VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

LDK braktis mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit për shkak të Speciales

By | January 22, 2018

Komentet

Papa Françesku në takimin me politikanë e klerikë shqiptarë: Ndihmoni të rinjtë të mos emigrojnë

Shqipëria “është një pjesë integrale e Evropës dhe me traditat e saj më fisnike, dokumenton origjinën e qytetërimit të saj”, por ka nevojë për një “zhvillim të mirëfilltë dhe të balancuar, në mënyrë që brezat e rinj të mos kushtëzohen të zgjedhin emigracionin, duke dobësuar vendin nga forcat dhe kompetencave thelbësore për rritjen humane dhe civile”. Deklarata u bë nga Papa Françesku, gjatë një pritje në Vatikan të një delegacioni shqiptar, të përbërë nga politikanë dhe drejtues fetarë, me rastin e 550-vjetorit të ndarjes nga jeta të Skënderbeut.

Një “lidhje e vjetër e miqësisë dhe traditës së marrëdhënieve” ajo mes Shqipërisë dhe Vatikanit, vuri në dukje Papa Françesku. Kreu i Vatikanit e vlerësoi Shqipërinë si “vendin e historisë së lashtë dhe të lavdishme”, që ishte destinacioni i udhëtimit të tij të katërt ndërkombëtar apostolik në shtator 2013, i pari në një vend evropian.

Bergoglio vlerësoi figurën e Gjergj Kastriot Skënderbeut.

“Djali heroik i një populli të fortë dhe bujar, i cili mbrojti me guxim vlerat shpirtërore dhe emrin e krishterë, deri në pikën e meritimit të titullit të “Athleta Christi”, tha Papa.

“Ai formoi me veprat e tij, identitetit kulturor shqiptar, duke u bërë simbol i padiskutueshëm i kohezionit dhe unitetit kombëtar dhe përcjellës në shkallën më të lartë të vlerave të besnikërisë ndaj angazhimeve të ndërmarra lirisht”, citohet kreu i Vatikanit nga agjencia italiane e lajmeve “La Stampa”.

Gjatë fjalës së tij, Papa u ndal më tej te arbëreshët, Viti i Skënderbeut e harmonia fetare në vendin tonë.

Gjatë kësaj të hënë, është parashikuar një aktivitet kulturor në Teatrin “Argentina“ në Romë, të organizuar nga ambasada shqiptare në Selinë e Shenjtë. Ermal Meta, Dua Lipa, Olen Çezari, Inva Mula, Kledi Kadiu, janë disa nga artistët që do të performojnë në këtë aktivitet i programuar të nisë në orën 20:30.

/PANORAMA/

FOTOT – Bie ortek bore në Dardhë të Korçës

Fshati turistik i vizituar së shumti në zonën e Korçës aktualisht ndodhet në gjëndje të rënduar për shkak të reshjeve të mëdha të borës.

 

Vendi ku ka rene orteku, foto u publikua nga Oranews

Mjetet e pastrimit të borës e kanë të vështirë të shkojnë në zonë për shkak të terrenit mjaft të thepisur. Si pasojë e rënies së ortekut rruga është bllokuar, ndërsa një shtyllë ka rënë në tokë.

Pak orë më parë në Dardhë kanë ikur dhe dritat, duke e bërë qëndrimin në zonë mjaft të vështirë.

Deri tani dy borëpastruese kanë arritur në zonën ku ka rënë orteku dhe po pastrojnë borën e cila ka mbuluar thuajse gjithçka.

Në qytetin e Korçës gjithashtu situata është shfaqur problematike për shkak të reshjeve të shumta të borës. Ka patur mjaft raportime për shkëputje të energjisë elektrike si dhe për faktin se në brendësi të qytetit borëpastrueset nuk kanë ardhur për të kryer detyrën.

Më poshtë disa nga fotot e qytetit që prej 3 ditësh është prekur nga bora.

Viti i Skënderbeut, Papa Francesku mban sot audiencë

Papa Françesku do të mbajë sot një audiencë me rastin e vitit mbarëkombëtar të Gjergj Kastrioti Skënderbeut. Kjo ceremoni do të mbahet në Vatikan në orën 17:00.

Mësohet se në audiencë do të marrë pjesë edhe kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi si dhe personalitete të larta shtetërore nga Shqipëria, përfaqësues të komuniteteve fetare, personalitete të artit, kulturës e medias si edhe përfaqësues të arbëreshëve dhe komuniteteve të diasporës shqiptare nga SHBA dhe vende të tjera.

