VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Libri “Presidenti është zhdukur”, Klinton rrëfen sekretet e Shtëpisë së Bardhë

By | November 16, 2018

Komentet

Më 9 korrik 1957 lindi Ardian Klosi, publicist, përkthyes, opinionist dhe aktivist shqiptar

Ardian Klosi (Tiranë, 9 korrik 1957 – 26 prill 2012) ishte publicist, përkthyes, opinionist dhe aktivist shqiptar.

Biografia

Ardian Klosi u lind në Tiranë më 9 korrik 1957, i biri i Bilbil Klosit dhe Jolanda Xhuvanit[2][3]. U diplomua në fakultetin e Gjuhë-Letërsisë në vitin 1981 me një tezë mbi përkthimin e Dickens dhe Thackeray. Prej 1981 deri më 1986 punoi si redaktor dhe përkthyes pranë shtëpisë botuese “Naim Frashëri”, duke përkthyer autorë si Th. Mann, S. Zweig, H. Böll, M. Twain etj. Prej 1986 deri më 1990 studioi Gjermanistikë dhe Letërsi të Krahasuar pranë universitetit të Innsbruck në Austri. Doktoroi me temën “Miti dhe zhvillimi i tij në Letërsinë Moderne të vendeve të Evropës Jug-Lindore”. Nga viti 1993-1998 ka qëndruar në Gjermani. Në vitin 1998 u rikthye në Shqipëri ku u emërua nga qeveria socialiste si Drejtor i Përgjithshëm i Radio Televizionit Shqiptar.

Qysh nga 2004 drejtoi shoqatën kulturore gjermano-shqiptare “Robert Schwartz”[1].

Ardian Klosi i dha fund jetës së tij më 26 prill 2012.

Vepra
Në shqip

“Refleksione” (bashkëautor Edi Rama), 1991↵”Shqipëria zgjim i dhunshëm”, 1991 ↵”Quo vadis Shqipëri”, 1993 ↵”Shqipëria ç’mund të jetë”, 1997 ↵”Robert Schwartz ose dritaret e qytetit tim”, 2007

Në gjermanisht

“Mbijetesë shqiptare”, 1993 (fotot Jutta Benzenberg)↵”Fjalor Gjermanisht-Shqip”, 1997 (me W. Fiedler)

Përkthime

Solli mjeshtërisht në shqip përmbledhjen e plotë të veprës së Franc Kafkës në prozë të shkurtër, si dhe veprën “Kështjella”, duke i përkthyer nga gjermanishtja pas një pune të gjatë. “Me syrin e një klouni”, nga Heinrich Böll↵”Adami dhe Evelina”, nga Ingo Schulze↵”I humburi”, nga Hans Ulrich Treichel↵”101 poezi dashurie”, nga Bertolt Brecht↵”Dasmë qyteti”, nga Bertolt Brecht↵”Baal”, nga Bertolt Brecht↵”Përndjekja dhe vrasja e Zhan Pol Maratit”, nga Peter Weiss↵”Skënderbeu”, nga Oliver Jens Schmitt↵”Arberia Venedike”, nga Oliver Jens Schmitt↵”Vizita e damës plakë” nga Friedrich Dürrenmatt↵”Ali Tepelena”, nga François Pouqueville↵”Udhëtim dimri”, nga Wilhelm Müller↵”Hija e Erës”, nga Carlos Ruiz Zafon.

Burime

^ a b Ardian Klosi, uebersetzercolloquium.de Archived 3 March 2016 at the Wayback Machine..
^ Ilnica E., Arsyet pse Ardian Klosi vrau veten (…) – flet Kozara Kati, panorama.com.al, 3 maj, 2012.
^ Një pyetje për Jolandën, Gazeta Shqip, 18 nëntor, 2014.

Ismail Kadare për Hyllin e Dritës: Martin Camaj është një nga shkrimtarët më të mirë të kombit shqiptar

H. D. – A e keni njohtë Martin Camajn dhe çfarë marrëdhëniesh keni pas me të? Çfarë ideje keni për krijimtarinë e tij letrare?

I. K. – Kam pasur fatin ta takoj për herë të parë Martin Camajn, në tetor të vitit 1981, në Frankfurt. Pas mbarimit të një konference shtypi, m”u afrua një burrë i pashëm, i cili, pasi më foli shqip, tha emrin e vet: Martin Camaj. E njihja, pa dyshim, nëpërmjet revistës “Shejzat” të Koliqit dhe atij iu bë qejfi që ia thashë këtë. Biseduam një copë herë në këmbë, midis zhurmimít të zakonshëm te një mjedisi të tillë. Pas vendosjes sime në Paris, një mik i përbashkët gjerman, Werner Daum, që kishte qenë diplomat në Tiranë, më solli të falat e Martin Camajt, si dhe dëshirën e tij për t’u takuar përsëri, në kushte fare të tjera tani. Për fat, sapo kisha lexuar dy novelat e tij të gjata “Rrungajat e marsit” dhe “Pishtarët e natës”, të cilat më kishin pëlqyer mjaft dhe Werner Daum më tha se ishte i lumtur t`ia njoftonte këtë gjë Camajt, baslıkë me kënaqësinë time për t’iu përgjigjur ftesës së tij. E lamë takimin pas disa javësh,’ngaqë do të ndodhesha në Munih, ku ai banonte, në një forum ndërkombëtar shkrimtarësh. Isha i ftuar për drekë në shtëpinë e tij bashkë me Daum-in. E prisja me padurim këtë takim, kur vetëm disa ditë përpara tij, erdhi lajmi i pikëllueshëm se Martin Camaj nuk ishte më i kësaj bote.

Eshtë një nga shkrimtarët më të mirë të kombit shqiptar, me po atë vlerë në prozë sikurse në poezi, dy hapësira të mëdha, me të cilat ai u përpoq të zëvendësonte atdheun e munguar. Ishte po aq i fisëm në veprën e tij, sa edhe në vizionin për raportet njerëzore brenda familjes së shkrimtarëve. Këto të fundit, për fat të keq, vazhdojnë të jenë kaq munguese në jetën tonë.

Kadare, interviste me ” Hylli i Dritès”

 

ARBËRIT HOMERIK – Poezi nga ATDHE GECI

Vullkan i fjetur është Çamëria
Gjuhën Greqia na e ka burgosur
Shtëpitë-shkollë e bëjnë punën e
tyre, grupe Ipesh zihen mes vete
Koha për Çamërinë ka ardhur
Gjuha në luftë është këngëtari,
Liria udhët i ka tepër të shtrenjta
Atdheu kërkon, Epiri të çlirohet.
Greqisë borxhi ndaj shqiptarëve
po i shtohet, për krimet e bëra
ndaj çamëve dhe ndaj arvanitëve
zëri çamit jo homazh, kryengritje!
Lufta e shtëpisë kundër shtëpisë,
për çamë e arvanitët është e huaj
liria s ́ikën nga Arta dhe Morea
tek kjo tokë shqipet jemi të parët
Dashuria për liri fillon tek zemra
iku koha kur pushtimi bënte fatin
Çamëri, arbëresha jonë homerike
në mbështetje e ke tërë atdheun.
Atdhe Geci – Sarandë, 2016

RRËFIMI I NJË TË PENDUARI – Poemë nga FASLLI HALITI

 

                                                       

 

Unë një labirint piramide,

Katakombi

Një lesh e li

Një turbullirë

Hapësirë plot moçale

Lartësi gjithë vakuume

Shirit me gjysma fjalësh

Kasetë

Me gjysma bisedash

Me gjysma polemikash

Debatesh

Copëza këngësh

Tingujsh

Melodish

Liqen plot cektësira

Pa kaltërsi

Pyll

Pa lisa

Plot shkurre

Plot trungje shtrembakë

Pa zogj pa bilbila

Pa lauresha

Plot derra,

Ujqër,

Pa dhelpra

 

***

 

Unë

Jam një film fragmentar

Plot të këputura copë copë

Plot poza të djegura

Flu

Një arë

Me grurë të blertë breshke

Me kalli pa kokrra…

Kokëpërpjetë

Djerrinë

Plot gjembaçë

Plot driza dhe ferra

Unë

Mbjell

Nuk korr

Miellin e sit

Brumi vjen i kulluar

Unë s’e gatuaj s’e pjek

Shtëpinë e lë fare pa bukë

Librin e lë pa lexuar gjer në fund…

Filmin s’e ndjek

Gjer në end, fine, telos, kanjec

Fjalët e tekstit nuk i marr vesh

Nuk i kuptoj

Melodinë nuk e riprodhoj

Refrenin e mërmëris me vete

Dëshiroj shumë

Por pa arritje

Shtroj problemet

S’i zgjidh saktësisht

X y z më dalin me mbetje

Me përqindje

Në fund

Në ushtrimet algjebrike mbrëmjeve bëj minuse

Me qëllimin furbesk

Që t’i bëj pluse

Në mëngjes

Edhe rimat s’i qëlloj

Asonancat e mia janë anemike

Ngjyrat të përzjera llaҫ kobalt, pink

Krijoj njolla

Si trazirë ylberi mbi asfalt

Jam indiferent ndaj halleve të kujtdo

Vëmendja ime nuk u vë veshin telasheve të njerëzve…

Mendja bën fluturime nëpër qiejtë nëpër retë

Syri im

Sheh qimen

Në syrin e tjetrit

Nuk sheh trarin në syrin e vet

 

***

 

