VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

“Letra për Zotin” e Einsteinit shitet për 2,9 milionë dollarë

By | December 5, 2018
blank

Komentet

blank

Zbulohet “pulsi” 27.5 milionë vjeçar i Tokës, por nuk e dimë ende se çfarë e shkakton atë

Në 260 milionë vitet e fundit, dinozaurët u shfaqën dhe më pas u zhdukën. Pangea u nda në kontinentet dhe ishujt që ne shohim sot, dhe njerëzit e ndryshuan me shpejtësi dhe në mënyrë të pakthyeshme botën në të cilën jetojmë.

Por përmes gjithë kësaj, duket se është Toka ajo po e ruan ritmin e kohës. Një studim i ri i ngjarjeve të lashta gjeologjike, sugjeron që planeti ynë ka një “rrahje zemre” të ngadaltë, të qëndrueshme të aktivitetit gjeologjik çdo 27 milionë vjet apo më shumë.

Ky impuls i ngjarjeve gjeologjike të grumbulluara – përfshirë aktivitetet vullkanike, shfarosjet masive, riorganizimet e pllakave tektonike, dhe ngritjen e nivelit të deteve – është tepër i ngadaltë, një cikël 27.5 milion-vjeçar i baticave dhe rrjedhave katastrofike.

Por për fatin tonë të mirë, ekipi hulumtues vëren se ne jemi edhe 20 milionë vjet para “të rrahurës tjetër të zemrës së Tokës”. “Shumë gjeologë besojnë se ngjarjet gjeologjike janë të rastësishme. Por studimi ynë ofron prova statistikore mbi një cikël të përbashkët, duke sugjeruar se këto ngjarje gjeologjike janë të ndërlidhura dhe jo të rastësishme”,-thotë Majkëll Rampino, gjeolog i Universitetit të Nju Jorkut, dhe autori kryesor i studimit.

Ekipi zhvilloi një analizë të re mbi epokat e 89 ngjarjeve gjeologjike të kuptuara mirë nga 260 milion vitet e kaluara. “Këto ngjarje përfshijnë kohë të shfarosjeve detare dhe jo-detare, ngjarje të mëdha ooksike-anoksike, shpërthime vullkanike, luhatje të nivelit të detit dhe riorganizimin e pllakave tektonike”- shkruan ekipi në studimin e tij.

“Rezultatet tona sugjerojnë se ngjarjet gjeologjike globale janë përgjithësisht të ndërlidhura, dhe duket se ato ndodhin me impulse sipas një cikli bazë 27.5 milion vitesh. Gjeologët kanë shqyrtuar prej kohësh ekzistencën e një cikli të mundshëm të ngjarjeve gjeologjike.

Në vitet 1920-1930, shkencëtarët e kohës sugjeruan se të dhënat gjeologjike kishin një cikël 30 milionë vjeçar, ndërsa në vitet 1980-1990 studiuesit përdorën mjetet më të fundit të teknologjisë, për të gjetur një cikël me gjatësi 26.2 deri 30.6 milionë vjetësh.

Tani kemi zbuluar se kjo kohë është 27.5 milionë. Një studim në fund të vitit të kaluar nga të njëjtët autorë, sugjeroi që ky cikël 27.5 milion vjeçar, është edhe momenti kur ndodh zhdukja masive.

“Ky studim është shumë i mirë, por unë mendoj se një hulumtim më i mirë mbi këtë fenomen ishte ai i vitit 2018 nga Myler dhe Dutkievic”- tha për ScienceAlert gjeologu tektonik Alan Kolins nga Universiteti i Adelaides në Australi, që nuk ishte i përfshirë në këtë studim.

Studimi i vitit 2018, nga dy studiues të Universitetit të Sidneit, analizoi ciklin e karbonit dhe tektonikën e pllakave të Tokës, duke arritur në përfundimin se cikli është afro 26 milion vjet. Kolins thotë se më studimin e fundit mbi këtë temë, shumë nga ngjarjet gjeologjike që shqyrtoi ekipi janë shkakësore, pra njëra shkakton drejtpërdrejt tjetrën. Kësisoj disa nga 89 ngjarjet e marra në analizë janë të lidhura mes tyre:për shembull, ngjarja anoksike që shkaktojnë zhdukjen e specieve detare.

“Duke thënë këtë, ky lloj cikli 26-30 milionë vjeçar duket se është real dhe për një periudhë më të gjatë kohore. Edhe pse nuk është e qartë se cili është shkaku i tij themelor”- thekson Kolins. Kërkime të tjera nga Rampino dhe ekipi i tij, sugjerojnë se përplasjet e kometave mund të jenë shkaku kryesor, ndërsas një studiues hapësinor mendon se përgjegjës për këto ndryshime është Planeti X.

Por nëse Toka ka vërtet një “rrahja zemre” gjeologjike, kjo mund të jetë për shkak të diçkaje që është më pranë Tokës. “Këto impulse ciklike të tektonikës dhe ndryshimit të klimës, mund të jenë rezultat i proceseve gjeofizike që lidhen me dinamikën e tektonikës së pllakave dhe mantelit të Tokës, ose mund të alternohen me ciklet astronomike të lidhura me lëvizjet e Tokës në sistemin diellor dhe galaktikën tonë”-shkruan ekipi në studimin e tij. /Science Alert- bota.al/

blank

Orakulli i Apolonisë në Optikën e Herodotit dhe Frakulla Sot – Nga ARISTOTEL MICI

 

Pikërisht të birin e Evensit nga Apolonia, Deifonin, kishin marrë me vete Korinthasit si parashikues për flotën helene.                                 Herodoti

 

       Aty, në Apoloni, del asfalt, një si dhe pis i zi, si currila, që shpërthejnë nga toka….dhe jo larg këtij vendi është një zjarr, që  qendron i ndezur vazhdimisht.                                                                                     Aristoteli

 

Apolonia  – Magna urbs at gravis (Qyteti i  madh dhe hijerëndë)

      Ciceroni

 

Në qytetin e Apolonisë është një vend i qujtur Nympheum, ku gjendet një shkëmb që nxjerr zjarr dhe nën të rrjedhin burime të vakta dhe asphalt.                  Straboni.

 

Ajo që më çuditi më shumë në Apoloni është zjarri i madh që del pranë lumit Vjosa dhe që nuk përhapet në tokën rreth e rrotull .Kur bie shi, ky zjarr shtohet dhe ngrihet lartë. Për këtë ky vend quhet Nymfe, madje këtu ka pasur dikur edhe një Orakull.

Dio  Kassius

 

 

Duke u mbështetur në veprën e Herodotit[1], na bëhet e qartë dhe e kuptueshme se Orakulli i Apolonisë, për nga rëndësia vjen me një herë pas Orakullit të Dodonës dhe atij të Delfit. Kjo ide përftohet sidomos nga leximi i librit të Nëntë të veprës së Herodotit. Ngjarja, që na tregon autori lidhet vetiu me Orakullin e Apolonisë, i cili, si Orakull i njohur, me siguri do t’i ketë pas dhënë dhe më shumë emër qytetit të lashtë. Subjekti i rrëfimit ka në qendër bariun Evenius, si edhe të birin e tij. Nga ky episod mund të zbresim pastaj me hamendje edhe në fshatin Frakull sot, si pjesë e hinterlandit të Apolonisë, që shtrihet pas kodrave të Pojanit dhe të Levanit.

Ishte koha kur ushtria persiane kishte pësuar disfatë me ushtrinë helene në Platea dhe po bëheshin përgatitje për shpeditë detare në Jon. Ushtria helene komandohej nga Leutikidi, kurse persianët nga komandanti i tyre, Mardoni. Me këtë rast helenët bënë flijime nën drejimin e parashkuesit Deifon, të birit të Eveniusit nga Apolonia. Veprim ky që nënkupton një dimension shenjtërie, që rriste famën e qytetit të atëhershëm. Këtë ide Herodoti na e tregon përmes ndodhisë së Eveniusit, ku gati si në një mith, na rrëfen se si i kishte ardhur Eveniusit dhuntia hyjnore e profecisë nga dëshira e perëndive.