Në zyrat e Lidhjes – Ismail Kadare: Ju rrëfej telefonatën me Enverin

NGA LIBRI “KUR SUNDUESIT GRINDEN-RRETH MISTERIT TË TELEFONIMIT STALIN-PASTERNAK”

ISMAIL KADARE

Telefonimi i Enver Hoxhës kishte ndodhur vërtet përpara ca kohe. Ishte mesditë, ndodhesha si zakonisht në Lidhjen e Shkrimtarëve kur zëvendëskryeredaktori i gazetës “Drita”, duke më zgjatur telefonin, më tha se dikush më kërkonte.

Jam Haxhi Kroi, tha zëri. Me ju do të flasë shoku Enver.

Nuk arrita të them asgjë, veç fjalës “faleminderit”! më përgëzoi për një poemë që sapo ishte botuar në gazetë. Unë thashë prapë “faleminderit”. Ai tha se i kishte pëlqyer shumë dhe, ndërsa iu bëra një shenjë të tjerëve që të mos bënin zhurmë, pa qenë në gjendje të shqiptoja diçka tjetër, përsërita një “faleminderit” të tretë.

Ç’janë këto katër falënderime rresht, tha njëri nga redaktorët. Kur na qenke bërë kaq i sjellshëm?

S’dija si t’i paralajmëroja, veç bëra një shenjë tjetër me dorë, që vështirë se mund të kuptohej ç’donte të thoshte.

Ishte Enver Hoxha. Ishin të vetmet fjalë që arrita të them, kur telefoni u mbyll.

Vërtet? Si? Ai vetë?

Po, u përgjigja.

Po si? Ç’të tha? Po ti? Si nuk i the asgjë?

U përgjigja: nuk e di. Siç duket, u hutova.

Iu tregova për përgëzimin e tij dhe ata prapë shfaqën keqardhjen që nuk fola pak më tepër, veç njërit, që më dha të drejtë, duke sqaruar se, në raste të tilla të lidhej goja…

Kur sunduesit grinden

***

Të gjitha vendet që përbënin kampin socialist pas Luftës së Dytë Botërore, e përjetuan në mënyrë të dhimbshme kalimin e shkrimtarëve të shquar nga epoka borgjeze në atë komuniste. Terrori dhe burgjet ishin pjesa më e kapshme e tablosë. Pjesa tjetër, ajo e dramave të brendshme, e thyerjeve, e lëshimeve, duke qenë gjer më sot ende e pazbërthyer, ka qenë edhe më e pakuptueshmja. Komunistët i trembte arti. Udhëzimet e shefave të tyre më të lartë, duke përfshirë Leninin dhe Marksin, ishin aq të cekëta saqë mijëra punonjës të kulturës torturonin trutë ditë e natë për të kuptuar se ç’donte të thoshte Lenini, në të vetmin librushkë të tij për letërsinë: “Organizata e partisë dhe letërsia e partisë”.

Sado e pabesueshme të dukej, askush nuk guxonte të thoshte se ky moskuptim vinte ngaqë në këtë libër të rëndomtë e të mërzitshëm, autori vetë kishte gjasë të mos e dinte se për ç’letërsi bëhej fjalë: për pamfletet dhe traktet e partisë apo letërsinë që njohim. Nga një shfletim i Karl Marksit nuk ishte i vështirë të kuptohej se njeriu që ia kishte kushtuar jetën e vet përmbysjes me dhunë të rendit botëror, në dhjetëra librat e tij nuk kishte asnjë gjysmë faqe për tronditjen dhe pendimin që shkakton derdhja e gjakut njerëzor.

Të mos kujtoheshe për këtë, nuk do të thoshte vetëm se s’kishe kuptuar asgjë nga Homeri dhe Dantja, por shumë më keq. Mund të thuhej se Karl Marksi i propozoi njerëzimit kasaphanën e madhe, por pa e shoqëruar, së paku, me porosinë e thjeshtë njerëzore: megjithatë, kujdes nga vrasja e ndërgjegjes!

Lasgush Poradeci me qenin e tij, Cuci
Lasgush Poradeci me qenin e tij, Cuci

Të mbyllej me kaq, do të ishte ndoshta gjysma e së keqes. Por gjysma tjetër, ajo që vinte më pas, ishte ku e ku më makabre. Kujdes nga kujdesi për vrasjen e ndërgjegjes! E pagëzuar si “dobësimi i luftës së klasave”, mëshira, në mijëra studime, fjalime e parulla të ditës, përmendej si një kambanë tmerri që ndillte veç zi për proletariatin botëror. Të gjitha vendet e kampit, që nga Shqipëria e vogël stërstaliniste te Kina e pafundme, ofronin qasjen e tyre për këtë gjëmë. Në Shqipëri, nga shkrimtarët e padënuar, dy më të shquarit, Fan Noli dhe Lasgush Poradeci, do të kishin marrëdhënie, ende sot të pashpjeguara plotësisht, me regjimin komunist.

