VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Le Figaro (1914)- Esat Pasha do të mundohet të bindë shqiptarët që të jetojnë në marrëdhënie të shkëlqyera me serbët

By | January 27, 2020

Komentet

La Croix (1912)- Shqiptarët protestojnë kundër burgosjes dhe shfarosjes së bashkatdhetarëve të tyre në Kosovë

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 17 Shkurt 2020

 

“La Croix” ka botuar, të premten e 15 nëntorit 1912, në faqen n°2, një shkrim në lidhje me protestën e shqiptarëve kundër kryeministrit serb Pashiq, si dhe reagimin e tyre kundër burgosjes dhe shfarosjes së bashkatdhetarëve të tyre në Kosovë, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

 

Protesta e shqiptarëve

 

Vjenë, 14 nëntor.

 

— Neue Freie Presse mori nga organizata kombëtare shqiptare shkresën e mëposhtme nëpërmjet Kataros (Kotorrit) :

 

Në emër të Shqipërisë, ne protestojmë kundër akuzave të rreme dhe ofendimeve të bëra nga z. Pashiq, President i Këshillit të Ministrave të Serbisë, ndaj Shqipërisë.

 

Shqiptarët protestojnë kundër burgosjes dhe shfarosjes së shqiptarëve në Vilajetin e Kosovës. Disa shqiptarë, të burgosur lufte, janë vrarë gjithashtu në fshehtësi.

 

Shqiptarët nuk do të lejojnë kurrë copëtimin e vendit të tyre. Në rast të kundërt, ata do të zgjedhin vdekjen.

 

Tre milionë shqiptarë kërkojnë ndihmën e Evropës së civilizuar dhe të diplomacisë për të ruajtur lirinë dhe integritetin e territorit të tyre.

 

Gëzuar 12 vjetorin e pavarësisë Kosovë !” – Aurenc Bebja, Francë

Përplasja Enver-Mehmet në Byronë Politike (II) – Nga Fitim Çaushi

Fitim Çaushi

Si u diskutua në Byro takimi i Mehmetit me ambasadorin sovjetik dhe qëndrimi i Enverit. Si diskutuan Hysni Kapo, Gogo Nushi, Manush Myftiu, Pilo Peristeri dhe Spiro Koleka në Byro. Autokritika e Mehmetit…

 (Vijon nga numri i kaluar)

Për të siguruar një farë mbrojtje, Shehu përsërit të kaluarën e tij luftarake: “E çova çështjen tek Levinçkini, jo drejt, por në prizmin personal, duke i bërë elozhe vetes për të kaluarën time luftarake dhe iu luta shokut Levinçkin që në baza internacionaliste të influenconte tek shoku Enver për të forcuar besimin e shokut Enver kundrejt meje dhe për të më ndihmuar që të dilja nga ajo situatë.”( AQRSH F, 14APOU, d. 5, f. 237-251)

Bisedimi me Levinçkinin më qetësoi deri diku, prandaj pas këtij takimi mendova të vete apo jo… tek Shoku Enver? Në takimin e dytë Levinçkini më tha “pse të mos e shtrosh me shokun Enver, nuk ke arsye ta lësh kaq gjatë, mund të bisedosh më parë, se të bëni analizën në Ministrinë e Brendshme. Atëherë bisedova që të nesërmen me shokun  Enver.”( AQRSH F.14/APOU, d. 5, f.. 237-251)

Nuk ka dyshim se Levinçkini e ka siguruar Shehun se Enver Hoxha nuk do ta shtronte problemin politikisht, do ta analizonte si problem karakteri. Këtu ka një problem të madh parimor: Në autokritikat e tij, Shehu përbetohet se “Unë kam patur kurdoherë respekt të plotë e besim absolut tek shoku Enver. Kundërshtime pikëpamjesh me karakter parimor midis mje dhe shokut Enver nuk ka pasur kurrë. Marrëdhëniet tona kanë qenë kurdoherë të shëndosha, kanë qenë marrëdhënie partie. Rrahja e mendimeve midis meje e shokut Enver ka qenë kurdoherë pozitive, për të mirën e punës e të Partisë. Asnjëherë nuk ka pasur midis nesh grindje personale.”( AQRSH F.14/APOU, d.32, f. 2-3)

Përderisa Shehu kishte një besim dhe vlerësim absolut tek Enver Hoxha, përse denoncimin e Sokrat Bufit nuk e përfshiu në praktikën e tij të zakonshme; rrahjen e mendimeve me Enver Hoxhën, por shkoi i rrahu mendimet me Levinçkinin? A mundet që për një ftohje, në dukje, një anëtar i Byrosë Politike, probleme kaq delikate, t’ia përcjell një udhëheqjeje të huaj? Përse nuk e kërkoi ndihmën më parë tek Enver Hoxha dhe nëse nuk gjente mirëkuptimin e tij, të shkonte edhe tek Levinçkini? Shehu ka një frikë të madhe nga ballafaqimi me Enver Hoxhën… ndodhur në gjendje të rrezikuar dhe të alarmuar, Shehu përdor gruan e tij, Fiqretin, për të tatuar pulsin e Enver Hoxhës: “Të nesërmen Fiqreti kërkoi të takohej me shokun Enver herët në mëngjes dhe i raportoi çqetësimin tim të tmerrshëm, duke kërkuar skjarime nga shoku Enver, se nuk kuptonte asgjë ç’kishte ndodhur me mua. Shoku Enver i shpjegoi Fiqiretit çështjen dhe e këshilloi të më ndihmonte të dilja nga ato pozita të gabuara. Deri atëhere nuk i kisha thënë Fiqiretit as një gjysëm fjale.“( AQRSH F.14/APOU, d. 5, f. 237-251)

A mund të besojë ish shefi i zbulimit, nga eksperienca e tij, se Shehu nuk i kishte thënë gruas së tij, anëtares së KQPPSH, as një fjalë për një letër që shkruhej për një problem të paqenë, për një shpifje ordinere, të pavlerë? Kaq frikë kishte ministri i Brendshëm nga shpifje të pa dokumentuara, sa të përjetonte gjendje të tmerrëshme shpirtërore dhe të fshihej edhe nga bashkëshortja, pjesë e udhëheheqjes së lartë të Partisë?! Pse Shehu shkoi tek Levinçkini dhe jo tek shokët e tjerë të Byrosë? Nuk kishte Shehu një shok besnik në Byro, të paktën tek Hysni Kapo, për ta konsultuar me të problemin e një “shpifjeje” që s’përmante asgjë të vërtetë? Si pati guximin dhe u afrua përsëri me shokët, ndërkohë që i kishte injoruar?!            

Ndoshta ekspertë të zbulimit, si z. Perlat, mund ta kuptojnë, se ishte frika që nuk e la Shehun të kuptonte, se ku po shkonte. Ai po e autodemaskonte veten me veprimet e pakontrolluara. Pas arrogancës së Shehut në takimin me Enver Hoxhën për ta burgosur medoemos Sokrat Bufin, çështja shtrohet për diskutim në Byronë Politike:

Pilo Peristeri: -Ku bazohej Mehmeti që kish humbur besimi i shokëve për të, pse i lindën këto dyshime pikërisht në këtë kohë?… Shoku Enver e ka vlerësuar Mehmetin me të drejtë. Mehmeti nuk ka pasur arsye të thosh, se shoku Enver nuk ka besim tek unë. Shoku Enver drejtë e ka çmuar Mehmetin, prandaj çuditem se si nuk e ka parë edhe këtë anë të Mehmeti!

Gogo Nushi: – Kur vajte për herën e parë tek Levinçkini, ai të këshilloi që për këtë çështje të fliste me komandantin. Atëhere përse e zgjate kaq shumë çështjen e të shtruarit  të këtij problemi me shokun Enver?

Hysni Kapo: – Është ashtu siç ka thënë shoku Enver, se byroja Politike ka pasur besim të patundur dhe kurrë nuk i është lëkundur besimi për Mehmetin. Vendi ku duhet të hapte zemrën shoku Mehmet, ishte Byroja Politike dhe Sekretari i Përgjithshëm i Partisë…Unë mendoj, se shoku Mehmet nuk e ha hiç kritikën, ka besim të tepruar në veten e tij…Një e metë e tij është edhe gjaknxehtësia. Ka raste, si në mbledhjen e KQ,, thotë për Spiron: “ti kapitullove”, ose për Manushin ka thënë “të përjashtohet nga KQ”. Ka edhe shprehje të tjera…nuk është mbajtur qëndrim nga ne, për shprehje të papërshtatshme të shokut Mehmet….Çështjet që u shtruan përbëjnë një faj të rëndë nga ana e shokut Mehmet, që po ta shohim në parim prek unitetin e Partisë. Ky faj është veçanërisht i rëndë, kur bëhet nga Mehmeti që është një shok udhëheqës i Partisë...po të shohim gabimet në të cilat ra Mehmeti, të shohim edhe mbeturinat e tij dhe, si iu shfaqën këto në këtë rast, mendoj, se këto ia mundën përgatitjen që ka.”( AQRSH F.14, APOU, d.32, f.21-78)

Gogo Nushi: – Përveç të metave që ka Ministria e Brendshme, Mehmeti ka edhe mjaft të meta nga ana personale, sidomos shprehje jo të mira. Mua më ka thënë në mes të 20 vetave, “ty të tërheqin nga hundët”. Unë mund të kisha edhe gabime, po një shprehje e tillë nuk i drejtohet një shoku. Manushit në mbledhje i thotë: “ti je dembel i madh”. Mehmeti nuk ka bërë gabim që ka shkuar tek Levinçkini, por gabimi i tij është që nuk erdhi njëkohësisht t’ia thosh këtë hall edhe partisë së tij  dhe shokut Enver.

Spiro Koleka: – Ne akoma nuk e gëlltisim mirë kontrollin e partisë. Unë këtu e gjej edhe vonesën e shokut Mehmet. Çështjet kryesore të kontrollit të partisë, ne duhet t’i forcojmë jashtëzakonisht në Byro për të gjithë sektorët. Shoku Enver e quajti me vend ta thërrasi disa herë shokun Mehmet dhe ta këshillojë të thellohet. Mehmeti duhet ta kishte kërkuar vetë një gjë të tillë nga shoku Enver dhe Byroja…Shoku Enver ka pasur durim të jashtzakonshëm, duke e ndihmuar Mehmetin, me këtë rast, na jep edhe neve një mësim të madh. Edhe gjykimi i çështjes së Sokrat Bufit ka qenë i drejtë…Takti i drejtë i shokut Enver e ka sjellë shokun Mehmet në rrugë të drejtë. Kuadrin duhet ta shohim mirë, është kapitali më i çmuar për partinë. Shprehjet e papërshtatshme për shokët, nuk vijnë vetëm nga gjaknxehtësia, por edhe nga nënvleftësimi i të tjerëve.

Manush Myftiu: – Mund të ketë demokraci dhe kolegjialitet në udhëheqje në rast se të gjithë njerëzit e ndjejnë veten njëlloj. Por shoku Mehmet nuk e ka ndierë veten njëlloj si gjithë shokët e tjerë këtu dhe për këtë unë kam vërejtjet e mia… Nga ana e tij nuk ka përpjekje për t’i afruar kuadrot e partisë…Unë vete tek shoku Enver pa ndrojtje, fare i lirë, pa le me shokët e tjerë. Shoku Mehmet ka një të folur të tillë që nuk e afrojnë atë me shokët, e sidomos me anëtarët e thjeshtë të partisë. Për shokun Mehmet kam pasur dhe kam respekt, por për punë nuk më pëlqen të vete tek ai...Duhet të mësojmë shumë nga qëndrimi i shokut Enver që i gjykon çështjet jo në mënyrë subjektive. Ai kujdeset që të shkojë mirë puna e Partisë…ka bërë edhe autokritikë për të na dhënë shembull, aq sa unë kam thënë, që e ka ekzagjeruar.”( AQRSH F.14/APOU, d. 34 f. 110-129)

Nga kjo panoramë që sjellin anëtarët e Byrosë Politike në këtë analizë, bindemi, se sa i molepsur paska qenë Mehmet Shehu në karakterin e tij dhe në metodat për t’i nënshtruar anëtarët e tjerë të Byrosë Politike, me synimin për të nënshtruar edhe Enver Hoxhën. Analiza e Byrosë Politike e ka shfryrë Shehun si një tullumbace dhe ballafaqoi karakterin e tij agresiv përpara një forumi, ku duhet të ishte i barabartë mes të barabartëve. Lind pyetja: pse kjo tentativë primitive e Shehut, ndaj shokëve të tij të idealit?! Çështje karakteri apo qëllim afirmimi për të dominuar situatën në Byro dhe për të zëvendësuar Enver Hoxhën? Përse Shehu nuk ka dashuri për shokët e Partisë, por ka parapëlqyer urdhrat, si në një parti të tipit borgjez?                              

Enver Hoxha me shumë takt dhe durim e trajton Mehmet Shehun si një shok besnik, por me praktika që bien ndesh me normat e Partisë. Duke theksuar rrugën parimore, nëpër të cilën duhet të ecnin të gjithë anëtarët e Byrosë Politike pa përjashtim, me shumë mençuri Enver Hoxha i orienton Shehut një shteg për daljen nga gracka që i ngriti vetes me propozimin për arrestimin e Sokrat Bufit. Ai e orienton shtegun e shpëtimit brenda veçorive psikologjike të karakterit të Shehut, tek mbeturinat mikroborgjeze në ndërgjegjen e tij, kjo nuk ishte e rastit:

“Duke filluar që nga Mehmeti, duhet të krijojmë një ambient të ngrohtë për popullin dhe anëtarët e Partisë, të jenë të thjeshtë, të dashur, të drejtë….Ka shumë çështje për të shtruar, psh, për zbatimin e vijës së partisë në organet e punëve të brendshme, për disiplinën etj. Këto çështje dhe të tjera mund t’i ngrinim në Byro dhe si të merreshin në shqyrtim, ta kritikonim Mehmetin për dobësitë dhe të metat dhe të ndreqeshin punët… Kur unë i thashë Mehmetit të shihte, se mos kishte gjëra të tjera, e kisha hallin tek mbeturinat mikroborgjeze, ato kanë qenë arsyet që e bënë Mehmetin në një moment të jetës së tij revolucionare, të gabojë dhe në fakt gaboi.”( AQRSH F.14/APOU, d. 32, f. 73-76)

Me këtë taktikë të Enver Hoxhës, Mehmet Shehut iu hap shtegu i daljes dhe ai, si i ndier fajtor ligjëron: “Duke mos e treksuar si duhet kritikën për këto të meta që ishin zbuluar e po zbuloheshin në punën e organeve të Ministrisë së Brendshe që unë drejtoj, i ndrydhur në sedrën mikroborgjeze të prekjes nga kritika, fillova të preokupohesha edhe nga kjo anë…Gjatë kësaj periudhe unë jetoj një periudhë preokupacioni kontradiktor e nervorizmi të ekzaltuar… Kjo ka qenë një periudhë preokupacioni kontradiktor e nervorizmi, sepse unë ndodhesha para nevojës e interesit të partisë për t’i zbuluar gjer në rrënjë të metat e organeve që unë drejtoja nga një anë dhe nga ana tjetër në të njëtën kohë, ndodhesha edhe para sedrës personale mikroborgjeze që prekej nga kritika e gabimeve e të metave.

