VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Libri i ri “Paralajmërimi”, një portretizim kritik i presidentit Trump nga shkrimtari anonim

By | November 8, 2019

Komentet

Mediat kundër rregullave shtrënguese gjatë gjyqit të Presidentit

Për të tretën herë në historinë e Shteteve të Bashkuara, senatorët janë shndërruar në jurinë që do të gjykojë presidentin amerikan e që do të vendosë nëse ekzistojnë prova të mjaftueshme për ta larguar nga detyra. Anëtarët e Kongresit japin llogari për vendimet e tyre përpara një shtypi të lirë që bën pyetje të vështira rreth veprimtarisë së tyre. Por siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës Katherine Gypson, rregullat e reja për gjyqin e Presidentit Trump mund ta ndryshojnë këtë gjë.

Qasja është parimi themelor që u lejon gazetarëve t’u drejtojnë pyetje ligjvënësve amerikanë dhe këta të fundit të shpjegojnë veprimet e tyre nëpërmjet mediave. Në dallim nga Shtëpia e Bardhë, Pentagoni dhe Departamenti i Shtetit, në Kongres, gazetarëve u është dhënë gjithnjë një liri relativisht e gjerë veprimi.

“Bukuria e politikave që kemi në Shtetet e Bashkuara është se ne mundemi në fakt të përballemi me zyrtarët e zgjedhur dhe të mos i frikësohemi burgut. Kemi në fakt qasjen tek vendimmarrësit për t’i pyetur se çfarë qëndrimi kanë, madje edhe për situata të sikletshme”, thotë Al Tompkins, i Institutit “Poynter”.

Por kjo gjë po ndryshon me procesin gjyqësor ndaj Presidentit Trump. Protestat në godinën e Senatit gjatë konfirmimit të anëtarit të Gjykatës së Lartë Brett Kavanaugh, i kanë krijuar policisë së Kapitolit dhe maxhorancën republikane shqetësimin se diçka e ngjashme mund të ndodhë gjatë gjyqit të Presidentit Trump.

“Njerëzit ishin të përzier me protestuesit në të njëjtat mjedise. Shqetësimet se këtë radhë protestuesit mund të hyjnë edhe brenda sallës, u pasuan me masa të tepruara. Janë shtuar aq shumë masat e sigurisë, sa që e kanë bërë të pamundur për gazetarët të bëjnë punën e tyre”, thotë zoti Tompkins.

Kjo do të thotë se për ca kohë nuk do t’i shohim më gazetarët duke ndjekur senatorët që nuk duan të japin përgjigje…

Rregullat e reja janë kritikuar nga disa republikanë.

“Është thellësisht marrëzi… Nuk jam dakort. Senatorët janë burra e gra në moshë të rritur. Dimë si të themi ‘No comment. Jo, nuk dua t’i përgjigjem kësaj pyetjeje tani. Nuk jam gati’. Prandaj nuk e kuptoj pse po veprojmë kështu”, thotë Senatori republikan John Kennedy.

Shumë senatorë demokratë frikësohen se punimet në sallën e Senatit gjatë procesit gjyqësor ndaj Presidentit Trump mund të zhvillohen pa praninë e mediave gjatë pikave kyçe të procesit.

“Mendojmë që procesi të jetë i hapur nga fillimi në fund. Shpresoj të jetë kështu. Republikanët mund të votojnë sigurisht në çdo moment për të kaluar në proces me dyer të mbyllura. Ata kanë shumicën në këtë proces që përcaktohet nga vota. Mendoj që populli amerikan duhet të dijë çfarë ndodh këtu”, thotë Senatori demokrat Robert Menendez.

Në këtë mënyrë mund t’ju vështirësohet edhe më tej puna gazetarëve që do të përpiqen të informojnë publikun për procesin gjyqësor ndaj presidentit amerikan. Ky është një lloj testi për demokracinë amerikane që shfaqet një herë në një gjeneratë. Organizatat e mediave po punojnë dhe negociojnë për ta ruajtur këtë qasje kaq të rëndësishme.

Gjyqi në Senat: Ja ekipi që do të mbrojë Presidentin

Ekipi ligjor i Presidentit Donald Trump do të përfshijë ish-profesorin e së drejtës të universitetit Harvard Alan Dershowitz dhe Ken Starr, ish-këshilltarin e pavarur që drejtoi hetimin e çështjes “Whitewater” ndaj Presidentin Bill Clinton. Hetimet u përqëndruan në investime në fushën e pasurive të paluajtshme të Bill e Hillary Clinton-it si dhe bashkëpunëtorëve të tyre.

