LETER NGA VELLAI
S’e di, s’e di për çka më vjen të qaj!
Pse ke lot, më thotë nëna, në sy?
Para odës së vjetër shpesh hapat i mbaj
Ku flinim dikur sëbashku të dy.
I heshtur, kokulur rri para asaj dere…
Herë syri çelet e mbushet me dritë,
Kujtimet e dëshirat gjëmojnë si koshere
Dhe ndjej si largësia na tret e cfilit…
Edhe qeni plak ka nis të rebelohet
Me një të lehur trishtimi të zbetë,
Po në vend të tij shpejt po hijeshohet
Një këlysh i bardhë e plot jetë.
Po ti eja një herë, vëllai im dashur!
Çdo lule në kopsht petalet do t’i hap,
Muzat këtu do të presin krahëhapur
Dhe shpirti një melodi të re do kap!
Vargjet do të bien erë trëndelinë
Rimat do të shndrisin vërshime hënore…
Në pranverë do na kthehet çdo stinë
Sa herë të vish ti me nusen për dore!
Eja pa droje, vëllathi im, ti eja!
Eja kur të duash, dimër qoftë a verë!
Sepetin plot me ftonj e mban nëneja
E përmallur do të hapet këtu çdo derë!
******
Ç’e shikon atë foto me aq ëndje,
Hiret që nuk rikthehen më!
I largove ëndërrat prej zëmre
Dhe fytyra e dhimbshme t’u bë.
Eh, këngët tona më të arrira
Janë veç këngët e mallëngjimit.
Fytyrën e tij prej të mbyturi
Si zambak mbi ujë e nxjerr kujtimi;
Sa kujtime të gjalla lamë atje
Nëpër ditë e ëndërra tretur!
Memorja ime si një fole
E tharë në pemë sot ka mbetur…
Qenë ditë të bukura plot hare!
Blerim e dritë kish në çdo fletë!…
Ai plepi filiz që e mbollëm ne
Mbi male zgjatet, na përshëndet…
LUMI KALAMAS
Si elegji ullinjsh,
Përmes baladash
————-rënkon
————-vrapon
Lumi Kalamas!
Ja, e kaltra hënë po ndrit.
Era këngë mërmëron.
Ja, kjo vajzë bukuroshe
Para portës si vajton!
Si elegji ullinjsh,
Përmes baladash
————-rënkon
————-vrapon
Lumi Kalamas!
Fshij lotët, shpirt i dashur,
Ndriço si dita plot shkëlqim!
Pas parmakëve zemërplasur
Ç’magji të pret e ç’përmallim!
Si elegji ullinjsh,
Përmes baladash
————-rënkon
————-vrapon
Lumi Kalamas!
*Kalamas – lumë në Çamëri
TAKIM ME NJE UFO
Një UFO xhentile takova papritur,
Nga Mali i Zjarrit kishte zbritur ajo;
Më bëri ca pyetje krejt të çuditshme-
Përgjigjet i donte me PO ose JO;
Provim më të vështirë nuk kam patur
Me atë fantazmë a ëngjëll-mister;
Nuk ia dalloja dot ngjyrën e gjakut
Si e gdhëndur më ngjante në mermer;
A je, më tha, sëpari, ti bir i Profetit?
Jo, i thashë, unë jam robi i Tij.
A e di, më tha, ti kuptimin e jetës?
Jo, i thashë, vetëm lindjen e vdekjen e di.
Më shikonte me syt’ e shtrembër ngjyrëgri,
Më vëzhgonte gjer në përjetime;
A je i lumtur, më tha, a ke pasuri?
Jo, i thashë, ëndërrat janë pasuria ime.
Endërrat, tha, janë mesazhet e mia,
Ato mbrijnë mes formulash, mes filtrash;
Nuk di unë ç’është arti, poezia,
Unë jam, thjesht, trafikante shpirtrash;
Ti s’e di, tha, jam nga raca e Profetit,
Transmetoj kumte, profeci hyjnore
Librat e shenjtë Krishtit e Muhametit
Imgjysh ua regjistroi herët në memorje;
Një racë jemi ne me ëngjëj dhe djaj,
Mes hapësirash vijmë, marrim e ikim,
Po ta dish se Saharën imgjysh e thau,
Piramidat e larta ne UFO-t i ngritëm;
Shkencën kam unë në gjak e në shpirt,
Bile shpirt, mund të themë, nuk kam fare;
Delikat më dukesh, o njeri, i brishtë
Si një lule e njomëz, ledhatare;
Po një ditë do të mbrijnë mesazhet e mia
Me gjuhë universale do të bisedojmë;
Atëherë do të kuptosh ti ç’është liria
Hapësirën bashkë do ta plugojmë…
Do ta mbjellim me këngë, lule dhe mana,
Yjet do të na duken shkëndija dhe gaca,
Galaktikat do t’i lidhim me bulevarde,
Jetëgjatë dhe pjellore do të bëhet raca…
Papritur u ngrit, më la edhe iku
Me një disk të zjarrtë, si flakë rrufeje,
Sa dritat e yjeve, i zbehu, i fiku,
Po një dritë të hatashme la brenda meje…
Komentet