Kur ishte krijuar tek unë një situatë e tillë nervozizmi e preokupacioni kontradiktor, u informova nga shoku Enver mbi çështjen e Sokrat Bufit, i cili kishte ngritur para KQ, se gjoja dyshonte shumë tek unë si “karrierist” e njeri që do t’i zerë vendin shokut Enver, si “provokator”, etj. Mbasi unë arrita në konkluzionin e gabuar, se çështja e Sokrat Bufit po “zvarritej”, gjoja sepse besimi i Sekretariatit dhe i shokut Enver ishin lëkundur, unë rashë në kontradikta të tmerrëshme, nga një anë ishte konkluzioni im i gabuar, nga ana tjetër ishte besimi im i plotë kundrejtë partisë, sekretariatit dhe Shokut Enver, dmth, që besimi im ndaj udhëheqjes së Partisë dhe shokut Enver ishte i plotë, i patundur, në një kohë kur besimi i tyre kundrejt meje qenkësh lëkundur. Kjo qe pozita më e kalbur që rashë unë. Kjo ishte përkulja ime para presionit dhe influencës së mbeturinave mikroborgjeze në ndërgjegjen time.”( AQRSH F.14/APOU, d. 5, f. 237-251)

Kaq të paarsyeshëm dhe mosmirënjohës të kenë qenë shokët e Sekretariatit dhe Enver Hoxha, sa t’u lëkundej besimi pa asnjë shkak tek Mehmet Shehu?! Për të qenë më i besueshëm, gjithmonë brenda shtratit të natyrës trashëgimtare, Shehu “bombardon” me fraza të natyrës psikologjike: “Një konkluzion i tillë i gabuar mikroborgjez dhe jo marksist, më vuri mua, për një kohë në kondita të vështira moralo-psikologjike, vuaja tmerrësisht nga ana shpirtërore. Kështu u ndrydha brenda vetvetes, për disa ditë jetoja në vetvete, një luftë e tmershme bëhej në ndërgjegjen time, sepse çështjet i shikoja me gjyslykët e mikroborgjezit…”( AQRSH F.14/APOU, d..5  f. 237-251)

Mehmet Shehu është i vëmendshëm t’i justifikojë këto devijime me majtizmin e tij të theksuar: “Unë duhet të tregoj kujdes të veçantë kundrejt rrezikut të majtizmit, që lehtë mund të çfaqet tek unë, pa nënvleftësuar edhe rrezikun e gabimeve që burojnë nga e djathta. Unë jam më i predispozuar që të bie në gabime me karakter sektarizmi, ekstremizmi të majtë, se sa në gabime me karakter liberalizmi ose  oportunizmi.”( AQRSH F.14/APOU, d. 5. f. 251)

Shehu e di, se gabimet oportuniste, të djathta, të çojnë në tradhti, ndërsa veprimet sektare, të majta, dëshmojnë për një revolucionarizim të tepruar. Përse Shehu duhet të bënte zhbirime dhe psikoanaliza kaq të rënda të ndërgjegjes së tij, nëse ishte i sigurtë, se nuk kishte qëllime sfiduese ndaj Enver Hoxhës dhe vijës politike të Partisë? Përse duhej të dyshonte aq rëndë dhe të tmerrohej aq shumë, ndërkohë që Byroja Politike mbante një qëndrim konstant ndaj kuadrove dhe përpiqej t’i ndreqte kuadrot e saj?    

Enver Hoxha përdori një taktikë të zbutur, një durim të admirueshëm, në shpjegimet që i kishte dhënë Shehut: “Këtu ne jemi për të ndihmuar shoqi-shoqin dhe asnjë nga ne, nuk mund të mendojë, se nuk mund të kritikohemi. I kam thënë edhe herë të tjera Mehmetit, se punonjësit e Ministrisë së Punëve të Brendshme,  duhet të jenë më parë njerëz partije, e pastaj punëtorë të sigurimit. Unë e ndihmova Mehmetin dhe nuk bëra veçse detyrën si komunist dhe si Sekretar i Përgjithshëm i Partisë.

Edhe Mehmeti duhet të jetë modest, vlerat e tij, luftën e tij, ia njeh Partia dhe nuk është mirë për një komunist të thotë se “unë kam luftuar, unë kam dhënë kaq për partinë, që kam shpëtuar Shtabin e Përgjithshëm me Brigadën e Parë” etj. Këto që ka bërë Mehmeti nuk janë gjë tjetër veçse detyra që ai ka kryer si një anëtar i mirë i Partisë. ( AQRSH F.14/APOU, d. 32, f.21-55)

Unë kam bindjen se kjo mbledhje që bëmë ka rëndësi të madhe historike për partinë tonë, jo vetëm, se gaboi Mehmeti dhe gabimet mund të kishin një pasojë të rëndë politike, porse gabimi i tij u bë shkak që në Byronë tonë Politike të ngremë çështje të një platforme të tillë që e forcojnë Byronë akoma më shumë dhe këtë frymë luftarake ne duhet t’ia japim gjithë partisë. Përsa i përket qëndrimit karshi kolegjialitetit, kritikës dhe autokritikës, duhet të forcohemi akoma më shumë…Suksesi që këto gabime të rëndësishme të Mehmetit u zgjidhën me kaq lehtësi, është me rëndësi dhe tregon, se uniteti i udhëheqjes sonë është i shëndoshë…Çështja e kolegjialiteti lot një rol shumë të madh, prandaj të luftojmë dhe ta vëmë në jetë këtë parim të madh. Unë kam pasur kurdoherë parasysh dhe kam propozuar, që vendimet të merren në mënyrë kolegjiale...Është shumë rrezik që ata shokë që janë ngarkuar me sektorë specialë, përveç sektorëve ekonomikë, t’i shpëtojnë kontrollit të Partisë. Një nga ata jam edhe unë si Sekretar i Përgjithshëm dhe Kryeministër. Gjer sa unë kam detyrat dhe kopetencat e mija që vendimet që merren këtu dhe në qeveri në mënyrë kolegjiale, kam përgjegjësi dhe duhet të kontrolloj zbatimin e atyre vendimeve nga shokët që janë ngarkuar t’i zbatojnë ato vendime. Unë duhet të kem kontakte të vazhdueshme me shokët e udhëheqjes së partisë dhe të qeverisë, t’i kontrolloj dhe t’i ndihmoj ata, se, si i zbatojnë detyrat.( AQRSH F.14/APOU, d.32, f. 63-68) Gjithseicili nga anëtarët e Byrosë ka kompetenca dhe inisiativë të plotë për zgjidhjen e problemeve, por vetëm brenda vendimeve të KQ, të Byrosë Politike dhe të qeverisë dhe kjo në frymën e vendimeve kolegjiale. Jashtë këtij kuadri, çdo tentativë do të quhet punë armiqësore. “(AQRSH F.14/APOU, d. 32, f. 21-55)

Me këtë konkluzion të Enver Hoxhës, Shehut i kufizohej mjaft hapësira për të urdhëruar me vend e pa vend, për t’iu imponuar arbitrarisht shokëve të Byrosë Politike dhe KQ, e ca më pak për të pasur mundësi të manovronte kundër Enver Hoxhës, i cili ishte pengesë për ekspozimin dhe realizimin e qëllimeve të tij të fshehta. Në përfundim të fjalës përmbyllëse, Enver Hoxha shpreh dashamirësinë e tij ndaj Shehut: “Mendoj se shoku Mehmet e ka të mjaftë një kritikë që i bëmë këtu…Jam i mendimit, se kjo punë që bëmë mbrëmë dhe sonte është një masë e madhe edukative për Mehmetin gjersa ky e realizoi këtë gabim menjëherë dhe bëri një autokritikë marksiste, prandaj dënimi vjen në radhë të dytë. Përsa i përket qenies së Mehmetit në Byronë Politike, as që e vë në diskutim dhe me këtë besoj, se shpreh mendimin e të gjithë shokëve…Në çështjen e parë që do t’i paraqesim plenumit, Mehmeti mund të bëjë autokritikë dhe të bëhet kështu një mësim e një shembull për të gjithë anëtarët e KQ.”( AQRSH F.14/APOU, d. 32, f. 19) Kisha edhe një kërkesë tjetër, sikurse e dini kam një vit pa bërë pushim, po të më lejoni mund të bëj 15 ditë pushim në Korçë, …zëvendësimi im këtu dhe në qeveri, të bëhet nga Mehmeti.”( AQRSH F.14/APOU, d. 32, f. 20)

Me këtë konkluzion, Enver Hoxha e ndihmonte Shehun të dilte nga komplekset torturuese të brendshme dhe i tregonte atij dhe tërë anëtarëve të Byrosë, se ai ishte një udhëheqës parimor, që nuk nisej nga pozita personale, edhe nëse i rrezikohej posti nga Shehu apo nga ndonjë tjetër. Për Enver Hoxhën rëndësi kishte kolegjialiteti dhe besimi tek shokët e udhëheqjes, si e vetmja mundësi për të përparuar vendin dhe për të thyer çdo tentativë të armiqve të jashtëm apo të brendshëm, për të përmbysur pushtetin popullor.

Vlerësimet e Mehmet Shehut për Enver Hoxhën në Byronë Politike dhe në Plenumin e dhjetorit 1953, kanë qenë me superlativa: “Përpara se të shtrojë konkluzionet e tij shoku Enver, më lejoni të flasë edhe një herë. Unë them se analiza që i bënë shokët e Byrosë Politike kësaj çështjeje e konsideroj, si një zgjidhje të drejtë, marksiste. (AQRSH F.14, APOU, d. 32, f. 4-20) Ky që kam bërë unë është sigurisht një faj i rëndë, por fundi shyqyr që u transformua në një mësim për mua. Po të ishte koka e Mehmetit mbi supet e Enver Hoxhës, unë do ta kisha vrarë Mehmetin…Durimi i madh në çështjen e kuadrit që karakterizon shokun Enver, kujdesi jashtëzakonisht i madh dhe maturia në trajtimin dhe zgjidhjen e çështjes sime, ka qenë një shkollë  jashtëzakonisht e madhe për mua…Unë ia di për falënderje shokut Enver dhe e gjykoj zgjidhjen e kësaj çështjeje si një çlirim dhe shpëtim.”( AQRSH F.14?APOU, d. 32,  f. 2-52)

Kuptuar kështu, në se nuk do të ishte Enver Hoxha, koka e Shehut do të kishte vrarë gjithseicilin nga anëtarët e tjerë të Byrosë Politike! “Shkaqet e gabimeve dhe të metat, unë duhet t’i kërkoj në karakterin tim personal, në temperamentin impulsiv, në sedrën mikroborgjeze, fodullëkun dhe besimin e tepruar në vet-vete...Tek unë ka mjaft mbeturina mikroborgjeze, të cilat, duke mos u luftuar sistematikisht nga kritika dhe autokritika, në një moment të caktuar m’u çfaqën tek unë të theksuara,  m’u “pleksën” si ferra pas këmbës, dhe më penguan e më rrëzuan për një çast. “(AQRSH F.14APOU, d. 5,  f. 237-251)

Shehu pranon, se mjaft mbeturina mikroborgjeze, iu çfaqën në një moment të caktuar dhe ky moment ishte denoncimi i Sokrat Bufit. Përse pikërisht denoncimi i Sokrat Bufit, ia shfaqi të theksuara mbeturinat mikroborgjeze, kontradiksionin, tmerrin, ankthin psikologjik, rrezikshmërinë? Çfarë kishte të veçantë ky moment që i harlisi Shehut mbeturinat mikroborgjeze?! Ky momnet kishte të veçantë denoncimin si “rrezik për Partinë”.

“Kur shoku Enver më thoshte se nuk është çështja e Sokrat Bufit kryesorja, unë revoltohesha edhe më tepër, forcoja menjtimin, se shoku Enver nuk besonte në sinqeritetin tim.”( AQRSH F.14/APOU, d. 5.f.247) U largova nga pozitat e kalbura dhe fillova të shikoja se çështja e Sokratit nuk duhej shtruar ashtu siç e shtrova unë, një shtruarje e tillë është të vrasësh kuadrin. Të gjykosh si gjykova unë për kuadrin, nuk është i drejtë, ashtu siç nuk ishte i drejtë mendimi im i çfaqur në Byro për arrestimin e Sokratit…Unë kam gabuar vazhdimisht për çështjen e kuadrit...Nuk e kam marrë drejt kritikën, jam nisur nga një arrogancë mikroborgjeze, nga qëndrime brutale ndaj njerëzve…Puna e kuadrit është jashtëzakonisht delikate dhe duhet të ndryshoj qëndrimin tim brutal...do të luftoj kundër megallomanisë.”(AQRSH  F.14/APOU, d. 32, f.32-34)

Koncepte mikroborgjeze kishin të gjithë anëtarët e Byrosë Politike, sikundër e pohojnë vetë gjatë analizës që i bënë çështjes së Sokrat Bufit, por a mund ata, të bënin krime për të kënaqur sedrën e tyre mikroborgjeze? Duhet të ketë qenë diçka tjetër, një konstrukt shpirtëror i egër, se sa sedër mikroborgjeze tek Shehu! Mehmet Shehu pranon, se ishte i shqetësuar për problemet që mund të dilnin nga analiza e Ministrisë së Brendshme që ai mbulonte. A do të ishin kaq shumë të shqetësuar dhe terrorizuar, edhe anëtarët  e tjerë të Byrosë Politike, për analiza respektive në sektorët që mbulonin ata, nëse do të ishte botuar një kryeartikull për tradhtinë e ministrit të Bujqësisë, Mjekësisë, Industrisë etj., në BRSS?!

