VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Letrat e panjohura të Ernest Koliqit – Enveri po e shqyen kombin, ne bamë Shqipninë e madhe

By | October 17, 2015
blank

Komentet

blank

VISAR ZHITI: POEZIA DREJT BURGUT – Nga Liviu Antonesei, shkrimtar dhe akademik rumun

LIVIU ANTONESEI (1953)

shkrimtar, studiues, publicist, politikan demokrat, profesor pranë Universitetit të Iasi-it. Autor i dhjetra librave me poezi, prozë, ese dhe studime shkencore. Personalitet i shquar publik i Rumanisë së sotme.

 

 

         Pas botimime së fundmi në Rumani të dy librave të shkrimtarit Visar Zhitit, atë me poezi  “Flatra e mundur (“Aripa Franta”) dhe romanit “Funerali i pafundmë” (“Cortegiul de sfarsit”), përkthime të shkëlqyera të Dr. Luan Topçiut, sipas kritikës rumune, vazhdon jehona e tyre në median e shkruar dhe atë elektroike të Rumanisë.

         Sapo ka dalë një artikull nga Liviu Antonesei, i cila ka patur dhe shumë komente vlerësuesi në Rumani .

 

blank

 

Befasi? Një poet shumë i madh nga Shqipëria, i cili vuajti jashtëzakonisht shumë për shkak të poezisë së tij. Apo ndoshta është më mirë të thuash për poezinë e tij dhe për poezinë në përgjithësi.

Falë një dhurate me libra që më bëri kritiku, historiani i letërsisë dhe përkthyesi Luan Topciu, fillova të hyj në kontakt me veprën e shkrimtarit të madh bashkëkohor shqiptar Visar Zhiti, poet, tregimtar, romancier dhe eseist.

Kam lexuar deri më tani një antologji të shkëlqyeshme poetike, “Flatra e Thyer”, përkthyer nga Luani, dhe romanin mahnitës, botuar së fundmi, “Funerali i pafundmë”, me të njëjtin përkthyes.

Ndërsa shkrimtarët rumunë kanë tendencë të kenë komplekse epërsie ndaj letërsive që i konsiderojnë më të vogla, unë i këshilloj ata të bëjnë një kurë modestie duke lexuar së bashku me Kadarenë dhe Thanas Medin, këtë shkrimtar të madh, emrin e të cilit ndoshta nuk e kanë dëgjuar akoma.

Para se të bëhej shkrimtar i madh i sotëm, autor i rreth 30 vëllimeve, i përkthyer në shumë vende, fitues i çmimeve të shumta letrare shqiptare dhe ndërkombëtare, Visar Zhiti kaloi nëpër disa sprova për të cilat cilësori kafkian është shumë i butë. Ai kishte botuar poezi në revista që kur ishte student, kështu që në vitin 1979 ai paraqiti në shtëpinë botuese atë që do të ishte vëllimi i tij debutues. Thjesht redaktorëve nuk u pëlqen libri dhe bëjnë një raport refuzimi për shkak të zymtësisë në to, poezive pesimiste.

Gjërat mund të ishin ndalur këtu, por ato nuk u ndalën, sepse redaktorët “vigjilentë” dërguan raportin në Komitetin Qendror të Partisë së vetme, dhe poeti u arrestua, u gjykua në vitin 1980 dhe u dënua me dhjetë vjet burg politik. Vërejtjet në letër u shndërruan në “poet dekadent dhe armik i popullit“. Nga dy poezitë që po botoj, njëra shoqërohet në dosjen e çështjes me nënvizimin: “një metaforë kundër diktatorit Enver Hoxha“, mendoj se është hera e parë që konstatoj se gjykatat mund të merren, të paktën në Shqipëri, me analiza poetiko-stilistike ! Pas tetë vjet burgimi, Visar Zhiti lirohet dhe punon gati tre vjet si një punëtor fabrike.

Pothuajse çdokënd një përvojë e tillë, aq më keq e gjatë, pa marrë parasysh sa e vështirë, do ta kishte shtypur, por jo Visar Zhitin, i cili duket se ka dalë i fuqizuar, duke i dhënë Nietzsche-s të drejtë  – ajo e cila nuk të vret, të bën më të fortë.

Menjëherë pas rënies së regjimit komunist, punoi në shtypin opozitar, drejtoi një shtëpi botuese, ishte parlamentar, Ministër i Kulturës dhe diplomat i vendit të tij në Itali, Vatikan dhe Shtetet e Bashkuara. Dhe mbi të gjitha, ai ka botuar rreth 30 libra, siç thashë më parë.

Ja, dy nga poezitë, njër që e çoi në burg dhe tjetra poezi nga burgu, por do të kthehem, në botimet e ardhshme dhe me poezi të tjera nga burgu, për dashurinë ose për tema të tjera. Do të shihni që koha dhe përvoja nuk kanë ndryshuar asgjë thelbësore në krijimin e tij, formula është zbuluar që nga koha e poezive të para.

 

 

 

 

Visar Zhiti

 

SFINKSI

 

I tmerrshmi sfinks me krifa muzgu

qëndron i zymtë mbi shkretëtirën.

Madhështia e tij e rëndë prej guri

e bëri, ah, të palëvizshëm!

 

Luanët bredhin nëpër pyje

në shpella ere dhe në shira,

por sfinksin nën rërë yjesh

e torturon madhështia.

 

Mishin pa fund të skllevërve

e bënë kthetra sfinksash pompozë.

Shkretëtira tund në apogje

të tmerrshmen madhështinë e kotë.

 

blank

blank

*  *  *

Shkrimi është përkthyer nga Dr. Luan Topçiu. Arritjet dhe sukseset e shkrimtarit Visar Zhiti janë dhe sukses i letërsisë së sotme shqipe, tani e lirë, e pasuruar me atë letërsi martire që erdhi nga burgjet dhe internimet, që solli të vërteta të mëdha dhe atë moral që i duhet çdo letërsie.

 

blank

Sterjo Spasse, një nga kalorësit e letërsisë shqipe – Nga Pandeli Ziu

Ndërsa bisedonim me Prof. Ilinden Spasse, djalin e shkrimtarit të shquar Sterjo Spasse, fabulisti i njohur Izet Çulli i drejtohet:

– A vazhdon të jetë objekt mësimi për studentët në fakultetet e letërsisë të universiteteve tona jeta dhe krijimtaria letrare e babait tuaj?

Bashkëbiseduesi ynë, Prof. Ilindeni, ngriti supet. Nuk na u përgjigj. Dhe nuk e kuptuam se nga i buronte ajo heshtje; nga mosdija apo nga modestia. Ndërkaq, fabulisti i telefonoi menjëherë Prof. Bardhosh Gaçes, që jep leksione letërsie në Universitetin “Ismail Qemali” të Vlorës.

– Si, ore, nuk studiohet! – përgjigjet Prof. Bardhoshi. – Sterjoja është pjesë e leksioneve që jepen në fakultetet e letërsisë së çdo universiteti. Madje  studiohet edhe në shkollat e mesme.

Teksa dëgjonim këtë përgjigje përmes celularit, vumë re që Ilindenit i shkëlqyen sytë. I erdhi mirë, që jeta dhe krijimtaria letrare e të atit vazhdonte të ishte objekt leksionesh dhe seminaresh me studentët e shkollave të larta dhe të mesme.

– E morëm në telefon, – iu drejtua fabulisti Prof. Ilindenit, – sepse disa shkrimtarë të moshës së babait tuaj janë hequr fare nga programet mësimore!…

Maqedonasi që i dha aq shumë letërsisë shqipe

I lindur më 14 gusht të vitit 1912 në një familje fisnike të fshatit Gllomboç të zonës së Prespës nga prindërit Spasja dhe Mara, Sterjoja do ta niste mbarë  që fare i ri rrugën e krijimtarisë letrare.

Mësimet e para i mori në vendlindje, por, për mungesë nxënësish, shkolla u mbyll, kështu që rrethanat e krijuara bën që të voglin ta dërgonin në shkollën e fshatit Nivicë. Teksa ishte në klasën e tretë, shkëputet nga kjo shkollë dhe kthehet në shtëpi! Pak muaj më pas i ati e dërgoi në shkollën e fshatit Goricë e Madhe, ku jepte mësim Pandeli Sina, që do të bëhej mik i familjes Spasse.

Por edhe në Goricë të Madhe nuk zgjati shumë. Kohë të vështira. Djalin e keni të mbarë, çoç mund të bëhet kur të rritet, prandaj gjejeni mundësinë ta dërgoni në Korçë për të ndjekur shkollën, pat thënë mësues Pandeliu. Dhe ashtu qe vepruar. Kaçurrelësi i vogël u dërgua në Korçë, ku u regjistrua në klasën e katërt të shkollës plotore numër 4 të qytetit. Sakaq, për të përballuar shpenzimet, pasditeve punonte në hanin e Alo Beut.

Pak më pas, së bashku edhe me disa moshatarë të vet, Sterjoja mundi të regjistrohej në Normalen e Elbasanit. Këtu u njoh me mjaft të rinj, të cilët, kohë më pas, do të bëheshin figura të njohura të letërsisë e të gjuhësisë shqiptare. U njoh dhe u bë mik edhe me Aleksandër Xhuvanin.

Ndërsa studionte, nisi të shkruante. Madje edhe të botonte. Botoi te gazetat “Ora” dhe “Normalisti”. Herë – herë shfaqi edhe guxim qytetar. Në një nga shkrimet e botuara pat kritikuar organizatorin e Entit të qytetit, Umberto de Fuçio. E kapin dhe e arrestojnë! Rrethanat erdhën të atilla më pas dhe djalin nga Gllomboçi e lirojnë.

Një këshillë vërtet frymëzuese prej Ali Kelmendit

Ndërsa ishte në qytetin e Korçës, merr vesh se bashkëfshatarët e vet ishin vënë në një hall shumë të madh: beu po u xhvaste tokat, kështu që të gjorëve iu duhej të paguanin, që ta rimerrnin tokën! Kështu do t’i duhej të vepronte edhe i ati i Sterjos. Pra, duhej të punonte edhe Sterjoja për të shlyer “borxhet” te  beu!

Duke lëvizur nëpër Korçë, rastësisht Sterjoja ndeshi një të njohurin e tij. U takuan dhe u përqafuan.

– Hajde të futemi në këtë lokalin këtu, – i propozoi shoku.

Futen. Brenda gjejnë një njëri fare të thjeshtë, që çohet menjëherë në këmbë dhe vazhdon drejt atyre që futeshin.

– Këtë djalë e kemi nga Shulet, – i thotë tjetri atij që gjetën brenda.