Unë

Një automatik difektoz

Fishekët  më dalin të pazbrazur

Unë

Një orë e çakërdisur

Herë shkoj para

Herë prapa

Herë

S’punoj fare

Më mërzitet koha e mërzitur

Ndaj e lë të ikë si pelë e azdisur

 

 

***

Unë

Tren

Pa trenistë

Dal nga shinat

Çaj mes baltrave

S’i duroj dot shinat

Më mërzitin paralelet

Të cilat s’takohen kurrë

Kujtesa ime një usb boshe

Kompjuter me plot mishmash

Me një stivë mbresash imcake

Me cirkovolucione të përgjumura

Tru smirëzi

Dhëmbë

Ҫatallë smeril

Hakmarrës i serta

I cili nuk fshihen dot

Me gomën e pendesës

Idhnak intolerant ekstremist i marrë

Vadis gjembaçin shkul zambakun e bardhë

 

***

 

Pështyj

Dhe lëpij të pështyrat

Fshij pikën e vesës në fytyrën e tjetrit

Lë pështymën e tjetrit në faqen time

Unë përtyp qelbësira të vjetra e të reja

Ha turpin me bukë,

Me bukë bajate

Pi në burim

Turbulluar

Nga unë

Vetë

Vdekjet

S’më hidhërojnë

Lindjet s’më gëzojnë

Nuk vete për ngushëllim

Në vakira s’qaj

Nuk vajtoj

Në dasma

Nuk këndoj

Mbaj vetëm iso

Nuk kërcej nukvallëzoj…

 

***

 

Ha dhe  mbetem i uritur

Pi dhe mbetem i etur

Si Tantali

Suksesi

I tjetërit

Më pikëllon

Më vret veshin

Pres me padurim

Dështimet falimentimet

Afishimet mbi xam: «Dyqani mbyllet!»

Flas  vetëm për të djeshmen

Për të sotmen heshtje

Goja

Kyҫur

Të ardhme

Të nesërmes

S ’ia vë fare veshin

Më mbetet koka duke pas

Rri me sy

Nga e djeshmja

Më pushton nostalgjia

Dashuria

S’më

Prek fare

Errësira më qetëson

Drita më vret sytë më verbon

Shoh si lakuriqi me veshë dëgjoj me sy

Akullin dhe avullin i kam miq

Me ujin jam në mëri në gjak

Unë digjem nga etja

Ai s’ma shuan

Buzën

S’ma lag

 

***

 

Unë

Hidrofob i tërbuar

Unë u thur himne torfës

Kënetave me ujë verdhanë

Selekëve të mbuluar me fier

Kallamave me idile puhish fine

Ujin e poshtëroj

Laj këmbët

Laj rrobat me njolla vaji të zi

Shaj lumin që shuan etjen e blerimit…

I marr lirinë ajrit dhe erës

I burgos në bombola

Në goma makinash

Shaj Oqeanet

S’i shoh dot

Gjërësitë, gjatësitë, thellësitë e tyre përpirëse

Pellggjeve u përkulem me reverancë

Rrëkeve iu mbaj ison pa tinguj

Laj sytë me sklepa burimeve

Kafshimi më ngop

Puthja e buzëve

Vishnjë qershi

Neveri

Tres

Vesën

Për plumba

Shes ndërgjegjen

Pa më vrarë ndërgjegjja

Tall

Trimërinë

Përkëdhel frikën

Dashuria më hap krahët me dashuri

Unë e përqafoj me urrejtje

Kuash më bëri

Mua kështu:

Unë s’jam krijues

Mua më bëri dikush

Po kush më bëri

Ju,

Jeta.

Shoqëria…

 

Apo më krijoi vetë Zoti, Perëndia…?

 

 

1996 – 2017

Prapafshehësi i gjithkahnajës! (Paralele…) – Esé nga REX KASUMAJ

Berlin, korrik 2020

 

1.
Në Faunën e Amerikës paskësh jetuar herët një krijesë e rrallë. Natyrisht, ajo do të popullonte vetëm fantazinë njerëzore. Porse a nuk pleksen shpesh mite, legjendë e jetë bashkë?

Ishte i Prapafshehuri dhe cilësohej kështu, sepse fshihej prapa gjithçkaje. Ky do t’ketë qenë shkaku (thotë i përnderti Mjeshtër i “Qenieve imagjinare”), që, megjithëse ngarkohej me vrasje, s’e përshkruante dot askush…

2.
Rilexoja këto radhë të Borges-it (n’rithurje të lirshme), e n’beft m’vinte një aluzion i trishtë: fryma krahasimore me Prapafshehësin e një bote dhe kohe tjetër, t’vonë e të largët.

Paralelja i ngjante një blasfeme. Por erdhi e paftuar. Dhe pa uruar behjen e saj. Kjenë një babël dëftejzash, të pamëshirë si mallkimi, që e prirën atë.

Ndërsa Prapafshehësi i amerëve s’kje veçse një trill fantast – ky i Visit verior të Arbërit dhe dyzimi i tij në Iliridë, është krejt real e shumëkrerësh. E pra, nëse bëmat e Pararendësit janë supozuar vetëm në përrallat dimnore pranë votrës së kuqëlimtë – këto të Pasvajtësit, me kurm e frymë njeriu, janë të prekshme ditë e natë. Pastaj, duke truar Orën e tij, Prapafshehësin e Faunës thuhet t’a kenë fajsuar për mbytje e përlarje druvarësh. E rëndë e dridhmuese, po, fundja, ç’ishte ai para Reinkarnantit të shumëzuar tokësor që godet e përlanë – jo druvarë të shkretë, por një popull të tërë?!

Dhe, ndryshe nga Legjendari, ky i Këndejmi e i Patretshmi i organizuar si kartelë përfekte, ka dhe një veçanësi tjetër misterioze: asnjëri nuk bën t’kqyrë a zhbirojë punët e tij të errta.

Hakmarrja e Shërbëtorisë për gabimtarin e gjorë që do provonte, është e rrufeshme. Dorëkeqen e tij pranë çdo pjerrine, nuk arrin t’a shohë kurrëkush. Kudo që venë mundimtarë të turmës, ai do t’gjendet tinëzisht prapa krahëve të tyre. I gjurmon, heton, përgjon, sehiron e rrëzon…

3.
Po kushedi. Një ditë edhe Zotat bien. Sipas kallzimeve të moçme, një palë janë shndërruar në gurë që vuajnë vetminë, ankthin e natës dhe mallkimin e valëve të tërbuara brigjeve të Siçilisë.

Mirëpo me Perënditë-Prapafshehsa të miljeut tonë është një grimë më ndryshe. Ata janë të shumtë si korbat e stuhisë dhe, ndaj, sado gjatësore të jenë grykëderdhjet e lumenjëve a të ndonjë l’kéni vogëlak, ngurtësimi i tyre do t’ndalonte ujërat. Fushat do thaheshin, vegjetacioni, lulet, gjallimi vetë.

Ndoshta, që këtej, nga Qielli do të zbresë një Urdhër i ri ogurmirë: të tejformohen në Derra, por të tillë që nuk kushtojnë mbajtjen, sepse do i përkisnin njëj lloji që hanë xyfshëm njëri-tjetrin. Pa seanca të përshpirtjes e pa pikëllim. Ngadalë e harrueshëm, ndjekur nga dhimbja që ndjen vetëm zemra dhe britma që dëgjojnë vetëm veshët e tyre. T’bërë shpuzë nga dëshirimi për t’u kthyer në trajtën e vjetër, tashmë të ftohtë e t’mbaruar, si ftyra e vdekjes..!

R. K.

ORËT QË KURDISEN NGA BLERIMI – Cikël poetik nga Federiko GARSIA LORKA (1898-1936) – Shqipëroi Mustafa V. SPAHIU

 

 

BARDHËSI UJI

 

 

VISORE

 

Nëpër ujin e zi

drunjtë janë shtrirë,

lule shqerrja

dhe lulëkuqet.

 

Udhës së vdekur

vijnë tre qe.

 

Nëpër ajër

bilbili,

zemër trungu.

 

 

DRITHËRIM

 

Në kujtimin tim do ta kisha

në kujtesën e argjendtë

gurin e vesës.

 

Në fushë pa breg

liqenin e dritës,

grykën e burimit.

 

 

 

LAKORJA

 

Me zambak në dorë

po të lë,

dashuria ime e natës!

Dhe, vejushën e yjeve të mij,

të takojë ty.

 

Zbutësin e fluturave

të errëta!

Eci rrugës time.

Do më shohish mua

pas një mijë vjetëve,

dashuria ime e natës!

 

Shtegut kaltërosh,

zbutësi yjeve

të errësirës,

rrugën do vazhdoj,

derisa Gjithësia bëhet

e tëra në zemrën time.

 

 

KOSHERJA

 

Jetojmë në hojet

e bilurta,

në kosheret e ajërit!

puthemi nëpër

bilur.

Errësira e mrekullueshme

dyert e të cilit

janë hëna!

VERIU

 

Nëpër rrugët

të yjeve të ftohtë.

 

Njerëzit venë, andej–këndej,

maleve tym.

Nën agimin e përjetshëm

kasollat ofkëllojnë.

 

Nga sëpatat

e rënda

si ubla boshe

jehojnë

maleve dhe luginave.

Nga sëpatë

e rënd!

 

 

 

LINDJA

 

Shkalla e amësimit

e zbret

Jugun

(në tubim të madh).