Në përfundim të punimeve të plenumit, Mehmet Shehu premton: “Unë i premtoj partisë se nuk do të bie kurrë, në ato pozita që rashë. Do të luftoj edhe kundër gjaknxehtësisë e do të përpiqem të gaboj sa më pak. Unë duhet të bëj një kthesë përsa i përket metodës time të trajtimit të kuadrit. Unë sillem mjaft rreptë me kuadrin. Jam arrogant kundrejt kuadrit. Në këtë drejtim unë duhet të mësoj shumë nga shoku Enver.” (AQRSH F.14/APOU, d.5,  f. 237-251)                      

(Vijon)

Tentoi vetëvrasjen duke prerë gishtat e këmbës, por e varrosën të gjallë! Historia tragjike e kolonelit të diplomuar në Akademinë e Torinos

Dashnor Kaloçi /Memorie.al publikon historinë e panjohur të Sulejman Vuçiternës nga fisi që e ka prejardhjen nga Verbovsi të Drenicës së Veriut, i cili në moshën 18 vjeçare, kishte nën komandën e tij mbi 400 burra të armatosur dhe me cilësinë e komandantit të komitës, Sulejmani së bashku me Bajram Currin e Hasan Prishtinën, nënshkruan peticionin për rishikimin e kufijve që ishin vendosur në 1913-ën dhe ribashkimin e të gjitha trojeve shqiptare, gjë e cila solli dhe dënimin e tij me vdekje nga qeveria serbe e Pashiqit

Ardhja e Sulejmanit në Shqipëri pas një burse të dhënë nga Hasan Prishtina për nxënësit kosovarë dhe shkollimi në Normalen e Elbasanit dhe më pas në Akademinë Ushtarake të Torinos në Itali, nga ku u kthye në atdhe duke shërbyer në qytetet e Kavajës, Korçës Shkodrës e Beratit, filllimisht në sektorin e Prapavijës së Ushtrisë Mbretërore, e më pas si Komandant i Shkollës së Plotësimit të Oficerëve të Monarkisë Shqiptare

Dorëheqja e Sulejman Vuçiternës pas agresionit fashist të 7 prillit të ’39-ës dhe kthimi në Kosovë ku ai bashkohet me Komitetin e Mbrojtjes së Kosovës dhe emërimi i tij si Komandant i Komandës së Mbrojtjes së Kufijvë Veri-lindorë të Shqipërisë, ku zhvilloi disa luftime të ashpra kundra forcave çetnike të Drazha Mihajlloviçit, në Kolashin, Novi-Pazar, Mal të Zi etj.

Kthimi i Sulejmanit në Shqipëri në vjeshtën e ’44-ës dhe arrestimi i tij nga komunistët më 14 nëntor të atij viti, ku të lidhur me zinxhir, disa partizanë e dërguan në fshatin Shupal, rrëzë malit të Dajtit ku mbaheshin të izoluar shumë nga ish-funksionarët e lartë të qeverive shqiptare që nga koha e Ismail Qemalit.

Dënimi i Sulejmanit në Gjyqin Special me 30 vjet burg, ku edhe pse aty erdhi si dëshmitare dhe e mbrojti e jëma e Heroit të Popullit, Xhezmi Delli, duke deklaruar se ai ishte patriot dhe i kishte shpëtuar disa herë jetën të birit, vendimi i gjyqit u la në fuqi dhe ai u dërgua për të vuajtur dënimin në Kampin e Vloçishit, ku nga tmerret tentoi vetëvrasjen, duke prerë gishtat e këmbës me bel dhe komandanti i Kampit, Tasi Marko, nuk e lejoi ta dërgonin në spital, por e la të vdiste dhe atë e varrosnin ende pa i dalë shpirti…?!   

Ka qenë mesi i muajit nëntor të vitit 1944, kur forcat partizane që ishin dislokuar në periferi të kryeqytetit, rrëzë malit të Dajtit dhe kontrollonin pothuaj gjithë pjesën lindore të qytetit të Tiranës, prisnin nga ora në orë largimin e forcave gjermane që tërhiqeshin nga Rruga e Elbasanit për në drejtim të Shkodrës, për të hyrë si triumfatorë në kryeqytetin e çliruar. Ndonëse lufta akoma nuk kishte mbaruar, komunistët kishin filluar larjen e hesapeve dhe skuadra speciale partizanësh sipas listave që kishin marrë nga shtabi qëndror i tyre që ishte akoma në zonën e Priskës, shkonin lagje më lagje e shtëpi për shtëpi për të bërë arrestimet apo eleminimet e atyre që ata i konsideronin si “armiq e kriminelë të popullit”. Në mesnatën e 14 nëntorit, skuadrat speciale të partizanëve arritën të arrestonin dhe kolonel Sulejman Vuçiternën që ndodhej në shtëpinë e tij (sot ambasada greke), diku afër lagjes periferike të kryeqytetit te “Zogu i Zi”. Po kush ishte Kolonel Vuçiterna, cila ishte e kaluara e tij dhe përse ishte futur ai në “listat e zeza” të komunistëve për t’u arrestuar prej tyre?

Kush ishte Sulejman Vuçiterna?

Ai lindi më 11 shtator të vitit 1898 në qytetin e Vuçiternës në Kosovë. Sulejmani rrjedh nga dera e Kastratëve të Verbovsit të Drenicës së Veriut, ku i pari i atij fisi, Mulla Ali Kastrati (Shkoza) ishte shpërngulur nga Bushati i Shkodrës nga ku është dhe origjina e herëshme e familjes tij, e u vendos fillimisht në Malësinë e Gjakovës, aty rreth vitit 1609. Familja Vuçiterna që mbajti për mbiemër emrin e vendlindjes së të parëve të sajë, njihet në të gjithë atë krahinë, si një nga familjet më patriote që ka marrë pjesë në të gjitha luftrat kundër pushtuesëve të huaj që kanë shkelur Kosovën. Babai i Sulejmanit, Mulla Bajram Kastrati, ishte klerik myslyman dhe së bashku me dy djemtë e tij, Isufin e Rexhepin, ishin tepër të njohur si prijës të Drenicës dhe për veprimtarinë e tyre në dobi të çështjes kombëtare, gjithmonë ndiqeshin për tu arrestuar nga pushtuesit turq. Sulejmani, pasi u shkollua në vendlindjen e tij Vuçiternë, i ndërpreu mësimet e në moshën 16 vjeçare mori armët e u bashkua me komitët në atë që njihet si “Lëvizja kaçake kosovare”. Për afësitë e tija të jashtzakonëshme si organizator e drejtues, në vitin 1916 kur nuk ishte më shumë se 18 vjeç u caktua si komandant i çetës së Verbovcës dhe kishte nën komandën e tij mbi 400 burra të armatosur. Pasi ishte formuar mbretëria serbo-kroato-sllovene, aty nga viti 1919, forcat e xhandarmërisë serbe shkuan në fshatin Verbovcë dhe rrethuan shtëpinë e tij për ta arrestuar. Por ato nuk ia arritën dot qëllimit, sepse Sulejmani duke luftuar brenda në kullë, arriti që ta çante rrethimin dhe u largua. Në shenjë hakmarrje, forcat e xhandarmërisë serbe ia dogjën kullën dhe groposën të gjallë vëllanë e tij, Isufin, që ishte klerik mysliman. Pas kësaj ngjarje, Sulejmani u bë tepër i njohur në krye të çetës së Verbovcës nga që ishte shumë i ri në moshë dhe aty rreth vitit 1922, me cilësinë e komandantit të komitës, së bashku me dy deputetët e parlamentit shqiptar, Bajram Currin e Hasan Prishtinën, nënshkruan peticionin për rishikimin e kufijve që ishin vendosur në 1913-ën dhe ribashkimin e të gjitha trojeve shqiptare, gjë e cila solli dhe dënimin e tij me vdekje nga qeveria serbe e Pashiqit.

Diplomohet në Akademinë e Torinos

Pas dënimit me vdekje që ju dha nga serbët, i shtyrë dhe nga familja, duke mos pasur rrugëzgjidhje tjetër, Sulejmani vendos që të vijë në Shqipëri. Pasi la të gjithë njerzit e afërt dhe familjen në Kosovë, aty nga fundi i vitit 1922 së bashku me disa pjestarë të çetës tij, niset për në drejtim të kufirit malazezo-shqiptar, pasi kaloi me not nga liqeni i Shkodrës. Menjëherë pasi erdhi në Shqipëri, ai vazhdoi shkollën që e kishte ndërprerë në vendlindjen e tij, kur ishte 16 vjeç. Pas kësaj, duke përfituar nga një bursë shtetërore prej kontigjentit të nxënësve kosovarë që paguheshin nga fondet e mbledhura prej Hasan Prishtinës, ai u regjistrua në Normalen e Elbasanit të cilën e mbaroi aty nga viti 1929. Mbas mbarimit të shkollës Normale të Elbasanit, Sulejmani u vendos në Tiranë përkohësisht ku dhe krijoj familje duke u martuar me Faika Spatharën (me të cilën pati katër djem e një vajzë), që ishte vajza e ushtarakut të njohur të karrierës (nga Skrapari) kolonel Mustafa Spathara. Në atë kohë Sulejmani përfitoi një bursë shtetërore dhe shkoi në Itali në Akademinë Ushtarake të Torinos të cilën e mbaroi me rezultate të lartë në vitin 1933, duke u diplomuar në armën e Këmbsorisë. Mbas diplomimit ai u kthye në Shqipëri dhe emërohet në Komandën e Përgjithshme të Ushtrisë Kombëtare, në sektorin e Prapavijës. Në këtë sektor, Sulejmani punoi për më pak se një vit dhe më pas fitoi të drejtën e një specializimi një vjeçar për në Gratz të Austrisë, po për degën e Prapavijës, të cilin e mbaroi në qershorin i vitit 1935. Mbas kthimit nga specializimi ai emërohet në repartet e Ushtrisë Kombëtare Shqiptare, në qytetet e Kavajës, Korçës Shkodrës e Beratit. Punon për disa kohë në këto qytete, nga ana e Komandës së Përgjithshme të Ushtrisë, ai u propozua për të shkuar si pedagog në Shkollën Mbretërore të Plotësimit të Oficerëve në Tiranë ku punoi për disa kohë si pedagog në këtë shkollë, ai propozohet nga Komandanti i Përgjithshëm i Ushtrisë Shqiptare, gjeneral Xhemal Araniti, për t’u emëruar si komandant i Shkollës së Oficerëve, gjë të cilën Mbreti Zog e dekretoi menjeherë. Në këtë detyrë ai shërbeu deri në prillin e vitit 1939, kur Italia kreu agresionin fashist ndaj Shqipërisë.

 Pas 7 prillit 1939, largohet në Kosovë

Mbas 7 prillit të vitit 1939, Sulejman Vuçiterna nuk paranoi të shërbente më në Ushtrinë Kombëtare dhe pasi dha dorheqjen nga detyra, u kthye në jetën civile. Duke mos pasur asnjë mjet jetese për të mbajtur familjen, pasi ajo jetonte vetëm me rrogën që ai merrte si oficer, u largua për në vendlindjen e tij në Kosovë, të cilën e kishte lënë që nga viti 1922, ku dhe kishte të gjithë të afërmit e familjen. Në vitin 1941, duke parë situatën e krijuar dhe pas kërkesës së vazhdueshme të parisë nacionaliste të Kosovës, Sulejmani mobilizohet përsëri në rradhët e Ushtrisë Kombëtare Shqiptare. Krahas detyrës ushtarake, ai bashkohet dhe me Komitetin e Mbrojtjes së Kosovës. Po në atë vit, Sulejmani u emërua si Komandant i Komandës së Mbrojtjes së Kufijvë Veri-lindorë të Shqipërisë, që fillonin nga Mali i Zi me Serbinë, e deri në Llap, afër kufirit me Bullgarinë. Këtë detyrë të rëndësishme e mjaft të vështirë Sulejmani e kreu nga vjeshta e vitit 1941 e deri në vjeshtën e vitit 1944, kur u kthye në Tiranë. Gjatë atyre tre viteve të qëndrimit në Kosovë në krye të forcave që komandonte, së bashku dhe me vullnetarët që i kishte rekrutuar vetë, zhvilloi disa luftime të ashpëra kundra forcave çetnike të Drazha Mihajlloviçit, përpjekje të cilat u bënë kryesisht në Kolashin, Novi-Pazar, Mal të Zi etj. Po kështu aty nga fillimi i muajit mars të vitit 1943, në krye të forcave ushtarake e vullnetare që komandonte, nënkolonel Vuçiterna zhvilloi përsëri luftime të rrepta kundra forcave serbo-malazeze-çetniko-komuniste, të cilat u shtrinë në zonën e Tushiqit, Çukovskit, Previjes, Rezallës, Okllacit, e deri në zonën e Rashkut. Në këto luftime të ashpra që zgjatën nga data 4 deri më 26 mars, forcave që komandoheshin nga Sulejmani u erdhi në ndihmë dhe një batalion artilerie i Ushtrisë Kombëtare Shqiptare, i cili në përbërje të tij kishte dhe dy oficerë italianë me gradat e kapitenit, që quheshin Rudi e Sada. Nga këto luftime forcat e komanduara nga Sulejmani dolën me humbje të vogla, kurse ato serbo-malazeze patën humbje të konsiderueshme. Për këtë rezultate që arriti në fushën e Luftës, nënkolonel Vuçiternës ju akordua grada e kolonelit nga Komanda e Përgjithshme e Ushtrisë Kombëtare.

