VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Letër Elvanës, gruas së shkrimtarit ‘të arratisur’ Agron Tufa: të qeshim mike.. Nga Entela Kasi

By | December 12, 2019

Komentet

Protestë, protestë, protestë – Nga BESNIK MUSTAFAJ

Teatri Kombëtar u shemb. Gërmadhën e tij e kemi në qendër të Tiranës si varr i freskët. Unë nuk jam nga ata që besojnë se ai mund të ringrihet siç ka qenë, dhe aty ku ka qenë, edhe pse një punë e tillë është ende e mundur dhe do të më pëlqente shumë të ndodhte. Nuk mendoj, po ashtu, se duhet të vazhdojmë ta vajtojmë pa fund. Kjo nuk do të kishte asnjë dobi. Vetëm do t’i jepte raste të reja Edi Ramës të tallej, siç u tall edhe herën e fundit në aulën e Parlamentit të Republikës, kur shpalli se, po, Teatri do të bëhet krejt siç ka qenë, por diku tjetër (projektin e kemi, tha ai) dhe do të shërbejë si teatër kukullash. Seancën tjetër plenare të Parlamentit, ai, me siguri, do të gjejë një variant tjetër talljeje për këtë temë. Sepse i tillë është Kryeministri ynë. Çdo mospajtim të një pjese të opinionit publik me vendimet e tij ai e përfton si sfidë, mbi të cilën duhet triumfuar jo përmes argumenteve, siç janë rregullat e lojës në demokraci, por përmes dhunës së pushtetit dhe mandej të mundurit duhen poshtëruar deri në fund që të mos ngrenë kurrë më krye.

Në qoftë se nuk mund të shpresojmë se Teatri do të ringrihet ashtu siç ka qenë, dhe aty ku ka qenë, në qoftë se nuk ka dobi as ta vajtojmë të dekurajuar si një humbje të pakthyeshme, atëherë çfarë duhet të bëjmë? Të kthehemi për të rënë në gjunjë si bij plëngprishës përpara Babës (siç ai e ka dekretuar veten tashmë)? Jo. Ka një rrugë, që ne ta mbajmë lart e ta çojmë përpara frymën e krijuar nga kauza e Teatrit. Fjala është për atë pjesë të kësaj fryme, e cila shkon përtej mbrojtjes së një objekti, qoftë ky edhe me rëndësi kulturore dhe simbolikë historike të veçantë, siç ishte Teatri Kombëtar. Nisur sidomos nga fakti që qëndresa zgjati më shumë se dy vjet e gjysmë, duke dalë jashtë çdo parashikimi të Kryeministrit Rama, do të kisha thënë se “Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit”, si strumbullar i kësaj qëndrese, ka arritur të mbjellë në shoqërinë tonë, sidomos në Tiranë, frymën e vazhdimësisë në mospajtimin me politikën e keqe qeverisëse. Në këto tridhjetë vjet nuk e kemi parë në asnjë rast tjetër një cilësi të tillë, e cila, nëse provohet në javët e në muajt e ardhshëm, do të shënonte pa dyshim një pjekuri të re, civilizuese, të opinionit tonë publik.

Po flitet gjithnjë e më shumë se “Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit” do të shndërrohet në lëvizje të re politike. Madje, kolegu Mentor Kikia, duke cituar një burim pranë qeverisë, shprehej së fundmi në një shkrim me njëfarë sigurie të shtuar se një akt i tillë është në përgatitje. Edhe mund të ndodhë. Nuk është çudi dhe as nuk shoh ndonjë gjë të keqe. Por dy nga figurat më të zëshme dhe më koherente të kësaj Aleance gjatë kësaj periudhe, Elona Caslli dhe Edmond Budina, secili veç e veç dhe në rrugë të ndryshme mediatike, kanë pohuar publikisht se nuk do të bëheshin pjesë e një lëvizjeje të tillë politike. Të tjera deklarata nuk kam parë. Nga ana tjetër, Robert Budina, në një dalje të fundit publike, duke bërë një sintezë të dy protestave të organizuara në Shkodër dhe Kukës, tha se “do të kthehemi në Tiranë me një protestë politike, por jo partiake”. Kur flas për provat e reja, që duhet të kalojë fryma e re e mospajtimit me politikën e keqe të qeverisë, krijuar gjatë periudhës në mbrojtje të Teatrit, nuk e kam aspak fjalën për themelimin e një lëvizjeje të re politike. E kam vetëm për vazhdimin e protestave, të cilat, ashtu siç u shpreh Robert Budina, duhet të jenë doemos politike, por jo partiake. Në gjykimin tim, protestat e tilla nuk janë aspak rivale me protestat që mund dhe duhet të organizojnë pa humbur kohë partitë e opozitës. Dhe nuk ka asgjë të keqe pse një pjesë e madhe e pjesëmarrësve do të jenë në shesh edhe për njërën protestë, edhe për tjetrën.

Mbetem i bindur se opinionit tonë publik i mungon në një masë të ndjeshme vetëdija për forcën e vet, gjë që nuk do të thotë aspak se kjo shoqëri nuk ka sy për ta vënë re të keqen. Parë më në hollësi, kjo vetëdije i mungon individit, i cili, në një mjedis të lirë është me sovranitet të plotë në themel të shoqërisë. Pra, edhe individi shqiptar, më duket mua, e sheh mjaft qartë të keqen publike të mishëruar të përfaqësuesit e tij në qeverisjen e vendit. Për t’u bindur për këtë realitet mjafton të hedhësh një sy të shpejtë në rrjetet sociale. Të rrallë janë ata që shprehen të kënaqur me vendimet apo me sjelljet publike të Edi Ramës dhe të ministrave të tij. Nuk po them aspak se kjo mori e madhe individësh të pakënaqur me qeverinë janë mbështetës të opozitës. Në rrjetet sociale vërshon çdo ditë një lumë vërejtjesh, kritikash, madje edhe sharjesh po ashtu për opozitën dhe kryetarin e saj, Lulzim Basha. Por, ndryshe nga ç‘ndodh në një shoqëri të civilizuar, substancialisht moderne, kjo mori e panumërueshme individësh të pakënaqur me qeverinë apo edhe me politikën në përgjithësi shihet pak dhe në mënyrë sporadike në rrugë e në sheshe. Ndërkohë që historia e vendeve të zhvilluara, qoftë në Europë, apo edhe në Amerikë, na mëson mjaftueshëm se vetëm protesta në rrugë e në sheshe ka fuqi për ta mbajtur elitën politike në shina, duke u bërë kështu vërtet faktor vendimtar për progresin e vendit.

Në gjykimin tim, pra, shoqëria e sotme shqiptare ka nevojë jetike të kalojë nëpër shkollën e protestave, të cilat duhet të jenë të gjera, horizontale dhe të vazhdueshme. Pakënaqësia duhet të shpërthejë për ta pushtuar qytetin, në kuptimin që i jep Platoni kësaj fjale. Vetëm përmes protestës do të mund ta hedhim poshtë me përbuzje stigmën që na kanë vënë të tjerët, madje edhe miqtë, por që edhe ne ia themi shpesh vetes plot pezëm se kemi qeverinë që meritojmë. Apo qoftë edhe opozitën që meritojmë. Unë vetë kam shkuar dhe do të shkoj në çdolloj proteste, pavarësisht kush e thërret, sa herë kam pasur e të kem mundësi, me bindjen qytetare se protestën ua kam borxh fëmijëve të mi. Vetëm duke kaluar përmes shkollës së protestës së tillë, të vendosur, pa kompromis me të keqen, individi shqiptar e rrjedhimisht edhe grupi, ku ai bën pjesë, do të mund të gjykojë me kthjelltësi kur thirrjet për protestë apo edhe për miting i bën një parti, e cila, përveç kriticizmit të natyrshëm, del edhe me një program politik, si dhe me njerëzit që do ta realizojnë këtë program nesër, kur ai të shndërrohet në program qeverisës. Shkolla e protestës, si kjo që propozon “Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit” apo edhe cilado strukturë tjetër e shoqërisë civile, e mëson individin jo vetëm të mos pajtohet me të keqen publike, por edhe ta gjejë veten pa u gabuar si mbështetës apo qoftë edhe si votues në peizazhin e propozimeve nga partitë. Përfitimi më i thjeshtë që ka demokracia në këtë rast është se një votues i regjur nëpër protesta, të paktën votën nuk e shet dhe as nuk lejon t’ia vjedhin. Do të jetë turp kombëtar të përsëritet ajo që ndodhi në zgjedhjet e vitit 2017, kur votuesit shqiptarë i dhanë besimin një njeriu, i cili shëtiste fshat më fshat e qytet më qytet si një kloun cirku, duke u kërkuar njerëzve timonin e tepsinë.

A do të mundet “Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit” të organizojë protesta të tilla të mëdha e në vazhdimësi, gjithnjë politike, por jo partiake? Kjo është një pyetje, që unë për veten time nuk do ta shtroja këtu sikur të mos e kisha dëgjuar e lexuar shumë herë gjatë këtyre ditëve. Unë them se po. Madje, edhe struktura të tjera të shoqërisë civile, me shumë më pak përvojë se kjo Aleancë, mund të organizojnë protesta të tilla. Nuk është fjala për revolucione. Protestat, ashtu siç i kemi parë madje edhe në këtë kohë karantine në vendet perëndimore e siç i përfytyroj të zhvillohen edhe në Tiranë e në qytetet e tjera të vendit, kërkojnë fare pak organizim. Sepse ato nuk kanë hierarki oratorësh për të respektuar e as program politik për të shpjeguar. Ditën e shembjes dramatike të Teatrit, Edmond Budina e përmendi një nga format e shumta të këtyre protestave e që është mosbindja civile. Mos harroni, përmes mosbindjes civile, indianët ulën në gjunjë perandorinë më të madhe të kohës e që ishte ajo britanike. Çfarë është Edi Rama krahasuar me mbretin e Anglisë?/Panorama/

Zëri i Amerikës: Analistët për bisedimet Kosovë-Serbi dhe qasjen transatlantike ndaj tyre

Shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, shkroi në rrjetet sociale se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor përfshirë Kosovën dhe Serbinë është evropiane, por për ta bërë realitet një ardhmëri të tillë, bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian nuk mund të anashkalohen.

