. 
 
     Deputetët e LDK-së, me aleatë, të viteve 90-a, por, edhe dëshmitarë të tjerë okularë, thonë se Gani Koci, me skuadrën e tij kriminale, i dajakosi ata, duke qenë durlidhur. Dhe, vetëm rastësia, ndërhyrja e shpejtë e ndërkombëtarëve, i shpëtoi nga ekzekutimi. Kjo shënon sabotimin faktik të luftës, si metodë parësore e pushtuesit serbo-sllav, për ta përçarë faktorin politik dhe ushtarak të Kosovës. 
 
     Kërcënime të ngjashme, si të Gani Kocit, kanë bërë edhe “komandantët”, para se t`i ekzekutonin kuadrot e LDK-së dhe ushtarakët e FARK-ut të Ibrahim Rugovës.
 
 
     2) Humbja e skuadrës përfaqësuese të Kosovës, me përfaqësuesen angleze, u kompensua nga loja korrekte dhe pritja fort miqësore, e bërë për ekipin dhe fansat britanikë në Prishtinë. Mediet shkrimore dhe vizive në botë, e pasqyruan mikpritjen shqiptare, si krejt të veçantë në hapësirat ballkanike dhe evropiane.
 
     Këtë mikpritje, sa të natyrshme, aq edhe të veçantë, provoi ta njollosë çika llapjane, mbesë e një familje emërmirë të Drenicës, përkatësisht, Radishevës historike, Vlorë Çitaku, tani, ambasadore e Republikës të Kosovës, në SHBA. Namuzlesha Vlorë e quan “pritje të turpshme”, atë rrjesht vajzash engjëllore, me lule në duar, për t`ua dhuruar djemëve sportistë të Anglisë mike. Ka mjaftuar reagimi i vrazhdët i ambasadorës Çitaku, për të shpërthyer horrakët në Facebook-ët e tyre, si: “sportistët, bashkë me lulet, t`i marrin edhe vajzat në motel, ndoshta ua japin nga 50 euro” dhe rrugaçërira të tjera të ngjashme.
 
     Reagimi i diplomatës ishte më së paku diplomatik. Sepse, me nguti dhe papjekuri qumështore, shkel mbi një traditë të hershme dardane, të trashëguar dhe të ruajtur, madje, me fanatizëm, deri sot dhe kësaj dite.
 
     Ajo që e rëndon më shumë ambasadorën Çitaku, është fenomeni i harresës historike! Vetëm 21 vjet më parë kryeministri Tony Blear, në emër të Mbretërisë së Bashkuar, ishte dora e djathtë e presedentit amerikan, Bill Clinton, në vendimin për të ndërhyrë ushtarakisht me  forcat e NATO-s. Në vitin 1999, kur Clinton dhe disa shtete evropiane, po hamendëshin, nëse duhej vazhduar apo ndërprerë sulmet ajrore, mbi caqet vitale në Serbi, Mal të Zi dhe Kosovë, përfshirë edhe logjistikën serbe, në Ambasadën kineze në Beograd, ishte Tony Blear, ai që “hodhi bombën”: “Jam gadi të marshoj në Kosovë me 300 mijë ushtarë këmbësorë të Mbretërisë Britanike. Për vazhdimin e bombardimeve ngulmonte edhe gjenerali  Wesli Clark.
 
     Javën e shkuar Ambadsada e Britanisë dhe Institucionet e Kosovës, përkujtuan ushtarët britanikë, të rënë në Kosovë. Nëse hyrja e trupave britanike do të bëhej tokësore, vetëkuptohet se numri i ushtarëve të vrarë, do të ishte i shumtë. A thua ambasadorja, Vlorë Çitaku, nuk ishte në dijeni të këtij përkushtimi sublim të Qeverisë dhe Ushtrisë angleze?!? Atëherë, mos vallë, pritja e sportistëve ishte e tepërt, madje, “e turpshme”, qysh e cilëson, fatalisht e marrëzisht, ambasadorja jonë – par ekselance – në shtetin e parë botëror?! 
 
     Opinioni gjithëshqiptar është shokuar nga deklarata skandaloze e ambasadorës Vlorë Çitaku. Prandaj, është logjike dhe në kulturën diplomatike, që ambasadorja të bëjë një kërkim-falje publike. Kjo do të na lehtësonte, jo vetëm si Kosovë, por edhe si komb, që të mos e marrim damkën e bukëshkalit. Përkundrazi, duhet të jemi mirënjohës, karshi miqëve tanë çlirimtarë faktik. “Bukëshkalët i urrej po aq sa edhe armiqtë”,- thoshte gjenerali freng Napoleon.
 

3) Thonë se inati është ves, kryesisht, i njerëzve të pa shkolluar, të pa emancipuar. Por, ta kenë këtë ves aq të fortë intelektualët, deri edhe akademikët, nuk e kam besuar. Këto ditë ishte në një emision Profesor Agim Vinca, bashkë-student me Ibrahim Rugovën. Gazetari, jo rastësidht, i bëri pyetjen se si ishin marrëdhëniet e tij me Ibrahim Rugovën? Profesor Vinca u përgjigj “normale”.

     Realisht, si shok klase me Rugovën dhe si mik i rinisë, e di mirëfilli se marrëdhëniet Vinca-Rugova, nuk kanë qenë fare të mira, madje, deri në polemika publike, në shtypin e kohës. Ibrahim Rugova, duke qenë në drejtim të shtypit studentor, afroi si bashkëpunëtorë: Eqrem Bashën nga Dibra, Rexhep Ismajlin nga Presheva, Hajrullah Kololiqin nga Kraja (Ulqin), Sabri Hamitin nga Llapi dhe të tjerë, por, jo edhe Agim Vincën.
 
     Dhe, në rrjedhë të emisionit, njësoj si kipsi i tij akademik, shfryu inatin, pezmin kundë Presidentit Ibrahim Rugova. Përjashto dy-tri vitet e para të viteve `90-a, gjithëçka tjetër e nxiu. “E poshtëroi Kosovën, bëri zgjedhjet në prag të luftës, nuk shkoi në Qirez, Likoshan, Prekaz, e quajti UÇK-në dorë e zgjatur të Serbisë!” Të gjitha këto akuza, të halabakëve të LPK-së, disa nga krerët e së cilës kanë qenë dhe mbetën dorë e zgjatur të Serbisë, janë demantuar bindshëm dhe me fakte të bollshme. 
 
     Ishin këta “kumandarë”, që sot akuzohen për vrasjen e luftëbërësve shqiptarë, qofshin ata kundërshtarë politikë, qoftë edhe brenda llojit, për rivalitet në karrierë, të cilët imponuan zgjedhjet në atë kohë, sepse e kontestonin Presidentin Rugova, për skadim të afatit presidencial. Dhe, me zgjedhje plebishitare, me votim nga populli, u provua ligjshmëria e tij e mëtejme. Për viktimat masive në Drenicë, Presidenti Rugova shpalli zinë kombëtare. Vizita ishte krejtësisht e pamundur, për shkaqe sigurie. Janë “komandantët” e LPK-së, tani, të PAN-it kriminal, që donin kokën e Rugovës, duke e shenjëstruar, madje, me armë të rënda, në Rezidencën e tij, në rrugët e Prishtinës. Gani Koci me komandantët e tij, e paralajmëronte Presidentin Rugova se “po kalojë “Kronin e Mbetit”, do ta gjuajmë me top, sepse vizita e tij në Prekaz, është rivrasje e Adem Jasharit!”
 
     Hafijet e hershëm dhe të vonshëm të UDB-së, pasi kishin siguruar vetën dhe familjet e tyre, në Evropë, kërkonin ta fusnin Kosovën në luftë, kur ajo ishte ende e papërgaditur dhe pa mbështetjen e duhur ndërkombëtare, gjë që do të ishte fatale për Kosovën dhe popullin e saj. Edhe personalitete të njohura, si Dr. Sali Berisha, Dritëro Agolli, Ismail Kadare e ndoca të tjerë, kanë pasur vërejtje për “rezistencën paqërore të Rugovës, për shkollimin e fëmijëve të Kosovës në podrume” e tjera. Por, ata, të gjithë, patën burrërinë dhe intelektualitetin, ta pranojnë se “gabuam që kritikuam Rugovën, sepse e drejta ishte në anën e Tij” dhe kërkuan falje publike. Për më shumë, shkrimtari socialist, Dritero Agolli, deklaronte se Unë me Sadijen time kemi hapur – Të pame -, për shuarjen fizike të mikut tonë, të madhit Rugovë dhe po presim njerëzit për ngushëllime. 
 
Merrni mësim nga mendjendriturit, o qyqarë e zuzarë profanë e provincialë, inatçinj të papërmirësueshëm të shekullit digjital!

Ne i premtuam njëri-tjetrit vëllazëri nën lisin e vjetër, duke prerë gishtat e njëri-tjetrit me thikën ushtarake që bartnim në rrip, dhe duke përzier gjakun

Nga Aurel Dasareti, USA, ekspert i shkencave ushtarake-psikologjike (dasaretiaurel@yahoo.com.au)

Fëmijët që qajnë, pleqtë që vuajnë nga pafuqia, gratë e masakruara në diellin e fundit të ditës së vdekjes. Mpiksjet e gjakut në rrokjen brutale të ngricës. Kurrë nuk do të harrohet gjaku i viktimave. I atyre që vuajtën më shumë në gjenocidin e fundit të kryer nga forca barbare.

“Nuk është kujtimi i së kaluarës që na bën të mençur, por përgjegjësia  për të ardhmen”, – George Bernard Shaw

***

Kjo që shihnim në TV tre vite me radhë i bëri njerëzit normal të çmendeshin nga zemërimi. Gjak. Dhunë. Vend pas vendi. Viktimat e ndryshme. Xhelati i njëjtë. Bota më afër ngjarjeve që i thotë vetes civilizuese, nuk reagon kundër barbarizmit, rrënohet. Menduam.

Prindërit më lutën të mos largohem. Viti 1994, 17 vjeçar. U premtova se do kthehem. E kam përjetuar më parë: lëvorja e vogël që përpiqet të shkrijë akullin në mua, shuhet.

**

Më në fund, e dëgjoj: tingullin e “mrekullueshëm” të të shtënave me armë! Dhe, a nuk bërtet dikush? Dridhjet në mua. Unë eci më shpejt përmes drurëve të pyllit, dua të vrapojë, por nuk mundem. Duket se këmbët e mia nuk kanë fuqi. Por dëshira e zgjuar në mua nga zhurma e ulërimave, madje mbyt urinë. Një zë i dobët mundohet të më paralajmërojë. E dëgjoj. Dëshira për të mbijetuar fiton kudo.

Një rrafshinë me bar hapet para meje. Tingulli merr më shumë zë. Disa ushtarë ulërijnë. Aty janë, ata! Vëllezërit e fushëbetejës.

Një tufë e vogël e zemëruar, siç isha edhe unë. Ata vijnë duke sulmuar poshtë kodrës. Rreth meje, ka më shumë si unë, që dëshirojmë të ndihmojmë viktimat e gjakatarëve, prandaj me dashje shkojnë kundër britmave të të rinjve vendës që me ato armatime të dobëta përpiqen të mbrojnë veten dhe të afërmit nga kriminelët e luftës.

***

Të shtëna të pamëshirshme. Flakët dhe tymi. Dhe tinguj trishtimi të vendësve të dëshpëruar që luftojnë për jetën. Nuk mund të qëndroja më. U përpoqa të mbylli gjithçka nga ndjenjat, ndërsa mbaja krahët rreth vetes sikur të ishin një mur që mund të fshihesha pas. Befas, gjithçka u qetësua.

Dridhesha, me gjithë nxehtësinë e verës dhe të valëve nga pylli.

Shikova përsëri drejt pyllit. Shtatë miqtë e mi kishin vrapuar mbrapa drejt të shtënave për të shpëtuar ata që kishin mbetur. Dhe pastaj erdhën këto britma. Diçka e tmerrshme kishte ndodhur brenda… Vendosa, rroka pushkën, hyra në pyll. U ribashkova me  vëllezërit e fushëbetejës. Kjo nuk ishte më shkollë, por realitet.

Disa minuta para fillimit të betejës (përvoja jonë e parë e luftës). Ne të tetë u ulëm këmbëkryq, në një rreth.

Ne i premtuam njëri-tjetrit vëllazëri nën lisin e vjetër duke prerë gishtat e njëri-tjetrit me thikën ushtarake që bartnim në rrip, dhe duke përzier gjakun. Të gjitha dallimet, në klasë, gradë, vendndodhje dhe fe, u mposhtën në atë momentin e ndjenjës së stuhishme të vëllazërimit.

***

Pak para mesnatës. Ne qëndruam në pozicionin fillestar të frontit duke pritur të sulmojmë.

Divizioni kishte ndryshuar rendin e tij nga mesdita. Tani jo vetëm dy njësi duhet të depërtojnë përpara për zbulimin dhe “pastrimin” e terrenit, por të katër kompanitë, të ndara në dhjetë ekipe luftarake të pavarura.

“Asnjë nuk i shpëton gjallë këtij aksioni”, – kishte thënë koloneli, duke tundur kokën.

Shoku im i fëmijërisë e përgatiste me nervozizëm mitralozin e tij, një MG 42, armën me shpejtësi marramendëse gjuajtjeje.

“Në fund të fundit, ndjehesh mirë pas kësaj bishe,” –  më tha ai, duke fryrë një kokërr pluhur nga kyçi.

“Jo aq keq kur e ke këtë armë edhe pse i gjithë terreni është plot me armiq”, – vazhdoi ai.