– Shule, Shule, por ama po e tundin! –  foli ai që sapo i kishte pritur në atë lokal. – Ashtu të bashkuar, po i tregojnë vendin beut…

Dhe shoku që e shoqëronte, e njeh Sterjon me atë që sapo takohej. Ky që u ndodhej përballë na paskej qenë Ali Kelmendi.

– Kam dëgjuar se ju shkruani, bile jeni me shumë talent, – i ishte drejtuar Aliu.

Sterjoja nuk i ishte përgjigjur. Qe ndodhur para një njeriu që po e mburrte.

– A ka dramë më të madhe se sa kjo rezistenca e goricarëve për të shkruar një vepër të gjatë, për shembull, për një roman? Brumin e keni gati. Ju jeni dhe biri i atij vendi. Ti vetëm shkruaj të vërtetën. Ti vetëm hidhe në letër këtë të vërtetë…

Sterjos i pat mbetur në kokë kjo këshillë.

Një ditë tjetër Sterjoja i shkoi Aliut së bashku me udhëheqësin e rezistencës së goricarëve. Dhe mori edhe të tjera këshilla se si duhej ta përdorte lapsin.

Dhe vite më vonë do të botohej prej Sterjos një nga romanet më interesant të letërsisë shqipe të asaj kohe: “Ata nuk ishin vetem”.

Tashmë maqedonasi nga Gllomboçi kishte nisur rrugën e shkrimtarit.

S’kanë rëndësi këpucët që vesh, por gjurmët që le mbas

Mbas mbarimit të Normales, djaloshin nga Gllomboçi e dërgojnë mësues në shkollën e Derviçanit. Tanimë ky ishte bërë i lapsit. Jep mësim, por edhe boton artikuj njëri pas tjetrit në gazetat e Korçës. Pikërisht këtu, në Derviçan, do të njihej e do të krijonte miqësi me Petro Markon. Pikërisht  këtu lindi dhe u shkrua romani “Pse?”, që bëri bujë në rrethet e gjëra intelektuale

Mbas një viti në Derviçan, Sterjoja dërgohet mësues në Voskopojë. Tashmë njëzetedyvjeçarë, ai boton brenda një kohe të shkurtër disa shkrime, sikurse  boton edhe dy përmbledhje të vogla: “Kurorë rinie” dhe “Në krahët e një femre”. Në këto botime ai do të trajtonte tema të mprehta sociale. Sakaq, pena të njohura do të komentonin nëpër gazeta të ndryshme botimet e të riut Sterjo.

Dy vjet më pas Sterjon e transferojnë, por tashmë duke e emëruar brenda në Korçë, në shkollën plotore numër dy. Tanimë ky do t’i përkushtohej edhe studimeve të karakterit pedagogjik. Krijon biblioteka, nxit të organizohen konferenca me tematikë psikologjike e pedagogjike etj.

Në Korçë gjen rast të botojë, fragment mbas fragmenti, romanin “Pse?” në “Gazetën e Korçës”. Kjo gazetë tërhoqi një rreth të gjerë lexuesish. Dhe erdhi rasti që plot 13 gazeta e revista të bënin komentet e tyre për romanin “Pse?”.

Gjatë vitit 1938 bën përpjekje për botimin e librit “”Mësonjsja ideale”.  “Do të vazhdosh si mësues, apo si shkrimtar?” i qe drejtuar dikush. S’kanë rëndësi këpucët që vesh, por gjurmët që le mbas, ia pat kthyer Sterjoja.

I lidhur ngushtë me Lëvizjen Antifashiste Nacionalçlirimtare

Në monografinë e Prof. Ilinden Spases “Im atë, Sterjo” në faqen 100 shkruhet: “Një ditë Sterjoja u kthye më përpara në shtëpi. Papritur brenda gjen Kristo Themelkon me katër të rinj të tjerë. Mbetën për një copë herë të ngrirë të tërë.

– Më dërgoi Koloja për të të  marrë…, – tha nëpër dhemb i skuqur Kristoja. Pastaj shtoi me të shpejtë:

– Njiheni; ky është Sterjo Spasse, shkrimtar dhe mik i ngushtë i dajës, ndërsa këta janë shokët e mi: Qemal Stafa, Vasil Shanto, Xhezmi Delli dhe Vojo Kushi.

Sterjoja e toku me ta.

– Ju dy të parët ju njoh; jua kam dëgjuar zërin në gjyqin e Shkodrës, ndërsa ju dy të tjerët…, – foli Sterjoja.

– Ndërsa ne të njohim; të njohim nga “Pse-ja”, – ia bën ata thuajse njezëri.

Ndërsa Qemali vazhdoi:

– Unë t’i kam lexuar të tëra shkrimet që ke botuar që nga fillimi. Ti je proletar. Të tillë shkrimtar si ty duam ne, që të shkruash për popullin…

Në tetor të vitit 1944 Sterjoja shkoi në Priskë, ku ishte shtabi i Brigadës së Parë Partizane. Takon me shumë kuadro të lartë, Bako Dervishin, Spiro Shalësin, Nexhip Vinçanin, Lufter Hoxhën e të tjerë.

Mbas çlirimit Sterjo Spasse do të ishte anëtar i Komisionit Nismëtar për themelimin e një organizate të shkrimtarëve shqiptarë, ku bënin pjesë 11 shkrimtarë.

Nuk do të vononte të ishte emër i respektuar mes atyre që merreshin me letërsi dhe art. Nuk ishte rastësi, që së bashku me Aleks Çaçin të dërgoheshin në Kongresin e Shkrimtarëve Bullgarë, që do të ishte pjesëmarrja e parë jashtë vendit e shkrimtarëve shqiptarë në një forum të lartë ndërkombëtar.

Vizitë në dhomën ku kish pas punuar Leon Tolstoi

Mbas çlirimit Sterjo Spasse caktohet të kontribuojë në Ministrinë e Arsimit. Hartonte tekste e programe mësimore për nxënësit e shkollave shtatëvjeçare e të mesme. Shkruante e botonte në mënyrë sistematike artikuj të ndryshëm me karakter pedagogjik e didaktik.

Ndërkohë që i zhytur punës shkencore, krijimtarinë letrare nuk e ndante nga veprimtaria e tij e përditshme. Ditën – për shtetin e ri shqiptar, pasditeve e sidomos natën – për letërsinë shqiptare. Tashmë ishte bërë një emër jo vetëm i njohur, por edhe shumë i respektuar në rrethet intelektuale dhe në qarqet shtetërore.

Ashtu, në vlug të punës, e caktojnë në përbërje të një delegacioni kulturor që do të vizitonte disa vende në Bashkimin Sovjetik. Nisen. Arrijnë në Odesë dhe, nga këtu, në Kiev, ku i bie rasti të vizitojë muzeun kushtuar poetit të madh ukrainas, Taras Shevçenko. Pati rast të shikojë në Kremlinë edhe sallat e shekullit XVII të Romanovëve

Mbresëlënës do të ishte për Të vizita në shtëpinë e shkrimtarit të madh rus Leon Tolstoi në Jasnaja Poljana, dyqind kilometra larg Moskës. Në një kënd të dhomës së punës së Tolstoit Sterjoja pat lexuar një shënim që qe publikuar edhe në disa gazeta: “Dy mbretër ka ndër ne: Nikoll II dhe Leon Tolstoi. Cili nga të dy është më i fortë? Nikoll II nuk mund t’i bëjë asgjë Tolstoit; nuk mund ta trondisë fronin e tij; ndërsa Tolstoi e trondit me siguri fronin e Nikollës dhe të dinastisë së tij”.

Sterjo Spasse ka qenë me misionin e shkrimtarit edhe në Kinë, Mongoli, Suedi, Bullgari e në shtete të tjera.

Kritizerëve u vinte përballë punën plot talent

Mbas çdo romani që botonte, si edhe ndaj shumë të tjerëve, Sterjos i lëshoheshin kritikët! Dhe jo vetëm kritikët! Kështu ngjau sidomos mbas romanit “Pishtarët”. Nisën të gjuajnë me shigjeta të helmuara mjaft syresh. Pati ndonjë që mbushi dynjanë lart e poshtë me thashetheme letrare!

I shkolluar në Itali, i arsimuar edhe ne Institutin “”Gorki” të Moskës për letërsi, Sterjoja e ndjente veten të sigurt në rrugën e krijimtarisë letrare. Mirëpo… cmirëzinjtë çfarë nuk të bëjnë!

Kur u pa se duheshin vënë pikat mbi i, atëherë u krijuan katër komisione për të hartuar katër raporte të pavarur nga njëri – tjetri. Njëri raport ishte nënshkruar nga Llazar Siliqi, Fatmir Gjata e Ismail Kadareja; tjetri – nga historiani Ligor Mile; i treti – nga shtëpia botuese “Naim Frashëri” dhe i katërti nga kritiku Koço Bihiku.

Pasi u studiuan të katër këto raporte, Sterjon e thërresin në Komitetin Qendror të Partisë. Aty shefi i shtypit, Dhimitër Tona, në emër të udhëheqjes më të lartë i transmeton përshëndetjen për nisiativën shumë të çmuar që kishte marrë për të shkruar ciklin e romaneve për Rilindjen dhe për arritjet që kishte siguruar.

Dhe nuk vonoi të dekorohej nga ana e Presidiumit të Kuvendit Popullor me Urdhrin “Flamuri i Kuq i Klasit I”. Në vazhdim, do të meritonte Çmimin e  Republikës.

Disa nga veprat më kryesore të Sterjo Spasses

Siç edhe e vumë në dukje në paragrafet më lart të këtij shkrimi, Sterjo Spasse nisi herët të shkruajë. Në vitin 1934, kur ishte vetëm njëzet e dy vjeç, botoi librin “Kurorë lirie”’. Në po këtë vit botoi edhe librin tjetër interesant “Në krahët e një femre”.

Një vit më vonë, pikërisht në vitin 1935, botoi librin sociologjik “Pse?”. Është një libër, me të cilin ky autor fitoi dhe mbeti me shumë autoritet. Edhe sot dëgjojmë të thuhet, se “pse” – së nuk i ka dhënë dot përgjigje as vet Sterjo Spasse.

Në vitin 1944, ndërsa ishte përfshirë në Lëvizjen Antifashiste, botoi librin “Nusja pa duvak”, si dhe librin tjetër, “Afërdita”.

Mbas çlirimit të atdheut, edhe pse i zënë me shumë detyra të karakterit profesional shtetëror, Sterjo Spasse shkroi e botoi në mënyrë sistematike romane të shumtë. Kështu, në vitin 1952 botoi librin “Ata nuk ishin vetëm”.