Me parinë nacionaliste të Kosovës

Gjatë viteve të qëndrimit në Kosovë, Sulejmani mori pjesë aktive dhe u bë një nga mbështetësit kryesorë i Lëvizjes Nacional-Demokrate Shqiptare, ose siç njihet ndryshe “Balli Kombëtar i Kosovës”, që udhëhiqej nga profesorët Ymer Berisha dhe Luan Gashi, si dhe Bedri Pejani, Bedri Gjinaj, Rexhep Mitrovica, Mehmet Gradica etj. Sulejmani së bashku me Mehdi Elezin e Hajredin Spahiun, mbanin lidhje të vazhdueshme me Shërbimin Informativ Anglez (Intelixhent Servis), për realizimin e marveshjes së bërë nga Lëvizja Nacional-Demokrate Shqiptare me atë shërbim informative, për ndihmën që qeveria britanike do t` ju jepte forcave nacionaliste të Kosovës, në luftën kundra pushtuesëve italianë. Sulejmani, përveçse një ushtarak i talentuar i karrierës, ishte dhe një intelektual i formuar me prirje perendimore, i cili zotëronte mjaft mirë dhe disa gjuhë të huaja, si: turqisht, serbo-kroatisht, italisht, gjermanisht dhe anglisht. Ai së bashku me një grup intelektualësh kosovarë që kishin mbaruar universitetet e Perëndimit, bënin një propagandë aktive shumë të madhe në popull, për lidhjet e bashkpunimin që kishin me aleatët anglo-amerikanë, e ndihmën që ata po jepnin për të fituar luftën kundra boshtit fashist: Romë-Berlin-Tokio. Nga fillimi i vjeshtës së vitit 1944, Vuçiterna si ushtarak profesionist i karrierës, ju përgjigj urdhërave të eprorëve të tij, për ta lënë Kosovën dhe u rikthye përsëri në Tiranë, ku kishte lënë dhe familjen që nga viti 1939.

Rikthehet në Tiranë e arrestohet

Pasi la Kosovën, Sulejmani erdhi e u vendos në Tiranë pranë familjes tij në shtëpinë që e kishte ndërtuar vetë (aty ku sot është ambasada greke) që nga fillimi i viteve ‘30-të. Ai as që e kishte menduar kurrë atë çka do i ndodhte më vonë pas ardhjes në shtëpinë e tij (arrestimin), sepse gjatë gjithë karrierës së tij ushtarake, kishte punuar dhe luftuar vetëm për Shqipërinë dhe për atë gjë, ishte dënuar me vdekje nga forcat çetnike – komuniste (serbo- malazeze), gjatë kohës që kishte luftuar kundër Drazha Mihajlloviçit në Kosovë. Kështu ai duke e ndjerë vetën krejt të pastër për atë që kishte bërë gjatë gjithë jetës tij, u kthye në shtëpinë e tij në Tiranë tepër i vetëdijshëm. Por llogaritë e kolonel Vuçiternës duket se nuk “kuadronin” aspak me ato të komunistëve që kishin ardhur në pushtet dhe mezi prisnin për të larë hesapet me ata që i konsideronin si “kundërshtarë politik apo armiq të popullit”. Kështu pak ditë pas ardhjes tij në Tiranë, akoma pa u çmallur mirë me familjen, aty nga mesnata e 14 nëntorit të 1944-ës, kur gjermanët ende nuk ishin larguar nga kryeqyteti, në shtëpinë e tij u paraqit një skuadër speciale partizanësh e cila e arrestoi duke i`u thënë familjes: “Sa për një sqarim në komandë.” Pas kësaj skuadra speciale e partizanëve e bashkoi me disa “kolegë” të tjerë, dhe ashtu të lidhur me zinxhirë tre nga tre, në këmbë i nisi për në Shupal, rrëzë malit të Dajtit, ku disa baraka të vjetra tip kazeramsh ushtrie që ruheshin nga partizanë të armatosur, shërbenin si burg. Në ato kazerma ku mbaheshin të arrestuar edhe dhjetra persona të tjerë (shumica ish funksionarë të lartë të qeverive shqiptare që nga koha e Ismail Qemalit), si ministra, deputetë, prefektë, ushtarakë madhorë etj, Sulejmani qëndroi deri në datën 21 nëntor, kur po ashtu të lidhur tre nga tre i nisën përsëri në këmbë për në Tiranë, duke i “sistemuar” tek burgu i vjetër (sot “Mine Peza”).

Në gjygjin Special, 30 vjet burg

Në Burgun e Vjetër të Tiranës, për katër muaj, kolonel Sulejman Vuçiterna iu nënshtrua torturave ç’njerzore deri sa doli në Gjygjin Special, i cili u hap në fillimin e muajit mars 1945. Senacës gjygjësore për Sulejmanin u zhvillua në datën 29 mars, ku pati disa replika të ndërsjellta në mes tij dhe Prokurorit Bedri Spahiu. Në atë gjygjë avokat i Sulejmanit u caktua Spiro Stringa, i cili me profesionalizëm të lartë bëri të pamundurën për ta lehtësuar klientin e tij, duke gjetur si dëshmitarë për ta mbrojtur atë, disa persona, si: Hajri Jegenin, Gjon Llambushin e Fehmi Poshin. Po kështu një mbrojtje të madhe i bëri Sulejmanit, Habibe Delli, (nëna e Xhezmi Dellit, komunist “Hero i Popullit”), e cila ishte fqinje me familjen Vuçiterna. Ajo shkoi vetë dhe deklaroi në sallën e gjygjit (pa e thërritur njeri), duke u shprehur: “Sulejmanin e njoh si njeri të ndershëm dhe shumë korrekt, pasi e kam komshi. Duke qenë oficer i lartë, në një rast e di që ai i ka shërbyer Lëvizjes. Kur Xhezmiut i ishte përgatitur pusia, ai i shpëtoi rrethimit, falë informacionit të zotit Sulejman, si dhe dërgimit të atij municioni qoftë dhe të vogël që ai kishte me vete. Ai ishte simpatizant i Lëvizjes Nacionalçlirimtare, por vetë nuk doli në mal të luftonte, se ishte me një veshkë. Përse ky njeri duhet të jetë në bankën e të akuzuarëve si kriminelë?” Pas kësaj, Gjygji Special, e dënoi Sulejmanin me 30 vite burg e punë të detyruar së bashku me Sokrat Dodbibën, Et`hem Carën, Anton Kozmaçin, Sami Kokën, Mihal Zallarin, Ndoc Naraçin e Lazër Radin. Sulejmani nuk “pati fatin” t`a plotësonte dot dënimin e dhënë, sepse vdiq më 15 tetor të vitit 1945 në kampin e Vloçishtit, në kënetën e Maliqit ku vuante dënimin, duke prerë vetë gishtat e këmbës me bel. Sipas disa dëshmive nga bashkëvuajtës të tij në atë burg, Komandanti i Kampit, Tasi Marko, nuk pranoi kërkesën e mjekut Hysenbegasi, për ta dërguar Sulejmanin në spitalin e Korçës, por e varrosën ashtu gjysëm të gjallë, pa i dalë akoma shpirti në një gropë buzë kallamishteve të kënetës së Maliqit, për të mos u gjetur kurrë eshtrat e tija./Memorie.al

L’Univers israélite (1886)- Pashko Vasa organizoi një festë për nder të shkollave të Aleancës Izraelite në Liban

Pashko Vasa

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 16 Shkurt 2020

 

“L’Univers israélite” ka botuar, me 16 maj 1886, në faqen n°42, një shkrim në lidhje me organizimin e një feste nga Pashko Vasa, asokohe guvernator i Libanit, për nder të shkollave të Aleancës Izraelite, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Një festë e shkëlqyer, nën patronazhin e Vasë Pashait, guvernator i Libanit, u mbajt në Bejrut për nder të shkollave të Aleancës Izraelite. Të gjitha personalitetet politike, ushtarake dhe administrative e nderuan ballon me praninë e tyre, ashtu si dhe disa konsuj evropianë e tridhjetë emirë nga Libani, të ftuar posaçërisht nga guvernatori.

 

Comoedia (1932)- Drama “I burgosuri” e Aleksandër Moisiut, e cila flet për Napoleonin në Shën-Helenë, do të luhet në Paris

Aleksandër Moisiu

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 14 Shkurt 2020

 

Gazeta kulturore franceze, “Comoedia”, ka botuar, të premten e 15 janarit 1932, në faqen n°2, një shkrim në lidhje me dramën “I burgosuri” të Aleksandër Moisiut, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

 

Teatrot

“I burgosuri” i Aleksandër Moisiut do të luhet në Paris

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Autori i famshëm Aleksandër Moisiu sapo i ka kërkuar bashkëpunëtorit tonë të shkëlqyer E. Garry që të përkthejë në frëngjisht dramën e tij “I burgosuri” e cila flet për Napoleonin në Shën-Helenë.

 

Vepra e tij pati shumë sukses në Hamburg dhe aktualisht po luhet në Berlin po me të njëjtin sukses.

 

Në Paris do të luhet përkthimi (përshtatja) e z. E. Garry.

 

Kjo është një veprimtari e bukur në perspektivë.

 

Kur ka nisur rivaliteti Enver-Mehmet – Nga Fitim Çaushi

 

Në gazetën “Panorama” 7 shkurt 2020, lexuam shkrimin e ish shefit të Zbulimit, Perlat Çaushit. Me keqardhje konstatuam se autori merret me probleme anësore, sikurse janë kujtimet personale të Nexhmije Hoxhës: “Nexhmija si rastësisht në librin e saj “Miqësi e tradhtuar” na nxjerr që në këtë dosje të “mbyllur”, dhe ajo e di se të gjithë do ta besojnë dosjen të mbyllur nga Hysni Kapo, – u gjetën edhe dokumente të tjera të shkruara nga Shehu. Ndër të tjera gjendeshin edhe tri letra, ku Mehmeti ankohet për Hoxhën… i drejtoheshin ambasadorit sovjetik Ivanov… E ritheksoj, se për të gjitha këto dokumente, i pari i Partisë ka pasur dijeni prej vitesh. Pra, s’ka asnjë arsye që ai të ndihej i habitur përpara këtyre të “papriturave”. Deri këtu logjika të thotë se Enveri i dinte këto dokumente dhe me paramendim i nxori atëherë kur i duheshin. Enveri nuk ia kishe falur apo harrur. Këto janë hallka të një zinxhiri kontradiktash.”

Autori Çaushi, të cilin e përfytyrojmë si ekspert që është marrë me veprimtari dhe agjentura konkrete,  çuditërisht mbetet në vogëlsira dhe dilema të panevojshme: e dinte apo nuk e dinte Enveri përmbajtjen e letrave që ndodheshin në dosjen e Hysni Kapos, në vend që të shtrojë sentencën e punës së tij shumëvjeçare: kishte apo nuk kishte në Shqipëri agjentë të shërbimeve të ndryshme në Byronë Politike dhe kush ishin?!

Në dëshminë e Gaqo Neshos: “Me to ishte edhe letra drejtuar Ivanovit, të dyja këto ia pata dërguar shokut Hysni…” autori përkundër “zbulimit“ të tij, na përforcon mendimin se dëshmon se brendia e problemit që shtron Nexhmije Hoxha, është i saktë, pa qenë nevoja që autori të sajojë “kontradikta”.  Autori nuk merret me  përmbajtjen, ekzistencën e letrave të Shehut, që sfidojnë Enver Hoxhën qysh gjatë luftës së Dytë Botërore, por analizon formën, se si e shprehu problemin një veterane 95 dhe 99 vjeçare!

Kemi bindjen se autori ka punuar me besnikëri dhe përkushtim ndaj detyrës së tij madhore dhe po me atë përgjegjësi qytetare, i shtron edhe sot problemet mbi Shehun, por mjerisht logjika e tij është e përciptë, jo konform detyrës, që kërkon analiza të thelluara dhe motivime të besueshme.

Çuditërisht autori përdor lidhëzat kushtore, “nëqoftëse”, “poqese” ç’ka nuk i lejohen një specialisti të inteligjencës shqiptare, i cili duhet të sjellë dokumente dhe argumente profesionale, që burojnë nga shkalla e njohjes si ekspert i atij specialiteti, dhe jo të kapet nga hamendësime mbi kujtimet personale të Nexhmije Hoxhës.

Autori hedh idenë se Enver Hoxha e kishte dyshimin se Mehmet Shehu ishte agjent i shërbimeve të huaja, mendim të cilin e kemi edhe ne, por me ngjyresa të kundërta. Në vitin 1953, kur Sokrat Bufi e denonconte Shehun nga Moska si “rrezik për Partinë”, me tendencë “likuidimin e komandantit”.  Letra e Sokrat Bufit, dy autokritikat e tij në Byronë Politike dhe analizat e tij në Sekretariat dhe Byronë Politike, ruhen në AQ të RSH në fondin 14/APOU, dosjet, 3, 5, 28, 29. 32, 34.