Të dy vinin nga mbretëria, njëlloj të famshëm, por në mënyra të ndryshme. I pari, Fan Noli, poet dhe shekspirolog, ishkomplotist, ish-Kryeministër i Shqipërisë, kishte përfunduar peshkop i saj, por me banim në USA. Siç është thënë shpesh, ishte, me sa dukej, i vetmi poet në Europë, që kishte pasur një grindje të gjatë me mbretin e vendit, Zogun, të cilin kishte arritur ta përmbyste dhe ta dënonte me vdekje në mungesë, për t’u përmbysur më pas e për t’u dënuar me vdekje në mungesë, po prej tij.

Dhe kështu, pas padurimit shqiptaro-ballkanik për ta vënë në gjunjë njëri-tjetrin, kishin përfunduar të pajtuar më 1960, kur të dy e kishin humbur ndërkaq Shqipërinë.

Poeti tjetër, Lasgush Poradeci, gjithçka të tijën, duke përfshirë dhe aureolën, e kishte të ndryshme: erotiko-qiellore. Dashuri, gra, të gjitha të një bote që më shumë s’ishte se ishte.

Madje, cilësimin e vetes kështu e kishte bërë: “Zog i qiejve”, për të cilin gojët e liga nuk do të mungonin të thoshin se, duke përfituar nga emri i mbretit Zog, që në shqip do të thoshte shpend, haptas sfidonte mbretin: ti je Zog në tokë, unë në qiell!

Mirëpo, mbreti shqiptar, gjë e rrallë kjo, me sa dukej, s’kishte smirë ndaj poetëve. Ndoshta nga kjo ose ndoshta ende i tmerruar nga ato që kishte hequr prej poetit tjetër, Nolit, kishte qëndruar larg, çka do të thoshte se poeti dhe princi bënin sikur s’e vinin re njëri-tjetrin.

Dhe kështu, pas rrëmujës së luftës, Lasgush Poradeci u gjend në epokën komuniste, midis brohoritjeve të ndërprera nga krisma armësh të skuadrave të pushkatimi. I papërshtatshëm për asgjë, duke përfshirë edhe këto të fundit, ishte aq jashtë kohe saqë çdo dënim kundër tij do të ngjante jo bindës. Sidoqoftë, si të mos e linin fare pa gjë, hë për hë, në pritje të goditjeve më serioze, hapën fjalë se ishte maniak dhe krejt i krisur nga mendja.

Sunduesi komunist, Hoxha, si të ndihej keq nga ajo që mund të quhej “mungesë e përvojës së smirës mbretërore”, imitoi ish-mbretin në qëndrimin e tij ndaj dy të mëdhenjve të artit: bëri një gjysmë pajtimi me Nolin dhe vijoi të njëjtën mosvëmendje ndaj Poradecit.

Kjo e fundit ishte e ndërsjellë, pra, tepër e volitshme për poetin, por jo e parrezikshme.

Ajo që e mbrojti në të vërtetë Lasgush Poradecin, ishte maska e Hamletit. Ende sot, në prag të hapjes së dosjeve të fshehta, nuk ka asnjë dëshmi që të vërtetonte se hiqej si i çmendur. Më tepër besohej e kundërta.

E folura e tij ngjante si jo e kësaj bote. Më e habitshmja ishte se e folura e të tjerëve me të niste të ndryshonte gjithashtu. Ndryshimi i parë ishte përdorimi i fjalës “zotni”, e zhdukur ndërkaq. Ishte, me sa dukej, kjo zanafillë tepër e mjegullt e idesë se ndoshta nuk ishte më i gjallë. Ajo u përhap me shpejtësi të pashpjegueshme kudo. Sa herë që binte fjala për të, do të gjendej dikush që të pyeste, a është gjallë apo jo, dhe pas tij, dikush që do të përgjigjej se ajo dihej. Pas kësaj, rrallëkush mund të ishte i sigurt nëse ajo ishte gjallja apo vdekja e poetit.