Vit mbas viti i dërgoi lexuesit edhe vepra të tjera letrare dinjitoze, si “Afërdita përsëri në fshat” në vitin 1954, “Buzë liqenit” në vitin 1965, “Zjarre” në vitin 1972, “Zgjimi” në vitin 1973, “Pishtarë” në vitin 1975, “Ja vdekje, ja liri” në vitin 1978, “Kryengritësit” në vitin 1983, “O sot, o kurrë!”…

Vepra e Sterjos u botua e plotë në 9 vëllime, që përfshinte mbi tremijë faqe. E gjitha kjo qe një punë tepër e mundimshme për këtë shkrimtar me shumë emër.

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta kohë më parë e dekoroi këtë shkrimtar të shquar (pas vdekjes) me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Flamurit”.

Biblioteka e Kongresit Amerikan nderon në vitin 2012 në Washington Sterjo Spassen me rastin e 98 vjetorit të lindjes.

Deri në fund të jetës, mik me Ismail Kadarenë

Shkrimtari Sterjo Spasse pati shumë miq në jetë. Dhe të tillë i mbajti tërë jetën. Se nuk thonë kot: të takosh me njerëz të mirë në jetë është fat, t’i mbash miq tërë jetën është meritë.

Një mik të tillë ai pati dhe e mbajti deri në fund edhe gjeniun e letrave shqipe, Ismail Kadarenë. Ja se si i drejtohet me një letër të ngrohtë këtij shkrimtari të madh më 4 mars të vitit 1989:

“I dashur Ismail,

Pak nga muzeumi i sëmundjeve, pak nga mosha e shtyrë (mos kujto se jam si tridhjetë vjet më parë në Moskë!), pak edhe nga mukajeti jam penguar të takohem shpesh me shokë, si dhe me ty. Por e kam ndjekur me shumë kujdes fluturimin tënd lart e më lart si shqiponjë e letërsisë dhe e kulturës sonë jo vetëm në qiellin shqiptar, por edhe në qiejt e botës mbarë dhe më është bërë zemra mal që ke hyrë në bibliotekat tona kombëtare e familjare, por edhe në bibliotekat e mbarë popujve të botës si një kalorës fisnik e ballëhapët, përfaqësues i shkëlqyer i kulturës … shqiptare të ditëve tona.

Tani, me rastin që u bëre anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike të Francës, kam gëzimin të të uroj me gjithë zemër këtë nder që ta bëri Franca, atdheu i kaq gjenive të kulturës së përbotshme. Dëshiroj me gjithë zemër që një ditë, shpejt a vonë, kjo s’ka rëndësi, të të uroj që edhe ti të rreshtohesh ndër ata gjenialë krijonjës të përbotshëm, që kanë me të drejtë edhe çmimin Nobël…

Përshëndetje e urime të përzemërta familjes tënde!

Përqafime!

Tiranë, më 4. III. 1989 Sterjo”.

*     *     *

Shkrimtarit të shquar Sterjo Spasse i janë bërë disa nderime. Në fasadën e katit të parë të pallatit ku ka pas banuar në Tiranë është vendosur një Pllakë Përkujtimore, në të cilën shkruhet: ”Këtu ka pas banuar shkrimtari Sterjo Spasse”.

Një nga rrugët e kryeqytetit, te Kodra e Priftit, mban emrin e kësaj figure të shquar.

Në vendlindje është vendosur busti i tij.

Po në vendlindje shtëpia e tij është duke u kthyer në muze, financuar nga Bashkimi Evropian.

– Para çlirimit dhe në vitet e para të pas 29 Nëntorit 1944 Sterjo Spasse i ka pas dhënë shumë arsimit shqiptar, si rrallë të tjerë, – ndërhyn fabulisti Izet, – kështu që do të ishte mirë që një nga shkollat që po ndërtohen në kryeqytet të mbante emrin e këtij shkrimtari të madh.

blank

Ky përshkrim kadarean i zbritjes në ferr meriton të jetë një fusnotë te “Komedia Hyjnore” – Nga Ndriçim Kulla

Kur studiohet gjeografia e veprës së Kadaresë duhet përmendur edhe një mënyrë e veçantë që përdor ai në përshkrimet e tij, të ngjashme me atë që përdor Dante Aligheri te “Komedia Hyjnore”, por që nuk është aspak imitim. Dante përdor një metodë që e bën më pak të rëndë për lexuesin udhëtimin në ferr.

Nëpërmjet bisedave me personazhet, tregimeve të tyre, Dante e nxjerr lexuesin nga ferri, në botën reale. Është kjo një gjë që e mrekullon shumë Borghesin i cili në ligjëratën e tij për “Komedinë Hyjnore” thotë:

Kemi edhe një fenomen të mrekullueshëm këtu; një legjendë të krijuar nga Dante e që e tejkalon atë që gjejmë te “Odiseja” ose “Eneida”, apo edhe te “Simbad Detari” e te “Njëmijë e Një Net”. Shumë rrethana e kanë frymëzuar Danten në këtë legjendë. Së pari besimi se qytetin e Lisbonës e ka themeluar Uliksi dhe besimi në ekzistencën e ishujve “Fortune” në Atlantik. Keltët mendonin se e kishin populluar Atlantikun me vende fantastike. Për shembull, me një ishull ku rrjedh një lumë që përshkon kupën qiellore, mbushur me peshq dhe anije që nuk bien në tokë; ose me një tjetër ishull rrotullues, të zjarrtë, ose edhe me një ishull tjetër në të cilin lepur të bronztë ndjekin drerë argjendi. Ai ka krijuar diçka të mahnitshme prej këtyre legjendave. Uliksi lë Penelopën, thërret shokët e tij e u parashtron një ndërmarrje fisnike, të kapërcejnë Kolonat e Herkulit e të përshkojnë detin, megjithëse ata vërtet janë të moshuar e të lodhur, sepse kanë përballuar me të mijëra rreziqe. Kështu ata do të njohin hemisferën astrale, e cila ende nuk ishte formuar dhe përbëhej vetëm nga uji. Ai u thotë se ata janë burra, kanë lindur vetëm për trimëri, për të njohur botën e për ta kuptuar. Ata i shkojnë pas dhe “bëjnë me velat e tyre flatra”.

Kjo metaforë për çudi gjendet edhe në poemën “Odiseja” që Dante nuk kishte mundur ta njihte deri atëherë. Ata lundrojnë, futen në detin e gjerë dhe kthehen majtas. Për të hyrë në purgator ata marrin djathtas.

Për të hyrë në ferr sërish ata shkojnë majtas. Thënë ndryshe, ana e majtë “senestre” ka kuptim të dyfishtë, dy fjalë thonë të njëjtën gjë. Pastaj thuhet: “Natën ai sheh tërë yjtë”, asaj të hemisferës tonë të Jugut, plot yje.(Yeats, një poet i madh irlandez flet për starladen sky “qiell plot yj”. Kjo nuk është e vërtetë për Hemisferën e Veriut, ku yjet janë të paktë krahasur me ata që shkëlqejnë në hemisferën tonë.) [Borges shkruan në Argjentinë, pra në Hemisferën Jugore.- N. Kulla]

Ata lundrojnë gjatë pesë muajve dhe së fundi shohin tokën. Ajo është thjesht një mal i hirtë në largësi, më i lartë se të gjithë ata që kanë parë gjer në atë çast. Uliksi thotë se gëzimi i tyre u shndërrua në lot, sepse nga toka fryu një erë e fortë që ua fundosi anijen. Ky është mali i purgatorit. Dante, i shtyrë për arsye poetike mendon se purgatori është

antipodi i Jerusalemit.

Në librin e Kadaresë “Pallati i Ëndrrave”, ku Kadare siç e ka pohuar vetë ka krijuar një strukturë të ferrit, ai e përdor disa herë mënyrën e dërgimit të lexuesit në udhëtim nëpër botë që nga sallat e Tabir Sarajit, nëpërmjet përmbajtjes së ëndrrave që shqyr-ton personazhi kryesor i romanit, nëpunës në këtë pallat. Por Kadare bën diçka shumë më të veçantë. Ai krijon diçka që nuk i kishte shkuar ndërmend as Dantes, një lloj ferri gjeografik, të shteteve. Dhe këtë e bën nëpërmjet përmbajtjes së ëndrrave. Ja se cila është përm-bajtja e e një ëndrre, në të cilën Kadare Kadare tregon edhe mënyrën e zbritjes së ëndërr-parësit në ferr, një përshkrim ky alternativ me atë të famshëm të Dantes:

Ëndrra dukej vërtet e jashtëzakonshme. Fillonte me ca pupacë që ecnin nëpër një stepër të plehëruar nga kufoma tigrash të sëmurë, vdekur në shekullin e njëmbëdhjetë. Krejt faqen e parë të tekstit e zinte përshkrimi i ecjes së pupacëve, të cilët me sa dukej çonin një shpifje kundër vullkanit Krtoh… rtoh… krt (emri i tij rrënohej vazhdimisht te shkarrëzima në pjesën perëndimore të tij), ndërsa sipër stepës ndriste një yll i çmendur. Pastaj deliranti, që ndodhej diku pranë, në përpjekjen për t’ u futur nën tokë, qe ndeshur atje me një cep të një dite të ndritshme, krejt si brilant të fshehur nga kushedi kush nën baltë, një ditë nga koha universale, e patretshme, e pathërrmueshme, e pakonsumueshme nga askush. Nga ndriçimi i cepit të ditës që u duk midis baltës atij iu lëbyrën sytë dhe ashtu me sy të lëbyrur qe gjendur në ferr. I çmendur, tha me vete Ebu Qerimi, krejt i lajthitur. Megjithatë vazhdoi leximin.