Nga këto analiza protokollohet, se gjatë vizitës së Enver Hoxhës në Moskë, sekretaria e organizatës, Liri Belishova, e informon Enver Hoxhën për shqetësimet e Sokratit. Enver Hoxha në mbledhjen e Byrosë Politike, më 28 shtator 1953, do të sqaronte: “Sokrat Bufi, siç dihet, ishte në Moskë, ku kish filluar të shprehte mendime të shtrembra karshi Mehmetit. Kur isha unë në Moskë, Liria më thotë, se me Sokrat Bufin na ka ngjarë një gjë e çuditshme… më raporton për ato që Sokrati mendonte për Mehmetin, se shoku Mehmet donte t’ia hipte partisë dhe të dilte mbi shokun Enver… E porosita Beqirin, me të mbaruar viti shkollor, Sokratin ta dërgonin në Shqipëri.”( AQRSH F.14/APOU, d. 29, f.145-148)

Është legjendarizuar letra e parë e Sokrat Bufit, dërguar nga Moska, sikur atë e ka zhdukur Mehmet Shehu, por nuk ka patur letër nga Moska, ka patur vetëm diskutim të Sokrat Bufit në organizatën e Partisë, ky ka kërkuar që shqetësimi i tij t’i përcillet KQPPH. Problemin e letrës së Sokratit, e sqaron Enver Hoxha në mbledhjen e Sekretariatit: “I thashë Manushit që t’i thotë Sokratit të bënte një autokritikë me shkrim. Thëniet e Sokratit para shokut Manush, i shkroi në letër dhe kopjen e kësaj, porsa ma solli Manushi, ia dërgova Mehmetit.”(AQRSH F.14APOU, d. 32, f. 40)

Kjo është e para letër që Sokrat Bufi i dërgon më 20 gusht 1953, Komitetit Qendror të PPSH për Mehmet Shehun. Ekziston në Arkiv një letër e Sadik Bocajt, dërguar Haxhi Kroit, në të cilën thuhet: “Po ju dërgoj tre letra të Sokrat Bufit që ia ka dërguar  Byrosë Politike  dhe Sekretariatit. Çështja e tij në lidhje me këto letra u shqyrtua në mbledhjen e Byrosë Politike më datën 2 nëntor 1953. Shoku Manush më porositi që këto të lidhen me letrat e tjera të tijat.”( AQRSH F.14APOU, d. 34, f. 55-83)

Në letrën e parë dërguar KQ të PPSH, Sokrati shkruan: “Sot më thirri shoku Manush Myftiu, për të sqaruar disa mosmarrëveshje dhe zënka që kam pasur me shokët në Shkollën e Lartë të Partisë në Moskë. Këto janë të qarta po të shihen dyshimet e mija rreth shokut Mehmet Shehu.”(AQRSH 14APOU, d. 34, f. 55-58)

Pas kësaj letre, Sokrati thirret në mbledhjen e Sekretariatit të KQ të PPSH. Protokolli Nr. 21 datë 31 gusht 1953 i mbledhjes, na informon se Enver Hoxha i ka bërë disa pyetje Sokratit dhe kërkon prej tij shpjegime; pse ai ka vënë në dyshim besimin tek Byroja Politike dhe tek Mehmet Shehu: “Shiko shoku Sokrat, se nuk je në rrugën e Partisë. Edhe ne kemi bërë gabime, edhe në shkrimet tona janë bërë gabime, po mund të thuash se ne jemi provokatorë? Pse i ke nxjerrë të gjitha këto për Mehmetin?… Na thuaj haptazi. Qëllimi jonë është të shërohesh, se je një kuadër që ke qenë edhe sekretar i parë rrethi dhe nuk duhet të të lëmë të ecësh në rrugë të gabuar. Ne nuk jemi dakord me ato gjëra që ngre ti… Më duket, se nuk po reflekton për këto gjera të gabuara, sidomos për Mehmetin je shumë i gabuar.”( AQRSH F.14APOU, d. 29, f.196)

Sokrati pranon: “Gabimi im është që nuk ia kam thënë gabimet që në çast… Në veten time kam pasur përshtypjen se shoku Mehmet është njeri karrierist, kjo më ka shkaktuar dyshimin, se ç’u bë komandanti… Mendoja se shoku Mehmet nuk ia ka me të drejtë udhëheqjes.”( AQRSH F.14APOU, d. 29,  f. 149)

I gjithë shqetësimi i Enver Hoxhës, ishte që përmes këtij ballafaqimi të ruhej uniteti kolegjial i Partisë, të shpëtonte shokët e udhëheqjes nga opinionet e padokumentuara, prandaj këmbëngul: “Në letrën që ke bërë ti, nuk arsyeton për këto gabime kaq të rënda. Ti nuk ke fije besimi në udhëheqjen e Partisë, në forcën e saj, në kolegjialitetin e saj. Ti mendon se gjërat në parti mund të bëhen sipas qejfit të njërit apo të tjetrit… Nuk ke besim tek Mehmeti dhe arrin të mendosh se Mehmeti ka spostuar komandantin!”(AQRSH F.14/APO, d. 29, f. 148)

Sokrati i vendosur përgjigjet: “Unë nuk kam pasur dyshime në kolegjialitetin e Partisë, por tek një person.”(AQRSH F.14/APOU, d.29, f. 152)

Enver Hoxha synon të afirmojë edhe një herë parimet themelore të Partisë: “Si mund të kesh besim në udhëheqje, kur mendon se një njeri për karrierë likuidon njërin apo tjetrin. Po të tjerët ç’bëjnë? Vetëm në një parti ku nuk bie fare erë marksizmi, mund të ndodhin ato që mendon ti… Ti dyshon se Mehmeti si karrierist ka likuiduar Enverin. Këto janë pikëpamjet që dita ditës propagandojnë radiot armike. Sipas armiqve në udhëheqjen e Partisë bëhet luftë klikash. E realizon sa thellë je futur?… I marrtë të keqen Beria Mehmetit…”(AQSH F/14/AP, d.32, f. 203)

Domethënia e arsyetimit të Enver Hoxhës është i qartë për secilin nga anëtarët e Byrosë. Vetëm për karrierizëm ose për agjenturë, një shok i Byrosë Politike mund të likuidojë njërin apo tjetrin. Indirekt, Shehu paralajmërohet, se përjashtohej një tentativë e tillë në një parti si PPSH. Problemi i shtruar me guxim nga Sokrat Bufi, përbënte një moment shumë delikat për udhëheqjen e Partisë së Punës, edhe për propagandën që bënin mediat e disa vendeve që kishin humbur influencën e tyre gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare në Shqipëri dhe kërkonin me çdo kusht ndryshimin e politikës shqiptare nga e djathta, prandaj përmes propagandës, nxisnin rritjen artificialisht të autoritetit të Mehmet Shehut, si kundërpeshë e Enver Hoxhës.

Problemi i Mehmet Shehut si rival agresiv kundër Enver Hoxhës, (në kuadrin e medias së huaj) ishte i njohur nga udhëheqja shqiptare, ishte i njohur gjithashtu edhe nga shtetet europiane:

Gusht 1951 – Ambasada britanike në Paris, citonte ministrin francez të Punëve të Jashtme: “Nga dy fraksione që duket se ekzistojnë brenda Partisë Komuniste Shqiptare, ai i kryesuar nga Enver Hoxha duket se po zmbrapset përpara atij të kryesuar nga M. Shehu,”( FO 371/95024/RA1015/40)

 Po në këtë vit, Ministri i Jashtëm jugosllav i komentonte përfaqësuesit të ambasadës britanike në Beograd: “Një tipar kryesor në politikën shqiptare sot është lufta ndërmjet Shehut dhe Hoxhës.”( FO 371/95024/RA1015/43)

 Sikundër shihet paska ekzistuar një rivalitet i ashpër, i fshehur, i Mehmet Shehut kundër Enver Hoxhës. Këtë rivalitet e ndiqnin me padurim edhe shqiptarët e arratisur pas Luftës së Dytë Botërore:

            Shkurt 1952: “Albania Neës Bulletin”- deklaratë të Komitetit Nacional “Shqipëria e Lirë”: “E çara ndërmjet kryeministrit Hoxha dhe ministrit të Brendshëm Mehmet Shehu… është thelluar më shumë në muajt e fundit”( FO 371/101593/ËA1671/2)

            Gusht 1952: Ambasada britanike në Beograd njoftonte për shkrimin e gazetës “Politika”: “Ndeshja ndërmjet Hoxhës dhe Shehut ka mundësi të dalë në dritë së shpejti, dhe se Shehu ka të ngjarë të fitojë në eliminimin e rivalit të tij”( Ë.Bland, I.Price, “The Tangle Ëeb, Londër, 1986,  f. 286)

            Një muaj më vonë, Shtator 1952: Ministria e Jashtme Britanike paraqiti një përmbledhje të bisedimeve të Ministrit të Jashtëm Britanik në Jugosllavi: “Interesimi ynë për situatën e brendshme në Shqipëri përqendrohet rreth shkallës së pakënaqësisë popullore ndaj regjimit dhe luftës për pushtet, ndërmjet kryeministrit Hoxha dhe ministrit të brendshëm  Shehut.”( FO. 371/ 102180/ËY1052/38)

Ndërsa Titua i shfaq Ministrit të Jashtëm Britanik, Idenit, dyshimin për pozitën e Enver Hoxhës: “Pozicioni i kryeministrit Hoxha duket se po dobësohet dhe ndoshta ai do të përmbyset nga rivali i tij M.Shehu.”( FO 371/100322/N1022/1)

            Korrik 1954: Ivor Vinsent, zyrtar në Ministrinë e Jashtme Britanike për punët e jashtme, raportonte: “Gjenerali Mehmet Shehu është prezantuar si projugosIlav.”( FO 371/112660ËA10392/7)

Sikundër shihet, në këto dokumente flitet për një rivalitet pikërisht të Shehut ndaj Enver Hoxhës dhe jo për ndonjë anëtar tjetër të Byrosë Politike! Përse kanë qenë kaq të interesuara qeveritë e huaja për ekzistencën e këtij rivaliteti dhe përse propagandonin me shumë pompozitet Shehun, si kuadri kryesor i Luftës dhe i ushtrisë shqiptare?! Kjo kuptohet fare qartë nga dokumentet e shtatorit dhe nëntorit të vitit 1944, të Forin Offisit dhe Departamentit të Shtetit Amerikan, të  cilat do t’i parashtrojmë më poshtë.

Në këto situata ndërkombëtare dhe në informimet që kishte udhëheqja e Partisë për zik-zaket e Shehut, Byroja Politike më 1 shtator 1953, e thërret Sokrat Bufin në raport. Në Protokollin Nr. 25 lexojmë këmbënguljen e Enver Hoxhës për kolegjialitetin e Partisë:

“Ne e thirrëm edhe në Sekretariat, por pak përparime bëri. Ai nuk ka besim në udhëheqjen monolite të partisë, nuk ka të kjartë se çështë partia jonë, çështë udhëheqja jonë. Ai mendon se në udhëheqjen tonë veprohet si një klikë…Sokrati e ka përqendruar çështjen tek Mehmeti… flet, ato që flet edhe reaksioni, dmth që në udhëheqjen e Partisë tonë, ka përçarje, që aty sundojnë dy njerëz, Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu dhe ky kështu i ka konsideruar këto gjera.”( AQRSH F.14/APOU, d. 29, f.145-146)

Enver Hoxha përfiton nga rasti për të shtruar si domosdoshmëri, problemin e forcimit të kolegjialitetit dhe të besimit reciprok tek udhëheqja e Partisë, në këtë situatë tepër delikate për unitetin e brendshëm të Partisë dhe të popullit, Ai me shumë takt konkludon përfundimisht, se në Byronë Politike nuk mund të ketë as një as dy persona që të bëjnë ligjin, aty do të vendoset vetëm kolegjialisht me të drejta të barabarta dhe gjithmonë në interes të popullit dhe vendit. Kjo nuk mund të mos e kufizonte iniciativën e tepruar të Shehut, që shkonte deri në arrogancë edhe me Enver Hoxhën, skundër ishte shpejtimi i kolektivizimit të bujqësisë, kur Enver Hoxha ndodhej në Moskë, ose anulimi urdhrit të Enver Hoxhës për vullnetarët në hidrocentral, për të cilat Shehu bën autokritikë në plenumin e dhjetorit 1953.

Në përfundim, Enver Hoxha jo pa qëllim evidenton denoncimin e Sokratit: “I influencuar nga rrethi i tij borgjez, Sokrat Bufi mendon, se në udhëheqje ka përçarje, Komandanti është likuiduar dhe Mehmeti është bërë sekretar i përgjithshëm. Duhet t’i bësh një analizë vetes tënde të dalësh me autokritikë. Tani do të të japim një punë dhe nuk duhet të demoralizohesh.”( AQRSH F. 14/AP, d.29 f. 146-147)

Me këtë përfundim të Enver Hoxhës, nuk ishte dakord Mehmet Shehu, i cili vërsulet ashpër kundër Sokratit: “Del një njeri në partinë tonë dhe hedh një parullë të rrezikshme. Unë them se, ose ky njeri është i çmendur ose është provokator dhe se ato që thotë ai janë fjalët e reaksionit… Duhet parë çështja e tij, nuk di nëse mund të qëndrojë në parti një element i tillë me dyshime në udhëheqjen. (AQRSH F. 14/AP, d.29 f. 147)… Teza Enver–Mehmet është bërë çështja kryesore në radiot e huaja armike, prandaj mendoj unë, se nuk është një gjë e thjeshtë.”(AQRSH F.14/APOU, d. 29, f. 148)

Enver Hoxha, sikur të priste pikërisht këtë rast, ndërhyn: “E thjeshtë nuk është kjo çështje... Që ka diçka ai, kjo nuk mund të vihet në dyshim, po këtë nuk e dimë, pse ja fsheh partisë, ai ka shkarë në pellg.”( AQRSH F.14/AP, d.29, f.148)

Ky arsyetim i Enver Hoxhës, me goditje të dyfishtë, e tmerron Shehun dhe me kokëfortësi kërkon që Sokrati të përjashtohet nga Partia dhe të burgoset. Më 28 shtator 1953, çështja paraqitet në Byronë Politike, e cila u ndodh para një presioni të papërligjur, madje para një shkeljeje të rëndë të normave të Partisë nga ana e Shehut. Pas parashtrimit që i bëri Enver Hoxha Byrosë Politike për bisedimet dy palëshe me Shehun, në fund të asaj seance konkludon: “Ky problem është shumë i rëndësishëm prandaj kërkova nga shokët e Byrosë Politike që ta gjykojnë me seriozitetin më të madh, me logjikën marksiste–leniniste, me rreptësi dhe me zemër komunisti… Kjo çështje do të na shërbejë jashtëzakonisht shumë si gjithë partisë ashtu edhe neve si udhëheqje dhe jo vetëm Mehmetit.”( AQRSH F.14 APOU, d. 32, f. 21-22)

Pasi e pa, se tentativa për ta burgosur Sokratin dështoi, Mehmet Shehu, tmerrohet dhe kërkon ndihmë tek ambasadori sovjetik Levinçkini, i cili i thotë që këtë problem ta bisedojë me shokun Enver, por Shehu heziton. Pas dy ditësh Levinçkini i shkon në zyrë Enver Hoxhës dhe i raporton bisedën me Shehun.

