Profesori amerikan, Edward Joseph e sheh të zymtë situatën në Ballkan pas pushtimit të Rusisë në Ukrainë. SHBA-ja dhe BE-ja, sipas tij, duhet t’i kuptojnë më mirë implikimet e asaj lufte në rajon dhe të marrin qëndrimin e duhur ndaj Kosovës, të cilën, ai thotë se duhet ta avancojnë drejt njohjes ndërkombëtare dhe ta sjellin Serbinë në pranimin e rendit perëndimor. Kjo, sipas tij, do ta izolonte Putinin dhe do t’i jepte më shumë siguri Ukrainës.
Asnjë rajon në glob nuk ka parë ndikim më befasues dhe tronditës nga agresioni i Rusisë në Ukrainë sesa Ballkani. Kështu shkruan Edward P. Joseph, profesor në Universitetin Johns Hopkins në Washington, në një artikull me titullin “Përçarja pas pushtimit në Ballkan”, botuar të martën nga Qendra për Studime të Balltikut dhe Europës Lindore në Universitetin Sodertorn në Suedi.
Joseph shkruan aty për zhvillime shqetësuese në Ballkanin Perëndimor që prej nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë.
“Në thelb, SHBA-ja dhe BE-ja nuk kanë arritur ta kapin atë mundësi – dhe nevojën – e krijuar nga pushtimi i Putinit për t’i mbyllur mosmarrëveshjet e trashëguara etno-kombëtare nga kolapsi i Jugosllavisë tri dekada më parë. Më kryesorja ndër këto çështje të pazgjidhura është refuzimi i Serbisë për ta njohur pavarësinë e vitit 2008 të ish-krahinës së saj, Kosovës”, shkruan Joseph.
Profesori amerikan thekson se mungesa e zgjidhjes së këtij problemi është pengesa kryesore që e ka vonuar prej kohësh integrimin euroatlantik të të dy vendeve.
Ai shkruan se “leva e Serbisë mbi Kosovën” po e lejon presidentin serb, Aleksandar Vuçiq që “ta izolojë ish-krahinën”, gjë që ai thotë se e ka prioritet, dhe “ta vazhdojë falsitetin e tij” të “ekuilibrit” midis BE-së dhe Hungarisë, Kinës e Rusisë.
“Deri tani, vendi më i madh – me ekonominë më të madhe – të BB6, Serbia ka një ndikim të jashtëzakonshëm në fqinjtë e saj WB6, veçanërisht në të tri vendet me popullsi të konsiderueshme serbe (Bosnje-Hercegovinë, Kosovë dhe Malin e Zi). Kjo e bën Beogradin të jetë kanali kryesor për ndikimin rus dhe destabilizimin rajonal në Ballkan, siç pasqyrohet qartë në sondazhet e opinionit publik”, thuhet në artikull.
Ai kujton se “shfaqja më tronditëse e paqëndrueshmërisë rajonale ka ndodhur në Kosovë më 24 shtator 2023”, kur një grup serbësh sulmuan Policinë e Kosovës dhe u vra rreshteri Afrim Bunjaku.
“Pesë vende të BE-së – katër prej të cilave janë anëtarë të NATO-s – nuk e njohin Kosovën”, shkruan Joseph, i cili më tej thekson se as SHBA dhe asnjë vend i BE-së nuk ka nxjerrë gjetjet nga analizat e inteligjencës për episodin e 24 shtatorit, “e lëre më të dënojë Beogradin”.
“Zyrtarët amerikanë duket se janë të kënaqur me dorëheqjen e Aleksandar Vulinit, ish-shefin famëkeq të inteligjencës serbe”, shkruan ai. Megjithatë, Joseph shton se pro-rusi i hapur Vulin vazhdon të shfaqet nëpër mediat serbe duke reklamuar “Serbinë e Madhe”.
“Operacioni Banjska sugjeroi që Beogradi zyrtar – me miratimin e mundshëm nga lideri autokratik, Vuçiq – kishte hartuar një plan për ta ndryshuar status quo-në në Kosovë me forcë. Se një përpjekje e tillë e pacipë do të ndodhte në një territor të mbrojtura nga NATO, duke përfshirë edhe trupat e afërta amerikane, sugjeron një humbje dramatike të respektit për autoritetin perëndimor”, shkruan profesori amerikan.
Joseph kujton se në shkurt të vitit 2023, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, siç shkruan ai, “i befasoi mbështetësit e tij, dhe veçanërisht Vuçiqin duke pranuar propozimin e ri të BE-së, duke përfshirë autonominë e diskutueshme për serbët e Kosovës (Asociacionin)”.
Tutje ai tregoi edhe tërheqjen në njëfarë mënyre të Serbisë nga marrëveshja për normalizimin e raporteve.