Trazime të tilla, si ato që lidheshin me pyetjen nëse poetët ndiheshin më fort me mospraninë e tyre se me praninë, nuk dilnin asnjëherë në shtyp. Ashtu siç nuk dilte gërgama e lexuesve ndaj shkrimtarëve që nga Hungaria e vendet baltike gjer në Mongoli. Kur nuk shkruanin dot libra tërheqës ngaqë s’ishin të aftë apo nuk i linte realizmi socialist, siç ankoheshin, atëherë të bënin së paku ca skandale, si ato të dikurshmet, në mos me mbytje, me ndonjë ndarje të bujshme grash.

Çfarë ishte? Si niste, si mbaronte. A kishte mbarim!

Që në letërsi kishte ndodhur një katastrofë, këtë e ndjenin të gjithë. Kërkimi i shkaqeve të katastrofës, ashtu si mosgjetja e tyre do të vazhdonte ende gjer më sot, në ditët që po shkruhen këto radhë dhe kur arkivat e fshehta, më në fund, do të hapen.

Sipas Josif Brodskit, midis dy mënyrave të rrënimit të letërsisë, njëra, goditja ballore, u shmang për një zgjedhje më tinëzare, prishjen e lëndës së ndërtimit, thënë ndryshe, të tullave (çka do të thoshte në këtë rast, të shkrimtarëve), që do të sillte më pas rrënimin vetvetiu të ngrehinës.

Të tjera prishje e shtratime do të ndodhnin midis vetë jetës, personazheve që e popullonin atë, gjuhës që ata përdornin. Çdo popull në familjen e madhe komuniste sillte përvojën e vet të veçantë në të gjitha sferat. Rrallimi i mjediseve që quheshin tipike për rendin e vjetër, si kazinotë, baret e natës, shtëpitë publike e të tjera, do të shoqërohej me rrallimin e maniakëve, tyryfylëve, mendjekrisurve, të përhënurve, etj. Nga të gjitha këto, gjuha do të kishte pjesën e saj, ajo e shkruara, natyrisht, por sidomos e folura.

Manastir: Presidenti Meta përshëndet 110-vjetorin e Kongresit të Alfabetit

Presidenti i Republikës, Ilir Meta mori pjesë sot dhe përshëndeti veprimtaritë përkujtimore të 110-vjetorit të Kongresit të Manastirit, me pjesëmarrjen e dhjetra shqiptarëve nga të gjitha trevat, Ministrit të Kulturës së Maqedonisë, Asaf Ademi, gjuhëtarëve, politikanëve e filologëve.

Pas vizitës në “Muzeun e Alfabetit të Gjuhës Shqipe” i mikpritur e i shoqëruar nga shumë banorë shqiptarë Presidenti Meta shpërndau në mënyrë simbolike 110 abetare për fëmijët shqiptarë të Manastirit.

Presidenti i Republikës i uroi mbarë kombit shqiptar gëzuar 110-vjetorin e Alfabetit të Gjuhës Shqipe duke theksuar se rikthehet me shumë emocion në Manastir.

“Të bëjmë gjithçka që kjo ndërtesë historike për shqiptarët të pasqyrojë më së miri kontributin e patriotëve shqiptarë. Pa Kongresin e Manastirit do të kishte qenë e vështirë edhe shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë”, – u shpreh Presidenti duke shtuar se shqiptarët tashmë janë faktor progresist në shërbim të paqes, stabilitetit dhe integrimit të rajonit tonë.

Presidenti Meta vuri në dukje: “Do të dëshiroja shumë të shpreh kënaqësinë time të veçantë që ndodhem në Manstir pikërisht në këtë muze të Kongresit historik të Manstirit, të Kongresit të Alfabetit tonë, që i bashkoi të gjithë shqiptarët.

Udha e shkronjave tona për të mbërritur deri këtu, në Kongresin që u mbajt 110 vite më parë, ka qenë një udhë mjaft e gjatë, mjaft e vështirë, mjaft e përgjakshme në emër të mbijetesës dhe të ruajtjes së kombit, duke ruajtur e duke mbrojtur gjuhën e nënës dhe gjuhën e kombit tonë.

Pak ditë më parë pata kënaqësinë që në kuadër edhe të Vitit Mbarëkombëtar të Skënderbeut, bashkë me Presidentin e Italisë Mattarella të bënim një vizitë të jashtëzakonshme e historike në Kalabri dhe të vizitonim Kolegjin e ‘Shën Adrianit’. Kolegjin ku Jeronim De Rada themeloi katedrën e parë të gjuhës shqipe dhe arbëreshe atje dhe ku studiuan personalitete të jashtëzakonshme që nga Luigj Gurakuqi, Aleksandër Xhuvani, Kostaq Cipo e shumë e shumë të tjerë, të cilët kontribuuan më pas si për Kongresin e Manastirit, si për Pavarësinë e Shqipërisë, për zhvillimin e gjuhës e të kulturës shqiptare – një kontribut i jashtëzakonshëm përmes sakrificave më sublime.