Në mbledhjen e Byrosë Politike, Enver Hoxha sqaron:I them shokut Levinçkin, se shoku Mehmet gabohet shumë rëndë, se besimi im dhe i shokëve karshi tij nuk është lëkundur aspak. Mehmeti në këtë rast ka gabuar, se këto gjera duhet t’ia thoshte edhe partisë së tij. Mehmetin duhet ta shpëtojmë medoemos nga kjo situatë, prandaj i transmetoni Partisë Bolshevike, se tek Mehmeti s’ka asgjë politike, për këtë unë jam plotësisht i bindur.”( AQRSH F. 14APOU, d. 32, f. 36-37)

Pasi Shehu mori garancinë nga Levinçkini, se problemi i tij nuk do të analizohej në prizmin politik, pas 20 ditëve shkon te Enver Hoxha. Shehu këtë vonesë e justifikon: “Ndodhesha në një situatë të rëndë, shumë të rrezikshme dhe vuaja rëndë. Më dukej sikur shihja një farë ftohje nga ana e shokut Enver në marrëdhëniet e përditshme me mua, se gjoja besimi i tij kundrejt meje, mund të ishte lëkundur. Atëherë unë vendosa që çështjen t’ia referoj PKBS. Që unë çështjen ia referova PKBS, kjo ishte e drejtë, por në të njëjtën kohë unë duhej që çështjen t’ia referoja haptas edhe shokut Enver. Këtë unë nuk e kam bërë, ky ishte gabimi tjetër i imi, ku më çoi kali i Sokrat Bufit, të cilit i kishja hipur së prapthi… Isha jashtëzakonisht i irrituar… Duke qenë në këtë situatë vendosa të shkoja tek shoku Levinçkin.”( AQRSH F.14APOU, d. 32, f. 27)

Mundet që për këtë veprim të Shehut, të kishte ndonjë konsideratë personale ish shefi i zbulimit, për të na thënë: ç’e detyroi në të vërtetë Shehun të fuste kokën tek ambasadori i huaj?! Përse Shehu bie në këtë situatë të rëndë, nëse letra e Sokrat Bufit nuk ka pasur diçka të vërtetë? Fakti që Shehu nxitoi tek ambasadori sovjetik, krijon dyshime. Edhe më të mëdha bëhen dyshimet për të, ngaqë heziton të takojë Sekretarin e Përgjithshëm të Partisë dhe Kryeministrin shqiptar, ndonse kishte marrë sigurinë nga Levinçkini!

(Vijon)

I diplomuar në Kembrixh, përfaqësoi Shqipërinë në Konferencën e Paqes, por u burgos nga komunistët. Historia e kryebashkiakut të Tiranës që vdiq në mjerim

Publikohet historia e panjohur e Rexhep Jellës, pinjoll i një prej familjeve autoktone më të njohura tiranase, i cili pasi u shkollua në “Robert Kolezh” të Stambollit dhe më pas në Kembrixh të Anglisë, u kthye në atdhe dhe pasi përfaqësoi Shqipërinë në Konferencën e Paqes në Paris, shërbeu në disa funksione dhe poste të larta, si: senator i Parlamentit, deputet i Prefekturës së Durrësit, prefekt në Gjirokastër e Korçë, Kryetar i Bashkisë së Tiranës, etj.

Tërheqja e tij nga skena politike që në vitin 1939 edhe pse Mbreti Zog e kishte një nga të preferuarit e tij duke e dekoruar me urdhërin e madh të “Kordonit të Skënderbegut”, për t’u marrë me studime dhe administrimin e pronave të tij në qytetin e Tiranës dhe fermën që kishte në fshatin Kashar dhe Kus.

Refuzimi i tij për të pranuar postin e Kryeministrit të Shqipërisë në periudhën e pushtimit gjerman të vendit dhe arrestimi nga regjimi komunist që në vitin 1945 së bashku me të birin dhe vëllain, i cili fillimisht u dënua me vdekje, por iu fal jeta më ndërhyrjen e mikut të tij të ngushtë, Shefqet Bejës.

Kalvari i gjatë i vuajtjeve të Rexhep Jellës në burgje dhe internime deri në vitin 1974, kur ai ndërroi jetë në një barakë të vjetër në periferi të Kavajës, ku banorë të atij qyteti teksa ndiqnin me sy ata pak njerëz që po merrnin pjesë në funeralin e tij, nuk mund ta mendonin kurrë, se për në varreza po përcillej një nga njerëzit më të shkolluar të Shqipërisë dhe që kishte përfaqësuar atë në Konferencën e Paqes në Paris.

Askush nga ata banorë të qytetit të vogël të Kavajës, që atë ditë të vrenjtur dhjetori të vitit 1974, shikonin një grup të vogël njerëzish që kishin dalë nga një shtëpi buzë moçalishteve dhe ecnin në drejtim të varrezave publike me një arkivol në supe, nuk e dinin se atë ditë po dërgohej për t’u prehur në banesën e fundit, një nga njerëzit më të shkolluar që kishte Shqipëria e asaj kohe. Ai 80-vjeçar, që ishte shuar aty në një barake të vjetër në periferi të Kavajës, quhej Rexhep Jella dhe ishte diplomuar në “Robert Kolexh” të Stambollit e Kembrixh të Londrës. Kush ishte ky njeri dhe cila ishte e kaluara e tij që i detyronte ata njerëz të vobektë që ta përcillnin për në banesën e fundit vetëm me rrethin e ngushtë familjar?

Kush ishte Rexhep Jella?

Familja Jella, ku u lind Rexhepi në vitin 1895, është prej familjeve autoktone tiranase dhe që nga themelimi i qytetit, të parët e saj janë vendosur me shtëpi diku afër urës së Tabakëve. Si shumë nga njerëzit e familjes Jella, që ishin shkolluar në Turqi, u dërgua dhe Rexhepi, i cili studioi në “Robert Kolexh”, të Stambollit së bashku me moshatarin e tij, Ahmet Zogun nga Burgajeti i Matit. Pasi mbaroi me rezultate të larta, studimet e mesme në atë gjimnaz, Rexhepi u kthye në vendlindjen e tij Tiranë, në vitin 1914-të. Këtu ai nuk qëndroi shumë gjatë, pasi shkolla angleze ku ai u diplomua, i akordoi një të drejtë studimi, për të vazhduar studimet e larta në Shkencat Politike, pranë Universitetit të Kembrixhit në Londër. Në këtë universitet, Rexhepi u regjistrua në degën e Jurisprudencës të cilën e mbaroi me rezultate të larta në vitin 1915. Në vitin 1916, nisur nga arsimimi i plotë i tij, Rexhep Jella u caktua si jurist, në administratën austro-hungareze që qeveriste Shqipërinë, e cila asokohe ishte vendosur në qytetin e Shkodrës.

Internohet nga austro-hungarezët

Po në vitin 1916, nga ana e autoriteteve të larta austro-hungareze, Rexhepi u internua në Mamola të Austrisë. Ndonëse nuk dihen ende dhe janë krejt të paqarta arsyet e vërteta të këtij internimi, lidhur me këtë ekzistojnë disa versione. Më i pranueshmi prej tyre, është ai, që asokohe austro-hungarezët, me preteksin e internimeve, tërhoqën disa shqiptarë që spikasnin në jetën politiko-ushtarake të Shqipërisë, duke i dërguar në Vjenë, për t’i përgatitur nëpër kolegje e universitete, të cilët një ditë do t’ju duheshin atyre, për t’i emëruar në funksione të larta në Shqipërinë e asaj kohe, ku ata mendonin të qëndronin gjatë. Në këtë kontekst, u mor nga qeveria austriake dhe Ahmet Zogu. Bashkë me Rexhep Jellën u dërguan në Austri dhe disa nga personalitetet e parisë së Shkodrës së asaj kohe, siç ishin Alush Lohja, Rexhep Suma, Himë Loku etj. Kjo dëshmohet dhe sipas disa dokumentave arkivore që hedhin dritë mbi këtë periudhë, ku Rexhep Jella përmendet në një letër-këmbim ndërmjet konsullit austro-hungarez në Shkodër, (Krol) dhe ministrit të tij të jashtëm. Po kështu në një telegram që dërgohej nga Vjena më 21 mars 1916, në adresë të konsullit Krol në Shkodër, bëhej e ditur që pas kthimit të Rexhep Jellës nga internimi, të merreshin masa që t’i caktohej si vendbanim i detyrueshëm Tirana, ku banonte dhe e ëma e tij. Po kështu, bëhet e ditur se dhe gjatë periudhës së internimit në Austri, ai vazhdoi aktivitetin e tij politik, duke pasur mardhënie me përfaqësuesit e fuqive të mëdha të Antantës.

Në Konferencën e Paqes në Paris

Në vitin 1918, duke qenë se Rexhepi kishte marrë pjesë aktive në jetën politike shqiptare, që pas diplomimit në 1915-ën, ai u caktua në përbërje të një prej dërgatave shqiptare që shkuan në Konferencën e Paqes në Paris. Lidhur me këtë, ndonëse ekziston një dokumentacion i pasur arkivor në arkivat vjeneze, veprimtaria e Rexhep Jellës në fushën politike, që nga Konferenca e Paqes e deri në vitin 1920-të, është akoma e pandriçuar mirë. Nga burime të ndryshme bëhet e ditur se; që pas kthimit nga Konferenca e Paqes, ku ai ishte përfaqësuesi me moshën më te re nga të gjithë dërgatat shqiptare, Rexhepi u inkuadrua në mënyrë aktive në jetën politike shqiptare, së bashku me shumë patriotë të tjerë tiranas, në mbrojtje të interesave kombëtare nga rreziku i coptimit të fqinjëve të sajë. Pas Konferencës së Parisit, ai u kthye në Tiranë në vitin 1920-të dhe më pas vendoset me punë në Shijak. Gjatë kësaj kohe, Rexhepi së bashku me disa patriotë të tjerë nga qyteti i Durrësit, bëhen iniciatorët e mbajtjes së Kongresit të Lushnjes, ku ai mori pjesë në atë kongres, si delegat i Shijakut. Në vitin 1921, kur u mbajtën zgjedhjet e përgjithëshme parlamentare, ai u caktua me detyrën e Inspektorit të Përgjithshëm të atyre zgjedhjeve, për prefekturën e Elbasanit. Pas përfundimit të zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të vitit 1921, Rexhep Jella u emërua me detyrën e prefektit në Elbasan dhe më pas në Durrës. Pasi kreu për disa kohë këto detyra, ai u thirr në Ministrinë e Punëve të Jashtëme dhe u ngarkua me detyrën e Drejtorit të përfaqsive konsullore, e atë të shefit të protokollit të asaj ministrie. Pasi punoi për disa kohë pranë Ministrisë së Punëve të Jashtëme, në zgjedhjet e vitit 1923, Rexhep Jella u zgjodh deputet i Prefekturës së Durrësit e Asamblist (senator) në Parlamentin shqiptar.

Kryetar i Bashkisë Tiranës

Pasi kreu për afro gjashtë vite funksionet e deputetit të Durrësit dhe Asamblist të Parlamentit, po kështu dhe atë të Prefektit në Korçë e Gjirokastër, nga fillimi i vitit 1930-të, Rexhep Jellës iu ngarkua një nga funksionet më të vështira dhe teper delikate, ajo e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës. Në ato vite para kryeqytetit shqiptar ishin shtruar për zgjidhje, një mori e madhe problemesh, ku më kryesorja ishte rregullimi urbanistik i tij dhe ndërtimi i disa rrugëve e godinave kryesore të administratës qëndrore, të cilat asokohe ishin marrë përsipër nga shoqëritë italiane. Kështu pjesa më e madhe e rrugëve, bulevardeve, godinave të administratës shtetërore dhe atyre publike që u ndërtuan në vitet 1930-35, pa dyshim kanë dhe kontributin Kryetarit të Bashkisë, Rexhep Jellës. Një nga këto ndërtime, që u bënë asokohe është dhe ndërtimi i kompleksit të godinave të Ambasadës Amerikane, ku në përurimin e saj mori pjesë dhe Rexhep Jella.

Fjala në Legatën Amerikane

Në përurimin e atij kompleksi, ku morën pjesë autoritetet më të larta të Mbretërisë Shqiptare, pas fjalës së Kryeministrit Pandeli Evangjeli, e mori fjalën dhe Kryetari i Bashkisë, Rexhep Jella, i cili në mes të tjerash tha: “Çdo popull për të fituar pavarsinë e lirinë e vet, i duhet të bëjë sakrifica, ku më të mëdhaja e ku më të vogla, e duke pasur ndihmën e dikujt. Ne shqiptarët, kemi fituar lirinë e pavarsinë me gjakun tonë, pa i dhënë kujt ndonjë tagër, apo koncension për fitimin e lirisë. Shtetit tonë, ky popull i dha trajtën e Monarkisë, duke vënë në krye një gjeni me vullnet të fortë dhe me dorë të hekurt, me një urti të jashtëzakonëshme e më trimëri të pashembullt. Ai ka vënë vëndin në rrugën e qytetërimit dhe flamuri kombëtar valëvitet mbi të gjitha viset e Shqipërisë. Së dyti, me rastin e përurimit të kësaj ndërtese të Legatës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e cila formon një nga pjesët më të bukura të kryeqytetit dhe është e para legatë e ngritur deri më sot, po përmend sot këtu me simpati e dashuri, popullin amerikan, që e ka parë me preçedencë fitimin e pavarsisë sonë politike, mjafton të përmendim punën e Kryqit të Kuq Amerikan në kohët e para të zhvillimit tonë. Amerikanët deshën të linin ndër ne një kujtim të përhershëm, e kështu me ndihmën e Kryqit të Kuq, të rinjtë ngritën ndërtesën e Shkollës Teknike, për të shëruar plagët e sëmundjet morale e për të luftuar paditurinë. Ne kryeqytetasit, nuk kemi për ta harruar kurrë se ishte Amerikani, ai që ngriti i pari spitalin, ku gjetën shërim mijra njerëz, e që është baza e të gjithë spitaleve që janë ngritur e do të ngrihen në këtë qytet”.