 

 

 

 

JUGU

 

Jugu,

magjia,

nga tejshikimi.

 

S’ka rëndësi të thuash

ylli ose portokalli,

lumi ose qielli.

 

Oh, shigjetë,

shigjetë!

Jugu

urdhëro:

shigjeta e artë,

pa goditje, me erë.

 

 

 

 

PERËNDIMI

 

Shkalla e hënës

kacavaret përpjetë

Veriut

(kromatike).

 

 

KËNGA

Canción

 

Sikur ta dëgjoja oleandrin

me zërin e shpërndarë,

dashuri, çka do të jepja?

Ofkëllova unë.

 

Sikur do ta shihja se të thërret

dritë e shkyqur flakë,

dashuri, çka do të jepja?

Mendove në bregun e detit!

 

Kur ty do të thoja njëherë

– të dua! – nëpër ullinjishte

dashuri, çdo të bëja atëherë?

Të plagosi me thikë, dije!

 

 

 

 

NATA

Suitë për piano dhe ndijim zëri

 

 

VIZATIM

 

Kjo udhë

pa frymë të gjalla…

Udhë kjo.

 

Ky bulkth

pa vatër…

Ky cinxër.

 

Dhe kjo këmborë

tashmë heshtake…

Kjo këmborë.

 

 

PRELUD

 

Kau

kapakët e syve mbyll

dalëngadalëzë…

(Ngrohtësia qëndron)

Prelud nate

është ky.

 

 

 

 

 

 

CEP QIELLI

 

Ylli

i vjetër

mbyll sytë e turbulluar.

 

Ylli

i ri

ka dëshirë hijen

ta kaltërson.

 

(Bukureza rrushemë

nëpër bregun e pishave.)

 

 

 

TËRSIRA

 

Dora e zefirit

miklon fytyrën e hapësirës

njëherë

po edhe njëherë.

 

Yjet i ngrejnë

kapelat e kaltërta

njëherë

po edhe njëherë.

 

 

 

 

 

 

YLLI

 

Një yll urtak

pa qepalla të syve.

– Ku është?

– Ylli

në ujin e fjetur

të kënetës.

 

 

LOZONJARJA

 

Rruga e shën Jagës.

(Oh, netët e dashurisë sime,

kur ishte “fota” e shkruar,

e vizatuar,

e vizatuar

në lulen e limonit.)

 

 

 

 

NJË

 

Ky yll romantik

(për manjola,

Për trëndafila.

Ky trëndafil romantik

marroset.

Din, don,

din, dan.

(Bretkosë, këndo,

prej kasollës tënde

të errët.)

 

 

NËNA

 

Arusha e Madhe

i mëkon yjet e vet

hardhitur:

hunguron se,

hunguron.

Yllyllushka vajzushka, pikoni,

yllushka delikate.

 

 

KUJTIM

 

Zonja Llunë s’degëzohet.

Me rrotë ka lozur

Dhe vetë shaka u bë

Lluna mendjelehtë.

 

 

BUJTINË

 

E – yjet mjeranë,

ata tashmë janë shkyqur,

çfarë dhimbë,

çfarë dhimbë

dhe mjerim!

Të braktisur

në kaltërsinë e turbulltë.

 

Çfarë dhimbë,

çfarë dhimbë

dhe mjerim!

 

 

KOMETË

 

Në Sirijus

ka fëmijë.

 

YLLI I DRITËS

 

Hapu he, sezam

i ditës.

Mbyllu he, sezam

i natës.

 

POSHTË

 

Hapësirë yllynjore

shkëlqen me tinguj.

Lozja spektrale,

harfa e lavirintit.

TRISHTIM I MADH

 

S’mund të shkohesh

në det.

Shikimet të thyhen

si kërcejtë e dritës.

Nata mbi tokë.

 

 

 

 

MAL I ORËVE

 

 

MAL I ORËVE

 

Hyra në mal

të orëve.

 

Gjethet prej tik-takeve,

rrënjët prej këmborëve

dhe nën orën e shumëfishtë,

shetitëse asteroide.

 

Zambakët e zinj

orët mortore,

zambakët e zinj

as sa orë e gjallë.

Të gjithë njësoj!

E-ari dashurisë!

 

Ka një orë vetmuar,

orë tepër e vetmuar!

Orë akulli!

 

 

SHKORRET

 

Depërtim

nëpër orën mortore.

Sakaq duke vdekur

dhe puthjet e fundit.

Orë e rënd që ëndërroj

këmbora përlotur.

 

Orë me qyqe.

I ndryshkur ylli

dhe plim i stërmadh

fluturash të verdha.

Në mes të gajushave

e psherëtimës

jehonin

organot

që i kisha si fëmijë.

 

Këndejza kalo,

zemër!

Këndejza,

zemër!

 

 

 

SHIKIM PËRGJITHËSUES

 

I tërë mali i parehatshëm

sa gjigande merimanga

që thurr pezhishkën tingëlluese

të shpresës,

së gjorës vajzë bardhoshe

një vajzë bardhoshake

që zhuritet dhe shikon plagët!

 

 

 

 

 

 

AI

 

Sfinga e vërtetë

është orë.

 

Edipi do lindi nga ninëzat.

Mjalton

Veriu me pasqyrë

e Juga

me mace.

Zonja Llunë është Hylli i dritës.

 

(Truall pa shije.)

 

Orët na sjellin

dimra.

 

(Dallëndyshet priftëresha

verën e shpërngulin.)

 

Zbardhëllimë ka

bunacës së orëve.

 

 

KY PËRMBYTET ËNDRRA

 

Lakuriqët po linden

nga rrethi qiellor.

E taroçat i ekzaminojnë

të merakosur.

 

Kur do të zhduket muzgu

për të gjitha orët?

Kur të gjithë

shfaqen prapa maleve?

 

 

 

JEHONA ORËS

 

E hetova ku më

është hapur koha:

prehjeje qetësimi,

qetësia

e bardhë.

 

Unazë e tmershme aty ku

u përplasën yjtë

me dymbëdhjetë numra të zinj

të cilët rrin pezull.

 

 

NË E PARË PERSIAS DHE KREDHEM

 

Kohësia e ka

ngjyrën e mugët

të errësirës së qetë.

 

Mbi hënën pesëmbëdhjetë

në mesnatë

amshueshmëria është ndalur.

Dhe kohësia përgjithmonë

në kullën e vet bënë gjumë.

Të gjithëve neve

ora na mashtron.

 

Kohësia e horizonteve

tashmë na zotëron.

 

 

 

 

 

 

ORA SFINGË

 

Në kopshtin tënd lulëzojnë

yjet e mallkuar.

Lindemi nën brirat e tu

dhe vdesim.

 

Orët e acarta!

I mbulon me çati të gurtë

fluturat lirike

dhe, në kaltërsi rri,

i pret

dhe i shkurton krahët.

 

Një… dy… tre.

Ora se ndalë tik-takun në mal.

 

Qetësi

e përmbushi me spinëra,

kurse shetitësja artë

e bartte fytyrën time

me ajër.

 

Ora se ndalë tik-takun në mal!

Orët e xhepave

si luzmë mizash

enden lart e poshtë!

 

Ora praruar

e sime gjyshe

në zemrën time punonte.

 

 

ÇDO KËNGË

 

Çdo këngë është

moçal i qetë

i dashurisë.

 

Secili yllush është

llogaçe heshtake

e kohës.

Nyje

e kohës.

 

E çdo psherëtimë

hurdhë heshtimi

thirmë!

PORTRET QENI – Tregim nga Konstandin Dhamo

 

Po, po, portret qeni, fotografia e të cilit gjendet e afishuar në këto ditë të lume, në tërë lagjen time , mbi shtyllat e llambave , mbi muret e pallateve , por ja , edhe mbi xhamat masivë të një kafeneje, pronari i së cilës, e ka lejuar të zonjën e brengosur të qenit të humbur, ta ngjisë aty, ngaqë e ka klienten e tij të rregullt.

O, por qenkësh një qenushe ! Ja : qenushja që shihni në foto quhet Xheni / Ka humbur më 09/ 08/ …Lutemi , kush e gjen të telefonojë në numrin 069 37…. Për Klodi S. / Shpërblimi do të jtë i konsiderueshëm…

Fotoja me ngjyra të zbehta e qenushes bardhoshe Xheni, me ata sytë e pikëlluar, gati më të qarë, dhe me atë fjongon rozë si prej çupëline, e lidhur papijon sipër, të prek thekshëm tek e sheh! Dhe, si të mos harrosh se, përballë ke gjithsesi një kafshëzë të humbur e jo një fëmijë, fryt të njeriut !

Epo sot, kjo përkatësi e secilës specie , së paku midis kafshëve shtepiake dhe vetë njerëzve, sikur s’para ndihet kushedi se çfarë…

Jo më kot, Klodi S. komunikonte me Xhenin përmes referencave humane: kujdes Xhen, të ka nëna shpirt / Xhen, eja nën’…

Por Xheni e dëborta, ç’e ka atë foton ashtu ?A thua e ka parandjerë humbjen e afërt, kur i pozoi nënës, për atë setin e fotografive me fjongon e re mbi krye ?

Melankolike Xheni e si në të qarë !

Edhe mimika e njëmendtë e një njeriu nuk do të shprehte më shumë emocione  sesa Xheni e mençur !

