Me anën e këtij artikulli kam fatbardhësinë të gëzoj zemrat e Shqiptarëvë t’Amerikës për faqen e mirë të punëve të Shqipërisë, të cilat i ka plagosur koha e kaluar, ajo kohë në të cilën Shqipëria ndodhej më tepër në buzë të rrezikut se sa në mes të shpëtimit.
Përveç rreziqeve të jashtëme, që kanё qënë, janë dhe do të jenë edhe paskëtaj, por me një hov fare të ngadalshëm, m’i madhi që trëmbte e kanoste jetën përlindëtore të Shqipërisë, qe rreziku i brëndshëm i partive të ndryshme dhe i jetës feudale që çdo bej, pashà, bajraktar etj. përdësojnë nga një farë kryeurdhërimi vendiak mbi një krahinë të Shqipërisë, kurdoherë jashtë ligjevet të larta mbretërore. Ky, themi qe me të vërtetë një nga rreziqet më të tmerrshme për jetën e pritme të Shqipërisë e më shumë për mëkëmbjen e parasyshme. Kjo gjë u jepte arsyen armiqvet të besojnë se Shqipëria do të shuhej me dyfek mbi krye. Mirëpo punët shkojnë në të kundërt: hollësia politike, dëshira për jetën e Shqipërisë dhe djathtësia e shqiptarëvet në çmbështjelljen e punëvet i përpoqi pa mëshirë pas gurit mendimet përmbysëse t’armiqvet, duke themeluar Bashkimin e Përgjithshëm. Kjo arsye më shtyn të them se do të gëzoj zemrat e lëçitësvet të Diellit.
Qeveria e Përkohëshme deri sot, sido që ka jetuar në një atmosferë shumë të turbulluar dhe e kanosur shpesh për qënien e saj amtare, mundi të shtjerë në mendimin e popullit ndjenjat vetqeverimtare, mundi të verë popullin të mendojë se rron një Qeveri Shqiptare, nën hijen e këndëshme të flamurit madhështor të Gjergj Kastriotit ; mundi t’u japë të kuptojnë armiqvet për zotësinë shqiptare, duke mos lënë të ngopej ënda e madhe e tyre dhe mundi të njihet prej gjithë Shqipërisë e kolonivet të jashtëme shqiptare, si një Guvernë ligjëtore (nominale) në mos mbretërore.
Pas luftës së dytë të Ballkanit, midis Shtetevet të tjera me Bullgarinë, duke mos duruar dot zgjedhën e drashtun, sa të dhunëshme Serbo – Malazeze, gjithë Gegëria kreshnike kapi sërish armët e paftohura ende, për me i drejtue mbi shpinë t’armikut ; por, duke u mbledhur gjithë Bajraktarët në Vlorë, për t’u këshilluar me Qeverinë për këtë punë, u pëlqye që interesat dhe politika e dobishme për Shqipërinë për të mos punuar kundër dëshirave paqësore t’Evropës, e cila ka marrë nën krahun e saj fatin e Shqipërisë, është paanësia në çdo lëvizje të re që çmëndurisht po çmbështillen në Sinisí të Ballkanit. Pra mbledhja e Krerëve të Veriut pranë Qeverisë së Vlorës, bashkimi i Esad Pashës – tani ministër i Punëve të Brëndëshme – , nxehtësia dhe nderimi i madh që dëften kundrejt Qeverisë së Vlorës princ Bib Doda, bashkimi i disa krerëve të tjerë, tregojnë me fjalë të rritura Bashkimin e Dëshiruar! Pra, rroftë bashkimi!
POLITIKA E QEVERISË SHQIPTARE NË SY TË BOTËS SË QYTETËRUAR
Gjithë vështrimi i botës së qytetëruar e, më shumë, i atyre që kërkojnë gjithmonë mjegull, ishte kthyer në gjithë këtë periudhë mbi Qeverinë Shqiptare të Vlorës, duke pritur pa durim ndonjë rasje më birko se të Turqisë për të çartur krejt, Shqipërinë! Në gjithë këtë kohë, armiqtë që shkelën Shqipërinë, nën kryesi të një Shteti që quhet mëma e Republikave (siç) s’lanë asnjë mënyrë pa përdorur për të sjellë turbullime n’ato vise që sundon Qeveria Shqiptare. Nga të gjitha Shtetet fqinjë janë dërguar njerëz të ngarkuar me punë për të kërkuar një marrëveshje (!) me Vlorën, me qëllim vetëm që të mërgojnë simpatinë e mirënjohjen e kombit shqiptar prej Trilidhjes shpëtimtare. Në shpalljen e luftës sërbe kundër Bullgarisë, duke patur frikën se mos shqiptarët, duke përfituar nga rasti, i dëbonin për t’i nxjerrë prej Kosove, Qeveria serbe dërgoi sërish njerëz në Vlorë gjithë për një marrëveshje duke kushtruar (takuar) shumë gjëra. Po, të gjithë këtyre begendore, qeveria kuptimadhe e Vlorës, u bëri një përcjellje të hijëshme duke u thënë që Shqipëria s’është e vume të vijë në marrëveshtje me Shtete q’i kanë fikur nga një pjesë të trupit të saj. Koha aferoi të njihet Shqipëria prej gjithë Evropës Shtet më vehte dhe ëndërrat e armiqve po shuhen! Rrethet politike me rëndësi lëvdojnë sjelljen e Qeverisëë shqiptare, lëvdojnë edukatën politike dhe lëvdojnë shpirtmadhësinë shqiptare, që u tregua deri në fund aqë besimplotë ndër Fuqitë e Mëdha për fatin e Shqipërisë. Kështu, Qeveria e Përkohëshme njihet si një Qeveri që përfaqëson kombësisht gjithë kombin shqiptar.
Milano – Itali SHKËMB’ I MBLETËS
Gazeta “Dielli”, 19 gusht 1913 Marrё nga vёllimi : “Detyra ime mbaron me jetёn time”
Komentet