Jam sot këtu që të shpreh mirënjohjen për punën që bëhet për pasurimin e këtij muzeu dhe unë shikoj dallime të rëndësishme nga vjet. Dua të falënderoj shqiptarët dhe autoritetet në Maqedoni!

Falënderoj edhe përfaqësuesit nga Kosova për kontributin që kanë dhënë për ta pasuruar më tej!

Dhe me këtë rast do të doja të dhuroja jo vetëm 110 abetare simbolike në këtë 110-vjetor duke filluar me këta fëmijë qe kemi këtu, por njëkohësisht edhe të riafirmoj angazhimin tim si President i Republikës së Shqipërisë për të bashkëpunuar më ngushtë me autoritetet e Maqedonisë dhe me të gjithë të tjerët në mënyrë që të bëjmë gjithçka që kjo ndërtesë historike gjithnjë e më shumë të pasqyrojë atë të vërtetë të madhe, atë kontribut historik për kombin tonë që dhanë këtë patriotë të jashtëzakonshëm, si Gjergj Fishta, Mid’hat Frashëri, Luigj Gurakuqi, Ndre Mjeda, Bajo Topulli, Shahin Kolonja, Gjergj Qiriazi, Grigor Cilka, Sotir Peci, Taqi Buda, Nyzhet bej Vrioni dhe Parashqevi Qiriazi, të cilët i dhanë zgjidhje një problemi madhor të kulturës kombëtare, Alfabetit të gjuhës shqipe.

Pa Kongresin e Manastirit, pa standardizimin e alfabetit tonë të përbashkët, pa bashkimin e të gjithë shqiptarëve rreth këtij alfabeti, do të kishte qenë e vështirë shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë katër vite më vonë në Vlorë në 1912-n.

Ndaj ne me këtë Kongres, me këtë alfabet të standardizuar e të dakortësuar këtu nga figurat më përfaqësuese të kombit tonë nga të gjitha trevat 110 vite më parë, i detyrohemi jo vetëm ekzistencës e Shqipërisë, jo vetëm ekzistencën e shtetit të Kosovës, por edhe faktin se shqiptarët, të cilët në pjesën më të madhe të historisë, për fat të keq, kanë qenë të pushtuar e të shtypur, sot janë një faktor, që po afirmohet kudo si faktor jashtëzakonisht progresist në shërbim të paqes, të stabilitetit dhe integrimit europian dhe euro-atlantik, dhe një rast shumë i mirë është roli i shqiptarëve të Maqedonisë.

Ne shpresojmë që të përfundojë shumë shpejt edhe çështja e marrëveshjes për emrin e Maqedonisë, e marrëveshjes me Greqinë, dhe Maqedonia të jetë anëtare e NATO-s dhe së bashku me Shqipërinë të çelin negociatat vitin e ardhshëm për anëtarësim në Bashkimin Europian.

Rroftë 110-vjetori i Kongresit të Manastirit!

Lavdi përjetë delegatëve të këtij Kongresi, të cilët i bënë kombit shqiptar, dhe në radhë të parë fëmijëve shqiptarë, dhuratën më të madhe: alfabetin e gjuhës shqipe!”

Më pas, Presidenti Meta mori pjesë në përurimin e ekspozitave “Art i Gjilpërave” nga Zeqir Mehmeti dhe studentët e Fakultetit Filozofik të Prishtinës; në shpalosjen e “Kongresit të Manastirit – 110 vite nga Alfabeti që na bashkoi” të Prof. As. Dr. Arsim Sinanit dhe në “Ekspozitën me fotografi” të autorit Burim Ajdini.

Në Pallatin e Kulturës të Manastirit, Presidenti Meta dhe të pranishmit e tjerë të shumtë ndoqën veprimtarinë kulturore “Manastiri Feston 110 vjet” të organizuar nga Institucioni Kombëtar i Muzeut të Alfabetit të Gjuhës Shqipe të Manastirit, drejtuar nga Nuer Asllani.

Kurti: Thaçi po e ndihmon Putinin për t’u rikthyer në Ballkan

Lideri i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka thënë se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, me takimin e tij me Presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, i ka ndihmuar këtij të fundit që të kthejë ndikimin në Ballkan.