“ Më mirë për ty të zbresësh me këmbët në tokë. Ne mund të flasim për këtë pas gjashtë-shtatë orëve, nëse jetojmë”, – i murmurita unë atij.

Të gjithë (bashkë me luftëtarët vendës) kemi veshur kostume kamuflazhi, nga përkrenare tek çizmet. Dukeshim si astronautë. Një numër pafundësisht i gjatë dhe i barabartë, të armatosur deri në dhëmbë.

“Mbetën tridhjetë sekonda”, mërmëriti togeri, duke qëndruar në mes të “Legjionarit” dhe shokut tim, me pushkën automatike mbi supe dhe kronometrin në dorë. “Përpara!”, –  urdhëroi ai, dhe ne si macet u zvarritëm sipër buzës së llogoreve.

Shtresa pas shtresës u zhduk mbi skajin e llogores për gjuajtje dhe u shfaq në errësirë.

Një zjarr i shkurtër, forcë e jashtëzakonshme artilerie gjëmoi në seksionin fqinj, për të mashtruar armikun.

“Kini kujdes nga hedhurinat”, – paralajmëroi “Vëllai Vogël”. “Këtu ka mina. Mund të nuhas erën më të rëndë në dhjetë metra distancë!” Ai u zvarrit para ekipit dhe na udhëzoi përmes fushës së dendur të minave. “Përpara heronj!  Ndiqni Vëllain e Vogël!”

Pa u përballur me një rezistencë të madhe, depërtuam nëpër vijën e përparme të frontit dhe erdhëm te një fshat gjashtë kilometra pas vijës së frontit, pas shpinës së armikut.

Ishte shoku i fëmijërisë që zbuloi për herë të parë tanket armike të  kamufluara me mjeshtëri…

Me togerin dhe ndihmësin e tij në krye, sulmuam pa pushim nëpër pyje. Me një instinkt të sigurt, ata na çuan nëpër shtigjet e ngushta të kënetës, të cilat shpesh shtriheshin nën ujë.

Mezi sapo kishim arritur në terrenin e hapur, kur katër llamba dritash jeshile u ngritën dhe e kthyen natën në një sallë fantazmë. Fytyrat tona morën një nuancë vdekjeprurëse. Ne shpejt e hodhëm veten në strehim. Sikur një dorë e padukshme të kishte shtypur një buton, papritmas gjithçka rreth nesh ishte gjallë. Zhurmat e fishkëllimës komanduese u dëgjuan nga errësira, dhe ajri u tërhoq nga ulërima dhe bubullima i dhjetëra motorëve. Tanke të rënda armike shkaktuan një lëkundje të fortë dhe toka poshtë nesh u drodh nga artileria e motorizuar që gjëmonte përpara në vijë sulmi.

“Çfarë duhet të bëjmë?” – U ankua njëri prej shokëve, dhe shikoi drejtë tingujve murmuritjeje brenda pyllit.

“Thjesht duhet të qëndrosh mjaft i qetë dhe të numërosh yjet”, u përgjigj “Legjionari”, – “dhe më pas të na ndjekësh kur ne tjerët largohemi nga këtu”.

“Ju vendosni vetë kur do të largoheni prej këtu”, tha Vëllai Vogël, – “por unë largohem tani, sepse për pak kohë do të shfaqet këmbësoria armike, dhe atëherë është një goditje në kokë. Nuk mund të mbetem me ju, sepse i kam premtuar nënës që do të kthehem gjallë në shtëpi”.

“Ku e din ti se po vijnë këmbësoria?”, – pyeti Martini me dyshim.

“Gjysmë ushtari”, ia ktheu Vëllai. “Ti dhe shokët  e tu  keni ende shumë për të mësuar, gjimnazi ushtarak nuk mjafton, akoma nuk e keni kryer akademinë dhe as që keni përvojë pune. Pas tankeve vijnë zakonisht këmbësoria, ata janë shumë më tepër se ne, dhe nëse na gjejnë këtu, ti do të harrosh të bëhesh hero”.

“Atëherë Zoti na mëshiroftë”, vazhdoi Bamir.

“Aty i kemi ata”, – pëshpëriti Petriti, dhe drejtoi gishtin drejt skajit të pyllit.

Nga pylli u shfaqën një numër i madh figurash në një kolonë të vetme. Këmbësoria armike. Drita plumbash u ngritën në qiellin e natës. Kriminelët zhurmonin si qentë e çmendur: “Uharaaeee, për…!” Ndërsa qëllonin egërsisht drejt nesh, megjithëse nuk na shihnin.

Ne nuk ngelëm me duart kryq. “Psssttt, mos gjuani deri sa të jap urdhrin, le të afrohen 10-15 metra para jush”- komandoi togeri me zë të ulët. Ushtarët të shtrirë në pozicionin fillestar, i përcillnin urdhrin fqinjit (njëri-tjetrit)…

Përtypja e vdekur metalike e mitralozit bëri jehonë në heshtjen e ftohtë…

Gjithçka u zgjua në një ferr të tmerrshëm. Granata të të gjitha kalibrave të lëruara në tokë…

***

Kur fjalët u zhdukën, sidoqoftë ishin disa që i gjetën – fjalët që ngushëllonin,  fjalët që frymëzuan,  fjalët që jepnin shpresë. Kur guximi dështoi, ishin akoma disa që guxuan. Kur lotët rridhnin, kishte nga ata që i mbanin të vetët, dhe më me dëshirë i fshinin ato të mikut…

***

PS: Fragmente nga ditari im luftarak: “Dera e pestë e ferrit”, qershor 1994. 

Stalini, Ruzvelti dhe Çërçilli do t’i kritikonin Isën dhe Albinin për mosgjetjen e kompromisit politik – Nga Prof.Dr.Mehdi HYSENI

Barometri diplomatik

 

  *** Charles de Gaulle : “ Liderë politikë të aftë janë ata, që dinë dhe kanë sens largpamës për ta  nuhatur me kohë dhe pa pasoja minutën e fundit, se kur duhet ikur nga posti drejtues i një shteti a partie politike”.

Mirëpo, kjo maksimë vizionare e ish-gjeneralit, e ish-shpëtimtarit dhe e ish-Presidentit të Francës, Charles de Gaulle,  nuk vlen për liderët dhe për udhëheqësit e sotëm politikë shqiptarë, sepse ata me gjithë dështimet e tyre politike të derisotme (1990-2019), nuk ka ndodhur që ndonjëri prej tyre të japë dorëheqje apo vullnetarisht, të mos jetë në krye të shtetit apo të ndonjë partie, por në çdo formë (madje edhe duke manipuluar me vota të zgjedhësve) kanë luftuar dhe luftojnë, që të mos i braktisin kolltukët e butë qoftë edhe pas 30, 20 apo 10 vite “stash” (mandate) në të njëjtat poste dhe pozita  politike në pushtet a në partitë e tyre.

Ja, ky është  “sensi vizionar” i humanizmit, i etikës, i drejtësisë, i demokracisë dhe i “patriotizmit kushtetues” të tyre.

Mirëpo, liderët e deritashëm shqiptarë me  30, 20 a 10  vjet stazh politik dictatorial antidemokratik dhe antipopullor, duhet të dine se në çdo sistem demokratik të mirëfilltë, mund të ushtrohen 2 mandate qoftë si president, qoftë si kryeministër shteti a partie, por jo 30, 20, 10,  si kryetari i përjetshëm , sikur që dikur  ishte diktatori Josip B. Tito, i zgjedhur nga parlamenti i RSFJ-së, më 16 maj i vitit 1974,  i cili, sipas gazetës britanike “Daily Mail”,  ishte  figurë politike kontraverze  “sikurse diktatorët e egër, Mao Ce Dun, Stalin, Kim Il Sung, Idi Amin, mbase ndër të tjera mbante përgjegjësi edhe për vdekjen e 570.000 mijë kundërshtarëve politikë , gjatë sundimit  të tij diktatorial 35-vjeçar” në RSFJ (1945-1980).

Turp  dhe padituri e pajusitifikueshme politike, plot 2 muaj, Isa e Albini nuk arrit֝n një marrëveshje politike ndërpartiake për formimin e qeverisë së koalicionit, kurse Ruzvelti, Çërçilli dhe Stalini për 11 ditë arritën Marrëveshjen ndërshtetërore  në Konferencën e Jaltës (4 -11 shkurt 1945).

 Lerni të rinjtë e ditur ta drejtojnë Kosovën !

 

– Të mos mbijetojnë dhe, të mos përsëriten recidivat e politikës  antiemokratike të Jugosllavisë së Titos dhe të Slobodan Milosheviqit, sepse Kosova  qe 20 vjet nuk është më as Jugosllavi e as Serbi, por Shqipëri, që duhet të qeveriset nga gjenerata e re-djemë e vajza, që e meritojnë dhe i plotësojnë kushtet të jenë në krye të shtetit dhe të politikës së Kosovës. Kjo është shpresa, investimi më i mire, më i qëlluar, si dhe garancia më e sigurt dhe më e çmueshme për mbrojtjen dhe ruajtjen e vlerave të lirisë, të pavarësisë, të drejtësisë, të barazisë, të zhvillimit , të demokratizimit , të stabilizimit, të paqes dhe të sigurisë së Republikës së Kosovës shqiptare.

Pra, dallaveregjinjtë, korrupcionistët dhe shfrytëzuesit të pamëshirshëm të popullit  të Kosovës dhe të Shqipërisë, tanimë,   do të duhej të kishin kuptuar se ka ardhur koha që të iknin nga politika, sepse të qëndrosh në pushtet ose në krye të një partie me nga 30, 20 ose 10 vjet, ajo nuk quhet drejtësi e as kurrfarë demokracie, por  diktaturë, autoritarizëm, absolutizëm, burokratizëm dhe nepotizëm i zhveshur  antihuman, antidemokratik dhe antipopullor.

Don Kishotët dhe Sanço Pançot-kulltukofagët e  etur dhe të  pangopshëm  për sundim aboslut dhe për pasuri enorme vetëm për “kopet” e veta, duhet kuptuar se, një shteti a një kombi nuk i vjen e mira, as kurrfarë prosperiteti nëse në ballë të tyre qëndrojnë  me dekada liderët e  tyre të sëmurë për pushtet, për karrierë dhe për pasuri të pangopshme në kurrizin e popullit dhe të shtetit. Ky soj i liderëve politikë, deri tani, i parë në hapësirat e Shqipërisë Etnike në Ballkan (1990-2019), fatkeqësisht të përkujton paradigmën negative të liderëve politikë  të sistemeve diktatoriale komuniste dhe imperialiste, të cilët kanë sunduar me mandate të pakufizuara e në raste të caktuara, edhe  në kohëzgjatje të përjetshme. Mirëpo, shembujt e tillë negativë nuk kanë të bëjnë fare me etikën politike, me humanizmin, me demorkacinë e as me drejtësinë, por vetëm me diktaturën,  me autoritazimin  dhe me  absolutizimin etj.

Në çdo sistem demokratik të mirëfilltë, mund t’i ushtrosh dy mandate qoftë si president, qoftë si kryeministër shteti a partie, por jo 5 ose 6… etj., si kryetari i përjetshëm , ashtu siç ishte edhe  diktatori Josip B. Tito, i zgjedhur nga parlamenti i RSFJ-së, më 16 maj i vitit 1974,  i cili, sipas gazetës britanike “Daily Mail”,  ishte  figurë politike me hipotekë të lartë antidemokratike  “sikurse diktatorët e egër, Mao Ce Dun, Stalin, Kim Il Sung, Idi Amin, mbase ndër të tjera mbante përgjegjësi edhe për vdekjen e 570.000 mijë kundërshtarëve politikë , gjatë sundimit  të tij diktatorial 35-vjeçar” në RSFJ (1945-1980).

 

       Dy muaj debatim për të formuar një koalicion qeveritar ?!

-Çfarë debatimi politik është ai, kur dy parti të një populli dhe të një shteti  me një interes të përbshkët kombëtar dhe shtetër,  qe 2 muaj  rresht nuk kanë qenë në gjendje që të arrijnë kompromis-gjuhë të përbashkët politike për formimin e koalicionit qeverisës të vendit?!

 

Kjo farë maratone  e pazarit politik (ndoshta) nuk do të kishte pasur “bishtin” kaq të gjatë, jo më pak se 2 muaj, sikur të mos ishte  plaku i rryer në politikë, Isa Mustafa, i cili qe 2 muaj ditë rresht nuk po bie dakord me Albin Kurtin, kur është fjala për “rezervimin” e postit të presidentit dhe të zgjedhjes së ministrive që  i do partia e tij, siç është Ministria e Punëve të Brendshme. Këmbëngulja për kapjen e kësaj ministrie nga LDK-ja, nuk është e çuditshme dhe fare absurde, sepse, po shihet që në start (pa formuar qeverinë e koalicionit), nëse kjo Ministri, do t’i kalonte Lëvizjes Vetëvendosje ( gjatë  qeverisjes koalicioniste), do  të mund të shfaqeshin rezerva dhe pengesa serioze, për të mos thënë edhe sabotime nga LDK-ja (sepse ndoshta dikush nga kjo parti ndihet nën hipotekën e krimit dhe të korrupsionit. Ndryshe, Isa nuk do të kërkonte me çdo kusht Ministrinë e Punëve të Brendshme), gjatë procesit të zhvillimit të reformave serioze të sistemit të drejtës, kur është fjala për luftimin e fenomenit të korrupsionit, të krimit, të nepotizmit, të burokratizimit, të oligarkizmit dhe të pasurimit të paligjshëm etj.