Ky përshkrim kadarean i zbritjes në ferr meriton të jetë një fusnotë te “Komedia Hyjnore”. Autori le të kuptohet se hyrja në ferr bëhej nëpërmjet kraterit të vullkanit. Tabloja e pupacëve që shpifin ndaj vullkanit, është një aludim për shpifjet që bëheshin ndaj shkrimtarit në atë periudhë të vështirë të tij armiqtë e tij, duke e akuzuar për ndikime të letërsisë perëndimore në veprën e tij dhe për aluzione kundër regjimit komunist dhe vetë diktatorit. Emri i vullkanit tenton të përafrohet me mbiemrin e shkrimtarit. Në vazhdim Kadare tregon thelbin e ëndrrës, atë të ferrit të shteteteve, pra një ferr i gjeografisë politike. Ja si e përshkruan atë Kadare:

Pjesën tjetër të tekstit e zinte përshkrimi i ferrit, një ferr tjetërlloj, jo me njerëz, por me shtete të vdekura. Trupat e tyre shtriheshin të ngathët pranë njëri-tjetrit: perandorira, emirate, republika, mbretëri konstitucionale, konfederata. Hm, ia bëri Ebu Qerimi, pa dale, pa dale. Ëndrra veç të tjerash, ndryshe nga ç’ iu duk në fillim, ishte e rrezikshme. Ai ktheu fletën për të parë emrin e dërguesit te guximshëm. “Ëndërr e parë në gjysmën e dytë të natës së 19 dhjetorit prej bujtësit X në hanin e Dy Robertëve (Pashallëku i Shqipërisë Qendrore).” Ah paska shpëtuar pëllumbi mendoi ai jo pa një ndjenjë lehtësimi… Zuri vend më mirë në karrige dhe vazhdoi leximin. Shtetet e vdekura dikur, të zbritura në skëterrë, nuk pësonin ndonjë dënim nga ata që zakonisht mendohej se hiqnin njerëzit. Veç kësaj ky ferr kishte një cilësi të veçantë, prej tij mund të dilje përsëri e të ktheheshe mbi tokë.  Kështu një ditë prej ditësh shtete të vdekura prej kohësh, që të gjithë i quanin kufoma, mund të ngriheshin dalngadalë e të shfaqeshin prapë mbi sipërfaqen e globit. Veçse për këtë, ashtu si aktorit që i bëhej grimi përpara daljes në skenë me rolin e ri, edhe atyre u bëheshin rregullimet e nevojshme, u ndërrohej emri, shenjat e flamuret,  kurse në thelb qenë po ata të moçmit… Pashë shtetin e Timurlengut që po e lyenin me bojë për t’ i mbuluar njollat e gjakut, ngaqë po bëhej gati të ngrihej përsëri lart. Pashë më tutje shtetin e Herodit që po i bënin të njëjtën gjë dhe që, siç më thanë, ishte e treta herë që po dilte mbi dhe, që kushedi sa herë do të ngrihej prapë, pasi të rrëzohej.

Në dy fragmentet e mësipërme ku përshkruhet e njëjta ëndërr, Kadare kalon lirshëm nga një përshkrim dantesk i zbritjes në ferr, në një përshkrim që mund të quhet kafkian i ferrit të shteteve.

Në gjeografinë e veprës së tij Kadare ndjek Eskilin siç bën kur përshkruan festimet që u bënë në kryeqytetin antik pers, në Iranin e kohës së Shahut, pak para rënies së regjimit të tij, me rastin e 2500 vjetorit të krijimit të Perandorisë Persiane. Kadare nuk gjendej në kryeqytetin e vjetër perandorak pers, ai ishte në një udhëtim në Paris, dhe ngjarjen e shikonte nëpërmjet televizionit në një hotel parisian, por përshkrimi i tij është si ai i reporterit dhe shkrimtarit njëkohësisht:

Pas lajmit për mbërritjen e Brezhnjevit, televizioni dha një reportazh nga Persepolisi ku pas dy ditësh do të hapeshin festat e mëdha të dymijëepesëqind vjetorit të dinastisë së shahëve. Mbeturinat e ish-kryeqytetit të lashtë, ca kolona të rralla të ngrëna nga erërat kontinentale, me atë shkretimin e tyre të kujtonin çuditërisht tarracat e ndërtesës fqinjë të muzeut të artit modern. Midis mbeturinave prej guri dhe mermeri ngriheshin çadrat, ku kishin filluar të bujtnin mbretër, sulltanë, presidentë, kryeministra, emirë, sheikë, perandorë, kalifë e të ftuar të tjerë nga gjithë kontinentet. Spikeri thoshte se Persia është sot një nga vendet më të varfra të botës megjithatë një gosti të tillë mbretërore është vështirë ta ketë shtruar gjer më sot ndonjë mbretëri apo republikë. Gosti mbretërore. Këto fjalë në ndërgjegjen time shoqëroheshin pothuajse gjithmonë nga fjalët: tryeza është plot. Në çdo gosti të tillë pritej të shfaqej gjithmonë dikush, mysafir i vonuar, fantazmë me pelerinën e përgjakur , që shkon e zë karrigen e të zotit të shtëpisë.  

Ky përshkrim është sikur ta ketë bërë Eskili në stil modern, duke qenë ndjekur përgatitjet për festimet në Persepolisin e shekullit XX. Dhe më tutje përshkrimi i Kadaresë është i tillë sikur të ishte përsëri Eskili që si dramaturg dhe reporter, përshkruante ceremoninë në Persepolis:

Në Persepolis kishte filluar festa. Nën një diell përvëlues, përpara mbeturinave të kolonave dhe statujave të lashta po zhvillohej një paradë e jashtëzakonshme ushtarake. Njësi ushtarësh, të veshur me uniforma të një vjetërsie dymijë-epesëqindvjeçare e këndej, të armatosur me armë të po kësaj vjetërsie, me flamurë, emblema e helmeta të modeleve të të gjithë shekujve, po kalonin rresht përpara shahut dhe gruas së tij. Ishte si një paradë fantazmash. Duke u larguar, pasi thërrisnin “Zahirshah” përpara tribunës, dukej sikur ata po shkonin të futeshin nën rrasat e rënda të varreve prej nga kishin dalë përkohësisht.

Ja njësitë ushtarake që ka përshkuar Eskili në tragjedinë “Persët”, komentonte spikeri i televizionit francez. “Tragjediani i madh i ka parë ata me sy, me këto mjekra dhe me këto përkrenare”.

-Nga kjo luftë nuk u kthye gjallë askush,- më tha dikush përbri.- E keni lexuar “Persët”?

-Po.  

Në ndonjë përshkrim të Kadaresë për Parisin, ku ai e shikon urbanistikën dhe arki-tekturën e kryeqytetit francez nga këndvësh-trimi i lidhjes së tyre me ngjarjet e mëdha historike që kanë ndodhur atje, duket sikur është vetë Shekspiri, i cili viziton kryeqytetin francez dhe bën vëzhgime të holla sipas mënyrës së tij. I tillë është përshkrimi i Kadaresë për Sheshin “Konkord”:

Dritat ishin ndezur kudo. Në sheshin Konkord ato ishin të rrumbullakëta, pak të zbehta, të ngulura aty-këtu nëpër shtylla si mbi heshta metalike. Më shkoi nëpër mend se gati dy shekuj më parë, një mëngjes janari, në këtë shesh qe ngritur për herë të parë gijotina. Mbi njëmijë e treqind koka, me kokën e mbretit dhe të mbretëreshës së Francës në krye, kishin rënë njëra pas tjetrës te ky shesh. Mami e tmerrshme, ai i priste atom bi pëqinjtë e tijprej kalldrëmi. Ndërsa largohesha, duke kthyer edhe një herë kokën drejt sheshit, mendova se ndoshta nuk ishte rastësi as ajo rrumbullakësi e verdhë dhe as ai statizëm i poçave të dritave mbi shesh. Arkitekti, që ishte marrë më vonë me rregullimin e sheshit, me siguri kishte dashur që në dritat e tij të krijonte njëfarë requiem për kokat. U ktheva për herë të fundit dhe gati u binda se dritat mbi sheshin “Konkord” nuk ngjanin me asgjë tjetër, veç me koka të verdha, të ngulura majë heshtave.31

Këto rreshta janë shkruar në 1968 gjatë një vizite të Kadaresë në Paris, Shumë vite më pas ai e rimerr këtë përshkrim dhe e zhvillon më tej në romanin “Hija” ku shkruan:

Dola nga kafeneja dhe si njeriu që shtyhet te vendi i ngjarjes misterioze, këmbët po më çonin drejt sheshit “Concorde”. Përpara se t’ i afrohesha rrugës “Rivoli”, ku kishte ndodhur takimi im i fundit me Djallin, qëndrova përpara hotelit “Crillon”, në të cilin vite më parë kishte bujtur mbreti Zog. Pak më tutje ishte hoteli “Intercontinental”, te hyrja e të cilit Avni Rustemi kishte vrarë Esat Pashën. Kurse sheshi “Concorde”, ku gijotina kishte prerë qindra koka, dhe dyqani i thikave të Charlote Corday ishin përbri.

E kisha menduar vallë edhe vetë se gjithë kjo hapësirë rreth e rrotull ishte një zonë krimi, apo këtë ma kishte ngulitur dhunshëm në tru Zhan Marku, kur më kishte thënë se përderisa kisha kërkuar shitoren ku kishte blerë thikën vrasësja e Maratit, do të thoshte se kisha pasur një tundim vrasjeje ndaj tij. S’ ke pse të fyhesh kishte shtuar pas pak, në këtë zonë këtu, dhe kishte harkuar me dorë një rreth, ku m’ u duk se përfshihej edhe ndërtesa e Comedie Francaise, vrasja ngjan e natyrshme.32

Perandoria letrare e Kadaresë ka përfshirë për gjeografinë e veprës së tij edhe një dy polet e planetit, Polin e Veriut. Një nga personazhet e romanit “Koncert në fund të dimrit” është punonjësi i një stacioni përgjimi pranë Polit të Veriut. Këto stacione vendoseshin në këto pika të favorshme nga superfuqitë për të mbledhur të dhënat nga satelitët si dhe mjetet e tjera të përgjimit të vendosura anëembanë botës. Ja përshkrimi i Kadaresë për dehjen polare të

vëzhguesit të stacionit të përgjimit polar:

Ai kishte shumë muaj që ndodhej me shërbim në atë stacion përgjimi dhe ndoshta veçimi për një kohë të gjatë nga jeta, malet e akullit përreth me atë qiell të pashpresë sipër, po aq steril si edhe dheu poshtë, të dy të lëmuar në atë mënyrë që mendimi të mos ndalej asgjëkundi, po të ikte përherë duke zbrazur trutë, pra ai peisazh që, duke të marrë, s’ të jepte asgjë, vetmia dhe sidomos largësia e madhe nga gjithçka, kishte bërë që në mendjen e tij gjërat të thjeshtësoheshin, disa herë gjer në përfytyrime primitive. Ja, atje poshtë  (kështu ishte bota për të) shumica e shteteve ishin me borxhe, prandaj dhe grindeshin e murmuritnin pa fund, shpifnin, ankoheshin për njëri-tjetrin: Hrushovi kishte vdekur, Mao Ce Duni qe sëmurë. Ishte e qartë se tiranët po pakësoheshin dhe ndoshta ikja e këtyre fantazmave do ta bënte më të lehtë fluturimin e globit. Po tani për tani andej poshtë s’ vinin veç marrëzira.

Unë mund të çmendem mendoi ai, por edhe kjo s’ ka ndonjë rëndësi. Në kufjet e hequra që i mbante të varura në njërën dorë, vinin cijatjet e zërave, të dobëta, mjerane. Dërdëllisni ç’ të doni, tha ai, unë s’ kam për t’ ju dëgjuar më. Kishte një copë herë që sytë e tij shikonin datën në kalendarin e varur në mur. Data e shënuar me blu tregonte se pas pak do të gdhinte njëri nga të dy mëngjeset e vitit. S’ i kishte qëlluar asnjëherë të shikonte se si gdhinte një mëngjes pas gjashtë muajsh netësh polare. Kështu kishte ardhur ai, midis natës, dhe ja, tani për herë të parë po gdhinte. S’ duhet ta humb këtë çast, mendoi.