Babait të këtij Dejfonit, Eveniusit, siç shkruan Herodoti, i ndodhi një ngjarje, të cilën po e tregoj: Në Apoloni ka një grigje delesh që i është përkushtuar Diellit. Ditën ajo, grigja, kullot përgjatë lumit,[2] që rrjedh nga mali Lakmon, dhe shkon përmes territorit të Apolonisë dhe derdhet në det pranë portit të Orikut. Natën grigjën e ruajnë burra të zgjedhur nga familjet më të pasura dhe më fisnike. Zgjidhnin nga një roje për çdo vit. Rëndësia e kësaj grigje delesh për njerëzit e Apolonisë i detyrohet profecisë së një orakulli.

.  Delet e asaj grigje e kalonin natën në një guvë që është disi larg qytetit. Këtu ky Eveniusi ishte zgjedhur të ruante delet. Po një herë atë e kaploi gjumi, tek po i ruante ato;  ndërkaq  erdhën ujqërit, që hynë në guvë dhe i shqyen rreth gjastëdhjetë dele. Kur u zgjua Eveniusi, ai pa se ç’kish ndodhur, por heshti dhe nuk i tha kurrkujt për këtë, sepse mendonte t’i zëvendësonte me dele të tjera që do t’i blinte.. Mirëpo s’ia doli dot ta fshihte ndodhinë nga banorët e Apolonisë. Ata e morën vesh dhe përnjëherësh e çuan para gjyqit dhe e dënuan me humbjen e shikimit, sepse kishte fjetur kur duhej të ruante delet.  Menjëherë, mbasi e verbuan Eveniusin, delet e grigjës nuk pillnin më qingja dhe toka u shterpëzua dhe nuk jepte më fryte. Në Dodonë dhe në Delfi, kur pyetën orakujt për shkakun e kësaj fatkeqësie, që u kishte rënë në krye, morën të njëjtën përgjigje: se ishin fajtorë që e kishin dënuar pa të drejtë Eveniusin, rojtarin e grigjës së shenjtë, sepse perënditë i kishin dërguar vetë ujqërit; dhe ato do të vazhdonin të hakmerreshin derisa populli i Apolonisë ta shpërblente për të keqen  që i bënë, me çka do t’u kërkonte dhe do ta caktonte ai vetë. Kur Apoloniatët ta bënin këtë, dhe vetë perënditë do t’i jepnin Eveniusit një dhuratë, për të cilën shumë njerëz do ta konsideronin atë të bukur.

Këto përgjigje, që ju dhanë orakujt, apoloniatët i mbajtën të fshehta dhe ua besuan disa bashkëqytetarëve të tyre ta kryenin porosinë e Zotit. Këta qytetarë e përmbushën porosinë në këtë mënyrë: shkuan tek Eveniusi, që ishte ulur mbi një bankë, u ulën pranë tij dhe filluan të flisnin me të dhe më në fund, i shprehën keqaerdhjen për fatkeqësinë e vet; pastaj e pyetën të verbërin çfarë do t’u kërkonte apoloniatëve, sikur ata të donin ta dëmshpërblenin për të keqen që i kishin bërë. Eveniusi, që s’kishte dëgjuar gjë për Orakullin, tha se do të ishte i kënaqur me disa ngastra toke (dhe përmendi emrat e qytetarëve që e dinte se i zotëronin dy ngastra më të mira në Apoloni) , po ashtu dinte se   kishin edhe shtëpi, që ishin më të bukurat e qytetit.  Nëse do t’ia jepnin këto, shtoi Eveniusi, nuk do t’u mbante më mëri dhe do të ndihej mjaftueshëm i dëmshpërblyer. Kështu tha, ndërsa miqtë që i ishin ulur prane iu përgjigjen: “Mirë, Evenius!  Populli i Apolonisë do të japë këtë dëmshpërblim për verbimin tënd, për t’iu bindur asaj që i kanë thënë orakujt”. Kur Eveniusi e dëgjoi të vërtetën dhe e kuptoi se ia kishin hedhur, u zemërua shumë. Po, sidqoftë, banorët e Apolonisë, ua blenë pronarëve tokën dhe shtëpitë që kishte zgjedhur dhe ia dhuruan atij. Pak kohë më pas ai mori dhuntinë hyjnore të profecisë dhe kësisoj ai u bë njeri i famshëm.(Herodoti, Lib.IX- Parag.94 [3]-)

Pikërisht të birin e këtij Eveniusit, Deifonin, e kishin marrë me vete korinthasit si parashikues për flotën helene.[4]Lib. IX-  Parag. 95.

Duke lexuar këtë rrëfim të Herodotit për bariun e grigjes së deleve, që i ishin përkushtuar Diellit, kuptojmë se Apolonia qe bërë një qendër e njohur edhe për arsyen, se pranë saj atëherë, në kohë antike, ndodhej ky Orakull. Për këtë anë të famës le të kemi para sysh dhe faktin se të birin e Eveniusit, Orakullit të Apolonisë, Deifonin, e marrin Korinthasit si parashikues të flotës helene në betejën e tyre kundër persianëve. Pra, Kështu na del se ky Orakull duhej të vinte për nga fama, pas atij të Delfit dhe Dodonës, gjë që i rriste edhe më shumë emrin qytetit për ato kohë.

Qëllimi ynë gjatë shoshitjes së kësaj ngjarjeje nga vepra e Herodotit nuk është të tregojmë përmasat e kultit të Orakullit të Apolonisë, po të pohojmë pa mëdyshje ekzistencën e një shenjtëroreje pranë qytetit antik, që ka qenë funksionale qysh nga Lufta Greko-Persiane, koha e Herodotit, shekulli i pestë Para Krishtit, deri në sundimin e perandorit Karakalla, shekulli i tretë Pas Krishtit, sipas shenimeve të historianit Dio Kassius.

Ndërkaq, tek arsyetojmë për vend-ndodhjen e Orakullit të Apolonisë, nisur kryesisht nga ana gjuhësore, mbështetur  në evolucionin fonetik  të tingujve të emrit “Orakull”, lokalizimin e tij  e gjejmë si më të përshtatshëm në fshatin Frakull. E kemi  këtë ide duke parë evoluimin fonetik zanores “O” në konsonantet  buzoro-dhëmbore  “V” dhe pastaj në “F”:  Orakull,    Vrakull,  Frakaull.  Shenojmë se  kjo dukuri fonetike e kthimit të  tingullit “v” në  “f” ndihet ende në disa të folme edhe sot, po edhe në gjuhën e shkruar, siç ëshë rasti tek elegjia e  Fan Nolit për Bajram Currin, ku ai shkruan: Dif dragoi  i Dragobisë. Edhe Noli, siç shihet në poezi, nuk e ka pëdorur fjalën  div si në fjalorin e gjuhës  së sotme, pra  me shkronjën  “v” në fund, por ka pëlqyer trajtën me  bshkëtingëlloren “ F “  dif, gjë që ka analogji fonetike me  rastin  evoluciot te fjalës  Orakull në Vrakull  dhe pastaj në Frakull; kështu, këtu, nuk kemi bëjmë me një rastësi, po me një “rregull” fonetik të kaherëshëm.

Kështu kemi arsye të hamendësojmë Orakullin e Apolonisë me përfytyrimin tonë diku pranë Nymfeut të përflakur, që rrinte i ndezur dhe nuk shuhej kurrë, po digjej me gazin, që dilte nga nëntoka. Aroma e gazit si eter i krijonte, një gjendje kontemplative Orakullit, që i jepte frymëzim fantazisë së tij për të rrëfyer parashikimet.