Sa më sipër,  Isa Mustafa me grupin e tij “negociues” për formimin e qeverisë së koalicionit me LV-në e Albin Kurtit, urgjentisht, do të duhej të  bënte kompromis me Albin Kurtin, jo ta ka kushtëzonin  qoftë me “rezervimin” e postit të Presidentit të Kosovës, qoftë me zgjedhjen e ndonjë ministrie, siç është rasti me Ministrinë e Punëve të Brendshme, sepse kjo i takon vetëm Lëvizjes Vetëvendosje, sepse kjo zgjedh e para, mbase edhe  e para ka dale fituese e zgjdhjeve parlamentare të Kosovës, më 6 tetor 2019.

 Pa asnjë ofendim, Isa si plak me përvojë të gjatë në politikë dhe në pushtet, duhet të dijë se, partia e tij, doli e dyta si fituese në zgjedhjet e theksuara, prandaj, e dyta edhe propozon dhe zgjedh se cilat ministri  dëshiiron t’i drejtojë në qeverinë e koalicionit. Në këtë kontekst, nuk mund të ketë kurrfarë kushtëzimi e as ultimatumi politik  për Lëvizjen Vetëvendosje, sepse kjo ka prioritet në zgjedhjen e ministrive dhe të posteve.

Gjithashtu,  kryetari i LDK-së, Isa Mustafa nuk ka të drejtë ligjore, as kushtetuese e as demokratike, që me nga 2 muaj, t’i zvarrisë “neogociatat” me Albin Kurtin, duke e kërkuar postin e Presidentit për LDK-në, sepse kjo çështje (as ligjërisht e as me Kushtetutë) nuk mund të jetë objekti debate mes Isës dhe Albinit, kur dihet se  edhe 2 vjet të ardhshme (2022) Kosova ka presidentin e saj, të quajtur Hashim Thaçi. – Andaj, logjikisht, morlaisht dhe ligjërisht, si mund të diskutohet posti i presidentit, kur ai është gjallë, shëndoshë e mirë, duke kryer detyrat dhe obligimet e vetaj të përditshme në vendin e punës?!

-Ky është nonsens politik, etik, ligjor, kushtetues dhe demokratik, , sepse posti i Presidentit nuk është bosh.?!  -Ky post mund të jetë i debatueshëm vetëm pasi t’i ketë kaluar mandati presidencial Hashim Thaçit, ashtu siç parashikon Kushtetuta e Republikës së Kosovës, jo siç do Isa Mustafa, Vjosa Osmani dhe Lutfi Haziri etj., sepse, eventualisht, qoftë edhe e shkruar, ajo marrëveshje politike  me LV-në, de fakto, de jure dhe sipas Kushtetutës, do të ishte vetëm një zero e madhe në akull, asgjë më pak e as më shumë.

 –Edhe pse dikur, lidhja e një marrëveshjeje të tillë për interes të ngushta politike të Isa Mustafës, që ai me çdo kusht  të bëhej kryeministër i qeverisë dhe i Hashim Thaçit, që të bëhej president i Kosovës, qe konkretizuar dhe bërë realitet, jo pse ishte në frymën e Kushtetutës dhe të parimit demokratik, por, pse në atë kohë, posti i presidentit  nuk ishte i plotësuar, nuk ishte sikurse sot rasti i postit të Hashim Thaçit, i cili objektivisht, ligjërisht dhe juridikisht nuk mund të jetë “temë” diskutimi dhe kompromisi politik mes  LDK-së dhe VV-së për të formuar qeverinë e re, e cila nuk ka të bëjë asgjë me postin e presidentit aktual të Kosovës, Hashim Thaçi. Prandaj, sado dhe, sido që të prononcohen partnerët aktualë për formimin e qeverisë së koalicionit, duhet ditur se, në asnjë formë nuk është kurrfarë “arre në fyt” posti  i presidentit, sepse ligjërisht është krejtësisht e qartë, ndërkaq, politikisht, është “dëshirë-fontanë” e Isa Mustafës, që edhe ky  ta shijojë atë post presidencial  sipas marrëveshjes së dikurshme  me Hashim Thaçin, vetëm për të mos  lëshuar prej dore frenat e pushtetit. Mirëpo, tash, rrethanat politike kanë ndryshuar, nuk do të pi ujë  një “alleshverish”  i tillë Isa-Thaçi, natyrisht, nëse Albin Kurti  nuk “viktimizohet” politikisht nga  Isa Mustafa,  i cili ka meritat kryesore, që sot Hashim Thaçi është president i Kosovës. Ndryshe, sikur të mos ishte  Isa Mustafa, Thaçi kurrë nuk do të arinte që të bëhej president i Kosovës.

 Për më tepër , lakimi i postit të presidentit për  “dallavere”  të arritjes së ndonjë kompromisi politik mes “negociatorëve”  për formimin e qeverisë së koalicionit, nuk ka kurrfarë baze juridike dhe kushtetuese, është plotësisht i gabueshëm, sepse i gjithë “mileti” e di se më 6 tetor 2019, nuk ka pasur zgjedhje presidenciale në Kosovë, por vetëm zgjedhje parlamentare  për  formimin e qeverisë dhe të kuvendit të Kosovës.

Në fund, një pyetje shqetësue, si  është e mundur që dy kryeliderë politikë shqiptarë  (Isa Mustafa  i LDK-së dhe Albin Kurti i VV-së), pasi fituan zgjedhjet parlamentare më 6 tetor 2019, qe  2 muaj janë duke debauar, dhe nuk po mund të bijnë në ujdi për formimin e qeverisë së koalicionit ?

-Çfarë nonsensi dhe paradoksi politik ky, edhe për shqiptarët, edhe për Evropën, edhe për botën, se sa dhe, si e duam ne interesin e përgjithshëm të kombit dhe të shtetit, së pari, duke vënë në plan të parë interesin personal karrierisit (kolltukun) dhe partiak, JO  interesin e përgjithshëm të kombit dhe të shtetit. Ndryshe,   qe 2 muaj, nuk do të zvarriteshin “negociatat” ndërpartiake për formimin e qeverisë së koalicionit ndërmjet VV-së dhe LDK-së.

Për të hedhur poshtë  këtë shembull  negativ politik provincialist shqiptar-shqiptar , po përmendim vetëm këtë  shembull pozitiv nga hisotria e marrëdhënieve ndërkombëtare: -Joseph Stalin (BRSS), Franklin D. Roosevelt (SHBA) dhe Winston Churchill (Britania e Madhe), tre kryeliderë të shteteve të ndryshme  të botës, në Konferencën ndërkombëtare të Jaltës, ia arritën që për 11 ditë (4-11 shkurt 1945), ta lidhin Marrëveshjen e përbashkët për rregullimin  e rendit të ri botëror pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.

Pra, të mësojmë dhe të edukohemi nga shembujt e tillë positive të praktikës së marrëdhënieve ndërkombëtare, se ç’është interesi dhe vlera e kompromisit, e tolerancës, e mirëkuptimit dhe e  mirëbesimit si në kuptimin e ngushtë, ashtu edhe në atë gjerë. Kjo, ipso facto , është edhe domethënia e filozofisë së jetës.

Besimi i tepruar në parajsë sjell ferrin në tokë – Nga Aurel Dasareti*

 

Mosmarrëveshje e madhe për asgjë. Cili është qëllimi për të folur për asgjë, apo nëse asgjë nuk është me të vërtetë diçka? Debati fetar është kryesisht për asgjë. Kuptimi ekziston vetëm në përvojën tonë të botës, por cilat janë pasojat e kësaj nëse nuk besojmë në përmbajtjen e përvojës?

***

Në shumë fe, parajsa është një vend ku banojnë perënditë dhe qeniet e mbinatyrshme. Disa fe, të tilla si Judaizmi, Krishterimi dhe Islami, kanë zhvilluar gjithashtu besimin se parajsa është një vend i bukur dhe i begatshëm ku jetojnë të lumtur shpirtrat e të vdekurve, që në të gjallë nuk kanë bërë mëkate. Një lloj kopshti i Edenit. Qielli pastaj bëhet kundërshtari i vendit ku njerëz të këqij (siç janë shumë këlysh shqipfolës politik-bërës dhe pseudo-fetarë) do të torturohen pas vdekjes, ferr.

***

Përfytyrimi (mendimi i caktuar) i një jete të lumtur pas vdekjes nuk është vetëm i mirë. Sidomos kur shihni se sa vepra mizore janë justifikuar në besimin e një jete në botën tjetër. Prandaj, besimi i tepruar (që i kalon kufijtë) në një jetë pas vdekjes është diçka që ne mund ta bënim me sukses pa të.

Çfarë është feja? Dikush mund të mendojë se një lëndë (veprimtari, dije, lëmi profesionale) që e quan veten shkencë fetare kishte një përgjigje të thjeshtë për këtë pyetje, por kurrë nuk e bëri. Pse është kështu? Gjatë dy shekujve të fundit, shumë sende të ndryshme janë quajtur “fe”. Qysh në fillim të shekullit të 20-të mund të renditen më shumë se njëqind përgjigje të ndryshme për këtë. Nëse pyetni njerëz në rrugë, do të merrni gjithashtu një listë të gjatë të shoqatave të ndryshme, përfshirë midisin e dijetarëve fetarë.

Shumëllojshmëria (një mori idesh). Ka edhe më shumë konsiderata që e bëjnë sfiduese përgjigjen e kësaj pyetjeje. Nëse shikojmë historinë e fesë, gjejmë një larmi të madhe. Jo vetëm midis, por edhe brenda secilës nga ato që shpesh i quajmë “fe”. Le ta marrim si shembull “Krishterimin”. Mund të ndahet midis drejtimeve të Katolicizmit dhe Protestantizmit. Edhe pse do të gjeni shumë ngjashmëri, siç është besimi në Jezusin e Nazaretit si Biri i Zotit, ekzistojnë gjithashtu shumë dallime, përfshirë atë që do të thotë “Biri i Zotit”. Apo “Islamin”, Sunitët dhe Shiitët.

Pasojat. Një arsye e rëndësishme pse është sfiduese (qëndrim përballues) të përgjigjemi se çfarë është feja, është sepse mënyra se si dikush përgjigjet ka pasoja.

Shoqatat. Me fjalë të tjera, nuk janë vetëm përcaktimet dhe legjislacioni që përcaktojnë se çfarë është dhe nuk është feja. Ekzistojnë gjithashtu një numër shoqatash, qëndrimesh dhe supozimesh. Për disa njerëz, feja ka të bëjë ekskluzivisht me pushtet (fuqinë), për të tjerët ka të bëjë me çlirimin.

Për disa, feja është e ligjshme; ndërsa të tjerët preferojnë që feja të zhduket një herë e përgjithmonë.

Disa (njerëzit e duhur-zgjuar) besojnë se feja është diçka që i përket jetës private, ndërsa të tjerët (të hallakaturit-të krisurit mendsh) dëshirojnë ta ndajnë fenë e tyre me sa më shumë njerëz.

Pyetja është më e rëndësishme sesa përgjigja. Prandaj pyetja “çfarë është (një) fe?” duhet të pasohet me pyetjet “për kë?” Dhe “pse?” Përkundër asaj që dikush mund të mendojë, pra, pyetja, dhe jo përgjigjja, bëhet më e rëndësishmja.

Është një keqkuptim i madh të besosh se Zoti është kryesisht i interesuar për fenë.

Unë gjithmonë e kam respektuar fenë e të tjerëve. Siç kam thënë, ka vetëm një Zot dhe shumë njerëz të hutuar.

*Aurel Dasareti, USA, ekspert i shkencave ushtarake-psikologjike (dasaretiaurel@yahoo.com.au)

Pse unë e përkrahi Komisionin e 5 tetorit 2019 të Vatrës* Nga Dr.Gjon Buçaj, Ish Kryetar i Vatrës

Pse unë e përkrahi Komisionin e 5 tetorit 2019 të Vatrës*

Në mbledhjen e datës 5 Tetor 2019 të gjithë të pranishmit i premtuen Komisionit ndimën dhe përkrahjen e parezervë për kryemjen e detyrës jo të lehtë, por të nji randësie thelbësore për jetën e Vatrës.

Asht e nevojshme dhe e dobishme që të shtoj këtu disa fakte e sqarime, për vatranët që mund të mos i dijnë mire dhe për opinionin e gjanë, që të kenë nji pasqyrë të kjartë të zhvillimeve, sidomos në këto dy vjetë e disa muej të fundit.

Mbasi unë këtu baj fjalë për fakte, po sjell nji definicion të Faik Konicës, sidomos për ndonji përson, të cilit mund të mos i pëlqejnë këto fakte:

“Faktet janë fakte. Çfryj, ulëri, hith këlbaza, qesh, qaj, përkëdhel, gris, vrit botën, vrit veten, faktet të thata dhe të ftofta, s’luajnë nga vëndi dhe mbeten fakte”.

I

Së pari, disa nga faktet që spjegojnë se si erdhi Dritan Mishto në krye të Vatrës. 

1 – Si konsull i Qeverisë Demokratike, z. Mishto gëzonte njifarë respekti në komunitetin shqiptaro-amerikan, sidomos tek nji pjesë e konsiderueshme vatranësh që njihen si simpatizues të atij krahu politik. Për të përforcue përshtypjen se kishte përkrahjen e Partisë Demokratike, shërben rasti i mbledhjes së Këshillit Drejtues të 3 marsit 2018, që dihej paraprakisht se do t’ishte shumë problematike për Mishton.  Në mes të mbledhjes, ku kritikohej dhe kërkohej dorëheqja e tij, ai mori nji thirrje në celular dhe njoftoi të pranishmit se në telefon ishte Lulzim Bashha dhe se ai i përshëndeste dhe u uronte sukses.  