Lutemi Lutemi / numri i cel . 069 …

Tashmë , pale nga vërtitet rrugëve Xheni e drobitur, ashtu duke kuisur ! A thua të ketë rënë ndërkohë në dorën e ndokujt që e ka ndjellur tinëzisht , e asqë i vete ndër mend t’ia kthejë zonjës së tronditur ? E pse jo ?

Por mundet gjithashtu, që Xheni shpresëhumbur , t’i jetë vënë pas dikujt , që e ka perceptuar instinktivisht, pa u gabuar , si të sjellshëm dhe kafshëdashës dhe , duke iu spërdredhur nëpër këmbë plot kërcime lodërtare e përkëdhelëse, t’i ketë kërkuar prindërimin ?

Lutemi …

Por qentë, a vazhdojnë të jenë besnikë ndaj të zotit, apo më së fundmi edhe ata , pas mijëra vitësh bashkëjetesë të pandarë miqësore me njerëzit, e kanë humbur virtytin sublim të besnikërisë ?

Jo jo , s’ka mbërritur e keqja  deri aty, por Xheni , vogëlushja e brishtë dhe e frikësuar sa më s’ka, për më tepër , duke u ndier e braktisur, ç’të bënte, të vdiste urie ?

Ç’thoni ? Ajo është mësuar të hajë , veçse gjatë vakteve të rregullt, ushqim të zgjedhur, është edukuar të defekojë në vendin e caktuar, të lahet e të parfumoset, të vaksinohet periodikisht , të flerë në shtroje të buta e të ngrohta , të marrë mësime po se po …

Lutemi Lutemi…

Të zonjës nuk i shket tëposhtë në fyt kafja e mëngjesit , ajo e mesditës ca më ligsht;  iu prish rutina motivuese dhe, orët e mbetura bosh e nervozonin .

Shpërblimi për atë që e gjen…

Pas disa ditësh , te kafeneja , ku ulet Klodi S , nuk e pashë më portretin e Xhenit mbi xham. O , por pashë Xhenin prej vërteti, këtë herë pa fjongon rozë të lidhur papijon , por me qafore shtrënguese te një zinxhir fin , si ata të bizhuve, që përfundonte në dorën e mbledhur grusht të Klodit.

Xhenin e vogël do ta kishin qortuar pambukshëm, sepse s’m’u duk e këndellur. Apo s’i kishte ikur ende tronditja nga humbja ?

E bukura Xheni ! Sidoqoftë kujdes nga pasionet e lirisë …

Primo Shllaku: Bomba e Tares kundër Camajt e Koliqit implikon Akademinë e Shkencave të Shqipërisë

Fatmira Nikolli – Përmendja e Martin Camajt e Ernest Koliqit si bashkëpunëtorë të agjencive të huaja të inteligjencës, ka ngjallur reagime. Poeti Primo Shllaku sheh dashakeqësi dhe kërkon të mbajë qëndrim Akademia e Shkencave. Ai del kundër Auron Tares për çështjen e implikimit të Ernest Koliqit e Martin Camajt në agjenturat e huaja. “Nuk kam gjë të keqe me të, as të mirë më. Por dua të kuptoj se ku fle peshku tani, se këtu ka një peshk që fle. Ka kohë që ai e grric këtë histori. Derisa tani doli me paketë kundër tre autoriteteve të letrave e letërsisë, Camajt, Koliqit e Krist Malokit”- thotë Primo Shllaku.


Shllaku, ish-mësues në Prekal e ish-pedagog në Beograd si Camaj, thotë se nëse Camaj ka qenë apo jo pjesë e UDB-së, duhet vërtetuar me dokumente arkivore dhe jo me aludime mbi punësimin e martesën. Duke e parë studimin e Tares të botuar nga Ardian Vehbiu, i një bombe e hedhur, a si një silur, një përgjegjësi të madhe ai vë mbi shpatullat e Akademisë së Shkencave.
“Përderisa ai e ka botuar shkrimin në sajtin e Ardian Vehbiut, që është anëtari më i ri i Akademisë së Shkencave, unë mendoj se Akademia e Shkencave është e implikuar. Dhe tani unë dua të di, Akademia e re, me drejtues të ri, që unë e kam përshëndetur, ku e ka mendjen? Me sa shoh unë, Akademia e re e ka nisur me silurime”, thotë Shllaku. “Ai nuk është një studim, por është një koleksionim dokumentesh të deklasifikuara nga CIA, që mund të futet gjithkush, edhe me siguri që Tare ka një lloj hobi të merret me arkivat. Akademia e Shkencave ndodhet e implikuar me apo padashje, përderisa unë i shikoj emrin. Unë jam ndër kritikët e fortë të Akademisë së Shkencave, në kohën që kishte tjetër kryetar, edhe e kam përshëndetur ardhjen e të rinjve. E kam përshëndetur. Por, tani unë po shikoj, edhe më intereson që të di, se çfarë duhani pi kjo akademia e re, ku e ka mendjen?! Unë shikoj se e kanë filluar me sigurimin, por unë e dua fjalën e tyre. Nuk po them se janë gënjeshtra, por unë si studiues i Camajt, e dua mendimin e tyre”, shtoi ai.

“Po, Koliqi bashkëpunoi me fashistët. Kjo dihet. Hapi disa shkolla, bëri disa gjëra. Ndihmoi të shpëtohej jeta e Petro Markos në Itali, gjë që Tare e përdor me shumë djallëzi. Pse, a bëri keq ai që e shpëtoi Petro Markon? Duhet thënë se shumë figura të njohura kanë bashkëpunuar në kohë të ndryshme. Çfarë do t’u themi ne atyre që thonë se Pashko Vaso ka qenë satrap në Liban? Ndërkohë, a nuk ishin vëllezërit Frashëri me osmanët? Asnjë nuk vrau sulltanin, punuan për ta. Të gjithë, bashkëpunuan dhe ndihmuan vendin e tyre”, thotë mes të tjerash, Shllaku.

XXII – 2020 VITI I AT GJERGJ FISHTËS – Prof. MARTIN CAMAJ: PSE ASHT AKTUAL GJERGJ FISHTA? – Përgatiti për botim Fritz RADOVANI

XXII – 2020 VITI I AT GJERGJ FISHTËS – Prof. MARTIN CAMAJ: PSE ASHT AKTUAL GJERGJ FISHTA? – Përgatiti për botim Fritz RADOVANI

Dorëshkrimi i fundit i studimeve kritike (1991)

Fjala ‘aktualizim’ na qet ndërmend kthimin tek nji proces i nisun dhe i këputun në nji shej vendi. Ndoshta dikush mendon se vijimësia, rimarrja e procesit mbërrihet tue marrë dy fijet e këputuna e që ngjiten bashkë, bile tue i lidhë nyje po aty ku janë këputë para afër nji gjysmë shekulli.

Don me thanë zhvillimi i traditës kulturore ndër ne i këputun nuk ka shembull anaçor në asnjë kulturë të popujve të dalun nga diktatura staliniane dhe kërkojnë rrugë kthimi në traditën e vet të mirëfilltë.

Rasti ynë asht i veçantë, për ju të breznisë së re posaçe.

AMANETI Tregim nga EGLANTINA MANDIA

Një foto nga arkivi e shkrimtares Eglantina Mandia

 

Djemtë po vinin me radhë e shumë të tronditur në shtëpinë e mëmës. Hapej dera dhe ata të heshtur e të për1otur shkonin drejt shtratit të saj. Shtrati ishte i thjeshtë, krejt i zakonshëm. Me sytë e zmadhuar, dikur të kaltër e tani të veshur nga një perde e bardhë, e padepërtueshme, si një perde lotësh, mëma i priste njeri pas tjetrit. E gjithë qenia e saj e mpakur, trupi kockë e lëkurë, me duart me blana të errëta nga serumet, pulsonte. Djemtë e dinin që ky ishte fundi. Edhe ajo e dinte. Kur e pyesnin dikur, se cilin djalë donte më shumë, ajo tregonte gishtat e dorës dhe përgjigjej me një buzëqeshje të zbehtë, që i binte trishtueshëm mbi fytyrën e tejrrudhur: “cilindo nga gishtat të presësh, dhemb njëlloj”. Në shpirtin e saj, ata ishin njëlloj (si në fëmijëri, në rininë e largët edhe sot, të burrëruar e të thinjur), të gjithë të barabartë, si përpara Zotit.

Ajo ishte një grua tepër e lashtë. Zoti i pati dhënë shpresë e durim, për të mbajtur mallin për dhjetëra vjet për të birin e saj të arratisur. Për dhjetëra vjet, nuk i pati dëgjuar zërin, nuk ia kishte parë fytyrën. Iku nga sytë këmbët, qëkur qe një djalosh i njomë, flokëzi e tani kushedi si qe fati i tij, në dherat e largëta të huaja, të përtejme, si përtej jetës. Letrat vinin jashtëzakonisht të rralla. Ajo s’dinte të lexonte, po si të gjitha nënat, e kuptonte gjuhën e letrave të të birit. I merrte, i paloste dhe i ruante në një portofol të grisur, duke falënderuar Zotin, që ia kishte marrë në mbrojtje dhe që ishte ende gjallë. Më pas letrat u ndërprenë krejtësisht.

Në humbëtirën ku jetonte, kërkoi “saber” vetëm te Zoti. “O Zot, o Zot, lutej çdo mëngjes, jepi durim zemrës sime të qëndrojë! Jepi bekimin tim, mërgimtarit të jetojë! Rrugën dhe bukën e hidhur të të arratisurit, lehtësoja, o Zot!”