Ky mendim për Orakullin e Apolonisë na përforcohet më shumë, kur lexojmë autorët e lashtësisë. Kështu filosofi i famshëm i antikitetit, Aristoteli, kur rrëfen për Apoloninë, ai shkruan se “aty, në Apoloni, del asphalt, një si dhe pis i zi, si currila, që shpërthejnë nga toka….. dhe jo larg këtij vendi është një zjarr, që qendron i ndezur vazhdimisht”[5]. Mbase këto pamje të perflakura, tok me madhështinë e përgjithshme të qytetit, do t’i kenë pas bërë aq  përshtypje oratorit të shquar romak, Ciceronit, i cili shkroi për Aploninë fjalët lapidar:  Magna urbs et gravis(Qytet i madh dhe  hijerëndë).

Po ashtu, kohë më vonë, historiani i Perandorisë Romake Straboni[6],  në veprën e trij gjeografike, kur përshkruan viset e Ilirisë, tregon : “Në qytetin e Apolonisë  është një vend i quajtur “Nympheum”, ku gjendet një shkëmb, që nxjerr zjarr dhe nën të rrjedhin burime të vakta dhe asfalt”[7]

Për më tepër, këtë konstatim na e jep në vepren e vet, rreth dy shekuj më vonë edhe historiani tjetër romak, Dio Kassius[8]. Ka rëndësi të theksojme se ky autor, tek përshkruan viset e Ilirisë bregdetare, mbetet i mahnitur me pamjet e mrekullueshme  të Vjosës, duke e cilësuar atë me fjalët “the prophetic power of the river Aoos. (fuqia profetike e lumit Vjosa – versioni anglisht)”[9].  Kurse për panoramën e Apolonisë ai do të shkruante i surprizuar, për çfarë po i shikonin sytë:  “Ajo që më çuditi në Apoloni më shumë se çdo gjë është zjarri i madh, që del pranë lumit Vjosa dhe qe nuk përhapet rreth rrotull… madje afër tij ka gjelbërim dhe pemë, që lulëzojnë. Përveç kësaj, kur bie shi, ky zjarr shtohet dhe ngrihet lartë. Për këtë arsye ky vend quhet Nymfe, dhe, dikur aty ka qenë edhe një Orakull.”

Për analogji me këto të dhëna flet edhe një gojëdhanë se diku në një bregore të Frakullës ndodhej një vend i quajtur Shkëmbi Dragoit, thirrej ashtu ngase prej një zgavre të tij , si gojë e shqyer kishte pas dalë avull.

Kështu, nisur nga mendimi, që e lokalizon këtë Orakull në Frakull, dhe, se pranë Orakullit supozohet Nymfeu i Apolonisë, mund të bëjmë me hamendje konfigurimin e anës lindore të këtij qyteti antik. Dhe për ta plotësuar më mirë këtë imazh, le të kujtojmë një frazë të Herodotit lidhur me grigjen e deleve kushtuar Diellit: “….grigja kullot për gjatë lumit, që rrjedh nga mali Lakmon, shkon përmes territorit të Apolonisë dhe derdhet në det pranë portit të Orikut”-( Lib.IX- Parag.93)

Deduksioni i parë që nxjerim nga pohimi i mësipërm i Herodotit është se lumi (duhet kuptuar lumi Vjosa) nuk ka pas kaluar aq pranë Apolonisë, po  përmes territorit të Apolonisë, mbase rreth nëntë kilometra larg qytetit antik, siç është konkretisht distanca midis Pojanit dhe Frakullës .

 

Deduksioni i dytë është se lumi drejtimin e ka pasur nga lindja drejt jugut për t’u derdhur pastaj në detin Adriatik. Atëherë Orakulli i Apolonisë dhe Nymfeu i saj do të gjendeshin në të djathtë të lumit, në hapësirën midis Frakullës dhje Pojanit të sotëm. Nga ky kënd-vështrim, Frakullës sot, duke u mbështetur në shkrimet e autorëve antikë, mund t’i bëhej një zgjatim i hartës arkeologjike të Apolonisë. Dhe kështu, përfytyroj, sikur në një bregore, ose në një ledh, mbi një pllakë të zakonshme çimetoje, të gdhendeshin shkrimet e autorëve të lashtësisë, që cituam më sipër, atëherë, fjala “Frakull” nga një emër toponimk i zakonshëm fshati, do të merrte edhe një tingëllim historik prej antikitetit, që lidhet vetiu me Orakullin e Apolonisë, që po e zgjojmë nga gjumi shekullor, përmes veprës së Herodotit.

Po i mbyll këto shenime rreth librit të Herodotit me idenë se  gjuithe vepra e tij madhore është një burim informacioni historik, jo vetëm për rreth botës së gjërë antike, po edhe për lashtësinë e trevave pellazgjiko- ilire, ku janë rrënjët e etnogjenezës sonë mbarë- kombëtare. Gjithësesi, kur mbaron së lexuari veprën e Herodotit, kupton dhe optikën e tij për pellazgët, të cilët ai i gjen qysh nga koha e civilizimit Kreto-Mikenas e deri tek ndeshja e tyre me Argonautët në ishullin e Lemnosit, nga Lufta e Trojës, e deri te Lufta Greko-Persiane, nga koha e Orakullit të Dodonës e deri tek Orakullli i Apolonisë.  Dhe ndërkaq, më së fundi, duhet theksuar se në shekujt që erdhën pas Herodotit, të tjerë historianë do të sillnin vlera të reja me veprat e tyre, “që do ta bënin historinë një mësuese të vërtetë të jetës, po Herodoti, që hodhi hapin e parë serioz dhe të dinjitetshëm në këtë rrugë, do të meritojë përjetësisht epitetin “babai i historisë, siç e ka cilësuar me të drejtë Ciceroni”[10]

 

 

 

 

Massachusetts

15  Maj 2021

[1] Historiani i  parë i antikitetit helen, 484 – 425, para Krishtit..

[2] Merret me mend se ky lumë duhet të jetë Vjosa e sotme

[3] Herodoti, Historitë, Libri  Nëntë, Parag.94.

[4] Herodoti, Historitë, Libri i  Nëntë, Parag. 95.

[5] N.Ceka, Apolonia e Ilirisë, Tiranë, 2008, f. 196

[6]Straboni, historian i Perandorisë Romake, (64 Para Krishtit-24  pas Krishtit).

[7] Strabo, Geography, translation of Horace L. Jones, Harvard University Press, Vol.. 7 – f . 265- MCMLIV

[8] Dion Cassius, autor romak, (155-235, pas Krishtit)

[9] Fergus Millar,A Study of  Casius Dio, Oxford, 1964, p.180.

[10] A.Minga, Herodoti, Historitë,  botimet IDK,  f.13

blank

Në konkursin për astronautë të rinj të Agjencisë Evropiane të Hapësirës mbi 22 mijë kandidatë

Paris

Më shumë se 22 mijë persona kanë aplikuar në konkursin për astronautë të rinj të shpallur nga Agjencia Evropiane e Hapësirës (ESA), transmeton Anadolu Agency (AA).

Në mesin e kandidatëve që aplikuan për konkursin për të ndjekur programin e trajnimit për astronautët e rinj të ESA-s janë 5.419 gra.

Portali “Spacenews” shkruan se konkursit iu përgjigjën tri herë më shumë se përgjigjen e regjistruar në konkursin e fundit të tillë, i cili u shpall në vitin 2008.

Komisioni i ekspertëve të ESA-s fillimisht do të kryejë testimin psikologjik të kandidatëve dhe më pas do të organizojë katër nivele të tjera të testeve të eliminimit.

ESA planifikon të pranojë midis katër dhe gjashtë pjesëmarrësve në programin e ri të trajnimit të astronautëve.