I lëshoi kufjet përtokë, veshi xhupin e trashë dhe u drejtua nga dera. Iu kujtua se duhej të zgjonte zëvendësin, por aty për aty e hoqi mendjen nga ajo vogëlsi. Tashti po gdhinte vërtet. Ishte një bardhësi e pamundur, me një si klithmë midis, por ajo tretej vazhdimisht anash, për të të lënë të kaloje. Ai ecte si i dehur sipër akujve pa kthyer kokën pas. Vetëm një herë e kërkoi me sy ndërtesën e vogël dhe, tek e pa ashtu të gërmuqur, të zezë, si shtëpi shtrige, me atë gërgamë idiotësh brenda saj, i erdhi të shqyhej gazit.

Unë nuk jam i çmendur, tha me vete. Vetëm se kam në kokë kthjelltësinë e një mijë mëngjeseve bashkë, Ose, që të jem më i saktë, kthjelltësinë e njëqind e tetëdhjetë mëngjeseve…

Po ikte drejt akujve të pastër, larg asaj shtëpize murmurimash. Veç në qoftë se do të kthehej për t’ u këtur një të sharë dy Gjermanive, Perandorisë Romake apo shekullit të shtatëmbëdhjetë. Po s’ e vlente barra qiranë. Ai qe shkëputur ndërkaq nga gjithçka.

Të ngrirën nuk e ndjeu veç kur pushoi për herë të parë për t’ u çlodhur. U ul së pari në gjunjë, pastaj u shtri në akull, dhe një çast e kuptoi se nuk do të ngrihej më. S’ ka nevojë, tha me zë, kur iu duk se e ngrira po i shfaqej në formë prangash. Unë erdha vetë.

Me sa di unë Kadare është i vetmi shkrim-tar i madh një prej personazheve të të cilit përjeton një dramë të tillë polare dhe kryen një arratisje polare.

Kur bëhet harta e gjeografisë së veprës së një shkrimtari, aq më tepër e një shkrimtari botëpushtues, është me vlerë që bashkë me të paraqiten edhe detaje të tjera, siç është harta e intinerarit personal të shkrimtarit, e shtëpive të ndryshme në të cilat ka banuar ai, se këto lenë gjurmë te ai dhe ndikojnë në një masë apo në një tjetër në veprën e tij. Për Kadarenë e dimë se shtëpia e tij e lindjes në Gjirokastër ka lënë mbresa të mëdha te ai. Shumë mbresa duket të ketë lënë edhe shtëpia tjetër e tij në Tiranë, shtëpia e tretë në të cilën banoi në Tiranë, në Rrugën e Dibrës, e njohur si pallati me kuba, në gjuhën popullore, një ndërtesë kjo që i shkaktoi jo pak probleme shkrimtarit. Kjo për arsye se u bë shkak që në një periudhë të vështirë të jetës së tij, t’ i rëndohen akuzat për prirje properëndimore, dhe në vazhdim të shërbente si provë materiale e këtyre prirjeve të tij. Shtëpia e një shkrimtari është tempulli i tij. Kështu duket se e ka parë Kadareja shtëpinë e tij në përgjithësi, në Gjirokastër, Tiranë, Paris, Durrës. Ndonëse për të shkruar, ka parapëlqyer kafenetë para studios në shtëpi, nuk është e vështirë të kuptohet, për një njeri të lindur dhe të rritur në një shtëpi të madhe, siç është ai, se fakti se ku banon ka një ndikim jo të pakët në veprën e tij. Është interesante që të bëhet një kategorizim i veprës së tij sipas shtëpive ku ka banuar, duke përfshirë edhe konviktet.

Kur u konceptua Çmimi Nobel në letërsi, ideja ishte që juria e tij të shërbente si një lloj arbitri ndërkombëtar i botës së letrave. Që kur ka nisur të jepet Çmimi Nobel, nuk më rezulton që ai t’ i jetë akorduar ndonjë shkrimtari vërtet botëpushtues, në kuptimin letrar të fjalës, ndonëse për pjesën më të madhe të kohës kur është dhënë ky çmim, nuk është faji i jurisë, për shkak se nuk më rezulton as që të ketë pasur ndonjë shkrimtar vërtet botëpushtues në këtë periudhë. Në fakt, Kadare është i vetmi shkrimtar vërtet botëpushtues që ka jetuar dhe shkruar që nga koha kur ka nisur të jepet Çmimi Nobel. A e ka të qartë juria e Çmimit Nobel këtë gjë, apo ndoshta u duhet edhe akademikëve të nderuar suedezë një studim i tillë, që të perceptojnë vlerat e vërteta të këtij shkrimtari të madh nga një vend i vogël? Ismail Kadare ka thënë një herë në një intervistë në vitin 1990 se sa më herët që ta marrë një shkrimtar Çmimin Nobel, aq më mirë është. Kjo natyrisht është e vërtetë në përgjithësi, por guxoj të them se për një shkrimtar të llojit të botëpushtuesve, është e kundërta, pra sa më vonë ta marrë aq më mirë është, se kështu do të jetë shfaqur më tepër statura e tij si shkrimtar botëpushtues, në kuptimin letrar të fjalës. Sidoqoftë Kadare është sot 86 vjeç, dhe ndonëse të gjithë i urojmë që të jetojë sa më gjatë, nuk mund të mohohet se është në një moshë kur natyra mund ta nxjerrë nga gara për Nobelin, se ky çmim siç dihet, u jepet vetëm të gjallëve. Kështu që edhe si shkrimtar botëpushtues, është në limitin e duhur të kohës për t’ iu akorduar ky çmim, në rast se nuk ia ndalojnë këtë shpërblim të merituar për arsye jashtëletrare të pander-shme.

blank

PER ALI PODRIMJEN, NË KËTË PËRVJETOR TRISHTIMI – Nga MEHMET KRAJA

…Edhe kur mos të jetë më, kur mos të dijë gjë për asgjë, Ali Podrimja do të vazhdojë të ecë rrugëve të Prishtinës, do të shfaqet papritur, do të mbijë nga hiçi, shpatullgjerë, truplidhur dhe energjik, tek çapitet me hapa disi të ngatërruar, sikur ngutet mos të arrijë askund.
Kësaj radhe, kur e pashë, ai mbante një kasketë vere dhe syza dielli, ngjante i shpërqendruar, sikur ikte me ngut nga ndonjë ëndërr që e ndiqte pas. Edhe të folurit e kishte disi gungor, me ca zanore të zemëruara, që merrnin në thua herë në një fjalë dhe herë në një tjetër. Bablok, gjithë natën kam folë me të vdekur, për krye t’Lumit, nuk di çka ka me u ba me ne, kanë me e nda Mitrovicën, ke me e pa, a e ke pa çka ka thanë Çomski, jam tue shkru nji poezi, kanë me e pa! Hoqi kasketën verore dhe e rrotulloi nëpër duar, hoqi edhe syzat e zeza. Sytë e vegjël, nën vetullat e ulëta, ishin pa shprehje, disi të shpenzuar, të kurthuar në mes të një memorie të mjegullt.
Pimë kafe në oborrin e Radios, nën ca bredha të mëdhenj, me hije halore, që të cimbisnin nëpër trup. Një kohë nuk folëm, pastaj thamë diçka pa rëndësi, pastaj sërish nuk folëm. Ali Podrimja u ngrit dy herë, i shkoi dikujt te tavolina, foli me të dhe u kthye duke turfulluar. Pastaj u ul përballë meje, shikoi qiellin dhe, i pakënaqur me pamjen e tij, iu kthye dritareve të epërme të godinës së Radios. Një grua hollake u ngrit nga tavolina pranë, u kthye nga ne dhe na buzëqeshi. Për mua ishte buzëqeshja e vetme e shumë ditëve të shkuara. Ali Podrimjes nuk i bëri përshtypje. Dukej i përqendruar në inatin e vet, të cilin sikur e kishte pikasur diku matanë dhe ia kishte ngulur sytë me një urrejtje të ligështuar. Bablok, mbramë e kam pa andërr Azem Shkrelin, kish lanë mjekër, për kokë t’Lumit, nuk e njohta, m’tha se i kish botue edhe dy përmbledhje me poezi atje, n’botën tjetër, m’u duk mirë, ma i lumtur se kur ka qenë këtu. Ali Podrimja qeshi, por pastaj u duk sikur u pendua për diçka dhe një pjesë të buzëqeshjes e la pezull. Në aneksin e Radios, andej ku kishte qenë dikur salla e koncerteve, u hap një derë xhami dhe për pak çaste u dëgjua një muzikë e prajshme. Pas pak dera u mbyll, tingujt u shpërbënë dhe ca hije drithëruese e të trazuara u dynden mbi gjelbërimin e nëpërdukshëm, duke kërkuar një peizazh ëndrre ku të preheshin.
(Nga romani “Prishtina”)
blank

Dy poezi nga Neki Lulaj

RRUGA E SHKOLLËS

Ka rënë një heshtje në rrugën drejt shkolle

Do të pushojnë  pak zilet  me tringëllima

Xhamat e  dritareve me  pluhur do të ngarkohen

Ikën nxënësit si zogjtë  që fluturojnë në lëndina.

.

 Shumë dorështrëngime shoh në prag ndarjesh.

Kujtimet ruajnë fort enigmat e viteve.

Prek  buzëqeshje e trishta  si varg malesh.

Patkonjtë  djersiten në ditët e stinëve.

.

Mbi libra e fletore mbetën firmat e kërrusura

Aty këtu ka edhe ndonjë kujtim me vlerë

Të gjithë janë pak të huturar   të përhumbur

I vështirë  ky vit  me mësimin shpesh  të ndërprerë.

 

Pandemia ne dhe mbarë globin e ndryshoi

Patëm droje, dhimbje  e ankth  pa kufi.

Hirin e ndritur të dijes disi e kemi korrë.

Për shumë gjëra na përvëloi ky malli për shoqëri.

 

Do bredhin e kaptojmë të palodhur shtigjeve.

Nëpër leqe do të na frymëzojë  çdo horizont .

Do jehojnë trokitja e lehtë në portat e brigjeve

Do të korrim  sukseset në biblioteka si gjithmonë.

 

Tani erdhi ndarja e zakonshme si akulli  i  valë.

Secili do të marrë krahët e vet të fluturimit.

Në shpirtëra u therin  vitet e ikura palë-palë

Të rriten mjellmat e bardha nën dritën e diellit.