Kurti ka folur kështu të premten në një intervistë në RTK.

“Takimi që u zhvillua me Putinin, ishte lajm i keq jo vetëm për Kosovën, por edhe rajonin. Putini po përpiqet të rikthehet në Ballkan. Gjukanoviqi e Zaevi e kanë zbrapsur atë. Ai tash e ka rigjetur këtë njeriun tonë, që është president, dhe po përpiqet të rikthehet në rajon. Ne nuk duhet të ndryshojmë aleatët tanë, SHBA-në e Gjermaninë. Ky tashmë e ka shkelur një vijë të kuqe të trashë”, është shprehur Kurti.

Nesër fillon AP e INTERPOL-it, do të votohet edhe për Kosovën

Asambleja e 87-të e Përgjithshme e Organizatës Ndërkombëtare të Policisë (INTERPOL) fillon nesër në Dubai, ku mes tjerash do të votohet edhe mbi anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.

“Mbledhja e Asamblesë së 87-të të Përgjithshme të Interpol-it” do të zhvillohet më 18-21 nëntor në Dubai të Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA).

Pika kryesore e rendit të ditës në këtë mbledhje do të jetë zgjedhja e kryetarit të INTERPOL-it.

Në vend të ish-kryetarit kinez, Hongwei Meng, i cili dha dorëheqje pasi u arrestua në vendin e tij, do të garojnë kandidatë nga Koreja e Jugut, Rusia dhe Afrika e Jugut.

Mes tjerash në mbledhje do të votohet edhe për aplikimet për anëtarësim të Kosovës, si dhe Vanuatu dhe Kiribati.

Në rast se pranohen këto shtete, INTERPOL-i me 195 anëtarë do të jetë organizata më e madhe ndërkombëtare.

Turqinë në mbledhje do ta përfaqësojë delegacioni i kryesuar nga zëvendësministri i Brendshëm, Mehmet Ersoy.

Delegacioni turk, vendeve pjesëmarrës në asamblenë e përgjithshme do t’ju sqarojë detajisht luftën e Turqisë kundër organizatave terroriste FETO, PKK dhe DEASH si dhe punimet rreth parandalimit të kontrabandimit të emigrantëve. aa

Presidenti Meta nderon pas vdekjes gazetarin Agron Bala me “Çmimin e Karrierës”

Në një ceremoni të organizuar nga Unioni i Gazetarëve Shqiptarë, Presidenti Ilir Meta i dorëzoi çmimin e karrierës gazetarit Agron Bala, pas vdekjes.

Gazetari i njohur Agron Bala u nga jeta në moshën 60-vjeçare, pas një sëmundje të rëndë. Dhe ky çmim u tërhoq nga bashkëshortja e gazetarit Bala. Kontributin e tij në gazetari Bala ka filluar ta japi që në mesin e viteve ’80-të si skenarist në RTSH. Mbi 100 filma dokumentarë dhe programe, ku bien në sy dokumentarët për Luigj Gurakuqin, Vaso Pashën, Hoxha Tahsinin, Mihal Gramenon, Shote Galicën kanë edhe kontributin e Agron Balës. Pas viteve ’90-të, Bala u bë një zë i njohur në pasqyrimin e zhvillimeve demokratike në vend. Ai ishte organizor dhe pjesmarrës në disa emisione radiofonike dhe televizive, për të kulmuar në vitin 2006 me programin e njohur “7X7” në RTSH. Një kontribut të vlerësuar Agron Bala ka dhënë edhe për krijimin e brezit të rinj të gazetarëve si pedagog në Faklutetin e Gazetarisë.

Në aktivitetin e sotëm, gjithashtu për shkrimin dhe raportimin më të mirë të lajmeve u vlerësuan dy gazetaret e krinikës së zezë, Anila Hoxha dhe Klodiana Lala.