ESA aktualisht punëson shtatë astronautë, dy nga Gjermania dhe Italia, dhe nga një nga Britania e Madhe, Franca dhe Danimarka.

Astronautët e ESA-s janë të përfshirë në punën e misioneve të astronautëve që ndërrohen në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës.

blank

A2020/1 FRAGMENTE TË ARKITEKTURËS SHQIPTARE Nga Armand Vokshi, Profesor i Asociuar

 

A2020/1 “FRAGMENTE TË ARKITEKTURËS SHQIPTARE” me autorë Nesila Hajdini dhe Armand Vokshi doli nga shtypi në dhjetor të vitit 2020 dhe promovimi i tij u shoqërua me 2 evente tè rëndësishme në Tiranè me 6 Maj 2021 tek Reja, pranë Galerisë së Arteve dhe në Prishtinë, me datë 10 qershor 2021 tek Modelarium, pranë Fakultetit të Arkitekturës.

Për të parën herë tentohet të rradhiten bashkë krijimet e arkitektëve bashkëkohorë shqiptarë në një publikim të vetëm.

Por çfarë po ndodh me arkitekturën e prodhuar prej arkitektëve shqiptarë në ditët tona?

Fjalët e Petraq Kolevicës, të artikuluara në gazetën Zëri i Popullit, 19 Mars 1972, me titull “Ndërtim që e zbukurojmë, apo bukuri që e ndërtojmë” ai shkruan:

“Duhet të kuptohet se çdo arkitekturë është e lidhur pazgjidhshmërisht me epokën e saj dhe që ajo mund ta shprehë veten vetëm me format e kohës dhe vetëm me gjuhën e kohës.

Dhe asnjëherë s’ka qenë ndryshe.

Gjithmonë e gjithmonë bëhemi dëshmitarë të asaj që arkitektë të talentuar dështojnë, kur vepra e tyre nuk shkon në një hap me kohën” janë në kërkim të pritshmërive të tjera për atë periudhë që i shkroi, por rezultojnë mjaft aktuale për secilin projektues shqiptar në ditët tona.

Shqiptarët, edhe pse administrativisht të ndarë në disa shtete, në terma sasior e cilësor, për sa i përket produktit arkitektonik bashkëkohor, po kalojnë një periudhë mjaft dinamike, thuajse të njëjtë në shumë aspekte, me diferenca të papërfillshme nga njëri tjetri. Ky evolucion i arkitekturës, për vetë specifikat historike në të cilat shqiptarët kanë qenë të detyruar ti kalojnë, është tërësisht i ndryshëm nga shumë vende evropiane.

Gjithsesi, mund të themi që në momentin që flasim, vërehet një hapje ndaj koncepteve të kohës, si dhe një pjekje kolektive e gjeneratave të ndryshme të arkitektëve në trojet shqipfolëse. Për këtë, qëllimi i kësaj monografie ka qenë evidentimi, përzgjedhja dhe publikimi i disa prej arkitekturave dhe arkitektëve shqiptarë, të cilët kanë dhënë një kontribut të rëndësishëm në evolucionin aktual të arkitekturës bashkëkohore shqiptare. Edhe pse e vështirë në këtë periudhë të globalizmit, i cili rezulton më intensiv se kurrë në fushën e arkitekturës, që të mirëkuptohet e të përfaqësohet një term i tillë si arkitektura bashkëkohore shqiptare, duhet të ketë arsye të forta kompozicionale tejet origjinale përcaktuese. Në fakt për këtë publikim, tendenca për të seleksionuar veprat, ju është referuar vendit ku ato janë ndërtuar, pra në një territor shqiptar, si dhe origjinës shqiptare të projektuesve të cilët i kanë ideuar.

Gjithsesi, në këtë publikim janë seleksionuar dhe vendosur njëzet studio arkitekture nga Shqipëria, njëzet studio arkitekture nga Kosova dhe një tjetër studio arkitekture shqiptare nga Maqedonia. Arkitekturat e tyre janë ndërtuar ekskluzivisht në territore ku jetojnë shqiptare pa marrë parasysh kufijtë shtetërorë. Pra thënë kjo, edhe titulli A2020/1, është tentuar të jetë sa më origjinal, pasi lidhet me faktin e vitit të publikimit, i cili është viti i vështirë 2020, duke mbajtur edhe raportin e studiove të arkitekturës 20 x 20 x 1, siç u përmend me sipër.

Por është e ditur tashmë, që arkitektura shqiptare erdhi shumë vonë në vetëdijen e saj arkitektonike në përgjithësi. Domethënë, ne nuk është se kemi të bëjmë me “architectus ingenii viduatus”, pra në latinisht me arkitektë pa talent, por arsyeja kryesore janë vetë kushtet dhe proceset historike të kombit tonë. Ndoshta mund të jetë pak e tepërt, që të gjithë këtyre arkitektëve, tu kërkonim përse nuk kanë projektuar nën emrin dhe teoritë e Lëvizjes Moderne, ose asaj Post Moderne, me rrymat e ndryshme të kohës së tyre. Vonesa e një përqafimi real ndaj Lëvizjes Moderne nga ana e arkitektëve shqiptarë, fillimisht mund të ketë qenë formimi i tyre akademik, por më pas detyrimisht, ajo kishte ndodhur për shkak të influencave dhe barrierave ideologjike të periudhës së fashizmit fillimisht; apo më pas në atë të komunizmit, ku nën llojet e arkitekturës të gjeneruar prej tyre, bartin përgjegjësinë tjetër reale për vonesën e arritjeve me hapin e kohës. Në fakt, vonesa u gjenerua në mënyrë të drejtpërdrejtë nga censura apo auto-censura e arkitektëve, e mire organizuar nga filtrat e sofistikuara të nomenklaturës të sistemeve totalitare të ushtruara mbi profesionistët. Ideologjia e kërkonte arkitekturën si instrument në duart e saj, si element thelbësor të ekzistencës së saj.

Edhe në ditët tona kjo vonesë vijoi, ku shkëputja nga e vërteta dhe bashkëkohorja, dukej si vete shkaku, dhe kjo vonesë u shfaq si një ves i lindur e i trashëguar. Përkundër metamorfozës së strukturës politike në trojet shqiptare pas viteve 1990, situata nuk duket se pat ndryshuar shumë. Qasja e vjetër pa ndonjë thellim apo pa u ballafaquar me kohën, vazhdoi të paraqitej si një e re në Shqipëri. Në Kosovë e Maqedoni vonesa erdhi përsëri për shkaqe politike e historike e zgjatur në kohë.

Ndaj, A2020/1 tenton të bëjë një skaner të produktit të tanishëm shqiptar, pra ne vitin 2020, duke sjelle arkitekturën më të mirë të prodhuar në pesëvjeçarin e fundit. Autorët pjesëmarrës në këtë monografi janë pjesëtarë të gjeneratave të ndryshme dhe këtu nuk mund të flasim për vetëm për një brez të ri arkitektësh të formuar pas rënies së sistemeve, apo për një brez me eksperiencë e të konsoliduar. Produkti i ndërtuar kohët e fundit ka qenë e vetmja arsye seleksionimi.

Ajo që për vlen të përmendet është rritja e kualitetit projektues dhe e cilësisë zbatuese të veprave të ekspozuara në këtë publikim. Mund të themi përfundimisht, se diçka ka ndryshuar në sensin pozitiv, ku ndoshta ky dhjetëvjeçar i fundit duket se ka shkrirë akullin dhe ka sjellë ndryshimin cilësor në produktin arkitektonik. Shqiptarët sërish po e gjejnë veten në flukset globale të informacionit të bollshëm mbi produktet e arkitekturës.