Sipas agjencisë “Associated Press” e cila i referohej një burimi që kishte informacion mbi këtë çështje ekipi ligjor i Presidentit Trump do të përfshijë gjithashtu dhe ish-Prokuroren e Përgjithshme të Floridës dhe aleaten e zotit Trump, Pam Bondi.

Zoti Dershowitz e konfirmoi rolin e tij në një seri postimesh në twitter të premten. Ai shkruante se “do të paraqesë gjatë gjyqit në Senat argumente kushtetuese kundër fajësimit të Presidentit dhe largimit të tij nga detyra”.

Ndërsa profesori Dershowitz nuk është i njëanshëm kur bëhet fjala për kushtetutën, ai e ka kundërshtuar ngritjen e akuzave për shkarkimin e Presidentit Bill Clinton dhe ka votuar për Hillary Clintonin. Ai beson se çështja në fjalë shkon në zemër të Kushtetutës sonë të fortë”, shkruante ai në një tjetër tweet.

Këshilltari i Shtëpisë së Bardhë Pat Cipollone dhe avokati personal i zotit Trump, Jay Sekulow, pritet të kenë rolet kryesore në ekipin e mbrojtjes. Anëtarë të tjerë të ekipit do të jenë Jane Raskin, i cili ishte pjesë e ekipit ligjor të presidentit gjatë hetimit mbi ndikimin e Rusisë në zgjedhje drejtuar nga ish-Prokurori i Posaçëm Robert Mueller si dhe Robert Ray, i cili ka qenë gjithashtu pjesë e hetimeve në kuadër të çështjes “Whitewater”.

Presidenti Trump akuzohet për abuzim me detyrën dhe pengimit të hetimeve të Kongresit.

Senati amerikan e nisi gjyqin ditën e enjte me betimin e senatorëve që do të shërbejnë në proces si gjykatës. Gjyqi nis ditën e martë të javës që vjen. zëri i amerikës

SHBA: “Marshimi i Grave” dhe mesazhi i lëvizjes

Mijëra gra pritet të marshojnë në disa qytete amerikane të shtunën, për të katërtin vit me radhë, në mbrojtje të një sërë çështjesh, përfshirë barazinë gjinore dhe të drejtat e grave.

Në dhjetëra qytete janë planifikuar tubime, përfshirë Uashingtonin, ku marshimi i parë i grave në 2017-n tërhoqi me qindra mijëra persona vetëm një ditë pas betimit të Presidentit Donald Trump.

Marshimi ka përfshirë një mesazh politik që kur nisi në vitin 2017, kur shumë prej pjesëmarrësve mbanin kapele rozë të thurura që janë kthyer në simbol të ndjenjave të grave kundër presidentit Trump.

Pas 2017-s politika vazhdoi të jetë një temë e fortë e “Marshimit të Grave” përfshirë edhe 2018-n kur organizatorët e zhvendosën marshimin në Nevada, një shtet fushë-beteje për zgjedhjet për Kongresin që u mbajtën po atë vit si dhe në 2019-n kur marshimi u kthye në Uashington.

Disa nga kandidatët demokratë për president në vitin 2020 planifikojnë të marrin pjesë këtë vit në Marshimin e Grave në qytete të ndryshme të vendit. Pete Buttigieg, ish-kryebashkiaku i South Bend-it planifikon të marrë pjesë në marshimin që mbahet në Reno të Nevadës ndërsa ish-guvernatori i Masaçusetsit Deval Patrick do të jetë në tubimin e Karolinës së Jugut. Senatori Michael Bennet dhe biznesmeni Andrew Yang do të marrin pjesë përkatësisht në Nju Hampshajër dhe Ajoua.

Që nga marshimi i parë, organizimi është përballur me polemika, që kanë përfshirë edhe drejtuesit e saj duke i vënë përballë akuzave për anti-semitizëm. Organizatorët i kanë mohuar vazhdimisht pretendimet. Tre nga katër bashkëdrejtuesit kryesorë të organizatës janë larguar nga grupi dhe organizata ka caktuar një bord të ri që përfshin tri gra hebreje.

Bashkëkryetarja aktuale e “Marshimit të Grave” Isa Noyola, theksoi në një deklaratë se ky do të jetë marshimi i fundit përpara zgjedhjeve të 2020-s.