Meta, dekret për lirimin e Lleshit nga ushtria

Në Shqipëri, presidenti Ilir Meta dekretoi nxjerrjen në lirim të gjeneralit Sander Lleshi. Vendimi duket se i hap rrugë, emërimit të zotit Lleshi në postin e ministrit të Brendshëm, duke qenë se sipas Kreut të Shtetit, statusi i tij si ushtarak, binte në kundërshtim me qënien anëtar i kabinetit qeveritar. “Ministri si funksion kushtetues është autoritet civil, dhe kandidatura e zotit Lleshi vjen nga një karrierë e gjatë ushtarake” e për pasojë “emërimi i tij në detyrën e ministrit të Brendshëm, paraqet një problematikë themelore kushtetuese”, shkruante zoti Meta në letrën drejtuar Ministrisë së Mbrojtjes, menjëherë pasi kryeministri Rama i ripopozoi emrin e zotit Lleshi si ministër i Brendshëm. Në letër, presidenti saktësonte se “ushtaraku i shërbimit aktiv nuk mund të zgjidhet ose të emërohet në detyra të tjera shtetërore dhe as nuk mund të kandidojë e as të zgjidhet ministër apo deputet pa hequr dorë më parë nga detyra”.

Zoti Lleshi është liruar nga detyra e zëvendës shefit të Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë në vitin 2013 dhe është nxjerrë në lirim me dekret të presidentit të atëhershëm Bujar Nishani. Ai ju drejtua gjykatave, dhe Apeli administrativ i dha të drejtë në 2017 duke kërkuar rikthimin e tij në detyrë si dhe që ministria e Mbrojtjes t’i japë pagën deri në ditën e emërimit të ri. Ndërkohë çështja ka përfunduar në Gjykatën e Lartë, ku nuk është mbyllur ende.

Përmes një letre dërguar presidentit, zoti Lleshi shpjegoi se pas vendimit të Apelit, i ka kërkuar Ministrisë së Mbrojtjes zbatimin e tij, porse ministria e ka dërguar çështjen në Gjykatën e Lartë. Ai shprehej se nuk mund të konsiderohet ushtarak aktiv duke qenë se “të tillë quhen ata që shërbejnë në Forcat e Amatosura dhe mbajnë uniformë”.

Zoti Lleshi nënvizonte se me pranimin e propozimit për ministër i Brendshëm ka vendosur të heqë dorë nga karriera ushtarake, pavarësisht se vendimi i Gjykatës ja ka dhënë këtë mundësi dhe se me kërkesën drejtuar presidentit heq dorë nga të drejtat që i burojnë nga vendimi i Apelit.

Nga ana e ti, kryeministri Rama, po në një letër drejtuar presidentit, theksonte se sipas tij, zoti Lleshi nuk kishte statusin e ushtarakut aktiv, megjithatë ai ja linte në dorë të presidentit të vlerësonte rastin, dhe nëse ai mendonte të kundërtën, atëherë “sipas kërkesës së vetë zotit Lleshi, mund të vendosni çdekretimin e këtij të fundit si ushtarak”, nënvizonte zoti Rama në letër.

Por duket se presidenti i ka qëndruar mendimit se zoti Lleshi gëzonte ende statusin e ushtarakut, e për pasojë ministria e Mbrotjes i është drejtuar me kërkesën për dekretimin e lirimit të tij. Brenda ditës së sotme, sipas afatit të përcaktuar nga Kushtetuta, Kreu i Shtetit do të duhet të shprehet për emërimin e zotit Lleshi në postin e ministrit të Brendshëm.

Bora e parë në Dardhë të Korçës përuron ardhjen e dimrit në Shqipëri

Korça është zbardhur nga bora e parë, duke na çuar zyrtarisht në dimër.

Kështu, kanë nisur reshjet e para të borës në këtë qark. Për më shumë se dy orë, bora vijon të bjerë në fshatin turistik tës Dardhës.

Ndërkohë që edhe kjo e fundjavë pritet të jetë e ftohtë. Temperaturat e ajrit sërish do të pësojnë rënie në orët e mëngjesit dhe të mesditës duke bërë që minimumi të ulet deri në -6 grade °C në zonat malore dhe maksimalja të arrijë deri në 18 °C.

Dosja e antimafias, Igli Tare dhe vëllai i tij Genti dyshohen se fshihen pas kompanisë ‘TOP BAST’ në Shqipëri

Hetimet mbi një grup kriminal italian të basteve ilegale nxjerrin një mafioz që negocionte me vëllain e ish-kapitenit të kombëtares për t’i blerë aksionet e kompanisë

 

Ish-lojtari e kapiteni i kombëtares shqiptare të futbollit, Igli Tare që aktualisht është drejtor sportiv i ekipit të Lazios në kampionatin italian të futbollit, së bashku me vëllanë Genti Tare dyshohet se fshihen pas kompanisë ‘TOP BAST’ në Shqipëri. Kompania në Tiranë është në emrin e Ermal Bajramit, i cili rezulton se ka 100% të aksioneve, por pronarët e vërtetë dyshohet se janë vëllezërit Tare.