 

 

 

 

BALADË ÇAME

 

Një trup  dhunshëm  i ndarë

Nga armiqtë mijëravjeçarë

Një gardh padrejtësisht  i çarë

Nga harbutet  helenët barbarë.

 

Një djep i fisit  përkundet në Jon

Këngën e lashtë të Plisit  po këndon

Bashkë me Pirron, Molos, Kaonë e Thesportë

T‘i bashkojmë tokat nëse ka Zot.

 

Dëgjon pellazgët mes rizgjimi.

Edhe me Zotin  dikur folën shqip.

Kur në Çameri vilej në hambarë ulliri

E Marko Boçari ishte trim më i mirë.

 

Ku je, Çamëria kjo motra jonë e vogël?

Po merrni rrugën vëllëzër për Janinë!

Na thërret me zërin e Dodonës loke

Se këtu e keni nëpër shekuj Shqipërinë

 

Të ura e Artës ju pret Dodona në breza

Me trdita e me ujin akull të Thyamisë

T‘i shalojmë kuajt deri të Guri te Preveza.

E atje ta lidhim sërish Besën e Shqiptarisë

 

Këtu kullat e rrënojat frymojnë shqip \

Ejani vet me sy ta shoikoni saj më skaj

Varrezat ligjërojnë ilirisht e arbërisht

Pellazgishtja ju thërret të githëve pa nda..

 

Pa ejani ,ejani këtu or miq në Çamëri!

Nese doni shyptari. nëse doni Skënderbeun

Se na rrjedh nëpër deje një lumë me dashurie.

Merrni dashurinë e bashkimit me mëmëdheun!

blank

MALLI I PAZBULUAR* – Cikël me poezi nga MUSTAFA V. SPAHIU

 

 

 

                MALLI  I  PAZBULUAR

 

 

S’i qasem mallit të pazbuluar

– Droj se më mbërthen flaka!

Globi s’mbahet n’dy shuplaka;

Zgjidh enigmën pa lavdëruar!

 

Malli është një pikëllim i vjetër,

Malli shtatë fish duhet palosur;

Brengë mbi brengë – i pasosur,

Me myreqet shkruhet në letër…

 

Malli e kërkon – rrugën e mbarë!

Si kec vekërron lartë n’shkrepa.

Me monetat t’futet nëpër xhepa;

S’ngrihet n’ajër – zog shtegtarë.

 

Demede – them – plasa nga malli!

Behar degët lëvar pa kok’rra mani!

Tretur e kalbur – ç’po loton tavani;

Kërkoj yjesh – humbisin nga halli!

 

Më godet malli paç papandehur,

Në ç’guvash ka bërë kaq durim?

Zjarr’i mallit të bëhet rikallëzim –

Rrënjësh bërsheni rrin i fshehur!?

 

 

E mërkurë, 2 qershor 2021, në

Dardaninë Ilire

Nga MUSTAFA V. SPAHIU

 

 

SHKREPAT ME BAJRAQE

 

Shtigjet e gjata janë thepa-thepa,

Zëri im dëgjohet në shtrëngatë, e

Visoret e mia më presin dit’e natë,

Dua të jam alpinist nëpër shkrepa!

 

Cicërimë trishtilash pastaj ndjeva,

Gjelbëroshe e nuhata virgjërinë…

Malit gjezdisja-poshtë n’lëndinë,

Sorkadhet në vrapime i ktheva,e

 

Shkrepat vesë m’mbushën gotën,

Për dhuratë s’dija seç të dhuroja?

Dhe shkrepash këngë iu këndoja;

S’i këmbej shkrepat për tërë botën!

 

Male e shkrepa i kam t’trashëguar,

Ato imazhe sa m’janë madhështore!

Kur ndërroi hapa m’mbajnë për dore,

E trëndafilat e egër – petalegufuar…

 

Për shkëmbinj rri paq i mbështetur,

Nëpër shkrepa shëtis përngaherë.

Bajraqe kujtimesh – janë pranverë;

Mbeta nëpër shkrepa poet i thekur!

 

 

E martë, 1 qershor 2021, në

Dardaninë Ilire

Nga MUSTAFA V. SPAHIU

 

 

               NËPËR VISET DARDANE

 

Endem nëpër tëra viset dardane,

Iu përulem me pietet çdo NËNE!

Janë trimëresha mbi trimëresha,

Për atdheun digjen sikur eshka…

 

Ndizen mbi hi zjarresh – Fenikse,

Me motrat tjera janë kaq fisnike.

Sofrës t’presin me bukë melekuqe,

Stolisur me simbolin – lulëkuqe…

 

Tundin dy-tre djepash në mes are,

Urojnë foshnjet t’bëhen shkollare!

Ç’merr Anamorava deri te Kelmendi,

Me riosh t’mbushet Kosova – vendi!

 

Prillit të moshës – mrekullitë i falen,

Dardanisë rrezet – ngrohtë t’ndalen.

Kreshtëbardhës ku gjëllinë Shipoli,e

Tej thellësive ku shtrihet Konispoli…

 

Viset dardane e nderojnë njerëzinë,

Mademe të tokës e kanë dashurinë.

Gjak e qumësht ujiten viset dardane,

Zemërçelur uratë nga çdo gojë nëne.

 

 

E mërkurë, 2 qershor 2021,në

Dardaninë Ilire

Nga MUSTAFA V. SPAHIU

 

 

TURR, TË SHKRUAJMË POEZI…

– Njëfarë poetit rrëshqanor

 

 

Kur t’ godet paç potkoi i Panteonit,

Beftë kokën ktheje ia vlenë prapa!

Egjri mirë të zenë caca në tre hapa,

Kopshti dridhet n’ethesh tensioni!

 

Dorë zemrës rrast-troç po ta them,

Pengjet hasen penjve t’varfërisë, si

N’lëpetra natës rrucpacesh poezisë

Vargjeve të huaja dukë marrë ujem!

 

Miqësh t’pret fjalori emrash letrare!

Jo për mua – ta them mik-o vonim.

Kredhu valësh thellë ti në lexim, se

Famën n’pleqëri mos e kërko fare!!!

 

N’panaire takimesh bëhesh alemdar!

Vargjet zi-bardhë me ngjyrë të thatë.

Çmendurisht një kakofoni pa miratë,

T’bëjnë kryebejtexhi – ndofta ke zar?

 

Si Ikari do  ngjitesh sa lartë fluturim!

Diellit t’i qasesh flitet t’bënë shkrum.

Tyt et se dëgjove pikove deri n’fund;

Spartian do kthehesh nxirë zhgënjim.

 

 

T’shohim kokëbabune besa t’lodhur!

Mëndja të rri te barku – ngjanë n’kosh!

Me përcikën tullace përjetë e ke bosh;

Ngele barojash – një dem i shkordhur!

 

 

E mërkurë, 23 qershor 2021, në

Dardaninë Ilire

Nga MUSTAFA V. SPAHIU

 

 

            ARDHMËRIA E ZJARRIT

 

 

S’do ngrysi vetveten duke medituar,

Me gjakun riosh do ta rigjeneroj, vlen

Për pasionet e mia gjëlli dhe do rroj-

Si poet ta mjaltësoj botën e trishtuar.

 

Ardhmëria e zjarrit – zjarrit të urtë,që

Asnjë agim s’dua ta shikoj të ngrirë –

Një oazë vargu e shpik n’shkretëtirë;

Gurët e vithosur vekut i do t’lënurtë

 

Ardhmëria e zjarrit s’tregon zemrim!

Ardhmëria e zjarrit e djeg tradhtinë,e

Lumit t’palodhur blert’i djeg sht’pinë;

T’shikosh vetveten n’logjikën-agim…

 

S’do e humbas nderin as njerëzinë!

Ardhmëria e zjarrit – fjalëpeshuar,më

Mirë dua lakun se n’besë i turpëruar!

E kaluara e zjarrit ndriçon zbrast’sinë.

 

Ardhmëria e zjarrit triumfe në beteja,

Zjarr’i kaltërt shndërrohe n’vetveten.

Ujërat nëntokësor si ma shuajn’etjen?

Le të prijë vargu pas tij t’merr rrufeja!

 

E mori zjarrin në dy pëllëmbë i qetë!

N’frikë as u dogj, unë as s’u çmerita.

Lavde Prometheut – mendjendritur,e

Vodhi zjarrin,nga hyjnitë ç’ka hjekë?!

 

 

E hënë, 21/24 qershor 2021, në

Dardaninë Ilire

 

*Ky është cikli i fundit i dërguar për voal.ch dhe bashkëpunimi i fundit me këtë portal nga poeti dhe përkthyesi Mustafa V. Spahiu, i cili u nda nga jeta më 14 korrik 2021.

blank

Duke vazhduar të jetosh – Poezi nga Philip Larkin – Përktheu Kujtim Morina

Duke vazhduar të jetosh, është përsëritje
e një zakoni të krijuar për të domosdoshmet-
Si të humbasësh gjithnjë apo të shkosh pa të.
Në varësi të kohës.
.
Kjo humbje interesi, flokësh dhe iniciative
Ah nëse loja do të ishte poker, po
Mund t’i hapësh letrat, të skicosh një shtëpi të tërë!
Por ky është shah.
.
Pasi ta kesh vrarë mendjen gjerë e gjatë,
ç’ke në dorë është e qartë si një listë bagazhesh.
Ndonjë gjë tjetër mendohet se nuk të duhet
për eksistencën.
.
Po çfarë vlere ka? Vetëm ajo, në kohë,
identifikojmë përgjysmë shenjën e pakuptueshme
Të gjitha sjelljet tona e thonë, gjurmët aty të çojnë.
.
Por për ta rrëfyer,
atë mbrëmje të gjelbër kur vdekja jonë fillon,
siç ishte në atë moment, vështirë se kënaq kënd,
meqë u aplikua vetëm tek një njeri, njëherë,
madje edhe ai duke ndërruar jetë.
.
Në origjinal: Continuing to Live.
Përkthyer nga K. Morina
blank

Ç’ËSHTË KJO QË NDIEJ, NËSE JO DASHURI? – Nga FRANCESCO PETRARCA – Përktheu SKËNDER BUÇPAPAJ

Ç’është kjo që ndiej, nëse jo dashuri?
Nëse po, atëherë ç’është kjo gjë, o Zot?
Nëse jo, pse ky ndijimi i hidhur, vdekësor?
Nëse po, pse çdo torturë është kaq ëmbëlsi?
Nëse dua të digjem, pse qaj dhe pse vajtoj?
Nëse jam katandisur keq, çfarë vlen ankimi?
O vdekje e gjallë, o ligësi ngazëllimi,
si mund të jesh kaq thellë meje, nëse unë s’ pranoj?
(Canzoniere, CXXXII)

blank

Ti qytetar i botës je refugjat – Nga Elida Buçpapaj

“Bota është Atdheu im, gjithë njerëzimi janë vëllezërit e mi, dhe të bësh mirë është feja ime.” Kredoja e Thomas Paine, si qytetar i botës!