Postimi i zotit Borrell ishte kundërpërgjigje ndaj deklaratës së presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili tha të martën se nuk ka vullnet të përfshihet në procesin e negociatave që udhëhiqen nga i dërguari i Posaçëm i Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë – Serbi dhe Ballkanin Perëndimor, Miroslav Lajçak.

Presidenti Thaçi tha se Kosova duhet të bëjë diferencimin e partnerëve strategjik duke nënvizuar se edhe zoti Borrell edhe zoti Lajçak vijnë nga vende që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Drejtori i Qendrës për Studime të Evropës Juglindore në Universitetin e Gracit në Austri, Florian Bieber, tha në një intervistë me Zërin e Amerikës se ky nuk është një qëndrim i drejtë, meqë zoti Lajçak dhe zoti Borrell kanë mandatin e Bashkimit Evropian shumica e vendeve anëtarë të të cilit e kanë njohur Kosovën

Ai po e thotë këtë sepse e ka kanalin negociues rezervë që janë negociatat e drejtuara nga amerikanët që aktualisht janë në një drejtim tjetër dhe në një ritëm tjetër nga evropianët”, tha zoti Bieber.

Toby Vogel, ekspert në Këshillin e Politikave të Demokratizimit, tha se ishte gabim që zoti Lajcak u zgjodh në këtë post.

Intervista e plotë me analistin Toby Vogel

Toby Vogel

Toby Vogel

Toby Vogel, ekspert në Këshillin e Politikave të Demokratizimit, tha në një intervistë me Zërin e Amerikës se nuk pret fillim të shpejtë të bisedimeve Kosovë – Serbi, por e cilësoi inkurajues angazhimin e shteteve të fuqishme të BE-së për një proces negociatash ndryshe nga ai që ishte ndërmjetësuar nga ish shefja e politikës së Jashtme të BE-së, Federica Mogherini.

Intervistën e plotë mund ta lexoni këtu.

Mirëpo arsyeja pse presidenti Thaçi po i kundërvihet tani zotit Lajcak, ndonëse e ka bërë edhe më parë, nuk ka të bëjë me faktin që Sllovakia dhe Spanja nuk e kanë njohur Kosovën. Kjo është për shkak se zoti Lajcak foli qartazi dhe fuqishëm dhe pa mëdyshje kundër ideve për shkëmbim territoresh”, tha zoti Vogel.

Analistët pohojnë se tërë debatet janë rrjedhojë e brishtësisë së marrëdhënieve transatlantike. Zoti Bieber thotë se Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara duhet t’u japin fund dallimeve dhe të pajtohen se ato nuk janë të dobishme.

Intervista e plotë me analistin Florian Bieber

Florian Bieber

Florian Bieber

Drejtori i Qendrës për Studime të Evropës Juglindore në Universitetin e Gracit në Austri, Florian Bieber, në një intervistë me Zërin e Amerikës është shprehur pesimist se mund të arrihet ndonjë marrëveshje Kosovë – Serbi gjatë këtij viti duke pasur parasysh se është vit i zgjedhjeve në SHBA, ka zgjedhje në Serbi dhe situatë krize të brendshme politike në Kosovë.

Intervistën e plotë mund ta lexoni këtu.

Natyrisht çështja është mbi çfarë terreni do të pajtohen sepse aktualisht ndërmjetësimi i BE-së dhe Shteteve të Bashkuara mbështetet në parametra të ndryshëm si për shembull me mbështetjen e hapur të ndryshimit të kufijve, diç që Miroslav Lajçak të paktën e ka hedhur poshtë prerazi, sikundër vendet kryesore anëtare posaçërisht Gjermania. Pra tejkalimi i dallimeve kërkon më shumë sesa pajtim ndërmjet dy ndërmjetësuesve, por edhe mirëkuptimin rreth asaj se si mund të duket zgjidhja”, tha zoti Bieber.

Por, diplomatët amerikanë, përfshirë edhe dy të dërguarit e posaçëm për Ballkanin Perëndimor dhe bisedimet Kosovë Serbi, Matthew Palmer dhe Richard Grenell, e kanë hedhur poshtë të kenë biseduar apo të ketë ndonjë plan të fshehtë për ndryshim kufijsh e shkëmbim territoresh dhe se bisedimet ndërmjet të dyja vendeve duhet të çojnë në njohje të ndërsjellë. Ata kanë bërë thirrje që bisedimet të rifillojnë sa më parë që është e mundur.

Gjatë fundjavës, ministrat e Jashtëm të Gjermanisë dhe Francës, bënë thirrje për rifillimin e menjëhershëm të bisedimeve nën udhëheqjen e Bashkimit Evropian, por tërhoqën vërejtjen se nuk mund të ketë një rrugë të shkurtër për një marrëveshje të shpejtë ndërmjet palëve. Në një shkrim të përbashkët ata ritheksuan synimet për një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht detyruese midis Beogradit dhe Prishtinës.

Matthew Palmer, i dërguar i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, në një intervistë për programin në gjuhën serbe të Zërit të Amerikës, shfaqi shpresën që Kosova dhe Serbia do t’u rikthehen bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre ndërsa theksoi se për këto çështje siç është edhe qëndrimi i Francës dhe Gjermanisë bisedohet gjithë kohën.

Nuk ka asgjë të befasishme në atë deklaratë. Dhe sinqerisht kushdo që sjell diç konstruktive në tryezë që jep ndihmesë është shumë mirë. Ajo që duam të shohin menjëherë për këtë çështje është që të zgjidhet çështja e formimit të qeverisë në Kosovë që të ketë përfaqësim të zgjedhur që mund të flasë në emër të Kosovës në një mjedis ndërkombëtar dhe në format bisedimesh dhe të shohim nëse mund t’i çojmë Serbinë dhe Kosovë më afër një marrëveshjeje për normalizim”, tha zoti Palmer.

Vëzhguesit në Kosovë thonë ndërkaq se qëndrimi evropian duket sikur një kthim në fillim të bisedimeve të gjata ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Po e kuptoj padurimin e shumë njerëzve në Kosovë që nuk duan të përfshihen në një proces tjetër dhjetëvjeçar që nuk ka një fund dhe kjo është e drejtë. Por sinqerisht, jam pesimist se mund të arrihet ndonjë gjë sivjet, me zgjedhjet amerikane përpara, me zgjedhjet serbe që janë gjithnjë një arsyetim i mirë, por edhe për faktin se nuk ka një qeverisje të qartë në Kosovë”, tha zoti Bieber.

Zoti Vogel nuk pret një fillim të shpejtë bisedimesh.

Më e rëndësishme sesa nëse do të fillojnë javën e ardhshme, muajin e ardhshëm apo pas dy muajsh është kuadri i këtyre bisedimeve. Mendoj se është inkurajuese të shohësh zyrtarët më të lartë të Bashkimit Evropian dhe vendet anëtare të përfshira në bisedime duke e bërë të qartë se disa nga idetë që janë hedhur gjatë bisedimeve të udhëhequra nga Federica Mogherini nuk çojnë gjëkundi”, tha zoti Vogel.

Bisedimet e lehtësuara nga Bashkimi Evropian u pezulluan që nga nëntori i vitit 2018, për shkak të tarifave të vendosura nga Kosova ndaj mallrave serbe. Tashmë këto tarifa janë hequr dhe zëvendësuar me masa të reciprocitetit nga ana e qeverisë së Kosovës por ende mbetet e paqartë se kur do të mund të rifillojnë bisedimet, derisa Serbia është në prag të zgjedhjeve të përgjithshme të 21 qershorit, ndërsa Kosova ndodhet në krizë politike që është pasqyruar edhe në debatet ndërmjet presidentit Thaçi dhe kryeministrit tashmë në detyrë Albin Kurti se cila është adresa e bisedimeve me Serbinë.

Fati i Marrëveshjes së Oslos për paqe në Lindjen e Mesme

Pak para orës 12 të mesnatës një ditë gushti të vitit 1993, cingëroi telefoni në selinë e Organizatës për Çlirimin e Palestinës (PLO) në Boldj Cedria, një orë me makinë nga Tunisi, kryeqyteti i Tunizisë.

Telefonuesi nga kryeqyteti suedez Stokholm, një sociolog norvegjez i quajtur Terje Rod-Larsen tha se “gjyshi” dëshironte të fliste me “gjyshin palestinez”.

Rod-Larsen ishte një nga figurat kryesore të negociatave të viteve 1990 që çuan në Marrëveshjet e Oslos, marrëveshjes së parë ndonjëherë midis Izraelit dhe PLO-së.

Në komunikimet e fshehta, Ministri i Jashtëm izraelit Shimon Peres me emrin e koduar “gjyshi” dhe shefi i PLO-së, Yasser Arafat kishte emrin e koduar “gjyshi palestinez”.

Bisedimet sekrete, të cilat kishin filluar që në vitet e ’80-ta, morën një hov kur kryeministër i Izraelit u bë Yitzhak Rabin në vitin 1992, por në korrik të vitit 1993 hasën në një bllokadë.

Sipas Rod-Larsen, një muaj më vonë, ndërsa ishte në një mbledhje familjare në qytetin e tij të lindjes, milje larg kryeqytetit të Norvegjisë, Oslo, ai mori një telefonatë nga ministri i Jashtëm izraelit, Shimon Peres duke i kërkuar që të fluturonte menjëherë për në Stokholm, ku po mbërrinte për një vizitë të planifikuar zyrtare.