Dyshimet bazohen mbi publikimin e një materiali nga antimafia italiane mbi një organizatë ndërkombëtare të specializuar në lojërat e fatit dhe basteve, e cila pas një hetimi të gjatë të Guardia di Financa u finalizua dje me arrestimin e 68 personave (mes tyre edhe disa bosa mafioze) në disa qytete italiane dhe sekuestrimin e 1 mld eurove, ndërsa del edhe emri i Shqipërisë.

Por çfarë lidhje kanë vëllezërit Tare me këtë histori?
Mes 68 të arrestuarve në Itali është edhe Francesco Martiradonna, pjesë e një klani mafioz në Bari i cili ka tentuar në vitin 2015 që të blejë kompaninë ‘Top Bast’ të vëllezërve Tare. Martiradonna kishte planifikuar edhe një takim me Genti Taren në Bari në 8 janar 2015.

Sipas antimafia italiane “Kontaktet e para regjistrohen me avokatin Mirko Daidone, të cilit Fabrizio Gerolla i drejtohet duke i kërkuar informacione mbi një shoqeri bastesh të drejtuar nga vëllëzerit Tare, me 400 pika në të gjithë Shqipërinë, e interesuar për t’u përhapur nën emrin BET 1128. Shoqeria shqiptare, për të cilën është i interesuar Gerolla, është Top Bast.

Rezulton që Top Bast ka një kapital prej 22 milionë lekë, e ndarë në 22000 kuota me vlerë normale 1000 lekë secila, në zotërim të Ermal Bajramit. Ne fakt rezulton qe shoqëria është në pronesi e vëllezërve Genti dhe Igli Tare, respektivisht konsull i Shqipërisë në Turqi dhe drejtor sportiv i Lazios.

Ky fakt vërtetohet nga një email të datës 20 nëntor 2014 me të cilat Fabrizio Gerolla tregon Francesco Martiradonna që është i kontaktuar nga Genti Tare me të cilin duhet të takohej, por që para takimit duhet të hartonin planin e transaksionit: Idea ishte që kompania Bet 1128 (prona e Martiradonna) duhet të regjistronte një degë në Shqipëri, Martiradonna duhet të blinte 50% e aksioneve të Top Bast dhe ndërkohe disa nga pikat e basteve të Top Bast do kalonin nën një brand të ri me emrin e Bet 1128”.

Sipas dosjes hetimore që Shqiptarja.com ka pasur mundësinë ta lexojë takimi mes Francesco Martiradonna dhe Genti Tare, organizuar nga Fabrizio Gerolla, ishte lënë për t’u zhvilluar në Bari në datë 8 janar të 2015-së. Po marrëveshja dështoi, pasi sipas Martiradonna, Tatimet në Shqipëri mbi bastet ishin tepër të larta në krahasim me Anglinë ose Maltën.

Edhe Francesco Martiradonna edhe Fabrizio Gerolla, që banonte në Torino, janë arrestuar dje bashke me 66 anetare te tjera të organizatës kriminale.

Dokumenti i Antimafias italiane për këtë hetim

“Top Bast” e përmendur në raportin e UEFA-s për trukimet
Kompania ‘Top Bast’ nuk është e panjohur, pasi në 2016 është përmendur edhe në raportin e UEFA-s kur akuzonte Skënderbeun për trukime ndeshjesh. Në raportin e UEFA-s në 2016, përmendeshin emrat e Agim Zeqos dhe Ardian Takajt, i pari nisi historinë e Skënderbeut në futbollin shqiptar në dekadën e fundit, ndërsa i dyti e vazhdoi duke e dërguar në grupet e Europa League. (Lexo këtu)

Organizata kriminale me aktivitet në 11 shtete
Përsa i përket operacionit në Itali, mediat në vendin fqinj raportojnë se hetimet janë shtrirë edhe në Shqipëri ku dyshohet se organizata kishte lidhje me disa kompani. Organizata kriminale me bazë në Puglia, Katania e Calabri e kishte shtrirë aktivitetin e saj në 11 shtete të ndryshme si Shqipëri, Itali, Serbi, Austri, Spanjë, Maltë, Zvicër, Britani e Madhe, Vende të Ulëta, Kuracao, Isola di Man. Ndaj të arrestuarve rëndon akuza për pjesëmarrje në organizim kriminal mafioz me aktivitet të paligjshëm në bastet sportive online, mashtrim në transferim parash, riciklim të paligjshëm të ardhurash, si dhe mashtrim tatimor.

d.ba.