Në vitin 2020, ne kemi një mundësi për të përfunduar atë që nisëm para tre vitesh, të largojmë Trump-in nga detyra“, tha ajo. zëri i amerikës

Pritet dënimi i ish-ligjvënësit amerikan

Chris Collins, një ish-ligjvënës amerikan nga Nju Jorku, një nga mbështetësit e kahershëm të Presidentit Donald Trump, pritet të marrë dënimin të premten pas u vetëdeklarua fajtor se ishte pjesë e një skeme për nxjerrje të informacioneve të brendshme.
Zoti Collins, u deklarua fajtor lidhur me akuzën për komplot e deklarata të rreme të dhëna përpara gjykatës federale të Manhatanit në muajin tetor, një ditë pasi kishte dhënë dorëheqjen si ligjvënës i Dhomës së Përfaqësuesve. Edhe pse ai përballet me një maksimum prej pesë vitesh burg për secilën nga dy akuzat, si pjesë e marrëveshjes ai mund të dënohet me më pak se pesë vite. Zoti Collins u dënua për nxjerrje të informacionit të brendshëm ndërsa ishte anëtar i bordit dhe gëzonte 16.8 për qind të aksioneve të një kompanie bioteknologjike australiane.

Pasi mësoi nga një email i dërguar nga shefi ekzekutiv i kompanisë se një ilaç eksperimental për sklerozën e shumfishtë kishte dështuar gjatë një prove klinike, zoti Collins ia kishte dhënë këtë informacion të birit, duke i kërkuar atij të shesë aksionet përpara se lajmi të bëhej publik gjë që do të shkaktonte potencialisht zhvlerësimin e tyre. Djali i ish-ligjvënësit e kishte përcjellë këtë informacion edhe tek të tjerë persona. zëri i amerikës

Gjyqi ndaj Presidentit Donald Trump vazhdon të martën

Njerëzit e përfshirë në procesin e gjykimit të Presidentit Donald Trump në Senat kanë përpara një fundjavë të gjatë për të reflektuar rreth roleve dhe përgjegjësive të tyre, falë festës kombëtare amerikane të Martin Luther Kingut.

Senati i dërgoi një lajmërim me shkrim Presidentit Trump të enjten, duke e njoftuar për gjyqin dhe akuzat ndaj tij dhe ai duhet të përgjigjet me shkrim brenda mëngjesit të së shtunës.

Gjyqi për shkarkimin e Presidentit Trump vjen në kohëra ndasish të thella në vend dhe ndërsa demokratët po konkurrojnë për të kandiduar përballë tij në zgjedhjet e ardhshme presidenciale.

Zyra për Llogaridhënien e Qeverisë (GAO), një entitet që mbikqyr qeverinë amerikane, konkludoi të enjten se Presidenti Trump shkeli ligjin buxhetor vitin e kaluar kur pezulloi ndihmën ushtarake për Ukrainën prej 391 milionë dollarësh që kishte miratuar Kongresi. Në të njëjtën kohë, ai i bëri presion Kievit të fillonte hetime që do ta ndihmonin atë politikisht. Ky vendim lidhet me thelbin e procesit për shkarkimin e Presidentit Trump.

Ndihmën që i duhej Ukrainës për luftën ndaj separatistëve pro-rusë në pjesën lindore të vendit, Presidenti Trump e zhbllokoi në shtator, pas 55 ditësh vonesë, dhe pa përftuar çeljen e hetimeve nga Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy ndaj njërit prej sfidantëve kryesorë demokratë, ish-Nënpresidentit Joe Biden, si dhe ndaj djalit të tij, Hunter Biden, i cili kishte qenë anëtar bordi i një kompanie ukrainase të gazit.

Por pas hetimit, Zyra për Llogaridhënien e Qeverisë (GAO) konkludoi se “zbatimi i përpiktë i ligjit nuk i lejon presidentit që prioritetet e politikave që Kongresi i ka përcaktuar me ligj, t’i zëvendësojë me përparësitë e politikave të tij”. Në raport përcaktohet se agjensia buxhetore, e kontrolluar nga Presidenti Trump, bllokoi livrimin e fondeve “për arsye politikash”, gjë që nuk e lejon ligji amerikan.

Vendimi i GAO’s u bë publik vetëm dy orë përpara fillimit zyrtar të gjyqit në Senat, ku janë ngritur dy akuza: se Presidenti Trump abuzoi me postin duke u përpjekur ta detyrojë Presidentin ukrainas Zelenskiy të çelë hetime ndaj Joe dhe Hunter Biden, ndërkohë që kishte pezulluar ndihmën ushtarake; si dhe se pengoi përpjekjet e Kongresit për të hetuar veprimet e tij në Ukrainë.