“Pasi përfundoi angazhimet e tij zyrtare dhe darkën, Peres arriti në hotel vonë natën dhe më kërkoi të thërrisja ekipin palestinez, pasi ai dëshironte të përmbyllte negociatat në çdo mënyrë”, ndau kujtimet diplomati norvegjez në një bisedë për Anadolu Agency (AA).

“Kam provuar të gjithë numrat e Ahmed Ali Ali Mohamed Qurei ose Abu Alaa, shefit të ekipit negociator palestinez dhe gruas së tij. Por, nuk mund t’i gjeja. Më në fund, mendova ta thërrisja Arafatin direkt në Tunis. Ai e mori vetë telefonin dhe unë i thashë se gjyshi ishte këtu me mua dhe dëshironte të fliste.

Për konicidencë i gjithë ekipi negociator palestinez, përfshirë Abu Alaa, ishin në selinë e PLO-së dhe sapo kishin përfunduar një takim me Arafatin.

“Ai (Arafati) i thirri përsëri dhe ne filluam bisedimet në telefon. Deri në mëngjesin e hershëm, të dyja palët kishin arritur një marrëveshje”, tha Rod-Larsen, i cili kishte filluar të ndihmojë negociatat në vitin 1991 nën maskën e një projekti kërkimor për kushtet ekonomike të Gazës.

“Mund të vlerësoja një ndjenjë mosbesimi dhe emocione në anën tjetër të telefonit në Tunis”, tha ai.

Bisedimet e fshehta

Ministri i Jashtëm norvegjez, Johan Holst dhe Joel Singer, këshilltar ligjor i Ministrisë së Jashtme të Izraelit, gjithashtu ishin bashkuar në bisedimet e natës së gjatë.

Midis viteve 1991 dhe 1993, negociatorët izraelitë dhe palestinezë u takuan disa herë në Oslo dhe kryeqytetet e tjera botërore, nën mbulesën briliante të studimit të Gazës të siguruar nga Instituti i Shkencave Sociale të Aplikueshme (FAFO) të kryesuar nga Rod-Larsen.

Gruaja e tij Mona Juul, zyrtare në Ministrinë e Jashtme Norvegjeze, mori pjesë në këto bisedime në emër të qeverisë.

Disa ditë më vonë, Peres nënshkroi fshehurazi marrëveshjen me delegacionin palestinez në Oslo, para se Rabin dhe Arafat ta vulosnin atë publikisht në prani të presidentit amerikan Bill Clinton në Washington më 13 shtator 1993.

Në thelb, marrëveshja kërkonte tërheqjen e forcave izraelite nga Rripi i Gazës dhe Bregu Perëndimor dhe afirmonte të drejtën palestineze të vetëqeverisjes dhe krijimin e një Autoriteti Palestinez të Përkohshëm të Vetëqeverisjes, kryetar i së cilës do të ishte Arafati.

Por, marrëveshjet nuk kanë lënë çështje thelbësore si kufijtë, Kudsi, refugjatët, vendbanimet dhe siguria për fazën e fundit të negociatave të ardhshme.

Marrëveshja e Përkohshme për Bregun Perëndimor dhe Rripin e Gazës (Oslo 2) e nënshkruar më 28 shtator 1995 u dha palestinezëve të drejtën e vetëqeverisjes në Betlehem, Hebron, Jenin, Nablus, Qalqilya, Ramallah, Tulkarm dhe rreth 450 fshatra të tjera.

E vdekur dhe e varrosur

Pas atentatit ndaj kryeministrit Rabin në të njëjtin vit, Izraeli ndaloi dorëzimin e territoreve dhe pushtetin palestinezëve, apo vazhdimin me dispozitat e tjera kryesore të marrëveshjes.

Diplomati dhe politikani izraelit, Uri Savir i cili udhëhiqte ekipin negociator izraelit, tha se dobësia më e madhe e përpjekjes për paqe në Oslo ishte që mesazhi i saj nuk u përcoll aq sa duhet tek njerëzit.

Ai argumentoi se vendimmarrësit izraelitë dhe palestinezë shpesh reaguan ndaj kritikave të brendshme duke pohuar se diplomacia ishte mënyra më e mirë për arritjen e synimeve tradicionale politike: sigurinë për Izraelin dhe shtetësinë eventuale për palestinezët.

“Nuk kishte theks të mjaftueshëm për pajtim dhe madje edhe më pak vlerësim për dilemat e palës tjetër”, tha ai.

Por, më vonë, planet e qeverisë së re të Tel Avivit për aneksimin e më shumë se 30 për qind të Bregut Perëndimor të okupuar i dhanë goditje përfundimtare dhe fatale Marrëveshjeve të arritura në Oslo.

Prandaj, ishte vetëm çështje kohe që presidenti i Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas të njoftojë tërheqjen nga të gjitha dakordimet dhe marrëveshjet e sigurisë me Izraelin dhe SHBA-të, duke vënë gozhdën e fundit në arkivolin e këtyre marrëveshjeve.

“Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump urdhëroi ambasadën amerikane në Izrael të zhvendosej në Kuds, një veprim i paligjshëm sipas ligjit ndërkombëtar”, tha Imad Harb, drejtor i kërkimit në Qendrën Arabe në Washington (ACW).

“Ky akt përfundoi çdo ndërlidhje midis palestinezëve dhe SHBA-ve. Ai gjithashtu njohu aneksimin e paligjshëm të Izraelit të Lartësive Siriane të Golanit në vitin 1981”.

Ai tha se njoftimi i Abbasit mund të mos e shqetësojë administratën e Trumpit ose ta detyrojë Izraelin të ndryshojë kursin, por ka shanse që ajo të krijojë unitetin kombëtar në Palestinë.

“Ajo që mbetet për të bërë është që palestinezët të riafirmojnë prioritetin e unitetit kombëtar, të rindërtojnë institucionet e tyre, të zgjedhin udhëheqjen e re dhe të rishkruajnë veprimet e axhendës së tyre të çlirimit kombëtar”, tha ai për AA.

Në një program të përshtatur nga Këshilli think-tank i Marrëdhënieve me Jashtë të SHBA-ve, Martin Sean Indyk, ish-i dërguari amerikan në Izrael, tha se që nga marrja e pushtetit në maj të vitit 1996, qeveria izraelite e udhëhequr nga partia Likud e drejtuar nga kryeministri, Benjamin Netanyahu vazhdimisht ka ndërmarrë veprime të njëanshme të dizajnuara për të paracaktuar rezultatin e të paktën dy çështjeve që ishin rezervuar posaçërisht për fazën e statusit përfundimtar: vendbanimet dhe Kudsi.

Faktorët pas Oslos

Ekspertët rikujtojnë se frutet e negociatave në Oslo u mbollën vetëm një vit pas nënshkrimit të Marrëveshjes në Camp David nga presidenti egjiptian, Anwar Sadat dhe kryeministri izraelit, Menachem Beg më 17 shtator 1978, pas 12 ditë bisedimesh sekrete në vendpushimin presidencial amerikan.

Në vitin 1979, rezerva të mëdha të naftës u zbuluan përgjatë ujrave norvegjeze.

Shumë grupe të krishtera dhe hebreje ushtruan presion ndaj Norvegjisë për t’ia shitur këto rezerva Izraelit, pasi kombet arabe të pasura me naftë po privonin Tel Avivin nga kërkesat e saj për energji.

Pas revolucionit iranian të vitit 1979, furnizimet e energjisë në Izrael ishin tharë. Në Parlamentin norvegjez me 150 anëtarë, 86 deputetë formuan një grup të quajtur “Miqtë e Izraelit” për të lobuar për furnizimin e Izraelit me rezerva të naftës.

Por, kryeministri norvegjez, Odvar Nordli vendosi të këshillohet me vendet arabe, të cilat kundërshtuan idenë, duke argumentuar se do të ndikonte në prishjen e ekuilibrave dhe do ta bënte Izraelin edhe më rezistent ndaj çdo marrëveshjeje të paqes.

Arafati kishte një mendim tjetër dhe dëshironte që Nordli të negocionte furnizimet e naftës për ta sjellë Izraelin në tryezën e bisedimeve.

“Pra, ishte punë e vështirë prej 14 vjetësh që çoi në Marrëveshjen e Oslos”, tha Arvinn Eikeland Gadgil, ish-ministri norvegjez.

David Shlomo Rosen, ish-rabin kryesor i Irlandës dhe drejtor i Komitetit Hebre Amerikan, theksoi dy faktorë që e sollën Izraelin në tryezë.

Ai tha se lufta e vitit 1973 me Egjiptin kishte shkaktuar ndjenjën se Izraeli nuk ishte i pathyeshëm, ndjenjë kjo që u forcua më vonë në luftën e vitit 2006 me Libanin.

Gjithashtu, tha ai, hebrenjtë në të gjithë botën dëshironin kufij të përcaktuar dhe të vendosur të kombit të vetëm hebre, që rrota e historisë të mos fillonte të lëvizte në një drejtim të pafavorshëm.

“Gjithashtu u bë e qartë se zgjerimi përtej kufijve të Izraelit nuk ishte një opsion, pasi do të rriste popullsinë arabe dhe do t’i zvogëlonte hebrenjtë në një pakicë”, tha Rosen.

Sipas shifrave të regjistrimit, popullsia arabe brenda kufijve të Izraelit ishte 14 për qind në vitin 1967 ndërsa tani është rritur në 22 për qind.

Kostoja e paqes

Një nga faktorët kryesor që çoi Izraelin të hedhë marrëveshjen e paqes me palestinezët është se me kalimin e viteve ka pasur zbulime të mëdha të naftës dhe gazit përgjatë bregdetit lindor të Izraelit dhe Palestinës.

Izraeli, i cili nuk kishte burim uji në kohën e krijimit, tani furnizohet me ujë nga uzina e saj e shkripëzimit në Jordani.