2 –  Vatranët, së pakut shumica, nuk e kanë dijtë se ai ishte i biri i nji prokurori të diktaturës komuniste që kishte kërkue denime me vdekje në Shqipni.

3 – Nuk asht dijtë, së pakut nga shumica, se bashkëshortja e tij ishte sekretare e nji organizate të grave greke në Amerikë (dihet se organizatat greke në këtë vend kanë platformë politike antishqiptare: Vorio Epiri!).

4 – Z. Mishto asht propozue dhe përkrahë nga disa antarë, “Pishtarë të Demokracisë”, por që njiheshin edhe si vatranë të përkushtuem, kështu që ishte e natyrshme të besohej se ata do t’a njifshin mirë për ta propozue për kryetar të Vatrës.

5 –  Disa nga përkrahësat e z. Mishto ushtruen militantizëm agresiv në Kuvend, manipuluen haptas numrin e delegatëvet dhe deklaruen se Mishto ishte anëtar i VATRËS prej 5-6 vjetësh, nji e pavërtetë që Mishto nuk e mohoi (simbas Amendamenteve të Kanunores së Vatrës, kandidati për kryetar duhet të ketë qenë së pakut 5 vjet anëtar i rregullt).

 

6 – Nuk asht dijtë, së pakut nga shumica, se Mishto vetë mban qëndrime progreke.

 

7 – Unë, për të tregue paanësinë si kryetar para dorëheqjes dhe tue u mbështetë verbnisht në besimin tek përkrahsat e tij dhe në objektivitetin e delegatëve, e kam trajtue kandidaturën e Mishtos njisoj si atë të kandidatit tjetër, z. Mithat Gashi, pedagog universitar, me prejardhje nga nji familje e nderueme e shtesës së përsekutueme dhe vatran i përkushtuem për ma se 30 vjetë. Ky ka qenë gabim i randë nga ana e ime dhe kërkoj ndjesë profesor Gashit dhe vatranëve. Nuk e kam thirrë Mishton “eja dhe banu kryetar i Vatrës” dhe nuk e dij kush e ka përhapë këtë fjalë, a Mishto vetë apo tjetërkush, ndoshta për të arsyetue përkrajen për te, por kjo nuk më liron nga faji që nuk e kam kundërshtue kandidaturën e tij, edhe pse nuk kam mujtë me i parapa intrigat që janë luejtë në ditët para Kuvendit as manipulimin e numrit të delegatëve, militantizmin agresiv dhe falsitetet e shfaqun në Kuvend dhe ma vonë. Më kanë befasue sjelljet arrogante të Mishtos me vatranët dhe shkeljet e randa të Kanunores; nuk e dij në se janë befasue deri dikund edhe disa nga përkrahsat e zjarrtë të tij, por kjo le të mbetet në ndërgjegjen e tyne.

 

II  

Veprimet e Mishtos që damtuen dhe vazhdojnë të damtojnë Vatrën 

 

1 –  Që në Kuvend, kur u shpall fitues dhe u ftue te mikrofoni, ai i tha kryetarit të kuvendi të largohej dhe, mbas përshëndetjes triumfaliste, deklaroi kuvendin të mbyllun, tue thye kështu rregullin e mbledhjes, me qellim për të ofendue kryetarin e kuvendit, i cili, gjatë kryemjes me korrektesë të detyrës, kishte kërkue me dijtë se sa vjet kandidati Mishto kishte qenë antar i rregullt i Vatrës. Ky gjest nga ana e kryetarit të ri Mishto u interpretue si shej i parë i intolerances që do t’a cilësonte sjelljen e tij gjatë gjithë kohës si kryetar, me nji nga pasojat përçamjen e thellë në Vatër.

2 –  Veprimi i parë, 2-3 dit mbas kuvendit, ishte publikimi i dy deklaratave, nënshkrue me dorë dhe publikue në gazetën “Dielli”: “Në bazë të vendimeve të Kuvendit dhe simbas Kanunores, vendosa…..”, ku njoftoi formimin e “Kabinetit të presidentit”(sic!), me emna për shefa të kabinetit, të protokolit, të marrëdhanjevet me media (ma vonë edhe shefa të tjerë), si dhe formimin e  “Komisionit të garancive të Kanunores”. Pohimi “Në bazë të vendimeve të Kuvendit….” nuk asht i vërtetë, kurse “….simbas Kanunores vendosa……”, asht pikërisht e kundërta; smbas Kanunores nuk vendosë kryetari për struktura të reja që ndryshojnë Kanunoren, por ai ose çdo antar mund propozojë, Këshilli Drejtues duhet të aprovojë propozimin dhe vetëm Kuvendi mundet me vendosë.

Strukturat që ai krijoi, nuk kanë ekzistue kurrë në Vatër dhe janë jashtë

Kanunores. Ia vëlen të përmendet se shefi i emnuem i protokolit, z. Sejdi Hysenaj, e pat refuzue emnimin me shkrim dhe ia pat dërgue edhe editorit të “Diellit” për publikim, por letra e tij nuk u botue dhe ky fakt asht mbajtë i mësheftë, kështu që shumica e vatranëvet nuk e dijnë. Gjithashtu ai shpalli listën e kryesisë, tue përfshi edhe persona të pa qenë ma përpara antarë, në kundërshtim me Kanunoren që përcakton së pakut dy vjet kohë antarsie për çdo zyrtar; përjashtime mund të bajë vetëm Kuvendi.

3 – Me datën 24 qershor mbas kuvendit, ai thirri nji mbledhje të Këshillit Drejtues, ku morën pjesë edhe persona të pa qenë antarë të Vatrës ma përpara (edhe kjo në kundërshtim me Kanunoren).

Në atë mbledhje, në vend që të trajtoheshin shkeljet e Kanunores pët t’i ndreqë,  u shtue edhe nji shkelje absurde: me kërkesë të zotit Mishto u mohue raporti origjinal i përgatitun nga kyetari i kuvendit që pasqyronte në mënyrë korrekte zhvillimin e punimeve të tij, dhe u ngarkuen dy individët tjerë të ish kresisë së kuvendit që hartuen nji raport të ri. Ky u quejt raporti zyrtar edhe pse fals, me arsyetimin se autorët ishin dy me nji, sikur ndryshimi në mes të vërtetës e të pavërtetës të vendosej me vota. Edhe ky raport zyrtar u botue nëgazetën “Dielli”.

4 – Me 28 dhetor 2017, në zyre të Vatrës, z. Mishto mori në pyetje veteranin Zef

Perndocaj, për nji letre anonime të postueme pa adresë dërguesi. Ajo letër përmbante të dhana diskredituese për Mishton, i cili mendonte se ai mund të dinte kush ishte autori, por Zefi i qetë e me njerzi, siç asht karakteri i tij i njoftun nga të gjithë, e siguronte se nuk e dinte as nuk i jepte randësi, mbasi ishte anonime. Mishto, në stil hetuesi, qëndronte në kambë, i fliste me za të naltë kërcnues dhe, për ma tepër, përplasi karrikën përpara tij. Në mbledhjen e Këshillit Drejtues të 3 marsit 2018, Zefi e ka përshkrue këtë epizod dhe ka grisë me indinjatë proklamatën si vatran i përjetshëm që mbante firmën e Mishtos. Në kronikën e mbledhjes botue në gazetën “Dielli”, shkruhej se Zef Perndocaj foli shumë por jo se çka foli dhe as nuk përmendej grisja e “proklamatës”, sepse ky gjest zbulonte karakterin e Mishtos dhe hipokrizinë që u bjen të gjitha proklamatave dhe mirënjohjeve të shpërndame nga ai, edhe pse shumica të meritueme.

 

5 –  Vatra e Mishtos bojkotoi ceremoninë e New York-ut të përcjelljes së eshnave të Mit’hat Frashërit në atdhe, me arsyetimin e pakuptimtë, se kjo ishte vepër e qeverisë së Ramës, kur dihet se propozimi kishte ardhë nga Instituti i Studimeve “Lumo Skendo” me drejtor dhe themelues historianin Uran Butka, i cili ishte arkitekti i krejt kësaj vepre. Ai nuk mund t’i sjellte eshnat e Mit’hat Frashërit në mënyrë klandestine në Shqipni.

 

6 – Ka sjellë frymën e korrupsionit në Vatër dhe ka krijue nji taraf të ngushtë rreth vetes, që të pajtohet me çfarëdo thotë ose vepron ai.

 

7 – Nuk e ka mbajtë remtimin me u kujdesë për realizimin e disa punëve me randësi të Vatrës, disa të përfundim e sipër, si shtypja e Kanunores dhe e shtesave (Amendments) dhe disa të projektueme; u ka thanë bashkëpunëtorëve se nuk merret me punët e ”kohës së dr. Gjonit”, si të mos t’ishin ato punë të Vatrës.

 

8.- Me injorimin e mbledhjeve tremujore të Këshillit Drejtues dhe të dy Kuvendeve vjetorë për 2018 dhe 2019, asht shkelë Kanunorja dhe tradita e Vatrës.

 

9 – Z. Mishto e ka heshtë Vatrën përsa i përket politikës antishqiptare të  ekstremizmit grek, në kundërshtim me traditën e saj 105 vjeçare (kjo ishte mosha e Vatrës kur ai e mori në dorë). Qe disa nga faktet që tregojnë heshtjen e Vatrës:

 

a -asnji deklaratë e Vatrës mbi memorialet e ushtarëvet grekë të ramë si okupatorë në tokën shqiptare, kur ky skandal ishte tema e ditës në median shqiptare nga fundi i vitit 2017;

 

b – në dhetor 2017 Janullatos mori shtetësinë shqiptare dhe fotografia e tij botue në faqen e parë të “Diellit”, ndërsa gazetat tjera në diasporë e kan publikue si lajm në faqet e mbrendshme; në vend të nji deklarate mospajtimi të Vatrës, z. Mishto iu përgjegj pyetjes se ç’asht qëndrimi i Vatrës me këtë rast: “duhet të ruhet autoqefalia e Kishës Ortodokse” dhe përsëri, pyetjes se cili asht qëndrimi i kryetarit të Vatrës, përafërsisht “me doemos duhet të ruhet autoqefalia me të gjitha fuqitë”, përgjigje që mund t’a kishte dhanë edhe Janullatos;

 

c – asnji deklaratë nga ana e Vatrës në lidhje me vrasjen e terroristit Kaqifas në Bularat të Gjirokastrës në tetorin e vitit 2018;

 

ç – me urdhën të tij, gazeta “Dielli” ka botue nji shpifje që shkelë edhe kodin ligjor, me titullin abuziv “Njoftim nga Federata Panshqiptare Vatra”, sikur t’ishte ai njoftim i dalë nga nji kuvend i Vatrës.

 

d – me 9 dhetor 2018, organizata “Rrënjët Shqiptare” thirri nji protestë para nji lokali grek në Brooklyn, ku po zhvillohej nji aktivitet përkujtimor për terroristin Kaqifas, Vatra nuk e mbështeti as nuk mori pjesë zyrtarisht;

 

dh – në shkurtin e këtij viti, 2019, u zhvillue në Florida Kuvendi i dyvjeçar i Federatës Panepirotike të Amerikës, ku u fol kundër Shqipnisë dhe u ba thirrje Shteteve të Bashkueme të bajnë presion, me akuza se atje po vriten minoritarët. Zani i Vatrës nuk u ndëgjue;

 

e – Elena Kocaqi promovoi librin “Lufta e Trojës, Luftë Pellazgo Ilire” në Vatër, por aty nuk ishte z. Mishto, për të pritë këtë historiane me librin e saj të nji randësie të dorës së parë për historinë e kombit tonë; ajo nuk ishte e ftueme, por promovimi i librit në Vatër ka qenë nisma e saj, prandej Vatra ka vetëm meritën se nuk e ka refuzue.

 

 

 

III

 

Asht me interes të dihen disa përpjekje të mijat për të mos mbërrijtë deri këtu, të cilat kanë shkue kot. 

 

1 – Ditën mbas kuvendit, me kërkesë të z. Mishto, jemi takue dhe ai ka kërkue përkrajen time. I kam thanë se ishte e nevojshme që ai të dilte me nji deklaratë për vatranët, ku të distancohej nga agresiviteti dhe parregullsitë që ishin shfaqë në kuvend, dhe kështu do të më hapej rruga me u ba thirrje të gjithë vatranëvet që t’a përkrahin në ushtrimin e detyrës së kryetarit deri në zgjedhjet e ardhshme. I fola me sinqeritet dhe me bindje se ajo mënyrë ishte e dobishme për të mirën e tij dhe të Vatrës, që t’a drejtonte ate me sukses. Ai m’u përgjegj se nji gja të tillë nuk mund ta bante, sepse kështu do të pohonte vetë se nuk ishte legjitim. Ia kujtova se kuvendi ishte zhvillue publikisht, para vatranëve dhe para gazetarëvet me mikrofona dhe me kamera të hapuna. Megjithate ai vazhdoi në mënyrën e vet që e kam përshkrue ma nalt. Në atë takim i kam dhanë të shkrueme në nji copë letër, në mungesë të dorëzimit formal të detyrës, listën e punëve të Vatrës të nisuna ose të projektueme, me porosinë që të realizoheshin. Ai premtoi se do t’u kushtonte kujdes.