Shtatë ligjvënës, të emëruar si prokurorë të çështjes kundër Presidentit Trump, i paraqitën solemnisht akuzat gjatë një leximi në mesditën e së enjtes në Kapitol. Kryetari i Komisionit të Zbulimit të Dhomës së Përfaqësuesve, Adam Schiff, lexoi akuzat ndaj presidentit të 45-të të Shteteve të Bashkuara, në një seancë të zhvilluar vetëm tre herë në historinë prej dy shekujsh e gjysëm të Senatit amerikan.

Ligjvënësit-prokurorë nga Dhoma e Përfaqësuesve duhet të përgatisin dhe të paraqesin argumentat ligjore të shtunën dhe të hënën.

Kryetari i Gjykatës së Lartë të Shteteve të Bashkuara, John Roberts, bëri betimin për të marrë drejtimin e gjyqit ndaj Presidentit Trump. Pak minuta më vonë, u betuan përpara tij 99 nga 100 senatorët, të cilët do të shërbejnë si juri që do të vendosë për fatin e Presidentit Trump. (Mungonte Senatori James Inhofe, i shteti Oklahoma, për shkak të një emergjence familjare. Ai do ta bëjë betimin javën e ardhshme, kur të ketë filluar gjyqi.) Formula e betimit të ligjvënësve thotë se ata angazhohen të japin “drejtësi të paanshme”. Sidoqoftë, një numër i madh senatorësh e kanë deklaruar tashmë votën e tyre, nëse do të jetë për fajësinë apo pafajësinë e Presidentit Trump.

Pas kësaj pjese përgatitore, gjyqi “i vërtetë” pritet të fillojë të martën e ardhshme, në orën 1 pasdite, në sallën e Senatit.

Zyra për Menaxhimin dhe Buxhetin, po kështu edhe Shtëpia e Bardhë, e hodhën poshtë konkluzionin e GAO’s.

“Nuk jemi dakord me opinionin e GAO’s”, tha një zëdhënës i Zyrës për Menaxhimin dhe Buxhetin. “Zyra jonë ushtron autoritetin e saj për caktimin e fondeve, për t’u siguruar që dollarët e taksapaguesve të shpenzohen në përputhje me përparësitë e presidentit dhe me ligjin”.

Duke qenë se republikanët kanë shumicën në Senat (53 me 47), është pothuajse e sigurtë që Presidenti Trump do të dalë i pafajshëm dhe do të vazhdojë detyrën. Për ta shpallur atë fajtor për secilën nga dy akuzat, nevojiten votat e 2/3 të senatorëve. Disa republikanë kanë kritikuar përpjekjet e Presidentit Trump për të hapur hetime ndaj zotërinjve Biden.

Por asnjë republikan nuk ka bërë thirrje për shpalljen e tij fajtor dhe heqjen nga detyra, ndërsa jemi vetëm më pak se një vit larg momentit kur ai do të përballet me votuesit për një mandat të dytë në Shtëpinë e Bardhë. zëri i amerikës

Senati amerikan fillon gjyqin për procesin e shkarkimit të presidentit

Gjyqi për shkarkimin e mundshëm të Presidentit amerikan, Donald Trump filloi të enjten me një sërë procedurash ceremoniale që përgatisin terrenin për argumentet hapëse në fillim të javës së ardhshme. Është vetëm hera e tretë në historinë amerikane që senatorët do të gjykojnë një president amerikan dhe do të përcaktojnë nëse duhet të shkarkohet apo jo nga detyra. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Katherine Gypson gjyqi mbahet ndërsa demokratët argumentojnë se prova të reja vërtetojnë se presidenti është fajtor për vendosjen e kushteve për ndihmën ndaj Ukrainës, në këmbim të interesave të tij politike.

Senatorët amerikanë bënë betimin dhe nënshkruan se do të gjykojnë në mënyrë të paanshme Presidentin Trump.

Ata do të dëgjojnë kryetarin e Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Zbulimin, Adam Schiff – dhe gjashtë ligjvënësit e tjerë në rolin e prokurorëve – që do të paraqesin argumentat se pse sipas tyre, presidenti Trump duhet të shkarkohet.

“Asnjë president në historinë e Republikës nuk ka urdhëruar një sfidë të plotë ndaj një hetimi për shkarkim. Ky abuzim me postin shërbeu për të mbuluar shkeljet e vetë presidentit”, tha zoti Schiff.