S’pranon postin e kryeministrit

Në vitin 1937, kur Mbreti Zog dekoroi disa nga personalitetet e jetës politike e shoqërore nga të gjitha Prefekturat e Shqipërisë, u dekorua dhe Rexhep Jella me urdhërin e madh të “Kordonit të Skënderbegut”, për të cilën e kishte propozuar Prefektura e Tiranës. Pas vitit 1935, kur Rexhepi u largua nga posti i Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, ai u emërua si Prefekt i Durrësit, ku ishte njëkohsisht dhe deputet i atij qyteti. Në këtë detyrë, ai qëndroi deri në vitin 1937, ku mori titullin Prefekt i Klasit të Parë. Pas kësaj ai u largua përfundimisht nga funksionet drejtuese të pushtetit lokal, duke qëndruar vetëm si deputet. Në qytetin e Durrësit ai qëndroi deri nga viti 1939, e më pas u kthye përsëri në Tiranë, ku vazhdoi të banonte tek vila e tij pranë Urës së Tabakëve, së bashku me bashkëshorten, Fetie Beshiri dhe tre fëmijët e tyre. Mbas pushtimit të Shqipërisë, Rexhepi u tërhoq krejtësisht nga jeta politike dhe u mbyll brenda vetes në shtëpinë e tij, duke u marrë vetëm me studime. Nisur nga kjo, në vitin 1943 me ardhjen e gjermanëv, Rexhepi refuzoi ftesën që ju bë, për të marrë postin e Kryeministrit të qeverisë shqiptare. Gjatë gjithë atyre viteve që ai u shkëput nga jeta politike, Rexhepi u kujdes për pronat e tija që i kishte afër fshatit Kashar (në Kus) në periferi të Tiranës. Në nëntorin e vitit 1944, Rexhepi duke e ndjerë veten krejt të pastër për atë çka kishte bërë gjatë gjithë jetës së tij, në dobi të shtetit shqiptar, nuk tentoi fare të largohej nga Shqipëria.

Burgoset nga komunistët, me vëllain e djalin

Kur nuk kishin kaluar veçse dy muaj nga ardhja e komunistëve në pushtet, më 1 shkurt të vitit 1945, Rexhep u arrestua dhe u dërgua në hetuesinë e Tiranës. Mbas tre muajsh, më 26 maj u arrestua dhe djali i tij Isufi, i cili kryente shërbimin ushtarak në një repart të Korçës. Me tentativën e arratisjes, që në fakt ishte një akuzë e montuar, pasi Isufi nuk kishte tentuar kurrë të arratisej, gjygji ushtarak e dënoi atë me vdekje së bashku me shokun e tij, Muharrem Dashin. Me ndërhyrjen e Shefqet Bejës, mikut të afërt të familjes Jella, Isufit ju fal jeta dhe dënimi ju kthye në 25 vjet burg. Pas dënimit të Isufit, u dënua dhe Rexhepi me dy vjet burg, me akuzën se kishte marrë pjesë në qeveritë e Monarkisë. Sipas dokumenteve arkivore të Gjykatës së Lartë Ushtarake, në akuzën e tij thuhet: “Rexhep Jella, ka pasur lidhje me sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Ekonomisë, “Rocco”, ku me ndërmjetësinë e tij ka bërë tregti me grosh duke i shitur ato në Korfuz. Ka pasur lidhje me kriminelët e luftës të popullit shqiptar, Irfan Ohri e Abaz Kupi dhe ka pasur edhe xhandar roje. Ka marrë pjesë me grupin e deputetëve tradhtarë”. Afro dy vite më vonë, në vitin 1947, komunistët arrestuan dhe vëllanë e Rexhepit, Ramazan Jellën, i cili nuk ishte marrë kurrë me politikë. Ramazani nuk arriti të dilte në gjygj, sepse ai vdiq pasi e hodhën nga shkallët e hetuesisë dhe pas asaj ju sekuestrua e gjithë pasuria, e familja u persekutua për vite me rrdhë. Pas burgosjes së Rexhepit, vila e tij pranë Urës së Tabakëve, u sekuestrua me të gjitha plaçkat, pasi i pëlqeu një koloneli sovjetik, i cili ja kërkoi atë personalisht Enver Hoxhës. Pas kësaj gruaja e Rexhepit së bashku me dy vajzat, u detyrua të shkonte në qytetin e Durrësit dhe më pas në atë të Kavajës, pranë të afërmëve të tyre.

Burgoset përsëri, e vdes në mjerim

Pasi vuajti për dy vjet dënimin, në vitin 1947, Rexhepi u arrestua përsëri dhe u dënua me pesë vjet burg, i akuzuar sikur kishte pasur lidhje me “Grupin e Deputetëve”, të kryesuar nga miku i ngushtë i tij Shefqet Beja. Një nga arsyet që Rexhepi u dënua vetëm me pesë vjet burg, ishte dhe një peticion që e firmosën një pjesë e madhe e banorëve të lagjes ku jetonte ai pranë Urës së Tabakëve, të cilët dëshmonin se ai nuk ishte marrë asnjëherë me veprimtari që binin ndesh me ligjet e shtetit komunist në fuqi. Rexhepi mundi të dalë nga burgu i Burrelit ku vuajti dënimin, në vitin 1952 dhe u vendos pranë familjes në një barake të rrënuar në periferi të qytetit të Kavajës. Në vitin 1957, doli nga burgu dhe djali Isufi, i cili deri sa vdiq në vitin 1986, punoi në punët më të vështira për të siguruar jetesën. Gjatë gjithë atyre viteve që Rexhepi jetoi në Kavajë, ai nuk dilte fare nga shtëpia, por ju kushtua leximeve. Rexhepi kishte një kulturë të gjerë dhe njihte shumë mirë disa gjuhë të huaja, si arabishten, anglishten, italishten, frengjishten, e turqishten. Ai ishte tepër i pasionuar pas letërsisë, e kryesisht asaj gjermane, ku njihte thellësisht Gëten, për të cilin kishte dobësi të madhe. Rexhep Jella vdiq në mjerim të thellë, në vitin 1974 aty në një shtëpi gjysëm të rrënuar në periferi të qytetit të Kavajës, edhe pse në kryeqytetin e vëndit Tiranë, ku për ndërtimin e tij kishte dhënë kontributin personal, kishte një vilë që ja kishin sekuestruar komunistët./Memorie.al/

Dhurata e Enverit për nënë Haxhenë… dy ditë më vonë i pushkatoi të birin

Ishte data 28 dhjetor 1947. Myfit Kashahu ishte nisur nga Vlora drejt Tiranës për një takim shumë të vështirë. Pak ditë më heret ishte arrestuar i vëllai, Aqif Kashahu. Ishte arrestuar më 22 Shtator 1946. Pas torturash përgjatë një viti, ishte shpallur armik i popullit me akuzën: “Si njeri i prekur nga reforma, ka agjituar e propaganduar, duke hedhur parulla helmatuesi, ka pasur lidhje me sillogun e Janinës, është lidhur me elementët reaksionarë të Ballit Kombëtar, ka bërë mbledhje të fshehta, ku ka pasur qëllim rrëzimin e pushtetit popullor”.

Myfit Kashahu kishte qënë shok fëmijërie por edhe bashkënxënës në Gjorkastër e Korçë dhe më pas bashkëstudent me Enver Hoxhën në Francë. Në vitin 1947, Myfiti ishte gjyqtar në Vlorë sepse në Francë kishte studiuar për jurisprudencë. Kështu u nis nga Vlora drejt Tiranës me qëllim për të takuar diktatorin dhe me shpresën se do ta ndihmonte, si shok fëmijërie e rinie. Do ti kërkonte ti falej jeta të vëllait Aqifit, I cili gjithashtu kishte qënë shok fëmijërie me Enver Hoxhën.

Kur mbërriti në Tiranë, te Komiteti Qëndror, po priste me frikë e antkh pranë derës së diktatorit. Kishte marrë përgjigjen positive se enver hoxha do të priste. Po qëndronte tek dera duke sjellë në vëmëndje gjtihë kujtimet e tij me diktatorin, kur ndanin bukën bashkë e kur gëzonin kohën kur fituan të drejtëne studimit.

Kur u hap dera dhe u shfaq miku I tij I kohëve të fëmijërisë dhe rinisë, Myfiti kish shpresuar se do të mund ta shpëtonte të vëllanë sepse diktatori e pri me buzëqeshje.

Takimi me diktatorin!

Hë Myfit si je? Si shkon me punen? E kish pyetur me buzëqeshje diktaroti. Myfiti disi I shpenguarnga mikpritja kish hyrë drejt e në temë: mirë jam Enver, nuke di a e ke marrë vesh se Aqifi është arrestuar dhe e mbajnë në burg te “shtatë penxheret” tin a njeh mirë sepse jemi rritur bashkë, Aqifi ska bërë asgjë.

Ju njoh si nuk u njoh: ish përgjgjur diktatori, “në se ke ardhur për këtë punë kot je munduar, duhet të kini besim te partia. Po teta Haxheja si është?

“Si të jetë” I ishte përgjijur Myfiti, “ e merakosur për djalin”

“E kujtoj ngahera teto haxhenë gojëmbël por i thuaj të mos bëhet merak. Meqe jemi në prag festash po të jap një dhuratë tia dërgosh”.

Ishte larguar në një dhomë tjetër ngjitur për tu shfaqur pajk çaste më pas me një pako në dorë për nënë Haxhenë.

“Të fala bëj Nënë Haxhesë e thuaj të mos merakoset”.

Me këto fjalë, Myfiti u nis drejt Gjirokastrës I çliruar dhe I sigurt se jeta e të vëllait nuk ishte më në rrezik. Sapo mbërriti në shtëpi e priste nënë Haxheja e shqetësuar për fatine të birit, Aqifit. Pasi dëgjoi nga Myfiti se Enveri I kishte dhënë garanci, nënë Haxheja ishte çliruar. Më pas ajo do të hapte edhe dhuratën që I kishte dërguar diktatori. Ishte një shifon I zi dhe një palë qorape të zeza. Nëna e shkretë e kuptoi mesazhin orgurzi të djalit problematik të Palortosë dhe lëshoi një ofshamë dhimbje. Dy ditë më pas, gjykata e Gjirokastrës e dënoi me pushkatim Aqif Kashahun.

Dita e gjyqit!

Kur prokurori Vangjel Pecani uluriste si bishë dhe kërkonte dënim me pushkatim për Aqif Kashahun, Po pushkatohej pa bërë asnjë faj. Teto Haxheja, e ëma e Aqif Kashahut, ishte në mesin e një grupi njerëzish që regjimi i mblidhte në sallat e frikshme, ku vendosej vdekja e bijve më të mirë. Kishte ardhë e paftuar në atë sallë. Ndërsa nënë Haxheja qante, një pjesë tjetër e sallës duartrokiste për vendimin që kishte marrë partia, për vdekjen e armikut të popullit. Ishte masa injorante, ajo pjesë e vogël e shoqërisë së asaj kohe, që nuk kishte lidhje me humanizmin. Përmes asaj shtrese injorante të shoqërisë shqipëtare, regjimi do të vriste Aqif Kashaun e mijëra djem, burra e gra shqiptarë, pa bërë asnjë faj.

Ja si e përshkruan profesor Pëllumb A. ÇABEJ, ditën e gjyqit të Aqif Kashahut: “I pandehur – i tha kryetari i gjykatës – a e pranon akuzën? Jo,- tha Aqifi,- ajo është e gatuar me lakrat e sigurimit të Shtetit drejtuar nga Subo Bakiri. Shkruaj, – i tha Kryetari sekretares, se nuk e pranon. Më poshtë pastaj, foli prokurori: Ç’doje të tregoje mbi Anglinë? Anglia është ndër shtetet më të pasura të botës dhe me një ekonomi dhe një politikë të përparuar, – tha Aqifi. Po të ishte Shqipëria me Anglinë, zoti prokuror, këtu do të ishte kopsht me lule, do ishte parajsa e vërtet. U bëtë me Stalinin, mustaqe madhin që do t’ju shpjerë në komunizëm… kësaj i thonë përrallë me mbret. Kush e ka parë me të vërtet komunizmin? Jo, askush. Kjo është një idil, as nuk preket e as nuk shihet. S’është gjë tjetër, veçse një shkencë utopike që nuk përputhet me realitetin. Ç’pritet nga muzhiku, zoti Prokuror, kur mender jush, nuk ka brekë në bythë. Nga ata presim të shohë hajër Shqipëria? Stalini ishte diktator kur tha, – Jepuni shqiptarëve farë bliri që t’i mbjellin rrugës për t’ju bërë hije. Kurse ne, zoti prokuror, na gërryen zorrët nga uria. Sarkazma e Aqif Kashahut ishte bërë presë me dy thika, sa prokurori u ngrit në këmbë i revoltuar dhe thirri: Pusho i pandehur. Mjaft llokoçitët, zoti gjyqtar koka e këtij të pandehuri ka lakra, drejtësia jonë do t’ia shkulë, po Zërin e së vërtetës nuk mund t’ia shkulni dot! – tha Aqifi – dhe prej asaj keni frikë..?”, rrëfen profesor Prof. Pëllumb A. ÇABEJ, i cili i referohet dokumentave e dëshmive autentike rreth pushkatimit të Aqif Kashahut.

Pushkatimi

Aqif Kashahu u pushkatua në Gërhotin e Gjirokastrës, më 30 dhjetor të vitit 1946, në moshën 37 vjeç. Eshtrat e tij nuk u gjendën kurrë. Menjëherë pasi gjykata vendosi dënimin me pushkatim, skuadrat e pushkatimit e morën Aqifin Kashaun dhe e degdisën në periferi të qytetit, për ta pushkatuar e për t’ia tretur eshtrat në harresë.

Shënim: Historia mbështetet në një artikulli botuar në radiandradi që i referohet librit “memorie, mbresa dhe kujtime” me autor Tajar Kokalari si dhe rrëfimit të profesor Pëllumb A. ÇABEJ, i cili i referohet dokumentave e dëshmive autentike rreth pushkatimit të Aqif Kashahut. Kujto.al

(IV) 2020 VITI I AT GJERGJ FISHTËS – 80 VJET – AT GJERGJ FISHTA ASHT MENDJA, ZEMRA E SHPIRTI I POPULLIT SHQIPTAR – Pllakat nga Fritz RADOVANI

AT GJERGJ FISHTA  O.F.M 1940-2020. ASHT MENDJA, ZEMRA E SHPIRTI I POPULLIT SHQIPTAR – Pllakat nga Fritz RADOVANI 2019

Le Figaro (1916)- Ismail Qemali, dëshmitar në dasmën e drejtorit të gazetës “L’Evolution politique”

Ismail Qemali

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 15 Shkurt 2020

 

“Le Figaro” ka botuar, të enjten e 18 majit 1916, në faqen n°3, një fakt të paditur dhe personal për Ismail Qemalin, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

 

Dasmat

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

— Në kishën Notre-Dame de Montluçon u celebrua, të martën, martesa e kolegut tonë zotit Maurice Levet, drejtor i “L’Evolution politique”, me zonjushën Marguerite Troubat, vajzën e industrialistit montluçonnais.