Ajo e dinte që do të vdiste pa e parë. E kjo pritje, ky mall e  kishin tretur tashmë, i kishin tretur gjithçka, e ajo kishte mbetur ashtu siç qe, kockë e lëkurë, e rrëgjuar, e mbledhur grusht, me duart e drunjëzuara, që djali i madh po përpiqej t’ia ngrohte sadopak midis duarve të veta ndërkohë që e sillte ndërmend fare të re, me një rrëzëllim bardhësie e mirësie, me sytë e kaltër fisnikë.

Të gjithë thoshin, se ata të dy ngjanin më së shumti, megjithëse ishin aq të ndryshëm. Ajo, një dele e urtë e perëndisë e ai, i zjarrtë, energjik e pasionant, por gjithsesi, i respektueshëm. Asnjëherë nuk e prekte te pika e saj e dobët, te shpresa, që në mos në këtë botë, në tjetrën, do të piqej me mërgimtarin. Ajo ndarje absurde, e çmendur, e pakuptimtë, ajo ndarje për së gjalli, do të kishte ndoshta një skaj për së vdekuri. Lotët dhe mallkimi i nënave për këtë mizori të pashoqe, do të ngjitej deri në kupë të qiellit, e njerëzit do të zgjoheshin një mëngjes të habitur për ç’ka panë syhapur, apo në gjumë.

Djali i saj i madh e dinte që ajo e pati shkrirë gjithë ç’kishte për shkollimin e tij (megjithëse vetë s’dinte të lexonte),  nuk i kërkoi kurrë asgjë, veç asaj unaze të thjeshtë prej argjendi.

“Jam nëna e pesë djemve, i pati thënë njëherë, e nuk mund t’i mbaj kështu, duart bosh”.

E ja, tani unaza rrotullohej nëpër gishtat e tejpashëm. Mëma mundohej të daraviste mjegullën dhe ta shihte për herë të fundit fëmijën e saj të parë, si në atë çast të papërsëritshëm në jetën e çdo gruaje, kur e mban foshnjën e njomë për herë të parë në duar dhe e ndjen se lumturia është e vërtetë, e prekshme dhe për të ia vlen çdo sakrificë e çdo stërmundim.

Tani, djali i madh rrinte aty krejt i ngrirë. S’kishte guxim ta pranonte këtë të vërtetë, këtë ikje të saj. Kishte frikë, shumë frikë ta besonte dhe kishte një dëshirë të çmendur, që të mbyllte sytë e të mos e shihte. Po ajo ishte aty tashmë. Djalit i vinte të thërriste, të ulërinte: “Jo, jo,  s’është e vërtetë”, por zëri i mbetej në grykë. Lot s’kishte fare. Zëri, fjalët, lëvizjet i ishin  ngurtësuar. Çdo gjë i dukej e besueshme dhe e pabesueshme, e vërtetë dhe e pavërtetë, që i përkiste krejtësisht e që s’i përkiste fare. E njohur dhe jashtëzakonisht e huaj, ishte kjo ikje, kjo lamtumirë.

Mjegulla bëhej gjithnjë e më e dendur në sytë e mëmës, e frymëmarrja i ishte  shpeshtuar. Ndoshta vetëm zemra ndiente rrëfimin më të sinqertë e pendesën më të vërtetë, më njerëzore të djalit të madh, që po i pëshpëriste ta falte, që kurrë, kurrë s’kishte mundur t’ia shpërblente vetëflijimin e saj. Pikërisht, ajo ishte fjala më e saktë për të: “e vetëflijuara e tyre”. Siç duket, askush në botë s’ka mundësi t’i japë prindit atë ç’ka i merr. Veçse të paktën ai, shpirtkthjellët, mund t’i drejtohej edhe në orët më të vështira të jetës: “O nëna ime”, pa u turpëruar e pa u skuqur. Dihet, që nëna është vatra, është ngrohtësia, është nderi, është krenaria, është mirësia, është gjaku që rrjedh në deje. Vetëm ajo ka aftësinë të dallojë në atë frymë të fundit edhe nëpërmjet mjegullës, engjëllin nga djalli, të shenjtin a të shënjuarin me vdekje, edhe të largëtin, në botën e tejlargët, si përtej jetës.

“Të falënderoj o Zot, mërmëriti mëma, që po iki e po i lë pas fëmijët e mi! Jam përpjekur që ata të mos e humbasin udhën. Jam përpjekur, por nuk  kam pasur aq forcë sa ta shpëtoja edhe atë të mjerin.”

Atë çast u dha në derë ai që mëma e quajti “të mjerë”, i hallakatur, me shpirtin e turbulluar e me sytë e ulur. Mëma e dinte gjëmën e jetës së tij dhe ai nuk kishte guxim t’i afrohej, megjithëse e dinte, që pas kësaj do t’i humbiste edhe ato çaste të pakta, kur e ndjente veten në praninë e mëmës, si njëherë e një kohë, djalosh i bukur, sykaltër e zemërdëlirë.

Mëma ende nuk i kish shkëputur duart nga duart e djalit të madh, të cilin po e mbyste ngashërimi, por po përpiqej që mëma të mos ta kuptonte. Ku ishte tani zëri i saj u bukur? Pse ishte bërë eter, një zë i largët, një fjalë e mbajtur pezull? Dhe jeta ishte ndërprerë, ishte ndarë në dy skaje të kundërta, në atë të viteve të para të jetës e në këtë të tanishmen. “Njeriu i mirë nuk vdes kurrë. Atë e thërret Zoti të shkojë atje lart, ku s’ka asnjëherë dimër, në mbretërinë e shenjtë.”

Vëllai i madh e ndjeu që gjithnjë e më thellë, si një turjelë, po ia gërryente zemrën hidhërimi jo vetëm për mëmën që po vdiste, por edhe për atë, vëllanë e tij. I qëndronte përballë me jetën e tij të panjollë, që t’i mësonte se ishin djemtë e  asaj gruaje engjëllore e që për hir të saj, duhet të qëndronin e të mos binin poshtë e më poshtë në ferrin e zi të jetës ku jetonin.

Të qëndrosh. Po si të qëndrosh? Si, si?

Ai qëndronte aty, i shtangur në fund të odës, si gjithmonë as i gjallë, as i vdekur, krejtësisht i ngujuar në mjerimin e tij. Mëmën e kishte dashur më shumë se jetën. Ajo pati qenë engjëlli i tij mbrojtës dhe vetëm pranë saj e harronte vetveten. E tani po e humbiste.

Mëma s’po i shkëpuste ende duart nga djali i madh. Po përse e lanë të rrokullisej në atë humnerë? Tani ishte fundi e ai e dinte se pas vdekjes së mëmës, do të zbriste thellë e më thellë në Had. I kërkonte me përgjërim sytë e saj të mjegulluar e lutej që ajo ta falte, ta falte, sepse e dinte fort mirë, kur pat filluar zezana. Pati ndodhur shumë herët, pas arratisjes së të vëllait. Atë e detyruan, e detyruan. Askush përveç mëmës nuk e vuri re, që atij i pati rënë hija e keqbërësit.  Pati ndodhur atë ditë të largët, kur mëma ia hoqi nga duart revolen, sepse e ndjeu tronditjen e tij. Sepse ai nuk deshi, nuk e deshi në asnjë mënyrë të vepronte në atë mënyrë. Atëherë, ai i kishte sytë aq të bukur e të pastër, sa mëma mund t’i lexonte tejpërtej, se si po luftonte me jetën e vdekjen. E ajo e deshi të gjallë, e aspak të vdekur. “O Zot, fale mëmëshkretën, që e ndoqi nëpër shkallë dhe e pa tek qante veten (tetëmbëdhjetëvjeçar i bukur si diell), me lot të nxehtë e të hidhur, me lot gjaku!” Lot, që i shteruan që në atë çast. Sytë e zemra i mbetën thatë, i mbetën  shkretë. Ishte aq i ri! E mëma u ul në gjunjë e thirri ZOTIN në ndihmë: “Shpëtoje, se  është fare njomishte!” – iu lut.

Por jo me atë çmim, jo me atë çmim! Çmimi tashmë ishte paguar dhe ai ishte aty. “Mëmë”,  këlthiste, vetëm zemra jote mund të më japë ndjesë. Nuk jam unë fajtor, jo, jo, s’jam unë plotësisht fajtori. Janë hienat, mëma ime, hienat, që sulen mbi njeriun e shkretë, të dobët e të pambrojtur. Mos më braktis, o engjëll i qiellit! Jam përpjekur të bëj sa më pak të zeza, po e keqja më e madhe është kjo që i bëra vetes sime! Si mund të jetojë njeriu kështu, as i gjallë as i vdekur? Përse nuk më le atëherë, që ta plotësoja veprën time? Përse, përse mbeta kështu mjeran? Përse?

Ai ndjeu lëvizjen e buzëve të mëmës, që mërmëriti emrin e tij, bëri një hap para, e u ndal. Mëma ngriti dorën me mundim dhe e preku verbëtazi brezin e vëllait të madh “Ç’po ndriçon aty?”- pëshpëriti.

“Shpirti yt i kulluar” – tha djali i madh. U përkul. E puthi. Balli ishte akull, me djersë të ftohta. “Nuk vdes njeriu i mirë. Atë e thërret Zoti”,  iu kujtuan fjalët e saj.