Një tjetër element më rëndësi, është edhe kthimi i një numri në rritje i studentëve të ndryshëm shqiptarë, të cilët studiuan në disa shkolla me tradita akademike (në Itali, USA, Gjermani, Zvicër, Francë ose Austri). Këta profesionistë tashmë drejtojnë ose janë bërë pjesë e studiove, apo janë në krye të pozicioneve të rëndësishme, duke kontribuar në drejtim të rritjes së nivelit konceptual të arkitekturës. Mbetet akoma për tu parë kontributi dhe influenca e tyre në vitet në vijim në marrëdhëniet me arkitektët të formuar në shkollat shqiptare. Disa prej tyre janë pjesë e këtij publikimi.

Një tjetër fakt i njohur është dhe kurioziteti apo influenca e madhe që ngjalli futja e studiove ndërkombëtare me projekte apo me konkurse ndërkombëtare, ku mund të përmenden studio si Oma, MVRDV, Archea, Liebeskind Architects, Grimshaw, Architecture Studio, 51N4E, Studio Boeri etj. Ky fenomen, pra injektimi me një frymë të re arkitekture në territoret shqiptare, sidomos në Tiranë, rezultoi në fillesat e saj edhe një lloj shtyse në këtë drejtim. Në fillim kjo gjë ngjalli kureshtje, me pas edhe një lloj shkundje deri në një farë momenti për arkitektët shqiptar. Tani mendohet se potencialet janë të barabarta, ndaj kërkohet barazi në trajtimin e profesionistëve vendas apo të huaj në projekte apo konkurse.

Ajo që mund të çmojmë në vitin 2020, sipas konsideratave të sipërpërmendura, arkitektura shqiptare e dekadës së fundit ka themeluar disi një gjuhë të vetme të pasur me përzierje, variacione dhe theksime. Humbja e pastërtisë leksikore arkitektonike, e cila tashmë rezulton të jetë edhe një qasje globale, pra jo tipike shqiptare, është futur më shumë në terma funksionale dhe në një strategji pa logo e pa stile të qartë. Kushtet specifike ku po ngjizet kjo arkitekturë, po kërkojnë gjithnjë e më shumë liri tu ripërtërirë e për tu definuar: atë të elementit kundër sistemeve politike dhe kundër sistemeve gjuhësore të deritanishme.

Kërkimi i vazhdueshëm për të operuar në terrene të reja, apo për të punuar profesionalisht, ka çuar një pjesë në rishikimin e temave të ndryshme arkitektonike, që më parë konsideroheshin të vogla: nga ndërhyrjet publike me një kosto të reduktuar, në të ashtuquajturën arkitekturë parazitare. Por fokusin qendror e mbajnë objektet shumëkatëshe të banimit dhe vilat. Me pak fjalë, sezoni i ndërtesave publike dhe kullave të larta private me sipërfaqe prej dhjetë mijë eurosh për metër katror, duket sikur po mbaron, ku mund të themi se ato ishin eksluzivitet i vetëm i “Star System”.

Pa dashur për tu futur në kanale kontrastesh mbi marrëdhëniet e politikës me arkitekturën, apo të arkitektëve me politikën, të prishjes së sistemit të vlerësimit të idesë më të mirë apo të mungesës së konkurseve mbi arkitekturën, debati që tentohet të hapet, apo sinjalet qe kërkon të lëshojë ky publikim, lidhen ngushtësisht me avancimin dhe përmirësimin e produktin arkitektonik. Pra mendojmë se nxjerrja në dukje e vlerave të fshehura ose te ditura në këto projekte, do të nxisë debatin dhe do të forcojë edhe mes shumë lidhjen e profesionisteve shqiptarë nga të gjitha trevat.

 

blank blank blank blank blank blank blank blank blank

Armand Vokshi
Profesor i Asociuar
Tiranë, 12.06.2021

blank

Del raporti i inteligjencës amerikane për UFO-t

VOAL – Inteligjenca amerikane nuk ka gjetur asnjë provë se fenomenet e çuditshme ajrore të vëzhguara nga pilotët e marinës amerikane në vitet e fundit mund të gjurmohen në anije kozmike aliene, por nuk është në gjendje të shpjegojë lëvizjet e pazakonta që kanë çorientuar shkencëtarët dhe ushtrinë. “Këto nuk janë UFO, por natyra e tyre është e paqartë.” Këto do të ishin përfundimet e një raporti të pritur të inteligjencës amerikane, dorëzimi i të cilit duhet të bëhet në ditët e ardhshme.

Shkruan New York Times, duke cituar drejtues të lartë të administratës të informuar mbi gjetjet e një raporti të deklasifikuar të destinuar për Kongresin. E vetmja siguri është përjashtimi që shumica e 120 incidenteve në 20 vitet e fundit i atribuohen teknologjive sekrete amerikane.

Sipas gazetës, të paktën disa nga fenomenet e çuditshme ajrore të shikuara nga personeli ushtarak amerikan në vitet e fundit, ato që shumë i referohen si UFO, mund të kenë origjinën nga teknologjia eksperimentale nga fuqitë rivale, me shumë gjasa Rusia ose Kina. Një nga burimet tha se ekziston shqetësimi midis inteligjencës dhe udhëheqësve ushtarakë se Rusia ose Kina mund të përfshihen në testimin e teknologjisë hipersonike. Por edhe kjo nuk duket se ekziston provë konkrete.

ATS/ANSA-eb

blank

Ekuacioni i shkruar me dorë E=mc² nga Albert Einstein u shit për 1,2 milion dollarë

Një letër e shkruar me dorë nga Albert Einstein që përmbante ekuacionin e tij të famshëm E=mc² u shit në ankand për më shumë se 1,2 milion dollarë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Shtëpia e ankandeve PR me seli në Boston tha se letra është shitur për rreth tri herë më shumë nga sa ishte vlerësuar.

Letra në gjermanishte drejtuar fizikanit polako-amerikan Ludwik Silberstein mban datën 26 tetor 1946.

Ekuacioni E=mc², fillimisht i publikuar në një revistë shkencore në vitin 1905, shpjegon ekuivalencën e masës dhe energjisë në fizikë, dhe është pranuar si koncepti themelor i fizikës moderne.

Albert Einstein, i cili konsiderohet si një nga shkencëtarët më të rëndësishëm në historinë botërore, mori Çmimin Nobel në Fizikë në vitin 1921 “për meritat në fizikën teorike, dhe veçanërisht për zbulimin e ligjeve të efektit fotoelektrik”.

blank

Zbulohet koka 2000-vjeçare e Perandorit të parë të Romës

Koka 2000-vjeçare e një statuje prej mermeri e Perandorit të parë të Romës, Augustus, u zbulua në Isernia, një qytet në krahinën e Molizes në Itali.

Arkeologu Francesco Giancola ishte personi i cili bëri zbulimin e jashtëzakonshëm, teksa po punonte aty për të restauruar muret mesjetare të qytetit, të shkatërruara nga një rrebesh shiu i vitit 2013.

“E kuptova menjëherë që ishte koka e statujës së Perandorit Augustus, për shkak të modelit të flokëve dhe formës”, tha ai për CNN.

Sipas arkeologëve, statuja duhet të ketë qenë rreth 2 metra e lartë dhe është bërë me të njëjtin lloj mermeri që është përdorur në epokën e Rilindjes. Koka 35 centimetra e lartë mendohet të jetë krijuar diku në periudhën e vitit 20 para erës sonë dhe vitit 10 pas erës sonë, sipas Maria Diletta Colombo, arkeologe italiane. “Është një statuyjë e rëndësishme, por nuk e dimë si ka përfunduar aty”, tha ajo për CNN. “Mund të ketë qenë vendosur në ndonjë tempull kushtuar kultit të familjes perandorake, ose në ndonjë forum”.

Kush ishte Augustus?

