(Baladë për shkrimtarin TEKI DËRVISHI)
Asokohe ishim të rinj dhe plot shpresa,
Ti pate dalë nga burgu…
Dhe kërkoje të gjejsh vesh për bindjet dhe fjalët e tua…
I rave derës, me drojë, e me përtesë,
Se mos të këputên këmbët si atje te shokët e vjetër…
Që s’ta hapën derën nga frika…
Atyre që u kishe ndihmuar me qindra herë…
Ti pate ardhur nga Shkupi, si një meteor.
Ne, atëherë, sapo kishim ardhë nga një azil 17-vjeçar,
Kush është ky ? pyetëm, e Jusufi na u përgjigj : Tekiu.
Ky është Njeriu që ka shkruar vargjet më të bukura
Për Detin, të cilin s’e kanë parë kurrë sytë e tij.
Me një setër të vjetër dhe një palë këpucë, që lëshonin ujë,
Me kollitje e sëmundje të rënda, ishin munduar shekujt
Të të përpijnë, ta thyejnë trupin tënd rinor.
Na flisje për dhurata t’hidhura
Dhe vargje të mbetura nëpër kampet e përqëndrimit,
Kush është ky Njeri, o Jusuf ? I marrë apo Gjeni ?!
Poet, po se po ! Poetët e vërtetë janë të marrë!
Shohin atje ku askujt s’i shkon as mendja,
Përpos netëve me yje, Poetët shohin
Edhe vetmive të burgut, në terr, shtat pash nën dhe.
Por Jusufi s’donte të na përgjigjej: Gjykoni vet!
…Pas shumë fjalëve, si rrëshqitazi i shpëtoi nga goja (Jusufit),
Tha si në ëndërr :
Ky është James Joyce-i ynë, ky është Kafka,Viktor Hygo-ja, ynë.
Ky është Shakespeare-i, e Kadareja vet,
Ky është Ai që “ma solli shpirtin në fyt”… dhe më ka “lodhë”
(Jusufi atëherë përkthente Padronën në kroatisht,
Për një konkurs letrar, federativ;
Angazhimi për Tekiun ishte diçka krejt e natyrshme
dhe nder i Madh, kështu e përceptonte Jusufi)).
Papritmas ia behu vëllau i madh nga katundi,
Shiko!, Ti Teki iu drejtove Bacës (Hysenit), Të mirë i paske këta kuaj
Që na i paske sjellë nga mërgimi.
Megjithatë, ti e di Jusuf, se të kam shok vetëm se je
Vellau i Hysenit, që i paska tre kuaj të mire…
Edhe unë i kam dy te shtëpia ime, shtove (për dy vëllezërit tuaj);
Pastaj vazhdove bisedën, dikund atje larg, atje ku vetëm sytë tuaj shihnin:
A e dini se kush është Jusufi, është Lorka, është Noli ynë!
Është Simon & Garfunkel, eshtë njëri prej Beatles-ave…
Është njëri prej majeve të ngritura të kombit tonë… Pirgu i lartë!
Do ta shihni… Dhe deshte të shkoje…
Mjaft më me këto lavdata, ndërhyri Jusufi,
Hajt se edhe Hyseni shpesh herë sheh këso ëndrrash…
E i lumi unë për dy Tekia, apo dy Hysena.
Dhe, më vonë doli se s’ishin vetëm kohë ëndrrash…
Por diçka tjetër, ishte zgjëndër, (diçka e pabesuar – realitet).
Ti qëndrove për dy javë me ne. Pas një muaji erdhe përsëri.
Vije. Rrije dy net. Pastaj shkoje. Për dy muaj.
Dhe vije sërish. Rrije, me javë të tëra.
Për një natë e shkruaje një libër. Pastaj e korigjoje… me Jusufin.
Pastaj iu bije vi fjalëve, kryerreshtave, por edhe faqeve të tëra.
Dhe pije cigare, pa pushim… Nuk flinim. Përse?
Na mundonte diçka që kishte emrin e thjeshtë
ROBËRI.
Aty shtroheshin, ndër të tjerat,
bisedat për një largim Tëndin, të Jusufit dhe të Shaqir Shaqirit,
I cili e fliste anglishten, për t’ju ndihmuar,
Për t’jua përkthyer fjalët, mendimet, veprat…
Pastaj pasonin mëdyshjet… disi e ndienit vetën të vegjël, dhe ju vinte marre,
Dhe ndaheshit, çdonjëri në përditshmërinë e vet.
E Ti, me vete e merrje pasionin tënd, poezinë, prozën, dramën,
(gazetarinë, për kafshaten e gojës në rubriken tënde të Sofrës, në Flakën e Vëllazërimit).
Cili është profesioni yt? Të pat pyetur një herë një gjykatës,
Gjatë një procedure gjyqësore që zhvillohej në shtëpinë e verdhë, në Shkup.
Gazetar jam, iu pate përgjigjur shkurt
Gazetar? Jo, shënoje aty, (duke iu drejtuar proces-mbajtësit)
Shitës gazetash, ngase s’donte të besonte se je gazetar.
Ti ishe edhe Ai që shkoje vjedhurazi në shtëpinë tënde, në Gjakovë,
Nga rojet e shtetit të bashkim-vëllazërimit me sy prej zymrydi.
Dramë ishte e tërë Arbëria.
Dhe të vranë
Kush e di për të satën herë, atë natë që t’i vranë shokët, dikund larg.
Kështu të vranë edhe me dhjetra mijëra here, gjatë dhe pas luftës,
E Ti e bëje një jetë të të vrarit në mesin e të gjallëve…
Paralufta kërkonte trimin e fjalës së Lirë, që ia di plagët një kombi.
Çdo ditë shkruaje faqeve të gazetave shqiptare,
Si një fener i vetmuar… I papërsëritshëm dhe i veçantë.
Dhe na flisje për Liri, për jetë… Më 30 mars 1999, shtypi botëror
Solli lajmin e ekzekutimit tënd. E unë ta mbajta të pamën në bansën time,
Pa dëgjo, në mes të Zvicrës, të pamen si një gjysmë-ilegali !
Të pamen shokut të vëllaut…
Pastaj doli se ishte lajm i rremë. E unë, kur të pashë pas lufte
Të thashë se s’do të mërzitem më për ty, një lum të tërë lotësh
I paskam derdhur kot, për Ty Teki.
E ti më pyete duke qeshur:
Pse a aq shumë u mërzitke ti për mua, a Kali ?…
Pastaj shkrove çdo ditë, në Bota sot, duke na i hapur sytë…
Që fare pak e dimë se ç’është Liria.
Dhe ja, paskam gabuar. Unë sërish u mërzita pak për Ty.
E Ti shkove dje. E realizove vetën si rrallë kush dhe
Je, Teki Dërvishi, Lum i papërsëritshëm.
Je prej atyre shenjave më të çmuara të kësaj toke.
Je një nga ata librat më të shenjtë dhe më të mirë.
I tokës së Arbërit!
02.07.2011
Komentet