Vendi shpërndan naftë dhe gaz në Jordani dhe Egjipt. 85 miliardë metra kub gaz me vlerë rreth 19.5 miliardë dollarë do të eksportohen në Kajro nga rezervat e kontrolluara nga Izraeli.

Izraeli po gërmon burime të mëdha energjetike nga fushat në det të hapur-Tamar dhe Leviathan rreth 100 kilometra larg Haifas.

Kombi hebre kontrollon 90 për qind të zonës ekonomike përgjatë bregdetit të Mesdheut, me rreth 21 trilionë metra kub gaz, të mjaftueshme për të përmbushur kërkesat e vendit për më shumë se 40 vjet.

Në rast se zbatohet formula me dy-shtete, Izraeli do të duhet t’i japë një pjesë të madhe të këtyre rezervave Palestinës.

Ekspertët besojnë se në vend që të kërkojnë ndihmë për palestinezët, komuniteti ndërkombëtar duhet t’i ndihmojë ata të vendosin kontroll dhe të fitojnë të drejtën e gërmimit në këto burime natyrore në Detin e Vdekur për t’i bërë ato të vetë-mbajtës.

“Hamasi nuk e pengoi paqen”

Tel Avivi dhe Perëndimi shpesh kanë fajësuar lëvizjen palestineze të rezistencës Hamas për minimin e Marrëveshjeve të Oslos duke mos përmbushur kushtet, si njohja e Izraelit.

Duke biseduar me shkrimtarin disa vjet më parë, udhëheqësi i Hamasit, Khalid Meshaal mohoi që organizata të kishte ngritur ndonjë pengesë në rrugën e paqes.

“Arafati dhe Abasi njohën Izraelin. Çfarë u ndodhi atyre? Nuk pati pengesa nga asnjë lëvizje të rezistencës. Për të arritur në një përfundim logjik, duhet të qëndroni të palëkundur drejt qëllimit tuaj. Por, kjo nuk do të thotë ngurtësi dhe jofleksibiltet”, tha ai.

Ai shtoi se Hamasi ishte i përkushtuar në Marrëveshjen Kombëtare të Palestinës të vitit 2006, e cila e ndalon atë të ndërhyjë në çfarëdo negociatë dhe thekson se çdo rezultat duhet t’i nënshtrohet referendumit.

Meshaal tha se historia dhe pasuritë e kombeve lëvizin si një rrotë, por nganjëherë ngadalë: “Deri sa situata të bëhet e favorshme, ju duhet të tregoni vendosmëri dhe përkushtim të fortë, të forconi veten dhe të bëni gjithnjë e më shumë aleatë”.

Planet izraelite të aneksimit, marrëveshja e ashtuquajtur e Trumpit dhe vdekja e Marrëveshjeve të Oslos, kanë dëshmuar edhe një herë se marrëveshjet midis të dobëtit dhe të fuqishmit nuk zgjasin shumë.

Paraqitet një nevojë gjithnjë e më e madhe se palestinezët, vendet islame dhe vendet paqeruajtëse të botës duhet të krijojnë një aleancë dhe të bashkohen duke përdorur fuqinë politike dhe ekonomike për të vendosur paqen në Lindjen e Mesme.

Faqet e ashpra të historisë nuk do t’i falin kurrë dhe do t’i kujtojë përgjithmonë si tiranë dhe bashkëpunëtorë.

Dështimet e kaluara, si mësim për marrëveshjen finale Kosovë – Serbi

Shkëlqim Hysenaj

Kosova dhe Serbia nisën një proces të bisedimeve qysh në vitin 2011, proces ky që filloi si teknik, për t’u shndërruar shumë shpejt në proces politik.

Pas disa vitesh takime e bisedime në Bruksel, marrëveshja e parë e parimeve që rregullon normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë u nënshkruar më 19 prill të vitit 2013.

Por që nga ajo kohë shumë pika të marrëveshjes nuk kanë gjetur zbatim.

Jeta Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se procesi i kaluar i dialogut, i ka lënë hapësirë palëve që të neglizhojnë zbatimin e marrëveshjeve.

“Iu është dhënë hapësirë të dyja palëve që t’i interpretojnë sipas mënyrës së tyre marrëveshjet. Kjo ka bërë që në fakt të kemi marrëveshje të cilat është e vështirë të zbatohen në terren”, thotë Krasniqi.

Sipas Krasniqit, marrëveshjet e arritura në procesin e kaluar të bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë, nuk e kanë pasur të përcaktuar mirë as statusin ligjor, gjë që i ka bërë të pazbatueshme.

“Marrëveshja e prillit është marrëveshje ndërkombëtare për Kosovën sepse është ratifikuar në kuvend, por nuk është e njëjtë edhe për Serbinë pasi nuk është ratifikuar në kuvend. Në fakt Gjykata Kushtetuese atje kishte thënë se është një dokument politik dhe prandaj nuk mund ta interpretonte në Serbi”, thotë Krasniqi.

Krasniqi thotë procesi i ardhshëm i bisedimeve, qoftë ai i mbështetur nga Bashkimi Evropian apo Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duhet t’i ketë të qartë objektivat dhe detyrimet finale për të dyja palët si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë.

Partnerët ndërkombëtarë të “përçarë” për dialogun Kosovë-Serbi

Përçarja e politikanëve në Kosovë, në raport me mënyrën e vazhdimit të bisedimeve, ka ndarë në dysh edhe partnerët ndërkombëtarë të Kosovës, thonë njohësit e proceseve politike.

Njohësja e zhvillimeve politike, Donika Emini, thotë për Radion Evropa e Lirë se do të jetë problematike që Kosova të kthehet ne tryezën e bisedimeve pa e qartësuar se çfarë dëshiron të nxjerrë nga ky proces.

“Kemi pasur tendencë që prej 2018-s që t’i ndajmë edhe partnerët strategjikë të Kosovës në raport me dialogun dhe besoj se pjesërisht kemi arritur ta bëjmë një gjë të tillë”, thotë Emini.

Fakti se BE-ja dhe SHBA-të nuk kanë mendim të përbashkët sa i takon bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë, sipas Eminit dëshmohet edhe me mosgatishmërinë e ambasadorit amerikan Richard Grenell që të diskutojë për këtë proces me përfaqësuesin special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

“Sot e kemi një SHBA e cila shumë pak komunikon me BE-në. Këtu po i referohem faktit që Lajçak ka shprehur interesim të diskutojë me Richard Grenellin për Kosovën, mirëpo ky i fundit nuk është se i është përgjigjur pozitivisht apo nuk ka qenë i entuziazmuar shumë për ta vazhduar apo ndërtuar këtë marrëdhënie apo koordinim”, tha Emini.

Përçarja e brendshme për dialogun

Rifillimi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë aktualisht duket i pamundur për shkak të dallimeve të mëdha mes spektrit politik në Kosovë.

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi është shprehur kundër faktit që në vazhdimin e bisedimeve rolin kryesor të ketë Bashkimi Evropian. Presidenti ka kundërshtuar edhe emërimin e Mirosllav Lajçakut si përfaqësues special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi.

Ndryshe nga presidenti Thaçi, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, është shprehur i gatshëm për bashkëpunim me përfaqësuesin special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Ndërmjetësimi amerikan solli dy marrëveshje

Negociatat mes Prishtinës dhe Beogradit kanë ngecur që nga nëntori i vitit 2018, kohë kjo kur Qeveria e kaluar e Kosovës e drejtuar nga ish-kryeministri Ramush Haradinaj vendosi tarifë prej 100 për qind për produktet me origjinë nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.

Përkundër mosmarrëveshjeve për shkak të taksës, nën ndërmjetësimin e ambasadorit amerikan në Gjermani, Richard Grenell, Kosova dhe Serbia nënshkruan dy marrëveshje, njëra për rihapjen e një linje ajrore Prishtinë-Beograd si dhe tjetra për funksionalizimin e linjave hekurudhore.

Kërkesë Twitterit: Fshini postimet e Presidentit Trump për gruan e vdekur

Bashkëshorti i një gruaje që vdiq rreth dy dekada më parë kërkon që të fshihen disa komente të presidentit në Twitter ku Presidenti Trump në mënyrë të përsëritur aludon se gruaja u vra nga shefi i saj, ish-ligjvënës republikan, i cili aktualisht është një kritik i ashpër i presidentit.

Inxhinieri Timothy Klausutis i tha shefit ekzekutiv të kompanisë Twitter, Jack Dorsey, se “persona që u fryjnë teorive konspirative, të cilat tani i ka përqafuar edhe Presidenti i SHBA, vazhdojnë të përhapin shpifje dhe dizinformim përmes platformës suaj duke njollosur kujtimin e gruas sime dhe të martesës sonë”.

“Kam një kërkesë të thjeshtë: Ju lutem fshini këto komente,” tha zoti Klausutis.

Kompania Twitter nuk ka premtuar se do të fshijë postimet e presidentit, por një zëdhënës tha të martën se ndjehet “shumë keq për dhimbjen që shkaktojnë komente të tilla dhe për vëmendjen që tërheqin dhe si ndikojnë tek familja”.

Twitter tha se “po punon të zgjerojë opsionet dhe politikat që t’iu përgjigjet në mënyrë më të efektshme problemeve të tilla në të ardhmen, me shpresën që ndryshimet do të jenë në funksionim së shpejti”.

Pas autopsisë në 2001, mjeku ligjor arriti në përfundimin se 28-vjeçarja Lori Klausutis, ndihmëse e ligjvënësit Joe Scarborough në një nga zyrat e tij në shtetin e Floridës, kishte probleme zemre që nuk diheshin deri pas vdekjes dhe kishte vdekur pasi ishte rrëzuar dhe kishte rënë me kokë mbi tavolinën e punës, kur ishte vetëm në zyrë.

Presidenti Trump gjatë periudhës para zgjedhjes si president, pat qenë i ftuar disa herë në emisionin televiziv që drejton ish-ligjvënësi Scarabough në rrjetin MSNBC, së bashku me bashkëshorten, Mika Brzezinski.