“Lamtumirë!” – i tha dhe iku nxitimthi nëpër shkallë, me supet e rënduara nga vitet, me zemrën krejt të zbrazët, akull të ftohtë. Vdekja po i rrëmbente bashkë me mëmën, pjesën më të bukur të jetës. Nuk deshi në asnjë mënyrë ta shihte mëmën të vdekur.

“Jo, jo, – tha, kur ndeshi sytë e të vëllait, – edhe unë jam i dobët. Ç’ka qenë jeta ime në fund të fundit? Një iluzion tragjik. S’jam aspak më i mirë se të tjerët, vetëm e vetëm, sepse kam mbyllur sytë, që të mos shoh dhe veshët, që të mos e dëgjoj rënkimin e vuajtjes të të tjerëve. Ne jemi brezi më fatkeq vëllai im. Jetuam nëpër terr dhe humbëm gjuhën e Zotit, pendesën, mëshirën, dhe përfundimisht humbëm edhe veten.”

Jashtë binte shi. Binte shi pa pushim. Shi me gjyma, litarë, litarë. Nëpër shkallë ndeshi vëllanë e mesëm, që vraponte duke dihatur. I shkurtër, i djersitur, me këpucët e arnuara të mbushura me ujë. Gjithnjë kështu ishte ai, në një vrapim të pandalur, për t’iu gjendur njerëzve në hall, me këpucët e tij të stërvjetra. Nuk lodhej asnjëherë.

“Vdiq?- e pyeti, po vdes?”

Vëllai i madh, tundi kokën. Drita e neoneve ishte e zbehtë. “A e di vëllai im, unë do të jem i pari që do t’i shkoj pas mëmës! Do t’i shkoj pas po në një ditë të tillë me shi. Dhe shiu nuk do t’u ndahet vdekjeve tona. Shiu do ta lagë kufomën time dhe kostumin tim të ri, që ka vite që më pret. Kostumin e ri, a e kupton vëllai im i madh?”

Vëllait të madh iu mblodh një lëmsh në fyt. Kishte qenë vëlla e baba për të gjithë ata vëllezër. Deshi t’u thoshte se atyre u mjaftonte prekja e duarve të mëmës dhe zemra e saj, që do t’ua ndriçonte paskëtaj, rrugën e terrin, sepse jeta e tyre pati kaluar vërtet nëpër terrin e natës më të zezë ku shumëkush e pati humbur rrugën e shumëkush pati mbetur i përçudnuar!

Shiu nuk pushonte aspak e po dukej se s’kishte ndër mend të pushonte asnjëherë. Mëma e ndjeu që hyri rrugëtari i lagur nga shiu. Lëvizi me mundim dorën. Vëllai tjetër sikur u shkund nga shtangia dhe që të dy u gjendën njëkohësisht pranë shtratit të mëmës, ku vëllai më i vogël qante pa zë e nuk lëvizte fare dhe nuk shihte se kush hynte e se kush dilte. “Jam gati, – tha rrugëtari me zë të lartë, – jam gati për rrugë. Shumë rrugë kam bërë në këmbë në jetën time. Më merr mos më kurse, se unë nuk do të lija kurrë vetëm!” Mëma lëvizi gishtat me mundim.

“Jo, jo, jo!” Sytë tashmë të veshur, s’shihnin asgjë. Duart ishin në ankth. Tkurreshin e tkurreshin pa pushim mbi kuvertë, sikur të mos u mjaftonte koha.

Një vetëtimë ndriçoi qiellin. “O Zot, ki mëshirë për fëmijët e mi! Mos m’i lë përgjithmonë në terr!” – u lut mëma për herë të fundit. Djemtë shikonin të mahnitur tkurrjen e duarve të saj, sikur donin të kuptonin se ç’po kërkonte pa pushim mbi kuvertë.

“Ç’kërkon ashtu? – pyeti rrugëtari, vëllain e vogël?

Vëllai i vogël mezi u përmend nga përhumbja.

“Ç’kërkon ashtu mëma ime? – i thirri rrugëtari, nuk e sheh që s’po niset dot për rrugëtimin e fundit?”

Djali i vogël u hodh përpjetë. “Amanetin”- tha, – kam harruar amanetin e mëmës.

Amaneti i çuditshëm qe një robëdishambër me kuadrate të kuqe i të arratisurit, që me dhjetëra vjet s’e kishte parë. E pati ruajtur në sepete pa e larë asnjëherë, sepse mbante erën e djersës së të birit… Amanet ua pati lënë, që të mos harronin, të mos e harronin kurrë, që ta mbështillnin me të kur të vdiste.

Djali i vogël vrapoi në dollap, hapi bohçen e rrëmbeu robëdishambrin nga sepeti i mëmës, e solli dhe i ra në gjunjë.

“Më fal!” – i tha.

Sytë s’i shihnin më asgjë dhe frymëmarrja i ishte rënduar. Vetëm duart e brishta me gishtat e tejdukshëm prekën stofin e butë. Dhe gjetën për çudi aq forcë, sa ta tërhiqnin, ta afronin pranë zemrës, që t’ia lehtësonin frymën e fundit. Djemtë qanin pa zë.

Vetëm pas një copë here, u dëgjua një klithmë …

Ai, që aq vite i kaloi me lot të shteruar, ndjeu t’i rridhnin lot të nxehtë e përcëllues mbi mjekrën e parruar e t’i gulçonin, si një shi i rrëmbyer mbi gjithçka të mbetur në atë kërcu të djegur nga rrufeja, që pati qenë jeta e tij

Vetes sime të dashur – Poezi nga VLADIMIR MAJAKOVSKI – Përktheu SKËNDER BUÇPAPAJ

Katër fjalë. Të rënda si një grusht.
“Cezarit atë që është e Cezarit, Zotit atë që është e Zotit”.
Po një si unë nga mund t’ia mbajë?
Ku më pret ndonjë shtrofull?
Nëse do të isha vocrrak sa Oqeani i Madh,
do të ngrihesha në majë të këmbëve si kreshtat e dallgëve,
duke ledhatuar valëzimet e hënës.
Ku ta gjeja një të dashur si unë?
Edhe vetë qielli do të ishte i ngushtë për të!
Oh, sikur unë të isha i varfër si një miliarder. E çfarë është paraja për shpirtin?
Një hajdut i pangopur është në të:
për hordhinë e shfrenuar të të gjitha dëshirave të mia
nuk do të mjaftonte krejt ari i Kalifornisë!
Nëse unë do të isha gjuhëlidhur si Dante o Petrarka…
Nëse do më digjej shpirti për ndonjërën, me vargjet e mia…
Do ta shndërroja në hi.
Dhe fjalët dhe dashuria ime do të ishin një hark triumfi:
kryelartë pa lënë gjurmë do të kalonin poshtë tij
të dashuruarit e të gjithë shekujve.
Apo nëse do të isha i heshtur si bubullima, do të gjëmoja… Duke rrokur
manastirin tim të tokës…
Do të vazhdoja të sokëllija me zërin tim të gjigantit.
Kometat do të përdridhnin krahët e tyre flakërues,
duke u zhytur kryengul nga melankolia.
Me rrezet e syve do t’i ndukja deri në kockë netët
a thua se do të isha i mugët si dielli…
Sikur nuk do të doja tjetër veç ta ujis me shkëlqimin tim
barkun e shterrur të tokës.
Do të kaloja duke hequr zvarrë dashurinë time të pamasë.
Në cilën natë delirante dhe të sëmurë,
nga cilët Goliatë qesh ngjizur unë
kaq i madh,
e kaq i padobishëm?
1916

ÇËSHTJA CAMAJ DHE KOLIQI – NËN VËZHGIM… – Nga VISAR ZHITI

Ndërsa kisha kujtuar se e kisha mbaruar librin tim “Kartela të Realizmit të dënuar”, ku merrem me letërsinë tjetër, atë që erdhi nga burgjet dhe internimet dhe me ata autorë që u përndoqën, që u dënuan me burgje e pushkatime e një pjesë u arratisën, gjej te “Peizazhet e Fjalës” një shkrim për shkrimtarët e shquar të letërsisë shqipe, Martin Camaj e Ernest Koliqi, të dy të ikur pasi vendoset diktatura komuniste në Shqipëri. E lexova menjëherë. Jo se ishte e panjohur si çështje. Është folur dhe përfolur kolaboracionizmi i Ernest Koliqit, teksa Martin Camaj është lënë në heshtje dyshuese, duke ua mpakur edhe tani meritat e mëdha të tyre, vlerat themeltare që kanë për letrat shqipe, duke i europianizuar ato dhe duke qenë thellësisht kombëtare.  

Në librin në fjalë, flas paksa edhe për bashkëpunimin e shkrimtarëve me policinë sekrete dhe me Sigurimin e Shtetit; por u ula ta përditësoj këtë kartelë, sipas të dhënave që na u ofruan dje, me gjykimin tim, sipas përvojës nga vij, nga ajo e të persekutuarve, jo nga ajo e persekutorëve.