Sundoi si Perandor i Romës nga viti 27 para erës sonë deri në vitin 14 pas erës sonë.

blank

I lindur Gaius Octavius Thurinus në vitin 63 para erës sonë, ai vinte nga një familje e pasur romake ndërsa Jul Çezari ishte xhaxhai i nënës së tij.

Pas vrasjes së Çezarit ai ndau sundimin e vendit me Mark Antonin dhe të tjerë, por më pas i mundi në betejë të gjithë duke u shpallur “de facto” autokrat. Edhe pse nuk e pëdori kurrë titullin “Perandor”, ai konsiderohet gjerësisht si Perandori i parë i Romës.

Augustus zgjeroi territoret e Perandorisë, duke aneksuar Egjiptin, Dalmacinë dhe krahina të tjera.

blank

blank

Kepler: Më 27 prill 4977 para erës sonë përfundoi krijimi i Gjithësisë

Më 27 prill 4977 para erës sonë krijohet Gjithësia, sipas Johannes Kepler, 28 vjeçar. Kepler (1571 – 1630), ishte astronom, astrolog – figurë kryesore në revolucionin shkencor të shekullit të 17-të, – Kepler krijoi ligjet e levizjes planetare, që u bënë bazë për teorinë e gravitacionit të Isak Njutonit. Kepler jetoi në një epokë kur mes astronomisë dhe astrologjisë nuk kishte asnjë dallim, por ekzistonte ndarje e fortë midis astronomisë si degë e matematikës, dhe fizikës si degë e filozofisë natyrore. Gjithashtu, Kepler përdori në punën e tij argumente dhe arsyetim fetar, motivuar nga besimi se Perëndia kishte krijuar botën sipas një plani të kuptueshëm përmes ndriçimit të natyrshëm të arsyes. Lidhur me krijimin e Gjithësisë ka disa teori; modeli kozmologjik më mbizoterues është Teoria Big Bang (Shpërthimi i Madh) që është llogaritur të ketë ndodhur 13.798 miliardë vjet më parë. Gjithashtu, ka shumë teori rivale në lidhje krijimin Gjithësisë. Disa shkencëtarë nuk e dine me siguri se si u shkaktua Big Bang; shumë refuzojnë të spekulojnë, pasi mendojnë se nuk do të kuptohen. Ka hipoteza të ndryshme për multi-verse, (shumë-gjithësi), dhe fizikantët kanë sugjeruar se Gjithësia, mund të jetë një ndër shumë ose madje mes një numri të pafund Universesh që gjithashtu ekzistojnë. Ja si shkruante Johannes Kepler ndërsa bëhej gati të shpallte përllogaritjet e veta në librin “Harmonies Of The World”: “Nëse më falni unë do të gëzohem; nëse zemëroheni, do të duroj; Librin po e shkruaj për t’u lexuar nga bashkëkohësit e mi ose brezat e ardhshëm, kjo nuk ka rëndësi cili; libri i pret lexuesit e tij për qindra vjet; Vetë Zoti priti 6 mijë vjet që puna e tij të shihej.”

blank

Helikopteri i NASA-s kryen fluturimin e tretë në Mars (Video)

Pamje të helikopterit në Mars.

Helikopteri eksperimental i NASA-s ka fluturuar për herë të tretë në Mars, ka thënë Agjencia amerikane e Hapësirës më 25 prill.

Helikopteri, i quajtur Ingenuity, është ngjitur në pesë metra lartësi, dhe më pas ka kryer 50 metra fluturim, duke lëvizur anash.

Ekipeve të NASA-s në Tokë, ai u ka dërguar fotografi bardhë e zi mbi sipërfaqen e Marsit.

Ingenuity më pas është kthyer në vendin ku është nisur, pas 80 sekondash të fluturimit.

NASA ka thënë se materiali i incizuar gjatë fluturimit do të dërgohet në Tokë në ditët në vijim.

Kjo agjenci është duke planifikuar edhe fluturime tjera me këtë helikopter në të ardhmen, për të parë terrenin e planetit si dhe për të dhënë udhëzime për anije kozmike apo astronautët.

Ky helikopter ka arritur në Mars në mesin e muajit shkurt me një anije kozmike të quajtur Perseverance.

Më 19 prill, ky helikopter ka kryer fluturimin e parë të kontrolluar nga një planet tjetër.

blank

BE propozon rregulla për përdorim të inteligjencës artificiale me rrezik të lartë

Londër

Zyrtarët e Bashkimit Evropian paraqitën propozimet për përdorimin e inteligjencës artificiale me rrezik të lartë siç është skanimi i drejtpërdrejt i fytyrës që mund të kërcënojë sigurinë ose të drejtat e njerëzve, transmeton Anadolu Agency (AA).

Projekt-rregulloret e komisionit ekzekutiv të BE-së përfshijnë rregulla rreth përdorimit të teknologjisë që zgjerohet me shpejtësi në aktivitete të tilla si zgjedhja e aplikantëve për shkollë, punë ose kredi. Ata gjithashtu do të ndalojnë inteligjencën artificiale plotësisht në disa situata, të tilla si “vlerësimi social” dhe sistemet që përdoren për manipulimin e sjelljeve njerëzore.

Propozimet janë hapi i fundit i bllokut 27-anëtarësh për të ruajtur rolin e saj si bartës të standardeve në botë për normat e teknologjisë. Zyrtarët e BE-së thonë se po marrin një “qasje të bazuar në rrezik” ndërsa përpiqen të balancojnë nevojën për të mbrojtur të drejta të tilla si privatësia e të dhënave kundër nevojës për të inkurajuar inovacionin.

“Me këto rregulla historike, BE i paraprin zhvillimit të normave të reja globale për t’u siguruar se mund t’i besohet inteligjencës artificiale”, tha Margrethe Vestager, nënkryetare ekzekutive e Komisionit Evropian për epokën dixhitale, në një deklaratë. “Duke vendosur standardet, ne mund t’i hapim rrugën teknologjisë etike në të gjithë botën dhe të sigurojmë që BE-ja të mbetet konkurruese në këtë rrugë”, tha ajo.

Propozimet përfshijnë gjithashtu ndalimin në parim për “identifikimin biometrik në distancë”, të tilla si përdorimi i njohjes së drejtpërdrejt të fytyrës në turmat e njerëzve në vende publike, me përjashtime vetëm për qëllime të përcaktuara ngushtë të zbatimit të ligjit të tilla si kërkimi për fëmijë të zhdukur ose për persona në kërkim.

Drafti i rregulloreve thotë që “chatbot” dhe “deepfake” duhet të etiketohen në mënyrë që njerëzit të dinë se po ndërveprojnë me një makinë.

blank

Historia e Qytetërimit Botëror nga Prof.Dr.Zana Lito-Frashëri

Lexuesi shqiptar ka në dorë librin e Prof.Dr. Zana Lito-Frashëri, vëllimi i parë.

Vjollaca Lubonja rreth këtij libri shkruan si më poshtë:

“Histori e Qyteterimi Boteror” e Prof. Dr. Zana Lito-Frasheri është hartuar mbi bazen e nje bibligrafie te pasur dhe nje pervoje disa vjeçare ne mesimdhenie universitare dhe ne studime te thelluara historike ne Shqiperi, Greqi dhe SHBA.

Libri (vëllimi i parë) ka nje shtrirje kohore nga parahistoria deri ne shek. XV. I pasur me shume dokumete, foto, etj. pajisur me nje aparat metodik shume efikas.

Ai është i vlefshem per te gjitha nxenesit nga kl.VII – XII, cikli i larte i shkolles 9-vjeçare dhe per shkollen e mesme….si dhe per te gjithe dashamiresit e historise….

Nje liber qe ju duhet per t’u paraqitur denjesisht ne provimin e matures apo ne provimin prezantues ne Fakultetin e Historise dhe me gjere.