Por Presidenti Trump filloi të sulmonte dy prezantuesit pas kritikave që ata shprehnin ndaj tij në emision. Në 2017, për herë të parë presidenti aludoi se prezantuesi Scarabough kishte luajtur rol në vdekjen e ndihmëses së tij, megjithëse në momentin e vdekjes së saj ai ishte qindra kilometra larg në Uashington.

Por sapo u përhap lajmi se bashkëshorti i ndihmëses së vdekur kërkon fshirjen e komenteve nga Twitter, presidenti e përmendi përsëri rastin.

“Duhen rihapur hetimet kundër psikopatit Joe Scarborough; kjo nuk ishte ideja ime origjinale, ka katër vjet që përmendet, shumë para se ta thoja unë,” shkruan presidenti.

“Në 2016, kur Joe dhe gruaja e tij, e çmendur, që do të bëhet në të ardhmen, e divorcuara e tij, Mika, më bënin intervista pa fund. Gjatë intervistave gjithmonë më vinte në mendje pyetja nëse Joe i kishte bërë gjë vajzës”.

“Ndoshta, ndoshta jo, por Joe më duket komplet i lajthitur. E kam njohur mirë, shumë më mirë se shumë të tjerë. Ka shumë pyetje që kërkojnë përgjigje, pyetje të qarta. Nuk do t’i përmend këtu, por policia duhet t’i ngrejë këto pyetje.”.

Në fillim të muajit maj, Presidenti Trump postoi në Twitter “Kur do ta hapin hetimin kundër Psikopatit Joe Scarborough në Florida? Mos vërtetë po shpëton pasi bëri vrasje? Disa besojnë se po”.

Të shtunën e kaluar, presidenti postoi: “Ndoshta goditje në kokë? Trupi u gjet nën tavolinën e tij të punës. Ndoshta iku nga Kongresi papritur? Ka plot tema për të diskutuar. Ai është i lajthitur. Edhe emisionin e tij nuk e ndjek njeri. Gërmoni, vini në punë ato mendjet gjeniale të forensikës!”.

Të dielën, presidenti shkruante se kishte interes për këtë temë. “Një vajzë e re, që garonte në maratona, i bie papritur të fikët dhe përplas kokën në tavolinë? Mendoj se ka plot të fshehta në këtë histori. Ndoshta një marrëdhënie jashtë-martesore?”

I veji i viktimës Klausutis i tha shefit ekzekutiv të Twitterit “Ka pasur një shpërthim shpifjesh, të vërtetash gjysmake, aludimesh, teorish konspirative që nga dita kur ajo vdiq”. Por këto aludime po shtohen dhe po bëhen më të shëmtuara, shton ai.

“Jam inxhinier, jo jurist por i kam lexuar rregullat e Twitterit për përdoruesit. Postimet e presidentit aludojnë se Lori u vra, por ai nuk ofron prova dhe i kundërvihet raportit të mjekut ligjor. Po të kisha shkruar unë gjëra të tilla do të më kishin mbyllur llogarinë. Unë thjesht dua që të fshihen këto komente”.

“Bashkëshortja ime meriton trajtim më të mirë se ky,” tha zoti Klausutis.

Nuk dihet ende nëse shefi ekzekutiv i Twitterit është përgjigjur ndaj kërkesës. Mika Brzezinski ka bërë thirrje për përjashtimin e presidentit nga Twitteri. Ajo tha javën e kaluar në emision se po përpiqet të zhvillojë një bisedë me shefin ekzekutiv të Twitterit.

Presidenti Trump u ka fryrë edhe në të kaluarën teorive të diskredituara konspirative. Një prej tyre ishte se ish-presidenti Barak Obama kishte lindur në Kenia dhe jo në Havai dhe prandaj nuk kishte të drejtën të bëhej president. Kur konkurroi për president në 2016, Donald Trump pohoi se kishte qenë gabim.

Po ashtu ai pat thënë se kishte parë në lajme një grup myslimanësh të gëzuar që festonin në tarracën e ndërtesës në Nju Xhërsi për sulmet e 11 shtatorit 2001. Ende nuk është gjetur një klip lajmesh me pamje të tilla. zëri i amerikës

Analistët: vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk i jep fund krizës politike në Kosovë

Leonat Shehu

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur afat deri të premten për të publikuar vendimin rreth kushtetutshmërisë së dekretit të presidentit Hashim Thaçi për mandatarin e ri për formimin e qeverisë së vendit.

Ndonëse kjo javë po cilësohet vendimtare për situatën politike në vend, analistët thonë se vendimi i gjykaëts nuk do t’i jap fund krizës politike e cila sipas tyre ka zënë fill në vitin 2014 me vendimin e atëhershëm të Gjykatës Kushtetuese rreth formimit të qeverisë.

Analistja, Donika Emini, thotë për Zërin e Amerikës se pezullimi i dekretit të presidentit solli një qetësi artificiale.

Donika Emini

Donika Emini

“Ne jemi para një krize të paprecedentë politike, institucionale dhe kushtetuese, ka pasur presion ndaj Gjykatës Kushtetuese nga të dyja anët, janë sulmuar edhe anëtarë edhe përfaqësues të mediave kohëve të fundit pikërisht në lidhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe në lidhje hulumtimet apo diskutimet që janë bërë në media lidhur me këtë vendim, ka parti politike të cilat pa e parë vendimin veç se kanë shprehur një lloj mosbindje ndaj atij vendimi dhe kjo normalisht pritet ta thelloj edhe më tej krizën politike në Kosovë”, thotë zonja Emini.

Analisti, Albert Krasniqi thotë se vendimi i gjykatës do të përcaktojë se kush do të jetë në pushtet dhe rrjedhimisht është rritur ndjeshmëria ndaj këtij rasti.

Albert Krasniqi

Albert Krasniqi

“Çfarë po shohim gjatë kësaj periudhe është ushtruar një presion ndaj Gjykatës Kushtetuese ndaj palëve të përfshira në këtë rast mirëpo edhe ndaj disa mediave që kanë publikuar informatat të cilat në një mënyrë mundohen që të diskretitojnë legjitimitetin dhe integritetin profesional të gjyqtarëve dhe kështu që çfarë do vendimi që mund të merret nga kjo gjykatë mos të ketë atë përkrahjen e nevojshme”, tha zoti Krasniqi.

Të gjitha partitë politike përveç lëvizjes Vetëvendosje kanë kërkuar formimin e një qeverie të re ndërsa kanë theksuar se do të pranojnë çdo vendim të Gjykatës Kushtetuese. Lëvizja Vetëvendosje ndërkaq kërkon që vendi të shkoj në zgjedhje dhe sipas kryetarit të saj Albin Kurti, njëherëesh kryeminisytër në detyrë, ritheksoi sot se kjo lëvizje do ta respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, përderisa një gjë e tillë do të jetë interpretim i Kushtetutës.

“Unë pres prej gjykatës Kushtetuese në përputhje me nenin 112 të Kushtetutës së Kosovës që do të bëj interpretim të kushtetutës e jo shkrim të saj, as presidenti as kryeministri as Gjykata Kushtetuese nuk mund ta shkruajnë kushtetutën, ne duhet ta zbatojmë dhe respektojmë atë, gjykata Kushtetuese edhe ta interpretoj atë mirëpo ndryshim të kushtetutës, plotësim të kushtetutës, shkrim të kushtetutës mund të bëjnë vetëm me amendamente parlamentare në Kuvendin e Kosovës”, tha ai.

Sipas analistëve, vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk pritet që t’i jap fund polarizimit të skajshëm politik në Kosovë.

“Frika për destabilizim ka qëndruar gjatë gjithë kohës dhe besoj që pakënaqëshmëritë e partive politike ndaj Gjykatës Kushtetuese nuk do të sjellin veç krizë politike sepse atë e kemi, por një krizë shoqërore dhe destabilizim të vendit nëse veç nuk kemi një elitë politike të përgjegjshme që do t’i marr vendimet me qetësi dhe do të punoj së bashku për të tejkaluar këtë krizë”, tha zonja Emini.

“Sa do të prodhojë kjo efekte në tensionimin e situatës politike, situata veç se ka filluar të tensionohet edhe pa pasur një aktgjykim përfundimtar, përgatitjet ose testimet e protestave, thirrjet për zgjedhje gjitha këto na bëjnë të kuptojmë që vendimi nëse nuk do të jetë në favor të lëvizjes Vetëvendosje në veçanti do të ketë edhe një lloj të demonstrimit ndaj këtij aktgjykimi. Sa do të ketë potencial për të kaluar në tensione ose në një dhunë që do të përshkallëzoj në dhunë kjo mbetet të shihet por që nuk besoj se do të shohim skenarë që do të jenë të rrezikshëm dhe do të lëkundin gjithë sistemin në vend”, tha zoti Krasniqi.

Kosova mbeti me qeveri në detyrë në mes të pandemisë së kornavirusit dy muaj ma parë, kur u votua mocioni i mosbesimit i paraqitur nga Lidhja Demokratike e Kosovës për rrëzimin e qeve risë pjesë e koalicionit të saj me lëvizjen Vetëvendosje.

Yuri Kim, Orakulli i Delfit dhe shkatërrimi i Teatrit – Nga Fatos Lubonja

Cicërima gjithë ambiguitet e ambasadores amerikane, Yuri Kim, ku shprehej se qe e shqetësuar për ca thashetheme që qarkullonin për një marrëveshje të fshehtë (shqiptarësh), të cilët po sabotonin Reformën në Drejtësi, më kujtoi Orakullin e Delfit.