Ja, kartela:

BASHKËPUNËTORË TË POLICISË SEKRETE

DHE ABUZIMI ME ÇËSHTJEN…

Dhe përsëri rikthehen në fillim, te banalizimi, kalohet në sulme të tjera, të goditen figurat e burgut, simbolet e vuajtjes…

Dhe përflitet deri edhe në media se mjaft nga intelektualët, jo vetëm shkrimtarë të realizmit socialist, por edhe nga të persekutuarit, kanë qenë bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit diktatorial dhe nxirrnin herë pas here emra, edhe kur nuk ishin hapur dosjet, sa ç’është lejuar të hapen tani…

Jo se s’ka të thyer në radhët e të persekutuarve, mbase dhe mjaft, për fat të keq, por së pari duhen goditur diktatura, ata që i thyen dhe si, me ç’tortura dhe të vihen para drejtësisë dhe të drejtën morale për t’i përçmuar, nëse do të duhet, e kanë, së pari, po bashkëvuajtësit e tyre dhe jo ata që ishin pjesë e diktaturës dhe që i vunë me dhunë nën shërbim, jo për çështje kombëtare a në zbulimin e armikut, keqbërësit, etj, por për përçarje dhe dënime të së tjerëve, për agjitacion dhe propagandë kundër shtetit apo të atyre që donin të arratiseshin e deri në çështje të rëndomta ordinere, të paligjshme dhe të pamoralshme… etj.

Janë përdorur tortura të llahtarshme, fizike dhe psikologjike, uri e rrahje çmendurake, thesi në kokë si në mesjetë, varje nëpër çengela etj., deri te përdhunimet e grave e të vajzave të familjes së atij që i kërkohej bashkëpunimi dhe ku: në prani të tij! Turpi, rënia dhe degjenerimi më parë, e përsëris, janë të atyre që ua kërkuan bashkëpunimin me dhunë viktimave, sesa të vetë viktimave, dhe ndëshkimi që vonon, duhet të nisë tek ata.

Patjetër edhe për bashkëpunëtorët e Sigurimit, cilëtdoqofshin, të veprojë drejtësia, sipas dëmit që u kanë shkaktuar të tjerëve dhe shoqërisë..

Njerëz që qëndruan dhe refuzuan bashkëpunimin me të keqen, për fat ka, dhe nuk janë pak, janë të shumtë dhe atje ku ishte tejet e vështirë, në burgje e internime. Vërtet ishte heroike,  e di në vetë të parë ç’sakrificë e rëndë është.

Lexojmë në shënimet postume që botohen, se edhe studiuesit të shquar Injac Zamputti, me origjinë italiane, i ishte kërkuar të informonte fshehurazi për kolegun e vet, dijetarin Eqrem Çabej. (Që thoshin se kishte qenë në burg, por jo, kishte pasur të shoqen). Profesor Injaci nuk pranoi kurrsesi, por u vetëmbyll e bënte jetë murgu mbi libra, gjithë ankth në pritje të arrestimit, me vite.

Studiuesi i zellshëm dhe korrekt Agron Alibali gjen në arkivat amerikane dokumente dhe i botoi së fundmi që tregojnë përpjekjet për bashkëpunime agjenturore të së huajve si me kritikun nga Kosova Krist Maloki dhe dijetarin Eqrem Çabej, etj, dhe qëndrimet e profesorëve kanë qenë dinjitoze dhe shembullore.

Krist Maloki vinte nga Austria dhe kishte nënshtetësinë e atij vendi; ikte prapë atje, por profesor Çabejin mund ta priste dhe burgu dhe më keq mbase, kur çështjet lidheshin me Enverin.

E vërteta duhet, është e domosdoshme. E vërteta është e rëndësishme. Më rëndësi ka njohja e së vërtetës se sa mbulimi i saj. E vërteta është kokëfortë, por jo studiuesi. Rëndësi kanë dhe qëllimi i asaj të vërtete dhe përdorimi ose shpërdorimi i saj, sa vlen ajo dhe sa ndikon dhe sa duhet, etj, etj. Dokumenti mund të jetë i vërtetë, por s’është ajo e vërteta.

Arrestimin fshehurazi, para se të arratisej, të shkrimtarit të shquar nga diaspora, Martin Camaj, e dëshmon dhe një studiues tjetër, Auron Tare, pasionant i zbulimeve agjenturore kombëtare dhe ndërkombëtare. Ai rinxjerr atë që e ka shpjeguar edhe studiuesi Kastriot Dervishi, dokumentin e vitit 1948, ku 23 vjeçari nga Dukagjini, pasi izolohet forcërisht, sillet në zyrat e Sigurimit të Shtetit dhe merret në pyetje nga kapteri II Fadil Kapisyzi. Pastaj studiuesi Tare e lë të qetë kapterin II dhe e vijon hetimin vetë: ç’ka bërë viktima më pas, ku ka shkuar dhe hamendësime të tjera përtej dokumentit dhe fakteve, pa na zbërthyer si e qysh ka vepruar Sigurimi mbi të arrestuarin, me ç’të drejtë dhe me ç’urdhra, shefat e tij, sistemi, koha, partia, kthetrat, pra lë bishat dhe merret me prenë.

Sipas deklaratës-fotokopje në dosje, Matin Camaj ka pranuar “përfshirjen e tij në ndihmesën për të arratisurit antikomunistë, por në rrëfimin e tij për oficerët e Sigurimit (sa ishin, 2, 5, 10, ndërroheshin me radhë ujqërit, ç’tortura përdornin, etj? – shën. imi) të bie në sy se Camaj ka dëshmuar gjithashtu kundër disa prej mësuesve të vet fretër jezuitë (duhej etërit jezuitë, jo fretërit; shënimi im, V.Zh.), në veçanti Padër Fausti, Padër Dajani, Padër Roza. Duhet thënë se Padër Xhovani Fausti (jezuit italian, – shënimi im, V.Zh.) dhe Padër Danjel Dajani ishin dënuar ndërkohë me pushkatim në gyqin e famshëm të Shkodrës kundër klerit katolik.

Kaq, vetëm se duhet thënë që “ishin të pushkatuar” dhe jo pse dhe nga cilët? Po gjyqi paskësh qenë i famshëm dhe jo gjyq terroristësh të indoktrinuar? Dhe Camaj dëshmoi kundër mësuesve të tij? Po mbase tha atë të vërtetë, që ia kishin mësuar mësuesit e tij dhe që e pohuan në gjyq se ishin antikomunistë dhe në pushtet kishin ardhur me force një bandë vrastarësh. Mbas 5 ditësh Camaj “doli nga zyrat e Sigurimit të Shkodrës… pasi pranoi të rekrutohej si informator” – na informon studiuesi dhe vazhdon: “në shtator të 1948 (pra mbas 4 muajsh, – shën. imi) Martin Camaj arratiset drejt Jugosllavisë së bashku me një numër eksponentësh lokalë antikomunistë.” Janë 36 veta gjithsej, të rinj dhe burra malësorë, ndoca me gratë me motrat. Ikën dhe do të iknin dhe më pas. Ndryshe si do të mund të shpëtonin?

Jemi para një të vërtete me dokumente virtuale, që s’ka siguri se sa e mbartin ato atë të vërtetë. Dhe tjetër është e vërteta e të përndjekurit dhe tjetër e vërteta e Sigurimit të Shtetit, qoftë dhe në të njëjtat dokumente.

Na sillen për të pasur njohje apo për të arritur një njollosje të re? Nëse e vërteta është një njollë mbi lëkurë, a nuk duhet zbuluar dhe ai që ia bëri atë njollë ose ata? Dhe pse? Dhe kush është më pis, ai që njollosën apo ata që njollosnin? Po kur është plagë thike në mish? Mjeku merret me kurimin e saj, kriminalisti me zbulimin e çështjes, nëse është krim, etj. Studiuesi sjell të vërtetën e plotë, nëse duhet, për ata që u duhet. Hetimet e studiuesit në fjalë janë kapërcime që kanë për logjikë atë që do të donte hetuesi i Camajt, nëse do ta kishin arrestuar prapë.

Për Martin Camajn shkrimtar, autoritet i lartë i kulturës Kombëtare, duhet ditur shumëçka. E mbajtur larg ashtu si ai, e ndaluar dhe e panjohur e gjithë vepra e tij në vitet e diktaturës, ne na duhet zbulimi dhe njohja e vlerave të tij, pastaj, kur ai ishte 23 vjeç ç’bëri Sigurimi i shtetit me të duhet ta dimë, për të ditur dhe kuptuar se ç’bënte Sigurimi i shtetit, deri ku shkonte, ç’bënte me të rinjtë, me intelektualët e ardhshëm, sa dëmtonte vendin për të mbrojtur sistemin, etj.

Gjykoj se Martin Camaj shkrimtar, intelektual europian, është tjetër dhe s’ka asgjë të ngjashme me atë të dosjes së Sigurimit të shtetit, të 23 vjeçarit që u iku për të qenë i lirë dhe që të bëhej ai që u bë. Jeta e tij e mëtejshme dhe vepra nuk duken gjëkundi se kanë qenë në shërbim të Sigurimit të shtetit, të atij aksidenti, rrethanat e të cilit janë të paqarta nga studiuesi, por të qarta nga realiteti. Sigurimi i shtetit ishte shkatërrimtar dhe ai iku.

Tani është rasti dhe koha për të zbuluar dhe gjykuar Sigurimin e shtetit dhe të dënohet ky për dëmet e shkaktuara. Pastaj, e përsëris, të gjykohen dhe bashkëpunëtorët, sa dëm kanë sjellë ndaj të tjerëve, ç’karrierë kanë bërë, sa dekorata e famë morën apo ia mbathën edhe ata maleve, duke marrë arratinë.

Studiuesit që vazhdojnë të përndjekin viktimat dhe jo ndjekësit e atyre barbarë, bëhen pjesë e kësaj përndjekje dhe jo ithtarë të së vërtetës që na duhet.