“Edhe nëse pranohet plani i “normalizimit”, ende nuk është e qartë (dhe me gjasë e pamundur) nëse Kosova madje do të ketë një rrugë drejt anëtarësimit në NATO dhe BE”, shkruan ai.
Siç shpjegon Joseph, “ngërçi në Kosovë është zgjatur nga përçarjet europiane për pavarësinë e Kosovës”.
“Me mbështetjen aktive të Rusisë, Beogradi mund të vazhdojë status quo-në, duke e izoluar Kosovën deri sa BE dhe SHBA ta pranojnë përfundimisht një ndarje – strategji jo ndryshe nga ajo e Putinit në Ukrainë. Në të vërtetë, 24 sulmi i 24 shtatorit në Banjskë mund të ketë qenë përpjekja për të shpejtuar këtë rezultat”, thekson ai.
“Përshpejtimi i paqëndrueshmërisë në Ballkan vërteton pohimin e Putinit se rendi perëndimor është iluzion dhe arbitrar. Pozicioni i mosnjohësve ia lejon Putinit gjithashtu ta përdorë Kosovën si “precedent” për ta copëtuar Ukrainën, ndërsa ai dhe zyrtarë të tjerë rusë akuzojnë Perëndimin për copëtimin e Serbisë”, shkruan tutje Joseph.
Ai shkruan se Perëndimi humbi mundësinë për ta nxjerrë një vendim strategjik nga Serbia në fillim të luftës në Ukrainë, për t’i vënë sanksione Rusisë, dhe shton se “SHBA dhe zyrtarët e BE-së duket se janë vendosur për një situatë shumë të paqëndrueshme ‘modus vivendi’ me Beogradin”.
Ka dy mënyra për SHBA-në dhe partnerët kryesorë të BE-së për “ta rikuperuar besueshmërinë e tyre të dëmtuar dhe për ta rivendosur ekuilibrin”, sipas Joseph. Së pari, duhet, siç shkruan ai që “Beogradi t’i respektojë sanksionet e BE-së dhe ta mbyllë RT dhe Sputnik Serbia”, dhe së dyti “SHBA dhe partnerët kryesorë të BE-së mund ta inkurajojnë Ukrainën që ta njohë Kosovën”.
“Njohja e Prishtinës nga Kievit do të siguronte katalizatorin për njohjen uniforme të Kosovës në NATO”, sipas Joseph, si vendin që janë – citon presidentin amerikan Joe Biden – “në vijën e parë të frontit duke luftuar për të shpëtuar parimet demokratike që bashkojnë të gjithë njerëzit e lirë”.
Joseph shkruan se “njohja e Ukrainës do t’ia jepte Athinës kontekstin që zyrtarët grekë thonë se duhet ta njohin Kosovën”. Ai kujton se “Athina tashmë ka marrëdhënie të mira me Prishtinën dhe ka shprehur gatishmërinë për ta njohur Kosovën për t’i çuar përpara interesat e rëndësishme greke”. Ai shton se “Athina ka nevojë për stabilitetin në Ballkan dhe ka interes ta parandalojë një ndarje të Kosovës, e cila do t’ia hapte derën ‘Serbisë së Madhe’, ‘Shqipërisë së Madhe’ dhe ndikimit turk në Ballkan”.
Ai shkruan edhe për mundësinë që Kosova ta marrë njohjen nga Spanja.
“Vendimi themelor i Spanjës në janar për ta njohur pasaportën e Kosovës (pas liberalizimit të vizave të BE-së për qytetarët e Kosovës) sugjeron se Madridi mund të lëvizë drejt njohjes së plotë, nëse Kyivi së bashku me Athinën dhe vendet tjera mosnjohëse ta ndryshojnë pozicionin e tyre”, shkruan profesori amerikan.