Procesi për akuzat e shkarkimit në Dhomën e Përfaqësuesve me shumicë demokrate, ishte një betejë e ashpër politike.

Udhëheqësi republikan, Mitch McConnell tha se në Senat do të ishte ndryshe.

“Kjo dhomë e Kongresit ekziston që të shikojmë përtej dramave të ditës dhe të kuptojmë se si veprimet tona do të ndikojnë tek brezat e ardhshëm”, tha ai.

Por demokratët thonë se procesi nuk mund të jetë i drejtë nëse senatorët nuk lejohen të dëgjojnë nga dëshmitarët dhe të shohin dokumentat që ata thonë se provojnë që Presidenti bllokoi ndihmën për Ukrainën në këmbim të hetimeve nga të cilat do të përfitonte fushata për rizgjedhjen e tij.

“Secilit nga ne do t’i duhet të vendosë nëse do ta fillojmë gjyqin me synimin për të zbuluar të vërtetën apo në shërbim të dëshirës së presidentit për të fshehur të vërtetën”, tha senatori demokrat Chuck Schumer.

Gjyqi filloi ndërkohë që një agjenci e pavarur qeveritare, njoftoi se administrata e Presidentit Trump kishte shkelur ligjin kur bllokoi ndihmën për Ukrainën.

Aleatët e Presidentit Trump në Senat thonë se nuk ka asgjë që justifikon shkarkimin.

“Departmenti i Mbrojtjes më tha që në fillim se ishin të shqetësuar për qeverinë e re në Ukrainë. Po të shohësh të dhënat, sasia e parave për Ukrainën ishte e njëjtë si përpara”, tha senatori republikan, Lindsey Graham.

Por Lev Parnas – një bashkëpunëtor i avokatit personal të Presidentit Trump, Rudy Giuliani – mund të bëhet dëshmitar në proces pasi tha se zoti Trump e dinte saktësisht se çfarë po bëhej me Ukrainën. Zoti Trump e mohon një gjë të tillë.

“Nuk mbaj mend të kem biseduar ndonjëherë me të”, tha ai.

Demokratët besojnë se këto informacione të reja do të rrisin presionin për të pranuar dëshmitarë.

“Opinioni publik është rritur në favor të dëshmitarëve dhe dokumentave. Dhe republikanët duhet përballen me publikun për këtë çështje”, tha Nancy Pelosi, Kryetare e Dhomës së Përfaqësuesve.

Gjyqi pritet të fillojë plotësisht të martën kur senatorët të kthehen nga një fundjavë e gjatë feste.

Vendimi: administrata Trump shkeli ligjin duke bllokuar ndihmën për Ukrainën

Presidenti amerikan Donald Trump ka shkelur ligjin vitin e kaluar, duke penguar përkohësisht 391 milionë dollarë ndihmë ushtarake të miratuar nga Kongresi për Ukrainën, ndërsa i bënte presion Kievit të niste hetimet për të përfituar politikisht. Në këtë përfundim ka dalë të enjten një agjenci mbikëqyrëse e veprimtarisë së qeverisë federale, një vendim që përbën thelbin e procesit që synon shkarkimin presidentit amerikan.

Zoti Trump e liroi ndihmën që Ukraina do ta përdorte për të mbështetur përpjekjet e saj kundër separatistëve pro-rusë në pjesën lindore të vendit në muajin shtator, pasi e bllokoi atë për 55 ditë edhe pse Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy nuk nisi hetime ndaj ish-Nënpresidentin Joe Biden dhe djalit të tij Hunter Biden. Joe Biden është një nga kundërshtarët kryesorë të zotit Trump për zgjedhjet e 2020-s.

Pas një hetimi të kryer nga zyra e Kongresit për Kontrollin e Veprimtarisë së Qeverisë Federale ajo doli në përfundimin se “zbatimi me besnikëri i ligjit nuk e lejon presidentin të zëvendësojë përparësitë e politikave të tij me ato që ka miratuar Kongresi”. Aty thuhej se Agjencia e Buxhetit e kontrolluar nga zoti Trump kishte bllokuar lëshimin e parave “për arsye politikash”, gjë që nuk është e lejueshme sipas ligjit amerikan.