Është e kuptueshme që ata që arratiseshin nga diktatura e tmerrshme e vendosur në Shqipëri, kudo që të shkonin, s’do të mund të ishin të qetë, as të lirë si emigrantë politikë, sidomos me të dalë në Jugosllavinë e Titos, që ose do t’i kthenin nga erdhën ose t’i mbanin siç do të donin. Ndërkaq përndjekja do të vazhdonte nga Sigurimi i Shtetit fantazmë dhe jashtë, në Jugosllavi, në Greqi e Itali, në Gjermani e deri në SHBA. Kështu del.

Teknologjia sa primitive, po aq dhe barbare e Sigurimit të Shtetit, tani ishte me përvojat e sofistikuara sovjetike dhe naziste dhe nuk përjashtohet dhe mundësia si fillesë e të qenit në shërbim e disa prej të arratisurve, por dhe shkëputja e menjëhershme e tyre, por dhe falsifikimet e dykahshme.

I arratisuri Reshat Agaj në kujtimet e veta “Vëllai i pengut” tregon se me të kaluar kufirin për në Greqi, kërkon atasheun ushtarak amerikan dhe i rrëfehet se e ka dërguar Sigurimi i shtetit, duke i mbajtur peng një vëlla në burg, të cilin para se ta pushkatonin, punonte me kazmë në tunelin sekret që lidhte nëntokë Komitetin Qendror me Kryeministrinë në Tiranë.

Pjetër Arbnori që nga burgu i Burrelit pati guximin e madh të dërgonte një letër lart në shtet, që nuk pranonte asgjë nga ato që mund të kish thënë gjatë torturave, në delirin e vdekjes.

Sigurimi i shtetit gjithsesi synonte përndjekjet dhe terrorin aq sa ishte e mundur edhe jashtë vendit ndaj të arratisurve. Qëllimi ishte, mendoj, i disadrejtimshëm: neutralizimi i armikut të ikur, i kundërshtarit, i veprimtarive të organizatave të tyre kundër sistemit diktatorial komunist në Shqipëri. Kërcënime të vazhdueshme atyre edhe duke u dëmtuar familjet e mbetura në atdhe, përhapjen me mënyra dhe mjete që i di veç Sigurimi, për t’i bërë të dyshimta ikjet dhe qëndrimet në vendet e huaja, në diasporë e më gjerë, duke dekonspiruar apo sajuar, me qëllim përçarjen e mëtejshme të diasporës dhe duke penguar kështu veprimtaritë e shteteve perëndimore, që mund të ndërmerrnin me diasporën kundër Shqipërisë së Enver Hoxhës, përmbysjes së tij.

Sigurimi i Shtetit del se ka qenë hiperaktiv, duke kërkuar dhe arritur dhe zhdukjen fizike të personaliteteve më të spikatur jashtë, jo vetëm politikanë, por dhe shkrimtarë, duke ua ndërlikuar jetën dhe përkushtimin krijues, etj.

Natyrisht, ata s’mund të ishin aq të lirë si azilantë politikë, si shkrimtarë besoj se po. Plotësisht. Vepra e tyre shkencore e albanologjisë dhe ajo letrare ishte në shërbim të gjuhës dhe letërsisë shqipe, realitet shpirtëror shqiptar, mbetet kulturë dhe identitet kombëtar, ndërkaq mund të mos e kenë shmangur përfshirjen e tyre në veprimtaritë e hapura dhe të fshehta kundër sistemit tiranik të Enver Hoxhës së pathyeshëm, sipas nostalgjikëve të tij, kur ai vetë, Enveri, ka qenë dhe ka bërë edhe agjentin, aleatin e dyshimtë dhe kundër-aleatin ende më të dyshimtë, dhe shërbëtorin e të huajve deri në përulësi, vetëm që të sundojë duke e shtypur pa mëshirë popullin e tij, duke dëmtuar shpesh e më shpesh interesat e Shqipërisë.

Shkrimtarët e realizmit socialist të tij ai i përdori dhe i keqpërdori shume më rëndë se ç’mund të bënte armiku. Ai u shprishi dhe më të shenjtën e tyre, krijimtarinë. Vlerat duhen veçuar nga fati i autorit dhe duhen nderuar.

Dhe s’ka pse të turfullohet ndaj konferencave në Tiranë dhe në Prishtinë ku dalin vlerat si shkrimtarë dhe personalitete të kulturës të Ernest Koliqit dhe të Martin Camajt, të cilët bënë art, ku te Koliqi s’ka asgjë fashiste dhe te Camaj s’ka asgjë antikomuniste. Këta ishin estetikisht kundështarë të realizmit socialist. Dhe kur veprat nuk ishin në shërbim të kauzës politike të sistemit, sipas sundimtarëve, ato ishin kundër.

Mendimi kritik i qytetëruar ka etikën e njerëzores dhe jo të vrasësve të saj. Thënë me terma të tanishëm, është në mbrojtje të së drejtave të njeriut dhe nuk njeh si thyerje ato që janë arritur me forcë, me dhunë e tortura, psikike e fizike, ku Sigurimi i shtetit shqiptar ishte lavdimadh deri në tmerr dhe asgjësim në këtë drejtim.

Mendimi kritik i qytetëruar e njeh të vërtetën, madje do të thosha se nuk e ndjen nevojën e kërkimit të saj se ajo është e natyrshme brenda atij mendimi dhe veprimeve të përgjegjshme qytetare, del në mbrojtje të viktimës dhe jo anash e anash apo hapur në mbrojtje të persekutorëve..

Mund dhe duhet të mësohet dhe nga qëndrimi kritik që u mbajt me poetin amerikan Ezra Pound, ndër më të mëdhenjtë e poezisë moderne të shekullit XX në botë, por që ishte me bindje fashiste, madje mbas luftës e nxjerrin dhe në gjyq si të tillë. Por si poet çmohet nga të gjithë bota e kulturës.

Ka monstra të mrekullueshme, qenie njerëzore që kanë zgjedhur anën e gabuar të historisë me ide kriminale e krime ideologjike, por duke i dhuruar botës njëlloj copëza bukurie me artin e tyre.  Celine ishte antisemit,  Heidegger nazist, Caravaggio vrasës…” – shkruan një shkrimtar i ri italian dhe pyet për Ezra Pound-in nëse është e drejtë të gjykohet për të kaluarën  fashiste dhe jo për veprën e tij.

Shpesh ata janë viktima apo të gabuarit e ideologjive që marrin pushtet tiranik. Ne jemi shumë larg këtij të gjykuari, por dhe të atij realiteti. Shkrimtarët shqiptarë ndërkaq nuk kanë qenë të lirë. Edhe Ernest Koliqi ka shërbyer nën pushtimin fashist, edhe duke i besuar, gjithsesi në totatlitarizëm, kurse Martin Camaj ka qenë i përndjekur i regjimit komunist dhe të dy ikën nga atdheu, por jo nga dashuria për atdhe, as nga meraku për Shqipërinë dhe shërbimi ndaj saj.. Natyrisht këtë s’ka si ta ketë dosja armike e Sigurimit, por vepra e tyre, që  është jo vetëm e bukur dhe me rëndësi, por më shqiptare se ata që dolën në krye të Shqipërisë si fitimtarë dhe e atyre që i shërbyen realizmit socialist të tyre.

Ndërkaq vepra e tyre ka të ardhme. E kundërshtarëve të tyre ka vetëm të shkuar. Duket sikur Sigurimi i mbetur i shtetit vazhdon luftën ndryshe ndaj të ikurve, më parë duke i shpallur dezertorë, tradhtarë, të dënuar me vdekje, kurse sot dhe si të dërguar nga Sigurimi i shtetit, përndryshe të vënë në shërbim të agjenturave të huaja kundër regjimit, që e identifikojnë me atdheun.

Ata studiues agjenturorë do të ishin më të dobishëm, nëse do ta kishin parësore t’i shërbenin të sotmes dhe jo të djeshmes, të na zbulonin me dokumente se si ka vepruar diktatura dhe diktatorët, Sigurimi i tmerrshëm i shtetit ndaj shkrimtarëve dhe artistëve brenda dhe jashtë vendit, me ata vetë, nëse mëtojnë të kalojnë sinoret.

Studimi i asisojshëm i ngjan një hetuesie pas vdekjes me tortura kufomës.

Dosja e shkrimtarit Martin Camaj me ato dokumente ashtu nuk është vepër e tij, por e Sigurimit të Shtetit dhe nuk duhet gjykuar shkrimtari, por kapteri II, oficerët e sigurimit deri te shefi i tyre i lartë, Enver Hoxha. Kjo është vërteta reale.

*   *   *

Shkrimtari nobelist Hermann Hesse thotë në një poezi të vetën: më mirë të të vrasin komunistët, sesa të jesh komunist. E thotë dhe për nazistët. Mund ta vazhdonim, më mirë të të vrasë e keqja, se sa të jesh i keq.

Atëherë kemi ç’të nxjerrim më parë e ç’përgjegjësi. Dhe kurajën e ndëshkimit sipas fajit a dëmit. Shoqëria shqiptare të jetë e aftë që të shpalosë vlerat e larta morale deri në heroizëm tronditës, edhe aty ku janë mbuluar me gjak e baltë e përbaltje. Për vetedukim të tanishëm dhe të së ardhmes.

Nëse do të mundet.

*   *   *

Të gjithë kanë kryqin e tyre mbi shpinë, por disa e kanë në formën e drapër-dhe-çekanit.