 

2 – Dy javë mbas kuvendit, para mbledhjes së Këshillit Drejtues të datës 24 qershor, i dërgova nji e-mail atij dhe antarëve të Këshillit, me porosinë që të respektohej Kanunorja dhe parregullsitë të këtheheshin në legjitimitetin e Vatrës.

 

3 –  Ma vonë u pa se nuk ishte ndreqë asnji nga aktet e deriatëhershme antikushtetuese, por përkundrazi, ishte shtue edhe tjera shkelje (shih Veprimet e Mishtos… faqe 3, pika 3). Me qellim që z. Mishto të vetëdijsohej për seriozitetin e veprimeve të tij, i shkrova nji tjetër e-mail me kopje antarëve të KD, ku ia kujtova se asnjiherë ma parë nuk kishte ardhë kush në krye të Vatrës me agresivitet dhe parregullsi si ai. Edhe kjo përpjekje shkoi pa efekt.

 

4 – Në mbledhjen e Këshillit Drejtues të datës 3 mars 2018, ku kërkohej dorëheqja e tij, z. Mishto premtoi se, mbrenda nji jave ose 10 ditësh, do të ulej me bisedue me palën që kishte kritika të vazhdueshme qyshë prej kuvendit, për shkeljet flagrante të Kanunores. Unë i premtova kontributin tim për të lehtësue dhe gjetë menyrën e zbutjes së përçamjes që po rritej vazhdimisht. Mbas nji jave, i telefonova për t’ia kujtue premtimin, por ai tha se nuk do të bisedonte me njerëz që i japin ultimatume.

 

5 –  Tentativa ime e fundit me 3 nandor 2018. Nji përmbledhje të pasqyrës së masipërme ia kam përcjellë (dhe këtu po citoj):

 

 “…. zotit Lulzim Basha, sepse mendoj se do të jetë me interes për ate si kryetar i Partisë Demokratike, që të jetë i informuem në mënyrë sa ma të përpiktë, jo vetëm për vlersimin që ai mund të ketë për Vatrën dhe për mbarëvajtjen e saj, por sidomos për faktin se kjo gjendje ka ardhë me përshtypjen që ka krijue z. Mishto, se ai ka pasë dhe ka përkrahjen e zotit Basha ……” dhe “…….me gjetë ndimë për zgjidhjen e mundëshme të problemit; në mendimin tim, tashma, kanë mbetë vetëm dy zgjidhje.

   

E para dhe ma e mira do t’ishte dorëheqja e zotit Mishto për arsye përsonale, familjare ose angazhimesh tjera, simbas preferences së tij, por jo dorëheqje polemike. 

 

E dyta zgjidhje do të mbetej kërkesa publike që ai të largohet nga Vatra, për shkeljet e Kanunores dhe për veprimet e Mishtos që damtuen dhe vazhdojnë të damtojnë Vatrën…..”

 

Basha heshti, edhe kjo pëpjekje shkoi pa dobi.

 

 

IV

 

1 –  Përçamja e thellë në Vatër asht nji nga pasojat e veprimeve të Mishtos në kundërshtim me Kanunoren dhe me traditën e Vatrës. Në nji anë, anëtarët që kanë shprehë mospajtim të vazhdueshëm për ato veprime, qyshë prej Kuvendit 2017 dhe, në anën tjetër, anëtarët që e kanë përkrahë dhe vazhdojnë ta përkrahin. Ndoshta këta të fundit i kanë premtue përkrahjen me qëllimin e mirë në fillim, që ai të kryente si duhet detyrat e kryetarit deri në Kuvendin e ardhshëm zgjedhor. Por përkrahja, edhe pse e premtueme Mishtos ose “miqvet” nga Tirana, e ka nji kufi, kur veprimet dalin jashtë Kanunores dhe rrugës parimore të caktueme nga themeluesat dhe të mbajtun nga vatranët me përkushtim e sakrifica për 105 vjet, që do të thotë deri në Kuvendin 2017;

 

2 –  ramja e numrit të antarëvet si rrjedhim i dobsimit të entuzjamit të antarëve dhe të degëve të krijueme gjatë vitesh me kujdes e përkushtim;

 

3 – diskreditimi i disa vatranëve të cilët, sado me qellim të mirë, i kanë dhanë përkrahje kryetarit që ka shkelë Kanunoren dhe frymën e kombëtare të Vatrës, në disa raste ka vuejtë edhe miqësia përsonale;

 

4 –  diskreditimi i gazetës 108 vjeçare “Dielli”  (kjo ishte mosha e saj në vitin 2017),  me botim shkrimesh që nuk duhej të kishin vend në faqet e saj dhe me refuzim e tjerash të nevojshme për t’u botue.

 

 

V

 

Tue konsiderue faktet e masipërme, dalin disa përfundime, mbi të cilat duhet të mbështetet vemendja e vatranëve në këtë kohë krize.

 

1 –  Kuptohet shqetsimi i thellë i vatranëvet që formuen Komisionin 5 tetor 2019, me detyrë për të mbledhë Kuvendin e jashtëzakonshëm me 25 prill 2020.

 

2 –  Gjithicili nga faktet e masipërme e diskrediton zotin Dritan Mishto si kryetar, por janë dy fakte që e diskreditojnë edhe si antar të thjeshtë i Vatrës:

 

a –  sjellja skandaloze e datës 28 dhetor 2017 me veteranin Zef Perndocaj në zyren  e Vatrësë, akt i dënueshëm nga nenet disiplinore me përjashtim;

 

b –  paralizimi i zanit zyrtar të Vatrës në përgjigje kundër sulmeve antishqiptare të ekstremizmit grek, akt i dënueshëm me përjashtim nga nenet parimore të Kanunores.

 

3 –  Detyra e sotme e vatranëvet asht t’a nxjerrin Vatrën nga kriza, detyrë kjo e vështirë e delikate, por asht e kjartë dhe e domosdoshme për jetën e matejshme të saj.

 

 

VI

Porosi përmbyllëse: Vatra asht nji institucion historik që i përket kombit, jo vetëm shqiptarëve të Amerikës. Prandej vatranëvet në përpjekje “….për të këthye Vatrën në gjendjen normale të legjimitetit institucional” duhet t’u vijë mbështetje morale edhe nga tjerë shqiptarë, që me të vërtetë e duen Vatrën pa interesa vetjake, partiake a çfarëdo interesi tjetër qoftë, përveç atij të Vatrës që asht interes kombëtar.

Vatranët që i shërbejnë Vatrës në detyra të ndryshme, prej anëtarit të thjeshtë e deri te kryetari, janë vetëm shërbëtorë të saj dhe ruejtës e bartës të amanetit të paraardhësave, për aq sa dinë e sa munden. Ata shqiptarë që i afrohen kësaj organizate me vetëdijen e këtij parimi, do të jenë shtylla e saj morale e praktike që ia siguron jetëgjatësinë për brezat që do të vijnë. Kështu ka qenë në të kaluemen, kështu duhet të jetë edhe në të ardhmen. Çdokush që vjen me qellime tjera, duhet mbajtë larg saj!

************

*Vatranët, të shtymë nga shqetsimi në rritje për fatin e Vatrës, u mblohën me 5 tetor 2019 në New York dhe shqyrtuen, me kujdes, gjendjen e krijueme në këtë organizatë kombëtare qyshë prej Kuvendit të 10 qershorit 2017. Përveç shkeljeve të parimeve dhe të rregulave të Kanunores, u trajtue edhe fakti se Kuvendit dhe të gjitha strukturave të saj u ka kalue afati, simbas Kanunores qyshë prej qershorit 2018 dhe, simbas shtesavet (Amendments) të aprovueme në Kuvendet e maparshme, qyshë prej qershorit 2019.

Mbas analizash shkoqitëse të faktevet që njifen e përfliten tashma, jo vetëm në Vatër por edhe në opinionin e gjanë shqiptar, u pa e domosdoshme mbledhja në nji kuved të përgatitun me kujdes, ku do të bahet zgjedhja e organeve të reja në bazë të Kanunores. Mbasi u përcaktuen pikat e programit të punës për të këthye

Vatrën në gjendjen normale të legjimitetit institucional, mbledhja zgjodhi nji Komisionin të përbamë prej shtatë vetësh, të gjithë me kredenciale të padiskutueshme si vatranë idealista, pa ambicje a interesa tjera përveç të mirës së Vatrës:  Sergio Bitici, Ahmet Xhafo, Ahmet Hoti, dr. Nexhat Kalici, Kris Kirka, dr. Elton Mara dhe Armin Zotaj.

(Nga deklarata e 23 nandorit 2019, lëshue prej Komisionit Vatra 5 tetor 2019).

(Updated) Për djeni të DFAE – EDA & Z.Amanda Bennett, VOA – Në mbrojtje të Agron Tufës – Prej 1997 Ambasada e Shqipërisë në Bernë është në duart e ish-nomenklaturës Nga Elida Buçpapaj

Për djeni Departamentit të Punëve të Jashtëme të Zvicrës, – DFAE – EDA

Zonjës Amanda Bennett, Drejtore e VOA, Zërit të Amerikës,

 

Arsye për këtë shkrim është kërkesa për azil politik e shkrimtarit të njohur Agron Tufa, i cili pas kërcënimeve të vazhdueshme nga eksponentë të lartë të shtetit shqiptar, detyrohet të japë dorëheqjen nga posti i Drejtorit ekzekutiv i Institutit për Studimin e Krimeve dhe pasojave të Komunizmit në Shqipëri (ISKPK), vend që e ka mbajtur me shumë dinjitet dhe përgjegjshmëri.

Agroni Tufa thotë se këtë hap e ndërmori pas kërcënimeve direkte me jetë nga ish-sigurimsat që “do më vrisnin”, thotë Agroni ” siç ekzekutuan në mënyrë mafioze dëshmitarin Haxhi Baçinozi në mars të këtij viti”.

Gjithë opinioni shqiptar e kujton vrasjen e Haxhi Baçinozit në praninë e të birit dhe menjëherë pas saj, gjithë shtypi u mbush me lajmin e rremë se “Haxhi Baçinozi u vra sepse kishte borxhe”!

Në fakt Haxhi Baçinozi, ish i burgosur politik nga regjimi komunist, u vra sepse do të dëshmonte për krimet e një kryepolici në burgun e Spaçit që torturonte të burgosurit.

Kryepolici i diktaturës, Edmond Caja që prej gati 30 vjetësh është shtetas i Gjermanisë e do të përballej me dëshmitarin Haxhi Baçinozi, sot duhej të ishte i dyshuar kryesor për ndikim në vrasjen e viktimës që e torturonte në burgjet komuniste dhe që u vra pa dëshmuar.

Vrasja e Haxhi Baçinozit tregoi fuqinë që kanë sot në shtetin shqiptar ish Sigurimsat dhe nëntoka e ish regjimit diktatorial që i ka duart të lyera me gjak viktimash. Haxhi Baçinozi tentoi të dëshmonte të vërtetën e krimeve të diktaturës dhe u vra barbarisht.

Po ta shohësh nga hierarkia, Agron Tufa është shumë më i rrezikuar se Haxhi Baçinozi, tashmë i vrarë, pasi institucioni që drejtonte ai, e fuste në shina shtetërore zbardhjen e krimeve të diktaturës që shoqëron dekomunistizimin.

Jam dëshmitare se Agron Tufa ka gati 3 vjet që kërcënohet në mënyrë permanente nga vetë shteti dhe nga media që ka në dorë ish Sigurimi.

Spartak Braho, deputet i Partisë Socialiste (PS), njëri nga ata që udhëheq këtë linçim publik të Agron Tufës është një ish gjyqtar i kohës së diktaturës që ka dhënë dënime me vdekje; Sabit Brokaj, ish minister i diktaturës dhe ish deputet e ish minister i mbrojtes i PS shkon deri aty sa e kërcënon Agron Tufën, se do ta ndjekë këmba këmbës për t’ja shkatërruar jetën.

Pra njerëz të shtetit shqiptar të lidhur me ish regjimin totalitar po e përndjekin Agron Tufën edhe kur ky u largua nga Shqipëria. Agron Tufa i detyruar paraqiti dorëheqjen tek krerët më të lartë të shtetit, të cilët, sa ishte Agroni aty, nuk ndërmorën asnjë masë sigurie jete as për të dhe as për familjen. Pra, Agron Tufa u përball i vetëm me falangat e skuadroneve të ish Sigurimit, që janë pjesë e shtetit dhe e pushtetit, pa marrë parasysh se Shqipëria është vend anëtar i NATO-s!

Sabit Brokaj, shkon deri aty, sa kërkon që Ambasada e Shqipërisë në Bernë të bëjë gjithçka që “Agron Tufa të mos e marrë statusin e azilantit politik në Zvicër”.

Ja çfarë shkruan Sabit Brokaj ekzaktësisht: “Unë i pari, (dmth Sabit Brokaj – shpjegimi im – E.B.) por edhe të tjerë mendoj se do të bëjmë të pamundurën që edhe atje ku ka kërkuar azil politik të mos gjejë vrimë ku të futet…. Prandaj ambasada jonë në atë vend, por edhe ambasada zvicerane në vendin tonë, duhet të ngrenë alarmin dhe të mos i japin strehë një njeriu të tillë. Ua bëj këtë apel këtyre ambasadave publikisht. Por edhe vendeve të tjera ku ai mund t’ia mbathë sërish .”

Shikoni sa kriminale është thirrja e Sabit Brokajt! Po të ishte Shqipëria shtet demokratik, prokuroria do të duhej ta merrte nën hetim menjëherë!