Vendimi i agjencisë amerikane u njoftua më pak se dy orë përpara fillimit zyrtarisht të procesit të gjykimit në Senat të Presidentit Trump. Zoti Trump akuzohet për abuzim me detyrën për shkak të përpjekjes së dyshuar për të nxitur zotin Zelenskiy të nisë hetimet ndaj zotit Biden dhe djalit të tij ndërsa mbante të bllokuar ndihmën ushtarake si dhe për pengim të hetimeve që po kryente Kongresi mbi këtë çështje.

Në kushtet kur republikanët kanë shumicën në Senat, 53 vende nga 100 gjithsej, është pothuajse e sigurt se ai do të lirohet nga akuzat. Shkarkimi i presidentit kërkon një shumicë prej dy të tretash të anëtarëve të Senatit.

Disa republikanë e kanë kritikuar kërkesën e zotit Trump për të hetuar zotin Biden, por asnjë prej tyre nuk ka kërkuar largimin e tij nga detyra ndërsa ka mbetur më pak se një vit nga gara e radhës presidenciale. zëri i amerikës

Parnas: Presidenti ishte në dijeni të lëvizjeve të Giulianit

Lev Parnas

Lev Parnas, bashkëpunëtori i akuzuar i avokatit personal të Presidentit Trump, i cili u përpoq të bindë Ukrainën që të hetonte ish-nënpresidentin Joe Biden, tha se Presidenti ishte në dijeni të aktiviteteve të avokatit të tij personal Rudy Giuliani në Ukrainë.

Presidenti Trump e ka mohuar se e dërgoi avokatin personal Rudi Giuliani në Ukrainë për të kërkuar fakte diskredituese për zotin Biden, rivalin e tij në zgjedhjet presidenciale të 2020-s.

Por Lev Parnas i tha rrjetit televiziv MSNBC se Presidenti Trump ishte në dijeni të të gjitha lëvizjeve të tij. “Unë nuk do të bëja asgjë pa pëlqimin e Rudy Giulianit ose të presidentit,” tha ai.

Parnas tha gjithashtu se ai kishte shkuar në terren pikërisht për të bërë punën e tyre.

Parnas, biznesmen me origjinë ruse dhe Igor Fruman, një bashkëpunëtor tjetër i zotit Giuliani, janë akuzuar për kontribute të paligjshme ndaj fushatës së kandidatit Trump në zgjedhjet e 2016. Që dy kanë deklaruar se nuk janë fajtorë.

Parnas i tha rrjetit MSNBC se udhëheqësit e Ukrainës nuk kishin asnjë arsye të takoheshin me të. “Por ishin ata, njerëzit e Presidentit Trump, që u thanë të takoheshin me mua. Dhe ky është sekreti që ata përpiqen të fshehin,” tha Lev Parnas.

Ai shtoi se interesi i Presidentit Trump për Ukrainën nuk ishte aspak çrrënjosja e korrupsionit qeveritar. Gjithçka ishte “për Joe Bidenin dhe të birin, Hunter Biden”.

I pyetur për pohimet e Presidentit Trump se nuk e njeh atë, Lev Parnas tha: “Ai gënjen” dhe shtoi se ai ishte me avokatin Giuliani katër ose pesë ditë në javë në Ukrainë, kohë gjatë së cilës Presidenti Trump ishte në kontakt të vazhdueshëm me avokatin. zëri i amerikës

Dhoma e Përfaqësuesve dhe dërgimi në Senat i akuzave për shkarkimin e Presidentit

Dhoma e Përfaqësuesve pritet të votojë të mërkurën për të dërguar në Senat akuzat për shkarkimin e Presidentit Trump, duke lejuar fillimin e gjykimit të presidentit.

Kjo është hera e tretë në histori që në Senat zhvillohet gjyqi për shkarkimin e një presidenti.

Në një mbledhje me dyer të mbyllura të martën me ligjvënësit demokratë, zonja Pelosi bëri të ditur planin e saj për të emëruar të mërkurën ekipin e ligjvënësve që do të luajnë rolin e prokurorit në gjyqin që zhvillohet në Senat.

Procesi gjyqësor drejtohet nga Kryetari i Gjykatës së Lartë, ndërsa senatorët janë në rolin e anëtarëve të jurisë që ka në dorë të shpallë presidentin të fajshëm ose jo, për akuzat e ngritura nga Dhoma e Përfaqësuesve.

Republikanët, që kanë shumicën në Senat, i kanë kundërshtuar akuzat kundër presidentit Trumë dhe nuk pritet që ai të shpallet fajtor. Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Pelosi, priti gati katër javë për të dërguar akuzat në Senat, gjë për të cilëmn ajo është kritikaur nga republikanët. Zonja Pelosi thotë se ajo kërkonte të dinte më shumë hollësi rreth mënuyrës së si do ta zhvillonin procesin gjyqësor republikanët, duke i akuzauar ata për bashkëpunim me presidentin për ta shpallur atë të pafajshëm.