Perparesia e tij qendron ne gjuhen e paster, konceptet e qarta dhe saktesine shkencore. Jua rekomandoj ta beni pjese te bibliotekes suaj dhe te dijeve tuaja.”

Ndërsa Prof. Dr.Zana Lito-Frashëri thotë për voal.ch se “libri është shumë informativ dhe se është i pari i këtij  lloji përgatitur nga një autor shqiptar,

sepse deri më tani ka patur vetëm përkthime të autoreve te huaj”, ndërkohë që Prof.Dr. Zana Lito-Frashëri bën me dije se  “vëllimi i dytë është ne përgatitje e siper”. “Përveç kësaj”, shton Prof.Dr.Lito-Frashëri “ne fund te çdo kapitulli jepet nje synopsis për ngjarjet ne Shqipëri gjate asaj periudhe historike, për te vertetuar idene se Shqiperia ka ecur hap pas hapi me qyteterimin boteror”.

 

blank

 

 

blank

Veshjet popullore si mjet idintifikimi Nga Prof.Dr. Afërdita Onuzi, Etnologe

 

Deri në kohën kur veshjet popullore bënin jetë aktive, banorët e fshatrave dhe krahinave të ndrysh

me shqiptare brenda dhe jashtë Shqipërisë, e dallonin njëri-tjetrin prej veshjes që mbanin. Madje në një ditë pazari, në tubime festash të ndryshme, apo në raste të tjera grumbullimesh masive mjaftonte edhe një element i veçantë i saj për të identifikuar se nga cila krahinë apo njësi e saj ishte njëri apo tjetri. Veç kësaj nëpërmjet veshjes dallohej edhe statusi shoqëror, ai familjar (nëse ishe i ve, i martuar apo beqar) përkatësia fetare etj.

Për të qenë i identifikuar edhe në “botën tjetër” në shumicën e krahinave shqiptare të vdekurin e vishnin me kostumin tradicional të krahinës përkatëse, veçanërisht (banorët e besimit katolik e ortodoks).

Për këto arsye studiuesit e shkencave etno-folklorike, në përcaktimin krahinave etnografike kanë në konsideratë si element mjaft të rëndësishëm, veshjet popullore, në mënyrë të veçantë ato të grave, mbasi veshjet e burrave për arsye nga më të ndryshmet u unifikuan më shpejt. Sapo shohim një grua të veshur me xhubletë, mendja na shkon menjëherë në krahinën e Malësisë së Madhe, e cila ndodhet në Alpet e Shqipërisë Veriore. Por kur ajo është e veshur me xhubletë të shkurtër themi se ajo është prej Dukagjini, një tjetër krahinë etnografike, ku xhubleta është mbajtur masivisht. Ndërsa kur shihej në rrugëtim një grua e veshur me xhupe e xhehengë, me çorape të gjerë, me formë vezake, të zbukuruara me shumë ngjyra (ku mbizotëron e kuqja), nënkuptohej se ajo ishte Mirditore. Ndërsa gratë e fshatrave të Fushës së Zadrimës më shumë se çdo gjë tjetër, i identifikon frizura unikale, e cila krijohet jo vetëm nga mënyra e të krehurit të flokëve, por edhe nga lidhja e mbulojës së kokës në mënyrë të atillë që ndryshe nga gratë në krahinat e tjera, e lë të duket qafën plotësisht. Në funksion të këtij qëllimi është modeluar dhe jaka e këmishës, e cila është mjaft e hapur dhe është e zbukuruar me dantellë dhe e qëndisur me një teknikë të veçantë si dhe përmbajnë kompozime ngjyrash, të cilat krijojnë origjinalitetin Zadrimor. Po kaq origjinale në pamjen e tyre duken edhe gratë e Hasit të Prizrenit, (ndonëse ngjajnë në frizurë me gratë e Zadrimës). Mbajnë cullufe të zeza, të mbuluara me një rizë të gjatë prej pambuku, përdorin një këmishë shumë të zbukuruar, të mbyllur deri në grykë. Ndërsa shenjë identifikuese, mbetet brezi i gjerë i mbushur me kashtë (tek gratë myslimane), ose i shoqëruar me një dërrasë të vendosur në bel në pjesën e pasme tek gratë katolike). Ky element mjaft identifikues, shpreh edhe shijen e banorëve vendas, për t’u dukur gruaja sa “më e bashme”

Gratë e krahinave në Jug të Shqipërisë dhe ato të krahinës së Hasit në Verilindje të saj, edhe pse e lidhin rizën e kokës sipas të njëjtës mënyrë, dallojnë në mënyrën e stilimit të pjesëve të tjera të veshjes, e kështu menjëherë dallohet gruaja hasjane nga ajo dropullite apo nga gratë e disa fshatrave të Sarandës. Po ashtu veshja e tyre dallon edhe nga ajo e grave të Rrafshit të Dukagjinit, të cilat e lidhin mahramën në të njëjtën mënyrë.

Gratë dardhave (Korçë), përmetaret dhe ato të fshatrave të Kolonjës edhe pse kanë përdorur të njëjtin tip veshjeje e të njëjtën prerje për modelin e fustanit, dallojnë dukshëm nga njëra-tjetra jo vetëm nga ngjyra e materialeve të përdorura për pjesët përbërëse të veshjes, por edhe nga skemat kompozicionale të peferuara për zbukurim, të cilat diku janë më të pasura e diku më të kursyera.

Kështu dallohen nga njëra-tjetra edhe gratë e krahinave që kanë përdorur veshjen me dimi. Ndryshonte jo vetëm emërtimi (dimi, banevrekë, çitjane, tumane etj.), por edhe mënyra e prerjes dhe e veshjes së tyre. Diku shoqëroheshin me përparje e diku tjetër jo. Kjo është arsyeja që menjëherë dallohen gratë e veshura dimi në se janë nga fshatrat e Radomirës, nga Fushë Kosova, nga fshatrat e qytetet e Shqipërisë së Mesme, nga Labëria apo nga Çamëria.

Edhe gratë e ngulimeve arbëreshe identifikohen prej nga janë sipas veshjeve që mbajnë. Një grua e veshur me fund të kuq, i zbukuruar me shirita të gjelbër, me jelek të zi, i zbukuruar me gajtanë të verdhë, kuptohet se vjen nga Ungra. Po kështu dallohet menjëherë kostumi i quajtur “malësor” (malësorçe), i cili mbahet nga banorët e San Paolo Albaneze, nisur nga “keza” (mbuloja e kokës), jeleku shumëngjyrësh dhe fundi ngjyrë vishnje me pala të vogla.

Ashtu siç dallohet veshja e grave të San Benedeto Ubanos, e cila përbëhet nga një fund i gjerë me ngjyrë blu (të hapur ose të mbyllur), jeleku me ngjyrë të gjelbër dhe këmisha e bardhë, e zbukuruar tek jaka me pak dantellë.

Ndërsa gratë nga Shën Konstandini Albaneze, që gjithashtu mbajnë “kezë” në kokë, dallohen nga fundi me vija horizontale mënyra e lidhjes së brezit (i kryqëzuar në pjesën e barkut) si dhe nga fakti se mbajnë përparje e cila mungon në veshjet e tjera të ngulimeve arbëreshe.

Gratë e Civitës elementin më identifikues kanë bluzën e bardhë, të zbukuruar me shumë dantella si në pjesën e gjoksit ashtu edhe tek dorezat, pa harruar edhe fundin me ngjyrë çiklami (të hapur ose të mbyllur). Janë këto veshje thonë arbëreshët, që në shekuj kanë shërbyer për t’u dalluar nga të “ltirët” (latinët).

Madje, edhe në ditët e sotme gratë e moshuara arbëreshe, kur shkojnë të dielave në kishë apo marrin pjesë në ceremoni dasmash, vazhdojnë të vishen me kostumet e tyre tradicionale me qëllim për t’u dalluar nga gratë italiane, me të cilat bashkëjetojë në harmoni.