“Si përmbledhje, situata e zymtë pas pushtimit (të Ukrainës) në Ballkan mund të kthehet mbrapsht nëse SHBA-ja dhe BE-ja i kuptojnë implikimet për luftën e përgjithshme kundër Rusisë dhe e pranojnë se stabiliteti i vërtetë kërkon qëndrim të duhur ndaj Kosovës. Lutja e Beogradit – iluzioni se Vuçiq do të bashkëpunojë – është një dështim i dëshmuar”, thekson ai. “Avancimi i njohjes uniforme të Kosovës në NATO (në radhë të parë) do ta mbështesë diplomacinë SHBA-BE, dhe më në fund ta sjellë Serbinë në pranimin e rendit perëndimor – duke e lënë Putinin më të izoluar dhe Ukrainën më të sigurt”, shkruan Edward Joseph në fund të shkrimit.bw
Rebelimi im s’ka ndodhur një ditë. Është grumbulluar përditë e nga pak qysh në moshën e njomë dhe është shtuar me shpejtësi ndërsa dilja prej adoleshencës. Rrebelimi im u shëndrrua në urrejtje ndaj tyre, mbas humbjes së jetës së tim vëllai, Agronit në moshën 28 vjeçare. Tragjikisht, ai ra në një humnerë 200 metrash, me makinë në rrugët e tmerrshme të Pukës, një ditë të nxehtë gushti të vitit 1983. Ai nuk donte të shkonte të punonte në Pukë. Për të ishte një ndëshkim edhe pse ai i donte pukjanët. Iu lut Xhevdetit ta shpëtonte nga Sigurimi duke i thënë: “Unë do vdes nëpër ato rrugë të rrezikshme!” Dhe ashtu ndodhi! Në vend që të dëshpërohej, Xhevdeti u gëzua për vdekjen e djalit. Prej kohësh Agroni po i sillte probleme me urrejtjen e tij ndaj Sigurimit. Kështu, ai e kishte të siguruar postin e vet, nëpërmjet sakrifikimit të djalit.
Ishte kjo ndjesi që më ka tërbuar…
Në familje Xhevdeti, as donte t’ia zinim në gojë vdekjen e Agronit. Nuk i shkoi asnjëherë tek varri, përjashto dy-tre herët e para menjëherë mbas vdekjes, edhe ato më shumë i shtyrë nga opinioni i të tjerëve. Xhevdet Miloti deri ditën e fundit të jetës, domethënë për 35 vite, vdekjen e Agronit e ka shfrytëzuar vetëm për të përfituar e për të siguruar privilegje për vehte. Edhe Sabaheti e ka bëtë dhe e bën edhe sot të njëjtën gjë.
Dua te kujtoj qe me largimin tim në Itali, në vitin 1992, dhe me akuzën që i bëra Xhevdetit: “Ishe ti që e vrave Agronin, moralisht dhe fizikisht!”, marrdhëniet mes meje dhe prindërve u ndërprenë për një çerek shekulli. Ndërkohë ata bënë të pamundurën ta eliminonin egzistencën time dhe të hakmerreshin ndaj meje, duke më krijuar probleme të shumta.
Dhimbja që provohet me vdekjen e fëmijës është e pashpjegueshme për një prind sepse është një fakt i jashtëzakonshëm, jo i natyrshëm që kalon çdo masë dhe…. fundi që mendohej i largët, vjen befas dhe pamëshirshëm duke i lënë prindit pak mundësi për ta vazhduar jetën. Por jo, për Xhevdetin e Sabahetin. Ata ishin përbindsha. As vdekja s’i ndryshoi dot ato qënie çnjerëzore. Xhevdeti e vazhdoi veprimtarinë e tij jashtëmartesore me gra të tjera, më i lire e më i lumtur se përpara, ndërsa Sabaheti krijoi nje guardarobë gjigante, duke e dokumentuar çdo fustan, çdo kostum, çdo palë këpucë e çizme të reja me fotografi, e më pas u shiste mend njerëzve se ishte një zonjë e madhe.
Kur kam parë guardarobën e sajë, ngela e shastisur, po edhe fotografitë që kjo “nënë me zemër të thyer” bënte për çdo veshje të re… Të gjitha ta futur me zell e pasion ndër albume të shumtë, ndërsa fotografitë Agronit, e djalit të tyre të vetëm, i gjeta të shpërndara nëpër qese të vjetra në bodrum!!!
Për çudi, “nëna” atij s’i kishte bërë asnjë album!!
Kujtimin e tij e kishte hedhur me neveri larg, sepse asaj i errësonte “bukurinë e shndritëshme” të zonjës së madhe, e cila çuditërisht, kishte krijuar edhe të ardhura të majme ekonomike të dyshimta!! Rastësisht, në 2017 u gjenda në Tiranë, ku gjeta origjinale të shumë llogarive bankare të Xhevdetit e Sabahetit në lekë, euro e USD, dhe i mora me vehte letrat por, sapo Sabaheti, edhe pse 82 vjeçare, kur mori vesh se unë i kisha zbuluar thesarin, u turr si e tërbuar nga Bergamo e Italisë, ku po i rrinte te koka kriminelit që jepte shpirt, në spital si zotëri e, që e kishte tradhëtuar gjithë jetën, duke e trajtuar si leckë këmbësh, u turr në Tiranë të mbyllte llogaritë bankare që unë ,vajza e tyre Lindita, të mos kisha asnjë përfitim mbas vdekjes së Xhevdetit!!
Atë verë të vitin 2017, në Shqipëri, kuptova se nuk egzistoja më për familjen time. Drejtimin e familjes Miloti tani e kishte marrë në dorë me dhelpëri burri i motrës time, kavajsi Fiqiret Kariqi, në shtëpinë e të cilit në Bergamo, jetonin edhe Xhevdeti me Sabahetin.