Për ata që nuk e dinë: në Orakullin e Delfit, persona të ndryshëm shkonin të merrnin përgjigje për hallet, problemet apo të ardhmen e tyre. Aty flisnin me ca priftëresha që u jepnin këtyre përgjigje pak si në tym – sipas një versioni pasi ato pinin gjithë kohës opium – por, ama, kjo ishte e llogaritur që pastaj priftërinjtë e mëdhenj me mjekër t’i interpretonin fjalët e tyre sipas interesave të pushtetit apo parasë që kishin te personat që shkonin atje.

Ndjesë ambasadores, por, me ardhjen e saj, ambasada ka filluar të flasë gjithnjë e më shumë me këtë gjuhën e priftëreshave të Delfit (më kujtohet p.sh. kur në protestën e Metës ajo u shpreh: “Nuk e kuptova se pse ishte atje flamuri amerikan”). Kësaj here, nga ky stil u frymëzua edhe prifti me mjekër, Edi Rama, që e interpretoi cicërimën e ambasadores me thënien e Shekspirit: “Ferri është bosh, djajtë janë të gjithë këtu”, që, e interpretuar drejt, sipas meje do të thotë se ambasadorja kërcënonte djajtë, d.m.th. kundërshtarët e tij, të cilët tashmë duhet të ishin në burg, se po vazhdonin t’i krijonin turbullira.

Meta, përkundrazi, e interpretoi duke thënë se fjala ishte për pengesat që po sjell Rama e të tijtë dhe nxori 14 pikat që ia ka dërguar që në prill ambasadës. Edhe Basha tha se ambasadorja e kishte me Ramën, i cili, me gjuhën e një deputeti, kishte kërkuar të shkapërceheshin apo ndryshoheshin ca nene të Kushtetutës. Por interpretimet u pasuruan edhe me skandalin Daci. Meqenëse ky bëri pis procesin e vetingut, ambasadorja, sipas këtij interpretimi, nxitoi të dënojë ndotësit për të mbajtur të pastër imazhin e Reformës (së suksesshme) në Drejtësi. Nuk mungoi as interpretimi se cicërima i drejtohej Edi Ramës, dora vetë, pasi amerikanët i kanë thënë të heqë dorë nga amnistia fiskale dhe ligji për legalizimin e kanabisit, që të dyja në favor të narkotrafikantëve, me të cilët po ndërton kullat, por ai u ka dalë për duarsh, nuk u bindet më.

Duke luajtur rolin e priftit me mjekër të Delfit, po jap edhe unë interpretimin tim. Sigurisht, ambasadorja nuk ka qenë nën efekte opiumi, por pa dyshim ia ka turbulluar pak gjendjen shpirtërore shkatërrimi në atë mënyrë i Teatrit Kombëtar nga beniamini i ambasadës, sheiku i Albanisë, Edi Rama. Kështu, meqë nuk mund të thoshte dot: “Ambasada amerikane mbështet shembjen e Teatrit Popullor”-sepse kjo do ta ulte në minimumin e vet historik reputacionin në rënie pikiatë të Ambasadës– zgjodhi të japë mesazhin: Teatri është një aksident i parëndësishëm, vazhdoni punën, merruni me Reformën në Drejtësi.

Pse e them këtë? Sepse të flasësh për Reformën në Drejtësi ditët kur është kryer një nga krimet më të ulëta, jo vetëm ndaj kulturës e identitetit shqiptar, por edhe ndaj drejtësisë dhe shtetit të së drejtës, është njëlloj sikur të inkurajosh mjekët që i ke paguar për të shëruar një pacient, të vazhdojnë të kërkojnë gjetjen e kurës, ndërkohë që këta, me vetëdije, e kanë vrarë pacientin dhe këtë e dinë të gjithë. Prandaj, për mua, fakti që Yuri Kim ka ardhur këtu me udhëzime të qarta që të mbështesë sheikun e Albanisë (për interesa amerikane dhe jo proceset demokratike e forcimin e shtetit e së drejtës), u provua edhe një herë me qëndrimin e Ambasadës ditën e shkatërrimit të Teatrit.

Pyetja shtrohet: pse e mbështesin amerikanët Edi Ramën? Sqaroj se kur them “amerikanët” nuk kam parasysh gjithë SHBA, por faktin fatkeq se ata që merren direkt me Shqipërinë nuk janë më shumë se 4-5 veta në Departamentin e Shtetit. Pra, kam parasysh këta dhe disa lobe rreth tyre. Deri te Lu-ja, që konsiderohej i administratës Obama, mbështetjen, deri në mbulimin me flamur amerikan të fushave me kanabis, e kemi shpjeguar me lidhjet e Ramës nëpërmjet Soros, me administratën e Klintonin etj..

E kemi shpjeguar edhe me gatishmërinë për të sjellë muxhahedinët, me harxhimet e trustit të kanabisit dhe kokainës për të promovuar imazhin e Kryeministrit artist vizionar, por edhe me një përçmim, që kanë thellë-thellë perëndimorët kur shohin sjelljen tonë prej hajdutësh pa pikë dinjiteti, që lëpijnë lart e pështyjnë poshtë, çka i bën të mendojë se shqiptarët kaq meritojnë: një sheik që luan solo pasi nuk janë në gjendje të luajnë muzikën e demokracisë me një orkestër. Disa nga këto arsye mbeten, por më duken si të pamjaftueshme po të kesh parasysh përshkallëzimin e pushtetit të krimit të organizuar në Albani. Prandaj, mua analiza më çon edhe në Kosovë.

Po të vesh re edhe atje, Kurti është pro-amerikan, siç është edhe opozita jonë pro amerikane, por ata nxituan ta rrëzojnë, megjithëse kohë pandemie, në favor të Thaçit. E pra, ka vetëm një gjë që i bën “antiamerikanë” si opozitën tonë, edhe Kurtin: ata janë kundër planeve për ndryshimin e kufijve, prandaj gjykoj se mbështetja e Ramës në Tiranë, ashtu sikurse ajo e Thaçit në Kosovë shpjegohet edhe me faktin se këta janë interlokutorët e zgjedhur për të kryer marrëveshjen e ndryshimit të kufijve në Kosovë. Qofsha i gabuar, koha do ta vërtetojë.

Me këtë nuk dua të them se, sapo të kryejnë këtë punë, do të heqin dorë prej Ramës dhe Thaçit. Këtë nuk e besoj siç nuk besoj as një version që qarkullon se amerikanët duan të përfundojë Reforma në Drejtësi me çdo kusht dhe, pastaj, i pari që do të bjerë në rrjetën e saj do të jetë sheiku i Albanisë, dora vetë. Kjo është një përrallë e bukur për ata që presin t’ua nxjerrin gështenjat nga zjarri të tjerët.

Sot për sot di të them se shembja e Teatrit në atë mënyrë, megjithë shembjet e tjera që ajo përmban, nuk është e mjaftueshme që “amerikanët” të heqin dorë nga mbështetja për sheikun e Albanisë. Atyre që presin të ndodhë kjo, pra, që t’ua heqë SHBA sheikun pro amerikan që po i dhunon, po u kujtoj se, në Vietnamin e Jugut, kur amerikanët, për interesat e tyre gjeopolitike, mbështesnin një tip të tillë si autokrati Diem, e lëshuan atë vetëm kur kundërshtarët e tij, vietnamezët budistë, filluan të protestojnë duke u djegur të gjallë në Sajgon dhe kur fotot e tyre bënë xhiron e botës, duke diskredituar mbështetjen amerikane për Diem. Dhe ç’është më e keqja, ata, me të cilët e zëvendësuan, nuk dolën më të mirë.

Shpresoj që mesazhi që jep kjo histori, të jetë më i qartë për shqiptarët sesa cicërima e ambasadores Kim.

Weber: Dialogu nuk nis para gushtit, e shtyjnë edhe zgjedhjet në Serbi

Zyra e Grenellit deklaron se po pritet vetëm Qeveria e re e Kosovës për t’iu rikthyer negociatave. Sipas analistit gjerman Bodo Weber, edhe zgjedhjet e qershorit në Serbi, mund të jenë një nga arsyet e vonimit të dialogut deri në gusht. Megjithatë, sipas analistit gjerman, Grenell synon që marrëveshja të arrihet para nëntorit për disa arsye.

Përveç në Kosovë, aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese po pritet edhe nga emisari i Trumpit për dialogun Kosovë – Serbi, Richard Grenell, zyra e të cilit ka thënë për Gazetën Express se dialogu do të rinisë sapo të formohet Qeveria e re në Kosovë.

Kushtetuesja po e trajton çështjen e mandatarit për formimin e Qeverisë, e aktgjykimi pritet të dalë deri më 29 maj. Nga ai varet fati i formimit të Qeverisë, të cilën po e pret Grenell.

Nga ana tjetër, në Serbi më 21 qershor do të mbahen zgjedhjet parlamentare, në të cilat garon edhe partia e Presidentit të atjeshëm Aleksandër Vuçiq. Analisti gjerman, Bodo Weber, thotë se këto zgjedhje janë një nga arsyet që, sipas tij vonojnë rinisjen e dialogut Kosovë – Serbi.

“Nuk jam i sigurt nëse Zyra e z. Grenell e pati specifikisht për rezultatin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, që pritet këtë javë, kur iu referua formimit të qeverisë. Unë do të thosha të presim për aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje të ngatërruar”.

“Çka do që të jetë, nëse dikush llogarit të gjithë rrethanat që ndikojnë në dialog – zgjidhja e votimit të mosbesimit, zgjedhjet në Serbi dhe masat ekzistuese për udhëtimet ndërkombëtare, për të mos folur për mosmarrëveshjet transatlantike mbi atë se kush e udhëheq dialogun – nuk e di se si do të mund të rinisnin bisedimet para gushtit”, ka

Zyra e Grenellit ka thënë javën e kaluar se nuk do ka të caktuar ndonjë afat për arritjen e marrëveshjes përfundimtare mes Kosovës e Serbisë. Weber thotë se nuk mund ta dijë nëse ka afat, por ai beson se Grenell do të provojë që t’i vinte fundit të bisedimeve mes dy shteteve para zgjedhjeve presidenciale në Amerikë.