Natyrisht Ambasada e Zvicrës në Tiranë nuk ndikohet nga histeri e tillë kriminale e tipit të Sabit Brokajt. Mjafton të kujtoj se Zvicra i dha azil politik Dritan Zaganit, ditën që Edi Rama, me kostum kryeministri, vuri këmbën në Konfederatën Helvetike në vizitë zyrtare, ndërsa qeveria e tij e kishte shpallur Zaganin “most wanted”.

Sa për Ambasadën e Shqipërisë në Bernë, më duhet të hedh dritë se prej vitit 1997, ajo drejtohet nga njerëz me lidhje eksplicite me ish diktaturën që kanë vijuar karierën në tranzicion pa u konvertuar kurrë!

Të mbetur të pakonvertuar prej urrejtjes, do të thotë që viktimat e diktaturës të vijojnë edhe sot t’i trajtojnë sikur regjimi totalitar, pra si armiq të komunizmit dhe të komunistëve.

Unë dhe bashkëshorti im Skënder Buçpapaj, të dy shkrimtarë, gazetarë dhe botues kemi përvojë personale prej falangave të ish diktaturës që gjatë këtij tranzicioni gati prej tre dekadash janë të integruara në të gjitha qelizat e shtetit shqiptar deri në krye të Ambasadave duke minuar demokratizimin e vendit .

Ambasada e Shqipërisë në Bernë ka patur Ambasador Leontiev Çuçin, ish anëtar i Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë (KQPPSH) dhe ministër i kohës të Ramiz Alisë, më pas deputet i PS i emëruar nga kjo forcë politike.

Ambasada e Shqipërisë në Bernë ka patur për dy mandate rresht Ambasador Mehmet Elezin, ish kryeçensor i diktaturës dhe kandidat i KQPPSH, i cili ka vijuar në Zvicër kursin e vjetër kur e mbronte me fanatizëm vijën e Partisë të Punës nga ndikimet e ideologjisë borgjeze dhe bartësit e saj. Mehmet Elezi ishte emëruar Ambasador i Republikës të Shqipërisë në Bernë direkt nga Sali Berisha. Mehmet Elezi nuk kishte asnjë atribut moral që ta meritonte këtë post, bile nuk ishte as eksponent i Partisë Demokratike.

Qendrimi armiqësor dogmatik që shfaros pluralizmin dhe nuk i toleron zyrtarët publikë apo gazetarët të përmbushin misionin e tyre sipas standarteve të Perëndimit shprehet në dy mënyra: Ose si Sabit Brokaj dhe Spartak Braho kundër Agron Tufës, ose duke aplikuar nga Ambasadat luftë të heshtur, ku të dy metodat i shërbejnë varrosjes të sistemit demokratik.

Ambasada e Shqipërisë në Bernë me largimin e Mehmet Elezit drejtohet nga Ilir Xhelil Gjoni, pra i biri i një eksponenti të njohur të diktaturës dhe nipi i Hysni Kapos, numri dy i nomenklaturës diktatoriale komuniste.

Në dhjetor të vitit 2013 i kam drejtuar një letër të hapur Presidentit të Republikës të Shqipërisë Bujar Nishani që të mos e dekretonte Ilir Xhelil Gjonin, jo se kisha fakte kundër tij, por e shihja të mjaftueshme që kishte lidhje të forta gjaku me ish regjimin dhe nuk ishte distancuar prej tij. Mblodha edhe shumë firma dhe ia paraqita edhe këto Presidentit Bujar Nishani, i cili nuk i mori parasysh dhe e dekretoi Ilir Xhelil Gjonin, ndërsa i njëjti Bujar Nishani nuk do të dekretonte Ambasador në Vatikan një ish të burgosur politik si shkrimtari i njohur Visar Zhiti.

Ambasadorët me skeletë në dollapë kanë mbetur të njëjtë sikur në ditët e egra të diktaturës. Nëpër Ambasada ata kanë vijuar luftën kundër “armiqve” të ish regjimit diktatorial, duke përdorur lloje të tjera vrasjesh.

Natyrisht Zvicrën nuk e bëjnë dot kurrë Shqipëri, por duke shpërdorur detyrën e zyrtarit të lartë publik ata shkaktojnë dëme të pallogaritëshme, duke përçarë komunitetin e duke sjellë e mbjellë frymën e luftës të klasave kur diktatura e konsideronte diasporën Mërgatë Qyqesh.

Dorëheqja e Agron Tufës nga detyra pas tre vjet linçimi është kambanë alarmi.

Kur Agron Tufa është larguar nga Shqipëria, më tepër se kurrë, sot bëhet i nevojshëm demokratizimi i vërtetë i Shqipërisë që si kusht sine qua non kërkon dekomunistizimin e shtetit.

Po të analizohet kariera e ish eksponentëve të diktaturës në tranzicion si Spartak Braho e Sabit Brokaj me shokë apo e trashëgimtarëve të ish regjimit, do të vihet re se rrëzimi i diktaturës nuk ka ndikuar aspak negativisht dhe nuk ua ka prishur aspak karierën e shkëlqyer  si zyrtarë publikë as bijve të ish- nomenklaturës, pa kurrëfarë merite,  as ish Sigurimsave apo personave që me firmën e tyre direkt apo indirekt jane pushkatuar njerëz të pafajshëm.

Mjafton të shohësh karrierën e shkëlqyer politike të Ilir Xhelil Gjonit pas 1992, për të parë se në Shqipëri nuk ka ndryshuar asgjë.

Prej 1992, Ilir Xhelil Gjoni ka qenë deputet i PS, Ministër i Brendshëm dhe Ambasador, ndërkohë që ka bërë specializime në vendet e BE dhe SHBA, ndërsa viktimat e regjimit diktatorial janë endur nëpër botë për të gjetur një strehë. A ka cinizëm më të madh!

Kur iu drejtova Presidentit të Republikës me Letër të Hapur, nuk e paragjykova Ilir Xhelil Gjonin, por kisha parasysh standartet etike të një shteti demokratik. Ilir Xhelil Gjoni nuk kishte merita personale, ai ishte i zgjedhur politik, por që nuk i kishte denoncuar kurrë krimet e diktaturës dhe nuk ka treguar kurrë me veprime se është konvertuar, pra ka mbetur në shekullin e shkuar.

Kjo është situata dramatike që mbretëron në shtetin shqiptar dhe ambasadat e këtij shteti!

Dekomunistizim do të thotë të prishet kjo “status quo”. Agron Tufa u përpoq që, duke respektuar standardet Perëndimore, t’i aplikonte ato standarte edhe në Shqipëri, çka ishte mision i pamundur.

Dekomunistizim nuk do të thotë t’i shpallësh armiq luftëtarët e luftës Antifashiste sikur spekulojnë kërcënuesit e Agron Tufës, por të pastrosh sistemin nga figura të përlyera sikur veproi Gjermania menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore kur bëri denazistizimin.

Një vend anëtar i NATO-s nuk duhet që të ketë në pikat kyçe të institucioneve të shtetit njerëz me lidhje eksplicite me të shkuarën dhe të pa distancuar nga krimet kundër njerëzimit që ka kryer regjimi totalitar.

Lind pyetja e përse nuk vijnë në krye të shtetit shqiptar, përfshi edhe në krye të Ambasadave njerëz me bindje politike qofshin të majta apo të qendrës, por që janë figura të pastra dhe të respektuara ?

Lind pyetja e përse në historinë kontemporane, ku jemi të gjithë dëshmitarë, të pas rrëzimit fake të diktaturës, shtetin e kanë në dorë të njējtët njerëz ose me lidhje me regjimin totalitar ose me skeletë në dollapë ose të lidhur me mafien?

Kjo është situata dramatike në Shqipëri dhe ngjan e pashpresë!

Këtë e tregon edhe akti i dorëheqjes i Agron Tufës, i cili deri në minutën e fundit si Drejtor i ISKPK, shërbeu me dinjitet, duke patur si kauzë standartet Perëndimore të sistemit, ku dekomunistizim do të thotë themele të shëndosha të shtetit të së drejtës, që të garantojë jetë të denjë për qytetarët, pa marrë parasysh preferencat politike.

Por lufta e shtetit, (se Spartak Braho dhe Sabit Brokaj me shokë identifikohen me vetë shtetin shqiptar) ndaj një personi të vetëm, që është Agron Tufa tregon se në çfarë degrade ndodhet sot Shqipëria! Është e patolerueshme që Spartak Braho dhe Sabit Brokaj me shokë të jenë shtetarë të një vendi anëtar i Aleancës Veri-Atlantike.

Degrada bëhet edhe më kritike kur shtypi i lirë në Shqipëri është nën pranga. Dhe pa shtyp të lirë e të pavarur nuk mund të pretendohet për ndryshime.

A do të ketë drejtësi për Haxhi Baçinozin që në diktaturë e mbajtën të burgosur nën tortura ndërsa në vitin 2019 e njëjta diktaturë e vrau në sy të të birit!

Kujtoj Zërin e Amerikës më 1990-1992 se si i trimëroi Shqiptarët.

Shqiptarët sot janë të varfër, të mjeruar, pa shtet të së drejtës dhe të frikësuar.

I gjithë populli është vulnerabël, elitat janë vulnerabël. Agron Tufa i trimëronte shqiptarët! Kriminelët me pushtet, (ish segmente të diktaturës), në një shtet anëtar të NATO-s e detyruan Agron Tufën që të largohet dhe tani e kërcënojnë se do ta ndjekin këmba këmbës deri në Zvicër apo kudo që të kërkojë strehë !

Le të mendojë secili si për veten e tij, nëse nuk ka një vend pune, nëse nuk e ka strehën e sigurt, nëse nuk ka drejtësi, a mund të jetojë në atë vend?

E vërteta është se Agron Tufa, qoftë edhe një njeri i vetëm i tronditi dhe ua luajti themelet kriminelëve me pushtet. Agron Tufa u përpoq e bëri gjithçka që të ndryshonte diçka dhe si përgjigje mori linçimin nga falangat me ndërgjegje të pistë, të ndyrë gjatë diktaturës që sot vijojnë të kenë pushtetin dhe synojnë ta mbajnë me çdo kusht duke i fshehur krimet e diktaturës dhe duke kryer krime të tjera.

Një popull vulnerabël kërkon energji pozitive, kërkon që të ketë mijra si Agron Tufa; por kur vendit i ikën edhe një i vetëm, atëherë çfarë do të bëhet me këtë vend?

SHANTAZHI DËMTON LDK-në -Nga IDRIZ ZEQIRAJ


     Qoftë në shërbimin ushtarak klasik, qoftë në burg, nëse njëri  e lëshon gënjeshtrën se do të këtë lirim të parakohshëm ose falje, gënjeshtra kaq shumë shumëzohet, sa fillon ta besojë edhe ai vet. Kështu ndodhi edhe me gënjeshtrën e sajuar nga klanorët brenda Kryesisë të LDK-së. Pasi humbën shpresën se do ta fitonin garën, atëherë dhanë alarmin SOS! “Nëse nuk bëjmë marrëveshje-konsensuale, për emrimin e kryetarit të LDK-së, ajo do të ndahe!” Dhe, kjo gënjeshtër u përhapë aq shumë, sa sot e besojnë edhe vetë ata që e sajuan. 
 
     Ky ishte një shantazh brenda partiak. Shantazhimi u lexua dhe u përjetua rëndë nga anëtarësia. Konsensuesi aq shumë e proklamuar, nënkuptonte vazhdimin e mandatit të tretë kryetarit të LDK-së, pa u provuar me votën e fshehtë demokratike dhe ruajtjen e posteve, për të dy nënkryetarët. Ndërsa nënkryetari i tretë, nuk kushtëzoi, duke dëshmuar fisnikërinë, si pinjoll i Familjes Institucion Rugova. Megjithatë, në vend të shpërblimit, atij nuk iu vazhdua  mandati i i nënklryetarit të LDK-së!?
 
     Demokracia përjashton kushtëzimin dhe shantazhimin. Në vend të tyre është debati i lirë dhe demokratik. Mungesa e debatit, përjashtimi i konkurrencës së ndershme dhe votimi i fshehtë demokratik, janë tri parimet bazë, për një parti të mirëfilltë demokratike. Është, pikërisht, anashkalimi i këtyre tri parimeve, që ka mbajtur në ethet e ndarjes anëtarësinë dhe elektoratin e LDK-së. Për rrjedhojë është rivaliteti i vrazhdët për kreun e LDK-së, që pamundësoi dhe humbi shansin që LDK-ja të jetë e parë në zgjedhje.
 
     Nuk mjaftoi nisma e ndryshimit, përtëritjes në Këshillin e Përgjithshëm dhe as përzgjedhja ideale e kandidatëve për deputetë, sepse për ruajtjen e monopolit në Kryesinë Qendrore, u përkujdes fort klani, tashmë, i stazhionuar. Ky element ishte domëthënës dhe e gjithë propaganda PAN-iste, e ndihmuar skajshëm  nga Lëvizja Vetëvendosje, agjituan se LDK-ja “vazhdon avazin e Mukjes”, statusquonë, se “garda e vjetër ka vartësi të shumëfishtë nga PDK-ja dhe mund të koalicionojë sërishmi me atë”, se “Vjosë Osmani është e vartësuar dhe e bllokuar nga klani” dhe “xhevahire” tjera, plot mëdyshje çorientuese për elektoratin, popullin.
 