Vura re se familja ime, me një kryetar të ri, kishte thurur plane për eliminimin tim ekonomik dhe ligjor. Pikërisht, atë vit Sabaheti do të bënte të pamundurën të më eliminonin nga pronësia, duke bërë Padi kundra meje. Kështuqë m’u desh të përballesha me gjyqe, me kërcënime dhe kompllote nga mamaja dhe motra.
Në verë të 2017, para njerëzve që kishin ardhur për të bërë qokat për vdekjen e Xhevdet Milotit, e pyes Sabahetin: “E ke pyetur ndonjëherë vehten se çfarë nëne ke qenë për fëmijët e tu? Ke një djalë të vdekur dhe dy vajza, mes të cilave ke futur sherr gjithë jetën, e që sot, e urrejnë njëra-tjetrën për vdekje! Çfarë ke mësuar nga e gjithë kjo që ka ndodhur… Asgjë!? ”
Ajo më pa si e shastisur. Vështrimi i saj më tregoi që nuk e kuptonte pse duhej t’ia bënte vehtes një pyetje të tillë. Ndenji një copë herë në heshtje pa më dhënë përgjigje. Ajo më dëshmoi edhe një herë se këta njerëz edhe pse në moshën 84 vjeçare, edhe pse i merrte vdekja, kishin mbetur ashtu të pandërgjegjshëm e të përbindshëm.
Ky është një fragment nga atmosfera me të cilën më pritën nëna dhe motra ime mbas 25 viteve, që u kisha ndejtur larg e pa i trazuar.
Më shumë detaje të kësaj jete janë në autobiografinë time “Mendimi sundues”.
Çfarë e rrebelon sot Lindën? Çfarë është krisur, thyer e rrënuar shpirtin e saj në pakthim…?
Kam një indinjatë të thellë që s’jemi trajtuar si fëmijë, që na ka munguar dashuria, që s’jemi vlerësuar si njerëz, si fëmijë të tyre… Jam e indinjuar që s’na kërkuan falje që na shkatërruan jetën, që na mohuan të drejtën për të pasur një familje, që të gëzojmë festat, nipat, mbesat, jam e rebeluar që na trajtuan si fëmijë të paligjshëm befotrofi.
Tim vëllai ia vodhën e ia vranë rininë, për t’i shërbyer diktaturës, i vodhën të drejtën për të qënë ai që dëshironte të ishte, e jo ai që donin ata. I vodhën të drejtën për të pasur një jetë normale, një familje e që ta gëzonte edhe sot dritën e diellit. Të dy bashkë, Xhevdet e Sabahete Miloti i vodhën Agronit të drejtën për ta gëzuar rininë e shoqërinë, gjërat më të shtrejta për të. Ai ndante çdo gjë me të tjerët, të njohur apo të panjohur. Në fakt, në vdekjen e tij, nga çdo qytet ku ai punoi (Korça, Kavaja dhe Puka) erdhën me autobuz njerëz të thjeshtë që ai i kishte ndihmuar sidomos të persekutuart, që Agron Miloti i ndihmonte duke u thënë: “Sa të jem unë këtu, jetoni të qetë!” Këto fjalë i kam dëgjuar vetë nga një burrë i moshuar nga fshatrat e Korçës më mori në messenger në telefon tre ditë më parë, mbasi kishte njohur fotografinë e Agronit që e mbaj si foto profili në facebook. Ai më tha: “Dua që ta dish, se Agroni më ka shpëtuar jetën time e të familjes dhe mjaft të persekutuarve të zonës. I ndrittë shpirti aty ku është.”
Pra është kjo dhimbje e thellë që e ka rrënuar në pakthim shpirtin e Lindës.
…Nga momenti i vdekjes së papritur, në moshë aq të re, bëhesh e vetëdijëshme se jeta për ty, si motër s’është më ajo e mëparshmja, Boshllëku shpirtëror të bëhet i përditshëm. Fillon të jetosh pa interesa vetëm për inerci të jetës… Jeta s’ka më shije dhe vetëm aty fillon e kupton se sa marrëzi ishte t’i permbaje britmat e gëzimit që ai ishte aty pranë meje, aty nis ta ndjesh se çdo gjë mund ta duroje, por jo mungesën e tij… dhe befas koha për ty ndalet në atë çast dhe dënimi për ty bëhet përfundimtar. Sa netë pa gjumë, sa mbasdite të trishta me shi pret që ai të shfaqet, sa fotografi të tij kalon nëpër duar për ta kujtuar, sa çaste ngushëllimesh që tashmë janë larg… larg… dhe ndjehesh e gjitha përmbys prej një ndjenjë shkatërruese…