Dy presidentët e tjerë në të kaluarën që i janë nënshtruar gjyqit në Senat, janë Bill Klinton në vitin 1999 dhe Andrew Johnson 1868. zëri i amerikës

Dhoma e Përfaqësuesve miratoi rezolutën që kufizon veprimet ushtarake kundër Iranit

Dhoma e Përfaqësuesve miratoi një rezolutë më të cilën i kërkohet presidentit Donald Trump të marrë miratimin e Kongresit për veprimet ushtarake ndaj Iranit. Në favor të rezolutës ishin 224, ndërsa kundër votuan 194 ligjvënës.

Në një deklaratë të mëhershme, kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, kritikoi administratën e presidentit Trump për kryerjen e sulmit ajror javën e kaluar që vrau komandantin e forcave iraniane Quds, Qassem Soleimani, pa u këshilluar me Kongresin.

Ajo e quajti sulmin ajror një veprim “provokues dhe jo proporcional” që rrezikonte trupat dhe diplomatët amerikanë.

Rezoluta kërkon që presidenti të ndalojë përdorimin e forcave amerikane kundër Iranit derisa Kongresi nuk ka shpallur luftë ose nuk ka dhënë miratim ligjor, apo derisa një veprim i tillë ushtarak është i nevojshëm për t’u mbrojtur kundër një sulmi të menjëhershëm kundër Shteteve të Bashkuara, territoreve të saj apo forcave të armatosura.

“Administrata duhet të punojë me Kongresin për të çuar përpara një strategji të menjëhershme, efektive shtendosjeje që parandalon dhunën e mëtejshme,” tha zonja Pelosi. “Amerika dhe bota nuk mund t’i lejojnë vetes një luftë”, shtoi ajo.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Hogan Gidley, e cilësoi rezolutën e së enjtes “të gabuar” dhe “qesharake”.

Rezoluta nuk është detyruese, ndërsa vështirë që do të sigurojë votat e mjaftueshme në Senatin e kontrolluar nga republikanët. zëri i amerikës

Yuri Kim bën betimin për detyrën e ambasadores së SHBA në Shqipëri

Yuri Kim bëri të enjten betimin si ambasadore e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri.

Zonja Kim, u emërua nga Presidenti Donald Trump në qershor të këtij viti. Ajo ka thënë se do të nxisë udhëheqësit e Shqipërisë për të zgjidhur ngërçin aktual politik në mënyrë që të forcohet perspektiva e hapjes së negociatave të anëtarësimit në BE.

Zonja Kim ka thënë gjithashtu se do të inkurajojë Shqipërinë të zbatojë plotësisht reformat në drejtësi. Ajo është shprehur se sheh si përparësi edhe ndihmën teknike për Shqipërinë në hetimin, ndjekjen dhe ndëshkimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar ndërnacional.

onja Kim pritet gjithashtu të inkurajojë Shqipërinë për të arritur nivelin 2 përqind në shpenzimet e mbrojtjes deri në vitin 2024.

Yuri Kim është gruaja e parë koreano-amerikane që përfaqëson SHBA në postin e një ambasadori dhe personi i parë nga territori amerikan i Guamit që shërben në një post të tillë. Ajo ka lindur në Kore dhe është rritur në ishullin Guam, një territor i SHBA në Oqeanin Paqësor.

Ajo ka shërbyer në Departamentin e Shtetit si Drejtore e Zyrës së Çështjeve të Evropës Jugore, ka qenë drejtoreshë e Qendrës së Departamentit të Shtetit për Studimin e Diplomacisë, Shefe e Stafit për Zëvendëssekretarin e Shtetit dhe Drejtore e Zyrës për Sigurinë Evropiane dhe Çështjeve Politiko-Ushtarake. zëri i amerikës

Presidenti Trump paralajmëron sanksione të reja kundër Iranit

Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se do të vendosë sanksione më të fuqishme ekonomike ndaj Iranit, pas sulmit iranian me raketa kundër dy bazave ushtarake në Irak që strehojnë trupa amerikane. Në fjalimin përpara vendit që mbajti të mërkurën, ai njoftoi gjithashtu se asnjë amerikan nuk u dëmtua në sulmin e mbrëmshëm.