“Nuk ka [afat të fundit për marrëveshje], por do të isha vërtetë i befasuar nëse Grenell nuk do të synonte të arrihet një marrëveshje para zgjedhjeve presidenciale të nëntorit në SHBA, sepse kush e di ku do të jetë Ballkani, Amerika dhe personalisht z. Grenell pas nëntorit”, ka thënë analisti gjerman.

Sipas Weberit, një marrëveshje e shpejtë – brenda muajve – do të mund të arrihej vetëm nëse do të përmbante shkëmbimin e territoreve.

“Por, për që të arrihet një marrëveshje “përfundimtare” këtë vit, para nëntorit, këtu është vetëm një mundësi – ajo që Grenell insiston vazhdimisht se nuk bisedon për të: një marrëveshje e shpejtë dhe false mbi shkëmbimin e territoreve. Edhe nëse një marrëveshje e tillë duhet të arrihet, atje, ajo kurrë nuk do të mund të zbatohet. Përkundrazi, do të çonte në destabilizim serioz të Kosovës, Serbisë dhe më gjerë në rajon”, ka thënë Grenell.

Zyra e Grenellit ka konfirmuar gjatë fundjavës, se ai, edhe pse po largohet nga pozita e ambasadorit të SHBA’së në Gjermani, do të mbetet i angazhuar në dialogun Kosovë – Serbi.

“Ambasadori Grenell mbetet si emisar i Presidentit, dhe ai po shikon të vazhdojë dialogun sapo të përcaktohet formimi i Qeverisë së re të Kosovës”, ka thënë zëdhënësi i Zyrës së Grenellit, Dick Custin, për Gazëtën Express.

Ndryshe, dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka pushuar nga nëntori i vitit 2018, kur ish-kryeministri Ramush Haradinaj vendosi tarifën ndaj produkteve serbe.

Kjo tarifë është hequr nga Qeveria e Albin Kurtit, për t’u zëvendësuar me reciprocitetin ndaj Serbisë, të cilën e ka kundërshtuar fuqishëm ambasadori Grenell.

Qeveria e Kurtit u rrëzua me mocion të partnerit qeveritar, LDK’së, me arsyen kryesore “rrezikimin e raporteve me Amerikën”, për shkak të mosbindjes së Kryeministrit ndaj ambasadorit Grenell, i cili ka marrë në dorë ndërmjetësimin mes Kosovës e Serbisë.

SHBA dhe BE për dialogun: Strategji të ndryshme për detyrën e njëjtë

Amra Zejneli-Loxha

Është shumë e rëndësishme dhe një hap i madh që dy ministrat e Jashtëm të Gjermanisë dhe Francës kanë përcaktuar koordinatat për rivendosjen e negociatave për marrëveshjen përfundimtare dhe gjithëpërfshirëse ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, tha për Radion Evropa Bodo Weber, ekspert për Ballkanin dhe bashkëpunëtor i lartë i Këshillit për Politika të Demokratizimit nga Berlini.

Deklarata i referohet një letre të hapur, të publikuar nga ministrat e Jashtëm të Gjermanisë dhe Francës më 23 maj.

Heiko Maas dhe Jean Yves Le Drian kanë deklaruar se para se të arrihet një marrëveshje, shumë çështje të hapura në mes të Kosovës dhe Serbisë duhet të zgjidhen.

“Nuk ka shkurtime ose zgjidhje të shpejta. Kërkohet një qasje serioze dhe negociata të strukturuara mirë me Bashkimin Evropian si ndërmjetës të sinqertë”, kanë thënë ministrat e Jashtëm të Gjermanisë dhe Francës.

Ministri i Jashtëm i Francës, Jean-Yves Le Drian, dhe ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Heiko Maas - foto arkivi.

Ministri i Jashtëm i Francës, Jean-Yves Le Drian, dhe ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Heiko Maas – foto arkivi.

“Unë e shoh këtë si një hap domethënës përpara dhe, tani e tutje, të gjithë duke filluar nga zoti Grenell [Richard Grenell, i dërguari special i presidentit amerikan për dialogun Kosovë-Serbi], partitë qeverisëse në Kosovë, madje edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, do të duhet të pozicionohen kundër këtij kuadri serioz të ekspozuar për rivendosjen e dialogut”, tha Weber.

“Ne kemi nevojë për angazhim më të fortë në ndërmjetësim dhe vendosmëri politike. Të dyja këto mund të priten nga Mirosllav Lajçak [përfaqësuesi special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi] dhe ekipi i tij, me mbështetjen e përfaqësuesit të lartë [të BE-së], Borell, si dhe të Berlinit dhe Parisit,” thuhet në letrën e hapur të ministrit gjerman dhe atij francez.

Sipas tyre, tani që Lajçak ka marrë detyrën, është koha për të rifilluar dialogun dhe Franca dhe Gjermania janë të gatshme t’i ofrojnë Lajçakut dhe ekipit të tij një mbështetje të fortë politike, diplomatike dhe ekonomike.

Qëllimi është të arrihet një marrëveshje e qëndrueshme, gjithëpërfshirëse dhe juridikisht detyruese në mes të Prishtinës dhe Beogradit, e cila rregullon të gjitha çështjet e hapura dhe kontribuon në stabilitetin rajonal.

Në letër, dy ministrat nuk përmendin bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në atë proces, do të thotë me të dërguarin special të presidentit amerikan për dialog, Richard Grenell. Weber tha se letra, në mënyrë jodirekte i referohet Grenellit.

“Është shumë indikative. Ajo letër iu referua disa proceseve politike që lidhen me veprimet e zotit Grenell dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Duke kritikuar se në një kohë pandemie nuk është koha për ndarje të brendshme, kjo pjesë është shumë thelbësore në letrën e ministrave – se nuk ka rregullime të shpejta, porse është e nevojshme një marrëveshje gjithëpërfshirëse për të zgjidhur të gjitha çështjet e pazgjidhura – indirekt iu referua shumë qartë veprimeve të zotit Grenell dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, tha Weber.

Nga zyra e Grenellit nuk kanë dashur të komentojnë për qëndrimet e ministrave të Jashtëm të Gjermanisë dhe Francës. Zëdhënësi i tij, Dick Custin, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se Grenell, pasi të tërhiqet si ambasador në Berlin, ai do të mbetet i dërguari i posaçëm i presidentit amerikan për dialogun Kosovë-Serbi dhe se ai “po pret për diskutimin e ardhshëm për dialogun, sapo të përcaktohet përbërja e qeverisë së (Kosovës)”.

Edward Joseph, pedagog në Universitetin Johns Hopkins në Uashington, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, tha se administrata e Donald Trumpit po përpiqet të arrijë një marrëveshje me çdo kusht para zgjedhjeve presidenciale në SHBA në nëntor, duke mos pasur shumë kujdes në përmbajtjen e asaj marrëveshjeje.

“Është e qartë se Grenell është me nxitim të madh. Ambasadori amerikan në Serbi e përshkroi atë me fjalë të shkurta si një ‘njeri shumë energjik’, gjë që është e pazakontë. Unë këtë e interpretoj si një burrë që dëshiron të arrijë një marrëveshje sa më shpejt që të jetë e mundur dhe me çdo kusht, pavarësisht nga cilësia e kësaj marrëveshjeje apo nëse është në interesin afatgjatë amerikan. Është shumë e rëndësishme të theksohet se a janë Grenell dhe ambicia politike e administratës së Trumpit në përputhje me interesat amerikane? Të them më saktë, ajo marrëveshje a do të çojë drejt stabilizimit apo drejt destabilizimit shtesë?”, tha Joseph.

“Angazhimi i deritanishëm i Grenellit pa Brukselin si partner do të thotë se Uashingtoni do të marrë përsipër barrën e zbatimit të asaj marrëveshjeje në rajon, në të cilën Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian janë angazhuar bashkërisht në zgjidhjen e të gjitha çështjeve të rëndësishme”, shtoi ai.

Bodo Weber tha se është e qartë se nuk ka bashkëpunim në mes të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian në lidhje me çështjet e negociatave për marrëveshjen përfundimtare dhe gjithëpërfshirëse në mes të Kosovës dhe Serbisë që nga emërimi i Grenellit si i dërguar special, në tetor të vitit 2019.

Sipas tij, minimi i rolit drejtues të BE-së në atë proces ka filluar me ”letrat e qëllimeve” në mes të Kosovës dhe Serbisë për krijimin e një linje ajrore dhe hekurudhore, si dhe për ndërtimin e autostradave, të cilat u arritën nën kujdesin e Grenellit, e në të cilat Bashkimi Evropian nuk ishte i përfshirë.

Ai shtoi se përkundër lidhjeve tradicionale në mes të Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ”kjo administratë e Trumpit nuk vepron aspak në frymën politike të administratave të mëparshme që mbështesnin pavarësinë e Kosovës”.

“Nëse me të vërtetë ekziston insistimi i liderëve politikë, të cilët do të marrin pushtetin në Kosovë, që administrata e Trumpit, përkatësisht zoti Grenell duhet të udhëheqë dialogun dhe jo Bashkimi Evropian, e në anën tjetër Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës [që aspirojnë të formojnë qeverinë e re] nuk e mbështesin shkëmbimin e territoreve apo ndarjen e Kosovës, mbetet të shihet se për çfarë shërben ky dialog paralel, i cili udhëhiqet nga zoti Grenell, a është i udhëhequr me të vërtetë nga interesat dhe motivet ekonomike?”, tha Weber.

“Në atë rast, kam frikë se ky dialog nuk do të çojë askund. Mosmarrëveshja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk mund të zgjidhet ekonomikisht, sepse nuk është një konflikt ekonomik. Nëse do të ngjallen dyshimet nga ana e akterëve politikë dhe analistëve se në negociatat e fshehta të Grenellt me dy presidentët është bërë edhe një përpjekje tjetër për të nxitur shkëmbimin e territoreve, unë mendoj se atëherë do të shohim një vjeshtë shumë të nxehtë politike”, tha Weber.