 

Dëshmitarët ishin, për nusen : Zotërinjtë Georges dhe Jean Troubat, industrialistë, vëllezërit e saj; për dhëndrin: z. Maurice Raynaud, deputet, ish-ministër i kolonive dhe Shkëlqesia e Tij, Ismail Qemal beu, ish-president i Këshillit të Shqipërisë.

Në Danimarkë ndodhet një qytet me emrin Skanderborg

VOAL – Skanderborg është një qytet në komunën Skanderborg, Danimarkë. Ndodhet në anët veriore dhe veriore lindore të Liqenit të Skanderborgut dhe ka disa pellgje më të vogla dhe rrjedha uji brenda vetë qytetit, si Lillesø, Sortesø, Døj Sø dhe moçalin e Eskebæk Mose. Vetëm në veri të qytetit në anën tjetër të autostradës E45, është Illerup aldal arkeologjikisht i rëndësishëm. Me kalimin e kohës, qyteti është rritur në një periferi të Aarhusit në veri-lindje, i lidhur nga zonat urbane të Stilling, Hørning dhe Hasselager.

Skanderborg ka një popullsi prej 19 185 banorë (1 janar 2019), ndërsa popullata e përgjithshme e bashkisë Skënderborg prej 61.974 banorë (2019).

Historia

Skanderborgu është një qytet i vjetër dhe zonë ku janë zbuluar gjurmë të vendbanimeve njerëzore, që datojnë nga Epoka e hershme e Gurit Nordik. Një kamp sezonal nga kultura Ertebølle, u gjet këtu në vitet ’30 për shembull, pranë ish-Ringkloster (Anglisht: Ring Abbey) në brigjet jugore të Liqenit të Skanderborgut.
Qyteti u përhap rreth ish-Kalasë së Skanderborgut, e themeluar në një moment gjatë Mesjetës së hershme dhe më 1583 Skanderborgut iu dha një statut komunal.

Religjionet

Qyteti i Skanderborgut ka mirëpritur disa bashkësi fetare ndër vite, veçanërisht në mesjetën e hershme. Ring Abbey i hershëm, i themeluar nga murgeshat Benediktine në shekullin e 12-të, dikur ishte vendosur në brigjet juglindore të Liqenit të Skënderborgut. Ndërtesat e fundit u dogjën më 1715 dhe tani ka një rezidencë në këtë qendër. Dikur ka qenë një manastir Dominikane në ishullin e vogël të Kalvøs në mes të liqenit. Manastiri u themelua nga Urdhri i Zjarrit të Zi në gjysmën e parë të shekullit të 12-të, së bashku me një port të vogël, por në vitin 1168 kishin mbetur vetëm dy murgj dhe u muar nga Urdhri Cistercian. Cistercianët erdhën këtu pasi ata kishin dështuar në gjetjen e një manastiri të duhur në disa vende aty pranë që nga viti 1165. Në atë vit, ata u nisën për një mision nga Vitskøl Abbey në Himmerland, për të gjetur një komunitet vajzash në dioqezën e Aarhus dhe provuar në Sabro, në Sminge afër Silkeborg (Sminge Abbey), dhe pastaj pranë fshatit Veng (Veng Abbey). Cistercianët përfundimisht u ndjenë të izoluar në ishullin e vogël të Kalvøs, shpesh të shkëputur nga territori për ditë dhe javë edhe kur moti ishte i ashpër, dhe pas vetëm katër vjet, ata u larguan këtu, gjithashtu, dhe u zhvendos në Rye midis Mossye dhe Gudensø, disa kilometra në perëndim të Skënderborgut. Këtu ata themeluan Abm Abbey në 1172.

Kalaja e Skanderborgut

Rezidenca mbretërore e Kalasë së Skënderbeut ishte ndoshta ndërtesa më e rëndësishme dhe me ndikim në historinë e Skënderborgut, por ajo u rrënua gurë-gurë gjatë shekullit të 18-të. E themeluar në mesjetën e hershme rreth vitit 1200, Mbreti Frederik II kështjellën e vjetër mesjetare e kishte rindërtuar dhe zgjeruar rrënjësisht rreth 1570. Projekti i tij ishte madhështor. Në shekujt XI-XVI, Kalaja e Skanderborgut funksiononte si pikë tradicionale e gjuetisë së mbretërve danezë.

Shkatërrimi

Në vitet 1717-22, Mbreti Frederik IV filloi rrënimin e strukturave të vjetra origjinale mesjetare dhe i zëvendësoi ish-fortifikimet me kopshte tarracë. Mbeti vetëm kambana e kishës ende ekzistuese e kështjellës. Nga ana tjetër, Kalaja e Skanderborgut pa një rënie të popullaritetit dhe vëmendjes nga familja mbretërore, dhe më 1767, kalaja me kopshte u shit në ankand. I zakonshëm Hans Lauritzen bleu pronën mbretërore për shumën e 3004 Rigsdaler, ndërsa kisha e kështjellës me orendi dhe këmbanat iu dha qytetit të Skanderborgut. Në prill të vitit 1768 filloi prishja e Kalasë së Skanderborgut dhe asgjë nuk mbetet prej saj sot, përveç kishës së vjetër të kështjellës.

Ndërtesat dhe strukturat e tanishme

Qyteti i Skanderborgut ka gjithsej tri kisha, dhe Kisha e Kështjellës Skënderborg dikur pjesë e ish-Kalasë së Skanderborgut.

Qendra kulturore e Kulturhuset, e vendosur në Byparken (parku i qytetit) në qendër të Skanderborgut, u krijua nga firma arkitekturore vendase Kjær & Richter dhe u ndërtua në vitin 1998. Ajo strehon ish-bibliotekën e qytetit, sallat e teatrit dhe koncerteve, një kinema , një holl tre katëshe me ekspozita në ndryshim dhe një kafene. Përreth ndërtesave, është një teatër grek me 500 vende, një shesh lojrash dhe një fushë volejbolli plazhi, midis objekteve të tjera, pasi vetë parku i qytetit perceptohet si pjesë e qendrës kulturore.

Sheshi i Højvangens Torv, në pjesët verilindore të qytetit, është qendra e kampusit arsimor të njohur si Campus Højvangen. Kampusi është vendi i institucioneve arsimore si një shkollë publike, një kolegj biznesi (një institucion HHX), kolegj teknik (një institucion HTX nën Aarhus Tech), një qendër arsimore për të rritur, Gjimnazi i Skanderborgut që ndodhet në një park skulpturash. Gjimnazi u krijua nga firma arkitekturore Friis & Moltke dhe u ndërtua më 1973.


Muzeu Skënderborg ka selinë e tyre në Adelgade 5, një ish-përmbarues (danez: i mbyllur) nga mesi i shekullit të 18-të. Ndërtesat janë të vendosura në pjesët më të vjetra të qytetit, ngjitur me pellgun e Lillesø. Muzeu funksionon si një ombrellë për disa muze në dhe rreth qytetit të Skënderborgut, duke përfshirë Museet på Adelgade, Muzeun Øm Kloster, Museet på Gammel Rye Mølle, Ferskvandsmuseet dhe Skanderborg Bunkerne. Skanderborg Bunkerne është një muze i Luftës së Dytë Botërore, i vendosur në bunkerët gjermanë të braktisur në Skënderborg Dyrehave. Luftwaffe gjermane ndërtoi selinë e tyre daneze këtu dhe një prej bunkerëve më vonë gjeti përdorim si qendër komande për agjencinë e mbrojtjes civile gjatë epokës së luftës së ftohtë. Muzeu Øm Kloster ndodhet jashtë qytetit, në rrënojat e vjetra të Abm Abbey në pragun verior të liqenit Mossø. Muzeu Skanderborg është organizata përgjegjëse për arkeologjinë dhe arkivimin e historisë kulturore brenda bashkisë.

Natyra

Liqeni Skënderborg siç shihet nga verilindja, me Kalvø dhe kishën e mbetur të kështjellës me tulla të kuqe,  rrethonin dikur Kalanë e Skanderborgut. Pemët e ahut prapa kishës janë periferi të Skënderborg Dyrehave.

Në pjesën jugore të qytetit ndodhet parku i drerit të Skanderborg Dyrehave, që ndodhet brenda pyllit të Skanderborgut. Parku i drerit u krijua rreth vitit 1580 nga Mbreti Frederik II për të lehtësuar interesin e tij për gjueti.


Skanderborg Sø (Shqip: Liqeni Skanderborg) u krijua gjatë epokës së fundit të akullit. Liqeni ka një formë të parregullt të ndarë në dy zona më të mëdha liqene të njohura përkatësisht si Hylke dhe Store Sø, me një sipërfaqe totale prej 8.6 kilometra katrorë. Liqeni ka një thellësi mesatare prej 8 metrash dhe deri në 18.8 metra në vendin më të thellë. Ajo mban afërsisht 49.3 milion metra kub ujë të ëmbël 23.5 metra mbi nivelin e detit dhe zbrazet në Mossø, nga rryma e shkurtër e Tåning Å në perëndim. Ka një numër ishujsh të vegjël në liqen; Kalvø, Æbelø, Sct. Thomas dhe Sct. Helene.

Transporti
Skanderborgut shërbehet nga stacioni hekurudhor Skanderborg. Ndodhet në linjat hekurudhore Fredericia-Aarhus dhe Skënderborg-Skjern dhe ofron shërbime të drejtpërdrejta të InterCity në Kopenhagen, Aarhus, Aalborg dhe Frederikshavn dhe shërbime rajonale të trenave për Aarhus, Fredericia, Herning dhe Skjern.

Ngjarjet
Që nga viti 1980, Festivali Skanderborg, një festival vjetor i muzikës, është mbajtur në gusht në Skanderborg Dyrehave./ Elida Buçpapaj (Wikipedia)

1921- Rezoluta drejtuar Lidhjes së Kombeve që të merrte përgjegjësitë e saj për të mbrojtur Shqipërinë. Falënderimet e Mit’hat Frashërit

Mit’hat Frashëri

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 13 Shkurt 2020

 

“Les Cahiers des droits de l’homme” ka botuar, më 10 korrik (faqe n° 19) dhe 25 gusht (faqe n° 24) 1921, dy shkrime në lidhje me ndërhyrjen e Komitetit Qendror të Lidhjes për të Drejtat e Njeriut pranë Lidhjes së Kombeve për të mbrojtur interesat e Shqipërisë dhe falenderimin e Mit’hat Frashërit për këtë veprim, të cilat, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

 

Për Shqipërinë

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Komiteti Qendror konstatoi, nëpërmjet përshtypjeve që pati z. J. Godart gjatë udhëtimit të tij, vështirësitë me të cilat po përballet aktualisht Shqipëria.

 

E kërcënuar nga ndërhyrjet e Jugosllavisë dhe Greqisë, ajo, në bazë të artikullit XV të Paktit, iu drejtua Lidhjes së Kombeve. Kjo e fundit u tërhoq me pretekstin se është Konferenca e Ambasadorëve ajo që “vendos” për këtë çështje.

 

Nga njëra anë, fakti është i pasaktë; për më tepër, çështja nuk është përgjegjësi e Konferencës së Ambasadorëve, por e Lidhjes së Kombeve.

 

Me të drejtë, Komiteti Qendror i Lidhjes për të Drejtat e Njeriut, në seancën e tij të 27 qershorit, votoi njëzëri rezolutën e mëposhtme :

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Lidhja për të Drejtat e Njeriut,

 

Me keqardhje konstaton që Këshilli i Lidhjes së Kombeve i është nënshtruar Konferencës së Ambasadorëve dhe, përdor metodat e vjetra të diplomacisë për të zgjidhur fatin e Shqipërisë, duke hequr dorë kështu nga të drejtat dhe detyrat e tij;

 

Vë në dukje dërgimin e Shqipërisë, anëtare e Lidhjes së Kombeve, përpara një konference, ku ajo nuk është e përfaqësuar dhe ku vendoset me dyer të mbylluara, dhe kjo përbën një mohim të vërtetë drejtësie;

 

Tërheq vëmendjen e Lidhjes së Kombeve për përgjegjësinë që ka marrë duke refuzuar për të diskutuar problemet serioze që prekin një nga anëtarët e saj dhe duke e lënë atë në rrezik ndaj lakmive territoriale të fqinjëve të saj. (27 qershor)

 

 

Korrespondencë

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Lexuesit tanë kujtohen se, në seancën e 27 qershorit 1921, Komiteti Qendror, me propozimin e z. Godart, votoi unanimisht një rezolutë proteste në favor të Shqipërisë. (Shih Cahiers 1921, faqet 306 dhe 349). Me këtë rast, M. Frashëri, presidenti i delegacionit shqiptar, i dërgoi z. Henri Guernut, sekretarit të përgjithshëm të lidhjes, letrën e mëposhtme :

 

Z. Sekretari i përgjithshëm,

 

Kam lexuar në gazeta agjendën (rezolutën) e votuar nga Komiteti Qendror i Lidhjes për të Drejtat e Njeriut në favor të Shqipërisë, kërkesën e të cilës Këshilli i Lidhjes së Kombeve nuk pranoi të vendosë drejtësi.

 

Shqiptarët, në përgjithësi, dhe unë, në veçanti, kujtojmë se Lidhja për të Drejtat e Njeriut ishte e para që e ngriti zërin për të drejtat e Shqipërisë, dhe unë jam i lumtur t’ju shpreh edhe një herë ndjenjat e mia të mirënjohjes, duke ju kërkuar që të jeni interpretuesi i këtyre ndjenjave pranë anëtarëvë të Komitetit Qendror.

 

Ju lutem pranoni, Zoti Sekretar i përgjithshëm, sigurinë e konsideratës time më të lartë.

 

Presidenti i Delegacionit Shqiptar :

  1. Frashëri.