     Vota e fshehtë është zëri më real i arsyetimit në një parti. Kjo votë do t`i amortizonte të gjitha dilemat. Kurti i individit i ngritur dhe i pompuar artificialisht, nga profiterët karrieristë, ka lënë shije të hidhur nga gjysmë-shekulli komunizëm. Lufta e klasave, diferencimi, i bërë në emër të mbrojtjes të Atdheut, patriotizmit të rremë, ka rezultuar fatal për shqiptarët, me përgjakjen e kundërshtarëve politikë, me varrosjen e debatit, të fjalës së lirë, ku demokracia mbytej nga diktatura e egër. “Përçaj e sundo”, ishte baza e sundimit të pakicës, kryesisht, të kastës sunduese, mbi shumicën e popullit. Dhe, populli përdorej si turmë përlavdëruese e brohoritëse, për persekutorët e tij. Ironike e komike, për një popull të lindur dhe të rritur në robëri. Dhe, tragjike kur robëria mendore e shpirtërore vazhdon edhe në shekullin digjital!!
 
 
         Shantazhimi nuk është vullnet i anëtarësisë të LDK-së
 
     Dakordimi për bashkëqeverisje i Vetëvendosjes me LDK-në, është mirëpritur, madje, jo vetm nga anëtarësia e këtyre dy subjekteve politike, por edhe nga populli i lodhur nga banda PAN , e cila ka pushtuar të gjitha institucionet e Kosovës, duke e asfikësuar jetën në vend. Stërzgjatja manipulative e PAN-istëve, në koordinim kriminal me Komisionin Zgjedhor dhe instancat tjera legjislative, për shpalljen e rerultatit të zgjedhjeve, me synim të përmbushjes të pragut  zgjedhor, të Nismës Socialdemokrate me aleatë, për qëllime errëtake në perspektivë të PAN-it, irritoi popullin dhe vuri në luhajë edhe korrektësinë zgjedhore. Vetëm në dy fshatra të një komune të vogël, në veri të Dukagjinit, Limaj dhe Pacolli blenë tej 70 vota, duke vënë në dispozicion 10.000 euro, me kuotë çmimi të rritur nga 20, sa ishte më parë, në 40 euro për votë. Përmenda vetëm një rast, të konfirmuar në plotni.
 
     Zvarritëse dhe të lodhshme për popullin, kanë qenë edhe bisedimet LDK,-VV, për marrëvreshjen e koalicionit, për bashkëqeverisje. Promolgimi, zgjatja në javë e muaj, e bëri kushtëzimi, shantazhimi i LDK-së, për pazarin e parakoshëm të presidentit. “Daullja bie për ata që kanë veshë”, – thotë urtia. “Isa president”, kamuflohet me përgaditjen e rrëmbimit të rrëmujshëm, nga klani, i postit të kryetarit të LDK-së, duke i vënë para faktit të kryer, me aklamacionin marroq, skllevërit e shekullit digjital, anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm. Kreu i LDK-së duhet të zgjidhet, me votim të drejtpërdrejtë, nga anëtarësia, – një anëtar, një votë -.
 
     Shumësia e popullit të Kosovës votoi për ndryshimin. Dhe, ndryshimi nismon nga kreu i shtetit, kryeministri, ministrat dhe kuadrot e niveleve tjera drejtuese. Opozita e derisotme konkuroi me kandidatë – me duar të pastra -. Përndryshim nga PAN-i që konkuroi me ekipin e dëshmuar në krime serike, duke shtuar edhe ca kriminelë të rinj. Andaj, edhe humbja e tyre ishte e pritshme.
 
     Qëllimet e kushtëzimit hileqar të klanorëve të LDK-së, janë të errëta dhe nuk shprehin vullnetin e anëtarësisë. Shantazhuesit kanë emra dhe janë provuar edhe në kushtëzimet dhe shantazhimet brenda-partiake. “Futi në votën e fshehtë demokratike” dhe dorëzohen “si bryma para diellit”.

NDËRROI JETË LUIGJ (Louis) ZANGA – NDERI I KOMBIT – Nga Frank Shkreli

 

Njëra prej gazetave më të mëdha të Gjermanisë, Suddeutsche Zeiting, e cila botohet në Munich të Bavarisë, njoftoi lajmin për vdekjen e ish-gazetarit dhe analistit të njohur shqiptaro-amerikan, Luigj (Louis) Zanga — Nderi i Kombit — më 22 Nëntor, 2019.  Luigj Zangën, unë e kisha koleg dhe bashkpuntor, mik dhe shok të dashur, ashtu si shumë të tjerë, gjatë dekadave, me të cilët, për pothuaj një gjysëm shekulli kisha fatin të kem bërë udhë shpesh të vështira, por edhe ditë të mira me ta, gjatë kësaj historie rrugëtimi në mërgim.   Si i tillë, humbjen e Luigj Zangës e ndjejë prekëshëm, ashtu si edhe kolegë të tjerë që e kishin njohur gjatë viteve.

 

 

Disa vite më parë, me rastin e dekorimit për arritjet e tij njerëzore dhe profesionale të Luigj Zangës, me titullin “Nderi i Kombit” ish-Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Z. Bujar Nishani në vitin 2015, tha se Luigj Zanga, “Na bën të gjithëve të ndihemi krenarë të jemi bashkatdhetarë të tij”.  Në një artikull që kisha shkruar për ish-kolegun dhe mikun tim, Luigj Zanga, (“Profili i një analisti të shquar shqiptaro-amerikan”), kisha shënuar se gjatë jetës dhe karrierës, njeriu takon ose për fat të mirë ndodh që punon me njerëz, të cilët me sjelljet  dhe cilësitë e tyre njerëzore dhe me aftësitë e tyre profesionale, lënë në ne mbresa të përjetshme dhe të paharrueshme.  Unë kam pas fatin dhe rastet e mira që të kem njohur dhe punuar me disa prej gazetarëve dhe analistëve më të shquar shqiptarë – ndoshta të gjitha kohërave — jo vetëm në mërgim, por edhe më gjerë.  Prej tyre kam mësuar vlera njerëzore, shoqërore dhe profesionale që ata posedonin, mbi të gjitha, ata ishin shembull i ushtrimit të profesionit të gazetarisë dhe të publicistikës. Njëri prej këtyre analistëve, të cilin kam pas fatin jo vetëm ta njihja gjatë pothuaj disa dekadave të fundit, por edhe të punoja me të në Zërin e Amerikës, në fillim të 1970-ave.  Ai ishte Louis (Luigj) Zanga, për të cilin morëm lajmin e hidhur se 10-ditë më parë ndërroi jetë në Munich të Gjermanisë.  Një profesionist tepër modest, njëri prej me të shquarve politologë, komentatorë dhe analistë i problemeve shqiptare, për pothuaj gjysëm shekulli në SHBA dhe në Europë, fillimisht siç thashë kam punuar me të në VOA-n shqip në Washington, ndonëse pjesën më të madhe të veprimtarisë së tij gjatë Luftës së Ftohtë, Zanga e ka zhvilluar pranë Institutit të Kërkimeve të Radios Europa e Lirë, në Munih të Gjermanisë.

 

Radio Europa e Lirë nuk kishte radio transmetime në gjuhën shqipe gjatë Luftës së Ftohtë, por Louis Zanga mbushte një boshllëk informacioni që ekzistonte në atë kohë në median perëndimore mbi gjendjen në Shqipërinë komuniste dhe në trojet shqiptare, përfshirë edhe gjendjen e vështirë të shqiptarëve të Kosovës që sa vinte e keqësohej gjatë dekadave të fundit të shekullit të kaluar.   Analizat dhe komentet Zanga i shkruante në anglisht ndërkohë që ato përktheheshin dhe përdoreshin edhe për radio-transmetim, por qëllimi kryesor ishte që me anë të tyre të njoftohej bota anglisht-folëse dhe më gjerë se çfarë po ndodhte me fatin e shqiptarëve në Ballkan gjatë sundimit komunist, një periudhe kur të drejtat e njeriut të shqiptarëve shkeleshin më keq se kudo tjetër në botë.

 

Lou Zanga, me raportet dhe analizat e tija, ishte si një dritare e vogël informacioni, sidomos për botën amerikane dhe europiane, mbi ngjarjet në Shqipërinë e mbyllur dhe të vet-izoluar komuniste.  Analizat e tija përhapeshin dhe ishin si të thuash lexim i detyrueshëm për të gjithë ata që, në atë kohë, merreshin ose që ishin përgjegjës për çështjet shqiptare–jo vetëm ekspertët në qarqet më të larta të qeverisë amerikane në Washington, por edhe në universitetet dhe qendrat e ndryshme akademike të Amerikës që merreshin me studimin e çështjeve të Europës Lindore komuniste, gjatë Luftës së Ftohtë.  Luigj Zanga i përgatiste analizat e tij, bazuar në monitorimin e burimeve të brendshme të lajmeve dhe në informacionin dhe në materialet që mbledhnin agjencitë perëndimore të lajmeve por edhe nga përkthimet e Shërbimit Informativ të Transmetimeve të Huaja (FBIS).

 

Louis Zanga ishte pjesë e një strukture administrative të Radios Europa e Lirë, përgjegjëse për Shqipërinë, Kosovën dhe Maqedoninë, ndërkohë që mbulonte edhe subjekte të çështjeve ballkanike.   Zanga kishte filluar të punonte si analist kërkimesh të çështjeve shqiptare në Radion Europa e Lirë në vitin 1961 dhe më vonë ka qenë gjithashtu përgjegjës për mirëmbajtjen e arkivave për Shqipërinë, Kosovën dhe Maqedoninë. Raportet dhe analizat e Luigj Zangës gëzonin një reputacion të lartë gazetaresk dhe akademik, për nga niveli i lartë informativ dhe i paanshëm i artikujve dhe analizave të tija, e që dalloheshin për nga   përpikmëria profetike e tyre, mbështetur në njohjen e thellë që ai kishte mbi Shqipërinë dhe rajonin.

 

Parashikime të sakta nga një analist i regjur mirë në çështjet shqiptare dhe të Ballkanit, kur njeriu u hedh një shikim pas, ngjarjeve të dekadës së 80-ve dhe më vonë.   Ashtu siç parashikonte Zanga në anlaizat e tija, Shqipëria qe vendi i fundit komunist që hoqi dorë nga qëndrimet e saja staliniste, jo për bindje se duhej të bëheshin ndryshime të sistemit, por vetëm e vetëm se pse komunizmi u shemb në pjesën tjetër të Europës dhe nuk mund të mbijetonte sistemi komunist në Shqipëri, i izoluar nga pjesa tjetër e Evropës.  Gjithashtu në Kosovë, ashtu siç komentonte analisti Zanga, problemi i shqiptarëve atje, jo vetëm që nuk u përmirësua por erdhi duke u keqësuar gjithnjë e më shumë.

 

Dekorimi i Luigj Zangës me çmimin e lartë të Atdheut, Nderi i Kombit, dëshmon nderimin jo vetëm të Presidencës, por të gjithë atyre që e kanë njohur Luigj Zangën.  Analistët shqiptaro-amerikanë në qeverinë amerikane dhe në botën akademike në SHBA në atë kohë, mund të numëroheshin me gishtat e një dore dhe Louis Zanga zë një vend të merituar ndër më të dalluarit, për analizat dhe komentet e tij mbi çështjet shqiptare dhe ballkanike.  Për arritjet jetësore dhe për punën e tij të gjatë në këtë fushë, Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani me plot të drejtë i akordoi Luigj Zangës dekoratën “Nderi i Kombit” me këtë motivacion:

 

“Në vlerësim të veprimtarisë së vyer dhe kontributit të tij të çmuar atdhetar prej gati gjysmë-shekulli në shërbim të përhapjes dhe konsolidimit të vlerave të lirisë dhe demokracisë anembanë botës, veçanërisht në luftën e paepur dhe pa kompromis kundër diktaturës komuniste në Shqipëri”.

Luigj (Louis) Zanga në krah të majtë të Presidentit Nishani me rastin e dekorimit të tij me titullin e lartë, “Nderi i Kombit” nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Shtator, 2015

 

Në fjalimin e tij me këtë rast, Presidenti Nishani, pasi përmendi shërbimin ushtarak të  Luigj Zangës në luftën e Koresë, me tu këthyer në në Shtetet e Bashkuara, presidenti shqiptar theksoi se ai, “zgjodhi një armë tjetër për të vazhduar përpjekjet në luftën e tij për liri e demokraci – ai mori penën në dorë – arma e preferuar e intelektualit dhe filloi të punonte për Zërin e Amerikës, në atë medium të dashur dhe shpresëdhënës për të gjithë shqiptarët, ç’prej viteve të 1950-ve të shekullit të kaluar”, ka thënë me atë rast Presidenti Nishani.

 

Media të tilla, si Zëri i Amerikës, BBC-ja, Radio Vatikani dhe Radio Europa e Lirë dhe individët që kanë punuar aty, ka thënë ish Presidenti Nishani, “Kanë pasur një ndikim më të madh se kushdo dhe çdo gjë tjetër në mbajtjen gjallë të vlerave më të dalluara kombëtare, në rivendosjen e demokracisë, të fjalës së lirë dhe të lirisë së shtypit”.  Duke i dorëzuar dekoratën, “Nderi i Kombit”, udhëheqësi shqiptar u shpreh se Louis Zanga nuk harroi kurrë se nga vinte dhe kush ishte –“Një shqiptar i vërtetë, zemra e të cilit rrah me emocion çdoherë që përmendet Shqipëria”, dhe theksoi se z. Zanga “na bën të gjithëve të ndihemi krenarë të jemi bashkatdhetarë të tij”.