Të kujtojmë se kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar më parë se Grenell ishte përfshirë direkt në përmbysjen e qeverisë së tij më 25 mars, vetëm sepse “Grenell është në nxitim për të nënshkruar një marrëveshje me Serbinë” deri në shtator dhe se marrëveshja që Grenell kërkon përfshin shkëmbim territoresh.

Sidoqoftë, Grenell, menjëherë pas deklaratës së Kurtit, ka thënë se “nuk kishte asnjë bisedë për shkëmbim territoresh – nuk u diskutua në praninë time”.

Në anën tjëtër, në rolin kryesor amerikan në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë insiston presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili më parë ka deklaruar se, derisa Bashkimi Evropian dëshiron të marrë pjesë në proces, ai së pari duhet të heqë vizat për Kosovën.

Ai gjithashtu ka kundërshtuar emërimin e Lajçakut, duke thënë se ai nuk është i besueshëm për këtë proces.

Se kush do të udhëheqë dialogun në të ardhmen, për sa i përket Kosovës, varet nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese, i cili pritet të merret këtë javë.

Gjykata duhet të japë vendimin e saj nëse Avdullah Hoti nga Lidhja Demokratike e Kosovës, i caktuar si mandatar nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, mund të formojë qeverinë e re pas rënies së qeverisë Kurti me anë të votimit të mocionit të mosbesimit, më 25 mars.

Kurti beson se zgjedhjet e parakohshme janë e vetmja rrugë dhe se çdo formim i një qeverie, e cila nuk i ka fituar zgjedhjet, është antikushtetues.

Përgatiti: Donika Alihajdaraj

Weber: Berlini dhe Parisi do ta marrin rolin kryesor në dialogun Kosovë-Serbi

Analisti politik në Këshillin Gjerman për Demokratizim, Bodo Weber, ka thënë se paralajmërimi i Gjermanisë dhe Francës për përfshirje më të madhe në dialog s’duhet të interpretohet si thirrje për të rifilluar menjëherë negociatat.

“Artikulli është së pari një rekomandim i fortë nga Berlini dhe Parisi për ta marrë rolin kryesor në dialog, dhe për të theksuar se dialogu në të kaluarën ka qenë, dhe mbetet ai i udhëhequr nga BE-ja. Së dyti, fjalia më e rëndësishme për mua është insistimi se ‘nuk ka zgjidhje të shkurtra dhe rregullim të shpejtë”, ka thënë Weber

Në një opinion të botuar , ministri i Jashtëm francez, Jean-Yves Le Drian, dhe ai gjerman, Heiko Maas, kanë thënë se janë të vendosur që t’i zgjidhin të gjitha pengesat e mbetura mes Serbisë e Kosovës.

“Një qasje serioze kërkon negociata të strukturuara mirë, të thella, me BE-në si ndërmjetës luajalë. Nevojitet një ndërmjetësim më solid dhe vendosmëri politike – gjë që mund ta prisni nga Miroslav Lajçaku dhe ekipi i tij – me mbështetjen nga ana e përfaqësuesit të lartë Borrell, si dhe atë të Berlinit dhe Parisit”, kanë shkruar ata.

Weberi thotë se deklarata qartësisht i referohet frikës së ngritur ditëve të fundit, se nëse mund të ketë një shtytje të përtërirë për një rregullim të shpejtë dhe të rremë, “do të thotë marrëveshje për shkëmbimin e territoreve, para zgjedhjeve presidenciale të SHBA-së, në gusht-shtator”.

Analisti gjerman vlerëson se mund të paraqiten pengesa në përpjekjen për arritjen e marrëveshjes.

“Duke marrë parasysh skenarët e ndryshëm të mundshëm që lidhen me vendimin e ardhshëm të Gjykatës Kushtetuese për zgjidhjen e situatës pas votimit të mocionit të mosbesimit, nga njëra anë, dhe zgjedhjet parlamentare të qershorit në Serbi nga ana tjetër, një raund i ri i negociatave të Brukselit nuk mund të ndodhë para korrikut, me gushtin më realist”, ka thënë Ëeber.

Sipas tij, pengesat kryesore në njërën anë është performanca e të dërguarit amerikan Grenell, “që minon rolin kryesor të BE-së në negociata dhe krijon hapësirë manovruese për elitat politike në Kosovë që ndjekin synimet e brendshme politike, dhe nga ana tjetër konfuzionin e prodhuar nga BE-ja vetë në lidhje me vendosmërinë e saj për t’i udhëhequr negociatat për një marrëveshje përfundimtare, gjithëpërfshirëse bazuar në parimet dhe synimet që përbëjnë dialogun politik në vitet 2012-13”.

Weber thotë se BE-ja po përpiqet t’i japë fund qasjes armiqësore të Serbisë që kundërshton shtetësinë e Kosovës.

Grenell po pret qeverinë e re për të vazhduar sa më parë dialogu me Serbinë

Richard Grenell do të mbetet i dërguar i posaçëm i Presidentit Trump për dialogun Kosovë-Serbi, pas lajmit se ai do të tërhiqet nga pozita e ambasadorit të SHBA-së në Berlin, ka deklaruar zëdhënësi i tij, Dick Custin.

“Ai pret që dialogu të vazhdojë sa më parë, posa që të finalizohet krijimi i Qeverisë në Kosovë”, ka thënë Custin, për agjencinë serbe të lajmeve Tanjug.

Ambasadori amerikan në Berlin dhe Emisari Special i Presidentit Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell ka konfirmuar përmes llogarisë së tij në Twitter se po largohet nga pozita e ambasadorit në Gjermani.

Grenell ka postuar shkrimin e gazetës amerikane ‘Politico’ duke shkruar “E vërtetë” në llogarinë e tij në rrjetin social.

Në shtator të vitit 2017, Richard Grenell u emërua ambasador në Gjermani nga Presidenti Donald Trump.

Sipas informatave të agjencisë gjermane të lajmeve, DPA, 53-vjeçari do të tërhiqet shumë kohë para zgjedhjeve presidenciale në SHBA, më 3 nëntor. Robin Quinville, që ka qenë zëvendëse e Grenellit, pritet të marrë përsipër detyrat e tij

Ëndrra e presidentit vazhdon! – Nga Vjosa R. Osmani

Në prag të 24 Majit, Ditës së Presidentit, e inicuar si ditë presidenti nga vetë dr. Ibrahim Rugova, e kujtuam arkitektin e pavarësisë së Kosovës, ideatorin e shtetësisë së saj, njeriun e butë por këmbëngulës në vizionin e tij për ta realizuar ëndrrën e brezave për të jetuar të lirë.
U përkulëm para varrit të Presidentit historik, me kujtesën e freskët për njeriun, i cili na mësoi se këmbëngultësia në parime, sado e vështirë, është rruga e vetme për ta realizuar ëndrrën për shtet që i bën të dinjitetshëm qytetarët e vet dhe ua garanton atyre liritë qytetare; se ëndrra për t’i shërbyer me dinjitet vendit është më e madhe se moskuptimi, sharjet e sulmet nga ata që s’mund ta kuptojnë vizionin tuaj, madje edhe kur sulmoheni me bomba, sikur i ndodhi presidentit tonë, 16 vjet më parë.
Sot, vetura në të cilën ndodhej presidenti Rugova atë ditë, së bashku me veturat e tjera të eskortës së tij, gjinden në oborrin e Kuvendit të Kosovës, në mëshirë të fatit. Si kryetare e Kuvendit të Kosovës, do t’u propozoj institucioneve përgjegjëse që këtë veturë, e cila është pjesë e rëndësishme e historisë së Kosovës, ta marrin nën mbrojtje. Atë veturë nuk guxon ta mbulojë pluhuri i harresës. Ajo është dëshmi se duhet ta ruajmë kujtesën kolektive e jo të bëhemi pjesë e amnezisë kolektive. Është dëshmi se Presidenti nuk thyente parimet as kur përballej me bombat. Prandaj, ajo veturë duhet të jetë në muze, qoftë në Muzeun Kombëtar, qoftë në atë të Pavarësisë, sepse, sikur e gjithë veprimtaria e dr. Rugovës, ajo është dëshmi se vizioni për shtetin e pavarur, i prirë nga dashuria për vendin, është i pathyeshëm; se këmbëngulja për ta ndërtuar vendin është më e madhe se cilado pengesë dhe se kujtesa për lëvizjen për pavarësi është kujtesë për qenien tonë.
Ne do ta kujtojmë përherë presidentin Rugova si njeri stoik e si model të papërsëritshëm të politikanit, i cili ia dha politikës dimensionin më të çmuar të saj: atë human; e kujtojmë unifikuesin e jashtëzakonshëm të popullit të tij e përafruesin po kaq të madh të pikëpamjeve të ndryshme politike rreth vizionit për lirinë. Ai u ndihmoi shqiptarëve që ta krijonin lirinë e brendshme, si premisë mbi të cilën do ta realizonin lirinë fizike dhe kjo qe e arritur e jashtëzakonshme e tij dhe e lëvizjes që ai e udhëhoqi; e kujtojmë udhëheqësin shpirtëror të shqiptarëve, i cili vizionin e tij për Kosovën dhe çështjen shqiptare e shpalosi aq bindshëm nëpër kancelaritë botërore, sa krijoi ura miqësie gjithandej globit dhe e vulosi përfundimisht aleancën e qëndrueshme e të përhershme të shqiptarëve me qytetërimin e vendet e përëndimit. Këto, sikur dihet, ia mundësuan Kosovës që përfundimisht ta prekte ëndrrën për të jetuar e lirë, ëndërr që u bë realitet më 1999.
Ëndrra e presidentit vazhdon!