Shpesh herë veshjet e grave kanë shërbyer edhe në identifikimin e njësive më të vogla etnografike apo në përcaktimin e përkatësinë fetare të bartësve.

Kështu p.sh, në zonën e Përmetit për t’i dalluar banorët e fshatrave në kufi me Skraparin, u thonin “çorapekuqe”, ashtu si ato të Dibrës së Epërme (në Peshkopi), për të paraqitur ndryshimet në fshatrat e Dibrës së Poshtme, përdornin termin “çorapgjana” ( për shkak të gjerësisë së madhe të çorapeve). “Mshtjellkgjana” quheshin gratë e fshatrave midis Pukës e rrethit të Kukësit.

Nga një element i veçantë (pavarësisht nga tipi i veshjes) që kishte të bënte me ngjyrën apo mënyrën e stilimit të pjesës kryesore të veshjes, përcaktohej edhe përkatësia fetare.

Siç dihet në fshatrat e Lurës ku bashkëjetojë popullsi të dy besimeve (katolike e myslimane) përkatësia e tyre dallohet nga mënyra e lidhjes së brezit, mbi xhupe ose nën të. Gratë katolike të cilat e lidhin nën xhupe quhen “xhupe lshue” ndërsa myslimanet “xhupe ngjeshë”. Ashtu dallohen edhe gratë katolike në rrethin e Matit. “Veshëbardha” quhen gratë katolike, “me veshë të zezë” gratë myslimane të krahinës së Topalltisë. Edhe në qytetin Shkodrës gratë e dy besimeve visheshin me “brendavekë”, veçse ato të besimit katolik i kishin me ngjyrë të zezë dhe me material prekaline, njëkohësisht vishnin edhe japanxhe të kuqe. Ndërsa gratë myslimane brenavekët i mbanin gjithmonë me ngjyrë të bardhë me pak lule nëpër të dhe në vend të japanxhes, vishnin xhybe të gjatë, të qëndisur me fije ari.

Edhe veshjet e burrave ndonëse për arsye që dihen nuk paraqiten kaq të pasura në variante, si ato të grave, kishin veçoritë e tyre identifikuese.

Siç dihet veshja “me fustanellë” dhe ajo me “tirq”, kanë patur “gjeografi” të gjerë përhapjeje që nga Kosova e deri në Çamëri. Mirëpo nisur nga gjatësia e fustanellës dhe modeli i prerjes dhe mënyra e zbukurimit të tirqeve, mund të përcaktohej përkatësia krahinore e banorëve që i mbanin këto veshje. Deri në prag të Luftës së Parë Botërore, fustanella është mbajtur pothuajse në të gjitha krahinat e banuara nga shqiptarët, që nga Kosova e deri në Çamëri.

Më pas vendin e saj në jetën e përditshme e zuri veshja me tirq në Shqipërinë Veriore, ndërsa në krahinat jugore si veshje e përditshme u bënë të modës poturet dhe qillotat. Ndërsa veshja me fustanellë mbeti si veshje ceremoniale, madje dhe sot banorët e trevave jugore dalin në skenat e festivaleve etno-folklorike kryesisht me veshjen me fustanellë.

Në Kosovë, në Shqipërinë Veriore dhe në krahinat shqiptare të Maqedonisë Perëndimore, është mbajtur fustanella e gjatë deri në pulpën e këmbës. Në Shqipërinë e Mesme, në Strugë e rrethinat e saj, gjatësia e fustanellës arrinte deri në gjunjë, ndërsa në krahinat e Shqipërisë Jugore e deri në Çamëri, ishte edhe më e shkurtër, zakonisht deri në kupën e gjurit. Kështu mjaftonte ky fakt që në kuvende ngjarjesh të mëdha historike, ku mblidheshin përfaqësues të krahinave të ndryshme, pjesëmarrësit të dallonin se prej nga vinte njwri apo tjetri.

Po kështu edhe kur ishin të veshur me tirq, identifikoheshin menjëherë banorët e zonave alpine (përfshirë dhe krahinat shqiptare të Malit të Zi)prej modelit të prerjes së tirqve me shtat të gjatë, këmbëve të ngushta dhe zbukurimeve të shumta të vendosura në pjesën e xhepave (shkekave) dhe tek këmbëzat. Shenjë tjetër dalluese e tyre ishte edhe qeleshja (kapuçi) e bardhë gjysmë sferike e me majë të ngushtë. Të njëjtën formë kësule kanë edhe burrat e Rrafshit të Dukagjinit, porse tirqit e tyre ndryshojnë si në gjatësinë e shtatit dhe në mënyrën e zbukurimit (të cilin e kanë më të kufizuar).

Shumë më të gjerë në pjesën pulpave të këmbëve dhe më të shkurtër në shtat paraqiten tirqit e banorëve të fshatrave të Lumës, Opojës e të Mirditës. Veç kësaj ato dalloheshin edhe nga qeleshja e shkurtër, me formë dhe me fund të gjerë. Shpesh herë rreth saj lidhej dhe një shami shumëngjyrëshe.

Ndonëse fqinjë me Lumën dhe me Mirditën, tirqit e mbajtur në fshatrat e Dibrës, ndryshojnë mbasi janë shumë më të ngushtë në pjesën pulpës së këmbëve.

Të njëjtën formë kanë ehd tirqit e mbajtur në fshatrat e Matit dhe të Librazhdit duke pasur gjithashtu të përbashkët edhe formën e qeleshes e cila ka pamje gjysmë konike.

Banorët e fshatrave të Sharrit (në Maqedoni, ato të Karadakut ndonëse mbajnë tirq si ato të Lumës, dallohen prej tyre nga forma gjysmë sferike e qeleshes.

Në fshatrat arbëreshe edhe pse veshja burrave paraqitet e unifikuar, banorët e zonave më të ulta, dalloheshin prej malësorëve se mbathnin çorape më të shkurtër dhe veç kësaj në qafë vinin një shami të kuqe.

Të gjithë kemi parasysh mënyrën e lidhjes së kokës e të gushës me një shall të bardhë nga burrat e fshatrave të krahinës së Rugovës e të Ragamit (në Malësinë e Madhe) dhe mendja na shkon menjëherë tek “vallja e shpatave”

Ka thënie të ndryshme për këtë mënyrë lidhjeje koke, personalisht mendoj se ka vetëm qëllime praktike, për të mbuluar veshët dhe qafën, në kushtet e ngricave të tejskajshme në këto male ku bora zë borën.

Ndonëse në ditët tona veshjet popullore po shihen gjithnjë e më rrallë në qarkullim (veç skenave të aktiviteteve kulturore), në disa krahina gjithsesi vazhdojnë të ruhen disa mamera dhe simbole identifikuese. Edhe pse të veshura me veshjet e kohës, gratë moshuara madje dhe ato të moshave mesatare, në fshatrat e Malësisë së Madhe, në ato të Tropojës, të Zadrimës, të Kukësit, të Mirditës, të Librazhdit etj, vazhdojnë të ruajnë të njëjtën frizurë si në krehjen e flokëve dhe në mënyrën e lidhjes së shamisë.

Në Kosovë dhe në fshatrat shqiptare të Maqedonisë kjo dukuri është vënë re deri vonë dhe tek burrat. Arsyet mendoj se diku ruhen për forcë tradite e diku tjetër për të ruajtur identitetin në kushtet e gjenocidit të ushtruar ndaj tyre. Gjithsesi, edhe sot, në fillimet e shek. XXI, shohim ende ruhen simbole të tilla identifikuese.

blank blank blank blank blank blank blank

blank blank

Prof. Dr. Afërdita Onuzi
Etnologe

 

 


Send this to a friend