 

Me përpjekjet dhe me përkushtimin e tij personal Luigj (Louis) Zanga e pati fatin të jetonte dhe të ishte (ndryshe nga shumë bashkveprimtarë të kohës së tij), dëshmitar i fitores mbi diktaturën komuniste, në rrugën e gjatë dhe të vështirë të konsolidimit të lirisë dhe të demokracisë së vërtetë në Shqipëri dhe në Kosovë – realizimit të këtyre objektivave madhore — të cilave ai me mend, me penë dhe me profesionalizëm të lartë, ua kushtoi gjithë jetën e tij.

 

Familjes së ngushtë të Luigj Zangës në Gjermani dhe të tjerëve në Shtetet e Bashkuara dhe kudo tjetër qofshin – në këtë rast pikëllimi e hidhërimi – u paraqes atyre dhe mbarë farefisit ngushëllimet e mia, me ndjenjat më të thella miqësore për humbjen e njeriut të tyre të dashur dhe kolegut dhe mikut tonë të shtrenjt.

 

Frank Shkreli

Ish-Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Ronald Reagan në kryeqendrën e Zërit të Amerikës në Washington me një fjalim drejtuar botës në mbi 60-gjuhë të ndryshme, 1984

Pelegrinët e Ibrahim Rugovës dhe LDK-s ….! – Nga AGRON SHABANI

1.Thuhet se në kohën e sundimit të Ban Kulinit, gjegjësisht të Shizmës dhe Inkuizicionit kishtarë (fetarë) ose pseudokulturorë në mesjetë, në Bosnjen e asokohëshme ishte e përhapur edhe sekta ose organizata asketike, transubtancialiste ose përverse dhe mitologjike e “bogomilëve” serbian të cilët predikonin idenë infantile dhe patologjike sipas të së cilës Zoti (Hyji) i ka pasur dy djem: Djalin e madh, Satanin ose Satanellin dhe djalin e vogël-Jezu Krishtin, të cilët gjithënjë sipas “bogomilëve” serbian, e kanë vrarë dhe luftuar njëri tjetrin. Duke e nënkuptuar këtu luftën ose konfliktin e vazhdueshëm në mes Djallit (Satanit) dhe Jezu Krishtit, gjegjësisht, në mes të së mirës dhe të së keqës.

2. Në kohën e “profetit Rugova” ose “Shën Gjon Pagëzuesit” të “bërjes së shtetit” me lutje, dua, tespih, urata, sehire ose hajmelia të ndryshme shamanike, nomade, beduine ose misticisto-agnosticiste dhe “apostujve të parë” të LDK-s, atëbotë ndër shtresat ose kategoritë më të prapambetura (primitive) fetare, politike, partiake dhe të tjera të popullit ose shoqërisë kosovare, përhapej dhe propagandohej ideja reaksionare, antishkencore, paradoksale dhe anakronike sipas të së cilës: “falë profecisë gandiste ose pacifiste të Ibrahim Rugovës dhe LDK-s, liria (çlirimi), shteti dhe pavarësia e Kosovës, do zbrisnin ose pikonin nga qielli i natës së gjatë të robërisë dhe tiranisë serbe, ku kishin “banuar” ose dimëruar për aq shumë kohë!”
Kush nuk i zbatonte ose respektonte “platformen” ose “formulat profetike” të Ibrahim Rugovës dhe LDK-s, nga ana e “kishès ose xhamisè politike” tè Rugovès dhe LDK-s, si dhe xhemati ose famullisè sè tyre primitive, paranormale, parapolitike, patriarkale ose politiko-klerikaliste-nda tyre shpallej dhe miratohej shizma (skizmatizimi), mallkimi, inkuizicioni ose pushkatimet e njohura morale, intelektuale, profesionale, shpirtërore, familjare, farefisnore etj. Përmes “QIK-ut” të Ibrahim Rugovës dhe LDK-s dhe UDB-s së Millosheviçit, Rankoviçit dhe Serbisë, shpallëshin “poternicat” ose “listat e zeza” ndaj kundërshtarëve të Ibrahim Rugovës dhe LDK-s ose “shtetit” dhe pushtetit(regjimit) të tyre paralel me SPS-in e Millosheviçit.

3. Në ketë kontekst të suspektshëm dhe dubiozë, Rugova (LDK) sè bashku me xhematin ose famullinè e tyre paranormale ose parapolitike, nuk çlirohëshin (lirohëshin), shkurorëzohëshin dhe nuk pavarësohëshin kurrë nga frika, paranoja ose paragjykimet e ndryshme infantile dhe patologjike ndaj kundërshtarëve të tyre politik etj. Gjegjësisht, nga frika ose “logjika” dhe “filozofia” e robërve dhe skllëvërve të
përhershëm të Serbisë. Sidomos nga çështjet objektive dhe subjektive tè frikès latente ose permanente ndaj “fuqisè ushtarake dhe policore” tè Serbise.

4. Në të kundërten, Ibrahim Rugova dhe të të ashtuquajturit liderët ose politikanët e ndryshëm ditorë ose periodikë ne Kosovë, asokohe e kishin një përceptim dhe konceptim publik dhe politiik tepër të verbër, të vrazhë, rixhid, borgjez, reaksionar, paradoksal dhe anakronik, kur i shihnin dhe kundronin njeriun, popullin (kombin), shtetin, pushtetin, politikën, diplomacinë dhe vlerat tjera, si një fakt ose realitet natyrorë ose ordinar. Gjegjësisht, si diçka të palevizshme (statike), natyrore ose ordinare. Kjo për faktin se” edukata, kultura dhe emancipimi” së bashku me “artin e njohur politik ose diplomatik” tè Rugovès dhe LDK-s, si dhe vlerat e njohura hyjnore ose universale të jetës së njeriut, i bindeshin dhe nënshtroheshin të njëjtit ligj: ligjit të shndërrimit, nënshtrimit, konvertimit, mohimit, tjetërsimit etj. Mbase, ligjit të konfirmimit me vetvetën si dhe me gjithëçka tjetër brenda dhe jashtë saj. Në këtë rast, çdo gjë ose gjithëçka, sikur i zhvatëj dhe nënshtrohej diktatit, tutelës ose monopolit të njohur social, ekonomik, politik, ushtarak (luftarak), industrial dhe propagandistik të ‘politokracisë’ dhe klerit të lartë” tè kishave ose manastireve serbe dhe xhamive ose kishave shqiptare ose kosovare. Mark Sopi, do i thoshte dikur programit serb tè “Deutsche Wlles”: “Allbanska katoliçka crkva na Kosovu, ima odliçne i srdaçne odnose sa sestriçnkm srbijanskom pravosllavnom crkvom, i dobre odnose sa albanskom muslimanskon tajednicim”! ( “Kisha katolike shqiptare nè Kosovè, sipas Imzot Mark Sopit dhe bashkmendimtarève tè tij, ka marèdhènie tè shkèlqyera dhe tè pèrzemèrta me kishèn simotèr pravosllave serbe dge marèdhènie tè mira me bashkèsinè muslimane shqiptare”!) . Duke i bërë të pamundura ose inekzistente skemat ose formulat dialektive dhe evolutivo-empirike të dialogut, korrespondencës ose komunikimit real dhe të barabartë në mes elites kosovare dhe “pushtetit” ose “borgjezisë sè lartè politike” tè Rugovès (LDK-s) dhe SPS-it tè Millosheviçit. Në ketë prizëm, ngritja, hartimi ose formulimi i një teorie evolutive dhe dialektike të edukatës dhe kulturës së lartë shtetrore, nacionale ose politike të pandarë ose të pashkëputur prej jetës shpirtërore ose materiale, si dhe nevojave ose kërkesave të njohura njerëzore ose qytetare, të dukej i pamundur, absurd ose abstrakt. Në këtë rafsh, filloi edhe skizmatizimi (shizma), inkuizicioni dhe demonizimi (satanizimi) i luftëtarëve dhe udhëheqësve të lartë të UÇK-s nga ana e Rugovës (LDK-s) dhe Serbisë përmes “Draftit” të Christopher Hillit si dhe shumë “draftëve” pamfletëve dhe komplotëve tjera ndaj UÇK-s.

4. Motivi, vullneti dhe guximi për të jetuar i lirë, i pavarur, sovran, integral dhe autonom në një botë të sunduar ose dominuar nga “dishepujt” ose “apostujtë” e ndryshëm të ‘mbretërisë së të keqës’, sipas Arthur Schopenahauerit, janë faktorët, indikatorët ose prediakatorët kryesorë që e mbushin, plotësojnë dhe dominojnë jetën e njerëzve të ditur, të guximshëm dhe liberatorë. Përderisa, frika, dyshimi dhe pesimizmi i përgjithshëm total ose absolut, si pezhorative ose një “alternativë solomonike” -ndaj nënshtrimit dhe robërisë së stisur ose kamufluar si liri, patjetër çojnë në konkluzionin ose përfundimin e njohur sipas të të cilit: “të lirët, të diturit, të mençurit, të urtët, të pavarurit ose njerëzit sovran, patriot dhe ekselent, e kanë idealin e jetës, çlirimit (lirisè) dhe përparimit të gjithëmbarëshem individual dhe kolektivë, ndërsa, të paditurit, të robëruarit, horrat dhe maskarënjtë e ndryshëm, e kanë “motivin” dhe”idealin” e vdekjes, nënshtrimit (skllavërimit) dhe shkatërrmit. (Realiteti kosovar sipas “modelit” rugovian ose hamletiano-makiavelist.)

5. U mor vesh se me kalimin e vitëve ose me “ndërrimin e epokave”, njerëzit ose politikanët e ndryshëm ditorë ose periodikë, i tradhtojnë idhujt, miqtë, aleatët, liderët, partitë politike, idealet, ideologjitë politike ose ushtarake, konceptët e tyre, idealet ose vizionet e ndryshme shtetrore, nacionale, politike, diplomatike dhe të tjera, më një “epokë tjetër” më të re ose më aktuale, ashtu siç e tradhton një burrë gruan e tij për një grua tjetër më të bukur dhe më të re ose anasjelltas. Sidomos në Kosovë, ku liderët e ndryshëm institucional ose funksional, shpeshherë janë të detyruar t´i ndryshojnë përditë fjalët, bindjet, mendimet, premtimet, konceptët, ideologjitë, idealet ose vizionet e tyre si shtetrore, nacionale, politike, ushtarake (luftarake), historike, patriotike dhe të tjera si ushtaret corapet ose laviret breket si Ramush Haradinaj, Hashim Thaçi, Fatmir Limaj etj., qè u detyruan t’i lepijnè ata ose ato qè i kishin pshurrur ose pshtyrè dikur. Pse kjo? Sepse, çdo politikan ose diplomat, sipas H. Bergsonit, mendon ose reagon ndaj një politikani ose diplomati tjetër në kuptimin e asaj se liri, drejtëësi dhe barazi absolute nuk ka, por vetëm liri, drejtësi dhe barazi relative ose selektive. Kjo për faktin se i forti (i fuqishmi) i pushtetshmi, i pasuri dhe i stisuri ose sajuari, në shtetët ose “shoqëritë e larta” postkomuniste, neoliberaliste ose anarkoliberaliste si Kosova, gjithëmonë kanë të drejtë. Edhe “politikanet” ose “diplomatët” e poshtër, nebuloz, skizofren, mizantrop, filister, paranoid, demagog dhe hipokrit.

6. Në dukje te parë, kjo është pra filozofia e mbjelljes së optimizmit të antropomorforizuar në iluzion ose hedonizem, ku qielli me yje, është lebroz.
Kjo sidomos atëherë kur natyra ‘tretët’ ose shkrihet në mendjen dhe shpirtin e njeriut, objekti në subjekt dhe kështu me radhë…Kur natyra identifikohet me ‘procesin praktik dhe teorik të dëshirave, orekseve dhe kërkesave të përbashkëta, të kënaqësive dhe dhembjeve’ të ndryshme objektive dhe subjektive etj.
Në këtë ‘ritual’ ose ‘celebrimë të përbashkët’ të mendjes (koshiencës), shpirtit dhe nytyrës, është logjika ose koshienca e lartë njerëzore ajo që na flet ose udhërrefen vazhdimisht mbi “vullneti për të jetuar” (wille zum leben). Kështu që “fenomenët” e ndryshme natyrore dhe mbinatyrore, interferojnë dhe integrohen në vullnetin për të jetuar, që është thelbi i jetës dhe botës sonë.

7. Për Immanuel Kantin, vullneti për të jetuar, që në krye të herës është i njohur dhe identifikuar në vetëdijen (koshiencën) dhe ndërgjegjen tonë. Gjithashtu besohej (besohet edhe sot) se ligji i shkakësisë që i rregullon fenomenet e ndryshme natyrore dhe mbinatyrore dhe parimi i arsyes që i shpjegon dhe pranon ato, ishin (janë) ligje të përhershme dhe absolute. Respektivisht, “veritates aeternae” (të vërtetat e përjetshme).Për më tepër ndërkaq, vullneti për të jetuar dhe sundur pa meritat ose aftèsitè paraprake shkencore, intelektuale, profesionale, mentale (psikologjike) etj., na vë në gjumë dhe kur jemi zgjuar, dhe na vë në levizje edhe kur jemi të fjetur ose në gjumë. Ndryshe nga kjo, ndarja dhe thellimi i dy sferave të njohura filozofike, sferës racionale, të kufizuar nga parimi i arsyes, dhe asaj iracionale, të pakufizuar nga vullnetit për të jetuar, sunduar ose dominuar, shënon mbizotërimin e qartë të së dytës mbi të parën. Sidomos atëherë kur vullneti bëhet fiksion abstrakt dhe pavetèdije.