Thomas Paine ishte filozof iluminist britanik që konsiderohet një nga Etërit Themelues të SHBA, autor i pamfletit të famshëm Common Sense, i botuar më 1775-1776  fillimisht pa emër, ku paraqet argumente morale dhe politike për të trimëruar popullin e Trembëdhjetë Kolonive që të luftonin për barazi dhe shkëputje nga Kurora Britanike.

Në njëfarë mënyre kredoja e Paine është themel i qytetërimit Perëndimor, ku përfshihen liritë themelore. “Të bësh mirë është feja ime” e Paine është thelbi i shtetit të së drejtës, që mbron sistemin dhe merr në mbrojtje më të dobtin.

Vetë SHBA kanë bërë bashkë qytetarët e gjithë botës sipas kredos së Paine, por sot më tepër se kurrë intoleranca dhe fanatizmi i Perëndimit është në rritje.

Mungojnë Etërit Shpirtërorë që ndërtuan dhe mbrojtën themelin e vlerave të demokracisë.

Sot qytetërimi Perëndimor është në një rendje të pandalëshme drejt vlerave materiale dhe egocentrizmit brutal. Ne shqiptarët themi midis nesh – kemi qenë të varfër, por solidarë. Europa Perëndimore po e pret në ethe largimin e Mutter Angela Merkel!

Quo Vadis Perëndimi?

Në kalendarin e OKB 20 qershori, në mënyrë konvencionale, njihet si Dita Botërore e Refugjatëve, ndërkohë që lumi i refugjatëve, shumë më i gjatë se Nili dhe Amazona, nuk njeh kurrë pushim dhe prehje. Në shekullin XXI shkak kryesor i lëvizjeve janë pasiguria e jetës dhe katastrofat humanitare, shkaktuar prej diktaturave, keqqeverisjeve, konflikteve dhe keqmenaxhimit të periudhave postkonfliktuale. Miliona njerëz braktisin shtëpitë, qytetet, diellin dhe qiellin e vendit të tyre e me fëmijët në krah marrin rrugët për të shpëtuar kokën, në vende ku nuk i pret askush ose, më mirë të themi, i pret urrejtja dhe indiferenca.

Për çdo ditë televizionet e botës moderne janë të mbushura me lajme për fatin e pafat të të ikurve nga sytë këmbët, për të shpëtuar jetën, dhe jetën e jetës të tyre, që janë fëmijët…

Ne shqiptarët e ndarë në disa shtete në Ballkan, e kuptojmë më mirë se kushdo çfarë kuptimi ka të ikësh nga rrënjët e tua.

Të lësh shtëpinë se ta dogjën, se të dëbuan apo ta shesësh shtëpinë për t’i dhënë paratë një trafikanti të të kalojë në „Tokën e Shpëtimit“ – Ku nuk të pret askush.

Ku të presin ligje të egra, po aq të vrazhda dhe cinike si ai realitet i egër që ke lënë pas shpine, ku ta mbyllin derën për sysh, ku askujt nuk i vjen keq për fëmijët që shohin me sy ëngjëllorë, me sy që lypin dashuri, që lypin ndihmë, strehë, një copë bukë, një shtrat, një shpresë.

Ne shqiptarët e njohim si askush fatin e refugjatit, sepse jemi tashmë një komb refugjat.

Mendoni ikjet nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Lugina Preshevës. Pastaj ato prej Shqipërisë, mbi 30 vjet që nuk rreshtin, ku  3 milionë shqiptarë, të braktisur nga shteti, morën ikën në kërkim të Tokës të Premtuar.

Shqiptarët kanë qenë me fat në fatalitetin e ikjes së tyre. Por kujtoni sa herë nuk kanë mbërritur në destinacion !

Mos harroni kur jetët e këputura në mes kanë përfunduar si ushqim për peshqit në fund të detit.

Megjithatë, pas tre dekadash ikje, pjesa më e madhe e tyre kanë arritur që të rimbjellin rrënjët në vendin që ua ka zëvendësuar atdheun.

Ndërsa Perëndimi rrit dozën e ngurtësisë dhe cinizmit, ashtu zemërftohtë dhe zemërngurtë jemi bërë edhe ne shqiptarët për të ndihmuar njëri-tjetrin.

A mos e kemi harruar se çfarë do të thotë të vuash, se çfarë do të thotë të shesësh shtëpinë me koston e një vize për vete dhe familjen apo të paguash një kriminel të të kalojë me gomone matanë Adriatikut, ku jeta është e garantuar vetëm nga shpirmadhësia e dallgëve të detit, apo nga ndërgjegjia blozë e skafistave.

E që, pastaj, po t’i kesh mbijetuar të gjitha provave, sepse të ka ndritur fati, prapë duhet ta nisësh jetën nga zero, kur të gjitha dyer pothuaj janë të mbyllura dhe, pastaj, të duhet të triumfosh, jo në kuptimin ad leteram të kësaj fjale, por në kuptimin se vuajtjet janë aq të mëdha dhe ku fitoret aq te vogla duken si fitoret më të mëdha të njerëzimit.

Le të falenderojmë Zotin për të gjitha mundësitë e të mos harrojmë se njerëzit që sot vuajnë Zoti i ka krijuar të barabartë si ne.

Ata mund të kishin krijuar mrekullinë, nëse do të ishin qytetarë të botës të qytetëruar, por ata prapë janë qytetarë të botës ashtu si ne fatlumët.

“Bota është Atdheu im, gjithë njerëzimi janë vëllezërit e mi, dhe të bësh mirë është feja ime.” Kredoja e Thomas Paine, si qytetar i botës!

Ishte trim Thomas Paine, përveçse filozof, përveçse iluminist.

Pa mendoni sikur Thomas Paine të ishte sot President i SHBA-ve!

Ne nuk duhet të lejojmë që fati i refugjatit të jetë i pafat, sepse, nëse i mbyllet dera një fëmije që s’ka as strehë dhe as vatër, qytetërimi kthehet në antiqytetërim dhe bëhet më barbar se regjimet të cilave refugjatët iu ikin nga sytë këmbët, me fëmijët në krahë drejt një shprese.

Perëndimi dhe askush nuk mund të burgosë shpresën! Sepse shpresa ka rrugën e saj përshkruar prej vuajtjeve dhe peripecive të pafund të refugjatëve.

Le të këndojmë së bashku himnin e shpresës, i shkruar me grafite në një mur të Münichut, jo vetëm si shprehje e multikulturalizmit apo botës të globalizuar që e gjitha po kthehet në një melting pot, por për të thënë se, deri sa bota është e populluar prej njerëzish – shpresa nuk vdes kurrë:

 

Krishti jot është hebre
demokracia jote është greke
shkrimi jot është latin
numrat që t’i shkruan janë arabë
makina që t’i nget është japoneze
kafeja e mëngjezit është braziliane
ora që mban në puls zvicerane
walkmani jot është koreanojugor
pica që ha italiane
këmisha që vesh havajane
pushimet e tua turke,
tuniziane, marokine
Qytetar i botës
mos e sha të afërmin tënd
sepse është i huaj

(Kjo esse është ripunuar më 18 Korrik 2021)

blank

Dy poezi nga libri Moda e Varfërisë – Nga Konstandin Dhamo    

 

 

 

TE KJO RRUGE

             1990

 

Te kjo rrugë e bukur e Tiranës

Gjethet e vjeshtës të bien kam parë.

Sot librat e grisur të Enverit ,

Pashë të bien nga dritaret lart.

 

 

Kaq vite rresht këto libra të kuq,

Raftet mbushën , i rënduan fort,

Ndodhte që prindi në vend të bukës

Një libër të tillë të sillte, blerë me zor.

 

 

Lidhur mirë , shtypur me letër të shtrenjtë,

I kobshëm ky libër dukej mbi tryezë.

Sot , kur fletët e shqyera të binin pashë ,

Shembja e monumenteve më gjëmoi në vesh…

 

 

Ku ishte Instituti i Studimeve Marksiste;

Shkolla e Lartë e Partisë , ku ishte ?

Radioja, Televizioni,”Zëri i Popullit“…

Me plehrat në kosh librat hidhnin pastrueset…

 

 

1990

 

 

 

GRAFOMANET

 

 

Çdo herë botimi i librave tuaj, përbën

Lajm, lajm që bërtet madje dhe , krejt

Të veçantë për rubrikat e kulturës në medie…

Për dreq, keni qëlluar me pare të madhe

Dhe, i harxhoni gjithë nervozizëm dhe

Padurim majtas – djathtas, për të nxjerrë ata

Librat tuaj të trashë .Por, edhe nëse do t’ju

Mungonin , pa hezituar asnjë çast, paret e

Bukës së kalamajve do të hidhnit n’erë!

Jeni përgjithmonë të dehur nga alkooli

I euforisë, avujt e së cilës ju ngjisin në

Qiellin e shtatë dhe, s’ka burrë t’ju takojë

Me tokën …

 

 

Hej, grafomanë grafomanë, kandrra mutande!

Si rregull, promovimi i librave tuaj,zhvi –

llohet në sallat luksoze të hoteleve pesyjesh,

Apo, gjer edhe në sallat klasike të Pallatit të

Brigadave, mes buzëqeshjeve të shtrembra .

Entuziazmit fals; mes shkumës së shampanjës

Që shpërthen si brohoritje, mbi hemorragjinë

E tapetit të kuq zhvillohet, mes politikanëve

Që hyjnë me hap të shtrirë e të nxituar, a thua

Se pale ç’punëra të mëdha e të rëndësishme

Kanë lënë atje, nëpër zyra, apo (bobo !) në terren;

Mes dritës dhe jakave të bardha lëbyrëse

Zhvillohen ato promovimet tuaja, grafomanë;

Gjer dhe presidenti, dora vetë, ka nderin t’ju

Mirësevijë e t’ju urojë . Patjetër; kur presidenti

Mungon për shkak të agjendës së ngjeshur

Shtetërore, vjen kryeministri,me një portret

Të gazmuar, të formatuar enkas për eventin

Me të zbritur nga limuzina …

 

 

Promovimi i librave tuaj…

I prisni të ftuarit në derë një e nga një ,

Ashtu të sheqerosur dhe, s’ka maxhordom

Që t’arrijë prototipin tuaj perfekt…

Mes femrave të shkalafitura t’ekranit, me

Vështrim nën sy, përplot krekosje ;ato promovimet

Tuaja, mes biznesmenëve injorantë

Që kollarja ua merr frymën,

Grave të qeveritarëve, që vdesin për kësi sebepesh,

Që të mundin të sfilojnë me çantat e reja të

Stërshtrenjta në dorë , fustanet bizhutë

Rrëzëllitëse, bythët e tonuara sakaq, fytyrat e

Tërhequra, modelin e ndryshuar të flokëve,që

Më së shumti , ua pëlqejnë dashnorët …

 

 

Përurimi i librave tuaj, grafomanë …

Shpesh këto gra e ata të ftuar, asqë e dinë

Për çfarë libri bëhet fjalë; vëzhgojnë, a po

I xhiron ndokush me kamera, që të pozojnë hijshëm

Dhe të ëmbëlsojnë vështrimin …

Ah, promovimet tuaja, grafomanë !