“Të gjithë ushtarët tanë janë të sigurt dhe në bazën tonë ushtarake pati vetëm dëme minimale,” tha ai.

Pas sulmit me raketa, tha Presidenti Trump, “Irani duket se është tërhequr, gjë që është diçka e mirë për të gjitha palët e interesuara dhe një gjë shumë e mirë për botën.” “Asnjë jetë amerikane ose irakiane nuk humbi për shkak të masave paraprake të shpërndarjes së forcave dhe të një sistemi paralajmërimi të hershëm që funksionoi shumë mirë.”

Vendet e botës, tha Presidenti Trump, “e kanë toleruar gjatë sjelljen shkatërruese dhe destabilizuese të Iranit në Lindjen e Mesme dhe më gjerë. Por ato ditë kanë marrë fund.”

Irani, tha ai, ka qenë sponsori kryesor i terrorizmit dhe synimi i tyre për të patur armë bërthamore kërcënon botën e civilizuar. “Përsa kohë që unë të jerm president, Irani nuk do të lejohet të ketë armë bërthamore,” deklaroi Presidenti Trump.

Javën e kaluar, tha ai, ushtria e Shteteve të Bashkuara eliminoi “terroristin më të madh në botë”, Kasem Soleimani.

Solejmani, tha Presidenti Trump, ishte personalisht përgjegjës për disa prej mizorive më të rënda. “Ai trajnoi ushtri terroriste, përfshirë Hezbollahun, nxiti luftëra të përgjakshme civile, në të gjithë rajonin. Ai plagosi dhe vrau mijëra trupa amerikane. Duke eliminuar soleimanin ne i kemi dërguar një mesazh të fuqishëm për terroristët,” tha Presidenti.

Ai tha se SHBA vazhdojnë të shqyrtojnë opsionet në përgjigje të sulmit iranian. Ne, tha ai “do të vendosim menjëherë sanksione shtesë ndëshkuese ekonomike ndaj regjimit iranian, të cilat do të qëndrojnë në fuqi derisa Irani të ndryshojë sjelljen e tij.”

Irani, tha Presidenti, “duhet të braktisë ambiciet e tij bërthamore dhe mbështetjen për terrorizmin. Ka ardhur koha që Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Franca, Rusia dhe Kina ta njohin këtë realitet.”

Këto vende, tha Presidenti, “tani duhet të shkëputen nga marrëveshja bërthamore me Iranin” dhe “ne të gjithë duhet të punojmë së bashku” për një marrëveshje të re me Iranin.

Ne, tha Presidenti, “gjithashtu duhet të bëjmë një marrëveshje që lejon Iranin të lulëzojë dhe përparojë.”

Presidenti Trump i kërkoi NATO-s “të përfshihet shumë më tepër në procesin e Lindjes së Mesme”.

“Ekonomia jonë, tha ai, është më e fortë se kurrë më parë Tani jemi prodhuesi numër një i naftës dhe gazit natyror kudo në botë. Ne jemi të pavarur. Dhe ne nuk kemi nevojë për naftë të Lindjes së Mesme.”

Ushtria amerikane, tha Presidenti, “është rindërtuar plotësisht nën administrimin tim me një kosto 2.5 trilion dollarë. Forcat e Armatosura të SHBA janë më të forta se kurrë më parë. Raketat tona janë po aq të fuqishme, vdekjeprurëse dhe të shpejta.”

“Në ndërtim e sipër janë shumë raketa hipersonike. Megjithatë, fakti që ne kemi këtë ushtri dhe pajisje të shkëlqyer, nuk do të thotë që duhet t’i përdorim ato. Fuqia amerikane, si ushtarake, ashtu edhe ekonomike është parandaluesi më i mirë,” tha Presidenti Trump.

Tre muaj më parë, tha Presidenti, “na u desh të shkatërrojnë 100 për qind të ISIS-it dhe kalifatin e tij territorial. Ne vramë udhëheqësin e egër të ISIS-it Al-Bagadi, i cili ishte përgjegjës për aq shumë vdekje, përfshirë therjet masive të të krishterëve, myslimanëve dhe të gjithë atyre që ishin pengesë në rrugën e tij. Ai ishte një përbindësh.”

“ISIS-i, tha Presidenti Trump, është një armik natyror i Iranit. Shkatërrimi i ISIS-it është diçka e mirë për Iranin. Dhe ne duhet të punojmë së bashku për këtë dhe përparësi të tjera të përbashkëta.” zëri i amerikës