Ah, snobizëm rural , mishelë parfumdjerse  e

Krupshme, shtirje dhe hipokrizi të rëndomta ,

Që s’i qorton kush ! Ah, modë e fundit, e shkreta ti

Që s’iu shkon fare grave të pushtetshme

Të pushtetarëve ,grave fatalisht të pacivilizueshme!

Por, ç’rëndësi ka , ç’rëndësi ka ? Ç’pandehni ju,

Moralizuesit se, i fyen dhe i pikëllon grafomanët

Ky fakt ? Hehe, të gjithë televizionet do ta

Transmetojnë eventin, me librin në plan të parë,

Duke e vërtitur ledhatueshëm, teksa kritikët  që mërzejnë

Kafeneve, në faqet e gazetave do t’i radhisin xhevahiret

E diterambeve për ju me tepri…

 

 

Hej, grafomanë, grafomanë !Ju lumtë, për besë !

Të pashqitshëm ,të paepur me tesera partish në xhep,

Me emër dhe lavdi

Paçka se të pavlerë! Juve, as censura m’e

Rreptë nuk do t’ju bënte gjë prej gjëje; të aftët prej saj,

Si gjithmonë do ta pësonin!

Dhe shkruani e shkruani të këndellur dhe plot

Hove frymëzimi dhe …

Shqipen

Prishni e

Prishni !

Druaj madje se, një censurë kundërvlerë

Shpejt e shpejt në

Censurë

Ideologjike

Do të kthehej …

 

                                       2000

blank

Iu dha lamtumira e fundit poetit e publicistit Mustafa Spahiu – Nga Nexhat Rexha

IN MEMORIAM!
Dje më 16 korrik 2021, iu dha lamtumira e fundit poetit e publicistit Mustafa Spahiut nga miqtë e tij nga :Shkupi,Kumanove ,Gjilani,Prishtina, komuna e Kamenicës,e treva tjera.
MUSTAFA SPAHIU(1948-2021)
Familje e nderuar Mustafait miq e kolegë,
Sot poi a japim lamtumirën e fundit njeriut poet me lutjet se jeta dhe vepra e tij do të mbeteten vlerë e çmueshme për gjeneratat që do vijnë.
Mustafa Spahiu u lind me 5 prill 1948 në fshatin Muçivërcë, rrjedh prej një familje zejtare-bujqësore të kamur e fisnike.
Katër klasë të shkollës fillore i kreu në vendlindje, tetëvjeçaren në fshatin e afërt Rogoçicë, të mesmen në Prishtinë.
E kreu Akademinë pedagogjike – gjuhë dhe letërsi shqipe në Shkup.
I ndoqi studimet në Fakultetin filologjik, katedrën e gjuhës e letërsisë shqipe.
Jeta dhe përkushtimi i tij ishte poezia.
Mustafai ishte njeri i përkushtuar për peozinë dhe mbeti deri në fund i tillë
Vjershën e parë e botoi me 21 mars 1965 në “Flaka për fëmijët tanë” – Shkup.
Tërë jetën e kaloi me profesionin e gazetarit, publicistit në Radio Shkup – programet në gjuhën shqipe.
Për 25 vjetë me rradhë e drejtoi me sukses të shkëlqyer emisionion më të dëgjuar për fëmijë “Lule më lule”.
Mbi 14 vjet e drejtoi emisionin letrar të koduar “Tingulli i artë i fjalës”.
I përkushtuar për krijimtarinë letrare gjithmonë ligjëronte për letërsi.
Veprën e parë e botoi. “Buzëqeshjet e okarinave” (1981) për të vazhduar deri në frymëmarrjen e fundit. Ai botoi 40 e me tepër vëllime poetike, duke lënë në dorëshkrim edhe shumë shkrime të tjera.
Mustafa Spahiu ishtë anëtar i dy shoqatave letrare: Shoqata e shkrimtarëve shqiptarë në Maqedoni dhe Shoqata e shkrimtarëve të Maqedonisë.
Ishte anëtar i Klubit të shkrimtarëve “Konstandin Kristoforidhi” të Elbasanit, R. e Shqipërisë.
Është qytetar nderi i qytetit të Durrësit dhe Mik i madh i fëmijëve, akorduar nga prefektura e qytetit të Durrësit.
Pas 41 vjet shtazh pune M.Spahiu u pensionua, ku deri ne frymen e fundit krijonte, punonte, lexonte, përkthente, botonte.
Mustafa Spahiu u nda nga jeta në qytetin e Shkupit,
Testamenii i tij i lënë familjes, djalit e Shpendit e vajzave, se nuk i dihet se kur vjen vdekja , Ai kërkonte që eshtrat e tij të pushojnë në vendlindje në Muçivërc, sepse edhe vepra e tij letrare në shumë faqe të librave të tija komunikon me vendlindjen dhe bashkëvendasit e tij me dashuri e mallë.
Vendlindja e tij Muçiverci ishte frymëzim i përhershëm në krijimtarinë e tij artistike.
Mustafai me bashkëvendas dhe miq ishte komunikativ i afërt dhe gjithnjë adhuronte fjalën e dijen.
Të nderuar të pranishëm të kësaj ceremonie mortore , duke ia dhënë lamtumirën e fundit Mustafait, familja po e plotëson dëshirën e e tij të fundit dhe eshtrat e tij tani janë të përhershëm në në vendlindje .
Ndërsa,miqtë e familjarët tij e humbën shkrimtarin Mustafa Spahiun , besojmë se ai ka ndërruar vetëm vendbanimin. Ai do të jetojë edhe më tej përmes veprave të shkruara, me të cilat ka komunikuar ditë e natë.
Prehu i qetë ne vendlindje miku i madh i fajlës së bukur shqipe Mustafa Spahiu.
Muçivërc, më 16 korrik 2021
blank
blank

BABUSH! In memoriam,Profesor-doktor MURAT GECAJ (29 mars 1940-16 korrik 2020) Nga Përparim HYSI


BABUSH!
Sa vështirë që e ndjej veten,kur zë e të shkruaj për ty. E di pse? Se,të shkruash për jetën e një njeriu, do të thotë që ta rindërtoshë atë.Këto fjalë i ka lënë një DITURAK e PROFESOR i madh që quhet MOIKOM ZEQO dhe nuk ka se si mos i vlerësosh, Unë marrë penën të shkruaj dhe një lumë asociacionesh vërshojnë si ato bletët që dalin nga kosherja. Është trysni që nuk e përballon dot. Nuk di çfarë të them më parë për ty,o BABUSH! Njeri  tepër vital, i kudogjendur,i gatshëm  të bëhesh kurban për miqtë e shokët  e shumtë. I papërtuar dhe i përpikët si një sahat”Omega” dhe ZHYL VERNI,kur shkroi “Rreth botës për 80-ditë” më duket se FELIAS FOGUN e shkroi sipas modelit tënd. Sa altruist dhe po aq buzëqeshur! Një buzëqeshje të çiltër e të pastër kristal,siç dinë të qeshin fëmijët. Nëse ÇEHOVI diku shkroi se” Njeriu duhet të ketë gjithçka të bukur:edhe fytyrën,edhe shpirtin,edhe mendimet,edhe sjelljen,por edhe veshjen”. Pa më thuaj kush tjetër i ka patur këto” resurse” veç teje, BABUSH?!
BABUSH, të thërres,a më dëgjon? Të pres tek” Grandi”, tek”ambsadat”,tek “Ulqini”,tek “Ura e Tabakëve”, tek “Taivani”
dhe ti,sikur bridhje me vrap, kudo dhe kurdoherë në orën e caktuar.  Në sa promovime librash ke marrë pjesë? Sa autorë dhe sidomos autore librash ke zbulular dhe i ke inkurajuar duke u bërë paksa “kumbar” dhe u ke dhënë një emër.
Lista e librave dhe,veçanërisht,intervistave që ke bërë,është aq e gjatë, sa,po t’i kthesh në numra është  me tri shifra

dhe,nëse i hedh në një hartë gjeografike,harta nuk  i nxë. Gjeografikisht këto intervista janë të vendosura në hartë gjeografike të botës,ku futet EVROPA.Amerika dhe deri në AUSTRALI.
BABUSH!
Kujtimet për ty,sa më ngrohin,aq dhe më shkaktojnë dhimbje. Qemë miq që e donim njëri-tjetrin, dhe,kur shëndeti yt po tronditej,takimet i bënim aty,përballë shtëpisë tuaj tek kafe”Galaksi”. Vija të merrja prej krahu atje,tek kati i katërt dhe tek zbrisnim tek kafja,rrethi shtohej: IBRAHIM HAJDARMATAJ nga TROPOJA; VIRON KONA nga BERATI; SEJDO HARKA nga PËRMETI; BASHKIM SALIASI nga SKRAPARI; ILINDEN SPASSE,i biri i STERJO SPASSE dhe,pa harruar,ndonëse rrallë,PROFESOR BARDHYL XHAMA dhe KADRi TARELLI. Promotori i gjithë këtyre takimeve ishe ti, o BABUSH që ishe aq i mirë.Nuk duhet të harrojmë FIQRI SHAHINLLARIN;FUAT MEMELLIN e QATIP MARËN që janë në AMERIKË.
BABUSH,nuk do t’ia falja vetes,por dhe ti nuk do më falje, se ti qe mik i sa e sa femrave krijuese,si:LIDA LAZE;Eliverta KANINI;DIANA ZHITI,VERA ISTREFI,Monda Moisiu,ELEONORA QEPAROI,VIOLLCA KONI e plot të tjera.
Qëkur ke ikur ti,unë nuk vij më tek “GALAXI” se mungon ti. Virusi vrasës corona, nuk të fali. Nesër, më 16 korrik bëhet plot një vit. BORGES thotë: “Kur vdes një njeri, vdes një bibliotekë”,por për NJERI me formatin tënd,BABUSH, të shkon për shtat thënia e LAMARTINIT:”Nganjëherë vetëm një njeri është ndarë nga jeta dhe gjithë bota duket e shpopulluar”. Ja kështu më duket që ka ndodhur.
BABUSH! Të dua dhe nuk  të harroj!
                                                               Tiranë,15 korrik 2021

Send this to a friend